Normal view

Nga kulinaria te sportet nënujore/ Qetsori rrëfen projektet e reja dhe jetën personale në “Summer Time Show”

By: Rovena
4 August 2026 at 21:44

Në një intervistë për “Summer Time Show”, Qetsori ka rrëfyer projektet e tij të reja që ndërthurin kulinarinë vendase me promovimin e sporteve nënujore dhe turizmit në zonën e Vlorës.

Ai theksoi rëndësinë e eksplorimit të pasurive nënujore të bregdetit shqiptar, ndonëse pranoi rreziqet e mëdha që mbartin këtë lloj sportesh extreme.

Gjithashtu, ai ndau detaje personale mbi përkushtimin ndaj familjes dhe balancën që kërkon jeta midis punës dhe pasioneve të tij.

“Jo se jam distancuar plotësisht nga televizioni. Normalisht që kam projekte dhe gjëra të tjera që kam duke përpunuar, si për kuzhinën, por edhe sportet nënujore. Dua që të orientoj pushuesit, si njohës i mirë i gjeografisë që jam, për zonën, për ushqimin e mirë, për prodhimet bujqësore vendase. Unë jam nga Dukati. Sportet nënujore janë bërë gjithnjë dhe më të frekuentuara në fakt. Pasuria jonë nënujore është shumë pak e eksploruar e gjitha. Siç kemi shpella, kemi edhe anije të mbytura. Disiplina sportive, pak natyrë dhe pak Vlorë ndoshta na balancon.

Familja është baza. Normalisht që has edhe vështirësi rrugës që ndodhin me të. Por ai që ka dëshirë të ndërtojë një familje duhet të mundohet sa më shumë. Jam tip romantik në momente të caktuara.

Ka pasur momente që e kam parë edhe vdekjen me sy. Sportet nën ujore kanë rreziqet e tyre”, rrëfeu ai.

Finlanda do ndërtojë depon e parë të përhershme të mbetjeve bërthamore në botë

4 August 2026 at 21:41

Rregullatori i sigurisë bërthamore i Finlandës rekomandoi sot që impiantit të magazinimit të mbetjeve bërthamore Onkalo t’i jepet një licencë operimi.

Me këtë veprim, u hap rruga për zbatimin e vendimit të qeverisë që do ta bëjë këtë infrastrukturë vendin e parë të përhershëm në botë për ruajtjen e karburantit bërthamor të shpenzuar.

Posiva, pronarja e Onkalo, e cila nga ana tjetër është në pronësi të kompanive të shërbimeve Fortum dhe Teollisuuden Voima (TVO), planifikon të varrosë mbetjet bërthamore rreth 400 metra nën tokë.

Finlanda miratoi ndërtimin e projektit në vitin 2015 dhe rregullatori STUK tha në një deklaratë se kërkesat e sigurisë për dhënien e një leje operimi ishin përmbushur.

Ministria finlandeze e Çështjeve Ekonomike dhe Punësimit njoftoi se vlerësimi nga autoriteti STUK i lejon qeverisë të përpunojë kërkesën për leje operimi.
Posiva ka aplikuar për një licencë operimi deri në fund të vitit 2070.

Është hera e parë në botë që një strukturë gjeologjike për asgjësimin përfundimtar të karburantit bërthamor të shpenzuar ka përparuar në fazën e marrjes së një licence operimi, raporton autoriteti rregullator STUK.

Trumpi e cilësoi hap historik, Netanyahu refuzon marrëveshjen për Gazën

4 August 2026 at 21:11

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli nuk ka pranuar draftin e marrëveshjes së propozuar nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump për çarmatosjen e Hamasit dhe demilitarizimin e Rripit të Gazës.

Lideri izraelit tha se ekipi i Trumpit beson se mund ta bindë Hamasin të heqë dorë nga armët dhe të çmilitarizojë Gazën, por theksoi se propozimi i paraqitur nuk përfaqëson qëndrimin e Izraelit.

“Na dërguan një draft, por ne nuk u pajtuam me të. Ky nuk është drafti ynë. Ne dërguam komentet tona”, deklaroi ai.

Netanyahu shtoi se komentet izraelite ishin dorëzuar para se të niste debati publik dhe fushata mediatike rreth kësaj çështjeje.

Ai theksoi se Izraeli do të vazhdojë të mbrojë interesat e tij “me mençuri dhe vendosmëri”, duke lënë të kuptohet se çdo marrëveshje e ardhshme do të duhet të përputhet me kërkesat e qeverisë së tij.

Ndryshe, Trump kishte njoftuar ditë më parë se pas çarmatosjes së Hamasit, forcat izraelite do të tërhiqen nga territori palestinez.

Lideri amerikan e kishte cilësuar marrëveshjen si një “hap historik” drejt paqes dhe sigurisë, duke bërë të ditur se zbatimi i saj do të zhvillohet në faza të mirëpërcaktuara. 

Deti si trashëgimi dhe kurë për shpirtin/ Rrëfimi i veçantë i peshkatarit Baçi për “Summer Time Show”

By: Rovena
4 August 2026 at 20:59

Peshkatari i njohur Baçi ka rrëfyer për emisionin “Summer Time Show” në ABC News lidhjen e tij të fortë dhe jetësore me detin, një pasion i trashëguar brez pas brezi në familjen e tij që prej viteve ’80 në Radhimë.

Për të, deti është një forcë e madhe misterioze dhe kurative që i fal qetësi absolute e i largon të gjitha hallet e tokës.

Dashuria për këtë hapësirë të pafundme dijesh e ka shtyrë atë të rritë edhe fëmijët në det, duke u kthyer në një mësues që e përcjell me bujari këtë trashëgimi. Sot ai vazhdon të këshillojë të tjerët se si ta respektojnë e ta dashurojnë fuqinë e detit.

“Që në fëmijëri kemi patur lidhje me detin, nga vitet 80 jemi transferuar në Radhimë, një vijimësi nga vëllezërit babai, gjithomë kemi patur pasion të lidhur me detin.

Deti o të pranon o s’të pranon, shpesh është më i fortë se ajri, ka më mister se ajri, është forcë e madhë. Në momentin që dashurohesh me detin, dashuritë e tjera nuk kanë më vlerë. Shpesh e them kur iki në det i lë hallet në tokë, aty jam qetë. Është mënyra më e mirë për të kthjelluar mendimin. Deti është kurativ, jo vetëm për stresin.

Mundohem të këshilloj gjithmonë, deti është një pafundësi dijesh e misteresh. Fëmijët e mi, kanë lindur në det. Mendoj jam një mësues trashëgues, që nuk mbaj asgjë për vete”, tha peshkatari.

Një epokë e re e luftës/ Ukraina vendos në betejë një robot tokësor të transportuar nga një dron

By: Rovena
4 August 2026 at 20:41

Një dron për bartje të peshave të mëdha ka transportuar një mjet tokësor pa pilot ARK-1, të pajisur me një minë antitank, pas vijave ruse të frontit.

Sipas revistës Forbes, ky është operacioni i parë i njohur luftarak në të cilin një sistem robotik ka dërguar një tjetër sistem robotik në fushëbetejë.

Kjo taktikë mundëson vendosjen e pajisjeve thellë pas linjave të armikut pa rrezikuar jetën e ushtarëve, ndërsa njëkohësisht kapërcen një nga kufizimet kryesore të robotëve tokësorë – lëvizshmërinë e kufizuar.

Shtetet e Bashkuara kanë eksperimentuar për dekada me koncepte të ngjashme, por ato nuk kanë kaluar përtej fazës së provave.

Ndërkohë, Ukraina tashmë po shqyrton mundësinë që deri në 30 për qind të personelit në vijën e frontit ta zëvendësojë me sisteme tokësore pa pilot.

Zhvillimi shihet si një hap i ri në transformimin e luftës moderne, ku dronët ajrorë dhe robotët tokësorë po marrin gjithnjë e më shumë role që më parë kryheshin nga ushtarët.

Kina miraton standarde të reja të detyrueshme për makinat autonome

4 August 2026 at 20:29

Kina ka miratuar standardet e para të detyrueshme kombëtare të sigurisë për automjetet autonome të avancuara, të cilat do të hyjnë në fuqi në korrik të vitit të ardhshëm.

Sipas Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, rregullat e reja përcaktojnë kërkesat e sigurisë për sistemet e drejtimit të automatizuar në automjetet inteligjente të lidhura dhe synojnë të rrisin sigurinë përpara përdorimit të gjerë të teknologjisë.

Standardet kërkojnë që prodhuesit të zhvillojnë sisteme të plota sigurie për automjetet me drejtim autonom të Nivelit 3 dhe Nivelit 4, përpara se ato të lejohen të qarkullojnë në rrugë.

Po ashtu, kompanitë do të duhet të zbatojnë një sistem të menaxhimit të sigurisë gjatë gjithë ciklit jetësor të automjeteve, duke përfshirë projektimin, zhvillimin, prodhimin dhe monitorimin pas vendosjes në përdorim.

Rregullorja e re detyron prodhuesit të krijojnë sisteme të menaxhimit të riskut dhe të kryejnë testime të shumta, përfshirë simulime, prova në pista të mbyllura dhe testime në kushte reale të trafikut, përpara aktivizimit të funksioneve të drejtimit autonom.

Vendimi i Pekinit vjen në një kohë kur prodhuesit globalë të automjeteve dhe kompanitë e teknologjisë po garojnë për të sjellë automjetet vetëdrejtuese nga faza e testimit në përdorimin e përditshëm.

SHBA dhe Irani pranë një marrëveshjeje, shkëmbehen draftet për zgjidhjen e krizës

By: Rovena
4 August 2026 at 19:46

Përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të avancuar, ndërsa palët po shkëmbejnë draftet e një marrëveshjeje të mundshme, ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari.

Katari dhe Omani po ndërmjetësojnë mes Uashingtonit dhe Teheranit, edhe pse deri tani nuk ka pasur bisedime të drejtpërdrejta mes dy vendeve. Doha thotë se po punohet për një zgjidhje diplomatike dhe uljen e tensioneve në rajon.

Al-Ansari deklaroi se tashmë është hartuar një tekst paraprak i një marrëveshjeje dhe se ai po u dërgohet palëve për shqyrtim. Sipas tij, objektivi i menjëhershëm është arritja e një marrëveshjeje afatshkurtër që do t’i kthente SHBA-në dhe Iranin në tryezën e negociatave.

Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, tensionet në Gjirin Persik dhe veçanërisht në ngushticën strategjike të Hormuzit mbeten të larta. Mohsen Rezay, këshilltar ushtarak i liderit suprem iranian, paralajmëroi se Teherani nuk do të lejojë kufizime ndaj eksporteve dhe anijeve iraniane, raportojnë mediat.

Ai tha se Irani nuk do të lejojë kalimin e anijeve jashtë rrugëve të përcaktuara prej tij dhe paralajmëroi se anijet luftarake amerikane që përdorin rrugë të tjera mund të përballen me sulme.

Ministri amerikan i Financave, Scott Bessent, deklaroi se një marrëveshje për rikthimin e trafikut normal në ngushticën e Hormuzit mund të arrihet së shpejti, duke pretenduar se lëvizja e anijeve tashmë ka filluar të rritet.

Megjithatë, të dhënat e kompanisë analitike Kpler tregojnë se trafiku në këtë rrugë detare mbetet shumë i kufizuar, me vetëm disa anije që kalojnë çdo ditë, zakonisht më pak se dhjetë.

Sulmet ndaj anijeve tregtare dhe mosmarrëveshjet mes SHBA-së dhe Iranit për lirinë e lundrimit, tarifat dhe kontrollin e ngushticës së Hormuzit vazhdojnë të pengojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Presidenti iranian hedh poshtë zërat për dorëheqje

4 August 2026 at 19:40

Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, tha në një video të publikuar nga disa agjenci iraniane të lajmeve se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje, duke hedhur poshtë spekulimet prej disa javësh për të ardhmen e tij politike.

Në video, Pezeshkian tha se nëse ndonjëherë do të vendoste të largohej nga posti, ai do të njoftonte zyrtarisht.

“Për momentin, do të qëndroj i vendosur”, tha ai.

Ai, gjithashtu, hodhi poshtë spekulimet për një përçarje mes tij dhe liderit suprem të Iranit, ajatollah Mojtaba Khamenei, duke thënë: “Ata duan të krijojnë përshtypjen se ka një mosmarrëveshje. Lideri thotë një gjë, ndërsa ata pretendojnë se unë them diçka tjetër”.

Videoja, me titullin “Raport për popullin”, pritet të publikohet e plotë në ditët në vijim.

Që nga vrasja e raportuar e ish-liderit suprem, ajatollah Ali Khamenei, në sulmet SHBA-Izrael të 28 shkurtit, dhe njoftimi për pasardhësin e tij – djalin e tij – kanë qarkulluar raportime të pakonfirmuara se Pezeshkian po përgatitej të jepte dorëheqje.

Kohët e fundit, Mohammad Baqer Kharazi, sekretar i përgjithshëm i partisë Hezbollah në Iran dhe kunat i Masud Khameneit, një tjetër djalë i Ali Khameneit, pretendoi se Mojtaba Khamenei kishte “paralajmëruar zyrtarisht dhe publikisht” se nëse Pezeshkian do të paraqiste një tjetër kërkesë për dorëheqje, ajo do të pranohej.

Kharazi nuk tha se kur dhe kujt ia kishte bërë gjoja këtë paralajmërim lideri suprem.

Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur në publik që kur u njoftua si pasardhësi i babait të tij. Përveç disa deklaratave me shkrim që i atribuohen atij, nuk janë publikuar video apo audio të verifikuara të tij.

Dy turistë humbin në malin e Çikës, ekipet e shpëtimit në aksion

By: Rovena
4 August 2026 at 19:05

Dy turistë kanë humbur orientimin gjatë eksplorimit të malit të Çikës. Sipas informacioneve paraprake, ata kanë dërguar sinjalin SOS, duke kërkuar ndihmë pasi nuk kanë mundur të gjejnë rrugën për t’u kthyer.

Menjëherë pas marrjes së sinjalit, në drejtim të zonës janë nisur grupet e shpëtimit të Administratës së Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me Policinë. Ekipet po punojnë për lokalizimin e vendndodhjes së saktë të turistëve, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në terren.

Valon Bela dhe Bekir Halimi ‘non grata’ në Shqipëri/ Lamallari: Vendimi u mor më 17 korrik. Konsultime me agjencitë e sigurisë

By: Rovena
4 August 2026 at 18:38

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka shpallur persona të padëshiruar për një periudhë 10-vjeçare Valon Belën dhe Bekir Halimin, pas informacioneve dhe konsultimeve me agjencitë e sigurisë

Ministri Besfort Lamallari, bëri me dije për “Tirana Live” në ABC News se vendimi është marrë më 17 korrik në mbrojtje të interesit kombëtar. Ai theksoi se vendi nuk do të lejojë asnjë agjendë apo nxitje dhune kundër Shqipërisë, ndërsa Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të garantuar rendin publik.

” Në peshën e gjithë fakteve të ardhura nga aktiviteti i dy persona është krijuar perceptimi për t’i shpallur persona të padëshiruar në Shqipëri. Vendimi u mor më 17 korrik. Kam gjykuar se është me vend shpallja persona të pa dëshiruar dhe dëbimi i tyre jashtë Shqipërisë, për një periudhë 10 vjeçar.

Kemi pasur konsultime me agjencinë e sigurisë. Sa më shumë i afrohemi familjes europiane ne duhet të sillemi si vend anëtar duke mos lejuar asnjë axhendë kundër vendit tonë. Flitet për informacione shumë të kufizuara dhe një mbikëqyrje të vazhdueshme nga agjencitë.

Nuk hezitoja që të merrja vendime të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për interesin kombëtar të vendit tim. Protesta u shfrytëzua nga vende jo mike. Minoranca nuk mund të pengojë pjesën tjetër të shoqërisë. Po abuzohet me protestat. Këtu vjen në lojë policia e shtetit, e cila duhet që të garantojë gërmë për gërmë rendin dhe sigurinë publike. Flitet për një demokraci. Ndërkohë është një nxitje e dhunës”, tha Lamallari.

Zjarri masiv në Riban të Mallakastrës, evakuohen 15 familje/ Ndërhyrje edhe nga ajri për shuarjen e flakëve

4 August 2026 at 18:23

Shërbimet e Policisë evakuuan 15 familje në fshatin Riban në Mallakastër, si dhe bagëtitë dhe kafshët e tyre shtëpiake, ndërsa vijojnë kontrollet dhe angazhimi në të gjithë territorin e prekur nga flakët.

Për shkak të përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara, shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë për evakuimin e 15 familjeve, si dhe të bagëtive dhe kafshëve të tyre shtëpiake, me qëllim garantimin e sigurisë së jetës dhe të pronës së banorëve.

Aktualisht, shërbimet e Policisë vijojnë të jenë të angazhuara në terren, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e tjera përgjegjëse, me mbështetjen nga ajri të një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një avioni Canadair, për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, si dhe për ofrimin e ndihmës ndaj banorëve të zonës.

Njëkohësisht, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit, dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit, nëse zjarri rezulton të jetë shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.

Rreth 70 mijë emigrantë janë larguar nga Ceuta, 75 prej tyre humbën jetën

4 August 2026 at 17:59

Rreth 70 mijë emigrantë që hynë në enklavën spanjolle të Ceutës janë kthyer ose janë larguar nga territori, ndërsa numri i viktimave nga kriza masive në kufirin mes Marokut dhe Spanjës ka arritur në 75 persona, njoftuan autoritetet spanjolle.

Sipas ministrit të Brendshëm të Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, nga rreth 72 mijë persona që kaluan në Ceuta gjatë valës së paprecedentë migratore, afërsisht 70 mijë janë kthyer në Marok. Ai tha se reagimi i autoriteteve spanjolle ishte i shpejtë dhe se situata në kufi është stabilizuar.

Kriza shpërtheu pas një kalimi masiv të migrantëve nga Maroku drejt Ceutës, një territor spanjoll në Afrikën Veriore. Mijëra persona tentuan të hynin në territor duke kaluar kufirin tokësor dhe duke notuar rreth barrierave kufitare.

Autoritetet spanjolle raportuan se dhjetëra persona humbën jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin, kryesisht për shkak të mbytjeve dhe kaosit të krijuar nga numri i madh i njerëzve. Numri i viktimave u rrit gradualisht gjatë ditëve pas krizës.

Pavarësisht kthimit të shumicës së migrantëve në Marok, disa mijëra persona mbetën ende në Ceuta, përfshirë qindra të mitur pa shoqërim, duke krijuar presion të madh mbi qendrat e pritjes dhe shërbimet lokale.

Kriza ka nxitur debat të gjerë në Bashkimin Evropian për forcimin e kufijve të jashtëm, luftën kundër rrjeteve të kontrabandës dhe mënyrën e menaxhimit të migracionit të paligjshëm. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar masa më të forta për mbrojtjen e kufijve evropianë pas ngjarjeve në Ceuta. 

FNSH drejt Ribajt, zjarri vijon prej mëngjesit dhe rrezikon banesat

By: Rovena
4 August 2026 at 17:45

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) janë nisur drejt fshatit Ribaj në Mallakastër, ku një zjarr i përmasave të mëdha vijon të jetë aktiv prej orëve të mëngjesit.

Flakët janë përhapur me shpejtësi, ndërsa situata mbetet problematike pasi zjarri po i afrohet banesave. Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrës dhe shmangien e rrezikut për banorët dhe banesat.

Dy shqiptarë të Maqedonisë shpallen non grata/ Selami: “VLEN” po nxit përçarje në Shqipëri

4 August 2026 at 17:25

Valon Bela dhe Bekir Halimi, të dy shtetas të Maqedonisë së Veriut janë personat e radhës që janë shpallur non grata nga Ministria e Brendshme, pasi konsiderohen me rrezik potencial për sigurinë e vendit.

Ministri Lamallari ka firmosur shpalljen non grata edhe të këtyre dy personave, të cilët sipas tij janë të padëshiruar dhe sipas agjencisë së inteligjencës dhe zbatimit të ligjit, përbëjnë kërcënim real për vendin.

Aktivistja e shoqerisë civile në Shkup, Nafie Selami thotë se Bela dhe Halimi janë dy figura kontraverse.

Në një intervistë për “Ballkan Update” në ABC News, Selami u shpreh se ata protestuan në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama, por shtetasit e Maqedonisë së Veriut nuk kanë votuar në zgjedhjet në Shqipëri.

Sipas Selamit, “Vlen” po nxit përçarje në Shqipëri.

“Personat janë cilësuar si figura kontroverse, por nuk janë figura të rëndësishme. Ata kanë ardhur për të protestuar për dorëheqjen e kryeministrit të Shqipërisë. Por ne nuk kemi votuar për kryeministrin e Shqipërisë. Sa më afër dhe sa më shpejt Shqipëria të bëhet anëtare e BE, aq më mirë për Kosovën dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Përkrahja e eksponentëve të caktuar në protestat në Shqipëri, është e habitshme për ne. Ne kishim protestë për gjuhën shqipe, eksponentë të VLEN ende nuk e kanë zgjidhur këtë çështje, nuk i përkrahën studentët. Nuk i ka përkrahur as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Shqiptarët me këtë qeveri, përjashtohen nga institucionet, gjuha shqipe po largohet nga institucionet”, theksoi ajo./abcnews.al

KLP mbyll aplikimet për Prokuror të Përgjithshëm, ja pesë emrat në garë

By: Rovena
4 August 2026 at 17:21

Pesë janë kandidatët të cilët kanë shprehur interes për konkurrimin për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Deri më tani, 3 gusht, në garë janë: Fatjona Memçaj, Arta Marku, Rovena Zoto, Adnan Xholi dhe Ylli Pjetërnikaj. Prokurori Kreshnik Ajazi ka dorëzuar dokumentet pranë KLP-së, por më pas është tërhequr nga gara.

Që prej 3 korrikut kandidatët kanë pasur mundësi që të dorëzojnë dokumentet e tyre për kandidim. Prokurorët patën një afat prej 30 ditësh, deri më 1 gusht (ora 00:00), për të dorëzuar kandidaturën e tyre.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi mandati i prokurorit aktual Olsian Çela përfundon në dhjetor të këtij viti. Prokurori i Përgjithshëm ushtron një mandat 7-vjeçar pa të drejtë rikandidimi.

Kujtojmë se më 29 korrik garës për Prokuror të Përgjithshëm iu fut edhe prokurori aktual i SPAK, Adnan Xholi. Ai ishte personi i parë i cili dorëzoi dokumentacionin për të garuar.

Zjarr në Nivicë, digjen bimësi dhe shkurre/ Era favorizon përhapjen e flakëve

4 August 2026 at 17:18

Një zjarr ka rënë në zonën e Nivicës, në bashkinë Himarë. Flakët janë favorizuar nga era, duke bërë që zjarri të përhapet me shpejtësi.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Terreni dhe era e fortë po e vështirësojnë ndërhyrjen e shërbimeve.

Nga zjarri po digjen bimësi dhe shkurre ndërsa nuk ka rrezik për banesat./abcnews.al

❌