Normal view

“Fund i epokës Infantino?”/ ‘Times’ zbulon skenarin e dorëheqjes së presidentit të FIFA-s

By: E S
2 August 2026 at 21:02

Një krizë e paprecedentë duket se ka përfshirë FIFA-n, ndërsa e ardhmja e presidentit Gianni Infantino është vënë në pikëpyetje.

Sipas gazetës prestigjioze The Times, zvicerani 56-vjeçar ndodhet nën një presion të fortë dhe skenari i një dorëheqjeje nga posti më i lartë i futbollit botëror nuk përjashtohet. Infantino, i cili drejton FIFA-n që prej vitit 2016, mund të përballet edhe me mundësinë e thirrjes së një takimi urgjent të Federatës Botërore për të diskutuar situatën e krijuar dhe zhvillimet e fundit.

Shkaku kryesor i krizës lidhet me planin e tij për të ndryshuar mënyrën e menaxhimit të të drejtave tregtare të FIFA-s, duke hapur mundësinë që investitorë privatë të përfshihen në pronësinë apo kontrollin e disa aseteve komerciale të organizatës, përfshirë edhe ato që lidhen me Kupën e Botës.

Ky projekt ka shkaktuar reagime të forta, veçanërisht nga UEFA, e cila ka shprehur shqetësime për ndikimin që një lëvizje e tillë mund të ketë mbi pavarësinë dhe strukturën e futbollit ndërkombëtar. Përplasja mes FIFA-s dhe UEFA-s ka krijuar një nga situatat më të tensionuara në dekadën e fundit brenda qeverisë së futbollit botëror. Sipas raportimeve, presioni ndaj Infantinos është rritur ndjeshëm dhe mbështetja për të nuk është më aq e pakushtëzuar sa më parë.

Që prej marrjes së detyrës pas largimit të Sepp Blatter në vitin 2016, Infantino ka zgjeruar ndjeshëm ndikimin e FIFA-s, duke udhëhequr reforma të mëdha si zgjerimi i Kupës së Botës me 48 skuadra dhe rritjen e ndjeshme të të ardhurave të institucionit. Por tani, një nga projektet më ambicioze të mandatit të tij mund të jetë kthyer në krizën më të madhe të presidencës së tij. Nëse presioni vazhdon të rritet, futbolli botëror mund të përballet me një moment historik: largimin e një presidenti të FIFA-s në mes të mandatit dhe hapjen e një gare të re për kontrollin e institucionit më të fuqishëm të sportit në botë.

Gomonia shkel perimetrin e sigurisë dhe rrezikon pushuesit në Ksamil, gjobitet drejtuesi

By: E S
2 August 2026 at 20:51

Një drejtues mjeti lundrues është ndëshkuar me gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj në Ksamil, pasi ka hyrë me gomone në zonën e sigurisë pranë plazhit, duke rrezikuar pushuesit.

Sipas Policisë, mjeti lundrues ishte futur brenda perimetrit të sigurisë në zonën e “Plazhit Publik” në Ishujt e Ksamilit. Blutë kanë njoftuar se kanë bllokuar edhe mjetin lundrues.

Po ashtu, Policia e Shtetit i bën apel të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit.

Njoftimi i Policisë:

Ksamil/ Shkel perimetrin e sigurisë me mjet lundrues, duke rrezikuar pushuesit, ndëshkohet me 500 000 lekë të rinj drejtuesi i mjetit.
Bllokohet edhe mjeti lundrues.

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë me intensitet kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ishujve të Ksamilit, te “Plazhi Publik”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues (gomone), i cili kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit që ndodheshin në plazh.

Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi A. B., u ndëshkua me masë administrative 500 000 lekë të rinj.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese dhe subjektet që operojnë me to, të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit.

Kryengritja e kryetarëve që s’kanë asnjë kompetencë

2 August 2026 at 20:42

Nga Mero Baze

Kur u bë reforma administrative më 2015, projekti i parë ishte me 47 bashki. Pothuajse i njëjti që është sot në tryezë si version i Partisë Socialiste. Për ta bërë më dëshpëruese gjendjen për PD-në, Ilir Meta propozoi në minutat e fundit të përfshihej edhe Shpëtim Idrizi në marrëveshje, i cili natyrisht kishte “kushtet” e tij. Brenda 24 orësh, duke plotësuar “kushtet” e Shpëtimit dhe duke i dhënë shans LSI-së për qokat e veta, u bënë 61 bashki.

Pra, edhe pse procesi kishte një vit që debatohej publikisht dhe bëheshin takime në bazë, u arrit dakord të kishte 47 bashki. Të gjitha këto ndryshime që janë bërë sot, përfshi Tepelenën, Përmetin, Divjakën, Poliçanin etj., ishin si sot.

Për 24 orë gjithçka u ndryshua për t’u dukur një aleancë më e madhe dhe u bënë 61 bashki. Nuk pati asnjë protestë. Pati vetëm disa pretendime të PBDNJ-së për bashkimin e Himarës me Lumin e Vlorës, duke akuzuar se po humbiste integriteti i atyre që e quajnë minoritet grek në Himarë. Me të tjerat nuk kishte asnjë problem.

Tani i njëjti film po përsëritet, por me protesta brenda PS-së. Arsyeja janë kryetarët që humbasin shansin të jenë kandidatë. Kaq banale është e gjithë situata dhe nuk ia vlen të diskutosh as për “rebelimin”, as për “djegien e teserave” dhe as për kriteret që ata kanë në mendje si argument.

I vetmi defekt që unë shikoj te reforma është që kriterin e bashkimit të bashkive të vogla në ish-rrethet e dikurshme e ka përdorur më pak se duhet. Konsultimet publike të Maznikut dhe Luciano Boçit nuk është se kanë sjellë ndonjë argument serioz, më shumë sesa kanë bërë “adetin” me popullin. Edhe Luciano, që në disa raste deshi ta përdorte për politikë, që të dukej i fortë, nuk i bëri punë, se nuk e zgjodhën nënkryetar të PD-së.

I vetmi studim serioz ekonomik që Shqipëria ka për rrethet dhe ndarjet e bashkive është logjika ekonomike dhe administrative e komunizmit, që i kishte ndarë në fillim në 26 rrethe dhe pastaj i çoi në 32. Edhe pse është turp ta themi, ai ishte edhe pushteti lokal më i decentralizuar i Shqipërisë. Vetëm gjatë komunizmit komitetet ekzekutive kanë qenë të plotfuqishme për të qeverisur territorin, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe administrative. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv drejtonte, duke emëruar dhe kontrolluar ndërmarrjet më të mëdha në rreth, arsimin, shëndetësinë, policinë, infrastrukturën, rrugët, ujin, dritat dhe gjithçka.

Në këtë kuptim, do të ishte mirë që reforma të orientohej te kjo logjikë ndarjeje, pasi janë provuar që kanë funksionuar edhe kompetencat që kanë pasur kryetarët e komiteteve ekzekutive.

Sot kryetarët e bashkive s’kanë asgjë në dorë. Nëse qytetarët nuk kanë ujë, bashkia s’ka asnjë kompetencë; nëse qytetarët nuk kanë drita, bashkia s’ka asnjë kompetencë; nëse qytetarët nuk kanë rrugë, bashkia nuk ka asnjë kompetencë; nëse qytetarët kanë probleme me shkollën, bashkia nuk ka asnjë kompetencë; nëse qytetarët kanë problem me spitalin, bashkia nuk ka asnjë kompetencë; nëse qytetari ka problem me hipotekën, që është gangrenë, bashkia nuk ka asnjë kompetencë.

Pra, bashkitë nuk ekzistojnë. Ato nuk janë as 61 dhe as do të bëhen 46. Ato janë një bordero njerëzish që marrin rroga dhe nuk kanë asnjë kompetencë për të vepruar. Ata nuk përfitojnë dot nga bizneset e mëdha në territorin e tyre, përveç taksës së tabelës, dhe as nxisin dot politika ekonomike për të tërhequr investime. Ata thjesht janë kot.

Prandaj, nëse do të rishikohet ndonjë gjë në reformën territoriale, duhet të rishikohen kompetencat e bashkive dhe decentralizimi i pushtetit vendor, për t’i bërë bashkitë qeverisje të vogla vendore. Kështu siç janë kompetencat, po të quhet një bashki e gjithë Shqipëria me disa administratorë të emëruar, nuk ka ndonjë ndryshim.

Dhe kjo e bën edhe më të neveritshme këtë kryengritje false të kryetarëve që s’e kanë parë bashkinë e tyre më vete në hartën e propozuar për ndarjen e re. Ata thjesht kanë treguar se mirë që nuk janë kryetarë bashkish, por nuk janë as prerje politike.

Se të nxjerrësh në rrugë njerëz të djegin tesera, me inskenime histerike, meqë nuk do të jesh më kryetar, do të thotë të përdorësh të punësuarit e tu për zemërimin tënd.

Tani nuk e di se çfarë do të bëjë përfundimisht Partia Socialiste me këtë projekt. Do t’i ngushtojë akoma bashkitë dhe do t’u zgjerojë kompetencat, apo do ta lërë siç është. Por çfarëdo që të ndodhë, edhe nëse e lë siç është, edhe nëse e lë siç ishte, edhe nëse e bën siç ka qenë më 1991, këta kryetarët që nxjerrin turma njerëzish në rrugë duke djegur tesera, që kam frikë se s’i kanë pasur kurrë, është mirë të digjen përfundimisht si kandidatë për t’u zgjedhur në çfarëdo posti. Dhe kjo qoftë edhe për faktin që janë gati t’i vënë zjarrin edhe qytetit për një karrige, që në fakt, kështu siç është, nuk i shërben aq qytetit dhe qytetarëve, përveçse xhepit të tyre.

Kriza e Ceutës tronditi Europën, por shifrat e Frontex tregojnë një tjetër realitet

By: E S
2 August 2026 at 20:30

Kriza e emigrantëve në Ceuta ka shkaktuar reagime të forta politike në Europë, por të dhënat e para për vitin 2026 tregojnë një rënie të mëtejshme të mbërritjeve të emigrantëve të parregullt në të gjitha rrugët e Mesdheut.

Sipas agjencisë europiane Frontex, e cila monitoron kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian, numri i kalimeve të paligjshme të kufirit ka rënë me 37% gjatë 6 muajve të parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në total, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar rreth 49 mijë kalime të parregullta, një ulje që sipas Frontex lidhet me bashkëpunimin me vendet partnere dhe masat parandaluese në vendet kryesore të nisjes.

Rënia është vërejtur në të gjitha rrugët kryesore të emigracionit.

Rruga drejt Spanjës ka shënuar uljen më të madhe, me 67% më pak mbërritje, duke kaluar pak mbi 10 mijë persona.

Vetëm nisjet nga Algjeria kanë shënuar një rritje të lehtë.

Edhe Italia ka regjistruar një përgjysmim të mbërritjeve, me rreth 14 340 emigrantë, ose 55% më pak se një vit më parë. Në Mesdheun lindor, Greqia ka shënuar një rënie prej 29%, me rreth 16 643 emigrantë. Ndërsa rruga tokësore përmes Ballkanit ka regjistruar rreth 4 mijë kalime, me një ulje prej 24%.

Sipas të dhënave, situata aktuale është larg niveleve të krizave të mëparshme të migracionit, kur numri i mbërritjeve në Europë ishte shumë më i lartë.

Megjithatë, Frontex thekson se Mesdheu vazhdon të jetë një rrugë shumë e rrezikshme për emigrantët. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), rreth 1 300 persona kanë humbur jetën në Mesdhe që nga fillimi i vitit, pasi rrjetet e trafikantëve vazhdojnë t’i dërgojnë njerëzit me mjete të mbipopulluara dhe të pasigurta.

‘Piku’ i sezonit turistik, fluks i lartë pasagjerësh në Portin e Vlorës gjatë fundjavës

By: E S
2 August 2026 at 20:19

Porti i Vlorës ka përjetuar një fluks të lartë udhëtarësh dhe automjetesh gjatë kësaj fundjave.

Sipas të dhënave, nga dita e djeshme dhe deri sot kanë mbërritur në port rreth 2.700 pasagjerë dhe 800 automjete.

Rritja e lëvizjeve lidhet me kulmin e sezonit turistik, ndërsa shumë emigrantë dhe turistë kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt Shqipërisë për të kaluar pushimet verore.

Autoritetet portuale kanë njoftuar se kanë marrë masat për përballimin e fluksit, duke mundësuar përpunimin normal të trageteve dhe shmangien e vonesave në hyrje dhe dalje të udhëtarëve.

Zjarret në Evropë/ Greqia nën alarm, evakuime edhe nga deti! Në Spanjë e Francë flakët vihet nën kontroll

By: E S
2 August 2026 at 20:10

Erërat e forta kanë përhapur zjarret në shumë zona të Greqisë, duke e përkeqësuar situatën, ndërkohë, zjarret në Francë dhe Spanjë duket se po izolohen, pasi flakët janë vënë nën kontroll. Qindra zjarrfikës, të ndihmuar nga avionë zjarrëfikës punuan për të mbrojtur Porto Germenon, një zonë turistike në Gjirin e Korintit, por erërat e forta përhapën me shpejtësi flakët në bregdetin në perëndim të Athinës.

Sipas Associated Pres, zjarri shpërtheu të premten pranë fshatit fqinj Agios Vasileios. Rreth 300 persona u evakuuan nga deti dhe autoritetet lëshuan urdhra të mëtejshëm evakuimi për rajonet. Autoritetet greke lëshuan edhe alarme emergjence për disa zona dhe paralajmëruan për rrezik ekstrem nga zjarret në rajonet e Atikës dhe Evias.

Zjarri në Porto Germeno u nda në tre fronte dhe shumë shtëpi u përfshinë nga flakët në zonë, duke bërë që autoritetet të lëshojnë urdhra evakuimi për qytetet e afërta të Agia Paraskevi, Kryo Pigadi dhe Agios Nektarios.

Zjarret nën kontroll në Francë

Kryeministri francez, Sebastien Lecornu, tha se zjarret që kanë shkatërruar Francën, të cilët u konsideruan edhe si zjarri më i madh që nga viti 1949 tashmë janë nën kontroll.

“Në përgjithësi, zjarret tani janë nën kontroll në vendin tonë dhe, në Gironde, në jugperëndim, jemi rikthyer në një situatë më të qëndrueshme”, tha ai në një intervistë me të përjavshmen La Tribune Dimanche.

Ndërsa, Ministri i Brendshëm francez Laurent Nunez tha se flakët që lanë gjurmë shkatërrimi nëpër fshatra janë lehtësuar. Në një postim në X, ai tha se zjarret në Gironde tani ishin nën kontroll, pas një pune intensive për izolimin e flakëve. Edhe në Portugali, zjarri masiv është vënë nën kontroll.

Situata në spanjë.

Spanja vazhdoi të luftonte me disa vatra të zjarreve të egra të shtunën, dy ditë pasi qeveria shpalli fundin e një emergjence kombëtare të shkaktuar nga zjarret e mëdha në provincat qendrore të vendit. Megjithatë, zjarret u përkeqësuan gjatë natës në Leon.

Sipas shërbimit klimatik Copernicus të Bashkimit Evropian, Evropa është vendi që po ngrohet më shpejt në botë, ku temperaturat janë rritur me më shumë se dyfishin e mesatares globale që nga vitet 1980. Temperaturat në rritje dhe thatësira e zgjatur e lënë bimësinë më të thatë dhe më të djegshme, duke lejuar që zjarret të përhapen më shpejt dhe të digjen më intensivisht.

Real Madrid godet Infantinon: Futbolli fitoi, faleminderit atyre që mbrojtën Botërorin

By: E S
2 August 2026 at 20:01

Real Madrid ka publikuar një deklaratë zyrtare pas vendimit të FIFA-s për të hequr dorë nga propozimi për shitjen e pjesshme të të drejtave tregtare të kompeticioneve të saj, përfshirë Kupën e Botës për burra dhe gra.

Klubi e vlerëson pozitivisht këtë vendim, duke e cilësuar si lajm të mirë për futbollin, institucionet e tij dhe mbi të gjitha për miliona tifozë.

Në deklaratën e tij, Real Madrid shprehu mirënjohje ndaj UEFA-s, konfederatave dhe federatave, si dhe të gjitha institucioneve që e kundërshtuan me vendosmëri dhe përgjegjësi këtë projekt, duke theksuar se bashkimi dhe ndjenja e detyrës së tyre e mbrojtën futbollin në një moment vendimtar.

Propozimi i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, synonte krijimin e një kompanie të quajtur FIFA Forward Enterprise (FFE), e cila do të mbikëqyrte aspektet tregtare dhe operacionale të kompeticioneve të FIFA-s. Elementi më i diskutueshëm i planit ishte shitja e mundshme e një pjese prej 20% të aksioneve tek investitorë privatë.

Ky propozim shkaktoi një revoltë të gjerë në botën e futbollit. UEFA kishte premtuar të bojkotonte kompeticionet e FIFA-s derisa ideja të hidhej poshtë, dhe rriti presionin ndaj Infantinos duke deklaruar se ai kishte “humbur besimin” e organit qeverisës të futbollit evropian. Përveç UEFA-s, edhe CONCACAF (që qeveris futbollin në Amerikën e Veriut, Qendrore dhe Karaibe) dhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) e kundërshtuan planin.

Për shkak të kundërshtimit nga tri konfederatat, FIFA u detyrua ta braktisë propozimin — një dështim i rëndësishëm për Infantinon. UEFA po konsideron edhe hapa të mëtejshëm, përfshirë mundësinë e një vote mosbesimi ndaj zyrtarit zviceran, gjë që do të kërkonte mbështetjen e 43 federatave anëtare të FIFA-s.

Real Madrid ishte klubi i parë i madh që doli publikisht me këtë qëndrim kundër planit të Infantinos.

Dita e 64-t e tubimit, qytetarët protestojnë sërish në sheshin “Skënderbej”

By: E S
2 August 2026 at 19:50

Sot shënohen 64 ditë që qytetarët dalin në shesh kundër qeverisë së Edi Ramës.

Protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit, të cilin e akuzojnë për cenimin e zonave të mbrojtura si dhe për klientelizëm me ligjin për investitorët strategjikë.

Edhe këtë të dielë grumbullimi i qytetarëve u bë në sheshin Skënderbej, për t’u zhvendosur më pas tek Kryeministria.

Tubimi pritet të mbyllet me marrshimin e përnatshëm në rrugët kryesore të Tiranës.

Ministri i Jashtëm gjerman: Mbrojtja e kufijve të jashtëm, prioritet absolut për BE

By: E S
2 August 2026 at 19:42

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i bëri thirrje Komisionit Evropian që mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian ta vendosë si një “prioritet absolut”, pas mbërritjes së dhjetëra mijëra emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës nga Maroku.

“Në Ceuta, gjatë ditëve të fundit, u përballëm me një provë të jashtëzakonshme, të cilën e kaluam me sukses”, deklaroi Wadephul për gazetën “Bild”, duke theksuar se ngjarjet treguan gjithashtu dobësitë e Evropës.

“Prandaj pres që Komisioni Evropian ta bëjë mbrojtjen e kufijve të jashtëm një prioritet absolut, në mënyrë që të mos rrezikohet më tej sistemi Shengen, i cili garanton lëvizjen e lirë brenda BE-së”, u shpreh ai.

Sipas ministrit gjerman, një politikë efektive migracioni varet nga bashkëpunimi me vendet jashtë Evropës.

“Për të kontrolluar emigracionin e paligjshëm, na duhen partnerë jashtë Evropës, si në këtë rast Maroku”, tha Wadephul, duke vlerësuar bashkëpunimin mes Spanjës dhe Marokut për zgjidhjen e shpejtë të krizës.

Sipas të dhënave, 50 000 deri në 60 000 persona mbërritën në Ceuta nga Maroku brenda një periudhe shumë të shkurtër, ndërsa të paktën 67 persona humbën jetën gjatë përpjekjes për ta kaluar kufirin.

Vatër zjarri në Mallakastër, flakët përhapen me shpejtësi, zjarrfikësit në vendngjarje

By: E S
2 August 2026 at 19:31

Një vatër zjarri ka rënë mesditën e sotme në Visokë të Mallakastrës, raporton gazetarja e Klan News, Anila Sefa.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë me shkurre, shumë pranë rrugës kryesore.

Forcat zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë me vështirësi për neutralizimin e flakëve në terrenin e thyer kodrinor.

Fati i kërkesave, nga negocimi te numrat dhe anasjelltas!

2 August 2026 at 19:20

Nga Preç Zogaj

Në historinë e demokracisë sonë të re, protestat popullore me kërkesa politike kanë patur secila veçoritë e tyre të lidhura me kohën, kontekstin, imperativin, e tjerë.

Kanë patur sakaq një gjë të përbashkët: në fund të herës qëllimet i kanë arritur në tryezën e bisedimeve me palën përballë.

Herë me bisedime të drejtpërdrejta me krerët e pushtetit, siç ka qenë takimi i dërgatës studentore me Presidentin Ramiz Alia në Pallatin e Brigadave në 11 dhjetor 1990. Takim i cili çoi në përmbushjen e kërkesës kryesore të lëvizjes studentore: fitoren e pluralizmit politik, që shënoi fundin e regjimit njëpartiak dhe kthimin e vendit me fytyrë nga Perëndimi.

Herë të tjera duke ua deleguar përfaqësimin partive opozitare brenda sistemit. Kjo ka ndodhur për shembull me grevën e urisë së Minatorëve të Valiasit në maj të vitit 1991. E mbështetur nga grevat kombëtare të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, ajo çoi në rrëzimin e qeverisë “Nano” tre muaj pasi kishte fituar zgjedhjet e para shumëpartiake të 31 marsit 1991. Marrëveshja për krijimin e një qeverie tranzitore pluraliste me mandat të kufizuar deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pas një viti u negociua në tryezën e dy partive kryesore parlamentare, PS-PD. Natyrisht në monitorimin e krerëve sindikalistë.

Ngjashëm ka ndodhur edhe me revoltat popullore të fundvitit 1996 dhe fillimvitit 1997 për humbjen masive të parave në skemat mashtruese piramidale. Kreditorët e dëmtuar ia drejtuan gishtin e përgjegjësisë qeverisë së PD-së dhe Presidentit Berisha.

Këta jo vetëm i kishin toleruar grabitësit e kursimeve të shqiptarëve, por edhe e kishin inkurajuar mashtrimin, deri duke e përdorur sloganin publicitar “me ne fitojnë të gjithë” të piramidës më të madhe si sloganin kryesor elektoral të partisë në zgjedhjet e 26 majit 1996. Falë revoltave në Lushnjë, Tiranë, Vlorë e gjetkë, qeveria dha dorëheqjen tetë muaj pas fitores së kontestuar. Krijimi i një qeverie pluraliste me detyrën për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme u negociua mes partive të opozitës dhe atyre në qeveri në mars të vitit 1997. Partitë e opozitës, sidomos ajo socialiste e kishin lejen dhe kishin provuar edhe më parë të negocionin zgjidhjen e konfliktit të qytetarëve me qeverinë.

Në dritën e këtyre shembujve, protesta rinore popullore pa pauza e dy muajve të fundit ka një “të re”: për herë të parë një protestë e këtyre përmasave është e distancuar nga partia kryesore e opozitës. Kryetari i PD-së, Berisha, konsiderohet gjymtyrë e një binomi me Ramën, bashkëpërgjegjës me të për bllokimin e sistemit politik. As ai, as njerëzit rreth tij nuk autorizohen nga protesta të jenë zëri i saj brenda institucioneve.

Sa keq! Le të imagjinojmë për një çast sikur PD të kishte zgjedhur në krye të saj me garë të ndershme një lider të ri. Protesta do të kishte shumë më shumë shanse për realizimin e kërkesave të saj. Shfaktorizimi i opozitës më të madhe, ndërkohë që vetë protesta nuk është e nuk ka përse të bëhet subjekt politik, së paku në këtë fazë, përbën një hendikap me të panjohura në rrugën që do të ndjekin kërkesat e saj për t’u realizuar.

Ligji i ri elektoral me proporcional kombëtar dhe lista të hapura, ligji i ri për financimin e partive politike, ndërhyrjet në Kushtetutë dhe gjithë paketa për reformimin e sistemit politik mund të realizohen vetëm përmes Kuvendit. Pa u votuar nga kuorumet përkatëse të deputetëve ato mbesin dëshira.

Po ashtu një ligj themelor i së drejtës për kthimin real dhe kompensimin real të pronës pronarëve të ligjshëm, që vizioni për “Shqipërinë e re” nuk mund të mos e ketë. Përndryshe do të mbetej përsëri e vjetër. Një ligj që do të vendoste gurin e munguar në themelet e demokracisë shqiptare. (Në parantezë, si mund të jenë dhënë e të vazhdojnë të jepen toka publike pa kompensuar pronarët e ligjshëm të tokës bujqësore, të dënuar tre herë përgjatë një gjysmë shekulli nga reforma agrare komuniste, nga kolektivizimi dhe ligji 7501? Si mund të doroviten sipërmarrës të rinj të klientelës qeveritare, vendas apo të huaj pa u kthyer borxhet ish-pronarëve)?

Për të gjitha këto protesta mund të imponohet me vendosmërinë e saj, me qartësinë, me konsistencën dhe mbi të gjitha me numrat. Ajo duhet të ketë përfaqësuesit e vet aty ku konceptohen, diskutohen e bëhen gati për miratim ligjet e reja, së paku ato që do të na çojnë në zgjedhjet e reja.

Njihet kompleksi psikologjik i kalimit nga fronti i betejave në luftë apo protestave në paqe në tryezën e bisedimeve. Po kjo është rruga për të finalizuar një kauzë, alternativa e vetme përkundrejt të ashtuquajturave zgjidhje leniniste me marrje të pushtetit me dhunë.

Askush nuk duhet të ketë komplekse të ulet në momentin e duhur me palën “armike”. Disidentët e Polonisë u ulën në vitin 1989 me liderin e regjimit që i kishte burgosur dhe fituan aty fillimin e shembjes së komunizmit në gjithë vendet e Europës Qendrore. Bisedojnë armiqtë e jo më njerëzit e një gjuhe dhe gjaku, që në fund të fundit, pavarësisht mospajtimeve dhe kontradiktave, janë në varkën e një atdheu, një qëllimi në rastin tonë për ta çuar vendin në BE. Forca në momente të tilla është e pikësëpari e atyre që ulen për zgjidhje me kundërshtarët në pushtet. Kaq për ligjet.

Kërkesa kryesore për dorëheqjen e Ramës dhe qeverisë nuk ka gjasa të negociohet.

Një kryeministër jep dorëheqje kur humbet mbështetjen në partinë e tij, siç ishte së fundmi rasti i ish-kryeministrit britanik Stamer. Kur humbet aleatë dhe deputetë të partisë së tij a koalicionit qeveritar në Parlament. Kur vendos vetë për arsye të caktuara siç ka qenë rasti i laburistit Tony Blair që u largua me rrokadë nga fundi i mandatit të tretë duke ia lënë stafetën një laburisti tjetër, Gordon Brown.

Ndërkaq dorëheqja e kryeministrit me protesta popullore mund të imponohet vetëm me numra në sheshet e protestës. Një shumare e stërmadhe qytetarësh në Tiranë dhe në rrethe që bërtasin njëzëri pa u shkulur nga vendi largimin e tij ia pakësojnë ajrin kryeministrit.

Rama dhe protesta qëndrojnë tani në dy skajet e litarit me gushtin e thatë në mes, duke matur kohën. Kryeministri përgjon dhe shpreson rrazbitjen e mëtejshme të protestës, ose mbetjen e saj në aq numra sa ka tani.

Protesta e ka shkundur, ia ka liruar rrënjët si asgjë tjetër më parë, ia ka hequr aureolën e liderit fuqiplotë, e ka hutuar. Ai nuk mund të jetë më ai që ishte para protestës.

Protesta nga ana tjetër mbahet fort për t’u rritur në vjeshtë. Kur beteja e saj e madhe do të jenë numrat. Manualet që këshillojnë shtimin e tyre kanë plot përgjigje.

Autobusi përplaset me kamionçinën dhe 3 makina në autostradën Rieti-Terni në Itali, 5 të vdekur dhe 27 të plagosur

By: E S
2 August 2026 at 19:11

Një aksident i rëndë ndodhi sot në Itali, në Rrugën Shtetërore 79 “Ternana” në Colli sul Velino, në provincën e Rietit në kufirin me Umbrinë.

Sipas mediave të huaja, raportohet se një autobus, një kamionçinë dhe tre makina u përfshinë në aksident.

Si pasojë e përplasjes, raportohet për 5 të vdekur dhe 27 të plagosur, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shërbimet e urgjencës mjekësore dhe zjarrfikësit shkuan menjëherë në vendngjarje. Pasagjerët në autobus u evakuuan, disa prej të cilëve të plagosur dhe në gjendje shoku. Po ashtu disa helikopterë mbërritën për të ndihmuar, duke transportuar personat e plagosur më rëndë në spitalet në Umbria dhe Lazio.

Autostrada u mbyll për të lehtësuar operacionet e shpëtimit dhe sigurinë rrugore, çka shkaktoi radhë të gjata automjetesh.

Dyndja e refugjatëve në Spanjë, Meloni propozon modelin shqiptar për migrantët në BE

By: E S
2 August 2026 at 19:01

Qendrat e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin janë vendosur në qendër të propozimit të ri të kryeministres italiane Giorgia Meloni për menaxhimin e emigracionit në Bashkimin Evropian, pas krizës së fundit në enklavën spanjolle të Ceutës.

Sipas mediave italiane, Italia do të paraqesë në mbledhjen e ministrave të Brendshëm të BE-së, që zhvillohet të martën, një plan për ngritjen e qendrave të riatdhesimit sipas modelit të zbatuar në Shqipëri. Ndryshe nga marrëveshja dypalëshe mes Romës dhe Tiranës, Meloni propozon që financimi i këtyre strukturave të mbulohet kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe jo vetëm nga Italia si në rastin qendrave shqiptare.

Qendrat e ngritura në Gjadër dhe Shëngjin janë pjesë e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e emigrantëve të paligjshëm të kapur në ujërat ndërkombëtare. Megjithatë, funksionimi i tyre është përballur me pengesa ligjore, pasi zbatimi i marrëveshjes është bllokuar në disa raste nga gjykatat italiane.

Pavarësisht këtyre vështirësive, qeveria italiane e konsideron modelin shqiptar një bazë të vlefshme për ndërtimin e një sistemi evropian të menaxhimit të emigracionit. Sipas raportimeve, Meloni beson se propozimi gëzon mbështetje të gjerë mes vendeve anëtare të BE-së.

Si argument për këtë, ajo i referohet një letre të nënshkruar nga 22 liderë të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, e promovuar nga Italia. “Pamjet nga Ceuta treguan sa urgjente është një përgjigje evropiane”, citohet të ketë deklaruar Meloni, duke shtuar se mbështetja në rritje për këtë qasje tregon se linja italiane po fiton gjithnjë e më shumë përkrahje.

Propozimi vjen pas valës së emigrantëve që goditi Ceutën, ku sipas raportimeve rreth 60 mijë persona, kryesisht nga Maroku, kaluan kufirin drejt territorit spanjoll. Kriza ka nxitur debat të fortë brenda Bashkimit Evropian mbi nevojën për mekanizma të rinj dhe të përbashkët për kontrollin e emigracionit dhe riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm.

Një mbledhje urgjente e BE-së pritet të martën lidhur me problematikat.

Kriza e emigrantëve në Ceuta, BE thërret ministrat e Brendshëm në mbledhje urgjente

By: E S
2 August 2026 at 18:52

Bashkimi Evropian do të zhvillojë të martën, më 4 gusht, një takim urgjent të ministrave të Brendshëm, pas mbërritjes së mbi 50 mijë emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës dhe mosmarrëveshjeve që kjo situatë ka shkaktuar mes vendeve anëtare.

Vendimi për mbledhjen u mor unanimisht gjatë një takimi të zhvilluar të shtunën mes përfaqësuesve të shteteve anëtare dhe ekspertëve të agjencisë evropiane të kufijve, Frontex. Qëllimi i takimit është gjetja e një qasjeje të përbashkët për menaxhimin e migracionit dhe forcimin e kufijve të jashtëm të BE-së.

Njëzet e dy shtete anëtare kanë firmosur një letër të përbashkët ku kërkojnë veprim të koordinuar, pas hyrjes së dhjetëra mijëra emigrantëve në Ceuta nga Maroku. Sipas autoriteteve spanjolle, të paktën 67 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin, ndërsa shumë të tjerë u plagosën.

Ndërkohë, Spanja njoftoi se kalimet e emigrantëve janë ndalur pas vendosjes së një barriere lundruese 500 metra të gjatë në kufirin me Marokun. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez reagoi ashpër ndaj kritikave, duke akuzuar për përhapje të dezinformatave dhe duke theksuar se shumica e emigrantëve janë kthyer tashmë në Marok pas ndërhyrjes së autoriteteve.

Megjithatë, përplasjet politike brenda Bashkimit Evropian vazhdojnë. Italia dhe Danimarka, të mbështetura nga Polonia dhe Suedia, kritikuan mënyrën se si Spanja menaxhoi situatën në Ceuta.

Ceuta ka qenë prej vitesh një nga pikat kryesore të hyrjes së emigrantëve drejt Evropës. Në vitin 2021, rreth 8 mijë persona hynë në enklavë brenda pak ditësh, duke shkaktuar tensione diplomatike mes Spanjës dhe Marokut.

Takimi i ministrave të Brendshëm pritet të jetë vendimtar për mënyrën se si Bashkimi Evropian do t’i përgjigjet krizës së fundit migratore dhe për masat që do të ndërmerren për menaxhimin e kufijve të jashtëm të bllokut.

Kundërshtimet për reformën territoriale, Boçi i përgjigjet Ramës: Për ‘kalorësin’ që ecën mbi gomar

By: E S
2 August 2026 at 18:43

Bashkëkryetari i Komisionti të Reformës Territoriale, Luçiano Boçi i është përgjigjur Edi Ramës pas deklaratave të tij për kundërshtimet brenda Partisë Socialiste dhe debatit mbi ndryshimin e hartës administrative.

Boçi akuzon kreun e qeverisë se po përpiqet të paraqesë si ‘pluralizëm’ atë që sipas tij është një shenjë pakënaqësie dhe përplasjeje brenda mazhorancës. Ai shprehet për shkelje të parimeve kushtetuese dhe ligjore gjatë procesit të reformës territoriale, duke kërkuar konsultim real me qytetarët e zonave që preken nga ndryshimet.

Në analizën e tij, deputeti i PD-së Luçiano Boçi kundërshton argumentet e Ramës për afatin 60-ditor të konsultimeve dhe thotë se procesi nuk mund të reduktohet në procedura formale apo diskutime institucionale pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të komuniteteve.

Në fund të reagimit të tij, deputeti demokrat ironizon Ramën për mënyrën se si po e menaxhon debatin, duke e lidhur kundërshtimin e reformës me pakënaqësinë e qytetarëve dhe të disa drejtuesve vendorë të Partisë Socialiste.

Postimi i plotë

Për ‘kalorësin’ që ecën mbi gomar

Nga Luçiano Boçi

(Një përgjigje e detyruar)

Zoti me nder Kryeministër!

Nuk e dija që, pas 13 vitesh qeverisje me komandë, befas ju na paskët zbuluar ‘pluralizmin’ e mendimit ndryshe brenda PS.

Deri dje, një fjalë ndryshe nga vija juaj zyrtaro-personale quhej sabotim. Sot, kur kryetarët socialistë kanë filluar të mbrojnë bashkitë e tyre, na thoni se kjo qenka demokraci. Jo, zoti Rama. Ajo është revoltë e kjo e jotja quhet panik.

Dhe paniku zakonisht fillon kur nuk të besojnë më as njerëzit e tu.

Nuk janë të parët e as të vetmit që janë shprehur.

Janë dhe plot të tjerë që mezi presin ditën.

E në përpjekje për të qetësuar revoltën që tashmë ka mbërritur edhe në radhët e Partisë Socialiste e për të ledhatuar panikun tënd, ju fshiheni pas një gjoja parashtrimi juridik që, fatkeqësisht për ju, nuk ekziston.

Nuk është hera e parë që demonstroni probleme të njohjes së ligjeve.

Me dashje po se po, por dhe nga padija po.

E kur e keqja dhe padija japin mend shteti është në rrezik.

Ju përpiqeni ta mbuloni këtë krizë politiko-territoriale me argumentin e ‘60 ditëve të konsultimit’.

Por këtu propaganda e padija jote ligjore përplaset me ligjin.

Së pari, Kushtetuta, në nenin 108, pika 2, nuk kërkon thjesht një afat. Ajo kërkon marrjen paraprake të mendimit të popullsisë së territoreve ku ndryshohen kufijtë.

Vendos syzet e duhura e shihe në sy Kushtetutën kur thotë:

‘Kufijtë e tyre (administrativë-territorial) nuk mund të ndryshohen pa u marrë mëparë mendimi i popullsisë që banon në to’.

Ky është një detyrim absolut kushtetues dhe nuk zëvendësohet dot me postime në Facebook, X, konferenca shtypi apo dëgjesa formale.

Së dyti, afati 60-ditor që përmendni nuk është afati i ‘konsultimit publik’, siç përpiqeni ta paraqisni.

Ligji nr. 139/2015 ‘Për Vetëqeverisjen Vendore’ e lidh këtë afat me kohën që u jepet këshillave bashkiakë, qarqeve dhe institucioneve për të dhënë mendimin e tyre zyrtar, pasi marrin kërkesën.

Janë dy procese krejt të ndryshme.

Së treti, konsultimi nuk përmbushet duke dëgjuar vetëm kryetarët e bashkive apo ekspertët e përzgjedhur.

Kushtetuta dhe ligji kërkojnë që të merret mendimi real, paraprak, i dokumentuar dhe territorial i popullsisë së çdo bashkie që preket.

Një debat i përgjithshëm në Tiranë nuk zëvendëson konsultimin në Klos, Prrenjas, Mamaliaj, Fushë Arrëz, Poliçan, apo kudo tjetër ku ndryshohen kufijtë.

Së katërti, ligji kërkon që Kuvendit t’i paraqiten jo vetëm hartat dhe arsyetimet, por edhe mendimi i popullsisë, analizat ekonomike, sociale, kulturore e demografike për çdo territor të prekur.

Nëse këto mungojnë ose janë thjesht formale, problemi nuk është politik. Është procedural dhe kushtetues.

Së pesti, për vendime të tilla me impakt tërësor e kohor të gjatë publik siç është Reforma Territoriale, Parlamenti në traditën e konsoliduar dhe referuar Kushtetutës, nuk mund të zëvëndësojë një komision me paritet politik pozitë-opozitë, me një nismë ligjore të njëanshme deputetësh.

Dhe një detaj që ju e anashkaloni me lehtësi.

Evropa nuk kërkon konsultime për t’u bërë fotografi. Kërkon konsultime që mund të ndryshojnë vendimin. Nëse harta është vendosur paraprakisht dhe konsultimi bëhet vetëm për t’i vënë një vulë formale, atëherë nuk kemi proces demokratik.

Kemi një ritual burokratik.

Prandaj nuk janë në hall ata që protestojnë.

Në hall je ti, sepse nuk po bind dot as kryetarët tuaj te bashkive

Pastaj vjen pjesa ‘më zbavitëse’ e statusit tuaj.

Ju talleni siç e keni zakon në fakt, me historinë, traditën dhe identitetin e komuniteteve, sikur këto të ishin ‘gojëdhëna’.

Vetëm se problemi është se është përsëri ajo që ti e shkel sa herë të pengon, Kushtetuta që të kundërshton, jo thjesht opozita e qytetarët.

Ajo flet qartë flet për traditën historike si kriter për ndarjen administrativo-territoriale.

Pra nuk jemi ne, as Bashkiakët tuaj, as qytetarët në konflikt me tekstin kushtetues.

Jeni ju!

Si perherë.

Dhe së fundi…

Nëse reforma është kaq e mrekullueshme, pse po detyroheni të shkruani statuse për të bindur kryetarët tuaj?!!!

Pse protestojnë qytetarët, dhe pse i janë bashkuar ata që kanë fituar zgjedhjet me siglën e PS-së?!

Kuptojeni pak këtë me nder Kryeministër!

Kjo ndodh sepse ata jetojnë në bashkitë që ju i shihni vetëm në hartë.

Ata tani po dëgjojnë qytetarët.

Ju dëgjoni vetëm hartografët e propagandës.

Prandaj mos u shqetësoni për ‘kalorësin’.

Ju fatkeqësisht nuk jeni aspak kalorës, nuk kalëroni, ju gomaroni (ecni mbi gomar).

Shqetësohuni për revoltën e drejtë të njerëzve tuaj. Sepse kur kjo ndodh dhe është e prekshme, beteja zakonisht është humbur para se të fillojë.

Ndalet pranë Italisë cisterna e dyshuar ruse, zbardhen detajet e operacionit

By: E S
2 August 2026 at 18:35

Marina italiane ka kryer një kontroll ndaj një cisterne nafte ruse në ujërat ndërkombëtare pranë ishullit Pantelleria, mes Siçilisë dhe Tunizisë. Operacioni u zhvillua në kuadër të misionit europian EUNAVFOR MED IRINI, i cili monitoron trafikun e armëve dhe naftës në Mesdhe.

Anija italiane “Thaon di Revel” ka hipur në bordin e cisternës “Toa Payoh”, e cila është nën sanksione të Bashkimit Europian dhe konsiderohet pjesë e të ashtuquajturës “flotë fantazmë” ruse.

Kontrolli kishte si qëllim verifikimin e kombësisë së anijes, e cila përcaktohet nga flamuri që ajo lejohet të mbajë. Sipas të dhënave, “Toa Payoh” lundron nën flamurin e Kamerunit.

Cisterna ishte nisur më 16 korrik nga porti i Kotonusë në Benin, me destinacion Stambollin, por u ndalua në perëndim të Pantellerias. Sipas autoriteteve italiane, kapiteni i anijes fillimisht nuk ofroi bashkëpunimin e kërkuar gjatë kontrollit.

Më pas, një ekip ushtarak italian mbërriti në bord me helikopter nga anija “Thaon di Revel” dhe kreu verifikimet e nevojshme.

Operacioni, i mbështetur edhe nga një anije greke dhe një avion patrullimi detar polak, zgjati rreth dy orë dhe përfundoi pa incidente. Ministria italiane e Mbrojtjes bëri të ditur se kontrolli u krye në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS).

Aktualisht, autoritetet italiane po shqyrtojnë informacionet dhe dokumentet e mbledhura gjatë inspektimit.

Policia nuk e arrestoi edhe pse kishte dënimin për të shlyer, i riu vret brutalisht vajzën 2-vjeçare të partneres

By: E S
2 August 2026 at 18:26

Një rast tronditës në Britaninë e Madhe ka nxjerrë në pah dështime serioze të policisë dhe institucioneve të mbrojtjes së fëmijëve, pasi një dhunues me urdhër arresti të pazbatuar për 18 muaj përfundoi duke vrarë vajzën 2-vjeçare të partneres së tij.

Harrison Simpson, 22 vjeç, u dënua javën e kaluar me burgim të përjetshëm dhe duhet të vuajë të paktën 28 vjet për vrasjen “sadiste” të Isabelle Welsh, e cila humbi jetën në shtator të vitit 2025. Edhe nëna e vajzës, Alexandra Walker, 26 vjeçe, u shpall fajtore për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm me një minimum prej 21 vitesh, shkruan The Times.

Çifti kishte nisur lidhjen vetëm tre muaj para vrasjes, pasi ishin njohur në Facebook.

Policia e Cleveland ka pranuar se nuk e ekzekutoi një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata e Magjistraturës së Teesside në mars të vitit 2024, duke i lejuar Simpsonit të mbetej i lirë, të krijonte lidhje me Walker dhe të jetonte me të dhe vajzën e saj.

Urdhri ishte lëshuar pasi Simpson nuk ishte paraqitur në gjykatë për shkeljen e një urdhri mbrojtës ndaj një ish-partnereje, e cila kishte raportuar se ai e kishte ngacmuar dhe kërcënuar.

Policia deklaroi se kishte kryer disa tentativa për ta gjetur dhe arrestuar, por pa sukses.

“Pranojmë se periudha gjatë së cilës Simpson kishte një urdhër arresti të pazbatuar është larg standardeve të pranueshme”, thuhet në reagimin e policisë.

Gjatë gjyqit u provua se Simpson kishte ushtruar dhunë fizike dhe seksuale ndaj vogëlushes për muaj të tërë përpara vdekjes së saj.

Isabelle pësoi një dëmtim fatal në tru pasi koka e saj u përplas me forcë në një sipërfaqe të fortë gjatë një tronditjeje të dhunshme më 13 shtator 2025. Ajo ndërroi jetë një ditë më vonë në spital.

Nuk u arrit të provohej se cili prej dy të pandehurve kishte shkaktuar dëmtimin fatal. Walker deklaroi se atë mëngjes kishte qenë duke fjetur pas konsumimit të madh të alkoolit një natë më parë, ndërsa Simpson refuzoi të jepte versionin e tij të ngjarjes.

Vetëm 12 ditë para vdekjes, Walker kishte dërguar vajzën në spital për shkak të një dëmtimi në këmbë. Ekzaminimet zbuluan se ajo kishte një frakturë.

Një infermiere ngriti menjëherë shqetësime për sigurinë e fëmijës, por mjekët pranuan shpjegimin e nënës dhe nuk ndërmorën masa të mëtejshme.

Infermierja dëshmoi se Walker reagoi me agresivitet kur u përmend mundësia e njoftimit të shërbimeve sociale dhe kërkoi të vizitohej nga një mjek tjetër.

Vetëm 11 ditë më vonë, Isabelle u rikthye në spital me plagë fatale.

Infermierja shpërtheu në lot gjatë dëshmisë së saj, duke kujtuar se vogëlushja ishte “e mbuluar nga koka te këmbët me mavijosje”.

Autopsia zbuloi:

21 kocka të thyera, përfshirë kafkën dhe shtyllën kurrizore;

97 dëmtime të indeve të buta;

hemorragji në tru.

Prokuroria e përshkroi rastin si një nga më të rëndët e dhunës ndaj një fëmije.

Qendra lokale për mbrojtjen e fëmijëve kishte pasur kontakte me familjen edhe dy herë gjatë katër javëve para vdekjes së Isabelle, por në të dyja rastet nuk u ndërmor asnjë veprim.

Katër ditë para tragjedisë, një vizitore shëndetësore zgjodhi të kontaktonte familjen vetëm me telefon dhe nuk shkoi për ta parë fëmijën në banesë.

Prokurori Richard Wright tha në gjykatë se pa e parë fare Isabelle, punonjësja shëndetësore e mbylli rastin duke shënuar se nuk kishte shqetësime.

Megjithatë, pas vrasjes, një rishikim i autoriteteve lokale arriti në përfundimin se vendimet për të mos e përshkallëzuar rastin kishin qenë “të përshtatshme”, pavarësisht rezultatit tragjik.

Gjyqi zbuloi se Isabelle ishte një fëmijë i lumtur dhe i shëndetshëm përpara se Simpson të hynte në jetën e saj.

Walker kishte nisur të dyshonte për sjelljen e partnerit, sidomos pasi ai këmbëngulte ta lante vetëm vajzën. Ajo madje kontrolloi në regjistrin e autorëve të krimeve seksuale, por nuk e gjeti emrin e tij.

Edhe nëna e Walker kishte paralajmëruar vajzën e saj se mbesa dukej sikur po abuzohej.

Pas zbulimit të dështimit për ekzekutimin e urdhrit të arrestit, Policia e Cleveland njoftoi se ka ndryshuar procedurat për menaxhimin e personave në kërkim.

Sipas autoriteteve, tashmë është krijuar një sistem i ri për monitorimin e urdhrave të arrestit, ndërsa rastet me rrezik të lartë shqyrtohen çdo ditë nga drejtuesit e policisë.

Edhe Partneriteti për Mbrojtjen e Fëmijëve në Hartlepool dhe Stockton-on-Tees deklaroi se pas vdekjes së Isabelle u hartua një plan masash, i cili është zbatuar menjëherë dhe vazhdon të monitorohet për të shmangur përsëritjen e rasteve të ngjashme.

Alarmi nga minat detare! Turqia, Rumania dhe Bullgaria ndërhyjnë me plan të përbashkët

By: E S
2 August 2026 at 17:59

Turqia, Rumania dhe Bullgaria kanë nënshkruar një marrëveshje për krijimin e një grupi të përbashkët që do të pastrojë minat detare në Detin e Zi, të vendosura si pasojë e luftës në Ukrainë.

Marrëveshja u nënshkrua në Stamboll nga ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler, ministri rumun i Mbrojtjes, Angel Tilvar, dhe zëvendësministri bullgar i Mbrojtjes, Atanas Zapryanov.

Guler tha se pas nisjes së luftës në Ukrainë, minat lundruese janë kthyer në një rrezik serioz për lundrimin në Detin e Zi. Për këtë arsye, tre vendet ranë dakord të krijojnë një grup të përbashkët për zbulimin dhe çaktivizimin e tyre.

Në këtë mision do të angazhohen nga tre anije për pastrimin e minave nga secili vend, si dhe një anije komanduese. Operacioni do të drejtohet nga një komitet i përbashkët i komandantëve detarë të Turqisë, Rumanisë dhe Bullgarisë.

Turqia theksoi se nisma do të jetë e hapur vetëm për anijet e këtyre tre vendeve të NATO-s që kanë dalje në Detin e Zi. Ankaraja shtoi gjithashtu se ka zbatuar me përpikëri Konventën e Montros, e cila rregullon kalimin e anijeve ushtarake në ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve gjatë kohës së luftës.

NATO e përshëndeti marrëveshjen, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për rritjen e sigurisë së lundrimit dhe mbrojtjen e korridoreve të transportit të ushqimeve në rajon.

Turqia ndërkohë vazhdon përpjekjet, së bashku me OKB-në, Ukrainën dhe Rusinë, për të rikthyer marrëveshjen për eksportin e drithërave përmes Detit të Zi.

Aksident i rëndë në Rrugën e Kombit, makina bëhet copash, një i lënduar

By: E S
2 August 2026 at 17:50

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të diele në Rrugën e Kombit, në segmentin Rubik-Rrëshen, duke përfshirë dy automjete, raporton gazetari Martin Marku.

Sipas informacioneve paraprake nga burime ne vendngjarje, si pasojë e përplasjes një person ka mbetur i lënduar.

I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa deri tani nuk ka të dhëna zyrtare për gjendjen e tij shëndetësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë, të cilat kanë nisur veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

E vrau dhe e fshehu trupin në një valixhe/ Në pranga autori në Greqi, 26-vjeçari pranon krimin ndaj 38-vjeçares skoceze

By: E S
2 August 2026 at 17:41

Një 26-vjeçar është arrestuar nga autoritetet greke në lidhje me vdekjen e një gruaje skoceze, trupi i së cilës u gjet brenda një valixheje në një ndërtesë të braktisur në Athinë.

Sipas policisë greke, i arrestuari është një shtetas i huaj dhe dyshohet se ka lidhje me vrasjen e 38-vjeçares Elisabeth-Jane Ross.

Trupi i viktimës u zbulua më 18 korrik nga një burrë i pastrehë, në një ndërtesë të braktisur në Athinë. Hetimet paraprake tregojnë se gruaja kishte ndërruar jetë pesë deri në shtatë ditë përpara se të gjendej. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, dikush dyshohet se përdorte telefonin e saj celular për të dërguar mesazhe, duke u shtirur si ajo.

Autoritetet arritën ta identifikonin viktimën përmes gjurmëve të gishtërinjve. Elisabeth-Jane Ross, e cila besohet se ishte nga Edinburgu, kishte hyrë në Greqi më 26 qershor dhe fillimisht kishte qëndruar me miq në Pire.

Më vonë, ajo kishte planifikuar të takohej me disa miq amerikanë në një zonë tjetër të Athinës, por nuk është e qartë nëse takimi u zhvillua.

Policia bëri të ditur se identifikoi të dyshuarin pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë. Sipas autoriteteve, ai ka pranuar autorësinë e krimit gjatë marrjes në pyetje të enjten.

Hetuesit dyshojnë se 26-vjeçari e futi trupin e viktimës në një valixhe dhe e transportoi në ndërtesën e braktisur ku u gjet më vonë. Gjithashtu, ai dyshohet se përdori kartën bankare të 38-vjeçares për të tërhequr para në ditët pas vdekjes së saj.

Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, policia gjeti një pistoletë dhe një thikë. Ndaj tij janë ngritur akuza për vrasje, grabitje dhe shkelje të legjislacionit për armët.

Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se po ofron mbështetje konsullore për familjen e viktimës dhe është në kontakt me autoritetet greke.

Ndërkohë, Policia e Skocisë konfirmoi se është në dijeni të ngjarjes dhe po bashkëpunon me autoritetet në Greqi, ndërsa oficerët po i ofrojnë mbështetje familjes së Elisabeth-Jane Ross.

❌