Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026FaxWeb

Dëborë dhe dhe shira të ngrirë/ SHBA përgatitet për një nga stuhitë më të mëdha ndër dekada

By: Fax Web
23 January 2026 at 16:49

Më shumë se 172 milionë amerikanë pritet të përballen me një stuhi dimërore jashtëzakonisht brutale duke nisur nga sot, me parashikime për reshje të dendura dëbore dhe shira të ngrirë.

Stuhia pritet të përfshijë pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, duke lënë pas kushte “jashtëzakonisht të rrezikshme” ndërsa lëviz drejt lindjes nga High Plains dhe Rockies, tha Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS).

Ai paralajmëroi se shpërthimi i Arktikut do të sjellë temperatura nën zero dhe erëra të ftohta, të cilat “paraqesin një rrezik kërcënues për jetën nga hipotermia dhe ngrirja e lëkurës së ekspozuar”.

Zyrtarët e transportit në SHBA, përfshirë autoritetet e aeroporteve në disa qytete të mëdha, kanë paralajmëruar për ndërprerje, vonesa dhe anulime të udhëtimeve gjatë fundjavës.

Raportimet në kohë reale:

Kryediplomati vizitë në Tiranë, ambasada gjermane bën publike detajet

By: Fax Web
23 January 2026 at 16:30

Ambasada Gjermane ka bërë publike detajet e vizitës së Ministrit të Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Gunther Krichbaum, i cili zhvilloi sot një sërë takimesh politike në Tiranë.

Ambasada thekson se në qendër të bisedimeve me përfaqësues të qeverisë, parlamentit dhe drejtësisë shqiptare ishte procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Postimi i plotë:

“Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Gunther Krichbaum zhvilloi biseda politike sot në Tiranë. Ai u takua me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, zv.Ministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi si dhe me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK Klodian Braho. Në fokus të bisedave të tij ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në mbyllje të bisedave Ministri i Shtetit Krichbaum u shpreh:

“Për shkak se ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së. Ne shohim potencialin tejet të madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE. Edhe për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua të zhvilloja biseda të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe drejtësinë.

Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për këtë qëllim lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave, si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese.”

Matura Shtetërore 2026, ja afati për plotësimin e formularëve A1 dhe A1Z

By: Fax Web
23 January 2026 at 16:21

Ministria e Arsimit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore ka miratuar periudhën e aplikimeve me formularët A1 dhe A1Z për Maturën Shtetërore dhe Maturën Shtetërore Profesionale 2026.

Sipas ministres, Mirela Kumbaro, “nxënësit duhet të përcaktojnë edhe lëndët me zgjedhje duke nisur nga data 2 -11 shkurt”.

“Ndërsa për maturantët e viteve të kaluara, të cilët duan të bëhen pjesë e Maturës Shtetërore 2026, shërbimi për formularët A1Z do të aktivizohet në datat 10–11 shkurt”, theksoi Kumbaro.

 

Ministrja Kumbaro i bëri apel maturantëve të ndjekin me vëmendje afatet dhe udhëzimet përkatëse.

 

Ministria e Arsimi sqaron hapat si duhet të aplikojnë maturantët: Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; Zgjidhni shërbimin “Matura Shtetërore”; klikoni butonin “Përdor”; zgjidhni llojin e formularit të aplikimit (maturantët duhet të zgjedhin A1, ndërsa kandidatët A1Z) dhe plotësoni të gjithë të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular; klikoni butonin “Dërgo” në fund të formularit.

Për aplikimin me A1/A1Z, përgjigjja merret pasi përfundon procesi me konfirmimin dhe printimin e formularit në shkollë.

Aplikimi me formularin A1/A1Z është i vlefshëm vetëm për Maturën Shtetërore të këtij viti shkollor, duke përfshirë edhe sesionin e dytë (të vjeshtës).

Bardhi takon ministrin gjerman për Europën: Integrimi, jo si justifikim për të mbuluar keqqeverisjen

By: Fax Web
23 January 2026 at 16:12

Kreu i Grupit Parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një takim këtë të premte me Ministrin gjerman për Europën në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Gunther Krischbaum.

Kreu i Grupit Parlamentar të opozitës bën të ditur se në fokus të bisedës ishte procesi i integrimit europian të Shqipërisë.

Gjatë takimit, Bardhi tha se “integrimi Europian i Shqipërisë duhet të jetë një proces që synon implementimin e standardeve europiane në vend, dhe jo të përdoret si justifikim për të mbuluar keqqeverisjen. Opozita mbështet plotësisht procesin e integrimit të bazuar në standarde dhe në meritë.”

Po ashtu ai theksoi se “mbetet jetike për Shqipërinë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeverisja e mirë në dobi të qytetarëve, lufta ndaj korrupsionit dhe lidhjeve të qeverisjes me krimin e organizuar, lejimi i organeve të drejtësisë të bëjnë me integritet dhe pavarësi punën e tyre në përputhje me parimet e shtetit ligjor, si dhe funksionimi demokratik i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit të Shqipërisë”.

Aksioni në Burgun e Elbasanit, Lamallari: Siguria në burgje, vija e kuqe

By: Fax Web
23 January 2026 at 16:07

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka reaguar pas operacionit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve në burgun e Elbasanit, ku u arrestuan tre persona për futje të lëndëve narkotike brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.

Lamallari përgëzoi SHKBB-në për goditjen e mekanizmit kriminal dhe theksoi se kontrollet do të intensifikohen në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend, pa asnjë tolerancë ndaj shkeljeve të ligjit.

“Përgëzoj operacionin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve në IEVP Elbasan për goditjen e një mekanizmi kriminal të futjes së drogës brenda burgut dhe vënien para drejtësisë të tre të dyshuarve,” u shpreh ministri Lamallari.

Ai theksoi se siguria në burgje është prioritet absolut dhe çdo tentativë për ta cenuar atë do të përballet me forcën e ligjit.

“Çdo përpjekje për të cënuar sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit do të marrë përgjigjen e merituar me të gjithë forcën e ligjit. Kontrollet nga SHKBB do të intensifikohen, verifikimet do të jenë të vazhdueshme dhe goditjet do të jenë pa tolerancë ndaj çdo shkeljeje të ligjit,” theksoi ai.

Ministri paralajmëroi gjithashtu se çdo punonjës i sistemit penitenciar që përfshihet në veprimtari kriminale do të përballet me drejtësinë.

“Çdo punonjës që tradhton detyrën dhe bëhet pjesë e skemave kriminale do të përfundojë përpara drejtësisë. Siguria në burgje është vijë e kuqe. Kush e kapërcen, merr vetëm një përgjigje: përballje me drejtësinë,” përfundoi Lamallari.

Pas një hetimi disa-mujor, SHKBB zbuloi një skemë të futjes së lëndëve narkotike në burgun e Elbasanit, e realizuar përmes bashkëpunimit mes një punonjësi burgu, një familjareje të një të paraburgosuri dhe vetë të paraburgosurit. Operacioni çoi në arrestimin e tre personave.

FOTO-EMRI/ Emigrantë të paligjshëm dhe drogë, 10 vjet burg për shqiptarin në Angli

By: Fax Web
23 January 2026 at 15:51

Një shqiptar është dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata e Kurorës në Winchester, pasi u gjet fajtor për organizimin e një rrjeti kriminal për të sjellë emigrantë shqiptarë në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe për trafikim të lëndëve narkotike.

Crown Prosecution Service raporton se 33-vjeçari Ibrahim Sollaku pranoi se kishte bashkëpunuar me individë të tjerë për të transportuar pesë emigrantë nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar në nëntor të vitit 2025.

Ai organizoi për një shofer taksie që të çonte emigrantët në një port belg, ku ata do të ngarkoheshin në një kamion për të kaluar në Kanalin e La Manshës. Pasi të arrinin në Mbretërinë e Bashkuar, një tjetër shofer taksie do t’i merrte dhe ata do të shpërndaheshin nëpër komunitet.

Në 5 nëntor, policia belge ndërhyri dhe arrestoi shoferin e taksisë dhe pesë emigrantët shqiptarë në qytetin e Bryzhit. Sollaku u arrestua po atë ditë në Mbretërinë e Bashkuar nga oficerët e Njësisë Rajonale të Krimeve të Organizuar në Jugperëndim.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së Sollakut, policia gjeti 105 gram kokainë të mbështjellë në plastmasë, si dhe 36 gram të tjera të shpërndara në 94 tube plastike. Po ashtu, u gjetën shënime të shkruara dhe shuma të parave që dyshohet se lidhen me trafikun e lëndëve narkotike.

Në seancën e tij të deklaratës në dhjetor, Sollaku pranoi se kishte në posedim drogë klasë A me qëllim shpërndarjen.

Anja Hohmeyer, përfaqësuese e Prokurorisë së Kurorës, tha: “Ibrahim Sollaku luajti një rol kryesor në këtë komplot kriminal për të sjellë njerëz nga Shqipëria në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Ky është një operacion i suksesshëm i përbashkët mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Belgjikës për të prishur rrjetet ndërkombëtare të trafikimit të njerëzve.”

Drejtori i Krimeve të Organizuar në Jugperëndim, Adam Smith, theksoi: “Sollaku është një kriminel me lidhje, duke u përfshirë në krime të organizuara si trafiku i emigrantëve dhe shpërndarja e drogës. Ai nuk shqetësohej për rrezikun dhe dëmin që këto vepra shkaktojnë por vetëm për fitimet e tij.”

Sherr me armë dhe shkop bejsbolli/ Dy kushërinjtë mbledhin shokët dhe tentojnë të vrasin të riun në Kukës

By: Fax Web
23 January 2026 at 15:42

Një sherr ka ndodhur mesditën e kësaj të premteje në një lokal në qytetin e Kukësit.

Sipas policisë, dy kushërinj, së bashku me 3 shtetas të tjerë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me shkop bejsbolli dhe kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin S. I.

Shtetasi S. I. është dëmtuar si pasojë e goditjeve me shkop bejsbolli dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Është ngritur menjëherë grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë Kukës, po vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për kapjen e autorëve dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.

Dhunuan oficeren në hyrje të komisariatit, arrestohen dy gra në Tiranë

By: Fax Web
23 January 2026 at 15:37

Dy gra janë arrestuar këtë të premte pas një incidenti që ka ndodhur në hyrje të Komisariatit Nr.3 në kryeqytet.

Mësohet se 38-vjeçarja me inicialet M.A dhe 29-vjeçarja me inicialet R.A, kanë goditur një oficere policie në hyrje të ambienteve të komisariatit.

Sipas një njoftimi nga ana e Policisë së kryeqytetit, dyshohet se dy gratë e qëlluan oficeren për motive që lidhen me detyrën e saj.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasit:

-M. A., 38 vjeçe dhe R. A., 29 vjeçe, pasi dyshohet se në hyrje të ambienteve të Komisariatit, kanë goditur për shkak të detyrës, një oficere policie;”, thuhet në njoftimin e uniformave blu.

Kush përjashtohet nga taksat e mjeteve të përdorura?

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:37

Ministria e Financave ka miratuar një udhëzim të ri që sjell ndryshime të rëndësishme në zbatimin e taksave kombëtare, duke prekur si mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave nga taksat, ashtu edhe rregullat për pagesën e taksës së automjeteve të përdorura.

Referuar udhëzimit të botuar në Fletoren Zyrtare dhe tashmë në fuqi, një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me pikën 3 të udhëzimit, ku përcaktohen rastet kur nuk paguhet taksa e automjeteve të përdorura.

Sipas rregullave të reja, nga pagesa e taksës së automjeteve të përdorura përjashtohen automjetet e bllokuara ose të sekuestruara të lëna në ruajtje me vendim të gjykatës, të prokurorisë, për periudhën në të cilën mjeti ose dokumentacioni i mjetit ka qenë i bllokuar; Automjetet e vjedhura ose të humbura dhe automjetet e shkatërruara nga aksidentet, kur kjo vërtetohet nga organet e prokurorisë.

Pra ndryshe nga më parë, tashmë përjashtim nga taksat do të kenë edhe ata qytetarë të cilëve u është bllokuar vetëm dokumentacioni i mjeteve.

Sipas udhëzimit, përjashtohen nga pagimi i taksës së përvitshme dhe të regjistrimit fillestar të mjeteve luksoze pagesat e taksës së mjeteve të bllokuara ose të lëna në ruajtje me vendim të gjykatës, të prokurorisë, për periudhën në të cilën mjeti ose dokumentacioni i mjetit ka qenë i bllokuar dhe pagesat e taksës së mjeteve të vjedhura, të djegura, të shkatërruara nga aksidentet, të vërtetuara nga organet e prokurorisë.

Udhëzimi ndryshon edhe mënyrën e rishpërndarjes së të ardhurave që mblidhen nga kjo taksë tek pushteti vendor.

Konkretisht, nga shuma mujore e arkëtimeve nga Taksa e Mjeteve të Përdorura, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, pasi mban komisionin në masën 5 % të totalit mujor të arkëtimeve, derdh diferencën e mbetur prej 95 % në llogarinë bankare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), brenda datës 15 të muajit pasardhës.

DPSHTRR-ja i dërgon Ministrisë së Financave informacion mbi vlerën takuese për t’u shpërndarë sipas njësive të vetëqeverisjes vendore (25% e 95% të totalit mujor të arkëtimeve nga kjo taksë, brenda datës 15 të muajit pasardhës.

Ministria e Financave do t’i dërgojë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vlerën takuese për t’u shpërndarë sipas bashkive. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve transferon vlerën takuese të të ardhurave për njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe pjesa tjetër mbetet në buxhetin e shtetit.

DPSHTRR-ja llogarit dhe transferon në llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve shumën e të ardhurave nga taksa e mbledhur prej 95%, pasi zbresin vlerën e komisionit prej 5% që ata përfitojnë.

Në udhëzimin e mëparshëm ishte detyrë e DPSHTRR që të llogariste dhe transferonte për llogari të njësive të qeverisjes vendore shumën e të ardhurave që ju takojnë këtyre njësive nga taksa e mbledhur, përgjegjësi që tashmë i kalon tërësisht administratës tatimore.

Ky mekanizëm synon një ndarje më të qartë dhe më transparente të të ardhurave ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor.

Këto ndryshime synojnë të rrisin transparencën fiskale; të forcojnë bashkëpunimin me pushtetin vendor; dhe të lehtësojnë barrën financiare për qytetarët në raste kur mjeti nuk mund të përdoret për arsye ligjore.

Sulmuesi shqiptar transferohet te klubi që synon Premier League-n

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:34

Anis Mehmeti është zyrtarisht lojtar i Ipswich Town në Angli, shkruan BBC.

Sot janë mryer vizitat mjekësore, për të ardhur më pas zyrtarizimi i transferimit.

Kontrata e firmosur me klubin e Championship është e vlefshme deri në vitin 2029.

Mehmeti largohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të dy sezoneve të fundit te Bristol City.

Në total do mbajë kujtimin e 26 golave dhe nëntë asistimeve. Ky largim ndërkohë ishte paralajmëruar tri ditë më parë.

Kalimi tek Ipsuich është hap i madh në karrierë, pasi Ipsuich synon ngjitjen direkt në Premier League pasi aktualisht mban vendin e tretë në renditje me dy pikë më pak se vendi i dytë.

Shifra e transferimit nga Bristol City nuk është bërë publike ndërsa kalimi te një klub tjetër i Championship nuk mund të ndalohej, pasi sulmuesi shqiptar do të mbetej pa kontratë në fundin e sezonit.

Sulmuesi shqiptar po kalon një formë të shkëlqyer prej dy sezonesh, megjithatë Silvinho nuk e llogarit nga viti 2023.

Rama: Vijojmë kudo punën për të liruar hapësirat publike

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:24

Në të gjithë territorin e vendit vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, një nismë që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.

Nisma për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale, pamje nga një tjetër ndërhyrje e forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

“Vijojmë kudo punën për të liruar hapësirat publike”, shkruan Rama, ndërsa ndau pamje nga prishja e një ndërtese të ndërtuar pa leje.

E nisur në muajin korrik të vitit të kaluar, nisma për lirimin e hapësirave publike është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.

Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 18 065 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 13 947 raste, ndërsa 4 118 të tjera janë në proces shqyrtimi.

Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.

SHIFRAT/ Toka, ajri apo deti, cila është mënyra më e preferuar e udhëtimit për shqiptarët?

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:21

Në vitin 2025, 8.5 milionë dalje nga territori të shqiptarëve e vendosin vendin tonë në një ritëm lëvizjeje të jashtëzakonshëm.

Ky është tregues i një dinamike të re të përditshme. Shqiptarët po udhëtojnë më shumë jashtë për turizëm, punë, arsye personale dhe familjare apo studime.

Kjo do të thotë se rreth 23,500 shqiptarë kanë dalë mesatarisht çdo ditë nga vendi në vitin që lamë pas. Një numër që habit dhe flet për lidhjet e forta me jashtë dhe ritmin intensiv të udhëtimeve.

Një arsye e fortë është edhe nënçmimi i monedhës së përbashkët europiane dhe rrjedhimisht paketa më të lira turistike të cilat ofrohen shpesh herë në euro.

Për nga mënyra e largimit, toka mbetet rruga kryesore, duke përfshirë autobusë, makina private.

Në total, 6 milionë shqiptarë dalin nga vendi me tokë, që përkthehet në mbi 16,500 njerëz në ditë vetëm me rrugë tokësore.

Udhëtimet ajrore gjithashtu shënojnë një numër të konsiderueshëm, me 2.2 milionë dalje, ndërsa lundrimet me det kontribuojnë 282,648 dalje, kryesisht për pushime dhe tregti.

Ky fenomen reflekton ndryshimet në mënyrën se si shqiptarët lidhen me botën jashtë kufijve. Nga përqindjet e përdorimit të rrugëve të ndryshme, duket se toka mbetet zgjedhja më popullore, ndoshta për shkak të afërsisë me vendet fqinje dhe kostove më të ulëta të udhëtimit. Udhëtimet me ajër po rriten ndjeshëm, duke treguar një trend drejt udhëtimeve më të shpejta dhe të shpeshta, ndërsa deti ruan një rol simbolik dhe sezonal.

Në perspektivë, këto shifra japin një foto unike të mobilitetit shqiptar, duke treguar se lëvizja e përditshme e qytetarëve është pjesë integrale e ekonomisë, turizmit dhe jetës sociale.

“Nesër, Dita e Gjykimit”/ Berisha ultimatum Ramës: Po qe burrë, rri në zyrë

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:17

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat këtë të premte, një ditë para protestës së thirrur nga ai kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Sipas Berishës, nesër qytetarët shqiptar do t’i bëjnë gjyqit kryeministrit Rama duke e quajtur edhe si “Ditën e Gjykimit” për këtë qeveri.

“Nesër është prova e madhe, është dita e guximit, e revoltës, e zemërimit, e ngadhënjimit qytetar mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë, që ka pllakosur këtë vend nga ditët e zeza të diktaturës hoxhiste gjer sot. Nesër qytetarët, populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit të këtij kombi. I bën gjyqin kryeministrit të lidhur kokë e këmbë me vrasës, banditë, trafikantë. I bën gjyqin antishqiptarit më të zi të kohërave që ka përzënë nga ky vend në 10 vite 1 milion e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën evropiane, pa llogaritur hapësira të tjera. Nesër i bën gjyqin një armiku të egër të lirive të shqiptarëve, të votës së tyre. Një njeriu që qëndron në pushtet duke përdorur çdo mjet të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën. Por nesër është dita e gjykimit të popullit shqiptar për një organizatë kriminale që nuk e ka sot asnjë vend tjetër në Europë.”, tha Berisha.

Kreu i PD i bëri thirrje kryeministrit që “po qe burrë“, ta provojë të rrijë në zyrë.

“Do t’i japim mësimin që meriton qeverisë, kështu do ta cilësoj unë protestën, qytetarët do ti japin leksion të fortë qeverisë. Le të rrijë në zyrë ta provojë. Kaq i them, rri aty. Muret i ke blinduar, dyert i ke plumbosur, rri e shko futu, rri në je burrë”, u shpreh ai.

Sherri në Lezhë, merr fund arratia për vëllanë e ish-deputetit. Do hetohet në gjendje të lirë

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:16

11 ditë pas sherrit të ndodhur në një lokal në Lezhë, është kapur nga policia vëllai ish-deputetit Arben Noka, Gëzim Ndoka.

Pas ndalimit Gëzim Ndoka është lënë i lirë, pasi prokuroria ka vendosur që të hetohet në gjendje të lirë.

Ndërkohë, vijon të jetë ende në kërkim djali i tij, Kevin Ndoka.

Sherri ndodhi në një lokal në Lezhë më datë 12 janar, ku të lënduar mbetën dy kushërinjtë Gjergj dhe Nikolin Marku.

Ata kallëzuan në polici se babë e bir, Gëzim dhe Kevin Ndoka ishin personat që i dhunuan.

LEXO EDHEVëllai dhe nipi i ish-deputetit të PS bëjnë për spital dy kushërinjtë/ Ja pse nisi sherri në Lezhë

Incident i pazakontë! Dreri thyen dritaren dhe hyn në një bankë

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:00

Një incident i pazakontë dhe i papritur ka ndodhur në Nju Jork, ku një dre hyri me forcë në një bankë pasi theu një dritare në katin përdhes. Ngjarja ndodhi të dielën e kaluar, më 18 janar, kur “mysafiri” i paftuar u fut brenda godinës, por më pas u bllokua pasi nuk arriti të gjente rrugën për të dalë.

Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, të cilat hynë nga dritarja e thyer për të kapur drerin dhe për ta nxjerrë jashtë në mënyrë të sigurt. Pas disa përpjekjesh, oficerët arritën ta imobilizonin dhe më pas ta lironin, duke e kthyer në habitatin e tij natyror.

Për shkak të dyshimeve të krijuara nga përhapja e materialeve të manipuluara me Inteligjencë Artificiale, agjencia Reuters konfirmoi se pamjet e publikuara nga incidenti janë autentike dhe nuk janë produkt i IA-së.

Sipas një deklarate të policisë në platformën X, oficerët iu përgjigjën një alarmi për vjedhje me thyerje në një bankë në zonën Ridge, ku u përballën me “një ndërhyrës të papritur”, i identifikuar si “një dre mashkull që theu dritaren”. “Ndërsa dreri përpiqej të arratisej, oficerët arritën ta ndalonin në mënyrë të sigurt dhe ta kthenin në liri”, thuhet në deklaratën e departamentit të policisë.

 

Botërori i Klubeve 2029/ PSG ekipi i vetëm i kualifikuar. Si funksionon skema

By: Fax Web
23 January 2026 at 13:43

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të edicionit të parë, të fituar nga Chelsea në finale ndaj PSG-së, nga sezoni 2024/2025 ka nisur zyrtarisht gara për Botërorin e Klubeve 2029.

Në këtë turne prestigjioz do të marrin pjesë vetëm 12 klube evropiane dhe kualifikimi do të jetë tepër selektiv.

Klubi i parë që ka siguruar biletën është Paris Saint-Germain, fitues i Champions League 2024/2025. Tre vende të tjera direkte do t’u takojnë fituesve të Champions-it në edicionet 2025/2026, 2026/2027 dhe 2027/2028.

Në rast se i njëjti klub fiton më shumë se një edicion, vendet shtesë do të shpërndahen sipas një renditjeje speciale të UEFA-s, e krijuar posaçërisht për Botërorin e Klubeve.

Në këtë rënditje vlejnë vetëm rezultatet në Champions League: çdo fitore sjell 3 pikë, çdo barazim 1 pikë, ndërsa shtohen edhe bonuset për kalimin e fazave deri në finale. Kështu, PSG-ja ka grumbulluar 49 pikë në sezonin 2024/2025, falë 11 fitoreve, një barazimi dhe triumfit final ndaj Interit.

Në Botërorin e Klubeve mund të marrin pjesë maksimumi dy skuadra për çdo shtet dhe asnjë vend nuk ka kuota të garantuara. Kjo do të thotë se klubet italiane duhet të fitojnë Champions League ose të renditen shumë lart në ranking, përndryshe ekziston rreziku real që Italia të mbetet pa përfaqësues në edicionin 2029.

Renditja (22 janar 2026):

1 Arsenal 68 (pikë)

2 Inter 63

3 Psg 59 (e kualifikuar)

4 Barcelona 57

5 Bayern Munich 55

6 Liverpool 48

7 Dortmund 45

8 Real Madrid 45

9 Atletico Madrid 43

10 Aston Villa 34

(ekipet italiane)

12 Atalanta 34

16 Juventus 30

22 Milan 18

35 Napoli 11

A i është sekuestruar telefoni Drejtorit të policisë Ilir Proda? Ja çfarë thotë SPAK

By: Fax Web
23 January 2026 at 13:30

Prokuroria e Posaçme ka mohuar lajmet në lidhje me sekuestrimin e telefonit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Në programin e transparencës, pyetjes se nëse Ilir Prodës i është sekuestruar telefoni, SPAK ka kthyer përgjigje duke u shprehur:

“Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë se Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) nuk e ka sekuestruar telefonin e Drejtorit të Policisë së Shtetit”, thotë SPAK.

Kush përfiton dhe çfarë pritet tani nga Groenlanda?

By: Fax Web
23 January 2026 at 13:28

Nga Corriere della Sera

Donald Trump kishte kërcënuar se do ta merrte me forcë Groenlandën dhe se do të vendoste tarifa të reja doganore ndaj tetë vendeve evropiane. Qeveria autonome e ishullit po përgatitej për “skenarin më të keq”. Danimarka kishte frikë se mund të humbiste kontrollin mbi “Territorin e saj special” në Arktik, një mbetje e epokës koloniale. Disa liderë evropianë dhe një pjesë e madhe e opinionistëve në Evropë dhe SHBA parashikonin madje fundin e Aleancës Atlantike.

Në fund, asgjë nga këto nuk ndodhi. Në Davos, Donald Trump deklaroi se kishte arritur “një marrëveshje kornizë” me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Menjëherë pas kësaj, tensionet u ulën dhe tregjet financiare u rimëkëmbën. Megjithatë, kjo është një histori që pritet të lërë gjurmë të thella në ekuilibrat ndërkombëtarë. Kush del më i fituar?

Trump del fitues

Presidenti amerikan ndoqi një strategji të ngjashme me atë të pranverës së kaluar, kur shpalli vendosjen e tarifave doganore ndaj një pjese të madhe të botës. Që para rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump e ngriti tonin për Groenlandën, deri në intimidim të hapur. Megjithatë, për muaj të tërë, në qarqet diplomatike askush nuk besonte se ai do të dërgonte realisht ushtrinë në ishullin e madh, ndoshta trupat speciale të Alaskës, të ashtuquajturit “Arctic Angels”, që po stërviteshin edhe për inkursione të shpejta në akull.

Pas operacionit në Venezuelë, më 3 janar, perceptimi i rrezikut ndryshoi. Sidomos kur më 14 janar, zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio refuzuan ashpër propozimin e ministrave të Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës: të ndërtoheshin baza ushtarake, por pa prekur sovranitetin e ishullit.

Ndërkohë, negociatat vazhduan, të udhëhequra kryesisht nga Mark Rutte. Detajet përfundimtare të marrëveshjes pritet të bëhen publike, por nga sa ka dalë deri tani, Trump duket se ka marrë në thelb atë që kërkonte. Groenlanda do të përfshihet në planin “Golden Dome”, mburoja hapësinore e projektuar për të kapur raketat nga Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut që mund të vijnë nga rrugët arktike.

Trump ka arritur gjithashtu një fitore të rëndësishme politike: edhe një herë, ai është imponuar si epiqendra e rendit të ri botëror. Këtë e konfirmon edhe struktura e Bordit të Paqes për Gazën, një organizëm shumëpalësh i ndërtuar rreth rolit qendror dhe lidershipit personal të Trump.

Roli i ish-kryeministrit

Reputacioni i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s ishte dëmtuar rëndë pas samitit të Aleancës në Hagë, kur ai e kishte quajtur Trump-in “babushi ynë”. Këtë herë, megjithatë, duhet pranuar se ish-kryeministri holandez veproi me kujdes dhe efektivitet.

Ai bashkëpunoi ngushtë me liderët e vendeve kryesore, veçanërisht me kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, për ta kthyer një përplasje të mundshme frontale me Trump-in, që rrezikonte të shkatërronte NATO-n, në një çështje “teknike” mes aleatëve. Rutte siguroi fillimisht mandatin për të negociuar në emër të të gjithë partnerëve, më pas e përfshiu Groenlandën në dosjen më të gjerë të “sigurisë në Arktik”, duke propozuar përfshirje të drejtpërdrejtë dhe investime të mëdha ushtarake nga vendet nordike, Britania e Madhe dhe Gjermania.

Ai mori parasysh edhe shqetësimet e Danimarkës dhe vetë Groenlandës, duke ndërtuar një propozim që, për momentin, duket se funksionon. SHBA-të do të kenë dorë të lirë në Groenlandë, pa qenë e nevojshme të marrin pronësinë e ishullit, përveç ndoshta zonave ku do të ngrihen baza ushtarake dhe do të mbështeten nga aleatët në gjithë Arktikun. Nëse kjo linjë konfirmohet, NATO shpëton edhe kësaj here, dhe roli i Rutte-s duket vendimtar.

Evropa në ndjekje

Deri pak ditë më parë, kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, u bënte thirrje bashkatdhetarëve të “përgatiteshin për skenarin më të keq”, pra për një ndërhyrje ushtarake amerikane. Danimarka u përpoq të organizonte një reagim të fortë, duke ftuar vendet evropiane në një stërvitje ushtarake në ishull, por mori vetëm shtatë përgjigje pozitive.

Qeveria e Kopenhagenit shpresonte për një veprim simbolik që do ta bindte Trump-in të hiqte dorë nga Groenlanda, por negociatat morën një drejtim tjetër. Liderët e BE-së u detyruan edhe një herë të ndjekin taktikat e paparashikueshme të Trump-it. Sot ka lehtësim në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane.

Por a është vërtet një sukses? Emmanuel Macron-i, Friedrich Merz-i, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe të tjerët arritën kryesisht të kufizonin dëmin. Ndoshta kjo është mjaftueshëm, por siç tha kryeministri kanadez Mark Carney në Davos, “fuqitë e mesme” duhet të bashkëpunojnë për të ndërtuar një hapësirë autonomie në përplasjen mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës.

Mes tensioneve gjeopolitike, çmimi i arit arrin nivel rekord

By: Fax Web
23 January 2026 at 12:50

Çmimet e arit u ngjitën sot në nivele rekord, të nxitura nga pasiguria e vazhdueshme gjeopolitike dhe ekonomike që ka vazhduar të nxisë kërkesën për asete të sigurta.

Çmimi i arit në vend u rrit me rreth 0.4% në 4.954 dollarë për ons që nga ora 07:00, pasi arriti nivelin më të lartë historik prej 4.967 dollarësh më herët gjatë seancës. Çmimet u rritën me rreth 7.8% gjatë javës.

Ari është rritur me afërsisht 80% gjatë 12 muajve të fundit dhe rreth 15% që nga fillimi i vitit, i mbështetur nga tensionet e rritura tregtare dhe gjeopolitike si dhe uljet e normave të interesit nga bankat kryesore qendrore.

Argjendi gjithashtu përparoi, duke u rritur me 3% në 99.38 dollarë për ons. Çmimet e argjendit janë rritur më shumë se 225% gjatë vitit të kaluar.

Aktorët e tregut theksojnë shqetësimet e përsëritura gjeopolitike si faktor kyç, përfshirë debatet mbi Grenlandën pas deklaratave të fundjavës së presidentit të ShBA-së, Donald Trump që kërcënonte me tarifa shtesë për vendet që kundërshtonin kontrollin e territorit nga ShBA-ja dhe vendosjen e personelit ushtarak atje.

VIDEO/ Plas sherri në fushë, trajnerin e nxjerrin me zor nga fusha

By: Fax Web
23 January 2026 at 12:46

Trajneri argjentinas, Jorge Sampaoli shquhet për gjaknxehtësi dhe nervat e tradhëtuan gjatë ndeshjes Amerika-MG dhe Atletiko-MG e mbyllur në barazimin 1-1.

Pas përfundimit të derbit, Sampaoli tentoi të zihej me trajnerin e ekipit kundërshtar, Alberto Valentim. Kjo për shkak se ky i fundit u tall me gjatësinë trupore të argjentinasit.

Brenda sekondash, lojtarët dhe anëtarët e të dy stafeve të trajnerëve u përfshinë në një përleshje që i detyroi gjyqtarët dhe personelin e sigurisë të ndërhynin.

Sampaoli dukshëm i shqetësuar, u shoqërua në dhomën e zhveshjes mes shtyrjeve dhe britmave. Valentimi mbeti në anë, duke parë rrëmujën nga distanca, ndërsa tifozët bërtisnin, të ndarë midis të qeshurave dhe fishkëllimave.

❌
❌