Është zhvilluar procesi i rradhës gjyqësor ndaj Leonard Dukës, Fatmir Hyseni (Musai), Aleksander Maxhaku, Dritan Agaj, Erlis Duka dhe Oltjon Loga, të akuzuar për vrasjen e ish policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht 2019 në Tiranë.
Në Gjykatën e Posaçme ka folur Melina Gjeta, avokatja e 6 të pandehurve si dhe i akuzuari Leonard Duka.
Në proces ishin edhe familjarët e të pandehurve dhe familjarë të viktimës Santiago Malko .
Avokatja: Konkluzionet e SPAK nuk janë të bazuara në provë dhe ligj. S’ka asnjë provë, por vetëm deduksione të krijuara nga një proces hetimor jo i plotë dhe i paragjykuar, më shumë të bazuara në histori të raportuara në media. Dëshmitari Blendi Teta, ka deklaruar para gjykatës që është kërcënuar dhe vënë në presion nga Polici e Shtetit dhe Ervis Martini dhe këto janë shkelje të rënda të ligjit. Dëshmia nuk i shërben me të vërtetës, por fabrikim të provës. Dëshmia e Tetës i cili pretendon në Gjykatë se e ka dhënë në presion nga Ervis Martini, nuk mund të përdoret nga Prokurori në konkluzione përfundimtare. Dëshmia e Blendi Tetës konfirmohet edhe nga ajo e Ilir Selmanit, të bashkëpandehurit tjetër. Duke i bërë ato të besueshme. Edhe Selmani ka thënë para kësaj gjykate se janë dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka. Prokuroria thotë se shkak për vrasjen është bërë hakmarrja për dy plagosje që dyshohet se ka kryer viktima Santiago Malko, por ato ngjarje janë ende pa autor dhe hetuesit i kanë pezulluar procedimet pasi nuk kanë gjetur autorët. Si mundet prokurori të përcaktoj autorin e atyre ngjarjeve, ndërkohë që personat kompetent qe i kanë hetuar nuk i kanë identifikuar. Transkripetet e Sky nuk janë prova të ligjshme dhe rezultatet e nxjerra nga to janë të paligjshme sipas legjislacionit shqiptar. Ato hyjnë më cenimin e lirisë dhe fshehtësisë së korrespondencës. Përgjimi i autoriteteve franceze përbën përgjim masiv, ska qenë i orientuar. Identifikimi i bërë nga OPGJ të kodeve, ka qenë amator dhe jo i besueshëm, pasi nuk është ndjekur procedura standarde. Vetë Leonard Duka ka deklaruar para gjykatës se ai nuk ka pasur në përdorim aplikacionin Sky.
Leonard Duka: Deklaroj që jam i pafajshëm dhe Prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga policia që t’më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia.
Nëna e Santiago Malkos: Leonard Duka më ka vrarë djalin. Me solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe me tha që skam gjë me Santin, por doli e me vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë.
AKUZAT DHE NGJARJA
Sipas pretencës së paraqitur në gjykatë, SPAK kërkon nga 32 vite burg për Leonard Dukën dhe Fatmir Hysenin, të cilët konsiderohen si figurat kryesore të atentatit.
Për Erlis Dukën është kërkuar një dënim prej 25 vitesh, ndërsa për Oltian Logën dhe Dritan Agajn nga 23 vite burg secili. Ndërkohë, për Aleksandër Manxhakun, prokuroria ka kërkuar 22 vite burg.
Në total, SPAK kërkon 157 vite burg për të gjithë të akuzuarit në këtë çështje.
Të pandehurit përballen me akuza serioze, duke përfshirë “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve” dhe “Trafikim të lëndëve narkotike”, të cilat, sipas prokurorisë, janë kryer si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, me hierarki të qartë dhe ndarje detyrash mes anëtarëve.
Më herët, për vrasjen e Malkos, i njohur si krahu i djathtë i Erivs Martinajt, janë dënuar në një proces të ndarë edhe Blendi Teta dhe Ilir Selmani.
Santiago Malko, mik i Ervis Martinajt i zhdukur që nga gushti i vitit 2022, u ekzekutua më 2019 në zonën e Xhamllikut, ndërsa po udhëtonte me një BMW X5.
Sipas hetimeve të SPAK, atentatorët e prisnin në një furgon të bardhë dhe hapën zjarr me breshëri kallashnikovi nga një automjet “Mercedes Benz”.
Malko, përveç lidhjeve me Martinajn, kishte një të kaluar problematike dhe kishte qenë i përfshirë në ngjarje të mëparshme kriminale, përfshirë edhe incidentin e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut, ku gjatë një përplasjeje të armatosur mbeti i vrarë Fabian Gaxha, ngjarje që lidhej me përplasje midis bandave rivale.
Nga hetimet rezulton se Fatmir Hyseni, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, ishte ekzekutori kryesor i vrasjes, ndërsa akuzohen si organizatorë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka.
Leonard Duka u arrestua më 14 shkurt 2023 në Bruksel nga autoritetet belge, pasi në banesën e tij u gjetën armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme parash, që dyshohet se janë fituar nga aktiviteti kriminal. Pas arrestimit, ai u ekstradua në Shqipëri në gusht 2024, ku vazhdon procesi gjyqësor ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Më 21 janar, ora 11:45, pritet të jepet vendimi nga GJKKO.