Normal view

Biznesi i “Vejushës së Zezë” në Rusi, martesa të shpejta me burra që nisen drejt frontit për të fituar miliona

13 August 2026 at 22:01

Në një Rusi të goditur thellë nga pasojat njerëzore dhe ekonomike të konfliktit në Ukrainë, mbijetesa e përditshme po ndërthuret me fenomenin e ri dhe cinik të quajtur “ekonomia e vdekjes”. Gjithnjë e më shumë gra po hyjnë në martesa me shpejtësi rrufe me burra që nisen drejt frontit, me qëllimin e vetëm për të trashëguar kompensimet e majme shtetërore në rast të vdekjes së tyre në betejë.

Sipas raportimeve nga kryeqyteti rus, forca kryesore shtytëse pas këtij fenomeni është e natyrës thjesht financiare.

Milionat e “parave të arkivolit”

Përmes një kombinimi të subvencioneve federale, sigurimeve shoqërore dhe bonuseve që ofrojnë rajonet e ndryshme, dëmshpërblimi për një ushtar të rënë – të njohura lokalisht si “grobonosnye” apo “paratë e arkivolit” – mund të arrijë nga 12 deri në 15 milionë rubla.

Në provincat më të varfra të Federatës Ruse, kjo shumë përfaqëson një pasuri marramendëse, e cila është e barabartë me dekada të tëra pune me pagë mesatare. Sipas kuadrit ligjor rus, bashkëshortja zyrtare përfiton automatikisht pjesën më të madhe të këtij kompensimi, duke e ndarë atë vetëm me prindërit apo fëmijët e ushtarit, shpesh në dëm të pjesës tjetër të familjes biologjike.

Lehtësimet burokratike dhe shfrytëzimi i ushtarëve beqarë

Skema funksionon falë lehtësirave burokratike që qeveria vendosi për të mobilizuarat: dasmat mund të lidhen zyrtarisht brenda pak orësh, duke anashkaluar periudhën e zakonshme njëmujore të pritjes.

Shënjestra kryesore e këtyre martesave të shpejta janë ushtarët beqarë, të burgosurit e rekrutuar direkt nga qelitë, ose të rinjtë pa një rrjet të fortë mbështetës familjar. Në momentin që ushtari vritet në luftime, e veja merr menjëherë pjesën e saj financiare dhe zhduket, duke lënë pas përplasje të ashpra gjyqësore me prindërit apo fëmijët nga martesat e mëparshme të të ndjerit.

“Ne po dëshmojmë manifestimin më të egër të ‘ekonomisë së vdekjes’, ku vlera financiare e humbjes së jetës në front tejkalon çdo mundësi fitimi gjatë gjithë jetës,” vërejnë sociologët që studiojnë këtë dinamikë shoqërore.

Pavarësisht rritjes së numrit të padive civile nga familjarët e tronditur për të anuluar këto martesa si të rreme, vërtetimi i mashtrimit ose keqbesimit në gjykatë mbetet mjaft i ndërlikuar, duke e lënë të hapur këtë treg cinik që ushqehet nga tragjedia e luftës.

Planifikoi vrasjen e amerikanit, arrestohet shtetasi rus në Poloni, kryeministri Tusk jep detaje

13 August 2026 at 21:52

Kryeministri polak Donald Tusk ka njoftuar se një shtetas rus është arrestuar nën dyshimin se ka planifikuar vrasjen e një shtetasi amerikan me origjinë ukrainase në Varshavë.

Në deklaratën për mediat të bërë të enjten, Tusk nuk bëri të ditur identitetin e personit që dyshohet se ishte objektivi. Megjithatë, ai tha se shtetasi amerikan konsiderohej “i papërshtatshëm për regjimin e Putinit” dhe se autoritetet polake e arrestuan të dyshuarin më 7 gusht.

Tusk shtoi se ky rast përbën incidentin e parë të njohur ku “dikush me urdhër të Rusisë” vendos të sulmojë një shtetas amerikan në territorin e një vendi tjetër anëtar të NATO-s. Ai e cilësoi ngjarjen si një “sinjal shumë të rrezikshëm” dhe falënderoi shërbimet polake të sigurisë.

Në momentin e fundit, falë veprimit të Agjencisë së Sigurisë së Brendshme dhe policisë, arritëm ta parandalojmë këtë ekzekutim, këtë sulm”, tha Tusk.

Ekspertët kanë paralajmëruar se ky plan i dyshuar vjen në një kohë kur janë shtuar kërcënimet që lidhen me Rusinë, e cila është akuzuar për vrasjen e kritikëve të saj jashtë vendit, përfshirë përmes vrasësve me pagesë dhe helmimeve.

Që prej 24 shkurtit 2022, Rusia është përfshirë në një luftë në shkallë të gjerë me Ukrainën, pas nisjes së pushtimit që u drejtua edhe në drejtim të kryeqytetit ukrainas, Kievit.

Presidenti rus Vladimir Putin, megjithatë, e ka lidhur pjesërisht konfliktin me NATO-n, duke akuzuar aleancën ushtarake se synon të zgjerojë ndikimin e saj drejt lindjes. NATO ka mbështetur Ukrainën politikisht dhe me ndihmë ushtarake, duke theksuar se vendi i Evropës Lindore ka të drejtë të vetëmbrohet.

Megjithatë, pasojat e luftës janë ndier në të gjithë rajonin. Vendet evropiane kanë shprehur shqetësim në rritje për qëndrimin agresiv të Rusisë, ndërsa avionët ushtarakë rusë kanë fluturuar vazhdimisht pranë hapësirës ajrore të NATO-s.

Shpallen listat e reja të pronarëve që kompensohen për 3 projekte në Fier, Elbasan dhe Tiranë

13 August 2026 at 21:43

Agjencia Shtetërore për Shpronësimin ka publikuar në Fletoren Zyrtare kërkesat zyrtare për shpronësim për interes publik që prekin disa pasuri private. Projektet përfshijnë ndërhyrje rrugore me rëndësi vendore dhe kombëtare në qarqet e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës.

Të gjithë personat fizikë ose juridikë që preken nga këto projekte – qoftë ata të pasqyruar në listat zyrtare apo subjekte të tjera që pretendojnë pronësinë – kanë një afat prej 15 ditësh nga data e publikimit për të paraqitur pretendimet e tyre të shoqëruara me dokumentacionin përkatës pranë bashkive përkatëse, Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) apo vetë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

  1. Rikonstruksioni i segmentit rrugor “Shën Gjergji” – “Naun Kaçaku” (Fier)

Në kuadër të projektit për rikonstruksionin e segmentit rrugor nga ish-ura me shkallë deri te stacioni i Patosit në Fier, Bashkia Fier ka kërkuar amendimin e vendimit ekzistues të Këshillit të Ministrave (VKM nr. 94, datë 12.2.2025).

Subjekti kërkues: Bashkia Fier

Lloji i pasurisë: Truall (Zona kadastrale 8531, pasuria nr. 114/2)

Vlera totale paraprake e shpronësimit: 295,255 lekë

Bashkëpronarët e prekur: Eugjen Dëma, Suzana Rezhda, Pranvera Beka, Ylli Dëma dhe Mimoza Veli.

  1. Korridori VIII: Aksi rrugor Elbasan – Lekaj (Loti I: Elbasan – Papër)

Projekti për studim-projektimin e aksit rrugor Elbasan–Lekaj, pjesë e Korridorit VIII, përfshin shtesa në VKM-në nr. 221 (datë 1.4.2026). Shpronësimet prekin kryesisht toka të llojit “arë” dhe “truall” në zonat kadastrale përreth Elbasanit dhe Papërit.

Subjekti kërkues: Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH)

Vlera totale paraprake e shpronësimit: 4,339,554.6 lekë

Llojet e pasurive: Tokë “arë” dhe “truall” (në zonat kadastrale 3965, 3702, 3764, etj.)

Pronarët e prekur: Përfshijnë disa familje dhe bashkëpronarë, mes të cilëve familjet Lena, Subashi, Bullari, Gjata, Çela, Çepa, Kurti, Ballhysa, si dhe sipërfaqe të caktuara shtetërore.

  1. Ndërtimi i rrugës Kashar – Nyja Vaqarr (Fazat I dhe II)

Projekti infrastrukturor në periferi të kryeqytetit lidhet me ndryshimet në VKM-në nr. 317 (datë 6.5.2026) për segmentin Kashar–Vaqarr.

Subjekti kërkues: Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH)

Vlera totale paraprake e shpronësimit: 3,545,205 lekë

Pasuria e prekur: Zona kadastrale 1017, pasuria nr. 36/1 (154.5 m² truall dhe godinë banimi 1-katëshe me sipërfaqe 51.5 m²)

Pronari i prekur: Dervish Hysen Gjoka

Udhëzim për qytetarët

Agjencia Shtetërore për Shpronësimin rikujton se vlerësimi financiar është llogaritur mbi bazën e kartës së vlerës së tokës (VKM nr. 89, datë 3.2.2016) dhe kritereve teknike për objektet e banimit (VKM nr. 138, datë 23.3.2000). Çdo ankesë ose dakordësi duhet të depozitohet zyrtarisht brenda afatit 15-ditor pranë zyrave përgjegjëse.

“Zjarri në Peshtan me rrezikshmëri të lartë”, deputeti i PD thirrje për ndërhyrje të menjëhershme

13 August 2026 at 21:34

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë masivin pyjor në Peshtan të Madh, në bashkinë Fier, ndërsa situata paraqitet shqetësuese për shkak të erës së fortë dhe terrenit të pyllëzuar.

Për situatën ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i cili kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe dëmet e mundshme.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Baçi shkruan: “Zjarri në Peshtan të madh të bashkisë Fier, në këto momente, paraqet rrezikshmëri të lartë.. Era e fortë, pishat e larta, kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe parandalim të përhapjes së flakëve, për të evidentuar dëmet që mund të shkaktohen Kujtojmë se para pak ditësh, një i zjarr i përmasave të mëdha, në Peshtan të vogël, rezultoi me shumë dëme, në pemëtari dhe ullinj.”

Shoqatat e Transportit paralajmëruan reduktim të flotës, reagon Administrata Tatimore

13 August 2026 at 21:26

Pas paralajmërimit nga Shoqatat e Transportit, se do të reduktojnë flotën urbane nëse s’marrin përgjigje nga qeveria për kompensimin e karburantit, ka reaguar Administrata Tatimore.

Sipas Administratës Tatimore ka përfunduar në 1 gusht 2026 proçesi i aplikimit për kompensimin e transportit publik

Administrata Tatimore po kryen kompensimin e 95 subjekte që kanë aplikuar për të përfituar nga skema e kompensimit për rritjen e çmimit të karburantit.

Vlera totale e kompensimit për shoqëritë e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës arrin në 110.7 milionë lekë. Shifrat nuk përfshijnë kompensimin për shoqëritë e linjave qytetëse të Tiranës, i cili mbulohet nga Bashkia Tiranë. Numri i subjekteve që kanë aplikuar për t’u kompensuar nga Bashkia e Tiranës pranë Administratës Tatimore është 20 për një vlerë prej 66.1 milion lekë”, thuhet në njoftim.

Skandali Ranucci, modeli i profetit të rremë që shkëlqen dhe në Shqipëri

13 August 2026 at 21:18

Nga Ylli Pata

Sigfrido Ranucci, është kthyer në ditët e fundit në Itali në një debat mediatik por edhe politik. Për shumë arsye, ngaqë ishte deri pak javësh një “certefikatë” e besueshme e gazetarisë investigative, e që u kthye në një farë mënyre edhe në një “deftesë lavdërimi” nga ato që marrin shumë kohët e fundit, duke u cilësuar si “gjigandë të antikrimit dhe korrupsionit”.

Aq shumë u fry ky model sa siç ndodh zakonisht po hapeshin vende e krijoheshin kolltuqe politike për një post kryebashkiaku apo karrike deputeti për një nga luftëtarët e mëdhenj kundër së keqes.

Një hetim i fundit, që në Itali po bën namin në publikimin mediatik, ka nxjerrë që doktor Ranucci ishte më së paku selektor, apo përzgjedhës në ato që duhet të sulmonte, e kjo ndoshte për arsye dhe për axhenda të caktuara politike por edhe më tej.

Hetimi, ka nxjerrë se funksiononte një rrjet partneriteti me disa persona marifetçinj që përzgjidhnin viktimat, e kryenin sulme me objektiva të caktuara. Ku si lëndë e parë përdoreshin dosjet gjyqësore, lëndët e prokurorive, e mbi të gjitha përgjime audio e video, të cilat natyrisht kishin subjektivitetin e tyre në lëminë e verifikimit të fakteve.

Mënyrë apo subjektivitet, që ka pasur thuajse të gjithë herët kontestimin nga të akuzuarit, apo dyshimin nga palët e treta se nuk jemi thjesht në investigimin faktik, por de fakto në një prokurori televizive, në kanalin zyrtar të televizionit public Italian.

Me një fjalë, nëse sulmohesh nga ky gjigand, ose duhet të kesh një ushtri të madhe avokatësh që kërkojnë shumë para, ose do të kërkosh një short cut për t’i hequr qafe. Në Shqipëri, ky fenomen është i njohur dhe ka marrë emrin: gjobvënës.

Meqë ra fjalë për Shqipërinë, skandali Ranucci e shef veten shumë kollaj në pasqyrë në mjedisin tonë, e nga ana tjerër, Emisioni report është shumë i njohur për mjedisin tonë mediatik, ngase për një kohë të gjatë u kthye në një armë politike në vend. Një armë politike, e cila u furnizua me municion nga Sali Berisha, si dhe televizioni i familjes së tij.

Ndaj u bë shumë popullor për një periudhë kohe si Report si Ranucci, ashtu edhe predikimet përkatëse të rrethit të “shkrimtarëve” antikrim që pas takimeve te rruga e Salës shkruan librat për Aruban e manifesteve që lexohen si të jenë dispencat e anti-Duringut në revolucionin e flamingove. E shumë të tjera, gjoja kamerat e fshehta me spaghetti-t në hotelet zvicerane me një lattitante Albanese që ka qenë bashkëpunëtori i ngushtë i Edi Ramës etj etj.

E bukura e këtij hetimi hapi edhe sepetet e vjetra të para 2013-s, përkatësisht me partnerin dhe mikun e ngushtë të Ranuccit, Valter Lavittola-n, një “Veçhia conoschienza” të politikës shqiptare, të cilën po të mos e kishte partner e të njohur, doktori më i famshëm në Shqipëri do t’i kishte gjetur në konferencë shtypi një nofkë mafiozi, siç ka bërë me shumë të tjerë.

Lavittola, një sekser i shkathët që u bë i famshëm në një përgjim telefonik me Ilir Metën pas shpërthimit të skandalit Meta-Prifti në 2011-n, ka pasur kontakt me shumë VIP-a në Shqipëri. Me të cilët ka bërë deal-e pa fund PR-i, lidhje politike, madje edhe krijime të fushatave të fake news-eve për të krijuar trazira në vend, më shumë se një herë.

Gjithsesi, në fund të fundit, kjo nuk është gjë e re. Ka kudo broker që bëhen ndërmjetësa duke gjetur budallenj që paguajnë para pa fund jashtë vendit, për “gazetarë” e marifetçinj, ndërkohë që duke përdorur mediat vendase e fuqinë e fjalës mund të bindin shqiptarët për ato fakte që kanë dhe për të shpalosur mendimet e tyre.

Hallall Ranucci-t, qoftë Lavitolas që kanë gjetur viktima e i kanë matur kokën me spango, duke shfrytëzuar natyrisht inteligjencën e tyre, e parë që viktimat e kanë dollapin plot me skelete të tmerrshme. Shumë madje, të panjohura fare. E Kështu rrisnin faturën. Hallall. A jemi në kapitalizëm?

Çështja këtu, nisur nga ku rast apo skandal siç e quajnë italianët, është pikërisht fenomeni që shkëlqen fort në Shqipëri. Fenomeni i miteve apo i heronjve të rremë që u kthyen në fytyrat e mbrëmjes.

Sigfrido Ranucci dhe Report-i i tij u bë bujë sepse në një nga anekset e emisioneve të tij përdorën termin “Narkoshtet” për Shqipërinë. Term që përdor Sali Berisha për vendin e vet, sapo ka lënë pushtetin. E kur në ato ditë, pra kur linte pushtetin Sali Berisha, Guardia di Finanza, bëri të ditur se vlera e hashashit të Lazaratit në atë kohë kapte shifrën e 4 miliardë euro-ve njëjtë me buxhetin e atëhershëm të shtetit shqiptar.

Termi narkoshtet, është një etiketë e rëndë, e cila nuk përdoret nga politikanët, as nga gazetarët, e as nga hetuesit e prokurorët. Rasti i vetëm që është përdorur ky term ka qenë për Panamanë e gjeneralit Manuel Noriega. i cili u arrestua nga DEA dhe u ekstradua në SHBA pasi banka kryesore në vend mbante paratë e karteleve të kokainës, ndër ta të megabosit Pablo Escobar.

Pas vrasjes së Escobar, Meksika është vendi që kryente eksportin direkt të kokainës, mariuanës e drogave sintetike, ndërmjet të tjerave dhe fentanilin e tmerrshëm, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por t’ja thuash presidentes meksikane, Claudia Sheinbaum, se drejton një narkoshtet, çdo politikan apo gazetar që artikulon do të marrë përgjigjen furtunë, siç e ka provuar shpesh edhe i frikshmi Donald Trump në polemikat e shumta që bëjnë me njëri tjetrin.

Siç nuk ndodh me Komumbinë e shumë mallkuar këtu, por që është krejt e ndryshme si shoqëri, politikë, shtet, e madje edhe media.

Ku kanë heronj të vërtetë e jo të rremë në luftën ndaj narkotrafikut, qoftë nga politika, shoqëria, gazetarët dhe kanë shënuar emrin e tyre në historinë e vendit.

Roberto Saviano është sot një shkrimtar, gazetar, publicist e ikonë televizive që e ka krijuar karrierën si pasojë e luftës ndaj Camorra-s napoletane. E sot është një nga format më ekselente dhe njohësit më të mirë të narkotrafikut Italian, botëror, e mbi të gjitha shqiptar. Ai nuk e ka thënë asnjëherë përcaktimin narkoshtet, ngase e di mirë se një nga organizatat më të mëdha në Itali, siç e ka thënë edhe ai vetë, e ka xhiron vjetore më të madhe se Facebook i Mark Zuckerberg-ut.

Rasti i Sigrido Ranuç-it, natyrisht është një çështje ende në hetim, me dritët e hijet e veta, megjithatë rasti flet për një fenomen që u kthye në pasqyrë sidomos në Shqipëri. Fenomeni i profetëve të rremë që tregojnë certefikatat e moralit në emisionet e darkës, ndërkohë që një gazetar rrëfen historinë, atë që di, e ku raporton me ftohtësi. Është publiku që i vë vulën, jo profetët që na mbinë në bark nga OJF-të revolucionarë që ju sulën të gjithëve që nuk mendonin si ata, duke e ndarë e polarizuar shoqërinë.

Raportohen 38 vatra zjarri. Situatë e rënduar në Lurë, Priskë dhe Elbasan, ndërhyrje nga toka dhe ajri. Përmirësohet situata në Krujë

13 August 2026 at 21:10

Situata e zjarreve në vend vijon të jetë problematike në disa qarqe, ku sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri.

Aktualisht janë në ndjekje 18 vatra, prej të cilave 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll. Forcat në terren po punojnë për izolimin e flakëve, ndërsa në disa zona rreziku për banesat është shmangur.

Në qarkun Dibër, vijon situata më e vështirë. Një nga zonat ku është përqendruar angazhimi më i madh është Gurë-Lurë. Zjarri vijon në dy drejtime, ndërsa forcat operacionale kanë arritur të vendosin nën kontroll perimetrin pranë banesave, duke shmangur rrezikun për djegien e tyre. Në terren janë angazhuar 120 forca bashkiake, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të ADZM-së, të mbështetur nga dy avionë Air Tractor.

Ndërhyrja vijon edhe në Qafën e Helmes, ku operojnë MZSH, forca bashkiake dhe struktura të njësisë administrative Selishtë.

Edhe në Dajt dhe në zonën Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër, vijon puna e strukturave të MZSH-së, ADZM-së dhe vullnetarëve, me mbështetje nga ajri të Forcave të Armatosura.

Pavarësisht terrenit të vështirë dhe përhapjes së mëparshme të zjarrit, autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Lugaxhi të Elbasanit, situata vijon të kërkojë ndërhyrje të forcave në terren, pasi zjarri është përhapur në kurorat e pishave. Në operacion janë angazhuar MZSH, shërbimet pyjore, ASHP, forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, me mbështetje nga Forcat e Armatosura. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Ndërhyrjet vijojnë edhe në Dardhë dhe Shalës.

Në Nëmerçkë dhe Dhëmbel të Përmetit, disa vatra vijojnë në zona me terren të vështirë. Forcat në terren po punojnë për izolimin e tyre, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Trojë të Mirditës, operacionit i janë bashkuar edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, në mbështetje të MZSH-së, forcave bashkiake, policisë dhe vullnetarëve.

Në Rrencë dhe Goraj-Budishtë, Shkodër, vijon puna për izolimin e plotë të vatrave. Në Goraj-Budishtë situata po shkon drejt izolimit dhe nuk paraqet rrezik për banesat. Ndërkohë, vatra në Kryezi është nën kontroll.

Në Krujë, situata ka shënuar përmirësim. Në Abaze ndërhyrja e forcave operacionale dhe e Forcave të Armatosura, e mbështetur nga një helikopter, ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll. Ndërkohë, në Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive.

Në Finiq, vatrat në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa ajo në Dhrovjan është nën kontroll.

Në Moravë të Devollit, ndërhyrja e MZSH-së ka bërë gjithashtu të mundur vendosjen e situatës nën kontroll.

Për përballimin e situatës vijon një angazhim i gjerë dhe i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror. Vetëm nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 309 efektivë, 22 mjete, një autobot, tre ambulanca, nëntë mjete zjarrfikëse, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të sistemit të Mbrojtjes Civile.

Shteti modern është një kontratë me qytetarin, jo një marrëveshje me të

13 August 2026 at 21:03

Nga Mero Baze

Përpjekja e Edi Ramës për ta përdorur protestën për një komunikim të ri të administratës shtetërore me qytetarët përmes “Besës” është një përpjekje për të trembur administratën me protestën, por që nuk po funksionon.

Arsyeja e parë pse nuk po funksionon është se nuk ka një protestë që ta trembë seriozisht administratën. I vetmi që e ka marrë seriozisht protestën për ta përdorur për vete është Edi Rama.

Tani, sado që Edi Rama përpiqet t’ua prishë pushimet zyrtarëve të vet, duke i vënë të konspektojnë “Besën 1” dhe “Besën 2”, nuk shikoj ndonjërin që ka kuptuar ndonjë gjë se çfarë duhet të bëjnë.

Arsyeja themelore është se “direktiva” e Edi Ramës për “Besën” bazohet te një angazhim moral nga administrata, ndërkohë që problemi kryesor që ka administrata e tij është se përgjegjësia personale e zyrtarëve është e paqartë.

Qytetari duhet ta dijë qartë se kush përgjigjet kur ai nuk zbatohet. Kjo është ajo që e modernizon shtetin dhe e bën qytetarin të pavarur nga Besa.

Po të kesh një hall me shtetin shqiptar, duhet medoemos të njohësh një titullar të lartë, pasi nuk ka rëndësi që hallin duhet të ta zgjidhë një nëpunës kot aty në administratë. Kultura e delegimit të pushtetit lart dhe e kalimit të përgjegjësisë poshtë ka krijuar realisht një shtet disfunksional, që Besa jo vetëm nuk e reformon, por e forcon këtë tipar. Kur them e forcon, kam parasysh që Besën qytetarët në votime ua kanë dhënë vetëm Edi Ramës dhe 140 deputetëve, kurse punët qytetarët i kanë me 140 mijë vetë të administratës.

Në administratën shtetërore është krijuar një mekanizëm ku autoriteti përqendrohet te drejtuesi, ndërsa firma dhe rreziku juridik u kalohen vartësve. Mosmbajtja e Besës shndërrohet në një sistem të tretjes së përgjegjësisë, që ti nuk e kupton kurrë se kush të preu në besë.

Prandaj, ajo që duhet të bëjë me urgjencë qeveria në këtë pikë nuk janë orët e informacionit politik mbi “Besën”, por një sërë ligjesh që adresojnë qartë raportin e administratës me qytetarin dhe detyrimin e administratës për t’i zgjidhur problemin që i takon qytetarit.

Pra, thjesht duhet të bëjë një shtet modern dhe jo një shtet tribal. Besa është një mit shqiptar në malësitë e Shqipërisë, ku Kanuni rregullonte raportet mes qytetarëve, në mungesë të shtetit ligjor. Dhe mungesa e Besës shpaguhej me gjak, pikërisht se besa nuk ishte një zakon aq i përhapur te banorët. Në njëfarë mënyre u imponohej me gjak, që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Shteti shqiptar duhet të reformohet drejt një administrate moderne që i kthen përgjigje qytetarit. Jo si përgjigjet e hipotekave, që i detyrojnë qytetarët të paguajnë nga dhjetë herë që të vijë përgjigjja automatike: të mungon edhe një dokument. As si përgjigjet e ujësjellësit apo OSHE-së, kur të faturojnë pesëfishin, që të thonë: na vjen keq, duhet t’i paguash njëherë, pastaj të ankohesh. As si përgjigjet e tatimeve, që të ngarkojnë detyrime që nuk i ke e pastaj të thonë: t’i kemi borxh.

Me këtë lloj sistemi nuk ke ku “merr gjak”, edhe pse të presin në besë çdo ditë. Vetëm ligje të pakapura nga hajdutët e shtetit dhe që janë detyruese për administratën që t’u shërbejë qytetarëve, mund ta shpëtojnë raportin katastrofik që është krijuar mes shërbimeve dhe qytetarëve.

Nëse çdo ligj i shtetit shqiptar ka një klauzolë përjashtuese nga detyrimi për t’u shërbyer qytetarëve, ai është ligj mafioz. Fjala vjen, nëse ti thua që të takon të marrësh donacione nga shteti për një biznes të caktuar, por duhet të konkurrosh se nuk ka për të gjithë, është ligj mafioz. Nëse ti je bujk dhe shteti duhet të të kompensojë për qumështin apo mishin, por me klauzolë gare se nuk ka për të gjithë, është ligj mafioz, se të lë në dorë të një hajduti.

Zyrtari nuk duhet ta paraqesë përmbushjen e detyrës si nder që po ia bën qytetarit, por si përgjegjësi personale dhe institucionale për të cilën duhet të japë llogari.

Raporti mes shtetit dhe qytetarit është një kontratë civile që palët duhet t’i përmbahen. Shteti modern bën kontrata. Besa është marrëveshje. Ajo i përket periudhës parashtetërore.

Mjegulla shtyn ndeshjen e Ligës së Europës, UEFA merr vendimin, ja kur do të luhet!

By: A. Q
13 August 2026 at 20:54

UEFA ka vendosur që të shtyjë për të premten një nga ndeshjet e turit të tretë të Ligës së Europës.

Sfida e parashikuar për sot mes KI Klaksvik të Ishujve Faroe dhe Leç Poznan të Polonisë, është dashur të shtyhet për shkak të problemeve me mjegullën.

Në fakt, gjithçka kishte lidhje me udhëtimin e ekipit polak drejt Ishujve Faroe. Skuadra polake u nis të mërkurën, por pas orëve të gjata fluturim dhe pamundësisë për t’u ulur në Ishujt Faroe në aeroportin e vetëm të tij, si pasojë e mjegullës së dendur, ka fluturuar drejt Norvegjisë.

Ekipi është nisur vetëm sot drejt Ishujve Faroe dhe ka mbërritur me sukses gjatë pasdites, por shumë vonë për të qenë gati për ndeshjen.

Polakët kanë fituar 1-0 ndeshjen e parë dhe do të tentojnë të mbrojnë këtë rezultat ndaj UEFA ka pranuar apelin e polakëve dhe ka vendosur që sfida të luhet në pasditen e të premtes.

Gjykatësi Federal rrëzon padinë e presidentit Trump kundër Universitetit të Harvardit: Nuk ka prova të mjaftueshme!

By: A. Q
13 August 2026 at 20:45

Një gjyqtar federal rrëzoi sot (13 gusht) padinë e ngritur nga administrata e Presidentit Donald Trump, kundër Universitetit të Harvardit, të cilin e akuzoi për tolerancë ndaj sjelljes antisemite gjatë protestave pro-palestineze në kampusin e tij pas 7 tetorit 2023.

Në vendimin e tij, Richard Stearns i gjykatës federale në Boston vuri në dukje se padia e ngritur nga administrata Trump në mars nuk arriti të provonte mjaftueshëm se Harvard shkeli një dispozitë të Aktit të të Drejtave Civile, i cili ndalon diskriminimin bazuar në racë, origjinë kombëtare dhe kritere të tjera.

Stearns tha se argumentet e qeverisë u përqendruan kryesisht në incidentet që ndodhën gjatë protestave për luftën e Izraelit në Gaza gjatë vitit akademik 2023-2024, ndërsa vetëm disa incidente të mëvonshme, që dyshohet se ndodhën në mars 2025, ishin mjaftueshëm “të izoluara dhe sporadike” për të mbështetur një pretendim për shkelje të vazhdueshme të të drejtave civile.

Gjykatësi vuri në dukje se padia nuk i dokumentonte mjaftueshëm dështimet e universitetit pasi qeveria njoftoi Harvardin në qershor 2025 se nuk po zbatonte Titullin VI të Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964.

Ligji ndalon diskriminimin bazuar në racë, ngjyrë ose origjinë kombëtare në programet që marrin fonde federale.

Shtëpia e Bardhë dhe Harvardi nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Pas disa orësh lufte me flakët, vihet nën kontroll edhe zjarri në Lugaxhi të Elbasanit!

By: A. Q
13 August 2026 at 19:58

Zjarri që përfshiu një sipërfaqe të madhe të masivit pyjor dhe që rrezikoi djegien e disa banesave në fshatin Lugaxhi të Labinot Malit në Elbasan, është vënë nën kontroll pas disa orësh përballjeje me flakët.

Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe e punonjësve të strukturave të tjera të angazhuara në terren bëri të mundur izolimin e vatrës dhe neutralizimin e rrezikut për përhapje të mëtejshme.

“Operacioni është zhvilluar në kushte të vështira, për shkak të terrenit të thyer, i cili ka pamundësuar afrimin e mjeteve të rënda pranë zonës së përfshirë nga zjarri. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e operacionit është realizuar në këmbë, duke kërkuar angazhim të vazhdueshëm të efektivëve”, thanë autoritetet vendore.

Për përballimin e situatës u angazhuan 2 mjete zjarrfikëse, me kapacitet prej 3 tonësh secili, si dhe 18 forca zjarrfikëse, të cilat ndërhynë në terren duke përdorur edhe pompa shpine për të arritur në zonat ku mjetet nuk mund të depërtonin. Në operacion morën pjesë gjithashtu 25 punonjës të ASHP, të cilët kontribuuan në punën për izolimin e vatrave dhe frenimin e përhapjes së flakëve.

Në kushtet e temperaturave të larta dhe thatësirës, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregohen maksimalisht të kujdesshëm, veçanërisht në zonat e gjelbra, pyjore dhe në sipërfaqet me bimësi të thatë.

“Çdo pakujdesi, përfshirë hedhjen e mbetjeve të ndezshme, ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura apo veprime të tjera të pakontrolluara, mund të shndërrohet në burim zjarri dhe të rrezikojë sipërfaqe të mëdha natyrore, banesa dhe pasurinë e qytetarëve. Qytetarët që konstatojnë një vatër zjarri duhet të njoftojnë menjëherë autoritetet, në mënyrë që ekipet e emergjencave të ndërhyjnë sa më shpejt dhe të shmangin përhapjen e flakëve”, thanë ata.

VIDEO/ Shpërthim i fuqishëm në një fabrikë municionesh dhe eksplozivësh në periferi të Romës, shikoni pamjet e hedhjes në erë!

By: A. Q
13 August 2026 at 19:52

Dhjetëra zjarrfikës nxituan në zonën e Colleferro-s, një periferi të Romës në Itali, ku një shpërthim ndodhi këtë pasdite në fabrikën e municioneve Simmel.

Shpërthimi thuhet se ndodhi ndërsa oficerët e policisë bashkiake sapo kishin mbërritur në zonë. Deri më tani, nuk ka informacione zyrtare për të lënduar.

Industria prodhon municione për ushtrinë dhe marinën. Dëshmitarët okularë i thanë medias italiane se shpërthimi ndodhi në një depo eksplozivësh.

Zhurma shumë e lartë që u shkaktua u dëgjua nga shoferët në autostradën A1 dhe nga banorët e fshatrave që ndodhen në një distancë të shkurtër nga Roma.

Gran explosión tras un incendio en una planta de municiones en Italia

Un incendio seguido de una explosión se registró este jueves en una planta de municiones ubicada en el municipio italiano de Colleferro, en la ciudad metropolitana de Roma Capital. pic.twitter.com/Bf3byYBgSD

— Sepa Más (@Sepa_mass) August 13, 2026

Muhameti dhe Mehmeti shpëtojnë Amerikën nga komunizmi

By: A. Q
13 August 2026 at 19:45

Nga THOMA GËLLÇI

Muhametit emrin ia kishte vënë gjyshi në Peqin. Gjyshi kishte qenë besimtar në mënyrën e vet dhe kishte këmbëngulur që nipi të merrte emrin e Profetit. Kështu Muhameti hyri në jetë me një emër që shumë vite më vonë, në Warren të Michiganit, do ta përdorte gjithnjë e më rrallë.

Në Amerikë i therrisnin Mo. Ishte më i shkurtër, më praktik dhe nuk kërkonte shpjegime. Në dokumente vazhdonte të ishte Muhamet, por klientët e njihnin si Mo, hidraulikun shqiptar që vinte shpejt, punonte mirë dhe, po t’i jepej rasti, shpjegonte edhe çfarë nuk shkonte me politikën amerikane.

Kishte ardhur nga Peqini më shumë se njëzet vjet më parë. Kishte shtëpi me kredi, Ford F-150, veglat e hidraulikut dhe bindjen se Amerika po shkonte drejt komunizmit. E konsideronte veten të kualifikuar për ta dalluar rrezikun, sepse kishte jetuar në Shqipërinë komuniste, ndërsa amerikanët kishin dobësinë e madhe se komunizmin nuk e kishin provuar kurrë.

Edhe në gjuhë ishte amerikanizuar. “Allah” pothuajse nuk thoshte më. Kur shihte ndonjë faturë të lartë apo një basement të përmbytur thoshte “My God”. Gjyshi nga Peqini nuk kishte parashikuar se nipi i tij një ditë do të shqetësohej nga myslimanët në politikën amerikane.

Në Tiranë jetonte Mehmeti. Ishte pa punë prej gati dy vjetësh dhe jetonte me të ëmën. Megjithatë, nuk rrinte kot. Kishte marrë përsipër një detyrë më të rëndësishme se puna: ruante Amerikën nga komunizmi.

Ky ishte i shqetësuar për presidentin Trump dhe për pengesat që po i vinte Sorosi. Gjithë vëmendja e tij ishte se si të mbronte Trump nga mafia ndërkombëtare e komunizmit.

Muhameti dhe Mehmeti ishin njohur në Facebook. Muhameti kishte shkruar se amerikanët ishin naivë, sepse nuk e kishin jetuar komunizmin. Mehmeti kishte rënë menjëherë dakord dhe prej asaj dite të dy u gjendën në të njëjtën llogore ideologjike.

Alarmi i parë serioz erdhi kur Zohran Mamdani u bë kryetar i Bashkisë së New York-ut. Për Muhametin ishte hata e madhe se si një person e thoshte në mes të ditës dhe me zë të lartë që ishte mysliman. Kjo ishte e papranueshme. Ndërsa për Mehmetin kjo vërtetonte atë që kishte kohë që thoshte: universitetet amerikane, me Harvard-in në krye, po prodhonin komunistë.

Në Shqipëri marksizëm-leninizmi mësohej falas; në Amerikë duhej të kishe para për ta mësuar në Harvard. Komunizmi amerikan ishte thjesht më i shtrenjtë se ai shqiptar.

Për Muhametin hataja erdhi më 4 gusht 2026, kur Abdul El-Sayed fitoi primaret demokrate për Senatin amerikan në Michigan.

E mori pothuajse si humbje personale.

Kandidati quhej Abdulrahman Mohamed El-Sayed, por Muhameti nuk ia shqiptonte dot emrin. Herë e quante Abdul, herë Abdurrahim, herë vetëm “ai Abduli”. Kjo i dukej si provë se kandidati ishte disi i huaj për Michiganin.

Në fakt, El-Sayed ishte lindur në Detroit dhe ishte rritur në Michigan. Muhameti kishte lindur në Peqin dhe kishte ardhur në Amerikë si emigrant. Por në mendjen e tij kjo ishte zgjidhur prej kohësh: ai ishte amerikan, ndërsa Abduli duhej ende ta provonte.

Edhe myslimanizmi i kandidatit e shqetësonte. Vetë Muhameti mbante emrin e Profetit, por fenë e vet e konsideronte çështje private.

Por arsyeja kryesore e alarmit ishte programi i El-Sayed-it: Medicare for All, më shumë rol publik në shëndetësi dhe taksa më të larta për miliarderët. Për Muhametin këto ishin shenjat alarmuese që paralajmëronin ardhjen e komunizmit.

Një ditë, ndërsa riparonte një tub në shtëpinë e John-it, një klient amerikan në Royal Oak, biseda shkoi te kjo çështje. John i kujtoi se fëmijët e Muhametit kishin shkuar në shkolla publike, rrugët ku lëvizte financoheshin me taksa, zjarrfikësit dhe policia paguheshin nga publiku dhe vetë Muhameti priste që një ditë të merrte Social Security dhe Medicare.

Fillimisht Muhameti u përpoq t’i ndante. Shkollat ishin ndryshe sepse duheshin arsimuar fëmijët. Zjarrfikësit ishin ndryshe sepse duhej fikur zjarri. Social Security dhe Medicare ishin ndryshe sepse ai kishte paguar për to.

Pastaj e kuptoi se John po e shtynte drejt një qosheje të rrezikshme ideologjike.

Atëherë Muhameti mori vendimin e madh.

Nëse shkollat publike ishin elemente te  socializmit , le të mbylleshin. Nëse zjarrfikësit ishin elemente te socializmit, secili të siguronte vetë zjarrfikësin e tij. Nëse Social Security ishte socializëm, Muhameti ishte gati të hiqte dorë edhe prej tij. Medicare po ashtu. Policia, bibliotekat, subvencionet, çfarëdo që të duhej. Ai kishte punuar gjithë jetën, kishte paguar kontribute dhe po afrohej drejt moshës kur këto programe do t’i duheshin më shumë, por sakrifica ishte sakrificë.

John nuk e vazhdoi diskutimin. I duhej tubi i rregulluar. Muhameti e mbaroi punën dhe i dha faturën prej 285 dollarësh. Në këtë pikë nuk kishte nevojë për shtet, program publik apo teori politike. Tregu funksiononte shkëlqyeshëm.

Në Tiranë, Mehmeti ishte i shqetësuar nga një problem tjetër: miliarderët. Nuk arrinte ta kuptonte si ishte e mundur që njerëzit më të pasur të kapitalizmit amerikan të punonin, sipas tij, për ardhjen e komunizmit.

Më shumë se të gjithë e shqetësonte George Soros. Për Mehmetin ai ishte përgjigjja e gatshme për shumë zhvillime. Nëse një politikan shkonte majtas, kërkonte Sorosin. Nëse financohej një organizatë progresiste, kërkonte Sorosin. Nëse një universitet bëhej tepër liberal, kishte përsëri arsye për të kërkuar Sorosin. Kjo metodë kishte avantazhin se kursente shumë kohë për kërkime.

Muhameti merrej më shumë me Bill Gates-in. Microsoft-in e kuptonte: biznes, kompjuterë, fitim, miliarda. Problemet kishin nisur kur Gates filloi të jepte miliarda për vaksina, shëndetësi, arsim dhe vende të largëta. Muhametit nuk i mbushej mendja se një kapitalist mund të jepte aq shumë para pa pasur ndonjë plan më të madh. Sidomos vaksinat e bënin vigjilent.

Edhe Warren Buffett po sillej çuditshëm. Njeriu kishte bërë miliarda në kapitalizëm dhe pastaj thoshte se njerëzit shumë të pasur duhej të paguanin më shumë taksa. Muhameti, që çdo vit pyeste kontabilistin si të ulte ligjërisht faturën e vet të taksave, nuk arrinte ta kuptonte pse një miliarder kërkonte t’i merrnin më shumë para.

Pastaj ishte Zuckerberg-u. Ai kishte krijuar Facebook-un dhe nuk po kuptonte se platforma e tij përdorej, sipas Muhametit dhe Mehmetit, për përhapjen e ideve komuniste. Kjo ishte papërgjegjshmëri e madhe. Muhameti dhe Mehmeti hynin çdo ditë pikërisht në Facebook për ta denoncuar këtë.

Situata pra ishte serioze. Mamdani kishte New York-un. El-Sayed kishte fituar primaret në Michigan. Harvard-i vazhdonte mësimin. Sorosi vazhdonte financimet. Gates-i vaksinat. Buffett-i kërkonte më shumë taksa për miliarderët. Zuckerberg-u ua kishte lënë Facebook-un komunistëve.

Megjithatë, kishte ende shpresë. Wall Street-i punonte. Amazon ishte private. Miliarderët vazhdonin të ishin miliarderë.

Dhe mbi të gjitha, rezistenca vazhdonte.

Muhameti ishte gati të hiqte dorë nga Medicare, Social Security, shkollat publike dhe, po të ishte nevoja, edhe nga zjarrfikësit, vetëm që socializmi të mos hynte në Amerikë.

Mehmeti ishte gati për një sakrificë po aq të madhe: të vazhdonte të rrinte pa punë dhe të ruante Amerikën nga Tirana dhe të mbronte interesat e familjes Trump në Shqipëri.

Hë për hë, Amerika është e sigurt.

EMRAT/ Aksident tragjik në Lushnjë, makina del nga rruga dhe bie në kanal, raportohet për 2 gra të vdekura!

By: A. Q
13 August 2026 at 19:40

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Delisufaj të Lushnjës mbrëmjen e sotme (13 gusht), ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.

Si pasojë e aksidentit raportohet se tragjikisht kanë humbur jetën dy gra, të cilat ndodheshin në automjet.

Viktimat janë identifikuar si Mirela Haskon dhe Florije Xhepa, rreth 50 vjeçe.

Ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe grupi hetimor.

Autoritetet po punojnë për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit tragjik.

 

Rrezikoi jetën e pushuesve te plazhi i ‘Tre ishujve’ në Ksamil, Policia bllokon mjetin “Jet Ski” dhe gjobit pronarin me 500 mijë lekë!

By: A. Q
13 August 2026 at 19:35

Policia Kufitare e Sarandës bllokoi sot (13 gusht) një mjet lundrues “Jet Ski” në zonën e Ksamilit, pasi hyri brenda perimetrit të sigurisë ku po laheshin pushuesit dhe u rrezikoi jetën.

Pronari i mjetit u ndëshkua me masë administrative prej 500 000 lekësh të rinj, për ‘cenim të sigurisë së qytetarëve’.

“Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit. Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ksamilit, në vendin e quajtur “Tre Ishujt”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues Jet Ski, i cili ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre”, tha policia.

Pas veprimeve operacionale dhe administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa pronari i tij, shtetasi A. P., u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh.

“Të shmangen zgjedhjet”- Vendimi i LDK, reagon Osmani: Nuk duam pushtet, por një President që mbron Kushtetutën! S’jemi vetëm për sot

By: A. Q
13 August 2026 at 19:29

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpërndarë konferencën për shtyp të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili këtë të enjte tha se partia e tij tërhiqet nga kërkesat për çdo pozitë shtetërore duke thënë se do të kontribuojnë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit pa marrë pjesë në pushtet.

Osmani përmes një postimi në Facebook shkroi se LDK me qëllim që të evitohen zgjedhjet e reja do të kontribuojë për t’i dhënë vendit president që mbron Kushtetutën.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kërkon asnjë pozitë e as pjesëmarrje në pushtet, me qëllim që të evitohen zgjedhjet e reja dhe t’i japim vendit President të Republikës që mbron kushtetutën dhe vendin. Ne nuk jemi këtu vetëm për sot. Jemi, mbi të gjitha, këtu për gjeneratat që do të vijnë pas nesh e nuk duhet të na gjykojnë për pushtetin që e morëm, por për shtetin që ua lamë”, ka shkruar ajo.

“Nuk ka rrezik për zonat e banuara”- Ministria e Mbrojtjes përditëson situatën e zjarreve, zonat më kritike: 14 vatra janë ende aktive!

By: A. Q
13 August 2026 at 19:23

Operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në vend po vijon me intensitet nga toka dhe ajri.

Ministria e Mbrojtjes përditësoi situatën deri në orën 18:00 të 13 gushtit, duke njoftuar se janë raportuar 31 vatra zjarri, ndërsa aktualisht vijojnë 18 vatra, prej të cilave 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 309 efektivë të Forcave të Armatosura, 22 mjete, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive raportohen në Dajt, Krujë, Dibër, Përmet, Mirditë, Elbasan dhe Finiq, ku ekipet po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Në Gurë-Lurë të Dibrës situata vijon me intensitet të lartë, por është shmangur rreziku për banesat, ndërsa operacionet mbështeten nga dy avionë Air Tractor.

Në Dajt, Abaze të Krujës dhe Finiq janë angazhuar edhe helikopterë të Forcave të Armatosura, ndërsa në disa zona vatrat janë izoluar ose vendosur nën kontroll. Ministria thekson se, pavarësisht situatës së vështirë në disa qarqe, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në vatrat kryesore.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Ministria e Mbrojtjes – informim për situatën e zjarreve (ora 18:00) Ministria e Mbrojtjes informon se, deri në orën 18:00 të datës 13 gusht 2026, gjatë ditës janë raportuar gjithsej 31 vatra zjarri.

Aktualisht evidentohen 18 vatra, nga të cilat 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll. Në operacionet për menaxhimin e situatës vijon angazhimi i koordinuar i strukturave vendore dhe qendrore. Vetëm nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 309 efektivë, 22 mjete, 1 autobot, 3 ambulanca, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:

Dajt, Tiranë – Në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës vijon puna me 20 forca MZSH dhe 10 ADZM, ndërsa për mbështetje janë angazhuar 2 helikopterë të FA-së. Në zonën Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër operojnë 40 efektivë MZSH me 8 automjete zjarrfikëse, 25 vullnetarë dhe 2 helikopterë të FA-së. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Abaze, Krujë – Zjarri vijon aktiv dhe është favorizuar nga era. Forcat operacionale po punojnë për shuarjen e tij, të mbështetura edhe nga 1 helikopter i FA-së. Nuk paraqitet rrezik per banesat.

Gurë-Lurë, Dibër – Situata vijon me intensitet të lartë në dy drejtime, ndërsa perimetri pranë banesave është vendosur nën kontroll dhe është shmangur rreziku për djegien e tyre. Janë angazhuar 120 forca bashkiake, 57 efektivë të FA-së, 15 policë, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të ADZM-së, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor.

Nëmerçkë dhe Dhëmbel, Përmet – Vijojnë aktive disa vatra në zona pyjore dhe kullota, në terren të vështirë. Në operacion janë angazhuar zjarrfikës, punonjës të sektorit pyjor dhe vullnetarë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Trojë, Mirditë – Vijon puna për izolimin e vatrës me MZSH, 36 forca bashkiake, 3 policë, 20 vullnetarë dhe 30 efektivë të FA-së.

Lugaxhi, Elbasan – Situata paraqitet e rënduar pasi zjarri është përhapur në kurorat e pishave. Janë angazhuar 6 efektivë MZSH, 6 forca të pyjores, 5 punonjës ASHP, 5 forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, të mbështetur edhe nga MZSH Cërrik. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Shalës, Cërrik, është evidentuar gjithashtu një vatër e re ku operojnë MZSH me 1 automjet dhe 3 efektivë.

Finiq, Vlorë – Në Dhivër operojnë MZSH Finiq, Delvinë, Konispol dhe Dropull me 5 automjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, forca bashkiake dhe 1 helikopter të FA-së. Vatra në Rumanxë është shuar plotësisht, ndërsa ajo në Dhrovjan është nën kontroll.

Në Mallakastër–Patos, vatrat në Drenie, Lofkënd dhe Ngraçije janë izoluar dhe situata mbahet në monitorim, ndërsa puna vijon në ekonominë pyjore të Gjinoqarës. Në Kryezi, Fushë-Arrëz, vatra është nën kontroll, ndërsa në Rrencë dhe Goraj-Budishtë vijon puna për izolimin e plotë”.

FOTO/ Aksident hekurudhor në Angli, treni i pasagjerëve del nga shinat, raportimet e para nga vendngjarja!

By: A. Q
13 August 2026 at 19:14

Një tren pasagjerësh u përmbys në Britani të enjten pasdite (13 gusht, pranë East Sussex. Imazhet fillestare nga vendi i ngjarjes tregojnë ekipet e emergjencës duke qëndruar mbi vagona, që janë përmbysur anash.

Vagonët e tjerë mbeten në vend në shina, ndërsa personeli dhe automjetet e emergjencës janë mbledhur rreth trenit.

Aktualisht, nuk ka informacione të konfirmuara për viktima ose të lënduar, as për shkakun e rrëzimit të trenit.

Kompania hekurudhore Southern Rail tha se treni doli nga shinat midis Haywards Heath dhe Lewes, duke shkaktuar anulime dhe vonesa të shumta në të gjithë rrjetin hekurudhor të bregdetit jugor.

Aktualisht, nuk mund të qarkullojnë trena midis Brighton dhe Lewes, Haywards Heath dhe Lewes, ose Seaford-Eastbourne dhe Lewes.

Pasagjerëve në trenat që janë ndaluar për shkak të incidentit u është këshilluar të qëndrojnë në bord dhe të presin udhëzime. Pasagjerëve të tjerë u është këshilluar të shtyjnë udhëtimet e tyre për një datë të mëvonshme ose të përdorin rrugë alternative.

Hegseth: Bllokada detare ndaj Iranit do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme

By: A. Q
13 August 2026 at 19:08

Sekretari i Luftës i SHBA-së, Pete Hegseth, tha sot se ushtria amerikane mund të vazhdojë të bllokojë portet iraniane për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Marina amerikane mund ta mbajë një bllokadë të tillë për një kohë të pacaktuar sepse ne do t’i ndërrojmë anijet, siç bëjmë tashmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”, u tha Hegseth gazetarëve gjatë një vizite në Panama.

Sipas Wall Street Journal, Pentagoni planifikon të dërgojë aeroplanmbajtësen USS George Washington në Lindjen e Mesme për të zëvendësuar USS Abraham Lincoln.

Aeroplanmbajtësja Abraham Lincoln u thirr në Lindjen e Mesme në janar – pasi kishte qenë në një mision që nga nëntori – përpara se të fillonin sulmet ndaj Iranit.

Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln dhe avionët e saj luajtën një rol katalizues në Operacionin Epic Fury dhe bllokadën detare të Iranit.

Vlahovic i thotë “lamtumirë” Juventusit, ja ku do luajë tani! Mesazhi për tifozët: Do jeni gjithnjë pjesë e imja!

By: A. Q
13 August 2026 at 19:03

Sulmuesi Dusan Vlahovic është zyrtarisht futbollist i Beshiktasit në Turqi.

Sulmuesi serb, pas përfundimit të aventurës me Juventusin, ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me klubin turk, ku do të përfitojë 7.5 milionë euro në sezon.

Sipas raportimeve, Vlahovic ka marrë gjithashtu rreth 10 milionë euro bonus në momentin e firmës.

26-vjeçari kishte pritur ofertën e një klubi të madh europian, por në fund zgjodhi Turqinë. Një rol të rëndësishëm në transferim ka luajtur edhe trajneri Vincenzo Italiano, i cili e kërkoi me insistim sulmuesin.

Vlahovic kishte mbërritur në Stamboll mes entuziazmit të madh të tifozëve të Besiktasit dhe pasi kaloi me sukses testet mjekësore, transferimi u bë zyrtar.

Pas largimit nga Torino, sulmuesi serb i ka dhënë edhe lamtumirën Juventusit me një mesazh emocionues në rrjetet sociale.

Mesazhi i Vlahovic:

“Ka momente kur është e vështirë të gjesh fjalët e duhura. Dhe ky është një prej tyre. Kur mbërrita në Torino kisha një ëndërr të madhe, shumë dëshirë për të treguar se kush isha dhe krenarinë për të veshur një fanellë që mbart një histori të jashtëzakonshme.

Rrugëtimi im me Juventusin përfundon.

Kanë qenë vite intensive. Vite me fitore, gola, gëzime të mëdha, por edhe momente të vështira. Gjithmonë jam përpjekur të jap gjithçka nga vetja, sa herë kam zbritur në fushë. Sepse të veshësh këtë fanellë do të thotë të mbash mbi supe historinë e futbollit italian dhe për këtë do të jem gjithmonë mirënjohës.

Dua të falënderoj Juventusin, Andrea Agnellin, John Elkann dhe të gjithë familjen e klubit, të gjithë njerëzit që punojnë çdo ditë në prapaskenë, trajnerët e mi dhe mbi të gjitha shokët e skuadrës. Kemi ndarë shumë më tepër se 90 minuta në një fushë futbolli. Disa momente do të mbeten me mua për gjithë jetën.

Faleminderit Torino, një qytet që më priti dhe që për mua u bë shtëpi. Këtu u rrita, jo vetëm si futbollist, por mbi të gjitha si njeri.

Dhe faleminderit ju, tifozë të Juventusit. Çdo kor, çdo fëmijë me fanellën time, çdo festim, çdo përqafim pas një goli: janë imazhe që do t’i mbaj me vete kudo që të shkoj.

Në futboll rrugët ndryshojnë, por ajo që kemi përjetuar nuk fshihet.

Largohen nga Torino me shumë kujtime, mirënjohje dhe me bindjen se kam lënë këtu një pjesë të vetes.

Erdha me dëshirën për t’u bërë pjesë e historisë së Juventusit. Largohem duke e ditur se Juventusi do të jetë përgjithmonë pjesë e imja.

Faleminderit, Juve.

Faleminderit, Torino.

Faleminderit të gjithëve.

Dusan”

❌