Pretendimi: Ky imazh tregon Papë Françeskun duke mbajtur në dorë një plis tradicional shqiptar me simbolin e shqiponjës.
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————————————————-
Një imazh që duket se tregon Papën e ndjerë Françesku duke mbajtur në dorë një plis tradicional të bardhë shqiptar, të stolisur me emblemën kombëtare të shqiponjës së zezë dykrenare, po qarkullon sërish në rrjetet sociale shqipfolëse.
Imazhi shoqërohet me pretendimin se është shkrepur gjatë një Audience të Përgjithshme në Vatikan, më 3 janar 2024.
Në fakt, imazhi i mësipërm qarkullon që nga janari i vitit 2024, kur u shpërndagjerësisht në media dhe rrjetesociale shqipfolëse. Kryeministri shqiptar Edi Rama e ndau imazhin në atë kohë edhe në rrjetet e tij sociale me mbishkrimin: “Foto e ditës,” dhe sërish në prill 2025, për të shprehur keqardhjen për ndarjen nga jeta të Françeskut.
Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificale (AI).
Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.
Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Ligji ndalon djegien e barit dhe mbetjeve bujqësore nga 1 prilli deri më 30 nëntor. Por zjarri i Krujës tregon se ndalimi me ligj, i bërë prej tre vitesh, nuk mjafton kur ligji nuk zbatohet. Në 10 ditët e para të gushtit janë regjistruar 176 vatra zjarri nga veriu në jug.
Esmeralda Topi
Gushti ka nisur me temperatura të larta dhe me rikthimin e zjarreve në disa zona të vendit. Vetëm në 10 ditët e para të muajit janë regjistruar 176 vatra zjarri, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Gjatë orëve të fundit janë raportuar 10 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 4 janë në monitorim.
Në Dajt, zona po mbahet nën monitorim, ndërsa në Cikallesh, bashkia Kavajë, zjarri është shuar plotësisht. Në Priskë e Madhe vijon puna me 4 automjete zjarrfikëse, 15 efektivë të MZSH-së dhe mbështetjen e një helikopteri të Forcës Ajrore. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Mallakastër, vatrat në Riban–Ngraçan–Panahor–Çyçen janë shuar plotësisht dhe po monitorohen. Edhe zjarri në Drenie, bashkia Patos, është vënë plotësisht nën kontroll dhe vijon monitorimi.
Në Vilëz, bashkia Kurbin, ndërhyrja e forcave vendore dhe 35 efektivëve të FA-së bëri të mundur shuarjen e plotë të zjarrit në orën 13:00.
Aktive mbeten edhe vatrat në malin e Nemëçkës, bashkia Përmet, dhe në Goraj–Budishë, bashkia Malësi e Madhe. Të dyja ndodhen në terrene të vështira dhe në lartësi të mëdha, por aktualisht nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Në Krujë, zjarri në Abazë vijon të jetë aktiv, por pa rrezik për zonat e banuara. Në Krastë, zjarri ka rritur intensitetin dhe është përhapur në masiv pyjor. Në terren po operojnë forcat vendore, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Situata në Krujë vjen vetëm pak orë pas zjarrit të fuqishëm të fundjavës, i cili tregoi se sa shpejt një vatër e nisur pranë banesave mund të kthehet në kërcënim për komunitetin. Zjarri u përhap me shpejtësi në malin e Krujës, duke rrezikuar zonat e banuara, ndërsa për shkak të afrimit të flakëve me banesat u bë edhe evakuimi i pjesshëm i banorëve.
Sipas Policisë së Shtetit, shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë djegia e barit pranë banesës nga një 73-vjeçar. Policia deklaroi se i dyshuari kishte ndezur zjarr për të djegur një sasi bari, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe, të ndihmuara nga era, u përhapën në drejtim të malit të Krujës.
Ligji ndalon djegien nga prilli në nëntor
Që prej korrikut 2023, ligji për mbrojtjen e tokës bujqësore ndalon ndezjen e zjarreve në tokat bujqësore dhe, në mënyrë të posaçme, djegien e kashtës, mbetjeve bujqësore, barërave, ferrave apo shkurreve që mund të shkaktojnë përhapjen e zjarreve.
Neni 16/1 përcakton se kjo veprimtari ndalohet nga 1 prilli deri më 30 nëntor të çdo viti.
Edhe gjatë pjesës tjetër të vitit, djegia mund të bëhet sipas disa kushteve. Ligji kërkon leje nga njësia e vetëqeverisjes vendore dhe nga shërbimet e mbrojtjes civile, ndërsa përcakton një sërë kufizimesh për vendin dhe mënyrën e djegies.
Ndalohet, ndër të tjera, ndezja e zjarreve në zona të mbrojtura dhe turistike, pranë akseve rrugore, sipërfaqeve pyjore, pikave të karburantit, fshatrave dhe banesave. Ligji ndalon gjithashtu djegien në ditët kur era fryn me shpejtësi 20 kilometra në orë, edhe nëse janë marrë lejet përkatëse.
Shumë procedime, pak të dënuar
Në Shqipëri, zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale dhe dënohet me 5 deri në 20 vite burg. Por të dhënat tregojnë se ndëshkimi për krimet mjedisore mbetet i ulët. Në vitin 2025 u regjistruan 38 procedime për “shkatërrimin me zjarr të pyjeve dhe mjedisit pyjor”, por vetëm një person u dënua.
Edhe në rastet kur çështjet shkojnë në gjykatë, dënimi me burgim shpesh pezullohet. Në vitin 2025, prokurorët kërkuan burgim në 82.98% të rasteve, por në 74.36% të tyre kërkuan edhe pezullimin e dënimit dhe vendosjen në provë. Gjykatat vendosën burgim në 81.58% të rasteve, por në 93.55% të tyre dënimi u pezullua dhe të pandehurit u vendosën në provë. Në 13.46% të rasteve pati vendim pafajësie.
Rasti i Krujës tregon qartë hendekun mes ligjit dhe zbatimit të tij. Sipas Policisë, zjarri nisi nga djegia e barit, një veprim i ndaluar me ligj. Flakët u përhapën drejt malit dhe për shuarjen e tyre u angazhuan qindra efektivë, zjarrfikës, mjete dhe helikopterë.
Për sa kohë ndalimi nuk respektohet dhe ndëshkimi mbetet i kufizuar, zjarret vijojnë të kthehen çdo verë në rrezik për pyjet, banesat dhe njerëzit.
Pretendimi: Ky imazh tregon një ushtar maroken duke goditur me gur një emigrant që po përpiqej të kthehej nga Ceuta në Marok
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————-
Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një ushtar maroken duke goditur me gur një emigrant që po përpiqej të kthehej nga Ceuta në Marok. Ky imazh publikohet si pjesë e dyshimeve për një organizim të qëllimshëm të Marokut të fluksin të emigrantëve që pushtuan enklavën spanjolle.
Në fund të korrikut 2026, rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Autoritetet spanjolle kanë numëruar të paktën 72 të vdekur, ndërsa Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut thotë se numri i të vdekurve është afër “130 viktimave,” përveç “dhjetëra personave të zhdukur.” Rreth njëmijë të mitur mbeten në Ceuta, duke qëndruar pa familjet e tyre në një vend të huaj.
Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk tregon zbrapsjen e emigrantëve marokenë që po ktheheshin nga Ceuta. Ai është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Imazhi përmban të meta që zakonisht tregojnë përmbajtjet e gjeneruara si tekstura të shtrembëruara në shkëmbinj, përzierje jonormale e detajeve në veshje dhe pozicioni anatomikisht i pasaktë i duarve të oficerit të policisë dhe struktura e fytyrës dhe helmetës së tij.
Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.
Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Edhe pse imazhi mund të mos jetë autentik, disa video të filmuara nga kënde të ndryshme tregojnë një incident të ngjashëm pranë Fnideq, qytetit maroken në kufi me Ceutën.
Agjencia e lajmeve AFP raportoi përleshje me emigrantët e paligjshëm që përfshinin forcat marokene të sigurisë në zonë dhe publikoi imazhe që tregonin oficerë të pajisur me pajisje për trazira të krahasueshme me ato që shihen në imazhin e gjeneruar nga inteligjenca artificiale.