Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Java News

“Do kesh fatin e Noriegës”! Rada tregon episodin në 1998: Vetëm Berisha është kërcënuar nga SHBA se do të rrëmbehej me helikopter

By: A R
23 January 2026 at 00:02

Kuvendi i Shqipërisë votoi me 110 vota përfaqësimin e Shqipërisë në bordin e paqes.

Gazetari Ardit Rada tha për “ABC News” se opozita po përpiqet t’ia vështirësojë rrugën Ramës drejt Shtëpisë së Bardhë dhe se është një përpjekje duke shfrytëzuar mungesën e një ambasadori amerikan në Shqipëri. Sipas tij kjo vështirëson mesazhet e Uashingtonit që të mbërrijnë më qartë për politikën në Tiranë.

Më tej, Rada tha se përpos kontributit dhe mbështetjes në luftën kundër krimit apo forcimit të demokracisë, fokusi amerikan ka qenë te investimet, duke përmendur parkun eolik në Tropojë dhe vizitën e Ivanka Trump dhe Jared Kushner.

”Opozita nuk është se nuk e kupton rëndësinë e çështjes, por është një përpjekje për t’ia vështirësuar rrugën Ramës drejt Shtëpisë së Bardhë. Është ajo fabula që kemi degjuar edhe kur votohej reforma në drejtësi, se PD bëhet shumë merak për sovranitetin dhe Kushtetutën. Ndërkohë që SHBA kanë dalë garante të demokracisë në Shqipëri prej 100 vitesh edhe kur Berisha ishte në Partinë e Punës.

Pretendimet se SHBA do ta marrin një politikan shqiptar me helikopter, kanë ndodhur vetëm një herë realisht. Është diskutuar vetëm në ’98, në shtator, që dikush mund të rrëmbehej nga amerikanët dhe ai ka qenë Sali Berisha. Pasi mori dy tanke dhe i vuri para selisë në 14 shtator, dy zyrtarë amerikanë i shkuan në PD dhe i dhanë ultimatum t’i hiqte se ndryshe do kishte fatin e Manuel Noeriegës në Panama. Dhe ashtu ndodhi, që Berisha 10 minuta më pas ia ktheu tanket shtetit.

Unë nuk di që një president nga njëra anë të sjellë vajzën dhe dhëndrin në Shqipëri të investojnë dhe mbështet vizitën e tyre, nga ana tjetër të marrë Kryeministrin që do të firmosë për projektet e familjes së tij. Para vizitës së Ivanka Trump dhe Jared Kushner është rasti i parkut fotovoltaik, që një kompani amerikane mori certifikimin nga Belinda Balluku për një park eolik në Tropojë. Dhe këto ngjarje tregojnë së Shqipëria po bën çdo gjë për t’i garantuar biznesit amerikan klimën që kërkon Uashingtoni” – tha Ardit Rada në emisionin “Ora e fundit”.

“Demokracisë i ka ardhur fundi!”/ Baton Haxhiu flet për Bordin e Paqes: Po vjen një rend i ri botëror!

By: A R
22 January 2026 at 23:00

Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për Bordin e Paqes të krijuar nga Presidenti Trump, duke e konsideruar një nismë, që dëshmon fundin e rendit aktual botëror, që bazohet në liri, demokraci dhe ligjin ndërkombëtar.

“Librat mbrapa e kanë humbur vlerën, edhe ato që janë në sirtar, edhe lexiemt e mia 35 vjet. Koncepti liberal demokratik po shkatërrohet para syve tanë. E dyta, disa vite më herët, si njeri që ka dashur drejtësinë, konceptin institucional, do të më vinte keq kushdo që do të ishte sot në Bordin që nënshkruhej në Davos. Por kjo është dëshirë.

Do të më vinte keq kur dikush do të ishte pjesë e asaj strukture një vit më herët, pasi koncepti im për liri, demokraci, barazi, e pashë që sot, e ka marrë njëfarë fundi.

Tani të kthehemi te ajo jashtë dëshirave të mia, po ballafaqohemi me një gjë konkrete, brutale, një rend botëror të ri, i cili fillon me këto terminologjitë, titujt, Bordi i Paqes e të tjera, por po bëhet një prerje me të kaluarën dhe paradigma e ardhshme nuk ka lidhje me OKB, me barazinë mes shteteve, as me lirinë, që përcaktohet me instrumentet e drejtëesisë dhe insitucioneve. Po kthehemi te shekulli 19 por me fillesa të epokës ku i forti përcakton çfarë është e rëndësishme.

Për faktin që kemi një president që nuk ka mëshirë për konceptet e ndërtuara për 50 vjet, projekti i tij MAGA, koncepti dhe dëshira për një perandori që kërkon ti rikthejë fuqinë, duke eleminuar konceptet europaine, kemi prekur aty në studio, që edhe Kina edhe Amerika edhe Rusia, të gjitha vlerat evropiane, po i shtypin dhe po i bëjnë gati të papërdorshme. Ne duhet të ballafaqohemi me këtë sistem, Amerika dhe Kina që ndajnë interesat, ska nevojë me pas dije, është leximi i logjikës politike dhe një gjys perandorie, Rusia. Nuk po e prekim, një perandori të madhe si India, pasi nuk kanë interesa të ballafaqohen me dy miliardë njerëz”, tha Haxhiu.

Yesterday — 22 January 2026Java News

Dhëndri i Trump zbulon planin për Gazën: Rindërtimi përfshin banesa, shkolla, spitale dhe zona turistike luksoze

By: A R
22 January 2026 at 22:52

Pas dy vitesh bombardimesh dhe miratimit të Planit 20-Pikësh, Jared Kushner prezantoi fazën e tretë të rindërtimit të Gazës. Ai e quajti këtë iniciativë “Projekti Sunrise” dhe foli nga skena e Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Qëllimi kryesor është paqe, siguri, tregje të lira, deradikalizim dhe, më e rëndësishmja, rindërtim. Kushner tregoi se Gaza do të transformohet nga një zonë e shkatërruar në një enklavë luksoze bregdetare.

Në plan janë resorte, trena të shpejtë dhe rrjete elektrike të avancuara të bazuara në inteligjencë artificiale. Rindërtimi do të zhvillohet në katër faza, duke filluar nga Rafah dhe Khan Younis me banesa dhe objekte industriale. Më pas do të ndërtohen dy qytete dhe në fund Qyteti i Gazës. Në Rafah parashikohen mbi 100,000 shtëpi, 200 shkolla dhe më shumë se 75 spitale.

Brezi bregdetar do të ketë 180 kulla për turizëm dhe hotele luksoze. Kalimi i Rafah do të përfshijë aeroport, port dhe dy qendra logjistike të mëdha. Kushner tha se projekti është i realizueshëm dhe do të sjellë 500,000 vende pune dhe investime miliarda dollarësh.

Hapat e parë do të fokusohen në zona ekonomike speciale dhe strehim të përkohshëm për banorët, duke nisur ndërtimin e Gazës së Re.

Zelensky: Nëse anijet ruse lundrojnë afër Groenlandës, Ukraina mund t’i fundosë siç ka bërë në Krime

By: A R
22 January 2026 at 22:45

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se nëse anijet ruse lundrojnë lirisht rreth Groenlandës, Ukraina mund t’i fundosë ato pranë ishullit, ashtu siç ka bërë pranë Krimesë.

Nëse anijet ruse lundrojnë lirshëm rreth Groenlandës, ne mund të ndihmojmë. Kemi përvojën dhe armët për t’i bërë që asnjë prej tyre të mos mbetet mbi ujë. Ato mund të fundosën pranë Groenlandës ashtu siç u fundosën pranë Krimesë. Nuk ka problem – kemi mjetet dhe njerëzit”, tha Zelensky.

Zelensky shtoi se kjo do të ishte e mundur nëse Ukraina do të ishte në NATO, por aktualisht nuk është, dhe kritikoi Evropën për reagim të dobët, duke thënë se dërgimi i vetëm 30-40 ushtarëve atje është simbolik dhe nuk dërgon asnjë mesazh serioz te Putin apo Kina.

Më herët, Zelensky, në fjalën e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, kritikoi Europën se po “shmang veprimet” dhe po mbetet e fragmentuar në vend që të veprojë si një fuqi e bashkuar globale.

Zelensky kërkoi që vendet europiane të mbrojnë veten dhe të ndalojnë kompanitë që shesin komponentë raketash në Rusi. Ai falënderoi për ngrirjen e aseteve ruse, por kritikoi vonesat në përdorimin e tyre për mbështetjen e Ukrainës.

Në Davos, Zelensky zhvilloi një takim të rëndësishëm me Presidentin amerikan Donald Trump, të cilin e përshkroi si “pozitiv” dhe “shumë të rëndësishëm”. Trump deklaroi se “të gjithë duan që lufta të përfundojë” dhe sugjeroi se një marrëveshje mund të jetë afër.

Zelensky njoftoi se dokumentet për bisedimet trilaterale mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë në Emiratet e Bashkuara Arabe janë “gati” dhe mund të hapin rrugën për një zgjidhje të konfliktit.

Ai u bëri thirrje investitorëve globalë të mbështesin Ukrainën, duke theksuar se mbrojtja është “një detyrë shumë e kushtueshme”.

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshjen për funksionalizimi e Komisionit për Personat e Pagjetur

By: A R
22 January 2026 at 22:37

Pas takimeve të ndara të ditës së sotme mes emisarit evropian Peter Sørensen me kryenegociatorët Besnik Bislimi të Kosovës dhe Petar Petkoviç të Serbisë është arritur marrëveshja për funksionalizimin e Komisionit të përbashkët për Personat e Pagjetur.

Këtë e konfirmoi edhe vetë Bislimi në fund të takimit trepalësh. Në javët në vijim, zëvendësit e tyre do të takohen për të përcaktuar prioritetet e para të punës së komisionit.

Arritëm përfundimisht ta funksionalizojmë Komisionin e përbashkët për Personat e Pagjetur. Mbetet që në javët në vijim të takohen zëvendësit tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para të punës së Komisionit të përbashkët”, ka deklaruar Besnik Bislimi në fund të takimit.

Marrëveshja u arrit pasi Peter Sørensen zhvilloi takime të ndara dhe të gjata me të dy kryenegociatorët.

Takimi trepalësh zgjati shumë shkurt dhe shërbeu vetëm për formalizimin e marrëveshjes.

Kjo marrëveshje bazohet në Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur të nënshkruar nga Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç në maj të vitit 2023, si pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

Ky është një hap konkret pas periudhës së ngërçit në dialog (takimet e fundit prodhuan pak ose aspak rezultate në 2025), dhe vjen si prioritet humanitar – çështja e rreth 1,600 personave të pagjetur ende mbetet e pazgjidhur plotësisht.

“Rama do ia mbathë”, Berisha për protestën e 24 janarit: Armë nuk përdorim, por…

By: A R
22 January 2026 at 22:30

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, u pyet se çfarë do të ndodhë në protestën kombëtare të PD-së, e cila do të mbahet në 24 janar.

Berisha u shpreh se Rama nuk do të qëndrojë më në pushtet, por se do ia mbathë. Ai shtoi se armë nuk përdoren, por se fuqia e popullit do të bëjë që kryeminisri të largohet nga pushteti.

Sali Berisha: Në situatën aktuale, kauza e kësaj proteste është kauzë më e ligjshme e çdo protestë të mëhershme. Kjo qeveri është kapur duke vjedhur qytetarët e vet e bën korrupsion, pavarësisht ndëshkimit ligjor, ajo humbet legjitimitetin. Në një diktaturë autoritare, ka dy faktorë të tmerrshëm. E para është frika. Rama është njeriu i hakmarrjeve personale dhe këtë frymë e ka përcjellë në të gjithë narko-shtetin e tij.

Albatros Rexhaj: Brezi i ri nuk frikësohet nga askush. Çfarë ju ofron të rinjve?

Sali Berisha: Më e keqja është censura. Janë 40 rroga banalistësh, që mbushin shqiptarët me gënjeshtra. Unë të rinjve iu ofroj mundësinë që të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri dhe jo rrugëve të botës. Kur kam qeverisur unë, numri i shqiptarëve rritej në vend. Por zgjedhjet duhet të jenë të lira.

Blendi Fevziu: Çfarë do bëni në protestë?

Fatos Hakorja: Ke thënë se Rama nuk do qëndrojë në zyrë në 24 janar.

Sali Berisha: Rama nuk qëndron në zyrë në 24 janar, do ia mbathë. Armë nuk përdorim. Populli ka fuqi të madhe.

“Trump është CEO, ti je komunist”, sherr mes demokratit dhe deputetit të Qorit: Ti i ke sytë nga Vietnami

By: A R
22 January 2026 at 22:23

Qëndrimet e deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi në lidhje me raportin e politikës shqiptare me SHBA-në, u bënë pjesë e debatit mes tij dhe gazetarit Aulon Kalaja në studion e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN. Kalaja e akuzoi Muçin se ka një qasje komuniste me sytë nga Vietnami dhe Kuba, ndërsa mbrojti proamerikanizmin e shqiptarëve. Sipas gazetari Kalaja nuk mund të quhet servilizëm, pasi shqiptarët e kanë zgjedhur me gjak këtë orientimin proamerikan.

Nga ana tjetër, Muçi deklaroi se diplomacia shqiptare është në nivel qesharak dhe se Rama e Berisha veprojnë të shtyrë nga interesa personale, për të shpëtuar kokat e tyre, duke shpresuar se SHBA mund të ndikojë në sistemin e drejtësisë për t’i shpëtuar hetimeve. Sipas tij servilizmi, i përket lidershipit politik dhe jo qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se duhen analizuar pasojat që vendimet ndërkombëtare sjellin për Shqipërinë.

Pjesë nga debati Muçi-Kalaja në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN

Muçi: Diplomacia shqiptare është në nivel qesharak se të tillë e kanë bërë liderët që kanë udhëhequr vendin. Fakti që kanë qenë amerikanët që kanë financuar sistemin e drejtësisë dhe ky sistem po nxjerr afërta korruptive të Ramës e Berishës bën që pozita e këtyre dy liderëve është e tillë që të shohin interesin personal të duan të shpëtojnë kokën e tyre dhe kjo interesin kombëtar, kjo dhe në konteksin e ishullit të Sazanit dhe turravrapin për t’u aderuar në një bord.

Kalaja: Të quash servilizëm proamerikanizmin e shqiptarëve, nuk di çfarë emri ti vë. Shqiptarët e kanë vendosur këtë gjë me gjak.

Muçi: Kush e tha këtë?

Kalaja: Ti e the.

Muçi: Fola për Berishën e Ramën që duan të shpëtojnë kokat e tyre, nëse këtë ma kthen që shqiptarët që duan Amerikën quhen servil?

Kalaja: Këtë e thua ti që këta zotërinjtë përfaqësojnë veten e vet dhe jo kaq mijë vota që kanë marrë aty. Këta njerëzit që kanë votuar janë proamerikanë. Nuk është servilizëm ky.

Muçi: Servilizmi është i Berishës e Ramës se duan të shpëtojnë kokën e tyre.

Kalaja: Si do shpëtojnë kokën e tyre duke qenë servil ndaj Amerikës

Muçi: Duke shpresuar që Trump, do ndikojë te sistemi i drejtësisë në Shqipëri për të mos shkuar deri në fund hetimet ndaj Ramës dhe duke shpresuar heqjen e non gratës së Berishës që ka paguar 6 mln dollarë.

Kalaja: E gjithë tentativa e zotërisë që duhet të jemi me BE çon ujë te kjo gjë. Këta u munduan të na bashkojnë me Kubën dhe Vietnamin.

Muçi: E ka ftuar Trumpi edhe Kubën dhe Vietnamin në bordin e paqes dhe kanë pranuar.

Kalaja: Trumpi është CEO, më i madhi dhe Trumpit i duhen të gjithë. Është njeriu që po prodhon paqe në botë. Kjo është fuqi. Nuk është interesi i shqiptarëve të lidhet me Kubën, por me SHBA. Po sulmoni SHBA.

Muçi: Po sulmoj SHBA pse thashë se duhet të kuptojmë pasojat që sjell për Shqipërinë? Ky është servilizëm dhe nuk është në të mirë të popullit shqiptar.

‘SHBA do ta marrë Ramën me helikopter si Maduro’, Berisha: Nuk e kam thënë unë këtë!

By: A R
22 January 2026 at 22:13

Kreu i PD Sali Berisha, i ftuar këtë të enjte, 22 janar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, u pyet nga gazetarët për faktin se në opinionin publik kanë dalë lajme nga kampi opozitar, se kryeministri Edi Rama do merret me helikopter nga Amerika, njësoj si Maduro.

Berisha mohoi kategorikisht të ketë thënë këtë frazë, duke shtuar se këto janë mashtrime, që përhapen nga vetë Edi Rama. Sipas Berishës, Rama nuk do të rrëzohet nga amerikanët, as nga drejtësia, por nga populli shqiptar.

Kryeredaktori i TV Klan Fatos Hakorja: A vuan opozita nga kompeksi amerikan, sa shkon dhe voton edhe një nismë, ku Edi Rama përfaqëson Shqipërinë.

Sali Berisha: Ne nuk votuam Edi Ramën. Nuk bëjmë kompromis ne me sigurinë kombëtare. Armiku numër një i shqiptarëve është Edi Rama. Ndodhi diçka e papritur, sepse Rama ishte bërë gati të shkonte në Davos. Ai darkonte me zonjën Kushner dhe do merrte avionin. Për një orë e gjysmë do shkonte në Davos. Por, besoj se Trump nuk donte që Rama të ishte në Davos.

Mentor Kikia: A është Rama duke u rehabilituar politikisht nga SHBA, pas takimeve me Ivanka Trump. Shqiptarët thoshin se Rama ia hodhi dhe këtë herë, duke e rregulluar me Amerikën. Një muaj rresht ju keni thënë se do vijë Amerika të marrë Ramën me helikopterë.

Sali Berisha: Jo, nuk e kam thënë kurrë. Kjo është teknikë e marrëdhënieve të tij publike, një teknikë shumë e ulët moralisht. Të gjitha këto i nxjerr vetë ai. Ramën nuk e rrëzon as Amerika, as SKAP, por do e rrëzojë opozita. I përhap vetë Rama këto. E kam bërë shumë të qartë se Ramën do e rrëzojnë qytetarët.

Bruna Çifliku: …por ka pasur një ekzaltim nga demokratët, që dhe Rama do merrej si Maduro.

Sali Berisha: Këto janë teknika, që Rama i përhap vetë. Janë mashtrime shumë të ulëta. Laburistët e përdorën këtë teknikë, por iu kthye në boomerang.

“Sazanin e kam dhënë unë”, Berisha: Fola mer Berluskonin! I ndjeri Fatos Nano…

By: A R
22 January 2026 at 22:07

Ashtu siç e deklaroi edhe paraditen e sotme, 22 janar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e ritheksoi se është pro investimit në ishullin e Sazanit.

Në studion e “Opinion” në Tv Klan ai kujtoi marrëveshjen e tij të dikurshme me ish-kryeministrin Italian Silvio Berlusconi, për një projekt që do të zhvillonte ishullin. Por, ky i fundit nuk arriti të realizohej.

BerishaZvërneci është investim kryekëput privat. Unë dhe ju, asnjëri nga ne s’ka parë një dokument që është tokë publike e dhënë. Atëherë si mund të jem unë kur ka ujdi të plotë mes privatëve?! Janë të mirëpritur!

Vijmë te Sazani, është tokë publike, nuk ka pronar. Sazani ka një histori, e vërteta është se i ndjeri Fatos Nano…

-Edhe më herët, Ilir Meta kur ka qenë kryeministër, u ngrit ideja e një rrjeti kazinosh, projekti i parë është në vitin 2000…

BerishaUnë bisedova me Berlusconi-n, në atë kohë zhvillimi i Sazanit ishte i komplikuar, edhe sot nuk është i thjeshtë, dy pëllëmbë plazh ka apo s’ka. Silvio u interesua shumë, bëri projektin, mirëpo erdhi kriza financiare e 2008-ës, atij i ranë aksionet dhe projekti mbeti. Si mund ta kundërshtoj unë në një kohë kur unë vetë isha përpjekur që të jepej për zhvillim?!

“Personalisht nuk do ngrihesha në protestë teksa unë e kam dhënë atë një herë, tani nuk mund të hiqem si ai që nuk jam! Ka një specifikë, nuk kam parë deri sot biznesmen të ofrojë investim 2 miliard euro!”, shtoi më tej kryedemokrati.

Megjithatë, akuzoi kryeministrin Edi Rama, se “u ka dhënë biznesmenëve shqiptarë toka shumë herë më të çmuara se Sazani”.

“Po na cënohet siguria”, Nënkryetari i gjykatës së Tiranës: Nuk kemi buxhet, na ka mbështetur AAPSK me pajisje

By: A R
22 January 2026 at 22:01

Gerd Hoxha, nënkryetar i Gjykata e Tiranës, ka ngritur shqetësime serioze mbi mungesën e sigurisë dhe kushtet e papërshtatshme në ambientet e institucionit, duke theksuar se kërkesat për ndërhyrje kanë mbetur pa përgjigje.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Hoxha bëri të ditur se gjykata prej vitesh përballet me mungesë të theksuar pajisjesh dhe fondesh, duke nisur nga pajisjet bazë të sigurisë deri te infrastruktura e brendshme. Sipas tij, një skaner sigurie nuk funksionon prej disa vitesh, ndërsa kërkesat për pajisje shtesë janë plotësuar vetëm pjesërisht, shkruan A2CNN.

Ai theksoi se për vitin aktual, nga fondet e kërkuara për pajisje, është miratuar vetëm 7–10% e nevojës reale, ndërsa pjesa dërrmuese e buxhetit është dedikuar vetëm për pagat, sigurimet shoqërore dhe blerjen e një skaneri. “Nga 100% që kemi kërkuar për pajisje, kemi minus rreth 90%”, u shpreh Hoxha, duke e cilësuar situatën si alarmante për funksionimin normal të gjykatës.

Në këtë kuadër, ai falënderoi në mënyrë të veçantë drejtuesen e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Risena Xhaja, për mbështetjen e dhënë në sigurimin e disa pajisjeve të nevojshme për rritjen e sigurisë.
Një tjetër problem i ngritur nga nënkryetari i Gjykatës së Tiranës lidhet me ruajtjen fizike të godinës. Hoxha deklaroi se kërkesat për shtim të pranisë së policisë në ambientet e gjykatës kanë qenë të vazhdueshme, por deri më tani nuk kanë gjetur zbatim. “Do të mjaftonin rreth 60 punonjës policie vetëm për Gjykatën e Tiranës. Kërkojmë të paktën dy ose tre policë për çdo kat. Godinat e gjykatave, ku ruhen prova të rëndësishme, pasdite i ruan Zoti”, tha ai.

Sipas Hoxhës, mungesa e sigurisë dhe infrastruktura e pamjaftueshme përbëjnë rrezik jo vetëm për stafin dhe qytetarët, por edhe për integritetin e provave dhe procesin e drejtësisë në tërësi.

“Votojmë si Amerika”, Berisha tregon dy arsyet që i rreshtuan demokratët krah socialistëve

By: A R
22 January 2026 at 21:54

Si rrallë ndodh, demokratët votuan sot njësoj si socialistët për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Në studion e “Opinion” në Tv Klan, kryedemokrati Sali Berisha foli pikërisht për këtë qëndrim të mbajtur nga opozitarët. Duke e theksuar se dokumenti është votuar në parim dhe jo nen për nen, ai tregoi dy arsyet se pse u u dha kartoni jeshil.

“U votua në parim sepse unë dua ta them këtu, gjatë gjithë kohës në pushtet, porosi e prerë e përfaqësuesve të Shqipërisë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, ka qenë do të votoni siç votojnë Shtetet e Bashkuara, për çështje sigurie.

Së dyti, u detyrohemi pavarësinë e Kosovës, betejën ajrore kundër Beogradit dhe mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës. Ne përsëri kemi probleme me Beogradin që nuk heq dorë nga paranoja e Serbisë së Madhe. Para 3 ose 4 vitesh erdhi në Zubin Potok, Vuçiç dhe deklaroi se Serbia do të bëhet më e madhe, njësoj si Millosheviçi. Në këto rrethana, unë kam qenë, jam dhe mbetem që të votohet siç votojnë Shtetet e Bashkuara”, argumentoi kryetari i PD-së.

“Bordi ka një bazë në SHBA, por edhe po të mos ishte kjo bazë, siç ka marrë pjesë në Koalicionin e Vullnetit, unë personalisht do ta votoja”, shtoi ai me bindje.

Por, moderatori Blendi Fevziu nuk e la me kaq. E pyeti troç se pse u votua emri nominal i Edi Ramës.

“Ne dokumentin e votuam në parim, jo nen për nen. I thamë Edi Ramës, ti nxin, ti turpëron. Ishte ulur pranë Lubisë (referuar ministres Belinda Balluku), i thamë që ajo do të të marrë me vete ty. Qëndrimi ynë ishte pro Shqipërisë, paçka se Rama dhe Lukashenko e personalizuan ftesën. Ftesa u dërgohet vendeve”, u përgjigj Berisha.

Gjuhën e ashpër nuk e kurseu për Kreun e Shtetit, Bajram Begaj.

“Po pse e e firmosi harami autorizimin?!”, tha ai.

Fiton dëmshpërblim nga vuajtja e dënimit të padrejtë, Ministria e Financave i bllokon paratë

By: A R
22 January 2026 at 21:45

Një qytetar ka denoncuar në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan zvarritjen e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor për dëmshpërblim, pas një dënimi penal të padrejtë. “Stop” ka siguruar vendimin e formës së prerë, i cili nuk lejon apelim në Gjykatën Administrative të Apelit dhe është ligjërisht i ekzekutueshëm.

Përmbaruesi Ilia Elezi shpjegon se ngërçi është krijuar nga Ministria e Financave, e cila ka depozituar apelim ndaj një vendimi të paapelueshëm duke bllokuar padrejtësisht procedurën e ekzekutimit të dëmshpërblimit.

Gazetari i “Stop” u interesua drejtpërdrejt pranë Ministrisë së Financave, duke kontaktuar me personin përgjegjës për ndjekjen e kësaj procedure. Përfaqësuesja e institucionit pranoi se bëhej fjalë për një lapsus procedural.

Punonjësja e MinistrisëËshtë apeluar nga institucioni, jo personalisht nga unë….Ok! Do të ta shoh dhe do të them, po mund të kërkosh zyrtarisht informacion dhe mund t’jua kthejmë!

Pas ndërhyrjes së “Stop”, çështja u zgjidh dhe vendimi gjyqësor u ekzekutua duke i dhënë fund një zvarritjeje të pajustifikuar administrative.

Denoncuesi: Shumë faleminderit se në fund të ditës unë doja që të zgjidhja problemin, jo të hapim probleme. Shyqyr që m’u zgjidh si prolematikë dhe ju falenderoj si emision, për zgjidhjen e problematikës!

Çfarë fshihet pas Bordit të Paqes?/ Milo: Synon të eleminojë OKB-në! Trump kërkon pushtet suprem

By: Os De
22 January 2026 at 20:53

Kuvendi i Shqipërisë votoi me 110 vota pro pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Ish diplomati Paskal Milo tha se Bordi i Paqes është në kudnërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe se synon të eleminojë OKB. Milo shtoi vëmendjen ndaj rolit të Trump në arenën globale ku tha se Trump kërkon të ketë pushtet suprem. Për ish diplomatin, prania në Davos e 19 vendeve nga 60 të tilla të ftuara nuk konsiderohet një bilanc pozitiv.

“Duhet të shohim pikturën ndërkombëtare; në këtë kuadër të vendosim edhe katundin tonë të vogël. Nëse i ndajmë dhe i marrim të shkëputura, nuk do të kemi gjykime të drejta dhe përfundime të sakta. Propozimi i Trump për Bordin e Paqes mund të ketë synime të bukura, synime pozitive që mund të jenë përmbyllja e një konflikti konkret në Gaza, por ai hap shteg edhe për një rol shumë herë më të madh për kufizime dhe ndërhyrje të tjera.

Mbi të gjitha, duke lexuar tekstin e projektstatutit që është shpallur, them me bindje se kjo nismë është në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare, e cila është ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore. Këto janë parime themelore, si respektimi i sovranitetit dhe integritetit kombëtar, dhe mbi të gjitha synohet të zhvendoset dhe të eliminohet OKB-ja. Dihet që Trump, me deklarata por edhe me veprime konkrete, ka dalë kundër OKB-së dhe ka nxjerrë SHBA-në nga 31 organizata.

Në këtë mënyrë kërkon që me këtë Bord të zëvendësojë OKB-në; e dyta, të bëjë një akt që nuk mund ta pranojë kush nga fuqitë e mëdha, që është pushteti suprem i kryetarit të shtetit amerikan për të vendosur ai dhe vetëm ai rendin. Duhet që ajo që është paraqitur të rishikohet. Nëse nuk bëhet kjo, kjo nismë nuk do të ketë jetë të gjatë. Sot në Davos ishin 19 vende nga 60; nuk është bilanc pozitiv, reagimi i vendeve është vetëm 1/3.” 

Britania i ofron mbështetje/ Franca ndalon një cisternë nafte ruse në Mesdhe! Macron: Asnjë nuk do kalojë…

By: Os De
22 January 2026 at 20:45

Britania e Madhe ka ofruar mbështetje për forcat franceze në një operacion për të kapur një cisternë nafte ruse, i cili është i sanksionuar nga SHBA, BE dhe Mbretëria e Bashkuar, në Detin e Mesdhe.

Operacioni u krye nga marina franceze, e cila përdori helikopterë NH90 Caïman Marine për të zbarkuar ushtarët në kuvertën e anijes, ndërkohë që autoritetet franceze konfirmuan se misioni u realizua në bashkëpunim me aleatët e tyre, përfshirë Britaninë.

Anija “Grinch”, po transportonte naftë nga porti arktik i Murmanskut, në Rusi, kur u kap. Kjo anije është e sanksionuar për shkelje të rregulloreve ndërkombëtare dhe është etiketuar si “flamur i rremë”, një status që i jep mundësinë të konsiderohet pa shtetësi dhe të sekuestrohet. Anija kishte shmangur ujërat britanike, por kaloi përmes Ngushticës së Gjibraltarit, përpara se të kapeshin.

Sipas ‘The Times’, një ekip inspektimi shqyrtoi dokumentet e anijes dhe konfirmoi dyshimet për rregullsinë e valëvitjes së flamurit, duke dërguar një raport tek prokurori i Marsejës për hetime të mëtejshme.

Ky operacion vjen pas një tjetër misioni të ngjashëm, ku Britania ndihmoi trupat amerikane të kapin një tjetër cisternë ruse të sanksionuar që po transportonte naftë për Venezuela, Rusinë dhe Iranin. Ky operacion kishte mbështetje nga avionë spiunë britanikë dhe anije mbështetëse, ndërsa forcat speciale amerikane SEAL zbritën në kuvertë nga helikopterët për të marrë kontrollin e anijes. Dy shkatërrues amerikanë dhe avionë F-35 ofruan mbështetje ajrore dhe detare.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e përshëndeti operacionin dhe theksoi se Franca nuk do të tolerojë shkelje të sanksioneve ndërkombëtare. Ai nënvizoi se veprimet e flotës në hije, që përfshijnë transportimin e naftës nga Rusia, po kontribuonin në financimin e luftës së agresionit ndaj Ukrainës. Po ashtu, ai shprehu angazhimin për të mbështetur të drejtën ndërkombëtare dhe zbatimin e sanksioneve.

“Nuk do të lëmë asnjë të kalojë” tha Macron.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti gjithashtu operacionin, duke thënë se të tilla veprime janë të nevojshme për të siguruar që nafta ruse të mos përdoret për të financuar luftën. Ai shtoi se duhet të ndalohen të gjitha cisternat ruse që operojnë pranë brigjeve evropiane dhe kërkoi masa më të ashpra për të frenuar flotën në hije.

Përveç sanksioneve, Britania po shqyrton mundësinë e përdorimit të naftës së sekuestruar nga cisternat ruse për të financuar përpjekjet e luftës në Ukrainë. Sipas planeve të diskutuar, nafta e sekuestruar mund të përdoret për të ndihmuar financimin e rezistencës ukrainase, duke privuar Rusinë nga të ardhurat e paligjshme të luftës dhe duke mbështetur përpjekjet për të luftuar agresionin rus.

Tankeri “Grinch” ka një histori të ndërlikuar sigurie dhe është e lidhur me aktivitete të dyshimta. Në vitin 2024, ai kaloi përmes Kanalit të Anglisë dhe vitin e kaluar u shfaq në Detin e Zi pranë Krimesë, ku u identifikua për aktivitete të errëta, përfshirë transferime të rrezikshme të naftës midis anijes dhe anijeve të tjera.

Anija është e lidhur me një kompani fiktive të regjistruar në Ishujt Marshall, një territor që përdoret për të fshehur pronarët e vërtetë të anijes.

 

Ish-presidenti: S’i shmangem drejtësisë, as nuk bëj lojëra për shtyrje seancash! Më në fund kuptuan dallimin mes METE-s dhe Metës

By: Os De
22 January 2026 at 20:36

Ish-presidenti, njëkohësisht kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar sot nga qelia e burgut nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, në lidhje me seancën paraprake në GJKKO për dosjen CEZ-DIA.

ilir meta

Ai shpjegon se seanca nuk u shty, por u mbajt dhe startoi procesi, edhe pse mungonte një nga avokatët. Me postimin e gjatë në Facebook, ish-kreu i shtetit, i arrestuar që prej 21 tetorit 2024, thotë se më në fund Prokuroria kuptoi dallimin mes METE-s dhe Metës, ku e para është ish-Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në lidhje me akuzat në dosje.

Gjithashtu shpjegoi se ai nuk i trembet drejtësisë dhe do përballet me farsën e provave të “palloshit të gjatë”, duke iu referuar kryeministrit të vendit, Edi Rama.

“Arritja më e madhe është se prokurorët pas 8 vitesh hetime kuptuan më në fund dallimin midis METE- (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës) dhe Metës sepse vazhdimisht i referoheshin METE-s si Meta. Edhe prokurorët e kuptuan që METE nuk është Meta. Seanca tjetër u la pas një jave edhe pse kërkova të bëheshin dy seanca në një javë. Ilir Meta, as i është shmangur drejtësisë, as nuk bëj lojëra për shtyrje seancash. Në fund të gjithë kësaj farse kriminale të diktuar nga “Palloshi i gjatë” do të dalë, jo vetëm që METE nuk është Meta, por që Ilir Meta është e vërteta”, shprehet ai mes të tjerash.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

. ̈ ̈ ̈ – ( ̈, ̈ ̈) ̈.

I ftoj të gjitha mediat të jenë korrekte dhe të mos shpërndajnë dizinformacione, sikur gjoja seanca paraprake ndaj Ilir Metës është shtyrë për javën tjetër.

JO!

Më në fund seanca paraprake u zhvillua edhe pse mungonte një nga të bashkëpandehurit dhe avokatët e tij.

Ishte insistimi im që kjo seancë më në fund të fillonte dhe e falenderoj gjyqtaren e seancës paraprake që e mori këtë vendim.

Për 4 orë kemi dëgjuar prokurorët që lexonin akuzat e tyre për CEZ-DIA, që ishin siç ju a kanë shpërndarë më 21 tetor 2024.

U detyruam të ndërhynim disa herë, jo për t’i ndërprerë prokurorët, por për t’i ndihmuar të mos gënjejnë para gjykatës.

Afera e CEZ-DIA, ku shteti shqiptar ka fitim se ka humbur rreth 1.1 milion euro por ka fituar mbi 4 milion euro.

Arritja më e madhe është se prokurorët pas 8 vitesh hetime kuptuan më në fund dallimin midis METE- (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës) dhe Metës sepse vazhdimisht i referoheshin METE-s si Meta.

Kishte dhe plot arritje të tjera, por këto mund t’i sqarojnë avokatët.

Kështu që SEANCA NUK U SHTY, SEANCA FILLOI.

Edhe prokurorët e kuptuan që METE nuk është Meta.

Seanca tjetër u la pas një jave edhe pse kërkova të bëheshin dy seanca në një javë.

Ilir Meta, as i është shmangur drejtësisë, as nuk bëj lojëra për shtyrje seancash.

Në fund të gjithë kësaj farse kriminale të diktuar nga “Palloshi i gjatë” do të dalë, jo vetëm që METE nuk është Meta, por që ILIR META ËSHTË E VËRTETA.

Sidoqoftë dua t’i falenderoj prokurorët e SPAK që u kanë dhënë leje gazetarëve për të më intervistuar dhe e ftoj Ministrin e Drejtësisë të mos bëhet më pengesë sepse jo vetëm Navalny dhe Khodorkovsky kanë dhënë intervista në burgjet e Rusisë, por edhe në Shqipëri, jo vetëm politikanë të paraburgosur dhe të burgosur, por edhe të dënuar me burgim të përjetshëm kanë dhënë intervista televizive sepse çdo qytetar, sidomos çdo politikan, ka jo vetëm të drejta por edhe detyrë t’i përgjigjet çdo gazetari dhe media në interes të opinionit publik dhe të llogaridhënies”.

“Parlamenti, i kthyer në teatër kukullash”/ Bordi i Paqes, Fatmir Mediu: U shkelën dy nene! Deputetët të painformuar

By: Os De
22 January 2026 at 20:27

Kuvendi i Shqipërisë votoi me 110 vota pro pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Deputeti Fatmir Mediu i ftuar në Real Story tha se çështjet  e sigurisë duhet të trajtohen në mënyrë serioze dhe të merret në konsideratë Kushtetuta.

Mediu theksoi se janë shkelur dy nene dhe se shumica e deputetëve nuk ishin të informuar se për çfarë po votonin.

“Nuk bëj pjesë te ai grup që shikon sipërfaqen. Çështja e sigurisë nuk është pronë private e kryeministrit; ajo trajtohet në mënyrë serioze dhe merret në konsideratë Kushtetuta. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe nuk mund të prishim marrëdhëniet e brendshme. Ne, si shqiptarë, kemi shprehur interesin për të qenë pjesë e BE-së. Çdo lloj diskutimi duhet të ketë pikëpyetje sa i takon kushtetutshmërisë.

Nuk e detyroi njeri Shqipërinë të ishte pjesë me vrap e Bordit të Paqes. Ne votuam një akt për të qenë pjesë. Kur flasim për një çështje të tillë, duhet qëndrim i unifikuar, i shqyrtuar politikisht në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, i cili nuk ekziston më.

Ka dy shkelje të neneve. Neni 121: nuk ka një marrëveshje bazë ku ka firmosur kryeministri. Ai nuk ka firmosur një marrëveshje. Ajo marrëveshje është nënshkruar, por nuk është negociuar, pasi një marrëveshje negociohet, nënshkruhet dhe ratifikohet. Shkelja e dytë ka të bëjë me faktin se deputetëve duhet t’u paraqitet marrëveshja të paktën një javë më parë për t’u informuar; sot shumica prej tyre nuk kanë qenë të informuar.

Ne reshtohemi dhe bëhemi në një parlament që është kthyer në teatër kukullash. Votuam në parim dhe nen për nen kundër asaj që Rama përpiqet ta shesë si manipulim.” 

FOTO/ “Trëndafil në kohë lufte!”- Bes Kallaku në një lidhje të re dashurie? ‘Gdhend’ në dorë emrin e një vajze, aktori bën lëmsh rrjetin…

By: Os De
22 January 2026 at 20:18

Aktori i njohur i humorit, Bes Kallaku ka bërë lëmsh rrjetin me një postim të bërë ditën e sotme në rrjetet sociale, duke ngritur dyshime se ka nisur një lidhje të re dashurie pas ndarjes nga Xhensila Myrtezaj.

Ai ka publikuar një “Instastory” ku ka treguar tatuazhin e ri që ka bërë në dorë, ku ka “gdhendur” emrin “Ejona” dhe një datë, 25.12.2025.

“Ejona 25.12.2025 Trëndafil në kohë lufte”, shkruhet në tatuazhin që aktori ka bërë në dorë.

bes kallaku

Por, se kush është ‘Ejona’ dhe se çfarë përfaqëson ajo në jetën e tij, aktori nuk e ka shpjeguar duke mos bërë asnjë koment më shumë.

Në këtë foto shfaqet dora e tij dhe dora e një vajze, ndërsa në sfond kënga që ka zgjedhur ta shoqërojë titullohet: “Do të të dua përgjithmonë.”

Kujtojmë se Bes Kallaku i ka dhënë fund martesës disa vjeçare me këngëtaren Xhensila Myrtezaj. A është kjo e dashura e tij e re apo jo, kjo mbetet ende mister.

xhensila-besi-770x445-35ckba8k9hsf8ty4rhnpxc

Opozita dorëzoi një fitore që e kishte arritur kundër SHBA-së

By: Mero Baze
22 January 2026 at 20:09
Nga Mero Baze
Për katër vite, Sali Berisha ka arritur në politikën shqiptare atë që asnjë udhëheqës tjetër nuk ka guxuar as ta bëjë dhe as ta ketë si rezultat. Ai është sanksionuar nga SHBA dhe i është kundërvënë SHBA-së me gjithë forcën, pa asnjë kompleks. E fshehu ca kohë pas Lulzim Bashës, duke bërë sikur e kishte hallin me të, pasi ai e kishte shpallur “non grata”, por pasi e zboi atë, mbeti përballë SHBA-së dhe e vazhdoi betejën.

E vërteta është se SHBA nuk ia hoqi sanksionet dhe ndoshta nuk ia heq kurrë, por ai realisht i zhbëri ato në sytë e demokratëve dhe mbështetësve të tij.

Është i pari udhëheqës politik në Shqipëri që një sulm kaq të rëndë nga SHBA jo vetëm e përballoi, por e shndërroi në lëvizje politike dhe fitoi.

Fitoi mbi sistemin tonë gjyqësor, duke marrë në mënyrë të dyshimtë kredencialet e partisë; fitoi mbi sistemin e drejtësisë, që nuk guxonte ta prekte as “non grata”; dhe mbi të gjitha fitoi në sytë e mbështetësve të vet, të cilët 100 për qind e kanë zhbërë “non gratën” e SHBA-së nga mendja e tyre dhe ia quajnë dekoratë.

Kjo është një fitore e paimagjinueshme për ndonjë udhëheqës tjetër politik në vend. Këtu ai i ka mundur të gjithë, edhe Edi Ramën, pasi ka dëshmuar se elektorati i djathtë shqiptar nuk është, siç pretendohet, demos pro-amerikan. Në rastin e parë që iu dha, e djathta shqiptare mbështeti një antiamerikan pa asnjë kompleks, duke u justifikuar me gënjeshtra të shpikura: “e ka bërë Sorosi”, “e ka bërë Lul Basha”, “e ka bërë McGonigal”, “e ka bërë Edi Rama”, etj.

Të gjithë e dinin që gënjenin veten, por mbështetjen për Berishën e dhanë deri në fund. Madje edhe ata që konsideroheshin korierë të ambasadës së SHBA-së në Tiranë nga selia e PD-së, në fund, mes SHBA-së dhe Berishës, zgjodhën Berishën dhe u bënë deputetë të tij.

Kjo është fitorja më mbresëlënëse politike e Berishës në karrierën e tij dhe ndoshta nga të paktat fitore të tilla politike në gjithë ish-Lindjen komuniste.

Fiks ashtu siç e bëri vetë, me aq mundim, atë fitore; fiks ashtu siç e ndërtoi fitoren me kauza të gënjeshtra për të maskuar betejën e tij me SHBA-në; fiks ashtu e zhbëri për gjashtë muaj.

Qysh nga zgjedhjet e 11 majit, kur iu desh të paguanin 6 milionë dollarë për të hequr sanksionet “non grata” për Berishën dhe familjen e tij, ata, në vend të rezultatit që ende nuk e kanë arritur, u servirën demokratëve dokrra rreth “blerjes së SHBA-së” prej tyre dhe ndryshimit të pushtetit përmes SHBA-së.

Pra, njeriu që e përballoi i vetëm SHBA-në, që i dha identitet betejës së tij me SHBA-në duke marrë zvarrë gjithë të djathtën shqiptare antikomuniste kundër SHBA-së, e dorëzoi fitoren e tij duke paguar para që ta zhbëjë.

Të gjorët demokratë, që kishin katër vjet që shanin nga mëngjesi në darkë SHBA-në që kishte sanksionuar udhëheqësin e tyre, fshinë postimet e vjetra dhe u bënë të gjithë proamerikanë.

Beteja e javës së fundit ishte edhe më frustruese për ta. Ftesa që Edi Rama të përfaqësojë Shqipërinë në Bordin e Paqes i konfuzoi dhe iu desh të shpiknin përditë nga dy gënjeshtra, me shpresë se do ta mbanin në këmbë narrativën e tyre gjashtëmujore.

Opozita u përball sot me gjithë gënjeshtrat e saj të gjashtë muajve të fundit dhe, e autosugjestionuar nga shpikja e një beteje të SHBA-së me Edi Ramën, zhbëri gjithë identitetin politik të Berishës për katër vitet e fundit, duke ia hequr atij të vetmen vlerë politike që prodhoi: vënien e personalitetit të tij mbi atë të SHBA-së.

Dhe ndodhi ajo që pamë në Parlament. Edi Rama u tall me nge në një seancë e cila duhej të ishte solemne, dhe ata votuan të gjithë në rresht emrin e tij për ta përfaqësuar në Uashington, nga i njëjti kompleks që i ka mbajtur gjallë gjashtë muajt e fundit: ideja se ata kanë “blerë” SHBA-në dhe ajo do ta heqë nga pushteti.

Tani, jo se do fitonte ndonjë gjë të madhe po të mos e votonte, por së paku do mbetej vetvetja. Tani është thjesht një pagator që, me lekët e vjedhura, kërkon të pranohet nga “armiku”, të cilin e mundi pa lek për katër vite.

Kështu ndodh kur gënjen të tjerët për çdo gjë dhe, në fund, gënjen edhe veten.

Mungesa e energjisë në shërbimin e reanimacionit/ QSUT “flet” pas 4 ditësh: Bashkë me OSHEE monitoruam avarinë

By: Os De
22 January 2026 at 20:06

Katër ditë pas skandalit në QSUT dhe kërkesave të përsëritura për informacion së përse ky institucioni i rëndësisë së veçantë, mbeti pa energji elektrike, drejtoria e qendrës spitalore ka vendosur të reagojë, por duke shmangur pyetjet e gazetareve. Drejtoria e QSUT ka shpërndarë një video të parapërgatitur ku drejtori i Shërbimeve të Mirëmbajtjes flet për avarinë dhe për problemin e ndodhura në një nga gjeneratorët që la pa energji elektrike shërbimin e reanimacionit Qendror. 

Ashtu si deklarata e publikuar nga QSUT, mbrëmjen e së hënës, edhe drejtori teknik Erjon Ngjelo përsërit qëndrimin se mungesa e energjisë elektrike nuk rrezikoi jetën e pacientëve. 

Por drejtoria e QSUT nuk jep asnjë informacion se përse aktualisht  nuk ka  një kompani që të mirëmbaje gjeneratorët dhe pajisjet e tjera  rezerve të energjisë elektrike. Po ashtu nuk jep sqarime se kur është bërë testi i fundit e gatishmërisë së këtyre pajisjeve për të provuar funksionimin e tyre në raste avarish si ajo e 19 janarit. Përpjekja për të shuar skandalin se  mungesa e energjisë nuk rrezikoi jetën e pacientëve, përgënjeshtrohet nga deklaratat e vete mjekeve. Mjekët, infermierët, por edhe familjarët e pacientëve e dinë fort mirë atë se çfarë kanë përjetuar mbrëmjen e 19 janarit për të zhvendosur më urgjencë pacientët e intubuar nga reanimacioni  në një shërbim tjetër.   

Terri energjetik, mosfunskionimi i gjeneratorit dhe frika se bateritë apo back up-et e pajisjeve respiratore nuk do të mbanin gjatë, krijuan momente tensioni dhe paniku tek stafi mjekësor dhe familjarët e pacientëve. Pavarësisht këtij skandali në QSUT, fati i mire ishte se nuk pati viktima. 

Djali i Trump pa një sportist të arteve marciale duke rrahur brutalisht një grua dhe ngriti alarmin: Barron më shpëtoi jetën

By: Os De
22 January 2026 at 19:53

Barron Trump, djali i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe Melania Trump, ka njoftuar policinë britanike për një sulm të dyshuar ndaj një gruaje, pasi pa në kohë reale se ajo po rrihej gjatë një video-telefonate, u tha gjatë një seance gjyqësore në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas dëshmisë në gjykatë, Barron Trump ishte “shumë i afërt” me viktimën e dyshuar për përdhunim dhe telefonoi shërbimet e emergjencës pasi pa një burrë duke e goditur vazhdimisht. Gruaja, emri i së cilës nuk bëhet publik për arsye ligjore, deklaroi se ndërhyrja e Trump “i shpëtoi jetën”.

Çështja lidhet me 22-vjeçarin Matvey Rumyantsev, një sportist i arteve marciale të përziera (MMA), i cila po gjykohet për sulm, lëndime trupore, dy akuza për përdhunim, mbytje të qëllimshme dhe pengim të drejtësisë përmes presionit ndaj viktimës që të tërhiqte akuzat. Rumyantsev i mohon të gjitha akuzat.

Në gjykatë u tha se e pandehura ishte xheloze për marrëdhënien e Barron Trump me gruan dhe ishte zemëruar pasi Trump kishte tentuar ta telefononte më herët. Prokuroria paraqiti edhe një transkript të telefonatës së emergjencës, ku Trump shpjegonte se kishte parë dhunën gjatë një video-telefonate dhe se ngjarja kishte ndodhur vetëm disa minuta më parë.

Në një email të mëvonshëm drejtuar Policisë Metropolitane, Trump shkroi se viktima, me të cilën ishte “shumë i afërt”, i kishte thënë se i pandehuri i kishte shkaktuar probleme për një kohë të gjatë. Ai përshkroi edhe pamjet që kishte parë, duke deklaruar se kishte parë shkurtimisht një burrë pa bluzë, me flokë të errët, përpara se kamera të kthehej te gruaja që po qante dhe po rrihej.

Gjatë telefonatës me operatorin e emergjencës, Trump theksoi vazhdimisht urgjencën e situatës dhe u shpreh i shqetësuar nga pyetjet mbi mënyrën se si e njihte gruan. “Këto detaje nuk kanë rëndësi, ajo po rrihet”, tha ai, përpara se të kërkonte falje për tonin e tij.

Ngjarja ndodhi në orët e para të 18 janarit 2025, ndërsa procesi gjyqësor ndaj Rumyantsev vijon. Çështja ka tërhequr vëmendje të gjerë publike për shkak të rolit të pazakontë të Barron Trump në njoftimin e autoriteteve britanike.

❌
❌