Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 1 February 2026Java News

Në dosjet e Epstein del edhe emri i biznesmenit shqiptar: Princesha do të donte ta shihte këtë video

By: E S
1 February 2026 at 21:00

Publikimi i mesazheve në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë ka hedhur dritë mbi disa emra politikanësh nga Kosova.

Në një nga email-et e vitit 2012, përmendet edhe Behgjet Pacolli. Email-i, i datës 19 shtator 2012 dhe i dërguar nga konsulli i Kosovës në Tajlandë, Mom Luang Rajadasari Jayankura, i drejtohej Jeffrey Epstein dhe përmbante titullin: “Kush është Behgjet Pacolli?”.

“Përshëndetje Jeffrey, princesha dëshiron që t’i të shohësh këtë video,” thuhet në mesazhin e dërguar nga “Daniel”, ku përfshihej edhe një link nga YouTube, i cili nuk është më i aktiv. Konsulli i Kosovës në Tajlandë i sugjeronte Epstein-it: “Mund t’ia dërgosh këtë Jeffreyt.”

E njëjta konsulle shfaqet edhe në një tjetër email të vitit 2012, ku përmendej edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pa e përmendur emrin direkt: “Mirë se vini në Paris. Princesha nga Tajlanda do të jetë në New York, Kombet e Bashkuara, me presidenten e Kosovës. Ajo do të donte të ju takonte nëse keni kohë këtë javë,” thuhej në mesazh.

Mom Luang Rajadasari Jayankura ka deklaruar më parë se ka luajtur një rol aktiv në njohjen e Kosovës nga Tajlanda dhe se ka lobuar edhe për njohjen nga vende të tjera.

Kjo është video që përmendet në email dhe rezulton i fshirë:

https://www.youtube.com/watch?v=zxFpocuNB1I

“Erdha të takoja nënën, e gjeta jashtë”, Laureta i kërkon llogari vëllait: Do mbash përgjegjësi për këtë!

By: E S
1 February 2026 at 20:52

Laureta ka thirrur në “Shihemi në Gjyq” vëllezërit e saj sepse është e shqetësuar se çfarë do të bëhet me nënën e tyre.

Përballë saj gjendet Namiku, ndërsa i pranishëm në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, është edhe vëllai i madh, Astriti. Kur ai hyn në studio, të dy përplasen me fjalë të rënda, ndërsa Laureta e quan “palaço”.

Laureta thotë se nëna, e cila është nën përgjegjësinë e Namikut që është kujdesur më shumë për të, ka mbetur në rrugë. Ajo thotë se e ka gjetur nënën jashtë.

Laureta: Unë erdha të takoj nënën si çdo fëmijë që vjen të takojë nënën dhe kur erdha, e gjeta nënën jashtë. Dyert e shtëpisë të mbyllura, porta e mbyllur, kuzhina e mbyllur, mos të kishte ku të gatuante, ku të jetonte. Mbi të gjitha, ia kemi plotësuar dhe kushtet, sot na ndalohet të vijmë te nëna. Kam ardhur një çikë shpesh, këtë e di, siç shkon fëmija te nëna.

Namik: Po faji im ku është këtu more?

Laureta: Faji është yti sepse ti e ke marrë përsipër nënën!

Namik: Po çfarë ka ndodhur, si mundën ta bënin këtë gjë?

Laureta: Ti e ke marrë përsipër nënën! Unë vij dhe e gjej nënën përjashta, me shi, me të ftohtë, mes dimrit! Erdhi për të vdekur në Shqipëri dhe kur vjen puna na e nxjerrin në rrugë! Ka rritur 7 fëmijë nëna jote, sot ja ku gjendet!

Namik: Motër e dashur, më duket se po bën ca akuza koti!

Laureta: Ti do të mbash përgjegjësi!

Një nga kritikët më të ashpër të Kosovës/ Ish-sekretari i KiE-së Thorbjorn Jagland i përfshirë në emailet me Epstein

By: E S
1 February 2026 at 20:44

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, i njohur për deklaratat e tij të ashpra ndaj Kosovës, është përfshirë së fundmi në dokumentet e publikuara që lidhen me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

Në vitin 2004, Jagland kishte deklaruar se një pjesë e madhe e qeverisjes së Kosovës ishte nën kontrollin e mafias dhe kishte thënë se “Kosova prodhon pak gjëra të tjera përveç krimit”. Ai kishte përmendur gjithashtu se pjesa më e madhe e opiumit të prodhuar në Afganistan kalonte përmes Kosovës, duke nënvizuar nevojën për alarmin ndërkombëtar.

Në vitin 2010, Jagland kishte kërkuar hetime më të thella për akuzat ndaj kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me trafikim të paligjshëm të organeve, duke u mbështetur në raportin e Dick Marty.

Së fundmi, dokumentet e publikuara nga dosja Epstein zbulojnë se emri i Jaglandit përmendet në shkëmbime email-esh që lidhen me plane udhëtimi në ishullin privat të Epsteinit, pranë Virgin Islands, gjashtë vjet pas dënimit të Epsteinit për tentim të blerjes së shërbimeve seksuale nga të mitur.

Emailet tregojnë detaje të planifikimit të udhëtimit, transportit dhe personave që do të prisnin Jaglandin dhe familjen e tij, megjithatë, një email i datës 11 prill njofton se udhëtimi u anulua. Jagland justifikoi anulimin duke përmendur situatën me aneksimin e Krimesë nga Rusia, sipas raportimit të Dagbladet.

Gjithashtu, dokumentet tregojnë se gjatë vizitës së tij në Shqipëri më maj 2012, Jagland kishte komunikuar me Epsteinin përmes emailit, duke shkruar: “Jeffrey, jo, nuk kam telefonuar ende. Kam qenë në Tiranë (Shqipëri), vajza të mrekullueshme.”

Sipas Departamentit të Drejtësisë në SHBA, komunikimi i Jaglandit me Epsteinin ishte i vazhdueshëm, pa përmbajtur akuzë penale ndaj ish-sekretarit të KiE-së, por dëshmon për kontakte dhe shkëmbime informacioni mes tyre.

Skandali në Angli/ Shqiptari, oficer emigracioni grabiste emigrantët, akuzohet edhe për mashtrim me pasaportat

By: E S
1 February 2026 at 20:35

Një shtetas shqiptar ka dalë përpara Gjykatës Magjistrale të Westminster-it në Londër, së bashku me pesë ish-kolegë britanikë, ish-oficerë emigracioni, nën dyshimin për përfshirje në një skemë kriminale të grabitjes së emigrantëve që mbërrinin në Mbretërinë e Bashkuar me gomone.

I akuzuari është Besmir Matera, 36 vjeç, i lindur në Fushë Lurë të Dibrës, i cili sipas dokumenteve hetimore kishte ndryshuar mbiemrin nga Cuku në Matera për të përfituar azil dhe më pas shtetësinë britanike. Ai dyshohet se, në bashkëpunim me pesë oficerë të tjerë, ka vjedhur para dhe sende me vlerë nga emigrantët gjatë periudhës 1 gusht 2021 – 6 dhjetor 2022.

Përveç akuzës për konspiracion në vjedhje, Matera përballet edhe me akuza për pastrim parash dhe abuzim me detyrën. Hetimi i Home Office ka zbuluar, sipas prokurorisë, një sërë mashtrimesh që nga momenti i aplikimit për azil e deri te marrja e nënshtetësisë britanike.

Prokurorja Rosalind Earis deklaroi se Matera kishte përdorur emër, mbiemër, vendlindje dhe kombësi të rreme për të përfituar lejen e qëndrimit të përhershëm në Mbretërinë e Bashkuar gjatë viteve 2003–2004. Ai akuzohet gjithashtu se ka marrë në mënyrë të paligjshme patentë drejtimi dhe më pas pasaportë britanike, duke përdorur të dhëna të falsifikuara.

Sipas aktakuzës, Matera ka shfrytëzuar dokumentet britanike të përfituara me mashtrim për të ndërtuar një profil të besueshëm dhe për t’u punësuar në UK Border Agency, Agjencinë Britanike të Kufirit.

Besmir Matera dhe pesë ish-kolegët e tij janë liruar me kusht dhe pritet të paraqiten sërish në gjykatë më 26 shkurt.

A janë vendet e BE-së, importues të produkteve dhe armatimeve koreanoveriore?!

By: S T
1 February 2026 at 20:26

OKB-ja liston vendet e Bashkimit Evropian si importues të rëndësishëm të produkteve dhe armatimeve koreanoveriore(!)-A po luan Pheniani një lojë të dyfishtë me Rusinë?

Nga Eljanos Kasaj*

Bazuar në të dhënat zyrtare tregtare të raportuara në Bazën e të Dhënave të Statistikave të Tregtisë së Mallrave të OKB-së (UN Comtrade), të paktën 10 shtete të Bashkimit Evropian janë përmendur se kanë importuar produkte nga Republika Demokratike Popullore e Koresë (RPDK/Koreja e Veriut) gjatë vitit 2024, duke filluar nga tekstilet, pajisjet dhe makineritë elektronike, e deri tek municionet dhe sistemet e armëve konvencionale koreanoveriore.

Publikimi i këtij raporti ndonëse nuk ka zgjuar ndonjë debat publik në Bashkimin Evropian ose në vended e listuara (pa përmendur as ndonjë deklaratë publike prej zyrtarëve brukselian)-ka ngritur shumë pyetje midis ekspertëve të sigurisë dhe koreanologëve sidomos mbi faktin se RPDK-ja ndodhet prej pothuaj dy dekadash nën sanksionet të ashpra prej Bashkimit Evropian në lidhje me një numër çështjesh që Brukseli i ka cilësuar si primare.

Por, më fort i çuditshëm dhe interesant paraqitet fakti se cilat vende të Bashkimit Evropian janë ato që kanë blerë produktet dhe armatimet koreanoveriore, ku vendin kryesor e kanë zënë tri nga shtetet kyçe të Bashkimit Evropian: Polonia, Austria dhe Luksemburgu.

Sipas analizës së publikuar në raportin e Bazës së të Dhënave të Statiatikave Tregtare të OKB-së, këto tri vende janë identifikuar si shtetet kryesore importuese të produkteve të RPDK-së, duke përfshirë edhe atë që në të dhënat zyrtare është cilësuar si “artikuj të kategorizuar sipas kodeve ushtarake” ose artikuj që shfaqen në “kategoritë e mbrojtjes”.

Pavarësisht se për shumë vëzhgues ose analist skeptik, këto të dhëna paraqiten fort impresionuese ose të pabesueshme, ato nuk janë edhe aq të jashtëzakonshme sa mund të duken në momentet e para për lexuesin.

Le të kujtojmë këtu se një nga bankat më të famëshme të RPDK-së, “Golden Star Bank”-Ishte një degë e Bankës Koreane Daesong, e cila është e lidhur me Byronë 39 të Koresë së Veriut- ishte e vetmja bankë koreanoveriore që operonte në Evropë dhe se zyrat e saj ndodheshin në Vjenë të Austrisë nga viti 1982 deri në mbylljen e saj në vitin 2004, me akuzat prej qeverisë austriake  për pastrim parash, financim të tregtisë së paligjshme të armëve si dhe të shërbyerit si fasadë e agjentëve të shërbimit sekret koreanoverior.

Ndërsa pas shembjes së Bllokut Lindor në vitet 1988-1990, Polonia (së bashku me Bullgarinë) kanë qenë një nga vended e vetme Evropiano-Lindore dhe pjesë e Bashkimit Evropian, të cilat kanë vijuar të kenë mardhënie ekonomike me RPDK-në, ku sipas statistika zyrtare polake, importet e mallrave nga RPDK-ja në Poloni arritën në 1.7 milionë euro në vitin 2017. Dy të tretat e kësaj vlere ishin plastika dhe pajisje elektrike (artikuj kryesorë: polietileni me vlerë 540,000 euro, fije për 200,000 euro, makina shtypi për 100,000 euro dhe bateri për 69,000 euro).

Gjithashtu vlen të përmended se që nga ndalimi zyrtar i eksportit të pjesëve dhe komponentëve të dronëve nga qeveria kineze në Ukrainë dhe Federatën Ruse në shtator 2024, Polonia është bërë një ndërmjetës i rëndësishëm për furnizimin e këtyre pjesëve në Ukrainë, duke u kthyer në një nga blerësit më të rëndësishëm të teknologjisë ushtarake kineze dhe një nga shtetet kryesore ku kryhet “tranziti” i armatimeve dhe teknologjive ushtarake prej vendeve me qasje politike të afërt me atë ruse (si Republika Popullore e Kinës) ose aleate zyrtare të Moskës(si Republika Demokratike Popullore e Koresë).

Kështu, rrjedhimisht nuk duket e çuditëshme që pas performancës impresionuese të topit vetëlëvizës koreanoverior të modelit M-1989 “Koksan”, i cili ka një rreze veprimi dukshëm më të gjatë se sistemet standarde ruse dhe madje edhe se topat perëndimor 155 mm të ofruara nga NATO për Ukrainën, si dhe sistemet anti-tank “Bulsae-4″( të cilat kanë treguar një superioritet të padiskutueshëm përball siatemeve amerikane “Javelin” ose atyre ruse “Kornet”), vended e Bashkimit Evropian mund të jenë duke përdorur të njëjtën strategji si në rastin e teknologjisë kineze-duke blerë armatimet dhe sistemet ushtarake koreanoveriore për ti përdorur për të suplimuar Ukrainën ose edhe për përdorim vetjak (duke qenë se çmimi i tyre ashtu si ai i teknologjive kineze është fort më ekonomik se sa ato amerikane, franceze ose britanike).

Ndërsa kapacitetet e industrisë ushtarake koreanoveriore kanë treguar një superioritet surprizues, i cili ka aritur të dominojë mbi atë ruse dhe të shumë vendeve anëtare të NATO-s, duke e kthyer RPDK-në në një nga vended më të rëndësishme të industrisë së armatimeve në rajonin e Azisë Veri-Lindore dhe në Euroazi.

Si përfundim, mund të themi se ndonëse nuk ka statistika zyrtare prej Bashkimit Evropian ose vendeve të listuara në raportin e Bazës së të Dhënave të Statiatikave Tregtare të OKB-së, mundësia e përdorimit prej disa vendeve evropiane të lidhjeve historike(si vended ish-pjesëtare të Bllokut Lindor) ose statusit neutral për tu kthyer në “ura ndërlidhëse” midis vendeve që sot listohen si prodhueset më të mëdha të armatimeve ose sistemeve mbrojtëse, duket se është kthyer në një realitet aktual i cili shërben si përgjigje e dinamikave me të cilat situatat që paqaqiten sot në terrenin gjeopolitik, por edhe një shembull se si “vllazëritë politike” midis shteteve(si në rastin e RPDK-së me Federatën Ruse), në të vërtet ndërtohen vetëm në bazë të interesave politiko-ekonomik, më shumë se sa në bazë të kauzave moralo-historike ( argument i përsorur shpesh prej zyrtarëve rus për të ilustruar mardhënien e tyre me shtete të caktuara, si dhe në rastin e RPDK-së).

*Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni

Tensionet në pikën kritike, Khamenei paralajmëron “luftë rajonale” nëse SHBA-të sulmojnë

By: E S
1 February 2026 at 20:21

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka lëshuar sot një paralajmërim të prerë ndaj Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se çdo sulm ndaj vendit të tij do të ndizte një flakë që do të përfshinte të gjithë Lindjen e Mesme.

Deklarata vjen në një moment kur SHBA-të po forcojnë ndjeshëm praninë ushtarake në rajon, duke rritur frikën për një përplasje të armatosur.

“Amerikanët duhet ta dinë se nëse fillojnë një luftë, këtë herë do të jetë një luftë rajonale,” citohet të ketë thënë Khamenei nga agjencia gjysmë-zyrtare Tasnim.

Diplomaci nën hijen e armëve

Pavarësisht retorikës së ashpër, kanalet diplomatike duket se nuk janë mbyllur plotësisht. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi më herët se Irani është në “diskutime serioze”, duke shpresuar për një zgjidhje të pranueshme.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, konfirmoi për CNN se, edhe pse besimi ndaj SHBA-së si partner është humbur, shkëmbimi i mesazheve përmes vendeve të treta po lehtëson bisedime “frytdhënëse”. Edhe zyrtari i lartë i sigurisë, Ali Larijani, bëri me dije se një kornizë për negociata po përparon.

Kushtet e Trump për të shmangur konfliktin janë të qarta: “Së pari, jo armë bërthamore. Dhe së dyti, ndaloni së vrari protestuesit.”

Manovra në Ngushticën e Hormuzit

Tensioni është i lartë në Ngushticën e Hormuzit, arteria kryesore energjetike e botës ku kalon 20% e naftës globale . SHBA ka dislokuar aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln në Detin Arabik, një lëvizje që Khamenei e minimizoi si përpjekje për frikësim.

Ndërkohë, raportimet për stërvitje detare iraniane me “zjarr të vërtetë” kanë krijuar konfuzion. Ndërsa pritej që stërvitja të niste të dielën, Garda Revolucionare (IRGC) mohoi planet për një aksion të tillë, pas paralajmërimeve amerikane kundër “sjelljeve të pasigurta”.

Bilanci tragjik i protestave

Sfondi i këtij konflikti ndërkombëtar është situata e rëndë e brendshme në Iran. Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë shifra tronditëse viktimash nga shtypja e protestave anti-qeveritare.

Agjencia HRANA (SHBA) konfirmon mbi 6,300 të vrarë dhe po heton 17,000 vdekje të tjera.

IHR (Norvegji) paralajmëron se numri final mund të kalojë 25,000 viktima.

Khamenei i cilësoi trazirat si një “grusht shteti të shtypur”, duke akuzuar protestuesit për sulme ndaj institucioneve.

Situata rëndohet më tej nga shpërthime të mistershme në qytetet Bandar Abbas dhe Ahvaz, të cilat autoritetet i kanë cilësuar si “rrjedhje gazi”, pavarësisht spekulimeve për sabotim apo shënjestrim të komandantëve ushtarakë.

“Më e shtrenjta Zvicra me 171 euro”/ Eurostat: Shqipëria, ndër vendet më të lira për hotele e restorante në Europë

By: E S
1 February 2026 at 20:12

Zyra statistikore e Bashkimit Europian, Eurostat, ka vlerësuar Shqipërinë si një nga vendet me çmimet më të lira në Europë sa iu takon hoteleve dhe restoranteve për vitin 2024.

Për të bërë një krahasim të kostove të kontinentit europian, Eurostat ka vendosur mesataren në 100. Kjo do të thotë që nëse restorantet dhe hotelet kushtojnë mesatarisht 100 euro në BE, indeksi tregon se sa do të kushtonte e njëjta shportë në secilin vend.

Por për të shpenzuar në Shqipëri nevojiten vetëm 52 euro.

Sipas të dhënave të publikuara në një artikull të rrjetit televiziv ndërkombëtar Euronews, Zvicra është vendi më i shtrenjtë për restorante dhe hotele midis 37 vendeve të kontinentit. Një shportë standarde e këtyre shërbimeve kushton 171 euro në Zvicër, 71% më e lartë se mesatarja e BE-së.

Në vendet e tjera me bregdet mesdhetar, Kroacia është afër nivelit prej 100 eurosh, ndërsa Qiproja dhe Malta janë pak më të lira.

Për një krahasim rajonal, vendet nordike janë përgjithësisht më të shtrenjta për restorantet dhe hotelet, ndërsa vendet e Europës Perëndimore gjithashtu kanë tendencë të jenë mbi mesataren.

Irlanda, Holanda, Belgjika, Gjermania dhe Franca janë të gjitha në ose mbi pragun referues prej 100 eurosh të BE-së.

Në të kundërt, Europa Lindore dhe Ballkani janë dukshëm nën mesataren e BE-së prej 100 eurosh.

Megjithatë, krahasuar me vendet e rajonit, sërish Shqipëria renditet ndër më të ulëtat, ku lë pas vetëm Maqedoninë e Veriut, e cila rezulton me çmimet më të ulëta, 50% nën mesataren e BE-së, në 50 euro.

Në Europën Jugore, Portugalia, Spanja dhe Greqia janë dukshëm më të lira se mesatarja e BE-së, megjithëse Italia bën përjashtim.

Kjo renditje do të ndikojë në rritjen e sa më shumë turistëve në Shqipëri, ku të huajt, veç çmimeve të lira, po preferojnë edhe plazhet e rivierës shqiptare, që cilësohen si Maldivet e Europës. 2025 u konsiderua si një vit i suksesshëm për turizmin, pasi vendin tonë e vizituan mbi 12 milionë vizitorë.

Çmimet sipas vendeve

Maqedoni e Veriut – 50 Euro
Shqipëria – 52 Euro
Francë – 110 Euro
Gjermania – 112 Euro
Belgjika – 124 Euro
Holanda – 125 Euro
Irlanda – 129 Euro
Zvicra – 171 Euro

ÇMIMET NË RAJONIN E BALLKANIT

Maqedoni e Veriut – 50 Euro
Shqipëria – 52 Euro
Mali i Zi – 66 Euro
Serbia – 68 Euro
Greqia – 86 Euro
Kroacia – 95 Euro

Përse Berisha e ka “të nevojshme” bojkotin e reformës territoriale

By: Mero Baze
1 February 2026 at 20:02

Nga Mero Baze

Një nga “krimet” që ia numëronte Lulzim Bashës “Foltorja” e Berishës ishte edhe bojkoti në vitin 2015 i Komisionit të Reformës Territoriale dhe, si pasojë, përdorimi i kësaj ndarjeje sipas tyre në favor të socialistëve.

Të hënën është afati i fundit i pjesëmarrjes në këtë komision dhe pas dhjetë vitesh PD duket se po shkon drejt të njëjtit vendim, tani me udhëheqësin real të saj, atë që ia ka diktuar vendimin edhe Lulzim Bashës.

Arsyeja pse Berisha refuzon të marrë pjesë në reformën e ndarjes territoriale nuk është se nuk do të pyetet. Nuk është as fakti që socialistët mund të imponojnë një ndarje që ai nuk e pranon. Berisha nuk merr dot pjesë në këtë histori edhe sikur të miratohet varianti i tij.

Arsyeja është se ai nuk e shikon reformën territoriale si një reformë shtetërore, por si një justifikim elektoral.

Sali Berishës nuk i bën punë asnjë ndarje territoriale. Sido që ta ndash Shqipërinë, ai humbet. Ndaj, nëse merr pjesë në këtë projekt dhe pastaj natyrisht do të humbasë, ai humbet një nga alibitë kryesore që ka për humbjet në zgjedhjet lokale.

Në zgjedhjet e fundit lokale të udhëhequra prej tij, Partia Demokratike fitoi vetëm 5 bashki nga 61 gjithsej dhe ato më shumë për shkak të sherreve brenda socialistëve sesa për fuqinë elektorale të PD-së.

Për këtë arsye Berisha e ka “të nevojshme” të mos marrë pjesë në këtë reformë, me qëllim që ta ketë të përhershme alibinë e humbjeve të zgjedhjeve lokale.

E vërteta është se ndarja territoriale nuk ka ndonjë peshë mbi humbjen elektorale, pasi ai në zgjedhjet e fundit fitoi në Memaliaj, një bastion i majtë ku PS fitoi 75 për qind të Këshillit Bashkiak. Kjo do të thotë që rezultati elektoral nuk ka lidhje me territorin, por me kandidatin dhe partinë që konkurron. Por Berisha nuk ka më as parti që frymëzon, as kandidatë që konkurrojnë për të fituar. Ndaj, para se të hyjnë në garë, ata duan një alibi të gatshme për humbje dhe atë tanimë e kanë gjetur. Bojkotojnë reformën territoriale, “nuk e njohin” atë siç bëjnë me çdo gjë që nuk u pëlqen dhe pastaj janë të qetë duke pritur humbjet.

Ndaj mos u lodhni t’i shpjegoni Berishës se reforma do ta ndajë Shqipërinë më mirë, do ta bëjë më efikase, do të decentralizojë pushtetin apo do të përmirësojë hartën elektorale. Nuk i hyjnë në punë. Ai e di se çfarë e pret në zgjedhje dhe pushteti është e vetmja gjë për të cilën ai mendon.

Tani, ndryshe nga udhëheqësit e tjerë që të gjithë mendojnë se si ta fitojnë pushtetin, ai ka vite që mendon se si t’i justifikojë humbjet. Dhe një nga justifikimet është edhe ky bojkot.

Tabloidi i “The Daily Mail”: Epstein, vepër e rusëve! Gjithçka është e organizuar nga ish-shërbimi sekret

By: E S
1 February 2026 at 19:53

Sipas The Daily Mail të Londrës, që i referohet ekspertëve të shërbimeve sekrete, Jeffrey Epstein, financier pedofil amerikan i gjetur i vdekur në një qeli të një burgu në Nju Jork në 2019, drejtonte operacionin më të madh seksual për të vënë në kurth njerëz të fuqishëm të botës, në emër të ish-KGB-së ruse, në kohën kur u ofronte gra për shërbime seksuale.

Publikimi i 3 milionë dosjeve bën më të besueshme pretendimet e zyrtarëve të lartë të sigurisë se Epstein punonte për Moskën, e ndoshta edhe për Izraelin, kur lehtësonte kontakte të dyshimta me gra dhe vajza për disa nga njerëzit më të fuqishëm të botës.

Në fashikujt e nxjerra përfshihen, sipas tabloidit britanik, 1.056 dokumenta ku përmendej presidenti rus Putin dhe në 9.629 i referoheshin Moskës. Epstein duket se ka siguruar edhe audiencë me Putin pas shpalljes së tij fajtor për krime dhe pedofili në vitin 2008.

Burimet që i referohet The Daily Mail thonë se kjo shpjegon edhe pse ish-financieri amerikan bënte një jetë mjaft ekstravagante dhe të pasur, edhe pse nuk ka evidenca dokumentare që e lidhin Putin dhe spiunazhin e tij drejtpërdrejtë me aktivitetet e paligjshme të Epstein.

Por burimet që i referohet tabloidi britanik pretendojnë se ndërkohë që shërbimet sekrete amerikane “monitoronin” lidhjet ruse të Epstein për vite me radhë, ekuivalentët e tyre britanik ishin hezitues për shkak të lidhjeve të ish-financierit amerikan me ish-princin Andrew, djalin e Mbretëreshës.

Sipas ekspertëve të inteligjencës amerikane, ata besojnë se Epstein ishte përfshirë në botën e spiunazhit përmes lidhjeve të biznesit me Robert Maxwell, ish-manjatin e mediave, që në fakt kishte lidhje intime me vajzën e tij, Ghislaine Maxwell, e cila është duke vuajtur 20 vjet burg për trafikim seksual të fëmijëve dhe vepra të tjera penale të lidhura me ish-të dashurin e saj, financierin amerikan Epstein.

Maxwell ndërroi jetë njësoj si Epstein, në rrethana misterioze, ku trupi i ish-manjatit të mediave u gjet në ujërat e Oqeanit Atlantik në vitin 1991, pasi dukej sikur kishte rënë nga jahti në ujërat e oqeanit. Burimet e sigurisë, sipas The Daily Mail, besojnë se ish-manjati i medias Maxwell ishte rekrutuar nga rusët në vitet 1970, kur punonte për ekstradimin e hebrenjve rusë në Izrael me përfshirjen e shërbimit sekret izraelit, Mossad-it.

Ndërkohë, një dokument tjetër zbulon se FBI-ja kishte paralajmëruar se Epstein besohej të ishte edhe spiun i Mossad-it izraelit, pasi ishte i afërt me ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak dhe ishte trajnuar si spiun i izraelitëve në kohën kur Barak ishte kryeministër i Izraelit.

The Daily Mail shkruan edhe për lidhjet e Epstein me njerëz të afërt të Presidentit Trump dhe kontaktet e tij me politikanë të tjerë evropianë, si ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, norvegjezin Jagland, duke i sugjeruar t’i kalonte një mesazh Putinit për atë se si të trajtonte Presidentin amerikan Trump, shkruan tabloid britanik Daily Mail këtë të diel.

“Do të të marr me vete”, kush është e reja që u përplas nga treni teksa e sulmoi një emigrant në shinat e metrosë

By: E S
1 February 2026 at 19:44

Një vajzë 18-vjeçare humbi jetën pasi u shty në shina nga një emigrant sudanez në një sulm të rastësishëm në stacionin e metrosë Wandsbek Markt në Hamburg, Gjermani.

Ngjarja ndodhi të enjten rreth orës 22:00. Viktima, Fatemeh D., u tërhoq dhe u shty nga Ariop A., 25 vjeç, i cili gjithashtu humbi jetën pas përplasjes me trenin. Autoritetet konfirmuan se nuk kishte asnjë lidhje të mëparshme mes tyre.

Lajmi ka tronditur komunitetin dhe familjarët e vajzës kanë shprehur dhimbjen e tyre në rrjetet sociale. Në Instagram, nëna e saj postoi një foto të Fatemeh duke mbajtur lule, duke shkruar: “Bija ime është një engjëll.” Në një tjetër postim emocional shtoi: “O vajza e bukur.” Një tjetër homazh përfshinte një përmbledhje videosh me mbishkrimin: “Natën e kaluar desha të të përqafoja.”

Mediat gjermane raportojnë se sulmuesi kishte një histori të dhunshme dhe ishte në radar të autoriteteve. Ai ishte arrestuar disa ditë më parë për sulm ndaj oficerëve të policisë, por më pas u lirua.

Autoritetet thonë se ai kishte hyrë në Gjermani në mes të vitit 2024 përmes një programi humanitar dhe jetonte në një akomodim tip kontainer në Hamburg.

Dëshmitarët thanë se autori po tregonte sjellje të çrregullta pak minuta para sulmit tragjik, ndërsa i bërtiste viktimës: “Do të të marr me vete”.

Dyshimet për manipulime me votat në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndalohen 34 persona në Kosovë

By: E S
1 February 2026 at 18:52

Autoritetet në Kosovë kanë ndaluar të dielën 34 prej 43 të intervistuarve, të cilët dyshohen për manipulim të votave të kandidatëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.

Atyre u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur të dielën se ka urdhëruar Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës që të intervistojë kryesuesit e Qendrave Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Veriut, Mitrovicë të Jugut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.

Përgjatë procesit të rinumërimit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.

Për disa zyrtarë shtetërorë, ky ka qenë “procesi më i komprometuar zgjedhor” në Kosovë, pasi vendi është lavdëruar shpesh nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për organizim të proceseve zgjedhore të drejta dhe transparente.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka përfunduar procesin e rinumërimit të premten në mbrëmje, ndërsa i ka publikuar rezultatet përfundimtare të nesërmen.

Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, ndërsa partia serbe ka thënë se do të ushtrojë ankesë.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se palët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e ankesës për 48 orë pas shpalljes së rezultateve.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë përmes një postimi në Facebook se KQZ-ja ka kryer shkelje, fillimisht duke shpallur rezultate pa u konsumuar afati ligjor për ankesa, dhe më pas duke shpallur rezultate “të pjesshme”.

“Cilido anëtar që votoi kundër ose abstenoi, nëse kishte dyshime reale për rezultatet, ishte ai që duhej të ankohej. Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit. Por, duke e ditur se çfarë do të ishte epilogu ligjor nga një ankesë potenciale në PZAP apo Supreme, disa zgjodhën ta shtyjnë edhe një episod të kësaj shfaqjeje të pakuptimtë politike”, ka thënë Cakolli.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Pas certifikimit të rezultateve, hapet rruga për formim të institucioneve të reja.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje pritet ta formojë pa probleme Qeverinë e re.

Megjithatë, ai e ka pranuar vetë një ditë më parë se do të duhet të krijohet një raport i ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje tjera madhore, siç është ajo e pozitës së presidentit apo miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për të dyja proceset duhet siguruar dy të tretat e votave./Marrë nga REL

Gurët e dheu bllokuan Qafë-Thanën, drejtori i ARRSH: Shembja është fenomen natyror, nuk kanë ndikuar punimet

By: E S
1 February 2026 at 18:40

Drejtori i ARRSH Ami Kozeli ka folur për shembjen e shpatit te Malit në Dragostunjë, e cila vazhdon të mbajë të bllokuar mijëra njerëz në rrugë prej 8 orësh.

“Shembja është fenomen natyror”, thotë Kozeli. Ai mohoi në mënyrë kategorike të kenë ndikuar punimet, edhe pse hapja e re kalon pikërisht mbi malin që është shembur dhe mjetet e rënda çdo ditë punojnë mbi të.

Pasi konstatoi me sy të lirë, Kozeli tha se duket qe mali është i mbingopur nga uji.

8 orë të bllokuar nga shembja e shpatit të malit, hapet lëvizja me një korsi në aksin Librazhd-Qafë Thanë

By: E S
1 February 2026 at 18:32

Hapet lëvizja me një korsi pas 8 orë bllokimi i aksit rrugor Librazhd-Qafë Thanë, pjesë e korridorit të VIII, nyja kryesore lidhëse e juglindjes së vendit.

Shembja e një masivi të madh shkëmbor, pranë fshatit Dragostunjë bllokoi në rrugë mijëra njerëz, ndërsa fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Në këtë segment ku ndodhi dhembja po punohet për hapjen e gjurmës së re të korridorit të VIII, si pjesë e punimeve të zgjerimit, dhe mendohet se pikërisht ndërhyrjet e pastudiuara kanë ndikuar në shembjen masive. Por edhe pse gjurma e re e rrugës kalon pikërisht mbi malin e shembur, drejtori i ARRSH mohoi që ky të jetë shkaku duke ja çuar edhe këtë faturë motit të keq.

Ekipet punuan për orë të tëra për të shembur totalisht faqen e malit në mënyrë që të mos kishte rrezikshmëri të tjera pas hapjes së qarkullimit të mjeteve.

Teksa qëndruan 8 orë të bllokuar gra fëmijë e të moshuar, policia rekomandoi drejtuesit e mjeteve, që të përdorin aksin rrugor Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh-Elbasan për të udhëtuar drejt Tiranës.

Bllokimi i rrugës përkoi me ditën e diel ku qindra pushues kthehen nga juglindja dhe ky aks rrugor është shumë i ngarkuar.

Raundi i dytë për paqen/ Zelensky: Bisedimet trepalëshe për luftën në Ukrainë janë shtyrë për të mërkurën

By: E S
1 February 2026 at 18:24

Rundi i dytë i bisedimeve mes zyrtarëve rusë, ukrainas dhe amerikanë për një draft-plan të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare në Ukrainë, do të nisë të mërkurën dhe jo këtë të diel, ka bërë të ditur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ai nuk ka dhënë më shumë hollësi për shtyrjen e ditës së takimit.

Ky njoftim është bërë i ditur një ditë pasi të dërguar të posaçëm të presidentit rus, Vladimir Putin kanë zhvilluar takime të paparalajmëruara me zyrtarë amerikanë në Florida, pa Ukrainën.

“Data për takimet trepalëshe të radhës janë caktuar – 4 dhe 5 shkurt në Abu Dabi”, ka thënë Zelensky përmes një postimi në X – dikur Twitter.

As Shtetet e Bashkuara, dhe as Kremlini nuk i ka konfirmuar datat e reja.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë afër ndërmjetësimit të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit – më vdekjeprurësit në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore – mirëpo as Moska, dhe as Kievi nuk kanë arritur të gjejnë kompromis në disa çështje të lidhura me territore.

Rusia, e cila ka pushtuar 20 për qind të territorit të Ukrainës, kërkon që kontrollimi i plotë i rajonit të Donjeckut të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje. Moska ka kërcënuar se do ta marrë me forcë atë rajon, nëse bisedimet dështojnë.

Ukraina, në anën tjetër, insiston se dorëzimi i territorit vetëm e forcon Moskën dhe nuk do të nënshkruajë një marrëveshje, nëse ajo nuk ia pamundëson Rusisë që të nisë pushtim tjetër në të ardhmen.

Shumë ukrainas nuk pajtohen me idenë e dorëzimit të territoreve, për të cilat kanë luftuar aq shumë ushtarë prej nisjes së luftës.

Rundi i parë i bisedimeve për planin amerikan, që është zhvilluar në Abu Dabi në fundjavën e kaluar, nuk ka prodhuar ndonjë rezultat.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Liza e qymyrit

1 February 2026 at 18:12

Nga Artan Fuga

Ajo ishte një nga personazhet më të rëndësishme të rrugëve të Tiranës në vitet ’70!

Padyshim nga të vetmet personazhe që si femër, a mashkull, nuk bëri propagandë për veten e vet, nuk u bë e njohur duke paguar, a duke u prishur mendjen popullit me propagandë zyrtare, krejt idiote, por që vlerësohej nga të tjerët.

Këta janë njerëzit e mëdhenj që Tirana ka njohur. Shumica e të tjerëve nuk janë veçse karagjozë dhe karagjoze, pa pikë vlere, fallco, dhe që nuk meritojnë as emra rrugësh dhe as emra shkollash.

Liza e qymyrit. Kështu e thërrisnin. Më kujtohet se ishte e zeshkët në fytyrë. Midis ngjyrave të kuqe, të verdhë, jeshile që mund të ketë te një femër ajo ishte e zeshkët. Si qymyr. Thonë se njeriu mban në fytyrë karakterin e tij.

Ka femra që janë si bretkoca, të tjera si dhelpra, ca si kukumjacka, ca si pula të rrjepura, nuk ka problem fiziku, por aty reflektohet karakteri. Sikurse ka edhe burra si derra, si arinj, si veshgjatë, si gjarpërinj, përsëri nuk është fiziku, është karakteri që u jep këtë pamje. Liza ishte si qymyri.

Por, ende sot pas gjysëm shekulli nuk e di nëse ajo ishte e zeshkët për shkak të qymyrit me të cilin ajo punonte, pra mund të ishte kuqe e bërë zeshkane, apo bjonde e bërë zeshkane, sikurse ndodh e kundërta sot, apo sepse qymyri e kishte nxirë të shkretën. Ajo ishte e vetmja grua që kam parë të mbrehej në karrocë dhe e tërhiqte atë duke vendosur gjoksin e saj të sheshtë dhe të rënë te trari i karrocës me dy rrota që i vinte nga pas. Ishte mbrehur në tërë kuptimin e fjalës. Nxirrte bukën e gojës me djersën e ballit.

Nuk vidhte, nuk prostituohej, nuk lajkosej si e përdalur, nuk ndiqte as modën, asgjë nga këto. Vetëm rrugëve të Tiranës transportonte qymyr në disa thasë të rëndë që mbushnin kacik karrocën e saj. Ajo punonte për veten e saj, nuk dukej se festa e grave kalonte afër saj, askush nuk e dinte se nga e kishte origjinën, a ishte nga Veriu a nga Jugu.

Kjo ndodhte sepse Liza e Qymyrit punonte, por nuk fliste, në ndryshim nga shumë gra llapazane që flasin, por nuk punojnë. Nuk i shihte burrat në sy, as gratë, nuk dinte të qeshte, nuk nxirrte asnjë rënkim a tregonte shënjë lodhje. As britma, lëre më fjalë. Nuk e di ta them se çfarë theksi kishin fjalët e saj.

Do të ishte e pabesueshme se Liza e Qymyrit të kishte bërë ndonjëherë dashuri. Dilte që pa gdhirë në rrugë dhe kthehej me karrocën bosh natën duke u bërë njësh me errësirën e qytetit. Si një hije vërtitej në qytet, pa folur. Askush nuk e dinte se ku flinte, a kishte familje, sa fitonte, ku i mbante lekët që fitonte. Ajo ishte simboli i gjithçkaje kontradiktore në botë.

Eshtë njëra nga tre gratë publike që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen time. E dyta është gruaja që në kohën e Revolucionit Francez përpiloi deklaratën për të drejat e grave. E çuan në gijotinë revolucionarët! E treta, gruaja që në fund të shekullit të 14 – të shkruajti tekste dhe poezi ku hidhej poshtë me fakte supremacia e burrave ndaj grave.

Të tjerat janë disa shkallë poshtë tyre. Liza e Qymyrit është midis këtyre tre grave. Prindërit trembnin fëmijët e vegjël kur këta nuk silleshin mirë ose kur nuk hanin ushqimin : Do t’i them Lizës të Qymyrit të vijë!!! Kur dikush ishte bërë pak pis, i thoshin me tallje : Si më je bërë si Liza e Qymyrit!!!

Ecte rrugëve të qytetit dhe nuk ndihej, por të gjithë kishin nevojë për praninë e saj madhështore duke shtyrë karrocën e saj si një Zhanvalzhan i kohëve tiranase. Të gjithë e ndjenin pranë, por bënin sikur nuk e shihnin. Ndofta nga turpi sesi një shoqëri mund ta linte ashtu një grua.

Nuk besoj se ishte as e metë dhe as e çmendur. Sillte siguri në ndërgjegjen kolektive. Të gjithë ishin të kënaqur sepse e masnin veten dhe gjendjen e tyre me atë të Lizës të Qymyrit. Flokët e shtrirë si presh. Vetullat e trasha. Trupin e shkurtër, por të ngjeshur. Këmbët e mëdha futur në disa opinga të sheshta me shoje meshini. Vishej me pantallona shpesh dhe mbi to një fustan me pala. Veshje e paparë gjëkundi.

Kokëulur, por ato pak vetura që qarkullonin i hapnin rrugë. Ajo ishte mbretëresha e punës. Askush besoj nuk i tha një fjalë inkurajimi a lajkimi sikurse bandillët u thonë grave që kanë nevojë për to. Liza e Qymyrit ishte nyje paradoksesh. Emri i saj ishte perëndimor. Nuk dihej nga vinte. Po ta krahasoje me emrat e grave të tjera të kohës, ca emra fatosesh dhe pioneresh, ca emra sofikash, e myftijesh, emri i Lizës ishte një yll që ndriçonte mbi gjithçka. Ishte Perëndimi në gojët tona.

Edhe Lizë edhe e Qymyrit.

Emri dhe mbiemri që kurrë nuk rrinin bashkë. Liza dhe Qymyri – dy vlera të pabashkueshme. Një Lizë që e kishin vendosur në vend të kalit.
Pastaj ishte qymyri, një lëndë e parë që ende nuk njihet në qytetet tona. Nuk dihet se ku e çonte, kush e donte. E donin farkëtarët, ngroheshin familjet me soba qymyri??? Gjithçka ishte dhe mbeti mister.

Mbi të gjitha ajo nuk jepte asnjë moshë. Ishte si një statujë që lëviste rrugëve të qytetit. Nuk foli kurrë. Fliste me figurën e saj madhështore. Nuk dihej se kush e paguante, ku e gjente qymyrin, a kishte një vatër apo jo? Ka gra që llomotosin por një punë nuk dinë të bëjnë. Ose janë të afta vetëm për kurthe, sharje, prapaskena, gënjeshtra, llomotitje pa kuptim, fjali të gatshme të dëgjuara diku, por jo për punë.

Liza e Qymyrit nuk ishte veçse një qenie pune, pa fjalë. I çuditshëm fundi i saj. Aty nga fillimi i viteve 80, në histerinë e vrasjeve të armiqve, doli fjala se Liza e qymyrit paskësh qenë agjente e huaj. E kishin arrestuar. Me siguri një thashethem nga ata që ushqehen nga deliri dhe ankthi kolektiv. Por, Liza nuk u pa më në qytet. U zhduk. Dhe njerëzit që harrojnë shpejt, megjithatë kujtoheshin për të : Ore, e keni parë më Lizën e Qymyrit! Qyteti kishte humbur një nga personazhet e vet më të njohur dhe autentikë.

Sa do të doja që përmendorja e saj të ngrihej në ndonjë shesh të qytetit sikurse edhe e Saçit, e Li Pazarit, etj., njerëz të punës, dhe të gjithë të vinin një lule në këmbët e tyre, si shenjë e protestës ndaj famës idiote të personazheve të sotëm, blerë me korrupsion ose pushtet.

Ishulli energjetik që ndryshon hartën e Europës/ Danimarka gati të shmangë varësinë nga Amerika

By: E S
1 February 2026 at 18:03

Danimarka numëron 1 mijë e 419 ishuj me sipërfaqe mbi 100 metra katrorë. Nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të aneksonte vërtet Groenlandën në “perandorinë amerikane”, mbretëria ishullore e pasardhësve të Vikingëve do të zvogëlohej.

Për momentin, megjithatë, Trump po kontribuon që ajo të rritet: me ndërtimin e parqeve eolike offshore dhe stacioneve të konvertimit, Danimarka po krijon në det një lloj ishulli energjetik, të lidhur me nënstacione dhe elektrolizatorë të vendosur në ishullin baltik të Bornholmit.

I gjithë kompleksi, i quajtur Bornholm Energy Island, lind nga nevoja gjithnjë e më urgjente për t’u bërë i pavarur nga çdo formë importi energjie. Në Detin e Veriut, Danimarka madje planifikon të ankorojë një ishull krejtësisht artificial me funksion të ngjashëm.

Projekti Bornholm Energy Island është projekti më i madh ndërkufitar i tranzicionit energjetik në botë dhe, njëkohësisht, më i kushtueshmi i realizuar ndonjëherë në Danimarkë, pranë Bornholmit do të ngrihet një ishull artificial. Gjermania dhe Danimarka kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e tij gjatë samitit të tretë të Detit të Veriut, të mbajtur në Hamburg. Marrëveshja u shpall nga kancelari federal Friedrich Merz (CDU) së bashku me kryeministren daneze Mette Frederiksen.

Plani parashikon ndërtimin e stacioneve të mëdha të konvertimit që do të transformojnë energjinë elektrike të prodhuar nga parqe eolike offshore (ende për t’u ndërtuar) dhe do ta shpërndajnë atë mes Gjermanisë dhe Danimarkës. Një pjesë e energjisë do të përdoret nga elektrolizatorët për të ndarë ujin në përbërësit e tij, duke prodhuar hidrogjen që do të transportohet në Gjermani përmes një gazsjellësi nënujore.

Jo më klimë, por siguri

Fillimisht Danimarka kishte planifikuar dy ishuj energjetikë: përveç projektit në Baltik, ishte parashikuar edhe një ishull artificial në Detin e Veriut, me madhësi sa 18 fusha futbolli, si lidhje me rrjetin elektrik të Belgjikës.

Të dy projektet datojnë disa vite më parë dhe janë shtyrë disa herë. Kohët e fundit energjia eolike offshore është bërë shumë e kushtueshme. Ashtu si në Gjermani, edhe në Danimarkë nuk gjendeshin më investitorë të gatshëm të financonin turbinat gjigante, për shkak të rrezikut të lartë tregtar, çmimeve të paqëndrueshme të energjisë dhe rritjes së kostove të materialeve.

Pika e kthesës erdhi me lëvizjen e Donald Trump mbi Groenlandën. “Pa ndryshimin politik në Uashington, projekti Bornholm nuk do të kishte avancuar,” tha një vëzhgues danez në samitin e Detit të Veriut në Hamburg.

Që kur presidenti amerikan shfaqi gatishmërinë për të ndjekur një zgjerim territorial në shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe në dëm të aleatëve të tij, projekti i ishullit energjetik në Baltik ndryshoi natyrë. Nuk janë më mbrojtja e klimës dhe tranzicioni energjetik që justifikojnë këtë vepër të kushtueshme: parku eolik offshore tani konsiderohet projekt sigurie strategjike dhe vetë-mjaftueshmërie, për të reduktuar varësinë energjetike edhe nga SHBA-të.

“Ky projekt ndërkufitar forcon autonominë energjetike të Evropës, nxit inovacionin dhe rrit rezistencën përballë sfidave gjeopolitike,” shpjegoi qeveria federale gjermane. Komisioni Evropian e ka klasifikuar Bornholm Energy Island si një nga tetë “autostradat energjetike” kryesore të kontinentit.

Një përgjigje gjeopolitike

Sipas kryeministres daneze Frederiksen, nuk bëhet fjalë thjesht për një projekt energjetik ndërkufitar, por për një përgjigje ndaj realiteteve të reja gjeopolitike: “Është një çështje që ka të bëjë me parimet tona demokratike, integritetin dhe identitetin tonë.”

Kancelari Merz e ka mirëpritur projektin e përbashkët duke u shprehur “sepse kemi nevojë për më shumë energji elektrike për të ulur çmimet”. Ai bën një dallim mes energjisë eolike në tokë dhe asaj në det, duke theksuar se offshore nuk dëmton peizazhin dhe shfrytëzon më mirë erën. Megjithatë, Merz ka përsëritur bindjen e tij se energjia eolike është një “teknologji tranzicioni” e vlefshme për disa dekada.

Ministrja federale e Ekonomisë dhe Energjisë, Katherina Reiche (CDU), ka rënë dakord në Hamburg me homologun e saj danez Lars Aagaard për mbështetjen e përbashkët të parqeve eolike që do të ndërtohen në kuadër të projektit Bornholm Energy Island. Me këtë marrëveshje bie pengesa e fundit për realizimin e ishullit.

Projekti është një nismë e përbashkët e operatorëve të rrjeteve të transmetimit Energinet dhe 50Hertz, me synimin për të futur në rrjetin elektrik europian 3 gigavat energji eolike offshore. Energjia e prodhuar do të shpërndahet përmes lidhjeve të reja: 2 gigavat drejt Gjermanisë dhe 1.2 gigavat drejt Danimarkës. Për krahasim, një central bërthamor ka zakonisht një kapacitet rreth 1 gigavat.

Kostoja totale e projektit Bornholm Energy Island arrin rreth 7 miliardë euro, që do të ndahet mes dy vendeve sipas shpërndarjes së energjisë. Bashkimi Evropian kontribuon në financimin e pjesës daneze me 645 milionë euro.

Një territor normativ i paeksploruar

Për të lidhur dy rrjetet energjetike do të nevojiten gjithsej katër stacione të mëdha konvertimi, të afta të transformojnë rrymën e vazhdueshme në alternative dhe të rrisin tensionin në 525 mijë volt. Një stacion do të jetë në Danimarkë, një në Gjermani pranë Greifswald-it dhe dy në Bornholm. Pajisjet kryesore do të furnizohen nga Siemens Energy, ndërsa kabllot nga kompania daneze NKT.

“Marrëveshja mes Gjermanisë dhe Danimarkës ka një vlerë që shkon përtej projektit Bornholm Energy Island në Baltik dhe është një sinjal i rëndësishëm për industrinë offshore në gjithë Evropën,” tha Stefan Kapferer, CEO-ja i operatorit të rrjetit 50Hertz, pas nënshkrimit në Hamburg. “Të dyja vendet po hyjnë në një territor normativ të paeksploruar dhe po luajnë një rol pionier.” /Shkrim nga La Repubblica

Kapitull i ri për gjimnastikën shqiptare

By: E S
1 February 2026 at 17:53

Nga Elton Therçaj

Presidenti i Federatës Italiane të Gjimanstikës, Z. Adrea Faccio, bëri një vizitë 2-ditore në Shqipëri, me ftesë të Presidentit të Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, Leonard Lulaj. Titullarët e dy federatave shqiptare dhe italiane u pritën në një takim të veçantë nga Presidenti i KOKSH Z. Fidel Ylli.

Kjo vizitë e parë në vendin tonë e Z. Faccio realizohet në një klimë miqësore të bashkëpunimit mes dy federatave. Në selinë qendrore të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi, fokusi i të cilit ishte trajnimi i gjimnasteve shqiptare në kampuset sportive në Itali, kurset e trajnimit për trajnerët dhe gjyqtarët, si dhe mbështetja logjistike me bazë materiale për ekipet shqiptare të gjimnastikës.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Presidenti i FIGJ Z. Faccio u ftua nga Presidenti i KOSH Z. Ylli në ceremoninë e organizar, ku Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Bajram Begaj i dorëzoi flamurin kombëtar ekipit olimpik Team Albania që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.

Në vijim të vizitës në Shqipëri, Presidenti Faccio udhëtoi drejt Shkodrës dhe u takua me gjimnastet shkodrane të ekipit Gjimnastika Vllaznia ku ndoqi performancën e vajzave në disa prej veglave gjimnastikore, duke vlerësuar punën e bërë, si dhe uroi sportiset për prfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Të shtëna me armë zjarri në Mitrovicë/ Një i plagosur dërgohet në spital, arrestohet autori i dyshuar

By: E S
1 February 2026 at 17:45

Një person është plagosur me armë zjarri rreth orës 14:00 në rrugën “Ilaz Kodra” në Mitrovicën e Jugut.

“Viktima, mashkull i moshës madhore, është dërguar për trajtim mjekësor në spital”, ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Ai ka bërë të ditur se është arrestuar një person i dyshuar dhe nga i dyshuari është konfiskuar një armë zjarri, në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë, sipas Zahitit, Policia ka nisur një hetim në lidhje me rastin./Kosovapress/

12 persona humbin jetën dhe plagosen 7 të tjerë nga sulmi me dron mbi një autobus në Ukrainë

By: E S
1 February 2026 at 17:37

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me dron rus pranë një autobusi në Ukrainën lindore, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.

Sulmi ndodhi në rrethin e Pavlohradit, sipas shefit të administratës ushtarake rajonale, Oleksandr Ganzha.

Në një njoftim në Telegram, Ganzha tha se autoritetet janë duke hetuar rrethanat e ngjarjes, ndërsa në rajon ishte shpallur alarm ajror në momentin e sulmit. Kompania energjetike DTEK konfirmoi se autobusi po transportonte punëtorët e saj nga një minierë.

Ndërkohë, sulme të tjera me dron janë raportuar edhe në zona të ndryshme të vendit. Të paktën nëntë persona u plagosën herët të dielën, përfshirë gjashtë në një maternitet në Zaporizhzhia, ku dy gra po i nënshtroheshin ekzaminimeve mjekësore në momentin e goditjes.

Autoritetet njoftuan gjithashtu se tre persona janë vrarë në sulme të ndara në rajonin jugor të Khersonit dhe në qytetin qendror të Dnipros.

Prej kohësh në luftë me sëmundjen e rëndë, ndahet nga jeta gazetarja e njohur Rezarta Reçi

By: E S
1 February 2026 at 17:28

Ndahet nga jeta gazetarja dhe shkrimtarja e njohur Rezarta Reçi, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur të afërmit e saj përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruajnë: “Rrezarta jonë u shua në paqe mes njerëzve të zemrës, dashurisë, respektit e përkushtimit të miqve, të afërmve e mjekëve që i qëndruan pranë në të gjithë sfidën e saj të viteve të fundit.

Përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet nesër. Rruga ‘Bardhyl’, më datë 2 Shkurt 2026, ora 15:00 Tiranë.

Gjatë karrierës së saj, Rezarta Reçi ka qenë autore dhe moderatore e emisioneve të shumta televizive, si dhe autore e disa librave. Ndër veprat e saj të njohura është edhe libri “Zhbërja”, që ka në qendër marrëdhëniet e ndërlikuara njerëzore për të edukuar mbi qasjet e reja që duhet të përqafojmë dhe zhbërë të vjetrat. Shkrimi dhe krijimtaria i kanë dhënë asaj forcë të madhe në luftën kundër sëmundjes.

Në një intervistë të dhënë disa vite më parë ndërsa ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Reçi ka rrëfyer optimizmin dhe këmbënguljen që e karakterizonin, duke treguar se mbështetja e familjes, miqve dhe stafit mjekësor e ndihmonin të vazhdonte betejën e saj të gjatë.

“Nga biseda e fundit që kam bërë me mjeken kuptova që nuk është dhe aq e lehtë dhe aq e thjeshtë, duhet të përpiqem vetë, siç ka thënë motra ime e Shkodrës: ‘notin duhet ta bësh vetë’. Megjithatë kam shumë mbështetje, të them të drejtën, por luftën po e bëj unë. Më ka ndihmuar shumë e shkruara e librave dhe kujdesi i stafit mjekësor, i jam mirënjohëse”, shprehej ajo.

Lajmi për ndarjen nga jeta i ka prekur thellë kolegët, miqtë dhe publikun shqiptar, të cilët kanë reaguar në rrjetet sociale.

❌
❌