U kap nga SHBA në Atlantikun e Veriut, cisterna ruse me naftë e lidhur me oligarkun moldav
Roja bregdetare amerikane e ndaloi dhe e kapi cisternën e naftës Marinera, dikur e njohur si Bella 1 – në Atlantikun e Veriut më 7 janar. Ata e ndoqën këtë cisternë për rreth dy javë e gjysmë. Derisa po ndiqej, ajo e ndryshoi flamurin duke e marrë atë rus dhe e siguroi mbështetjen e Moskës.
Madje, sipas raportimeve, ajo u shoqërua edhe nga një nëndetëse ruse.
Kjo shkallë e përfshirjes së Moskës në telashet e një cisterne në anën tjetër të botës nuk është rastësi.Radio Evropa e Lirë (REL) dhe rrjeti i saj hulumtues, Systema, zbuluan se cisterna është e lidhur me aleatë të vjetër të Kremlinit: ish-deputetin ukrainas, Viktor Baransky, dhe oligarkun moldav në arrati, Ilan Shor.
Cisterna Marinera mori leje të përkohshme për të lundruar nën flamurin rus në ditën e katërt të ndjekjes nga SHBA-ja, më 24 dhjetor 2025.
Ajo ndryshoi edhe pronarin: në vend të një kompanie turke nën sanksionet e SHBA-së, pronare u bë firma Burevestmarin nga qyteti perëndimor i Rusisë, Rjazani.
Ajo u regjistrua në korrik të vitit 2025 dhe prej atëherë drejtori i përgjithshëm dhe pronari i vetëm i saj është Ilja Bugaj, 39 vjeç, me origjinë nga Chita. Ai i lexoi pyetjet që “Systema dhe Radio Evropa e Lirë ia dërguan në një aplikacion mesazhesh, por nuk iu përgjigj atyre.
Bugaj drejton gjithashtu shoqërinë me përgjegjësi të kufizuara, Rusneftehimtorg, në Moskë, e cila merret me furnizime karburanti, përfshirë përmes cisternave. Ndër blerësit kryesorë të karburantit të Rusneftehimtorg-ut kanë qenë disa kompani të huaja dhe të gjitha kanë një veçori të përbashkët: ato janë në pronësi të grave që jetojnë në Moldavi.Të paktën dy gra nga ky grup kanë qenë më parë në vëmendjen e gazetarëve.
Gazeta “Verstka” i quante ato kandidate në perandorinë e flotës në hije të cisternave, pas së cilës qëndron ish-deputeti i këshillit bashkiak të Odesës, Viktor Baranski. Në vitin 2021, strukturat e lidhura me Baranskin dhe holdingun e tij joformal u sanksionuan nga SHBA-ja për transportimin e naftës venezuelase.
System dhe REL-i i dërguan pyetje Baranskyt në Facebook; ai i pa ato, por nuk ktheu përgjigje të menjëhershme.
Kandidatët moldavë nuk janë e vetmja gjë që e lidh Rusneftehimtorg-un me konglomeratin e Viktor Baranskyt. Firma e drejtuar nga Bugaj ka përdorur një cisternë nga flotilja e supozuar e Baranskyt dhe ka tregtuar me një kompani të afërt me holdingun joformal të ish-deputetit.
Megjithatë, te Rusneftehimtorg-u mund të dallohen edhe lidhje të tjera.
Njerëz me lidhje në Kremlin
Në nëntor të vitit 2020, Rusneftehimtorg, i lidhur me cisternën e ndaluar, ra dakord me Nefteprombank-un për një kredi prej 300 milionë rublash (3.7 milionë dollarë sipas kursit të asaj date). Pas gjysmë muaji, banka i dha të njëjtën shumë firmës, Rechmortrans, pas së cilës, sipas “Verstka”, qëndronte Baranski.
Gjashtë muaj më vonë, Banka Qendrore e akuzoi Nefteprombank-un për nxjerrje asetesh dhe ia hoqi licencën. Më pas banka u shpall e falimentuar dhe administratori i falimentimit filloi të kërkonte shlyerjen e kredive.
Në vitin 2022, radha për shlyerjen e borxheve arriti te Rusneftehimtorg dhe Rechmortrans . Të dyja firmat u përballën me padi gjyqësore dhe i shlyen detyrimet deri në mars 2023.Në të dy rastet u përdor e njëjta skemë: në këmbim të borxhit, huamarrësit ia kaluan kreditorit të drejtat e kërkesës ndaj një firme të tretë – SHPK Diamand Estate. Rusneftehimtorg, Rechmortrans dhe drejtori i përgjithshëm i Diamand Estate nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Që nga viti 2022, Diamand Estate zotëron dy kanale televizive moldave. Më parë ato ishin në pronësi të Igor Chaika, djalit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë Yuri Chaika, dhe të Vadim Chubara, bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit të Moldavisë Igor Dodon.
Me ardhjen e Diamand Estate, kanalet filluan të lidhen me rrethin e oligarkut moldav Ilan Shor.
Ai dyshohej gjithashtu për nxjerrjen e 2.4 milionë eurove nga Nefteprombank, por çështja përfundoi pa pasoja për të.
Shor konsiderohet “dora e Moskës” në politikën moldave. Ndërkohë, vetë biznesmeni jeton prej kohësh jashtë Moldavisë – atje ai është dënuar në mungesë me 15 vjet burgim për nxjerrjen e një miliard dollarëve nga sistemi bankar i vendit.
Shor u vendos në Rusi, mori shtetësinë ruse dhe tani ndihmon Kremlinin të anashkalojë sanksionet financiare përmes kriptomonedhave.
Partner i Shorit është banka shtetërore Promsvjazbank, dhe në nisjen e projektit në vjeshtën e vitit 2025 mori pjesë edhe Vladimir Putini.
Edhe Baranski ka lidhje në rrethin e presidentit rus. Ish-deputeti ukrainas ishte anëtar i partisë së Viktor Medvedchukut, kumbarës së Putinit. Pas pushtimit të plotë të Ukrainës, Baranskyt iu hoq shtetësia ukrainase dhe, sipas mediave, ai u shpërngul në Rusi pas Medvedchuk./REL