Normal view

Hegseth: SHBA mund ta mbajë bllokadën e porteve iraniane për një kohë të pacaktuar

13 August 2026 at 21:24

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se forcat amerikane mund të vazhdojnë bllokadën e porteve iraniane për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Marina Amerikane mund ta mbajë një bllokadë të tillë për një kohë të pacaktuar, sepse ne do t’i ndërrojmë anijet, siç bëjmë tashmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”, u tha Hegseth gazetarëve gjatë vizitës së tij në Panama.

Sipas Wall Street Journal, Pentagoni po planifikon të dërgojë aeroplanmbajtësen USS George Washington në Lindjen e Mesme, për të zëvendësuar aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln.

Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln u dërgua në Lindjen e Mesme në janar, pasi kishte qenë në një mision që nga nëntori, përpara se të fillonin sulmet ndaj Iranit.

Anija luftarake USS Abraham Lincoln dhe avionët e saj luajtën një rol të rëndësishëm në Operacionin “Epic Fury” dhe në bllokadën detare të Iranit.

VIDEO/ Treni del nga shinat në Angli, 11 të plagosur, dy në gjendje të rëndë

13 August 2026 at 20:58

Një tren pasagjerësh ka dalë nga shinat pranë stacionit Lewes, në East Sussex të Anglisë jugore, të enjten, duke plagosur 11 persona, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Fotot e publikuara në mediat sociale tregojnë vagonët e trenit të përmbysur, ndërsa pasagjerë shihen brenda dhe sipër tyre.

Autoritetet bënë të ditur se përpjekjet për nxjerrjen e pasagjerëve dhe menaxhimin e situatës janë ende në zhvillim.

Shkaqet e daljes së trenit nga shinat nuk janë bërë ende të ditura.

 

#Lewes Derailment pic.twitter.com/cObTfHVmSW

— DAM (@crawmo) August 13, 2026

Britania e Madhe paralajmërim për nxehtësi ekstreme, temperaturat në 38 gradë Celsius

13 August 2026 at 20:41

Agjencia meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar të enjten lëshoi paralajmërim portokalli për temperatura ekstreme, pasi në disa pjesë të vendit temperaturat pritet të arrijnë rreth 38 gradë Celsius.

Paralajmërimi është në fuqi gjatë pjesës më të madhe të së enjtes dhe përfshin pjesë të Anglisë jugore dhe lindore, si dhe Midlandsin.

Zyra Meteorologjike britanike (Met Office) tha se temperaturat do të ngrihen deri në mesin e 30-gradëshit Celsius në zona të mëdha, me ndikime të mundshme në shëndet, udhëtime dhe sigurinë në ujë.

“Ndërsa kulmi i të nxehtit do të jetë më jetëshkurtër se valët e fundit të të nxehtit, temperaturat që gjerësisht do të arrijnë mesin e 30-gradëshit Celsius të enjten mund të shkaktojnë pasoja për disa njerëz”, ka thënë kryemeteorologu Chris Bulmer.

Bulmer ka deklaruar se presioni i lartë atmosferik po bëhet dominues, ndërsa erërat nga jugu dhe juglindja po sjellin ajër të nxehtë nga Evropa.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar lëshoi paralajmërime për shëndetin për shkak të të nxehtit, duke paralajmëruar se kushtet mund të rrisin kërkesën ndaj shërbimeve shëndetësore dhe të kujdesit social.

William Spencer, ekspert i klimës dhe ndihmës së parë në Kryqin e Kuq Britanik, u bëri thirrje njerëzve të konsumojnë mjaftueshëm lëngje, të qëndrojnë në hije gjatë pjesës më të nxehtë të ditës dhe të bëjnë pushime të rregullta nga dielli.

“Është gjithashtu e rëndësishme të tregoni kujdes ndaj shenjave të rraskapitjes nga nxehtësia dhe goditjes nga nxehtësia”, tha Spencer.

Met Office paralajmëroi gjithashtu për ndërprerje të mundshme të sistemeve dhe pajisjeve të ndjeshme ndaj nxehtësisë, përfshirë ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike.

Ndërkohë, në veri dhe veriperëndim të Skocisë dhe në pjesë të Irlandës së Veriut priten reshje shiu dhe stuhi, pasi moti i paqëndrueshëm vazhdon në këto zona.

Më shumë se dy të tretat e Anglisë janë zyrtarisht në gjendje thatësire, ndërsa vendi regjistroi korrikun më të thatë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1836.

Rreth 45 milionë njerëz jetojnë në zonat e Anglisë të prekura nga thatësira, ndërsa më shumë se 27 milionë përballen me kufizime në përdorimin e ujit.

Muajin e kaluar, Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar tha se në Britani u regjistruan 2.877 vdekje të tepërta gjatë valëve të të nxehtit në maj dhe qershor, pothuajse dyfishi i 1.504 vdekjeve të tepërta të regjistruara gjatë verës së vitit 2025.

Aksident i rëndë në Lushnje/ Makina përfundon në kanalin vaditës, ndërrojnë jetë dy motrat

13 August 2026 at 20:21

Një ngjarje tragjike është regjistruar në fshatin Delisufaj, ku dy motra kanë humbur jetën pasi automjeti me të cilin udhëtonin ka përfunduar në një kanal vaditës.

Sipas informacioneve paraprake, në dalje të fshatit, automjeti nuk ka mundur të futet në urë dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në kanalin vaditës. Mjeti është marrë nga rrjedha e ujit dhe ka përfunduar nën urë.

Dy motrat, Mirela Haskaj 48 vjeç dhe Florije Xhepa 50 kanë gjetur vdekjen si pasojë e mbytjes. Trupat e tyre janë nxjerrë nga automjeti dhe janë transportuar me ambulancë drejt morgut të Lushnjës.

Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit tragjik.

OKB: Mbi 20 civilë të vrarë dhe shumë të plagosur në përleshjet në Sudan

13 August 2026 at 20:12

Më shumë se 20 civilë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në përleshjet në qytetin juglindor sudanez Geisan, pranë kufirit me Etiopinë, tha Zyra humanitare e OKB-së.

“Burime lokale në shtetin e Nilit të Kaltër raportuan se më shumë se 20 civilë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në përleshjet në qytetin Geisan të martën”, tha të mërkurën Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në Sudan në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të OKB-së.

Përshkallëzimi i dhunës ka zhvendosur rreth 2.500 njerëz nga qyteti, shtoi ajo. OCHA përsëriti thirrjen e saj ndaj të gjitha palëve për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile dhe për të lejuar që ndihma të arrijë tek njerëzit shpejt, në mënyrë të sigurt dhe pa pengesa.

Autoritetet lokale në Geisan, në shtetin e Nilit të Kaltër thanë të martën se ushtria sudaneze ka zmbrapsur një sulm ndaj qytetit nga Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe aleati i saj, Lëvizja Popullore Çlirimtare e Sudanit-Veri (SPLM-N), pa dhënë detaje rreth viktimave ose dëmeve.

Burime ushtarake thanë për Anadolu të mërkurën se luftimet midis ushtrisë dhe aleancës RSF-SPLM-N vazhduan në Geisan për të dytën ditë radhazi. Ushtria kontrollon pjesë të mëdha të shtetit Nili i Kaltër ndërsa SPLM-N ka luftuar qeverinë sudaneze që nga viti 2011, duke kërkuar sundim autonom për rajonet e Nilit të Kaltër dhe Kordofanit Jugor.

OCHA tha se punonjësit e të drejtave të njeriut raportuan se një dron goditi El-Obeidin, kryeqytetin e shtetit të Kordofanit të Veriut, të mërkurën në mëngjes. Nuk ka informacione mbi viktimat civile, por një nga dronët thuhet se goditi një stacion uji, gjë që është shqetësuese në një kohë kur qasja në ujë të pastër mbetet një nga sfidat më urgjente me të cilat përballet qyteti.

OCHA tha se sulmet e vazhdueshme dhe pasiguria në pjesët veriore të Kordofanit të Veriut po detyrojnë më shumë njerëz të kërkojnë strehim në El-Obeid. Partnerët humanitarë vlerësojnë se rreth 15 mijë familje janë zhvendosur në qytet gjatë tre javëve të fundit, duke ushtruar presion shtesë mbi vendet e zhvendosjes tashmë të mbingarkuara dhe shërbimet thelbësore, shtoi ajo.

Sudani është përfshirë në konflikt që nga prilli i vitit 2023, kur shpërthyen luftimet midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së mbi planet për të integruar forcën paraushtarake në ushtrinë e rregullt. Lufta ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz, ka zhvendosur miliona dhe ka shkaktuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë.

Houthët pretendojnë se sulmuan me dronë një rafineri të Aramco-s në Arabinë Saudite

13 August 2026 at 19:30

Rebelët Huthi të Jemenit kanë pretenduar se kanë sulmuar me dy dronë një rafineri të kompanisë saudite Aramco në Jazan të Arabisë Saudite.

Sipas agjencisë së lajmeve Saba, sulmi është kryer të martën. Një burim ushtarak i lidhur me rebelët shiitë deklaroi se aksioni ishte në përgjigje të asaj që grupi e cilësoi si shkelje të hapësirës ajrore dhe sovranitetit të Jemenit nga Arabia Saudite.

Sipas të njëjtit burim, shkeljet e pretenduara kanë ndodhur në provincat Saada dhe Hajjah.

 

Jet Ski brenda perimetrit të sigurisë në Ksamil, pronari gjobitet me 500 mijë lekë

13 August 2026 at 19:19

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.

Gjatë një patrullimi në sektorin detar të Ksamilit, në zonën e njohur si “Tre Ishujt”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues tip Jet Ski që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin.

Hyrja e mjetit në këtë zonë përbënte rrezik për jetën dhe sigurinë e pushuesve.

Pas përfundimit të veprimeve administrative, Jet Ski-u u bllokua, ndërsa pronari i tij, shtetasi me inicialet A. P., u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj.

Policia e Shtetit u bën apel përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke shmangur hyrjen në zonat e përcaktuara për pushuesit.

Kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë përgjatë vijës bregdetare, me synim parandalimin e incidenteve dhe garantimin e një sezoni sa më të sigurt për pushuesit.

Zelensky kërkon 5% të rezervës amerikane të raketave “Patriot”

13 August 2026 at 19:05

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i shesin Ukrainës 5% të rezervës së tyre të raketave interceptuese për sistemet “Patriot” duke argumentuar se kjo do ta ndihmonte vendin të përballonte sulmet ajrore ruse gjatë dimrit.

“Nëse amerikanët na shesin 5% raketa interceptuese “PAC-3” dhe asgjë tjetër, ne do ta përballojmë dimrin dhe do të shpëtojmë jetë”, shkroi Zelensky në Telegram.

Sipas tij, deri tani Ukrainës i është vënë në dispozicion vetëm rreth 1% e kësaj rezerve amerikane.

Presidenti Zelensky tha se nëse SHBA-ja do t’i jepte Ukrainës 10% të rezervave, forcat ukrainase do të ishin në gjendje të asgjësonin raketat balistike ruse.

Presidenti ukrainas ka paralajmëruar vazhdimisht se vendi i tij po përballet me vështirësi në mbrojtjen e qyteteve dhe infrastrukturës nga intensifikimi i sulmeve ruse me raketa.

Sipas Zelenskyt, Ukraina këtë vit ka dy herë e gjysmë më pak raketa interceptuese sesa kishte në vitin 2025.

Ndërkohë, Rusia ka rritur prodhimin e raketave balistike. Moska po shfrytëzon dobësimin e mbrojtjes ajrore ukrainase për të shtuar përdorimin e këtyre raketave.

Zjarret/ Ministria e Mbrojtjes: Deri tani janë raportuar 38 vatra, s’ka rrezik për zonat e banuara

13 August 2026 at 20:40

SHQIPËRI– Ministria e Mbrojtjes njofton se deri në orën 20:00 të 13 gushtit janë raportuar 38 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa aktualisht janë në ndjekje 18 vatra, prej të cilave 14 aktive.

Angazhimi më i madh vijon në Gurë-Lurë të Dibrës, ku dhjetëra forca në terren mbështeten nga dy avionë Air Tractor, ndërsa është shmangur rreziku për banesat.

Në Tiranë, Krujë, Përmet, Mirditë, Shkodër dhe Elbasan vijojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e vatrave, ndërsa në disa zona situata është vendosur nën kontroll.

Në Finiq, zjarret në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa vatra në Dhrovjan është nën kontroll. Për përballimin e situatës janë angazhuar 309 efektivë të Forcave të Armatosura, 22 mjete, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Ministria e Mbrojtjes informon se, deri në orën 20:00 të datës 13 gusht 2026, gjatë ditës janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri.

Aktualisht janë në ndjekje 18 vatra, nga të cilat 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll. Për përballimin e situatës vijon një angazhim i gjerë dhe i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror. Vetëm nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 309 efektivë, 22 mjete, 1 autobot, 3 ambulanca, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Tiranë, puna vijon në Dajt dhe në zonën Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër, me angazhimin e MZSH, ADZM, vullnetarëve dhe mbështetje ajrore nga FA. Pavarësisht terrenit dhe përhapjes së mëparshme, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Krujë, ndërhyrja e forcave operacionale dhe e FA-së, e mbështetur nga 1 helikopter, ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit në lagjen Abaze nën kontroll, ndërsa në Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive.

Angazhimi më i madh vijon në Gurë-Lurë, Dibër, ku janë përqendruar 120 forca bashkiake, 57 efektivë të FA-së, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të ADZM-së, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Falë ndërhyrjes së koordinuar është vendosur nën kontroll perimetri pranë banesave dhe është evituar rreziku për djegien e tyre, ndërsa puna vijon në dy drejtimet e tjera. Në Qafën e Helmes operojnë gjithashtu MZSH, forca bashkiake dhe të njësisë administrative Selishtë.

Në Përmet, vijon puna në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, në terren të vështirë, por pa rrezik për zonat e banuara.

Në Moravë, Devoll, ndërhyrja e MZSH ka bërë të mundur vendosjen e situatës nën kontroll.

Në Trojë, Mirditë, operacionit i janë bashkuar edhe 30 efektivë të FA-së, krahas MZSH, forcave bashkiake, policisë dhe vullnetarëve.

Në Shkodër vijon puna në Rrencë dhe Goraj-Budishtë, ku kjo e fundit po shkon drejt izolimit dhe nuk paraqet rrezik për banesat, ndërsa vatra në Kryezi është nën kontroll.

Në Elbasan vijojnë operacionet në Dardhë, Lugaxhi dhe Shalës; në Lugaxhi janë angazhuar MZSH, pyjorja, ASHP, forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, pa rrezik për zonat e banuara të mbështetur nga Forcat e Armatosura.

Ndërkohë, në Finiq, vatrat në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa ajo në Dhrovjan është nën kontroll, duke reflektuar efektivitetin e ndërhyrjes së kombinuar nga toka dhe ajri.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Kosovë/ Abdixhiku: Heqim dorë nga çdo kërkesë, presidenti të jetë jopartiak

13 August 2026 at 18:24

KOSOVË- Udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij heq dorë nga çdo kërkesë për postin e kryeparlamentarit, presidentit dhe pjesëmarrjes në Qeveri, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mund t’i mbajë të gjitha.

“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj. Ne do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet”, tha Abdixhiku në një konferencë për media.

Megjithatë, Abdixhiku tha se LDK-ja do të kontribuojë për çështjen e presidentit, duke thënë se kanë kushte për kreun e ri të shtetit.

Sipas tij, presidenti i ri duhet ta mbrojë Republikën dhe kushtetueshmërinë.

“Nga ky moment, LVV mund ta zgjedhë stabilitetin përmes një presidenti që e zgjedhim bashkëshkrish ose mund ta çojmë vendin drejt një krize të re”, tha ai, duke e akuzuar LVV-në e Albin Kurtit se nuk po pranon “kompromis minimal”.

Ai tha se LDK-ja do të jetë pjesë e zgjedhjes së presidentit sepse nëse s’marrin pjesë në votim, vendi shkon në zgjedhje për shkak se me 61 votat e LVV-së “s’mund të zgjidhet” presidenti.

“Ta zgjedhim një president që i shërben Republikës, jopartiak, e jo një president karate”, tha ai, duke shtuar se propozimet partiake do të refuzohen.

“Propozimet e njëanshme janë të refuzueshme”, tha ai, duke shtuar se emri i presidentit të ri duhet të dalë pas diskutimeve të detajuara mes partive.

Sherr mes çiftit në Durrës, të dy përfundojnë në spital të plagosur me thikë

13 August 2026 at 18:20

Një sherr mes një çifti bashkëshortësh në Durrës për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi. Pas një debati mes tyre në banesë, situata ka degraduar deri në përdorimin e një thike.

Si pasojë, të dy bashkëshortët kanë mbetur të plagosur në pjesë të ndryshme të trupit dhe janë transportuar drejt Spitalit të Durrësit për të marrë ndihmë mjekësore.

Ngjarja është regjistruar pak minuta më parë në lagjen 14 të qytetit të Durrësit, e njohur ndryshe si zona e Shkozetit.

Ende nuk dihen motivet e konfliktit, ndërsa nuk ka informacion të konfirmuar as për gjendjen shëndetësore të dy të plagosurve.

/abcnews.al/

Humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me shtyllën, ndërron jetë 82-vjeçari në Divjakë

13 August 2026 at 18:18

DIVJAKË- Në aksin rrugor “Çermë-Divjakë”, një 82 vjeçar, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe është përplasur me një shtyllë.

I moshuari është transportuar menjëherë në spital, por më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Përvëlimi “merr tatëpjetën”/ Temperaturat do të ulen në vlerat normale të gushtit

13 August 2026 at 18:17

Rënie temperaturash parashikohet ditët në vijim në të gjithë vendin. Të premten, vlerat e termometrit, sipas Institutit të Gjeoshkencave, do të shkojnë deri në 36 gradë Celsius në zonat e ulëta, ndërsa në bregdet nuk do t’i kalojnë 34 gradë Celsius.

Megjithatë, rreziku për zjarre nuk ka kaluar. Thatësira e ditëve të fundit favorizon flakët.

Në një pjesë të territorit, si në qarqet e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Fierit dhe Gjirokastrës, Instituti i Gjeoshkencave parashikon rrezik më të lartë. Ndërsa në qarqet Dibër, Kukës, Korçë dhe Vlorë rreziku është i moderuar.

Por gjithashtu, meteorologët parashikojnë edhe reshje shiu që mund të ndihmojnë për shuarjen e flakëve të mundshme në zonat me rrezik.

Pasditen e të premtes dhe të shtunën, reshjet priten kryesisht në zonat kodrinore dhe malore. Megjithatë, meteorologët thonë se ato do të jenë lokale dhe do të zgjasin pak.

Kruja e kalon sërish rrezikun / Zjarri në Abazaj nën kontroll, nuk rrezikohen banesa

13 August 2026 at 18:11

“E stabilizuar paraqitet situata në Abazaj të Krujës, ndërsa puna për neutralizimin e disa vatrave të vogla vijon nga forcat ajrore dhe ato tokësore. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe një helikopter, ndërsa humusi dhe temperaturat e larta mbeten sfidë për ndërhyrjen. Zjarri është afruar pranë banesave, por pa i rrezikuar ato.”

Në terren po ndërhyhet kryesisht në zonat ku terreni i thyer dhe i vështirë e bën më të komplikuar punën nga toka.

Banorët tregojnë se vatrat e zjarrit kanë qenë vetëm rreth 100 metra mbi shtëpitë e tyre.

Për neutralizimin e plotë të zjarrit është angazhuar edhe një helikopter, i cili po operon në mbështetje të forcave tokësore.

Sipas banorëve, ndërhyrja nga ajri ka qenë vendimtare, pasi në këto kushte zjarrfikësit e kanë pasur të pamundur ndërhyrjen për shkak të terrenit të vështirë.

“Vetëm pak orë më parë në këtë zonë ishte aktive një vatër e madhe zjarri, por me mbërritjen e helikopterit situata është qetësuar ndjeshëm dhe flakët janë vënë nën kontroll.”

Sfidë mbetet prania e erës dhe humusit, pasi zjarri mund të vijojë të jetë aktiv në shtresat e thella të tokës edhe pasi flakët në sipërfaqe janë shuar. Ndërkohë, banorët që u larguan për shkak të rrezikut janë rikthyer në banesat e tyre që prej orëve të mëngjesit.

“U rikthyem në mëngjes, se mbrëmë u larguam nga zona…”

Megjithëse zjarri ka qenë pranë zonave të banuara, flakët nuk kanë prekur asnjë banesë, ndërsa monitorimi në terren vijon për të garantuar sigurinë e plotë të zonës.

Shuhen flakët në Priskë/ Qetësohen zjarret në Tiranë, një vatër e izoluar në Selitë

13 August 2026 at 18:08

Pas shumë orëve të vështira të përballjes me flakët e zjarrit, shiu ka dhënë një ndihmë të rëndësishme në izolimin dhe dobësimin e vatrave që po shtoheshin.

Por përballë flakëve nuk ishin vetëm kushtet e motit. Në zemër të kësaj beteje kanë qenë forcat zjarrfikëse, por edhe ndihma nga ajri me helikopterë, që ka bërë të mundur thuajse izolimin total të zjarreve, jo vetëm këtu në Priskë, por edhe në rrethinat e Tiranës.

Vatra e zjarrit në Priskë të Madhe ishte një ndër më problematiket. Pavarësisht angazhimit të zjarrfikësve, Forcave të Armatosura dhe ndërhyrjes nga ajri me helikopterë, zjarri arriti të shkrumbojë një sipërfaqe të konsiderueshme toke. Por mesditën e së enjtes, qielli ndihmoi zjarrfikësit dhe rrebeshi i shiut që mbuloi Dajtin ndihmoi në shuarjen e vatrës së zjarrit në Priskë.

Për ABC News, prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, tha se në operacionet për shuarjen e zjarreve në rrethinat e kryeqytetit kanë ndihmuar edhe bashkitë e tjera.

Pas shuarjes së flakëve në Priskë, po punohet intensivisht për të fikur edhe zjarrin në zonën e Selitës, me shtrirje në Dajt.

Në Selitë vazhdon ndërhyrja nga ajri për shkak të terrenit të vështirë malor. Zjarri në pyllin me pisha nuk rrezikon zonat e banuara.

Ndërkohë, policia ka nisur një hetim në lidhje me zjarrin që përfshiu një natë më parë periferinë e Tiranës, duke nisur në Priskë dhe që rrezikoi edhe Daiasin e Lundrën.

Itali, shpërthim i fortë në fabrikën e municioneve

13 August 2026 at 17:43

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur pasditen e së enjtes kryeqytetin italian, teksa zhurma e fortë u dëgjua nga ambientet e fabrikës KNDS Ammo Italy, ish-Simmel Difesa, në zonën e Quarto Chilometro, përgjatë rrugës që lidh Colleferron me Artenën.

Shprthimi në zonn provinciale të Romës shkaktoi alarm te banorët dhe duke mobilizuar shërbimet e emergjencës. Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi dyshohet se ka ndodhur brenda një prej reparteve të impiantit, ndërsa shkaku mbetet ende i paqartë.

Sipas TGCom, burimet e emergjencës thonë se deri tani nuk raportohet për persona të lënduar apo të përfshirë në incident. Në vendngjarje kanë mbërritur disa ekipe zjarrfikësish dhe mjete të tjera të emergjencës.

Para shpërthimit, alarmi i zjarrit ishte aktivizuar dhe personat që ndodheshin në zonën e fabrikës ishin evakuuar. Më pas, një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në një distancë të konsiderueshme, duke alarmuar edhe banorët e zonave përreth.

Pamje të publikuara nga banorët tregojnë flakët dhe më pas shpërthimin e fuqishëm brenda kompleksit industrial.

Kryebashkiaku i Colleferron, Giulio Calamita, konfirmoi se incidenti ndodhi në fabrikën KNDS Ammo Italy, e cila prodhon municione dhe komponentë për sektorin e mbrojtjes. Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi mund të ketë ndodhur në një mikser, ndërsa po hetohet edhe mundësia që incidenti të ketë lidhje me repartin e përpunimit të barutit.

Ndërkohë, raportimet për një evakuim të qendrës tregtare në Valmontone janë mohuar nga vetë administrata e qendrës, e cila ka deklaruar se nuk pati evakuim.

Çfarë është KNDS Ammo Italy?

KNDS Ammo Italy, ish-Simmel Difesa, është një kompani e rëndësishme e industrisë italiane të mbrojtjes. E themeluar në vitin 1948 dhe me seli historike në Colleferro, kompania është e specializuar në prodhimin e municioneve të kalibrit të mesëm dhe të madh për forcat tokësore, detare dhe ajrore.

Kompania është pjesë e grupit shumëkombësh KNDS, nën menaxhimin e KNDS France, dhe furnizon produkte për tregun ndërkombëtar. Sipas të dhënave të kompanisë, produktet e saj eksportohen në më shumë se 40 vende.

Përveç fabrikës në Colleferro, KNDS Ammo Italy ka edhe një strukturë të specializuar për demilitarizim në Anagni, në provincën e Frosinones.

“Rendi kushtetues në Kosovë nuk ekziston”/ Artan Berhami: Kurti ka qëllim të uzurpojë gjithçka!

13 August 2026 at 17:18

Deputeti i PDK-së, Artan Berhami, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po tenton të zëvendësojë institucionet e shtetit me mekanizma partiakë.

Berhami tha se, sipas tij, në Kosovë nuk po funksionon rendi normal institucional dhe se situata aktuale nuk paraqet normalitet.

“Kurti nuk ka lënë asnjë hapësirë që t’u referohemi institucioneve. Derisa flasim sot, nuk kemi as president, as kryeministër dhe as Kuvend. Kurti po mundohet që të gjithë këta mekanizma t’i zëvendësojë me ata partiakë. Ne edhe këto pak ditë do t’i shfrytëzojmë për të bërë presion. Kurti synon të okupojë gjithçka. Në Kosovë nuk ka normalitet. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për rikthimin e rendit kushtetues në Republikën e Kosovës”, tha Berhami.

Ai shtoi se PDK-ja do t’i shfrytëzojë ditët në vijim për të bërë presion politik, duke theksuar se synimi i tyre është, sipas tij, rikthimi i rendit kushtetues në Republikën e Kosovës.

“Kurti synon të okupojë gjithçka. Në Kosovë nuk ka normalitet. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për rikthimin e rendit kushtetues në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Berhami deklaroi gjithashtu se, sipas tij, Kurti ka për qëllim që vendi të shkojë në zgjedhje.

❌