Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 January 2026Java News

Si e “ndihmon” BE-ja Babagjyshin? Mesazhi festiv i Parlamentit Europian

By: A R
1 January 2026 at 08:30

Në prag të ndërrimit të viteve, Parlamenti Europian ka zgjedhur t’i drejtohet publikut me një mesazh ndryshe, duke kombinuar humorin me një shpjegim simbolik mbi funksionimin e Bashkimit Europian.

Në qendër të këtij komunikimi ka qenë figura e Babagjyshit të Vitit të Ri, të cilit institucioni europian i ka “dhënë” një identitet europian.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Parlamenti Europian ka përdorur humorin për të shpjeguar se si Babagjyshi arrin të shpërndajë dhurata në kohë rekord në të gjithë kontinentin. Sipas mesazhit, kjo “mrekulli” festive nuk lidhet vetëm me magjinë e festave, por edhe me mekanizmat që lehtësojnë lëvizjen brenda BE-së.

“E keni menduar ndonjëherë se si Babagjyshi i Vitit të Ri i shpërndan dhuratat kaq shpejt në të gjithë Europën? Kjo falë bashkimit doganor të BE-së dhe zonës Schengen! Pa kontrolle doganore mes vendeve të BE-së, slita e Babagjyshit vazhdon rrugën pa pengesa nga një ndalesë në tjetrën: pa vonesa, pa dokumente.”, thuhet në postimin e Parlamentit Europian në rrjetet sociale.

Me këtë qasje të lehtë dhe simbolike, Parlamenti Europian synon të theksojë përfitimet konkrete të integrimit europian, duke i sjellë ato më pranë qytetarëve përmes një gjuhe të kuptueshme dhe festive.

E rëndë në Zvicër/ Shpërthim në resortin ku po festohej Viti i Ri, disa persona humbin jetën

By: A R
1 January 2026 at 08:22

Një shpërthim ka ndodhur në orët e para të nisjes së vitit 2026 në Zvicër, aty ku po zhvilloheshim festimet e vitit të ri.

Shpërthimi ka ndodhur në një bar në një qendër për ski.

Policia thotë se disa persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi, që më pas solli edhe zjarr.

Persona të plagosur kanë mbetur, por ende nuk dihet një numër i saktë.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 01:30, në një bar të quajtur Le Constellation.

Shkaku i ngjarjes ende nuk dihet.

Crans-Montana është një qytet luksoz resorti skish i vendosur në zemër të Alpeve Zvicerane, afërsisht dy orë larg kryeqytetit zviceran të Bernës.

Lëndohen 20 persona nga hedhja e fishekzjarrëve, e mitura në Tiranë shpëton mrekullisht nga plumbi qorr

By: A R
1 January 2026 at 08:14

As ky fillim vit nuk ka nisur i qetë, pa incidente nga përdorimi i fishekzjarrëve.

Gjatë festimeve për ndërrimin e viteve, si pasojë e hedhjes së fishekzjarrëve, deri në orën 01:30 në rang vendi, janë raportuar 20 persona të lënduar, pa rrezik për jetën.

Mes tyre është një e mitur 13-vjeçare, e cila ka pësuar gërvishtje në parakrah, dyshohet nga një plumb qorr, në Vaqarr.

16 raste kanë ndodhur në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Lezhë, 1 në Fushë-Arrëz dhe 1 në Korçë.

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin janë në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin e qarkullimit rrugor, të ambienteve ku zhvillohen festime dhe të gjithë territorit.

Veliaj urim për Vitin e Ri: Jetoni me zemër të madhe, punoni me pasion dhe mbajini ëndrrat tuaja gjallë

By: A R
1 January 2026 at 08:06

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ka përcjellë një mesazh urimi drejtuar qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, duke uruar shëndet, lumturi dhe shpresë për familjet shqiptare, duke theksuar se ky moment festash duhet të shërbejë edhe si kohë afrimi për ata që ndihen të lënë pas. Një vëmendje e veçantë iu kushtua të pamundurëve, të sëmurëve, familjeve në vështirësi dhe emigrantëve, për të cilët kryebashkiaku shprehu dëshirën që viti i ri të sjellë më shumë ngrohtësi dhe forcë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës uron të jetohet me zemër tl madhe, të punohet me pasion dhe të mbahen ëndrrat gjallë.

Mesazhi i plotë:

Të dashur qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë,

Në prag të ndërrimit të viteve dua t’ju uroj shëndet, lumturi, suksese dhe një vit plot shpresë për ju dhe familjet tuaja.

Një urim zemre për të pamundurit, për të sëmurët, për ata që ndihen të braktisur, për familjet në vështirësi, për emigrantët që punojnë me djersë larg shtëpisë – ju uroj forcë dhe ngrohtësi këtë vit të ri.

Një falënderim i veçantë shkon për mjekët, infermierët dhe policët që shërbejnë pa pushim, për ushtarakët tanë kudo në botë që ruajnë paqen, dhe për punonjësit e bashkive dhe të tjerë që bëjnë çdo ditë të mundur që qytetet tona të ndriçojnë, jo vetëm me dritat festive, por me shpirtin e bashkëpunimit dhe solidaritetit.

Ky vit që po lëmë pas ka qenë sfidues për shumë njerëz, ndaj le t’i hapim derën njëri-tjetrit këtë festë, t’i ftojmë në tryezat tona ata që ndihen vetëm, t’i mbajmë pranë ata që kanë nevojë për një dorë ndihmëse dhe ta përqafojmë njëri-tjetrin me dashuri dhe besim për të ardhmen.

Jetoni me zemër të madhe, punoni me pasion dhe mbajini ëndrrat tuaja gjallë.

Dhe në fund, një urim dhe një përqafim për familjen time, me të cilën padrejtësisht nuk më është dhënë mundësia të jem sonte pranë.

Gëzuar 2026!

Bekimi i Vitit të Ri, dy vajza janë bebet e para të 2026-ës, Rama ndan lajmin: Mirë se erdhët!

By: A R
1 January 2026 at 07:59

Viti 2026 ka nisur me këmbë të mbarë dhe me lajme gëzimi për Shqipërinë. Të qarat e para që thyen heshtjen e sekondave të para të vitit të ri ishin ato të dy vajzave, të cilat janë regjistruar si bebet e para të këtij viti.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë emocionin e këtyre lindjeve që përkuan me ndërrimin e viteve.

Sipas kreut të qeverisë, lindjet e para u regjistruan në të dyja maternitetet kryesore të Tiranës. Njëra nga vajzat erdhi në jetë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ndërsa tjetra në maternitetin “Koço Gliozheni”.

Kryeministri Rama e shoqëroi njoftimin me një urim të shkurtër por të ndjerë për foshnjat që sapo kanë nisur rrugëtimin e tyre: “Mirë se erdhët!”.

Lindja e vajzave në fillim të vitit konsiderohet shpesh në traditën popullore si një shenjë mbarësie dhe begatie për vitin që pason.

MIRËSEVJEN VITI 2026! Shqiptarët trokasin gotat dhe zbardhin qiellin me fishekzjarre

By: A R
1 January 2026 at 00:01

Përmes një spektakli fishekzjarresh dhe urimeve të shkëmbyera më parë, shqiptarët i kanë dhënë mirëseardhjen Vitit të Ri 2026.

Mijëra qytetarë u janë drejtuar shesheve qëndrore pas mesnate, për të festuar orët e para të ndërrimit të viteve

Ndërkohë mësohet se mijëra forca policore, zjarrfikës dhe mjekë të spitaleve rajonale janë në gadishmëri për të siguruar mbarëvajtjen e festimeve.

Më herët, zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit bënë apel për shmangien e alkoolit kryesisht nga drejtuesit e mjeteve.

Në planin e masave për çdo qytet është përfshirë mbajtja në kontroll e situatës në veçanti në sheshe publike dhe pranë restoranteve të cilat kanë organizuar aktivitete të ndryshme gjatë festës.

Raportohet se fatmirësisht nuk është shënuar asnjë incident serioz gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve.

JavaNews.al i uron të gjithë shqiptarët për një vit të begatë, me shëndet dhe lumturi në çdo familje.

Yesterday — 31 December 2025Java News

Zelensky: Shpresë dhe besim në fitore për Vitin e Ri

By: A R
31 December 2025 at 20:43

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky theksoi besimin e tij për paqen në Ukrainë, në mesazhin e tij të Vitit të Ri.

”Viti i kaluar u karakterizua nga besnikëria dhe vendosmëria, parimet dhe puna e përditshme e ukrainasve”, tha ai në Facebook dhe X.

“Ky vit ishte i mundur falë mbrojtësve tanë”, tha ai, duke falënderuar ata që luftuan jo vetëm në emër të Ukrainës, por për të gjithë ata që vlerësojnë lirinë dhe dinjitetin.

”Ukrainasit po ecnin përpara së bashku me atë që na mban të bashkuar: përvoja dhe kujtesa, gjuha jonë amtare, shpresa dhe besimi”, tha Zelensky në postimet, të shoqëruara me një fotografi të tij duke qëndruar së bashku me gruan e tij Olena para një peme të dekoruar.

“Ne besojmë në paqe, do të luftojmë për të dhe do të punojmë për të”, tha ai.

Toni i fjalimit ishte në kontrast me atë të presidentit rus Vladimir Putin, i cili shprehu besim në fitoren në luftën e Ukrainës në mesazhin e tij të Vitit të Ri.

“I përgëzoj luftëtarët dhe komandantët tanë për fillimin e Vitit të Ri! Ne besojmë tek ata dhe në fitoren tonë”, tha Putin.

Flet Roberto Carlos pas 3 orësh operacion në zemër: Jam mirë dhe nën monitorim të vazhdueshëm

By: A R
31 December 2025 at 20:34

Mbrojtësi brazilian foli për “AS” rreth shëndetit të tij pas operacionit në zemër.

“Jam mirë dhe nën vëzhgim.” Deklaratë për gazetën spanjolle AS e Roberyo Carlos, i cili është shtruar në spital pas një operacioni në zemër. Ambasadori i famshëm brazilian i FIFA-s dhe i Realit të Madridit, po trajtohet në Brazil pasi u diagnostikua me një problem në zemër dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati afërsisht tre orë, më shumë se sa pritej fillimisht për shkak të komplikimeve gjatë operacionit.

Sipas informacionit të publikuar nga gazeta spanjolle AS, ndërsa ishte me pushime në atdheun e tij, ish-lojtari kërkoi ndihmë mjekësore pasi iu nënshtrua analizave në këmbë, ku u zbulua një mpiksje e vogël gjaku.

Një skanim me rezonancë magnetike të të gjithë trupit thuhet se tregoi se zemra e tij nuk po funksiononte siç duhet, duke çuar në shtrimin e menjëhershëm në spital për kateterizim. Ndërhyrja kirurgjikale, e cila fillimisht ishte planifikuar të zgjaste rreth 40 minuta, përfundoi duke zgjatur pothuajse tre orë. Pavarësisht kësaj, operacioni u konsiderua i suksesshëm. Sipas gazetës spanjolle, Roberto Carlos është jashtë rrezikut, por mbetet i shtruar në spital për vëzhgim për dy ditët e ardhshme.

Ky ishte problemi i dytë shëndetësor me të cilin Roberto Carlos u përball në vitin 2025. Në prill, ai u detyrua të shtynte një udhëtim për në Nepal, ku duhej të merrte pjesë në angazhimet e lidhura me Superligën e Nepalit. Në atë kohë, organizatorët e eventit thanë se braziliani kishte pësuar një “sëmundje të papritur”.

Vizita u ricaktua përfundimisht dhe Roberto Carlos mbërriti në Katmandu disa ditë më vonë, duke marrë pjesë në finalet e garës si zakonisht. Në moshën 52 vjeç, Roberto Carlos konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit. Ai ishte fitues i Kupës së Botës me ekipin kombëtar brazilian në vitin 2002 dhe fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madridin në vitet 1998, 2000 dhe 2002.

441 mijë thirrje në QKUM gjatë 2025, Brataj: Festoni me përgjegjësi

By: A R
31 December 2025 at 20:25

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore u bëri sot thirrje qytetarëve që të festojnë me përgjegjësi dhe kujdes për jetën tyre dhe të të tjerëve.

Kreu i QKUM, Skënder Brataj theksoi se gjatë këtij viti “patëm 441 mijë thirrje, nga të cilat 144 mijë ishin vizita të kryera në shtëpitë tuaja dhe 50 mijë konsulta mjekësore nga njësia e koordinimit”.

Brataj gjithashtu theksoi se qytetarët duhet të tregohen të kujdeshëm në përdorimin e mjeteve piroteknike.

“Mjetet piroteknike përdoren gjatë festave, por keqpërdorimi i tyre përbën rrezik serioz, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë. Rreziqet kryesore janë djegiet e rënda të duarve, fytyrës dhe trupit, dëmtime të syve deri në humbje shikimi, zjarre në ambiente të hapura dhe të mbyllura”, tha ai.

Brataj theksoi se duhet të përdoren vetëm mjetet e certifikuara dhe të lejuara me ligj.

Gjithashtu ai bëri thirrje që fëmijët të mbahen larg tyre.

“Mbani distancë sigurie, mbani fikëse zjarri afër. Mos i ndizni në dorë, mos i drejtoni nga njerëzit, mos i përdorni në ndikimin e alkoolit. Në rast aksidenti si djegie, ftoheni zonën me ujë të rrjedhshëm për 20-25 minuta. Syrin e dëmtuar mos e fërkoni, por mbulojeni lehtë”, tha Brataj.

Brataj gjithashtu bëri thirrje që mos të teprohet në konsumin e alkoolit.

“Festa mbaron, por pasojat zgjasin gjatë gjithë jetës”, e përmbylli Brataj mesazhin.

Singapori, Pekini, Tokio dhe Seuli presin 2026-n me kambana, fishekzjarrë dhe ceremoni tradicionale

By: A R
31 December 2025 at 20:16

Qytete të mëdha aziatike e pritën Vitin e Ri 2026 me kambana, fishekzjarrë dhe ceremoni tradicionale, ndërsa festimet nisën nga Paqësori Jugor dhe u shtrinë gradualisht në mbarë botën.

Singapori, Pekini, Tokio dhe Seuli ishin ndër qytetet që hynë në vitin e ri, secili me mënyrën e vet të festimit.

Në Pekin u organizua një shfaqje spektakolare dritash, ndërsa daullet shoqëruan pritjen e Vitit të Kalit të Zjarrit.

Në Hong Kong, ndërrimi i viteve u shënua më qetë, pasi fishekzjarrët tradicionalë mbi portin ”Victoria” u anuluan pas një zjarri vdekjeprurës në muajin nëntor.

Ndërkohë, në Singapor qielli mbi ”Marina Bay” u ndriçua nga fishekzjarrët, me horizontin e qytetit që krijoi një pamje mbresëlënëse.

Japoni dhe Koreja e Jugut u përqendruan te ritualet tradicionale të rënies së kambanave, ndërsa në Seul valltarë dhe ceremoni kulturore shënuan ardhjen e vitit 2026.

Në Tajlandë, lumi Chao Phraya në Bangkok ishte në qendër të festimeve në mesnatë.

Në Australi, Sidnej e priti Vitin e Ri me një shfaqje madhështore fishekzjarrësh mbi Urën e Portit dhe Shtëpinë e Operës, por edhe me një moment reflektimi.

Qyteti përkujtoi viktimat e sulmit të fundit në plazhin Bondi, me një minutë heshtjeje dhe mesazhe paqeje e uniteti të ndriçuara mbi urë.

Festimet në vetë plazhin Bondi u anuluan në shenjë respekti.

Ishujt e Paqësorit Jugor ishin të parët që hynë në vitin 2026. Banorët e Kiritimatit e pritën Vitin e Ri në mesnatë sipas orës lokale, të ndjekur pak minuta më vonë nga Ishujt Chatham të Zelandës së Re.

Më pas, Zelanda e Re, Samoa dhe Tonga shënuan ndërrimin e viteve me fishekzjarrë dhe shfaqje dritash.

Në Zelandën e Re, vëmendja u përqendrua te Auckland, ku Kulla Sky Tower u ndriçua nga shfaqje të veçanta, si dhe në kryeqytetin Wellington.

Ndërkohë, Samoa Amerikane, në anën tjetër të Vijës Ndërkombëtare të Datës, pritet të jetë vendi i fundit i banuar në botë që do të hyjë në vitin 2026.

“Vend ku ligji të zbatohet”, Meta uron nga qelia: 2026, viti i përkushtimit për një Shqipëri më të drejtë

By: A R
31 December 2025 at 20:08

Ish-presidenti Ilir Meta ka uruar nga qelia të gjithë shqiptarët me rastin e ndërrimit të viteve.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta ka uruar që viti 2026 të jetë i përkushtimit të madh për një Shqipëri më të drejtë dhe ku ligji është i njëjtë për të gjithë.

“Gëzuar Vitin e Ri 2026! Të dashur qytetarë shqiptarë, Nga zemra ju uroj një Vit të Ri me shëndet, paqe, gëzim dhe mbarësi për ju, për familjet tuaja dhe për të gjithë të dashurit tuaj, kudo që ndodhen.

Me besim në vlerat tona të përbashkëta dhe me sytë nga e ardhmja, ta mirëpresim 2026 si vitin e bashkimit, të guximit qytetar dhe të ringritjes së shpresës.

Le të jetë ky një vit që na afron më shumë me njëri-tjetrin dhe na jep forcën për të ecur përpara, të vendosur përballë sfidave.

Qoftë 2026 viti i përkushtimit të madh për një Shqipëri më të drejtë, më sociale dhe më njerëzore, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku liritë dhe dinjiteti njerëzor janë të shenjta dhe respektohen plotësisht.

Ku ka mundësi dhe shpresë për çdo qytetar, dhe ku çdo shqiptar të jetojë me dinjitet, siguri dhe mirëqenie në shtëpinë tonë të dashur, Shqipërinë, ku e ardhmja të ndërtohet mbi ndershmërinë, besimin dhe ligjin.

Gëzuar 2026, Vitin e Ndryshimit, të Lirisë dhe të Shpresës së re për të gjithë shqiptarët!”

Iraku merr bazën “Ain al-Asad” pas tërheqjes së koalicionit nën drejtimin amerikan

By: A R
31 December 2025 at 20:01

Iraku njoftoi sot se do të marrë në dorëzim javën e ardhshme një strukturë të rëndësishme ushtarake nga aleanca globale e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e angazhuar në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik (IS), një çështje që prej kohësh ka qenë burim polemikash në vend.

Zëvendëskomandanti i Komandës së Përbashkët të Operacioneve të Irakut, gjenerallejtënant Qais al-Muhammadawi, deklaroi se koalicioni anti-IS do t’ia dorëzojë forcave irakiane të sigurisë bazën ushtarake “Ain al-Asad” në Irakun perëndimor.

“Do të ketë marrëveshje dypalëshe mes Bagdadit dhe disa vendeve anëtare të aleancës, përfshirë SHBA-në, Francën dhe Britaninë e Madhe”, shtoi ai.

”Baza ‘Ain al-Asad’ do të shohë javën e ardhshme një tërheqje të plotë dhe do t’u dorëzohet forcave tona irakiane”, tha al-Muhammadawi në një konferencë për shtyp në Bagdad.

“Kjo është një arritje që lidhet me kapacitetet irakiane, sovranitetin e Irakut, si dhe me mirëkuptimin me SHBA-në dhe vendet e tjera të aleancës për ta shndërruar misionin në memorandume dypalëshe për shkëmbim ekspertize dhe informacioni, si edhe për trajnim”, theksoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Iraku po shqyrton nënshkrimin e marrëveshjeve të sigurisë me SHBA-në pas tërheqjes së forcave të saj drejt rajonit autonom të Kurdistanit irakian, raportoi sot televizioni saudit al-Hadath, duke cituar burime të paidentifikuara.

Muajt e fundit, milicitë irakiane të afërta me Iranin kanë bërë thirrje të përsëritura për largimin e trupave amerikane nga vendi.

E vendosur në provincën perëndimore al-Anbar, baza “Ain al-Asad” ka qenë disa herë objekt sulmesh nga grupe irakiane të lidhura me Iranin.

Forcat amerikane vazhdojnë të jenë të dislokuara pranë aeroportit të Bagdadit dhe në bazën ajrore të Erbilit, në Kurdistanin irakian.

VIDEO / “Sot s’kemi lidhje me Shqipërinë e damkosur të…”, Rama uron Vitin e Ri 2026 dhe premton BE-në

By: A R
31 December 2025 at 19:47

Kryeministri Edi Rama ka bërë urimin e tij për vitin e ri 2026, duke përmendur arritjet e viti që lam pas.

Ai tha se kjo është një Shqipëri tjetër, e dalë nga errësirat kronike të ikjes së dritave, falë vizionit dhe projekteve e punës këmbëngulëse.

Rama theksoi se ky është momenti që do iu sigurojë se “kohën e re të Shqipërisë nuk e kthen dot më mbrapsht askush dhe se më e mira është e gjitha përpara për Shqipërinë”.

“Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, kudo ku jeni,

Ja edhe një vit tjetër mbërriti tek dera për të dalë, duke e lënë Shqipërinë më lart, se në ditën kur hyri.

Gjatë rrugëtimit të këtij viti, shumica prej jush, në Shqipëri, Europë, gjetkë nëpër botë, e bekoi përpjekjen e përbashkët të dekadës së fundit, duke i dhënë qeverisë sonë, fuqinë e jashtëzakonshme të 83 mandateve.

Faleminderit edhe njëherë nga unë sot, për atë fuqi me të cilën falë jush, unë dhe të zgjedhurit tuaj do të bëjmë për Shqipërinë, në katër vitet e ardhshme, gjithçka duhet që ta ngremë flamurin tonë kombëtar, në oborrin e Shtëpisë së Bashkimit Europian.

Në një dekadë kemi bërë çfarë nuk imagjinohej kur nisi numërimi i viteve tona në qeverisje.

Kemi bërë realitet një Shqipëri tjetër, ku këtë vit u mblodhën krejt udhëheqësit e Europës Demokratike, nga Parisi në Ankara, dhe nga Kievi në Londër për të diskutuar të nesërmen e kontinentit tonë.

Një Shqipëri tjetër, ku për 18 muaj do të mblidhen të gjithë udhëheqësit e NATO-s, për Samitin vjetor të Aleancës, që plot vende të tjera, të cilat kanë hyrë në NATO, kohë përpara nesh, ende s’e kanë patur privilegjin ta mikpresin.

Një Shqipëri tjetër, e cila ndryshe nga jo shumë vite më parë, nuk ia ul më kokën asnjë shqiptari kur del jashtë kufijve të saj, prej ku tanimë vërshojnë drejt këtij vendi miliona e miliona turistë.

Një Shqiperi tjetër, më e prekshme se kurrë në çdo skaj të saj, me Dibrën e kthyer në zgjatim të Tiranës, falë rrugës së Arbrit; me Vermoshin, Thethin e Valbonën, të kthyera në destinacione turistike, falë kthimit të shtigjeve të vjetra të dhive në akse me standarte europiane; me Shkodrën e rilindur, falë kthimit të shpresës dhe rikthimit të turizmit si burim ekonomie i tharë qysh prej viteve‘30; me Lezhën, Beratin, Korçën, Pogradecin, Gjirokastrën, Përmetin, Tepelenën, Kolonjën, e me radhë, të kthyera në qytete të rilindura e fshatra rrotull tyre, ku vejevijnë njerëz nga Shqipëria e mbarë bota dhe hapen për t’i mikpritur, dyer pas dyersh, e ku numrat e turistëve, kanë arritur në shifra që nuk imagjinoheshin kur nisi kjo dekadë; me luginën e Lumit të Vlorës, të kthyer në një aks panoramik i Shqipërisë tjetër, ku të tjera e të tjera akse të reja, autostradash, rrugësh, tunelesh të hapur në veri e në jug, me standarde europiane e ritëm të pandalur gjatë këtyre viteve, i kanë dhënë kësaj Shqipërie, jo thjesht infrastrukturë më të mirë, po energjinë ripërtëritëse të një vendi në ngjitje.

Të gjithë këtë transformim, që vazhdon e do të vazhdojë pa ndalim, me kantiere të hapura e projekte të reja, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, nuk e solli koha siç thonë disa, nuk e sollën as alienët apo bandat siç bërtasin disa të fantaksur të tjerë, po e solli forca jonë qeverisëse, besimi juaj tek ne dhe besimi ynë i përbashkët tek Shqiperia, e solli puna pa orar e mijëra e mijëra njerëzve, e ministrisë, agjencive shtetërore dhe kompanive private, përpjekja e madhe në shumë frontet e betejës për Shqipërinë Europiane, ku të metat, dobësitë, gabimet apo edhe rrëshqitjet ose mëkatet e disave brenda nesh, nuk e zvogëlojnë dot kurrsesi përmasën historike të një transformimi të tillë.

Kjo është një Shqipëri tjetër, edhe falë kthimit të infrastrukturës digjitale nga një dorë kioskash me internet, në një shtyllë qeverisëse me maturitet të lartë, siç e vlerësojnë organizmat më prestigjozë ndërkombëtarë të fushës.

Një Shqipëri që tre vitet e fundit ka ngjitur plot 54 vende, duke u renditur e 14-ta ndër 197 vende të botës për qeverisjen digjitale dhe duke vendosur në dispozicion të qytetarëve, një platformë shërbimesh publike në kohë reale, falas nga çdo cep i globit.

E-Albania u ka kursyer shqiptarëve 620 milione euro dhe 7500 vjet radha nëpër sportele, ose e thënë ndryshe, një radhë të gjatë sa 25 mijë rrotullime rreth tokës.

Kjo është një Shqipëri tjetër, e cila pas sulmit terrorist kibernetik mbi pikërisht këtë infrastrukturë moderne digjitale, ngriti një nga muret më të fortë të mbrojtjes kibernetike në Europë, ku deri më sot kanë dështuar të gjitha sulmet e vazhdueshme që kanë ardhur e vazhdojnë të vijnë më pas e askush nuk flet për to.

Një Shqipëri tjetër, e shërbyer në këto vite transformimi me dijen dhe përkushtimin e skuadrave të AKSHI-t e të AKCESK-ut, ku vajza e djem të talentuar, e kanë rritur vit pas viti aftësinë e këtij shteti për t’u shërbyer njerëzve dhe vendit, duke e bërë Shqipërinë një histori suksesi edhe ndërkombëtarisht.

Kjo është një Shqipëri tjetër, e dalë nga errësirat kronike të ikjes së dritave, falë vizionit, projekteve e punës këmbëngulëse të mbështetur nga investime të vazhdueshme, që kanë transformuar krejt panoramën e sektorit, duke rritur kapacitetet prodhuese, diversifikuar burimet e energjisë së rinovueshme, ulur çmimin për konsumatorët familjarë, e duke u ngjitur vit pas viti drejt majës së sovranitetit energjetik, të cilën do ta mbërrijmë brenda këtij mandati për të mos harxhuar më asnjë qindarkë për të importuar energji nga jashtë.

Kjo Shqipëri tjetër, nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë e pikënisjes së kësaj dekade, kur ishim të shpërfillurit e damkosur të Europës.

Ky vit mbyllet për Shqipërinë, jo vetëm me negociatat e anëtarësimit të hapura në çdo kapitull, po edhe me ngjitjen e Shqipërisë në pozicionin e të ashtuquajturit front-runner, pararendës, i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

As këtë rezultat shembullor, fantastik për emrin e vendit tonë dhe për dinjitetin e kombit tonë, nuk e solli koha, por përkushtimi i ekipit kombëtar të negociatave dhe dija, puna, këmbëngulja e më shumë se 1000 patriotëve publikë në ministritë e në institucionet e pavarura të shtetit shqiptar.

Dekada e fundit ka qenë për Shqipërinë dhe shqiptarët, një kohë me një shpejtësi të re shqiptare, një përpjekje e madhe për të fituar kohën e humbur të një tranzicioni të çartur përplasjesh me muret e prapambetjes, një projekt kombëtar reformash transformuese për të hapur rrugën e të vërtetës sonë si popull europian, që meriton të ulet në sofrën e përbashkët europiane.

Nuk është sot gjëkundi koha për një nga ato fjalimet e mia të gjata. Ky është momenti për mua qe t’ju siguroj se kohën e re të Shqipërisë nuk e kthen dot më mbrapsht askush dhe se më e mira është e gjitha përpara për Shqipërinë dhe shqiptarët; që t’ju garantoj se viti i ardhshëm e ata pas tij, do të sjellin edhe me shumë frute se sa ka sjellë deri më sot puna transformuese e kësaj dekade dhe që t’ju uroj gëzuar, kudo ku jeni, me këdo që keni pranë, e me shëndet dhe mbarësi në vitin që po hyn në derë.

Gëzuar!”

 

Urimi i Osmanit për Vitin e Ri: Kosova të ecë përpara me unitet, siguri dhe zhvillim

By: A R
31 December 2025 at 19:37

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë urimin e saj për Vitin e Ri 2026, duke theksuar rëndësinë e reflektimit për vitin që po përmbyllet dhe angazhimin për një të ardhme më të sigurt, më të drejtë dhe më të zhvilluar.

Osmani ka vlerësuar vitin që lamë pas si një periudhë me sfida, por edhe me vendime të rëndësishme dhe përparime të dukshme në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Presidentja theksoi se Kosova ka treguar vendosmëri në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe interesit shtetëror, duke u përballur me përpjekje destabilizuese dhe duke u dëshmuar si faktor paqeje, stabiliteti dhe besueshmërie në arenën ndërkombëtare.

Presidentja Osmani përmendi gjithashtu se, ndonëse viti ka qenë sfidues edhe për shkak të vonesave në themelimin e institucioneve, ai ka dëshmuar forcën e demokracisë dhe të qytetarëve të Kosovës, duke vlerësuar kontributin e punëtorëve, policëve, ushtarakëve, mësuesve, mjekëve, të rinjve, grave, si dhe mërgatës shqiptare.

Duke folur për vitin 2026, Osmani tha se Kosova hyn në Vitin e Ri me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta, duke përfshirë forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e sigurisë, avancimin e pozitës ndërkombëtare, mbështetjen e familjeve dhe rinisë, si dhe zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në fund të mesazhit, Presidentja uroi shëndet, paqe dhe begati për të gjithë qytetarët, duke ftuar që viti 2026 të nisë me besim, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët.

“Le të jetë viti 2026 një vit suksesi për secilin prej jush dhe për Republikën tonë,” përfundoi Osmani, duke uruar Gëzuar Vitin e Ri për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Tajlanda liron 18 ushtarë kamboxhianë pas armëpushimit në kufi

By: A R
31 December 2025 at 19:28

Tajlanda ka liruar 18 ushtarë kamboxhianë që ishin kapur në muajin korrik gjatë përplasjeve të përgjakshme në kufirin mes dy vendeve, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit të arritur të shtunën.

Dorëzimi i ushtarëve u shty për një ditë, pasi autoritetet tajlandeze shprehën shqetësime për shkelje të dyshuara të armëpushimit. Megjithatë, procesi u përmbyll pas presionit të vazhdueshëm diplomatik nga Kina, e cila ka luajtur rol ndërmjetësues për ruajtjen e marrëveshjes.

Tensionet përgjatë kufirit Tajlandë–Kamboxhi u përshkallëzuan në fillim të këtij muaji dhe zgjatën për disa javë, duke detyruar afro një milion civilë të largohen nga banesat e tyre.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, të dyja palët janë angazhuar të ngrijnë pozicionet ushtarake aktuale, të ndalojnë përforcimet dhe të lejojnë kthimin e banorëve në zonat kufitare sa më shpejt të jetë e mundur. Ushtarët e liruar, të veshur me rroba civile, u shoqëruan përmes një pike kufitare dhe iu dorëzuan autoriteteve kamboxhiane.

Mbajtja e tyre në paraburgim që nga korriku kishte nxitur reagime të forta nacionaliste në Kamboxhia dhe lirimi i tyre ishte një nga kërkesat kryesore të qeverisë së Phnom Penhit në bisedimet me Tajlandën.

Ministria e Jashtme e Tajlandës e cilësoi lirimin si një “gjest vullneti të mirë”, duke shprehur shpresën që Kamboxhia të përgjigjet me “veprime konkrete”. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias deklaroi se mbetet “shpresëplotë” se ky hap do të ndihmojë në ndërtimin e besimit të ndërsjellë.

Sipas kushteve të marrëveshjes, ushtarët duhej të dorëzoheshin brenda 72 orësh, por Bangkoku akuzoi Phnom Penhin për shkelje të armëpushimit, duke pretenduar se mbi 250 dronë kamboxhianë kishin fluturuar mbi territorin tajlandez të dielën.

Pavarësisht akuzave, armëpushimi duket se po mbahet deri më tani. Mosmarrëveshjet kufitare mes dy vendeve datojnë prej më shumë se një shekulli, por tensionet u rritën ndjeshëm këtë vit pas incidenteve në një tempull të kontestuar. Përplasjet e korrikut lanë dhjetëra të vrarë dhe mijëra të zhvendosur.

Ministri Salla uron fermerët dhe qytetarët për Vitin e Ri: Mbështetje dhe zhvillim!

By: A R
31 December 2025 at 19:20

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, përcolli një mesazh urimi për qytetarët dhe fermerët shqiptarë me rastin e ndërrimit të viteve, duke vënë theksin te roli i fermerëve në zhvillimin e vendit dhe te objektivat për vitin e ri.

Në mesazhin e tij, ministri Salla theksoi se ndërrimi i viteve është një moment reflektimi dhe shprese, duke shprehur mirënjohjen për punën, sakrificën dhe kontributin e përditshëm të fermerëve në ndërtimin e një bujqësie më të fortë dhe të një Shqipërie më të zhvilluar.

Ai nënvizoi se fermerët shqiptarë janë shtylla e sigurisë ushqimore dhe e ekonomisë rurale, duke mbajtur gjallë tokën, traditën dhe prodhimin vendas edhe në kohë të vështira.

Ministri Salla bëri të ditur se Viti i Ri nis me ambicie të reja për sektorin bujqësor, me më shumë mbështetje për fermerët, më shumë investime, rritje të digjitalizimit dhe zgjerim të mundësive për produktet shqiptare në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

“Lëmë pas një vit me sfida dhe suksese, me urimin dhe shpresën për një Vit të Ri më të begatë dhe më të mbarë! Një vit i ri nis me më shumë vizion, përgjegjësi dhe angazhim për zhvillimin e vendit. Me politika të qëndrueshme, mbështetje për sektorët prodhues dhe fokus te modernizimi, vijojmë punën për një sektor bujqësor të qëndrueshëm dhe konkurrues, me standarde evropiane. Gëzuar Vitin e Ri2026 ! Qoftë një vit i paqtë, me begati dhe lumturi për çdo familje shqiptare!”, shkruan Salla.

Në përmbyllje të mesazhit, ai uroi që viti i ri të shënojë një hap përpara drejt zhvillimit, bashkëpunimit dhe mirëqenies për çdo familje shqiptare, duke përcjellë urimet për shëndet, paqe dhe mbarësi.

Pas 9 largimeve, Tirana prezanton një mesfushor sllovak

By: A R
31 December 2025 at 18:54

Pas 9 largimeve në skuadër, Tirana prezantoi afrimin e parë në merkaton e dimrit: Patrik Myslovic.

Lajmin e bëri publik vetë faqja e klubit që me anë të një njoftimi zyrtarizoi arritjen e marrëveshjes, shkruan A2.

Mesfushori sllovak i kushtoi bardhebluve 500 mijë euro dhe bëhet lojtari më i vlerësuar në skuadër.

Myslovic ka firmosur një kontratë 3-vjeçare dhe vjen nga skuadra bullgare e Levski Sofias.

Një tjetër emër që po qarkullon në kampin bardheblu është Fredi Alvarez. Fantazisti nga Kosta Rika ndau rrugët me Liberian dhe mund t’i bashkohet Tiranës për shumën e 700 mijë eurove.

Mesfushori në fjalë është shpallur “Lojtari i Vitit” në Maqedoninë e Veriut për vitin 2022 dhe 2023.

Avokatët hedhin poshtë spekulimet: Dionis Teqja nuk ka asnjë status kërkimi, njoftimet publike janë thjesht procedurë normale në një gjyq civil

By: A R
31 December 2025 at 18:41

Në lidhje me disa publikime të fundit në portale të ndryshme mediatike, ku pretendohet se z. Dionis Teqja është shpallur në kërkim apo se po njoftohet përmes shpalljeve publike, përfaqësimi i tij ligjor i konsideron këto lajme tërësisht të pavërteta, të pavërtetuara dhe keqinformuese.

Përmes një komunikimi zyrtar me mediat, avokati Erind Troka, përfaqësues ligjor i z. Teqja, sqaron se Gjykata ka proceduar vetëm me njoftim përmes shpalljes, në kuadër të një çështjeje civile, dhe jo për asnjë situatë që lidhet me kërkim apo procedim penal.

Bëhet fjalë për çështjen civile me Nr. 1234, datë 10.12.2025, e cila ndjek rrjedhën normale procedurale të gjykimit. Avokati Troka thekson se z. Dionis Teqja është drejtues i disa kompanive të mëdha në vend dhe se kjo procedurë është thjesht një formalitet ligjor, pa asnjë lidhje me shpallje në kërkim apo çështje penale.

Gjithashtu, përfaqësimi ligjor ka informuar zyrtarisht Gjykatën se z. Dionis Teqja ka marrë dijeni për seancën gjyqësore të planifikuar për datën 13.02.2026, ora 13:00, çka përjashton çdo interpretim dashakeq apo spekulativ mbi mungesë komunikimi apo fshehje.

Sipas avokatit Troka, çdo përpjekje për të paraqitur këtë procedurë të zakonshme si një çështje kërkimi apo penaliteti përbën keqinformim serioz të opinionit publik dhe cenim të rëndë të figurës dhe reputacionit të z. Dionis Teqja.

Për këtë arsye, përfaqësimi ligjor njofton se po ndjek hapat e mëtejshëm ligjorë ndaj çdo subjekti apo platforme që përdor këtë çështje për qëllime të tjera, të ndryshme nga informimi i drejtë i publikut, duke shtrembëruar faktet dhe duke dëmtuar imazhin e klientit të tij.

Ndryshojnë shpërblimet në sport, rregulla të forta për peshëngritjen dhe dopingun

By: A R
31 December 2025 at 18:27

Këshilli i Ministrave ka mbyllur vitin 2025 me një vendim të rëndësishëm që riformaton skemën e shpërblimeve dhe trajtimit financiar për sportistët elitarë.

Vendimi i ri sjell një ndarje të qartë mes sporteve olimpike dhe atyre jo-olimpike, si dhe rrit dietat ditore ushqimore.

Ndryshimi më thelbësor në VKM është diferencimi financiar. Qeveria ka vendosur që shpërblimet e plota t’u shkojnë vetëm sporteve olimpike.

Për sportet jo-olimpike, shpërblimi financiar për rezultatet në aktivitete ndërkombëtare (si Kampionate Botërore apo Evropiane) do të jetë sa 40% e vlerës që përfitojnë sportet olimpike. Megjithatë, për thyerjen e rekordeve, masa e shpërblimit mbetet 100%.

Rregulli i ri për peshëngritjen

Qeveria ka saktësuar se në sportin e peshëngritjes, sportisti do të shpërblehet vetëm për rezultatin përfundimtar në dygarësh (masa 100%). Kjo do të thotë se, sipas vendimit, „nuk do të ketë më shpërblime të veçanta për stilet e shkëputjes apo të shtytjes nëse ato nuk shoqërohen me rezultat në total”.

Gjithashtu, vendoset limiti që një sportist paguhet vetëm për një rezultat sportiv të arritur brenda vitit kalendarik në një disiplinë (për Kampionat Botëror, Evropian apo Ballkanik).

Rritet dieta ushqimore

Lajmi i mirë për të gjithë sportistët e nivelit të lartë është rritja e trajtimit ushqimor. Vlera e dietës ditore ndryshon nga 2,500 lekë që ishte, në 3,500 lekë në ditë.

Filtri i dopingut dhe e-Albania

Procedurat digjitalizohen dhe ashpërsohen. Federatat duhet të aplikojnë për shpërblimet vetëm përmes portalit e-Albania.

Aplikimi duhet të shoqërohet detyrimisht me konfirmimin nga Organizata Kombëtare Antidoping që sportisti është i pastër.

Afati për federatat, pagesa brenda 30 ditëve

Për t’i dhënë fund vonesave nga ana e federatave pasi marrin fondet nga shteti, qeveria ka vendosur një afat prekluziv.

“Federata duhet të kryejë pagesën e shpërblimit të sportistit dhe trajnerit brenda 30 ditëve nga disbursimi i fondeve nga ministria,” thuhet në vendim.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, ndërsa Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit pritet të njoftojë hapjen e sistemit online për aplikimet e reja.

Qeveria rrit pagesën për paketën higjieno-sanitare të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, efektet nisin nga 1 Janari

By: A R
31 December 2025 at 18:19

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që sjell rritje të mbështetjes financiare për kategorinë e invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Vendimi i marrë me propozim të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale prek paketën e veçantë higjieno-sanitare, një zë i rëndësishëm për mbulimin e kostove të kujdesit ditor për këta individë.

Sa bëhet pagesa e re?

Sipas ndryshimit të bërë në vendimin nr. 78 (të vitit 2007), masa e përfitimit mujor pëson një rritje. Deri më tani, pagesa për paketën higjieno-sanitare ishte në vlerën 20,000 lekë. Me vendimin e ri, kjo shumë indeksohet dhe bëhet 20,480 (njëzet mijë e katërqind e tetëdhjetë) lekë në muaj.

Hyrja në fuqi

Vendimi saktëson se efektet financiare të kësaj rritjeje do të fillojnë të llogariten menjëherë, duke nisur nga data 1 janar 2026.

Zbatimi Për implementimin e këtij vendimi dhe shpërndarjen e fondeve me vlerën e re, qeveria ka ngarkuar Ministrinë përgjegjëse për Çështjet Sociale, Shërbimin Social Shtetëror, si dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore (bashkitë), të cilat menaxhojnë listat dhe pagesat për këtë kategori.

Ky ndryshim vjen në mbështetje të ligjit “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, me qëllim përshtatjen e ndihmës ekonomike me nevojat e shtuara të kësaj kategorie.

❌
❌