Normal view

Zjarri del jashtë kontrollit në Finiq, rrezikohen banesat, nuk kursehen kosheret e bletëve

By: A R
3 August 2026 at 20:46

Situata paraqitet kritike në zonën e Finiqit, ku zjarri i përmasave të mëdha ka dalë jashtë kontrollit dhe vijon të përhapet me shpejtësi, i favorizuar nga era e fortë.

Flakët kanë përfshirë disa zona të Bashkisë Finiq dhe po afrohen drejt fshatrave, duke krijuar rrezik serioz për banesat në Mesopotam dhe Kostar. Vatra e zjarrit ka avancuar gjithashtu drejt zonave të Delvinës, përfshirë Vllahatin, duke rritur shqetësimin për përhapjen e mëtejshme.

Për të përballuar situatën është angazhuar edhe një helikopter zjarrfikës, i cili ka nisur ndërhyrjen nga ajri për të ndihmuar në izolimin e flakëve dhe për të frenuar avancimin e zjarrit.

Forcat në terren vijojnë betejën me flakët, ndërsa autoritetet po monitorojnë me shqetësim situatën, pasi zjarri po përparon në një zonë me bimësi të dendur dhe rrezikon të prekë zona të banuara.

Qeveria çregjistron shoqërinë Albcontrol që ekzekutoi Becchetti, 200 mln euro të bllokuara në Bruksel

By: A R
3 August 2026 at 20:22

Shoqëria aksionere publike që menaxhonte hapësirën ajrore të Shqipërisë, ka pushuar së ekzistuari. Dy javë më parë, ministria e Ekonomisë në cilësinë e aksionerit të vetëm, ka miratuar çregjistrimin e Albcontrol sha.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit vendosi prishjen pa kaluar në likujdim të shoqërisë Albcontrol sh.a në zbatim të nenit 21 të ligjit Për Ofruesin e Shërbimeve të Lundrimit Ajror” Albcontrol,” thuhet në vendimin e asamblesë së përgjithshme të aksionarit.

Sipas vendimit, të drejtat dhe detyrimet e Albcontrol sh.a tashmë do të kalojnë tek Enti Publik Albcontrol, i cili do të jetë një ent jobuxhetor.

Mbyllja e shoqërisë publike Albcontrol dhe zëvendësimi i saj me një Ent Publik Jobuxhetor u sanksionua me një ligj të posaçëm dy vjet më parë, si një përpjekje për të shpëtuar paratë e gjobës Becchetti.

Por me sa duket kjo ishte një tentativë e dështuar, pasi të gjitha paratë që ka gjeneruar hapësira ajrore e Shqipërisë prej vitit 2020 mbahen të bllokuara në Bruksel dhe një pjesë e tyre madje janë konfiskuar përfundimisht nga biznesmeni italian.

Sipas të dhënave nga bilanci zyrtar i Albcontrol, deri në fund të vitit të kaluar, shuma e bllokuar në llogaritë e Albcontrol tek Eurocontroli në Bruksel arriti në 18.3 miliardë lekë ose mbi 193 milionë euro.

Edhe pse tashmë kjo shumë ka kaluar detyrimin e gjobës Becchetti, sërish paratë mbeten aty dhe shteti shqiptar nuk mund të tërheqë dot asnjë qindarkë.

Bllokimi i miliardave në Bruksel e detyroi qeverinë të ndërhynte me paratë e qytetarëve për të bërë të mundur mbajtjen hapur të hapësirës ajrore dhe fluturimeve në Shqipëri.

Fillimisht qeveria dha disa kredi për Albpetrol përmes ministrisë së Financave dhe kompanive të tjera shtetërore, por në fillim të këtij viti, Këshilli i Ministrave detyroi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të kalojë 7 miliardë lekë tek Albcontrol, jo si hua, por si injektim kapitali.

Me pak fjalë, përmës këtij operacioni qytetarët shqiptarët paguan drejtëpërdrejtë paratë e gjobës 130 milionë euro të Becchettit, që erdhi pas sherreve personale të kryeministrit Edi Rama dhe oborrit të tij me biznesmenin italian. /Kapitali

Nga portofoli te grabitjet në banesë, zbardhen 6 raste në Durrës. Arrestohet 44-vjeçari

By: A R
3 August 2026 at 15:13

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “July”, duke zbardhur gjashtë raste vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje të kryera gjatë muajit korrik 2026. Në kuadër të operacionit është identifikuar dhe vënë në pranga autori i dyshuar.

Në pranga ka rënë shtetasi I. D., 44 vjeç, banues në Durrës.
Sipas hetimeve të specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, 44-vjeçari dyshohet se gjatë periudhës 14–24 korrik 2026 ka kryer një sërë vjedhjesh, konkretisht ka vjedhur një motoçikletë, një çantë me sende personale dhe një portofol, si dhe para dhe materiale në dy subjekte. Gjithashtu, ai dyshohet se ka tentuar të kryejë një vjedhje në një banesë.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur raste të tjera vjedhjesh që mund të jenë kryer nga i arrestuari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “July”, zbardhen 6 vjedhje/tentativa për vjedhje, gjatë muajit korrik 2026.

Identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, për zbardhjen e vjedhjeve, u bë e mundur zbardhja e 6 rasteve të vjedhjes/tentativës për vjedhje, të kryera gjatë muajit korrik 2026, si dhe u arrestua autori i dyshuar, shtetasi:

-I. D., 44 vjeç, banues në Durrës.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës 14.07.2026 – 24.07.2026, ka vjedhur një motoçikletë, një çantë me sende personale dhe një protofol, ka vjedhur para dhe materiale në dy subjekte, si dhe ka tentuar të vjedhë në një banesë.

Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Aksidenti me vdekje në minierën e Bulqizës/ Arrestohet drejtuesi teknik i “Eternal Security”. Policia: Nuk zbatoi rregullat e sigurisë në punë

By: A R
3 August 2026 at 15:09

Policia e Bulqizës ka arrestuar drejtuesin teknik të subjektit minerar “Eternal Security”, pas aksidentit tragjik në punë që i mori jetën një 40-vjeçari. Në pranga është vënë shtetasi Përparim Koçi, 63 vjeç, banues në fshatin Vajkal, Bulqizë, i cili ushtronte detyrën e drejtuesit teknik në subjektin minerar ku ndodhi ngjarja.

Sipas Policisë, arrestimi u krye pas veprimeve hetimore të zhvilluara në lidhje me aksidentin e ndodhur më 1 gusht 2026, ku humbi jetën shtetasi Ilir Kolaveri, 40 vjeç.

Nga hetimet paraprake dyshohet se 63-vjeçari nuk ka zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë, çka dyshohet se solli aksidentin fatal.

Bulqizë

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan shtetasin P. K., 63 vjeç, banues në fshatin Vajkal, Bulqizë, me detyrë drejtues teknik në një subjekt minerar.

 

Arrestimi i tij u bë pasi, nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 01.08.2026, dyshohet se në cilësinë e drejtuesit teknik të subjektit minerar nuk ka zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë, për pasojë është aksidentuar me vdekje shtetasi I. K., 40 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Aksident i rëndë në Fier–Lushnjë/ Dy makina përfundojnë në kanal. Katër të plagosur, bllokohet autostrada

By: A R
3 August 2026 at 14:09

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin Fier–Lushnjë, pranë fshatit Vajkan, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe më pas kanë përfunduar në kanalin anësor të autostradës. Përplasja e fortë ka lënë të plagosur katër persona, të cilët janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit. Sipas të dhënave paraprake, fatmirësisht të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Si pasojë e aksidentit, njëra prej korsive të autostradës është bllokuar, duke krijuar radhë të gjata automjetesh në një nga akset me qarkullimin më të ngarkuar gjatë sezonit veror.

Forcat e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit, ndërsa njëkohësisht po merren masa për normalizimin e qarkullimit në zonë.

Shqipëri-Gjermani, tre marrëveshje për energjetikën me financim rreth 114 milionë euro

By: A R
3 August 2026 at 13:26

Shqipëria dhe Gjermania kanë nënshkruar tre marrëveshje bashkëpunimi në sektorin e energjisë dhe eficiencës energjetike, me një vlerë totale rreth 90 milionë euro hua dhe 24 milionë euro grant.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me ambasadorin gjerman në Tiranë, Karl Bergner, pas nënshkrimit të marrëveshjeve, bëri të ditur se projektet e mbështetura nga qeveria gjermane dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) kanë rëndësi strategjike për modernizimin e sistemit energjetik dhe për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

“Marrëveshja e parë lidhet me eficiencën e energjisë në sistemin e transmetimit. Përmes saj do të bëhet digjitalizimi i të gjithë sistemit të transmetimit, duke mundësuar automatizimin e proceseve që lidhen me ndërlidhjen e nënstacioneve dhe operimin energjetik”, u shpreh Karakaçi.

Një tjetër marrëveshje parashikon rehabilitimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, një prej veprave më të rëndësishme publike energjetike në vend. Sipas ministrit, ky projekt vijon bashkëpunimin e suksesshëm me qeverinë gjermane dhe KfW-në për modernizimin e hidrocentralit.

Marrëveshja e tretë lidhet me rehabilitimin, në kuadër të eficiencës së energjisë, të godinave të konvikteve në “Qytetin Studenti”. Projekti do të financohet me një grant prej 24 milionë eurosh nga qeveria gjermane përmes KfW-së dhe synon përmirësimin e kushteve të jetesës për studentët, si dhe uljen e konsumit energjetik.

“Janë projekte që shkojnë në të mirën publike, për studentët, për një jetë më të mirë dhe një proces më të mirë të të nxënit, por edhe për kursimin energjetik, pasi të gjitha ambientet do të jenë me eficiencë energjie”, deklaroi Karakaçi.

Ministri falënderoi qeverinë gjermane dhe KfW-në për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen për projekte me interes publik në Shqipëri.

Nga ana e tij, ambasadori gjerman Karl Bergner shprehu mbështetjen e qeverisë gjermane për zhvillimin e investimeve me ndikim në ekonominë e vendit. Ai falënderoi qeverinë shqiptare për bashkëpunimin dhe vlerësoi rëndësinë e investimeve të përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë.

Ndahet nga jeta bashkëshorti i Elda Hotit/ Deputetja: Do të na mungosh gjithë jetën

By: A R
3 August 2026 at 11:15

Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka ndarë me ndjekësit lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të bashkëshortit të saj, Ladi Ndoja.

Përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, ajo i ka dhënë lamtumirën partnerit të jetës me fjalë që pasqyrojnë dhimbjen e madhe të humbjes.humbjes.

“U prehsh në paqe, i miri i zemrës time! Ladi im, shpirti im. Do na mungosh gjithë jetën”, shkruan Hoti, duke e shoqëruar mesazhin me fotografi familjare.
Familjarët e tjerë kanë bërë me dije se shkak i ndarjes nga jeta të Ndojës ishtë një atak kardiak. Lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Ladi Ndojës ka ngjallur reagime të shumta ngushëllimi nga kolegë, miq dhe qytetarë, të cilët kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen për deputeten dhe familjen e saj në këtë moment të vështirë.

Të shtëna në jahtin luksoz në Palasë, policia shoqëron pronarin e “Globus Travel”

By: A R
3 August 2026 at 09:38

Policia ka ndaluar jahtin nga i cili dyshohet se janë qëlluar të shtëna me armë zjarri në ajër mbrëmjen e së dielës, në det përballë Palasës. Sipas informacioneve paraprake, në bord ndodhej edhe pronari i agjencisë “Globus Travel”, i cili është shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rolin e secilit prej personave të pranishëm në mjetin lundrues.

Burime bëjnë me dije se jahti u ndoq fillimisht nga Policia Kufitare në det. Gjatë tentativës për t’u larguar, mjeti lundrues dyshohet se ka fikur dritat e kabinës me synimin për të humbur gjurmët dhe për t’iu shmangur ndjekjes.

Në operacion u angazhuan edhe efektivët e forcës speciale “Delta”, të cilët bënë të mundur ndalimin e jahtit pranë plazhit të Livadhit. Më pas, mjeti u shoqërua drejt molit të Porto Palermos, ku po kryhen të gjitha veprimet procedurale.

Personat që ndodheshin në bord pritet të merren në pyetje nga grupi hetimor. Deri në këtë fazë, autoritetet po verifikojnë rrethanat e ngjarjes dhe dyshimet për përdorimin e armës së zjarrit, ndërsa nuk është bërë ende e ditur nëse do të ngrihen akuza ndaj ndonjë prej të shoqëruarve.

Të shtëna me armë zjarri nga një jaht në Palasë! Autoritetet në ndjekje të mjetit lundrues (Detajet)

By: A R
2 August 2026 at 23:04

Një ngjarje e pazakontë ka alarmuar forcat e rendit mbrëmjen e sotme në jug të vendit. Rreth orës 21:00, shërbimet e policisë janë njoftuar se nga një jaht në det, përballë zonës së Palasës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në ajër.

Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare janë ngritur me urgjencë në këmbë dhe i janë vënë në ndjekje mjetit lundrues në hapësirën detare.

Për të vendosur nën kontroll të gjithë perimetrin e sigurisë, janë njoftuar menjëherë edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë si dhe ato të Stacionit të Policisë Dhërmi, të cilat kanë nisur kontrolle me patrulla nga toka përgjatë të gjithë vijës bregdetare.

Aktualisht po vijon operacioni detar për ndalimin e jahtit, me qëllim verifikimin e plotë të informacionit, identifikimin e personave në bord dhe dokumentimin e ngjarjes.

Mbyllja e garës për prokuror të përgjithshëm, nis verifikimi i kandidaturave nga KLP

By: A R
2 August 2026 at 22:17

Nga mbyllja e garës për prokuror të përgjithshëm gjatë ditës së kaluar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka 45 ditë që të verifikojë kandidaturat e pretendentëve që kanë shprehur interes, duke dorëzuar dokumentet dhe jetëshkrimin pranë qeverisë së akuzës.

Data 1 gusht deri në mesnatë ishte afati i fundit për konkurrentët që synojnë të marrin drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme për shtatë vitet në vijim dhe nga kjo e diel nis numërimi i afatit për KLP dhe komisionin përgjegjës të emërimeve që të shqyrtojë dokumentacionin.

Teksa në rrugë elektronike, por edhe fizikisht, deri në datën 1 gusht dorëzuan jetëshkrimin dhe shprehën interes katër prokurorë, mes tyre prokurori i SPAK, Adnan Xholi, prokurorja e kryeqytetit Rovena Zoto dhe prokurorët Ylli Pjetërnikaj dhe Fatjona Memçaj, pritet që të konfirmohet nëse kandidatë të tjerë e kanë përcjellë apo jo dosjen personale me postë në momentet e fundit.

Mes emrave të përfolur ka qenë edhe ai i ish-prokurores së përgjithshme të përkohshme, zonjës Arta Marku, por edhe emri i ish-prokurores së Krimeve të Rënda, zonjës Pranvera Pustina, për të cilat do të vërtetohet të hënën nëse kanë shfrytëzuar postën gjatë orëve të fundit.

Teksa njerëzit e drejtësisë kanë nisur pushimet, komisioni i karrierës duhet t’u përcjellë brenda gushtit institucioneve si ILDKPI kërkesa për verifikim pasurie, si edhe organeve të administratës tatimore dhe doganore, Byrosë Kombëtare të Hetimit, shërbimeve shtetërore informative, Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe çdo organi disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e punës së kandidatit.

Vetëm pasi të përfundojë ky vetting ndaj kandidatëve, vendoset që pretendentët që plotësojnë kushtet të thirren në seancë dëgjimore.

Gara për prokuror të përgjithshëm u hap nga KLP, pasi në muajin dhjetor i përfundon mandati prokurorit të përgjithshëm, z. Olsian Çela.

“Turp, turp!”/ Debati për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër, banorët në protestë: I kemi të freskëta plagët

By: A R
2 August 2026 at 22:13

Një grup qytetarësh protestuan këtë të diel në qendër të Shkodrës, duke shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë, por edhe kundërshtimin për krijimin e një konsullate serbe në qytet.

Protestuesit marshuan në rrugët e Shkodrës me pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa gjatë fjalimeve deklaruan se hapja e një konsullate serbe në Shkodër është e papranueshme.

Sipas tyre, qyteti nuk ka asnjë lidhje historike, ekonomike apo diplomatike që të justifikojë praninë e një konsullate serbe. Ata argumentuan gjithashtu se kjo është e papranueshme edhe për shkak të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se mijëra shqiptarë u vranë dhe u masakruan gjatë konfliktit.

“Duan të hapin një konsullatë serbe në Shkodër. Turp, turp. Serbia nuk është as shtet i BE-së, as ndonjë shtet lider në Evropë. Ne i kemi të freskëta plagët dhe varret masive. Kemi vuajtur shumë, shtegtimin, dëbimin e një populli të tër“, u shpreh një nga protestuesit.

Protestuesit kërkuan që autoritetet të rishqyrtojnë këtë vendim dhe të mos lejojnë hapjen e konsullatës në Shkodër.

Gjatë protestës u hodhën gjithashtu thirrje kundër qeverisë, ndërsa manifestimi u zhvillua pa incidente.

❌