Normal view

Received — 9 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria fiton 1-0 ndaj Letonisë, kapërcen momentalisht Serbinë

9 September 2025 at 22:55

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Kombëtarja shqiptare fitoi 1-0 mbrëmjen e sotme me Letoninë, në stadiumin “Air Albania”, në ndeshjen e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve për Kupën e Botës SHBA-Meksikë-Kanada 2026.

Trajneri i Kombëtares Silvinjo hodhi në fushën e lojës formacionin me Strakoshën në portë, Hysajn, Gjimshitin, Ajetin, Mitajn në mbrojtje; Shehun, Asllanin, Laçin në mesfushë dhe Brojën, Manajn dhe N. Bajramin në sulm.

Ndërsa trajneri i Letonisë, Paolo Nicolato hodhi formacionin me Zviedris, Balodis, Černomordijs, Dašķevičs, Varslavān, Jurkovskis, Cigaņiks, Zelenkovs, Vapne, Šits, Meļņik.

Në minutën e 4-t Bajrami provoi me një gjuajtje në hyrje të zonës, por tentativa e tij shkon jashtë.

Në të 9-ën Hysaj hodhi një krosim drejt zonës, me Laçin që tenton me kokë, por tentativa e tij shkon mbi kuadrat.

Në minutën e 25-të Kombëtarja kaloi në avantazh, me Asllanin, i cili shndërroi në gol një penallti të fituar nga Laçi, i cili hodhi një krosim në zonë dhe topi u ndal me dorë nga kundërshtari.

Në minutën e 30-të Kombëtarja pati një tjetër rast për shënim. Aksion i bukur nga kuqezinjtë, me Manajn që godet me të majtën, por topi shkon jashtë.

Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim teksa me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë Shqipëria krijoi rastin e parë për shënim në minutën e 52-të, teksa Hysaj krosoi nga krahu i djathtë, por Bajrami goditi jashtë.

Kombëtarja kërkon golin e dytë, teksa në të 56-ën Laçi hodhi një krosim drejt zonës me topin që mbeti aty, por Gjimshiti nuk goditi siç duhet.

Trajneri Silvinjo kërkon t’i japë freski skuadrës teksa fut në lojë Arbër Hoxhën në vend të Nedim Bajramit dhe më pas edhe Mirlind Dakun dhe Adrion Pajazitin në vend të Rey Manajt dhe Qazim Laçit.

Në minutën e 86-të rast i mirë për shënim për Letoninë, por Mitaj largoi një top mbi vijën fatale.

Minutat e mbetura nuk prodhuan emocione, teksa Shqipëria fitoi 1-0 një ndeshje që mban gjallë shpresat për kualifikim në Botëror.

Në ndeshjen tjetër të grupit Anglia fitoi 0-5 në transfertë ndaj Serbisë.

Aktualisht Shqipëria ndodhet në vendin e dytë me 8 pikë, Serbia e treta me 7 pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur. Anglia kryeson grupin me 15 pikë, ndërsa Letonia është me 4 pikë.

Pragsfida Shqipëri-Letoni, Foto: Andrin Hoxha
1 nga 22
Formacionet
Pragsfida Shqipëri-Letoni, Foto: Andrin Hoxha
Pragsfida Shqipëri-Letoni, Foto: Andrin Hoxha
Pragsfida Shqipëri-Letoni, Foto: Andrin Hoxha

/gj.m//a.f//r.e/

The post Shqipëria fiton 1-0 ndaj Letonisë, kapërcen momentalisht Serbinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëri – Letoni, tifozët kuqezinj mbushin plot stadiumin “Air Albania”

9 September 2025 at 17:40

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Sonte në mbrëmje, në orën 20:45, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Letoninë, në stadiumin “Air Albania”, në një ndeshje jetike për fatet e saj në Grupin K të kualifikueseve për Kupën e Botës “USA-Meksikë-Kanada 2026”.

Stadiumi sot pritet të jetë i mbushur plot me tifozë kuq e zinj, pasi federata Shqiptare e Futbollit njofton se të gjitha biletat e disponueshme për ndeshjen Shqipëri – Letoni janë shitur.

Pas katër ndeshjesh të zhvilluara, Shqipëria ndodhet në vendin e tretë me 5 pikë, dy më pak se Serbia që është e dyta me 7 pikë, por që ka një ndeshje më pak të luajtur.  Anglia kryeson grupin me 12 pikë, ndërsa Letonia është vetëm një pikë pas nesh, me 4 pikë.

Përballja e sotme është vendimtare për skuadrën e drejtuar nga Sylvinhos, që ka si objektiv vetëm fitoren në mënyrë që të vazhdojë të shpresojë për një kualifikim në Botërorin e 2026-ës.

Në ndeshjen tjetër të grupit K, Serbia pret Anglinë në një përballje të vështirë në Beograd, dhe çdo hap fals i serbëve i hap rrugën Shqipërisë për t’u ngjitur në vendin e dytë nëse arrin të marrë maksimumin kundër Letonisë.

Shqipëria dhe Letonia janë përballur 6 herë në histori dhe të gjitha takimet kanë përfunduar në barazim. Dueli i fundit, më 10 qershor 2025 në Riga, përfundoi 1-1, duke lënë shumë vend për reflektim për stafin kuqezi. Në total, të dyja skuadrat kanë shënuar dhe pësuar nga 7 gola ndaj njëra-tjetrës, një baraspeshë që Kombëtarja jonë duhet patjetër ta prishë në këtë mbrëmje.

Ndeshja do të gjykohet nga një treshe polake me Damian Sylwestrzak si arbitër kryesor, i ndihmuar nga Pawel Sokolnicki dhe Adam Karasewicz, ndërsa në sistemin VAR do jenë Piotr Lasyk dhe Pawel Malec.

/gj.m//a.f/

The post Shqipëri – Letoni, tifozët kuqezinj mbushin plot stadiumin “Air Albania” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trajneri i Letonisë për sfidën ndaj Shqipërisë: Jemi gati, duam rezultat pozitiv

8 September 2025 at 23:07

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Kombëtarja e Letonisë zhvilloi të hënën në mbrëmje stërvitjen zyrtare dhe konferencën për shtyp në Tiranë, në prag të përballjes ndaj Shqipërisë, që do të luhet më 9 shtator, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës FIFA 2026.

Trajneri i Letonisë, Paolo Nicolato, tha se ekipi i tij po përqendrohet tek rikuperimi i formës më të mirë.

“Ndeshja kundër Serbisë dhe ajo kundër Shqipërisë janë dy sfida të ndryshme. Na duhet të rikuperojmë lojtarët, sepse lamë shumë energji. Por jam i kënaqur me performancën tonë të fundit. Po ecim në drejtimin e duhur dhe besoj se mund të bëjmë një ndeshje të mirë edhe kundër Shqipërisë,” u shpreh Nicolato para gazetarëve.

I pyetur për përgatitjet ndaj Shqipërisë, Nicolato tha se fokusi i skuadrës nuk është aq shumë te kundërshtari, por te vetja.

“Siç e kam thënë edhe më parë, nuk shqetësohemi aq shumë për kundërshtarët. Ne përqendrohemi te strategjia dhe përmirësimi i lojës sonë. Ndeshja kundër Serbisë tregoi një qëndrim të mirë nga ana jonë, edhe pse jemi të vetëdijshëm për diferencat në renditjen e FIFA-s dhe përvojë.”

Trajneri i Letonisë në fjalën e tij tha se skuadra që drejton është gati për sfidën dhe ka qëllim arritjen e një rezultati pozitiv.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Letonisë do të luhet të martën në mbrëmje në orën 20:45, e vlefshme për grupin K në kualifikueset e Botërorit SHBA-Meksikë-Kanada 2026.  Po për këtë grup luhet në të njëjtën orë edhe ndeshja Serbi-Angli.  Ndeshja Shqipëri –Letoni do të gjykohet nga gjashtë gjyqtarë polakë të caktuar për sfidën, të udhëhequr nga kryesori Damian Sylvestrzak.

Renditja e Grupit K:

  1. Anglia           4 ndeshje, 12 pikë
  2. Serbia          3 ndeshje, 7 pikë
  3. Shqipëria      4 ndeshje, 5 pikë
  4. Letonia         4 ndeshje, 4 pikë
  5. Andorra        5 ndeshje, 0 pikë

/a.f/

The post Trajneri i Letonisë për sfidën ndaj Shqipërisë: Jemi gati, duam rezultat pozitiv appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Trump: Shorti i Botërorit 2026 më 5 dhjetor në Uashington

22 August 2025 at 22:38

UASHINGTON, 22 gusht /ATSH – DPA/ – Shorti i grupeve të “Kupës së Botës 2026” në futboll do të hidhet më 5 dhjetor në Uashington, njoftoi të sot presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.

Trump tha në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të FIFA-s Gianni Infantino, se ceremonia e hedhjes së shortit do të mbahet në “Qendrën Kennedy” në kryeqytet.

“Kupa e Botës 2026” do të zhvillohet nga 11 qershor deri më 19 korrik 2026 në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Turneu është zgjeruar nga 32 në 48 skuadra, të cilat do të ndahen në 12 grupe.

Fillimisht besohej se shorti do të mbahej në Las Vegas, siç ndodhi për botërorin e parë në SHBA në vitin 1994.

Infantino dhe Trump kanë marrëdhënie të afërta, dhe ata mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp në fund të “Kupës së Botës për klube”, e cila u zhvillua në SHBA në qershor dhe korrik, në “Trump Tower” në Nju Jork.

Trump ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të trofeut pas finales në Nju Xhersi.

Trump e quajti Kupën e Botës si “ngjarjen  më të madhe në sport” dhe, në lidhje me shortin, shtoi se “ishte një nder i jashtëzakonshëm të sjellim këtë ngjarje globale dhe këtë grup të jashtëzakonshëm njerëzish dhe këta sportistëtë pabesueshëm – më të mirët në botë – në qendrën kulturore të kryeqytetit tonë.”

Deri në kohën e shortit do të dihen 42 nga 48 skuadra pjesëmarrëse, ndërsa gjashtë të tjera do të përcaktohen në ndeshjet play-off në mars. Për këto ekipe do të vendosen përkohësisht vende në short.

Tre vendet organizatore kualifikohen automatikisht, ndërsa 10 skuadra tashmë kanë siguruar pjesëmarrjen: kampionia në  fuqi Argjentina,  por dhe Australia, Brazili, Ekuadori, Irani, Japonia, Jordania, Zelanda e Re, Koreja e Jugut dhe Uzbekistani. /Ad. Ab./

 

 

The post SHBA – Trump: Shorti i Botërorit 2026 më 5 dhjetor në Uashington appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Botërori 2026”, Kombëtarja në Letoni për të konsoliduar vendin e dytë në grup, 1 mijë tifozë në Riga

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Shqipëria do të luajë mbrëmjen e sotme në orën 20:45 në Riga të Letonisë ndeshjen e katërt në Grupin K. kualifikues të Botërorit 2026.

Pas humbjes në debutim me Anglinë, fitores 3-0 me Andorrën dhe barazimin pa gola ndaj Serbisë, kundërshtari i radhës për Kombëtaren është Letonia.

Në rast të një fitoreje kuqezinjtë kanë shansin të përforcojnë pozitat në vendin e dytë.

Aktualisht Shqipëria ka 4 pikë në grup dhe një fitore do të krijonte distancë sigurie nga Serbia, që luan me Andorrën.

Nëse ngjitet në kuotën e 7 pikëve, Shqipëria do të kishte vetëm 2 më pak se Anglia, e cila do të luajë miqësore me Senegalin.

Fituesja e grupit do të kualifikohet direkt për në finalet e Kupës së Botës, ndërsa e dyta do të kalojë në raundin e dytë (play-off).

Sa i përket tifozerisë kuq e zi, edhe në Riga do të jenë të shumtë ata që do të mbështesin Kombëtaren.

Bëhet fjalë për rreth 1 mijë tifozë kuqezinj që do të ndjekin Kombëtaren shqiptare në “Skonto Stadium” të Rigës.

Grupi “K”
Ndeshjet sot ora 20:45
-Letoni-Shqipëri
-Serbi- Andorra

Klasifikimi
1. Anglia       9 pikë (3 ndeshje)
2. Shqipëria  4 pikë (3 ndeshje)
3. Letonia     3 pikë (2 ndeshje)
4. Serbia      1 pikë (1 ndeshje)
5. Andorra    0 pikë (3 ndeshje)

/gj.m/j.p/

The post “Botërori 2026”, Kombëtarja në Letoni për të konsoliduar vendin e dytë në grup, 1 mijë tifozë në Riga appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria përfaqësohet me dy sportistë në Kampionatin Botëror të “Fitness Challenge”

11 April 2025 at 09:15

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Shqipëria u përfaqësua në Kampionatin Botëror të ‘Fitness Challenge’ të mbajtur në Bishkek të Kirgistanit, me sportistët Jurgen Veizi dhe Klejdi Qemalli, bëri të ditur sot Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

Në garën individuale ‘Golden Level’, Jurgen Veizi bëri një paraqitje dinjitoze, duke u renditur në vendin e pestë.

Në garën ekipore “Gold Level Team of Two”, Jurgen Veizi dhe Klejdi Qemalli, për pak pikë humbën zonën e medaljeve, duke u renditur në vendin e katërt. /j.p/

The post Shqipëria përfaqësohet me dy sportistë në Kampionatin Botëror të “Fitness Challenge” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Silvinjo: Ndaj Andorrës nuk na lejohen gabimet

23 March 2025 at 17:32

TIRANË 23 mars /ATSH/ Shqipëria luan nesër në Arenën Kombëtare kundër Andorrës në ndeshjen e dytë të grupit K, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2026 që do të mbahet në 3 shtete në Amerikën e Veriut: SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Në konferencën përpara kësaj sfide, trajneri i Kombëtares, Silvinjo deklaroi se do të jetë ndryshe nga ndeshja me Anglinë, për të cilën tha se nuk ishte e lehtë.

Silvinjo u shpreh se, ekipi do të mundohet të bëjë diçka ndryshe ndaj Andorrës.

“Futbolli është i vështirë për të gjithë. Mëson nga gabimet dhe rinisesh. Ndeshja e fundit nuk ishte e lehtë. Është e vështirë të luash ndaj Anglisë. Kanë lojtarë që luajnë në klubet më të mëdha në botë”, tha ai.

“Me ekipe të tilla duhet të shikosh hapësirat. Ishim në lojë deri të goli i dytë. Me ekipe të tilla, nëse nuk je i përqendruar mund të pësosh 5-6 gola”, u shpreh Silvinjo.

“Ndaj Andorrës nuk na lejohen gabimet. Kemi parë ndeshjen e fundit të tyre, gjithçka ishte e barabartë dhe u vendos nga episodet. Kemi punuar për të gjetur hapësirë për të shënuar. Në stërvitje do të merremi me elementë taktikë për nesër”, u shpreh ai.

“Ajo që ne mundohemi është që të përfitojmë nga lojtarët. Ndaj Anglisë duhet të mbroheshim mirë dhe të riniseshim. Do mundohemi të bëjmë diçka ndryshe. Edhe ndaj Anglisë e provuam, por kishin mbrojtës të fortë”, theksoi Silvinjo.

“Futbolli është i vështirë, por duhet të gjejmë hapësirat e duhura. Futbollistët e tyre luajnë me grinte dhe pasion për fanellën e tyre. E gjithë loja do luhet lart”, deklaroi Silvinjo.

Ndeshja me Andorrën do të luhet nesër në Arenën Kombëtare, duke nisur nga ora 20:45.

/r.e/

The post Silvinjo: Ndaj Andorrës nuk na lejohen gabimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sfida me Andorrën, Gjimshiti: Ndeshje e vështirë, duhet të jemi të përqendruar

23 March 2025 at 17:19

TIRANË, 23 mars /ATSH/ Shqipëria luan nesër në Arenën Kombëtare kundër Andorrës, në ndeshjen e dytë të grupit K të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2026 që do të mbahet në 3 shtete në Amerikën e Veriut.

Në konferencën përpara kësaj sfide kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti kërkoi përqendrim maksimal nga lojtarët, duke thënë se kundërshtarë si Andorra mund të hapin probleme.

Sipas tij, presioni është i pranishëm, por shtoi se është diçka pozitive kur kërkohet fitorja.

“Edhe ndeshjen me Anglinë e quaja si mundësi. Ishte një mundësi për ne. Anglia është ekip që luan gjithmonë për të fituar trofe. Nesër do të jetë ndeshje tjetër. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Të gjithë duhet të jenë të përqendruar. Ne letër mund të mos duket e vështirë, por në fushë mund të jetë ndryshe”, tha ai.

Gjimshiti u shpreh se, “ata kanë një përparësi që kanë të njëjtin trajner prej shumë kohësh dhe janë të njëjtët lojtarë. Janë të përgatitur fizikisht. Luajnë në mbrojtje. Duhet t’i fusim në duele individuale me sulmuesit tanë që të krijojnë hapësira dhe mendoj se ky do të jetë kyçi”.

“Në futboll në çdo ndeshje e ke presionin. Është një presion ndryshe nga Anglia. Jemi ne favoritë. Duhet të mësohemi me këtë presion. Kam qenë edhe unë kur na barazuan 2-2 në Shqipëri, na shënuan në dy raste”, u shpreh Gjimshiti.

Gjimshiti u shpreh falënderues ndaj tifozëve.

“E kam thënë gjithmonë se janë më të mirët në botë. Besoj dhe e di se do të na mbështesin edhe në këtë ndeshje. Kombëtarja është ndryshe. Nuk je me atë që luan afër teje prej shumë kohësh. Nuk i di lëvizjet e shokut. Është psikologjike mendoj, si ndaj Anglisë. Kur të mbajnë lart, është e vështirë për të dhënë anën pozitive”, theksoi ai.

“Shpresoj të rikthehen fitoret në stadiumin tonë. Ndeshjet nuk fitohen se jam unë. Puna ime është që të mos pësojmë gol. Kemi mësuar nga ndeshjet e kaluar. Do përmirësohemi në kualifikueset e Botërorit. Duam t’i japim kënaqësi tifozëve”, u shpreh kapiteni i Kombëtares.

“Jemi të gjithë profesionistë. Do jetë një ndeshje ndryshe. Duhet të jemi të përqendruar, sepse mund të pësosh me këto kombëtare të vogla”, deklaroi Gjimshiti.

/r.e/

The post Sfida me Andorrën, Gjimshiti: Ndeshje e vështirë, duhet të jemi të përqendruar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kualifikueset e Kupës së Botës 2026, Silvinjo publikon listën e lojtarëve për ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Kombëtarja shqiptare është gati për rrugëtimin e ri në kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Shqipëria ndodhet në grupin K së bashku me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.

Trajneri Silvinjo ka përzgjedhur 26 lojtarë për dy ndeshjet e marsit ndaj Anglisë dhe Andorrës.

Për herë të parë në Kombëtare janë ftuar Juljan Shehu i Widzew Lodz dhe Etnik Brruti i Malishevës.

Lista e plotë:

Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri dhe Simon Simoni.

Mbrojtës: Ivan Balliu, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti dhe Enea Mihaj.

Mesfushorë: Ylber Ramadani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Kristjan Asllani, Adrion Pajaziti, Etnik Brruti, Juljan Shehu, Nedim Bajrami dhe Arbër Hoxha.

Sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni dhe Rey Manaj.

Grumbullimi zyrtar nis të hënën më 17 mars. Kombëtarja do të luajë ndeshjen e parë ndaj Anglisë në “Wembley” më 21 mars, në orën 20:45.

Takimi i dytë është më 24 mars ndaj Andorrës në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, në orën 20:45. Biletat për këtë takim janë ende në shitje dhe të gjithë tifozët mund t’i blejnë në ebileta.al në këtë link: Biletat e ndeshjes: Shqipëri – Andorra

The post Kualifikueset e Kupës së Botës 2026, Silvinjo publikon listën e lojtarëve për ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 6 December 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Botërori “Socca World Cup 2024”, Shqipëria kualifikohet në çerekfinale

6 December 2024 at 16:58

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e minifutbollit ka arritur suksesin e radhës, duke u kualifikuar në çerekfinalet e Kampionatit Botëror “Socca World Cup 2024”.

Kuqezinjtë fituan ndeshjen e raundit të 1/16-ave ndaj Belgjikës me rezultatin 3-0 dhe siguruan kualifikimin mes tetë ekipeve kombëtare më të mira të botës.

Shqipëria dominoi takimin dhe u hodh në kërkim të golit që në startin e ndeshjes. Golin e parë kuqezinjtë e shënuan që në minutën e 5-të me Erald Lecin. Pas tri minutave, për ekipin kombëtar dyfishoi rezultatin Endrit Kaca. Kapiteni kuqezi bëri gjithçka mirë, kaloi portierin dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Irtan Sejko gjeti golin edhe në fundin e pjesës së dytë, duke vulosur triumfin spektakolar. Për Shqipërinë shënoi Joanc Duqi dhe sfida u mbyll 3-0.

Në çerekfinale, Shqipëria do të përballet me skuadrën e Omanit.

1 nga 2

/r.e/

The post Botërori “Socca World Cup 2024”, Shqipëria kualifikohet në çerekfinale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Botërori i Mundjes në Tiranë, triumfojnë 3 sportistët nga Azerbajxhani

1 November 2024 at 10:26

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Botërori i Mundjes i mbajtur në Tiranë ka qenë i suksesshëm për sportistët nga Azerbajxhani.

Eldaniz Azizli (AZE) u bë mundësi më i suksesshëm i vendit në skenën botërore. Azizli fitoi titullin e tij të katërt radhazi botëror në stilin greko-romak, kategoria 55 kg, një nga tri medaljet e arta të fituara nga Azerbajxhani në natën e parë të finaleve në Kampionatin Botëror të kategorive Joolimpike të peshave të martën në Tiranë.

Azerbajxhani mori gjithashtu medalje të arta nga Nihat Mammadli (AZE) në 63 kg dhe Ulvi Ganizade.

(AZE) në 72 kg, ndërsa iraniani Mohammadali Geraei (IRA) mori titullin tjetër në këtë stil në peshën 82 kg për të fituar një të artë botërore, pasi ishte “kënaqur” më parë me tre medalje bronzi.

Në finalen e peshës 55 kg, Azizli mundi fituesin e medaljes së bronztë të vitit 2023, Poya Dad Marz (IRA) për herë të katërt në katër ndeshje në karrierë.

“Unë e kam takuar mundësin iranian edhe më parë dhe e njohim mirë njëri-tjetrin”, tha Azizli.

“Prandaj ishte e ngushtë. E kam mposhtur katër herë dhe këtë herë ishte më pranë”.

Duke fituar titullin e tij të katërt botëror, 32-vjeçari Azizli eklipsoi rekordin kombëtar prej tre titujsh të mbajtur nga i madhi i stilit të lirë Haji Aliyev (AZE), i cili fitoi medalje të arta në 2014, 2015 dhe 2017.

Aliyev gjithashtu ka dy medalje olimpike, një çmim që Azizli nuk është në gjendje të arrijë në programin aktual Olimpik.

Duke parë përpara, Azizli tha se, do të dëshironte të fitonte medaljen e tij të pestë të artë në botë në stilin greko-romak, një moment historik i arritur nga 16 mundës, kryesuar nga legjenda ruse Aleksandr Karelin (RUS).

Në peshën 72 kg, Ganizade e ruajti dominimin azerbajxhanas në këtë Botëror dhe e përmirësoi medaljen e tij të argjendtë nga viti 2022, duke rrëzuar nga froni kampionin në fuqi Ibrahim Ghanem (FRA) 3-2.

/a.f/r.e/

The post Botërori i Mundjes në Tiranë, triumfojnë 3 sportistët nga Azerbajxhani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 16 October 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Për herë të parë në Shqipëri organizohet Kampionati Botëror për të rritur në mundje

16 October 2024 at 13:07

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Federata Shqiptare e Mundjes do të sjellë për herë të parë në Shqipëri Kampionatin Botëror për të rritur, Kongresin Botëror të Mundjes si dhe për here të dytë Kampionatin Botëror U23, me pjesëmarrjen e 80 shteteve, nga ku prezente do të jene plot 2300 sportistë dhe trajnerë nga e gjithë bota.

Federata Shqiptare e Mundjes bën të ditur se, Kongresi Botëror i Mundjes do t’i sjelli Shqipërisë plot 117 shtete pjesëmarrëse dhe 200 delegatë nga e gjithë bota të cilët janë figurat më të njohura të sportit të Mundjes.

Kampionati Botëror U23 do të zhvillohet në datat 21 -27 Tetor pranë ambienteve të Parkut Olimpik “Feti Borova”

“Kampionati Botëror për të rritur”(Peshat jo olimpike) do të zhvillohet në datat 21 -27 Tetor pranë ambienteve të Parkut Olimpik “Feti Borova”

Ndërsa Kongresi Botëror i Mundjes do të zhvillohet në datën 27 Tetor ora 08:30-09:00 pranë “Ajman Park”, Shijak.

Federata e Mundjes bën të ditur se kjo është hera e parë që Shqipëria listohet si i pari shtet i vogël që organizon evente të këtij kalibri.

Ekipi Kombëtar do të përfaqësohet në Kampionatin Botëror U23 në kategorinë Greko-Roman nga mundësit Daniel Dajani 67 kg, Amarildo Laska 63 kg, Julijan Shehu 87 kg, Klodjan Shehu 77 kg, Ardit Zeneli 72 kg, Andi Muça 55 kg.

Ndërsa në kategorinë Stili i Lirë  Shqipëria do të përfaqësohet nga mundësit Arjan Danaj 79 kg, Altin Ganci  86 kg, Klevis Koceku  74 kg, Endrio Avdyli  61 kg, Klevis Preci 65 kg. Ndërsa në kategorinë për femra ekipi kombëtar përfaqësohet mundëset Esmeralda Nela 53 kg dhe Kleona Shabani 65 kg.

Në Kampionati Botëror për të Rritur (Peshat Jo Olimpike) në kategorinë Greko Roman, Shqipëria përfaqësohet nga Kevin Kupi 82 kg, Jurgen Uku 63 kg, Bajram Sina 55 kg, Gjete Prenga 72 kg.

Në kategorinë Stil i Lirë Shqipëria përfaqësohet nga mundësit Orges Lila 79 kg, Marjus Malko 92 kg dhe Eriglent Prizreni 70 kg dhe Endrio Avdyli 61 kg.

Ndërsa për femra Shqipëria përfaqësohet nga mundësja Albina Drazhi 65 kg

Trajnerë të ekipit Kombëtar janë Ermal Kryeziu, Altin Shtjefni, Oltian Karaj dhe Leonard Cakmashi.

/a.f/

The post Për herë të parë në Shqipëri organizohet Kampionati Botëror për të rritur në mundje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌