Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 January 2026FaxWeb

Dosja 5D, lirohet nga qelia Taulant Tushe! Apeli i Gjykatës së Posaçme kalon në arrest shtëpiak ish-drejtorin e Bashkisë Tiranë

By: Fax Web
21 January 2026 at 18:40

Gjykata e posaçme e Apelit ka ndryshuar masën e sigurimit për Taulant Tushen, i arrestuar në kuadër të çështjes së 5D.

Apeli i Posaçëm e ka liruar nga qelia duke e dërguar në masën e sigurimit arrest në shtëpi.

Taulant Tusha, ish-drejtor i Planifikimit të Punëve Publike dhe komisionit të prokurimeve publike në bashkinë e Tiranës, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, e kryer dy herë dhe e kryer në bashkëpunim.

Për periudhën 2016-2020, SPAK ka zbuluar se “5D Konstruksion” sh.p.k ka marrë 12 tendera publikë, duke shkelur rregullat e prokurimit dhe duke siguruar përfitime prej rreth 192.7 milionë lekësh.

Po kjo kompani, ka marrë pjesë në tendera të organizuar nga UKT, Bashkia Tiranë, “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”, duke u favorizuar nga të pandehurit që ushtronin funksione publike. Përfitimet monetare janë përdorur për blerjen e pasurive dhe financimin e aktiviteteve të tjera tregtare.

VanHorn takim me ministren e Shëndetësisë, në fokus inovacioni dhe transparenca në shëndetësi

By: Fax Web
21 January 2026 at 18:34

E ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, ka zhvilluar një takim me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Ambasada Amerikane bën të ditur se gjatë takimit u diskutuan mënyrat se si inovacioni dhe transparenca mund të transformojnë kujdesin shëndetësor në Shqipëri.

Sipas Ambasadës, palët shqyrtuan edhe rolin që kompanitë farmaceutike dhe teknologjia amerikane mund të luajnë në përmirësimin e ofrimit dhe cilësisë së shërbimeve publike të shëndetit, me synim rritjen e aksesit për të gjithë qytetarët.

“Gjatë takimit të tyre të parë zyrtar, Nancy VanHorn dhe ministrja Evis Sala diskutuan se si inovacioni dhe transparenca mund të ndikojnë pozitivisht në sistemin shëndetësor, si dhe mënyrat konkrete për të përmirësuar shërbimet e shëndetit publik”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Vendimet e qeverisë/ Erlind Sulo emërohet zv.ministër i Infrastrukturës, lirohen nga detyra prefektët

By: Fax Web
21 January 2026 at 18:05

Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë emërimesh dhe lirimesh nga detyra në institucionet shtetërore, gjatë mbledhjes së sotme, të datës 21 janar 2026. Vendimet u bënë publike nga Agjencia për Media dhe Informim, e cila njoftoi se njëherësh u miratuan edhe emërime dhe lirime nga detyra të disa funksionarëve në institucione shtetërore.

Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë, Erlind Sulo është emëruar zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, duke iu bashkuar ekipit drejtues të këtij dikasteri.

Këshilli i Ministrave ka vendosur që Emiljan Jani, prefekt i Qarkut të Durrësit, të lirohet nga kjo detyrë, ndërsa në vend të tij Adrian Gurra u emërua prefekt i Qarkut të Durrësit.

Po ashtu, janë bërë ndryshimeedhe në Qarkun e Korçës. Sipas njoftimit të qeverisë, Nertil Jole, prefekt i Qarkut të Korçës, është liruar nga kjo detyrë, ndërkohë që Florinda Zegullaj u emërua prefekte e Qarkut të Korçës. Në listën e lirimeve nga detyra përfshihet edhe Inspektorati i Përgjithshëm. Qeveria ka vendosur që Shkëlqim Hajdari, inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Përgjithshëm, të lirohet nga detyra.

Përveç ndryshimeve në poste drejtuese, Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe një sërë vendimesh të rëndësishme me ndikim në politikat publike për vitin 2026. Një nga vendimet kryesore lidhet me shëndetësinë, ku sipas njoftimit zyrtar, qeveria vendosi miratimin e financimit të shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2026.

Në fushën e sportit, qeveria ka miratuar përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të shpërndarjes së grantit nga buxheti i shtetit për një sërë institucionesh dhe organizatash sportive. Sipas njoftimit, përfitues do të jenë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Komiteti Paralimpik Kombëtar Shqiptar, Organizata Kombëtare Antidoping, federatat sportive olimpike, fondacionet sportive, si dhe Këshilli i Arbitrazhit Sportiv.

Një tjetër vendim i rëndësishëm ka të bëjë me administratën publike. Këshilli i Ministrave ka miratuar planin vjetor të pranimit në institucionet e Administratës Shtetërore për vitin 2026. Sipas qeverisë, numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2026 është gjithsej 1067, të ndara sipas niveleve drejtuese dhe kategorisë ekzekutive. Në kuadër të zhvillimit ekonomik, qeveria ka vendosur shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në bashkitë Dibër, Memaliaj dhe Tepelenë, duke synuar nxitjen e zhvillimit lokal dhe mbështetjen e ekonomive rurale.

Vendime janë marrë edhe në sektorin energjetik. Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e një centrali eolik në njësinë administrative Mollaj, Bashkia Korçë, si dhe ndërtimin e një centrali fotovoltaik në Vlashaj, njësia administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë. Sipas njoftimit, këto investime nuk janë objekt koncesioni dhe nuk përfitojnë nga masat mbështetëse.

Vendimet e marra në mbledhjen e 21 janarit 2026 reflektojnë një kombinim të ndryshimeve në drejtimin e institucioneve shtetërore dhe miratimit të politikave zhvillimore për vitin e ardhshëm, me fokus në shëndetësi, sport, administratë, ekonomi dhe energji.

Lirohet nga detyra drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha

By: Fax Web
21 January 2026 at 17:49

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave vendosi lirimin nga detyra të drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.

Vendimi është marrë në bazë të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27 të ligjit nr.8576, datë 3 shkurt 2000, “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Sipas vendimit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ngarkohet për zbatimin e tij. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet në “Fletoren Zyrtare”.

Kuvendi mblidhet nesër/ Mazhoranca kërkesë për miratimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bordin e Paqes

By: Fax Web
21 January 2026 at 17:30

Ditën e nesërme, më 22 janar, në orën 10:00 do të zhvillohet seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë për ratifikimin e aderimit të vendit në Bordin e Paqes për Gazën.

Sipas urdhrit të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, seanca do të mblidhet me kërkesën e një të pesta të deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Rendi i ditës së seancës plenare përfshin njoftime dhe shqyrtimin e projektligjit titulluar.

“Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, paraqitur nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Ky hap përbën një moment të rëndësishëm në politikën e jashtme të Shqipërisë, duke shënuar përfshirjen e vendit në një mekanizëm ndërkombëtar për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Gazës.

Kuvendi duhet të respektojë rregulloren/PD: Nuk kemi marrë njoftim për seancë plenare këtë javë

By: Fax Web
21 January 2026 at 17:26

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë të ditur se deri në orën 16:40 të ditës së sotme nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për zhvillimin e një seance plenare gjatë kësaj jave.

Sipas njoftimit, me vendim të mazhorancës në seancën plenare të datës 19 janar 2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit është përcaktuar se këtë javë nuk do të zhvillohet seancë plenare. Seanca e rradhës është planifikuar për të mbajtur më 27 janar.

Partia Demokratike thekson se sipas pikës 3 të nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës duhet të njoftohen për deputetët dhe publikun si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar.

“Në respekt të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, Kuvendi duhet të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja, duke garantuar përgjegjshmërinë e secilit deputet gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues,” thekson Grupi Parlamentar i PD-së në njoftim.

GJKKO zbardh 42 argumentet për burgimin e vëllezërve Duka dhe grupit për vrasjen e Santiago Malkos

By: Fax Web
21 January 2026 at 17:25

GJKKO  ka shpallur këtë të martë vendimin për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur më 27 gusht 2019 në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, trupa gjykuese vendosi dënimin me 30 vite burg për të pandehurin Leonard Duka, i cili u gjet fajtor për përfshirje në vrasjen e Malkos.

Ndërkohë, Erlis Duka u shpall i pafajshëm për akuzën e vrasjes, si edhe për të gjitha episodet e tjera që lidhen me armëmbajtjen pa leje.

Për të, gjykata vendosi heqjen e masës së sigurisë, duke e liruar plotësisht nga të gjitha akuzat.

GJKKO dënoi me 25 vite burg Fatmir Hysenin, i njohur me nofkën “Doça”, si edhe Aleksandër Manxhakun. Po ashtu, me 25 vite burg u dënua edhe Oltian Loga.

Më herët, për këtë çështje janë dënuar edhe Blendi Teta dhe Ilir Selmani.

Santiago Malko u ekzekutua në gusht të vitit 2019, pasi grupi kriminal, sipas hetimeve, kishte dështuar në një atentat të planifikuar ndaj Ervis Martinajt, të cilin e konsideronte si kundërshtar të përbetuar.

Sipas dosjes hetimore, përplasja mes Leonard Dukës dhe Ervis Martinajt lidhej me konfliktet për kontrollin e lojërave të fatit.

Njoftimi i GJKKO:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Leonard Duka, Erlis Duka, Fatmir Hyseni (alias Musai), Aleksandër Maxhaku, Oltian Loga dhe Dritan Agaj”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Elsa Ulliri dhe Gerd Hoxha, me vendimin nr. 5, datë 21.01.2026 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Duka, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës S.M (ngjarja e datës 27.08.2019), parashikuar nga nenet 78, pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 28 (njëzet e tetë) vite burgim.

2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Leonard Duka, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Duka, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 1 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.

4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Duka, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit, parashikuar nga neni 278 paragrafi 3 të Kodit Penal, (municionit) (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 278 pg 3 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 4 (katër) muaj burgim.

5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Duka, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”(armët e zjarrit) (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 278 pg 4 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

6. Pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurit Leonard Duka, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 283 pg 1 i Kodit Penal, në referim të nenit 387, pika 1 dhe 328 pika 1, të K.Pr.Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale.

7. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Leonard Duka dënohet me një dënim të vetëm prej 30 (tridhjetë) vite burgim.

8. Llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Leonard Duka do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

9. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Erlis Duka, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës S.M,(ngjarja e datës 27.08.2019) parashikuar nga nenet 78 pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

10. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Erlis Duka, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 11. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Erlis Duka, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 1 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 12. Bazuar në nenet 261 dhe 389 të Kodit të Procedurës Penale, heqjen e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj të pandehurit Erlis Duka me vendimin nr. 145 datë 10.10.2019 të ish/Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. 13. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatmir Hyseni (alias Musai), për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës S.M,(ngjarja e datës 27.08.2019) parashikuar nga nenet 78 pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 14. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Fatmir Hyseni (alias Musai), për kryerjen e veprës penale“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 15. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatmir Hyseni (alias Musai), për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 2 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim. 16. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Fatmir Hyseni (alias Musai) dënohet me një dënim të vetëm prej 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 17. Llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Fatmir Hyseni (alias Musai) do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. 18. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aleksandër Maxhaku, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës S.M,(ngjarja e datës 27.08.2019) parashikuar nga nenet 78 pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 19. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Aleksandër Maxhaku, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 20. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aleksandër Maxhaku, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 2 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim. 21. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Aleksandër Maxhaku dënohet me një dënim të vetëm prej 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 22. Llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Aleksandër Maxhaku do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. 23. Deklarimin fajtor të të pandehurit Oltian Loga, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës S.M,(ngjarja e datës 27.08.2019) parashikuar nga nenet 78 pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 24. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Oltian Loga, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 25. Deklarimin fajtor të të pandehurit Oltian Loga, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 2 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim. 26. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Oltian Loga, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit, parashikuar nga neni 278 paragrafi 3 të Kodit Penal, (municionit) (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 278 pg 3 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 27. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Oltian Loga, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i ameve, armeve shpërthyese dhe i municionit”(armët e zjarrit) (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 278 pg 4 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 28. Pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurit Oltian Loga, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 283 pg 1 i Kodit Penal, në referim të nenit 387, pika 1 dhe 328 pika 1, të K.Pr.Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale. 29. Deklarimin fajtor të të pandehurit Oltian Loga, për kryerjen e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga neni 323 pg 1 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim. 30. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Oltian Loga dënohet me një dënim të vetëm prej 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 31. Llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Oltian Loga do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. 32. Deklarimin fajtor të të pandehurit Dritan Agaj, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës S.M,(ngjarja e datës 27.08.2019) parashikuar nga nenet 78 pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 33. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Dritan Agaj, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 34. Deklarimin fajtor të të pandehurit Dritan Agaj, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 2 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim. 35. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Dritan Agaj, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit, parashikuar nga neni 278 paragrafi 3 të Kodit Penal, (municionit) (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 278 pg 3 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 36. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Dritan Agaj, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”(armët e zjarrit) (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 278 pg 4 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 37. Pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurit Dritan Agaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 283 pg 1 i Kodit Penal, në referim të nenit 387, pika 1 dhe 328 pika 1, të K.Pr.Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale. 38. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Dritan Agaj dënohet me një dënim të vetëm prej 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 39. Llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Dritan Agaj do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. 40. Në bazë të nenit 190, pika 1 të K.Pr.Penale e sekuestruara, disponohen si më poshtë: – Automjeti tip “Skoda Roomster’’ me targa **** – të konfiskohet duke kaluar në favor të shtetit; – Automjeti Volkzvagen Golf 5 me targë **** – të konfiskohet duke kaluar në favor të shtetit; – Aparat celular i shtetasit R.M, i markës Huawei seria P30, me nr.IMEI: **** dhe IMEI 2: ****, me kartë SIM me nr.telefoni ****, nr. telefoni **** – t’i kthehet personit që i përket. – Portofol Luis Vuiton ngjyrë e zezë (gjetur në automjetin Audi8) i cili në brendësi të tij ka katër kartëmonedha 50 euro, 1 kartëmonedhë 20 euro,1 kartëmonedhë 10 euro, një kartë Credins Bank, dhe një copë letër e verdhë – t’i kthehet personit që i përket. – Automjeti mercedez benz CLS me targa **** – të qëndrojë në ruajtje në funksion të proçedimit të ndarë. – Dy telefonat e viktimës S.M: Celular i markës IPHONE X me nr. IMEI **** me kartë SIM me nr. **** dhe Blackberry me kartë Sim Telekom me nr. **** – të qëndrojë në ruajtje në funksion të proçedimit të ndarë. – Dy aparate celulare të të pandehurit Leonard Duka: Një aparat celular i markës Samsung me nr. IMEI: **** dhe IMEI 2: **** dhe një aparat celular me mbishkrimin **** me nr. të stampuar në pjesën e pasme të tij **** me nr. IMEI: **** dhe IMEI 2: **** – të qëndrojë në ruajtje në funksion të proçedimit të ndarë. – Aparat celular i markës Samsung i të pandehurit Dritan Agaj me nr. IMEI : **** dhe IMEI2: **** – të qëndrojë në ruajtje në funksion të proçedimit të ndarë. – Aparate celulare të markës: Samsung model SM-G965F me nr.IMEI **** dhe IMEI2: ****; Samsung model SMJ320FN me nr.IMEI: ****; IPHONE model A1586 me nr. IMEI: **** ku brenda tij ka kartën SIM me nr.serial **** – të qëndrojë në ruajtje në funksion të proçedimit të ndarë. – Një USB me mbishkrimin ****, sekuestruar në automjetin Skoda me targë ****; Një fletore me vija të gjera ku në kapakun e saj ka mbishkrimin “****” në faqen e parë fillon me muajin Qershor, e shkruar me shkrim dore dhe vijon me targën e automjetit **** etj; Një DVR me nr.serial ****, IP adrese **** (e sende te tjera të lëna në ruajtje në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë) – të qëndrojë në ruajtje në funksion të proçedimit të ndarë. 41. Shpenzimet procedurale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore (sipas formularit përkatës bashkëlidhur) i ngarkohen të pandehurve te deklaruar fajtorë, në mënyrë solidare. 42. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar. Tiranë, më datë 21.01.2026 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

 

Protestat në Iran, mbi 4 mijë të vrarë dhe mijëra të arrestuar

By: Fax Web
21 January 2026 at 17:13

Protestat masive në Iran kanë hyrë sot në ditën e 24-t, mes një represioni të ashpër nga autoritetet dhe një bllokade pothuajse totale të internetit dhe komunikimeve. Qeveria iraniane po përpiqet të frenojë përhapjen e informacionit jashtë vendit mbi kryengritjet qytetare që kërkojnë liri dhe fundin e regjimit teokratik.

Sipas Agjencisë së Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (Hrana), të paktën 4.029 persona janë vrarë që nga shpërthimi i protestave më 28 dhjetor. Mes viktimave raportohet se janë 28 të mitur dhe 35 civilë që nuk merrnin pjesë në protesta, ndërsa 180 të vrarë janë anëtarë të forcave të sigurisë ose persona të lidhur me regjimin. Hrana bën të ditur gjithashtu se 9.049 vdekje të tjera janë ende në proces verifikimi.

Numri i arrestimeve ka arritur në 26.019 persona, ndërsa raportohen 5.811 protestues të plagosur rëndë dhe 167 raste rrëfimesh të detyruara. Për shkak të ndërprerjeve të komunikimit, organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se bilanci real mund të jetë shumë më i lartë.

Ndërkohë, princi Reza Pahlavi ka reaguar në rrjetet sociale me tone të ashpra kundër Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, duke e akuzuar për krime kundër popullit iranian dhe duke paralajmëruar se ai do të përballet me drejtësinë.

Në mbështetje të tij, hakerë të panjohur kanë ndërprerë transmetimet satelitore të televizionit shtetëror iranian, duke transmetuar mesazhe që bënin thirrje për mosbindje të forcave të sigurisë dhe për bashkim me popullin. Zyra e Pahlavit ka konfirmuar ndërprerjen e transmetimeve, ndërsa autoritetet iraniane nuk kanë dhënë sqarime zyrtare.

Shtypja brutale e protestave ka sjellë pasoja edhe në arenën ndërkombëtare. Ftesa për ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos është tërhequr, si reagim ndaj vrasjeve të civilëve.

Protestat vazhdojnë në disa qytete të vendit, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe e paqartë.

Nga shpifja tek ndërtimet pa leje e parkimet dyshe: Lamallari prezanton reformën e Kodit Penal

By: Fax Web
21 January 2026 at 17:06

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari prezantoi sot në Komisionin e Ligjeve në Kuvend një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin Penal, të cilën e cilësoi si një reformë strategjike për forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e sigurisë publike dhe përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se projektligji nuk është një ndërhyrje thjesht teknike, por rezultat i një analize të thelluar të problematikave reale në terren dhe i harmonizimit të plotë me standardet e Bashkimit Evropian, në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.

Sipas ministrit, ndryshimet përafrojnë legjislacionin penal shqiptar me shtatë instrumente kyçe të BE-së, duke forcuar luftën kundër pastrimit të parave, trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore, terrorizmit, shfrytëzimit seksual të fëmijëve, si dhe mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian. Paketa zgjeron juridiksionin penal të Shqipërisë edhe për vepra të kryera jashtë territorit të vendit dhe rrit efektivitetin e ndjekjes penale për krime të rënda dhe ndërkufitare.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve vulnerabël, përmes ashpërsimit të veprave penale me natyrë seksuale, rritjes së dënimeve, zgjatjes së afateve të parashkrimit dhe ndalimit të ushtrimit të profesioneve që përfshijnë kontakt me fëmijë. Po ashtu, garantohet trajtimi i viktimave të mitura sipas standardeve më të larta të mbrojtjes.

Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, projektligji parashikon zero tolerancë ndaj shfrytëzimit, duke përjashtuar pëlqimin e viktimës si element justifikues dhe duke kriminalizuar përdorimin e shërbimeve të ofruara nga viktimat e trafikimit.

Ndryshimet prekin edhe mbrojtjen e territorit dhe interesit publik, duke ashpërsuar ndëshkimet për zënien e paligjshme të tokës, ndërtimet pa leje dhe shfrytëzimin e paligjshëm, veçanërisht në zona të mbrojtura, pasuri kulturore dhe infrastrukturë kritike, sidomos kur këto vepra kryhen nga funksionarë publikë. Forcohet gjithashtu kuadri penal për zjarrvënien në pyje dhe mjedise natyrore.

Një risi tjetër lidhet me sigurinë publike, ku parkimi në rresht të dytë trajtohet si vepër penale në rastet kur pengon seriozisht qarkullimin dhe mjetet e emergjencës. Paralelisht, projektligji forcon mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërsa ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre.

Në përfundim, ministri e cilësoi paketën si një reformë të guximshme dhe të domosdoshme, që synon jo vetëm ndëshkimin e krimit, por edhe parandalimin dhe garantimin e sigurisë për qytetarët, duke ndërtuar një sistem penal modern dhe plotësisht të përputhshëm me standardet evropiane.

Groenlanda në fokus, Ukraina rrezikon të lihet në hije

By: Fax Web
21 January 2026 at 17:05

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur shqetësimin se mosmarrëveshja e vazhdueshme lidhur me Groenlandën mund të shpërqendrojë vëmendjen ndërkombëtare nga lufta në Ukrainë.

“Jam i shqetësuar për çdo humbje të fokusit gjatë një lufte në shkallë të plotë”, u deklaroi Zelensky gazetarëve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së vëmendjes globale ndaj agresionit rus.

Ai i bëri thirrje Uashingtonit të forcojë angazhimin diplomatik me Evropën, duke shprehur besimin se situata nuk do të përshkallëzohet në një kërcënim të madh.

“Mendoj se kjo është ajo që do të ndodhë dhe besoj fuqimisht se nuk do të ketë ndonjë kërcënim të madh,” theksoi Zelensky.

VIDEO/ Finemi dhunon Lim Hotin në mes të rrugës

By: Fax Web
21 January 2026 at 16:11

Ndërsa reperi Lim Hoti është brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova, në rrjetet sociale është bërë virale një video ku Lim Hoti shfaqet duke u dhunuar fizikisht në mes të rrugës.

Pamjet kanë shkaktuar reagime të shumta, ndërsa dyshimet kryesore për autorin e sulmit bien mbi reperin Finem, një emër i njohur i skenës muzikore.

Sipas raportimeve të mediave online, konflikti mes dy artistëve nuk konsiderohet thjesht thashethem.

Po ashtu, raportohet se vetë Finem nuk i ka mohuar zërat për përfshirjen e tij në këtë përplasje fizike.

Projekti i ri/ Kullat e Shqipërisë, jo vetëm për shikim – tani edhe për përvojë turistike

By: Fax Web
21 January 2026 at 15:49

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit po ndërmerr një qasje të re për rijetësimin e kullave tradicionale, duke i trajtuar ato jo vetëm si monumente kulture, por si hapësira funksionale dhe të gjalla, të integruara në zhvillimin turistik, kulturor dhe ekonomik të zonave ku ndodhen.

Ky program ka si bashkëpunëtor GIZ Shqipëri dhe shtrihet në qarqet Dibër, Kukës, Shkodër dhe Lezhë.

Synimi është kthimi i kullave në bujtina, qendra kulturore, muze lokalë dhe pika edukimi, si pjesë e itinerareve turistike që ofrojnë përvoja autentike për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë.

MTKS thotë se, kjo ndërhyrje do të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë, forcimin e identitetit lokal dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim të qëndrueshëm në komunitetet përkatëse.

Në këtë kuadër, është përgatitur një pyetësor informues, i cili shërben për mbledhjen e të dhënave mbi: Gjendjen fizike dhe funksionale të kullave; Historikun dhe karakteristikat arkitektonike; Praktikat kulturore të lidhura me kullat; Potencialin turistik dhe statusin ligjor.

Të dhënat e mbledhura do të shërbejnë si bazë për hartimin e një programi të integruar për restaurimin dhe promovimin e kullave si pasuri të trashëgimisë kulturore.

Trump në Forumin e Davos: Nuk heqim dorë nga Groenlanda, kur Amerika është e fortë, bota është më e sigurt

By: Fax Web
21 January 2026 at 15:19

Davos – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se nuk do të tërhiqet nga synimi për ta përfshirë Groenlandën nën kontroll amerikan, pavarësisht reagimeve dhe kritikave ndërkombëtare.

Trump theksoi se Groenlanda është thelbësore për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke e lidhur çështjen drejtpërdrejt me interesat strategjike dhe rolin e NATO-s.

“Mendoj se do ta zgjidhim në një mënyrë që NATO të jetë shumë e kënaqur dhe ne të jemi shumë të kënaqur. NATO duhet të na trajtojë edhe ne drejtësisht,” u shpreh Trump.

“Amerika udhëheq”
Në fjalën e tij, Trump nënvizoi rolin dominues të SHBA-së në rendin global, duke deklaruar se forca amerikane është garanci për stabilitetin botëror.

“Amerika udhëheq. Kur Amerika është e fortë, bota është më e sigurt,” tha presidenti amerikan.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara janë aktualisht ekonomia më e fortë në botë, duke theksuar se asnjë vend nuk konkurron realisht me SHBA-në.

“Shtetet e Bashkuara janë sot vendi më i fortë ekonomikisht në botë. Askush nuk konkurron me ne,” deklaroi Trump.

Mesazh për investitorët: “Amerika, vendi më i sigurt”
Trump u ndal edhe te klima ekonomike dhe investimet, duke theksuar se administrata e tij ka krijuar kushte të favorshme për biznesin, investitorët dhe punëtorët.

“Ne kemi krijuar një mjedis ku biznesi fiton, investitorët fitojnë dhe punëtorët fitojnë. Nëse doni të investoni, Amerika është vendi më i sigurt dhe më fitimprurës,” u shpreh ai.

Mesazh i fortë për aleatët
Presidenti amerikan pati edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për aleatët e SHBA-së, duke kërkuar ndarje të barabartë të përgjegjësive.

“Aleatët tanë duhet të bëjnë pjesën e tyre. Amerika nuk mund të jetë banka dhe ushtria e botës pa fund. Ne i mbrojmë aleatët tanë, por presim drejtësi dhe ndarje të barabartë të barrës,” tha Trump.

Deklaratat e tij në Davos pritet të nxisin debat të fortë ndërkombëtar, veçanërisht sa i përket rolit të SHBA-së në NATO dhe ambicieve strategjike për Groenlandën.

Trump kritikon ashpër Europën: Disa pjesë të kontinentit nuk njihen më! Nuk po shkon në drejtimin e duhur

By: Fax Web
21 January 2026 at 15:09

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk humbi kohë për të ngritur kritika të forta ndaj Europës gjatë fjalimit të tij përpara një salle të mbushur me zyrtarë dhe liderë europianë në Forumin e Davos, duke deklaruar se disa pjesë të kontinentit “nuk janë më as të dallueshme”.

“Ne mund të debatojmë për këtë, por nuk ka debat. Miq që kthehen nga vende të ndryshme, nuk dua të fyej askënd, thonë: ‘Nuk e njoh më’. Dhe kjo nuk është në kuptim pozitiv, por shumë negativ”, u shpreh Trump.

Mesazhi i tij u konsiderua veçanërisht i ashpër, në një kohë kur marrëdhëniet SHBA–BE tashmë janë tensionuar, veçanërisht pas deklaratave të mëparshme të Trump mbi ambiciet për aneksimin e Groenlandës.

Presidenti amerikan fajësoi politikat europiane të emigracionit dhe ekonomisë për atë që ai e cilësoi si pasoja katastrofike, duke i krahasuar me atë që e quajti “mrekulli ekonomike” në Shtetet e Bashkuara.

“E dua Europën dhe dua ta shoh të ecë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur”, tha Trump, duke përmendur si probleme kryesore “rritjen e shpenzimeve qeveritare, emigracionin masiv të pakontrolluar dhe importet e pafundme nga jashtë”.

Trump rikthehet në Davos: Ekonomia amerikane po ecën përpara, Europa po shkon keq, disa vende nuk njihen më

By: Fax Web
21 January 2026 at 14:56

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka mbajtur fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke u rikthyer në këtë forum ndërkombëtar për herë të parë gjatë mandatit të tij të dytë presidencial.

Në fjalën e tij, Trump u shpreh se ishte i kënaqur që po fliste para “miqve dhe disa armiqve”, ndërsa theksoi se këtë vit po vinte me “lajme fenomenale nga Amerika”. Ai bëri të ditur se një ditë më parë ishte shënuar njëvjetori i inaugurimit të tij dhe sipas tij, ekonomia amerikane ka shënuar rritje të ndjeshme.

“Ekonomia jonë po rritet, produktiviteti po ashtu, të ardhurat po rriten, inflacioni është mundur dhe kufiri i rrezikshëm është mbyllur, tashmë i padepërtueshëm,” deklaroi Trump, duke shtuar se pas vetëm një viti të politikave të tij, SHBA po përjeton të kundërtën e asaj që, sipas tij, solli administrata Biden.

Presidenti amerikan e cilësoi SHBA-në si motorin ekonomik të botës, duke theksuar se rritja amerikane ndikon drejtpërdrejt në ekonominë globale. “Kur SHBA rritet, gjithë bota ecën mirë. Kur shkojmë keq ne, të gjithë shkojnë keq,” u shpreh ai.

Trump tha se nuk e kishte menduar se ndryshimet ekonomike do të ndodhnin kaq shpejt. “Mendova se do të duheshin më shumë se një vit, ndoshta një vit e një muaj, por ndodhi shumë shpejt,” theksoi ai.

Në vijim, Trump deklaroi se synon të shpjegojë se si SHBA arriti, sipas tij, këtë “mrekulli ekonomike”, duke sugjeruar se edhe vendet e tjera mund të përmirësojnë situatën e tyre duke ndjekur modelin amerikan. Ai u ndal veçanërisht te Europa, duke shprehur shqetësim për zhvillimet atje.

“Unë e dua shumë Europën, por po shkon keq. Disa vende nuk njihen më sot, në një mënyrë shumë negative,” tha Trump, duke shtuar se nuk kishte qëllim të ofendonte askënd, por se situata, sipas tij, është e qartë dhe pa argumente kundërshtuese

Drejtoria e Krimit Kibernetik paralajmëron: Kujdes nga faqet mashtruese që imitojnë Policinë e Shtetit

By: Fax Web
21 January 2026 at 14:51

Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik ka lëshuar një apel për qytetarët, duke i paralajmëruar për raste të fundit mashtrimi përmes mesazheve SMS dhe lidhjeve të rreme, të cilat imitojnë faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe synojnë përfitime financiare të paligjshme.

Sipas Policisë, qytetarëve u dërgohen mesazhe mashtruese që i drejtojnë drejt faqeve false, të cilat në pamje të parë duken si faqe zyrtare institucionale. Këto faqe përdorin stemën e Policisë së Shtetit, imazhe të Drejtorisë së Përgjithshme dhe elemente grafike që imitojnë shërbimet emergjente, duke krijuar perceptimin e rremë të besueshmërisë.

Në fazën e parë, përdoruesve u kërkohet të konfirmojnë identitetin duke vendosur numrin e telefonit celular. Më pas, u kërkohet numri i targës së automjetit dhe në hapin final plotësimi i të dhënave bankare, me pretendimin për kryerjen e pagesës së një gjobe automjeti.

NJOFTIMI

Apel për kujdes nga faqe mashtruese që imitojnë Policinë e Shtetit dhe kërkojnë pagesa të rreme për gjoba automjetesh.

Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik informon qytetarët se së fundi është konstatuar qarkullimi i mesazheve mashtruese (SMS) dhe lidhjeve të rreme (linke), të cilat imitojnë faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe synojnë mashtrimin e qytetarëve, nëpërmjet kërkesave për pagesa të pretenduara të gjobave të automjeteve.

Lidhjet e dërguara çojnë drejt një faqeje të rreme, e cila në pamje të parë paraqitet si faqe zyrtare e Policisë së Shtetit, duke përdorur stemën institucionale, imazhe të ndërtesës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe elemente grafike që imitojnë shërbimet emergjente. Në hapin e parë, qytetarëve iu kërkohet të konfirmojnë identitetin, duke vendosur numrin e telefonit celular. Në hapin vijues, faqja kërkon numrin e targës së automjetit, ndërsa në fazën e fundit iu kërkohet plotësimi i të dhënave bankare, me pretendimin për kryerjen e pagesës së gjobës.

Policia e Shtetit sqaron se kjo faqe nuk është faqe zyrtare, pasi përdor një adresë interneti të rreme (domain: aspalgov.cyou), e cila nuk i përket asnjë institucioni shtetëror.

Ky rast përbën një tentativë mashtrimi kibernetik (phishing), me qëllim përfitimin e paautorizuar të të dhënave personale, numrave të telefonit, të dhënave të automjeteve, të dhënave bankare, PIN-eve dhe kodeve të aksesit në llogari online, duke i ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut të humbjeve financiare dhe abuzimit me identitetin e tyre.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik apelon për qytetarët:

-Të mos klikojnë në lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale;

-Të mos vendosin numra telefoni, të dhëna personale apo bankare në faqe jozyrtare;

-Të kenë parasysh se Policia e Shtetit nuk kërkon konfirmim identiteti apo pagesa gjobash përmes linkeve të dërguara me SMS;

-Të verifikojnë çdo informacion vetëm përmes kanaleve zyrtare të Policisë së Shtetit;

-Në rast dyshimi apo mashtrimi, të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave, në hapësirën digjitale, si dhe fton qytetarët, që të tregojnë kujdes maksimal për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale dhe financiare.

Miratohet në Qeveri aderimi i Shqipërisë në “Bordin e Paqes”, pritet votimi në Kuvend

By: Fax Web
21 January 2026 at 14:29

Qeveria ka miratuar vendimin për aderimin e Shqipërisë në ‘Bordin e Paqes’, duke hapur rrugën për anëtarësimin formal të vendit në këtë strukturë ndërkombëtare, pas ftesës së presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Hapi i radhës është miratimi i aderimit nga Kuvendi i Shqipërisë, ku pritet që çështja të shqyrtohet dhe të votohet të martën që vjen në një seancë të posaçme.

Pak ditë më parë Shqipëria mori ftesë zyrtare nga presidenti Trump për të qenë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën.

 

Vitet e punës në fshat dhe pensionet: Drejtoresha e ISSH në Fax News sqaron problemet e trashëguara me dokumentacionin

By: Fax Web
21 January 2026 at 14:25

Njohja e viteve të punës mbetet një element thelbësor për përcaktimin e vendbanimit dhe përfitimeve që u takojnë qytetarëve, veçanërisht në rastet kur puna është kryer në zonat rurale. Sipas legjislacionit në fuqi, personat që kanë punuar në fshat përfitojnë pensionin në përputhje me vitet e sigurimit që u njihen.

Për të trajtuar këto çështje dhe problematikat e shpeshta që lidhen me dokumentacionin, në Fax News ishte e ftuar drejtoresha e Përfitimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, znj. Fatjela Mehmeti. Ajo foli për vështirësitë e trashëguara ndër vite në dokumentacion, të lidhura me ish-kooperativat bujqësore dhe ndërmarrjet bujqësore shtetërore, si dhe për procesin e verifikimit, mbledhjes dhe njohjes së tyre.

Znj. Mehmeti theksoi rëndësinë e saktësimit të të dhënave për garantimin e të drejtave të pensionistëve dhe sqaroi hapat që ISSH po ndjek për zgjidhjen e problematikave të akumuluara.

Ra nga ura, zbulohet ideniteti i viktimës në Bushtricë

By: Fax Web
21 January 2026 at 13:57

Është identifikuar viktima e ngjarjes së ndodhur në Bushtricë, ku një 58-vjeçar ka rënë nga ura dhe për pasojë ka humbur jetën.

Bëhet fjalë për Arif Shengjergji.

Autoritetet po vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa priten detaje të tjera zyrtare.

Denoncimi i Berishës: Rama ka përgjuar dhe kontrolluar edhe të huajt në Shqipëri

By: Fax Web
21 January 2026 at 13:43

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ai ka përgjuar dhe kontrolluar edhe të huajt në Shqipëri.

Në konferencën me gazetarët, kryedemokrati tha se në kancelaritë evropiane nuk flitet për gjë tjetër veçse për AKSHI-n.

Sipas Berishës, nga AKSHI janë eksportuar të gjithë të dhënat sekrete të Shqipërisë dhe ato të aleancës së Atlantikut të Veriut, tek organizatat kriminale dhe armiqtë e NATO-s

“Situata është edhe më dramatike dhe po kundërmon në mbarë Europën. Në kancelaritë evropiane nuk flitet për gjë tjetër veçse për AKSHI-n. Dy arsye.

Edi Rama ka përdorur AKSHI-n për të përgjuar dhe kontrolluar jo vetëm çdo qytetar shqiptar, por edhe çdo të huaj në Shqipëri.

Nga AKSHI janë eksportuar të gjithë të dhënat sekrete të Shqipërisë dhe ato të aleancës së Atlantikut të Veriut, tek organizatat kriminale dhe armiqtë e NATO-s dhe kjo përbën një dhunim të madh të sigurisë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe Europën.

Por AKSHI është një monedhë me dy faqe. Në njërën anë është Linda e AKSHI-t, në anën tjetër është Linda e Surrelit. Dhe kjo e trondit Edi Ramën. Kjo e shkatërron Edi Ramën”, tha Berisha.

❌
❌