Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 7 February 2026Java News

Mero Baze: Gjykata Kushtetuese ka votuar 8 me 0 kundër Edi Ramës dhe 4 me 4 kundër Ballukut

By: E S
7 February 2026 at 21:06

Botuesi i gazetës Tema, Mero Baze, vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte në thelb 8 me 0 kundër kryeministrit Edi Rama, pasi Gjykata refuzoi t’i përgjigjej pyetjes që kishte parashtruar qeveria dhe u nda në dy qëndrime për çështje që nuk i kishte pyetur askush, konkretisht lidhur me të drejtën për të kërkuar pezullimin.

Sipas Bazes, kjo nuk ishte një betejë për mandatin e Belinda Ballukut, por një përplasje institucionale për ndërfutjen e pushtetit të drejtësisë në pushtetin ekzekutiv dhe për rrezikun e krijimit të një “Republike të re”, të pavotuar, të papranuar dhe të padëgjuar nga sovrani.

Tema: Gjykata Kushtetuese dështoi të merrte një vendim për aneksën e qeverisë lidhur me kompetencën që ka një gjykatë të pezullojë nga detyra një anëtar të kabinetit? A është ky një problem i kuorumit apo çështje lobimi?

Mero Baze: Që të jemi të qartë, Gjykata Kushtetuese në fakt ka votuar unanimisht tetë me zero kundër thelbit të kërkesës së qeverisë. Të dyja ato që quhen grupe brenda gjykatës nuk e kanë konsideruar faktin që një ministër ka imunitet njësoj si deputeti dhe nuk mund të pezullohet. Në këtë pikë ato janë dakord që nuk ka imunitet. Ato janë ndarë mes tyre vetëm se kush e ka në dorë kërkesën për pezullim. Një grup, që nuk di pse e quajnë pro qeverisë, thotë se e ka në dorë Kuvendi ta bëjë atë kërkesë, kurse grupi tjetër thotë se mirë ka bërë që e ka bërë gjykata.

Tema: Ju thoni se Gjykata nuk i ka dhënë përgjigje kërkesës së qeverisë?

Mero Baze: Në fakt kërkesa nuk ishte se kush mund ta kërkojë pezullimin, por a ka të drejtë gjykata ta kërkojë. Dhe sikur Edi Rama të kishte marrë 5 vota, pra sikur Gent Ibrahimi të mos ishte bashkuar me grupin tjetër, përsëri qeveria do të dilte e humbur për kërkesën e saj. Belinda Balluku mund të dilte e fituar pasi i pezullohej pezullimi, por qeveria mbetej sërish zbuluar. Dhe që të jemi të ndershëm duhet të pranojmë që kjo ishte një betejë gjyqësore për Edi Ramën si kryeministër dhe ndërfutjen e pushtetit gjyqësor tek pushteti i tij dhe jo për Belinda Ballukun. Ajo ishte pasoja. Mosmarrja e vendimit e lë të hapur këtë problem pa u zgjidhur, pasi sot nuk kemi një rishkrim të Kushtetutës për këtë çështje, por kemi një dëshmi të pafuqisë për të marrë vendim.

Tema: Cili mund të jetë reagimi i qeverisë?

Mero Baze: I vetmi reagim për të cilin mund të flasim është beteja që kryeministri nisi për të vendosur një normë kushtetuese rreth ndërhyrjes së gjyqësorit në imunitetin e ekzekutivit. Kjo betejë nuk përfundoi. Dhe kjo betejë duhet përfunduar. Nuk di se si mund ta përsërisin këtë kërkesë kur të plotësohet Gjykata Kushtetuese me 9 vetë, ose në ndonjë rast tjetër të ngjashëm. Por kjo është një normë kushtetuese që ka nevojë për një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe jo për një mosmarrje vendimi. Mosmarrja e vendimit lë edhe qeverinë pa një normë kushtetuese që tani u bë e diskutueshme, lë në fuqi dhe pezullimin e Ballukut që u bë shkaku i kësaj ankese. Pra, ky vendim është më i keqi i mundshëm kundër qeverisë. Gjykata ka votuar 8 me 0 kundër Edi Ramës dhe 4 me 4 kundër Ballukut. Do të ishte më mirë të merrej vendim 5 me 3 kundër qeverisë, por të paktën pakica të ishte e qartë për normën kushtetuese të imunitetit.

Tema: Nëse kjo gjë nuk ndodh dhe Gjykata Kushtetuese nuk e merr më në shqyrtim, cila është rrugëzgjidhja?

Mero Baze: Nëse Gjykata Kushtetuese refuzon ta rishqyrtojë këtë çështje, atëherë shumica në Parlament mund të ndërhyjë të rregullojë nenin 242, paragrafi 2, të Kodit të Procedurës Penale, i cili u garanton imunitetin të zgjedhurve edhe për ministrin, dhe ta qartësojë këtë në mënyrë eksplicite.
Kështu ndoshta s’ka më nevojë t’i drejtohemi Kushtetutës për këtë nen.

Tema: Pavarësisht kësaj, në publik kjo përjetohet si një goditje kundër Ballukut dhe jo Ramës?

Mero Baze: Kjo nuk ishte një betejë për Belinda Ballukun. As kërkesa formalisht nuk bëhej për të. Belinda Balluku ka betejën e saj me drejtësinë dhe nuk i është shmangur. Madje ajo ka bërë ankimim në Gjykatën e Apelit për pezullimin e masës. Atje e ka betejën e saj. Gjykata Kushtetuese, me mosmarrjen e vendimit, e legjitimoi GJKKO-në si një gjykatë që ka të drejtë të pezullojë. Tani Balluku ka të drejtë të presë Apelin për të vlerësuar a ka shkaqe ligjore për ta mbajtur në fuqi pezullimin që ka vendosur shkalla e parë. Duhet pritur vendimi i Apelit sa i përket Ballukut.

Tema: Sa hapësirë ka kryeministri Rama për një betejë të re?

Mero Baze: Sa i përket Edi Ramës, kjo ishte një betejë mes pushtetit të drejtësisë dhe atij ekzekutiv. Me këtë mungesë vendimi, drejtësia ka ceduar nga e drejta e saj që të gjykojë respektimin e ligjit nga qeveria, për çfarë është e pavarur, por ka vendosur të ketë të drejtë dhe të vendosë edhe për përbërjen e qeverisë dhe cilësinë e saj përmes mekanizmave të pezullimit të atyre që nuk i pëlqen.
Për këtë arsye mendoj se Gjykata Kushtetuese ka votuar 8 me zero kundër Edi Ramës dhe e ka betejën me atë, jo me Ballukun.
Dhe kur dikush të fton në një betejë institucionale të tillë, ose përballesh, ose tradhton Republikën për të cilën je votuar. Kjo është një “Republikë e re”, e pavotuar, e papranuar dhe e padëgjuar. Dhe Republika nuk mund të vritet në një betejë që mbyllet me një të shtënë.

Bisedoi: Namir Lapardhaja

“Puthja simbolike për deputetët dhe diferencat me Lapajn”, Endri Shabani tregon momentet e zgjedhjes Avokat i Popullit

By: E S
7 February 2026 at 20:59

Në një intervistë ekskluzive për Inside Albania me Alice Taylor në Euronews, Endri Shabani, sqaroi momentet e diskutueshme të zgjedhjes së tij si Avokat i Popullit, përfshirë puthjen që iu dha deputetëve gjatë ceremonisë po ashtu dhe përplasjen me Adriatik Lapajn.

Edhe pse shumica mbështeti kandidaturën e tij në fund, Shabani thekson se pa firmat e deputetëve të opozitës ai nuk do të kishte qenë kurrë kandidat. Ky moment, sipas tij, reflekton pavarësinë institucionale dhe profesionalizmin që kërkohet për të ushtruar këtë detyrë.

“Pa mbështetjen e deputetëve të opozitës, kurrë nuk do të isha kandidat. Ky është një institucion dhe dua ta depersonalizoj. Nuk ka rëndësi nëse më pëlqen apo jo një person, ne duhet t’i shërbejmë të gjithëve njësoj”, thotë ai.

Një nga momentet më të komentuar ishte puthja simbolike që Shabani i dha deputetëve gjatë ceremonisë së zgjedhjes së tij, një veprim që u shoqërua me debate në media dhe rrjetet sociale.

“Isha shumë i stresuar. Ishte një moment që askush nuk e meritonte. Duhej të ishte një ceremoni dhe unë isha përgatitur të mbaja një fjalim, por u zhvillua kaos. Kishte tym, ata godisnin me shishe dhe ujë dhe gjëra të tjera. Pra, unë po përpiqesha ti qetësoja të gjithëve dhe puthja ishte një mënyrë instinktive për ta bërë këtë”, shpjegoi Shabani, duke theksuar se veprimi ishte instinktiv dhe jo i planifikuar.

Në lidhje me përplasjen e tij me Adriatik Lapajn, Shabani sqaroi se diferencat lindën nga vizione të ndryshme për angazhimin politik dhe rrugët personale të karrierës.

“Ne kishim bashkëpunuar si aktivistë dhe kishim një histori të përbashkët, por pas disa dallimeve në vizion, u ndamë. Unë zgjodha të largohem nga aktiviteti politik dhe të fokusohem në detyrën time si Avokat i Popullit,” tha Shabani.

Ai theksoi se pavarësia dhe profesionalizmi janë parimet kryesore të punës së tij, duke e parë institucionin si një mekanizëm për të shërbyer të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, pa dallime politike:

“Ky është një institucion dhe dua ta depersonalizoj. Nuk ka rëndësi nëse më pëlqen apo jo një person, ne duhet t’i shërbejmë të gjithëve njësoj,” shtoi Shabani.

I doli emri 700 herë në dosjet e Epsteinit, Franca nis hetimin ndaj ish-ministrit të Kulturës Jack Lang

By: E S
7 February 2026 at 20:51

Prokurorët francezë për krimet financiare kanë hapur një hetim ndaj ish-ministrit të Kulturës, Jack Lang, për dyshime mbi “pastrim të të ardhurave nga mashtrimi fiskal”, në lidhje me skandalin e Jeffrey Epstein.

Lang, një figurë e rëndësishme e qeverive socialiste franceze nga vitet 1980 deri në fillim të 2000, është përmendur gati 700 herë në dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve mbi Epstein. Ai mohon çdo shkelje dhe i ka cilësuar akuzat si “pa bazë”.

Pas njoftimit të hetimit, 86-vjeçari ofroi dorëheqjen nga posti si president i Institutit të Botës Arabe, një organizatë që promovon bashkëpunimin mes Francës dhe vendeve arabe. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, konfirmoi se procesi për gjetjen e pasuesit do të nisë së shpejti.

BBC shkruan se edhe vajza e tij, Caroline Lang, 64 vjeç, është nën hetim. Ajo dha dorëheqjen këtë javë nga posti i kryetares së Unionit të Producentëve të Filmit në Francë, pasi u përmend në dokumentet që sugjeronin kontakte me Epstein përmes një kompanie të regjistruar në Ishujt Virgin të SHBA-ve. Caroline Lang ka pranuar se ishte “jashtëzakonisht naive”, por ka mohuar se ka përfituar fonde.

Dosjet nuk sugjerojnë se Jack Lang apo e bija kanë qenë të përfshirë në krimet seksuale të Epstein, por zbulojnë kërkesa për favore dhe përdorim të makinës apo avionit privat të tij.

Sjellim ndërmend se Epstein, financieri amerikan i akuzuar për trafik seksual, vdiq në burg në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin. Publikimi i fundit i dosjeve nga autoritetet amerikane ka përfshirë miliona dokumente dhe emra të figurave të pasura e të fuqishme në mbarë botën.

Bordi i Paqes, Rama pritet të shkojë në Uashington për mbledhjen e parë

By: E S
7 February 2026 at 20:42

Kryeministri Edi Rama pritet të shkojë në Uashington, në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes. Ky informacion bëhet i ditur nga mediat, lidhur me mbledhjen që është parashikuar të mbahet më 19 shkurt.

Ndërkohë, në 9 shkurt, Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, do të zhvillojë një takim me kryeministrin Rama në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

A2 CNN mëson se në fokus të takimit do të jetë plotësimi i kushteve nga ana e Shqipërisë për nisjen e fazës së mbylljes së kapitujve të negociatave me BE-në.

Takimi vjen në një moment kyç për procesin e integrimit europian të vendit.

Sipas burimeve për mediat, shtetet anëtare, në veçanti Gjermania, kërkon me ngulm nga Shqipëria që politika të mos bëhet pengesë për drejtësinë.

“Ma drodhi fëmijën, duhet t’i stakojnë”, prindi denoncon rrezikun nga elektriciteti në pajisjen argëtuese te Shkëmbi i Kavajës

By: E S
7 February 2026 at 20:34

Dy pajisje argëtuese për matjen e forcës së krahut, të njohura si “boxer” dhe të instaluara në shëtitoren bregdetare te Shkëmbi i Kavajës, dyshohet se përcjellin korrent duke u kthyer në burim rreziku për fëmijët, të rinjtë dhe çdokënd që u afrohet.

Një prind, i alarmuar pas një incidenti me fëmijën e tij, ka njoftuar Policinë e Durrësit dhe ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur një fatkeqësi të mundshme.

Dyshohet se lagështia dhe ekspozimi i tyre ndaj kushteve atmosferike mund të ketë shkaktuar ndonjë defekt duke i kthyer në të rrezikshme.

“Këto dy makinetat këtu japin korrent se më zuri çunin, e hodhi përpjetë. Ishte me çorape kur u afrua, dhe e drodhi, filloi duke qarë. Kam njoftuar policinë tani që të shikojnë dhe t’i stakojnë”, shprehet qytetari. /tch/

Makina përplas motorin në Lungomare, drejtuesi i motomjetit transportohet me urgjencë në spitalin e Vlorës

By: E S
7 February 2026 at 20:27

Një aksident rrugor është regjistruar në zonën e Lungomares në Vlorë, ku një motor është përplasur nga pas me një automjet që po lëvizte në të njëjtin drejtim.

Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motorit, i cili nuk mbante kaskë mbrojtëse, ka pësuar dëmtime dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe ambulanca.

Policia po kryen dhe hetimet përkatëse dhe për të nxjerrë shkaktarin e aksidentit.

Nga India, Filipinet, Egjipti e deri Mianmar/ ‘Bum’ aplikimesh nga vendet aziatike për leje qëndrimi në Shqipëri

By: E S
7 February 2026 at 20:18

Boshllëkun e krijuar nga mungesa e punonjësve vendas, bizneset po mundohen ta mbushin me të huaj, ku kryesojnë vendet aziatike.

Aktualisht në Shqipëri jetojnë rreth 27 mijë të huaj, ndërkohë që vetëm vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare janë bërë 19.321 aplikime për leje qëndrimi, nga të cilat 16.651 janë miratuar, një pjesë janë ende në proces dhe vetëm 343 janë refuzuar.

Nga këto aplikime më shumë se 13.300 janë për arsye punësimi, ndjekur nga 2.583 për bashkim familjar. Shtetet që po njohin rritjen më të madhe të aplikimeve janë India, Nepali, Filipinet, Egjipti dhe Mianmar.

Deri më tani punonjësit e huaj dominojnë në sektorë si industria e peshkimit, ndërtim, fasoneri dhe turizmi, fusha që po përballen gjithnjë e më shumë me mungesë të fuqisë punëtore vendase.

Tirana, Durrësi dhe Vlora janë qytetet me përqendrimin më të madh të punonjësve të huaj. Për shembull në Vlorë janë 800 shtetas të huaj të punësuar, një numër që pritet të rritet edhe më shumë me afrimin e sezonit turistik.

“Unë jam nga India. Ne muajin mars bej dy vjet këtu. Jam i kënaqur. Kushtet e punës dhe pagesa qe marr janë të kënaqshme”, thotë një i huaj që punon në Vlorë.

“Punoj në sektorin e peshkimit. Jam me shoqe të tjera dhe kemi ardhur së bashku për të punuar në Vlorë. Është një vend që më pëlqen”, thotë një filipinase.

“Unë jam nga Filipinet. Aktualisht ndodhem prej 9 muajsh në Shqipëri. I kënaqur deri me tani. Të ardhmen e shikoj në Vlorë ndaj edhe kam vendosur të rri me familjen”, thotë një tjetër shtetas i huaj.

Ndërkohë që sipërmarrja ka shpallur më shumë se 6 mijë vende të lira pune vetë qeveria shqiptare është në negociata me disa shtete për të marrë fuqi punëtore të kualifikuar për të mbuluar mungesat e tregut, pas Bangladeshit, Filipineve tashmë vëmendja është zhvendosur në Indonezi e Mianmar për të rekrutuar punonjës për sektorët që kanë më shumë mungesa për fuqi punëtore.

Kush është mësuesi që shkarkua nga puna pasi predikonte fenë e Jehovait në shkollën 9-vjeçare në Tiranë

By: E S
7 February 2026 at 20:10

Kush është mësuesi i anglishtes që u shkarkua nga detyra pasi predikonte fenë me nxënësit e arsimit bazë në shkollën Gustav Mayer në Tiranë?

Top Channel mëson se profesori nuk ka telefon dhe mundësi komunikimi drejtpërdrejtë me të, por sipas profileve online të hapura para shumë vitesh, Dritan Zaimi paraqitet si një figurë me formim akademik në gjuhë të huaja dhe me aktivitet paralel letrar.

Dritan Zaimi ka lindur më 5 maj 1975 në Gramsh. Ai ka përfunduar shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Tiranë në vitin 1993 dhe në vitin 1997 është diplomuar si mësues i gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës.

Në website virtuale ai prezantohet se ka filluar të shkruajë vargje që në moshë shumë të vogël. Në vitin 2001 botoi përmbledhjen e tij të parë me poezi “Dhimbja”. Në krijimtarinë e tij letrare, vihet re një prani e theksuar e tematikave filozofike dhe shpirtërore, ku përdoren simbole që lidhen me jetën dhe vdekjen. Poezitë e publikuara online tregojnë një autor që reflekton mbi raportin e njeriut me të shenjtën.

Në orët e mësimit me nxënësit ju shfaqte video për Perëndinë dhe ju jepte detyra për urdhërimet e fesë që mendohet se përfaqësonte dëshmitarët e jehovait. Në një nga poezitë e tij shkruante “Atë që s’e kuptojmë e quajmë budalla. Atë që s’na kupton përsëri e quajmë budalla.” /tch

Xhudistja Distria Krasniqi triumfon në Paris, fiton medaljen e artë në “Grand Slam”

By: E S
7 February 2026 at 20:02

Distria Krasniqi vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare të xhudos, duke i sjellë Kosovës një tjetër sukses të madh. Xhudistja kosovare fitoi medaljen e artë në Grand Slam e Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë, pasi mposhti në finale spanjollen Ariane Toro Soler me Ippon për më pak se 10 sekonda.

Krasniqi e nisi garën nga raundi i dytë, ku dominoi ndaj francezes Alicia Marques, për të vazhduar me fitore të vështirë ndaj brazilianes Larissa Pimenta në çerekfinale.

Në gjysmëfinale triumfoi ndaj Amandine Buchard, ndërsa në finale vulosi suksesin e saj të nëntë në Grand Slam e Parisit, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një nga xhudistet më të mira në botë.

Prindërit rikthejnë emrat shqiptarë për fëmijët, sociologët: Emrat e huaj erdhën pas izolimit në diktaturë

By: E S
7 February 2026 at 19:53

“Prindërit e rinj gjithnjë e më shumë po zgjedhin emra shqiptarë për fëmijët e tyre, duke u rikthyer tek rrënjët, teksa për dekada me radhë ishin emrat e huaj ata që mbizotëronin. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Edua tek vajzat dhe Kren tek djemtë janë dy emrat shqiptarë më të përhapur”, raporton gazetarja Gerta Vasku.

Janë një sërë emrash të tjerë, kryesisht me kuptime të ndryshme në gjuhën shqipe, që po gjejnë përdorim të gjerë.

“Sidomos emra nga gegnishtja sepse tingëllojnë më bukur. Ndërsa emrat më modernë, por që janë shqiptarë: Edua, Ajër. Më parë e vendosnin Ajra sipas italishtes, tani preferojnë Ajër, emër shqiptar. Bora që simbolizon bardhësinë. Për meshkujt, më shumë janë emrat e lumenjve. Vazhdojnë të vendosin Drin, është shumë i përhapur. Ndërsa pjesa e veriut vendos emra si Flamur, Dren, Kroi. Trendi është edhe bashkimi i dy emrave: Sihana, Sidrita, Siar. Bashkojnë emrin me një lidhëse”, thotë Dolores Rrapollari, Specialiste pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

Sociologët e cilësojnë këtë fenomen të ri si rikthim tek identiteti, pas dëshirës për emra të huaj, shpesh pa ia ditur kuptimin, që ka mbizotëruar që pas viteve ’90.

“Ka ardhur koha të vinte dhe si duket ka filluar. Brezi i ri, ndoshta i tejngopur pak vetë nga këto emrat e huaj, po kërkon vetveten. Nëse prindërit e këtyre prindërve të rinj u kanë vendosur emra të huaj, kjo vinte pas një izolimi dhe mbylljeje, nga dëshira për integrim dhe përshtatje. Dëshira për modernitet ka qenë dëshira për Perëndimin. Një rol kanë luajtur edhe filmat në periudha të ndryshme”, thotë sociologia Entela Binjaku.

Pavarësisht ndryshimit të preferencave, në zyrat e gjendjes civile ekziston ende një listë me emrat e ndaluar.

“Varreze, Govate, Groshë, Mbarime… sepse kur lindnin shumë vajza, të mbaronin”, thotë specialistja Rrapollari.

Me ndryshimin e legjislacionit në Shqipëri është i ndaluar ndërrimi i emrit.

Irani dhe SHBA bien dakord për bisedime të reja, Kushner dhe Witkoff vizitojnë aeroplanmbajtësen Lincoln

By: E S
7 February 2026 at 19:45

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime të mëtejshme sipas CNN.

Megjithatë, ekuilibri mbetet i paqëndrueshëm.

“Të dërguarit e Presidentit Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, vizituan të shtunën anijen luftarake USS Abraham Lincoln, e cila është e stacionuar në Detin Arabik, jo shumë larg Iranit, së bashku me komandantin e CENTCOM-it, Admiralin Brad Cooper”, raportoi Axios.

Lëvizja është gjithsesi një shfaqje force, veçanërisht pas deklaratave të ministrit të jashtëm iranian.

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, i cili vizitoi anijen luftarake USS Abraham Lincoln të shtunën, tha se Shtetet e Bashkuara po i tregojnë botës rëndësinë e gatishmërisë dhe vendosmërisë, dhe se forcat e tyre janë në gjendje të vazhdueshme gatishmërie.

“Ne po mbrojmë interesat tona dhe po i pengojmë kundërshtarët tanë”, tha ai.

Nga ana tjetër Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Iraniane, Abd al-Rahim Mousavi, i kërcënoi armiqtë e Republikës Islamike me një zgjatje të luftës në një deklaratë në një aktivitet festiv.

Mousavi e bëri kërcënimin mes tensioneve rreth një sulmi të mundshëm amerikan.

“Çdo veprim ushtarak kundër Iranit do t’i kushtojë shtrenjtë armikut. Armiku e kupton shumë mirë se çdo agresion ushtarak do të rezultojë në humbjen e tij strategjike dhe do të zgjerojë shkallën e luftës në rajon”, vuri në dukje ai.

Së fundmi, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohet me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Uashington të mërkurën, njoftoi zyra e kryeministrit izraelit të shtunën.

Zyra tha se Netanyahu beson se çdo negociatë me Iranin duhet të përfshijë raketat e tij balistike dhe t’i japë fund mbështetjes së tij për grupet që veprojnë si përfaqësues të tij.

Horoskopi ditor për nesër, e diel 8 shkurt 2026

By: E S
7 February 2026 at 19:36

Dashi

Ky është momenti për të kuptuar se çfarë ndjeni dhe çfarë dëshironi, ndaj nëse nuk e dini ende, mos bëni lëvizje të nxituara. Sfera financiare mund t’iu shkaktojë probleme, për shkak se jeni ngushtë në këtë moment.

Demi

Saturni do i ngadalësojë projektet në çift dhe vonesat do të jenë të pashmangshme. Në dashuri do të keni mundësi që të nisni një histori të re. Bëni kujdes edhe me rikuperimin e dashurive të kaluara. Në punë do të keni ngarkesë dhe do të ndjeni nevojën për tu çlodhur.

Binjakët

Me ndikimin e kundërt të Hënës, do të bënit mirë që të prisni deri në 11 maj, për të marrë vendime në dashuri. Në këtë periudhë këshillohet që të rrini të qetë dhe të shmangni debatet. Puna do të ecë mjaft mirë dhe përmirësimet do të nisin që nga 11 prilli.

Gaforrja

Ky është një moment mjaft pozitiv, ku dashuria do të jetë e favorizuar. Venusi do të ndikojë pozitivisht. Do të keni në mendje ide të reja dhe ndryshimet do të rezultojnë të frytshme.

Luani

Gjatë kësaj dite duhet të bëni kujdes. Në dashuri, historitë e lindura prej pak kohësh, do të ecin qetësisht. Megjithatë dikush mund të jetë kundër jush dhe nuk do ju kuptojë. Sa i takon punës, duhet vëmendje maksimale.

Virgjëresha

Me ndikimin e Hënës në shenjë, do të keni mundësi që të kaloni një ditë të qetë. Bëni kujdes me distancat fizikë, pasi mund të hasni në probleme. Në punë, do të ndiheni tejet të stresuar.

Peshorja

Të lindurit e kësaj shenje i pret një e diel mjaft pozitive. Gjërat do të ecin më së miri. Në dashuri, Hëna do të hyjë në shenjën tuaj dhe do të stimulojë emocione të bukura. Ndonjë person që e keni larg, do të bëhet i gjallë. Shumë shpejt do keni mundësi që të zgjidhni edhe problemet që kanë të bëjnë me punën.

Akrepi

Kjo është një periudhe mjaft pozitive, veç bëni kujdes me nervozizmin. Në dashuri, mund të hasni në vonesa, shkruan noa.al. Puna do të ecë përgjithësisht mirë, por përmirësime do të ketë pas pak ditësh.

Shigjetari

Yjet do të jenë mjaft të favorshme, por jo çdo gjë do të ecë siç dëshironi. Në familje, mund të përballeni me situata që kërkojnë zgjidhje. Në punë, duhet të bëni disa ndryshime, ndërsa raporti me kolegët do të përmirësohet.

Bricjapi

Duhet të mundoheni që të zgjidhni të gjithë problemet me të cilat jeni përballur këtë periudhë në dashuri. Ndërsa në punë do të ketë ndryshime dhe zhvillime pozitive.

Ujori

E diela do të jetë përgjithësisht pozitive. Në dashuri, mund të ndiheni disi të përhumbur, për shkak të disa vendimeve që duhet të merrni. Ndërsa sa i takon punës do të ketë tensione, për shkak se dëshironi me ngulm që të thoni atë që mendoni. Mundohuni që të mos mendoni shumë për të kaluarën.

Peshqit

Jeni në një fazë të ndjeshme rikuperimi. Në dashuri mund të përballeni me probleme dhe nervozizëm, pasi mund t’iu duhet të largoheni nga dikush. Puna do të jetë në përmirësim dhe problemet e hasura së fundmi do të gjejnë zgjidhje.

Nga fotot me AI, te hetimet për vizitën në qeli/ Valë teorish konspirative për vdekjen e Jeffrey Epstein

By: E S
7 February 2026 at 19:28

Kjo foto, ku pretendohet se shfaqet Jeffrey Epstein në Tel Aviv duke ecur mes truprojave, ka ngjallur reagime të shumta dhe dyshime se ish‑bankieri famëkeq është gjallë. Publikimi i saj ka bërë që miliona përdorues të besojnë se ai nuk u vetëvra në të vërtetë në burg në vitin 2019, siç konfirmon varianti zyrtar, por se ka dalë fshehurazi nga burgu. Megjithatë, sipas verifikimit të BBC, fotoja është tërësisht e gjeneruar me inteligjencë artificiale, duke mbajtur edhe logon e shërbimit Gemini të Google.

Ndërkaq, dosjet reale të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë javën e kaluar kanë sjellë prova tronditëse. Hetuesit federalë, duke shqyrtuar pamjet e natës së vdekjes, vunë re një “figurë portokalli” që ngjitej shkallëve drejt qelisë së Epstein në orën 22:39. Ky detaj vë në dyshim versionin zyrtar se ai ishte vetëm atje, pasi kjo figurë, që i ngjan një të burgosuri tjetër me uniformë portokalli, nuk u përmend kurrë në raportet përfundimtare të kohës.

Mes 3 milionë faqeve të deklasifikuara, janë edhe fotot e qelisë që dëshmojnë praninë e sasisë së madhe të çarçafëve dhe uniformave rezervë, duke shtuar dyshimet se Epstein mund të mos ketë qenë vetëm në çastet e fundit. Ndonëse zyrtarisht thuhet se u gjet i vetëvarur, “mosfunksionimi” i kamerave dhe kjo figurë misterioze në shkallë mbeten sot pikat më të errëta të hetimit.

Integriteti dhe autoriteti i Gjykatës Kushtetuese

By: Luan Rama
7 February 2026 at 19:20

Nga Luan Rama

Kur Gjykata Kushtetuese e Republikës dështon të flasë me një zë të qartë, nuk është thjesht një problem procedurial, por një krizë e thellë e integritetit institucional.

Vendimi “pa vendim” i Gjykatës Kushtetuese në çështjen për të cilën ajo u investua me kërkesën e Kryeministrit Edi Rama dhe që lidhet me zëvendëskryeministren e pezulluar nga detyra Belinda Ballukun, si pasojë e ndarjes 4 me 4 të trupës gjykuese, nuk është një episod teknik dhe as një rastësi proceduriale.

Ai është prova më e qartë e një Gjykate Kushtetuese të kapur, të neutralizuar dhe të reduktuar në një mekanizëm balancash politike.

Një gjykatë që nuk arrin të vendosë në çështje me rëndësi të lartë publike, në fakt, ka marrë një vendim: ka zgjedhur të mos ushtrojë autoritetin e saj kushtetues.

Në çdo demokraci funksionale, Gjykata Kushtetuese nuk ekziston për të reflektuar raportet e forcës mes pushteteve, por, për t’u imponuar atyre.

Në doktrinën kushtetuese europiane dhe në praktikën e gjykatave kushtetuese të konsoliduara, si në Gjermani, Itali apo Spanjë, parimi është i qartë: gjykata duhet të jetë më e fortë se pushteti politik i radhës. Kjo forcë nuk buron vetëm nga kompetencat formale që i jep Kushtetuta, por nga autoriteti intelektual, profesional dhe moral i gjyqtarëve që e përbëjnë atë.

Në Shqipëri është ndjekur logjika e kundërt. Gjykata Kushtetuese nuk është ndërtuar për të qenë autoritet, por për të qenë e kontrollueshme.

Ndarja 4 me 4 në një çështje me ndjeshmëri të lartë politike nuk është shprehje e pluralizmit juridik, por është pasojë e një arkitekture të qëllimshme institucionale, ku askush të mos ketë peshë të mjaftueshme për të thyer ekuilibra të parapërcaktuar.

Zgjedhja e individëve pa profil të konsoliduar akademik, pa kontribute të njohura në të drejtën kushtetuese dhe pa autoritet profesional të provuar, e ka dobësuar në themel trupën gjykuese.

Gjykata është mbushur me emra që nuk imponohen përmes dijes dhe integritetit, por që peshohen përmes llogarive politike. Në këto kushte, pyetja nuk është më se çfarë thotë Kushtetuta, por se me kë është secili gjyqtar.

Fakti që edhe sot Gjykata Kushtetuese e Republikës nuk është ende e plotësuar me numrin e plotë të gjyqtarëve, nuk është një dështim teknik apo administrativ, por një instrument i qartë kontrolli. Një gjykatë e paplotë është një gjykatë e dobët; një gjykatë e dobët është e menaxhueshme.

Kështu, organi më i lartë i mbrojtjes së Kushtetutës është trajtuar si një strukturë që duhet mbajtur në gjendje ekuilibri artificial, jo si një autoritet suprem dhe solemn që duhet të vendosë qartë e pa asnjë mëdyshje në mbrojtje të Kushtetutës.

Komisioni i Venecias (të cilin aq shumë na pëlqen ta thërrasim në ndihmë!) ka theksuar vazhdimisht se pavarësia reale e gjykatave kushtetuese nuk garantohet vetëm nga procedurat formale të emërimit, por nga cilësia, integriteti dhe profili i individëve të zgjedhur. Një gjykatë mund të jetë ligjërisht e pavarur, por materialisht e nënshtruar, nëse përbëhet nga gjyqtarë pa autoritet intelektual dhe pa integritet qytetar.

Përgjegjësia për këtë situatë është politike dhe institucionale.

Kuvendi dhe Presidenti i Republikës, si organe kushtetuese emëruese, nuk mund të fshihen pas formalizmit të procedurës. Ata kanë zgjedhur këtë model Gjykate Kushtetuese. Ata nuk kanë dashur një gjykatë me personalitete të forta, sepse personalitetet e forta nuk kontrollohen. Në vend të tyre, është ndërtuar një trupë që balancon, ndahet dhe, kur duhet, nuk vendos.

Në thelb të këtij dështimi qëndron mungesa e integritetit qytetar të individit dhe mungesa e autoritetit profesional të gjykatësit kushtetues. Një gjyqtar pa integritet qytetar nuk është i pavarur nga pushteti. Një gjyqtar pa autoritet intelektual nuk i imponohet dot pushtetit. Dhe një Gjykatë Kushtetuese e përbërë nga të tillë individë nuk mund të mbrojë Kushtetutën, sado kompetenca t’i njohë ajo në letër.

Ndarja 4 me 4 në çështjen Balluku duhet lexuar si aktakuzë ndaj modelit aktual të ndërtimit të Gjykatës Kushtetuese. Për sa kohë që kjo logjikë e kapjes institucionale mbetet e pandryshuar, Gjykata do të vazhdojë të ekzistojë formalisht, por do të dështojë realisht në funksionin e saj themelor: mbrojtjen e Kushtetutës nga pushteti. Dhe pa këtë mbrojtje, shteti kushtetues mbetet vetëm një fasadë.

“Fonde të hedhura dëm, nuk po sjell përfitime ekonomike”, Milano proteston kundër Lojërave Olimpike Dimërore 2026

By: E S
7 February 2026 at 19:13

Mijëra qytetarë dhe aktivistë marshuan në Milano, duke protestuar kundër ndikimit mjedisor dhe ekonomik që sipas tyre shkaktojnë Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.

Protesta u zhvillua pas ceremonisë spektakolare të hapjes në stadiumin San Siro, ku u promovua kultura italiane. Megjithatë, jashtë stadiumit, qyteti u bë skenë e pakënaqësive të shumta: aktivistët dhe studentët marshuan për të kundërshtuar praninë e ICE-së dhe ndikimin e projektit në mjedis.

Pjesëmarrësit shfaqën banderola me mesazhe si: “ICE out”, dhe kritikuan qeverinë e Giorgia Meloni dhe kryebashkiakun e Milanos, Beppe Sala. Disa hodhën fishekzjarre dhe bomba tymi, por marshimi mbeti kryesisht paqësor.

Shumë prej protestuesve vunë në dukje se punimet për Lojërat janë papërballueshme mjedisore dhe nuk kanë sjellë përfitime ekonomike për qytetin e Milanos dhe Lombardinë. Sipas tyre, fondet e përdorura janë hedhur kot, duke dëmtuar arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.

Protestat tregojnë një pakënaqësi të gjerë për mënyrën se si Lojërat Olimpike po menaxhohen dhe ndikimin e tyre në jetën e përditshme të qytetarëve italianë.

“Vota juaj u shndërrua në treg të zi, procesi zgjedhor është farsë!”, akuzat e Berishës nga foltorja në Kamzë

By: E S
7 February 2026 at 19:05

Kreu i PD-së Sali Berisha në foltoren e radhës në Kamëz akuzoi qeverinë se ka dhunuar votën dhe vullnetin e lirë të qytetarëve.

Ai tha se pas Enver Hoxhës, armiku më i egër i votës së lirë ka kthyer procesin zgjedhor në një “farsë elektorale” dhe ka krijuar një “treg të zi” të votës, duke përdorur metoda anti-demokratike dhe anti-kushtetuese për të plaçkitur votën e qytetarëve.

Berisha theksoi se qytetarët kanë derdhur “lumenj djersë” në fushata elektorale, por sipas tij, e gjithë pushteti është përqendruar në duart e një personi, duke shkelur të drejtën e votës së lirë.

Berisha: Duke dhunuar votën tuaj, vullnetin tuaj të lirë njëlloj si në rastin e pushtimeve, gjithë pushteti u përqëndrua në duart e një njeriu. Keni derdhur lumenj djerse në fushata elektorale, por armiku më i egër i votës së lirë pas Enver Hoxhës, ka shndërrua procesin zgjedhor në farsë elektorale. Ka krijuar në fushatë elektorale tregun më të zi, tregun e votës. Tregu i vullnetit. Ka përdorur të gjitha metodat anti demokratike, anti kushtetuese, për të plaçkitur votën e qytetarëve.

Bisedimet për paqe Ukrainë-Rusi, Zelensky: Macron kërkon dialog alternativ me Rusinë për t’i dhënë fund luftës

By: E S
7 February 2026 at 18:47

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se homologu i tij francez, Emmanuel Macron, po kërkon një “dialog alternativ me Rusinë” në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Duke folur para gazetarëve, Zelensky tha se kjo nismë vjen në një kohë kur Kievi dhe Moska po zhvillojnë bisedime trepalëshe me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

Sipas tij, arsyeja e kësaj qasjeje është se Franca “duhet të jetë pjesë e procesit të përfundimit të luftës dhe të ketë zërin e saj”.

Komentet e Zelenskyt nënkuptojnë se Parisi po kërkon një rol më aktiv dhe të drejtpërdrejtë në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit.

“Më jep 6.600 € ose do të merzis jetën”/ Kërcënoi e shantazhoi futbollisti, procedohet trajneri nga Kosova

By: E S
7 February 2026 at 18:39

Trajneri i futbollit Avni Hasani, pasi u pushua nga puna nga klubi Feronikeli i Drenasit për shkelje të rënda disiplinore pas një konflikti me një futbollist, në shenjë hakmarrjeje e ka paditur atë pa asnjë fakt apo provë konkrete.

Më pas, ai ka kaluar në shantazh, duke i kërkuar futbollistit shumën prej 6.600 € për ta tërhequr padinë, duke e kërcënuar se nëse shuma nuk paguhej, do t’ia shkatërronte jetën dhe karrierën, duke përhapur lajme të rreme për të në media.

Pas refuzimit të futbollistit, trajneri ka kontaktuar disa media në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat e kanë publikuar lajmin pa verifikuar faktet dhe pa kërkuar reagim as nga klubi Feronikeli dhe as nga vetë futbollisti, duke i shkaktuar këtij të fundit dëmtim të rëndë të imazhit dhe reputacionit profesional.

Si pasojë, futbollisti e ka denoncuar rastin, duke dorëzuar në Policinë e Fushë-Kosovës regjistrimet audio të shantazhit dhe mesazhet përkatëse. Rasti tashmë ka kaluar në trajtim nga Njësia për Krime të Rënda, ku trajneri po hetohet për veprën penale të shantazhit.

Ndalohen dy persona të dyshuar në lidhje me sulmin me armë ndaj gjeneralit rus në Moskë

By: E S
7 February 2026 at 17:57

Agjencitë ruse të zbatimit të ligjit kanë ndaluar një person dhe një bashkëpunëtor të tij, të cilët dyshohet se kanë lidhje me atentatin ndaj gjeneralit rus, Vladimir Alekseyev.

Ata do të merren në pyetje dhe një seancë dëgjimore gjyqësore për paraburgimin pritet më 8 shkurt, shkruan media ruse, Kommersant.

Një çështje penale është hapur me akuzat për tentativë vrasjeje dhe trafikim të paligjshëm armësh. Pas marrjes në pyetje, të dyshuarve do t’u ngrihen akuza.

Alekseyev iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale me sukses dhe rifitoi vetëdijen më 7 shkurt, por mbeti nën mbikëqyrje mjekësore.

Alekseyev u qëllua nga një person që u paraqit si korrier për shpërndarjen e ushqimit, i cili kishte hyrë në ndërtesën e tij. Alekseyev, i cili ishte duke shkuar në punë, u qëllua dy herë në shkallët e ndërtesës dhe pastaj një herë të tretë ndërsa po i zmbrapsej sulmit, pas së cilës autori i ngjarjes u largua nga vendi i ngjarjes.

Edhe pse nuk merr pjesë personalisht në bisedimet e paqes me Ukrainën në Abu Dhabi, Alekeyev është i përfshirë drejtpërdrejt në negociata dhe deri dje vepronte prapa skenave në emër të shefit të tij, Igor Kostyukov, i cili kryeson delegacionin rus.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka akuzuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky se qëndron prapa atentatit, duke e cilësuar një përpjekje të qëllimshme për të penguar bisedimet e paqes.

Alexeyev ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Ukrainë, duke marrë pjesë në bisedimet me Ukrainën gjatë rrethimit rus të Mariupolit në vitin 2022.

Ai u dërgua gjithashtu për të negociuar me kreun e grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili udhëhoqi një kryengritje të shkurtër dhe të përgjakshme në qershor 2023.

Ta gëzojmë Republikën e Re!

By: Java News
7 February 2026 at 17:48

Nga Plarent Ndreca

Këtë fjali e publikova mbrëmë shpejt, por jo si figurë retorike dhe as si reagim emocional, por si përshkrim i një realiteti të ri kushtetues që u krijua dje, jo nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, por pikërisht nga mosmarrja e tij.

Me pamundësinë për të arritur shumicën e kërkuar, Gjykata Kushtetuese hapi një precedent që Kushtetuta nuk e ka parashikuar: mundësinë që një gjyqtar i shkallës së parë të pezullojë ushtrimin e një funksioni kushtetues, siç është ai i ministrit.

Kjo çështje nuk ka asnjë lidhje me emër konkret ministri dhe as me mënyrën se si një funksion është ushtruar nga një individ i caktuar. Objekti i saj është ekskluzivisht funksioni kushtetues si institucion. Kush e personalizon këtë debat, ose nuk e kupton natyrën e kontrollit kushtetues, ose e deformon atë për qëllime politike apo personale.

Nëpërmjet kësaj mosvendimmarrjeje, Gjykata Kushtetuese, ka ndryshuar në mënyrë substanciale balancën e pushteteve. Praktikisht, ajo ka vendosur pushtetin ekzekutiv në një varësi funksionale nga pushteti gjyqësor, duke transformuar në heshtje arkitekturën e republikës parlamentare. Precedenti i krijuar është i qartë në implikimet e tij. Nga sot, një gjyqtar i shkallës së parë mund të pezullojë një ministër, të gjithë Këshillin e Ministrave, madje edhe Presidentin e Republikës, pasi as për këtë funksion Kushtetuta nuk parashikon shprehimisht institutin e pezullimit. Nëse mungesa e një parashikimi eksplicit konsiderohet hapësirë për ndërhyrje, atëherë asnjë funksion kushtetues nuk është më realisht i mbrojtur, përfshirë edhe vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata u nda në dy qëndrime, me nga katër gjyqtarë secili, të cilat, për arsye të ndryshme, janë të dyja të papajtueshme me rendin kushtetues.

Qëndrimi i parë pretendon se pezullimi i ministrit kërkon autorizim paraprak nga Kuvendi, duke mos e njësuar mbrojtjen që neni 242, paragrafi 2, i Kodit të Procedurës Penale i garanton të zgjedhurve edhe për ministrin. Ministri, njësoj si deputeti, nuk është subjekt i pezullimit nga detyra. Mandati i tij ndërpritet ose përfundon vetëm sipas procedurave kushtetuese, por nuk pezullohet. Pranimi i kësaj teze do të cenonte barazinë kushtetuese të imunitetit ndërmjet deputetit dhe ministrit, duke prishur ekuilibrin e njësuar të mbrojtjes që Kushtetuta ka parashikuar ndërmjet këtyre dy funksioneve.

Qëndrimi i dytë mbështetet në tezën se, meqenëse Kushtetuta nuk e rregullon shprehimisht pezullimin e ministrit, ky është një boshllëk që duhet plotësuar nga kushtetutëbërësi. Ky arsyetim është po aq problematik, sepse niset nga një premisë e gabuar: se mungesa e një rregullimi eksplicit do të thotë mungesë mbrojtjeje kushtetuese.

Të dyja qëndrimet anashkalojnë plotësisht nenin 73, pika 1, të Kushtetutës, i cili garanton imunitetin funksional të deputetit. Ky imunitet nuk është privilegj personal, por një garanci institucionale, e domosdoshme për ushtrimin e pashqetësuar të funksionit përfaqësues. Sipas standardeve të konsoliduara të së drejtës kushtetuese, përfshirë interpretimet e Komisionit të Venecias, vota nuk reduktohet në aktin formal të shprehjes pro, kundër apo abstenim, por përfshin të gjithë procesin parlamentar që paraprin dhe shoqëron vendimmarrjen, si pjesë integrale e ushtrimit të funksionit. Çdo masë që pengon, kufizon ose neutralizon këtë proces përbën cenim të drejtpërdrejtë të imunitetit funksional.

Ndërkohë neni 103 i Kushtetutës është i qartë: anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit. Kjo do të thotë se imuniteti funksional i ministrit është identik me atë të deputetit. Për pasojë, çdo ndërhyrje në procesin vendimmarrës të një anëtari të Këshillit të Ministrave përmes një mase gjyqësore pezullimi është, në thelb, e barazvlefshme me ndërhyrjen në procesin vendimmarrës të një anëtari të Kuvendit. Nga kjo rrjedh se as deputeti, as ministri, as Këshilli i Ministrave dhe as Presidenti i Republikës nuk janë të pezullueshëm nga detyra. Ata mund të shkarkohen vetëm sipas procedurave kushtetuese të parashikuara shprehimisht. Pezullimi përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në mënyrën e ushtrimit të funksionit kushtetues dhe si i tillë, është antikushtetues.

Gjykata Kushtetuese nuk e mori fare në shqyrtim këtë dimension themelor të çështjes.

Në këtë kuptim, me vendimin e djeshëm për të mos marrë vendim, Gjykata Kushtetuese nuk ka zbatuar Kushtetutën. Ajo e ka ndryshuar atë nëpërmjet interpretimit kushtetues dhe kur Kushtetuta ndryshohet, ndryshohet vetë Republika.

Ndaj, le ta gëzojmë Republikën e Re!

❌
❌