Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 January 2026FaxWeb

Drejtoria e Krimit Kibernetik paralajmëron: Kujdes nga faqet mashtruese që imitojnë Policinë e Shtetit

By: Fax Web
21 January 2026 at 14:51

Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik ka lëshuar një apel për qytetarët, duke i paralajmëruar për raste të fundit mashtrimi përmes mesazheve SMS dhe lidhjeve të rreme, të cilat imitojnë faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe synojnë përfitime financiare të paligjshme.

Sipas Policisë, qytetarëve u dërgohen mesazhe mashtruese që i drejtojnë drejt faqeve false, të cilat në pamje të parë duken si faqe zyrtare institucionale. Këto faqe përdorin stemën e Policisë së Shtetit, imazhe të Drejtorisë së Përgjithshme dhe elemente grafike që imitojnë shërbimet emergjente, duke krijuar perceptimin e rremë të besueshmërisë.

Në fazën e parë, përdoruesve u kërkohet të konfirmojnë identitetin duke vendosur numrin e telefonit celular. Më pas, u kërkohet numri i targës së automjetit dhe në hapin final plotësimi i të dhënave bankare, me pretendimin për kryerjen e pagesës së një gjobe automjeti.

NJOFTIMI

Apel për kujdes nga faqe mashtruese që imitojnë Policinë e Shtetit dhe kërkojnë pagesa të rreme për gjoba automjetesh.

Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik informon qytetarët se së fundi është konstatuar qarkullimi i mesazheve mashtruese (SMS) dhe lidhjeve të rreme (linke), të cilat imitojnë faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe synojnë mashtrimin e qytetarëve, nëpërmjet kërkesave për pagesa të pretenduara të gjobave të automjeteve.

Lidhjet e dërguara çojnë drejt një faqeje të rreme, e cila në pamje të parë paraqitet si faqe zyrtare e Policisë së Shtetit, duke përdorur stemën institucionale, imazhe të ndërtesës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe elemente grafike që imitojnë shërbimet emergjente. Në hapin e parë, qytetarëve iu kërkohet të konfirmojnë identitetin, duke vendosur numrin e telefonit celular. Në hapin vijues, faqja kërkon numrin e targës së automjetit, ndërsa në fazën e fundit iu kërkohet plotësimi i të dhënave bankare, me pretendimin për kryerjen e pagesës së gjobës.

Policia e Shtetit sqaron se kjo faqe nuk është faqe zyrtare, pasi përdor një adresë interneti të rreme (domain: aspalgov.cyou), e cila nuk i përket asnjë institucioni shtetëror.

Ky rast përbën një tentativë mashtrimi kibernetik (phishing), me qëllim përfitimin e paautorizuar të të dhënave personale, numrave të telefonit, të dhënave të automjeteve, të dhënave bankare, PIN-eve dhe kodeve të aksesit në llogari online, duke i ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut të humbjeve financiare dhe abuzimit me identitetin e tyre.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik apelon për qytetarët:

-Të mos klikojnë në lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale;

-Të mos vendosin numra telefoni, të dhëna personale apo bankare në faqe jozyrtare;

-Të kenë parasysh se Policia e Shtetit nuk kërkon konfirmim identiteti apo pagesa gjobash përmes linkeve të dërguara me SMS;

-Të verifikojnë çdo informacion vetëm përmes kanaleve zyrtare të Policisë së Shtetit;

-Në rast dyshimi apo mashtrimi, të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave, në hapësirën digjitale, si dhe fton qytetarët, që të tregojnë kujdes maksimal për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale dhe financiare.

Miratohet në Qeveri aderimi i Shqipërisë në “Bordin e Paqes”, pritet votimi në Kuvend

By: Fax Web
21 January 2026 at 14:29

Qeveria ka miratuar vendimin për aderimin e Shqipërisë në ‘Bordin e Paqes’, duke hapur rrugën për anëtarësimin formal të vendit në këtë strukturë ndërkombëtare, pas ftesës së presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Hapi i radhës është miratimi i aderimit nga Kuvendi i Shqipërisë, ku pritet që çështja të shqyrtohet dhe të votohet të martën që vjen në një seancë të posaçme.

Pak ditë më parë Shqipëria mori ftesë zyrtare nga presidenti Trump për të qenë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën.

 

Vitet e punës në fshat dhe pensionet: Drejtoresha e ISSH në Fax News sqaron problemet e trashëguara me dokumentacionin

By: Fax Web
21 January 2026 at 14:25

Njohja e viteve të punës mbetet një element thelbësor për përcaktimin e vendbanimit dhe përfitimeve që u takojnë qytetarëve, veçanërisht në rastet kur puna është kryer në zonat rurale. Sipas legjislacionit në fuqi, personat që kanë punuar në fshat përfitojnë pensionin në përputhje me vitet e sigurimit që u njihen.

Për të trajtuar këto çështje dhe problematikat e shpeshta që lidhen me dokumentacionin, në Fax News ishte e ftuar drejtoresha e Përfitimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, znj. Fatjela Mehmeti. Ajo foli për vështirësitë e trashëguara ndër vite në dokumentacion, të lidhura me ish-kooperativat bujqësore dhe ndërmarrjet bujqësore shtetërore, si dhe për procesin e verifikimit, mbledhjes dhe njohjes së tyre.

Znj. Mehmeti theksoi rëndësinë e saktësimit të të dhënave për garantimin e të drejtave të pensionistëve dhe sqaroi hapat që ISSH po ndjek për zgjidhjen e problematikave të akumuluara.

Ra nga ura, zbulohet ideniteti i viktimës në Bushtricë

By: Fax Web
21 January 2026 at 13:57

Është identifikuar viktima e ngjarjes së ndodhur në Bushtricë, ku një 58-vjeçar ka rënë nga ura dhe për pasojë ka humbur jetën.

Bëhet fjalë për Arif Shengjergji.

Autoritetet po vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa priten detaje të tjera zyrtare.

Denoncimi i Berishës: Rama ka përgjuar dhe kontrolluar edhe të huajt në Shqipëri

By: Fax Web
21 January 2026 at 13:43

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ai ka përgjuar dhe kontrolluar edhe të huajt në Shqipëri.

Në konferencën me gazetarët, kryedemokrati tha se në kancelaritë evropiane nuk flitet për gjë tjetër veçse për AKSHI-n.

Sipas Berishës, nga AKSHI janë eksportuar të gjithë të dhënat sekrete të Shqipërisë dhe ato të aleancës së Atlantikut të Veriut, tek organizatat kriminale dhe armiqtë e NATO-s

“Situata është edhe më dramatike dhe po kundërmon në mbarë Europën. Në kancelaritë evropiane nuk flitet për gjë tjetër veçse për AKSHI-n. Dy arsye.

Edi Rama ka përdorur AKSHI-n për të përgjuar dhe kontrolluar jo vetëm çdo qytetar shqiptar, por edhe çdo të huaj në Shqipëri.

Nga AKSHI janë eksportuar të gjithë të dhënat sekrete të Shqipërisë dhe ato të aleancës së Atlantikut të Veriut, tek organizatat kriminale dhe armiqtë e NATO-s dhe kjo përbën një dhunim të madh të sigurisë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe Europën.

Por AKSHI është një monedhë me dy faqe. Në njërën anë është Linda e AKSHI-t, në anën tjetër është Linda e Surrelit. Dhe kjo e trondit Edi Ramën. Kjo e shkatërron Edi Ramën”, tha Berisha.

Dënimi i gjyqtares Irena Gjoka në Greqi, Berisha: U verifikua ajo që kemi thënë që në mars 2024! Duhet të shkarkohet

By: Fax Web
21 January 2026 at 13:37

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi verifikimin e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme për dënimin e gjyqtares Irena Gjoka për falsifikim vizazh në Greqi, që rezultoi se ishte autentik dhe se ajo e kishte fshehur. Sipas tij, u verifikua ajo që ai ka denoncuar vetë që në mars të vitit 2024.

“Irena Gjoka vendim penal në Greqi, si falsifikatore si dhe dy dëbime nga shteti fqinj dhe zona Shengen. Ajo është një falsifikatore e certifikuar, me vendim gjyqësor, vepër për të cilën është dënuar me burg si falsifikatore, më pas të konvertuar në gjobë. Ky vendim penal ka marrë formë të prerë, po kështu është dëbuar dy herë nga shteti grek më 24.12.2002 dhe tre muaj më pas.Ishte në dijeni të plotë të këtyre dëbimeve dhe autorizoi avoketërit për kundërshtimin e tyre. Avoketërit i kundërshtuan masat edhe në Gjykatë Administrative. Vesi i falsifikimit del me shpirtin. Gjoka vazhdi falsifikimet e saj si gjytare në Krimet e Rënda dhe më pas në GJKKO. Ajo nuk ka raportuar dënimet e veta pranë KLGJ siç kërkohej në ligjin e ‘96 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.“, tha mes të tjerash Berisha.

AKSK: Kujdes nga mesazhet mashtruese për gjoba rrugore

By: Fax Web
21 January 2026 at 13:10

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) njofton për një valë mesazhesh që synojnë të mashtrojë qytetarët me gjoba të rreme për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Mesazhet përmbajnë linqe (adresa ueb) të dyshimta dhe nuk janë komunikime zyrtare nga institucionet shtetërore.

AKSK apelon që qytetarët të mos klikojnë në linqet e mesazheve, të mos japin të dhëna personale dhe të mos kryejnë pagesa online përmes faqeve jozyrtare. Autoriteti ka ndërmarrë masat e nevojshme për bllokimin e faqes mashtruese dhe këshillon raportimin e çdo mesazhi të dyshimtë pranë AKSK ose institucioneve përkatëse.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të verifikojnë gjithmonë informacionet e marra nëpërmjet burimeve zyrtare për të shmangur dëmet financiare dhe mashtrimet online.

Ish-kryeministri i Koresë së Jugut, Han Deok-soo, dënohet me 23 vite burg për kryengritje

By: Fax Web
21 January 2026 at 12:59

Një gjykatë e Koresë së Jugut dënoi të martën ish-kryeministrin Han Deok-soo me 23 vjet burg për akuza që përfshijnë nxitje të kryengritjes, në lidhje me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në dhjetor 2024 nga ish-Presidenti Yun Suk-yeol.

Han, 76 vjeç, është ish-anëtari i parë i kabinetit që dënohet për akuza penale që lidhen drejtpërdrejt me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ekspertët ligjorë e konsiderojnë dënimin e tij si një paralajmërim për gjyqe të mundshme të ardhshme ndaj figurave të tjera të qeverisë.

Gjykata e Qarkut Qendror të Seulit e shpalli Han fajtor për lehtësimin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, një veprim që gjyqtari e përshkroi si “rebelim nga lart”. Sipas gjykatës, Han kishte diskutuar gjithashtu planet për të mbyllur institucionet kryesore, përfshirë parlamentin. Dënimi i dhënë tejkaloi kërkesën e prokurorëve, të cilët në nëntor kishin kërkuar një dënim prej 15 vjetësh. Han u mor në paraburgim menjëherë pas shpalljes së vendimit dhe ka mundësinë të apelojë në Gjykatën Supreme. Avokati i tij konfirmoi se do të ndjekë këtë rrugë ligjore.

“Furnizonte” me kanabis Vlorën, arrestohet 35-vjeçari

By: Fax Web
21 January 2026 at 12:48

Një 35-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Vlorës, pasi akuzohet për shpërndarje droge. Pas hekurave ra shtetasi me inicialet F. C.

NJOFTIMI I POLICISE
Vijojnë kontrollet nga shërbimet e Policisë për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. Shiste lëndë narkotike në qytetin e Vlorës, arrestohet në flagrancë një 35-vjeçar. Sekuestrohet një sasi kanabisi, e gjetur gjatë kontrollit të automjetit dhe të banesës.

Në kuadër të kontrolleve të intensifikuara për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe bazuar në informacionet e siguruara, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” arrestuan në flagrancë shtetasin F. C., 35 vjeç, banues në Vlorë.

Arrestimi u bë pasi, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj automjetit tip Smart që drejtohej prej tij, si dhe gjatë kontrollit në banesë, iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis sativa. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Sigurim në kohë sfidash: Rrëfimi i sukseseve të SIGAL Kosovës

By: Fax Web
21 January 2026 at 12:37

Në tetorin e vitit 2003, Kosova ishte një treg i ri dhe sfidues, katër vjet pas përfundimit të luftës. Në këtë kontekst hyri SIGAL, kompania pionere e sigurimeve private nga Shqipëria, me misionin që liria të shoqërohej nga siguria financiare.

Më 23 tetor 2003, SIGAL filloi të siguronte investimet më të rëndësishme të familjeve kosovare, duke sjellë një frymë optimizmi dhe stabiliteti në treg.

Përparim Drini, drejtor i Përgjithshëm i SIGAL Kosovës, tregon: “Në fillim ofruam kryesisht produktet bazë të sigurimeve jojetë, duke u zgjeruar gradualisht edhe në sigurimet e jetës, pasurisë, shëndetit dhe për biznese të mëdha. Prania e investitorëve të huaj, si fondi amerikan i investimeve dhe më pas UNIQA si investitor strategjik për rreth 17 vjet, ndikoi drejtpërdrejt në rritjen profesionale, teknike dhe financiare të SIGAL, duke e pozicionuar si lider në tregun e Kosovës.

SIGAL operon në Kosovë me dy kompani: sigurimet jojetë (2003) dhe sigurimet e jetës (licencuar në 2011). Për më shumë se dy dekada, kompania ka ndërtuar një strukturë serioze, të qëndrueshme dhe të besueshme, pjesë e SIGAL Insurance Group, një nga grupet më të mëdha rajonale të sigurimeve.

Pozitat dhe garancitë në treg

Sot, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, SIGAL zotëron 15.53% të tregut total të sigurimeve, 45% të tregut të sigurimeve të jetës dhe 14.08% në sigurimet jojetë, duke mbajtur praktikisht pjesën më të madhe të tregut me mbi 10 operatorë.

SIGAL është e shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës me mbi 50 zyra dhe 300 punonjës, duke ofruar të gjitha produktet e sigurimeve për biznese, banka, projekte energjetike dhe infrastrukturore.

Në vitin 2025, kompania arriti normën më të lartë të sigurimeve vullnetare, 55.59% të totalit të kontratave.

Për të ruajtur stabilitetin financiar dhe për të garantuar çdolloj produkti dhe kontratë sigurimi, SIGAL Kosova pagoi mbi 3 milionë euro vetëm për kontratat e risigurimit në vitin 2025 me kompanitë më të mëdha ndërkombëtare si Swiss Re, Munich Re dhe Hannover Re.

Pagesat e dëmeve

Pagesa e dëmeve me korrektesë, në përputhje me ligjin dhe kontratat mes palëve dhe në kohë rekord, është pjesë thelbësore e filozofisë së kompanisë. Vetëm në vitin 2025, SIGAL pagoi mbi 14 milionë euro për sigurimet jetë dhe jojetë, ndërsa në 22 vitet e fundit mbi 120 milionë euro në total janë paguar si dëme në tregun e Kosovës.

Shembulli i fabrikës “Plastika” në mars 2024 tregon përkushtimin e SIGAL: “Pas zjarrit, SIGAL ishte menjëherë pranë nesh. Pa ndihmën e tyre, rifillimi nga zero do të ishte i pamundur,”  tregoi drejtori i fabrikës “Plastika” Arjan Shabani përpara kamerave.

Përthithja e burimeve njerëzore

SIGAL investon në njerëzit e vet, duke tërhequr talentet e reja dhe duke u kultivuar profesionalizmin dhe përgjegjësinë.

Gazmend Husaj, drejtor i degës Pejë, thotë: “Këtu mësohet serioziteti dhe përgjegjësia ndaj klientit.”

Ilir Begu, drejtor i degës Prishtinë, dhe Gentjana Kqiku Kryeziu nga dega Gjilan, nënvizojnë rëndësinë e këshillimit profesional dhe trajtimit korrekt për klientët, veçanërisht në momentet kritike.

“Momenti kur klientët të falënderojnë, sepse i ke orientuar drejt një produkti të dobishëm sigurimi është momenti më i bukur në punë”, sipas z. Begu.

Përgjegjësia social-kulturore

SIGAL ka kontribuar në sport, kulturë, edukim dhe mjedis, duke mbështetur mbi të gjitha basketbollin dhe kinematografinë kosovare.

Klubi i basketbollit SIGAL Prishtina është sponsor kryesor për më shumë se 20 vjet, me mbështetje miliona eurosh, duke fituar 40 tituj, 3 ndërkombëtarë dhe pjesëmarrje të rregullt në kupat evropiane.

Blerand Stavileci, president i klubit, thekson: “Sukseset e Prishtinës, me pothuajse 80% të trofeve që mbajnë emrin SIGAL, tregojnë lidhjen e fuqishme dhe kontributin domethënës të kompanisë për qytetin. Nëse do të rendisnim faktorët që kanë ndikuar në këto rezultate, shumica do të përmendnin emrin SIGAL.”

SIGAL Insurance Group

SIGAL Kosova është pjesë e SIGAL Insurance Group, që operon në 3 vende me 8 kompani, mbi 2,000 punonjës dhe rrjet partnerësh global.

Synimi strategjik deri në vitin 2030 është që çdo familje në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të ketë të paktën një produkt sigurimi, përmes digjitalizimit, thjeshtimit të procedurave dhe ofrimit të produkteve me kosto të përballueshme si dhe me kombinime përfituese për klientin.

“Sigal është këtu për të mbrojtur jetën, pasurinë dhe gjithçka që qytetarët kanë ndërtuar,” përfundon z. Drini.

Do të shisnin kalashnikovë në Fresk dhe Tufinë! Çmontohet grupi i trafikut të armëve, tre në pranga, një në kërkim

By: Fax Web
21 January 2026 at 12:04

Artur Brahimaj, Ilir Zyberi dhe Artur Rushiti janë arrestuar si anëtarë të një grupi të trafikut të armëve.

Ndërkohë një tjetër person është shpallur në kërkim.

Sekuestrohen 5 armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tufinë dhe në Fresk.

Njoftimi:Vihen në pranga 3 pjesëtarë të këtij grupi, të tre me precendent penal. 2 prej tyre u kapën në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, në Tufinë, në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim 1 shtetas, i dyshuar si pjesëtar i këtij grupi.

Sekuestrohen 5 armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tufinë dhe në Fresk.

Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 3 muajve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është organizuar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe është finalizuar operacioni i koduar “Anëtarët”.

Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit:
-I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje;
-A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe për mashtrim;
A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në Tufinë, shtetasit A. B dhe I. Z., në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk.

Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në grup.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

15 vite nga “21 Janari”/ Xhaxhai i Aleks Nikës në SPAK, kërkon takim me prokurorin e çështjes

By: Fax Web
21 January 2026 at 11:48

Mark Nika, xhaxhai i Aleksa Nikës, një nga katr protestuesit e vrarë 15 vite më parë në protestën e mbajtur më 21 Janar 2011, është paraqitur sot në SPAK.

Mësohet se Mark Nika ka kërkuar takim me Alfred Shehun, prokurori I cili po merret me hetimine dosjes së “21Janarit”.

Ish deputetja e PS Blerina Gjylameti emërohet drejtoreshë e AKU-së

By: Fax Web
21 January 2026 at 11:19

Ish-deputetja e PS-së Blerina Gjylameti është emëruar në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Gjylametit i është besuar ky institucion, që shpesh herë ka qenë të skandaleve, sa i takon rasteve të abuzuara të produkteve bujqësore me përmbajtje pesticidesh të ndaluara.

Më herët në krye të AKU-së ishte Manush Kullolli.

Gjylameti në zgjedhjet e 11 majit nuk arriti që të merrte mandatin e saj, pasi Olta Xhaçka siguroi më shumë vota, duke bërë që socialistja të dalë jashtë Parlamentit.

Ivanka Trump dhe Jared Kushner vizitojnë sërish Vlorën, takimi për investime në Ishullin e Sazanit

By: Fax Web
21 January 2026 at 11:15

Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë ardhur sërish në Vlorë.

Vajza dhe dhëndri i presidentit Donald Trump sapo kanë mbërritur në qytetin bregdetar dhe janë shoqëruar me forca të shumta policie.

Kushner ka ardhur rreth orës 10:00 dhe aktualisht ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë, në një nga hotelet e zonës.

Aty do të zhvilloj një takim për të diskutuar më tepër rreth investimit në ishullin e Sazanit. Sipas informacioneve do të zhvillohet një takim nëpërmjet Jared Kushner me një studio arkitekturore ku do të diskutohet për mënyrën e realizimit të projektit, investimit në ishullin e Sazanit Nuk do të jetë takim me përfaqësues të pushtetit.

Drejtësi e munguar për 21 Janarin”/ Rama: Edhe SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekziston, prokurorët i paguajmë më shumë sesa Presidentin

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:54

“Pas disa orësh që turma e zvogëluar nisi të shpërndahej, tytat e pushkëve u drejtuan drejt trupave të protestuesve dhe morën 4 jetë të pafajshme, duke plagosur edhe protestues të tjerë. Pasojë fatale e mendjes kriminale e cila tregoi se të vriste me të vërtetë. Dreqi e di çfarë u tha mendja atyre që urdhëruan dhe kryen krimin shtetëror.

Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe më tregon sesa më i madh bëhet në çdo 21 janar, zhgënjimi juaj të dashur familjarë dhe pengu juaj për mosardhjen e drejtësisë. 15 vite pa drejtësi.

Për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vitet e këtij boshllëku janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth dhe poshtërim. Atyre që janë nën dhe, nuk u ka ardhur koha të prehen të qetë. As përmbysja e sistemit të vjetër, as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë të individëve të veshur me pushtet politik, nuk ka mjaftuar për ta zhdukur hijen e padrejtësisë së 21 janarit. Nuk ka mjaftuar as vendimi rrëqethës i gjykatës së Strasburgut, që prokurorët special t’ja kishin kërkuar gjykatës speciale drejtësinë. Në emër të drejtësisë së barabartë për të gjithë, prej plot 6 vjetësh ne u bëjmë veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetja dhe presidentit, pa llogaritur justifikimin e gabimeve të tyre, ndonjëherë shqetësuese, si gabimet e një institucioni të ri.

Halli është sesa herë vjen kjo ditë tragjike. Vijnë mbi kurrizin tonë dhe gurët e mllefit dhe shumëkujt në këtë vend që ndihet i tradhtuar dhe i përdorur në besimin e vet te drejtësia e re. Unë ndihem i zbrazët në shpirt dhe i dobët në pozitë kur shoh sesi kaloi dhe një vit tjetër dhe 21 janari erdhi me padrejtësinë mbi shpinë”-u shpreh Rama.

“Edhe me orvatjen për të gjetur ngushëllim te historia e botës demokratike të krimeve shtetërore, nuk e kam menduar që reforma për drejtësi, për të cilën 21 Janari ka qenë një prej burimeve të energjisë sonë, për ta çuar përpara këtë reformë dhe pastaj strukturat speciale, nuk do të ngrinin asnjë akuzë të vërtetë për 21 Janarin, as pas 15 vjetësh nga vrasjet mizore në bulevardin kryesor të Shqipërisë. Fatkeqësisht për vite me radhë, edhe vetë SPAK bëri sikur kjo çështje nuk ekziston.

Kur i  është dashur SPAK-ut ka hetuar dhe ka ngritur akuza edhe me një letër anonime, duke mbajtur peng punë me interes shtetëror dhe punonjës shteti. Ishte i paepuri Mark Nika, ungji i të ndjerit Aleks Nika që e çoi çështjen deri në Strasburg”-shtoi Rama.

Rama: Drejtësia për “21 Janarin”, themel moral për drejtësinë e re!

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:52

Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbajtur një fjalim në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në Kryeministri, në 15-vjetrorin e 21 Janarit 2011 ku humbën jetën katër protestues.

Në fjalën e tij Rama theksoi nevojën që për këtë çështje të bëhet drejtësi, ndërsa ka kritikuar vonesat në zbardhjen e ngjarjes.

 

Sipas tij fajtorët e vërtetë për tragjedinë dhe krimin shtetëror enden të lirë. “Drejtësia për 21 janarin është themel moral për drejtësinë e re dhe shtetin shqiptar të së drejtës. Të tjerat para 21 janarit siç e tha dhe Marku kur po pinim kafen së bashku dhe po e shtoj në fund të fjalimit, janë si hetimet dhe gjyqi i kafeve të Nexhmijes”, tha ai.

 

Ftesa e Presidentit Trump për Kosovën në Bordin e Paqes, Rama uron Osmanin: Forcon marrëdhëniet e Amerikës me popullin shqiptar

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:52

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me një mesazh urimi për Presidenten Vjosa Osmani, pas ftesës që Kosova ka marrë për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një iniciativë të nisur nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Rama e ka vlerësuar këtë ftesë si një “gjest tejet domethënës” nga ana e Presidentit amerikan dhe një mundësi për të forcuar më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan:

“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë.”

Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht.”

Theu masën e arrestit në shtëpi dhe përndoqi ish-bashkëjetuesen, arrestohet 39-vjeçari në Lezhë

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:48

Policia e Lezhës ka arrestuar një 39-vjeçar, A. A., i cili ndodhej nën masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” për përndjekje ndaj ish-bashkëjetueses së tij.

Ai akuzohet se ka vazhduar të përndiqte të njëjtën shtetase, ndonëse ishte i pajisur me një urdhër mbrojtjeje ndaj tij.

I arrestuar në ambientet e një lokali, 39-vjeçari  u kap pas një kallëzimi të bërë nga ish-bashkëjetuesja, e cila kishte raportuar përndjekjen e vazhdueshme. Kjo ndihmoi që të organizohej një operacion i shpejtë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe specialistët e Seksionit të Mbështetjes Operacionale.

Gjatë arrestimit, në automjetin e tij u gjet dhe u sekuestrua një shufër hekuri, si dhe celulari dhe automjeti i tij, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në hetimin e mëtejshëm.

Mbesa e Ziver Veizit: Plaga e 21 janarit nuk është vetëm e familjes sonë, por e të gjithë shoqërisë shqiptare

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:47

“Plaga e 21 janarit nuk është vetëm e familjes sonë, por e të gjithë shoqërisë shqiptare”, kështu u shpreh Zamira Veizi, mbesa e Ziver Veizit i cili humbi jetën në protestën që u zhvillua 15 vjet më parë në kryeqytet.

Kjo deklaratë erdhi në kuadër të homazheve të cilat u kryen në vendlindjen e të ndjerit ku të pranishëm ishin familjarë, miq si dhe drejtues të pushtetit vendor.

Sot bëhen 15 vite nga krimi shtetëror, familjarët presin ende drejtësi.

Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, janë katër protestuesit e vrarë 15 vite më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në korrik të 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

I dënuar për ‘trafik narkotikësh’ dhe pjesë e një organizatë kriminale, Prokuroria e Vlorës sekuestron 400 mijë euro pasuri të një personi

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:39

Njoftimi:

Nuk justifikohen nga të ardhura të ligjshme, Prokuroria e Vlorës sekuestron pasuritë e shtetasit A.Rr. i dënuar më parë për ‘trafik narkotikësh’ e ‘organizatë kriminale’

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u sekuestruan pasuritë e shtetasit A.Rr. dhe familjarëve të tij, nën hetim për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1125 të vitit 2020, rezultoi se shtetasi A.Rr., i dënuar më parë për ‘Trafik të lëndëve narkotike’ dhe ‘Organizatë krimiale’, nuk justifikonte pasuritë e krijuara, për të cilat Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë kërkoi sekuestrimin si më poshtë:

a. Pasuria e llojit “apartament” me nr.pasurie 29/519+2-2, me sip.67 m2, Vlorë, në zotërim të shtetasit B.B dhe A.Rr;
b. Pasuria e llojit “apartament” me nr.29/599+1-22, me sip.73 m2, Vlorë, në zotërim të shtetasve A.Rr dhe B.B;
c. Pasuria e llojit “apartament” me nr.113/34+2-20, me sip.68.8 m2, ZK 3292, Tiranë, në zotërim të shtetases B.B;
d. Pasuria e llojit ‘njësi’ me nr. 12/417-N4 ZK 8602, Vlorë, me sip. 27 m2, në zotërim të shtetasit A.Rr;
e. Pasuria e luajtshme automjet marka “Toyota Corolla” viti 2020, në zotërim të shtetases B.B;
f. Pasuria e luajtshme automjet marka “Volvo XC 60” viti 2020, në zotërim të shtetases B.B; si dhe
g. Pasuria e luajtshme automjet marka “Mercedes benz GLA” viti 2016, në zotërim të shtetases S.Rr.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë pranoi kërkesën e organit të akuzës, duke caktuar masën e sigurimit pasuror sekuestro preventive për pasuritë e mësipërme të paluajtshme në vlerë totale 400.000 euro.

❌
❌