Normal view

Etno Fest hap dyert me ekspozitën personale të artistit ARBEN Shala të kuruar nga Nita Qahili

1 August 2026 at 22:00

Piktura e Arben Shalës karakterizohet nga një energji e fuqishme e marrëdhënies në mes të ngjyrave, ku tonet e zjarrta dhe format abstrakte zënë vendin kryesor në kompozicionin etij. E figura, natyra dhe ndikime të tjera shpesh ndodhin në mënyrë intuitive dhe të pavetëdijshme.

Në krijimtarinë e tij, figura shpesh humbet rëndësinë përballë hapësirave të mëdha të pikturës dhe proceseve intuitive që krijojnë forma të papritura. Për Shalën, piktura është një fushë loje ku ngjyra, ritmi dhe lëvizja e brushës bashkëveprojnë lirshëm, shpesh përtej kontrollit të vetëdijes./ KultPlus.com

Soloists of GOB – Okarina Duo & Piano në Etno Fest

1 August 2026 at 21:30

Më 3 gusht, në natën e hapjes së Etno Fest, skena e Kukajt mirëpret një udhëtim të veçantë muzikor që bashkon Italinë dhe Kosovën përmes tingullit magjepsës të okarinës.

Soloists of GOB – Okarina Duo & Piano sjellin një program që ndërthur traditën me krijimtarinë bashkëkohore, duke interpretuar vepra të Ennio Morricone, Joe Hisaishi, James Horner, melodi tradicionale italiane dhe kompozime origjinale për okarinë.

Një koncert që ndërton ura mes kulturave, kujtesës dhe emocioneve, duke zbuluar potencialin e jashtëzakonshëm shprehës të një prej instrumenteve më të vjetra në Evropë. / KultPlus.com

Vendim Kapaj, një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës tradicionale shqiptare, vjen në Etno Fest

1 August 2026 at 21:00

Nga trashëgimia shqiptare në një produksion të përmasave botërore. Vendim Kapaj, një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës tradicionale shqiptare, vjen në Etno Fest më 3 gusht.

Fakti që tingulli i instrumenteve të tij është pjesë e kolonës zanore të filmit “The Odyssey”, nën regjinë e Christopher Nolan, është një sukses i jashtëzakonshëm për artistin dhe për kulturën shqiptare./ KultPlus.com 

Etno Fest fillon prej 3 gushtit, do të prezantohet pianistja e njohur Lule Elezi

1 August 2026 at 20:30

Më 3 gusht, skena e Etno Fest do të mirëpresë pianisten e njohur kosovare Lule Elezi , një nga interpretueset më të vlerësuara të muzikës klasike shqiptare në skenën ndërkombëtare, bëhet e ditur nga organizatorët e këtij festivali, shkruan KultPlus.

“Në mbrëmjen e hapjes së festivalit, publiku do të përjetojë një program të veçantë me vepra nga Ludëig van Beethoven, Frédéric Chopin, Manuel Ponce dhe Çesk Zadeja — një ndërthurje e elegancës së muzikës klasike me atmosferën unike të festivalit.”, thuhet më tutje për paraqiten e pianistes së njohur në këtë festival tashmë tradicional./ KultPlus.com 

Filmi “Citizen Vigilante” i regjisorit gjerman Uwe Boll ka shkaktuar një valë polemikash në Gjermani

1 August 2026 at 20:00

Filmi “Citizen Vigilante” i regjisorit gjerman Uwe Boll ka shkaktuar një valë polemikash në Gjermani për shkak të skenave të dhunshme dhe mesazheve të tij provokuese. Regjisori, i cilësuar shpesh si “më i keqi në botë”, ka deklaruar publikisht mbështetjen e tij për partinë e djathtë ekstreme AfD, duke thënë: “Unë votoj AfD-në”.

Filmi tregon historinë e një ish-ushtaraku që merr drejtësinë në duart e veta dhe shndërrohet në një hakmarrës të armatosur. Në disa skena, protagonisti vret emigrantë dhe kryen akte brutale dhune në emër të hakmarrjes.


Një prej skenave më të kontestuara paraqet personazhin kryesor duke vrarë një familje emigrantësh, pasi djali i saj dyshohet se kishte marrë pjesë në përdhunimin e një vajze të mitur. Skenat janë cilësuar nga kritikët si nxitëse të urrejtjes dhe dhunës.

Pas publikimit në Gjermani, filmi u ndalua për personat nën 18 vjeç, ndërsa revista gjermane Stern ngriti pyetjen nëse duhej të ndalohej plotësisht. Ndërkohë, sipërmarrësi Elon Musk e publikoi filmin falas në platformën X, duke e paraqitur këtë si një reagim ndaj asaj që e cilësoi si censurë.

Mbështetje për filmin ka dhënë edhe deputeti i AfD-së, Ronald Gläser, i cili kritikoi kufizimin e shfaqjes për të miturit dhe e quajti atë “censurë morale nga elitat politikisht korrekte”.

Por polemika u thellua pas një shfaqjeje të organizuar nga vetë deputeti në zyrën e tij në periferi të Berlinit. Sipas gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung, disa skena ku protagonisti vriste emigrantë u pritën me duartrokitje nga publiku, ndërsa gjatë një prej skenave më të dhunshme u dëgjua një thirrje: “Shumë bukur!”.

Një nga të pranishmit madje bëri shaka duke thënë se “edhe atij do t’i pëlqente një automatik”, duke ngritur shqetësime për glorifikimin e dhunës dhe idenë e “drejtësisë së marrë në duart e veta”.

Vetë Uwe Boll ka mbrojtur filmin e tij, duke thënë se dëshiron “t’i trondisë gjermanët” për çështjen e emigracionit, ndërsa ka bërë të ditur se po përgatit edhe vazhdimin e filmit, “Citizen Vigilante 2”./ KultPlu.com

Zyrtare: Vendi i tretë më i vogël në botë e ka ndryshuar emrin

1 August 2026 at 19:30

Kombi ishullor i Paqësorit, Nauru, ka ndryshuar zyrtarisht emrin e tij në Republikën e Naoero-s, duke u rikthyer në emrin e tij tradicional, në një veprim që autoritetet thonë se synon forcimin e identitetit kombëtar dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Parlamenti i Naurusë miratoi një amendament kushtetues në maj duke ndryshuar emrin e vendit dhe fillimisht planifikoi të mbante një referendum kombëtar.

Por Presidenti David Adeang njoftoi në rrjetet sociale të enjten se referendumi ishte anuluar. “Vendimi për të mos mbajtur një referendum u mor pas një shqyrtimi të kujdesshëm të faktit se Naoero nuk është një emër i ri që ende nuk është pranuar nga qytetarët”, shkroi Adeang. “Është tashmë identiteti i popullit tonë, është në emblemën kombëtare, përdoret në fjalimin e përditshëm të komunitetit dhe, më e rëndësishmja, lejohet nga Kushtetuta”, shtoi ai.

Emri i shkurtuar i shtetit do të jetë Naoero, ndërsa qytetarët e tij do të quhen dei-Naoero.

Kolonizatorët evropianë e riemëruan vendin në Nauru sepse e kishin të vështirë të shqiptohej emri i tij origjinal, Naoero. Kombi ishullor, me një popullsi prej rreth 12,000 banorësh, është vendi i tretë më i vogël në botë, pas Vatikanit dhe Monakos./KultPlus.com

Nicole Kidman e kthen guximin në elegancë: Paraqitja që ndryshoi ritmin e mbrëmjes në Nju-Jork

1 August 2026 at 19:00

Një lojë e rafinuar me transparencën, që e bëri të pamundur të shikohej diku tjetër. Për Nicole Kidman nuk është e vështirë të duket sensacionale, por mbrëmjen e kaluar ajo e çoi gjithçka në një nivel tjetër. Ylli i premierës së sezonit të tretë të serialit të spiunazhit “Lioness” ishte pikërisht aktorja australiane, e cila me një krijim mbresëlënës nga Fendi Couture e ripërcaktoi kuptimin e elegancës magjepsëse.

Madje, edhe protagonistja e serialit të njohur aksion, Zoe Saldaña, e cila gjithmonë shquhet për paraqitjet e saj, kësaj here mbeti disi në plan të dytë.

Fituesja australiane e çmimit “Oscar” nuk është vetëm një aktore e shkëlqyer, por prej kohësh konsiderohet edhe një nga ikonat e padiskutueshme të stilit në Hollywood. Me çdo paraqitje të re ajo e dëshmon se e meriton plotësisht këtë epitet.

Mbrëmjen e kaluar në Nju-Jork, Kidman shkoi edhe disa hapa më tej, ndërsa për përshtypjen e jashtëzakonshme u kujdes kombinimi me firmën e shtëpisë së modës Fendi.

Elegant, paksa ekstravagant dhe mjaftueshëm provokues për ta ngacmuar imagjinatën – një formulë që Nicole Kidman, 59 vjeçe, di ta realizojë në mënyrë të përsosur, transmeton Telegrafi.

Pikërisht me këto fjalë analistët e modës e përshkruan veshjen, e cila përbëhej nga pantallona të bardha me këmbë të gjera dhe një pjesë e sipërme transparente në ngjyrë argjendi.

Krijimi ishte zbukuruar me hollësi dantelle dhe dekorime vezulluese që zgjateshin pothuajse deri te gjunjët. Nën materialin transparent dalloheshin sutjenat, nuanca e së cilave përshtatej në mënyrë të përkryer me ngjyrën e lëkurës së saj.

Një zgjedhje e guximshme, joshëse dhe njëkohësisht tejet elegante.

Paraqitjen e kompletoi me sandale dhe bizhuteri të përzgjedhura me kujdes, ndërsa flokët i kishte lënë të lëshuar lirshëm mbi supe. Balluket i dhanë dukjes së saj një hijeshi të veçantë dhe më rinore.

Një estetikë që nuk njeh afat skadimi – dhe si mund të ishte ndryshe kur bëhet fjalë për Nicole Kidman?

Pas pushimeve të paharrueshme verore me vajzat e saj në rivierën italiane, aktorja po i rikthehet gradualisht ritmit dhe shkëlqimit të Hollywoodit./ KultPlus.com

Kryeministri i ri britanik nuk do ta marrë qenin në Downing Street, për të mos shqetësuar macen Larry

1 August 2026 at 18:30

Larry është bërë një figurë ikonike e Downing Street, duke mbetur pjesë e rezidencës zyrtare pavarësisht ndryshimit të disa kryeministrave. Që nga viti 2011, ai ka pritur liderë nga e gjithë bota dhe konsiderohet një nga “banorët” më të njohur të politikës britanike.

Macja Larry do të vazhdojë të jetë banorja e vetme e përhershme e Downing Street. Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham ka vendosur të mos e zhvendosë në rezidencën zyrtare qenin e tij Axel, për të shmangur përplasjet me macen e famshme që prej vitit 2011 është simbol i Numrit 10.

Burnham e konfirmoi vendimin gjatë një interviste për BBC, duke shpjeguar se qeni i tij nuk do të përshtatej me Larry-n. “Axel nuk do të shkonte mirë me Larry-n dhe nuk besoj se kombi do të më falënderonte nëse do ta çoja për t’ia trazuar botën Larry-t”, u shpreh kryeministri britanik.

Larry është bërë një figurë ikonike e Downing Street, duke mbetur pjesë e rezidencës zyrtare pavarësisht ndryshimit të disa kryeministrave. Që nga viti 2011, ai ka pritur liderë nga e gjithë bota dhe konsiderohet një nga “banorët” më të njohur të politikës britanike. Nga ana tjetër, Burnham ka një lidhje të veçantë me Axel, një qen i racës së përzier Bichon Frisé dhe Barboncino.

Ai dhe bashkëshortja e adoptuan kafshën dhjetë vjet më parë nga qendra e strehimit Dogs Trust në Shrewsbury, vetëm pak ditë pasi qeni kishte mbërritur aty. Pas zgjedhjes së Burnham si kryeministër, Dogs Trust publikoi një fotografi të tij me Axel, duke shprehur shpresën se historia e tyre do të inkurajojë më shumë qytetarë të zgjedhin adoptimin e kafshëve nga strehimoret.

Shkurtin e kaluar, macja Larry mbushi 15 vjeç. Ai u adoptua nga Cameron dhe ka parë tetë kryeministra britanikë të kalojnë nëpër rezidencën zyrtare. Fotot e tij në shoqërinë e udhëheqësve botërorë, të cilët ai shpesh i ka pozuar në gjendje të vështirë, janë ikonike, siç është rasti kur Trump duhej të shtynte angazhimet zyrtare sepse macja po flinte nën makinën e përdorur nga Presidenti i SHBA-së në Londër./ KultPlus.com

Kardinali Ernest Troshani në ish-burgun e Spaçit, 98-vjeçari vizitoi ambientet ku ka qenë i burgosur

1 August 2026 at 18:00

Ish-burgu  i Spacit në Mirditë u kthye të premten në një vend pelegrinazhi dhe kujtese. Pas dekadash, aty ku vuajti 12 vite burg gjatë regjimit komunist, u rikthye eminenca e tij Kardinal Ernest Troshani. 98 vjecari vizitoi fillimisht ambientet ku ishte mbajtur i burgosur dhe u ndal pranë fotografive të ish-bashkëvuajtësve

Më pas, Kardinali kremtoi Meshën e Shenjtë në oborrin e ish-burgut, në praninë e ish-të përndjekurve politikë, besimtarëve të shumtë, përfaqësuesve të komuniteteve fetare, dhe politikës.

“Jeni bijtë e të madhit Zot, të duani njëri tjetrin, atdheun, me mbrojt të vërtetën. Falënderoj Zotin që na ka bashkuar, njerëzit që me admirim me kanë pritur”,-tha Kardinal Ernest Troshani.

Spaçi mbetet simbol i krimeve të diktaturës komuniste dhe i qëndresës së atyre që refuzuan të nënshtroheshin. Prania e Kardinalit Ernest Simoni, një prej dëshmitarëve më të fortë të persekutimit komunist, i jep kësaj meshe një peshë të veçantë morale dhe historike

“Emocion i veçante që ndjekim meshë nga Kardinali Ernest Simoni. Këto ndërtesa kanë përjetuar gjak, tmerr dhe në fakt për komunistët ata duan të mos ekzistojnë”- tha Albert Melyshi.

“Thirrja ime është për qeverinë shqiptare. Ky sit nuk duhet të shkatërrohet. Po u shkatërrua brezat e rinj do të thonë s’ka ndodhur gjë. Kjo do ishte fatkeqësia më e madhe, sepse ajo që harrohet, përsëritet”-tha Dom Gjergj Meta.

Në shenjë mirënjohjeje për jetën e tij të përkushtuar dhe dëshminë e besimit përballë persekutimit, Kardinalit 98-vjeçar iu dorëzua një certifikatë mirënjohjeje dhe një dhuratë simbolike me emblemën e Spaçit. Në këtë ditë nuk mungoi as mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Leone XIV, i cili u lexua gjatë ceremonisë. Në mesazhin e tij, Papa e cilësoi Spaçin një nga plagët më të dhimbshme të historisë shqiptare, por edhe një vend ku besimi dhe shpresa triumfuan mbi padrejtësinë.
Kremtimi në ish-burgun e Spaçit u mbyll me lutje për viktimat e diktaturës dhe me një apel që historia e këtij vendi të mos harrohet kurrë./ Balkanweb/ KultPlus.com

Deputetja shqiptare kundërshton konsullatën serbe në Shkodër

1 August 2026 at 17:30

Deputetja që u largua nga Partia Socialiste e Shqipërisë, Marjana Koçeku, ka reaguar kundër mundësisë së hapjes së një konsullate serbe në Shkodër, duke paralajmëruar protesta kundër kësaj nisme.

Në një reagim publik, Koçeku deklaroi se kjo çështje nuk do të kalojë lehtë dhe se qytetarët e Shkodrës pritet të protestojnë të dielën kundër hapjes së konsullatës.

Ajo kritikoi institucionet shqiptare, duke thënë se deri më tani kanë dhënë vetëm “sqarime të turbullta” për këtë çështje dhe se po përpiqen ta shmangin debatin./ KultPlus.com

Delegacioni i Albanians for America u takua me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

1 August 2026 at 17:00

Delegacioni i organizatës Albanians for America (AFA), i udhëhequr nga Gino Mulliqi, zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë të cilit u diskutua për bashkëpunimin me diasporën shqiptaro-amerikane, zhvillimet në rajon dhe çështje me interes për kombin shqiptar.

Gjatë takimit, Mulliqi shprehu mirënjohjen për vizitën dyditore që Presidenti Begaj zhvilloi në prill të këtij viti në Dallas/ Texas, duke theksuar se kjo vizitë shënoi një moment historik për komunitetin shqiptaro-amerikan në atë shtet. Ai vlerësoi qasjen e afërt të Presidentit me bashkatdhetarët dhe mesazhin e fuqishëm të mbështetjes që kjo vizitë përcolli për diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Mulliqi falënderoi gjithashtu Presidentin Begaj për vizitën në Luginën e Preshevës, të zhvilluar pas vizitës së delegacionit të kongresmenëve amerikanë, duke theksuar se angazhimi i tij për shqiptarët e Preshevës u mirëprit dhe u vlerësua lart nga diaspora shqiptaro-amerikane.

*Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për çështje me rëndësi strategjike për zhvillimin e Shqipërisë. Në këtë kuadër u trajtua edhe projekti i Zvërnecit, me ç’rast u theksua rëndësia që për vendimet për projekte të tilla të dëgjohet zëri qytetarë dhe i komunitetit të prekur. Njëkohësisht, u nënvizua se Shqipëria duhet të vazhdojë të krijojë një klimë sa më të favorshme për investimet amerikane, të cilat forcojnë zhvillimin ekonomik dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara.*

Mëtej u diskutua edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë.

Një pjesë e takimit iu kushtua përfshirjes së Kosovës në iniciativat rajonale dhe ndërkombëtare të energjisë, përfshirë mundësinë e kyçjes në projektin e gazit të lëngshëm natyror (LNG), si një hap me rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë energjetike./ KultPlus.com

5 filmat që nuk duhet t’i humbisni këtë fundjavë në platformat streaming

1 August 2026 at 16:30

Në epokën e platformave streaming, zgjedhja e një filmi për ta parë mund të jetë po aq sfiduese sa vetë shikimi i tij. Me qindra tituj të rinj që publikohen çdo javë, gjetja e një filmi që ia vlen të ndiqet nuk është gjithmonë e lehtë.

Për t’jua bërë më të thjeshtë zgjedhjen, revista Time Out ka përzgjedhur pesë filmat më interesantë që mund t’i shikoni këtë fundjavë në platformat streaming.

1. “The Drama” (HBO Max)

Robert Pattinson dhe Zendaya bashkohen në një komedi romantike me elemente dramatike, të drejtuar nga Kristoffer Borgli. Filmi ndjek historinë e një çifti, marrëdhënia e të cilit tronditet kur dalin në dritë sekrete të papritura pak ditë para martesës.

2. “The Devil Wears Prada 2” (Hulu)

Pas gati dy dekadash, Anne Hathaway dhe Meryl Streep rikthehen në vazhdimin e filmit të njohur. Andy Sachs dhe Miranda Priestly përballen me sfidat e reja të industrisë së mediave, në një botë ku revistat e shtypura po humbin gjithnjë e më shumë terren.

3. “The Super Mario Galaxy Movie” (Peacock)

Mario, Luigi dhe miqtë e tyre rikthehen në një aventurë të re të animuar, këtë herë në hapësirë. Me efekte mbresëlënëse vizuale dhe shumë elemente nostalgjike, filmi është një nga sukseset më të mëdha komerciale të vitit.

4. “A Private Life” (Netflix)

Jodie Foster interpreton një terapiste amerikane që jeton në Paris. Kur një nga pacientët e saj vdes në rrethana misterioze, ajo përfshihet në një hetim që zbulon sekrete të errëta. Filmi ndërthur elemente të thrillerit psikologjik me humor të hollë.

5. “Over Your Dead Body” (AMC+)

Kjo komedi me humor të zi sjell Jason Segel dhe Samara Weaving në rolin e një çifti që planifikon fshehurazi të eliminojë njëri-tjetrin gjatë një fundjave në një kabinë të izoluar. Situatat absurde dhe kthesat e papritura e bëjnë filmin një zgjedhje interesante për adhuruesit e komedive të errëta.

Këta pesë filma ofrojnë zhanre të ndryshme, nga komedia romantike dhe animacioni, te thrilleri psikologjik dhe humori i zi, duke qenë ndër rekomandimet kryesore për t’u parë këtë fundjavë në platformat streaming./KultPlus.com

Demo: Mbi 1200 vizitorë në një muaj e gjysmë pas rihapjes së Muzeut Etnografik të Beratit

1 August 2026 at 16:00

Muzeu Etnografik i Beratit ka tërhequr mbi 1 200 vizitorë në vetëm një muaj e gjysmë nga rihapja e tij, ndërsa më shumë se 80% e tyre janë turistë të huaj nga të gjitha kontinentet.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, vlerësoi rëndësinë e këtij institucioni si një nga pikat kryesore të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit.

“Ka vende që nuk vizitohen thjesht për t’u parë, por për t’u ndjerë. Muzeu Etnografik i Beratit është një prej tyre. Vetëm një muaj e gjysmë nga rihapja e tij, ai ka mirëpritur mbi 1 200 vizitorë, ku mbi 80% janë turistë të huaj nga të gjitha kontinentet. Çdo vizitor që kalon pragun e këtij muzeu zbulon një pjesë të shpirtit të Beratit, traditat, mikpritjen, kulturën dhe historinë që kemi trashëguar brez pas brezi”, u shpreh Demo.

Sipas tij, interesi i lartë i turistëve konfirmon vlerën që ka trashëgimia kulturore shqiptare në promovimin e vendit si destinacion turistik.

“Berati nuk është vetëm një qytet i bukur, është një histori që vazhdon të jetojë në çdo rrugicë me kalldrëm, në çdo shtëpi karakteristike dhe në çdo objekt që ruhet me kujdes në Muzeun Etnografik”, theksoi ministri Demo.

Ai nënvizoi se ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore mbetet një element i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe për forcimin e identitetit historik e kulturor të vendit./atsh/KultPlus.com

Superylli amerikan Katy Perry elektrizon skenën në Prishtinë, mijëra pjesëmarrës i japin jetë natës së parë të Sunny Hill Festival

1 August 2026 at 15:56

Flonja Haxhaj

Prishtina u shndërrua mbrëmjen e së premtes në kryeqendrën e muzikës dhe argëtimit, me nisjen e edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival, një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore në rajon. Që në orët e pasdites, rrugët që çonin drejt Sunny Hill Festival Park u mbushën me mijëra vizitorë të ardhur nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës. Kolona të gjata automjetesh u krijuan në hyrjet e qytetit, ndërsa pranë festivalit u panë radhë të gjata njerëzish që prisnin me padurim të hynin në ambientet e ngjarjes, shkruan KultPlus.

 Atmosfera festive ndihej kudo. Të rinj e familje, grupe miqsh dhe turistë me aksesorë shumëngjyrësh dhe veshje karakteristike të festivaleve verore, ndërsa muzika dhe entuziazmi pushtuan zonën shumë kohë para se të hapej skena kryesore. Organizimi i fluksit të madh të vizitorëve u zhvillua nën masa të shtuara sigurie, ndërsa pavarësisht pritjeve në hyrje, energjia e publikut mbeti e pandryshuar.

Megjithatë, e gjithë vëmendja e publikut ishte e përqendruar te një emër, Katy Perry.

Në momentin kur superylli amerikan u ngjit në skenë, mijëra duar u ngritën në ajër, telefonat ndriçuan hapësirën e festivalit dhe brohoritjet e publikut pushtuan të gjithë parkun. Ishte një pritje e denjë për një prej artisteve më të mëdha të muzikës pop të dy dekadave të fundit.

Plot energji, Katy Perry përshëndeti publikun kosovar përpara se të niste një spektakël që zgjati më shumë se një orë e gjysmë. Me një skenografi madhështore, ndriçim spektakolar dhe koreografi të kuruara në detaje, ajo solli një performancë që i dha natës së parë të Sunny Hill Festival shkëlqimin e një koncerti botëror.

“Pushime verore së bashku? Jemi në një festival së bashku? Kam pritur gjatë gjithë verës, për këtë shfaqje. Dhe shoqja ime Dua Lipa thotë se ky është festivali më i mirë në Evropë. Nuk dua të flas për festivalet në Evropë, kështu që më mirë, mos e bëni të dalë gabim. Faleminderit. Dua vetëm t’ju them faleminderit shumë që keni ardhur të më shihni. E di që keni punuar shumë gjatë gjithë vitit për të ardhur në Sunny Hill Festival. Për të paguar biletat, për ta përjetuar këtë eksperiencë. Prandaj ju falënderojmë. Por sonte, nuk jemi në zyrë. Nuk jemi në punën tonë të përditshme apo në punën e natës. Nuk po bëjmë gjërat monotone të përditshmërisë. Jemi në një festë të çmendur”, tha Perry para publikut tw Sunny Hill.

Artistja riktheu hitet që kanë shënuar një brez të tërë. Çdo këngë u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm, ndërsa publiku këndoi pa pushim së bashku me të.

Nga ritmet verore të ‘California Gurls’, atmosfera nostalgjike e ‘Teenage Dream’, energjia shpërthyese e ‘Last Friday Night (T.G.I.F.)’, e deri te këngët ikonike ‘I Kissed a Girl’, ‘Dark Horse’, ‘E.T.’, ‘Part of Me’, ‘I’m His, He’s Mine’, ‘Bon Appétit’, ‘Take Me Back to the River’, ‘The One That Got Away’, ‘Hot N Cold’, ‘All the Love’, ‘I Love You for Life’ dhe ‘Wide Awake’, koncerti ishte një paradë e hiteve që kanë dominuar skenën muzikore ndër vite.

Një nga momentet më emocionuese ishte interpretimi i ‘The One That Got Away’, ku atmosfera u bë më intime dhe mijëra drita telefonash ndriçuan qiellin mbi festival. Po aq emocion solli edhe ‘Wide Awake’, ndërsa me ‘Dark Horse’ dhe ‘California Gurls’ publiku u rikthye në ritmet elektrizuese që karakterizuan gjithë natën.

Nw njw nga momentet e koncertit, Katy Perry u shfaq në skenë e veshur si astronaute. Si pjesë e këtij inskenimi, akrobatët i dorëzuan flamurin e Kosovës, të cilin ajo e përfshiu në konceptin e udhëtimit të saj imagjinar drejt hapësirës, duke e “vendosur në hënë” gjatë shfaqjes. Ky moment u prit me brohoritje dhe entuziazëm nga publiku i Sunny Hill Festival, duke u kthyer në një nga pamjet më të veçanta të natës.

Katy Perry nuk u mjaftua vetëm me interpretimin e këngëve. Ajo komunikoi vazhdimisht me publikun, buzëqeshi, falënderoi fansat për mikpritjen dhe krijoi një lidhje të veçantë me ta. Çdo paraqitje e saj në skenë shoqërohej me brohoritje të forta, ndërsa publiku nuk ndaloi së kënduari asnjë moment.

Për shumë prej të pranishmëve, kjo ishte hera e parë që e shihnin nga afër një prej emrave më të mëdhenj të muzikës pop botërore. Pikërisht për këtë arsye, performanca e Katy Perry u shndërrua në momentin kulmor të natës së parë të Sunny Hill Festival, duke lënë pas një atmosferë që do të kujtohet gjatë.

Para se në skenë të ngjitej Katy Perry, publiku u ngroh nga performancat e Sahati, BLANCO, Manifest dhe Dhurata Dora, ndërsa pas përfundimit të koncertit të saj festa vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit me Tommy Gold, Seth Troxler dhe Salomé Le Chat.

Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill Festival do të vazhdojë deri më 2 gusht, duke sjellë edhe dy net të tjera të mbushura me muzikë dhe emra të njohur të skenës ndërkombëtare. Ndër artistët më të shumëpritur të mbrëmjes së sotme është këngëtari skocez Lewis Capaldi, i cili pritet të ngjitet në skenën e festivalit dhe të interpretojë hitet që e kanë bërë një nga zërat më të dashur të muzikës bashkëkohore, duke e bërë edhe natën e dytë një nga momentet më të rëndësishme të këtij edicioni./KultPlus.com

Kurti takon shkencëtarin shqiptar nga Universiteti i Cyrihut, diskuton për zhvillimin e inteligjencës artificiale në Kosovë

1 August 2026 at 15:30

Kryeministri në detyrë vlerësoi sukseset ndërkombëtare të Dr. Ardian Jusufit dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në avancimin e robotikës dhe teknologjisë në Kosovë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit studiuesin dhe profesorin shqiptar në Universitetin e Cyrihut, Dr. Ardian Jusufi, një nga emrat e spikatur në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës së frymëzuar nga biologjia, transmeton albinfo.ch.

Në një postim në Facebook, Kurti theksoi se Dr. Jusufi së fundmi është përzgjedhur në listën e ngushtë të nominimeve të Falling Walls Foundation për një zbulim shkencor, ndërsa kujtoi se ai ka përfunduar doktoraturën në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley dhe studimet postdoktorale në universitetet prestigjioze të Kembrixhit dhe Harvardit.

Gjatë takimit, u diskutua për mundësitë që ofron sektori i inteligjencës artificiale dhe robotikës në Evropë, si dhe për mënyrat konkrete të zhvillimit të kësaj fushe në Kosovë.

Kurti shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me Dr. Jusufin, duke e cilësuar atë si një aset të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

“E mirëpres bashkëpunimin me Dr. Ardianin, i cili përfaqëson një shtyllë të rëndësishme në rritjen e Kosovës në të ardhmen, si pjesëtar i mërgatës që ka arritur suksese jashtë dhe është i përkushtuar të kontribuojë në zhvillimin e vendit tonë”, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com

UEFA kërcënon me bojkot të Kupës së Botës për planin e FIFA-s

1 August 2026 at 15:00

UEFA ka paralajmëruar se do të bojkotojë Kupën e Botës nëse FIFA vazhdon me planin për të lejuar investitorë privatë të blejnë pjesë në kompaninë që do të menaxhojë aktivitetet e saj më të mëdha, si “Kupa e Botës” dhe “Kupa e Botës për Klube”.

Në një deklaratë të ashpër, qeveria evropiane e futbollit theksoi se asnjë kombëtare anëtare e UEFA-s nuk do të marrë pjesë në garat e FIFA-s për sa kohë ky propozim mbetet në fuqi.

“Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si një produkt investimi. Ajo nuk është në shitje dhe asnjë pjesë e saj nuk duhet t’u dorëzohet investitorëve privatë”, deklaroi UEFA.

FIFA njoftoi të martën krijimin e një filiali komercial, FIFA Forward Enterprise (FFE), ku investitorët privatë do të mund të blejnë aksione si aksionere pakice.

Organizata synon të mbledhë deri në 4,2 miliardë dollarë, mbi bazën e një vlerësimi prej 20 miliardë dollarësh.

Nëse plani miratohet, secila prej 211 federatave anëtare të FIFA-s do të përfitonte një pagesë të vetme prej 20 milionë dollarësh në fillim të vitit 2027, ndërsa fondet për ciklin 2027–2030 do të rriteshin nga 8 milionë në 20 milionë dollarë.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka cilësuar nismën si një “mundësi të artë” për të përshpejtuar zhvillimin e futbollit në mbarë botën.

Megjithatë, propozimi ka hasur në kundërshtime të forta jo vetëm nga UEFA, por edhe nga disa federata evropiane, zyrtarë të Bashkimit Evropian, si dhe konfederatat CONCACAF, AFC dhe CAF, të cilat kanë shprehur shqetësime për komercializimin e sportit, konfliktet e mundshme të interesit dhe mungesën e konsultimeve me federatat anëtare.

UEFA e cilësoi mënyrën se si është paraqitur projekti si “një dështim i thellë i lidershipit” dhe deklaroi se do ta kundërshtojë me vendosmëri çdo përpjekje për ta kthyer Kupën e Botës në një aset tregtar./Atsh/KultPlus.com

Katy Perry përlotet gjatë takimit me vogëlushen Era, së bashku këndojnë “Roar”

1 August 2026 at 14:36

Gjatë performancës së saj në “Sunny Hill Festival”, Katy Perry iu afrua publikut për të përshëndetur fansat që po e ndiqnin nga afër koncertin. Në mesin e tyre, artistja u ndal te një vajzë e vogël e quajtur Era, e cila në ato çaste ishte e mbushur me emocion.

Era, mes lotëve dhe entuziazmit, arriti t’i tregojë Katy Perry-t se kishte ardhur ta shihte si dhuratë për ditëlindjen e saj.

Me lot në sy, Era i tregoi gjithashtu Perry-t se “Roar” është kënga e saj e preferuar. Rrëfimi i vogëlushes preku edhe këngëtaren, e cila u emocionua deri në lot.

Por momenti nuk përfundoi me kaq. Katy Perry nisi të këndojë “Roar”, ndërsa Era iu bashkua asaj, duke kënduar së bashku me yllin ndërkombëtar këngën që e kishte zgjedhur si të preferuarën e saj.

Ajo që nisi si një përshëndetje mes artistes dhe publikut u kthye në një moment të paharrueshëm për Erën dhe një nga skenat më të ndjera të mbrëmjes. Nën tingujt e “Roar”, mes lotëve dhe emocionit, një dhuratë ditëlindjeje u shndërrua në një kujtim që Era vështirë se do ta harrojë./KultPlus.com

Ariana Grande mbështet shëndetin mendor të ekipit të turneut me fondacionin e saj të ri

1 August 2026 at 14:30

Ariana Grande ka nisur një nismë për ta bërë më të lehtë përballimin e presionit të punës për njerëzit që e shoqërojnë në turne, duke ofruar mbështetje për shëndetin mendor për të gjithë ekipin e saj të turneut “Eternal Sunshine”.

Fondacioni i saj i sapokrijuar Brighter Days Ahead Foundation ka bashkëpunuar me organizatën Backline për t’u ofruar valltarëve, anëtarëve të grupit muzikor dhe stafit të turneut qasje në burime profesionale të kujdesit mendor.

Në kuadër të partneritetit, pjesëtarët e ekipit kanë marrë mbështetje financiare për shërbime të shëndetit mendor, si dhe qasje në programin e menaxhimit të rasteve të Backline, i cili i lidh ata me terapistë, këshilltarë dhe ekspertë të mirëqenies.

Për të shënuar nisjen e bashkëpunimit, fondacioni i Grande shpërndau gjithashtu 200 çanta me produkte relaksuese, përfshirë maska për sy, vaj livandoje, shirita rezistence, balsam buzësh, çaj kamomili dhe artikuj të tjerë për reduktimin e stresit.

“Gjatë një serie koncertesh të shitura, Backline ishte aty për grupin dhe ekipin e Arianës. Përmes partneritetit me Brighter Days Ahead Foundation, ne mund të ofrojmë mbështetje për nevojat e industrisë muzikore në një mënyrë më të qëndrueshme”, tha bashkëthemeluesja dhe drejtoresha ekzekutive e Backline, Hilary Gleason.

Një nga projektet e përbashkëta të dy organizatave është krijimi i B-LINE, një linjë mbështetjeje për shëndetin mendor që funksionon 24 orë në ditë dhe është e dedikuar për profesionistët e industrisë së muzikës. Sipas Backline, rreth 400 persona kanë kërkuar ndihmë përmes kësaj linje deri tani.

Grande e kishte prezantuar fondacionin në qershor, duke theksuar se qëllimi i tij është të mbështesë, mbrojë dhe ofrojë burime për njerëzit në nevojë. Fondacioni përfshin katër fonde të ndryshme, përfshirë mbështetjen për komunitetin LGBTQ+ dhe ndihmën e shpejtë në situata emergjente.

Turneu “Eternal Sunshine”, i cili nisi në qershor, shënon rikthimin e parë të madh të Grandes në skenë pas shtatë vitesh. Turneu bazohet në albumin e saj të vitit 2024, “Eternal Sunshine”, por përfshin edhe hitet më të njohura të karrierës së saj./KultPlus.com

Ben Affleck fiton 1 milion dollarë në “Who Wants to Be a Millionaire”, shpërblimin e dhuron për bamirësi

1 August 2026 at 14:00

Aktori dhe regjisori i njohur amerikan Ben Affleck ka triumfuar në kuizin “Who Wants to Be a Millionaire”, duke fituar çmimin e madh prej 1 milion dollarësh së bashku me partnerin e tij të lojës, Jamie Ding.

Dyshja arriti në pyetjen finale të episodit të drejtuar nga Jimmy Kimmel, ku u përballën me një pyetje rreth gjelave të detit të falur nga presidentët amerikanë. Pas diskutimit, Affleck dhe Ding zgjodhën përgjigjen e tyre dhe, sapo u konfirmua fitorja, shpërthyen në festë duke u ngritur në këmbë dhe duke u përqafuar me emocion.

Fitimi do të shkojë për bamirësi, konkretisht për Eastern Congo Initiative, organizatë jofitimprurëse e bashkëthemeluar nga Affleck në vitin 2010, e cila mbështet komunitetet në Republikën Demokratike të Kongos.

Gjatë spektaklit, Affleck tregoi se ka punuar prej 15 vitesh me këtë organizatë dhe se fondet do të ndihmojnë në përballimin e krizave humanitare në rajon.

Fitorja u bë edhe më e veçantë falë partnerit të tij Jamie Ding, i cili është një prej konkurrentëve më të suksesshëm të Jeopardy!, me rreth 31 fitore dhe një vend në mesin e fituesve më të mëdhenj në historinë e këtij spektakli. Rekordin vazhdon ta mbajë Ken Jennings me 74 fitore radhazi./KultPlus.com

Biletat e “Sunny Hill Festival” shiten të gjitha, festivali arrin “sold out”

1 August 2026 at 13:53

“Sunny Hill Festival” ka njoftuar se të gjitha biletat për edicionin e sivjetmë janë shitur, duke shënuar një tjetër sukses për festivalin që po zhvillohet në Prishtinë.

Lajmi është bërë i ditur përmes faqes zyrtare të “Sunny Hill Festival” në rrjetet sociale, ku organizatorët kanë falënderuar publikun për mbështetjen.

“Jemi të shitur plotësisht, nga thellësia e zemrave tona, faleminderit”, thuhet në njoftimin e festivalit.

Me këtë njoftim, “Sunny Hill Festival” ka konfirmuar se nuk ka më bileta në dispozicion, ndërsa edicioni i sivjetmë po vazhdon me performanca të artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë në Prishtinë./KultPlus.com

❌