Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 February 2026FaxWeb

Rihapet për qarkullim aksi Librazhd-Qafë Thanë

By: Fax Web
1 February 2026 at 18:50

Pas rreth 7 orësh, akaksrrugor Librazhd-Qafë Thanë është zhbllokuar dhe ka rinisur qarkullimi i automjeteve.

Që prej orës 11:00, lëvizja në të dy krahët e rrugës ishte ndalur për shkak të rrëshqitjes së një masivi dheu e gurësh në Kthesën e Dragostunjës.

Puna e ekskavatorëve dhe fadromës përfundoi me pastrimin e gurëve dhe dheut në rrugë duke e bërë aksin të kalueshëm në dy krahët.

Megjithatë qarkullimi është tepër i rënduar për shkak të thyerjes së rregullave nga padurimi i drejtuesve të mjeteve që futen në parakalime apo vendosen keq në rrugë.

Autoriteti Rrugor thotë se po kryhet menaxhimi i trafikut, ndërsa kërkon bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve për mbarëvajtjen e qarkullimit.

“Aksi Elbasan–Qafë Thanë u hap për qarkullimin e mjeteve. Policia Rrugore së bashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar po bëjnë menaxhimin e trafikut. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe respektimin e udhëzimeve të autoriteteve për mbarëvajtjen e qarkullimit”, thuhet në njoftim.

GOLAT/ Penallti në minutën e 100-të, Real Madrid vuan për fitoren e rradhës

By: Fax Web
1 February 2026 at 16:29

Real Madrid regjistroi fitoren e gjashtë radhazi në La Liga, pasi mposhti me vështirësi të mëdha skuadrën e Rayo Vallecano, me rezultatin 2-1.

Madrilenët, iu falën një goli të shënuar nga Kylian Mappe në minutën e 100-të me penallti, për të marrë 3 pikë të rëndësishme.

Skuadra e drejtuar nga Alvaro Arbeloa, e nisi ndeshjen shumë mirë, duke kaluar në avantazh në minutën e 15-të me Vinicius Junior.

Në startin e pjesës së dytë, miqtë barazuan shifrat me De Frutos, pas një asisti nga Garcia.

Kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim, skuadra vendase shënoi dhe golin që vulosi takimin.

Në minutën e 10-të shtesë, Mbappe shënoi me penallti, për t’i dhënë fitoren skuadrës së tij.

Me këtë fitore, Reali mban vendin e dytë me 54 pikë, vetëm një pikë më pak se Barcelona kryesuese. Rayo Vallecano renditet në vendin e 17-të me 22 pikë.

VIDEO/ “Për portalet e qeverisë, kjo është e vërteta”, Berisha reagon për “ndërprerjen” e fjalës në Strasbourg

By: Fax Web
1 February 2026 at 16:12

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ndarë një video në rrjetet sociale përmes së cilës kërkon të sqarojë atë çfarë ndodhi në Strasbourg, gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në videon e publikuar, tregohet se ndërprerja e fjalës e supozuar është automatike dhe zbatohet njësoj për të gjithë folësit, pasi koha e përcaktuar për secilin është dy minuta.

“Për portalet e qeverisë, kjo është e vërteta”, shkruan mbi video kreu i PD.

“Fjala në Strasburg për diskutantët është gjithnjë dy minuta dhe ajo ndërpritet automatikisht. E vërteta është se unë e dija këtë, isha i vetëdijshëm dhe natyrisht që pjesën më pikante ia kisha rezervuar Ramës që në minutën e parë, kurse në minutën e fundit unë e dija se ajo ndërpritet, por unë vazhdova se kamera funksionon pavarësisht se zëri shuhet. Mua më interesonte kamera dhe kërkova qeverinë teknike”, do të shprehej Berisha ditën e djeshme në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.

LEXO EDHEBerishës i fiket mikrofoni në Strasbourg, Balla nxjerr VIDEO-n: Është mësuar në foltoren e Kuvendit

A ia vlen të blesh një apartament për ta dhënë me qira?

By: Fax Web
1 February 2026 at 16:02

Vitet e fundit është shtuar numri i individëve që po investojnë në blerjen e pasurive të paluajtshme.

Të dhënat e sakta mungojnë, por agjencitë real estate vlerësojnë që 10-15% e blerjeve bëhen për qëllime investimi.

Pronën mund ta japësh me qira, ose të presësh të rritet çmimi e ta rishesësh sërish.

Rritja e shpejtë e çmimeve të apartamenteve vitet e fundit, ndërsa qiratë mbeten të ulëta, po e bën gjithnjë e më të paleverdishëm blerjen me synimin për ta dhënë me qira.

 

Stela Dhami e “Colliers International” thotë se nuk ka asnjë leverdi që të blesh një apartament si mjet investimi për të marrë qira në kryeqytet.

“Ndonëse varet nga zona, kthimi është shumë i ngadaltë dhe nga 15 vjet është rritur në mbi 17 vjet, për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve të blerjeve të apartamenteve”.

Kjo periudhë konsiderohet shumë e lartë, teksa mesatarja për të vlerësuar të leverdishëm këtë lloj investimi është 10 – 12 vjet. Ajo shton se i vetmi investimi që ia vlen është rishitja.

Në Tiranë, çmimi mesatar i apartamenteve ka arritur në rreth 2 mijë euro, sipas Key Data Albania dhe Deloitte, pra një apartament prej 90 metra katror kushton rreth 180 mijë euro.

Nëse këtë apartament e jep me qira ditore fiton mesatarisht 750 euro në muaj bruto dhe nëse e jep mujore, fitimi është pak a shumë në të njëjtat nivele, ndonëse varet nga zona. Në këto nivele, kthimi bruto është rreth 20 vjet.

Për apartamentet në zona më qendrore, qiraja shkon dhe 1000 euro në muaj, por çmimi i blerjes rritet mesatarisht në 2500 – 3000 euro në muaj, apo 225 mijë – 270 mijë euro, duke pasur një kthim bruto midis 19 – 23 viteve.

Znj. Dhami shton se e vetmja zonë ku ndoshta është me leverdi investimi për ta dhënë me qira, është bregdeti, nëse arrin të blesh një apartament të lirë, pasi çmimet e qirave janë më të shtrenjta.

Në Vlorë, çmimi më i lirë për blerje është 1300 euro/m² në Orikum, në 3500 në vijën e parë të qytetit. Qiraja më e shtrenjtë ditore sipas AirDNA është 80-85 euro në qershor – gusht, e më pas zbret në 50 – 60 euro.

Në Durrës, në zonën e Golemit, çmimet në vijën e parë kanë arritur deri në 2000 euro/m² dhe 900 – 1300 euro/m² në vijën e dytë, sipas të dhënave të agjencive të pasurive të paluajtshme të bregdetit.

Në Golem, sipas AirDNA, qiraja më e lartë ditore arrin në 80 euro në qershor – gusht e më pas luhatet në 40 – 70 euro.

Në Vlorë p.sh., nëse blen një apartament 90 metra katror me një çmim 2000 euro për metër katror, fitimi mesatar mujor nga qiraja, sipas Airbnb është rreth 1120 euro, që nënkupton një kthim prej rreth 13 vitesh, duke iu afruar skenarit që më në fund ka kuptim ekonomik.

Në Golem, ku apartamentet janë më lirë sesa në Vlorë, nëse blen një apartament 90 metra me 1500 euro për metër katror, fitimi mujor sipas Airbnb është 1026 euro. Në këtë rast, leverdia është dhe më e lartë, me një kthim bruto prej 10-11 vitesh.

Në Shëngjin, për një apartament 90 metra, me një çmim prej 1500 euro dhe të ardhura neto nga qiraja prej 805 eurosh në muaj, kthimi është për rreth 13-14 vjet./Monitor

Tensionet SHBA-Iran/ Trump: Diskutime serioze, e kuptojnë se çfarë i pret

By: Fax Web
1 February 2026 at 15:55

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se Irani është në “diskutime serioze” me SHBA-në pas shtimit të vazhdueshëm të forcave ushtarake amerikane në Gjirin Persik.

Ai është shprehur se shpreson që negociatat me Iranin do të çojnë në diçka “të pranueshme”, pasi tensionet midis dy vendeve mbeten të larta.

Zyrtari më i lartë i sigurisë i Iranit, Ali Larijani, ka thënë gjithashtu se “një kornizë për negociata po përparon dhe se mund të jetë gati shumë shpejt”, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Trump ka kërcënuar të ndërhyjë në Iran për shkak të ambicieve të tij bërthamore dhe pas shtypjes vdekjeprurëse të protestave antiqeveritare. Irani ka reaguar duke thënë se do të përgjigjet “menjëherë dhe fuqishëm” ndaj çdo agresioni nga toka ose deti.

Pritet që Irani të fillojë një stërvitje detare dy-ditore me armë zjarri në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë dhe një rrugë kyçe për furnizimin me energji.

Rreth 1/5 e naftës së tregtuar në botë kalon nëpër këtë hapësirë ujore, e cila është rreth 33 km e gjerë në pikën e saj më të ngushtë midis Iranit dhe Omanit.

Të dielën, Kryetari i Kuvendit të Iranit deklaroi se Republika Islamike tashmë i konsideron të gjitha ushtritë e Bashkimit Evropian si organizata terroriste. Deklarata erdhi si reagim pasi BE-ja e shpalli Gardën Revolucionare paramilitare të Iranit organizatë terroriste, pas shtypjes së përgjakshme të protestave mbarëkombëtare.

LEXO EDHEIrani kërcënon me luftë rajonale nëse sulmohet nga SHBA

Temperatura deri në -32°C/ 87 viktima nga moti i acartë në SHBA

By: Fax Web
1 February 2026 at 15:48

Stuhitë e dëborës kanë goditur bregun lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Teksasi në Nju Xhersi.

87 persona humbën jetën në Virxhinia, ndërkohë që temperaturat kanë rënë deri – 32 gradë.

Shkaqet e vdekjes përfshijnë hipoterminë, helmimin nga monoksidi i karbonit, si dhe aksidentet rrugore. Stuhi dëbore përfshinë edhe Juglindjen e vendit, si dhe pjesën më të madhe të Bregut Lindor, duke lënë dhjetëra mijëra shtëpi dhe biznese pa energji elektrike.

Meteorologët paralajmërojnë reshje dëbore me trashësi disa centimetra, si dhe temperatura nën zero.

Priten reshje të dendura dëbore në Karolinën e Jugut dhe të Veriut, Virxhinia dhe Xhorxhian verilindore.

Në Karolinën e Veriut mbeten në fuqi paralajmërimet për stuhi, ndërkohë që u raportuan më shumë se 200 aksidente rrugore.

Më shumë se 174 mijë shtëpi dhe biznese, kryesisht në Misisipi dhe Tenesi, kanë mbetur pa energji elektrike për ditë me rradhë.

Më shumë se 41 mijë njerëz mbetën pa energji elektrike në Nashville, ndërsa guvernatori i Tenesit, Bill Lee, iu kërkoi banorëve që të prisnin një afat të qartë për rikthimin e energjisë elektrike.

Bora shkaktoi ndërprerje të mëdha të trafikut ajror, me më shumë se 2 mijë 400 fluturime që u anuluan.

Në Nju Jork, për shkak të temperaturave të ulëta, kabllot e metrosë ranë duke dëmtuar makinat e parkuara, ndërkohë që ekipet e emergjencës po punojnë për të shkrirë borën.

Në Uashington, Garda Kombëtare është e angazhuar në heqjen e borës dhe akullit nga ndërtesat shkollore.

Në shtetet jugore, përfshirë Floridën, pritet të godasë një i ftohtë shumë i acartë, me temperaturat më të ulëta në dekada, ndërsa banorët përgatiten për mot edhe më të acartë.

Reshje shiu në të gjithë vendin dhe temperatura…/ Ja si nis java në Shqipëri

By: Fax Web
1 February 2026 at 15:01
Instituti i Gjeoshkencave bën me dije situatën meteorologjike për pasditen e sotme, 1 shkurt dhe për ditën e hënë, 2 shkurt 2026.
Sipas parashikimit, ditën e nesërme priten reshje të dobëta shiu në të gjithë vendin, ndërsa temperatura minimale, në vendet malore, do të regjistrojë deri në -1 °C.
Parashikimi i motit sipas IGJEO:
RESHJET
Sot pasdite (e diel, dt. 01) dhe nesër (e hënë, dt. 02) priten reshje të dobëta në të gjithë qarqet (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 1000 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
TEMPERATURA
Nesër (e hënë, dt. 02) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
– në bregdet: 7 / 12 °C
– në vendet e ulëta: 2 / 12 °C
– në vendet malore: -1 / 5 °C
ERA
Sot pasdite (e diel, dt. 01 dhe nesër (e hënë, dt. 02) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.

Në pritje të shortit të Nations League/ Shqipëria në vazon e parë të Ligës C, Kosova në Ligën B

By: Fax Web
1 February 2026 at 15:00

Në 12 shkurt do të hidhet shorti i edicionit të pestë të Nations League ku Kombëtarja shqiptare dhe ajo e Kosovës do të mësojnë fatet e tyre.

Kuqezinjtë, për shkak se në edicionin e kaluar u renditën të fundit në Grupin e tyre në Ligën B të kompeticionit, zbritën një kategori më poshtë, pikërisht në Ligën C.

Në këtë ligë në momentin e shortit, skuadra e drejtuar nga Sylvinho do të jetë në vazon e parë duke qenë se është një prej skuadrave me koeficientin më të lartë në Ligën C.

Në këtë vazo, bashkë me kombëtaren tonë janë Islanda, Mali i Zi dhe Kazakistani.

Ndërsa në vazot e tjera te kësaj lige janë Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia, Bjellorusia, Ishujt Faroe, Qipro, Estonia, Moldavia, San Marino si dhe skuadrat fituese nga playoffi Letonia ose Gjibraltar dhe Luksemburg ose Malta.

Nga ana tjetër, Kosova është në Ligën B dhe është pozicionuar në vazon e katërt së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut, ndërsa skuadrat e tjera në Ligën B janë Skocia, Hungaria, Polonia, Izraeli, Zvicra, Bosnje Hercegovina, Austria, Ukraina, Sllovenia, Gjeorgjia, Irlanda dhe Rumania. procedura e Nations League parashikon që fitueset e Ligave ngjiten në kategori, pra shkojnë një Ligë më lart, ndërsa ato të vendeve të fundit zbresin një ligë më poshtë, po kështu ka edhe ndeshje playoffi për ligat C/D.

Edicioni i pestë i Nations League do të nisë dhe risia është që 4 sfidat e para do të zhvillohen në periudhën 24 shtator deri në 6 tetor, ndërsa dy sfidat e fundit do të luhen në 12-17 nëntor të 2026.

Në  25-30 mars të 2027 do të luhen ndeshjet çerekfinale të kompeticionit dhe ndeshjet e playoffit për rënien apo ngjitjen në kategori të Ligave A dhe B. në 23-28 mars do të luhen ndeshjet e Playoff të Ligave C e D.

Faza finale e edicionit të pestë të Nations League do të luhet në 9-13 qershor të 2027.

Irani kërcënon me luftë rajonale nëse sulmohet nga SHBA

By: Fax Web
1 February 2026 at 14:50

Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar se çdo sulm nga Shtetet e Bashkuara do të shkaktonte një konflikt rajonal, ndërsa Uashingtoni vazhdon të shtojë praninë ushtarake pranë Iranit.

“Amerikanët duhet ta dinë se nëse nisin luftë, këtë herë do të jetë një luftë rajonale”, është shprehur Khamenei, i cituar nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim, raporton BBC.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ndodhet në “diskutime serioze” dhe shpreson që ato të çojnë drejt një zgjidhjeje “të pranueshme”.
Edhe zyrtari më i lartë i sigurisë në Iran, Ali Larijani, tha se një kornizë për negociatat po ecën përpara.

 

Trump ka kërcënuar me ndërhyrje ndaj Iranit për shkak të ambicieve bërthamore dhe pas shtypjes së përgjakshme të protestave kundër qeverisë. Si pjesë e forcimit ushtarak, SHBA-të kanë dërguar aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln në rajon dhe Komanda Qendrore Amerikane njoftoi se ajo po operon në Detin Arabik.

“[Trump] flet vazhdimisht se ka sjellë anije… Populli iranian nuk do të frikësohet nga këto gjëra”, shtoi Khamenei.

Irani pritet të nisë të dielën një stërvitje dyditore detare me municion të vërtetë në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë dhe kyçe për furnizimin me energji. Rreth një e pesta e naftës së tregtuar globalisht kalon përmes kësaj ngushtice, e cila në pikën më të ngushtë është rreth 33 kilometra e gjerë, mes Iranit dhe Omanit. Irani ka kërcënuar më parë se do ta mbyllë ngushticën nëse sulmohet.

SHBA-të kanĽ paralajmëruar Iranin kundër çdo sjelljeje “të pasigurt dhe joprofesionale” pranë forcave amerikane në zonë. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, iu përgjigj duke thënë: “Ushtria amerikane tani po përpiqet të diktojë se si Forcat tona të Fuqishme të Armatosura duhet të zhvillojnë stërvitje në territorin e tyre”.

Tensioni u rrit edhe më shumë pas dy shpërthimeve të ndodhura të shtunën në Iran. Autoritetet lokale thanë se një shpërthim në qytetin portual jugor Bandar Abbas, ku humbi jetën një person dhe u plagosën 14 të tjerë, u shkaktua nga një rrjedhje gazi. Tasnim mohoi raportimet në rrjetet sociale se objektiv kishte qenë një komandant i marinës së Gardës Revolucionare.

Në qytetin Ahvaz, në jugperëndim të vendit, të paktën katër persona u vranë në një tjetër shpërthim, të cilin autoritetet lokale e atribuuan gjithashtu një rrjedhjeje gazi, sipas gazetës Tehran Times.

Të enjten, Trump tha se i kishte kërkuar Iranit dy gjëra për të shmangur veprimin ushtarak amerikan: “E para, pa armë bërthamore. Dhe e dyta, të ndalojë vrasjen e protestuesve.

Agjencia amerikane Human Rights Activists News Agency thotë se ka konfirmuar vrasjen e më shumë se 6 mijë e 300 personave që nga fillimi i trazirave në fund të dhjetorit dhe po heton edhe 17 mijë vdekje të tjera të raportuara. Një tjetër organizatë, Iran Human Rights me seli në Norvegji, ka paralajmëruar se numri përfundimtar i viktimave mund të kalojë 25 mijë.

Protestues kanë thënë për BBC-në se shtypja e dhunshme nga forcat e sigurisë ishte e paprecedentë. Në deklaratën e tij të dielën, Khamenei akuzoi protestuesit se kanë sulmuar policinë, Gardën Revolucionare Islamike dhe objekte të tjera, përfshirë banka dhe xhami. “Grushti i shtetit u shtyp”, citohet të ketë thënë ai nga Tasnim.

Makina bie në përrua në Mat, shpëton mrekullisht shoferi

By: Fax Web
1 February 2026 at 14:47

Një drejtues automjeti ka humbur kontrollin dhe ka rënë në përrua në aksin Mat-Shkopet.

Sipas policisë, shtetasi me iniciale K.K., duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke rënë në një përrua.

Shërbimet e Policisë Rrugore po kryejnë veprimet me drejtuesin e automjetit, i cili nuk ka pësuar lëndime, ndërkohë automjeti është nxjerrë nga vendi ku kishte rënë.

Njoftimi i Policisë:

Mat/Informacion paraprak

Më datë 01.02.2026, në aksin rrugor Mat–Shkopet, shtetasi K.K., duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke rënë në një përrua.

Shërbimet e Policisë Rrugore po kryejnë veprimet me drejtuesin e automjetit, i cili nuk ka pësuar lëndime, ndërkohë automjeti është nxjerrë nga vendi ku kishte rënë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.

VIDEO/ Carlos Alcaraz shkruan historinë, mund Djokovic në finalen e “Australian Open” dhe kompleton Grand Slam-in

By: Fax Web
1 February 2026 at 14:33

Carlos Alcaraz ka hyrë në historinë e tenisit botëror pasi fitoi titullin e “Australian Open”, duke mposhtur Novak Djokoviç në një finale spektakolare.

Me këtë triumf, spanjolli u bë lojtari më i ri në histori që kompleton Career Grand Slam, duke fituar katër turnetë e mëdhenj në tenis/

Në finalen e sotme, Alcaraz tregoi pjekuri dhe nivel të jashtëzakonshëm loje përballë legjendës serbe, duke përmbysur ndeshjen pas një seti të parë të humbur.

Rezultati përfundimtar ishte 2-6, 6-2, 6-3, 7-5, në favor të 22-vjeçarit.

Kjo fitore jo vetëm që shënon titullin e parë të Alcaraz në “Australian Open”, por gjithashtu shton në totalin e tij prej shtatë titujsh të mëdhenj, që përfshijnë dy tituj “Wimbledon”, “French Open” dhe “US Open”.

Udhëtimi i Djokovic drejt të qenit kampioni më i vjetër i “Grand Slam”-it përfundoi me këtë humbje.

Rivaliteti midis Alcaraz dhe Djokovic ka të ngjarë të sjellë më shumë emocione në turnetë e ardhshme, ndërsa të dy atletët vazhdojnë të gëzojnë një super-formë.

VIDEO/ “Luftë guerrile urbane”! Përleshjet në Torino, mbi 100 oficerë policie të plagosur

By: Fax Web
1 February 2026 at 14:12

Të paktën dy persona u arrestuan dhe u dërguan në burg ditën e djeshme në Torino, pas përleshjeve të dhunshme që shpërthyen gjatë një demonstratë pro-Askatasuna.

Ndërkohë, rreth dhjetë persona të tjerë u shoqëruan në komisariat për t’u marrë në pyetje nga autoritetet, raporton agjencia italiane e lajmeve “Ansa“.

Sipas raportimeve zyrtare, mbi 100 forca të rendit mbetën të plagosura gjatë përplasjeve. Mes tyre janë 96 efektivë policie, 7 nga Guardia di Finanza dhe 5 karabinierë.

Ngjarjet janë cilësuar nga mediat italiane si “luftë guerrile urbane”, ndërsa reagimet politike kanë qenë të ashpra. Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Brendshëm, Matteo Piantedosi. Ky i fundit deklaroi se “e majta po mbron autorët e dhunës”.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm Antonio Tajani i dënoi ashpër incidentet, ndërsa Matteo Salvini i quajti protestuesit e dhunshëm “kriminelë”.

Kryeministrja Giorgia Meloni vizitoi mëngjesin e sotëm Spitalin “Le Molinette” në Torino, ku po trajtohet një oficer 29-vjeçar i njësisë mobile të Padovës, si dhe një tjetër punonjës i forcave të rendit. Vizita e saj zgjati rreth dhjetë minuta.

Në një postim në rrjetet sociale, Meloni bëri të ditur se ka thirrur një takim urgjent për mëngjesin e nesërm, për të diskutuar kërcënimet e fundit ndaj rendit publik dhe për të vlerësuar masa të reja sigurie.

Do të bëjmë gjithçka është e nevojshme për të rivendosur rendin në këtë vend”, shkroi kryeministrja, duke shprehur solidaritetin e saj me oficerët e plagosur “në emër të gjithë Italisë”.

Aksi Librazhd–Prrenjas i bllokuar, Alolli: Ky është “bilanci” i rrugëve të Ramës

By: Fax Web
1 February 2026 at 14:00

Shembja e gurëve masivë tek ‘Kthesa e Dragostunjës’ ka bllokuar paafat lëvizjen drejt juglindjes.

Aksi Librazhd-Qafë Thanë është e vetmja rrugë nacionale për të shkuar drejt Korçës e më tej drejt Maqedonisë së Veriut.

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike për qarkun Korçë, Ledina Alolli, e sipas saj ky është ‘bilanci’ i rrugëve të Edi Ramës.

Reagimi i deputetes së PD, Ledina Alolli:

Aksi kombëtar Librazhd–Prrenjas i bllokuar.

Një arterie jetike e Juglindjes e paralizuar nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni. Qytetarë të izoluar, jetë në rrezik.

Ky është bilanci i “rrugëve” të Edi Ramës dhe menaxhimit të dështuar të Belinda Ballukut.

Miliona euro beton, zero siguri, zero përgjegjësi.

LEXO EDHERrëshqitja e dherave dhe gurëve bllokon aksin Librazhd-Qafë Thanë, policia apel për shmangie të qarkullimit

Tentoi të kontrabandonte verë dhe pjesë këmbimi, arrestohet 37-vjeçari në Durrës

By: Fax Web
1 February 2026 at 13:48

Policia Kufitare e Portit të Durrësit ka goditur një rast të kontrabandës së mallrave, duke vënë në pranga një 37-vjeçar nga Tirana. Gjatë një kontrolli të imtësishëm në kamionin që drejtonte shtetasi me iniciale J. T., efektivët zbuluan një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara që po tentoheshin të futeshin në Shqipëri.

Mallrat ishin fshehur brenda mjetit dhe për to nuk kishte asnjë faturë origjine apo deklaratë importi. Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 360 shishe verë, pjesë të ndryshme këmbimi për automjete të përdorura, kamionin si dhe aparatin celular të drejtuesit.

Sipas autoriteteve, operacioni u bazua në analizën e riskut dhe informacionet e siguruara në rrugë operative. 37-vjeçari dyshohet se ka tentuar qëllimisht t’u shmangej detyrimeve doganore duke mos deklaruar mallrat.

Njoftimi:

PKK Port, Durrës

Vijojnë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në kufi.

Tentoi të kontrabandonte mallra duke i fshehur në kamionin që drejtonte; vihet në pranga një 37-vjeçar.

Sekuestrohen pije alkoolike dhe pjesë të ndryshme këmbimi automjetesh të përdorura, të gjitha të padeklaruara.

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të ushtruara në hyrje-dalje nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port, Durrës, të bazuara në informacione policore dhe në analizën e riskut, u arrestua në flagrancë shtetasi J. T., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehura në kamionin që drejtonte qindra shishe me verë dhe pjesë të ndryshme këmbimi automjetesh, pa faturë origjine dhe pa deklaratë importi.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka tentuar t’i shmanget kontrollit doganor dhe kufitar, duke mos deklaruar sasinë e mallrave para autoriteteve doganore dhe kufitare.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

  • 360 shishe verë,
  • pjesë të ndryshme këmbimi automjetesh të përdorura,
  • aparati celular dhe kamioni me të cilin po transportoheshin mallrat e padeklaruara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Vendimi i KLGJ për ndihmësit ligjorë në gjykata, Lamallari: Hap pozitiv për uljen e stokut të dosjeve

By: Fax Web
1 February 2026 at 13:45

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka përshëndetur vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e 41 vendeve vakante për ndihmës ligjorë në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, duke e cilësuar atë si një lajm të mirë dhe një hap konkret në funksion të përmirësimit të sistemit të drejtësisë.

Sipas Lamallarit, ky vendim i shërben drejtpërdrejt uljes së stokut të dosjeve dhe përshpejtimit të procesit të dhënies së drejtësisë, një nga problematikat më të ndjeshme me të cilat përballet sot sistemi gjyqësor në vend.

Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e 41 vendeve vakante për ndihmës ligjorë në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, është një lajm i mirë. Një hap konkret që i shërben drejtpërdrejt uljes së stokut të dosjeve dhe përshpejtimit të dhënies së drejtësisë. E shtrova nevojën e kësaj ndërhyrjeje edhe në takimin e së hënës për nisjen e vitit të ri gjyqësor. Shtimi i kapaciteteve dhe forcimi i burimeve njerëzore në sistemin tonë të drejtësisë nuk është thjesht një masë administrative, por një zgjedhje politike në funksion të qytetarëve, për një drejtësi më efikase, më të shpejtë dhe më të besueshme. Sigurisht edhe me standarde të panegociueshme demokratike njësoj si në vendet e Bashkimit Evropian”, thotë në deklaratën e tij ministri i drejtësisë.

E bujshme nga Spanja/ Reali mund të nxjerrë në shitje Bellingham, do ta zëvendësojë me yllin e Manchester United

By: Fax Web
1 February 2026 at 13:29

Real Madrid po përgatit një plan të bujshëm për merkaton e verës, me synimin për të riorganizuar mesfushën dhe për të përmirësuar situatën financiare të klubit.

Sipas medias spanjolle, “Fichajes“, “Los Blancos” po shqyrtojnë mundësinë e afrimit të Bruno Fernandes nga Manchester United, ndërsa në të njëjtën kohë mund të nxjerrin në shitje Jude Bellingham.

Bruno Fernandes, i cili mbush 32 vjeç në shtator dhe ka vetëm një vit të mbetur në kontratë, mund të transferohet drejt Madridit për një shifër relativisht të ulët, që varion nga 35 deri në 43 milionë paund.

Ndërkohë, Bellingham, vetëm 22 vjeç, pritet të shitet për një shumë me nëntë shifra, çka do t’i sillte Real Madridit fitim të konsiderueshëm financiar nga ky operacion.

Një lëvizje kaq e bujshme dhe do të ndryshonte ndjeshëm strukturën e mesfushës madrilene.

“Drejt Ballkanit më pak të eksploruar”/ Media spanjolle: Për ata që duan “arratisje” më të lira dhe pak të mbipopulluara

By: Fax Web
1 February 2026 at 13:22

Përballë ngopjes së destinacioneve klasike evropiane, media spanjolle “El País” rekomandon Shqipërinë për turistët që kërkojnë pushime më të lira dhe ku nuk ka turizëm masiv.

Përballë turizmit masiv në destinacionet klasike evropiane, vende si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria po fitojnë terren në mesin e turistëve që kërkojnë pushime më të lira dhe më pak të populluara.

Kështu shkruan në një artikull të sajin e përditshmja spanjolle “El Pais”.

Vendet e Ballkanit vazhdojnë të thyejnë rekordin me numrin e lartë të turistëve. Më shumë se 1.1 miliardë turistë udhëtuan në vendet ballkanike midis janarit dhe shtatorit 2025, sipas raportit të fundit të Barometrit Botëror të Turizmit, të kryer nga OKB-ja.

Mes vendeve ballkanike, Shqipëria rekomandohet si destinacioni i parë për të shijuar një udhëtim gjatë vitit 2026.

E njohur si Toka e Shqiponjave, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më popullore. Nuk është çudi që në vitin 2025 ajo priti mbi 12 milionë turistë, një shifër pothuajse pesë herë më e madhe se popullsia e saj.

Tirana i bashkohet listës së kryeqyteteve evropiane më të vizituara nga turistët, pjesërisht falë aeroportit që ndodhet aty. Turistët mund të bëjnë një shëtitje nëpër Sheshin Skënderbej, sheshin kryesor të qytetit, të vizitojnë Xhaminë Et’hem Beu, Muzeun Kombëtar ose Bibliotekën Kombëtare.

Shqipëria gjithashtu krenohet me thesare arkeologjike si Parku Arkeologjik i Butrintit dhe qytete të bukura historike si Berati dhe Gjirokastra. Nëse jeni duke kërkuar një vend të izoluar, Thethi është porta hyrëse për në Alpet Shqiptare dhe fshatin e bukur të Valbonës.

Sipas artikullit, një numër më i madh turistësh tërhiqen nga Riviera Shqiptare, falë plazheve të saj magjepsëse. Riviera Shqiptare shtrihet midis Vlorës dhe Sarandës në detin Jon, me ujëra kristal të pastër, bukuri natyrore dhe çmime të arsyeshme. Vendet kryesore përfshijnë Ksamilin, Gjirin e Dafinës dhe Syrin e Kaltër.

VIDEO/ Rrëshqitje dherash dhe gurësh, aksi Librazhd-Qafë Thanë mbetet i bllokuar

By: Fax Web
1 February 2026 at 14:23

Rruga Librazhd-Qafë Thanë është bllokuar në të dyja drejtimet. Shkak është bërë një rrëshqitje e masivit të dheut dhe e gurëve nga mali në vendin e quajtur Dragostunjë.

Siç duket edhe nga pamjet, rruga është bllokuar tërësisht.

“Shërbimet e Policisë  Rrugore ndodhen në këtë zonë dhe po bashkëpunojnë me firmën kontraktore të  mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin në një kohë sa më të shpejtë të aksit rrugor me qëllim fillimin e lëvizjes së automjeteve”, njoftoi policia.

Uniformat blu i bëjnë thirrje qytetarëve që duan të shkojnë drejt Korçës ose anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës.

“Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë që duan të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës“, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.

Vijon puna me mjete të rënda për rihapjen e segmentit rrugor.

“Kryhet nga klanet mafioze”/ Televizioni shtetëror: Tonelata me kanabis futen në Mal të Zi përmes Shqipërisë

By: Fax Web
1 February 2026 at 16:16

Nga RTCG

Pasi oficerët e policisë nga Qendra Rajonale e Policisë Kufitare “Centar”, në bashkëpunim me oficerët e Departamentit për Shtypjen e Krimit Ndërkufitar, parandaluan kontrabandën e më shumë se 100 kilogramëve marijuanë disa ditë më parë në fshatin Zbelj, Komuna e Tuzit, vëmendja u tërhoq përsëri për faktin se ekziston një numër i madh rrugësh të paligjshme nga Shqipëria fqinje në vendin tonë.

Gjatë aktiviteteve të intensifikuara dhe mbikëqyrjes së zonës më të gjerë të kufirit shtetëror, vumë re një automjet pasagjerësh që po lëvizte me shpejtësi të lartë. Automjeti u gjet më pas pa shofer në një vendndodhje në qytetin e Vranjit”, njoftoi Drejtoria e Policisë.

Një inspektim i detajuar zbuloi 95 pako të vogla PVC që përmbanin lëndë bimore të gjelbra, të ngjashme me marijuanën, me një peshë totale prej rreth 107 kilogramësh. Dyshohet se droga është kontrabanduar nga Republika e Shqipërisë. Dy vjet më parë, oficerët e policisë gjetën 57 kilogramë marijuanë në pjesën bregdetare të Liqenit të Shkodrës, në brigjet e kanalit të lumit Moraça, pranë stacionit hekurudhor Zeta.

Edhe atëherë, një bashkëbisedues i informuar mirë i Portalit RTCG kujtoi se midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, në atë zonë, ka disa kalime të paligjshme që janë pothuajse të panjohura për qytetarët e zakonshëm, por janë shumë të njohura për kontrabandistët dhe kontrabandistët e ndryshëm.

“Një nga këto rrugë të çon drejtpërdrejt përmes Liqenit të Shkodrës, nga fshati shqiptar i Zogajt deri në Mali Ostros”, thotë ky bashkëbisedues.

Sipas tij, rruga nga Bajza dhe Alaja, ose Shkodra, gjithashtu kalon përmes Liqenit të Shkodrës dhe përfundon në Golubovci.

“Mund të udhëtoni me makinë nga Shqipëria në Mal të Zi edhe nëpërmjet rrugës nga Zogaj-Valas, dhe përtej pikës kufitare nga Shqipëria në Tuz, ka një rrugë nga Shkodra nëpërmjet Kopilikut. Me siguri ka edhe disa kalime të tjera të paligjshme në këtë segment që vetëm kontrabandistët i dinë”, thotë bashkëbiseduesi i portalit tonë.

Portali RTCG ka shkruar më parë në detaje për të gjitha kalimet e paligjshme kufitare në territorin e Malit të Zi drejt fqinjëve të tij, veçanërisht drejt Shqipërisë.

Pranë Ulqinit, ekziston një rrugë ilegale nga qyteti shqiptar Velipoje që të çon në Donji Štoj.

“Kalimi kufitar i Sukobinit anashkalohet në qytetet shqiptare të Shasit dhe Dajcit. Këto janë dy kalime të paligjshme shumë të njohura. Nga Shqipëria, më në veri, mund të arrini në Guci nëpërmjet rrugëve të paligjshme në vetëm dy vende”, thotë burimi ynë.

Ka shumë më tepër rrugë të paligjshme në Mal të Zi drejt fqinjëve të saj, duke anashkaluar kalimet zyrtare kufitare, sesa ato që janë të regjistruara zyrtarisht, dhe ato janë shumë të vështira për t’u kontrolluar në çdo kohë, të cilat kontrabandistët dinë t’i përdorin.

Në dritën e informacionit dhe operacioneve të fundit policore, rrugët nga Shqipëria në Mal të Zi në rajonin e Liqenit të Shkodrës janë veçanërisht interesante dhe përdoren kryesisht për kontrabandën e marijuanës.

Shqipëria është njohur prej kohësh si një nga prodhuesit më të mëdhenj të marijuanës dhe skunkut në botë. Pavarësisht operacioneve policore të kryera në atë vend në fshatin Lazarat, është e qartë se ky prodhim është ende shumë i zhvilluar, dhe kanalet e kontrabandës për në Evropën Perëndimore shpesh çojnë direkt përmes Malit të Zi.

Nëse në një operacion në zonën e Tuzit u zbuluan 107 kilogramë marijuanë, e cila besohet se është importuar nga Shqipëria, lind pyetja – sa lëndë narkotike hyjnë atëherë në vendin tonë çdo ditë përmes këtyre rrugëve?

Shkalla e prodhimit dhe kontrabandës së drogës tregohet edhe nga të dhënat e publikuara më parë nga agjencia amerikane AP.

Sipas kësaj agjencie, fshati shqiptar i Lazaratit mban epitetin e një “fabrike marijuane” me një prodhim vjetor prej rreth 900 tonësh kanabis dhe “eksport” të lëndëve narkotike me një vlerë tregu prej katër miliardë e gjysmë eurosh të pabesueshme.

Sipas Kombeve të Bashkuara, vlera globale e tregtisë së paligjshme të marijuanës është 140 miliardë dollarë. Kontrabanda e skunk në Shqipëri kryhet kryesisht nga katër klane mafioze, dhe në dritën e të dhënave financiare mbi këto biznese, të cilat kanë përmasa industriale, është e qartë se edhe grupet kriminale malazeze gjejnë lehtësisht interesin e tyre.

Sa fitimprurëse është tregtia e kësaj droge në Ballkan, tregohet nga të dhënat se tregu i narkotikëve në Ballkan është përmbytur me “bar” shqiptar për dekada të tëra.

Marijuana e cilësisë më të lartë në Shqipëri kushton 2,000 euro për kilogram, dhe vetëm në tregjet e varfra të këtij rajoni, në Shkup, Podgoricë, Beograd, Sarajevë dhe Zagreb, ajo shitet për 5,000 euro për kilogram. Sipas disa të dhënave, mafia e drogës shet mbi 117 ton marihuanë shqiptare çdo vit vetëm në Ballkan.

VIDEO/ Dogji një dyqan dhe tentoi të digjte edhe një gomisteri, arrestohet 52-vjeçari në Mirditë (EMRI)

By: Fax Web
1 February 2026 at 12:34

Policia e Mirditës ka arrestuar një 52-vjeçar, i dyshuar si autor i zjarrvënies së qëllimshme në një dyqan me materiale të përdorura dhe tentativës për djegien e një gomisterie.

Ngjarja u regjistrua pas njoftimit se kishte rënë zjarr në një dyqan me materiale të përdorura, në pronësi të shtetasit Gj. D., si dhe se ishin djegur disa goma në gomisterinë e shtetasit Artan Vuka, me qëllim përhapjen e flakëve në të gjithë ambientin.

Pas marrjes së informacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të dy rasteve.

Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe profesional të strukturave të Policisë, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit Luan Vuka, alias Artan Vuka, 52 vjeç, banues në fshatin Ndërfushaz, Mirditë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Nga verifikimet rezulton se 52-vjeçari është person me precedent kriminal të mëparshëm, i dënuar më herët për dhunë në familje, goditje për shkak të detyrës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim prone, mbajtje pa leje të armëve të ftohta, si dhe për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të dy rasteve të zjarrvënies. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme“, njofton Policia.

❌
❌