Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Java News

SHBA-të mund ta blejnë Groenlandën? S’është çudi. Tradita amerikane në blerjen e territoreve

By: A R
16 January 2026 at 08:56

Nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara kanë pasur idenë për ta blerë Groenlandën. Kjo kishte ndodhur tashmë në vitin 1867, kur sekretari i Shtetit i republikës së re, William Seward, përfundoi blerjen e Alaskës nga Rusia cariste për 7,2 milionë dollarë në atë kohë. Groenlanda ishte territori i radhës në listën e blerjeve të Uashingtonit. Por reagimi në Amerikë ishte aq negativ, saqë ministri Andrew Johnson e braktisi idenë. Edhe sepse po atë vit, Britania e Madhe i kishte dhënë autonomi Kanadasë, e cila kishte qenë objektivi i vërtetë i Shteteve të Bashkuara që nga koha e Revolucionit Amerikan. Dhe ishte në mes argumenti se amerikanët donin ta çlironin vendin fqinj nga zgjedha britanike nuk ishte më e qëndrueshme.

Operacioni në Alaskë përfshihej në një traditë tipikisht amerikane: zgjerimin përmes blerjes, më shumë sesa përmes pushtimit. Edhe pse kërcënimi me armë nuk ka qenë kurrë vërtet larg tryezës së negociatave, është fakt se më shumë se 40% e territorit amerikan është tashmë e SHBA-ve përmes pagesës me para, edhe kur kjo ka qenë e paraprirë nga një luftë. Në shekullin XIX, taktika e blerjes, edhe nën presion, u ofronte Shteteve të Bashkuara, ende jo një fuqi botërore, por disa përparësi: shmangien e konflikteve me fuqitë evropiane, legjitimimin e aneksimit dhe forcimin e perceptimit të “eksepsionalizmit” amerikan, të dashur për opinionin publik, i bindur se kolonizimi ishte punë evropiane, ndërsa amerikanët ishin ose çlirimtarë, ose civilizues.

Luiziana 1803

I bindur se Shtetet e Bashkuara duhej të ishin një komb fermerësh të pavarur, presidenti Thomas Jefferson, i zgjedhur në vitin 1801, donte më shumë toka për t’i sistemuar të gjithë. Ky ishte motivi kryesor i famshëm i asaj që u quajt Louisiana Purchase, blerja nga Franca napoleone e 828 mijë miljeve katrorë në perëndim të lumit Misisipi për 15 milionë dollarë, para që perandori francez i kishte urgjentisht të nevojshme për të financuar luftërat e tij. Marrëveshja dyfishoi menjëherë sipërfaqen e SHBA-ve, duke u siguruar atyre, ndër të tjera, kontrollin e portit strategjik të New Orleans-it. “Louisiana Purchase” do të çonte në ‘lindjen’ e plot 15 shteteve amerikane.

Florida 1819

E kontrolluar që1565 nga Spanja, e kaluar te britanikët në 1763 dhe e rikthyer nën kurorën spanjolle vetëm njëzet vjet më vonë, Florida pas Revolucionit Amerikan ishte shndërruar në një territor pa ligj, strehë për keqbërës, kriminelë dhe skllevër të arratisur. «Asnjë fuqi koloniale nuk ishte më në gjendje të zbatonte ligjin», shpjegon historiani H.W. Brands, profesor në Universitetin e Austin-it në Teksas. Për më tepër, Florida ishte burim i vazhdueshëm mosmarrëveshjesh territoriale mes Uashingtonit dhe Madridit. Kështu, pas vitesh negociatash, sekretari i Shtetit John Quincy Adams realizoi goditjen e jetës së tij, duke nënshkruar Florida Purchase Treaty, sipas të cilit Spanja ia dorëzonte Floridën SHBA-së falas, përveç rimbursimit prej rreth 5 milionë dollarësh për dëmet e pretenduara nga qytetarë amerikanë ndaj Spanjës. Pushtimi formal ndodhi në vitin 1821 dhe pranimi zyrtar si shtet i SHBA-ve, në vitin 1845.

Oregon, Teksas, Meksiko (pjesërisht) 1845–48

Pasi fitoi papritur kandidaturën demokrate në vitin 1844, James Polk, portreti i të cilit varet sot në Zyrën Ovale me dëshirën e Donald Trump, u zgjodh mbi bazën e një fushate elektorale të përqendruar te një program zgjerimi agresiv. Në kufirin verior ai adoptoi një qëndrim brutal, që i ngjan shumë atij të Trump-it për Groenlandën, nën sloganin «54°40’ ose Luftë», në atë rast kundër Mbretërisë së Bashkuar, duke pretenduar për SHBA-në gjithë territorin deri në kufirin me Alaskën, atëherë ruse. Por në vitin 1846, ai u kënaq me një kompromis në paralelin e 49-të, që i lejoi të aneksonte Oregonin.

Në jugperëndim, Polk aneksoi Teksasin, i cili ishte i pavarur, dhe shkoi në luftë me Meksikën, që nuk e pranonte aneksimin. Konflikti përfundoi me fitoren e amerikanëve, të cilët pushtuan edhe Meksikon, me një negociatë shumë të ngjashme me atë që Trump dëshiron t’u imponojë ukrainasve, dhe me dorëzimin e mbi 500 mijë miljeve katrore territor, përfshirë të gjithë Kaliforninë me San Diegon, Arizonën, Nju Meksikon, Nevadën, Utah-un, pjesë të Kolorados. Në këmbim, Shtetet e Bashkuara morën përsipër borxhin meksikan dhe paguan 15 milionë dollarë. Ajo që realizoi Polk ishte zgjerimi territorial më i madh i Shteteve të Bashkuara dhe «një nga grabitjet më të mëdha të tokës në histori», sipas historianit Hampton Sides, autor i një libri mbi pushtimin e Perëndimit.

Alaska 1867

Siç e pamë, Alaska u shit nga Rusia te Shtetet e Bashkuara për 7,2 milionë dollarë, rreth 120 milionë me vlerën e sotme, për një sipërfaqe prej mbi 1 milion e 518 mijë kilometrash katrorë. Vendimi u mor nga cari Aleksandri II, i mbingarkuar nga borxhet pas humbjes në Luftën e Krimesë. “Alaska Purchase” u prit keq nga të dyja palët: «shitje e popullit rus» ose «humbje», për inteligjencën e Moskës; «marrëzia e Seward-it», për amerikanët. Por nëse edhe sot nacionalistët rusë vazhdojnë të ankohen për marrëveshjen e keqe, blerësit u bindën shumë shpejt për të kundërtën, falë etheve të arit që nisën në vitin 1897 dhe që në pak dekada do t’u sillnin Shteteve të Bashkuara një fitim njëqind herë më të madh se investimi.

Filipinet 1898

Miti i Amerikës së imunizuar ndaj virusit të kolonializmit u shemb në vitin 1898 me Luftën Hispano-Amerikane, kur trupat amerikane pushtuan Porto Rikon, Kubën, Guamin dhe sidomos Filipinet, të cilat Madridi ia dorëzoi Uashingtonit për 20 milionë dollarë. Në arkipelag, SHBA-të vendosën një administratë të tipit kolonial, kundër së cilës popullsitë vendase u ngritën disa herë në armë, për t’u shtypur më vonë me gjak. Të shkatërruar nga kjo përvojë e kushtueshme dhe e dhimbshme, Kongresi amerikan, duke filluar nga viti 1934, përgatiti terrenin për pavarësinë e vendit aziatik, duke i dhënë fillimisht autonomi dhe më pas pavarësi, por vetëm në vitin 1946, në fund të Luftës së Dytë Botërore, pas një periudhe pushtimi japonez.

Vendimi i Trump për vizat, Zogaj: Duket sikur hanë qyl, por shqiptarët drobiten me 3 punë në Amerikë

By: A R
16 January 2026 at 08:47

Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, e cilësoi vendimin e administratës Trump për të pezulluar vizat emigruese edhe për shqiptarët, një vendim që lë një shije të keqe dhe duket sikur shqiptarër përfitojnë nga paratë e taksapaguesve amerikanë. Zogaj solli rastin e shumë shqiptarëve që punojnë disa punë në SHBA dhe se nuk duhet të numërohen vetëm ata që përfitojnë, por edhe ata që punojnë.

“Është vendim që lë shije të keqe për ne, por është një vendim që lidhet me një raport që u botua para pak ditësh, raport ku pasqyrohej përqindja e emigrantëve sipas shteteve, që marrin suplemente, kompensim dhe në atë listë të gjatë vendesh, që politika e Presidentit Trump, konsideron sikur po i marrin pjesën Amerikës, ose po hanë qyl, ishin edhe Kosova edhe Shqipëria. Kosova në 46% dhe 41% e shqiptarëve.

Ata që janë aty, do të vijojnë të jenë aty.

Vendimi ndalon të tjerët të shkojnë. Për mendimin tim, mendoj se është ekzagjeruar rasti për shqiptarët. Kam njohur me dhjetëra njerëz që punojnë tre punë, dy punë, drobiten. Po të shihet, nëse shihet sa taksa paguhen, duhet të numërohen edhe ata që punojnë.

Të merret informacion sa taksa paguajnë shqiptarët atje në SHBA.

Po të jap një shembull. Kam miq, një familje ku tre vëllezër punojnë në ndërtim, paguhen rreth 120 mijë dollarë në vit. Babai i tyre, personazh tipik i kategorisë që thuhet se i ka rënë në qafë Amerikës, por aty është ligji që imponon të të japë një kompensim, që të shkosh te minimum jetik, pra babai i tyre merr 11-12 mijë dollarë në vit, por ata paguajnë taksat.

Tani këtu ka një keqkuptim të madh, shërbimi mjekësor falas, është një e drejtë e qytetarëve, nuk mund të diskriminohesh se je shqiptar, apo somalez.

E treta, që më lë përshtypje jo të mirë, Amerika është shtet i formuar nga emigrantët, është shtet i emigrantëve.

Nuk e di si do të shkojë puna kur të mungojë krahu i punës në Amerikë. Por të mos përhapim panik, nuk janë hequr viza turizmi”- tha Zogaj.

Vendimi i GJK, gazetari: SPAK u merrte njerëzve telefonin në rrugë dhe nxirrte të dhënat në pazar, tani kufizohen

By: A R
16 January 2026 at 08:39

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, e vlerësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të kufizuar SPAK në procedurën e sekuestrimit të telefonëve në kuadër të hetimeve që bëjnë për dosje të ndryshme. Tomorri u shpreh se tashmë do t’u merret telefoni njerëzve që janë nën hetim dhe do të kërkohet vetëm ajo për të cilën ata hetohen, ndërsa materialet në telefon do të kqyren me urdhër gjykate.

Biseda

Tomorri: Ka dy probleme që i adreson ky vendim. Kishte nisur një praktikë që u merrej telefoni në  rrugë, edhe atyre që nuk ishin nën hetim, por ishin vetëm në dijeni, apo se prokurori mendonte se kishte dijeni. Personi të cilit i është marrë telefoni është person në dijeni. Pra nuk ka patur statusin as të hetuarës, as të dyshuarës.

Lala: Madje edhe kur u hakerua SPAK dokumenti i parë që rodhi ishte dokumenti për sekuestrimin e celularit të zonjës.

Tomorri: Duhet të ketë një kufizim dhe nuk e di se sa do ta kufizojë ky vendim.

Lala: Ideja është te ndërhyrjet arbitrare. Prokuroria do të hetojë dhe do të sekuestrojë edhe celularë.

Tomorri: Do të sekuestrojë, por jo për njerëzit që nuk i ke nën hetim.

Rakipi: A bëhet kontrolli me vendim gjykate?

Lala: Patjetër, seopse marrja e telefonit, futet te kontrolli personal.

Tomorri: Ty të merret telefoni, të dhënat shkojnë në prokurori dhe pastaj nxirren në pazar. Ndërsa pjesa e dytë e vendimit është se nëse merret telefoni se ti dyshohesh për diçka, do të kërkohet thjeshtë ajo e dhënë për të cilën ti dyshohesh, apo hajde marrim telefonin dhe shohim aty 1000 gjëra dhe hapim dosje sa të duam. Klodi sapo dha shembullin e Maltës që kur të marrin telefonin, ta marrin me objekt të përcaktuar.

Hartat/ Çmimet e reja të referencës do të zbresin edhe në fshat; Barazohen me referencat e rretheve

By: A R
16 January 2026 at 08:31

Qeveria po rishikon sërish projektvendimin për çmimet e referencës së ndërtesave për banim në rrethe. Për herë të parë, në hartën e çmimeve të referencës do të përfshihen të gjitha zonat rurale të Shqipërisë, sipas ndarjes territoriale të vendit në qytet/fshat.

Sipas projektvendimit, çmimet e referencës për zonat rurale propozohet të jenë të njëjta me çmimet aktuale të referencës të pandryshuara që aplikohen sot për qytetet.

Monitor zbardh hartat dhe tabelat me propozimet e qeverisë për çmimet e referencës së ndërtesave të banimit, sipas ndarjes territoriale në Republikën e Shqipërisë (Qytete/fshatra).

Për t’i qartësuar individët mbi ndryshimet në çmimet e referencës së ndërtesave për banim, aktualisht është ende në fuqi VKM nr. 132, e miratuar në vitin 2018, e cila i ndan rrethet në 67 zona me çmime reference.

Në ndryshimet e propozuara në korrik 2025 u parashikua shtimi i 59 zonave të reja, duke e çuar numrin total të zonave në 116. Rritja e propozuar përfshinte vetëm zonat urbane të vendit dhe ende nuk është miratuar nga qeveria. Me rishikimin e fundit që një grup pune po i bëjnë projektvendimit, çmimet e referencës ndahen gjithsej në 176 zona. Zonat e reja që shtohen janë zona rurale ku qeveria propozon të kenë çmime fiskale në vlera të barabarta me çmimet aktuale të rretheve. Aktualisht për zonat rurale në vend bashkitë përdorin çmimin e reduktuar deri në 35% të zonave urbane.

Konkretisht VKM nr. 132 datë 7.3.2018, (e ndryshuar në korrik 2023 vetëm për çmimet e Tiranës), për rrethet përcakton se çmimi për metër katror të sipërfaqes ndërtimore për banim në njësitë administrative jashtë qytetit përkatës, të cilat iu bashkuan njësive të vetëqeverisjes vendore pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, reduktohet deri në 35% krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale. Ndërsa në Tiranë për zonat rurale çmime i referencës reduktohet 30%.

Me ndryshimet e reja të propozuara, bashkitë nuk do të kenë më të drejtë të reduktojnë çmimet e referencës për zonat rurale, por do të detyrohen të zbatojnë çmimet e reja që qeveria propozon. Projektvendimi i ndryshuar pritet të miratohet në qeveri.

Çfarë çmimesh propozohen për zonat rurale

Grupi i punës që po harton çmimet e reja të referencës sqaroi për Monitor se duke u mbështetur në ndarjen territoriale të vendit në zona urbane dhe rurale, është propozuar që harta e çmimeve të referencës të ndahet në vlera çmimesh për zona urbane dhe rurale. Por duke qenë se çmimet e referencës mbështeten mbi vlerës e shitjes së pronave në terren,  disa zona bregdetare të vendit që po njohin zhvillim për ndërtesat rezidenciale, janë ndarë në disa zona kadastrale me çmime të ndryshme reference të përfshira edhe në zona urbane dhe rurale.

Për shembull, aktualisht çmimi i referencës për qytetin e Durrësit është 67 500 lekë për metër katror. Në projektvendimin e ri të publikuar te konsultimit publike në korrik 2025 është propozuar që Durrësi të ndahet në 13 zona kadastrale për çmimet e referencës, me vlera që variojnë nga 45 mijë lekë deri në 200 mijë lekë për metër katror (çmimi 200 mijë lekë është për zonën e Portit ku po ndërtohet projekti “Durrës Yahts Marina”). Brenda totalit të zonave të Bashkisë Durrës, do të përfshihen edhe Gjiri i Lalzit dhe Hamallaj që do të ndahen në 4 zona për çmimet e referencës.

Harta e Gjirit të Lalzit dhe Hamallajt e ndan zonën në 4 zona kadastrale me çmime të ndryshme reference për metër katror ndërtim banimi, të vendosura në breza nga deti drejt brendësisë. Zona 6 (vija e parë e bregdetit në Gjirin e Lalzit) ka çmimin më të lartë të referencës, 190 mijë lekë për metër katror, duke reflektuar zhvillimin intensiv turistik dhe vlerën më të lartë të tregut. Zona 7, menjëherë pas vijës së parë të detit, ka çmim reference 90 mijë lekë për metër katror. Ndërsa zona 8 dhe 9 që janë zona më të brendshme, çmimet e propozuara do të jenë 45 mijë lekë dhe 50 mijë lekë për metër katror.

Duke u mbështetur në ndarjen territoriale të vendit në zona urbane dhe rurale, është propozuar që të gjitha zonat rurale të Durrësit, pra fshatrat, të kenë çmim reference të ndryshëm nga zonat urbane. Për zonat rurale është propozuar çmim reference prej 67,500 lekë për metër katror, pra i njëjtë me çmimin aktual të referencës për qytetin e Durrësit. Në këtë çmim reference që qeveria ka propozuar për zonën rurale të Durrësit, përfshin edhe zonën pas vijës bregdetare edhe për zonën e Lalzit apo Hamallajt.

E njëjta logjikë për vendosjen e çmimeve të referencës është ndjekur edhe për zonat e tjera bregdetare ku po zhvillohen shumë zona rezidenciale.

Disa zona bregdetare të vendit që po njohin zhvillim për ndërtesat rezidenciale, janë ndarë në disa zona kadastrale me çmime të ndryshme reference të përfshira edhe në zona urbane dhe rurale.

Çmimi i referencës për ndërtesat për vijën bregdetare të Radhimës është propozuar të jetë 90 mijë lekë për metër katror, ku në tabelat e rishikuara përfshihet në çmimet e referencës së zonës urbane Radhimë dhe Orikum (shiko hartat).

Ndërsa zona rurale e Vlorës që shtohet si zonë e re nr.8, përfshirë edhe atë të Radhimës (pa vijën e parë bregdetare) do të ketë çmim reference 61,800 lekë për metër katror, i barabartë me çmimin aktual të zonës së qytetit për Bashkinë Vlorë.

Në hartën e çmimeve urbane të referencës për Sarandën është përfshirë edhe vija bregdetare e Ksamilit me çmime reference që do të variojnë nga 60 mijë lekë deri 100 mijë lekë për metër katror.

Me ndryshimet e propozuara edhe Sarandës i shtohen një zonë e re që përfshin fshatrat me çmim referencë 56 mijë lekë për metër katror i barabartë me çmimin aktual të qytetit të Sarandës.

Do rriten detyrimet e taksës së ndërtesës edhe për zonat rurale

Mbi çmimet e reja të referencës do të llogariten detyrimet e individëve dhe bizneseve për taksën e ndërtesës, taksën e ndikimit në infrastrukturë, si dhe do të kryhet procesi i rivlerësimit të pasurive.

Ashtu siç ndodhi në Tiranë me hyrjen në fuqi në muajin gusht 2023 të çmimeve të reja të referencës, ndryshimet sollën rritje të detyrimit për taksën e ndërtesës për individët dhe bizneset dhe rritjen e detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë.

Me hyrjen në fuqi të çmimeve të referencës, detyrimi për taksën e ndërtesës do të rritet jo vetëm  në rrethe, por edhe për zonat rurale. Nga ndryshimet e çmimeve të referencë do të rritet detyrimi për taksën e ndërtesës dhe infrastrukturës në të njëjtën masë që rriten çmimet e referencës, pasi baza e llogaritjes së taksës që është vlera e pronës llogaritet sipas çmimeve të referencës.

Sipas projektvendimit që u publikua në korrik 2025 në Konsultimet Publike, nga rritja e çmimeve të referencës në rrethe, Ministria e Financave parashikon të arkëtojë 2.6 mld lekë apo rreth 27 mln euro të ardhura nga rritja e detyrimit të të dyja taksave.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë pritet të gjenerojë rreth 1.8 mld lekë, ndërsa taksa mbi ndërtesën vlerësohet të kontribuojë me rreth 868 mln lekë.

Pas hyrjes në fuqi të referencave, Sa do të rritet detyrimi për taksën e ndërtesës dhe infrastrukturës

Detyrimi për taksën e ndërtesës së për individët do të rritet automatikisht në masën e rritjes së çmimeve të referencës.

Në Durrës, psh. një qytetar që disponon një shtëpi banimi me sipërfaqe 60 m2 në zonën kadastrale nr.11 aktualisht paguan një detyrim 2,025 lekë në vit apo 168 lekë në muaj nëpërmjet faturës së ujit të pijshëm për taksën e ndërtesës. Pas hyrjes në fuqi të çmimeve të referencës, detyrimi për taksën e shtëpisë do të arrijë në 6,000 lekë në vit apo 500 lekë në muaj.

Detyrimi për taksën rritet automatikisht sa rritje e referencave në masën 196% për këtë zonë.

Në të njëjtën nivele do të ndryshojë edhe detyrimi për taksën e ndërtesës për biznesin, pra për ambientin që përdoret për qëllim të aktivitetit tregtar. Nëse një biznes disponon një dyqan me sipërfaqe 90 m2 nga 12,150 lekë në vit do të paguajë 36,000 lekë.

Edhe për llogaritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, baza e taksës është vlera në lekë për metër katror e çmimit të shitjes së ndërtimit, qoftë për qëllime banimi apo shërbimi. Çmimi i shitjes për metër katror mbështetet në vlerat referuese të përcaktuara në metodologjinë e miratuar nga qeveria. Për qytetin e Durrësit, norma e kësaj takse për ndërtime banimi që nuk janë të destinuara për turizëm, industri apo shërbime publike është 8%, sipas vendimit për sistemin e taksave dhe tarifave vendore, miratuar në dhjetor 2022.

Në një shembull konkret, për një objekt rezidencial me sipërfaqe 100 mijë metra katror, i vendosur pranë portit të Durrësit, detyrimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë, i llogaritur me çmimin aktual të referencës, është rreth 540 milionë lekë. Me hyrjen në fuqi të çmimit të ri të referencës nga 1 janari 2026, detyrimi për të njëjtin objekt do të arrijë në rreth 1 miliard lekë, duke reflektuar rritjen proporcionale të çmimeve të referencës.

Rritje të ndjeshme të çmimeve të referencës parashikohen edhe për zonat e tjera bregdetare, si Himara, Saranda dhe Vlora. Me hartën e re, Himara ndahet në 5 zona kadastrale, ku rritja më e lartë, prej 141%, parashikohet për zonën nr. 1, duke e çuar çmimin nga 58 mijë në 140 mijë lekë për metër katror. Saranda gjithashtu ndahet në 5 zona, ku për zonat nr. 1 dhe nr. 3 çmimi i referencës arrin në 100 mijë lekë për metër katror, ose 78.6% më shumë se çmimi i mëparshëm.

Edhe Vlora do të ndahet në 7 zona kadastrale, ku katër prej tyre janë brenda qytetit, ndërsa zonat e tjera përfshijnë Radhimën, Orikumin dhe ishullin e Sazanit. Rritja më e lartë e çmimeve të referencës në këtë bashki parashikohet pikërisht për ishullin e Sazanit.

Sazani, zonë reference për herë të parë

Ishulli i Sazanit, i cili deri më tani nuk ka qenë zonë e banueshme, përfshihet për herë të parë si zonë kadastrale në hartën e metodologjisë për llogaritjen e taksës mbi ndërtesën. Kjo ndodh pas prezantimit të projektit rezidencial të zhvilluar nga kompania “Affinity Partners”, në pronësi të sipërmarrësit Jared Kushner. Për ishullin e Sazanit, çmimi i referencës përcaktohet në 200 mijë lekë për metër katror, ose rreth 233% më i lartë krahasuar me çmimin e mëparshëm referues për qytetin e Vlorës.

Rivlerësimi i pasurive në rrethe do të bëhet sipas çmimeve të reja të referencës

Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në rrethe, si për individët, ashtu edhe për bizneset, do të realizohet duke përdorur çmimet e reja të referencës.

Kjo vlen për të dy format e vlerësimit të pronës. Me vlerë tregu, i kryer nga ekspertë të licencuar, ku çmimet e përdorura nuk mund të jenë më të ulëta se çmimet e referencës.

Me çmim reference, realizuar me aplikim në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), ku gjithashtu përdoren çmimet e reja të referencës.

Kjo nënkupton që të gjithë subjektet që kryejnë rivlerësimin, qofshin individë apo biznese, do të përdorin bazën e re të çmimeve të referencës për të përcaktuar vlerën e pasurive të tyre.

Ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme është botuar në Fletoren Zyrtare, por për zbatimin e tij pritet miratimi i akteve nënligjore. /Monitor.al/

Rama mbledh Grupin Parlamentar të PS në Pallatin e Brigadave, zbardhet axhenda e plotë

By: A R
16 January 2026 at 08:23

Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të mbledhë këtë të premte, 16 janar Grupin Parlamentar të PS-së.

Takimi do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, duke nisur nga ora 10:00 dhe pritet të përfundojë rreth orës 15:00. Mbledhja është pjesë e procesit të bilancit të punës së kryer dhe përgatitjes së planit të punës për 12 muajt e ardhshëm, në prag të hapjes së sezonit parlamentar 2026, i cili nis më 19 janar.

Një ditë më pas, më 17 janar, kryeministri Rama do të mbledhë në Golem edhe kryetarët e bashkive, në vijim të analizës së punës dhe koordinimit të prioriteteve për vitin në vazhdim.

Axhenda e mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS:

10:00 – Hapja e mbledhjes

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH, Edi Rama

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH, Taulant Balla

Raporti i veprimtarisë së komisioneve parlamentare

(Çdo raport – 10 minuta; diskutime deri në 2 minuta për çdo folës)

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat – Milva Ekonomi

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike – Ulsi Manja

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes – Bledar Çuçi

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural – Blendi Klosi

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm – Anila Denaj

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet – Evis Kushi

Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale – Eduard Shalsi

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik – Iris Luarasi

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën – Erion Malaj

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme – Igli Hasani

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale – Fatmir Xhafaj

Komisioni Posaçëm për Realizimin e Reformës Zgjedhore – Damian Gjiknuri

Komisioni Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale – Arbjan Mazniku

Gjithashtu, do të prezantohet raporti i Sekretarit të Grupit Parlamentar mbi pjesëmarrjen e deputetëve në seancat plenare, komisionet parlamentare dhe mbledhjet e grupit.

13:30 – Konkluzione

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH, Taulant Balla

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH, Edi Rama

15:00 – Mbyllja e mbledhjes

Kjo mbledhje konsiderohet një moment kyç për rreshtimin e prioriteteve politike dhe legjislative të Partisë Socialiste, përpara nisjes së punimeve parlamentare për vitin 2026.

Nga monarkistët te muxhahedinët, kush janë grupet opozitare që sfidojnë Ajatollahun në Iran?

By: A R
16 January 2026 at 08:15

Regjimi i ajatollahëve në Iran po përballet me presion gjithnjë e më të madh nga vala e re e trazirave, e nxitur nga vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga inflacioni, i cili është rritur ndjeshëm që nga lufta e qershorit të kaluar, kur forcat izraelite dhe amerikane ndërmorën sulme ajrore, kryesisht ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Pavarësisht shpërthimeve të përsëritura të protestave mbarëkombëtare që shtrihen prej dekadash, opozita iraniane ka mbetur e fragmentuar mes grupeve rivale dhe fraksioneve ideologjike dhe duket se ka pak prani të organizuar brenda Republikës Islamike.

Monarkistët janë pjesë e grupimeve që përbëjnë opozitën iraniane. Shahu i fundit i Iranit, Mohammed Reza Pahlavi, u largua në vitin 1979, kur Revolucioni Islamik mori pushtetin. Ai vdiq në Egjipt në vitin 1980. Djali i tij, Reza Pahlavi, ishte trashëgimtari i Fronit të Palloit kur dinastia u rrëzua dhe, tashmë me bazë në SHBA, ka bërë thirrje për ndryshim regjimi përmes mosbindjes civile paqësore, vazhdimit të protestave dhe një referendumi për një qeveri të re.

Megjithatë, ndonëse Pahlavi ka shumë mbështetës në diasporën iraniane që favorizojnë rikthimin e monarkisë, mbetet e paqartë sa popullore do të ishte kjo ide brenda vendit. Shumica e iranianëve nuk janë mjaftueshëm të rritur për ta kujtuar jetën para revolucionit dhe vendi duket shumë ndryshe nga ai që i ati i Pahlavit la pas 47 vjet më parë. Ndërsa shumë iranianë e shohin me nostalgji atë periudhë para-revolucionare, të tjerë kujtojnë edhe pabarazitë dhe shtypjen e asaj kohe.

Ndërkohë, përçarje ka edhe brenda vetë grupeve pro-monarkiste.

“Nuk është se diaspora iraniane gjatë 50 viteve ka krijuar një lëvizje proteste të unifikuar dhe të integruar. Ajo është shumë e përçarë. Nuk është e bashkuar. Djali i ish-monarkut, Reza Pahlavi, është shndërruar, nëse mund të themi kështu, në një figurë përfaqësuese dhe ka tentuar të mobilizojë protestuesit dhe, në fakt, deri në një masë të caktuar, ai ka pasur ndikim në këto protesta që kemi parë. Por është shumë e vështirë të shihet se sa mbështetje ka ai ose sa mbështetje ka ndonjë figurë tjetër në Iran. Do të thosha se iranianët janë relativisht të bashkuar në kërkesën për rrëzimin e Republikës Islamike, por nuk është e qartë se çfarë vjen më pas apo kush vjen më pas. Ai përfaqëson nostalgjinë për të kaluarën. Ai është një alternativë ndaj asaj që kanë aktualisht, por mund të mos jetë zgjedhja numër një për njerëzit brenda Iranit”, tha Sanam Vakil.

Organizata e Muxhahedinëve të Popullit është po ashtu pjesë e opozitës iraniane. Muxhahedinët ishin një grup i fuqishëm i majtë që organizoi fushata bombardimesh kundër qeverisë së Shahut dhe objektivave amerikane në vitet 1970, por më pas u përplasën me fraksionet e tjera. Grupi njihet shpesh me emrin e tij persian, Organizata e Muxhahedinëve të Popullit (Mujahideen-e Khalq), ose me akronimet MEK apo MKO.

Shumë iranianë, përfshirë edhe armiq të betuar të Republikës Islamike, nuk ia falin kurrë faktin se u rreshtua në krah të Irakut kundër Iranit gjatë luftës së viteve 1980–1988. Grupi ishte i pari që zbuloi publikisht në vitin 2002 se Irani kishte një program sekret të pasurimit të uraniumit, por prej vitesh nuk ka treguar shenja të ndonjë pranie aktive brenda Iranit.

Në mërgim, udhëheqësi i tij, Massoud Rajavi, nuk është parë për më shumë se 20 vjet dhe drejtimin e ka marrë bashkëshortja e tij, Maryam Rajavi. Organizatat e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar për atë që e quajnë sjellje sektare dhe abuzime ndaj ndjekësve të saj, akuza që grupi i mohon. Grupi është forca kryesore pas Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, të udhëhequr nga Maryam Rajavi, i cili ka prani aktive në shumë vende perëndimore.

“Mendoj se një ndërhyrje e SHBA-së, dhe kjo varet sigurisht nga shtrirja, përmasa, qëllimi dhe objektivat e Shteteve të Bashkuara, mund t’u japë njëfarë mbështetjeje protestuesve. Por ka disa elemente kyçe, si të brendshme ashtu edhe të jashtme, që ende mungojnë që këto protesta të zhvillohen realisht në diçka revolucionare. Nevojitet rezistencë e qëndrueshme nga brenda vendit. Nevojitet kapacitet organizativ. Dhe Republika Islamike përpiqet vazhdimisht ta thyejë këtë. Nevojitet një plan veprimi. Duhet të dihet se çfarë vjen më pas. Dhe, në fund të fundit, nevojitet gjithashtu që elitat brenda sistemit politik iranian të shkëputen nga ai sistem. Dhe nuk kemi parë një fragmentim të elitave të zhvillohet gjatë këtyre protestave, apo në ndonjë protestë që nga viti 2009.”

Minoritetet kryesisht sunite të kurdëve dhe baluçëve në Iran kanë shprehur shpesh pakënaqësi ndaj sundimit të qeverisë shiite, persishtfolëse në Teheran. Disa grupe kurde kanë organizuar prej kohësh opozitë ndaj Republikës Islamike në pjesët perëndimore të vendit, ku përbëjnë shumicën, dhe ka pasur periudha kryengritjeje të armatosur kundër forcave qeveritare.

Në Baluçistan, përgjatë kufirit lindor të Iranit me Pakistanin, opozita ndaj Teheranit varion nga mbështetës të klerikëve sunitë që kërkojnë më shumë hapësirë për ndjekësit e tyre brenda Republikës Islamike, deri te xhihadistë të armatosur të lidhur me Al-Kaedën.

Kur protestat e mëdha janë përhapur në mbarë Iranin, ato shpesh kanë qenë më të ashpra në zonat kurde dhe të Baluçistanit, por në asnjërën prej këtyre rajoneve nuk ka një lëvizje të vetme, të unifikuar opozitare që të përbëjë kërcënim të qartë për sundimin e Teheranit.

Qindra mijëra iranianë kanë dalë në rrugë në protesta masive në periudha të ndryshme gjatë dekadave. Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2009, demonstruesit mbushën Teheranin dhe qytete të tjera, duke akuzuar autoritetet për manipulim të votës në favor të presidentit në detyrë, Mahmoud Ahmadinejad, kundrejt rivalit Mir Hossein Mousavi. “Lëvizja e Gjelbër” e Mousavit u shtyp dhe ai u vendos në arrest shtëpie, së bashku me aleatin e tij politik dhe ish-kryetarin e parlamentit, Mehdi Karoubi.

Kjo lëvizje, që synonte reforma demokratike brenda sistemit ekzistues të Republikës Islamike, sot shihet gjerësisht si e shuar.

Në vitin 2022, protesta të mëdha përfshinë sërish Iranin, të përqendruara te të drejtat e grave. Demonstratat “Grua, Jetë, Liri” vazhduan për muaj të tërë, por pa krijuar një organizatë apo udhëheqje dhe shumë nga protestuesit u arrestuan dhe u burgosën.

“Mendoj se ata po përballen me një kërcënim të trefishtë, diçka me të cilën nuk janë përballur kurrë më parë. Kërcënimi i parë është padyshim presioni i jashtëzakonshëm ekonomik dhe nuk ka zgjidhje të menjëhershme apo të shpejta në këtë drejtim, për shkak të sanksioneve, por edhe për shkak të korrupsionit sistemik. Presioni i dytë, sigurisht, është kriza politike mes shtetit dhe shoqërisë. Irani ka përjetuar disa valë protestash gjatë dy dekadave të fundit. Këto protesta janë të ngjashme me protestat e viteve 2017 dhe 2019, të cilat kishin karakter ekonomik dhe u përhapën në qytete të vogla dhe fshatra, ku ishin shumë të dhunshme. Kriza e tretë — dhe ajo që e bën këtë moment edhe më shqetësues për establishmentin politik në Iran — është se ata po përgatiten për një tjetër raund përballjeje me Izraelin, nëse jo edhe me Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye, ata po i llogarisin me kujdes veprimet e tyre dhe po përpiqen të mbajnë nën kontroll të gjitha frontet njëkohësisht. Presidenti i Iranit është përpjekur t’u afrohet protestuesve dhe t’u bëjë thirrje atyre, me shpresën për të ndërmjetësuar dhe për t’u takuar, gjë që është diçka e re. Por ka gjasa që në rrugët e Iranit të shihen edhe më tej shtypje dhe dhunë.”

Dita e sotme me kthjellime dhe alternime vranësirash, temperaturat në rritje

By: A R
16 January 2026 at 08:07

Ditën e sotme (16 janar) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme. Moti parashikohet alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit, pas orëve të mesditës mot me kthjellime dhe vranësira kalimtare.

Në veriperëndim – perëndim, pjesërisht në qendër dhe në ekstremin jugor në orët e mëngjesit deri në orët e mesditës reshje shiu tëherëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal. Mjegull /mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes.

Era do të fryjë me drejtim verilindje– juglindje, me shpejtësi mesatare 5 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 9 m/s. Deti do të jetë me valëzim të forcës 1-2 ballë.

Makina bie nga mbikalimi tek ura e Dajlanit, ndërron jetë 18-vjeçarja, plagosen edhe këmbësorë

By: A R
16 January 2026 at 08:00

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në orët e vona të ditës së djeshme, 15 janar, te mbikalimi i Urës së Dajlanit në Durrës.

Një makinë, që drejtohej nga një 26-vjeçar ka rënë nga ura. Si pasojë, është plagosur vetë shoferi dhe dy këmbësorë, që ndodheshin rastësisht në këtë zonë, kur ka ndodhur ngjarja.

Ndërsa, ka ndërruar jetë pasagjerja 18-vjeçare. Shoferi i mjetit është në gjendje të rëndë për jetën. Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohet se ka qenë shpejtësia e lartë.

Shoferi ka qenë me mbi 100 km në orë, në momentin e aksidentit. Ai nuk ka frenuar. Është përplasur direkt me trafik ndarësen dhe nga aty ka fluturuar për 50 metra horizontalisht për te përfunduar te dyqani i luleve, ku ka përplasur rojen me një person tjetër.

Policia, me anë të një deklarate për mediet, ka sqaruar dinamikën e ngjarjes.

“Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.

Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit”, njofton policia.

Pse krimi shqiptar është problem për SHBA-të? Hoxha: Si ia pa DEA potencialin në Ekuador…

By: A R
15 January 2026 at 23:02

Mbrëmjen e kësaj të enjteje, në emisionin “Opinion” në TV Klan një nga temat e diskutimit ishte nëse ka ndryshuar politika e SHBA-ve në raport me SPAK-un dhe me mazhorancën në Shqipëri.

Një nga pyetjet që u ngrit ishte nëse ka një nxitje amerikane të SPAK-ut në raport me aksionet më të fundit dhe sipas gazetarit Artan Hoxha që ishte një nga të ftuarit në studio, ka një lidhje. Sipas tij, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ndryshuar pas rikthimit të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë dhe se ata kanë një interes të shtuar për organizatat kriminale në Shqipëri, pasi ata dinë një gjë që shqiptarët nuk e dinë. SHBA-të njohin potencialin e tyre ekonomik!

“Qëndrimi është i ndryshuar në Ambasadën Amerikane pas ardhjes së presidentit Trump. Ka ndryshuar brenda një kohe rekord, shumë shpejt. Amerikanët e kanë patur këtë informacion përpara, thjesht e kanë nxjerrë nga sirtari dhe e kanë vënë në zbatim. Amerikanët dinë një gjë më shumë se ne. Dinë potencialin e vërtetë të organizatave kriminale shqiptare të narkotrafikut. E dinë me saktësi. Pse e dinë? Në momentin që ne themi që ka organizata që e kanë kaluar 1 miliard dollarëshin… ai e di që për një vend si Shqipëria, nëse ekziston një organizatë kriminale që po lëviz kokainë në këto përmasa, ai e di infiltrimin e kësaj paraje në administratën e vendit. E dinë se çfarë mund të bëhet me këto para gjatë fushatës elektorale. Gjë që ne i kemi të provuara, realisht. Ato ndikojnë në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore të vendit. SHBA-të e kanë të provuar tashmë këtë.”, tha Hoxha.

Pse janë organizatat kriminale shqiptare problematike për SHBA-të?

Gjatë fjalës së tij, gazetari Artan Hoxha mori si shembull rastin se si dy organizata kriminale shqiptare kishin financuar fushatën e presidentit të Ekuadorit, Guillermo Lasso. Sipas tij, kjo ka tërhequr vëmendjen e SHBA-ve.

“Pse janë organizatat tona problematike për SHBA-të? Së pari, për herë të parë kemi një grup shqiptar, familja Hysaj nga Departamenti i Thesarit, të ekspozuar dhe të shpallur si organizatë terroriste që pastron para për kartelin Sinaloa. Që ka përdorur biznese amerikane, territorin amerikan, ka përdorur perandorinë e kazinove që kishte në territorin e Meksikës, dhe ka ndikuar në SHBA. Ky është vendimi i 13 nëntorit të vitit të kaluar. Pra, për herë të parë (s’kemi pasur kurrë), kemi saktësisht të evidentuar nga agjencitë amerikane të luftës kundër drogës, nga operacione konkrete të bëra në territorin shqiptar. SPAK nuk ka operuar në Shqipëri me hetimet e veta, SPAK-ut ia kanë sjellë. I kanë thënë: ‘Ja ku i ke, vepro’.  Kush i ka sjellë këto? DEA.

Kur kam qenë në Ekuador dhe takova drejtorin e antidrogës atje, kur hapi të dhënat, i kishte me projektor si ti, e di ku i kishte marrë të dhënat? Nga DEA, që dy organizata shqiptare kishin financuar me 5 milionë dollarë fushatën e presidentit Guillermo Lasso. 5 milionë dollarë! Ne kishim financuar me 5 milionë dollarë fushatën e presidentit Guillermo Lasso. (Fevziu këtu shton: Sepse njëri nga shqiptarët ishte mik me dhëndrin e presidentit në Ekuador. Muhabet shqiptarësh). Ai, presidenti ishte CEO banke, kishte punuar me shqiptar dhe prandaj u përfshinë. Sepse shqiptarëve nuk u bëhet vonë kush bëhet president. Po flas për realitetin. Dritan Gjika ka financuar fushatën e presidentit Guillermo Lasso, unë kam vajtur në Ekuador, tek vila ngjitur me vilën e presidentit. Kanë lëvizur me makinën private të presidentit të Ekuadorit. Nga e kishin marrë? Duke patur këtë informacion autoritetet amerikane, duke parë që kjo organizata që po ndikon direkt në Ekuador, duke parë që lëviz me një ngarkesë të vetme 16.5 ton. Ajo ngarkesa që u kap në Hamburg. Ata e dinë ku të çon kjo sasi.  Këto grupe që e bëjnë këtë punë janë shqiptare, ato kanë në Shqipëri bizneset e tyre, lidhjet e tyre. Vetëm organizata Çopja ka 14 milionë euro longota ari, 15 milionë euro bitcoin. Kaq ke kapur.”, shtoi ai.

Sipas Hoxhës, SHBA-të nuk kishin asnjë interes më parë për krimin në Shqipëri. Por interesi i tyre u shtua pikërisht pasi panë se si grupet kriminale shqiptare mund të ndikonin përtej vendit të tyre, deri në Amerikën Latine.

“Amerikanët për sa kohë grupet tona bllokonin urën e Mifolit dhe të Memaliajt nuk ishin problem për të, por kur i panë në Amerikë, kur i panë në Amerikën Latine, kur i panë në Europë, kur panë fuqinë dhe potencialin e tyre dhe që mund të ndikojnë edhe larg vendeve të tyre, ata thanë janë problem prej fuqisë ekonomike. Nuk rrezikojnë NATO-n, por fuqia ekonomike e tyre, kur shkojnë tek miliardi i dollarit, në një vend si Shqipëria ata bëjnë një dëm të jashtëzakonshëm. Kur them me 5 milionë dollarë investuan për Lasso-n, imagjino ti në Shqipëri kur të dalin kandidatët e panjohur me 26 mijë vota. Ja si u bë lidhja. SHBA-të e dinë shumë mirë si ky zinxhir është bashkuar dhe kanë ardhur e ia kanë dhënë dosjet SPAK-ut në dorë. Dhe ne do shohim në vijim se çfarë do të kërkojnë ata dhe me çfarë intensiteti. Kur duan të veprojnë, ata veprojnë!”, u shpreh gazetari, duke shtuar se DEA e ka shumë të qartë deri në ç’masë janë infiltruar organizatat kriminale në vendin tonë, në ç’nivel politik dhe administrativ të zbatimit të ligjit dhe se sa influencë kanë arritur të blejnë me “narko-dollarët”, duke ndikuar madje “deri në legjislativ”. Sipas Hoxhës, mbetet vetëm për t’u parë se sa do të veprojnë.

Yesterday — 15 January 2026Java News

“Shqipëria shihet pozitivisht edhe në Shtëpinë e Bardhë të Trump”

By: A R
15 January 2026 at 22:53

Fred Fleitz, ish zv.asistent i Presidentit Donald Trump dhe Shef i Kabinetit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, deklaroi në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN se Shqipëria nuk shihet si pjesë e një liste rreziku, pavarësisht se i tërhiqet vëmendja diplomatikisht për narkotrafikun.

“Shqipëria është një vend aleat dhe mik i SHBA dhe këtë e kemi diskutuar edhe në kontekstin e sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, Shqipëria shihet pozitivisht edhe në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Trump. Kjo është relevante, pasi keni ambasadorin Grenell dhe keni edhe vetë vëmendjen e Presidentit, i cili është shumë i interesuar në promovimin e marrëdhënieve ekonomike me vendin. Mendoj dhe besoj se Shqipëria ndodhet në një situatë shumë të mirë me Presidentin Trump”.

I pyetur nëse mendon se sanksionet amerikane kundër figurave politike në Ballkan kanë qenë efektive, apo duhen rishikuar, Fleitz tha: “Ky ka qenë dhe vazhdon të jetë një debat shumë i nxehtë. Mendoj se sanksionet janë një mjet i rëndësishëm për të penalizuar individët që janë përfshirë në aktivitete të drogës apo të terrorizmit. Mendoj gjithashtu se periodikisht duhet rishikuar sa efektive kanë qenë këto masa ndaj individëve në Ballkan që kanë kryer krime, veçanërisht krime kundër njerëzimit. Këto masa duhet të rishikohen në mënyrë periodike”.

Shembja e Iranit dhe pasojat për Shqipërinë

15 January 2026 at 22:42

Nga Dritan Hila

Gati gjysmë shekulli pas përmbysjes së Shahut dhe vendosjes së republikës islamike, edhe kjo e fundit rrezikon përmbysjen e saj dhe një tronditje të thellë të gjithë Lindjes së Mesme.

Kur në vitin 1979 Ajatollah Khomeini përmbyste Shahun, Irani ishte 40 milionë banorë dhe prodhonte 6 milionë barila naftë. Menjëherë plasi lufta me Irakun dhe bota u përfshi nga terrorizmi i markës islame. 47 vite më vonë Irani ka gati 90 milionë banorë. Megjithëse prodhon gjysmën e sasisë së naftës, kapacitetet e tij nuk janë reduktuar aspak, përkundrazi filli ideologjik e ka bërë më të rrezikshëm.

Irani nuk është një shtet rudimentar i qeverisur nga një diktator dhe dyzet zagarë që vrasin e vjedhin në vend të tij. Përkundrazi, është një republikë teokratike me një sistem të ndërlikuar ku mpleksen rryma, interesa, etni, që e bëjnë jo të thjeshtë një ndërrim regjimi. Vetë sistemi i tij politik e tregon këtë.

Irani ka një parlament prej 290 anëtarësh, por kryesisht me funksione konsultative pasi ligjet e tij duhet t’i nënshtrohen aprovimit të Këshillit të Rojeve sikurse edhe në zgjedhje kandidatët duhet të miratohen nga ky këshill. Këshilli i Rojeve ka 12 anëtarë, ku 6 prej tyre i emëron Lideri Suprem dhe 6 të tjerët Urdhëri i Gjykatësve. Këta ngjasojnë me një byro politike të kohës së monizmit që mbështesin Liderin Suprem, por ja ku dalim te rasti i qenit që kafshon bishtin, pasi këta të 12 duhet të miratohen nga Parlamenti. Kur ka kontradikta, hyn në lojë Këshilli i Interesit Kombëtar, i cili bën rolin e ndërmjetësit, por edhe të këshilltarit të Liderit Suprem në fushën e politikës së jashtme. Kuptohet që në majë qëndron Lideri Suprem që merr vendimet përfundimtare, por ja që edhe ky ka një digë që është Asambleja e Ekspertëve me 86 anëtarë, që të gjithë klerikë, që zgjidhen çdo 8 vjet dhe kanë të drejtë të anulojnë urdhrat e Liderit Suprem. Por kandidatët që zgjidhen në këtë organ miratohen nga Këshilli i Rojeve.

I gjithë ky sistem është sajuar në mënyrë që të kufizojë pushtetin absolut të një njeriu dhe jo më kot quhet republikë teokratike.

Këtij kompleksi i shtohet Garda Revolucionare, një shtet brenda shtetit kjo.

Pastaj këtu shtohen mpleksjet e etnive. Për shembull azerët janë 20 milionë, dy herë më shumë se në Azerbajxhan. Presidenti i Iranit është azer.

Irani është një shtet me histori 2.500-vjeçare me ndikim jo vetëm demografik, por edhe historik e kulturor në rajon. Persët ishin ata që shtynin helenët për të hyrë në portat e Evropës. U ndeshëm më vonë me Aleksandrin e më pas me romakët. Pavarësisht tkurrjeve apo zgjerimeve, persishtja ishte gjuha e kulturës e Lindjes së Mesme. Në oborrin e sulltanëve otomanë, ajo ishte gjuha e oborrit.

Vetë Persia ishte qershia mbi tortë, e cila dikur quhej Gjysmëhëna e Artë nga ku vinte gruri, erëzat dhe jo pak herë zakonet e perandorive evropiane.

Ndaj një përmbysje e ajatollahëve nuk ka për të qenë një punë e thjeshtë dhe as me ndikim lokal sikurse Siria apo Libia. Irani është një vend që ka bërë luftëra dhe e njeh luftën. Natyrisht që nuk i ka kapacitetet e amerikanëve, por as janë të ngjashëm me shtetet e rajonit. Ushtria e tyre është një ushtri ideologjike. E mpleksur me zjarrin fetar, e bën të rrezikshme.

Vetë iranianët janë popull me ndjesi imperiale. E njohin historinë e tyre dhe janë krenarë për të. Për më tepër, duke qenë lider të botës shiite, ndikimi i tyre nuk mbyllet në kufijtë politikë të tij.

Iranianët kanë një shtet i cili ka punuar edhe në rekrutimin e asaj që quhet soft power. Intelektualë, gazetarë, njerëz me influencë të botës perëndimore, janë thirrur si vizitorë apo janë sponsorizuar që të bëjnë kolonën e pestë në vendet nga vijnë në mbështetje të interesave të Iranit apo më deklasifikimin e qeverive që janë armiqësore me Iranin. Shqipëria është një ndër vendet ku kanë investuar në gazetarë dhe intelektualë të kësaj prerjeje. Jo rastësisht të tillët janë armiqësorë sa herë qiraxhiu i bulevardit Dëshmorët e Kombit, i ka punët keq me mullahët e Teheranit.

Ndaj shembja e Iranit nuk ka për të qenë punë e lehtë. Por nëse ndodh, pasojat do të jenë të ngjashme me një lëvizje tektonike që do ndikojë për 50 vitet që vijnë.

Dëshmia e kameramanit që filmoi masakrën e Reçakut: Sa hyra në fshat pashë një trup pa kokë…

By: A R
15 January 2026 at 22:33

Sot bëhen 27 vjet nga dita kur trupat paramilitare serbe së bashku me forcat speciale serbe, me uniformë. Kryen një prej masakrave më të frikshme në fshatin Reçak të Kosovës. 45 veta humbën jetën, më i vogli 12 vjeç dhe më i madhi 90 vjeç. Të gjithë burra. Të gjithë u vranë, disave prej tyre iu hoqën kokat dhe ishin në luginë pa kokë.

Masakra e Reçakut ishte tronditëse dhe ka qenë një prej akuzave kryesore dhe në tribunalin ndërkombëtar të Hagës dhe është dëshmuar që ka qenë një vendim i forcave serbe, megjithëse këto të fundit deklaruan se të vrarët ishin anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por kreu i misionit vëzhgues të OSBE, i cili ka dëshmuar edhe në Hagë, William Walker mbërriti vetë në Reçak dhe deklaroi se asnjë prej të vrarëve nuk ishin ushtarë, ai tha se ishin fermerë.

Po atë mëngjes të zi në Reçak, mbërriti një kameraman i Kosovës,  Sylejman Kllokoqi i cili arriti që të filmonte pamjet tronditëse të cilat u bënë të njohura në të gjithë botën, por dhe që u shpërndanë në të gjitha mediat e botës atë ditë. Ishin imazhet e para, të një prej masakrave më të frikshme të Kosovës dhe një prej masakrave që ktheu vëmendjen e Perëndimit drejt Kosovës.

27 vjet më pas Sylejman Kllokoqi rrëfen në emisionin “Opinion” në Tv Klan ditën e errët të 15 janarit në Reçak, kur arriti për herë të parë dëshmojë trupat e personave që humbën jetën. Ai rrëfen se si e mori lajmin dhe si ishin kontaktet e para me banorët e Reçakut.

“Lajmin e kam marrë një ditë më parë që ka luftime në Reçak nga shtypi këtu dhe disa njerëz të OSBE-së. Të nesërmen në mëngjes unë hyra në Reçak sepse dëgjova që ishte larguar policia serbe dhe takimi i parë ishte me një njeri pa kokë në oborr të një familjeje, i cili ishte i mbuluar dhe familja duke qarë po i kërkonte kokën. Ia kishin prerë kokën.

Aty fillova pyeta fshatarët nëse kishte të tjerë të vdekur diku tjetër, sepse nuk kishte informata që ka në fshat dhe më thanë ‘po vazhdo kësaj rruge, në anën e majtë ka ende trupa’. Në anën e majtë në dalje nga fshati unë pashë edhe pesë trupa të tjerë, me një vend dy, ata kanë qenë duke ikur nga fshati dhe janë vrarë. Ishin dy trupa në anën e majtë, dy në anën e djathtë dhe më andej një tjetër.

Derisa vazhdova më lart, ku shkova dhe i pashë trupa të pa jetë luginën atje, i filmova të gjitha shpejt. Emocionet i kisha të mëdha, por mendoja më shumë fotografinë, për ta dëshmuar”, tha Sylejman Kllokoqi.

Qeveria miraton planin e punësimit për 2026, kush janë kategoritë që do të kontraktohen

By: A R
15 January 2026 at 22:25

Këshilli i Ministrave ka zbardhur vendimin për numrin e punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore për vitin buxhetor 2026. Ky vendim, i propozuar nga Ministria e Financave, përcakton rregullat e rekrutimit, nivelet e pagave dhe kategoritë prioritare, duke nisur nga arkivistët e deri te specialistët e Kryeministrisë.

Emergjencat shëndetësore dhe depistimi

Një pikë e rëndësishme e vendimit është alokimi i 50 punonjësve shëndetësorë dhe mbështetës. Këta punonjës do të qëndrojnë në gatishmëri për:

Përballimin e emergjencave të paparashikuara shëndetësore.

Realizimin e programeve kombëtare të depistimit. Ata do të menaxhohen nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore.

Pagat dhe funksionet e veçanta

Vendimi specifikon trajtimin financiar për disa pozicione specifike:

Operatorët EDRMS (Sistemi i Dokumenteve), do të paguhen sipas kategorisë “Operator”.

Ndihmësit Ligjorë në KLGJ dhe Specialistët në Kryeministri do të kenë një kohëzgjatje pune prej 8 orësh gjatë gjithë vitit dhe do të paguhen sipas kategorisë IV-1.

Pwr punonjësit e arkivave pagesat e tyre do të kushtëzohen nga miratimi i listëprezencës nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA).

Financimi i këtyre kontratave do të bëhet kryesisht nga shpenzimet korrente të miratuara në buxhetin e çdo institucioni.

Megjithatë, vendimi parashikon që “institucionet që gjenerojnë të ardhura vetjake, si Shtëpitë e Pushimit (MB dhe SHISH) dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, duhet t’i mbulojnë vetë kostot e stafit të përkohshëm”.

Disa institucione janë ngarkuar të hartojnë rregulla specifike për personelin e tyre si Ministria e Shëndetësisë për punonjësit socialë dhe shëndetësorë, Tatimet dhe Doganat për funksionin “Punonjës shërbimi”, Agjencia Kombëtare e Bregdetit për specialistët e angazhuar gjatë sezonit.

Për punonjësit që kanë pasur një kontratë aktive në vitin 2025 dhe puna e tyre nuk është ndërprerë, vendimi ka efekt prapaveprues financiar që nga 1 janari 2026, duke garantuar kështu që “proceset administrative dhe shërbimet ndaj qytetarëve të mos ndërpriten me ndërrimin e viteve.”

Të gjitha ministritë janë të detyruara të depozitojnë pranë Financave listën e detajuar të emrave, kategoritë e pagave dhe burimin e saktë të financimit brenda afateve ligjore.

Zyrtari i Trump: Ka potencial për një konflikt Kosovë-Serbi, Presidenti ta mbajë një sy në rajon

By: A R
15 January 2026 at 22:18

Ballkani mbetet një rajon i brishtë përballë ndryshimeve të mëdha gjeopolitike. Fred Fleitz, ish zv.asistent i Presidentit Donald Trump dhe Shef i Kabinetit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, pranoi në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN se ekziston potencial për konflikt mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se ka potencial për konflikt, por me udhëheqjen e Grenellit është mbajtur një sy i vazhdueshëm mbi situatën”, tha ai.

“Besoj se është në interesin e presidentit Trump që, së bashku me ambasadorin Grenell, të mbajnë një sy mbi situatën në këtë rajon. E di që ai është një mik shumë i mirë i shqiptarëve, por për këtë çështje mund të flisni drejtpërdrejt me ambasadorin Grenell”.

Gjatë vitit të kaluar, Trump ka deklaruar disa herë se ka arritur të parandalojë një konflikt Kosovë-Serbi, duke e futur këtë në listën e luftërave që mundi të ndalte, si ajo mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, Pakistanit dhe Indisë, e të tjera.

“Nuk mund të merren të dhënat e telefonave, pa vendim gjykate”/ GJK frenon SPAK-un, avokati shpjegon vendimin

By: A R
15 January 2026 at 22:11

Avokati Ili Gërdupi, gjatë një prononcimi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka shpjeguar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që kufizon marrjen e të dhënave nga aparatët telefonikë, kur ato sekuestrohen nga SPAK.

Avokati shpjegoi se telefoni mund të sekuestrohet si send, por GJK ka sanksionuar me vendimin e saj, se të dhënat brenda telefonit nuk mund të hapen dhe ruhen nga SPAK pa vendim gjykate dhe kur nuk i shërbejnë hetimit.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që është marrë në korrik 2025, është shpallur mjaft vonë, gjashtë muaj pasi është marrë, në tejkalim të afateve, bën një diferencim të ndjeshëm, për sekuestrimin e telefonit dhe sekuestirmin e të dhënave që përmban.

Telefonat e sotme, shërbejnë për sms, emaile, mesazhe në platforma të ndryshme, këto marrin të njëjtën mbrojtje që ka mbrojtja e korrespodencës. Sekuestrimi nuk bëhet me vendim të prokurorit, por me vendim gjykate Të gjithë personat që u sekuestrohet telefoni kanë mbrojtje të shtuar.

Megjithëse nuk pengohet marrja e telefonit si send, ne kemi tashmë një hap të shtuar, në të cilin, jo vetëm duhet verifikim i gjykatës nëse kopjimi i materialeve është i ligjshme, por materialet duhet të jenë të lidhura me veprën penale dhe janë të domosdoshme për fazën hetimore.

Marrim një shembull, thirreni në SPAK, nuk jeni person në hetim, por vetëm në dijeni. Ju thonë do të lini telefonin, keni të drejtë ta kundërshtoni. Mund të marrin telefonin, por nuk kanë të drejtë të bëjnë marrjen e korrespodencës, pa patur një vendim të gjykatës. Nuk mund të çohet telefoni tek eksperti pa vendim gjyakte. Duhet të kërkojnë në gjyaktë çfarë bisede do të marrin, konkretisht. Më pas telefoni mund të ruhet si send, por nuk mund të vijojë të përdoret. Kur hapet telefoni, nuk mund të lexojnë çdo gjë që keni në telefon.

Çështje të bujshme përshembull, sekuestrimi i telefonave të gazetarëve, SPAK do të duhet të thoshte në mënyrë konkrete se çfarë duhet të ekstraktojnë dhe ruajnë dhe në kuadër të cilit procedim penal. Nuk mund ta marrin për të parë çdo gjë që kanë shkëmbyer. Pra SPAK nuk mund të përdorë një hetim penal për të marrë çdo gjë që ka telefoni.

Çështja e Ballukut, varet nëse në momentin e sekuestrimit të telefonit, ishte një gjetje rastësore, apo ishte objekt i kontrollit, pasi kontrolli ishte me vendim gjykate. Nëse është sekuestruar si send, a ka patur vendim gjykatë për kryerjen e inspektimit, apo është bërë me iniciativë? Në të gjithë rastet GJK, lejoi që të dhënat e marra nga prokuroria, të ruhen dhe të përdoren, por duhet të kalojnë në kontroll gjyqësor. Pra nuk shpalli të pavlefshme ato komunikime që janë marrë.

Në rastin konkret, duhet parë nëse telefoni i Berberit ka kaluar këto faza proceduriale.

Rasti i kryetarit të Bashkisë së Shkodrës? Pra marr një telefon dhe aty gjej çdo gjë, a mund të përdoret kjo e dhënë? GJK nuk shprehet në lidhje me vlefshmërinë ose jo, por me procedurën dhe ndikimin e procedurave. Në të ardhmen, askush nuk do të japë telefonin në mënyrë vullnetare, por edhe kur merret telefoni duhet të kalojë procedurë rigoroze se çfarë mund të kqyret kur hapet”, tha Gërdupi.

Tre fëmijë, një nënë e masakruar publikisht dhe institucione që u zgjuan me vonesë. Kush dështoi në Durrës?

By: A R
15 January 2026 at 22:04

Rasti i tre fëmijëve në Durrës është një kambanë alarmi që duhet të zgjojë jo vetëm opinionin publik, por mbi të gjitha institucionet përgjegjëse, të cilat rezultojnë se e kanë pasur dijeni për situatën prej muajsh, por kanë reaguar vetëm pasi gjithçka u bë publike.

Ende sot, e vërteta e plotë e historisë së kësaj familjeje nuk dihet. Megjithatë, ajo që dihet me siguri është se një nënë u masakrua publikisht në rrjete sociale, u etiketua, u poshtërua dhe u gjykua, ndërkohë që askush nuk ngriti akuza dhe pretendime serioze për babain e fëmijëve, i cili jeton jashtë vendit dhe pranoi se ishte në dijeni të gjendjes së tyre.

Pak ditë më parë, në rrjet qarkulloi një video që tregonte tre të mitur në një banesë të rrëmujshme dhe të papastër. Pamjet shkaktuan reagim të menjëhershëm publik dhe çuan në shoqërimin e fëmijëve dhe nënës në pavijonin infektiv të spitalit të Durrësit, ku u konstatua se fëmijët po trajtoheshin për zgjebe.

Sipas informacioneve të siguruara, shkolla i kishte referuar fëmijët në Shërbimin Social që më 11 nëntor 2025. Madje, vetë shkolla ka deklaruar se nëna kishte paraqitur një raport mjekësor ku konfirmohej infektimi i fëmijëve dhe, që prej atij momenti, ata ishin mbajtur në shtëpi dhe po merrnin mjekim.

Edhe Shërbimi Social Shtetëror, institucioni i dytë që kishte dijeni për rastin, deklaron se i ka ofruar ndihmë dhe punë nënës, por ajo nuk e ka pranuar, duke këmbëngulur se donte t’ia dilte vetë. Sipas këtij institucioni, gjatë vizitave në banesë, gjendja ishte normale.

Në një telefonatë nga spitali, nëna e fëmijëve deklaron se prej muajsh i ka mjekuar vetë fëmijët, mohon udhëtime jashtë vendit dhe thotë se gjithçka mund të verifikohet në sistemin TIMS. Ajo mohon që banesa të ketë qenë në gjendjen e shfaqur në video dhe pretendon se ambienti është rregulluar qëllimisht për xhirim. Po ashtu, mohon kategorikisht se i ka lënë ndonjëherë fëmijët vetëm gjatë natës.

Nga ana tjetër, babai i fëmijëve, i cili jeton në Itali, pranon se kishte dijeni për kushtet në të cilat jetonin fëmijët, por shprehet me fjalët: “Çfarë të bëja?”. Vetëm pasi rasti u bë publik, ai deklaron se do të kërkojë kujdestarinë e fëmijëve. Ai mohon që ish-bashkëshortja t’i ketë braktisur fëmijët dhe tregon se ajo ka shkuar për disa muaj në Itali bashkë me ta, në përpjekje për një jetë më të mirë, por është rikthyer në Shqipëri. Madje, thekson se nuk ka kërkuar më herët kujdestarinë, pasi mendonte se fëmijët ishin më mirë me nënën.

Një nënë që punonte deri në 16 orë në ditë për të rritur tre fëmijë sot përballet jo vetëm me varfërinë, por edhe me damkën sociale. Ndërsa tre të miturit mbeten sërish në qendër të një sistemi që reagoi vetëm kur kamera u ndez.

Ky rast nuk ka nevojë për gjyqe popullore. Ka nevojë për përgjegjësi institucionale, mbështetje reale dhe drejtësi për fëmijët.

Zelensky: Vizita e ministres shqiptare në Ukrainë është një sinjal i fortë mbështetjeje

By: A R
15 January 2026 at 21:53

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vlerësuar lart vizitën e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në Ukrainë, duke e cilësuar atë si një shenjë të fortë solidariteti në një moment të vështirë për vendin e tij.

“Sot, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, @elisa.spiropali, po viziton Ukrainën. Kjo vizitë vjen në një moment shumë sfidues për Ukrainën dhe për popullin tonë. Dhe është një sinjal i fortë mbështetjeje”, shkruan Zelensky në një postim në rrjetet sociale.

Presidenti ukrainas thekson gjithashtu rëndësinë e faktit që ministrja shqiptare, përveç takimeve zyrtare, ka vizituar edhe ushtarët ukrainas që po i nënshtrohen rehabilitimit. “Ne e vlerësojmë faktin që sot Ministrja jo vetëm që ndodhet këtu, por edhe po viziton personalisht dhe po mbështet luftëtarët tanë që janë në proces rehabilitimi”, shprehet ai.

Sipas Zelenskyt, gjatë takimit u diskutua gjerësisht bashkëpunimi mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe integrimit evropian. “Para së gjithash, diskutuam bashkëpunimin ushtarak – prodhimin në fushën e mbrojtjes, integrimin e Ukrainës dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian, që është një qëllim i përbashkët i vendeve tona”, deklaron presidenti ukrainas.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe nisma PURL dhe mundësia e përfshirjes së Shqipërisë në këtë iniciativë gjatë këtij viti, si dhe përpjekjet diplomatike për arritjen e paqes dhe forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë. “Sanksionet janë një mjet kritikisht i rëndësishëm për të minuar aftësinë e Rusisë për të vazhduar luftën”, thekson Zelensky.

Në përfundim, Presidenti i Ukrainës njoftoi se i ka akorduar ministres shqiptare Urdhrin e Princeshës Olga, Klasi i Parë, si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen ndaj Ukrainës. “Faleminderit për mbështetjen ndaj Ukrainës. Jemi shumë mirënjohës ndaj Shqipërisë për mbështetjen e saj që nga fillimi i kësaj lufte”, përfundon ai.

Shtëpitë mbi truall shtetëror, ja si të bëheni pronarë me 0 lekë! Llogaritja e vlerës së tokës dhe kush përfiton 20% ulje

By: A R
15 January 2026 at 21:46

Qeveria ka miratuar procedurat e hollësishme që i japin fund pritjes shumëvjeçare për mijëra familje dhe biznese që posedojnë ndërtesa mbi truall shtetëror. Vendimi i ri përcakton qartë se Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) do të jetë institucioni që do të udhëheqë procesin, ndërsa aplikimi do të jetë tërësisht digjital.

Kategoritë që përfitojnë

Procesi i kalimit të pronësisë përfshin ndërtesat e privatizuara, të cilat janë objekte të blera nga shteti, ndërmarrjet shtetërore apo ish-kooperativat bujqësore. Objekte të ngritura me leje nga bashkitë pas datës 10 gusht 1991, ku toka ka mbetur në pronësi të shtetit.

Edhe nëse ndërtesa ka pësuar dëmtime strukturore, pronësia e truallit mund të përfitohet nëse objekti figuron në regjistrat kadastralë.

Hapat e aplikimit dhe dokumentacioni

Aplikimi nis përmes portalit e-Albania. Subjektet duhet të dorëzojnë kontratën e privatizimit ose lejen e ndërtimit bashkë me Genplanin; vërtetimin e regjistrimit të ndërtesës, nëse është e regjistruar; vërtetim për taksat, dokument që vërteton pagesën e taksës së truallit në përdorim nga viti 2010 e në vazhdim.

Sa kushton trualli?

Vendimi bën një ndarje të qartë mes banesave dhe bizneseve. Për ndërtesat për banim kalimi i pronësisë për sipërfaqen e përcaktuar në dokumentacionin e privatizimit bëhet falas.

Ndërsa për ndërtesat që përdoren për biznes, për ndërtesat me funksion social-ekonomik, trualli blihet me çmimin e tregut sipas Hartës së Vlerës së Tokës.

Pagesa bëhet vetëm për pjesën që shfrytëzohet për aktivitet ekonomik.

Për ata që kanë kërkuar privatizimin para korrikut 2012 dhe e paguajnë brenda 30 ditëve nga njoftimi i ri do të ketë ulje me 20%.

Afatet kryesore

Sapo kërkesa dorëzohet, ASHK ka 60 ditë afat për të kryer verifikimet në terren dhe hartimin e aktit të evidentimit.

Pas llogaritjes së vlerës, nëse ka, qytetari ka përsëri 60 ditë kohë për të kryer pagesën. Në rast se tarifat kadastrale nuk paguhen menjëherë, mbi pasurinë vendoset një hipotekë ligjore deri në shlyerjen e tyre.

Dokumentet që duhet t’i keni gati në format PDF përpara se të nisni aplikimin në e-Albania

Për Ndërtesat e Privatizuara (Ish-ndërmarrje, dyqane, banesa shtetërore)

  • Kontrata origjinale e privatizimit: Dokumenti i shit-blerjes me shtetin (ish-AKP, ndërmarrjet apo kooperativat).
  • Genplani/Planimetria e kohës: Harta që tregonte pozicionin e objektit në momentin e privatizimit.
  • Vërtetim nga Tatimet: Dokument që vërteton se keni paguar taksën e truallit në përdorim nga 7 qershori 2010 deri sot.
  • Deklaratë Noteriale (nëse dosja mungon): Nëse ASHK nuk ka kopje të dosjes, ju duhet një deklaratë ku merrni përgjegjësi për origjinalitetin e dokumenteve që po dorëzoni.

Për Ndërtesat me Leje Ndërtimi (pas 10.08.1991)

  • Leja e Ndërtimit: E lëshuar nga Bashkia ose ish-KRRT-ja.
  • Genplani shoqërues i lejes: Ku përcaktohet sheshi i ndërtimit dhe sipërfaqja e objektit.
  • Vërtetim nga Bashkia: Dokument që vërteton se keni paguar qiranë e truallit nga momenti i ndërtimit deri më 7 qershor 2010.
  • Vërtetim nga Tatimet: Për pagesën e taksës së truallit nga viti 2010 e në vazhdim.

Dokumente të përbashkëta (për të dyja rastet)

  • Certifikata e Pronësisë së Ndërtesës: Nëse e keni të regjistruar vetëm objektin në Kadastër (pa tokën).
  • Kontrata e rishitjes (nëse ka): Nëse ju nuk jeni pronari i parë, por e keni blerë ndërtesën nga dikush tjetër që e kishte privatizuar.
  • Tarifa e shërbimit: Duhet të keni një kartë bankare gati për të bërë pagesën e aplikimit në momentin që dorëzoni kërkesën on-line.

Si të procedoni në e-Albania?

Kërkoni shërbimin: “Kërkesë për kalimin e pronësisë së truallit shtetëror në përdorim”.

Ngarkoni dokumentet e mësipërme të skanuara.

Sigurohuni që sipërfaqja që kërkoni të jetë brenda kufijve të genplanit origjinal, përndryshe pjesa tjetër mund të konsiderohet si shtesë pa leje dhe të kalojë me procedurë tjetër.

“Çmontohet” banda kriminale në Spanjë, përdornin notuesit për të fshehur kokainën në anije

By: A R
15 January 2026 at 21:39

Policia spanjolle ka zbërthyer një rrjet kriminal ndërkombëtar që përdorte të rinj notues për të fshehur kokainën në anije drejt Evropës, duke arrestuar 30 persona dhe sekuestruar gati 2.5 ton droga.

Hetimi 15-mujor nisi në tetor 2024, pas gjetjes së 88 kg kokainë në një makinë në qytetin Mijas. Hetuesit zbuluan tre banda, përfshirë një kartel ballkanik, që bashkëpunonin për të sjellë sasira të mëdha droge nga Kolumbia në Spanjë.

Banda përdorte teknikat e njohura si “majmuni” dhe “drop-off”, duke futur drogën në kontejnerë në det dhe më pas duke e marrë para se anijet të arrinin në ngushticën e Gibraltarit. Pak muaj më parë, autoritetet sekuestruan 1.4 ton kokainë në një kontejner pranë Cádiz, ndërsa një tjetër ngarkesë u mor nga një anije në ujërat portugeze.

Droga pastaj transportohej në qytete dhe fshatra përgjatë Gjirit të Cádiz dhe më tej në vendet e tjera evropiane. Përveç drogës, policia konfiskoi armë, pajisje nautike, automjete luksoze, para të gatshme dhe bizhuteri.

Të hënën, Policía Nacional njoftoi sekuestrimin më të madh në historinë e saj të kokainës në det: gati 10 ton droga e fshehur mes ngarkesës së kripës në një anije pranë Ishujve Kanarie.

Tjetër tragjedi në Mineapolis, autoritetet qëllojnë për vdekje emigrantin nga Venezuela

By: Os De
15 January 2026 at 20:59

Një tjetër viktimë është shënuar në shtetin e Mineapolis në Shtetet e Bashkuara. Raportohet se një agjent federal amerikan qëlloi dhe plagosi një emigrant venezuelan në Minneapolis të mërkurën, duke rritur tensionet në qytetin e Midwest-it pasi një grua u vra nga një oficer i zbatimit të ligjit javën e kaluar.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se një oficer kishte qëlluar personin, i cili kishte mbërritur në SHBA në vitin 2022, pas një “ndalimi trafikut të paligjshëm” të mërkurën në mbrëmje.

Të shtënat më të fundit vijnë ndërsa një goditje ndaj imigracionit dhe fushata e deportimeve masive të nisura nga Donald Trump gjatë mandatit të tij të dytë në detyrë po përballet me kundërshtime në rritje dhe po bëhet një pikë e nxehtë politike në të gjithë vendin.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se emigranti venezuelian ishte përpjekur të ikte nga oficeri dhe i rezistoi arrestimit, duke e sulmuar agjentin “me një lopatë”, kjo pasi dy individë të tjerë erdhën për të ndihmuar personin të ikte.

“Duke pasur frikë për jetën dhe sigurinë e tij, ndërsa po i ziheshin pritë nga tre individë, oficeri qëlloi një plumb mbrojtës për të mbrojtur jetën e tij. Personi fillestar u qëllua në këmbë”, shtoi Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Të shtënat e së mërkurës nxjerrin në pah se si Minneapolis është shfaqur si një fushë beteje në goditjen e Trump pasi agjentët e Imigracionit dhe Doganave zgjeruan aktivitetet e tyre në qytet, duke shkaktuar një reagim të konsiderueshëm lokal.

Një javë më parë, Renée Nicole Good, 37-vjeç, u qëllua për vdekje në Minneapolis nga një oficer i antiemigracionit ndërsa ishte në makinën e saj, pasi sfidoi aktivitetet dhe praninë e agjentëve federalë në qytet së bashku me partnerin e saj.

Vrasja e Good ka jehuar në të gjithë politikën amerikane, duke shkaktuar zemërim nga shumë demokratë, ndërsa republikanët mbështetën veprimet e ICE.

❌
❌