Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026FaxWeb

Play-off-i Botërorit/ Çfarë po ndodh te kombëtarja dhe surprizat e Sylvinhios

By: Fax Web
22 January 2026 at 18:41

Sot shënohet zyrtarisht fillimi i fazës më kritike dhe emocionuese për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit.

Me sytë nga Botërori, udhëheqësit e kuqezinjtëve zbresin në terren për të nisur përgatitjet intensive për përballjen e parë dramatike të fazës “play-off”.

Ndeshja e 26 marsit në Varshavë ndaj Poloninë nuk është thjesht një sfidë radhe, por porta e parë drejt një arritjeje që do të thyente çdo rekord të mëparshëm të futbollit tonë kombëtar, duke na dërguar për herë të parë në elitën e futbollit botëror.

Stafi teknik në inspektim tredimensional mes Varshavës, Valencias dhe Stokholmit

Puna e Federatës dhe stafit teknik ka nisur shumë përpara grumbullimit të lojtarëve. Një grup specialistësh të afërt me trajnerin janë nisur tashmë drejt Polonisë për të piketuar çdo detaj logjistik, duke filluar nga cilësia e fushave stërvitore e deri te privatësia e hoteleve. Ky operacion nuk ndalet me kaq, pasi stafi do të vizitojë menjëherë më pas Valencian për të parë mundësitë e akomodimit në rast të një përballjeje me Ukrainën, si dhe Stokholmin, për të qenë gati në çdo skenar që na dërgon drejt finales së play-off-it kundër Suedisë, duke mos lënë asgjë në dorë të rastësisë.

Rikthimi i madh i Ernest Muçit dhe shifrat e tij premtuese

Lajmi që po qarkullon me forcë në korridoret e grumbullimit në Tiranë është rikthimi i mundshëm i Ernest Muçit pas një mungese që zgjaste prej muajsh. Sulmuesi po e detyron stafin teknik t’i besojë sërish falë një forme spektakolare në kampionatin turk, ku ka regjistruar gola vendimtarë dhe një rritje të dukshme në volum loje. Muçi vjen si një “forcë e re” pas një mungese prej më shumë se 6 muajsh në listën zyrtare, duke sjellë me vete aftësinë për të shënuar nga distanca dhe për të krijuar epërsi numerike, elemente që do të jenë jetike përballë mbrojtjes fizike polake.

Mesazhi i qartë i trajnerit dhe mobilizimi i grupit

Në prag të këtij grumbullimi, trajneri është shprehur i bindur se skuadra ka arritur pjekurinë e duhur për të përballuar presione të tilla. Ai ka theksuar se këto katër ditë në Tiranë do të shërbejnë për të saktësuar detajet taktike që bëjnë diferencën në ndeshje teke “jetë a vdekje”. Strategu kuqezi e cilëson Poloninë si një kundërshtar që kërkon disiplinë të hekurt, ndërsa ka lënë të kuptohet se shpirti i sakrificës që karakterizoi ekipin në rrugëtimin evropian duhet të jetë sërish në fushë.

Analiza e kundërshtarit të parë dhe makthi i quajtur Poloni

Polonia mbetet një nga “kockat më të forta” për Shqipërinë, me një histori përballjesh që anon ndjeshëm nga ana e tyre. Në 15 takime të luajtura përgjatë historisë, kuqezinjtë kanë arritur të triumfojnë vetëm në 2 raste, ndërsa kanë pësuar 10 humbje dhe kanë marrë 3 barazime. Megjithatë, fitorja jonë e fundit 2-0 në eliminatoret e kaluara ka ndryshuar mentalitetin e grupit, duke treguar se diferencat teknike tashmë janë minimizuar dhe Varshava nuk është më një territor i pamposhtshëm, pavarësisht forcës goditëse të polakëve në shtëpinë e tyre.

Rruga drejt finales dhe hija e Ukrainës apo Suedisë

Nëse Shqipëria kalon pengesën polake, rrugëtimi vështirësohet akoma më shumë. Me Ukrainën, statistikat tona janë historikisht negative, duke kërkuar ende fitoren e parë zyrtare pas disa tentativave ku kemi qenë shumë pranë por kemi pësuar në fund. Nga ana tjetër, Suedia përfaqëson një shkollë tjetër futbolli, me të cilën kemi pasur përballje më të balancuara por gjithmonë sfiduese në aspektin fizik. Logjistika e parakohshme në Valencia dhe Stokholm tregon se Shqipëria nuk po shkon në këtë play-off thjesht si pjesëmarrëse, por si një pretendente që ka studiuar çdo skenar të mundshëm.

Më pak se katër ditët e zjarrit në Tiranë, përpara fluturimit vendimtar

Koha është armiku më i madh në këtë grumbullim, pasi lojtarët do të kenë në dispozicion vetëm 96 orë për t’u shkrirë me idetë taktike përpara nisjes për në Poloni. Ky afat i shkurtër kohor kërkon një përqendrim maksimal dhe një gjendje optimale fizike nga të gjithë lojtarët e ftuar. Gjithçka është projektuar që brenda kësaj jave, skuadra të rigjejë atë magji që e bëri krenar kombin, me shpresën e madhe se ky mars, do të mbetet i shkruar me shkronja ari në historinë e sportit shqiptar si muaji i kthesës së madhe drejt majave të botës.

Groenlanda, zv.presidenti i SHBA: Mbrojtja jonë raketore varet nga kontrolli i Arktikut

By: Fax Web
22 January 2026 at 18:32

Shtetet e Bashkuara synojnë të vazhdojnë përpjekjet për të siguruar akses dhe kontroll mbi Groenlandën, duke përmendur arsye sigurie kombëtare, tha zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance, duke e lidhur drejtpërdrejt çështjen me mbrojtjen nga raketat dhe rëndësinë strategjike të Arktikut.

Vance tha se Uashingtoni “do të vazhdojë të përpiqet të sigurojë kontroll mbi këtë masë tokësore”, duke iu referuar Groenlandës, gjatë fjalimit të tij mbi negociatat për aksesin e SHBA-së në ishull.

Deklarata e Vance erdhi në përgjigje të pyetjes së një gazetari se si e kupton ai kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme që do të prekë Groenlandën.

Edhe pse nuk iu përgjigj drejtpërdrejt detajeve të një marrëveshjeje të mundshme , zëvendëspresidenti amerikan këmbënguli në rëndësinë strategjike dhe mbrojtëse të rajonit për sigurinë kombëtare amerikane.

“Do të na duhet kontrolli i Arktikut për të qenë në gjendje të rrëzojmë një raketë. I gjithë sistemi ynë i mbrojtjes nga raketat varet nga kjo siguri e Arktikut”, tha Vance, duke theksuar se vendndodhja gjeografike e Groenlandës konsiderohet kritike për zbulimin në kohë dhe reagimin ndaj kërcënimeve me raketa.

Duke iu referuar kornizës së negociatave, Vance vuri në dukje se “negociatat me NATO-n po përparojnë mirë”, pa dhënë, megjithatë, detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen ose kohën e bisedimeve.

Raporti sugjeron që çështja e Groenlandës po diskutohet gjithashtu në kontekstin e bashkëpunimit më të gjerë transatlantik dhe planifikimit të mbrojtjes kolektive.

Kush lexon libra, përfiton ulje dënimi

By: Fax Web
22 January 2026 at 18:26

Avokatët e ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro kanë gjetur një mënyrë për të tentuar uljen e dënimit të tij prej 27 vitesh burg, të dhënë vitin e kaluar për komplotimin e një grushti shteti përmes leximit të librave, një mekanizëm i parashikuar nga ligji brazilian.

Sipas këtij ligji, të burgosurit mund të përfitojnë ulje dënimi prej katër ditësh për çdo libër të lexuar, me kusht që ta vërtetojnë leximin përmes raporteve me shkrim.

Një gjyqtar i Gjykatës Supreme autorizoi Bolsonaron të marrë pjesë në këtë skemë, pas kërkesës së ekipit të tij ligjor.

Megjithatë, iniciativa ka ngjallur reagime, pasi Bolsonaro nuk është njohur kurrë si lexues i rregullt dhe ka pranuar më herët se nuk kishte lexuar libra prej vitesh.

Lista e miratuar e leximit përfshin vepra mbi demokracinë, të drejtat e indigjenëve, racizmin, mjedisin dhe krimet e diktaturës ushtarake të viteve 1964–1985, një regjim që ish-presidenti e ka mbështetur publikisht.

Mes titujve janë, libri ilustrues “Demokracia”, i Philip Bunting, si dhe vepra klasike si “Lufta dhe Paqja” dhe “Don Kishoti”.

Bolsonaro ndodhet aktualisht në një burg të sigurisë së lartë.

Për të përfituar nga ulja e dënimit, ai duhet të dëshmojë se ka lexuar realisht librat e përfshirë në program.

“Prani e bakterit cereulide”/ AKU tërheq nga tregu dhe bllokon të gjithë sasinë e produktit për asgjësim

By: Fax Web
22 January 2026 at 18:15

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar tërheqjen nga tregu të formulës së qumështit të foshnjeve “NAN 1 OPTIPRO” 800 g.

Në njoftimin e AKU-së bëhet e ditur se ky vendim u mor pas zbulimit të pranisë së bakterit cereulide në këtë produkt në subjektin prodhues në Holandë.

“Referuar njoftimit të subjektit importues në Shqipëri, mbi tërheqjen nga tregu të lotit të formulës për foshnjë “NAN 1 OPTIPRO” 800g, njoftim ky i bërë nga kompania prodhuese Nestle si masë parandaluese pas zbulimit të pranisë së bakterit cereulide në këtë produkt në subjektin prodhues në Holandë, bëjmë me dije: Të dhëna përkatëse të produktit NAN 1 OPTIPRO 800 g, L 51230346AE, 30/05/2027”, njofton AKU.

Pas kryerjes së kontrolleve dhe ndjekjes së gjurmueshmërisë AKU ka bllokuar të gjithë sasinë në gjendje të produktit dhe atë të kthyer nga tregu me destinacion asgjësimin e tij ose kthimin në vendin e origjinës.

Gjithashtu, AKU informon se nga verifikimet në terren është konstatuar se është kryer afishimi i njoftimit për konsumatorin në supermarketet ku është tregtuar ky produkt.

Aksident tragjik në Itali, humb jetën 20-vjeçari shqiptar

By: Fax Web
22 January 2026 at 17:52

Një 20-vjeçar shqiptar humbi tragjikisht jetën në mëngjesin e sotëm, 22 janar, në një aksident në Itali.

Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi në komunën e Revellos, në provincën e Cuneos.

I riu shqiptar udhëtonte me një makinë Audi, kur u përplas “kokë më kokë” me një kamion. 20-vjeçari me inicialet K.G., i cili jetonte në Saluzzo, gjeti vdekjen e menjëhershme.

Për nxjerrjen e tij nga makina u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse.

Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

VIDEO/ Kryeministri çek viral në rrjet! Glob 617 euro për të mësuar ku ndodhet Groenlanda

By: Fax Web
22 January 2026 at 17:46

Kryeministri i Çekisë, Andrej Babis, është bërë viral në mediat sociale pasi njoftoi se kishte blerë një glob të shtrenjtë për 617 euro, vetëm për të parë se ku ndodhet Groenlanda.

Përveç kësaj, ai postoi një video në Facebook ku e krahasoi globin me hartat “e sheshta” që ai pretendon se shtrembërojnë realitetin gjeografik.

“Në këtë glob të bukur mund të shohim madhësinë reale të Groenlandës krahasuar me SHBA-në dhe Evropën. Dhe Rusia është afër, dhe nëse do të kishte një konflikt, Zoti na ruajt, raketa nuk do të duhej të shkonte larg”, shtoi ai.

Kjo deklaratë nxiti reagime të shumta në mediat sociale, ku përdoruesit e tallën Babisin për çmimin e globit, i cili ishte dhjetë herë më i lartë se çmimi i zakonshëm për objekte të tilla në Çeki. Një karikaturë në internet përshkruante situatën si një mashtrim, ku Babis u akuzua se kishte blerë globin një pensionisti naiv për një çmim të lartë.

Babis, 71 vjeç, u rikthye në pushtet në dhjetor, duke udhëhequr një qeveri koalicioni me partinë e tij ANO, Zërin e Shoferëve të krahut të djathtë dhe SPD-në e ekstremit të djathtë.

Votimi për “Bordin e Paqes”/ Balluku: Vendosmëri e përhershme për të qenë një aleat i vendosur dhe i palëkundur i SHBA-ve

By: Fax Web
22 January 2026 at 17:00

Zv.kryeministrja Belinda Balluku reagon pas kalimit në Parlament të projektligjit për aderimin e Shqipërisë në “Bordin e Paqes”.

Sipas Ballukut, ky votim vjen në një moment dinamik për gjeopolitikën, kur tensionet dhe kërcënimet kanë vënë në dyshim stabilitetin politik e social ndërkombëtarisht.

Numri dy i qeverisë shton se, Parlamenti Shqiptar shprehu vendosmërinë e përhershme për të qenë një aleat i vendosur dhe i palëkundur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Edi Rama do të përfaqësojë Shqipërinë në Bordin e Paqes, pas ftesës së Presidentit Trump, në një moment dinamik për gjeopolitikën, kur tensionet dhe kërcënimet kanë vënë në dyshim stabilitetin politik e social ndërkombëtarisht.

Qeveria Shqiptare pozicionohet qartë në anën e paqes, rendit dhe vlerave që garantojnë stabilitet dhe siguri.

Edhe një herë, Parlamenti Shqiptar shprehu vendosmërinë e përhershme për të qenë një aleat i vendosur dhe i palëkundur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkruan Balluku.

Parlamenti ka votuar këtë të enjte, me 110 vota pro projektligjin për aderimin e Shqipërisë në “Bordin e Paqes”, ku socialistë e demokratë u bashkuan, pavarësisht debateve dhe tensioneve që shoqëruan seancën plenare.

Sjellim ndërmend se Këshilli i Ministrave e miratoi të mërkurën projektligjin për aderimin e Shqipërisë në “Bordin e Paqes”.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më herët këtë muaj planet për krijimin e një “Bordi për Paqen” (Board of Peace) për të mbikëqyrur zbatimin e një plani 20-pikësh për Gazën, një iniciativë që synon të çojë drejt paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve. Por nuk do ndalet vetëm në këtë konflikt.

“Bordi i Paqes” u themelua zyrtarisht sot në Davos.

LEXO EDHEFirmosi krah Trump pjesëmarrjen në “Bordin e Paqes”/ Osmani: Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt

Aderimi në “Bordin e Paqes”/ Bardhi nxjerr foton: Rama nuk e votoi

By: Fax Web
22 January 2026 at 16:49

Kush beson vërtet te një marrëveshje dhe te arkitekti i saj, Presidenti Trump, nuk braktis votimin. Edi Rama e bëri. Ai nuk e votoi marrëveshjen”.

Kështu e nis reagimin e tij në rrjetet sociale kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, pak orë pasi Parlamenti miratoi aderimin e Shqipërisë në “Bordin e Paqes”.

Sipas Bardhit, Rama jo vetëm që nuk e sheh dot me sy Donald Trump, por i duhej vetëm skena politike për të mbuluar dështimin e tij spektakolar me mungesën në Davos.

Reagimi i plotë: 

Kush beson vërtet te një marrëveshje dhe te arkitekti i saj, Presidenti Trump, nuk braktis votimin. Edi Rama e bëri. Ai nuk e votoi marrëveshjen!

Iku nga seanca pa asnjë arsye shtetërore. Sepse Edi Rama jo vetëm që nuk e sheh dot me sy Donald Trump, por i duhej vetëm skena politike për të mbuluar dështimin e tij spektakolar me mungesën në Davos.

Rama e përdori marrëveshjen e Bordit të Paqes si skenë të urrejtjes politike kundër opozitës dhe si moment për të goditur dhe për tu dukur i fortë kundër SPAK-ut. U rreshtua si avokat i Erion Veliajt, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit, por jo si një shtetar i përgjegjshëm.

Ne ia dogjëm skemën perverse antiopozitë Edi Ramës. Ne e votuam me besim marrëveshjen dhe partneritetin me Presidentin e SHBA-së. Ai u zhduk nga Parlamenti pa votuar.

Vullneti i vërtetë politik matet me votë, jo me fjalime patetike! 🇺🇸🤝🇦🇱

FOTO/ Futbollistja më seksi në botë konfirmon romancën e re

By: Fax Web
22 January 2026 at 16:44

Montel McKenzie ka bërë zyrtare lidhjen e tij me Alisha Lehmann, e njohur gjerësisht si “futbollistja më seksi në botë”.

Ish-ylli i emisionit të ITV2, 28 vjeç, ka ndarë një dedikim emocionues për partneren e tij me rastin e ditëlindjes së 27-të të bukuroshes zvicerane, duke e konfirmuar kështu romancën e tyre në rrjetet sociale.

Postimi i McKenzie ka tërhequr menjëherë vëmendjen e fansave, të cilët kanë reaguar masivisht ndaj lidhjes së re mes yllit televiziv dhe futbollistes së njohur. Komentet kanë qenë të shumta, me ndjekës që shprehin surprizë, mbështetje dhe kuriozitet për çiftin e ri.

Alisha Lehmann është një nga figurat më të ndjekura në futbollin e femrave, ndërsa McKenzie, përveç famës televizive, është gjithashtu futbollist gjysmë-profesionist. Romanca e tyre duket se ka ndezur rrjetin dhe pritet të jetë një nga historitë më të komentuara të momentit në botën e showbiz-it dhe sportit.

Harta e pasurive të konfiskuara të krimit/ Lezha zbret nga “froni” Tiranën

By: Fax Web
22 January 2026 at 16:36

233 është numri i pasurive të konfiskuara të atyre shtetasve që kanë kryer vepra penale të trafikimit, korrupsionit apo krimit të organizuar, pasuri këto të cilat janë aktualisht në zotërim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK).

Vitin e kaluar ka pasur një numër më të ulët pasurish të konfiskuara se në 2024.

Gjithashtu, ndryshe nga viti 2024 ku shumica e pasurive ishin konfiskuar në Tiranë, duket se 2025 e ka ndryshuar hartën e konfiskimeve.

Sipas katalogut të publikuar nga AAPSK, Lezha rezulton të ketë shënuar një rekord prej 56 pronash që i kanë kaluar shtetit pas konfiskimit me vendim gjykate.

Ndërkohë, në vend të dytë renditet Durrësi me 40 pasuri të konfiskuara, Tirana me 33, Vlora me 30 (vetëm qyteti pa rrethinat, pra jo qarku i plotë) dhe Berati me 18.

Nga viti në vit, pasuritë e konfiskuara janë të shumëllojshme, duke nisur që nga ndërtesa, apartamente, godina banimi, truall, toka arë, dyqane veshjesh, biznese të tipit bar-kafe, garazhe, bilardo, fast food, pastiçeri dhe shumë të tjera.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara merr në dorëzim nga Policia e Shtetit dhe administron pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga grupet e krimit apo persona të tjerë.

Këto pasuri të cilat kalojnë në duart e shtetit, mund të nxirren nga ky i fundit në shitje përmes ankandeve ose të jepen me qira.

Po ashtu, një numër i konsiderueshëm pasurish jepet për dëmshpërblimin financiar të viktimave të veprave penale të krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore, mund t’i kalojnë institucioneve shtetërore për përdorim si zyra ose të jepen për ripërdorim social.

Nga ana tjetër, vlerat monetare të konfiskuara mund të depozitohen në llogari bankare ose të investohen në bono thesari, shkruan “Scan”.

VIDEO/ Përmbytjet në Athinë, dy të vdekur dhe dëme të mëdha materiale

By: Fax Web
22 January 2026 at 16:29

Rrugë të shkatërruara, makina të mbuluara nga balta dhe mbeturinat, si dhe banesa të përmbytura.

Kjo është panorama që lanë pas përmbytjet që përfshinë disa zona në Athinë.

Banorët u panë duke gërmuar për të nxjerrë automjetet e bllokuara dhe duke pastruar shtëpitë nga gurët, balta dhe uji.

“Erdhi si një lumë. Uji ishte rreth gjysmë metri i lartë dhe me vete solli mbeturina. I gjithë mali u shemb poshtë”, tha një banor.

Autoritetet lokale thanë se, pavarësisht masave mbrojtëse, uji shkaktoi shembje të rrugëve dhe dëme të mëdha materiale.

Sipas autoriteteve, në Glyfada do të shpallet gjendje emergjence dhe banorët janë thirrur të raportojnë dëmet për të kërkuar dëmshpërblim.

Bilanci është tragjik: një grua humbi jetën pasi u godit nga një makinë e marrë nga rrjedha e ujit, ndërsa një tjetër person u përmbyt nga dallgët në Peloponez.

Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar mbi 900 thirrje për ndihmë në Athinë.
Shkollat janë mbyllur dhe linjat detare janë pezulluar për shkak të kushteve të rënda atmosferike.

Një muaj larg fushave, ja cilat ndeshje do të humbasë Pedri

By: Fax Web
22 January 2026 at 16:11

Barcelona merr lajme të mira dhe të këqija nga gjendja fizike e Pedrit.

Testet mjekësore të kryera nga mesfushori përjashtuan këputjen e muskulit në bicepsin femoral të këmbës së djathtë, diçka që e ul ndjeshëm parashikimin për kohën e rikuperimit të tij.

Por nga ana tjetër, lajmi i keq është se Pedri do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për një muaj.

Në momentin e dëmtimit, te Barcelona u shfaq frika për një dëmtim më të rëndë, por alarmizmi me kalimin e orëve ra dhe në fund dëmtimi ishte më i lehtë nga sa u mendua në mometin e parë.

Barcelona në fund doli me komunikatë për shtyp ku konfirmon se Pedri do të qëndrojë për 1 muaj jashtë fushave të lojës.

Kjo do të thotë se mesfushori 23 vjeçar do të humbasë 6 ndeshje; 4 në La Liga ndaj Oviedos, Elches, Mallorca dhe Gironës, 1 në Champions League, atë me Copenhagen dhe 1 në Kupën e Mbretit me Albaceten.

Trabzonspor vendos për kartonin e Ernest Muçit

By: Fax Web
22 January 2026 at 15:59

Ernest Muçi do të transferohet zyrtarisht te Trabzonspor.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i skuadrës turke, Ertuğrul Doğan, i cili ka konfirmuar për mediat turke se klubi i tij do të blejë kartonin nga skuadra e Beșiktaș.

Performancat e shkëlqyera të sulmuesit të Kombëtares kanë bindur trajnerin Fatih Tekke dhe drejtuesit që të investojnë 10 milionë euro për të. “Lojtari na pëlqen shumë dhe do të paguajmë këstin e parë 2 milionë në muajin maj”, ka thënë mes të tjerash presidenti.

Por e ardhmja mund ta gjejë larg kampionatit turk sulmuesin kuqezi, pasi për të ka pasur oferta të shumta dhe Trabzonspor mund ta sakrifikojë për të shlyer të gjitha borxhet.

Muçi ka shënuar 10 gola në 18 ndeshjet e luajtura këtë sezon.

LEXO EDHEVIDEO/ “Njeriu i minutave të fundit”, Muçi në historinë e Trabzonspor: 10 gola në kampionat dhe kupë

Hakmarrja nuk ka përfunduar ende/ “The Sun”: 1.7 milion paund për vrasjen e biznesmenit në Shëngjin

By: Fax Web
22 January 2026 at 15:50

Vrasja e biznesmenit dhe politikanit lokal Ardian Nikulaj, i ekzekutuar me shtatë plumba në prill 2023 në Shëngjin, ishte pjesë e një zinxhiri të gjatë hakmarrjeje që, sipas gazetës britanike “The Sun”, nuk ka përfunduar ende.

Media shkruan se atentati brutal, i kryer nga një vrasës i maskuar si shpërndarës picash, lidhet me një hasmëri 30-vjeçare mes dy familjeve nga veriu i Shqipërisë, konflikt që ka marrë tetë jetë ndër vite.

“The Sun” raporton se për eliminimin e Ardian Nikulajt ishte vendosur një shpërblim prej 1.7 milionë paundësh, shumë që bëri që për herë të parë të rekrutohej një skuadër e huaj vrasësish nga Britania, pasi askush në Shqipëri nuk pranoi ta merrte kontratën.

Sipas hetimeve, atentati u planifikua me kujdes, me vëzhgim të vazhdueshëm të lëvizjeve të viktimës dhe përfshirjen e disa shtetasve britanikë, ndërsa ekzekutori u arratis jashtë vendit menjëherë pas krimit.

Familja e Ardian Nikulajt shpreh frikën se hakmarrja mund të vazhdojë, pasi vëllai i tij, Arben Nikulaj, është paralajmëruar se mbetet ende në shënjestër të armiqve.

E veja e viktimës, Rudina Nikulaj, i ka bërë thirrje autoriteteve britanike të lejojnë ekstradimin e të dyshuarve, duke theksuar se drejtësia është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund ciklit të përgjakshëm të hakmarrjes.

“Vrasjet duhet të ndalen – ka pasur mjaft. Ne kërkojmë drejtësi për Ardianin dhe i lutemi Britanisë së Madhe të bëjë gjënë e duhur dhe t’i dërgojë këta persona këtu për t’u përballur me drejtësinë. Por gjakderdhja duhet të marrë fund. Shumë fëmijë kanë mbetur pa baba”.

Si nisi hasmëria

Hasmëria nisi në vitin 1997, kur vëllai i Ardianit, Pëllumb Nikulaj, punonte si roje sigurie në një pikë karburanti dhe u përplas me familjen Lekstakaj.

Një i ri ishte larguar pa paguar pasi kishte mbushur makinën me karburant, ndaj Pëllumbi shkoi të fliste me të atin për të kërkuar pagesën. Disa orë më vonë, një grup prej shtatë personash, të armatosur me automatik, mbërriti në pikën e karburantit dhe vrau Pëllumb Nikulajn dhe pronarin e biznesit.

Gjatë dy viteve pasuese, pati edhe tre vrasje të tjera: dy anëtarë të familjes Lekstakaj dhe një person i armatosur nga e njëjta familje, pasi ai kishte ngritur pritë ndaj xhaxhait të Pëllumbit, Nikoll Nikulaj.

Vrasja

Pas kësaj, hasmëria mbeti e heshtur për 24 vjet, derisa shpërtheu sërish në një ditë me diell në prill të vitit 2023, në resortin bregdetar të Shëngjinit. Në orën 13:23, biznesmeni dhe politikani lokal Ardian Nikulaj, 51 vjeç, u ul në një tavolinë në barin buzë detit që zotëronte, pranë hotelit Coral, të cilin e drejtonte bashkë me vëllain e tij Arbenin.

Pak sekonda pasi mori një telefonatë në celular, ai ngriti kokën dhe pa një person që dukej si korrier me motor duke hyrë në lokal. Teksa personi, i maskuar me një maskë kirurgjikale, iu afrua tavolinës së Ardianit, futi dorën në xhepin e djathtë të pantallonave dhe nxori një armë zjarri.

Duke iu afruar gjithnjë e më shumë me çdo të shtënë, ai qëlloi shtatë herë, duke e goditur biznesmenin e pambrojtur, i cili u shemb i pajetë mbi karrige. Vrasësi doli me vrap nga lokali dhe hipi në motorin që e kishte lënë të ndezur aty pranë. Më pas u drejtua nga jugu, kaloi kufirin grek dhe, sipas policisë, u arratis drejt Marokut për t’u fshehur.

Të akuzuarit

Policia beson se pamjet e kamerave tregojnë Ruben Saraiva, shtetas portugez që kishte jetuar për vite me radhë në Britani, duke u larguar nga vendi i krimit me motor. Hetuesit arritën të sigurojnë ekstradimin e Saraivës pasi e gjurmuan në Marok, dhe ai tashmë do të përballet me gjyq në Shqipëri për vrasje.

Një tjetër i dyshuar është britaniku Harry Simpson, 34 vjeç, një trafikant droge i dënuar më parë nga jugu i Londrës.

I dyshuari si organizator i atentatit është Edmond Haxhia, 40 vjeç, britaniko-shqiptar nga Birminghami, kushëri i vëllezërve të familjes që ndodhen në hasmëri me familjen e Ardian Nikulajt.

Pamjet e kamerave tregojnë gjithashtu Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt duke u regjistruar në hotelin e Ardianit. Ata akuzohen se kanë qenë pjesë e vëzhgimit të lëvizjeve të viktimës para vrasjes.

Firmosi krah Trump pjesëmarrjen në “Bordin e Paqes”/ Osmani: Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt

By: Fax Web
22 January 2026 at 15:47

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte prezentë në Davos, ku u mbajt ceremonia e nënshkrimit të Bordit të Paqes.

Ulur krah Presidentit Donald Trump, Vjosa Osmani firmosi për pjesëmarrjen e Kosovës në Bord.

Ndërkohë, në një postim të fundit në rrjetet sociale, Osmani shkruan ndër të tjera se, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës.

Postimi i Vjosa Osmanit:

Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt!

Sot, në Davos, në emër të Republikës së Kosovës, kam nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit.

Faleminderit Presidentit Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik.

Kosova do të jetë në shërbim te paqes, sot e përherë!

5 lojtarët më të paguar në Premier League për këtë sezon

By: Fax Web
22 January 2026 at 15:32

Premier League mbetet ka mpionati më fitimprurës sa i takon futbollit botëror, për shkak të parave që qarkullojnë nga të drejtat televizive dhe pronarët e pasur që zotërojnë klubet aty.

Liga elitare e futbollit në Angli, gjithmonë është një hap përpara kampionateve të tjerë evropianë, duke tërhequr trajnerë dhe futbollistë me nivel të lartë. Mirëpo nuk mbeten pas edhe shpenzimet sa i takojnë pagave të lojtarëve, që vijnë duke u rritur nga viti në vit.

5 lojtarët më të paguar në Premier League për këtë sezon

5. RAHEEM STERLING (CHELSEA)– 325.000 STERLINA NË JAVË

Raheem Sterling, vërtet nuk ka asnjë minutë aktivizimi këtë kampionat me Chelsea-n, por rrallëherë ka pasur mungesë kontratash fitimprurëse, që nga vitet e tij plot trofe te City, deri tani Chelsea edhe pse është jashtë planeve. Blutë nga Londra nxituan t’i ofronin një pagë të majme, aq sa tani Sterling është një nga lojtarët më të paguar, edhe pse nuk luan.

4.CASEMIRO (MAN. UNITED) – 350.000 STERLINA NË JAVË

Braziliani kaloi te United, në vitin 2022, si një fitues prej disa triumfeve të Ligës së Kampionëve me Real Madridin. Mund të thuhet se në muajt e para e justifikoi pagën prej 350 000 sterlinash në javë, me një lidership në mesfushën e “Djajve të Kuq”. Por ka pasur problem me vazhdimësinë, përderisa paraqitjet nisën të jenë me oshilacione. Kështu, me kontratën e tij që skadon në vitin 2026 dhe pagat ndër më të lartat në ‘Old Trafford’, rinovimi duket në diskutim.

3. VIRGIL VAN DIJK (LIVERPOOL) – 350.000 STERLINA NË JAVË

Edhe një herë tjetër, mbrojtësi holadnez është konfirmuar si njëri prej atyre liderve të mbrojtjes që vlerësohet së tepërmi nga Liverpool, përkundër ecurisë me luhatje të skuadrës. Rrallë herë ndodh që qendërmbrojtësit rrallë marrin paga të krahasueshme me kolehët e tyre sulmues. Mirëpo ja që paga javore prej 350 000 sterlinash nga ana e 34-vjeçarit Van Dijk, tregon më së miri statusin e tij si futbollist i niveli të lartë.

2. MOHAMMED SALAH (LIVERPOOL) – 400.000 STERLINA NË JAVË

Mohammed Salah ishte udhëheqësi kryesor në sukseset e Liverpoolit për vite të tëra me radhë, përmes realizimit të golave, shërbimit të asisteve, apo edhe fitimit të trofeve dhe momenteve të panumërta vendimtare. Rinovimi dyvjeçar i nënshkruar në prill 2025, i garantoi egjiptianit një rrogë javore prej 400.000 sterlinash, aq sa u shpërblye edhe me një sezon 2024/25, ku erdhi një titull i jashtëzakonshëm.

1. ERLING HAALAND (MAN.CITY) – 525.000 STERLINA NË JAVË

E kush mund të ishte tjetër në krye, përveç atij që e ka kthyer golin në profesion thuajse të përditshëm: Erling Haaland. Paga e tij u rrit nga 375 mijë, ne plot 525 mijë stërlina në javë, si për të konfirmuar rëndësinë eksponenciale në rritje që ka ai te skuadra e Guardiolas. Jo më kot, norvegjezi qendron në krye të klasifikimit të pagave në Premier League pas një marrëveshje afatgjatë me City-n.

“Bordi i Paqes”/ Nga Erdogan te Netanyahu. Pse tha “po” Putin?

By: Fax Web
22 January 2026 at 15:19

Nga La Repubblica

Edhe pse Donald Trump e quan “këshillin më prestigjioz ndonjëherë” dhe deklaron se “të gjithë duan të bëjnë pjesë”, Bordi i Paqes që sipas presidentit amerikan duhet të trajtojë krizat globale, duke nisur nga Gaza, nuk ka nisur funksionimin real.

Pjesëmarrja është kryesisht nga vende që shumica e komunitetit ndërkombëtar i konsideron jo demokratike, madje autoritare.

Mes tyre janë Egjipti, Turqia e Recep Tayyip Erdogan, Arabia Saudite e Mohammed bin Salman, Emiratet e Bashkuara Arabe me Mohammed bin Zayed, si dhe Jordania, Indonezia, Pakistani dhe Katari. Po ashtu, vende si Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Hungaria, Kazakistani, Kosova, Maroku, Uzbekistani dhe Vietnami kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Pjesëmarrja më befasuese është ajo e aleatit të ngushtë të Trump, Benjamin Netanyahu. Kryeministri izraelit ditët e fundit ishte kundër Bordit dhe Komitetit Ekzekutiv që do të mbikëqyrë armëpushimin dhe rindërtimin e Gazës, duke i konsideruar Turqinë dhe Katarin si armiq. Megjithatë, Netanyahu ndryshoi qëndrim, ndoshta nën presion amerikan. Ai nuk mund të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Davos, pasi është i kërkuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës dhe do të arrestohej nëse zbarkonte në Zvicër.

Një problem i ngjashëm është ai i Vladimir Putin. Rusia mbetet e paqartë mbi pjesëmarrjen, por presidenti rus njoftoi se është gati të japë një miliard dollarë nga asetet e ngrira në favor të Bordit. Një prej të parëve që pranoi ishte Bjellorusia e diktatorit Aleksander Lukashenko. Nga vendet e mëdha jo demokratike mbeten të pasigurt India e Narendra Modit dhe Kina e Xi Jinping.

Megjithatë, mbeten shumë paqartësi: Nuk dihet saktësisht numri i vendeve të ftuara (50–60 nga 193 anëtarë të OKB-së), sa prej tyre e kanë pranuar ftesën (18–30), dhe kush do të paguajë miliardin e dollarëve për një vend të përhershëm. Shumica e vendeve perëndimore janë skeptike: Franca, Norvegjia, Suedia dhe praktikisht Italia e Giorgia Melonit kanë refuzuar; të tjera nuk kanë dhënë përgjigje zyrtare, si Britania.

Çështja do të diskutohet sot në Këshillin Evropian të jashtëzakonshëm për “zhvillimet e fundit në marrëdhëniet transatlantike dhe implikimet për BE-në”.

“Koha e mbledhjes, njëkohësisht me ceremoninë amerikane, tregon se është e vështirë që më shumë europianë të bashkohen me Edi Ramën dhe Viktor Orbán në këtë fazë të parë”.

Ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira, vihen në pranga tre kolumbiane në Tiranë

By: Fax Web
22 January 2026 at 14:24

Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Network”, duke goditur disa raste të ushtrimit të prostitucionit në kryeqytet.

Në kuadër të operacionit u vunë në pranga tre shtetase kolumbiane dhe një shtetas spanjoll, ndërsa dy shtetase shqiptare u proceduan penalisht.

Në pranga u arrestuan shtetaset kolumbiane M. L., 21 vjeçe, V. Y., 25 vjeçe dhe L. D., 35 vjeçe, të cilat dyshohet se ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira në rrugën “Ibrahim Rugova”. Po ashtu, u arrestua shtetasi spanjoll J. D., 26 vjeç, i dyshuar për shfrytëzimin e këtyre shtetaseve për qëllime prostitucioni.

Gjithashtu, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, ku nisi procedimi penal ndaj shtetaseve shqiptare V. O., 34 vjeçe dhe S. Sh., 24 vjeçe, të cilat dyshohet se ushtronin prostitucion në dy apartamente të marra me qira, respektivisht në rrugët “Hoxha Tahsim” dhe “Myslym Shyri”.

Gjatë operacionit u sekuestruan shuma parash, të dyshuara si të përfituara nga prostitucioni, si dhe disa aparate celularë, të cilët do t’i shërbejnë hetimit.

Nën drejtimin e Prokurorisë, policia vijon punën për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këto veprimtari kriminale.

Ministri Salla prezanton Drejtoreshën e re të Përgjithshme të AKU: Siguria ushqimore, prioritet kombëtar

By: Fax Web
22 January 2026 at 14:13

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi sot Drejtoreshën e re të Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylameti, në një takim me ekipin drejtues të institucionit.

Gjatë prezantimit, Ministri Salla vuri theksin te rëndësia e drejtimit dhe menaxhimit efikas të institucionit, si dhe te roli kyç i sigurisë ushqimore në procesin e integrimit europian. “Ndamë me ekipin drejtues rëndësinë e menaxhimit efikas të punës dhe vëmendjen e shtuar ndaj sigurisë ushqimore, e cila mbetet një prioritet kombëtar dhe një shtyllë thelbësore e procesit tonë të integrimit në Bashkimin Evropian,” u shpreh ministri.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural theksoi se AKU do të vijojë të forcojë rolin e tij institucional në funksion të qytetarëve dhe biznesit. “AKU do të vijojë të forcojë besimin e publikut dhe rolin e tij kyç në garantimin e ushqimit të sigurt dhe cilësor, përmes kontrolleve të bazuara në risk dhe rritjes së profesionalizmit të inspektimeve, në shërbim të konsumatorëve dhe biznesit,” theksoi Salla.

Mbyllet seanca në Kushtetuese/ Pritet vendimi për padinë e kryeministrit

By: Fax Web
22 January 2026 at 13:56

TIRANË- Gjykata Kushtetuese zhvilloi këtë të enjte seancën e shqyrtimit të padisë së kryeministrit Rama pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së infrastrukturës, Belinda Balluku.

Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca kanë kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Posaçme, duke kërkuar shfuqizimin e saj dhe lënien në detyrë të Ballukut si ministre dhe zv.kryeministre.

Sipas përfaqësuesve të tyre, pushteti gjyqësor nuk mund të ndërhyjë tek ai ekzekutiv, dhe aq më tepër të pezullojë një ministër, që sipas tyre është de fakto një shkarkim, dhe shkarkimi ndodh vetëm me autorizim të Kuvendit.

Ndërsa vetë Gjykata e Posaçme nuk pranoi të përfaqësohet në këtë seancë. Të pranishëm ishin dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Drejtuesja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji pasi ftoi palët në proces dhe ato të interesuara të paraqesin konkluzionet tyre, njoftoi mbylljen e seancës, ndërsa pritet vendimin mbi padinë e kryeministrit.

“Deklarojmë mbylljen e shqyrtimit gjyqësor.  Trupi gjyqësor tërhiqet për vendim, data dhe ora do t’u komunikohet sipas parashikimeve ligjore” ,tha kryetarja e Gjykatës Kushtetues

❌
❌