Normal view

Received — 20 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushner

TIRANË, 20 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama komentoi sot reagimet ndaj investimit në Zvërnec, ndërsa u shpreh se bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushner dhe sigurisht prej hijes së vjehrrit të tij, Donald Trumpit.

Në takimin e zgjeruar të grupit parlamentar socialist, tha se protestat në bulevard përputhën atë armatë të frikshme kundër tyre me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë off dhe online.

“Jo ndaj Donald Trumpit, por natyrisht ndaj meje dhe ndaj jush. I gënjeu mendja fuqishëm se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim. Dhe kështu me sqepin e një zogu të vetëm do laheshin dy hesape të vjetra. Bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës fiks 2073 vjet pas betejës së Palasës, ku Çezari turpëroi Pompeun, ndërsa armata shurdhuese e influencer-ve, followers-ave, analistëve, dialistëve, opinionistëve, urrejtësve patriotikë dhe mercenarëve digjialë të vënë në dispozicion bujarisht nga armiqtë e Shqipërisë apo nga konkurrentët e saj të egër në industrinë e turizmit do shpëtonte Shqipërinë nga unë për llogari të karavidheve të opozitës së dukshme dhe të padukshme”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se në këtë situatë miliona njerëz që nuk dinë as ku ndodhet Zvërneci, dinin saktësisht se çfarë duhet të mendonin për Zvërnecin.

Sipas tij, Bulevardi i Tiranës u bë sheshi ku qindra mijëra njerëz ju turrën oligarkisë botërore dhe bota shqiptare u njehësua në histerinë e kanaleve sociale, duke bashkuar në një armatë të vetme çlirimtare, zogjt më elegantë të botës, flamingot me fundin e kazanit digjital.

“Cikloni i këtyre 20 ditëve nuk është interesant për atë që thotë mbi qeverisjen e Shqipërisë sot. Është interesant për atë që thotë mbi kohën ku kemi hyrë, botën që jetojmë dhe sfidat me të cilat do të përballemi gjithnjë dhe më shumë edhe ne, PS”, shtoi Rama.

Nëse kjo histori do të kishte ndodhur 10 vjet më parë, Rama shprehu bindjen se “do të kishte mbetur në rastin më të mirë një debat shqiptar pa protestë”.

“Do të kishte pasur mbështetës, do kishte pasur kundërshtarë, do kishte pasur sherr por do të kishte mbetur këtu, brenda kufijve tanë, pavarësisht përfshirjes së amerikanëve, izraelitëve apo të dreqit vetë që u përfshi në këtë histori edhe pa qenë fare pjesë”, tha ai.

Ndërsa sot 10 vjet më pas, Kryeministri u shpreh se “brenda 48 orësh, degradimi i dhunshëm i një sherri vulgar mes rojeve të sigurisë private dhe një protestuesi të marrë zvarr në një lokalitet të Shqipërisë u bë zanafilla e një lufte globale online ku nuk mbeti llogore mediatike e planetit pa shkrehur municionet përkatëse”.

Kjo, sipas tij, “jo sepse bota u zgjua një mëngjes e alarmuar për fatin e flamingove të Nartës dhe natyrën e Shqipërisë”.

“Deri dje këtu zhvillohej egërsisht nën hundën e pandjeshme të botës masakra më e përgjakshme e shekullit XX mbi shpendët dhe kafshët e gjora që vriteshin për epshin shtazarak të mijëra gjuetarëve të ardhur nga perëndimi në këtë tokë pa shtet. Të ishte për botën. Narta mund të kthehej qetësisht 10 vite më parë kur flamengot nuk shtegtonin më drejt lagunës së saj sepse i priste plumbi i kafshëve të dehura me dy këmbë”, tha ai. /a.g/

The post Rama: Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushner appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BRUKSEL – BE: Projekti i lidhur me Kushner do të respektojë standardet mjedisore evropiane

15 June 2026 at 20:05

BRUKSEL, 15 qershor /ATSH/ – Komisionerja e Zgjerimit e Bashkimit Evropian, Marta Kos deklaroi sot se Shqipëria ka garantuar se projekti turistik prej më shumë se 1,4 miliardë eurosh, i lidhur me Jared Kushner, do të përmbushë standardet mjedisore të BE-së, sipas “Euronews”.

Sipas Kos, qeveria shqiptare e ka siguruar Komisionin Evropian se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se do të respektohen të gjitha rregullat evropiane për mbrojtjen e natyrës.

Shqipëria konsiderohet aktualisht një nga vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e renditur menjëherë pas Malit të Zi sa i përket progresit të negociatave.

Megjithatë, për t’u bërë pjesë e bllokut evropian, vendi duhet të harmonizojë legjislacionin e tij  me atë të  BE-së përfshirë fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Projekti luksoz turistik me vlerë mbi 1,4 miliardë euro ka shkaktuar protesta në Shqipëri gjatë javëve të fundit, pasi parashikohet të prekë një zonë të mbrojtur ekologjike në bregdetin e Adriatikut.

Javën e kaluar, zëdhënësi i Komisionit Evropian për zgjerimin, Guillaume Mercier, paralajmëroi se autoritetet shqiptare duhet të veprojnë pa vonesë për të shmangur çdo rrezik për procesin e anëtarësimit në BE.

Këto komente shkaktuan reagime në Tiranë, pasi u interpretuan si një paragjykim i rezultatit të vlerësimit mjedisor që ende nuk ka përfunduar.

Në deklaratën e saj, Kos mbajti një ton më pajtues, duke theksuar se e drejta për të protestuar është një liri themelore si për vendet anëtare të BE-së ashtu edhe për ato që synojnë anëtarësimin.

Ajo shtoi se procesi i anëtarësimit është ligjërisht dhe politikisht detyrues dhe i nënshtrohet monitorimit të vazhdueshëm, duke ofruar garanci të forta se natyra dhe mjedisi në Shqipëri do të mbrohen në përputhje me standardet evropiane.

Komisioni Evropian kishte ngritur më herët shqetësime për ndryshimet ligjore të miratuara në shkurt 2025, të cilat parashikojnë përjashtime të veçanta për investimet me vlerë mbi 50 milionë euro. Në këtë kategori përfshihet edhe projekti i mbështetur nga kompania “Affinity Partners”, e cila ka marrë akses të veçantë nga autoritetet shqiptare.

Sipas Kos, investimet e huaja janë të rëndësishme si për vendet kandidate ashtu edhe për shtetet anëtare të BE-së, por ajo nënvizoi se për Brukselin ka rëndësi që ato të realizohen në përputhje të plotë me legjislacionin evropian./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRUKSEL – BE: Projekti i lidhur me Kushner do të respektojë standardet mjedisore evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Witkoff dhe Kushner në Pakistan për bisedime me Iranin

24 April 2026 at 22:57

UASHINGTON, 24 prill /ATSH-DPA/ – Shtëpia e Bardhë njoftoi se i dërguari special amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Jared Kushner do të udhëtojnë drejt Pakistanit për të zhvilluar bisedime me përfaqësues të Iran, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se delegacioni amerikan do të niset nesër në mëngjes dhe se vetë Teherani ka kërkuar zhvillimin e këtyre takimeve.

Sipas raportimeve, Witkoff dhe Kushner pritet të takohen me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi. Ky i fundit më herët ka zhvilluar një bisedë telefonike me ndërmjetësit pakistanezë, ku janë diskutuar zhvillimet rajonale dhe çështje që lidhen me armëpushimin.

Ndërkohë, në këto bisedime nuk do të marrë pjesë zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, pasi kryetari i parlamentit iranian Mohammed Bagher Ghalibaf nuk do të jetë pjesë e delegacionit iranian.

Administrata amerikane e konsideron Ghalibafin si drejtuesin e delegacionit iranian dhe homologun e mundshëm të Vance.

Këto zhvillime vijnë pasi presidenti Donald Trump zgjati në mënyrë të njëanshme armëpushimin me Iranin, pa përcaktuar një afat të qartë përfundimi.

Më herët, Irani kishte refuzuar të merrte pjesë në negociata të reja në Pakistan, edhe pse Islamabadi po ndërmjetëson në konflikt.

Takimet e mëparshme mes palëve në Islamabad përfunduan pa arritur ndonjë përparim konkret, duke lënë të hapur nevojën për një raund të ri negociatash. /Ad.Ab./  a.jor.

The post SHBA – Witkoff dhe Kushner në Pakistan për bisedime me Iranin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Witkoff dhe Kushner anulojnë vizitën e planifikuar në Izrael për bisedime me Iranin

9 March 2026 at 11:34

UASHINGTON, 9 mars /ATSH/- Të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë anuluar udhëtimin e tyre në Izrael që ishte planifikuar për të martën, raportoi “The Jerusalem Post”.

Sipas raportit, nuk janë dhënë një arsye për anulimin e vizitës në Izrael.

Të dy të dërguarit kishin planifikuar të mbërrinin nesër në Izrael për bisedime me zyrtarët mbi luftën e vazhdueshme kundër Iranit.

Nuk pati konfirmim të menjëhershëm nga Izraeli ose SHBA-ja për raportin.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 1 200 njerëz, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei.

Teherani u hakmor me sulme me dronë dhe raketa që synonin Izraelin dhe vendet e Gjirit – ku janë vendosur bazat e aseteve ushtarake amerikane. //a.i/

The post SHBA – Witkoff dhe Kushner anulojnë vizitën e planifikuar në Izrael për bisedime me Iranin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Witkoff dhe Kushner synojnë një takim me Putin për paqen në Ukrainë

14 January 2026 at 21:00

UASHINGTON, 14 janar /ATSH/ – I dërguari  i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, po përpiqen të bëjnë një udhëtim në Moskë për të takuar presidentin rus Vladimir Putin, sipas Reuters.

Takimi do të shërbente për të paraqitur propozimet e fundit për paqe për luftën në Ukrainë.

Takimi mund të ndodhë këtë muaj, por planet nuk janë përfundimtare dhe data mund të shtyhet, sidomos për shkak të trazirave në Iran.

Shtëpia e Bardhë ka thënë për aktualisht nuk ka ndonjë takim zyrtar të caktuar në agjendë.

Sipas raportit, zyrtarët amerikanë do t’ia paraqesin presidentit Putinit draftin e fundit të propozimeve për paqe, i cili përfshin edhe garanci sigurie nga SHBA-ja  dhe Evropa për çdo marrëveshje të mundshme.

Bisedimet pritet të prekin edhe rindërtimin e Ukrainës pas luftës.

Në përgjithësi, bisedimet ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por informacioni i disponueshëm tregon një përpjekje të re diplomatike për të avancuar një marrëveshje paqeje midis SHBA‑së dhe Rusisë për luftën në Ukrainë./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

 

The post SHBA – Witkoff dhe Kushner synojnë një takim me Putin për paqen në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

GJERMANi – Kushner dhe Witkoff mbërrijnë në Berlin për bisedimet mbi Ukrainën

14 December 2025 at 14:46

BERLIN, 14 dhjetor /ATSH – DPA/ – I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, mbërritën sot  në Berlin për të kryesuar një delegacion amerikan në bisedimet për një armëpushim në Ukrainë.

Ndërkohë, në ndërtesën e qeverisë gjermane mbërriti një delegacion ukrainas, ku merr pjesë edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov,  për bisedime në lidhje me paqen në Ukrainë.

Umerov, kryenegociatori i presidentit Volodymyr Zelensky dhe kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, udhëtoi së bashku me Gunter Sautter, këshilltarin për politikë të jashtme të kancelarit Friedrich Merz, drejt hotelit ku është akomoduar delegacioni amerikan.

Bisedimet pritet të zhvillohen mes delegacionit amerikan, përfaqësuesve ukrainas dhe atyre të fuqive kryesore evropiane. Diskutimet paraprake do të mbahen në nivel këshilltarësh dhe pas dyerve të mbyllura.

Presidenti Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se do të udhëtojë drejt Berlinit. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, njoftoi të premten se Zelensky do të takohet nesër me kancelarin Friedrich Merz të hënën.

Duke folur për gazetarët ukrainas, Zelensky tha se ende nuk ka marrë një reagim nga Shtetet e Bashkuara për propozimet e tij më të fundit lidhur me ndryshime në planin e paqes të presidentit Donald Trump. Ai pranoi se një plan paqeje nuk do t’i kënaqë të gjitha palët, por theksoi se Ukraina ndodhet në një pozicion të fortë negociues.

Zelensky iu referua edhe garancive të sigurisë për Ukrainën, duke pasur parasysh se jo të gjitha palët mbështesin anëtarësimin e vendit në NATO.

Në Berlin ka mbërritur gjithashtu gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, komandanti më i lartë i NATO-s në Evropë. /Ad.Ab./

The post GJERMANi – Kushner dhe Witkoff mbërrijnë në Berlin për bisedimet mbi Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

JERUSALEM – Kushner dhe Netanyahu diskutojnë planin e SHBA-së për Gazën

10 November 2025 at 23:04

JERUSALEM, 10 nëntor /ATSH/- Ndërmjetësi amerikan Jared Kushner është takuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të diskutuar armëpushimin e mbështetur nga SHBA-ja në Gaza, sipas “The Times of Israel”.

Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes, u takua sot me Netanyahun në Jerusalem, si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të stabilizuar armëpushimin.

Takimi vjen një muaj pasi Uashingtoni dhe fuqitë rajonale e nxitën Izraelin të binte dakord për një armëpushim.

“Armëpushimi ka ndaluar pjesërisht dy vjet bombardimesh izraelite, të cilat shkatërruan pjesën më të madhe të Gazës dhe vranë më shumë se 69,000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë”, sipas autoriteteve palestineze.

“Bisedimet u përqendruan në disa nga elementët më të diskutueshëm të planit 20-pikësh të Trump për t’i dhënë fund luftës 2-vjeçare të Izraelit në territorin palestinez”, sipas zëdhënëses së qeverisë izraelite, Shosh Bedrosian.

“Zyrtarët diskutuan planet për çarmatimin e Hamasit, vendosjen e forcave ndërkombëtare të sigurisë dhe krijimin e një qeverie teknokratike në territor që përjashton Hamasin”, tha ajo.

Hamasi ka këmbëngulur vazhdimisht se heqja dorë nga armët e tij është një vijë e kuqe.

Duke iu drejtuar parlamentit të Izraelit, Knesset, Netanyahu premtoi se Gaza do të çmilitarizohej, qoftë në mënyrën e lehtë apo të vështirë, në atë që ishte një kërcënim i fshehur për të përshkallëzuar luftën. //a.i/

The post JERUSALEM – Kushner dhe Netanyahu diskutojnë planin e SHBA-së për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dhëndri i Trump, Kushner: Rama udhëheqës i fortë, projekti në Sazan do të jetë unik në botë

TIRANË, 17 maj /ATSH/ Jared Kushner, dhëndri i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nën cilësinë e CEO-s dhe themeluesit të “Affinity Partners”, ishte i pranishëm në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar që po mbahet në Tiranë.

Kushner, nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë, u shpreh se Shqipëria është një vend i mahnitshëm, teksa theksoi se kryeministri Edi Rama është një politikan i zoti.

Ai theksoi se qeveria e ka bërë Shqipërinë një vend të sigurt për të investuar.

Duke folur për projektin e tij ai tha se “do të ndërtojmë diçka spektakolare dhe do e prezantojmë së shpejti”.

Kushner: Jam xheloz që s’jam sot me ju në Shqipëri. Është vend i bukur.

Moderator: Jemi këtu në Tiranë sot dhe ky vend duket mahnitës dhe, në fakt, ju keni qenë i pari që më keni treguar për të në dy vitet e fundit dhe ju keni tërhequr vëmendje të madhe të shtypit vendas, kështu që më tregoni së pari, se si e zbuluat këtë vend dhe pse vendosët të investonit këtu?

Kushner: Si çdo gjë në jetë, ku gjërat thjesht marrin rrjedhën e tyre, unë isha me pushime, pasi u larguam nga qeveria në verën e vitit 2021. Ishim në varkën e një mikut, që na mori në Mal të Zi dhe nisëm të lundronim për në Korfuz. Kaluam dy ditë në Shqipëri. Në një nga ato netë, kryeministri Edi Rama erdhi në varkën tonë. Nuk isha takuar me të gjatë kohës kur shërbeja në qeveri, por më kishte lënë shumë mbresa vizioni i tij për ato që ai dëshironte të bënte me Shqipërinë. Vërtet që nuk dija asgjë për vendin. Nuk e njihja historinë dhe pjesën e errët të historisë së komunizmit dhe udhëheqjes së tmerrshme, që e kishte lënë në fakt tërësisht të pazhvilluar si komb. Edi erdhi dhe tha një sërë gjërash për të cilat isha i interesuar. Edi dukej politikan shumë i zoti, një udhëheqës shumë i fortë dhe mençur, por edhe fakti që ishte artist, mendova se do të ishte bukur të shikoja se si mund të ishte një vend i ndërtuar nga një artist, nga dikush me shije mahnitëse dhe krijimtari të shkëlqyer. Isha i intriguar nga kjo. Para se të shkonim në Korfuz ndaluam në Butrint, që ishte gjithashtu një park i mrekullueshëm, që më tregoi vërtet potencialin e këtij vendi me bukuri mahnitëse, me ujëra të kaltra për të notuar, terrene për ecje. Vendi thjesht kishte bukuri të jashtëzakonshme natyrore, por dukej si një vend që askush nuk e njihte, apo e kuptonte. Kështu, duke menduar shumë rreth kësaj për afro një vit, ne filluam të shqyrtonim mundësitë në Ballkan dhe partnerët e mundshëm. Dhe thashë që Shqipëria mund të ishte e përshtatshme për këtë, pasi ka përvojë të mirë atje dhe të shkojmë të shikojmë nëse ka diçka të përshtatshme atje. U tërhoqëm menjëherë nga fakti që në Vlorë po ndërtohej një aeroport i ri dhe, sigurisht, kishim të bënim me një vend që po ndërton aeroport pranë bregdetit dhe në një vend shumë të bukur. Kështu që shkuam atje për të studiuar mundësitë dhe për të qenë në gjendje të gjejmë një mundësi shumë e madhe për t’u shfrytëzuar në rajon. Kjo erdhi si rezultat i pasionit dhe i dëshirës për të ndërtuar diçka, që mund të jetë vërtet unike në botë.

Moderator: Jared, ju jeni ekspert në njohjen e qeverive dhe të vendeve, por si u ndjetë optimist për këtë treg dhe cila është përvoja jote në terren deri më sot, pasi ne diskutuam gjerësisht rreth mundësive, por ju jeni ai që i realizon gjërat. Pra ju e filloni dhe e zbatoni diçka. Na tregoni më tepër se si po shkojnë gjërat në terren.

Kushner: Sikurse shumica e gjërave që përfundojnë mirë, ka edhe momente në këtë proces kur ti pyet veten nëse kjo ia vlen vërtet. Për çfarë po e bëj këtë gjë? Por unë isha shumë i intriguar. Kaluam rreth një vit duke studiuar tregun, demografinë, trendet, pasi vendi po rritet me ritme dy herë më të shpejta në Evropë. Pastaj duhet të analizosh që është një vend me reputacion historikisht të përzier, a do të jetë një vend i pastër, të kuptosh nëse qeveria do të bëjë vërtet atë që thotë se do të bëjë? A do t’ia dalësh të sigurosh lejet dhe aprovimet e duhura pa qenë nevoja të luhen lojëra të pasinqerta? A do të t’i përmbushin vërtet premtimet e tyre? Kaluam vërtet një vit në përpjekje për t’i njohur dhe duke studiuar tregun para se të fillonim. Ortaku im është ai që e ka çuar përpara këtë përpjekje, pasi është personi që është atje fizikisht. Sa më shumë ecnim para me projektimin, aq më shumë e donim atë që po krijonim dhe menduam që mjedisi ishte i përsosur. Por pa punën e shkëlqyer të ekipit në terren, pa ortakët në terren dhe pa qeverinë që krijoi një mjedis vërtet tërheqës, nuk do të ishim përfshirë në këtë projekt. Dhe një nga afirmimet më të mëdha për këtë projekt ishte kur lajmi për të u publikua në “New York Times”, ku shkruhej që shumë ligje ishin ndryshuar në interes të projektit tonë dhe se kjo bëhej pikërisht për ne. Nuk dija asgjë për ato ligje dhe u telefonova ortakun tim. Dhe ai më tha: “Jo, këto janë disa prej arsyeve përse ne vendosëm të shkonim përpara me këtë”. Më tha që edhe vetë “New York Times” e pranon që janë ligje që nxisin rritjen. Janë ligje që miratohen për të nxitur rritjen dhe ndryshimin”. Po dëgjoja pak panelin tuaj të fundit, ku po diskutohej se çfarë duhet të ndodhë në mënyrë që vendet të rrisin ekonominë, dhe qeveria shqiptare ka bërë aq shumë gjëra, që çojnë në rritjen e investimeve, çojnë në rritjen e begatisë, rritjen e turizmit, punësimit dhe në rritjen e pagave. Pra po ndodhin të gjitha gjërat e duhura dhe kam qenë krenar që e kam theksuar këtë dhe kam marrë reagime të shkëlqyera nga shqiptarët në vend dhe nga diaspora. Madje jo më larg se dje u takova me një zotëri, i cili më tha: “Jam nga Shqipëria. Këtë verë do të shkoj në Vlorë. Nuk kam qenë asnjëherë, por atje janë bërë gjëra të jashtëzakonshme dhe ju falënderojmë që e keni promovuar aq shumë vendin tonë, që është gjë shumë e mirë”.

Moderator: Na flisni më tepër rreth këtij projekti që po zhvillohet ndoshta në njërin prej zonave më të bukura të vendit, por edhe në njërën ndër zonat më të bukura të Mesdheut. A mund të na tregoni më tepër rreth projektit dhe cilat janë planet tuaja për mbrojtjen e mjedisit natyror, që është gjë thelbësore, gjatë procesit të zhvillimit të projektit?

Kushner: Mjedisi natyror është ai që e bën këtë zonë aq të veçantë. Për këtë arsye kemi angazhuar një nga inxhinierët më të mirë në Evropë për të na ndihmuar me programet e duhura të ruajtjes së mjedisit. Nëse nuk e respektojmë ambientin, zhvillimi që do të bëjmë atje nuk do të jetë i veçantë. Prandaj duhet të sigurohemi që e ruajmë realisht mjedisin. Ka madje një histori që thotë se po pengonim një deltë lumi, por ajo ishte shumë kilometra larg dhe nuk kishte lidhje me projektin tonë. Mendoj se kemi arritur të bindim njerëzit për këtë. Kur të publikojmë planet, do të shihet si kemi përqafuar mjedisin vendas dhe jemi përpjekur të bëjmë diçka që ruan gjithçka. Dhe do të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur. Dhe gjithçka ka të bëjë me vendndodhjen e projektit, që ndodhet më shumë se 95 kilometra nga Italia dhe 95 km nga Korfuzi. Dhe, siç thashë, një aeroport i ri po ndërtohet shumë pranë dhe që do të hapet së shpejti dhe që ndodhet vetëm 10 minuta larg me makinë nga vendndodhja e projektit tonë. Bukuria natyrore është e jashtëzakonshme, vendndodhja është e mrekullueshme dhe jemi pikërisht në zemër të Mesdheut. Megjithatë, për shkak të historisë së keqe të vendit deri në vitet ’90, Shqipëria mbeti e pazhvilluar. Dhe nuk të jepet shpesh mundësia të ndërtosh diçka të re në Mesdhe, ku gjithçka është zhvilluar dhe ekzistojnë rregulla të tepruara, ku asgjë nuk mund të ndërtohet më dhe nuk mund të bëhet asgjë. Kështu që të gjitha këto po bashkohen, dhe mendoj se kjo ka shumë kuptim. Kemi investuar shumë kohë, përpjekje dhe kapital për ta çuar përpara këtë projekt dhe mendoj se do të arrijmë të bëjmë diçka spektakolare dhe që do ta bëjmë të ditur shumë shpejt.

Moderator: Kush do të jenë blerësit? Kush do të jenë vizitorët? Si shpresoni t’i tërhiqni ata?

Kushner: Në fakt prej tyre njoh vetëm një, që jam unë personalisht, bashkëshortja dhe familja jonë. Kështu që po përpiqemi ta projektojmë si vend ku do të dëshironim të ishim, ku do të dëshironim të kalonim verën. Ndërsa u tregoj miqve të ndryshëm se çfarë po bëjmë atje, shumë prej tyre thonë: “Shumë mirë. Duam edhe ne një vend ngjitur me ju”. Pra mendoj se do të krijohet një komunitet vërtet i jashtëzakonshëm, ku do të tërheqim disa prej markave më të mëdha në botë, që do të dëshironin të ishin pjesë e kësaj. Mendoj se do të jetë diçka e jashtëzakonshme. Pra po e projektojmë si vend për të kaluar verën dhe besoj se nëse e realizojmë mirë, shumë familje të tjera do të donin që të kishin një shtëpi, ose ta vizitojnë këtë vend shumë shpesh.

/u.sh//r.e/

The post Dhëndri i Trump, Kushner: Rama udhëheqës i fortë, projekti në Sazan do të jetë unik në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 4 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Investimi i Kushner në Sazan, Rama: Projekt serioz dhe do vazhdojë

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se ideja e projektit në ishullin e Sazanit për ndërtimin e një resorti turistik nga sipërmarrësi Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, është tepër serioz dhe do të vijojë.

Gjatë një interviste për televizionin A2 CNN, Rama tha se  “ajo ide ka avancuar dhe do të avancojë deri në fund, sepse nuk ka lidhje me Donald Trump. Dhe përsëri, edhe sot që ai është president i SHBA, ai projekt nuk ka lidhje me Donald Trump. Nuk është bërë pse Donald Trump ishte kandidat për president, sepse ka filluar kur nuk e llogariste njeri si fitues të mundshëm dhe madje shumica mendonin që do shkonte dhe në burg dhe nuk do të vazhdojë pse ai është president sot. Ai është një projekt tanimë shumë serioz dhe do të vazhdojë. Ka marrë edhe një miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit si fillim, do të vijë për një miratim të dytë, sipas ligjit, dhe do të vazhdojë”.

The post Investimi i Kushner në Sazan, Rama: Projekt serioz dhe do vazhdojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 16 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Projekti i Kushner në Sazan, Berisha: Nuk kundërshtojmë një ofertë që plotëson rregullat ligjore

TIRANË, 16 janar/ATSH/- Kreu i PD-së, Sali Berisha ka folur sot lidhur me projektin e Jared Kushner në ishullin e Sazanit.

Gjatë një komunikim me qytetarë në rrjetet sociale, Berisha tha se kryeministri Rama po e përdor për të blerë influenca politike.

“Prej të paktën që nga viti 2001 gjer sot, Sazani iu është ofruar biznesmenëve të huaj në mënyrë periodike. Kjo është oferta e radhës, të cilën pa diskutim Edi Rama e bëri për të blerë influenca politike. Por, një ofertë e cila plotëson rregullat ligjore, ne kemi deklaruar se nuk kundërshtojmë ofertat që bazohen në respektimin e ligjeve dhe rregullave të vendit.
Pavarësisht, theksoj dhe njëherë, se Edi Rama e ka përdorur atë për qëllime politike, por kjo është në tagrin e shqiptarëve të bëjnë vlerësimin e tyre për këtë përdorim”, tha ai.

Projekti i Jared Kushner, dhëndri i presidentit të zgjedhur Donald Trump, u bë publik 9 muaj më parë dhe në fund të dhjetorit, Komiteti i investimeve strategjike në Shqipëri, i dha atij statusin e investitorit strategjik, përmes kompanisë “Atlantic Incubation Partners” LLC.

“Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro”, thuhet në vendimin e KIS.

Prestigjiozja “New York Times” në një artikull të publikuar shkruan se : “miratimi i Komitetit të Investimeve Strategjike të Shqipërisë, i cili drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i jep Kushner dhe partnerëve të tij të biznesit të drejtën për të vazhduar me negociatat e përshpejtuara për ndërtimin e resortit luksoz në një seksion prej 111 hektarësh të ishullit të Sazanit prej 2,2 milje katrorë që do të lidhet me traget me kontinentin”.

“Kushner dhe qeveria shqiptare – të pyetur më parë për këtë projekt – thanë se vlerësimi nuk po ndikohet nga lidhjet e Kushner me Trump apo nga ndonjë përpjekje tjetër për të kërkuar favore nga qeveria e SHBA-se”, thuhet ndër të tjera në shkrim.

The post Projekti i Kushner në Sazan, Berisha: Nuk kundërshtojmë një ofertë që plotëson rregullat ligjore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dhëndri i Donald Trump shpallet investitor strategjik, i hapet rrugë ndërtimit të resortit luksoz në Sazan

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Kompania e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit të zgjedhur të SHBA Donald Trump, merr statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit.

Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama më 30 dhjetor 2024, duke pranuar propozimin e kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC dhe t’i japë asaj status të investitorit strategjik me procedurë të veçantë.

Sipas vendimit të KIS, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8% të ishullit ose 45 hektarë.

“Vlera e investimit të projektit turistik “resorti turistik – ishulli i sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro”, thuhet në vendimin e KIS.

Me miratimin e statusit, kompania e lidhur me Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald do duhet të negociojë një kontratë me kompaninë publike Korporata e Investimeve Strategjike, ndërsa  një sërë institucionesh shtetërore, përfshi ministritë e Infrastrukturës, Mbrojtjes, Mjedisit, Ekonomisë vihen në dispozicion të kompanisë për të transferuar pronën dhe përgatitur dokumentacionin për lehtësim të punimeve.

Vendimi i KIS nuk bën me dije se çfarë përfiton Shqipëria nga transferimi i pronës publike në favor të kompanisë amerikane, por përmendet se do të negociohet një kontratë me kompaninë amerikane, ku edhe Shqipëria do jetë pjesë e këtij investimi. Kjo ishte paralajmëruar edhe nga kryeministri Edi Rama.

“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpërmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga korporata e investimeve shqiptare (aic), albanian seaports development company sh.a (asdc), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues atlantic incubation partners llc, shoqëri e të drejtës amerikane. Projekti i propozuar nga subjekti aplikues “atlantic incubation partners” llc shoqëri e të drejtës amerikane me nr. identifikimi (ein) 92-3329707 do t’i nënshtrohet një procesi shqyrtimi dhe analizimi për të vlerësuar kushtet dhe kriteret e mundësisë së bashkëpjesëmarrjes së shtetit shqiptar në këtë investim strategjik sipas parashikimeve të vendimit të këshillit të ministrave nr. 1030, datë 16.12.2015 “për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike (fppmis)”.

Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit që shkoi dhe kryeministri Edi Rama foli hapur në favor të tyre ndërsa i tha Nju Jork Times se interesimi i kompanisë së Kushner e bënte atë “krenar dhe të lumtur”.  Projektet financohen nga kompania e investimeve e Kushner Affinity Partners, e cila mbështetet në fonde nga qeveria e Arabisë Saudite.

Planet dhe aprovimi apriori i qeverisë shqiptare u kritikuan nga opozita se po bëheshin për të përfituar favore politike në rast të rizgjedhjes së Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe mungesës së transparencës e garës.

Vendimi i KIS parashikon një sërë hapash që do ndërmerren kryesisht nga institucionet shtetërore në Shqipëri, për të ndihmuar kompaninë në sigurimin e pronës, dokumentacionin e nevojshëm dhe veprime të tjera që pritet të përmbyllen në tre muajt në vijim. Kompania nga ana tjetër do duhet të nënshkruaj një kontratë me Korporatën e Investimeve Strategjike dhe Albanian Seaports Development Company sh.a ndërsa do duhet të sigurojë me investimin e vet ujin, energjinë e të ngjashme.

“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane”, thuhet në vendim.

Vendimi i KIS bën me dije se statusi jepet për një periudhë 10 vjeçare dhe se ndërtimi parashikohet të jetë i ndarë në tre faza.

“statusi “investim/investitor strategjik procedurë e veçantë” i jepet projektit të investimit “resorti turistik – ishulli i sazanit” për një periudhë 10 vjeçare. ky afat do t’i shërbejë projektit strategjik për përfitimin e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, si dhe plotësimin e detyrave dhe planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim. ndërkohë, marrëveshja që do të nënshkruhet, pas negocimit dhe finalizimit sipas parashikimeve ligjore, në fazat e mëtejshme të vlerësimit të projektit, do të parashikojë afatin e nevojshëm të realizimit të plotë të investimit, angazhimet dhe detyrimet e ndërsjellta mes palëve dhe masat e detajuara mbështetëse, që përfiton ky projekt, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim.

VKIS_Resorti_Turistik_Ishulli_i_Sazanit_

The post Dhëndri i Donald Trump shpallet investitor strategjik, i hapet rrugë ndërtimit të resortit luksoz në Sazan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌