Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025FaxWeb

VIDEO/ Milani me sulmues të ri

By: Fax Web
22 December 2025 at 16:39

Niclas Fullkrug mund të quhet një lojtar i Milanit. Sulmuesi gjerman pritet të bashkohet me kuqezinjtë, si kërkesë e trajnerit Massimiliano Allegri.

Kuqezinjtë kanë arritur marrëveshjen me West Ham, i cili ka pranuar formulën e huazimit të thatë deri në fund të sezonit.

Në kontratë parashikohet një e drejtë blerjeje në vlerën e 15 milionë eurove.

Klubi anglez i ka dhënë dritën jeshile lojtarit për t’u transferuar në Milano me 32-vjeçarin që e ka shtyrë fort këtë lëvizje, duke pranuar edhe ulje të ndjeshme të pagës.

Fullkrug do të përfitojë 1.5 milionë euro për sezonin aktual me Milanin.

Lojtari pritet të mbërrijë në Milano që mbrëmjen e sotme. Më pas do të ndiqet i gjithë procesi formal i transferimit. Fullkrug synohet të vihet sa më shpejt në dispozicion të Allegrit për stërvitjet e para.

Debutimi i tij mund të vijë që në ndeshjen ndaj Cagliarit, më 2 janar.

Dosja e AKSHI-t/ Si Ergys Agasi bënte gati “çunat” për ish-ministrin e PS: Do ja q* robt

By: Fax Web
22 December 2025 at 16:33

Zbulohen detaje të reja nga dosja e SPAK për AKSHI-n.

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme vihet re se si një grup personash me lidhje të forta në nivelet më të larta të pushtetit, dyshohet se përdorte një skemë të organizuar kërcënimi, presioni, por edhe pengmarje për të përfituar nga tenderat dhe koncesionet publike.

Këtij presioni nuk i ka shpëtuar as Damian Gjiknuri, në atë kohë ish ministër i Energjisë.

Sipas dosjes, së siguruar nga Fax News, Ergys Agasi më 6 Mars 2019 komunikon me Alqi Bllako, lidhur me një “situatë” në të cilën dyshohet se  Gjiknuri “ishte bërë pengesë”.

Nga përmbajtja e kësaj bisede, evidentohet se personi me emrin “labi”, është shtetasi Elgerti Bixha, për të cilin shtetasi Ergys Agasi do ta emërojë si administrator në një shoqëri private e cila ka fituar një koncesion me ministrinë e drejtuar në atë kohë nga ish ministri Damian Gjiknuri, i cili pretendohet se është bërë pengesë për realizimin e këtyre përfitimeve të paligjshme nga ana e shtetasve Ergys Agasi, Elgerti Bixha dhe Alqi Bllako. Në këtë komunikim, konkretisht në mesazhin e datës 06.03.2019, ora 21:54:43, shtetasi Ergys Agasi shprehet se: “Do ja q* robt do fusim cunatboastaj..” (do fusim çunat pastaj), çka nënkupton faktin se ai përdor lidhjet e tij me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, për  të “hequr” këto pengesa”, thuhet në dosjen e SPAK.

Kjo rrethanë, sipas hetimeve lidhet dhe me pengmarrjen e Gerond Meçe, pasi ai gjithashtu si në rastin Damian Gjiknurit, kishte krijuar “pengesa”, nëpërmjet ankimimeve të shumta pranë KPP-së, për procedurat e prokurimit të zhvilluara pranë AKSH, duke nënkuptuar faktin se “modus operandi” i këtij grupi kriminal është i njëjtë.

Në vijim të këtij arsyetimi, dyshimi i arsyeshëm në ngarkim të shtetasit Ergys Agasi, si organizator dhe pjesëmarrës i pengmarrjes së shtetasit Gerond Meçe, përforcohet dhe nga fakti se automjeti i përdorur për kryerjen e pengmarrjes, rezulton të jetë në pronësi të subjektit “Merkaj 3” sh.p.k., me nipt L31722005D, në pronësi të shtetasit Endri Merkaј”, thuhet në dosje.

LEXO EDHEZbardhet dëshmia e Drejtoreshës së AKSH-it, Karçanaj: Ergysi do të bënte një partneritet që…

Zbardhet dëshmia e Drejtoreshës së AKSH-it, Karçanaj: Ergysi do të bënte një partneritet që…

By: Fax Web
22 December 2025 at 16:21

Zbardhet një pjesë e dëshmisë së drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj para Prokurorëve Specialë, ku ajo tregon për tenderët dhe marrëdhënien e saj me operatorët ekonomikë, duke përmendur edhe Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin.

“Ergysi do të bënte një partneritet që donte të bënte me një kompani izraelite dhe më pyeti për një zgjidhje teknike. Në këtë ambient ka qenë edhe shtetasi Ermal Beqiri, i cili rezultoi në mënyrë rastësore prezent në këtë takim. Me shtetasin Ermal Beqiri mund të jem takuar vetëm një herë jashtë zyre në një ambient privat, por jemi takuar në ambientet e AKSHI-t si me çdo drejtues të kompanive private, për të mirëmenaxhuar implementimin e projekteve shtetërore”, ka deklaruar ndër të tjera Karçanaj.

Mirlinda Karçanaj deklaroi se:

“Raport miqësor nuk kam me asnjë, por për t’i njohur i njoh të gjithë, pasi janë pak dhe janë ekspertë të fushës. As nuk pi kafe dhe as nuk rri apo të shoqërohem me ndonjë operator ekonomik jashtë zyre. Ka pasur një rast ku kam takuar një operator ekonomik, të cilin e kam takuar rastësisht në zyrën e një të njohurit tim, të cilin e kisha takuar për një kafe në zyrën e tij, për shkak të një konsulence private, konkretisht në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, me të cilin kam njohje të vjetra, të cilin e kam takuar disa herë në zyrën e tij, për çështje private. Ergysi do të bënte një partneritet që donte të bënte me një kompani izraelite dhe më pyeti për një zgjidhje teknike. Në këtë ambient ka qenë edhe shtetasi Ermal Beqiri, i cili rezultoi në mënyrë rastësore prezent në këtë takim. Me shtetasin Ermal Beqiri mund të jem takuar vetëm një herë jashtë zyre në një ambient privat, por jemi takuar në ambientet e AKSHI-t si me çdo drejtues të kompanive private, për të mirëmenaxhuar implementimin e projekteve shtetërore. Me shtetasin Ergys Agasi mund të jem takuar disa herë në zyrën e tij, për shkak të raportit miqësor që ne kemi. Po kështu, deklaroj faktin se lidhur me njohjen time me shtetasin Ermal Beqiri, kam qenë gjithashtu në një udhëtim të përbashkët me shumë përfaqësues të tjerë të shoqërive të teknologjisë dhe informacionit, të cilat kanë krijuar një organizatë jofitimprurëse së bashku dhe gjatë kohës së fushatës u kërkua nga kryeministri që të shkohej në Greqi dhe t’u kërkohej emigrantëve që të ktheheshin në atdhe, me qëllim për t’u punësuar në institucione të ndryshme dhe institucionin tonë. Në këtë event në Greqi kanë qenë të gjithë operatorët ekonomikë, pjesë të shoqatës ‘Akti’, në të cilën bën pjesë edhe shoqëria e shtetasit Ermal Beqiri. Ky event dhe prezenca e kompanive në panairin e punësimit është kërkuar nga zëvendëskryeministrja në bllokun e ekonomisë…”

Ndërsa u pyet konkretisht për bisedën e zhvilluar midis saj dhe shtetasit Ergys Agasi, shtetasja Mirlinda Karçanaj deklaroi se:

“Ka qenë një projekt që nuk kishte të bënte me shtetin, një projekt izraelit, nuk më kujtohet saktë se për çfarë bëhej fjalë, por për shkak të njohurive të mia në këtë fushë, më kërkoi mendim teknik lidhur me çështjen…”

Përsa i përket lidhjes shoqërore mes shtetasve Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, ajo deklaroi se nuk ishte në dijeni të raportit që ata kanë midis tyre.

Gjithashtu, shtetasja Mirlinda Karçanaj u pyet edhe për faktin nëse në bisedën e zhvilluar midis saj dhe shtetasit Ergys Agasi e kuptoi që edhe shtetasi Ermal Beqiri do të ishte pjesë e këtij projekti, pyetje së cilës ajo iu përgjigj duke deklaruar se:

“Jo, ai qëlloi thjesht aty dhe nuk mu duk sikur ai ishte pjesë e këtij projekti…”

Ndërkohë, lidhur me faktin që shtetasit Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kanë edhe bashkëpunim financiar, konkretisht se edhe shtetasi Ergys Agasi është ortak i një shoqërie “EA Solution”, e cila ka objekt aktiviteti zhvillimin, implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve dhe programeve në fushën e teknologjisë së informacionit, shtetasja Mirlinda Karçanaj u përgjigj se nuk ka qenë në dijeni të këtij fakti dhe se nuk ka qenë pjesë e diskutimeve asnjëherë.

LEXO EDHE: Si Ergys Agasi, Ermal Beqiri, dhe Erjon Ismaili rrëmbyen biznesmenin/ Fax News siguron dosjen e AKSH-it

VIDEO/ Përplasen dy makina në Fier, ka të plagosur

By: Fax Web
22 December 2025 at 16:18

Një aksident rrugor është regjistruar ditën e sotme në Fier, në vendin e quajtur “ Kthesa e Vajkanit”.

Në aksident janë përfshirë dy automjete, një mjet tip Benz dhe një Fiat Panda. Nga përplasja, automjeti tip Benz ka përfunduar në kanal, ndërsa mjeti tjetër ka pësuar dëmtime materiale.

Si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, ka mbetur e plagosur pasagjerja e njërës prej makinave, e cila është transportuar menjëherë drejt spitalit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca. Policia po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

VIDEO/ Bombë në makinë, vritet gjenerali rus në Moskë

By: Fax Web
22 December 2025 at 16:09

Një gjeneral rus u vra mëngjesin e kësaj të hëne, pasi një pajisje shpërthyese shpërtheu nën makinën e tij në Moskë, ndërsa hetuesit kanë deklaruar se pas sulmit mund të jetë Ukraina, duke bërë kështu këtë rast të tretin të vrasjes së një oficeri të lartë ushtarak brenda një viti.

Lajmi u konfirmua nga Svetlana Petrenko, zëdhënëse e Komitetit Hetimor të Rusisë, agjencisë kryesore të hetimeve penale në vend.

Ajo tha se gjenerali Fanil Sarvarov, kreu i Drejtorisë së Trajnimit Operativ të Forcave të Armatosura të Rusisë, vdiq nga plagët e marra.

“Hulumtuesit po ndjekin shumë pista lidhur me këtë vrasje. Njëra prej tyre është se krimi është orkestruar nga shërbimet e inteligjencës ukrainase,” tha Petrenko, citon AP.

Pak më shumë se një vit më parë, më 17 dhjetor 2024, gjenerali Igor Kirillov, kreu i forcave për mbrojtje bërthamore, biologjike dhe kimike, u vra nga një bombë e fshehur në një skuter elektrik jashtë ndërtesës së tij. Asistenti i Kirillovit gjithashtu humbi jetën. Shërbimi i sigurisë së Ukrainës mori përgjegjësinë për sulmin.

Një shtetas uzbek u arrestua shpejt dhe u akuzua për vrasjen e Kirillovit në emër të shërbimit të sigurisë ukrainas.

Moska gjithashtu ka fajësuar Ukrainën për disa shpërthime dhe sulme të tjera në territorin rus.

 

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve rezolutë KLGJ-së: Kërkojmë rrijen e sigurisë! Prej vitesh mijëra dosje pa shqyrtuar

By: Fax Web
22 December 2025 at 15:52

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë i është drejtuar me një rezolutë zyrtare Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke ngritur shqetësime serioze dhe urgjente mbi funksionimin e gjykatave, veçanërisht të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, si dhe të gjykatave administrative.

Në rezolutën e miratuar në mbledhjen e datës 10 dhjetor 2025, Shoqata thekson se që prek 7 vitesh, pas mbarimit të procesit të vetingut, këto gjykata përballen me një mbingarkesë të paprecedentë të çështjeve penale.

Sipas dokumentit, një gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës përballon mesatarisht mbi 1100 çështje, ndërsa në Gjykatën e Apelit rreth 50 mijë dosje që datojnë në vitet 2017–2018, presin akoma të shqyrtohen.

 

 

Siguria institucionale në gjykata

1.1. Kontrolli i personave që hyjnë në ambientet e gjykatave kryhet nga persona të patrajnuar dhe pa standarde të unifikuara sigurie, me trajtim finanaciar të ulët. Për pasojë punonjësit e sigurisë caktohen punonjës të sektorit të shërbimeve mbështetëse të cilet rekrutohen me pagën e përafërt me pagën minimale në shkallë vendi, të cilët nuk plotësojnë kriteret për të kryer këtë shërbim në mënyrë efikase.

1.2. Mungon ndarja funksionale e ambienteve të brendshme ndërmjet:

  • gjyqtarëve;
  • stafit administrativ;
  • palëve në proces dhe publikut.

1.3. Në shumicën e ambienteve gjyqësore mungojnë pajisjet teknike të kontrollit të sigurisë (detektorë metalikë, mjete skanimi etj.).

1.4. Nuk ka personel të dedikuar për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore në sallat e gjykimeve.

Ngarkesa e punës dhe menaxhimi i çështjeve

2.1. Gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përballen aktualisht me një ngarkesë mesatare që tejkalon 1100 çështje për gjyqtar (ngarkesë kjo tashmë sistematike prej më shumë 7 vjetësh). Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm po ashtu përballet me një ngarkesë të lartë të çështjeve të prapambetura, duke e bërë të pamundur realizimin e standardit kushtetues të gjykimit brenda afateve të arsyeshme. Radha e shqyrtimit të ankimeve të zakonshme në këtë gjykatë është ende në vitet 2017–2018, ndërkohë që rreth 50.000 dosje presin shqyrtimin.

Kjo ngarkesë vjen si pasojë e:

  1. a) organikës së paplotësuar të gjyqtarëve, e cila deri në fund të vitin 2022 për gjykatën e shkallës së pare ka qenë rreth 52% sipas raportit të ILD-së datë 29.09.2023 dhe vijon të jetë e tillë, ndërsa për gjykatën e apelit ka një numër shumë të vogël gjyqtarësh vetëm 32 nga 78 që duhet të kishte. Kohët e fundit KLGJ-ja, me delegimin dhe ngritjen në detyrë të disa gjyqtarëve nga gjykata e shkallës së parë, ka rritur numrin e gjyqtarëve në këtë gjykatë, por efektiviteti i kësaj vendim-marrje mbetet për t’u vlerësuar në kushtet e mungesës së infrastrukturës me salla gjykimi, zyra gjyqtarësh dhe staf administrative mbështetës.
  2. b) mungesës së stafit administrativ shoqëruar me mangësi në trajnimin e tyre profesional, veçanërisht të sekretarëve dhe ndihmësve ligjorë, duke sjellë:
  • vonesa procedurale;
  • angazhim të gjyqtarëve në detyra administrative, në kundërshtim me natyrën e funksionit të tyre.

2.2. Transferimet e gjyqtarëve të kryera nga KLGJ-ja gjatë viteve të fundit nuk kanë prodhuar rritje reale të kapaciteteve gjyqësore, për shkak se janë shoqëruar me ngritje në detyrë dhe lëvizje  paralele të gjyqtarëve në gjykata të tjera.

2.3. Rishortimi i çështjeve të mbetura nga gjyqtarët e larguar ose të transferuar ka krijuar:

  • rritje të menjëhershme të ngarkesës për gjyqtarët aktualë dhe cenimin e mirëqenies së tyre fizike, psikologjike, emocionale, duke i vënë përballë një situate të vazhdueshme për gjykimin e çështjeve tej kapaciteteve të mundshme njerëzore dhe përballjen me presionin e palëve, për shkak të pamundësisë së respektimit të afateve ligjore të gjykimit të çështjeve dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore. Gjyqtarët përballen me menaxhimin e një situate të jashtëzakonshme, që nuk ka ardhur për faj të tyre;
  • vonesa të mëtejshme në shqyrtimin e çështjeve;
  • pakënaqësi dhe mungesë besimi nga ana e palëve në proces.

2.4. Transferimet, përfshirë edhe ato të përkohshme, nga një seksion në një seksion tjetër brenda së njëjtës gjykatë, kanë sjellë rishortim çështjesh sipas vendimit nr. 724, datë 07.12.2023, të KLGJ-së dhe ndërprerje të vazhdimësisë së gjykimit e për pasojë ngarkesë joproporcionale mes gjyqtarëve.

2.5 Nuk ka mjaftueshëm salla për të zhvilluar gjykimet në gjykata. Kjo ka sjellë si pasojë cenimin e cilësisë dhe transparencës së procesve gjyqësore në raport me palët. Godina e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm është krejtësisht e papërshtatshme, duke qenë se mungojnë hapësirat e nevojshme për salla gjyqi (ka vetëm 8 salla dhe me kalimin e gjyqtarëve të rinj në këtë gjykatë bëhet tejet e vështirë, në mos e pamundur, që gjyqtarët të zhvillojnë seanca gjyqësore), ka mungesë hapësire për arkiva, akomodim të gjyqtarëve dhe stafit ndihmës, mungesë të ambienteve të përshtatshme për avokatët, palët ndërgjyqëse, prokurorët, të paraburgosurit si dhe për qytetarët.

Ndeshjet e fundit për 2025-ën, zbulohen oraret e ndeshjeve të Superiores

By: Fax Web
22 December 2025 at 15:44

Java e 18-të e Superiores që përkon me javën e fundit të futbollit në këtë kategori për vitin 2025 do të zhvillohet të martën dhe të mërkurën.

Nesër, më 23 dhjetor, do të luhen dy ndeshje të rëndësishme.

Teuta pret kryesuesen Egnatia në “Niko Dovana” ndërsa Partizani do të përballet me Dinamon në “Arena e Demave”. Të dyja sfidat do të luhen në orën 18:00.

Ndërkohë, të mërkurën do të zhvillohen tre përballjet e tjera. Vora-Bylis do të luhet në orën 13:30. Dy ndeshjet e tjera do të zhvillohen në orën 18:30.

Sfida Vllaznia-Flamurtari do të zhvillohet në “Loro Boriçi” ndërsa Tirana do të luajë në transfertë kundër Elbasanit në “Elbasan Arena”.

Java 18

Teuta – Egnatia, 23.12.2025, ora 18:00

Partizani – Dinamo, 23.12.2025, ora 18:00

Vora – Bylis, 24.12.2025, ora 13:30

Elbasani – Tirana, 24.12.2025, ora 16:30

Vllaznia – Flamurtari, 24.12.2025, ora 16:30

VIDEO-EMRAT/ Përplasje mes qytetarëve dhe forcave të INUV në Vlorë, të shtëna me armë nga policia

By: Fax Web
22 December 2025 at 15:04

Një incident i rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të hëne në qytetin e Vlorës, ku tre persona janë konfliktuar me punonjës të INUV.

Në konflikt janë përfshirë punonjës të INUV dhe tre shtetas, konkretisht Irfan Dalipaj., 58 vjeç, Drisild Dalipaj., 27 vjeç dhe Fabjo Dalipaj., 23 vjeç.

Punonjësit e INUV kanë qenë në terren për të njoftuar bizneset për lirimin e hapësirave publike, por aty ka nisur dhe konflikti ku fillimisht janë dhunuar punonjësit e INUV.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:20, në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës, ku gjatë konfliktit kanë ndërhyrë dy punonjës të qarkullimit rrugor. Njëri prej tyre ka qëlluar me armën e shërbimit në ajër për të ndalur konfliktin, pa shkaktuar të lënduar.

Si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre, dy punonjësit e Policisë janë transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Punonjësit e Policisë, kanë marrë plagë në kokë dhe në trup me sende të forta, ku frakturat duken qartë.

Në spital ka mbërritur dhe drejtori i policisë, i cili ka parë nga afër gjendjen e dy punonjësve të Policisë.

Pamjet e përplasjes, të siguruara nga Fax News:

Vlorë/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 12:20, shërbimet e Policisë janë njoftuar se në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës ka ndodhur një konflikt ndërmjet punonjësve të INUV dhe shtetasve I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe F. D., 23 vjeç. Në afërsi të konfliktit kanë qenë duke kryer shërbim të planizuar dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e sipërpërmendur.

Gjatë ndërhyrjes dhe në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime.

Si pasojë e dëmtimeve fizike të shkaktuara nga goditjet e tre shtetasve,  dy punonjësit e Policisë janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i përbërë nga OPGJ i Prokurorisë dhe AMP, të cilët po vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Guardiola kërcënon futbollistët: Kush merr kile gjatë Krishtlindjeve…

By: Fax Web
22 December 2025 at 14:40

Pep Guardiola i ka peshuar lojtarët e tij para pushimit për Krishtlindje dhe i ka paralajmëruar të mos e teprojnë me ushqimin gjatë këtyre ditëve.

Trajneri i Manchester City e ka bërë të qartë se çdo lojtar, kur të kthehet nga një pushim i shkurtër festiv, do të peshohet sërish për të parë formën e tyre.

Të padisiplinuarit nuk do të luajnë në ndeshjen e ardhshme kundër Nottingham Forest, raportojnë mediat angleze

Guardiola, madje, u refuzoi lojtarëve të tij një ditë pushim pas fitores së rehatshme të së shtunës në Premier League ndaj West Ham. “Lojtarët më kërkuan të merrja një ditë pushim. Unë thashë, ‘Jo sepse nuk luajte mjaftueshëm mirë’”, tha trajneri spanjoll.

Ata kanë vetëm dy ditë për t’u përgatitur për Nottingham Forest. Çdo lojtar ka një peshë. Ata kthehen më 25 dhe unë do të jem atje duke kontrolluar se sa kilogramë kanë shtuar dhe për të parë nëse janë shëndoshur”, tha Pep Guardiola.

Në momentin që do të mbërrijnë pas tre ditësh pushim, dua të shoh se si kthehen. Ata mund të hanë, por unë dua t’i kontrolloj. Duhet të bëj një përzgjedhje për ndeshjen e 27 dhjetorit kundër Nottingham Forest.

Imagjinoni një lojtar, i cili tani ai është perfekt, por do të vijë me tre kilogramë më shumë. Ai do të qëndrojë në Manchester. Ai nuk do të udhëtojë për në Nottingham Forest”, tha qartazi trajneri i Manchester City.

Si Ergys Agasi, Ermal Beqiri, dhe Erjon Ismaili rrëmbyen biznesmenin/ Fax News siguron dosjen e AKSH-it

By: Fax Web
22 December 2025 at 14:34

Në dosjen hetimore të AKSHI-t te siguruar nga gazetarja Vanesa Rrahmani, dokumentohet se Shtetasit Ermal Beqiri, Ergys Agasi dhe Erjon Ismaili, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë planifikuar dhe organizuar rrëmbimin e shtetasit Gerond Meçe, me qëllim detyrimin e këtij të fundit për tërheqjen nga ankimimet e bëra pranë Komisionit të Prokurimit Publik.

Nga analizimi i dokumentacionit të procedurave të prokurimit, bën të besohet fakti se heqja dorë e këtij shtetasi nga ankimimet e bëra pranë KPP-së, do t’i krijonte lehtësira të konsiderueshme shtetasve të sipërpërmendur, me qëllim vijimin e aktivitetit kriminal në fushën e prokurimeve publike, aktivitet i cili

Ne baze te dosjes, shtetasi Geron Meçe ka deklaruar se zëvendës drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se Erjon i ka kërkuar “të rrijë larg AKSHI”, fakt ky i cili përputhet gjithashtu dhe me rezultatin e pamjeve të këqyrura në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, pra se këta të fundit kanë lidhje shoqërore dhe interesa të përbashkët.

Nga kqyrja e pamjeve filmike të sekuestruara në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, evidentohen shumë takime mes tij dhe shtetasit Erjon Ismaili.

Ergys Agasi, në një komunikim të datës 06.03.2019 me shtetasin Alqi Bllako, lidhur me një “situatë” në të cilën dyshohet se shtetasi Damian Gjiknuri “ishte bërë pengesë”, lidhur me përfitimet e paligjshme të tyre si më poshtë:

Nga përmbajtja e kësaj bisede, evidentohet se personi me emrin “labi”, është shtetasi Elgerti Bixha, për të cilin shtetasi Ergys Agasi do ta emërojë si administrator në një shoqëri private e cila ka fituar një koncension me ministrinë e drejtuar në atë kohë nga ish ministri Damian Gjiknuri, i cili pretendohet se është bërë pengesë për realizimin e këtyre përfitimeve të paligjshme nga ana e shtetasve Ergys Agasi, Elgerti Bixha dhe Alqi Bllako.

Në këtë komunikim, konkretisht në mesazhin e datës 06.03.2019, ora 21:54:43, shtetasi Ergys Agasi shprehet se: “Do ja q* robt do fusim cunatboastaj..” (do fusim çunat pastaj), çka nënkupton faktin se ai përdor lidhjet e tij me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, për të “hequr” këto pengesa.

Kjo rrethanë, lidhet dhe me pengmarrjen e shtetasit Gerond Meçe, pasi ai gjithashtu si në rastin shtetasit Damian Gjiknuri, kishte krijuar “pengesa”, nëpërmjet ankimimeve të shumta pranë KPP-së, për procedurat e prokurimit të zhvilluara pranë AKSH, duke nënkuptuar faktin se “modus operandi” i këtij grupi kriminal është i njëjtë.

VIDEO-EMRAT/ Lëvizte i armatosur me automjet pa targa, arrestohet 30-vjeçari në Lezhë

By: Fax Web
22 December 2025 at 14:32

Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 30-vjeçar, i cili po lëvizje i armatosur me një automjet pa targa, ndërsa ka proceduar penalisht, për moskallëzim të krimit, 2 pasagjerët që lëviznin me të njëjtin automjet.

Sipas asaj që raporton policia, janë sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, 2 celularë, automjeti dhe një shumë parash.

I arrestuari është shtetasi Kristian Buzatu, ndërsa të proceduar penalisht Klisman Ndou dhe Admir Alija, raporton Fax News.

Njoftimi i Policisë:

Si rezultat i një informacioni të siguruar në rrugë operative, për një shtetas që lëvizte i armatosur, shërbimet e Seksionit të Mbështetjes Operacionale finalizuan operacionin “Gjerdani”.

Në kuadër të operacionit u ndalua teksa drejtonte një automjet tip “Fiat”, pa targa, në fshatin Shënkoll të Lezhës, shtetasi i dyshuar, K. B., 30 vjeç, banues në Lezhë.

Gjatë kontrolleve, 30-vjeçarit iu gjet në çantë, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën e mbante pa leje.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin nisi procedimi penal, për veprën “Moskallëzimi i krimit”, për 2 pasagjerët në automjetin që drejtonte shtetasi K. B., shtetasit A. A., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. N., 25 vjeç, banues në fshatin Tale.

Protesta e Opozitës, Ambasada e SHBA mesazh qytetarëve amerikanë: Qëndroni vigjilentë, vendosni sigurinë tuaj personale si prioritet

By: Fax Web
22 December 2025 at 14:22

Ambasada e SHBA në Tiranë, pak orë para nisjes së protestës së Opozitës, këshillon qytetarët amerikanë të tregohen vigjilentë dhe të kujdesshëm.

Në një njoftim sigurie të postuar në faqen e Ambasadës, qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin zonën e protestës, të ndjekin mediat lokale dhe të zbatojnë udhëzimet e forcave të rendit”.

Në njoftim theksohet se, edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Për këtë arsye, qytetarët amerikanë këshillohen të ruajnë një profili të ulët dhe të vendosin sigurinë personale si prioritet.

Njoftimi i plotë i Ambasadës se Shteteve të Bashkuara të Amerikës

“Një protestë është planifikuar të zhvillohet të hënën, më 22 dhjetor 2025, në orën 18:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, e vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Pritet prani e shtuar policore, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit. Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës. Personeli i Ambasadës së SHBA është këshilluar të shmangë protestën. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit për informacionet më të fundit.

Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Udhëzimi ynë i vazhdueshëm është të shmangen zonat e protestave. Nëse ndodheni në qytet, qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale si prioritet. Forconi masat tuaja të sigurisë duke zbatuar zakonet e mëposhtme:

Veprime për t’u ndërmarrë:

  • Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin këtë ngjarje
  • Të jeni të vetëdijshëm për rrethinën tuaj
  • Të kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit ose kufjeve në ambiente publike
  • Të ndiqni mediat lokale
  • Të keni gjithmonë një plan emergjence ose strategji daljeje
  • Të mbani një profil të ulët.”.

Protesta e Opozitës është programuar të nisë sot në ora 18:00.

“Presim të vijojmë bashkëpunimin”/ Delegacioni i BE uron kreun e ri të SPAK: Suksese në këtë rol të rëndësishëm për vendin

By: Fax Web
22 December 2025 at 14:15
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë uron Klodian Brahon për marrjen e detyrës si kreu i ri i SPAK.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, zyra e BE vlerëson SPAK për qëndrueshmërinë përballë presioneve politike ndërsa përgëzon edhe paraardhësin e Brahos, Altin Dumanin, për punën e kryer gjatë tre viteve të fundit.
Në fund, nuk mungon edhe mbështetja për Strukturën e Posaçme duke uruar në vazhdimin e bashkëpunimit.
“Presim të vijojmë bashkëpunimin me SPAK-un, teksa e mbështesim Shqipërinë në çdo hap në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.
Reagimi i plotë:
Delegacioni i BE-së në Shqipëri uron Klodian Brahon për marrjen sot të detyrës si Kreu i SPAK-ut dhe i dëshiron suksese në këtë rol të rëndësishëm për vendin.
Njëkohësisht, vlerësojmë SPAK-un për qëndrueshmërinë përballë presioneve politike, si edhe për vendosmërinë dhe integritetin e treguar nga Kryeprokurori i mëparshëm, Altin Dumani. Nën drejtimin e tij, SPAK shënoi hapa përpara në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe kontribuoi në forcimin e besimit të publikut te drejtësia.
Lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si edhe respektimi i shtetit të së drejtës, janë përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve kyçe dhe një element thelbësor i rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE—rrugë e mbështetur nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që të ushtrojnë plotësisht rolin e tyre, të përmbushin përgjegjësitë dhe të bashkëpunojnë pa rezervë për të garantuar llogaridhënie, në dobi të të gjithë qytetarëve.
Presim të vijojmë bashkëpunimin me SPAK-un, teksa e mbështesim Shqipërinë në çdo hap në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Policia plan masash për protestën e PD-së, bllokim i disa akseve rrugore

By: Fax Web
22 December 2025 at 13:14

Partia Demokratike do të zhvillojë sot në orën 18:00 një protestë para Kryeministrisë.

Në kuadër të këtij tubimi, policia e Tiranës njoftoi se ka ndërmarrë të gjitha masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit.

Sipas Policisë së Shtetit, në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore.

Policia cilëson se nga ora 14:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia bën të ditur se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Incident gjatë aksionit për lirimin e hapësirave publike në Vlorë, dhunohet drejtori i IMT-së

By: Fax Web
22 December 2025 at 12:56

Katër qytetarë, të cilët kundërshtonin ndërhyrjen e autoriteteve në biznese, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj drejtorit të IMT-së dhe inspektorit përgjegjës.

Një aksion i përbashkët i Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës është shoqëruar me një incident ditën e sotme. Katër qytetarë, të cilët kundërshtonin ndërhyrjen e autoriteteve në biznese, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj drejtorit të IMT-së dhe inspektorit përgjegjës.

Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Vlorës. Pas konstatimit të përplasjejes fizike, në vendngjarje kanë ndërhyrë efektivët e Policisë Rrugore për të neutralizuar situatën. Gjatë ndërhyrjes, një prej punonjësve të policisë është goditur me grushta nga disa persona, duke u detyruar të nxjerrë armën e shërbimit dhe të qëllojë në ajër.

Në vijim, janë njoftuar forcat speciale “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar në komisariat personat e përfshirë në konflikt për veprime të mëtejshme procedurale.

Debati për buxhetin e shtetit/ Deputetët e mazhorancës dhe opozitës sherr me grushte në Parlamentin e Turqisë

By: Fax Web
22 December 2025 at 12:42

Përplasjet e dhunshme nisën pas deklaratave provokuese të deputetëve të partisë në pushtet ndaj politikave të bashkive të drejtuara nga opozita.

Seanca e fundit e diskutimeve plenare për buxhetin e shtetit në Parlamentin turk u shënua nga tensione të larta dhe përplasje të dhunshme mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Mbrëmjen e së dielës, përplasjet verbale mes përfaqësuesve të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe Partisë Republikane Popullore (CHP) u përshkallëzuan në përleshje me grushte brenda sallës së Kuvendit.

Për rreth 10 minuta, deputetët e mbledhur rreth podiumit kryesor në qendër të sallës, u përplasën me njëri tjetrin fizikisht dhe verbalisht, në skena që bënë shumë shpejt xhiron e botës.

Sipas mediave turke, incidenti nisi pas një debati të ashpër mes deputetit të partisë në pushtet, AKP nga qyteti i Bursës, Mustafa Varank, dhe nënkryetarit të grupit parlamentar të opozitës, CHP-së, Gökan Günaydin. Nga foltorja, Varank kritikoi drejtimin e CHP-së dhe politikat e bashkive të drejtuara nga opozita, deklarata që u konsideruan provokuese nga deputetët opozitarë.

Reagimi i Günaydin ishte i menjëhershëm, duke akuzuar mazhorancën për nxitje të tensioneve dhe sulme të vazhdueshme ndaj pushtetit vendor të opozitës. Situata u përkeqësua edhe më tej me përfshirjen e Ali Mahir Başarır, një tjetër nënkryetar i grupit parlamentar të CHP-së, gjë që shërbeu si katalizator i përleshjes fizike mes deputetëve të dy krahëve.

Në sallë ndodheshin edhe kryetari i CHP-së, Özgür Özel, si dhe kryetari i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, Devlet Bahçeli, por asnjëri prej tyre nuk ndërhyri drejtpërdrejt për të ndalur incidentin.

Kryetari e Parlamentit, Numan Kurtulmuş, u detyrua të ndërpresë seancën ndërsa forcat e sigurisë e patën të vështirë të përmbanin deputetët e zemëruar të përfshirë në konflikt. Përplasjet vazhduan edhe gjatë pezullimit të përkohshëm të seancës. Pas rifillimit të punimeve, Kuvendi miratoi Buxhetin e Qeverisë Qendrore për vitin 2026 me 320 vota pro dhe 249 kundër.

Partia Demokratike proteston sot përpara kryeministrisë, policia plan masash: Kufizimi i qarkullimit rrugor fillon që në orën 14:00

By: Fax Web
22 December 2025 at 12:40

Ky organizim i Partisë Demokratike ka për qëllim rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës, ndërsa Berisha është shprehur se protesta do të jetë pa ndalim dhe nuk përjashtohet mundësia për të shkuar deri në grevë urie.

Partia Demokratike organizon sot protestën kombëtare. Tubimi do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pritet të nisë në orën 18:00. Kjo tubim vjen pas 5 protestave që Berisha organizoi poshtë zyrës së Edi Ramës. Nëse i referohemi 5 të hënave, pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë gjithmonë e në rënie, madje Berisha duket se u braktis dhe nga vetë militantët e partisë së tij.

Ky organizim i Partisë Demokratike ka për qëllim rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës, ndërsa Berisha është shprehur se protesta do të jetë pa ndalim dhe nuk përjashtohet mundësia për të shkuar deri në grevë urie. Sakaq, policia e Tiranës ka ndërmarrë një plan masash përsa i përket qarkullimit rrugor.

-Nga ora 14:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;

Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Spiropali pritet nga homologu Mucunski: Konkretizojmë bashkëpunimin për Korridorin VIII, projekt i sigurisë Euro-Atlantike

By: Fax Web
22 December 2025 at 11:46

Elisa Spiropali, ka nisur vizitën zyrtare në Shkup të Maqedonisë së Veriut ku mëngjesin e sotëm u prit nga homologu Timčo Mucunski. Spiropali theksoi se “bashkë me Maqedoninë e Veriut, Italinë, Bullgarinë dhe Rumaninë na pret një punë e mirë për projektin strategjik të Korridorit të VIII-të.”

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka nisur vizitën zyrtare në Shkup të Maqedonisë së Veriut ku mëngjesin e sotëm u prit nga Ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timčo Mucunski.

Spiropali tha se “me kolegun Timčo Mucunski bashkëndajmë vizionin, perspektivën dhe vendosmërinë e përbashkët për të avancuar në rrugën drejt integrimit në BE”.

Spiropali theksoi se “bashkë me Maqedoninë e Veriut, Italinë, Bullgarinë dhe Rumaninë na pret një punë e mirë për projektin strategjik të Korridorit të VIII-të.”

Forumi i parë që do të mbahet në Tiranë në shkurt të 2026, do të institucionalizojë më tej bashkëpunimin pesëpalësh për këtë projekt që i shërben sigurisë Euro-Atlantike, transformimit dhe zhvillimit të qendrueshëm ekonomik në rajon e më gjerë.

Ministri Mucunski deklaroi se thellimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dy vende partnere dhe aleatë në NATO, i shërben në vetvete përparimit të të gjithë rajonit tonë.

Spiropali do të pritet gjatë ditës nga Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministri Hristijan Mickoski, si dhe Kryetari i Parlamentit Afrim Gashi.

Ministrja Spiropali do të theksojë përgjatë kësaj vizite rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe e rajonale.

Sot në GJKKO seanca e radhës ndaj Berisha-Malltezi për aferën ‘Partizani’! Do të diskutohen kërkesat e palëve për dëshmitarët

By: Fax Web
22 December 2025 at 11:30

Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Sot në GJKKO po mbahet seanca e radhës për dosjen “Partizani”, me të pandehur Sali Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerët.

Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së avokatit Sokol Hazizaj dhe Vasilika Hysit që mbrojnë biznesmenin Fatmir Bektashi dhe dy kompanitë.

Më herët, gjykata rrëzoi kërkesën e Berishës dhe të tjerëve për pavlefshmëri të akteve dhe provave që janë gjetur nga SPAK, me argumentin se kërkesa është e pabazuar në ligj dhe prova. Bëhej fjalë për vendimet e marra nga gjyqtarja e hetimeve paraprake Irena Gjoka, e sulmuar nga Berisha.

Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.

Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.

‘Me fermerët në Shqipërinë 2030’, ministri Salla: Synojmë të përfitojnë 150 mijë fermerë

By: Fax Web
22 December 2025 at 11:07

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot vizionin dhe hapat konkretë të transformimit të sektorit bujqësor dhe rural në kuadër të procesit të integrimit europian, duke theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces që kërkon përgatitje, angazhim dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve të zinxhirit bujqësor.

Ministri Salla u ndal te çelja zyrtare e Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare më 17 nëntor, ku përfshihen Kapitujt 11, 12 dhe 13, që mbulohen nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ai theksoi se këta kapituj janë ndër më dinamikët dhe kërkojnë jo vetëm përafrim të legjislacionit dhe zbatim të standardeve, por edhe transformim të thellë dhe modernizim të sektorit.

Sot jemi këtu për të nisur një dialog mbi rrugëtimin e sektorit bujqësor dhe rural drejt destinacionit tonë të përbashkët në familjen e madhe evropiane. Në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, më 17 Nëntor, u çel zyrtarisht Grupi i Kapitullit 5 ku përfshihen edhe tre kapitujt që mbulon MBZHR.  Kapitujt 11, 12, 13, janë dinamikë që kërkojnë angazhim si në përafrimin e legjislacionit dhe zbatimin e standarteve, por kërkojnë edhe një transformim dhe modernizim të sektorit.  Kjo arrihet me punën që do të bëjë Qeveria por kërkon pjesëmarrjen dhe angazhimin e gjithësecilit prej jush.  Anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian sjell përfitime për fermerët, operatorët e biznesit, konsumatorët dhe ekonominë e vendit.

Nga ana tjetër sjell, gjithashtu, detyrime…

Pra, përfitimi nuk vjen automatikisht, vjen kur të gjithë aktorët janë të përgatitur me investim, dokumentim dhe cilësi në çdo hallkë të zinxhirit.

Në Kapitullin 11, përmes Politikës së Përbashkët Bujqësore, fermeri vendoset në qendër.

Qëllimi është i qartë: një bujqësi më konkurruese, më e qëndrueshme, me më shumë siguri ushqimore, më shumë kujdes për mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Për t’i arritur këto, BE parashikon mbështetje financiare konkrete: pagesa direkte, grante për investime dhe masa për të forcuar tregun.

Por kjo mbështetje ka kushtëzime…

Për të përfituar, duhet të zbatohen praktikat e mira bujqësore dhe mjedisore dhe të respektohen kërkesat për menaxhimin e fermës dhe të aktivitetit të saj.

Ne synojmë që nga fondet europiane të përfitojnë rreth 150 mijë fermerë.

Pikërisht për këtë, në dy vitet e ardhshme:

–          Do të përditësojmë regjistrin e fermës dhe regjistrin e blegtorisë;

–          Dhe do të ngremë sistemin e identifikimit të parcelave të tokës, pilotimi i të cilit ka nisur.

Gjithashtu, duke nisur që nga viti i ardhshëm, NE do të përshtasim në mënyrë graduale skemën kombëtare me skemat që aplikohen në vendet e BE-së.

Një sfidë tjetër e rëndësishme për prodhuesit tanë është edhe përmbushja e standardeve të cilësisë dhe të tregtimit të produkteve.

Për këtë arsye, MBZHR po përgatit paketën ligjore dhe do të nisë një proces komunikimi dhe trajnimi me prodhuesit dhe operatorët e tregut.

Dhe në fund, një element që bën diferencën: organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish.

Kjo na ndihmon të kapërcejmë problemin e ekonomisë së shkallës dhe, njëkohësisht, është mënyra më efektive për të përthithur fondet europiane në masa të caktuara mbështetjeje.

Në Kapitullin 12, siguria ushqimore bëhet standard pune në të gjithë zinxhirin. Ne jemi të angazhuar për të arritur zbatim të plotë të legjislacionit të BE-së.

Përtej përafrimit ligjor, detyrimi është zbatimi real i këtyre akteve në terren për të arritur standardet nga fermerët tek stabilimentet dhe operatorët e biznesit ushqimor.

Të gjithë bizneset duhet të arrijnë të njëjtat standarde me ato të BE-së. Kjo shoqërohet me kosto por njëkohësisht dhe mundësinë për të tregtuar në tregun e përbashkët.

Ndërveprimi i ngushtë mes institucioneve publike dhe operatorëve është elementi kyç, për efekt të kontrollit zyrtar, por sidomos për ndërtimin e standardeve dhe zbatimin në praktikë.

Në Kapitullin 13, kërkesat janë shumë konkrete: digjitalizim, monitorim, raportim dhe kontroll.

Nga ana jonë, angazhimi është të forcojmë mbledhjen e të dhënave dhe raportimin elektronik me strukturat e BE-së.

Ne e dimë mirë që këto transformime nuk i përballon dot askush vetëm.

Kjo është arsyeja pse sot Ne lancojmë “EuroAgro Albania 2025-2030”, si një mekanizëm praktik që t’ju ndihmojë të përgatiteni hap pas hapi.

Platforma konkretisht do të sjellë:

  • Një linjë të dedikuar asistence e quajtur “Numri Blu”
  • Platformë digjitale informative dhe asistent virtual në Portalin e Fermerit
  • Pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime

Në të njëjtën kohë, platforma do të shtrihet përmes bashkive, shërbimeve të ekstensionit, dhomave të tregtisë dhe shoqatave profesionale, që informacioni të mbërrijë shpejt dhe i plotë tek të gjithë.

Në mbyllje, ju ftojmë të bëheni pjesë aktive e këtij procesi, të kërkoni orientim, të përdorni mjetet që po vendosim në dispozicion dhe të nisim përgatitjen që sot.

Nga ana jonë, ne do të sigurojmë kushtet dhe mbështetjen e nevojshme për pjesëmarrje.

Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, Bujqësia 2030 do të kthehet në një standard pune dhe treg i ri mundësish.

Faleminderit!

❌
❌