Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 February 2026Java News

Aktorja Anila Bisha kërkoi të pezullohet “Diella”, reagon qeveria: Padia është e pakuptimtë

By: E S
11 February 2026 at 23:06

Qeveria ka reaguar pas kallëzimit që aktorja Anila Bisha ka depozituar në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku kërkon pezullimin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella.

Drejtoresha e Agjencisë për Median dhe Informimin, Manjola Hasa është shprehur se qeveria e sheh këtë si një të drejtë ligjore të ushtruar nga Bisha, por e konsiderojnë pretendimin e ngritur nga ajo si të pabazë.

Sipas saj, Shqipëria është një vend i lirë dhe demokratik, ku qytetarët kanë të drejtë të ndjekin rrugët ligjore kundër qeverisë, ndërsa vlerësimi përfundimtar i takon gjykatës.

“Shqipëria është një vend i lirë dhe demokratik, ku qytetarët kanë të drejtë të mendojnë dhe të veprojnë përmes mekanizmave ligjorë kundër qeverisë. Në këndvështrimin tonë pretendimi s’ka asnjë bazë, por i mbetet gjykatës ta vendosë kush ka të drejtë”, u shpreh Hasa.

Qeveria e re e Kosovës merr votëbesimin në Kuvend, Albin Kurti betohet kryeministër për të tretën herë

By: E S
11 February 2026 at 23:00

Albin Kurti është betuar si kryeministër i ri i Kosovës. Gjatë fjalës së tij, Kurti premtoi se do të zbatojë ligjin, do të respektojë Kushtetutën dhe do të punojë për përparimin e Kosovës.

“Më lejoni t’ju falënderoj për mbështetjen e dhënë. Betohem se do ta kryej me përkushtim dhe nder detyrën e anëtarit të Qeverisë, do të respektojë Kushtetutën, ligjet dhe rendin juridik dhe do të angazhohem për përparimin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës”, tha Kurti në Kuvend.

Po ashtu janë betuar edhe ministrat e qeverisë së re të Kosovës, përmes nënshkrimit të një deklarate.

Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës për të tretën herë.

Pas votimit në Kuvend kandidatura e Albin Kurtit mori 66 vota pro, 49 vota kundër dhe asnjë abstenim.

Yesterday — 11 February 2026Java News

Agron Shehaj fillon takimet për zgjedhjet bashkiake 2027, fton qytetarët të vetë-propozohen si kandidatë për në këshill

By: E S
11 February 2026 at 22:54

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka nisur takimet përgatitore në kuadër të zgjedhjeve bashkiake të vitit 2027.

Gjatë takimit në degën 7 në Tiranë, Shehaj ka ftuar mbështetësit dhe qytetarët e angazhuar të kandidojnë nën logon e Partisë Mundësia me qëllim kontributin në ndërtimin e një qeverisjeje vendore të ndershme dhe në shërbim të njerëzve.

“Zgjedhjet bashkiake po afrohen. Po evidentojmë kandidatët e Partisë Mundësia në të gjithë këshillat bashkiake. 50 mijë votues kanë votuar për Partinë Mundësia zgjedhjet e fundit. Këtë vit, mbështetësit tanë janë rritur. Nëse je një prej tyre, të ftojmë të vetë-propozohesh si kandidat për këshillat bashkiakë”, deklaroi Shehaj.

Sipas tij, zgjedhjet bashkiake janë një mundësi reale për t’i kthyer pushtetin komuniteteve dhe për të nxjerrë në pah njerëz me integritet dhe vizion për zhvillimin lokal.

Turi i takimeve me mbështetësit e “Mundësia” nisi nga dega 7 në kryeqytet për t’u shtrirë më pas në të gjithë Tiranën dhe qytetet e tjera të vendit.

“Provokim skandaloz ndaj paqes”, Serbia shpërthen ndaj Shqipërisë: Po na kërcënoni, do të reagojmë!

By: E S
11 February 2026 at 22:47

Serbia reagoi me zemërim ndaj takimit trepalësh mes shefave të mbrojtjes së Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në Tiranë, i cili synonte thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ushtarak.

Ministria e Mbrojtjes në Beograd e cilësoi këtë si një shkelje të rëndë të Rezolutës 1244, ndërsa theksoi se përpjekjet për të institucionalizuar dhe forcuar më tej Forcën e Sigurisë së Kosovës përmes marrëveshjeve ushtarake rajonale përfaqësojnë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj rendit ligjor ndërkombëtar dhe një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Ky veprim përfaqëson një shpërfillje të qartë dhe shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës. Kosova është pjesë integrale e Republikës së Serbisë, nën administrimin e përkohshëm të OKB-së, dhe KFOR-i është i vetmi formacion i armatosur legjitim në territorin e Kosovës dhe Metohisë, me një mandat të përcaktuar qartë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas saj, lëvizje të tilla kanë potencialin të prodhojnë pasoja afatgjata të sigurisë dhe të destabilizojnë situatën në Ballkanin Perëndimor.

“Republika e Serbisë e sheh këtë aleancë ushtarake si një faktor presioni dhe një sfidë sigurie për Serbinë dhe popullin serb në Kosovë. Vendi ynë mbetet i përkushtuar për ruajtjen e paqes, por njëkohësisht dërgon një mesazh të qartë se nuk do të lejojë që interesat e saj jetësore kombëtare dhe mbrojtëse të rrezikohen.”

Ministri i Integrimit Evropian i Serbisë, Nemanja Staroviç, e cilësoi aleancën si një destabilizim të maskuar si bashkëpunim, duke e quajtur atë një provokim skandaloz në Ballkan.

“Kroacia dhe Shqipëria, dy anëtare të NATO-s, po ndërtojnë hapur një aleancë ushtarake me të ashtuquajturën Kosovë, një entitet që nuk njihet ndërkombëtarisht dhe që i ndalohet shprehimisht nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ligji ndërkombëtar të ketë një ushtri. Cili është qëllimi i vërtetë, nëse jo të rrethohet, frikësohet dhe kërcënohet Serbia?” shtoi ai.

Staroviç përfundoi se kjo lëvizje e pamatur, sipas tij, po shkatërron qëllimisht paqen e brishtë në rajon.

Naim murseli i mori 100 mijë euro borxh Pacollit, zbulohet kontrata në gjykatë. Reagon biznesmeni

By: E S
11 February 2026 at 22:39

Naim Murseli, i akuzuar për porositjen e vrasjes së bashkëshortes së tij të ndjerë Liridona Ademajt, kishte marrë 100 mijë euro borxh nga biznesmeni Behgjet Pacolli.

Dokumenti është paraqitur nga prokurorja në seancën gjyqësore ndaj Murselit dhe të tjerëve, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Ademajt.

Sipas kontratës, Murseli i detyrohej Pacollit, për të cilin kishte punuar për një periudhë të gjatë, një shumë prej 100 mijë euro. Në deklarimet e tij para trupit gjykues, Murseli ka pohuar se këtë borxh e ka kthyer, por jo përmes një pagese të drejtpërdrejtë monetare.

Lidhur me rastin ka reaguar biznesmeni Pacolli, i cili sqaron se shuma nuk është kthyer plotësisht, por sipas tij “nuk ka pasur trysni për kthim urgjent”.

“Sot është mbajtur një seancë në kuadër të procesit gjyqësor kundër Naim Murselit. Ndër të tjera, është diskutuar edhe për një kredi të garantuar nga unë për familjen Murseli (Liridona dhe Naimi).

Sot, shumë media të interesuara për këtë çështje kërkuan informacione dhe, në këtë kuadër, u sqarua se familja Murseli, në atë kohë, kishte blerë një lokal në Uddevalla, ku kishte punuar edhe e ndjera Liridona.

Nga kjo kredi, familja Murseli ka kthyer në para të gatshme më pak se 12,000 euro, por Naimi, në atë kohë ka kryer edhe punë në KOMPENSIM, kryesisht në mirëmbajtjen e faqeve të internetit të kompanive të grupit Mabetex, të Fondacionit BP dhe të disa platformave në rrjetet sociale. Nuk besoj se kjo shumë është kthyer në tërësi por nga ana ime nuk ka pas asnjë trusni për ndonjë kthim urgjent”,thuhet në reagimin e Pacollit.

Vënia nën hetim e Këlliçit që ndodhet në SHBA? Zëdhënësi i Policisë sqaron masat: U procedua për organizim të tubimit

By: E S
11 February 2026 at 22:31

Zëdhënësi i Policisë së Tiranës, Gent Mullai theksoi se protestuesit e opozitës kryen një sulm ndaj punonjësve të policisë.

“Gjatë tubimit dje, janë përdorur bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta të drejtim të policisë, si pasojë e sulmit, janë plagosur 16 punonjës policie. Unë them sulm ndaj punonjësve të policisë se bomba molotov janë hedhur drejtpërsëdrejti mbi trupin e punonjësve të policisë. Them diçka që protestuesit kanë hedhur mbi punonjësit e policisë, kryesisht te Parlamenti. Për të përcaktuar nëse janë akte të organizuara, është ngritur një grup hetimor nga policia Tiranë dhe Prokuroria Tiranë, e cila do të hetojë se çfarë ka ndodhur gjatë tubimit të djeshëm“, u shpreh zëdhënësi.

I pyetur për procedimin ndaj deputetit Belind Këlliçi, edhe pse ky i fundit ndodhet në SHBA, zëdhënësi pretendoi se ai është vënë nën hetim jo për dhunë ndaj punonjësve të policisë por për organizim të tubimit.

“Nuk është lapsus, zoti Këlliçi nuk është proceduar për kundërshtim të punonjësve të policisë por për organizim të tubimit. Policia ka pasur informacionin e nevojshëm dhe janë referuar materialet në Prokurori Tiranë. Pasi kanë mbaruar fjalimet te tubimi para kryeministrisë, kanë filluar aktet e dhunës. Policia është treguar e përmbajtur. I ka bërë thirrje që të distancohet nga aktet e dhunës. Gazi lotsjellës është përdorur para parlamentit pasi sulmi ka qenë me intensitet të lartë para punonjësve të policisë”, tha ai.

Këngëtarja Dua Lipa dhe Callum Turner drejt altarit? Zbardhen planet për dasmë në Liqenin e Como-s

By: E S
11 February 2026 at 22:22

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe aktori Callum Turner duket se po përgatiten për hapin e madh, një dasmë përrallore në Itali.

Ylli britanik i pop-it dhe partneri i saj janë parë së fundmi në një restorant në shoqërinë e planifikueses së njohur të dasmave, Alessandra Grillo, duke nxitur spekulime për një dasmë në pranverë.

Burime pranë çiftit thonë për mediat rozë se vendi i zgjedhur mund të jetë Cernobbio, pranë Liqenit të Como-s, një lokacion ideal për një ceremoni të paharrueshme. Shpesh herë Dua Lipa udhëton në Itali për pushime.

Alessandra Grillo ka organizuar më parë dasma të famshme të personazheve si Fedez dhe Chiara Ferragni, modeles Alena Seredova dhe sipërmarrësit Alessandro Nasi. Prania e saj pranë Dua Lipës dhe Callum Turner ngre pritshmëritë për një event luksoz dhe të paharrueshëm.

Teksa ka kaluar një vit që nga fejesa e tyre zyrtare, duket se çifti po afrohet me realizimin e ëndrrës së tyre për martesën.

36 mln lekë për një traktor me subvencion, zbulohet mashtrimi me fondet e bujqësisë në Korçë

By: E S
11 February 2026 at 22:13

Në 26 janar emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi problemin e zotit Xhuma Halimllari nga Korça, që ushtron aktivitet në shitjen e fidanëve.

Në përpjekje për të blerë një traktor, aplikoi pranë AZHBR për subvencion, por aplikimi iu refuzua. Përmes një miku të përbashkët, ai u njoh me shtetasen Rediana Hysaj, e cila iu prezantua si punonjëse e AZHBR-së.

Mes tyre u lidh një kontratë konsulence, ku Xhuma Halimllari pagoi 36 milionë lekë të vjetra. Por subvencioni nuk u realizua, traktori nuk u ble dhe paratë nuk u kthyen. Kjo situatë zgjati rreth 5 vjet.

Nga verifikimet pranë AZHBR, rezulton, se Rediana Hysaj nuk ka qenë asnjëherë punonjëse e këtij institucioni dhe se nuk ka pasur asnjë aplikim të dytë pas refuzimit fillestar të Xhuma Halimllarit.Në bisedat e zhvilluara mes Rediana Hysajt dhe bashkëshortes së qytetarit, Rediana pranoi detyrimin financiar dhe premtoi kthimin e parave.

Por kjo nuk ndodhi. E kontaktuar në telefon, Rediana deklaroi, se nuk e ushtron më profesionin.Pas gjithë këtyre përpjekjeve, Rediana Hysaj kontaktoi djalin e Xhuma Halimllarit, duke premtuar kthimin e parave.

E në fakt pas transmetimit, qytetari na kontaktoi, për të na njoftuar, se mori 32 mijë eurot, që i kishte dhënë Rediana Hysajt.

“Mbas transmetimit të emisionit, unë kam marrë lekët. 32 mijë euro kam marrë. Falenderime emisionit “Stop”, sepse në rast se nuk do ishte emisioni Stop, unë ato lekë nuk do t’i kisha marrë kurrë. Jam mirënjohës karshi emisionit “Stop” dhe gazetarëve të Stopit”, tha Xhuma Halimllari.

Nga Konjufca te Gërvalla e Maqedonci, Albin Kurti prezanton kabinetin e ri qeveritar në Kosovë

By: E S
11 February 2026 at 22:05

Albin Kurti ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës kabinetin e ri qeveritar, teksa pritet edhe votimi i qeverisë së re në Parlament.

Kabineti i ri i propozuar nga Albin Kurti për qeverinë ‘Kurti 3’:

Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Jashtëm – Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministër i dytë dhe Ministre e Drejtësisë – Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministri i tretë për çështje të pakicave – Fikrim Damka

Ministër i Financave – Hekuran Murati

Ministër për Familje – Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes – Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme – Xhelal Sveçla

Administratës Publike dhe Digjitalizimit – Lulzon Jaxhiu

Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia

Ministër i Arsimit – Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës – Saranda Bogujevci

Ministër i Sportit – Blerim Gashani

Ministër Administrimit të Pushtetit Lokal – Elbert Krasniqi

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë – Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës – Dimal Basha

Ministre e Tregtisë – Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomiksë – Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim – Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal – Rasim Demiri

Salianji kritik ndaj Berishës: S’protestohet me fishekzjarre! Duhet të tregojnë mesazhin e vërtetë të protestës

By: E S
11 February 2026 at 21:57

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salinji u shpreh kritik ndaj lidershipit të selisë blu, teksa shtroi pyetjen se cila është arsyeja që po mban protestat kombëtare.

I ftuar në emisionin “Oponencë” në News 24, ish deputeti theksoi se strategjia që po ndjek PD është e gabuar, duke shtuar se do të duhej të kishte dalë në shesh që në muajin maj, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, dhe jo në janar.

Salianji thotë se është e papranueshme që sot të flitet për molotovët, ndërkohë që PD do të duhej që të komentonte sulmet e vazhdueshme të kryeministrit ndaj drejtësisë, lidhur me çështjen e Belinda Ballukut.

“Jam krenar për çdo protestues që del në shesh kundër qeverisë. Nga ana tjetër mua s’më vjen mirë, prandaj kam nisur një lëvizje s lidershipi i PD nuk është i qartë në atë që kërkon. Këtë që po thoni sot, fatkeqësisht, shpresoj të mos jetë e qëllimshme, i shërben Edi Ramës. Sepse PD duhet të bënte ose revoltë pa fjalime dhe të linte qytetarët vetë ose duhet të flitej sepse sot nga diskutimi që Rama i bën drejtësisë, flasim për molotovë. E patë që ndërkohë që ndodhi kjo, shumë njerëz e ndjejnë te vetja e vet si formë reagimi revoltën nga shtëpia se si po na vjedhin. Sot lidershipi i PD pasi tha për 3 muaj se me Ramën nuk ulemi më, ishte palë që përfaqësuesi i PD dhe i PS ishin këtu të dy ngjitur. Nuk është me buton revolta.”, u shpreh ai.

Ai u shpreh kritik ndaj PD, teksa tha se do të duhet të sqarojë se cili është mesazhi që kërkon të përcjellë partia me këtë protestë. Ai tha se drejtuesit e PD nuk duhet të protestojnë me fishekzjarre, pasi këta të fundit përdoren për raste gëzimi, ndërkohë që qytetarët vidhen çdo ditë.

“Kur PD, në këtë rast, po jep zë dhe mundësi qytetarëve që të shprehen, nuk mund të tërhiqen. Nuk jam as për fishekzjarre. Ça kemi për fishekzjarrë ngaqë shpëtoi Balluku. Ca gëzimi kemi ne se po na vjedhin. Ky termi kilometri i fundit, lidershipi i PD është në gabim. Lëvizja që po zhvilloj unë ka bërë që PD të dalë në revoltë. Ku ka kauzë më të rëndësishme për një vend që zyrtarisht PD dhe raporti i OSBE OIDHR janë vetë zgjedhjet. Ne duhet të dilnim në maj për të reaguar, por dalim në janar. Cili është mesazhi që ka kjo protestë? Kërkojani drejtuesve të partisë. A kishte një mesazh, ai ishte protestë kundër zgjedhjes së zgjedhjeve, kthimit së parlamentit në skandal, kundër vendimmarrjes së GJK, për të mbrojtur SPAK, për të larguar Edi Ramën? T’i vendosim një kokë protestës dhe të jetë një kokë serioze.”, u shpreh Salianji.

Kuvendi i Kosovës mblidhet për formimin e qeverisë së re, Kurti: Barazimi i drejtuesve të UÇK-së me regjimin e Millosheviçit, i papranueshëm

By: E S
11 February 2026 at 21:49

Në Kosovë po mbahet seanca për votimin e Qeverisë së re të Kosovës, pasi Presidentja Vjosa Osmani mandatoi Albin Kurtin për formimin e Qeverisë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kurti foli edhe për gjyqin në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Kurti tha se është e papranueshme që të barazohen drejtuesit e UÇK-së me regjimin e Millosheviçit.

Më pas Kurti ka vijuar me prezantimin e programit të tij qeverisës për Kosovën, për 4 vitet e ardhshme.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Më lejoni që t’ju përgëzoj të gjithëve për konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së 10-të. Këto ditë po zhvillohen seancat e fundit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Kërkesa për 45 vite burgim për secalin, ku përfshihen pretendimet për krime kundër njerëzimit, është orvatie që bie ndesh me të vërtetën. Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit dhe ato i ka kryer regjimi i Millosheviçit. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe të një regjimi genocidal është i papranueshëm”, tha mes të tjerash Kurti.

“Qëllimi i Berishës është të ruajë monopolin e opozitës”, juristi: Mjeti i një partie nuk duhet të jetë dhuna!

By: E S
11 February 2026 at 21:41

“Një opozitë e dhunshme nuk fiton kurrë”, kështu u shpreh juristi Rezart Kthupi në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News.

Gjatë intervistës, ai theksoi se dhuna nuk mund të jetë mjet i një partie politike.

“Asnjë protestë politikë nuk ka sjellë plotësimin e kërkesave politike. Pra cili është qëllimi i protestës? A ka vërtet qëllimin që të realizojë qeverinë teknike? Unë them që jo. Qëllimi i Berishës është të ruajë monopolin e opozitës. Perceptimi që të lë protesta është që ishte një protestë e dhunshme. Dhe në këndvështrim të qytetarit dhe faktorit ndërkombëtar nuk fiton kurrë një protestë e dhunshme sado e korruptuar të jetë qeveria. PD po përpiqet të fusë të gjithë opozitën në të njëjtin thes”, tha Kthupi.

Vjosa Osmani mandaton Albin Kurtin për formimin e qeverisë së re, ja mesazhi i Presidentes së Kosovës

By: E S
11 February 2026 at 20:57

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka dhënë Albin Kurtit mandatin për formimin e qeverisë së re. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale Osmani i uron Kurtit suksese në qeverinë e re.

“Sot, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, kam caktuar Kryeministrin Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. I uroj suksese në udhëheqjen e Qeverisë së re dhe punë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ju priftë e mbara!”, shkruan Osmani në rrjetet sociale.

Sot në mbrëmje pritet të mbahet një tjetër seancë në Kuvendin e Kosovës për formimin e qeverisë së re.

Kuvendi është konstitutar të mërkurën në një seancë në të cilën Albulena Haxhiu është zgjedhur kryeparlamentare.

Era e fortë shkëput rimorkion nga kamioni, bllokohet qarkullimi në aksin Korçë-Kapshticë

By: E S
11 February 2026 at 20:49

Një incident ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në aksin Korçë-Kapshticë, ku era e fortë ka shkëputur rimorkion e një kamioni në lëvizje.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Belorta, ku sipas policisë, rimorkioja është shkëputur si pasojë e erës së fortë dhe ka goditur një mjet tjetër që po qarkullonte në rrugë.

Nga përplasja nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Si rezultat, aksi rrugor është bllokuar përkohësisht, vetëm në njërin sens.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat po punojnë për normalizimin e trafikut, ndërsa pritet ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës për largimin e rimorkios nga rruga dhe rikthimin e qarkullimit në normalitet.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së mbyll deklaratat: Hashim Thaçi duhet të shkojë në shtëpi

By: E S
11 February 2026 at 20:41

Avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kërkuar pafajësinë e plotë të tyre, gjatë deklaratave përmbyllëse në Dhomat Specializuara në Hagë. Në përfundim të deklaratës, avokati Lluka Mishetiç tha para trupit gjykues se është koha që Hashim Thaçi të lirohet dhe të kthehet pranë familjes së tij.

“Ky është një gjykim që ka zgjatur rreth tri vjet dhe është test për prokurorinë dhe Prokuroria ka dështuar prezumimi i pafajësisë së zotërit Thaçi mbetet është koha që Hashim Thaçi të shkojë në shtëpi. Ne u kërkojmë që të merrni aktgjykim që ta lironi atë nga akuzat”, tha ai, tha Lluka Mishetiç, avokat mbrojtës i Hashim Thaçit.

Mbrojtja e Thaçit kërkesën e ZPS-së për burgim prej 45 vjetësh për Hashim Thaçin e ka quajtur burgim të përjetshëm. Ai tha se ky parashtrim është i pabesueshëm.

“Ata kanë kërkuar 45 vite dënim, 6 dënim në mënyrë efektive, dënim i përjetshëm pika fillestare ZPS-së është që nuk ka faktor zbutës në këtë çështje ky është një parashtrim i pabesueshëm nga një zyrë që e di që në Dhomat e Specializuara të Kosvës dhe ZPS nuk do të ekzistonin po të mos ishin për të akuzuarin. Kjo është parashtrim i pabesueshëm”.

“Nuk ka asnjë fakt dhe asnjë pretendim ku thuhet se Thaçi dinte për krimet në Jabllanicë ndërkohë që Haradinaj ishte pjesë e Zonës ku pretendohet se kanë ndodhur këto krime por ndërkohë nuk kemi asnjë akuzë për anëtarësim të tij në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale”, tha Mishetiq. Përveç kësaj, Mishetiq tha Prokuroria nuk ka provuar asnjë prej elementeve të përgjegjësisë komanduese që mund ta bënte Thaçin përgjegjës. Duke folur për përgjegjësinë penale ndaj Thaçit, përkatësisht të asaj që Prokuroria e cilëson si Ndërmarrje e Përbashkët kriminale, Mishetiq tha se “qëllimi kriminal i përbashkët nuk ka ekzistuar nuk ka pasur kurrë një plan kriminal për të nënshtruar kontroll në gjithë Kosovën përmes kryerjes së krimeve që paraqiten në aktakuzë”, u shpreh Lluka Mishetiç, avokat mbrojtës i Hashim Thaçit.

Pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në fjalën përfundimtare ka folur edhe avokatja tjetër e ish-krerëve të UÇK, Nina Tavakoli e cila tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është bindëse dhe nuk ka pikë prove për argumentet e veta, raporton KosovaPress. Ajo para trupit gjykues ngriti pikëpyetje në atë se si mundet një person që u pajtua për demilitarizimin e UÇK-së, punoi me UNMIKU-un dhe pranoi humbjet e zgjedhjet në vitin 2001 të duket se mundohej të kishte kontroll mbi Kosovën.

“Si është e mundur që një burrë që pajtohet ta demilitarizojë UÇK-në, që punon në mënyrë konstruktive me UNMIK-un pas luftës, dhe i cili më pas në tetor të 2000-shit dhe në nëntor të 2001-shit pranoi humbjet në zgjedhjet demokratike dhe vazhdoi të punonte fort deri sa i fitoi zgjedhjet në vitin 2007, si mundet që një person i tillë të të duket që po mundohej të kishte kontroll dhe të fitonte kontroll mbi Kosovën. Ne themi se ky nuk është rasti dhe mendojmë se ZPS nuk është bindëse në atë që thotë dhe nuk ka pikë dëshmie dhe prove për argumentet e veta”, tha Nina Tavakoli, avokat mbrojtës i Hashim Thaçit.

Ajo më tej ka theksuar se Prokuroria nuk ka vërtetuar se Thaçi e ka përdorur Qeverinë e Përkohshme për të realizuar planin e përbashkët kriminal të pretenduar.

“ZPS nuk ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Thaçi ka përdorur Qeverinë e Përkohshme që të realizonte planin e përbashkët kriminal të pretenduar”, tha Nina Tavakoli, avokat mbrojtës i Hashim Thaçit.

Mbrojtësi i Veselit po vazhdon fjalën përfundimtare, duke insistuar se ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë për përfshirje në krime, por theksoi se “kemi ngelur në duart e thashethemeve”. Ai tha se emri i Veselit përmendet 260 herë në dosjen e Prokurorisë, por në asnjë rast emri nuk i përmendet në një kontekst që ka element kriminal.Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. Prokuroria, e cila tashmë i ka thënë të gjitha, ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar, ndërsa ekipi për mbrojtjen e viktimave ka bërë thirrje që në vendim të dëgjohet zëri i tyre. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

Goditet grupi i strukturuar kriminal në Elbasan, 3 në pranga, plagoset lehtë një polic gjatë operacionit

By: E S
11 February 2026 at 20:30

Një operacion i mirëorganizuar i zhvilluar në orët e vona të natës së kaluar ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Aksioni është realizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Si rezultat i ndërhyrjes, tre persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa në automjetin me të cilin ata lëviznin janë sekuestruar të paktën 45 kilogramë kanabis sativa, një armë luftarake, municion, një sasi e konsiderueshme parash, si dhe disa telefona celularë me karta SIM shqiptare dhe të huaja.

Sipas burimeve policore, operacioni është shoqëruar me ndjekjen e automjetit që dyshohej se transportonte lëndën narkotike. Në hyrje të qytetit të Elbasanit, drejtuesi i mjetit ka kuptuar se po ndiqej nga forcat e rendit dhe ka tentuar të largohej me shpejtësi, duke u futur në një rrugë të pandriçuar në një lagje periferike.

Policia ka rrethuar zonën dhe ka bërë të mundur neutralizimin e automjetit, duke vënë në pranga tre personat që ndodheshin brenda tij.

Gjatë operacionit, një punonjës policie ka mbetur i plagosur aksidentalisht si pasojë e thyerjes së një xhami, por pa rrezik për jetën.

Hetimet vijojnë intensivisht, pasi dyshohet se grupi kriminal e ka shtrirë aktivitetin e tij prej kohësh në të paktën tre qarqe të vendit. Strukturat hetimore po punojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës.

Ky operacion konsiderohet një tjetër goditje e fortë ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vend.

Protestat dështojnë sepse urrejtja e Sali Berishës nuk është ajo e shqiptarëve

11 February 2026 at 20:22

Nga Carlo Bollino

Fraza më zbavitëse brenda fjalimit të zakonshëm dhe monoton që Sali Berisha mbajti në protestën e së martës në mbrëmje, ishte ajo për grushtin e shtetit. “Përpjekja e parë për grusht shteti ka dështuar – tha ai – dhe tani, falë jush, ka dështuar edhe përpjekja e dytë për grusht shteti”. Dhe në fakt, Edi Rama është ende në vendin e tij, do të vinte natyrshëm të shtohej. Por gjëja komike është se Berisha nuk i referohej përpjekjes së tij për ta rrëzuar Ramën nga pushteti, por një grushti shteti tjeter që, sipas tij, do ta kishte tentuar vetë Edi Rama. Por kundër kujt? Të kërkosh logjikë në ato që thotë Berisha është njësoj si të mendosh të notosh në shkretëtirë. Ndërsa të gjithë bashkëmoshatarët e tij në Ballkan dhe në pjesën tjetër të Europës janë në pension, Sali Berisha, me delirin e tij, këmbëngul të mbajë peng opozitën, duke u ankuar madje se qeveria socialiste nuk bie. Dhe nuk e di (ose bën sikur nuk e di) se, nëse nuk bie, kjo ndodh mbi të gjitha falë tij.

Pamjet nga droni tregojnë qartë se numri i militantëve të mbledhur të martën në mbrëmje në bulevard ka rënë të paktën me një të tretën krahasuar me dy javë më parë. Nëse në protestën e parë Ramës i kishte mbetur vetëm një kilometër, tani kilometrat në dispozicion të tij janë bërë dy. Një protestë që zbrazet në vend që të rritet, është një sinjal shumë negativ për Sali Berishën dhe partinë e tij. Por në mungesën e plotë të logjikës që vazhdon të frymëzojë veprimtarinë e tyre, nuk duket se kjo shqetëson askënd. Do t’u mjaftonte të sillnin në mendje se protestat e Lulzim Bashës ishin shumë më të mbushura se këto që organizon sot Sali Berisha, dhe megjithatë nuk mjaftuan as për të rrëzuar qeverinë, as për të fituar zgjedhjet.

E kuptoj frustrimin e një opozite që prej 12 vitesh humbet vazhdimisht dhe beson se të bërtasë në rrugë është e vetmja gjë që i ka mbetur. Por përpara se të bërtasë, duhet të pyesë veten pse është gjithnjë e më e vetmuar në këtë gjest ekstrem. A beson vërtet se opinioni publik shqiptar, i rrethuar nga dhjetëra televizione, qindra faqe interneti, mijëra blogerë dhe analistë të rrjeteve sociale, nuk është mjaftueshëm i informuar për të kuptuar çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon në vend? Shqiptarët dinë gjithçka shumë mirë!! Problemi është se zhgënjimi ndaj qeverisë Rama, edhe pse ekziston, nuk është aq i madh sa t’i shtyjë të zhgënjyerit të zgjedhin Sali Berishën. Sepse shumica dërrmuese e vendit e konsideron Berishën dhe grupin ekstremist që e rrethon si më të këqij se Rama dhe ministrat e tij.

Nëse shumë shqiptarët nuk aprovojnë mbrojtjen parimore të Belinda Ballukut (e cila thjesht duhet të japë dorëheqjen, siç kanë bërë shumë ministra të tjerë para saj, pa e shndërruar këtë çështje në një psikodramë), askush nuk është dakord me reagimin e sulmit ndaj policëve me bomba molotov apo përpjekjen për të djegur Kryeministrinë me fishekzjarre. Zemërimi dhe urrejtja që ushqejnë Sali Berisha dhe rrethi i tij ”magjik” nuk janë të njëjtat me ato të popullit.

Nëse populli do ta urrente qeverinë ashtu siç e urren Berisha, nëse do të ndihej vërtet i vjedhur në zgjedhje, ose nëse do të besonte se drejtohet nga një narkoshtet, atëherë do të dilte vetë në shesh pa pritur datat e PD-së, do të marshonte vetëm, do të protestonte me ditë dhe javë të tëra dhe në fund do të fitonte. Sepse vetëm protestat spontane me dhjetëra mijëra qytetarë janë uragani i vërtetë që mund ta kërcënojë Edi Ramën, jo “uragani” i rremë i militantëve të paguar me orë që Sali Berisha thërret çdo dy javë. E aq më pak konferencat e tij të pafundme për shtyp, të thirrura çdo ditë sikur të kishte ndonjë lajm të madh për të shpallur, por që në fakt janë gjithmonë të njëjtat gënjeshtra që përsërit prej dhjetë vitesh, sepse Sali Berisha nuk është në gjendje të rinovohet as në shpifjet e tij.

Protestat partiake nuk kanë rrëzuar kurrë asnjë qeveri, siç e dëshmon historia tragjike e 21 janarit, dhe këtë Sali Berisha e di shumë mirë. Prandaj është e qartë se për të protesta është vetëm një mënyrë për të ekzistuar, një instrument për të mbijetuar politikisht. Por a është e drejtë që mbijetesa e tij politike të vërë në rrezik jetën e policëve?

Cinicizmi me të cilin Berisha përmbys akuzat, duke fajësuar policët pse janë mbrojtur nga bombat molotov të tij, është i turpshëm. Janë të turpshme gënjeshtrat se policët janë plagosur vetë. Është e turpshme shpikja se snajperët e policisë kanë qëlluar mbi kater demonstruesit, ashtu siç bënë dikur të tijtë. Ndërsa krenaria me të cilën mediat e tij, të financuara me para të pista, tregojnë jehonën e këtyre bombave molotov në mediat e huaja, në prag të sezonit turistik, është një akt thellësisht antikombëtar.

Që Berisha është gati për çdo kompromis në luftën e tij për të rimarrë pushtetin, kjo dihet. Por Shteti nuk mund t’i japë edhe një herë imunitet. Përpjekja e vetme për grusht shteti në Shqipërinë moderne është ajo e 14 shtatorit 1998, kur Berisha shkaktoi një kryengritje të armatosur, për të cilën parashikohet burgim i përjetshëm, por për të cilën SPAK-u nuk pati guximin të hetojë, duke pretenduar në mënyrë të rreme se vepra ishte parashkruar. Sot, hedhja e bombave molotov ndaj policëve nuk është më një protestë e zhurmshme: është një tentativë vrasjeje që nuk mund të mbetet pa u ndëshkuar.

Nëse Berisha vazhdon të gëzojë këtë imunitet të padurueshëm përballë çdo krimi të kryer në emër të etjes së tij për pushtet, atëherë askush nuk ka të drejtë të skandalizohet nëse Belinda Balluku nuk shkarkohet. E vetmja Drejtësi që meriton respekt, ne fakt, është ajo që është vërtet e barabartë për të gjithë.

“Koha të heqim çdo kërcënim”/ Mesazhe për dialog dhe ulje të tensioneve pas takimit Erdogan-Mitsotakis në Ankara

By: E S
11 February 2026 at 20:15

“Është koha për të hequr çdo kërcënim, formal dhe substancial, për marrëdhëniet tona. Nëse jo tani, kur?”, me këtë mesazh për dialog dhe ulje të tensioneve, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u takua sot në Ankara me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, në takimin e parë mes tyre pas një viti e gjysmë.

Takimi në Pallatin Presidencial zgjati rreth një orë e gjysmë dhe u zhvillua në një klimë pozitive, me të dyja palët që theksuan nevojën për vazhdimin e dialogut në kuadër të Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit mes Greqisë dhe Turqisë.

Gjatë bisedimeve u trajtuan marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet rajonale dhe çështje ndërkombëtare, ndërsa u nënshkruan në kuadër të Këshillit të 6-të të Lartë të Bashkëpunimit Greqi-Turqi, shtatë dokumente bashkëpunimi në fusha si kultura, kërkimi shkencor dhe teknologjia, përgatitja ndaj tërmeteve, bashkëpunimi ekonomik dhe investimet, si dhe hapja e një linje detare mes Selanikut dhe Izmirit.

“Jemi të vetëdijshëm se ka mosmarrëveshje të rëndësishme. Qëndrimi grek mbetet i qartë: përcaktimi i zonave detare, shelfit kontinental dhe Zonës Ekonomike Ekskluzive në Egje dhe Mesdheun Lindor, përbën të vetmin ndryshim që mund të zgjidhet mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare”, u shpreh Mitsotakis.

“Diskutuam edhe një herë hapur dhe sinqerisht qëndrimet tona në lidhje me Egjeun dhe Mesdheun Lindor. Ne kemi pohuar vazhdimisht se, ndërsa çështjet aktuale janë komplekse, ato nuk janë të pakapërcyeshme sipas ligjit ndërkombëtar. E tëra çfarë nevojitet është besimi i mirë, dialogu konstruktiv dhe vullneti për të gjetur një zgjidhje”, u shpreh presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan.

Në konferencën e përbashkët për shtyp nuk munguan edhe dallimet në qëndrime. Presidenti turk foli për “pakicë turke” në Trakën Perëndimore dhe shprehu pakënaqësi për përjashtimin e Turqisë nga iniciativat e mbrojtjes së Bashkimit Evropian.

Nga ana e tij, Mitsotakis theksoi se statusi i pakicave përcaktohet qartë nga Traktati i Lozanës, ndërsa nënvizoi nevojën për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, rifillimin e bisedimeve për Qipron dhe vazhdimin e dialogut mes dy vendeve.

Në deklaratën e përbashkët, të dy vendet u angazhuan për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me objektiv tregtar prej 10 miliardë dollarësh, për bashkëpunim në energji, transport, menaxhimin e migracionit dhe për forcimin e mekanizmave komunikimi, me qëllim shmangien e tensioneve dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon.

Njeriu që do të vrarët e tij

By: Mero Baze
11 February 2026 at 20:06

Nga Mero Baze

Ndërsa hynte dje në hollin e Spitalit Nënë Tereza të takonte disa nga protestuesit e trullosur nga gazi lotsjellës, Sali Berisha nuk e fshehte krenarinë që më në fund ai kishte të vrarët e tij përsëri.

Policët e plagosur ishin në të njëjtën dhomë, madje disa me plagë të rënda, ku u rrezikoheshin gjymtyrët e djegura me molotov, por ai nuk e ktheu kokën. Edhe pse ata bëjnë pjesë tek të vrarët e tij, ai nuk ndihet i plotësuar nëse nuk respekton një herë ata që janë gati të vriten për të.

Deputeti i Devollit Nallbati i shkoi shumë afër ëndrrës së tij, por për fat është mirë. Nuk dinte si ta shprehte atë që i thoshte koshienca e vet ndërsa po shkonte drejt dhomës ku ishte shtruar Nallbati dhe sa pa gazetarë bërtiti: “Azem, ti je gjallë”. I vetmi model që ka në mendjen e tij të sëmurë se si duhet të jenë ata që i shërbejnë atij është vdekja e Azemit. Por, falë Zotit, Nallbati është larg atij fati që Berisha ëndërron me vete.

Por më në fund i foli nënvetëdija e tij. Akuzoi Sokol Bizhgën se kishte vënë katër snajperë të vrisnin katër demonstrues. I duhen fiks katër të vrarë për të aq sa ka vrarë vetë për kundërshtarët e tij. Është një makth që s’i mbaron. I gjeti dhe emrat mes të cilëve dhe Dem Dollapin personazhin mistik te vrasja e Azemit. Nënvetëdija ia thirri prap në skenë. E çliroi disi një protestues me emrin Ilir. Herë ia thoshte mbiemrin Shtufi si ortak i djalit, herë-herë mbiemër tjetër. I donte të ishin qëlluar në ballë nga snajper me plumb gome, që edhe të qëllon në ballë dhe nuk të lë shenjë, por të lë budalla.

Të paktën kështu dukej nga ato që bashkëbisedonte me Berishën. Nga gjithë ato fjalë Berishës i ndizte trurin vetëm goditja në ballë. Dhe vazhdimisht përmendte: u qëllua me snajper në lule të ballit. Dhe ai ishte tanimë nga ata heronjtë e tij që edhe ishte qëlluar në ballë dhe s’kishte shenja dhe s’kishte gjak dhe e shihte veten në lapidar si hero i qëlluar në ballë.

Pastaj gjithë triumfalizëm doli nga spitali dhe u drejtua për në seli.

Gazetarët që ndoqën mitingun nxirrnin lajme se pjesëmarrja ishte sa 30 për qind e mitingut të mëparshëm, pra as 2 mijë vetë. Por Berishës nuk i bënte përshtypje. Ndryshe nga hera e kaluar, këtë herë kishte më shumë gjak, më shumë policë të djegur, rreth 15 prej tyre shumë rëndë. Më shumë të plagosur nga të vetët dhe, mbi të gjitha, një deputet i rrahur. Është pikërisht kjo që i duhet atij. Sa më pak popull, aq më shumë agresivitet dhe, lavdi Zotit, edhe ndonjë dëshmor.

Duhet që dikush të vritet domosdo prej tij ose për të. Është e vetmja mënyrë që mendon se merret seriozisht. Vetëm kur të ketë të vrarët e vet.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: Presim që Serbia të përcaktojë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë

By: E S
11 February 2026 at 19:58

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ia ka kujtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se aleanca ende po pret përcaktimin e përgjegjësisë për ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë vitit 2023.

“Unë personalisht, por edhe si përfaqësues i NATO-s, jam në kontakt të ngushtë me presidentin serb. Ende po presim nga ai përcaktimin e përgjegjësisë për atë që ndodhi në vitin 2023 në Banjskë dhe për ngjarje të tjera gjatë vitit 2023”, tha Rutte.

Kërkesë të ngjashme për përcaktimin e përgjegjësisë për Banjskën, sekretari Rutte bëri në fund të janarit.

Ai shtoi se NATO-ja, përmes misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, i ndjek me kujdes të gjitha zhvillimet në Kosovë.

Në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit duke vrarë një polic. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serb.

Politikani nga Kosova dhe biznesmeni Millan Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin, dhe prej atëherë ai ndodhet në Serbi, ku nuk është ndjekur penalisht deri më sot.

Kosova kërkon ekstradimin e tij, pasi Prokuroria Speciale veçse ka ngritur një aktakuzë për këtë rast dhe Radoiçiq është pjesë e aktakuzës.

Ndërkaq, sa i përket situatës në Bosnjë e Hercegovinë, ai ka përsëritur se nuk do të lejojë krijimin e një vakumi të sigurisë në këtë shtet.

Rutte këto deklarata i bëri në prag të takimit të paraparë të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, i cili do të mbahet të enjten, më 12 shkurt. Ministrat do të diskutojnë për mbështetjen ushtarake për Ukrainën, që po përballet me luftën e nisur nga Rusia pothuajse pesë vjet më parë.

“Presidenti rus, Vladimir Putini po përpiqet ta thyejë popullin e Ukrainës, duke shpresuar se do ta dobësojë vendosmërinë e tyre. Por, populli ukrainas ka treguar shumë herë se nuk do të thyhet”, ka theksuar Rutte.

Ndryshe, ky do të jetë takimi i dytë i ministrave në të cilin nuk marrin pjesë sekretarë nga Shtetet e Bashkuara.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes*, Pete Hegseth, në Bruksel ka dërguar zëvendësin e tij, Elbridge Colby. Në dhjetor të vitit të kaluar, në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të aleancës, po ashtu mungoi sekretari i shtetit Marko Rubio.

Sekretari Rutte, tha se nuk e sheh këtë si shenjë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë më të përkushtuara ndaj aleatëve.

“Nuk besoj aspak në këtë. Duhet të them se bisedat dhe kontaktet e mia me udhëheqjen e lartë amerikane, qoftë me Shtëpinë e Bardhë, Pentagonin apo Departamentin e Shtetit, janë po aq intensive sa gjithmonë. Këta njerëz veprojnë në mbarë botën. Natyrisht që NATO-ja është e rëndësishme, por ata gjithashtu duhet të veprojnë në hemisferën perëndimore dhe në Paqësor, prandaj e kuptoj plotësisht që ministrat më të lartë nuk mund të jenë gjithmonë këtu”, tha ai./REL

❌
❌