Mero Baze: Gjykata Kushtetuese ka votuar 8 me 0 kundër Edi Ramës dhe 4 me 4 kundër Ballukut
Botuesi i gazetës Tema, Mero Baze, vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte në thelb 8 me 0 kundër kryeministrit Edi Rama, pasi Gjykata refuzoi t’i përgjigjej pyetjes që kishte parashtruar qeveria dhe u nda në dy qëndrime për çështje që nuk i kishte pyetur askush, konkretisht lidhur me të drejtën për të kërkuar pezullimin.
Sipas Bazes, kjo nuk ishte një betejë për mandatin e Belinda Ballukut, por një përplasje institucionale për ndërfutjen e pushtetit të drejtësisë në pushtetin ekzekutiv dhe për rrezikun e krijimit të një “Republike të re”, të pavotuar, të papranuar dhe të padëgjuar nga sovrani.
Tema: Gjykata Kushtetuese dështoi të merrte një vendim për aneksën e qeverisë lidhur me kompetencën që ka një gjykatë të pezullojë nga detyra një anëtar të kabinetit? A është ky një problem i kuorumit apo çështje lobimi?
Mero Baze: Që të jemi të qartë, Gjykata Kushtetuese në fakt ka votuar unanimisht tetë me zero kundër thelbit të kërkesës së qeverisë. Të dyja ato që quhen grupe brenda gjykatës nuk e kanë konsideruar faktin që një ministër ka imunitet njësoj si deputeti dhe nuk mund të pezullohet. Në këtë pikë ato janë dakord që nuk ka imunitet. Ato janë ndarë mes tyre vetëm se kush e ka në dorë kërkesën për pezullim. Një grup, që nuk di pse e quajnë pro qeverisë, thotë se e ka në dorë Kuvendi ta bëjë atë kërkesë, kurse grupi tjetër thotë se mirë ka bërë që e ka bërë gjykata.
Tema: Ju thoni se Gjykata nuk i ka dhënë përgjigje kërkesës së qeverisë?
Mero Baze: Në fakt kërkesa nuk ishte se kush mund ta kërkojë pezullimin, por a ka të drejtë gjykata ta kërkojë. Dhe sikur Edi Rama të kishte marrë 5 vota, pra sikur Gent Ibrahimi të mos ishte bashkuar me grupin tjetër, përsëri qeveria do të dilte e humbur për kërkesën e saj. Belinda Balluku mund të dilte e fituar pasi i pezullohej pezullimi, por qeveria mbetej sërish zbuluar. Dhe që të jemi të ndershëm duhet të pranojmë që kjo ishte një betejë gjyqësore për Edi Ramën si kryeministër dhe ndërfutjen e pushtetit gjyqësor tek pushteti i tij dhe jo për Belinda Ballukun. Ajo ishte pasoja. Mosmarrja e vendimit e lë të hapur këtë problem pa u zgjidhur, pasi sot nuk kemi një rishkrim të Kushtetutës për këtë çështje, por kemi një dëshmi të pafuqisë për të marrë vendim.
Tema: Cili mund të jetë reagimi i qeverisë?
Mero Baze: I vetmi reagim për të cilin mund të flasim është beteja që kryeministri nisi për të vendosur një normë kushtetuese rreth ndërhyrjes së gjyqësorit në imunitetin e ekzekutivit. Kjo betejë nuk përfundoi. Dhe kjo betejë duhet përfunduar. Nuk di se si mund ta përsërisin këtë kërkesë kur të plotësohet Gjykata Kushtetuese me 9 vetë, ose në ndonjë rast tjetër të ngjashëm. Por kjo është një normë kushtetuese që ka nevojë për një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe jo për një mosmarrje vendimi. Mosmarrja e vendimit lë edhe qeverinë pa një normë kushtetuese që tani u bë e diskutueshme, lë në fuqi dhe pezullimin e Ballukut që u bë shkaku i kësaj ankese. Pra, ky vendim është më i keqi i mundshëm kundër qeverisë. Gjykata ka votuar 8 me 0 kundër Edi Ramës dhe 4 me 4 kundër Ballukut. Do të ishte më mirë të merrej vendim 5 me 3 kundër qeverisë, por të paktën pakica të ishte e qartë për normën kushtetuese të imunitetit.
Tema: Nëse kjo gjë nuk ndodh dhe Gjykata Kushtetuese nuk e merr më në shqyrtim, cila është rrugëzgjidhja?
Mero Baze: Nëse Gjykata Kushtetuese refuzon ta rishqyrtojë këtë çështje, atëherë shumica në Parlament mund të ndërhyjë të rregullojë nenin 242, paragrafi 2, të Kodit të Procedurës Penale, i cili u garanton imunitetin të zgjedhurve edhe për ministrin, dhe ta qartësojë këtë në mënyrë eksplicite.
Kështu ndoshta s’ka më nevojë t’i drejtohemi Kushtetutës për këtë nen.
Tema: Pavarësisht kësaj, në publik kjo përjetohet si një goditje kundër Ballukut dhe jo Ramës?
Mero Baze: Kjo nuk ishte një betejë për Belinda Ballukun. As kërkesa formalisht nuk bëhej për të. Belinda Balluku ka betejën e saj me drejtësinë dhe nuk i është shmangur. Madje ajo ka bërë ankimim në Gjykatën e Apelit për pezullimin e masës. Atje e ka betejën e saj. Gjykata Kushtetuese, me mosmarrjen e vendimit, e legjitimoi GJKKO-në si një gjykatë që ka të drejtë të pezullojë. Tani Balluku ka të drejtë të presë Apelin për të vlerësuar a ka shkaqe ligjore për ta mbajtur në fuqi pezullimin që ka vendosur shkalla e parë. Duhet pritur vendimi i Apelit sa i përket Ballukut.
Tema: Sa hapësirë ka kryeministri Rama për një betejë të re?
Mero Baze: Sa i përket Edi Ramës, kjo ishte një betejë mes pushtetit të drejtësisë dhe atij ekzekutiv. Me këtë mungesë vendimi, drejtësia ka ceduar nga e drejta e saj që të gjykojë respektimin e ligjit nga qeveria, për çfarë është e pavarur, por ka vendosur të ketë të drejtë dhe të vendosë edhe për përbërjen e qeverisë dhe cilësinë e saj përmes mekanizmave të pezullimit të atyre që nuk i pëlqen.
Për këtë arsye mendoj se Gjykata Kushtetuese ka votuar 8 me zero kundër Edi Ramës dhe e ka betejën me atë, jo me Ballukun.
Dhe kur dikush të fton në një betejë institucionale të tillë, ose përballesh, ose tradhton Republikën për të cilën je votuar. Kjo është një “Republikë e re”, e pavotuar, e papranuar dhe e padëgjuar. Dhe Republika nuk mund të vritet në një betejë që mbyllet me një të shtënë.
Bisedoi: Namir Lapardhaja