Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 February 2026Java News

Armët që ka në dorë Edi Rama në betejën e shpallur me drejtësinë!

By: Ylli Pata
8 February 2026 at 18:55

Nga Ylli Pata

Edi Rama ka shpallur publikisht një betejë politike për atë që e quajti “Zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive të parlamentit nga pushteti gjyqësor.

Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë”.

Me fjalë të tjera, kreu i mazhorancës ka bërë të ditur se atë që Gjykata Kushtetuese nuk e bëri me një vendim unifikues, dota bëjë Parlamenti me një ligj, pasi kjo është e vetmja rrugë për ta prerë këtë nyje gordiane që e kanë lidhur SPAK, GJKKO, e më pas Gykata Kushtetuese.

Po çfarë ligji mund të ndryshojë mazhoranca në këtë betejë që shpalli Edi Rama, e cilat do të jenë pasojat e saj?

Kushtetuta, është një kafshatë e madhe që mund t’I ngesë në fyt, pasi në e ndodh do të sjellë pasoja të mëdha politike në një situatë të tillë.

Kështu që ndryshimi apo shtesa në Kodin e Procedurës penale, ku mund të përcaktohet qart çështja e pezullimit të anëtarëve të qeverisë apo të zgjedhurve të tjerë me vota apo institucione të tjerë, mund të shikohet si zgjidhje më adekuate dhe pa prekur kompetencat reale të institucioneve të drejtësisë.

Por pas kësaj shtrohen disa pyetje të tjera? A mund të mbyllen vrimat e hapura me gozhdë betoni nga drejtësia e re natyrisht(me nxitje) në rozetat e tavanëve me gips të mazhorancës. E cila, nëse sjell çdo arnim për çdo precedent të ndodhur, do të rrëzonte jo vetëm rozetën, por ka gjasa që Tavani t’i zërë brenda.

Ajo që duket tashmë e qartë, jo vetëm nga qarqe të mazhorancës pore dhe nga mjaft zëra të opinionit publik si gazetarë, opnionistë apo jurist, ka një kërkesë për një draft kompleks të një ndërhyrje apo rregullimi të drafteve të drejtësisë. Së paku në lidhje me arrestin preventiv, apo konfiskimin e mjeteve private elektronike për efekt hetimi. Edhe jo nuk të bëhet sërish me shtesa në Kodin e Procedurës.

Megjithatë e gjithë kjo betejë nuk mund të jetë thjeshte një shëtitje për Edi Ramën dhe mazhrancën, jo vetëm në lanin e brendshëm, porn ë radhë të parë në lidhje me ndërkombëtarët.

Megjithatë është një betejë e pashmangshme, e cila si të gjitha të tillat do të ketë natyrisht viktimat pore dhe fituesit e saj…

Martesat për letra jashtë vendit, divorce dhe fëmijë të lindur jashtë martese/ Bum rastesh në gjykatën e Fierit

By: E S
8 February 2026 at 18:47

Fieri mban rekord për divorce, martesa fiktive dhe fëmijë të lindur jashtë martese. Sipas statistikave, për vitin 2025 rezulton se u regjistruan nga një deri në dy kërkesë-padi në ditë për zgjidhje martese, ndërsa në total janë shënuar 571 raste brenda të divorceve.

“Në zgjidhjet e martesave është dhe një numër shumë i lartë i martesave fiktive. Janë martesa të lidhura me persona që kanë probleme me dokumentacionin në shtete të ndryshme. Këta persona krijoin martesa fiktive, marrin mbiemrat e rinjë të bashkëshorteve me të cilat bëjnë dokumentacione me qëllim kalimin në shtete të ndryshme”, thotë avokati Ervis Goxhaj.

Të dhënat nga Gjykata e Fierit tregojnë edhe rritje të padive për mosnjohje atësie. Vetëm gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar 29 çështje të tilla, përmes të cilave pretendohet mosnjohja e atësisë, ndërsa në 6 raste të tjera janë hapur procese gjyqësore për njohje atësie.

Kërkesat për mosnjohje atësie, që shpesh shoqërojnë procesin e divorcit, sipas avokatëve, lidhen edhe me fenomenin e martesave fiktive. Këto janë celebrime që kryhen në shmangie të ligjit.

Në pjesën dërrmuese të rasteve, janë burrat ata që, për të anashkaluar dëbimet nga shtetet evropiane, marrin mbiemrin e bashkëshorteve. Ndërkohë, këto të fundit sjellin në jetë fëmijë me partnerin ose bashkëjetuesin, por ligji njeh si baba bashkëshortin zyrtar.

“Një vajzë martohet për shkak të dokumenteve, por gjatë kësaj periudhe ajo mund të mbetet shtatëzënë më personin që bashkëjeton. Ligjërisht fëmija i nihet personit me të cilin ajo ka bërë dokumente martesore ose martesë fiktive. Këta raste mund të rregullohen vetëm përmes mosnjohjes së atësisë”,- thotë Goxhaj.

Sipas avokatit Goxhaj, paditë për mosnjohje të atësisë po bëhet gjithnjë e më shqetësues, ndërkohë që mungon një frenim ligjor, për sa kohë vazhdojnë martesat fiktive me qëllim përfitime ligjore në shtete të tjera.

Galaja e Festës së Pranverës, një shfaqje me dimension të madh artistik e kulturor

By: E S
8 February 2026 at 18:38

Galaja e Festës së Pranverës 2026 të CMG-së është një harmonizim i shfaqjeve inovative të kulturës tradicionale, deri në integrimin e arteve brenda e jashtë Kinës.

Në skenat e galasë së CMG-së, janë përmbledhur dashuritë e njerëzve për qiellin, tokën, natyrën, si edhe sinqeriteti njerëzor. Kënga “Fillimi i pranverës” tregon gjallërinë e dukshme në këtë periudhë të ngrohtë. Valla “Zëri i pranverës së re” ka përfshirë interpretimin e veglave të ndryshme muzikore, duke integruar elegancën dhe humorin.

Krahas kësaj, janë përzier edhe kulturat e ndryshme të botës në këtë skenë. Vallja “Prekja e tokës është nisja e festës” ndërthur vallet e kombësisë Hani dhe kombësisë Lisu, si edhe vallet tradicionale të Spanjës dhe Hungarisë. 4 stilet e ndryshme përqafojnë njëra-tjetrën në një skenë të përbashkët.

Me suksesin e aplikimit për trashëgimi botërore, Festa e Pranverës po bëhet gjithnjë e më shumë një lidhje e rëndësishme kulturore mes Kinës dhe botës. Rreth një e pesta e popullsisë botërore e kremton këtë festë në mënyra të ndryshme.

Këtë vit, aktiviteti i CMG-së “Preludi e Galasë: Bota ndjek galanë e CMG-së” ka filluar të mbahet në SHBA, Rusi, Francë, Itali dhe shumë vende afrikane, duke ofruar për pjesëmarrësit mundësinë të përjetojnë atmosferën e gëzuar dhe të qetë të Vitit të Ri Kinez përmes performancave artistike, përvojave folklorike dhe blerjes së mallrave kulturore.

Darkë “e çmendur” mes Musk dhe Zuckenberg/ Fotoja nga dosja Epstein që tregon lidhjet me disa nga figurat më të njohura

By: E S
8 February 2026 at 18:30

Një fotografi e re e publikuar nga dosjet e Jeffrey Epstein ka rikthyer në vëmendje lidhjet e tij me disa nga figurat më të njohura. Fotoja tregon një darkë të vitit 2015, ku në të njëjtën tavolinë shihen themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, shefi i SpaceX dhe Tesla, Elon Musk, si dhe bashkëthemeluesi i PayPal, Peter Thiel. Vetë Epstein, më vonë, u mburr se kjo mbledhje kishte qenë “e çmendur”.

Fotografia është publikuar si pjesë e dokumenteve të bëra publike nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara. Sipas mediave britanike, imazhi ishte dërguar me email nga Epstein dret vetvetes më 3 gusht 2015, vetëm një ditë pasi ai kishte marrë pjesë në këtë darkë luksoze me titanët e teknologjisë. Po ashtu, Epstein kishte edhe një kopje të fotografisë të vendosur në kornizë në apartamentin e tij në Manhattan, çka tregon rëndësinë që ai i jepte këtij takimi.

Nga emailet e përfshira në dosje rezulton se darka ishte zhvilluar më 2 gusht 2015. Disa javë më vonë, në një email të datës 20 gusht 2015 drejtuar miliarderit Tom Pritzker, Epstein e përshkroi këtë takim si “të çmendur”. Ky përshkrim është rikthyer tani në qendër të vëmendjes, teksa rritet shqyrtimi publik mbi marrëdhëniet që financieri i diskredituar kishte me figura shumë të fuqishme nga bota e biznesit dhe teknologjisë.

Pas publikimit të këtyre dokumenteve, personat që përmenden në dosje kanë filluar të minimizojnë çdo lidhje me Epstein. Kjo ndodh ndërsa Departamenti i Drejtësisë ka bërë publikimin e më shumë se tre milionë dokumenteve që lidhen me rrjetin shoqëror dhe aktivitetet e tij, duke hedhur dritë mbi kontaktet e shumta që ai kishte me politikanë, biznesmenë dhe figura publike.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se shfaqja në fotografi apo dokumente nuk përbën provë të ndonjë shkeljeje apo përfshirjeje në veprimtari të paligjshme. Rasti i Elon Musk është një nga më të përfolurit, pasi emri i tij shfaqet disa herë në dosje, përfshirë edhe shkëmbime të mëparshme email-esh që sugjerojnë një marrëdhënie miqësore mes tij dhe Epstein disa vite para darkës së vitit 2015.

Pavarësisht këtyre zbulimeve, Musk, sot njeriu më i pasur në botë, ka mohuar vazhdimisht të ketë qenë i afërt me Epstein. Në një intervistë për Vanity Fair, ai deklaroi se nuk e njihte aq mire financiarin e ndjerë.

“Nuk më kujtohet ta kem prezantuar Epstein me askënd, sepse nuk e njoh aq mirë sa ta bëja këtë. Epstein është padyshim një njeri i çuditshëm dhe Zuckerberg nuk është një mik i imi”. Gjithashtu, më 31 janar, Musk reagoi edhe në platformën X, duke hedhur poshtë pretendimet se kishte marrë pjesë në tubime apo festa të Epstein. Ai shkroi se nuk ka qenë kurrë në asnjë festë të Epstein dhe se ka kërkuar vazhdimisht që ata që kanë kryer krime në bashkëpunim me të, të ndiqen penalisht.

Publikimi i kësaj fotografie dhe dokumenteve shoqëruese ka rihapur debatin mbi mënyrën sesi Jeffrey Epstein arriti të krijojë dhe ruajë lidhje me njerëz jashtëzakonisht të fuqishëm, edhe pas dënimeve dhe skandaleve që shoqëruan emrin e tij. Ndërkohë, opinioni publik vazhdon të kërkojë transparencë dhe sqarime më të plota mbi këto marrëdhënie, pa paragjykuar, por duke kërkuar përgjegjësi aty ku ka fakte./Daily Beast/

Dobësimi i euros e dollarit goditi kursimet e shqiptarëve/ Në qershor depozitat në banka arritën në 14.8 mld €

By: E S
8 February 2026 at 18:22

Qytetarët dhe bizneset kanë kursyer më shumë para vjet. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë vlera e depozitave në fund të muajit dhjetor 2025 arriti në rreth 14.8 miliardë euro, shifra më e lartë historike, duke u rritur me 1.2 miliardë euro krahasuar me 2024-ën.

Shifrat tregojnë se në fund të dhjetorit kursimet në lekë ishin 7.1 miliardë euro, me rritje prej gati 814 milionë euro krahasuar me 2024-ën. Ndërkohë nëpër banka janë 7.7 miliardë euro kursime në monedhë të huaj euro dhe dollarë, me rritje prej 411 milionë euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Në fakt në shtimin e kursimeve ka një paradoks shqiptar, pasi raporti i vitit të kaluar i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave tregonte se një në tre llogari të çelura në sektorin bankar është bosh, ndërsa pakica ka pjesën dërrmuese të kursimeve.

Mbajtja e depozitave në lekë është më e sigurt gjatë viteve të fundit, kjo pasi nuk ekspozohen ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, siç ndodh me kursimet në monedhë të huaj.

Për këtë arsye, paratë po mbyllen në banka më shumë në lekë me ritëm më të shpejtë sesa në valutë, pasi dobësimi i euros dhe dollarit i ka dëmtuar qytetarët dhe bizneset që i kishin kursimet e tyre në këto monedha.

Depozitat e mbajtura në euro apo dollarë e humbasin vlerën kur këmbehen me lekun. Nëse një individ tërheq 10 mijë euro kursime në monedhën evropiane, dhe i konverton në lekë ai do të marrë pas vetëm 960.000 lekë, pra 400 euro humbje prej zhvlerësimit të euros përball lekut, krahasuar me vitin 2024. E njëjta gjë me të gjithë ata që kanë kursime në një llogari në valutë të huaj.

E mitura kapet me kartëmonedha të falsifikuara/ Tre të arrestuar për falsifikim të parave dhe lëndë narkotike

By: E S
8 February 2026 at 18:13

Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona që lidhen me falsifikim të parave dhe lëndëve narkotike, përfshirë edhe dy shtetas palestinezë, njëri nga ta me urdhërarrest ndërkombëtar. Aty ishte e përfshirë edhe një vajzë e mitur, të cilës iu janë gjetur dollarë të falsifikuar.

Sipas Policisë, mbrëmjen e 6 shkurtit është raportuar për një rast të përdorimit të një kartëmonedhe të falsifikuar në vlerë prej 20 euro në fshatin Prelez i Jerlive, pranë një karburanti.

Patrulla policore ka identifikuar tre të dyshuar: Sh. V. (27 vjeç), shtetas i Kosovës, dhe dy shtetas palestinezë, N. Z. (30 vjeç) dhe M. O. (28 vjeç). Gjatë kontrollit, janë sekuestruar një sasi e vogël substance të dyshuar narkotike, dy mulli dhe kartëmonedha e dyshuar.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, janë iniciuar rastet “Falsifikim i parasë” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”. Dy shtetasit e huaj janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Sh. V. është liruar pas intervistimit.

Kurse, dje gjatë hetimeve, është identifikuar banesa me qira e të dyshuarve në Ferizaj, ku janë sekuestruar dokumente identifikimi të shteteve të tjera. Po ashtu, është zbuluar se M. O. kishte urdhërarrest ndërkombëtar dhe ishte shoqëruar nga e mitura kosovare A. T. (17 vjeçe). Gjatë kontrollit në banesën e saj në Kaçanik, janë gjetur 39 kartëmonedha 50-dollarëshe të dyshuara si të falsifikuara, një sasi e vogël narkotikësh dhe dokumente të huaja. Substanca narkotike i përkiste E. D. (19 vjeçe).

Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me Njësitin e Hetimeve të Kufirit dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj. E mitura është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit, ndërsa ajo dhe E. D. janë liruar për procedura të mëtejshme. Hetimet po vazhdojnë deri në kompletimin e rastit./Kosovapress/

Arkitekti i fitores së Laburistëve në zgjedhjet e 2024/ Dorëhiqet shefi i kabinetit të kryeministrit britanik pas skandalit Epstein

By: E S
8 February 2026 at 18:05

Britania e Madhe po përballet me një krizë serioze politike, një nga më të mëdhatë që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Keir Starmer. Shkak është bërë emërimi i Peter Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, një vendim që ka shkaktuar zemërim të madh publik dhe presion të fortë politik.

Si pasojë e kësaj situate, Morgan McSweeney, shefi i stafit të Kryeministrit dhe një nga njerëzit më të afërt dhe më të besuar të Starmerit, ka dhënë dorëheqjen. Lajmi u bë publik sot 8 shkurt e diel përmes një deklarate zyrtare.

Morgan McSweeney njihet si arkitekti kryesor i fitores së Partisë Laburiste në zgjedhjet e korrikut 2024. Ai konsiderohej truri strategjik pas suksesit të Keir Starmerit dhe kishte një rol kyç në drejtimin e qeverisë.

Në deklaratën e tij, McSweeney pranoi hapur se kishte qenë drejtpërdrejt i përfshirë në vendimin për të emëruar Peter Mandelson dhe se ai vetë i kishte këshilluar Kryeministrit ta bënte këtë emërim. “Vendimi për të emëruar Peter Mandelson ishte i gabuar. Ky vendim ka dëmtuar partinë tonë, vendin tonë dhe besimin e njerëzve te politika”, deklaroi McSweeney, raporton Reuters.

“Unë e këshillova Kryeministrin për këtë emërim dhe marr përgjegjësinë e plotë për atë këshillë”, tha ai.

Pse emërimi i Peter Mandelson shkaktoi skandal?

Peter Mandelson është një figurë e njohur e politikës britanike, por emërimi i tij si ambasador në SHBA rezultoi shumë problematik, pasi dolën në dritë dokumente dhe informacione që tregojnë marrëdhëniet e tij të ngushta me Jeffrey Epstein, një person i ndjerë, i dënuar për krime të rënda seksuale.

Këto zbulime shkaktuan indinjatë të madhe në opinionin publik, pasi shumë qytetarë dhe politikanë besojnë se një person me lidhje të tilla nuk duhet të përfaqësojë Britaninë e Madhe në një nga postet më të rëndësishme diplomatike në botë.

Presion i madh mbi Kryeministrin Keir Starmer

Vendimi për Mandelsonin ka vënë Keir Starmerin nën presion të jashtëzakonshëm, si nga opozita, ashtu edhe nga brenda Partisë Laburiste. Shumë persona e konsiderojnë këtë si krizën më të madhe të 18 muajve të parë të qeverisjes së tij.

Nis nesër faza e fundit e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së/ Gucati: Shpresoj që të kthehen të lirë në Kosovë

By: E S
8 February 2026 at 17:54

Nis të hënën faza e fundit e gjyqit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej disa vitesh mbahen në paraburgim. Nga 9 deri më 18 shkurt, në Hagë do të mbahen seancat e fundit, ku me radhë Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbrojtësit e viktimave dhe ekipet mbrojtëse të të akuzuarve do të bëjnë parashtrimet përfundimtare para gjykatës, lidhur me konkluzionet e një procesi të gjatë gjyqësor.

Në fund pritet që të flasin edhe vetë të akuzuarit: ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe Rexhep Selimi.

Hysni Gucati, në emër të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thotë se pret që gjykata të marrë një vendim të drejtë.

“Dashtë Zoti që gjyqtarët të mos bien pre e prokurorëve dhe e matrapazëve, të marrin një vendim të drejtë, një vendim pozitiv, ta quaj unë pozitiv, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Shpresoj që ata në maj të vijnë, të festojmë ditën e tyre, kur të lirohen. Më së pari, inshallah, të vijnë në familjet e tyre, pastaj të vijnë në rrethin e shoqërisë dhe të Kosovës”.

Sipas tij, akuza është e fabrikuar dhe disa dëshmitarë kanë dhënë deklarata të pavërteta.

“Është bërë një aktakuzë e rreme, e falsifikuar nga Serbia, Rusia dhe nga disa shqiptarë shqipfolës, të cilët trupin e kanë në Kosovë e kokën në Serbi dhe mendojnë që Kosova duhet t’i kthehet Serbisë. Ata shqiptarë kanë gabuar shumë që kanë dëshmuar. Më konkretisht, kanë dëshmuar në mënyrë të pavërtetë. Nuk kam gjuhë të keqe, por kanë shkuar me dëshmuar me rrena. Jo viçi, jo lopa, jo mali, jo çfarë s’kam dëgjuar. Ne vetë dhe ju i keni dëgjuar, i keni përcjellë”.

Gucati ka kritikuar gjithashtu mënyrën e trajtimit të të akuzuarve dhe funksionimin e gjykatës, duke thënë se për vite me radhë janë shkelur procedurat e trajtimit të të paraburgosurve.

Fitoi zgjedhjet/ Japonia “kurorëzon” Zonjën e saj të Hekurt dhe i dërgon një mesazh të qartë Kinës

By: E S
8 February 2026 at 17:45

Bateristja e rrymës heavy metal dhe admiruesja e “Zonjës së Hekurt” Margaret Thatcher, rrezikoi dhe fitoi.

Nacionalizmi i asaj që tashmë quhet “Meloni aziatike” rezultoi tërheqës sidomos për të rinjtë. Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi vendosi të shfrytëzojë “muajin e mjaltit” me opinionin publik dhe popullaritetin e lartë të fillimit të mandatit për të shpërndarë Parlamentin dhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Llogaritje rezultoi e saktë: fitorja erdhi në kohë rekord. Analizat e para tregojnë se një rol kyç në suksesin e saj në zgjedhje e kanë pasur brezat e rinj.

Mes tyre, Takaichi pëlqehet edhe për mesazhin e fuqishëm emancipues që përçon ngjitja e saj në pushtet.

Ajo është gruaja e parë në krye të qeverisë japoneze dhe vetë historia e saj familjare është simbol i një shoqërie në ndryshim, ku patriarkalizmi tradicional po lëkundet. Vajzë nga provinca, u përball me kundërshtimin e prindërve që nuk donin as ta dërgonin në universitet.

Në jetën private u martua dy herë me të njëjtin burrë, por në martesën e dytë këmbënguli që të ishte bashkëshorti ai që të merrte mbiemrin e saj.

Në garën për drejtimin e partisë në pushtet mundi një trashëgimtar të një dinastie politike, djalin e ish-kryeministrit Koizumi. Edhe kjo i ka shtuar pikë: një “e jashtme” me origjinë modeste që ia doli në një elitë politike të dominuar për dekada nga mbiemra të mëdhenj.

Nga ky këndvështrim, Takaichi mund të përkufizohet si progresiste për sa i përket vlerave shoqërore që përfaqëson. Por politikat e saj mbeten thellësisht konservatore dhe nacionaliste, në linjë me mentorin e saj politik, Shinzo Abe, ish-kryeministrin e vrarë pasi ishte tërhequr nga jeta politike dhe arkitektin e një marrëdhënieje të ngushtë personale me Donald Trump gjatë mandatit të parë të këtij të fundit.

Në planin e brendshëm, një nga shtyllat e suksesit të Takaichit është qëndrimi i prerë kundër imigracionit. Japonia ishte vendi i parë në botë që përjetoi plakjen demografike: rënie të lindshmërisë, rritje të jetëgjatësisë dhe tkurrje të popullsisë aktive. Ndryshe nga Perëndimi, Tokio, ashtu si më pas Koreja e Jugut dhe Kina, nuk e ka përqafuar idenë se imigracioni është zgjidhja e domosdoshme për krizën demografike. Niveli i imigracionit mbetet shumë i ulët krahasuar me SHBA-në apo BE-në, dhe edhe ai perceptohet si problematik, sidomos në dritën e tensioneve që flukset migratore kanë shkaktuar në Perëndim. Takaichi mbron një kontroll edhe më të rreptë të hyrjeve, por ky qëndrim është plotësisht në harmoni me kulturën kombëtare dhe me linjën dominuese në të gjithë Azinë Lindore.

Shtylla tjetër e platformës së saj është përballja me sfidën kineze. Duke ndjekur trashëgiminë e Shinzo Abe, Takaichi synon ta nxjerrë Japoninë gradualisht nga pacifizmi i saj kushtetues – i sanksionuar në Kushtetutën e vitit 1945 nën ndikimin amerikan – drejt një rivendosjeje të kapaciteteve mbrojtëse. Nga njëra anë kjo është përgjigje ndaj rritjes së fuqisë ushtarake kineze dhe zgjerimit gjithnjë e më agresiv të Pekinit në hapësirat detare përreth. Nga ana tjetër, është pranimi realist se Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë përgjithmonë garantuesi absolut i sigurisë japoneze. Në këtë kuptim, Takaichi nxjerr nga “shoku Trump” të njëjtin mësim si kancelari gjerman Friedrich Merz: Japonia, megjithëse nis nga nivele shumë të ulëta të shpenzimeve ushtarake, synon fillimisht objektivin e 2% të PBB-së për mbrojtjen.

Një ironi historike bashkon dy ish-fuqi të mundura në Luftën e Dytë Botërore, të detyruara të çarmatosen 80 vite më parë dhe sot të shtyra nga po ata amerikanë të rindërtojnë kapacitetet mbrojtëse përballë kërcënimeve ruse dhe kineze.

Ajo që nuk funksionoi ishte ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Xi Jinping në politikën e brendshme japoneze. Pak para shpërndarjes së Parlamentit, lideri kinez e sulmoi ashpër Takaichin për deklaratat e saj mbi Tajvanin, një qëndrim në fakt tradicional në diplomacinë japoneze. Kryeministrja kishte theksuar se një pushtim i armatosur i Tajvanit do të përbënte një problem sigurie kombëtare edhe për Japoninë. Një realitet i vetëkuptueshëm. Por reagimi i Pekinit pati efektin e kundërt: rriti popullaritetin e Takaichit dhe forcoi imazhin e saj si lidere që nuk i nënshtrohet presionit të jashtëm.

Një tjetër front strategjik është ai i mineraleve të rralla dhe zinxhirëve të furnizimit. Japonia mbetet një superfuqi teknologjike, veçanërisht në sektorin e mikroçipeve. Në vitin 2010 ishte vendi i parë që u përball me një embargo gjeopolitike kineze për tokat e rralla. Sot Tokio është në vijën e parë të nismave amerikane për të ndërtuar zinxhirë alternativë furnizimi, me Australinë si partner kyç, për të shmangur varësinë nga Kina.

Megjithatë, “rregulli Trump” vlen edhe për Takaichin : fati i saj politik nuk do të përcaktohet nga suksesi në politikën e jashtme, por nga ekonomia. Japonezët presin rritje ekonomike, paga më të larta dhe fuqi blerëse më të madhe. Një objektiv që politikanë të shumtë e kanë ndjekur për tri dekada, shpesh pa sukses. Eksperimenti “Abenomics” pati si mbështetës entuziastë ashtu edhe kritikë të ashpër. Kapitalizmi japonez ka treguar aftësi për t’u përshtatur dhe sot shfaq një dinamizëm të ri, por për shumë qytetarë standardi i jetesës mbetet i ngecur. Premtimet për ulje taksash do të rrisin një borxh publik tashmë rekord.

Ky do të jetë testi vendimtar për Zonjën e re të Hekurt të Japonisë./ Corriere Della Sera

Vakanca në Kushtetuese që solli për barazimin në vota për Ballukun/ Vendi i Elsa Toskës bosh prej 17 muajsh

By: E S
8 February 2026 at 17:37

Barazimi 4-4 në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e Belinda Ballukut, që krijoi më shumë amulli sesa sqaroi, do të ishte shmangur nëse në institucionin që “thotë fjalën e fundit” në vend, një vakancë do të ishte plotësuar në kohën e duhur.

Që prej shtatorit të vitit 2024, kur ish anëtarja Elsa Toska dha dorëheqje të menjëhershme, Kushtetuesja nuk e ka pasur të plotë trupën prej 9 anëtarësh, e domosdoshme për të bërë të mundur gjithnjë një vendimmarrje e për të shmangur barazimin, si në rastin fundit të çështjes Balluku.

Por pse ka zgjatur plot 17 muaj procedura për zëvendësimin e Elsa Toskës, që duket ende larg plotësimit?! Kur gjyqtarja kushtetuese dha dorëheqjen papritur, pakkush e kishte menduar se zëvendësimi i saj do t’i hapte rrugë një krizë institucionale. Organi që e kishte emëruar, Kuvendi, hapi garën për gjyqtarin e ri, duke deklaruar se mandati do të zgjaste deri në vitin 2028, që u konsiderua si zgjatje, dhe që do të prishte të gjithë procedurën e ripërtëritjes së vetë Gjykatës Kushtetuese.

Edhe pse aplikuan 10 kandidatë, procesi dështoi, dhe Kuvendi priti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sqarimin një herë e mirë të mandateve të saj, vendim i cili erdhi në tetor 2025. Kuvendi rishpalli garën më 10 dhjetor dhe në mbyllje të procedurave të aplikimeve ishin 9 kandidatët që shfaqen interesin për t’u bërë gjyqtarë Kushtetues.

Mes pretendentëve juristë si Genci Gjoncaj, sekretar i përgjithshëm i Kuvendit, Naureda Llagami, ish kryetare e KLGJ-së, apo edhe emra juristë të njohur si Jordan Daci apo Arta Vorpsi dhe dy ish anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Lulzim Hamiti dhe Roland Ilia.

Emrat iu përcollën Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për verifikim dhe pikëzim dhe anëtari i 9-të i Gjykatës Kushtetuese është në pritje të këtij institucioni.

Edhe në KED, duke pasur parasysh rastet e mëparshme, procedura zgjat pasi verifikimi përfshin mbledhjen e informacionit nga një numër i madh institucionesh (ILDKPKI, Prokuroria, Policia e Shtetit, KLGJ, KLP, AKSIK, etj.), që shpesh kërkon kohë shtesë; kontrollin e pasurisë, figurës dhe integritetit profesional, një proces i ngjashëm me vetingun e magjistratëve.

Në fund, Parlamenti, nëse bën 84 vota, do të dërgojë në Kushtetuese një nga 3 emrat të vlerësuar me më shumë pikë, përndryshe automatikisht gjyqtar do të bëhet kandidati që ka marrë më shumë pikë nga KED.

Në KED ndërkohë janë duke u vlerësuare edhe kandidaturat e paraqitura në Presidencë për një vend në Gjykatën Kushtetuese, për zëvendësimin e Sonila Bejtjes, së cilës i ka mbaruar mandati por vijon të qëndrojë në detyrë deri sa të vijë pasardhësi. /shqiptarja.com

ANALIZA E REL/ A mund t’ua ndalojë BE-ja hyrjen në Shengen ish-ushtarëve rusë?

By: E S
8 February 2026 at 16:53

Estonia po shtyn përpara idenë që ushtarëve rusë që kanë luftuar kundër Ukrainës t’u ndalohet hyrja në Zonën Shengen, një hapësirë ku udhëtohet pa viza dhe e cila mbulon shumicën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ideja, e paraqitur në një dokument të brendshëm për diskutim, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë dhe i cili iu shpërnda kryeqyteteve të BE-së në fund të janarit, u diskutua shkurtimisht kur ministrat e Jashtëm të bllokut evropian u takuan në Bruksel më 29 janar.

Sipas zyrtarëve të BE-së, të cilët folën me REL-in në kushte anonimiteti, ideja u prit pozitivisht nga shtetet anëtare që morën fjalën dhe pati një pajtim të përgjithshëm se puna për këtë dokument do të vazhdojë me ekspertë të çështjeve të brendshme dhe të jashtme në Bruksel.

Megjithatë, zyrtarët pranuan se u ngritën edhe pyetje për shkallën dhe nëse mund të zbatohet parandalimi i hyrjes të një numri kaq të madh njerëzish në BE.

Sipas Talinit, rreth 1.5 milion shtetas rusë kanë marrë pjesë në operacione luftarake në Ukrainë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022 – përfshirë këtu edhe forcat e rregullta të Federatës Ruse dhe njësi të tjera, sikurse nga Grupi Ëagner. Nga këta, besohet se 640.000 mbeten ende aktivë, që do të thotë se ka afër 1 milion ish-luftëtarë që janë objektiva potencialë për BE-në.

Rreziku i mundshëm i sigurisë për bllokun përshkruhet qartë në dokument: “Përvoja luftarake dhe përdorimi i dhunës, përfshirë pjesëmarrjen e mundshme në krime lufte dhe mizori të tjera kundër popullatës ukrainase, janë karakteristika të përbashkëta të këtyre individëve. Hyrja e tyre e mundshme dhe prania brenda BE-së jo vetëm që mbart një rrezik të përgjithshëm të krimit të dhunshëm, por përfaqëson një kanal të madh për infiltrimin e krimit të organizuar, lëvizjeve ekstremiste dhe operacioneve armiqësore shtetërore në të gjithë Evropën”.

Gjithashtu, në dokument thuhet se këta individë mund të jenë “një bazë rekrutimi për shërbimet e inteligjencës ruse”.

Dokumenti thotë se ka një lidhje mes ish-luftëtarëve dhe rritjes së dhunës brenda Rusisë, veçanërisht mes rreth 180.000 të burgosurve që u rekrutuan nga burgjet ruse dhe u dërguan në njësite të posaçme ushtarake që luftonin në Ukrainë.

Dokumenti po ashtu vë në pah se “shumë prej të kthyerve kanë kryer krime të rënda. Numri i përgjithshëm i tyre ka arritur nivelin më të lartë në 15 vjet në Rusi në gjysmën e parë të vitit 2025, dhe kjo rritje ka gjasa të lidhet me kthimin masiv të ish-luftëtarëve”, thuhet në dokument, ku shtohet se “liria e lëvizjes së këtyre individëve paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për të gjithë Zonën Shengen, pavarësisht se nga cili shtet hyjnë. Ata nuk duhet të kenë vend në Evropë”.

Si të ndalohet hyrja e ish-luftëtarëve?

Çështja kryesore është se si të ndalohet hyrja e tyre në BE. Që në shtator të vitit 2022, BE-ja ka miratuar një vendim për të pezulluar plotësisht marrëveshjen BE–Rusi për lehtësimin e vizave, duke e bërë më të shtrenjtë dhe më të ndërlikuar për shtetasit rusë hyrjen në bllok.

Përveç kësaj, Brukseli ka vendosur sanksione, që nënkuptojnë ndalesa vizash, ndaj gati 2.000 rusëve, që BE-ja thotë se kanë pasur rol në minimin e integritetit territorial të Ukrainës. Kjo listë përfshin oligarkë, biznesmenë, ministra dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.

Propozimi i Estonisë, megjithatë, nuk synon përdorimin e sanksioneve dhe përpjekja për të shënjestruar ish-luftëtarët nuk do të jetë pjesë e paketës së 20-të të sanksioneve të BE-së kundër Kremlinit, e cila pritet të miratohet nga të gjitha shtetet anëtare më vonë gjatë shkurtit.

Në vend të kësaj, Talini po përdor një metodë tjetër: ndalesën e hyrjes në Shengen. Që më 9 janar, Talini e vendosi ndalesën ndaj 261 ish-ushtarëve rusë. Kjo ndalesë pengon individëve që nuk janë nga shtetet e bllokut që të hyjnë në të gjitha vendet e BE-së, përjashtuar nga Qipro dhe Irlanda, si dhe nga shtetet joanëtare të BE-së që janë në Shengen, përkatësisht Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.

E vlefshme deri në pesë vjet, ndalesa duhet të zbatohet në të gjithë Zonën Shengen dhe jo vetëm në vendin që e ka regjistruar ndalesën në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS), siç bëri së voni Estonia me luftëtarët rusë.

Por, ndonëse në parim një vend mund të lëshojë një alarm në gjithë Shengenin, shtetet individuale mund të bëjnë përjashtime dhe, në fund, secili vend i Shengenit është sovran sa i përket vendosjes se kush lejohet të hyjë në territorin e tij.

Për këtë arsye, Estonia po kërkon mbështetje më të gjerë nga BE-ja për këto masa, duke u bërë thirrje “shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Shengenit që të zbatojnë një ndalesë të plotë hyrjeje në Zonën Shengen, si dhe refuzimin e vizave dhe lejeve të qëndrimit për të gjithë shtetasit rusë që janë të identifikuar se kanë marrë pjesë në luftën e agresionit kundër Ukrainës”.

Estonia shtoi po ashtu se “kjo nismë sigurie, kritike për situatën aktuale, kërkon mbështetje urgjente politike dhe praktike, dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara t’i bashkohen nismës, duke e trajtuar si çështje urgjente dhe të ndihmojnë në përfshirjen e individëve në listën e ndalesës për hyrje në Shengen”.

A do ta ndjekin shembullin shtetet e tjera anëtare të BE-së? Me gjasë po. Por, ato gjithashtu e pranojnë se ka vështirësi në këtë drejtim. Njëra nga to është pamundësia për të siguruar të dhëna individuale për secilin ish-luftëtar, me qëllim që të regjistrohen në sistem.

“Disa qindra, madje edhe disa mijëra mund të futen në sistem, por këtu po flasim për gati një milion njerëz”, i tha një diplomat REL-it.

Ndonëse nisma estoneze konsiderohet e sinqertë dhe e dobishme, ekziston edhe një shqetësim brenda bllokut për mbingarkimin e sistemit dhe nxitjen e anëtarëve të tjerë që ta keqpërdorin atë për qëllime politike.

Një ilustrim i kësaj ndodhi verën e kaluar, kur Rumania ia ndaloi hyrjen në Zonën Shengen Ion Cebanit, kryetarit të bashkisë së kryeqytetit të Moldavisë, Kishinjev, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë kombëtare.

Ceban është rival i presidentes properëndimore të Moldavisë, Maia Sandu, e cila në atë kohë po përgatiste aleancën e saj politike për zgjedhje parlamentare, të cilat më pas i fitoi zgjedhjet. Ndalesa mbetet ende në fuqi, edhe pse disa kryeqytete të BE-së shprehën shqetësime për natyrën politike të kësaj mase./REL

Goditja e trafikimit të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë, Ilir Proda vlerëson Policinë e Tiranës

By: E S
8 February 2026 at 16:45

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, shprehu vlerësimin e veçantë për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për operacionet e njëpasnjëshme dhe të suksesshme që po zhvillon në goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, si dhe të veprimtarisë kriminale të shitjes dhe mbajtjes së tyre pa leje në territorin e Tiranës.

“Vlerësim dhe mirënjohje të veçantë për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për finalizimin e operacionit të radhës, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme dhe të suksesshme të zhvilluara për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, si dhe të veprimtarisë kriminale të shitjes apo mbajtjes pa leje të armëve në Tiranë.

Operacioni “Barriera”, si dhe operacionet dhe goditjet e realizuara përgjatë vitit 2025 dhe në fillim të këtij viti, janë dëshmi e një pune të mirorganizuar, profesionale, hetimore dhe operacionale, e strukturave të DVP Tiranë.

Gjithashtu, konfirmojnë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht me Prokurorinë e Tiranës dhe partnerët ligjzbatues, si dhe bashkëpunimin shumë të mirë mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, në funksion të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje, trafikimit të lëndëve narkotike dhe çdo paligjshmërie tjetër.

Armët e zjarrit janë mjeti kryesor për kryerjen e veprave penale dhe përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike. Parandalimi dhe goditja e tyre mbetet një prioritet absolut i Policisë së Shtetit, në shërbim të rendit, ligjit dhe qytetarëve.

Sjell në vëmendjen tuaj se gjatë vitit 2026, goditja pa kompromis e armëmbajtjes pa leje, trafikimit të armëve dhe çdo forme tjetër të veprimtarisë kriminale të lidhur me to, do të jetë një nga fokuset kryesore të punës së Policisë së Shtetit në të gjitha qarqet e vendit.

Ndaj ju inkurajoj që të vazhdoni punën me vendosmëri, profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, në shërbim të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve”, shprehet Proda.

A do të sulmojë SHBA Iranin? Reagon Izraeli: Programi i raketave të Teheranit, kërcënim ekzistencial! Gati të veprojmë

By: E S
8 February 2026 at 16:36

Zyrtarë të lartë të mbrojtjes izraelite u kanë bërë së fundmi të ditur homologëve amerikanë se programi i raketave balistike të Iranit përbën një kërcënim ekzistencial dhe se Izraeli është i gatshëm të veprojë edhe në mënyrë të njëanshme, nëse situata e kërkon, raporton Jerusalem Post.

Sipas burimeve të sigurisë, në javët e fundit janë zhvilluar disa shkëmbime të nivelit të lartë, gjatë të cilave Izraeli ka komunikuar qartë objektivin e tij për çmontimin e kapaciteteve raketore dhe infrastrukturës së prodhimit të Iranit. Zyrtarët ushtarakë kanë paraqitur koncepte operacionale për dobësimin e programit, përfshirë sulme ndaj pikave kyçe të prodhimit.

“U kemi bërë të qartë amerikanëve se do të ndërhyjmë vetëm nëse Irani kalon vijën e kuqe që kemi përcaktuar për raketat balistike,” ka deklaruar një burim, duke shtuar se kjo vijë ende nuk është kapërcyer, por zhvillimet në Iran po monitorohen nga afër.

Zyrtarët izraelitë kanë theksuar se vendi ruan lirinë e plotë të veprimit dhe nuk do të lejojë rivendosjen e sistemeve strategjike të armëve në një shkallë që rrezikon ekzistencën e Izraelit. Një tjetër zyrtar i mbrojtjes e cilësoi periudhën aktuale si një “mundësi historike” për të goditur ndjeshëm infrastrukturën raketore të Iranit dhe për të neutralizuar kërcënimet aktive ndaj Izraelit dhe vendeve të rajonit.

Gjatë diskutimeve të fundit, sipas burimeve, Izraeli ka paraqitur gjithashtu plane për të shënjestruar objekte të tjera të lidhura me programin raketor iranian.

Megjithatë, disa zyrtarë kanë shprehur shqetësime se presidenti amerikan Donald Trump mund të miratojë një qasje të kufizuar ushtarake, të ngjashme me operacionet e SHBA-së kundër Houthëve në Jemen, e cila sipas tyre mund të lërë të paprekura kapacitetet kyçe të Iranit. “Frika është se mund të zgjidhen disa objektiva, të shpallet sukses dhe më pas Izraeli të përballet i vetëm me pasojat,” ka deklaruar një zyrtar ushtarak, duke theksuar se veprimet e pjesshme nuk e eliminojnë kërcënimin kryesor.

Ndërkohë, brenda Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjenerali Omer Tishler, komandanti i ardhshëm i forcave ajrore, pritet të shoqërojë kryeministrin Benjamin Netanyahu në vizitën e tij të ardhshme në Shtetet e Bashkuara. Tishler do të përfaqësojë Shefin e Shtabit të IDF-së, gjeneral-lejtnant Eyal Zamir, pasi aktualisht Izraeli nuk ka atashe mbrojtës në Uashington, pas vendimit të Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, për të mos miratuar kandidatin e propozuar për këtë post.

Çfarë na mëson sociologjia dhe filozofia për Shqipërinë politike

8 February 2026 at 16:28

Nga Ermal Peçi

Duke qenë se formimi im vjen nga Shkencat Sociale, dhe konkretisht nga Sociologjia, nuk mund ta përjashtoja këtë analizë për të kuptuar se çfarë po ndodh sot në vendin tonë. Ka një ligj të pashkruar të politikës që filozofia dhe sociologjia e kanë kuptuar prej kohësh, por që shoqëria shqiptare ende refuzon ta pranojë plotësisht: pushteti ndahet për të sunduar, por bashkohet për të mbijetuar.

Vilfredo Pareto nuk fliste për individë, por për elita dhe Shqipëria sot është një laborator i hapur i këtij ligji.

Në sipërfaqe, politika shqiptare shfaqet e përçarë, e polarizuar, e zhytur në konflikt të përhershëm. Berisha dhe Rama paraqiten si kundërshtarë ekzistencialë, si dy botë që nuk takohen kurrë. Por kjo ndarje funksionon vetëm për aq kohë sa politika mbetet lojë pushteti. Në momentin që në skenë hyn SPAK-u, vijat ndarëse fillojnë të zbehen dhe del në pah një ndjenjë e përbashkët që i bashkon të gjithë: frika.

Sociologjia politike na mëson se elitat rrallë rrëzohen nga njëra-tjetra. Ato zëvendësohen, riciklohen dhe rrotullohen brenda të njëjtit sistem. Ajo që i trondit realisht nuk është humbja e pushtetit, por humbja e imunitetit. Për herë të parë pas dekadash, politika shqiptare përballet me një institucion që nuk negocion me narrativën, por kërkon llogari. SPAK-u nuk është thjesht një strukturë drejtësie; për klasën politike, ai është kërcënim ekzistencial.

Hannah Arendt e thotë qartë: pushteti nuk ka frikë nga opozita, por nga gjykimi, sepse gjykimi e nxjerr pushtetin nga propaganda dhe e fut në territorin e përgjegjësisë personale. Pikërisht këtu politika shqiptare ndihet e pambrojtur. Përballë SPAK-ut, aktorët politikë nuk janë më sundues, por subjekte hetimi dhe kjo për ta është një përmbysje e rendit që kanë njohur.

Carl Schmitt do ta quante këtë një “situatë përjashtimi”: çasti kur politika pushon së qeni ideologji dhe kthehet në instinkt mbijetese. Kur kundërshtari nuk është më “tjetri politik”, por drejtësia penale, konfliktet e mëdha pezullohen dhe lind një solidaritet i heshtur. Jo marrëveshje publike, por një afrim psikologjik dhe strategjik, i diktuar nga frika.

Kjo shpjegon pse Berisha dhe Rama mund të përplasen ashpër për vota, për histori dhe për pushtet, por përballë SPAK-ut gjuha u afrohet, reagimet fillojnë të ngjajnë dhe sulmet ndaj drejtësisë bëhen të sinkronizuara, herë të drejtpërdrejta, herë të maskuara. Mesazhi është i njëjtë: drejtësi po, por jo ajo që na prek ne.

Filozofia dhe sociologjia nuk flasin këtu për dy individë, por për një klasë politike që e percepton SPAK-un jo si instrument të shtetit, por si rrezik personal. Siç do të thoshte Pareto, elitat ndahen për të sunduar shoqërinë, por bashkohen për të mos u gjykuar prej saj dhe sot, ajo që i bashkon më fort se çdo ideologji është frika nga drejtësia.

Problemi i Shqipërisë nuk është konflikti politik, por një sistem që e pranon konfliktin si spektakël dhe e sheh drejtësinë si armik. Një sistem i mësuar të sundojë pa u gjykuar dhe që sot, për herë të parë, po ndien pasigurinë e llogaridhënies. SPAK-u nuk është më një “problem ligjor” për kundërshtarin; është pasqyrë ku pushteti sheh armikun e vetëm që nuk mund ta blejë, nuk mund ta manipulojë dhe nuk mund ta anashkalojë.

Berisha dhe Rama mund të vazhdojnë teatrin e përplasjes politike, por pas maskave, po afrohen në heshtje për të mbrojtur privilegjet e tyre. Për herë të parë, politika shqiptare nuk po mendon për votuesit, programet apo ideologjinë, ajo po mendon për veten dhe trashgiminë. Po sheh rrezikun nga SPAK-u dhe ky rrezik është i vetmi që realisht mund ta shkundë nga karriget e pushtetit politik-ekonomik që i kanë mbajtur në këmbë për dekada.

Se vjen një moment që drejtësia nuk pyet për fraksione, nuk dallon parti dhe nuk njeh miq politikë. Ajo godet aty ku duhet dhe pikërisht kjo është frika që sot i bashkon të gjithë.

Dosja Epstein/ Dyshohet se bashkëpunoi në trafikimin dhe abuzimin e të miturave! Maxwell do heshtë para Kongresit

By: E S
8 February 2026 at 16:25

Ghislaine Maxwell, e cila po vuan një dënim prej 20 vjetësh për trafikim seksual, do të heshtë gjatë seancës dëgjimore të Kongresit Amerikan mbi aktivitetet e Jeffrey Epstein. Ajo do të shfaqet të hënën përmes një lidhjeje video nga burgu dhe do të përdorë mbrojtjen e Amendamentit të Pestë, që garanton të drejtën kundër vetë-inkriminimit.

Sipas vëllait të saj, Ian Maxwell, Ghislaine kishte kërkuar në dhjetor një kompjuter nga gjykata për të mundësuar qasjen në dosjet e Epstein, por nuk kishte marrë ende përgjigje. Për këtë arsye, ajo ka parë vetëm një pjesë të vogël nga miliona faqe të publikuara dhe nuk mund të dijë se çfarë pyetjesh mund të lindin gjatë dëgjimit. Ian Maxwell shtoi se për këtë arsye, heshtja është e nevojshme për të shmangur akuzat për dëshmi të rreme.

Në janar, Maxwell kishte pretenduar se 29 bashkëpunëtorë dhe miq të Epstein ishin mbrojtur nga akuzat përmes marrëveshjeve sekrete me qeverinë amerikane. Në një peticion për lirimin e saj nga burgu, ajo deklaroi se disa bashkëpunëtorë, përfshirë katër të përmendur me emër dhe 25 burra të tjerë, ishin shmangur nga ndjekja penale.

Maxwell po vuan dënimin në një burg me siguri minimale në Teksas dhe më parë kishte kërkuar imunitet ligjor për të dëshmuar pa u ndjekur penalisht, por kërkesa u refuzua.

Seanca e saj bëhet pjesë e hetimit të Komitetit mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve për rastin Epstein dhe trajtimin e dosjeve nga qeveria amerikane.

Dy skiatorë humbin jetën nga orteku në Alpet Franceze, shpëtojnë dy të tjerë që ishin pjesë e grupit

By: E S
8 February 2026 at 16:12

Dy skiatorë vdiqën në një ortek në Saint-Verran, në Alpet e Larta, njoftoi sot prokurorja e distriktit në Gap, Marion Lozakmer.

Orteku u aktivizua dje rreth orës 15:00 në komunën Saint-Verran, e njohur si fshati më i populluar në Alpet Franceze, sipas shërbimeve të shpëtimit të Alpeve të Larta, raporton “Figaro”.

Orteku ra në anën veriore të majës Lonje, e cila ngrihet në 3,146 metra mbi nivelin e detit, tha Lozakmer, duke konfirmuar raportin e gazetës Dauphine Libere.

Dy burrat, njëri i lindur në vitin 1997 dhe i punësuar në rajon, dhe tjetri i lindur në vitin 1991 dhe me banim në Haute-Marne, ishin pjesë e një grupi prej katër alpinistësh që skiuan jashtë pistës, të pashoqëruar nga një udhërrëfyes, shtoi Lozakmer.

Dy skiatorët e tjerë nga grupi nuk u lënduan. Si pjesë e hetimit për të përcaktuar shkakun e vdekjes, do të kryhet një autopsi, tha ajo.

Më shumë se 20 skiatorë kanë vdekur këtë vit nga orteqet në vargmale të ndryshme të Alpeve në Austri, Francë dhe Zvicër.

Provimet në Maqedoninë e Veriut do bëhen edhe në shqip, Spiropali përshëndet nismën e ambasadorit Meidani

By: E S
8 February 2026 at 16:03

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi gjatë një konference për shtyp se Ligji për Gjuhët parashikon zhvillimin e provimeve edhe në gjuhën shqipe dhe se kjo dispozitë do të zbatohet në praktikë.

Ky qëndrim u përshëndet nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila vlerësoi iniciativën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe përgëzoi autoritetet maqedonase për vendimin për të zbatuar legjislacionin në fuqi dhe Marrëveshjen e Ohrit, duke theksuar edhe rolin e nismës së ambasadorit shqiptar, Denion Meidani.

“Përgëzojmë studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.

Vlerësojmë gjithashtu gatishmërinë e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht Kryeministrit Mickoski dhe Zëvendëskryeministrit Sali, për ta trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe në përputhje me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor të vendit.

Dialogu, zgjidhjet institucionale dhe respekti për të drejtat mbeten rruga më e sigurt për forcimin e besimit dhe standardeve demokratike”, shkruan ministrja Spiropali.

Lufta në Ukrainë përfundon në qershor? Zelensky pas ftesës për bisedime: SHBA-të po nxisin një zgjidhje

By: E S
8 February 2026 at 15:54

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se SHBA-të duan që lufta me Rusinë të përfundojë deri në qershor, duke shtuar se të dyja palët janë ftuar në SHBA për bisedime javën e ardhshme, raporton BBC.

“Amerika propozoi për herë të parë që dy ekipet negociuese – Ukraina dhe Rusia – të takohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndoshta në Miami, brenda një jave. Ne konfirmuam pjesëmarrjen tonë”, tha ai.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Uashingtoni apo Moska, por Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka bërë presion për t’i dhënë fund konfliktit që kur mori përsëri detyrën më shumë se një vit më parë.

Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet e saj ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të mëtejshme të energjisë elektrike gjatë kushteve të ngrirjes.

Në komentet e publikuara të shtunën, Zelensky u tha gazetarëve se çfarë kishte ndodhur gjatë raundit të dytë të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-të në Abu Dhabi, të cilat përfunduan të premten pa raportime për ndonjë përparim.

Zelensky tha se “çështjet e vështira mbetën të vështira”, duke përfshirë lëshimet territoriale që Ukraina është nën presion për t’i bërë.

Ai tha se palët diskutuan, për herë të parë, mundësinë e një takimi trepalësh midis udhëheqësve.

I pyetur nëse ishte dhënë një afat kohor për një marrëveshje, udhëheqësi ukrainas u përgjigj: “Amerikanët thonë se duan të bëjnë gjithçka deri në qershor”.

Memoriali i Gjergj Fishtës në Lezhë, ministri Gonxhja: Do të kthehet në një qendër ndërkombëtare arti!

By: E S
8 February 2026 at 15:45

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi sot, 8 shkurt, se Memoriali i Gjergj Fishtës në Lezhë do të kthehet në një qendër multifunksionale kreative me përmasa ndërkombëtare.

Ky projekt realizohet në bashkëpunim strategjik me Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe një prej shkollave më prestigjioze të fotografisë në Francë (ESPN), duke përfituar nga mbështetja e partnerëve evropianë.

Qendra e re do të përfshijë:

– Rezidenca Artistike & Shkëmbime, ku artistë dhe studentë shqiptarë dhe francezë do të punojnë së bashku në programe trajnimi dhe kërkimi shkencor.

– Itinerari i Gjurmëve Fishtjane, një rrugëtim hulumtues që lidh historinë e Fishtës me arkivin e jashtëzakonshëm të Muzeut “Marubi”.

– Evente dhe aktivitete që promovojnë ekologjinë, shkrimin dhe fotografinë, duke kthyer Memorialin në një pikëtakim ndërkombëtar të artit.

“Në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, institucionet ndërkombëtare dhe promotorët lokalë, projekti synon të rrisë gjithashtu vizibilitetin e turizmit kulturor dhe agroturizmit në zonë, duke nxjerrë në pah bukuritë dhe shijet unike të itinerareve historike të Lezhës“, bën me dije ministri.

Gonxhja thekson se ky projekt do të shërbejë si një destinacion i ri kulturor për Shqipërinë, duke vendosur Memorialin e Fishtës në hartën ndërkombëtare të artit dhe inovacionit.

“Isha vetëm 16 vjeçe”, një nga viktimat rrëfen si u njoh me Jeffrey Epstein

By: E S
8 February 2026 at 15:36

Haley Robson ka treguar për herë të parë përvojën e saj të dhimbshme me Jeffrey Epstein, kur ishte vetëm 16 vjeç në vitin 2002. Ajo tregon se u kontaktua nga njerëz të afërt, përfshirë një shoqe klase dhe Tony Figueroa, ish-i dashuri i Virginia Giuffre, si dhe Ghislaine Maxwell.

“Kur më ftuan në shtëpinë e Jeffreyt, nuk kisha dijeni se çfarë do të ndodhte. Kur mbërrita, ai më abuzoi për rreth një orë,” rrëfen Robson në një intervistë për Corriere della Sera.

Robson shpreh edhe mendimin e saj lidhur me vdekjen e Epstein, duke thënë se nuk beson se ai ka kryer vetëvrasje.

Sot, Robson është aktiviste dhe punon për të ndihmuar viktimat e abuzimit, veçanërisht gratë dhe fëmijët. “Kjo përvojë na ka bërë më të forta dhe më të vendosura që të kërkojmë drejtësi dhe të mbështesim njëra-tjetrën,” shprehet ajo.

❌
❌