Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 2 January 2026Java News

Zbardhet lista e 56 deputetëve të LVV-së pas numërimit të mbi 97% të votave

By: E S
2 January 2026 at 21:08

Pesë ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë përbërja e re e Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar mbi 97% të votave për kandidatët për deputetë, ndërsa rreth 3% e votave nga vendvotimet dhe votat e diasporës ende pritet të ndikojnë në renditjen përfundimtare dhe numrin e mandateve.

Nga rezultatet aktuale, kandidatët më të votuar të Lëvizjes Vetëvendosje që aktualisht sigurojnë mandat deputeti janë:

Albin Kurti – 342,174 vota
Glauk Konjufca – 264,801 vota
Albulena Haxhiu – 139,263 vota
Hekuran Murati – 139,239 vota
Donika Gërvalla-Schwarz – 124,010 vota
Xhelal Sveçla – 110,395 vota
Hajrulla Çeko – 99,587 vota
Avni Dehari – 91,338 vota
Mimoza Kusari Lila – 81,306 vota
Ejup Maqedonci – 77,820 vota
Shqipe Mehmeti Selimi – 64,269 vota
Andin Hoti – 55,411 vota
Arben Vitia – 52,815 vota
Saranda Bogujevci – 41,025 vota
Alban Bajrami – 38,688 vota
Edona Llalloshi – 33,971 vota
Rufki Suma – 33,673 vota
Mefail Bajqinovci – 32,892 vota
Jeta Statovci – 31,621 vota
Nezir Kraki – 31,247 vota
Adriana Matoshi – 30,112 vota
Ardian Gola – 30,062 vota
Armend Muja – 28,450 vota
Haxhi Avdyli – 27,806 vota
Adelina Grainca – 27,018 vota
Albena Reshitaj – 24,188 vota
Blerim Gashi – 23,674 vota
Taulant Kelmendi – 23,256 vota
Artane Rizvanolli Berisha – 22,798 vota
Arbër Rexhaj – 22,657 vota
Fitore Pacolli Dalipi – 22,639 vota
Agim Bahtiri – 22,626 vota
Hysen Durmishi – 22,524 vota
Labinotë Demi Murtezi – 22,493 vota
Dimal Basha – 22,459 vota
Arjeta Fejza – 22,200 vota
Arbëreshë Kryeziu Hyseni – 22,105 vota
Fatos Geci – 22,016 vota
Artan Abrashi – 21,951 vota
Arbërie Nagavci – 21,308 vota
Enver Haliti – 21,308 vota
Valon Ramadani – 20,460 vota
Liza Gashi – 19,688 vota
Adnan Rrustemi – 19,279 vota
Jeton Raka – 18,552 vota
Fatmire Kollçaku – 18,270 vota
Arsim Ademi – 18,203 vota
Drita Pajaziti – 18,071 vota
Fitim Haziri – 17,938 vota
Fjolla Ujkani – 17,442 vota
Sylejman Meholli – 17,180 vota
Rozeta Hajdari – 17,177 vota
Valon Hoti – 17,030 vota
Salih Zyba – 16,838 vota

Derisa kater kandidatet e mëposhtëm luftojnë për dy mandatet e fundit, respektivisht atë të 55 dhe 56.

Naim Bardiqi – 16,620 vota
Vigan Qorrolli – 16,542 vota
Ilir Kërçeli – 16,384 vota
Fahrush Rexhepi – 16,180 vota

Labubu, Ozempic dhe mania e “perfektes”, çfarë po lëmë pas në vitin 2026

By: E S
2 January 2026 at 21:00

Viti 2025 shënoi një kthesë interesante në mënyrën si e jetojmë, e shfaqim dhe e ndajmë jetën tonë. Gjërat që dikur konsideroheshin “status”, sot duken të zakonshme, ndërsa ajo që vlerësohet gjithnjë e më shumë është qetësia, privatësia dhe natyralja. Me hyrjen në vitin 2026, disa trende duken se e kanë konsumuar ciklin e tyre dhe po mbeten pas.

Modeli i ekspozimit të vazhdueshëm online po humbet terren. Postimet e përditshme, rrëfimet personale dhe jeta “live” për publikun nuk duken më aspiruese, por të lodhshme. Shumë përdorues po zgjedhin të jenë më selektivë, ose të padukshëm.

Fundi i mani-së së shisheve gjigante

Hidratimi mbetet prioritet, por shishet voluminoze të ujit, dikur simbol i stilit “wellness”, po shihen gjithnjë e më pak si trend dhe më shumë si teprim. ChatGPT dhe mjetet e tjera të AI nuk janë më surprizë. Përkundrazi, përdorimi i tyre për detyra bazike po ngre pyetje mbi kreativitetin dhe përpjekjen personale, duke e kthyer autenticitetin në vlerë të shtuar.

Rënia e entuziazmit për injeksionet e dobësimit

Pas një viti debatesh, efektesh anësore dhe pritshmërish të paplotësuara, interesi masiv për injeksionet për humbje peshe po zbehet. Diskutimi publik po zhvendoset drejt shëndetit afatgjatë dhe jo zgjidhjeve të shpejta.

Labubu dhe objektet “must-have”

Kukullat që u shndërruan në obsesion koleksionistësh në 2025-ën po humbasin vlerën simbolike. Kur çdo gjë bëhet e aksesueshme, magjia zhduket.

Bukuria pa filtra ekstremë

Standardet e bukurisë po ndryshojnë sërish. Pamjet e stërpunuara po zëvendësohen nga tipare më reale, ndërhyrje më të lehta – ose aspak – dhe një qasje më e sinqertë ndaj trupit. 2026 duket se po nis si një vit i pastrimit, më pak trende, më shumë zgjedhje personale.

“Sulmi i Vitit të Ri 2026”/ FBI ndalon sulmin terrorist natën e ndërrimit të viteve në SHBA, arrestohet 18-vjeçari i lidhur me ISIS

By: E S
2 January 2026 at 20:52

Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha se kishte penguar një komplotist 18-vjeçar, të frymëzuar nga Shteti Islamik, për të sulmuar Karolinën e Veriut me thika dhe çekiçë në natën e Vitit të Ri.

Kristan Sturdivant, 18 vjeç, nga Middle Hill, Karolina e Veriut, akuzohet për ofrimin e mbështetjes materiale për një organizatë terroriste të huaj, sipas një deklarate të lëshuar nga Departamenti i Drejtësisë. Sturdivant ende nuk është deklaruar i pafajshëm për akuzat.

Agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) që kontrolluan shtëpinë e 18-vjeçarit gjetën një shënim të shkruar me dorë të titulluar “Sulmi i Vitit të Ri 2026”, në të cilin ai dyshohet se diskutonte planet për të therur deri në 20 viktima dhe për të sulmuar oficerët e policisë që nxituan në vendngjarje, sipas deklaratës së autoriteteve.

FBI parandalon sulm terrorist të frymëzuar nga ISIS, 18-vjeçari planifikonte të vriste me thikë 20 persona në natën e Vitit të Ri.

“FBI-ja dhe partnerët e saj penguan një tjetër sulm të mundshëm natën e Vitit të Ri nga një individ që dyshohet se është frymëzuar nga ISIS”, shkroi Kas Patel në Twitter.

Bora dhe akulli bllokojnë 200 mjete dhe dhjetëra familje në malësinë e Koplikut, mes tyre dhe fëmijë

By: E S
2 January 2026 at 20:44

Situata nga moti i keq në veri të vendit dhe veçanërisht malësia e qarkut të Shkodrës mbetet kritike.

Telefonata të shumta janë marrë mbrëmjen e sotme në Polici për bllokimin e dhjetëra familjeve dhe mes tyre fëmijë, në zonën e Koplikut, zona e Bunit dhe Bajraktarit.

Prefekti i Qarkut Shkodër informon se gjatë orëve të fundit janë marrë një numër i konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, ku raportohet se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, ndodhen të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore.

“Bllokimet janë evidentuar në akse të ndryshme rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut. Aktualisht, në këtë aks rrugor po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka filluar formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor”, thanë autoritetet.

Sipas raportimeve, mbi 200 mjete tentojnë të lëvizin në drejtim të Koplikut. Lëvizja është rivendosur në sajë të ndërhyrjes në terren, ku ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor.

“Prefekti i Qarkut është në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe ka kërkuar koordinim të menjëhershëm mes strukturave përgjegjëse për normalizimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në këtë kuadër, apelohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë.

Në rast nevoje ose problematikash, qytetarët ftohen të komunikojnë menjëherë me Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencave.

Vetëm pak shqiptarë arrijnë të kursejnë, Shqipëria në nivelin më të ulët në kontinent

By: E S
2 January 2026 at 20:35

Shqipëria mbetet ndër vendet me aftësinë më të ulët për të kursyer në kontinent, ku vetëm një pjesë e vogël e popullsisë arrin të lërë mënjanë para. Të dhënat më të fundit tregojnë se më pak se një e pesta e shqiptarëve mbi moshën 15 vjeç deklarojnë se kanë mundur të kursejnë, një nivel dukshëm më i ulët krahasuar jo vetëm me vendet e Bashkimit Evropian, por edhe me shumicën e vendeve të rajonit.

Krahasuar me shtetet fqinje, Shqipëria renditet në fund të listës për nga përqindja e popullsisë që ka kursime, ndërsa në vendet e BE-së më shumë se gjysma e qytetarëve arrijnë të kenë para të lëna mënjanë. Diferencat janë të ndjeshme edhe brenda vendit, ku aftësia për të kursyer është shumë më e ulët tek familjet me të ardhura të pakta dhe në zonat rurale, ndërsa rritet disi në grupet me të ardhura më të larta dhe në qytete.

Për shumë familje, të ardhurat mujore shkojnë pothuajse të gjitha për shpenzime bazë si ushqimi, energjia, qiraja apo transporti, duke mos lënë hapësirë për kursime.

Të dhënat tregojnë se ndërsa një pjesë e vogël e individëve me të ardhura më të larta arrin të krijojë kursime, shumica e popullsisë përballet me vështirësi të vazhdueshme financiare. Kjo situatë nxjerr në pah nevojën për politika që nxisin rritjen e të ardhurave, forcimin e edukimit financiar dhe krijimin e instrumenteve më të aksesueshme që ndihmojnë qytetarët të kursejnë.

Reshjet e borës dhe shiut përfshinë vendin/ Rama: Strukturat në terren për të garantuar qarkullim dhe siguri

By: E S
2 January 2026 at 20:27

Reshjet e dendura të borës dhe shiut përfshinë sot zonat malore të vendit. Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale, pamje nga puna në terren e strukturave përgjegjëse në veri të vendit për pastrimin nga bora dhe hedhjen e kripës në akset rrugore.

Rama thekson se këto struktura janë në gatishmëri maksimale në zonat malore.

“Pavarësisht kushteve atmosferike, strukturat përgjegjëse janë në terren për të garantuar qarkullim dhe siguri”, tha Rama.

ARRSH dhe Policia e Shtetit u bën apel drejtuesve të mjeteve që të përdorin goma dimri ose zinxhirë, të lëvizin me shpejtësi minimale në zonat me reshje dhe të respektojnë distancat e sigurisë.

Rreth 100 mijë pacientë në Emergjencë, Kosova rrezikon mungesë specialistësh

By: E S
2 January 2026 at 20:18

Viti 2025 ka qenë jashtëzakonisht i ngarkuar për Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku janë trajtuar rreth 100 mijë pacientë, me një rritje të dukshme krahasuar me 2024.

Drejtori i kësaj Klinike, Naser Syla në një intervistë për KosovaPress thekson se ngarkesa e madhe vjen jo vetëm nga numri i lartë i pacientëve, por edhe nga natyra e ndryshme e sëmundjeve, duke përfshirë rastet e rënda emergjente.

Sfidë për këtë klinikë mbetet numri i vogël i specialistëve të mjekësisë emergjente dhe interesimi i ulët i mjekëve për këtë specializim.

Syla nënvizon domosdoshmërinë e ndërtimit të një objekti të ri për Klinikën Emergjente, me qëllim të përmirësimit të kapaciteteve dhe ofrimin e trajtimit adekuat për pacientët emergjentë.

“Ky vit për Qendrën Emergjente ka qenë një vit si kur krejt të tjerët, domethënë i stërngarkuar për stafin që është aktualisht në Qendrën Emergjente, si ata të lartë, domethënë për specialistët e mjekësisë emergjente, për specializantët dhe stafin e mesëm dhe atë tjetrin shoqërues ndihmës. Domethënë ka qenë një vit tejet, tejet i ngarkuar me numër të madh të pacientëve. Është shumë interesant se qendra emergjente domethënë bën pjesë në atë, bën pjesë në grupin apo nivelin e trajtimit terciar në shëndetësinë e Kosovës. Dhe nëse, nëse bëhen krahasimet për shembull me qendra të tjera të Evropës, ku atje de-fakto vazhdimisht bie numri i pacientëve, te ne përkundrazi kemi ngritje të numrit të pacientëve”, thotë ai.

Nga janari deri në mesin e dhjetorit 2025, rreth 100 mijë pacientë kanë marrë trajtim në Klinikën Emergjente, duke shënuar një rritje të numrit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

“Deri në këtë moment janë 99 mijë e 17 pacientë. Domethënë është numër jashtëzakonisht i madh. Krahasim me vitin e kaluar ku kanë qenë 96 mijë e 294 pacientë. Domethënë 4 mijë pacientë më shumë. Domethënë një numër jashtëzakonisht i madh i pacientëve që kanë kërkuar trajtim në Qendrën Emergjente… Natyrat e sëmundjeve të pacientëve që kërkojnë trajtim, janë prej më të ndryshmeve, prej atyre më të rënda, deri te komunikacioni, lëndimet e ndryshme si suicidale, si me armë të ndryshme të zjarrit, me mjete të mprehta, sëmundjet internistike të llojeve të ndryshme, prej atyre kardiovaskulare, cerebrovaskulare, domethënë, të gjitha llojet e sëmundjeve të mundshme që ekzistojnë trajtohen në Qendrën Emergjente”, deklaron Syla.

Specialisti i mjekimit emergjent, Naser Syla në një intervistë për KosovaPress ngreh alarmin se në të ardhmen vendi të mbetet pa specialist të mjekimit emergjent.

Kjo njësi shëndetësore aktualisht ka 23 specialistë të mjekësisë familjare dhe 68 infermierë.

Syla thotë se një numër i madh i pacientëve që kërkojnë trajtim mjekësor mund të trajtohen në nivelet tjera shëndetësore qoftë sekondar apo primar, por që Emergjenca po vazhdon të jetë referencë nga spitalet regjionale dhe qendrat e mjekësisë familjare.

Ai potencon se nga 330 pacientë që kërkojnë trajtim brenda 24 orëve në këtë njësi, një e treta e tyre nuk janë për nivelin terciar.

“Një numër i madh i këtyre pacientëve vijnë pa pasur nevojë për trajtim në një qendër terciare. Është për t’u çuditur se numër shumë i madh i pacientëve vijnë edhe pa udhëzime nga mjekësia primare dhe ajo sekondare… Mund të them se një numër i madh prej numrit të përgjithshëm të këtyre pacientëve, nuk kanë nevojë të sillen ose të dërgohen për trajtim në Qendrën Emergjente dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Prej këtyre pacientëve, nëse e marrim një mesatare këtë vit, domethënë diku 330 pacientë brenda 24 orëve, lirisht mund të themi se një e treta e tyre nuk janë për Qendrën Emergjente dhe për nivelin terciar”, deklaron ai.

Nënvizon se ndërtimi i një objekti të ri për Klinikën Emergjente është domosdoshmëri dhe i nevojshëm për trajtimin e pacientëve emergjentë.

I pari i Klinikës Emergjente pranë QKUK-së, thotë se të gjitha barnat kruciale për mjekësinë emergjente janë në dispozicion, ndërsa problemet shfaqen vetëm në rastet kur pacientët qëndrojnë më gjatë se sa parashihet, për shkak të mungesës së shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv./REL

Tragjedi në Alpet italiane, orteqet vrasin 2 persona dhe plagosin disa të tjerë!

By: E S
2 January 2026 at 20:09

Dy persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën të premten (2 janar) nga orteqet në Alpet italiane, me erëra të forta që penguan operacionet e shpëtimit, thanë autoritetet lokale.

Një ortek i parë goditi Luginën Maira jugperëndimore të Alpeve, pranë kufirit francez në rajonin italian të Piemontes, duke vrarë një person dhe duke plagosur dy të tjerë, sipas Shërbimit të Ndihmës së Parë Alpine. Një nga të plagosurit është në gjendje kritike.

Ekipet e shpëtimit u nisën në këmbë nga lartësi më të ulëta pasi erërat e forta i penguan ekipet e helikopterëve të arrinin në vendngjarje, tha agjencia në një deklaratë.

Një ortek i dytë ndodhi pranë Pragelato, një vendpushim i njohur skish rreth 60 kilometra në perëndim të Torinos.

Një grua që ishte bllokuar arriti të lirohej, por nuk ishte në gjendje të lëvizte për shkak të lëndimeve të saj. Ekipet e shpëtimit po punonin për ta nxjerrë atë, me helikopterët që ishin përsëri të kufizuar për shkak të kushteve të këqija të motit.

Autoritetet thanë se po monitoronin raportet për një ortek të tretë në Piemonte , por nuk u dhanë detaje menjëherë.

Më vete, në rajonin verilindor italian të Venetos, një ortek në shpatin Vaio Gabene në Dolomitet e Vogla vrau një skiator 50-vjeçar, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.

Ekipet e shpëtimit mbërritën me helikopter në vendin ku ishte bllokuar 50-vjeçari, por nuk arritën ta shpëtonin atë.

Thirja e Von der Leyen, për të riarmatosur Evropën të kujton fushatat e bunkerizimit në Shqipëri

By: Lea Ypi
2 January 2026 at 19:59

Nga Lea Ypi

Çdo dhjetor të viteve të fundit, më kujtohet një moment kur Jeremy Corbyn, atëherë lider i opozitës Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, citoi një pjesë nga një fjalim i Vitit të Ri që më dukej tepër i njohur. “Ky vit do të jetë më i vështirë se viti i kaluar,” tha ai. Fjalët e Corbyn më dukeshin të njohura sepse ai po citonte Enver Hoxhën, udhëheqësin famëkeq komunist të vendit tim të lindjes, Shqipërisë, i cili më pas vazhdonte: “Nga ana tjetër, do të jetë më i lehtë se viti i ardhshëm.” Ky koment shkaktoi një stuhi reagimesh: disa e panë atë si një dëshmi se Laburistët ishin shndërruar në një sekt marksist, ndërsa të tjerë denoncuan pandjeshmërinë e tij ndaj traumave të pambyllura të së kaluarës komuniste të Shqipërisë.

Nën “Xhaxhi Enverin”, Shqipëria e pjesës më të madhe të fëmijërisë sime ishte një nga vendet më të izoluara në botë, e shkëputur si nga Lindja “revizioniste”, ashtu edhe nga Perëndimi “imperialist”. Ajo ekzistonte në kapsulën e vet kohore, një realitet i ashpër i formësuar përmes besnikërisë, propagandës, survejimit dhe shtypjes së disidencës. Perceptimi i saj për të ardhmen ushqehej nga mite të së kaluarës për sakrifica heroike dhe vetëmjaftueshmëri, të ngulitura në komplotet e një agresioni të huaj të afërt.

Çdo Vit i Ri sillte paranoja të reja, mungesa të reja, masa të reja disiplinore, thirrje të reja për durim. I vetmi investim i qëndrueshëm që bënte shteti ishin bunkerët. Si mund të krahasohej kjo qoftë edhe së largu me atë që po ndodhte në Perëndim?

E megjithatë, pavarësisht humorit të zi që shqiptarët dhe shumë të tjerë nuk arrinin ta vlerësonin në atë kohë, fjalimi i Corbyn – dhe ai citim – rezultoi, çuditërisht, profetik. Ai përshkruante zymtësinë dhe ankthin me të cilin një pjesë e madhe e së majtës e ka pritur çdo Vit të Ri që prej vitit 2016. Atëherë, Brexit-i dukej si katastrofa përfundimtare. “Rimarrja e kontrollit”, slogani triumfues i daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, shkaktoi një drithërimë tek elitat kozmopolite në mbarë Perëndimin.

Teksa shumë njerëz nxitonin të grumbullonin mallra në rast të një Brexit-i “pa marrëveshje”, më kujtohet se më pyetën nëse pamja e rafteve gjysmë bosh në supermarketë më kujtonte Shqipërinë e Hoxhës (nuk ma kujtonte). Por me kalimin e kohës – pas zgjedhjes së parë të Donald Trump-it si president i SHBA-së, një pandemie globale, luftërave në Ukrainë dhe Gazë dhe rikthimit të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë – edhe kundërshtarët më të flaktë të Brexit-it mund ta pranojnë sot se paniku i tyre ishte disi i tepruar.

Apo ndoshta jo? Vitin e ardhshëm, Brexit-i do të shënojë dhjetëvjetorin e tij – sigurisht një moment simbolik i rëndësishëm në epokën aktuale të globalizimit. Referendumi sinjalizoi një rikthim në një botë ku shtetet janë gjithnjë e më të izoluara nga njëri-tjetri, institucionet mbahen peng të vullnetit arbitrar të individëve dhe sundimi i ligjit duket se është në rënie të pakthyeshme.

Viti që vjen nuk ka gjasa të jetë ndryshe. Thirrja e mbështetësve të Brexit-it për të “rimarrë kontrollin” – dikur me të paktën një cipë ndershmërie intelektuale, pasi lidhej me debate legjitime mbi sovranitetin – ka degraduar në një narrativë të plotë konspirative. Kontrolli, na thuhet tani, është i pamundur, për shkak të kërcënimit të përhershëm që paraqesin të huajt dhe ata që konsiderohen të paaftë për t’u “integruar”.

E ardhmja duket se ofron vetëm një përzierje frike dhe paranoje. Çfarë tjetër mund të pritet në një botë ku tregjet e vetme që zgjerohen me siguri i përkasin sektorit ushtarak dhe ku inovacioni teknologjik duket gjithnjë e më shumë i përkushtuar në përsosjen e artit të shkatërrimit të ndërsjellë? Në gjithë këtë panoramë, ku mund të gjesh ende shpresë?

Një rrugë tjetër

Në esenë e tij të vitit 1784, “Idea for a Universal History With a Cosmopolitan Purpose”, (Ideja për një histori universale me qëllim kozmopolit), filozofi gjerman Immanuel Kant u përpoq të gjente një këndvështrim nga i cili historia mund të interpretohej si diçka më shumë sesa një spektakël i mjerueshëm dhune, padrejtësie dhe irracionaliteti, dhe të zbulohej një model që i shërbente zhvillimit të prirjeve morale. Kjo ishte e vështirë, mendonte Kant, sepse qeniet njerëzore nuk ndjekin gjithmonë atë që është në interesin e tyre racional. Ato kanë vullnet të lirë, i cili u mundëson të dallojnë atë që është e drejtë, por njëkohësisht i lë të ekspozuar ndaj gabimit.

Paradoksalisht, Kant-i e identifikoi te lufta – më saktë, tek irracionaliteti i luftës – një rrugë kyçe drejt shpresës. Ai besonte se do të vinte një kohë kur lufta do të bëhej jo vetëm plotësisht shkatërrimtare dhe e pasigurt, por edhe ekonomikisht e paqëndrueshme – një burim borxhi dhe rrënimi të pafund. Sipas tij, përshkallëzimi i konfliktit midis interesave të shteteve dhe zgjerimit të tregtisë globale do të bënin që “ndikimi i çdo tronditjeje në një shtet të reflektohej në të gjithë të tjerët”, saqë do të duhej të shfaqej një konfigurim i ri politik. Ai parashikonte një federatë kozmopolite në të ardhmen që “nuk ka shembull në botën e shkuar”.

Përfundimisht, bota prodhoi një shembull të tillë, megjithëse të papërsosur. Kant kishte parashikuar se “pas shumë shkatërrimeve, përmbysjeve dhe madje edhe shterimit të plotë të fuqive të tyre”, natyra do t’i “shtynte njerëzit drejt asaj që arsyeja mund t’ua kishte treguar edhe pa kaq shumë përvojë të hidhur”. Profecia e tij dukej se u përmbush kur, në kushtet e makthshme të kampit të internimit në Ventotene, ku Musolini kishte internuar rivalët e tij demokratë, Altiero Spinelli dhe Ernesto Rossi shkruan një manifest që propozonte një Evropë federale, në të cilën shtetet do të lidheshin jo nga pushtimi, por nga bashkëpunimi.

Manifesti i Ventotenes u bë më pas frymëzim për Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut dhe, përfundimisht, për Bashkimin Evropian – një përpjekje historikisht e paprecedentë për t’i shndërruar interesat e përbashkëta ekonomike në një projekt moral dhe politik. Në mesin e viteve 2000, ky projekt ishte ende shumë i gjallë. Ne auditorët universitare flitej me shumë entuziazëm mbi të ardhmen e Evropës si një institucion mbikombëtar, të ndarë në debatin se si të kthehej integrimi funksional në një trupë politike që ngrihet mbi “të drejtën”, jo mbi “forcën”. Ishte një kohë kur evropianët ende mund të imagjinonin një konventë kushtetuese për “Ne, popujt e Evropës”. Ishte një moment shprese.

Më jep strehë

Paradoksalisht, i vetmi vend ku sot ajo ëndërr duke se është ende gjallë është Shqipëria, e cila duket se ka hyrë sërish në një tjetër kapsulë kohore, një realitet alternativ që më kujton romanin Time Shelter të shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov, ku njerëzit mund të zgjedhin epokën historike në të cilën dëshirojnë të jetojnë. Për shqiptarët, epoka ideale është BE-ja e mesit dhe fundit të viteve 1990, përafërsisht nga nënshkrimi i Traktatit të Mastrihtit deri te projekti kushtetues. Zgjedhjet në Shqipëri zhvillohen dhe fitohen me premtimin e anëtarësimit në BE; ligje miratohen brenda natës për t’u përafruar me acquis communautaire.

Por ka një çmim. Në bregdetin shqiptar, në qytetet e Shëngjinit dhe Gjadrit, qendrat e emigrantëve të ndërtuara nga Italia për të strehuar azilkërkues të deportuar janë një kujtesë e rendit kohor në të cilin jeton sot pjesa tjetër e Evropës, dhe një pjesë e madhe e botës. Aty gjejmë një hapësirë kufitare midis idealit kozmopolit dhe një distopie të së ardhmes.

Në një fjalim të mbajtur në parlamentin italian në mars 2025, kryeministrja Giorgia Meloni e artikuloi këtë rend të ri më qartë se kushdo tjetër. Jo çuditërisht, ajo sulmoi edhe Manifestin e Ventotenes, autorët e të cilit shkruanin: “Problemi i parë që duhet zgjidhur, pa të cilin çdo përparim tjetër do të jetë vetëm sipërfaqësor, është eliminimi përfundimtar i ndarjes së Evropës në shtete sovrane kombëtare.”

Për këtë qëllim, Spinelli dhe Rossi mbështesnin (mes shumë dispozitave të arsyeshme) ndarjen e pushteteve, rëndësinë e demokratizimit të ekonomisë, rolin e përfshirjes kulturore dhe domosdoshmërinë politike të mobilizimit të një koalicioni të gjerë partish progresiste. Kësaj, Meloni iu kundërpërgjigj: “Nuk e di nëse kjo është Evropa juaj, por sigurisht që nuk është e imja,” duke shtuar se shpresonte që ata që po e mbronin dokumentin të mos e kishin lexuar atë.

E megjithatë, pothuajse askush jashtë Italisë nuk e vuri re këtë. Ndoshta sepse Evropa e sotme i ngjan shumë më tepër vizionit të partisë së Melon-it, Vëllezërit e Italisë, sesa atij të federalistëve të hershëm evropianë. Kontributi i elitës evropiane në imagjinimin e së ardhmes tani konsiston kryesisht në duartrokitjen e modelit të Melon-it për “menaxhimin e emigracionit”, ose në lajkatime të bujshme ndaj Trump-it, me shpresën për të siguruar lëshime tregtare modeste. Sa për thirrjen më të fundit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të “riarmatosur Evropën”, kjo, e pranoj, më kujton fushatat e ndërtimit të bunkerëve në Shqipëri.

Teksa mendoj për vitin që vjen, e gjej veten duke u rikthyer edhe njëherë te Kanti dhe kujtesës së tij se, në çështjet njerëzore, askush nuk mund ta parashikojë me siguri të ardhmen. Një “histori hamendësuese”, shkruante ai, ndryshon nga historia natyrore sepse rrjedha e ngjarjeve njerëzore varet nga liria, jo nga domosdoshmëria. E vetmja profeci që mund të bëhet realitet është ajo që profeti ndihmon ta sjellë në jetë.

Prandaj, në vend që të spekuloj për atë që ka gjasa të ndodhë, do të parapëlqeja të flisja për shpresën – atë lloj shprese që Václav Havel e përshkroi si shpresë pa optimizëm: një detyrë morale që mbahet gjallë edhe kur perspektivat duken të zymta. Është shpresa për të parë sërish idetë që dikur i dhanë jetë institucioneve evropiane të rikthehen në rrugë, në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve dhe kundër makinerisë së luftës. Përparimi nuk është kurrë i garantuar, por është gjithmonë i mundur, me kusht që të veprojmë sikur të ishte. Duke menduar me këtë logjikë të historisë hamendësuese, nuk do të bënim keq të ringjallnim frymën e rezistencës që na dha socializmin kozmopolit të Manifestit të Ventotenes.

*Artikulli i shkrimtares dhe filozofes Lea Ypi është shkruar për Project Syndicate me titull origjinal “2026, shpresë pa optimizëm”

Paga minimale, nga 1 janari s’ka më rrogë poshtë 50 mijë lekëve, 308 mijë përfitues

By: E S
2 January 2026 at 19:47

Nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale. Mbi bazën e tij nga 40 mijë lekë që ishte, prej 1 janarit të 2026 paga minimale në vend bëhet 50 mijë lekë. Ky vendim do të prekë 307 mijë e 850 punonjës të regjistruar në sektorin publik dhe privat. Sipas vendimit të qeverisë për 9 muajit e parë të zbatimit të pagës minimale, kostoja e rritur për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nuk do të paguhet nga biznesi por nga shteti. Ndaj në buxhetin e shtetit është përcaktuar fondi prej 1 miliard lekësh, për kompensimin e kontributeve të punëdhënësit si rezultat i rritjes së pagës minimale.

Rritja e pagës minimale ndihmon në uljen e informalitetit në tregun e punës dhe në forcimin e respektimit të kontratave ligjore.

Në vitet e fundit, paga minimale ka ndjekur një trend të qëndrueshëm rritjeje, si përgjigje ndaj rritjes së kostos së jetesës dhe nevojës për forcimin e mirëqenies sociale.

Nga 24 mijë lekë në vitin 2017, përmes rritjeve të vazhdueshme ndër vite, paga minimale dyfishohet në 50 mijë lekë në vitin 2026, duke shënuar një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme. Parashikimi afatmesëm i qeverisë është për ta çuar pagën minimale në 60 mijë lekë në vitin 2028.

Tërmeti me magnitudë 6.5 ballë godet Meksikën. Momenti kur presidentja e vendit ndërpret konferencën

By: E S
2 January 2026 at 19:36

Një tërmet me magnitudë 6.5 ballë ka goditur Meksikën.

Sipas Qendrës Gjermane të Kërkimeve të Gjeoshkencës, epiqendra e tërmetit ndodhej në Guerrero, Meksikë.

Ndërsa thellësia ishte prej 10 kilometrash. Lëkundjet u ndjenë në shumë lagje, gjithashtu presidentja Claudia Sheinbaum u detyrua të ndërpresë konferencën e përditshme për shtyp.

Presidentja njoftoi më pas se kishte komunikuar me guvernatoren e Guerrero-s dhe se nuk dukej të kishte raportime për dëme serioze.

#Sismo: de Magnitud de 6.5 a 4 km NNW de Rancho Viejo, #Mexico.

Algunas imágenes de como se vivió el sismo.

2026-01-02
⏰13:58:18 (UTC)

16.902°N 99.303°W

Profundidad: 35.0 km #EG #Georiesgos #Temblor #Terremoto #hoy #urgente #earthquake #quake #Jishin pic.twitter.com/bYlK7kxvfO

— ESPECIGEST (@ESPECIGEST) January 2, 2026

“Con calma, por favor” Así fue como la presidenta Claudia Sheinbaum percibió el sismo durante la mañanera y pidió desalojar sin pánico a los asistentes ‍♂♀ #Sismo #CDMX #AlertaSismica pic.twitter.com/RYF92NMmxu

— POSTA CDMX (@POSTACDMX) January 2, 2026

“Zgjohet” Etna, shpërthen vullkani më aktiv në Europë. Pamjet virale

By: E S
2 January 2026 at 19:28

Vullkani Etna ka nisur një fazë të re aktiviteti, me një rrjedhje llave që ka filluar më 1 janar 2026 në lartësi rreth 2,000 metrash.

Rrjedha po lëviz drejt pjesëve më të ulëta të Valle del Bove, duke arritur afërsisht në 1,500 metra, por për momentin nuk kërcënohen zonat e banuara.

Ekipet shkencore po monitorojnë ngjarjen nga afër, ndërsa autoritetet raportojnë se nuk ka dëme ose probleme në infrastrukturë.

Etna, vullkani më aktiv i Evropës, vazhdon të jetë nën vëzhgim të vazhdueshëm.

#Italy: Mount Etna volcano erupts again, lava reaches 400 meters high pic.twitter.com/wpRlNiyOLT

— Jack Straw (@JackStr42679640) January 1, 2026

Biznes kokaine natën e Vitit të Ri, 30-vjeçari shqiptar kapet me drogë dhe valutë në makinë dhe banesë

By: E S
2 January 2026 at 18:53

Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët mbrëmjen e 31 dhjetorit, gjatë ndërrimit të viteve në Silea të Treviso.

I riu ishte kontigjent krimi i njohur në zonë dhe banues po aty.

Operacioni filloi rreth orës 18:30 të mbrëmjes në “Via Roma”, si pjesë e patrullave territoriale të synuara të vendosura për të garantuar sigurinë gjatë natës së Vitit të Ri. Burri u ndalua ndërsa drejtonte automjetin e tij, një “Golf”, dhe u kontrollua.

Gjatë kontrollit, oficerët gjetën 29 doza kokaine, me peshë afërsisht 35 gramë, 14 doza heroine, ekuivalente me afërsisht 10 gramë, si dhe 5000 euro në para të gatshme në prerje të ndryshme, që besohet të jenë të ardhurat e aktivitetit të paligjshëm.

Një kontroll i mëvonshëm shtëpie sekuestroi lëndë narkotike shtesë, ekuivalente me 40 gramë kokainë dhe 45 gramë heroinë, si dhe katër peshore precize dhe materiale të ndryshme të përdorura për paketimin e dozave.

Bazuar në provat e mbledhura, burri u arrestua. Me urdhër të Prokurorit Publik të Zyrës së Prokurorit Publik të Trevizos, ai u la në arrest shtëpiak në pritje të një seance dëgjimore për vërtetimin e aktakuzës para Gjykatës së Trevizos.

Moti i keq ‘mbërthen’ vendin, Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron: Në zonat malore të qarkut të Vlorës priten reshje dëbore

By: E S
2 January 2026 at 18:42

Prej ditës së sotme vendi ynë është i përfshirë nga reshjet e shiut, të cilat priten të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile bëhet me dije se përveç shiut në zonat malore do të përfshihen edhe nga reshjet e dëborës.

Kështu në zonat malore të qarkut të Vlorës, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, parashikohen edhe reshje dëbore.

Njoftimi i plotë:

Sipas parashikimit 5-ditor të motit të ardhur nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, në periudhën 2 – 5 Janar 2026 parashikohen reshje shiu në të gjithë territorin e vendit, ndërsa më datë 05 Janar 2026 reshje të dendura pritet të përfshijnë edhe Qarkun e Vlorës.

Në zonat malore të qarkut, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, parashikohen edhe reshje dëbore.

Si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve dhe rritjes së prurjeve në lumenj, ekziston rreziku për:

vërshime uji në zona urbane dhe rurale,

probleme në sistemet e kanalizimeve,

përmbytje të përkohshme në zona me risk.

Për parandalimin dhe minimizimin e pasojave, strukturat përgjegjëse të mbrojtjes civile në Qarkun Vlorë kanë nisur marrjen e masave paraprake për:

Njoftimin e bizneseve që ndodhen në zona me risk për përmbytje;

Njoftimin e blegtorëve pranë lumenjve dhe zonave të ulëta për zhvendosjen e bagëtive në zona të sigurta;

Informimin përmes mediave lokale për të shmangur qëndrimin në zona të rrezikuara dhe për të siguruar ushqimet dhe bagëtitë në lartësi të sigurta;

Kontrollin dhe zhbllokimin e kanaleve kulluese, pusetave dhe nënkalimeve në zonat urbane;

Mbajtjen në gatishmëri të hidrovorëve dhe funksionimin e pandërprerë të sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve;

Sigurimin e furnizimit me energji elektrike në zonat me risk.

Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të Qarkut Vlorë të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat përkatëse për garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës.

Automjete të bllokuara nga dëbora në Qafë Thore, drejtuesit denoncojnë mungesën e borëpastrueseve

By: E S
2 January 2026 at 18:30

Që nga orët e para të mëngjesit e deri në këto momente, një varg automjetesh ka mbetur i bllokuar në Qafë Thore të Thethit për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Drejtuesit e mjeteve raportojnë se rruga është bërë e pakalueshme, ndërsa ndërhyrja për pastrimin e saj ka munguar.

Sipas shoferëve, mjetet borëpastruese nuk kanë qenë në terren që nga mesdita, duke lënë dhjetëra persona të izoluar në kushte të vështira atmosferike. Ata shprehen se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për ndihmë, rruga nuk po pastrohet dhe situata po përkeqësohet me kalimin e orëve.

Më shqetësuese, sipas dëshmive të drejtuesve të mjeteve, është fakti se u është kërkuar pagesë për të ndërhyrë dhe për të pastruar rrugën, ndërkohë që ata vijojnë të mbeten të bllokuar mes dëborës dhe të ftohtit.

Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet përgjegjëse lidhur me situatën në Qafë Thore, ndërsa drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për normalizimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë.

Numërimi i votave në Kosovë drejt fundit, kush janë kryesuesit që priten të ulen në karriget e deputetëve

By: E S
2 January 2026 at 18:24

Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit po hyn në fazën përmbyllëse, ndërsa më pak se 6% e vendvotimeve mbeten ende pa u numëruar. Me avancimin e procesit, janë bërë tashmë të ditur edhe emrat e kandidatëve që kanë marrë më së shumti vota brenda subjekteve politike.

Lëvizja Vetëvendosje kryeson zgjedhjet si forca më e votuar, duke kaluar shifrën e 400 mijë votave në nivel vendi. Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, rezulton më i votuari me mbi 331 mijë vota. Pas tij vijnë Glauk Konjufca me mbi 256 mijë vota, ndërsa Albulena Haxhiu dhe Hekuran Murati kanë siguruar secili mbi 134 mijë vota. Në listën e më të votuarve renditet edhe Donika Gërvalla me mbi 120 mijë vota.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Në PDK, më i votuari është kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, me mbi 146 mijë vota. Pas tij renditet Arian Tahiri, ndërsa në pesëshen e parë përfshihen edhe Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Sala Jashari, secili me mbi 43 mijë vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Te LDK-ja, kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku kryeson listën me mbi 76 mijë vota. Pas tij vijnë Hykmete Bajrami, ndërsa Ukë Rugova, Avdullah Hoti dhe Doarsa Kica-Xhelili kompletojnë listën e kandidatëve më të votuar.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Në AAK, e cila ka siguruar gjashtë mandate në Kuvend, më i votuari është kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj me mbi 39 mijë vota. Pas tij renditen Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha dhe Agim Çeku.

Ndërkohë, ka nisur edhe numërimi i votave të ardhura nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit. Sipas njoftimeve zyrtare, procesi i plotë i numërimit pritet të përfundojë deri të dielën, më 4 janar.

Ndryshon mosha e daljes në pension për gratë, shkon në 62 vjeç, rritet vjetërsia në punë për burrat

By: E S
2 January 2026 at 18:23

Teksa skema e pensioneve pritet të rishikohet, me nisjen e vitit 2026 ndryshon mosha e daljes në pension për gratë si dhe vitet e vjetërsisë në punë për të dy gjinitë, sipas ndryshimeve që hynë në fuqi në janar të vitit 2015. Reforma e ndërmarrë 11 vite më parë parashikoi një rritje graduale e moshës dhe vjetërsisë në punë, çka lidhet direkt me masën e pensionit.

Kështu, gjatë këtij viti një grua duhet të jetë 62 vjeç, në mënyrë që të përmbushë kriteret e daljes në pension. Me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë.

Por, ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se, nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhej të kishte 35 vite vjetërsi, nga data 1 janar 2026 duhet të ketë 39 vjet. E njëjta logjikë vlen edhe për gratë, të cilave paralelisht me moshën u rriten edhe vitet e vjetërsisë në punë. Referuar legjislacionit në fuqi, rritja graduale e vjetërsisë ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, duke qenë se është një prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij. Sipas formulës, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social, shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë.

Mosha e daljes në pension, në vitin 2026

Burra 65 vjeç

Gra 62 vjeç

Vjetërsia në punë

Viti 2025 38 vjet e 8 muaj

Viti 2026 39 vjet

Po i hedh benzinë zjarrit”/ Shfuqizimi i urdhrave për antisemitizmin, Izraeli akuza të ashpra ndaj kryebashkiakut të ri të Nju Jorkut

By: E S
2 January 2026 at 18:16

Ministria e Jashtme e Izraelit ka reaguar ashpër ndaj kryebashkiakut të ri të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, duke e akuzuar se po hedh “benzinë antisemitike mbi një zjarr të hapur”, pas vendimit të tij për të shfuqizuar disa urdhra ekzekutivë të miratuar nga paraardhësi i tij, Eric Adams.

Në një postim në rrjetin social X, diplomacia izraelite deklaroi se Mamdani, që në ditën e tij të parë në detyrë, ka hequr dorë nga përkufizimi i antisemitizmit sipas Aleancës Ndërkombëtare për Kujtimin e Holokaustit (IHRA) dhe ka lehtësuar kufizimet ndaj bojkotit të Izraelit. “Kjo nuk është udhëheqje, por benzinë antisemitike mbi një zjarr të hapur,” thuhet në reagim.

Mamdani shfuqizoi një urdhër të miratuar gjatë administratës Adams, i cili adoptonte përkufizimin e IHRA-së për antisemitizmin, ku përfshihej edhe demonizimi i Izraelit apo aplikimi i standardeve të dyfishta ndaj tij. Vendimi i tij erdhi pak orë pasi ai anuloi të gjitha urdhrat ekzekutivë të nxjerrë nga Adams pas paditjes së këtij të fundit për korrupsion në vitin 2024, akuza që më vonë u hoqën.

Zyra e Mamdanit tha se masa synon t’i japë administratës së re “një fillim të pastër”. Ndër urdhrat e shfuqizuar ishte edhe ndalimi për zyrtarët e qytetit që të merrnin vendime në përputhje me lëvizjen BDS (bojkot, çinvestim dhe sanksione) ndaj Izraelit, të cilën Mamdani ka deklaruar se e mbështet, shkruan Guardian.

Vendimet kanë ngjallur shqetësime në komunitetin hebre të Nju Jorkut. Drejtori i Konferencës së Presidentëve të Organizatave Kryesore Hebreje Amerikane, William Daroff, e quajti këtë hap “një sinjal shqetësues për drejtimin që po merr qyteti”, duke paralajmëruar se mund të dobësojë aftësinë e Nju Jorkut për të reaguar ndaj rasteve të antisemitizmit.

Nga ana e tij, Mamdani është përpjekur të qetësojë shqetësimet, duke theksuar se administrata e tij do të vazhdojë të mbajë të hapur zyrën e posaçme për luftimin e antisemitizmit dhe se mbrojtja e të gjithë qytetarëve të Nju Jorkut mbetet prioritet.

Sektori minerar në ‘lupën’ e inspektorëve gjatë 2026-ës për pagimin e taksave, tatimet: 268 mln € gjoba

By: E S
2 January 2026 at 18:05

Sektori minerar do të jetë në fokus të hetimeve nga administrata tatimore për të verifikuar nëse respektojnë detyrimet tatimore.

Në sektorin e naftës, gazit apo bitumit kontrollet kanë nisur që në vitin e shkuar, ku hetimet kanë zbuluar shkelje në përmbushjen e detyrimeve tatimore, ndaj janë vënë gjoba me vlerë 268 milionë euro.

Tatimet theksojnë se edhe gjate vitit 2026 do të ketë verifikime për këto industri për të parë nëse paguajnë tatimet dhe respektojnë detyrimet ligjore.

“Administrata Tatimore ka forcuar kontrollin në sektorin e burimeve natyrore gjatë vitit 2025. Aksioni do të vijojë me të njëjtën vendosmëri edhe gjate vitit 2026, për taksim të ndershëm dhe zbatim rigoroz të ligjit edhe nga çdo biznes i përfshirë në këtë industri”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Tatimeve.

Zelensky njofton kreun e ri të shërbimit të Inteligjencës Ushtarake në Ukrainë

By: E S
2 January 2026 at 17:54

Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës, Oleg Ivasenko është emëruar nga Volodymyr Zelensky, në krye të shërbimit të inteligjencës ushtarake të vendit.

“Nga sot, Oleg Ivasenko do të vazhdojë t’i shërbejë shtetit tonë dhe të kryejë detyra për të kufizuar praninë e personelit ushtarak rus në pozicionet e shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës”, tha Zelensky në një postim në mediat sociale.

Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas njoftoi një ndryshim në udhëheqjen e Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare të vendit, një pozicion që më parë mbahej nga Serhiy Dainenko.

Zelensky tha se i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Igor Klimenko të propozojë kandidatë për këtë pozicion, pasi kërkon të ndryshojë qasjen ndaj funksionimit të shërbimit.

❌
❌