YouTube po prezanton një sistem të ri verifikimi të moshës të bazuar në inteligjencë artificiale, fillimisht në SHBA, me synimin për të mbrojtur më mirë të rinjtë nga përmbajtjet e papërshtatshme.
Sipas kompanisë, mjeti do të analizojë sjelljen e përdoruesve nga lloji i videove që kërkojnë, kategoritë që shikojnë, deri te jetëgjatësia e llogarisë për të vlerësuar nëse ata janë mbi ose nën 18 vjeç. Nëse sistemi përcakton që një përdorues është i mitur, do të aktivizohen automatikisht masa mbrojtëse, si çaktivizimi i reklamave të personalizuara, kufizimi i rekomandimeve dhe njoftimet për pushime nga ekrani.
Përdoruesit që vlerësohen gabimisht si të mitur do të kenë mundësi të apelojnë, duke përdorur një dokument identifikimi, selfie ose kartë krediti për të konfirmuar moshën. Ata që nuk e bëjnë këtë do të mbeten me cilësimet e kufizuara. Ndryshimi pritet të ndikojë edhe tek krijuesit e përmbajtjes, pasi nëse audienca e tyre kategorizohet kryesisht si e mitur, të ardhurat nga reklamat mund të bien.
Vendimi i YouTube vjen në një kohë presioni të madh politik dhe ligjor në mbarë botën për të rritur sigurinë online për fëmijët dhe adoleshentët. Megjithatë, ky sistem ka ngjallur edhe shqetësime për privatësinë. Aktivistët e të drejtave digjitale paralajmërojnë se metoda e vlerësimit të moshës duke analizuar historikun e shikimeve mund të çojë në mbikëqyrje masive dhe kufizime të panevojshme për përdoruesit e rritur.
Një peticion online ka mbledhur mbi 68 mijë nënshkrime kundër planit, duke paralajmëruar se “kur këto sisteme normalizohen, ato rrallë zhduken dhe mund të përhapen përtej një platforme të vetme, duke rrezikuar lirinë digjitale”./KultPlus.com
Google ka prezantuar një veçori të re në Asistentin e tij, Gemini AI, të quajtur “mësim i udhëhequr”, e krijuar për t’i ndihmuar përdoruesit të kuptojnë thellë temat që po studiojnë, në vend që të marrin vetëm përgjigje të gatshme.
Sipas CEO-së Sundar Pichai, kjo mënyrë funksionon si një “shok mësimi” që e udhëheq përdoruesin përmes pyetjeve dhe hapave të strukturuar, duke ofruar mbështetje gjatë gjithë procesit. Përveç tekstit, ky modalitet mund të përfshijë edhe foto, video apo kuize interaktive. Google ka punuar ngushtë me studentë, mësues, studiues dhe ekspertë të arsimit, duke u mbështetur te parimet e shkencës së të nxënit për të siguruar efikasitetin e tij, transmeton KultPlus.
Ky hap vjen në një kohë kur kompanitë e teknologjisë po hyjnë gjithnjë e më shumë në sektorin e arsimit, mes kritikave se mjetet e AI-së po përdoren nga studentët për të kopjuar. Si Gemini, ashtu edhe funksioni i ngjashëm i prezantuar së fundmi nga ChatGPT, synojnë të nxisin mësimin aktiv, megjithëse mbetet për t’u parë nëse studentët do t’i zgjedhin këto metoda mbi marrjen e përgjigjeve të menjëhershme.
Google ka hapur aplikimet për Planin AI Pro njëvjeçar falas deri më 6 tetor 2025 për studentët mbi 18 vjeç nga SHBA, Japonia, Indonezia, Koreja e Jugut dhe Brazili. Përveç kësaj, kompania ka ndarë një fond prej 1 miliard dollarësh për një program trevjeçar që mbështet arsimin në SHBA, përfshirë iniciativat për edukimin në fushën e inteligjencës artificiale, kërkimin shkencor dhe ofrimin e burimeve kompjuterike në cloud./KultPlus.com
ChatGPT merr 2.5 miliardë kërkesa nga përdoruesit globalë çdo ditë, tha OpenAI.
Rreth 330 milionë prej tyre vijnë nga përdorues në SHBA, shkruajnë mediat e huaja.
Këto shifra tregojnë se sa i kudondodhur po bëhet produkti kryesor i OpenAI.
Kompania mëmë e Google, Alphabet, nuk publikon të dhëna të përditshme kërkimi, por kohët e fundit zbuloi se Google merr 5 trilionë kërkesa në vit, që mesatarisht është pak më pak se 14 miliardë kërkime ditore.
Hulumtuesit e pavarur kanë gjetur trende të ngjashme.
Neil Patel i NP Digital vlerëson se Google merr 13.7 miliardë kërkime çdo ditë, ndërsa hulumtimi nga SparkToro dhe Datos – dy kompani të marketingut dixhital – vlerëson se shifra është rreth 16.4 miliardë në ditë.
Megjithatë, ChatGPT ka treguar një rritje mbresëlënëse të shpejtë.
Në dhjetor, CEO i OpenAI, Sam Altman, tha se përdoruesit dërgojnë mbi 1 miliard kërkesa në ChatGPT çdo ditë.
Sipas fjalëve të Altman, vëllimi i kërkimit të kompanisë është më shumë se dyfishuar në rreth tetë muaj./KultPlus.com
Mijëra besimtarë nga e gjithë bota kanë udhëtuar për në Dharamshala, qytetin e vogël indian rrëzë të Himalajeve ku jeton Dalai Lama, për të shënuar këtë rast.
Këtu përfshihet edhe ndjekësi i tij i hershëm dhe ylli i Hollivudit, Richard Gere, i cili do të flasë gjatë festimeve për laureatin e Çmimit Nobel, i cili konsiderohet si një nga udhëheqësit fetarë më me ndikim në botë dhe adhurohet nga miliona budistë tibetianë si manifestimi i gjallë i Chenrezig, perëndisë budiste të dhembshurisë.
Eventet për ditëlindjen e Dalai Lamës filluan të hënën, gjë që shënoi 90-vjetorin e tij në kalendarin tibetian, gjashtë ditë para ditëlindjes së tij në kalendarin gregorian të dielën.
Të shtunën, Dalai Lama tha se shpresonte të jetonte edhe për dekada të tëra, deri në moshën 130 vjeç, transmeton Klankosova.tv.
Në një kohë kur çrregullimet e shëndetit mendor po shfaqen si pandemi globale dhe zgjidhjet shpesh kërkohen në barna dhe modele neuroshkencore, psikiatri Imri Demisai vjen me një qasje ndryshe në librin e tij më të ri, “Psikologji për jetën time”, që u promovua dje në ambientin e ngrohtë të Galerisë KultPlus.
Me një përvojë klinike shumëvjeçare, Demisai ngre shqetësimin se aspekti shpirtëror i njeriut po anashkalohet gjithnjë e më shumë. Në librin e tij, ai u bën thirrje profesionistëve të shëndetit mendor që të shohin përtej diagnozave të ftohta, të dëgjojnë me kujdes historinë e pacientit dhe të mos mbështeten verbërisht vetëm në farmakoterapi.
“Rrënjët e vuajtjes shpirtërore janë psikologjike, jo biokimike,” – shkruan autori. – “Vetëm përmes njohjes, mirëkuptimit dhe një qasjeje njerëzore mund të arrihet shërimi i vërtetë.”
Nën moderimin e Ardianë Pajazitit, drejtoreshë e gazetës KultPlus, promovimi i këtij libri u kthye në një bisedë të sinqertë mbi rolin e humanitetit në trajtimin e shëndetit mendor. Libri u cilësua si një manifest i një psikiatri që nuk i sheh njerëzit vetëm si bartës simptomash, por si qenie të ndërlikuara me histori, emocione dhe plagë të thella shpirtërore.
Vetë autori Demisai ka thënë që njerëzit jetojnë në një kohë kur çrregullimet e shëndetit mendor kanë marrë përmasa pandemike.
“Ndihmës të shumtë përpiqen të na shpëtojnë sa më parë, duke krijuar një situatë ku jemi të ekspozuar ndaj një vale të vazhdueshme informacionesh dhe këshillash të shumëllojshme. Ndihma që na ofrohet është kryesisht psikiatrike, ndonëse ende nuk është gjetur një kurë që të shërojë plotësisht çrregullimet mendore. Nga ana tjetër, psikologët i janë drejtuar terapive kognitive të sjelljes (CBT – terapi e orientuar drejt veprimit), si një formë psikoterapie që synon reduktimin e simptomave të gjendjeve të ndryshme të shëndetit mendor. Ata shpesh mbajnë modele të trurit mbi tryezat e tyre të punës, duke treguar kështu besnikëri ndaj psikiatrisë tradicionale dhe duke lënë shpirtin mënjanë. Ata besojnë në ato që thonë profesorët se, përveç depresioneve që lidhen me krizat e jetës, ekzistojnë edhe depresione që, gjoja, vijnë si pasojë e çrregullimeve biokimike në tru. Kështu mendon shumica sot, përndryshe nuk do të shiteshin kaq shumë barna”, thotë ai.
Sipas tij, faktet klinike e kanë bindur se nuk ka shkaqe të tjera për problemet psikike, përveç shkaqeve psikologjike. Ngjarjet janë ato që shkaktojnë reagime emocionale, dhe këto manifestime shpirtërore vënë në lëvizje të gjithë organizmin, jo vetëm trurin. Pra, çrregullimet mendore janë gjendje shpirtërore që lidhen me ngjarjet e jetës, me botëkuptimin dhe me qëndrimin tonë. Edhe ato që quhen “sëmundje psikike” janë gjendje sistemike, kryesisht si pasojë e transmetimit të traumave të familjes nga brezi i vjetër tek brezi i ri.
“Nëse mendoni kështu, do ta kuptoni më mirë psikologjinë e jetës së përditshme, duke u nisur nga konteksti juaj social. Ruani kokën, që të mos lëndohet truri, por mos e lodhni mendjen me hipoteza neuroshkencore, të cilat deri më sot nuk kanë sjellë zgjidhje të qarta. Le t’i lëmë shkencëtarët të merren me këtë punë; ne praktikuesit të merremi me atë që na ofron shkenca e jetës. Nëse keni nevojë për ndihmë dhe vëreni se psikologu që takoni përdor slogane neuroshkencore në faqen e tij të internetit ose në dhomën e punës, keni arsye të dyshoni. Mos e lejoni veten të trajtoheni si kopje, por bëhuni si ato librat origjinalë që lexohen për herë të parë”, thotë ai.
Ai po ashtu është shprehur se çdo njeri duhet të jetë i informuar mbi këto çështje, përndryshe nuk do ta kuptojnë se çfarë ndodh me ta.
“Kjo nuk është e vështirë, nëse flisni hapur dhe kërkoni shpjegime për nocionet që përdoren gjatë bisedës me psikologun tuaj, në mënyrë që të kuptoni më mirë njëri-tjetrin. Së pari, duhet ta keni të qartë pse keni nevojë për ndihmë, dhe të bindni veten se nuk po e përdorni psikologun si një alibi për të mos u përballur me problemet e jetës. Mendoj se duhet të analizoni me kujdes gjithçka që thuhet për shëndetin mendor në studio televizive apo portale online – të gjitha ato këshilla që ju serviren si të vërteta. Ju nuk duhet të lejoni që shëndeti juaj të përkeqësohet deri në atë pikë sa dikush tjetër të marrë kontrollin mbi jetën tuaj, duke u marrë me ndjenjat tuaja vit pas viti, pa e kuptuar shkakun e vërtetë të vuajtjes shpirtërore”, thotë Demisai.
Brenda librit thuhet se vuajtja është pasojë e padijes.
“Kërkoni dituri që të mos vuani. Kërkoni ndihmë, por gjykoni edhe vetë – mos ua lini të tjerëve të mendojnë për ju. T’i bësh dikujt një “pëlqim” në internet pa e kuptuar domethënien e asaj që shkruan, nuk është mirë. Rinia shqiptare duhet të kërkojë burime të ndryshme informacioni, derisa të gjejë ndihmën e duhur – jo të besojë verbërisht çdo gjë që thonë ekspertët e një shkence që nuk është aq ekzakte siç janë psikologjia dhe psikiatria.”
Libri “Psikologji për jetën time” kërkon të jetë një frymëzim i përditshëm, në mënyrë që vëmendja të drejtohet kah ligjet e jetës dhe jo kah misteret e trurit.
Autori i librit bën një thirrje dashamirëse për kolegët mjekë: lini modelet e trurit dhe neuroshkencën – merruni më shumë me aspektet ekzistenciale, me dritëhijet e personalitetit tuaj dhe të atyre që dëshironi t’i ndihmoni. Flisni për hallet e jetës, jo për sinapset e trurit, sepse ato nuk na e shërojnë brengën shpirtërore. Mos shkruani shumë receta për medikamente psikofarmakologjike, përveçse në raste shumë të rënda, kur është vërtet e domosdoshme – si për shembull për të zbutur një gjendje psikotike, një mani fulminante ose një delir të rëndë gjatë abstinencës. Ndonjëherë nevojiten barna kundër sulmeve ankthore, por kjo rrallëherë është e domosdoshme. Përdorni metoda të tjera për qetësim – ndihmoni pacientët të modulojnë afektet, të shndërrojnë ndjenjat sekondare në ndjenja primare. Ankthi lidhet me konflikte të zakonshme, por në raste të rralla, kur ndjenja e panikut bëhet shumë e fortë, ai duhet parë si një mekanizëm mbrojtës ndaj impulseve destruktive, që shpesh janë rezultat i trysnisë agresive në familje. Kjo gjendje alarmante mund të zbutet me metoda terapeutike, por nganjëherë nevojiten edhe hapa qetësues. Antidepresantët duhen përdorur vetëm në raste të rënda depresioni, siç është melankolia. Por nëse pacienti këmbëngul, atëherë s’kemi ç’të bëjmë. Ka njerëz që nuk guxojnë të jenë në kontakt me ndjenjat e tyre dhe ndihen të detyruar të përdorin barna. Detyra jonë kryesore është të parandalojmë krizat e ankthit dhe të depresionit, dhe të mësojmë njerëzit të kërkojnë ndihmë me kohë. Edhe psikozat, gjendjet maniako-depresive, si dhe varësitë e rënda, mund të zbuten apo të parandalohen nëse dimë shkaqet e vërteta dhe mekanizmat e shfaqjes dhe përkeqësimit.
Sipas tij, mendimet sistemike që paraqiten në këtë libër – fryt i përvojës së gjatë klinike të autorit – hapin mundësi të reja terapeutike për mjekët, psikologët, punëtorët socialë dhe për të gjithë ata që duan të shohin përtej diagnozave deskriptive, për të kuptuar më mirë problemet psikike të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rriturve.
Ky libër është fryt i një pune të gjatë klinike e autorit si psikiatër. Ai ka falënderuar për ndihmën që ia kanë dhënë me rrëfimet e tyre të gjithë pacientët që ka takuar në klinikat e mjekësisë së përgjithshme, në klinikat psikiatrike dhe në praktikën e tij private, gjatë këtyre tri dekadave të fundit.
Rrëfimet e tyre dhe udhëzimet e kolegëve të tij më të vjetër, veçanërisht ndihma e psikologes psikanaliste K. Wedne Lindberg dhe e psikiatrit gjerman Albrecht Mahr, kanë qenë vendimtare për zhvillimin e tij psikoterapeutik.
Për cilësinë e librit, autori ka falënderuar redaktorin, profesor Rami Memushaj, për përkushtimin e tij që ky libër të dalë sa më mirë. Një falënderim i veçantë nga autori ka shkuar edhe për doktoreshën Gerdiola Topi, për sugjerimet e vlefshme para botimit të librit.
Dhe, në fund, autori ka falënderuar familjen – për durimin dhe mirëkuptimin, gjatë orëve të gjata të vetmisë së tij krijuese.
Pas përfundimit të promovimit, të pranishmit vijuan bashkëbisedimin në një atmosferë të ngrohtë e reflektuese, duke u ndalur veçanërisht te temat me ndjeshmëri: ndikimi i efektit placebo në procesin e shërimit, roli i vetëdijes dhe fuqia që nënvetëdija ka në përballjen me dhimbjet emocionale. Diskutimet shpërfaqën nevojën për një qasje më të thelluar ndaj psikikës njerëzore, ku shërimi nuk ndodh vetëm përmes barnave, por edhe përmes ndërgjegjësimit, pranimit dhe transformimit të brendshëm. Bisedat vijuan gjatë, si dëshmi e një libri që ka nxitur më shumë se lexim – ka nxitur vetëdije./ KultPlus.com
Sot, në KultPlus Caffe Gallery do të promovohet libri “Psikologji në jetën time” nga autori Imri Demisai, i cili përpos që është poet, ai është edhe psikolog dhe psikoterapeut, shkruan KultPlus.
Ngjarja fillon nga ora 13:00.
Demisai është nga Struga por që jeton në Suedi, dhe në këtë promovim libri ai do të ligjërojë edhe për cështje sociale, psikologjike dhe psikiatrike, duke vën në pah rëndësinë e ndërgjegjjes familjare për ti kuptuar brengat shpirtërore dhe konfliktet.
Kjo ngjarje është e hapur për të gjithë ata që janë të interesuar për këtë prezantim, dhe në të njëjtën kohë Imri Demisai do të jetë i hapur edhe për pyetjet e audiencës./ KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot në 105-vjetorin e ndarjes nga jeta, Heroin e Popullit, Selam Musai (1860-1920).
Selam Musai ra dëshmor duke mbrojtur flamurin kombëtar gjatë Luftës së Vlorës në vitin 1920. Pas kësaj ngjarjeje, ai u bë simbol i trimërisë dhe përkushtimit ndaj vendit.
Selam Musai lindi në fshatin Salari të Tepelenës nga një familje me tradita patriotike. Shtëpia e tij në Salari dhe stani në mal ishin kthyer në baza të rëndësishme për çetat patriotike, si ajo e Çerçiz Topullit dhe e Mihal Gramenos.
Në dhjetor 1912, duke ju përgjigjur thirrjes së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës për të mbrojtur vendin nga agresioni i forcave greke, u vu në krye të bashkëfshatarëve të tij dhe shkoi në frontin e luftës, ku u plagos.
Megjithëse në moshën 60-vjeçare, doli përsëri në krye të bashkëfshatarëve të armatosur dhe të katundeve të afërta, shkoi në Vlorë dhe luftoi kundër garnizonit italian të Kotës. Pas shpartallimit të tij, Selam Musai me luftëtarët që e pasonin u rreshtuan të gatshëm për luftime përballë garnizonit të madh të Vlorës.
Në luftimet trup më trup me pushtuesit, Selam Musai u vra në Qafën e Koçiut më 11 qershor 1920./ KultPlus.com
Provinca Guangdong në jug të Kinës ka lëshuar 30 aplikacione të inteligjencës artificiale (AI) me anë të të cilave synon të përshpejtojë inovacionin teknologjik dhe të përmirësojë shërbimet publike në të gjithë sektorët kryesorë.
Agjencia shtetërore kineze e lajmeve, Hsinhua raportoi se skenarët e aplikacioneve të inteligjencës artificiale synojnë katër fusha kyçe, respektivisht prodhimin, edukimin, kujdesin shëndetësor dhe sigurinë publike, duke reflektuar strategjinë më të gjerë të Kinës për të udhëhequr zhvillimin global të inteligjencës artificiale.
Në sektorin e edukimit, Guangdong përshkroi pesë fusha kryesore të aplikacioneve të inteligjencës artificiale, përfshirë mësimin e personalizuar, mësimdhënien inteligjente, eksperimentimin digjital, ndarjen e burimeve dhe mjetet e vlerësimit, si dhe vendimmarrjen e drejtuar nga inteligjenca artificiale.
Sektori i kujdesit shëndetësor do të ketë 10 aplikacione të inteligjencës artificiale, të tilla si diagnostikimi vizual me ndihmën e inteligjencës artificiale, mbështetja e vendimeve klinike, planifikimi kirurgjikal, sistemet e përzgjedhjes ambulatore dhe konsultat mjekësore virtuale.
Zyrtarët nga Departamenti i Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të provincës Guangdong theksuan se rajoni ka aftësi të fuqishme në teknologjitë e përparuara mekanike, elektrike dhe digjitale.
Provinca kineze ka një bazë të fuqishme industriale që mbështet inteligjencën artificiale, robotikën si dhe planifikon të inkurajojë komercializimin e mëtejshëm të shërbimeve dhe produkteve të zhvilluara nga ndërmarrjet në këto fusha.
Kjo iniciativë e provincës kineze përkon me konkurrencën në rritje midis kompanive kineze të teknologjisë, me kompanitë Alibaba dhe DeepSeek që po përparojnë në inteligjencën artificiale gjeneruese.
Sipas gazetës “South China Morning Post”, modelet e reja të inteligjencës artificiale Qwen3 të kompanisë Alibaba kohëve të fundit kanë tejkaluar modelet R1 të kompanisë DeepSeek në teste të shumta krahasuese, duke i pozicionuar ato si modelet kryesore të inteligjencës artificiale me burim të hapur në nivel global./KultPlus.com
Filmat e realizuar me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI) do të jenë në gjendje të fitojnë çmimet kryesore në Oscar, sipas organizatorëve të saj.
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit nxori rregulla të reja të hënën, të cilat thanë se përdorimi i AI dhe mjeteve të tjera digjitale “as nuk do të ndihmonte dhe as do të dëmtonte shanset për të arritur një nominim”, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Inteligjenca artificiale gjeneruese – e cila mund të krijojë tekst, imazhe, audio dhe video në përgjigje të kërkesave të thjeshta të tekstit – ndihmoi në prodhimin e disa prej filmave të vlerësuar me çmimet kryesore të industrisë në mars.
Por Akademia tha se do të merrte ende në konsideratë përfshirjen njerëzore gjatë përzgjedhjes së fituesve të saj.
Akademia tha se gjuha e saj e re rreth përshtatshmërisë për filmat e realizuar duke përdorur mjete gjeneruese të AI u rekomandua nga Këshilli i saj i Shkencës dhe Teknologjisë.
Sipas ndryshimeve të mëtejshme të rregullave të shpallura të hënën, anëtarët e Akademisë duhet të shikojnë tani të gjithë filmat e nominuar në secilën kategori në mënyrë që të mund të marrin pjesë në raundin përfundimtar të votimit, i cili vendos për fituesit.
Përdorimi i AI në film u bë një temë e nxehtë pasi Adrian Brody mori çmimin për aktorin më të mirë për rolin e tij në “The Brutalist” në ceremoninë e Oscars të këtij viti në mars.
Filmi përdori AI gjeneruese për të përmirësuar theksin e aktorit kur ai fliste hungarisht.
Më pas doli që teknologjia e ngjashme e klonimit të zërit u përdor për të përmirësuar zërat e këndimit në muzikalin fitues të Oscarit, Emilia Perez.
Aftësia e teknologjisë për të ndryshuar ose përputhur me shpejtësi tonin dhe stilin e një artisti, ose për të kryer modifikime të tilla si ndryshimi i hollë i pamjes së dikujt, e ka ndihmuar atë të bëhet më popullor në prodhimin e muzikës dhe filmit.
Kitara dhe pianoja, dyshja që përherë të qon në qiellin e shtatë, kësaj here ka vendosur të jetë pjesë e pandashme e madhështisë së albumit më të ri që titullohet, “Aura”. Ky koncept i veçantë në të cilin kitara përplaset në përqafime me pianon, është krijim origjinal i kitaristit Astrit Stafai dhe kompozitorit Florent Boshnjaku të cilët kanë bashkëpunuar për këtë album të shumëpritur. Dyshja ka vendosur që instrumentet të gumëzhijnë këndshëm si rrahjet ritmike të zemrës, duke gdhendur kështu në kujtesë një aurë e cila tregon një histori të patreguar, delikate dhe krejtësisht të guximshme, shkruan KultPlus.
“Aura”, albumi i përbashkët i dyshes ka ardhur si proces i një pune të gjatë në studio për një projekt krejtësisht tjetër. Arti, muzika dhe njohja e tyre përreth njëzet vite, ka bërë që ata të vendosin mbi krijimin e një albumi që veçse i ka kaluar koha që të bëhej publik. Së bashku, ata kanë lëmuar tingujt e egër, të butë duke krijuar kështu një album që i përgjigjet nevojës së përhershme për muzikë të mirëfilltë. Akordet e pasura e të thella kanë shkaktuar një kaos të bukur prej melodish që tashmë të gjithë kanë mundësinë ta përjetojnë brenda vetes.
Kitaristi Astrit Stafai dhe kompozitori Florent Boshnjaku kanë shkrirë forcën e tyre në “Aura”, albumi i cili përmban një material shumë të veçantë për nga përmbajtja. Ekziston një shije dhe stil shumë unik në aspektin muzikor si dhe atë artistik. Ata kanë shkulur harmoninë e secilit instrument në një të vetëm, duke formuar një univers të rrallë e të zhurmshëm.
Në këtë album është bërë një gërshetim i zhanreve të ndryshme muzikore që ka rezultuar në krijimin e një koncepti më ndryshe, falë punës përkushtuese dhe eksperiencës së dy artistëve. Janë gjithsej gjashtë krijime të cilat janë kompozuar nga vetë artistët. “Far Away”, “Aura”, “Memories”, “Red Rose”, “Roots”, “Sunset”, janë instrumentalet që arrijnë të hyjnë brenda hyjnores së artit muzikal.
“Tek ne artistët, frymëzimi është prezent pothuajse gjatë gjithë kohës, por ajo çka është më e rëndësishme në botën e artit është se si ta shfrytëzojmë frymëzimin në kohën e duhur. Procesi gjatë realizimit të albumit ka qenë fenomenal. E kemi shiju çdo moment gjatë punës, ka pasur energji super të mirë, dhe sa i përket sfidave i kemi kalu shumë lehtë sepse e kemi pasur të qartë programin se çka do bëjmë dhe realizojmë”, ka thënë kitaristi Stafai për KultPlus.
Sipas tij, instrumentalet e albumit vijnë në një frymë ndryshe, të kombinuara me një diversitet muzikor, ndërsa përmbajtjen e albumit do ta quante si “World Music”, mirëpo, natyrisht që nuk janë lënë anash as elementet e muzikës shqiptare.
Kitaristi Stafai ka një kohë të gjatë që bashkëpunon me producentin Boshnjaku nëpër projekte të ndryshme, koncerte e festivale. Punën e tij, kitaristi Stafai e konsideron si diçka të jashtëzakonshme të cilën e vlerëson shumë.
Ai tutje për KultPlus ka treguar se titulli i albumit, “Aura”, ka rrjedhë si pasojë e punës së pandalshme gjatë realizimit të tij. Është i titulluar i atillë për arsye se materiali përmban një anë shpirtërore në të cilën shfaqen ngjyra të muzikës spirituale apo të ngjajshme me atë të muzikës “Buda Bar”.
“Temat e instrumentaleve i kemi realizuar kryesisht me kitarë dhe piano, në ndërkohë pastaj i kemi orkestruar secilën temë apo instrumental edhe në aspektin e produksionit. Pra, nuk është material i realizuar vetëm akustik, por ka edhe aranzhime dhe produksion”, thotë Stafai.
Ndërsa, albumi “Aura” tashmë është i publikuar në kanalin YouYube, dhe shumë shpejtë pritet të promovohet edhe në platformat e tjera dixhitale si: Spotify, Diezer, etj.
Kitaristi Stafai për KultPlus ka thënë se albumi deri më tani është mirëprit tejet mirë, si koncept e gjithashtu edhe si muzikë. Pra, realizimi në tërësi është pëlqyer shumë. Ndërsa, në fund të kësaj interviste ai ka shfrytëzuar rastin për të falënderuar producentin Florent Boshnjakun për bashkëpunimin, Adriatik Asllanin dhe ekipin e tij për realizimin e xhirimeve të videove.
Realizimi i albumit “Aura” është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se Kosova është në hartën globale të diskutimeve për inteligjencën artificiale.
Ajo ka thënë se liderë nga mbarë bota dhe profesionistë të fushës u mblodhën në Paris për të diskutuar zgjidhje që do të transformojnë botën, duke e vënë teknologjinë në shërbim të njerëzimit.
“Teknologjia po i prinë një revolucioni të paparë global dhe Kosova duhet të jetë e gatshme të jetë pjesë e këtij transformimi”, ka shkruar Osmani./ KultPlus.com
Këngëtari i njohur Paul McCartney ka paralajmëruar se ndryshimet e mundshme në ligjin për të drejtat e autorit mund të ndikojnë në “shfrytëzimin” e artistëve dhe të dëmtojnë krijimtarinë.
The Guardian ka shkruar se ish-anëtari i grupit “The Beatles” ka thënë se qeveria duhet ta mbrojë punën e krijuesve, duke i kërkuar që të sigurohet që artistët të kenë kontroll mbi materialet e tyre të mbrojtura me të drejtat e autorit.
McCartney e ka shprehur shqetësimin se përdorimi i materialeve të mbrojtura për të trajnuar modelet e inteligjencës artificiale (AI) mund të çojë në humbjen e motivimit për tekstshkruesit dhe artistët, dhe për pasojë të sjellë “humbje të kreativitetit”.
Ai ka shpjeguar situatën për BBC-në.
“Djemtë dhe vajzat e reja krijojnë këngë të bukura, por ata nuk e zotërojnë atë. Dhe kushdo mund t’i kopjojë dhe të përfitojë prej tyre. E vërteta është, paratë po shkojnë diku … Dikush po paguhet, pra pse të mos jetë ai që u ul dhe e shkroi këngën ‘Yesterday’’”, ka thënë McCartney.
Ky debat ka lindur pasi janë shfaqur pasiguri rreth përdorimit të materialeve të mbrojtura për të trajnuar modelet e AI-së. Ka pasur padi nga individë dhe kompani në industrinë krijuese që pretendojnë se përdorimi i paautorizuar i materialeve të tyre është shkelje e të drejtave të autorit.
Ndërkohë, disa organizata botuese dhe media kanë nënshkruar marrëveshje licencimi me kompanitë e AI-së për të lejuar përdorimin e materialeve të tyre për trajnim të modeleve.
McCartney ka paralajmëruar se AI-ja mund të “marrë kontrollin” në botën e artit, dhe ka firmosur një peticion bashkë me aktorë të njohur si Julianne Moore, Stephen Fry dhe Hugh Bonneville, ku shprehen se përdorimi i paautorizuar i veprave krijuese për trajnim të AI-së është një kërcënim i padrejtë për mbijetesën e artistëve dhe nuk duhet të lejohet.
Në një fushatë të ngjashme, autorja Kate Mosse ka mbështetur një kërkesë për ndryshime në ligj për të dhënë mundësinë që krijuesit të negociojnë një pagesë të drejtë kur i licencojnë materialet e tyre.
Qeveria britanike ka njoftuar se do të mbajë një konsultim publik për të shqyrtuar çështjet kryesore të debatit deri më 25 shkurt, duke përfshirë mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet mes industrisë krijuese dhe AI-së, si dhe mënyrat për të siguruar që krijuesit të mund të licencojnë materialet dhe të paguhen drejt.
McCartney i bëri thirrje qeverisë që t’i rishikojë këto plane. “Ne jemi njerëzit, ju jeni qeveria. Duhet të na mbroni ne, kjo është puna juaj”, ka thënë ai.
Në një notë pozitive, McCartney dhe Ringo Starr përdorën teknologjinë AI për të krijuar këngën “Now And Then” në muajin nëntor të vitit 2023, duke ndarë vokalet e anëtarit të njohur të grupit të tyre, John Lennon nga një demo e incizuar në vitin 1977.
Sekretarja e Kulturës, Lisa Nandy, ka thënë se qeveria beson se artistët, tekstshkruesit dhe krijuesit e tjerë duhet të kenë mundësinë të kontrollojnë përdorimin e materialeve të tyre nga kompanitë e AI-së dhe të mund të negocionin marrëveshje licencimi dhe pagesa të drejta./alsatm/ KultPlus.com
Një studim shkencor i porositur nga Konfederata Ndërkombëtare e Shoqatave të Autorëve dhe Kompozitorëve (ICSA) tregon se inteligjenca artificiale mund të kërcënojë ndjeshëm të ardhurat e punonjësve në industrinë e muzikës.
Anketa u krye nga agjencia e kërkimit dhe konsulencës PMP Strategy. Sipas raportimeve, punonjësit në sektorin e muzikës do të humbasin pothuajse një të katërtën e të ardhurave të tyre gjatë katër viteve të ardhshme për shkak të inteligjencës artificiale gjeneruese (GAI). Përveç muzikantëve, edhe punonjësit në sektorin audioviziv do të përballen me një rënie të të ardhurave me më shumë se 20 për qind, paralelisht me rritjen e tregut të VGI nga tre miliardë në 64 miliardë euro të parashikuara në vit, deri në vitin 2028. Përfundimet e hulumtimit u shpallën nga ICZAC dje në Paris të Francës.
Konfederata përfaqëson më shumë se pesë milionë autorë në mbarë botën.
Nënkryetari dhe skenaristi i MKZAK, Ángeles González-Cinde Reg, tha se mjetet e inteligjencës artificiale mund të mbështesin dhe përmirësojnë punën e kineastëve, por ekziston gjithashtu një “shqetësim i jashtëzakonshëm që në nxitimin për të shfrytëzuar dhe për të fituar para nga AI, krijuesit do të trajtohen si “me prapavijë. “, pa të drejtën e përdorimit të autorizuar të veprave të tyre.
– Hulumtimi nxjerr në pah nevojën për politika të qëndrueshme etike dhe ekonomike që vendosin të drejtat e krijuesve në qendër të botës së AI. Krijuesit njerëzorë duhet të jenë në qendër të politikëbërjes dhe rregullimit, tha ai.
Nga ana tjetër, sipas pretendimeve, rritja e shpejtë e AI do të pasurojë ndjeshëm kompanitë e mëdha të teknologjisë. Raporti thotë gjithashtu se pa mbrojtje rregullatore, mbajtja e të drejtave të autorit dhe të ardhurat do të reduktohen në mënyrë drastike.
Presidenti i MKZAK-ut dhe ish-anëtar i “ABBA”, Björn Ulveus vuri në pah Australinë dhe Zelandën e Re si vende lider në formësimin e politikave për mbrojtjen e krijuesve nga VGI. Politikat e këtyre vendeve, sipas vlerësimit të tij, mund të sigurojnë që AI të shërbejë si një mjet për të rritur kreativitetin njerëzor, jo për ta zëvendësuar atë./KultPlus.com
Google Gemini AI tani mund të kujtojë informacionin personal të përdoruesve.
Chatboti Gemini i Google, i mundësuar nga inteligjenca artificiale, ka një veçori të re që e lejon atë të kujtojë informacione rreth jetës personale të përdoruesve, tha kompania në një deklaratë.
Nëse, për shembull, i kërkoni chatbot-it Gemini të kujtojë ushqimin që ju pëlqen dhe herën tjetër që t’i kërkoni rekomandime për restorantet, ai do ta përshtatë zgjedhjen e restorantit sipas preferencave tuaja, raporton Tech Crunch.
Funksioni i ri është i disponueshëm vetëm për abonentët e Gemini për një tarifë mujore prej 20 dollarësh dhe aktualisht është i padisponueshëm në aplikacionet celulare Android dhe iOS.
Kompania vëren se kjo veçori, e cila aktualisht mbështet vetëm pyetjet në gjuhën angleze, mund të çaktivizohet në çdo kohë, por të dhënat e përdoruesit ruhen derisa të fshihen manualisht.
Hakerat e aftë në disa raste mund të shfrytëzojnë veçoritë e memories së chatbots Gemini dhe Chat GPT duke futur “kujtime të rreme” dhe duke vjedhur të dhënat e përdoruesve, paralajmërojnë studiuesit. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Xavier Battel.
Përmes nëj postimi në Facebook, presidentja thotë se ata diskutuan për prioritet e përbashkëta dhe rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, transmeton Klankosova.tv.
“Sot, pata kënaqësinë ta mirëpres Zv.Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Xavier Bettel, për t`i diskutuar prioritetet tona të përbashkëta dhe rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian”, ka shkruar e para e vendit.