Gjykata e Tiranës liron 19 protestuesit, PD: Prokuroria nuk solli asnjë provë, arrestimet e paligjshme
Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë 19 protestuesit e arrestuar pas protestës së 24 janarit.
Gjatë seancës së masës së sigurisë, prokuroria kërkoi “arrest me burg” për 5 persona, për 5 të tjerë u kërkua “arrest shtëpie” dhe për 9 të tjerë u kërkua “detyrim me paraqitje”.
Në fund të seancës, Gjykata e Tiranës caktoi masën “detyrim paraqitje”, duke lënë të lirë të 19 personat e arrestuar në mënyrë të paligjshme nga policia.
Deputeti Klevis Balliu i quajti akuzat shpifje, ndërsa deklaroi se, policia do të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj.
“Arrestimi i patolerueshëm, kriminal, terrorist, i një 10 vjeçari i cili u mor zvarrë nga 5 narkopolicë të Ilir Prodës, që është një turp për Policinë e Shtetit dhe gjithë shtetin, faktoi përfundimisht se këta të kapur nga frika që i ka pllakosur, nuk dinë më çfarë bëjnë aq sa shoqëruan dhe arrestuan edhe një njeri të vetin, që ishte pjesë e strukturave të PS-së. Sepse këta nën frikën e sovranit nuk shikojnë më nga sytë. I garantoj se për dhunën dhe gazin e hedhur në rrugët e Tiranës, ata do të mbajnë përgjegjësi direkte”, deklaroi Balliu.
Për avokaten Eda Grimci ‘nuk kishte asnjë provë speficike që faktonte veprimet penale’, për asnjërën prej tyre.
“Pasi u njohëm me dosjet, pamë që nuk kishte asnjë provë ndaj tyre. Bëhej fjalë për prova të marra nga pamje filmike, që nuk kishin lidhje me të arrestuarit. Por edhe kjo ishte vetëm për 5 raste, për 14 raste të tjera nuk kishte as pamje filmike, as foto, por kishte vetëm një raport shërbimi ku në një rast firmosin 4 oficerë policie dhe në një rast 7 vetë dhe këto konsideroheshin si provë. Por këto nuk mund të konsiderohen të tilla, pasi në një vendim të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut kundër Shqipërisë, ka saktësuar se masat nuk duhet të tejkalojë faktin dhe në asnjë rast nuk mund të konsiderohet e ligjshme, dhe nuk mund të kërkohet ‘arrest me burg’ kur nuk ka asnjë provë që fakton veprimin konkret. Bëhej fjalë për dyshime”, avokatja Edi Grimci në deklaratën para gjykatës.