Normal view

Të shtëna me armë në Pukë, kultivuesit zbulojnë policinë pranë parcelës me kanabis dhe hapin zjarr, FNSH niset drejt zonës!

By: E B
22 August 2026 at 22:21

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të shtune në Pukë, në zonën e njohur si “Hamalla e Dedës”, pranë fshatit Qafë T’Mugu, në Qelëz.

Sipas burimeve policore, në këtë zonë po monitorohej një parcelë e dyshuar me kanabis nga një skuadër policie.

Dyshohet se efektivët janë pikasur nga personat që merreshin me kultivimin e drogës, të cilët më pas kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.

Pas të shtënave, efektivët kanë kërkuar përforcime për të vijuar kontrollet në terrenin e thellë malor.

Në zonë është nisur edhe një grup i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nga Shkodra. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa policia vijon operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Futbollisti 25-vjeçar rrëzohet pa ndjenja gjatë ndeshjes, ndërron jetë në spital

By: E B
22 August 2026 at 21:00

Futbollisti portugez, 25-vjeçari Quevin Castro humbi jetën pasi u rrëzua pa ndjenja gjatë një ndeshjeje miqësore.

Futbollisti i Real Sport Clube u ndje keq vetëm 10 minuta pas nisjes së takimit ndaj Estrela da Amadora, të zhvilluar të shtunën në stadiumin “Estádio das Seixas”, në Malveira.

Castro u rrëzua në fushë dhehumbi ndjenjat, duke alarmuar menjëherë stafet e të dyja skuadrave.

Ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë dhe përdorën edhe defibrilatorin, ndërsa në stadium mbërriti shërbimi portugez i urgjencës mjekësore, INEM. 25-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve për reanimim, ai nuk mundi të mbijetojë.

 Castro ishte pjesë e Real SC, klub që militon në kategorinë e katërt të futbollit portugez. Ai iu bashkua skuadrës këtë sezon, pas një eksperience në Angli me Eastbourne Borough.

Zbulohen dy biznese ‘mjedisore’ të dhëndrit të Berishës, shfaqet sërish Studio Pustina, si përfitonte para Malltezi nga VKM-të e vjehrrit kryeministër

22 August 2026 at 20:52

Nga Adriatik Doçi 

Dhëndri zëhollë i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, i pandehur për korrupsion dhe pastrim parash, krahas kompanive të sekustruara me kërkesë të SPAK për pastrim parash, ka hapur edhe dy biznese për ‘kauza mjedisore’, duke ngritur dyshime për një tjetër skemë përfitimi në emër të mbrojtjes së natyrës. Në shkurt të vitit 2017, Malltezi, i cili ka nisur të publikojë edhe kujtime nga burgu, është regjistruar si person fizik me nipt (L71407002O), me objekt përkthime, redaktime gjuhësore si dhe konsulencë në fushën e menaxhimit të projekteve, vlerësimit dhe auditimit mjedisor.

Aktivitetin në dy fusha që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën e ka pezulluar në maj 2028, duke e aktivizuar sërish në shkurt 2020. Nuk ka të dhëna të aksesueshme për veprimtarinë financiare. Mungojnë çdo vit bilancet. Si kontakt është shënuar adresa e e-mailit të Studio Pustina, (info.studiopustina@yahoo.com), pjesë e dosjes së SPAK-ut për skemën e mashtrimit dhe pastrimit të parave nga Jamarbër Malltezi me kulla dhe mbi pronë publike të tjetërsuar, duke përdorur pushtetin e vjehrrit.

Sipas dosjes së SPAK ka qenë pikërisht një bllok i zi dhe kompjuteri i Studio Pustinës që kanë nxjerrë zbuluar mashtrimin me kontratën për blerjen e kompanisë Homeplan“ nga Jamarbër Malltezi me 35 % dhe Xhimi Begeja me 25 %, ndërsa Fatmir Bektashi do t’i mbeteshin 40% të aksioneve. Jamarbër Malltezi ka arkëtuar nga Homeplan miliona euro divident sikur ka qenë ortak që nga viti 2014. Dokumenti i kontratës në fakt është shkruar dhe nënshkruar më 21 shtator 2018. Dokumenti është përpiluar nga Laura Pustina, noterja e Familjes Berisha, e cila është motra e financieres Andia Pustina, e pandehur për pastrim parash për dosjen e ish Klubit Partizani.

Në tetor të vitit 2008, kur Berisha ishte në pushtet, dhëndri i tij Jamabër Malltezi themelon kompaninë ‘Mjedisi dhe Zhvillimi i Qendrueshem’, bashkë me Ardian Shehun dhe Lirim Selfon, me nipt K82210001R. Lirim Selfo është njohje e dhëndrit zëhollë. Selfo ka marrë pjesë në hartimin e planit rregullues të Tiranës në vitin 2013, plan i mbrojtur nga Malltezi, kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga Lulzim Basha. Përmes planit, i rrëzuar më pas nga socialistët, Malltezi dyshohet se diktoi njollat e ndërtimit në kryeqytet.

Ndërkaq, Ardian Shehu, sipas dosjes së SPAK, ka shërbyer si kamuflim i një skeme korrupsioni të Jamarbër Malltezit, i cili u merrte pagesa kompanive investitore si haraç në këmbim të VKM-ve të vjehrrit kryeministër. Bëhet fjalë për rastin e Hidrocentralit të Ashtës dhe të tjerë hidrocentrale që pasi merrnin licenca nga VKM-të e kryeministrit, shpiknin punë dhe pagesa për dhëndrin Jamarbër Malltezi për vite me radhë, duke kaluar mijëra euro në llogaritë e tij personale në banka të ndryshme të Tiranës.

Kompania Mjedisi dhe Zhvillimi i Qendrueshëm nga Malltezi, Delfo dhe Shehu u themelua në 7 tetor 2008. Më 17 tetor 2008, Sali Berisha, asokohe kryeministër, miraton një VKM për ndërtimin, pronësinë, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të një hidrocentrali të ri në Ashtë, Bushat të Shkodrës nga kompania Österreichische Elektrizitätsëirtschafts-Aktiengesellschaft.

Më pas kompania përfituese ka kontraktuar Jamarbër Malltezin për vlerësimin dhe ndikimin në mjedis të hidrocentralit të Ashtës. Nga viti 2008 deri në vitin 2013, Ardian Shehu, në emrin e kompanisë së hidrocentralit, ka kaluar 81 595 euro në llogari të Jamarbër Malltezit. Ky i fundit ka marrë para gjoja si ekspert i ndikimit në mjedis edhe nga kompania e hidrocentralit të Devollit, nga Mati Hidropower Plant, një bashkim hidrocentralesh më të vogla etj., për të cilat Berisha ka miratuar VKM.

Mjedisi dhe Zhvillimi i Qendrueshëm shpk, me ortak Jamarbër Malltezin, është çrregjistruar në prill 2009. Është tejet i dyshimtë fakti që Malltezi e themeloi kompaninë 10 ditë para se Berisha të firmoste VKM-në për hidrocentralin e Ashtës, por nuk dihet nëse dhëndri ka përfituar të ardhura të tjera nga kjo kompani nga klientët e qeverisë së vjehrrit, krahas shumave që i kalonte në llogari Adrian Shehu.

‘Kontributin Patriotik’

Jamarbër Malltezi do të mbahet mend për një term të ri dhe marifet në sofistikimin e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Bëhet fjalë për ‘Kontributin Patriotik’, i reflektuar në dosjen e SPAK-ut. ‘Kontributi Patriotik’ është një kod zhvatje, skemë korrupsioni, pastrimi parash dhe përdorimi të pushtetit për pasurimin e Familjes.

Përmes ‘Kontributit Patriotik’, dividentit dhe konsulencës fiktive, dhëndri Malltezi fitoi 5.4 milionë euro si trashëgimtar i pretenduar i 114 m2 tokë. Kompania “Homeplan”, e cila ndërtoi kullat në pronën publike të tjetërsuar nga qeveria Berisha, edhe pse deri në 2018 ishte 100 % në pronësi Fatmir Bektashit, shpërndante pagesa për Jamarbër Malltezin, të shënuara herë si ‘Kontribut Patriotik’, herë si divident dhe herë për konsulencë.

Fatmir Bektashi, i cili sipas dosjes së SPAK ka shërbyer si bankomat i dhëndrit zëhollë, është pronar me 100 % të aksioneve edhe i kompanisë Kontakt. Kompania Kontakt ka në pronësi bashkimin e kompanive Kontakt shpk & Magnet Imo shpk. Jamarbër Malltezi, nën akuzë nga SPAK bashkë me Bektashin për korrupsion dhe pastrim parash, është pronar me 50 % të aksioneve të kompanisë Kontakt shpk & Magnet Imo shpk. Kompania Kontakt shpk vijon të marrë leje për kulla nga Farka deri në Drilon.

Zbulohen dy biznese 'mjedisore' të dhëndrit të

Zbulohen dy biznese 'mjedisore' të dhëndrit të

Ministria iraniane e Mbrojtjes del me paralajmërimin e fortë: Jemi gati për një luftë të zgjatur, prodhimi i armëve u trefishua!

By: E B
22 August 2026 at 20:42

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit, Reza Talaei-Nik, deklaroi se Irani është i përgatitur për një luftë të zgjatur me SHBA dhe Izraelin, teksa theksoi se prodhimi i armëve nga Teherani është trefishuar gjatë luftës së fundit 40 ditore.

“Irani është më i përgatitur se kundërshtarët e tij për një luftë të zgjatur, veçanërisht duke pasur parasysh se prodhimi i armëve dhe municioneve ka vazhduar pa ndërprerje gjatë konflikteve të fundit”, tha Reza Talaei-Nik.

Ai shtoi se “Irani vazhdon të modernizojë armët strategjike, duke përfshirë raketat balistike dhe ato lundruese”, dhe se “prodhimi i disa armëve dhe municioneve strategjike është më shumë se trefishuar gjatë luftës së fundit 40-ditore”.

I cituar nga agjencia e lajmeve Tasnim, Talaei-Nik deklaroi se “armiku përballet me kufizime shumë më të mëdha në një luftë të gjatë dhe shteruese, ndërsa Republika Islamike e Iranit ka kohë që përgatitet për kushte të tilla”.

Macron bisedë telefonike me Zelenskyn, premton raketa të reja për Ukrainën: Duhet të forcojmë mbrojtjen ajrore të Kievit

By: E B
22 August 2026 at 20:29

Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar ditën e sotme një bisedë telefonike me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky.

Macron tha se ishte i tronditur me sulmet e fundit ruse në një qendër tregtare në Ukrainë dhe njoftoi dërgimin e raketave të reja interceptuese për t’i siguruar Kievit mjetet e nevojshme për mbrojtjen e hapësirës ajrore.

“Është thelbësore që të gjitha vendet me këto burime t’i bashkohen kësaj përpjekjeje”, theksoi presidenti francez në rrjetin social ‘X’, pas bisedës telefonike të zhvilluar me Zelenkyn.

Premtimi i Macron për raketa të reja interceptuese vjen në një kohë kur Ukraina po vuan nga mungesa e interceptorëve përballë breshërisë së raketave balistike ruse që lëshohen çdo ditë kundër vendit.

Në këtë kontekst, Koalicioni i Vullnetarëve për Ukrainën, i cili bashkon vendet që mbështesin Kievin, do të takohet të hënën në mesditë; takimi do të bashkë-kryesohet nga Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe për herë të parë edhe nga kryeministri i ri britanik Andy Burnham.

Putin kërcënon me hakmarrje ndaj Ukrainës: Masat kundër logjistikës nuk do të vonojnë

By: E B
22 August 2026 at 20:16

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia do të rrisë mbrojtjen ajrore dhe do të ndërmarrë sulme hakmarrëse kundër sektorëve më të ndjeshëm të ekonomisë dhe logjistikës ukrainase.Deklarata erdhi pas goditjeve të fundit me dronë të forcave ukrainase ndaj depove dhe qendrave logjistike të gjigantëve rusë të tregtisë elektronike.

Gjatë një interviste për mediat shtetërore, Putin pretendoi se sulmet e Kievit shkaktuan dëme ekonomike, por argumentoi se ato nuk kanë pasur asnjë efekt në përparimin e trupave ruse në front.Ai theksoi se duke goditur strukturat tregtare dhe rrjetet e furnizimit, Ukraina ka hapur një fazë të re të konfliktit.

“Regjimi i Kievit i vuri vetes qëllimin të dëmtonte ekonominë tonë. Çfarë bëri? E hapi vetë këtë ‘kuti të Pandorës’. Epo, tani do të keni një përgjigje në lidhje me sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë suaj, të cilët, sinqerisht, janë tashmë të shteruar.”, tha ai.

Udhëheqësi i Kremlinit bëri me dije se ushtria ruse po përgatit hapa konkretë kundër infrastrukturës logjistike ukrainase dhe bëri thirrje për zgjerimin e sistemit të mbrojtjes ajrore si dhe përmirësimin e koordinimit midis agjencive civile e ushtarake në Rusi.

“Doni të na prishni logjistikën? Atëherë masat hakmarrëse nuk do të vonojnë shumë.”, theksoi Putin.

Lidhur me mundësinë e negociatave, Putin përsëriti qëndrimin e Moskës se mbetet e hapur për bisedime paqeje, por vetëm duke u bazuar në atë që ai e cilësoi si “realiteti në terren”, duke pretenduar se forcat ruse po vijojnë të përparojnë përgjatë vijës së frontit.

Celibashi: Reforma territoriale duhet të miratohet në kohë, KQZ rrezikon vështirësi në zgjedhjet e 2027-ës

By: E B
22 August 2026 at 20:06

Të parët që preken nga ndarja administrative territoriale janë organet drejtuese të KQZ, të cilët do duhet të organizojnë zgjedhjet vendore të 2027-tës.

Por, sa kohë i duhet Komisionerit Ilirjan Celibashi për përgatitjen e procesit në një terren të ri?

“Do të ishte mirë që koha në dispozicion të jetë më shumë se 6 muaj, 7 muaj, 8 muaj, 9 muaj dhe nuk e di sa kohë praktikisht do të ngelet dhe nuk mund ta them sot se sa mund të afektojë në cilësinë e përgatitjeve, nga pikëpamja infrastrukturore, logjistike, organizative të zgjedhjeve të ardhshme”, u shpreh Celibashi në një intervistë për gazetaren e Top Channel, Elda Menga.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në një intervistë për Top Channel, jep disa afate se kur duhet të miratohet reforma territoriale. Të gjitha, me sa duket, lidhen me dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti.

“Nëse Presidenti cakton datën e zgjedhjeve, atëherë nuk do të kishte sens për këto zgjedhje. Nuk mund ta them dot qartësisht tani dhe me bindje se çfarë implikimesh ligjore do të kishte nëse Kuvendi do ta miratonte ndarjen e re territoriale pasi Presidenti i Republikës të shpallë datën e zgjedhjeve. Nuk e di, do të duhet të presim zhvillimet e fillimit të sesionit të ri parlamentar në lidhje me këtë çështje, dhe nuk jam duke diskutuar në lidhje me numrin, nëse do të jenë 46, 60 apo 100 bashki, por kemi nevojë për qartësi”, tha kreu i KQZ-së.

15 bashki po e kundërshtojnë hartën e re me protesta, ndërsa opozita kërkon që ndarja e re të vendoset me referendum, skenar që përballet me kufizime kohore dhe procedurale.

“Ka disa parashikime që lidhen me datën e zgjedhjeve, me disa periudha të caktuara ndalimesh. Ti nuk mund të zhvillosh referendume në ditën e zgjedhjeve, qoftë zgjedhjeve për Kuvend apo zgjedhjeve të organeve të qeverisjes vendore. Pastaj Gjykata Kushtetuese, në fakt, është ajo që do të duhet të vendosë mbi kushtetutshmërinë e kërkesës për referendum”, theksoi Celibashi.

Harta e re territoriale është në fazën e konsultimit publik. Socialistët synojnë ta kalojnë në Kuvend në tetor, muaj që përkon edhe me afatin kur Presidenti duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve lokale të vitit 2027, të cilat, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të mbahen në një nga të dielat mes 15 prillit dhe 15 majit.

Rama mbledh kabinetin në Pogradec/ Analisti: Mund të lëvizin deri në 6 ministra, priten “fytyra të reja”

By: E B
22 August 2026 at 19:57

Në nisje të sezonit të ri politik, kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë ministrat e kabinetit të tij në një takim dyditor në Pogradec, më 23 dhe 24 gusht.

Gazetari dhe analisti Artur Nura thotë se mund të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, ku përfliten 6 ministra.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Nura u shpreh se Rama duhet të plotësojë kërkesat e drejta të protestuesve në shesh.

“Përderisa ka ndryshuar strategji, duhet të ndërrojë edhe disa pjesë të kabinetit. Kjo është qasje e mirëmenduar e qeverisë shqiptare. Sipas mendimit tim, do ketë ndryshme. Përflitet deri në 6 ministra do jenë në lëvizje. Deri dje kishim në rrugë PD, që nuk kishte alternativa. Sot, sheshi duhet konsideruar. Duhet të përballen me kërkesat e drejta të sheshit. Sheshi është modest, por shqetësimet e njerëzve janë në kafene, në zyra. Atyre duhet t’u jepet përgjigje. Edhe kryeministri e ka pranuar, edhe në administratë ka problematika. Këto duhen konvertuar në zgjidhje politike. Sipas mendimi tim, do kemi kabinet të rinovuar, me fytyra të reja”, theksoi ai.

 

Kurti: Ura e Ibrit duhet të hapet, Kosova në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in

By: E B
22 August 2026 at 19:44

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e vendit janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “marrjen tërësisht nën kontroll” të saj nga Policia e Kosovës.

“Jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore”, tha Kurti, gjatë një konference për media më 22 gusht, kur u pyet se kur pritet të hapet ura kryesore në Mitrovicë.

Ai tha se pasditen e së shtunës do të ketë një takim me komandantin e KFOR-it, Ozgan Ulutash, teksa e cilësoi si “absurde” që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur.

“Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve as të tensioneve, tregon që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë”, theksoi Kurti.

Ura kryesore mbi Ibër është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve.

Që nga përfundimi i luftës, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën, e cila ndër vite ka qenë pikë e përplasjeve ndëretnike.

Megjithatë, së voni KFOR-i ka njoftuar për nisjen e tërheqjes graduale nga ura, pas përmirësimit të situatës së sigurisë, gjë që ka zemëruar Serbinë.

Komentet e Kurtit vijnë pasi një zyrtar i NATO-s i tha më 20 gusht Radios Evropa e Lirë se çdo vendim për rihapjen e mundshme e kësaj ure për qarkullimin e veturave, duhet të “adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”.

“KFOR-i po ashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të mund të lëvizin përpara”, tha zyrtari i NATO-s.

Serbia ka kundërshtuar planet e KFOR-it për reduktimin e pranisë mbi këtë urë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i është drejtuar me një letër shefit të NATO-s, Mark Rutte, duke i kërkuar që ky proces të ndalet.

“Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, shkroi Vuçiq në Instagram më 20 gusht.

Sipas Vuçiqit, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.

Por, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha e përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur optimin e pranisë së KFOR-it si “kërcënim për komunitetin serb” apo si dëshmi se situata në Kosovë është e paqëndrueshme, “nuk përputhen me realitetin në terren”.

Ai e akuzoi Serbinë se po përpiqet të zhvendos vëmendjen lidhur me gjetjen e varrezave masive në veriun e Kosovës, zbulimin e armatimit afër lokacioneve ku u gjetën mbetje mortore dhe veprimeve të Kosovës kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve subersive kundër Kosovës.

“Ky është një proces [procesi i optimizimit të KFOR-it] i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Kosovë”, tha Maqedonci.

Tërheqja graduale e trupave të NATO-s nga ura është pjesë e procesit të optimizimit të pozicionimit të KFOR-it, i cili po zhvillohet me transparencë të plotë, tha zyrtari i aleancës, duke shtuar se ky proces mund të zhbëhet, varësisht nga situata e sigurisë.

“KFOR-i do të ketë prani të dukshme në Mitrovicë të Veriut dhe të Jugut si dhe në veriun e Kosovës dhe vazhdon të kontribuojë që të ketë mjedis të sigurt për të gjithë”, tha zyrtari i NATO-s në një përgjigje për REL-in.

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e urës kryesore mbi Ibër edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkohë, ekzekutivi kosovar ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut.

Ura kryesore mbi lumin Ibër konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme në aspektin e sigurisë në veri të Kosovës./REL

Arjani dhe arnat-at e rrjetit

22 August 2026 at 19:32

Nga Ilir Demalia

Dje dhe sot u bë virale një video e Arjanit, që tregonte se si kishte mbledhur fiq dhe, kur po kthehej në fshat, në kafenë e fshatit pa kryeministrin duke pirë kafe. Eskorta e tij kishte parkuar aty ku, sipas Arjanit, nuk lejohej.

Dhe menjëherë rrjetet u mbushën me “analiza”, komente, moralizime dhe atë lloj oratorie të bulevardit që këto kohë duket se është bërë sport kombëtar.

Por mua më lind një pyetje shumë e thjeshtë: ku janë këta arnat-at e rrjetit kur nëpër Tiranë dhe nëpër Shqipëri hapësirat publike zihen çdo ditë nga të fortët, nga makinat e luksit, nga eskortat e ndryshme dhe nga njerëz që parkojnë ku t’u dojë qejfi, duke mos pyetur as për ligj, as për polici dhe as për qytetarin?

Nuk i kam dëgjuar të shkruajnë për këtë.
Nuk i kam parë të revoltohen kur trotuaret bëhen parkingje, kur hapësirat publike zaptohen, kur rrugët bllokohen dhe kur qytetari i zakonshëm duhet të sillet rrotull për të gjetur një copë vend ku të parkojë.

Por kur bëhet fjalë për Edi Ramën, papritur ndizet motori i moralit publik. Fillojnë analizat, batutat, komentet dhe “revolucioni” i tastierës.

Le ta themi qartë: siguria e një kryeministri nuk është çështje personale e Edi Ramës.

Në të gjithë botën, aty ku shkon një president, kryeministër apo një figurë e lartë shtetërore, ekziston një perimetër sigurie. Rrugë mund të bllokohen, makina mund të largohen, parkingje mund të zbrazen dhe lëvizja e njerëzve mund të kufizohet për arsye sigurie.

Kjo nuk është shpikur për Edi Ramën.
Është protokoll.
Është siguri.
Është pjesë e detyrës së shtetit për të mbrojtur kryeministrin e vendit, kushdo qoftë ai.

Sot është Edi Rama. Nesër do të jetë një tjetër kryeministër. Dhe po të kemi një minimum serioziteti, rregullat e sigurisë së shtetit nuk mund t’i ndryshojmë sipas simpative politike.

Madje, ka edhe një parim akoma më të thjeshtë: nuk është normale që dikush t’i shkojë një familjeje t’i prishë qetësinë, pavarësisht nëse në atë tavolinë është kryeministri apo një njeri i zakonshëm. Aq më tepër kur është me familjen dhe me një fëmijë.

Mund të mos e duash Ramën. Mund ta kritikosh për qeverisjen, politikat, arrogancën, korrupsionin, ekonominë, administratën, gjithçka që mendon se është gabim. Kjo është pjesë e demokracisë.

Por të kthesh një kafe të një kryeministri me familjen në një episod “heroizmi popullor”, vetëm sepse dikush ka bërë një video nga rruga, është diçka tjetër.

Një lloj revolucioni bulevardesk dhe virtual ka kohë që ka filluar. Shpëtimtarët e mëdhenj të kombit , të ulur pas telefonit, shpallin çdo ditë rënien e regjimit, por në jetën reale nuk kanë guxuar t’i thonë as një makine të parkuar mbi trotuar: “Lëviz pak, se po kalojnë njerëzit.”

Këtu qëndron edhe paradoksi.
Të gjithë flasin për ligjin, por ligjin e kujtojnë vetëm kur u leverdis.

Të gjithë flasin për hapësirën publike, por hapësira publike u bëhet problem vetëm kur e përdor dikush që nuk e pëlqejnë.

Të gjithë flasin për shtetin, por kur shteti vendos një perimetër sigurie për kryeministrin, papritur protokolli i sigurisë kthehet në “privilegj personal”.

Kjo nuk është kritikë ndaj pushtetit. Kjo është thjesht standardi i dyfishtë i rrjetit.

Dhe rrjetet sociale, sidomos në këtë verë 40 gradë, po tregojnë shumë qartë se ku kemi mbërritur.

Deti është bërë kos.
O burra, me lugën e çorbës në dorë dhe, në mungesë të ndonjë beteje reale, kanë gjetur fiqtë e Arjanit për të bërë revolucion.

TQRB, MQ, BQ e gjithë kjo ushtri me një artikulim … tregon një gjëndje të mjerë që shpreh vetëm mllef dhe urrejtje po kurrë zgjidhje.

Por problemi është se Rama nuk largohet kështu.
Nuk largohet nga një video me fiq.
Nuk largohet nga një tavolinë kafeje.
Nuk largohet nga një parking.
Dhe as nuk largohet nga britmat e një bulevardi virtual.

Nëse do të largohet, do të largohet përmes mekanizmave që parashikon demokracia, përmes votës dhe përmes një alternative që arrin të bindë shqiptarët se mund të qeverisë më mirë.

Dhe pikërisht këtu mendoj se qëndron edhe arsyeja pse KM i ka lënë këta në rënie të lirë.

Sepse sa më shumë që merren me fiqtë, me kafenë, me parkingun dhe me videot e rastit, aq më pak merren me atë që duhet të jetë beteja reale politike.

Sulmojeni politikisht kur duhet.
Por mos e zëvendësoni politikën me cirkun e darkës a me videot e rrjetit.

Sepse në fund, kur deti të mos jetë më kos, kur të mbarojnë fiqtë dhe kur lugët e çorbës të jenë bosh, do të mbetet vetëm një pyetje:

Kush është alternativa?
Dhe aty fillon problemi i vërtetë.

Do rindizet protesta në shtator?

22 August 2026 at 19:24

Nga Fatos Çoçoli

Nëse një protestë përsërit çdo ditë të njëjtin mesazh, me të njëjtat forma dhe pa prodhuar një zhvillim të ri politik, sikurse ka 84 herë që po e bën, ajo rrezikon të kthehet, nga një instrument presioni politik, në një ritual të përditshëm.

Sot, në ditën e 84-t të saj, protesta paqësore dhe e pandërprerë në Tiranë nuk është më thjesht një protestë që kërkon të përcjellë një mesazh politik apo qytetar. Ajo po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një sprovë rezistence: sa gjatë mund të vazhdojë një lëvizje proteste, pa humbur energjinë, mbështetjen dhe aftësinë për të prodhuar efekt politik?

84 ditë protestë të pandërprerë nuk janë pak. Në politikën shqiptare, ku protestat zakonisht shpërthejnë me intensitet të madh dhe më pas zbehen gradualisht, një qëndrueshmëri e tillë është një dukuri që meriton të analizohet. Dhe pikërisht tani shtrohet pyetja më e vështirë: a i ka thënë protesta të gjitha ato që kishte për të thënë?

Nëse një protestë përsërit çdo ditë të njëjtin mesazh, me të njëjtat forma dhe pa prodhuar një zhvillim të ri politik, sikurse ka 84 herë që po e bën, ajo rrezikon të kthehet, nga një instrument presioni, në një ritual të përditshëm. Dhe çdo protestë, sado i fortë të jetë motivi fillestar, ka nevojë për energji të re, ide të reja dhe objektiva të qarta, për të ruajtur vëmendjen publike dhe atë mediatike.

E kthen dot protesta pakënaqësinë në një forcë të organizuar politike dhe qytetare?

Kjo nuk do të thotë se mesazhi i protestës ka humbur domosdoshmërisht rëndësinë. Fakti që ajo ka mbijetuar për 84 ditë tregon se ekziston një pakënaqësi që nuk është zhdukur. Por ekziston një dallim i madh ndërmjet pranisë së pakënaqësisë, jo vetën në rrjetet sociale, por edhe në bisedat e qytetarëve në kafene, dhe aftësisë për ta kthyer atë pakënaqësi në një forcë të organizuar politike dhe qytetare.

Kjo është sfida e vërtetë e protestës. Një protestë qytetare matet jo vetëm me numrin e ditëve që zgjat, por edhe me atë që arrin të ndryshojë. A ka ndikuar në opinionin publik? A ka detyruar qeverinë të ndryshojë qëndrim? A ka prodhuar një debat të ri kombëtar? A ka krijuar një alternativë bindëse? A ka zgjeruar bazën e saj, përtej grupit të përhershëm të mbështetësve?

Nëse përgjigjet janë të kufizuara, atëherë pas 84 ditësh lind natyrshëm pyetja nëse protesta ka nevojë për një fazë të dytë.

Sepse rezistenca për hir të rezistencës nuk është e mjaftueshme. Një lëvizje qytetare duhet të dijë edhe kur të ndryshojë formën e saj.

Një protestë mund të jetë e gjatë, por nëse nuk është dinamike, koha mund të kthehet nga aleat, në kundërshtar. Pas gati tre muajsh, qytetarët po mësohen me praninë e saj dhe media në tërësi po e trajton më pak.

Pikërisht këtu qëndron paradoksi i saj i këtyre ditëve. Sa më gjatë zgjat protesta, aq më e jashtëzakonshme bëhet rezistenca e saj. Mirëpo, njëkohësisht, aq më e madhe bëhet nevoja për një arsye të re për të vazhduar.

A rindizet protesta në shtator?

Rikthimi i aktivitetit të plotë politik, hapja e institucioneve dhe rikthimi i vëmendjes së opinionit publik te problemet e vendit krijojnë një terren tjetër nga ai i muajve të verës.

Por një ringjallje apo rindezje e protestës nuk vjen automatikisht, vetëm sepse ndryshon muaji.

Nëse protesta dëshiron të rikthehet me forcë në shtator, do t’i duhet të bëjë diçka më shumë sesa ç’po bën këto ditë. Kjo nënkupton një mesazh më të qartë, objektiva më të matshëm, një komunikim më të gjerë me qytetarët dhe, mbi të gjitha, aftësi për të përfshirë shtresa që deri tani kanë qëndruar jashtë saj.

Një protestë e nisur nga energjia e të rinjve mund të ketë nevojë të shndërrohet në një lëvizje me mbështetje më të gjerë shoqërore. Mirepo po bëhen gati tre muaj protestë dhe kjo nuk ka ndodhur. Ka ndodhur e kundërta. Kurioziteti i qytetarëve pothuajse është shuar dhe mbështetja ka rënë në minimumin e bërthamës së qëndrestarëve. Punonjës, sipërmarrës, profesionistë, studentë, fermerë dhe kategori të tjera qytetarësh ende nuk kanë gjetur aty arsyen e tyre për të qenë pjesë e saj. Si zor ta gjejnë në shtator.

Çdo lëvizje proteste ka një kapital të kufizuar energjie. Energjia njerëzore konsumohet. Vëmendja publike konsumohet. Entuziazmi konsumohet. Edhe zemërimi, nëse nuk shoqërohet me një perspektivë konkrete ndryshimi, mund dhe po kthehet në lodhje.

Prandaj, pyetja nuk është vetëm nëse protesta ka ende njerëz në rrugë. Pyetja është: a ka ende njerëz që besojnë se prania e tyre në rrugë mund të ndryshojë diçka?

Në këtë rast, problemi nuk do të jetë mungesa e zemërimit, por mungesa e një faze të re politike. Protesta tashmë e ka provuar se mund të rezistojë. Tani duhet të provojë nëse mund të evoluojë. Një protestë që zgjat 84 ditë është shenjë e një pakënaqësie të thellë shoqërore. Por jo një projekt i qartë politik që t’u ngjallë shpresë qytetarëve.

Prandaj, pyetja e shtatorit nuk është thjesht: “A do të vazhdojë protesta?” Pyetja më e rëndësishme është: “Me çfarë energjie, me çfarë mesazhi dhe për çfarë qëllimi do të vazhdojë?”

Macron i del në krah Zelenskyt, Franca do t’i dërgojë Ukrainës raketa të reja interceptuese pas sulmit rus

By: E B
22 August 2026 at 19:14

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca do t’i dërgojë Kievit raketa të reja interceptuese pas një sulmi të madh rus në një qendër tregtare në Krivyi Rih në Ukrainën qendrore.

Autoritetet ukrainase thanë se Rusia nisi dy valë sulmesh me dronë në qytet të premten, duke vrarë të paktën 16 persona dhe duke plagosur 130 të tjerë, përfshirë 23 fëmijë.

Sulmi në qytetin e lindjes së Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ka shkaktuar dënim nga figura të rëndësishme në të gjithë Evropën, me Kaja Kallas, diplomaten më të lartë të BE-së, e cila e quajti atë “terror me qëllim”.

Macron tha se kishte folur me Zelenskyn pas “sulmit të dyfishtë” gjatë ditës në Kryvyi Rih dhe se ai kishte shprehur “tmerrin” dhe “shqetësimin e thellë” për incidentin.

“Është thelbësore t’i sigurohen Ukrainës të gjitha mjetet e nevojshme për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore dhe për të penguar këtë agresion”, deklaroi ai, duke shtuar se e kishte informuar Zelenskyn për “mbështetjen në rritje të Parisit, përfshirë vendosjen e raketave interceptuese”.

“Ne gjithashtu duhet të vazhdojmë të rrisim presionin mbi Rusinë për sa kohë që ajo zgjedh të refuzojë të ndalojë luftimet dhe të bëjë paqe”, shtoi ai.

Zelensky njoftoi se dyshja kishin folur për gati dy orë, për nevojat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, financimin dhe komunikimet me Uashingtonin, ndër të tjera.

“Ne ramë dakord të përshpejtojmë dorëzimin e pajisjeve dhe raketave më të fundit franceze. Faleminderit që konfirmuat gatishmërinë tuaj për të dhënë licenca për prodhimin e raketave”, tha ai.

BBC: SHBA dhe Kanadaja në terren të panjohur! Tarifat e reja përshkallëzojnë luftën tregtare mes dy aleatëve

By: E B
22 August 2026 at 19:06

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja kanë hyrë në një terren të panjohur, ndërsa dy aleatë dhe partnerë ekonomikë prej dekadash po përballen me një luftë tregtare në përshkallëzim.

Për kryeministrin kanadez Mark Carney, vendimi për të ndërprerë negociatat me presidentin amerikan Donald Trump dhe për t’iu përgjigjur me kundërtarifa presionit të Uashingtonit përbën një test të rëndësishëm politik, shkruan BBC.

Carney është ndër liderët e parë botërorë që largohet nga tryeza e negociatave me Shtëpinë e Bardhë, në një moment kur një marrëveshje tregtare dukej pranë arritjes. Të dyja palët kanë fajësuar ndryshimet e minutës së fundit për dështimin e marrëveshjes së mundshme.

Vendimi i kryeministrit kanadez do të testojë gjithashtu gatishmërinë e qytetarëve për të përballuar pasojat ekonomike të përplasjes me administratën Trump. Pas refuzimit të presionit amerikan dhe vendimit për t’iu kundërpërgjigjur tarifave të reja, Carney duhet të bindë kanadezët se kostot e përballjes ia vlejnë nëse qëllimi është arritja e një marrëveshjeje më të favorshme në të ardhmen.

Përplasja pritet të shkaktojë pasoja në të dyja anët e kufirit. Bizneset amerikane dhe kanadeze po përballen me presionin e tarifave dhe kundërtarifave.

Rreth 70% e eksporteve kanadeze shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa Kanadaja është partneri kryesor tregtar për disa shtete amerikane, veçanërisht Michiganin, Kentakin, Indianën dhe Ohajon.

Përplasja tregtare ka ndikuar edhe te udhëtimet dhe konsumi. Të irrituar nga tarifat amerikane, shumë kanadezë kanë shmangur udhëtimet drejt SHBA-së. Ky bojkot i ka kushtuar ekonomisë amerikane rreth 3.3 miliardë dollarë kanadezë të ardhura nga turizmi gjatë vitit të kaluar.

Ndërkohë, vendimi i shumicës së provincave kanadeze për të hequr produktet amerikane të alkoolit nga raftet e dyqaneve ka goditur eksportet amerikane.

Sipas të dhënave të tregtisë së qeverisë amerikane, eksportet e verës amerikane drejt Kanadasë kanë rënë me 78% krahasuar me një vit më parë, duke shkaktuar një humbje prej rreth 357 milionë dollarësh në vlerën e eksporteve.

Edhe industria amerikane e distilimit ka raportuar rënie të forta, duke deklaruar se kufizimet provinciale kanë shkaktuar një ulje prej më shumë se 70% të eksporteve të pijeve alkoolike amerikane drejt Kanadasë.

“Tregoni kujdes! Po shkrumboni malet e Shqipërisë”, kleriku katolik apel shqiptarëve për zjarret

By: E B
22 August 2026 at 18:55

Anton Deda, 62 vjeç, është filmuar nga dronët e Policisë së Shtetit teksa ndizte zjarre në fshatin Rraja e Valës në Mirditë.

Sipas autoriteteve pirromani ishte përgjegjës për flakët e përhapura në 5 vatra dhe kapja e tij është bërë pas një monitorimi prej 48 orësh në terren.

Në zonën e Mirditës flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh.

Situatë alarmante paraqite edhe në zonën e Pukës.  Mbi 3 mijë hektarë pyje dhe 4 shtëpi të banuara janë shkrumbuar, evakuimi i bërë për banorët në kushte mjaft emergjence.

Përpos autoriteteve, thirrje për ndalimin e zjarreve të qëllimshme ka bërë edhe Administratori i Dioqezës së Sapës, Atë Mariano Tarantino. Kleriku ngre shqetësimin mbi rrezikun që i kanoset natyrës, por mbi të gjitha jetëve njerëzore nga zjarrvënia e qëllimshme.

Situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim, por 4 vatra vijojnë të jenë aktive. Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë ditës janë raportuar gjithsej 11 vatra zjarri, 7 prej të cilave janë tashmë nën mbikëqyrje.

“Për mua, vetëm ti ke rëndësi”, letrat intime të asistentes së Trumpit ndezin polemika në Shtëpinë e Bardhë

By: E B
22 August 2026 at 18:50

Një seri letrash personale të asistentes së Donald Trumpit, Natalie Harp, drejtuar presidentit amerikan kanë shkaktuar debate në Shtëpinë e Bardhë, për shkak të tonit tepër intim dhe emocional që përdoret në korrespondencë.

Në letrat e saj, Harp i drejtohet Trumpit me shprehje si “Për mua, vetëm ti ke rëndësi” dhe “Nuk duhet të flasim gjithmonë për punën!”, ndërsa në një tjetër letër i shkruan se dëshiron të jetë pranë tij dhe të bisedojnë “për gjithçka dhe për asgjë”.

Në një prej mesazheve, ajo i kërkon presidentit që ta kritikojë kur gabon.

“Të lutem, kur të gaboj, a do të ma thuash? Ke të drejtë të më qortosh ashpër, nëse është e nevojshme, kur e meritoj, sepse askush nuk më njeh ose nuk më intereson më shumë se ti”, shkruan Harp.
Letrat janë shkruar gjatë ose menjëherë pas udhëtimit të Trumpit në pronat e tij në Aberdeen dhe Turnberry në Skoci dhe Doonbeg në Irlandë, në maj të vitit 2023.

Korrespondenca u publikua në formë të plotë nga “Daily Beast”. Disa prej citimeve ishin bërë më herët publike nga komentatori Michael Wolff, i cili i kishte përfshirë në një libër mbi rizgjedhjen e Trumpit.
Harp është një prej ndihmëseve më të afërta të presidentit dhe ka fituar një rol të rëndësishëm në rrethin e tij. Ajo është përgjegjëse për printimin e materialeve që Trump lexon dhe gjithashtu shkruan një pjesë të postimeve të tij në rrjetin social “Truth Social”.

Publikimi i letrave ka rikthyer vëmendjen te ndikimi që Harp ushtron në rrethin e presidentit. Sipas Wolff, dokumentet iu dorëzuan nga burime brenda fushatës së Trumpit, të cilat ishin të shqetësuara për afërsinë e saj me presidentin.

“Nuk është një marrëdhënie që duhet të ekzistojë në një kontekst profesional”, është shprehur Wolff në podkastin e tij.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle, e ka mbrojtur Harpin, duke e cilësuar atë si një prej ndihmëseve më besnike dhe më të përkushtuara të Trumpit. Ai i ka cilësuar raportimet kritike ndaj presidentit dhe administratës së tij si pjesë të “lajmeve të rreme”.

Debati u përshkallëzua pasi senatori demokrat Jon Ossoff bëri një koment të pahijshëm duke iu referuar asaj që ai e përshkroi si “udhëtimi me Natalie”. Shtëpia e Bardhë reagoi duke e sulmuar ashpër senatorin demokrat dhe duke e cilësuar atë si “të rrezikshëm”.

Roli i Harpit në Shtëpinë e Bardhë ka qenë në qendër të polemikave edhe më parë. Ajo ka pasur për një periudhë të gjatë probleme me marrjen e miratimit nga shërbimet sekrete për të kaluarën e saj, një procedurë e rëndësishme për personat që kanë akses në materiale të lidhura me sigurinë kombëtare.

Megjithatë, shqetësimi kryesor brenda Shtëpisë së Bardhë lidhet me ndikimin e saj te presidenti. Sipas raportimeve, Harp ka mundësi të vendosë se cilat materiale i paraqiten Trumpit dhe cilat jo, duke i dhënë asaj një rol të rëndësishëm në përcaktimin e informacionit që arrin te presidenti.
Ndërkohë, publikimi i letrave nuk ka sjellë deri tani prova për një marrëdhënie romantike mes Trumpit dhe Harpit. Krahasimet me skandalin e Bill Clintonit dhe Monica Lewinskyt janë hedhur poshtë si të pabazuara në mungesë të provave të tjera.

Në mes të kësaj polemike, Melania Trump është shfaqur publikisht pranë bashkëshortit të saj. Ajo u pa duke i mbajtur dorën Trumpit gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, ku mori pjesë në prezantimin e një nisme bamirësie me një donacion prej 2 milionë dollarësh.

“Dëgjova se ju mungova. Ja ku jam. Ja ku jam! Mirë se vini në Shtëpinë e Bardhë”, tha Melania Trump gjatë aktivitetit.

Platforma e re digjitale e PD: Të instalosh të ardhmen, pa ç’instaluar të shkuarën

22 August 2026 at 18:41

Nga Bjorn Runa

Ka diçka tragjikomike në lajmin se Partia Demokratike, pas një pune pesëmujore (thuajse gjysmë viti), ka arritur të përgatisë një sistem monitorimi dhe pikëzimi ndaj aktivitetit të zyrtarëve dhe përfaqësuesve të saj. Sipas asaj që është raportuar në media, një platformë e re digjitale do të mundësojë që deputetë, drejtues dhe kryetarë të degëve lokale të marrin një mesazh të vetëm qëndror nga partia dhe do të vlerësohen, të paktnë pjesërisht, për efikasitetin me të cilin do ta shpërndajnë atë online.

Sigurisht, çdo organizatë serioze politike ka nevojë për infrastruktura që i lehtësojnë qoftë komunikimin e brendshëm, qoftë atë me mbështetësit e saj, por tingëllon pak paradoksale që një parti si ajo Demokratike shpenzon kaq shumë kohë për të modernizuar teknologjinë, ndërkohë që drejtohet nga dikush i cili e ka dominuar atë që nga krijimi i saj më shumë se tri dekada më parë.

Të modernizosh tekonologjinë digjitale sot është relativisht e lehtë, e madje ka edhe më pak kosto financiare krahasuar me pak vite më parë. Kjo sepse falë edhe inteligjencës artificiale, një sërë procesesh që dikur kërkonin ekipe pune për të prodhuar content dhe për të analizuar efikasitetin e tij, tanimë mund të automatizohen. Thuajse çdo organizatë që i ka burimet e nevojshme mund të blejë një softuer të ri, të ndërtojë një databazë dhe të organizojë fushata digjitale më të sofistikuara se disa vite më parë.

Por, të bëhesh një parti politike moderne, e cila synon realisht të jetë alternativë qeverisëse, është shumë e vështirë, pasi kërkon një kulturë të brendshme krejt tjetër me njerëz të aftë për të kuptuar shoqërinë e re shqiptare që po lind rreth tyre. Paradoksalisht, PD po përpiqet të transformohet në vitin 2026, në epokën e inteligjencës artificiale dhe algoritmeve komplekse, nën udhëheqjen e dikujt që ka lindur në 1944 dhe të një grupi njerëzish, të cilët të rinjtë i njohin më tepër si personazhe meme-sh dhe shenjestra të cinizmit dhe talljes.

Është një problem që shkon përtej moshës biologjike të Sali Berishës dhe që ka të bëjë me hendekun e madh breznor mes lidershipit të asaj partie dhe njerëzve të ardhmen e të cilëve synon të përfaqësojë. Çka të çon tek pyetja e njohur tashmë se çfarë mund t’i ofrojë një 80-vjeçar, i cili ka mbajtur dy nga postet më të rëndësishem të shtetit shqiptar, një 25-vjeçari që sapo e ka nisur jetën dhe përballet me një botë ku strehimi dhe puna, dy gjëra që do duhej të ishin bazike, sa vijnë e bëhen më të pasigurta ? A mund të shohë ai alternativë tek dikush, i cili i përket një brezi politik që e ka patur të mjaftueshme kohën dhe mundësitë për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla ?

Vështirë të thuhet se çfarë i vlen Berishës një platformë që e lejon të komunikojë më shpesh me shqiptarët, kur ai ndërkaq iu flet çdo ditë atyre. Ndoshta do ta ndihmojë atë dhe Flamur Nokën t’iu shfaqen edhe më shpesh në ekrane të rinjve, por duket se nuk kanë marrë parasysh anën tjetër të medaljes, se askush nuk do që t’i dëgjojë më. Qasja më e madhe ndaj publikut vlen kur njerëzit duan ta dëgjojnë personin zëri i të cilit shumëfishohet nëpër rrjete sociale, por dyshoj se ajo çfarë Berisha apo Noka kanë për t’iu thënë të rinjve ngjall ndonjë interes për ta. Për më tepër, është diçka që rrezikon t’iu kthehet mbrapsht. Platforma mundet vërtetë t’jua përmirësojë shpërndarjen e mesazhit, duke ju shpërndarë njëkohësisht më mirë edhe problemin. Mund t’i vendosë Berishën dhe Nokën edhe më shpesh para një audience votuesish të rinj, por në vend që t’i nxisin të votojnë për ta, mund t’iu frymëzojë atë kreativitetin cinik të meme-ve dhe talljes që të rinjtë kanë treguar se mund ta ushtrojnë shpesh pa mëshirë.

Në thelb, demokratët duhet të kuptojnë se, sa më shumë që platforma e re ta ekspozojë Berishën, aq më shumë rrezikon t’u kujtojë votuesve arsyen pse nuk duan ta rikthejnë në pushtet. Paradoksi është se, duke u përpjekur ta shpërndajë më mirë mesazhin, PD-ja mund të përfundojë duke shpërndarë më gjerësisht vetë problemin e saj.

Zbardhet dëshmia e çiftit turk për vrasjen e turistit: E futa në bagazh pa i treguar të dashurës! Dikush telefonoi dhe na tha ‘keni polici përpara…

By: E B
22 August 2026 at 18:32

Janë zbardhur dëshmitë e dhëna në polici për vrasjen 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendez në Ksamil, që mbeti viktimë e një konflikti në një beach bar në Ksamil më 18 gusht.

Mes të tjerash, janë zbardhur edhe rrëfimet e Nuh Mahmutoglu e Ezgi Parlak, të dy shtetas turq, të cilët ndodhen në masën e arrestit në burg, pasi tentuan t’i ndihmonin Sokrat Vatën të arratisej pas krimit.

Vata u kap ne bagazhin e makinës me të cilën ata po udhëtonin.

Dëshmia e Nuh Mahmutoglu

Turku deklaroi për hetuesit se ishte telefonuar nga Sokrati, i cili i kishte thënë se kishte bërë aksident. Kur ka shkuar në vendin ku ndodhej Sokrati i ka treguar se ishte përfshirë në një zënkë. Kanë diskutuar dhe kanë vendosur të largoheshin pa e parë e dashura e Nuhut. “Sokratin e futa në bagazh të makinës dhe gjatë rrugës për në Tiranë na ka kapur policia”, deklaroi ndër të tjera Nuh Mahmutoglu.

Dëshmia e Ezgi Parlak

Parlak deklaroi se është njohur me shtetasin turk Nuh Mahmutoglu kur ka ardhur me pushime në Shqipëri nëpërmjet adresës së Instagramit, pasi ky shtetas jep makina me qira. Në lidhje me ngjarjen, shtetësja turke deklaron se nuk kishte dijeni që kishin Sokratin në makinë rrugës, kur ishin duke shkuar për në Tiranë. Por gjatë rrugës dikush ka telefonuar Nuhun, pak para se të shkonin tek vendi ku i ka kapur policia dhe “i ka thënë shiko se ke polici përpara”. Aty Nuhu i ka treguar sipas tij se në bagazh ndodhej Sokrati.

Dëshmia Florian Cetinës

Florian Cetina, ka deklaruar se ka parë shokun e tij Tourpal që po fliste me zë të lartë dhe aty është afruar një djalë me kaçurrela, i cili i ka thënë Tourpal të uli zërin. E ka ofenduar dhe më pas e ka kapur nga fyti si dhe e ka goditur me kokë në fytyrë Tuorpalin. Në konflikt janë përfshirë edhe shokët e tjerë të tij, si dhe punonjësit e bar “Principotes”, ku gjatë konfliktit ka parë shokun e tij Luis Miguel Vatela Mendez me këmishën me gjak dhe personat që e goditën ikën me vrap drejt lokalit.

Në lidhje me personin që vrau me thikë shokun e tij, Luis Miguel Vatela Mendez ai sqaroi se ishte personi me flokë të gjata, me veshje të bardhë, për të cilin ky shtetas e ka njohur përmes fotografive.

Katër vite në arrati, shqiptari arrestohet në Mal të Zi për përdhunimin e 22-vjeçares në Greqi

By: E B
22 August 2026 at 17:56

Një 52-vjeçar me shtetësi shqiptare, i akuzuar për përdhunimin e një të reje në një plazh të izoluar të Halkidikisë në Greqi, është arrestuar në Mal të Zi, katër vite pas ngjarjes, raportojne mediat greke.  Sipas mediave greke, arrestimi u krye të mërkurën e kaluar, pasi ndaj 52-vjeçarit ishte në fuqi një urdhër-arresti evropian për akuzën e përdhunimit. Autoritetet greke kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Greqisë, ku pritet të dalë përpara drejtësisë.

Ngjarja ka ndodhur më 30 maj 2022, kur viktima, e cila në atë kohë ishte 22 vjeçe dhe punonte në një hotel të zonës, kishte shkuar në një plazh të izoluar për të bërë një banjë para se të niste turnin e punës.

Sipas dëshmisë së saj, ndërsa qëndronte në plazh, autori iu afrua dhe nisi t’i fliste. Kur ajo i ktheu shpinën, ai dyshohet se e sulmoi nga pas, e goditi dhe e përdhunoi. “Mund të mos kisha dalë e gjallë”, kishte deklaruar ajo pas ngjarjes.

Sulmi rus vret 16 persona në Krivyi Rih, Zelensky paralajmëron: Ukraina do të përgjigjet

By: E B
22 August 2026 at 17:48

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është zotuar të përgjigjet ndaj një sulmi brutal rus në një qendër tregtare në Krivyi Rih, në Ukrainën qendrore, që la të vdekur të paktën 16 persona.

Ekipet e shpëtimit kanë qenë duke kërkuar nëpër rrënojat e sulmit të së premtes në Kryvyi Rih, qytetin e lindjes së Zelensky-t, i cili është shënjestruar disa herë gjatë luftës katërvjeçare.

Rusia ka intensifikuar fushatën e saj ajrore, me Ukrainën që përballet me mungesa kritike të interceptorëve të mbrojtjes ajrore Patriot të prodhuar në SHBA, i vetmi sistem i aftë të rrëzojë raketat balistike. Por sulmi vdekjeprurës në qendrën tregtare bëri që Rusia të vendoste dronë në atë që Zelensky e quajti një sulm “frikacak”.

“Dronët sulmues goditën në dy valë: gjysmë ore pas sulmit të parë dhe zjarrit që pasoi, pati një sulm të dytë që synonte ekipet e ndihmës së shpejtë”, shkroi Zelensky në Telegram.

Ai paralajmëroi se Ukraina “padyshim do t’i përgjigjet” sulmit.

Pamjet tregojnë një dron që godet një qendër tregtare në Kryvyi Rih, duke shkaktuar që një top zjarri të shpërthejë në qiell, ndërkohë që tymi nga një goditje e mëparshme është ende i dukshëm.

Disa persona rezultojnë të zhdukur dhe nuk mund të kontaktohen, tha Oleksandr Vilkul, kreu i këshillit të mbrojtjes së qytetit.

Tymi mbushi pjesën e brendshme të qendrës tregtare ndërsa njerëzit përpiqeshin me nxitim të largoheshin, tregojnë videot e filmuara në vendngjarje. Dyqanet brenda qendrës tregtare u përfshinë nga flakët, shtoi Vilkul.

Numri i viktimave mund të rritet më tej. Midis 130 të plagosurve, të paktën 29 prej tyre janë në gjendje të rëndë, tha Vilkul, përfshirë një vajzë 14-vjeçare me një dëmtim traumatik në tru dhe katër fëmijë të tjerë.

Fluks i madh në Kapshticë, mbi 30 mijë persona kalojnë kufirin në 4 ditë, emigrantët përballen me radhë të gjata

By: E B
22 August 2026 at 17:39

Mbi 30 mijë persona kanë dalë nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Kapshticës gjatë katër ditëve të fundit, në një tjetër fluks të lartë lëvizjesh në kufirin me Greqinë.

Bëhet fjalë kryesisht për emigrantë shqiptarë që kishin ardhur në vend për pushime dhe që tashmë kanë nisur kthimin drejt Greqisë dhe vendeve ku jetojnë e punojnë.

Fluksi i lartë ka sjellë radhë të gjata automjetesh në Kapshticë, ndërsa udhëtarët raportojnë pritje deri në dy orë në kufi, në temperatura të larta.

Pavarësisht fluksit, në të dyja anët e kufirit po punohet me nga katër sportele për përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve, me qëllim përshpejtimin e procedurave.

Radhët krijohen edhe në territorin neutral, ndërsa emigrantët presin në automjete, mes temperaturave të larta të këtyre ditëve.

Pika kufitare e Kapshticës është një nga akset kryesore të lëvizjes së emigrantëve shqiptarë gjatë sezonit veror. Fluksi pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim, teksa emigrantët përfundojnë pushimet dhe rikthehen drejt vendeve ku jetojnë.

❌