Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 January 2026Java News

VIDEO/ Tifozët grekë aksidentohen në Rumani – Humbin jetën 6 prej tyre, ishin nisur drejt Lionit

By: Os De
27 January 2026 at 15:55
Të paktën 6 persona kanë humbur jetën dhe 3 të tjerë janë plagosur pasi një aksidenti të rëndë në Timis të Rumanisë.

Mediat rumune raportojnë se një kamion u përplas me një furgon dhe si pasojë humbën jetën 6 pasagjerë të furgonit dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur. Sipas raportimeve Furgoni mbante 10 persona që ishin tifozë të ekipit grek PAOK dhe po udhëtonin nga Greqia në Francë.

Policia e Timiş njoftoi se kontrollet fillestare në vendngjarje tregojnë se shoferi i furgonit u përpoq të parakalonte. Në përpjekje për t’u kthyer në korsinë e tij, ai goditi një kamion dhe më pas u përplas me një kamion tjetër, i cili po udhëtonte në drejtim të kundërt.

Momenti i aksidentit:

 

VIDEOLAJM/Me fjalor ofendues, Klevis Balliu ‘mësyn’ në Gjykatën e Tiranës: S’e rr*aj unë!

By: Os De
27 January 2026 at 15:47

Një incident u regjistrua në hollin e Gjykatës së Tiranës ndërsa zhvillohej seanca për protestuesit e arrestuar pas protestës së dhunshme të PD. Një burrë u shoqërua nga Policia, pas avokatët e protestuesve pretendojnë se i provokoi.

Në këtë moment, shihet edhe deputeti Klevis Balliu që mësyn në derën e Gjykatës me fjalor ofendues dhe të papërshtatshëm drejt tij dhe e quan provokator. Policia e shoqëroi personin në fjalë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Rama në Izrael, në konferencën kundër antisemitizmit: Edhe sot test për njerëzimin, territori në Gaza thikë për hebrenjtë e palestinezët

By: Os De
27 January 2026 at 15:41

Një ditë pas adresimit para Parlamentit izraelit Knesset, Kryeministri Rama iu drejtua me një fjalim të veccantë Konferencës ndërkombëtare për Luftën Kundër Anti-Semitizmit, të mbajtur në Jerusalem. 

Në Ditën e Kujtesës së Holokaustit, kreu i qeverisë e ngriti edhe një herë lart shembullin dhe e shqiptarëve që në ditët më të errëta e shndërruan Shqipërinë në strehën e pakushtëzuar të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

“Kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë që nuk dorëzoi asnjë hebre dhe i vetmi ku, siç është thënë, popullsia hebre u rrit gjatë luftës. Ndërsa hebrenjtë po largoheshin nga vendet e tjera për t’i shpëtuar vdekjes, shumë prej tyre erdhën në Shqipëri për të shpëtuar jetën e tyre nën premtimin e Besës, fjalës sonë të shenjtë të nderit, një premtim që mbrohet me jetën vetë”, tha Rama. 

Kur antisemitizmi, ose urrejtja ndaj hebrenjve, ka filluar të ngrejë sërish krye, Shqipëria thotë kryeministri Rama vijon të jetë e palëkundur në mbrojtjen e jetës dhe vlerave në një kohë 

“Sot, antisemitizmi po rishfaqet sërish hapur dhe pa turp, shpesh i maskuar si kritikë politike, ankth kulturor ose, edhe më keq, si epërsi morale. Shpesh harrohet se urrejtja që nis me hebrenjtë nuk përfundon kurrë me hebrenjtë. 

Shqipëria qëndron fuqishëm kundër antisemitizmit, pa paqartësi dhe pa përjashtime, ashtu siç qëndrojmë kundër islamofobisë, racizmit dhe çdo ideologjie që i redukton qeniet njerëzore në objektiva”, tha Rama. 

Për luftën në Gaza, kryeministri Rama është i bindur se do të mbarojë vetëm atëherë kur palestinezët të çlirohen nga terrori i Hamasit. 

“Nuk duhet të humbasim nga sytë faktin shumë të qartë se terrori në Gaza funksionon si një thikë me dy tehe. Njëri teh është në fytin e popullit hebre; tjetri teh është në fytin e popullit palestinez. Dhe pikërisht për këtë arsye nuk mund të ketë paqe pa një udhëheqje palestineze të përkushtuar ndaj jetës së palestinezëve, jo ndaj vdekjes së izraelitëve”, tha Rama. 

Në Jerusalem Kryeministri Rama u prit në një takim të veçantë nga homologu izraelit, Netanjahu, ndërsa kulmin vizita zyrtare e arriti me fjalimin para parlamentit, ku mori mirënjohjen hebreje për miqësinë dhe sakrificën e shqiptarëve. 

 

Hoxha zbardh kasetën e “21 Janarit” që çoi në SPAK: Dëgjoje me veshët e tu kush e bëri vrasjen

By: Os De
27 January 2026 at 15:26

Gazetari Artan Hoxha ka folur për Euronews Albania, në edicionin informativ me Thimi Samarxhiun, rreth çështjes hetimore të 21 Janarit dhe dëshmisë së tij në SPAK. Hoxha ka thënë se ka dorëzuar origjinalin në SPAK, edhe pse, sipas tij, me një farë meraku, duke qenë se shpesh materialet janë zhdukur ose humbur. 

“Origjinalet nuk i kam dorëzuar për shkak të skepticizmit që kam unë, pasi kam konstatuar në jo pak raste që prova determinante janë harruar ose janë zhdukur diku dhe e kanë humbur vlerën. Meqenëse po aludohej në rastin konkret që kaseta të ishte jo origjinale, në fakt, mesa di unë, ajo nuk ka shkuar për ekspertim. Së pari, laboratori që kemi ne nuk eksperton kasetofonët e dikurshëm, do të thotë që nuk e kemi këtë teknologji, ndërsa inteligjenca artificiale ka hyrë në funksion vitet e fundit. Në rastin konkret ajo nuk është ekspertuar. Në momentin që unë mora dijeni se ajo e ka luajtur rolin e saj në çështje për të shkuar drejt zbardhjes së saj, ka një hetim të gjerë. Kaseta është hinka. Edhe këtë mundësi ia hoqa unë, dorëzova origjinalin. E kam verifikuar vetë. Vura në dijeni familjarët e Aleks Nikës dhe u thashë: ‘Ja, dëgjoje me veshët e tu se çfarë ka ndodhur’”, – tha Hoxha. 

Gjykata e Tiranës cakton masën “detyrim paraqitje” për 19 protestuesit e arrestuar

By: Os De
27 January 2026 at 15:23

Gjykata e Tiranës këtë të martë ka marrë vendimin për të caktuat masën “detyrim paraqitje” për 19 protestuesit e arrestuar gjatë protestës kombëtare të PD e cila u zhvilluar të shtunën. 

Prokuroria kishte kërkuar për 5 prej tyre “masën arrest në burg” dhe për 5 të tjerët “arrest në shtëpi”. 

 

Në BE, duhet integruar edhe politika

27 January 2026 at 15:11

Nga ARTUR AJAZI

Ngjarjet e viteve, muajve dhe ditëve të fundit, të forcojnë bindjen se, e para që duhet integruar në BE, duhet të jetë politika. Duhet të jenë ata që medemek, bëjnë politikë, nga selitë e partive, komisionet parlamentare, sallën e Parlamentit, takimet , fushatat, bulevardet, etj.

Sondazhet e fundit, e rendisin politikën në Shqiperi, si “më të prapambeturën në krahasim me homologët e tyre në Europë”. Dhe kjo për shumë arsye, që lidhen me trashëgiminë, pozicionin gjeografik, kushtet dhe mënyrën e jetesës gjatë sistemit komunist dhe pas tij, mentalitetin, shkollimin, formimin, etj. Në Shqipërinë e postdiktaturës, politikbërjen e nuk e kuptojnë si mision, detyrim, por si “angari”, si diçka që duhet bërë për të përmbushur interesa të ngushta, e shohin si mjet fitimi, abuzimi, vegjetimi.

Bashkimi Europian, nuk është thjesht një “treg ekonomik”, por një bashkësi shtetesh me interesa të përbashketa. Pa koordinim politik, çdo shtet do të vepronte më vehte, ndaj politikat e përbashkëta, ndihmojnë zhvillimin. Politika shqiptare, aktualisht ka mangësi të theksuara strukturore, krahasuar me atë europiane. Zbatimi i ligjit, institucionet e pavarura, ndikimi politik, kultura politike, debatet institucionale, toleranca dhe respekti për kundershtarin politik, janë disa prej kritereve në BE. Në Shqiperi kemi konflikt, polarizim dhe gjuhë të ashpër në politikë. Kjo ka sjellë uljen e besimit tek politika.

Dhuna e shfrenuar verbale dhe fizike në Parlament, nga një opozitë dekadente, e cila nuk ka shanse të reformohet dhe integrohet shpejt në BE, duket se ka rritur shqetesimin e faktorit nderkombetar. Po ashtu edhe dhuna në sheshe dhe bulevarde, ndaj uniformave të shtetit dhe institucioneve, mbetet shqetesim për monitoruesit europianë. Nga dyert e selive të partive, dalin udhëzime dhe nisma që përmirësojnë ose përkeqesojnë klimën politike. Mjafton të dëgjosh kreun e PD Sali Berisha, çfarë deklaron dhe paralajmeron para çdo proteste apo seance parlamentare, për të parashikuar se çfarë do të ngjasë.

Aktualisht jemi para një fakti ku grindjet politike (të nxitura artificialisht nga opozita) po emetojnë një klimë krizash, të cilat krijojnë një rrisk josistematik, riskun politik, i cili tremb investitorët e huaj dhe vendas, gjë, që bie në kundërshtim me objektivin e rritjes së investimeve. Mendoj se kjo  situatë e krijuar nga segmente të caktuara të politikes opozitare janë  një nga shkaqet kryesore të prishjes së  imazhit të vendit. Stabiliteti politik mbetet ndër kriteret kryesore të BE. Ndaj mbetet thelbësore nevoja e integrimit të politikës, jo për sfilatë, por si një prej faktorëve kryesorë që po mundësojnë shpejtimin  e anëtarësimit të vendit në BE.

 

 

Kryeministri i Finlandës viziton Kinën, thellim i bashkëpunimit praktik në sektorët e gjelbër dhe të inovacionit

By: A R
27 January 2026 at 15:02

Kryeministri i Finlandës Petteri Orpo po zhvillon një vizitë zyrtare në Kinë me ftesë të homologut kinez, Li Qiang. Kjo shënon vizitën e parë të një kryeministri finlandez në Kinë që nga viti 2017 dhe përbën një pjesë kyçe të vizitave të fundit intensive nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) në Kinë, duke u përqendruar në rritjen e besimit të ndërsjellë politik dhe përparimin e bashkëpunimit praktik në zhvillimin e gjelbër, inovacion dhe fusha të tjera.

Gjatë vizitës së tij katërditore që filloi të dielën, Orpo po udhëheq një delegacion drejtuesish nga mbi 20 ndërmarrje finlandeze që mbulojnë sektorët konkurrues të vendit, si makineritë, pylltaria, energjia e pastër dhe industria ushqimore.
Gjatë takimit që pati të martën me kryeministrin Orpo, presidenti kinez Xi Jinping i mirëpriti ndërmarrjet finlandeze që të “notojnë në oqeanin e gjerë të tregut kinez” për të rritur konkurrueshmërinë e tyre globale.
Xi u bëri thirrje të dyja palëve të thellojnë bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë në fusha të tilla si tranzicioni energjetik, ekonomia qarkulluese, bujqësia e pylltaria, si edhe risitë shkencore e teknologjike.

Kina e Evropa janë partnere, jo kundërshtare, tha Xi. Bashkëpunimi midis Kinës e Evropës është më i rëndësishëm se konkurrenca dhe baza e tyre e përbashkët është më e rëndësishme se dallimet, vuri në dukje ai, duke shtuar se Kina shpreson që Finlanda do të luajë një rol konstruktiv në promovimin e zhvillimit të shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-evropiane.
Ndërsa Orpo theksoi që vjet të dyja palët festuan së bashku 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Kompanitë finlandeze kanë një interes të fortë për të bashkëpunuar me Kinën. Finlanda është e gatshme të punojë me Kinën për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shtetit, për të mbajtur shkëmbimet e ngushta të nivelit të lartë, për të thelluar bashkëpunimin praktik në tregti, investime, ekonominë digjitale, energjinë e pastër, bujqësi e fusha të tjera dhe për të rritur mirëqenien e popujve të dy vendeve. Finlanda i përmbahet fuqimisht politikës së “një Kine”.

Të hënën u mbajt në Pekin Takimi i 6-të i Komitetit të Bashkëpunimit të Ndërmarrjeve Inovative Kinë-Finlandë, ku morën pjesë mbi 120 përfaqësues nga komunitetet e biznesit të të dy vendeve.

Shtatë betejat e fituara nga Berisha gjatë 13 viteve të revolucionit paqësor

27 January 2026 at 14:51

Nga Adriatik Doçi

Ç’është e vërteta, gjatë 13 viteve të revolucionit paqësor, karakterizuar nga vistër gënjeshtrash, protestash-synetlliqe, lobime, blofe dhe alibi, Sali Berisha ka fituar të paktën shtatë beteja të rëndësishme.

Së pari, ka fituar betejën kundër Lulzim Bashës, të cilin e emëroi vetë si administrator të partisë në korrik të vitit 2013, e rimandatoi në 2017 dhe mandej në 2021, gjithnjë duke vjedhur votat e rivalëve të tij, siç edhe ka deklaruar Edi Paloka.

Së dyti, ka fituar betejën me pasurinë. Kur doli në opozitë në 2013, kishte 10 pasuri të paluajtshme, me vlerë disa milionë euro, gjithnjë në emrin e familjarëve. Sot ka rreth 60 pasuri të paluajtshme, përfshirë 40 apartamente dhe vila, me vlerë dhjetëra milionë euro, pjesërisht e sekustruar nga SPAK si produkt i aferave korruptive.

Së treti, ka fituar betejën me paratë e pista. Për gjashtë milionë euro për të hequr damkën nongrata, 2-3 milionë euro për Latifin, miliona euro për foltoret I dhe II, protesta, fushata etj., nuk ka asnjë dokument justifikues dhe nuk i ka hyrë gjemb në këmbë.

Së katërti, ka fituar betejën me oligarkët. Të ashtuquajturit oligarkë, të cilët deri në dhjetor 2021 paguanin kuotat mujore tek kunati i Bashës, tashmë prej tre vitesh paguaj haraç një nga një tek Shkëlzeni, disa prej të cilëve edhe në rrugë banakre, pra me fatura.

Së pesti, po fiton betejën me Tik Lapajn dhe Ervin Salianjin, ndaj të parit me protesta si ajo e 24 janarit, ndërsa ndaj të dytit duke zbatuar nene që nuk ekzistojnë në statutin e partisë, por që mund të shtohen rrugës sipas rrethanave.

Së gjashti, ka fituar betejën për rreshtimin e grupit parlamentar të partisë. Në zgjedhjet e 11 majit 2025 bëri një listë humbëse, por me besnikë. Të bindurit i futi në listë të mbyllur. Të dyshimtët në det të hapur. Dhe kjo strategji po jept frytet e pritshme. Asnjë deputet i PD-së ‘nuk e luan bishtin’ dhe me sa duket as nuk kanë ndërmend t’a luajnë.

Së shtati, po fiton imunitet ndaj humbjeve. Për sa kohë Lulzim Basha ishte kryetar formal i partisë, barra humbjeve binte mbi të. Madje Lulit, duke i veshur fuqi që nuk e kishte, i faturoi edhe djegien e madateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale të 2019. Pas dëbimit të Bashës, ka humbur tre palë zgjedhje me të njëjtën alibi; zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 dhe zgjedhjet e pjeshme lokale të 9 nëntorit 2025. Justifikimi i vjedhjes së zgjedhjeve duket efektiv edhe në 2027, 2029, 2031…sa herë të ketë zgjedhje!

Media australiane rekomandon Shqipërinë: Ofron kuzhinë të larmishme dhe histori të pasur

By: A R
27 January 2026 at 14:43

Në një kohë që turistët synojnë të zgjerojnë horizontet e tyre të udhëtimit në vitin 2026, ekspertët australianë të udhëtimit rekomandojnë destinacione që kanë tërhequr vëmendjen dhe interesin e një numri në rritje vizitorësh, si Shqipëria.

E përditshmja australiane “9Travel” ka renditur destinacionet kryesore për t’u vizituar në vitin 2026, ku veç Shqipërisë rekomandohet edhe Sri Lanka, Meksika dhe Arabia Saudite.

Sipas ekspertëve të udhëtimeve, kjo perlë e Ballkanit vazhdon të jetë nën radarin e shumicës së turistëve australianë. Sipas tyre, çmimet e përballueshme dhe mikpritja e ngrohtë e vendit janë pikat kryesore pozitive.

Riviera Shqiptare është dukshëm më e lirë se vendet homologe të saj të Europës Perëndimore, me një kuzhinë të larmishme dhe një histori të pasur. Ndaj rekomandojnë të vizitohen qytete si Gjirokastra, Berati, vendet e lashta si Parku Arkeologjik i Apollonisë dhe Butrinti, por edhe bukuritë natyrore të Alpeve Shqiptare.

Një numër në rritje australianësh po udhëtojnë në periudhën shtator, tetor, maj, qershor, duke qenë se është më lirë, më freskët dhe destinacionet turistike janë më pak të populluara. Shqipëria gjatë vitit 2025 u vizitua nga 12 milionë e 466 mijë turistë të huaj.

Shkarkohet gjenerali më i lartë kinez, spastrime antikorrupsion apo luftë për pushtet?

By: A R
27 January 2026 at 14:35

Kina ka përjashtuar gjeneralin më të lartë të ushtrisë së saj, Zhang Youxia, si dhe një tjetër oficer të lartë, gjeneralin Liu Zhenli, duke ngjallur pikëpyetje serioze mbi arsyet e këtij konflikti në nivelet më të larta të ushtrisë dhe mbi ndikimin që kjo mund të ketë në kapacitetin luftarak të vendit, qoftë për ndonjë synim ndaj Tajvanit, apo për një konflikt të madh rajonal.

Zhang, 75 vjeç, ishte nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak (CMC), grupi i Partisë Komuniste të Kinës që drejtohet nga udhëheqësi i vendit Xi Jinping dhe kontrollon Forcat e Armatosura. Zakonisht, CMC përbëhet nga rreth shtatë anëtarë, por tani janë mbetur vetëm dy, Xi Jinping dhe gjenerali Zhang Shengmin. Të tjerët janë përjashtuar përmes fushatës “anti-korrupsion” pas valëve të mëparshme të arrestimeve. CMC ka kontroll mbi miliona ushtarë dhe ka aq pushtet saqë kur Deng Xiaoping ishte udhëheqësi suprem i vendit gjatë viteve 1980, ky ishte pozicioni i vetëm që ai mbante për pjesën më të madhe të kohës.

Sipas Lyle Morris nga Asia Society Policy Institute, situata është e paprecedentë: “PLA (Ushtria Çlirimtare e Popullit) është në kaos. Ushtria kineze tani ka një boshllëk të madh në udhëheqje”.

Shkaqet e vërteta të këtyre largimeve mbeten të paqarta. Ekspertët flasin për shumë spekulime: nga rrjedhja e sekreteve bërthamorë drejt SHBA-së, deri tek komploti për puç dhe përplasjet fraksionale brenda ushtrisë. Madje, ka thashetheme për një përleshje me armë në Pekin.

Njoftimi zyrtar thoshte se Zhang dhe Liu janë “nën hetim” për “shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit”, një eufemizëm për korrupsionin. Edhe editoriali i PLA Daily theksoi se veprimi tregon tolerancë zero ndaj korrupsionit, pa marrë parasysh pozicionin e individit. Megjithatë, disa analistë sugjerojnë se pas kësaj fshihet edhe politika e pushtetit. Xi Jinping është akuzuar se përdor fushatën anti-korrupsion për të eliminuar rivalë politikë ose zyrtarë që nuk tregojnë besnikëri të plotë ndaj tij. Kjo i ka dhënë atij kontroll të pakufizuar mbi vendin, një nivel që nuk shihej që nga kohët e Mao Ce Dunit.

Një atmosferë e tillë mund të ketë pasoja negative në ushtri, pasi krijon një klimë dyshimi dhe vendimmarrjeje të kujdesshme, madje të dobët. Humbja e Zhang, një nga pak oficerët me përvojë luftarake, është veçanërisht shqetësuese. Analistët paralajmërojnë se pasojat do të ndihen për vite.

Ky pastrim i niveleve të larta vjen në një moment kur Pekini po rrit presionin ndaj Tajvanit, duke kërcënuar me pushtim të plotë. Ndërsa fushata mund të mos frenojë ambiciet për kontrollin e ishullit, ajo mund të ndikojë në vendimet operative, duke i dhënë Xi më shumë fuqi mbi agresionin ushtarak. Sipas Chong Ja Ian nga Universiteti Kombëtar i Singaporit, ky largim gjeneralësh mund të ndikojë në vendimet operacionale dhe në Tajvan. “Largimi i gjeneralëve mund të mos ndalojë ambiciet e Kinës ndaj Tajvanit, por mund të ndikojë vendimet operacionale. Pa profesionistë ushtarakë ose me profesionistë të trembur, vendimet për eskalim dhe agresion do të varen edhe më shumë nga Xi dhe preferencat e tij”.

Danimarka dhe Suedia kundër Trump: Bojkotojmë Botërorin në SHBA! Polemika dhe në Gjermani

By: A R
27 January 2026 at 14:11

Zgjerohet fronti që kërkon të braktisë kompeticionin më të rëndësishëm futbollistik. Çështja ka përfshirë politikën, ndërsa në anën tjetër është linja e fortë e Washington-it mbi emigrimin, që u mohon pjesërisht tifozëve hyrjen në SHBA.

Botërori nuk ka qenë kurrë më parë kaq në rrezik. Nuk bëhet fjalë për kualifikimin e ndonjë ekipit të madh, problemi është politik. Gjithmonë e më shumë vende europiane po mendojnë ta bojkotojnë eventin e verës, pas zhvillimeve të fundit në raportet me SHBA-të.

Në krye të protestës është natyrisht Danimarka. Tentativat e Trump për të marrë Groenlandën (territor që i përket kurorës daneze) kanë irrituar opinionin publik. Në një sondazh të fundit të portalit “BT”, 90% e danezëve u shprehën pro bojkotit të Botërorit.

Çështja ka prekur edhe Suedinë, ku prej kohësh një pjesë e mirë e konsumatorëve refuzon të blejë mallra “Made in Usa”, si një përgjigje për qartësinë e munguar të pozicionit të Trump për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.

Diskutime të forta mbi Botërorin amerikan ka edhe në Gjermani. Zëvendëspresidenti i Federatës, Oke Göttlich, president i St.Pauli, klub i lagjes punëtore të Hamburgut, ka dalë hapur kundër. Ai gjithmonë ka qenë kundër modelit futboll-biznes.

Për “Hamburger Morgenpost”, Göttlich ka thënë se ka ardhur momenti për veprime konkrete të forta. Ky qëndrim është në linjë me kërkesat e tifozëve të St.Pauli, që së fundi i kanë bërë apel FIFA-s për të njohur Federatën e Futbollit të Groenlandës. Një gjest simbolik, që mund të përfaqësojë një “levë diplomatike” ndaj pretendimeve amerikane.

Iniciativa është mbështetur nga disa politikanë të Cdu, por është ndalur nga presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf, i cili kishte përkrahur protestën e kombëtares gjermane në Katar për të drejtat e njeriut.

Në mes janë edhe problemet që lidhen me faktorin e sigurisë. Sidomos pas imazheve të ditëve të fundit të Minneapolis, me 3 mijë agjentë të Ice të mobilizuar për operacionin anti-emigrim të kërkuar nga Trump. Nuk është ende e qartë se si qeveria amerikane do të administrojë fluksin e tifozëve nga shumë vende të botës që do të ndjekin Botërorin.

Muajt e fundit Washington-i ka pezulluar apo ndaluar vizat turistike për qytetarët e disa vendeve, mes tyre edhe të vendeve të kualiafikuara për në Botëror. Është rasti i Iranit. Po ashtu, nuk është e qartë se në çfarë mënyre do të aplikohet “Fifa pass” i propozuar nga Infantino për të lehtësuar hyrjen e tifozëve të çdo pasaporte.

Klima e rënduar ndërkombëtare, tensioni në rritje në SHBA dhe paqartësia në lidhje me vizat turistike rrezikojnë seriozisht të kompromentojnë shpirtin e vëllazërisë dhe universalitetit që ka qenë gjithmonë baza e Botërorëve. Ideja e kojkotit nga java në javë po fiton kuota.

Trupa të grumbulluara brenda një spitali e snajperistë mbi çati, pamje të reja nga Irani

By: A R
27 January 2026 at 14:03

Video të verifikuara që po dalin nga Irani tregojnë trupa të grumbulluara brenda një spitali, snajperistë të vendosur mbi ndërtesa dhe kamerat CCTV të shkatërruara, pas shtypjes së paprecedent1ë të protestave që filluan më herët këtë muaj.

BBC Verify ka ndjekur shpërndarjen e protestave në të gjithë Iranin që kur ato shpërthyen në fund të dhjetorit, por bllokimi pothuajse total i internetit i imponuar nga autoritetet e ka bërë shumë të vështirë dokumentimin e shkallës së represionit të dhunshëm shtetëror ndaj protestuesve.

Agjencia amerikane për të Drejtat e Njeriut, Human Rights Activists News Agency (HRANA), thotë se ka konfirmuar vdekjen e pothuajse 6,000 personave, përfshirë 5,633 protestues, që nga fillimi i trazirave në fund të dhjetorit. Agjencia gjithashtu po heton rreth 17,000 vdekje të tjera të raportuara, pavarësisht bllokimit të internetit pas gati tre javësh.

Një tjetër organizatë, Iran Human Rights (IHR) me bazë në Norvegji, ka paralajmëruar se numri përfundimtar i viktimave mund të tejkalojë 25,000 persona. Autoritetet iraniane deklaruan javën e kaluar se mbi 3,100 persona janë vrarë, por sipas tyre shumica ishin personel sigurie ose civilë të sulmuar nga demonstrues të dhunshëm.

Video të fundit të dala nga Irani mendohet të jenë xhiruar më 8 dhe 9 janar, kur mijëra njerëz dolën në rrugë pas një thirrjeje për protesta kombëtare nga Reza Pahlavi, djali i ish-Shehut të ndjerë. Këto janë konsideruar netët më të rënda për protestuesit deri tani, dhe videot e reja të verifikuara tregojnë mënyrën se si forcat e sigurisë iraniane po shtypin dhunshëm demonstratat.

Disa klipe të analizuara nga BBC Verify dhe BBC Persian tregojnë trupa të grumbulluara brenda një morgu në spitalin Tehranpars në lindje të Teheranit. BBC ka verifikuar vendndodhjen e spitalit duke krahasuar brendësinë me imazhe dhe video të tjera publike të ndërtesës dhe ka numëruar të paktën 31 trupa vetëm në një video. Një tjetër pamje tregon shtatë trupa të mbuluar me qese jashtë hyrjes së spitalit.

Qindra njerëz janë parë duke protestuar në një autostradë në perëndim të Teheranit në një video tjetër, para se të dëgjohet zhurmë e shumë fishekzjarresh dhe njerëzit të fillojnë të bërtasin nga frika.

Protestuesit janë parë gjithashtu duke u përpjekur të shmangin infrastrukturën e madhe të mbikëqyrjes duke çaktivizuar kamerat CCTV. Pamjet e verifikuara tregojnë një person në kryeqytet duke u ngjitur në një shtyllë dhe duke goditur disa herë një kamerë mbikëqyrëse, për ta çaktivizuar atë. Një turmë e madhe protestuesish shihet poshtë dhe dëgjohet duke brohoritur, ndërsa kamera dëmtohet.

BBC ka ndjekur përhapjen e protestave anti-qeveritare në 71 qytete dhe fshatra në Iran, edhe pse numri i vërtetë i vendeve ku kanë ndodhur demonstratat është shumë më i lartë. Në qytetin juglindor të Kermanit, një video e xhiruar nga një ndërtesë e lartë tregon disa burra të armatosur në uniforma ushtarake duke ecur në rrugë dhe duke qëlluar vazhdimisht me armë, megjithëse nuk është e qartë ndaj kujt po qëllonin.

Snajperistë janë parë gjithashtu mbi çatitë e ndërtesave. Në qytetin verilindor të Mashhadit, një video e verifikuar tregon dy burra të veshur me të zeza mbi çatinë e një ndërtese gjatë ditës. Njëri prej tyre qëndron pranë një arme të madhe të mbështetur në mur dhe flet në telefon, ndërsa tjetri ulet në dysheme dhe pi duhan.

Për shumicën e njerëzve ka pasur një bllokim pothuajse total të internetit që nga 8 janari, por disa kanë arritur të kenë qasje të shkurtër në internet duke përdorur metoda si interneti satelitor i SpaceX, Starlink, ose rrjete private virtuale (VPN). Më shumë video pritet të dalin në ditët në vijim, ndërsa ekonomia e vendit po përballet me vështirësi si pasojë e bllokimit të internetit.

Pezullimi i Ballukut / Sot pritej vendimi, por Kushtetuesja kërkon më shumë kohë

By: A R
27 January 2026 at 13:53

Gjykata Kushtetuese është mbledhur këtë të martë (27 janar) për çështjen “Balluku”. Trupa gjyqësore prej 8 gjyqtarësh ka diskutuar në mledhjen e sotme mbi ankimin e Këshillit të Ministrave për vendimin e GJKKO-së për pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, por ka vendosur të marrë më shumë kohë për vendimarrjen.

Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën publike për shqyrtimin e ankimit të Kryeministrit lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila ka vendosur pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Gjykata e Posaçme nuk mori pjesë në seancën publike, pasi argumentoi se nuk mundtë legjitimohej si palë në një gjykim kushtetues ku kërkues është Kryeministri.

Sipas GJKKO-së, pjesëmarrja e saj do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të gjyqësorit.

Ndërkohë Këshilli i Ministrave kërkon shpalljen si antikushtetues të vendimit të GJKKO-së. Përfaqësuesja e Këhsillit të Ministrave, deklaroi në seancën publike të mbajtur pesë ditë më parë në Kushtetuese, se GJKKO dhe SPAK pretendojnë se ankimi është i parregullt, pasi nuk janë shteruar shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, mungon legjitimimi i kërkuesit, për shkak se Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri nuk kanë interes personal, si dhe nuk ekziston një marrëdhënie juridike kushtetuese apo konflikt kompetencash.

Akuzat për protestën, Balla i kujton opozitës 8 Janarin: Krahu i Berishës me çekiçë, ai i Bashës me gaz lotsjellës

By: A R
27 January 2026 at 13:48

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të opozitës për dhunë ndaj protestuesve në tubimin e 24 janarit, duke i kujtuar ngjarjet e 8 janarit.

Ai solli në vëmendje njoftimin e Policisë së Shtetit pas asaj ngjarjeje, ku u raportua se 34 persona u arrestuan për dhunë.

Duke mbrojtur veprimet e Policisë, ai theksoi se meriton respekt për detyrën e kryer në mbrojtje të institucioneve.

Gjatë muajve janar mirë është të mos përdorni fjalën protestë dhe dhunë se çdo shqiptari i vjen në memorie 8 janari i 2022, ku disa prej jush në këtë sallë luftonin kundër disa prej jush në këtë sallë. Kujtoj më pas njoftimin e Policisë që u arrestuan 34 qytetarë për dhunë, 18 të krahut të Sali Berishës, 16 të Lulzim Bashës. Krahu i Sali Berishës akuzohej se kishin përdorur varre, shkallë, leva, çekiçë, trapanë. Nga krahu i Lulzim Bashës është përdorur gaz lotsjellës, thuhej në atë njoftim. Policia e Shtetit meriton respekt për detyrën që ka bërë  për të mbrojtur institucionet”, theksoi Balla.

Firmoset “nëna e të gjitha marrëveshjeve”, Bashkimi Europian dhe India përmbyllin paktin e madh tregtar

By: A R
27 January 2026 at 13:38

Është pagëzuar si “nëna e të gjitha marrëveshjeve”. Bashkimi Europian dhe India kanë firmosur paktin historik duke krijuar një treg me 2 miliardë njerëz. Ky zhvillim vjen pas gati dy dekadash bisedimesh me ndërprerje, ndërsa të dyja palët synojnë të thellojnë lidhjet mes tensioneve me SHBA-në.

“India ka arritur marrëveshjen më të madhe të tregtisë së lirë në historinë e saj. Miq, së bashku me këtë Marrëveshje të Tregtisë së Lirë, ne po krijojmë gjithashtu një kornizë të re për lëvizshmërinë. Kjo do të krijojë mundësi të reja për studentët, punëtorët dhe profesionistët e Indisë në Bashkimin Europian. Sot po shohim shumë trazira në rendin global. Në një kohë të tillë, partneriteti midis Indisë dhe BE-së do të forcojë stabilitetin në sistemet ndërkombëtare”, tha Narendra Modi, Kryeministër i Indisë.

“Në një kohë kur rendi global po riformësohet në themel, Bashkimi Europian dhe India qëndrojnë së bashku si partnerë strategjikë dhe të besueshëm. Sot po e çojmë partneritetin tonë në një nivel tjetër. Si dy demokracitë më të mëdha në botë, po punojmë krah për krah për të ofruar përfitime konkrete për qytetarët tanë dhe për të formësuar një rend global elastik që mbështet paqen dhe stabilitetin, rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, tha Antonio Costa, President i Këshillit të BE.

“Mik i nderuar, ia dolëm. Ne realizuam marrëveshjen më të mirë. Po krijojmë një treg prej 2 miliardë njerëzish. Dhe kjo është historia e dy gjigantëve, ekonomisë së dytë dhe të katërt më të madhe në botë, dy gjigantëve që zgjedhin partneritetin në një mënyrë të vërtetë fitimprurëse për të dyja palët”, tha Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian.

Marrëveshja do të lejojë tregtinë e lirë të mallrave midis bllokut të 27 shteteve europiane dhe vendit më të populluar në botë, të cilët së bashku përbëjnë gati 25% të produktit të brendshëm bruto global. Pakti pritet të ulë ndjeshëm tarifat dhe të zgjerojë aksesin në treg për të dyja palët. Marrëveshja vjen disa ditë pasi BE nënshkroi një pakt të rëndësishëm me bllokun e Amerikës së Jugut Mercosur, pas marrëveshjeve të vitit të kaluar me Indonezinë, Meksikën dhe Zvicrën. Gjatë së njëjtës periudhë, Nju Delhi finalizoi paktet me Britaninë, Zelandën e Re dhe Omanin.

Berisha në Strasburg: Narkoshteti i Ramaduros rrezikon sigurinë e Europës

By: A R
27 January 2026 at 13:26

Gjatë debatit në grupin parlamentar të EPP-së në Strasburg mbi zgjedhjet në Shqipëri dhe raportin për ‘terapinë konvertuese’, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha paraqiti situatën në Shqipëri, si një rrezik serioz për sigurinë e Europës, duke e cilësuar atë si ‘narkoshtet’ të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Berisha u shpreh se, kartele të drogës, të lidhura drejtpërdrejt me Ramën, dominojnë tregjet e drogës në Europë dhe se Shqipëria është kthyer në një qendër të madhe të pastrimit të parave përmes ndërtimeve dhe resorteve turistike.

Në një debat tjetër, kryedemokrati Sali Berisha kritikoi ashpër raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, duke e cilësuar atë si një praktikë çnjerëzore dhe agresion ndaj fëmijëve. Ai u shpreh se, në Shqipëri, në kopshte dhe shkolla fillore, po përdoren materiale mësimore që synojnë manipulimin e fëmijëve drejt ndryshimit të gjinisë, duke e lidhur këtë me atë që e quajti propagandë e ekstremit të majtë dhe ndikim të George Sorosit.

Sipas kryetarit të PD-së, kjo qasje synon vendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë në Shqipëri dhe më gjerë. Ai theksoi se, ndonëse debatet mbi këtë çështje ishin të ndara, në audiencë pati rezerva të mëdha ndaj raportit, i cili sipas tij tentonte të legjitimonte ‘terapinë konvertuese’ ndaj fëmijëve.

Fjala e plotë e kryetarit të PD-së Sali Berisha:

Dje gjatë ditës në debatin e zhvilluar në grupin parlamentar të EPP-së për zgjedhjet në Shqipëri dhe raportin e ‘Terapisë konvertuese’ paraqita para audiencës rrezikun e madh që përfaqëson narkoshteti shqiptar më në krye Edi Rama apo siç quhet rëndom Ramaduro apo Noriega i Europës për sigurinë e vendeve të rajonit dhe vendeve të Europës.

Në fjalën time, paraqita dominimin e tregut të drogës në Europës, marijuanës, heroinës, kokainës nga kartelet e drogës të lidhura direkt me Edi Ramën, të komanduara direkt prej tij, i cili e ka shndërruar Shqipërinë në një parajsë të larjes së parave të tyre, në qindra kulla, ndërtesa, resorte turistike.

Shpreha kërkesën që vendet anëtare të Këshillit të Europës, parlamentet e këtyre vendeve të ngrenë zërin e tyre ndaj këtij rreziku serioz që u vjen nga një vend i vogël i cili ka të gjitha potencialet e mëdha të zhvillimit dhe e ka zhytur regjimi në drogë, vetëm për qëllime elektorale.

Po kështu, tek rreziku i madh që përfaqëson Shqipëria, u ndala tek AKSHI, kopshti familjar i Edi Ramës, në të cilin koordinatori kryesor i karteleve të drogës me anëtarët e familjes Rama, kanë plaçkitur qindra e qindra milionë euro. Por mbi të gjitha Ergys Agasi ka eksportuar të gjitha të dhënat e internetit që ekzistojnë në Shqipëri, tek klanet kriminale dhe armiqtë e NATO-s dhe kjo është një rrezik i madh që Shqipëria shpërndan në rajon dhe Europë.

Mirëkuptimi ishte i plotë nga audienca.

Përveç kësaj mora fjalën në debatin që u zhvillua për raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, terapinë ç’njerëzore, një agresion i vërtetë që bëhet ndaj fëmijëve për të ndryshuar gjinitë.

Ftova të pranishmit që të vijnë në Shqipëri, të shohin pasojat e rënda të transformimit të Shqipërisë në republikën e Xhorxh Soros apo në kopshtin e lulëzuar të këtij të fundit, ku fëmijëve në kopsht dhe në shkolla fillore, u jepen tekste, figurina dhe objekte mësimore për t’i manipuluar në drejtim të ndryshimit të gjinisë.

Theksova se, kjo propagandë është propaganda e ekstremit të majtë që synon rivendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë e botë.

Debatet për këtë çështje natyrisht nuk ishin të njëjta, por në tërësi u shprehën rezerva shumë të mëdha për raportin i cili në një farë mënyre kërkonte të legjitimonte ‘terapinë konvertuese’ ndaj fëmijëve për ndryshim gjinie.

Ishte emëruar në mënyrë të paligjshme, Prokurorja amerikane largohet nga detyra

By: A R
27 January 2026 at 13:18

Prokurorja Lindsey Halligan në SHBA është larguar nga Zyra e Prokurorit të Shteteve të Bashkuara në Distriktin Lindor të Virxhinias.

Vendimi i jep fund një përplasjeje të pazakontë, që zgjati për muaj me radhë, mes administratës Trump dhe gjykatës federale. Sipas raportimeve, prej javësh gjyqtarët kishin kërkuar shpjegime se pse prokurorja Halligan vazhdonte të paraqitej në dokumentet zyrtare gjyqësore si “prokurore e SHBA-së”, pavarësisht një vendimi të dhënë në nëntor, sipas të cilit ajo ishte emëruar në mënyrë të paligjshme.

Përplasja u shtua kur gjykata vuri në pikëpyetje legjitimitetin e rolit të saj dhe kërkoi që çështja të sqarohej në mënyrë formale, ndërsa Halligan vazhdonte të përdorte titullin në dosje gjyqësore.

Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi hapat e radhës për drejtimin e zyrës apo mbi procesin e emërimit të një drejtuesi të ri.

Protesta e Berishës, Koçiu në Kuvend: Policia u përball me dhunë, të mos përdoren fëmijët si mburojë politike

By: A R
27 January 2026 at 13:12

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, foli në Kuvend sa i takon protestës kombëtare të thirrur nga Sali Berisha më 24 janar, që u shoqërua me tensione të forta.

Ajo e theksoi se Policia e Shtetit nuk ka ushtruar dhunë, por është përballur me dhunë.

“Dua të them dy fjalë edhe për atë që është temë dite, me protestën që u zhvillua të shtunën dhe rolin e Policisë. Një diskutim u bë këtu duke përbaltur punonjësit e Policisë dhe kam detyrim moral e politik të sqaroj se Policia e kreu detyrën më së miri dhe me përpikmëri. Nuk ushtroi dhunë ndaj protestuesve, u përball me dhunë! U sulmuan me lëndë piroteknike, në zemër të kryeqytetit dhe si pasojë u lënduan 11 punonjës policie.

Polciia e Shteitt ka vepruar në përmbajtje të plotë të rregullave, ka bërë thirrje për ndalimin e dhunës dhe ruajtjen e karakterit paqësor të protestës, kur rreziku ndaj tyre u bë evident, u ndërmorrën masa për shpërndarjen e turmës.

Akuzat se policia ka përdorur forcë të tepruar, janë të pavërteta dhe të pabazuara! Dua të theksoj edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme, e drejta për protestë është e pacenueshme, por dhuna nuk është e drejtë politike“, deklaroi ministrja.

Iu përgjigj edhe takon akuzave të opozitë sse një i mitur është dhunuar nga forcat e policisë dhe është marrë zvarrë në komisariat.

“I mituri është konstatuar duke gjuajtur me sende të forta, për të mbrojtur jetën e policëve dhe vetë të miturin, ai është marrë për verifikim, siç e parashikon ligji. Bëhet fjalë për një 14 vjeçar, nuk është trajtuar në mënyrë çnjerëzore, ka qëndruar në një ambient të posaçëm dhe të përshtatshëm në përputhje me srandardet e garancisë ligjore për mbrojtjen e të miturve. Me paraqitjen e përfaqësuesve ligjorë, është lënë i lirë.

Askush nuk duhet t’i përdorë fëmijët si mburojë politike, për të justifikuar dhunën. Kush nxit dhe përdor dhunë, duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe politike patjetër”, sqaroi ministrja.

Dëmshpërblimet për përmbytjet, Braçe i kthehet Vengut: Ku janë paratë? S’po i gjej as në buxhet as në relacion

By: A R
27 January 2026 at 13:06

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe kritikoi ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu për dëmshpërblimet nga përmbytjet në sektorin e bujqësisë.

Socialisti tha se në buxhet nuk janë pagesat për zonat Gramshit dhe të Delvinës, të cilat u goditën dy herë në nëntor dhe janar, nga përmbytjet dhe ngricat.

“Më vjen mirë që paratë janë shtuar në bujqësi dhe fondi është realizuar thuajse 100%. Ajo që me shqetëson është që kanë ndodhur fatkeqësi te mëdhaja dhe bujqësia ka marrë një goditje të konsiderueshme. Në verë goditja për bujqësinë erdhi në dy zona, Gramshi dhe Delvina. Duhet të paguajnë për to.

Më habiti ministri i Mbrojtjes kur tha që janë kaluar paratë për të shlyer këto dëme të shkaktuara për bagëtitë, por edhe për frutikulturën sepse në buxhet unë nuk i gjej, as në relacion dhe as në seancën që zhvilluam në komision nuk ishin. Përmbytjet e kombinuara me ngrica në nëntor dhe janar, kanë goditur zonën më prodhuese të vendit”, tha Braçe.

Ndërprerja e energjisë në Berlin, 1 milion euro shpërblim për informacione mbi ekstremistët Vullkan

By: A R
27 January 2026 at 12:58

Një milionë euro është shuma që autoritetet gjermane kanë ofruar si shpërblim për informacionet që mund të çojnë në arrestimin e militantëve të ekstremit të majtë që dyshohet se shkaktuan një ndërprerje masive të energjisë elektrike që la 45 mijë banesa dhe 2200 biznese pa energji për gati një javë në jugperëndim të Berlinit.

Policia është vënë në ndjekje të anëtarëve të grupit të ekstremit të majtë Vullkan, të cilët përmes disa deklaratave online, pretenduan se ishin autorët e ndërprerjes së furnizimit me energji në fillim të janarit. Sipas agjencisë gjermane të inteligjencës brendshme BfV grupi Vullkan është aktiv që nga viti 2011 dhe besohet se është autor i disa rasteve të zjarrvënieve të qëllimshme në dhe rreth Berlinit.

I njëjti grup pretendoi se ishte përgjegjës për dy akte sabotazhi që shënjestruan fabrikën e prodhuesit të automjeteve Telsa pranë Berlinit. Duke njoftuar shumën e shpërblimit, Ministri i Brendshëm gjerman Aleksandër Dobrindt u shpreh se policia do të ndërmerrte një fushatë publicitare për shpërblimin, duke përfshirë edhe vendosjen e pamfleteve dhe posterave në sistemin e metrosë së kryeqytetit, në mënyrë që të sigurohen informacione për grupin.

Dobrindt, një aleat konservator i Kancelarit Fridrish Merze është zotuar të përdorë më shumë burime në luftën kundër ekstremizmit të krahut të majtë dhe ka kërkuar që policia të ketë mundësi të përdorë më shumë teknologjinë e njohjes përmes fytyrës dhe të dhënave dixhitale.

❌
❌