IZRAEL – Netanyahu: Nuk do të ketë një shtet palestinez
TEL AVIV, 11 shtator /ATSH-AFP/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pohoi sot se nuk do të ketë shtet palestinez, gjatë një ceremonie nënshkrimi për një projekt të madh vendbanimesh në Bregun Perëndimor të pushtuar.
“Ne do ta mbajmë premtimin tonë: nuk do të ketë shtet palestinez, ky vend na përket neve”, tha Netanyahu në Maale Adumim, një vendbanim izraelit në lindje të Jerusalemit.
“Ne do ta ruajmë trashëgiminë tonë, tokën tonë dhe sigurinë tonë (…) Do ta dyfishojmë popullsinë e qytetit”, vazhdoi ai.
Muajin e kaluar, Izraeli miratoi një projekt kyç për të ndërtuar 3 400 njësi banimi në Bregun Perëndimor, i cili u denoncua nga OKB-ja dhe disa udhëheqës të huaj sepse do ta ndante territorin palestinez në dy pjesë, duke kompromentuar çdo vazhdimësi territoriale të një shteti të mundshëm palestinez.
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, një figurë e ekstremit të djathtë, kishte bërë thirrje për përshpejtimin e zbatimit të këtij projekti, të njohur si E1, dhe për aneksimin e Bregut Perëndimor, në përgjigje të njoftimeve nga disa vende për qëllimin e tyre për të njohur një shtet të Palestinës.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e dënoi me forcë këtë vendim, me Autoritetin Palestinez që e denoncoi atë si një fazë të re në “aneksimin progresiv të Bregut Perëndimor”.
Kolonizimi i Bregut Perëndimor, i cili kufizohet me Jordaninë, ka vazhduar nën çdo qeveri izraelite, si të majtë ashtu edhe të djathtë, që nga viti 1967.
Vendet perëndimore si Franca, Australia dhe Kanadaja njoftuan qëllimin e tyre për të njohur një shtet të Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në fund të shtatorit.
Londra ka lënë të kuptohet se do të bëjë të njëjtën gjë nëse Izraeli nuk merr një sërë angazhimesh, duke përfshirë një armëpushim në Rripin e Gazës.
Në muajt e fundit, disa ministra izraelitë të ekstremit të djathtë kanë bërë thirrje hapur për aneksimin e Bregut Perëndimor./ a.jor.
The post IZRAEL – Netanyahu: Nuk do të ketë një shtet palestinez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.