Normal view

EMRAT/ Goditet grupi kriminal! Policia jep detaje nga aksioni në Vlorë: 6 të arrestuar, mes tyre një i kërkuar nga Italia

9 June 2026 at 09:30

Një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me aktivitet në fushën e krimeve kundër personit dhe të narkotikëve, është goditur nga Policia e Vlorës në kuadër të operacionit të koduar “Grupi”.

Gjatë aksionit janë arrestuar gjashtë persona, mes tyre një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe dy të tjerë në kërkim kombëtar.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë (FNSH), Njësia Fier, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, pas informacioneve operative se disa persona me precedentë kriminalë lëviznin të armatosur dhe me mjete të blinduara.

Në kuadër të operacionit të koduar “Grupi”, u vunë në pranga shtetasit:
-Florian Shala alias Florian Alliaj;
-Neritan Dalipaj alias Neritan Qejvanaj;
-Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula;
-Miço Beqaraj;
-Turi Aligjoni;
-Dritan Çelaj.

Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula, rezulton i dënuar nga Gjykata e Apelit në Lecce të Italisë me 6 vite e 8 muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Në të njëjtin ambient u arrestuan edhe Turi Aligjoni 55 vjeç, i dyshuar si autor i plagosjes me armë zjarri të ndodhur më 7 qershor në Vlorë, si dhe Dritan Çelaj 48 vjeç.

Të dy ishin të shpallur në kërkim kombëtar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë operacionit policia sekuestroi katër armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, shtatë telefona celularë, 1850 euro dhe tre automjete, dy prej të cilave me targa të huaja. Njëri prej mjeteve ishte i blinduar.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se automjeti tip “BMW X5”, i sekuestruar gjatë operacionit, ishte përdorur nga Turi Aligjoni për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas plagosjes së 26-vjeçarit F. L., ngjarje e ndodhur në Vlorë dy ditë më parë.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të grupit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtarinë e tij të paligjshme.

Alarm për tritol në një automjet në Vlorë/ Policia në vendngjarje

By: Rovena
6 June 2026 at 22:55

Një situatë paniku është regjistruar pak më parë, ku një qytetar ka njoftuar me urgjencë policinë pasi ka dyshuar se poshtë automjetit të tij mund të ishte vendosur një sasi lënde plasëse.

Menjëherë pas marrjes së këtij sinjalizimi, forcat e rendit kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë duke vendosur perimetrin e sigurisë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për kalimtarët dhe banorët përreth.

Ekspertët xhenierë dhe shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë verifikimet e hollësishme në mjetin e dyshuar.

Burime paraprake nga terreni bëjnë me dije se deri në këto momente nuk është konstatuar asnjë objekt i dyshimtë apo lëndë plasëse, megjithatë kontrollet e rrepta po vijojnë me intensitet të plotë për të përjashtuar çdo dyshim dhe për të garantuar sigurinë e plotë të zonës.

Përfshihet nga flakët një automjet në Kaninë, dyshohet për shkëndijë elektrike

5 June 2026 at 22:46

Një automjet tip “Benz” është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në zonën e Kaninës, në Vlorë.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shpërthyer teksa automjeti ishte në lëvizje, ndërsa dyshohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike ne mjet. Flakët kanë përfshirë me shpejtësi mjetin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve dhe shuarjen e zjarrit.

Fatmirësisht, sipas të dhënave paraprake, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa policia dhe grupi hetimor po punojnë për të përcaktuar shkaqet që çuan në përfshirjen e automjetit nga flakët.

Zbardhet ngjarja në Vlorë/ 37-vjeçari u vetëplagos me armë gjahu, është jashtë rrezikut për jetën

By: Rovena
5 June 2026 at 10:36

Mbrëmjen e djeshme, shtetasi Sh. K, 37 vjeç, banues në Sevaster, dyshohet se është vetëplagosur aksidentalisht në këmbë, me armë gjahu që e mbante pa leje.

Ai po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

VIDEO-EMRI/ 37-vjeçari në gjendje të rëndë në spital! U paraqit me plagë në këmbë, dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri

4 June 2026 at 23:10

Një person është transportuar në spital në Korçë për të marrë trajtim mjekësor, pasi ka marrë plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit.

I plagosuri është identifikuar si Shpati Kamberaj 37 vjeç. Mësohet se ka marrë plagë në këmbë. 37-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë dhe është në sallë operacioni. Ndërsa dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri.

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta.

 

Sezoni turistik/ Vlorë, pezullohen për 3 muaj ndërtimet dhe kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda

By: Rovena
2 June 2026 at 10:30

Bashkia Vlorë njofton qytetarët, bizneset dhe subjektet e ndërtimit se, në kuadër të garantimit të mbarëvajtjes së sezonit turistik veror 2026, do të zbatohen masa të veçanta për kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda dhe disiplinimin e aktiviteteve të ndërtimit.

Periudha e zbatimit: 05 Qershor – 15 Shtator 2026

Pezullohen përkohësisht punimet e ndërtimit në zonat urbane dhe turistike të Bashkisë Vlorë, përfshirë qytetin e Vlorës, Lungomaren, Skelën, Ujin e Ftohtë, Plazhin e Vjetër, Radhimën, Orikumin, Jonufrën, Nartën, Zvernecin dhe akset kryesore turistike. Përjashtim bëjnë vetëm punimet infrastrukturore dhe shërbimet publike të autorizuara nga Bashkia Vlorë.

Ndalohet qarkullimi i mjeteve të rënda mbi 3.5 ton:

Të premten: ora 15:00 – 24:00

Të shtunën dhe të dielën: gjatë gjithë ditës

Ndalohet kryerja e ngarkim-shkarkimit nga mjetet e transportit të mallrave 1.5 – 3.5 ton:

Nga e hëna në të premte: ora 06:00 – 11:00 dhe 15:00 – 24:00

Të shtunën dhe të dielën: ora 06:00 – 24:00

Ndalohet parkimi i mjeteve mbi 3.5 ton dhe i kamperave në rrugët kryesore të qytetit, përfshirë Lungomaren dhe Bulevardin “Ismail Qemali”, sipas përcaktimeve të urdhrit.

Këto masa synojnë përmirësimin e qarkullimit rrugor, garantimin e sigurisë publike dhe ofrimin e një eksperience sa më cilësore për qytetarët dhe vizitorët gjatë sezonit turistik.

Shkeli perimetrin e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve/ Vlorë, gjobitet me 500 mijë lekë drejtuesi i Jet Ski

31 May 2026 at 10:18

Një mjet lundrues tip Jet Ski është bllokuar nga Policia Kufitare, ndërsa drejtuesi i tij është ndëshkuar me masë administrative në vlerën 500.000 lekë të rinj, pasi kishte shkelur perimetrin e sigurisë në zonën e Karaburunit, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Sipas Policisë së Shtetit, ndërhyrja erdhi menjëherë pas raportimeve dhe videos së dërguar nga qytetarët, ku shfaqej Jet Ski-ja duke lundruar në afërsi të bregut, në kundërshtim me rregullat e sigurisë detare.

Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, arritën të konstatojnë dhe ndalojnë mjetin lundrues teksa po afrohej pranë molit të peshkimit në territorin e SPK Triport.

Pas verifikimeve, mjeti u bllokua në pikën e bllokimit të mjeteve lundruese pranë SMIL-it, ndërsa drejtuesi, shtetasi me iniciale E. U., u gjobit me 500 mijë lekë të rinj për shkeljen e konstatuar./abcnews.al

Vlora, optimiste për sezonin turistik/ Prenotimet në rritje, operatorët paralajmërojnë mungesë kapacitetesh

26 May 2026 at 13:54

Sezoni turistik në Vlorë ka nisur me sinjale pozitive, ndërsa operatorët turistikë parashikojnë një verë me fluks edhe më të lartë vizitorësh krahasuar me një vit më parë.

Interesi i shtuar për rivierën shqiptare dhe prenotimet e hershme, jo vetëm për muajt e parë të sezonit, por edhe për kulmin e verës, po krijojnë pritshmëri optimiste për një tjetër vit të suksesshëm për turizmin në jug të vendit.

Sipas përfaqësuesve të sektorit, rritja e numrit të turistëve ka sjellë edhe sfida sa i përket fuqisë punëtore. Edhe këtë sezon bizneset kanë nisur angazhimin e stafit vendas, por kërkesat e larta për shërbim pritet të detyrojnë operatorët të punësojnë sërish punëtorë të huaj.

Ndërkohë, kërkesat në rritje për pushime në Vlorë dhe në gjithë jugun e vendit po vënë në provë edhe kapacitetet akomoduese. Operatorët turistikë thonë se në shumë raste kërkesa tejkalon ofertën ekzistuese, çka po nxit investime të reja në struktura hoteliere.

Me vijën bregdetare, natyrën dhe ofertën turistike që tërheq çdo vit më shumë vizitorë vendas e të huaj, Vlora pritet të mbetet edhe këtë verë një nga destinacionet më të kërkuara të turizmit shqiptar.

/abcnews.al/

Vlorë, konvikt i ri me kushte bashkëkohore në Shkollën profesionale “Pavarësia”

25 May 2026 at 10:57

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu inspektoi nga afër rikonstruksionin e plotë të konviktit në shkollën profesionale “Pavarësia”, në Vlorë, i cili tashmë u ofron studentëve që jetojnë aty kushte bashkëkohore me standarde europiane.

Si pjesë e investimeve të qeverisë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, rikonstruksionit të plotë i është nënshtruar edhe shkolla profesionale, ku për sezonin 2025-2026 kjo shkollë së bashku me atë tregtare kanë rreth 800 studentë të regjistruar.

“Shkolla “Pavarësia’ së bashku me Shkollën Tregtare kanë diku 800 studentë të regjistruar për vitin akademik 2025-2026 ndërkohë që konviktin e shfrytëzojnë rreth 100 nxënës. Paralelisht me mbarimin e konviktit është në rikonstruksion edhe shkolla “Pavarësia” dhe gjithë territori përreth do sistemohet për të krijuar një korpus të shkollës profesionale, konviktit dhe praktikës. Ne po punojmë për arsimin profesional dhe investimi këtu nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit është pjesë e paketës e kryer në 8 qytete të Shqipërisë për ti dhënë vëmendjen e duhur arsimit profesional si një nga ato komponent që besojnë fort se u shërben të rinjve, por dhe orientimit të tyre drejt tregu të punës dhe ofertave që tregu i punës ka. Nëpërmjet tregut të punës nuk i japim vetëm një diplomë të rinjve, por u japim mundësi zhvillimit ekonomik të vendit dhe mundësi konkrete për punësim”, tha zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.

Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli tha se ky investim është pjesë e paketës që qeveria ka bërë në disa konvikte të shkollave profesionale në gjithë Shqipërinë. “Në kemi përfunduar punimet në disa konvikte në gjithë Shqipërinë. Praktikisht ne kemi përfunduar punimet në konviktet e Kukësit, Dibrës, Elbasanit, Shkodrës dhe Lushnjes. Konviktet janë të gjithë pjesë e një ndërhyje të një standardi të lartë”, tha Agolli.
Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Bruna Mersini bëri me dije se kjo është faza e parë e projektit, ndërsa faza e dytë është mbarimi i gjithë zonës së praktikës dhe në fund gjithë territorit që do shërbejë si korpus.

Vlora “ndizet” nga muzika folklorike/ Ansamble nga shtete të ndryshme në qytetin bregdetar për festivalin “Aulona Folk Festival”

23 May 2026 at 23:13

Vlora është e gjitha e përfshirë nga atmosfera folklorike. Qytetarët shijuan spektaklin e dhuruar nga ansamble nga vende të ndryshme të botës, që kanë mbërritur këtë fundjavë në qytetin bregdetar në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Aulona Folk Festival”.

Në rrugët e qytetit, atmosfera ka qenë festive dhe plot ngjyra.

Grupet pjesëmarrëse kanë kërcyer valle tradicionale, ndërsa secili ansambël është dalluar nga kostumet shumëngjyrëshe dhe muzika karakteristike e kulturave të tyre.

Turistë dhe qytetarë të shumtë janë ndalur për të ndjekur nga afër shfaqjet artistike.

Më shumë vëmendje kanë tërhequr grupet nga Kili dhe Brazili, të cilët krijuan një atmosferë elektrizuese me performancat dhe energjinë e tyre në pedonalen dhe zonat kryesore të qytetit.

“Aulona Folk Festival”, që organizohet çdo vit në Vlorë, vijon ta kthejë qytetin në një qendër të kulturës dhe traditave ndërkombëtare, duke promovuar turizmin dhe shkëmbimin kulturor mes vendeve pjesëmarrëse./abcnews.al

Turistët me kamper zbulojnë Shqipërinë/ Vlora, surpriza e vizitorëve nga vendet europiane

23 May 2026 at 17:50

Dëshira për të zbuluar sa më shumë ka bërë që shumë të huaj të udhëtojnë me kamper nëpër Shqipëri. Disa prej tyre janë vendosur në bregdetin e Vlorës ,

Qyteti i ka surprizuar. Vizitorët vijnë nga Austria, Gjermania, Zvicra dhe Holanda.

“Jam nga Austria. Më pëlqen natyra, njerëzit. Do të qëndrojmë deri nga qershori.”

“Jam nga Gjermania. Është hera e parë në Shqipëri. Do të qëndrojmë rreth 1 javë. Na pëlqen natyra. Është shumë këndshëm.”

 “Do të qëndrojmë dy javë në Vlorë, do të shkojmë në Shkodër e më pas në Mal të Zi.”

Jo vetëm deti, por edhe mali dhe mikpritja shqiptare mbeten arsye kryesore për t’u rikthyer në vendin tonë.

“Jam nga Zvicra. Është hera e dytë që vij. Kam qenë këtu tre vjet më parë. Kam ardhur një javë para. Ne bëjmë hiking. Më pëlqen ushqimi. Më pëlqen deti, por më shumë mali. Po kalojmë shumë mirë.”

“Jam nga Zvicra. Është hera ime e parë këtu. Është vend i bukur, me njerëz të këndshëm e ushqim të mirë.”

Vlora mbetet ndër destinacionet kryesore për shumë të huaj, numër i cili, sipas operatorëve turistikë, pritet të rritet ndjeshëm këtë sezon veror./abcnews.al

Vlorë/ Përfshihen nga flakët katër betoniere në një kantier, dyshohet zjarrvënie e qëllimshme

22 May 2026 at 07:54

Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë natës në zonën e Fushë Dukatit, ku katër betoniere të tonazhit të rëndë janë përfshirë nga flakët brenda një kantieri pune, në pronësi të Blerti Mehillajt.

Sipas burimeve paraprake, mjetet kanë qenë të parkuara në ambientet e kantierit në momentin e ngjarjes. Dyshohet se një person ka hyrë në zonë, i ka spërkatur me benzinë dhe më pas u ka vënë flakën.

Policia dhe grupi hetimor po punojnë për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

Morën peng dhe dhunuan një 20-vjeçar/ Vlorë, arrestohet 1 nga autorët, në kërkim dy të tjerë

By: Rovena
21 May 2026 at 14:43

Morën me forcë në automjet, një 20-vjeçar, dhe më pas e dhunuan, me qëllim përfitimin e një shume monetare, identifikohen shtetasit e implikuar në këtë ngjarje.

Vihet në pranga 1 nga autorët, 24-vjeçari , Brajan Habazaj dhe janë  shpallur në kërkim 2 të tjerë, shtetasit Roberto Lapa, 29 vjeç dhe Leandro Kapllani (Lapa), 34 vjeç (vëllezër), të dy banues në Risili, Vlorë.

Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Vlorë, menjëherë pas marrjes së informacionit për një shtetas që e kishin marrë me forcë në automjet, organizuan punën për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë me forcë në automjetin në përdorim të dy vëllezërve, një 20-vjeçar, dhe më pas e kanë çuar në një ambient të veçuar, ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij, me qëllim përfitimin e shumës monetare 6000 euro.

Vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Punimet për ndërtimin e resortit turistik në zonën e Akërnisë/ Vlorë, digjet skrepi gjatë natës, dyshohet e qëllimshme

18 May 2026 at 08:46

Një incident i rëndë është regjistruar gjatë orëve të natës në zonën e Hidrovorit të Akërnisë, aty ku prej javësh kanë nisur punimet për ndërtimin e një resorti turistik.

Sipas informacioneve paraprake, një person ende i paidentifikuar ka depërtuar në kantier dhe ka spërkatur me lëndë djegëse një skrep dhe disa mjete të tjera të tonazhit të rëndë. Si pasojë, njëri prej skrepave është përfshirë plotësisht nga flakët dhe është shkrumbuar pothuajse totalisht.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa mjetet e tjera kanë pësuar dëmtime më të lehta.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve, si dhe shërbimet e Policisë, që kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin ose autorët.

Paraprakisht dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të lidhet me tensionet dhe kundërshtitë e vazhdueshme që kanë shoqëruar këtë investim në zonën e mbrojtur të Akërnisë.

Policia po punon për të dokumentuar shkakun e saktë të zjarrit dhe për të hedhur dritë mbi motivet që mund të kenë çuar në këtë akt./abcnews.al

VIDEO/ Mot i keq! Erë e fortë dhe reshje intensive, vështirësi në lëvizjen e mjeteve në autostradën Fier-Vlorë

16 May 2026 at 14:26

Vlora është përfshirë nga erëra të forta dhe reshje shiu me intensitet, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, veçanërisht në autostradën Autostrada Fier–Vlorë.

Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, policia u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve të ulin shpejtësinë dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, me qëllim shmangien e aksidenteve dhe situatave të rrezikshme në rrugë.

Reshjet vijojnë në intervale të shkurtra, të shoqëruara me erë të fortë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar.

Ankorohet skafi me flamur anglez në Portin e Vlorës/ Dëmtohen dy kroatët, shkak kushtet e këqija atmosferike

12 May 2026 at 22:54

Në portin e Vlorës ka mbërritur një mjet lundrues tip skaf me flamur anglez rreth orës 17:30. Në bord ndodheshin dy persona me kombësi kroate, të nisur nga porti i Korfuzit me destinacion portin e Dubrovnikut.

Gjatë lundrimit, për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ata kanë pësuar dëmtime fizike.

Për këtë arsye, mjeti është kthyer në portin e Vlorës, ku përmes një agjencie detare përfaqësuese është kërkuar shërbim shëndetësor. Të dy personat janë dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës për trajtim mjekësor./abcnews.al

Defekt në ujësjellësin e Vlorës/ Avaria në tubacionin kryesor shkaktoi ndërprerje uji për disa orë

12 May 2026 at 11:08

Një avari në tubacionin kryesor të ujësjellësit la për disa orë pa ujë qytetin e Vlorës.

Defekti solli ndërprerje dhe bllokim të stacioneve të furnizimit gjatë mbrëmjes.

Pas ndërhyrjes së ekipeve teknike, situata u normalizua vetëm pas mesnate. Mëngjesin e sotëm furnizimi me ujë është rikthyer në normalitet.

VIDEO/ Aksident në Vlorë, lëndohet drejtuesi i motorit

11 May 2026 at 15:52

VLORË- Një aksident rrugor ka ndodhur pak momente më parë në qytetin e Vlorës.

Një automjet ka aksidentuar një motor në lëvizje dhe për pasojë ka mbetur i lënduar drejtuesi i motorit.

I lënduari ka marrë ndihmën e parë dhe po transportohet me urgjencë për ndihmë mjekësore në spital.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, ndërsa kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit./abcnews.al

Zbardhet vrasja në Sarandë/ Policia: Si ndodhi përplasja, që përfundoi me një të vdekur dhe një të plagosur

8 May 2026 at 16:46

VLORË- Policia e Vlorës ka zbardhur detaje të reja nga vrasja e Rexhep Ismailit, e ndodhur mbrëmjen e 7 majit në Gjashtë të Sarandës, ndërsa ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të krimit, Lulzim Tabakun.

Sipas autoriteteve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, në lokalin në pronësi të 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, ku pas një konflikti fizik me sende të forta ka pasur edhe shkëmbim zjarri.

Nga hetimet rezulton se Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla kanë shkuar në lokalin e viktimës dhe janë përfshirë në konflikt me Tori Ruçin, Rexhep Ismailin dhe persona të tjerë që ndodheshin në tavolinë.

Sipas policisë, gjatë konfliktit Rexhep Ismaili ka marrë një armë automatike kallashnikov dhe ka qëlluar në drejtim të personave të përfshirë në sherr. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur në këmbë Kostandin Vogli, i cili më pas është vetëdorëzuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të përplasjes, dyshohet se Lulzim Tabaku ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të Rexhep Ismailit, i cili ka humbur jetën në vendngjarje.

Sekuestrohen armë dhe automjete

Kreu i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, bëri me dije se pas ngjarjes personat e përfshirë janë larguar nga vendi i krimit, ndërsa dyshohet se vëllai i viktimës, Hajredin Ismaili, ka fshehur armën automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë.

Arma u gjet dhe u sekuestrua më pas nga uniformat blu në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu janë sekuestruar një automjet tip “Audi Q8”, një tjetër automjet tip “Audi”, si dhe fishekë, gëzhoja dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimeve. Në fshatin Nivicë u gjet edhe motomjeti me të cilin dyshohet se është larguar autori i dyshuar, Lulzim Tabaku.

Personat e shpallur në kërkim

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, policia shpalli në kërkim:

-Lulzim Tabaku, 37 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

-Idriz Çela, 40 vjeç;

-Eljo Muço, 19 vjeç;

-Kostandin Vogli, 31 vjeç;

-Marjo Agalliu, 22 vjeç;

-Ermal Shkalla, 21 vjeç;

Këta perssona akuzohen për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Ndërkohë, është proceduar penalisht edhe Hajredin Ismaili, 60 vjeç, vëllai i viktimës. Policia e Vlorës theksoi se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Deklarata e plotë e kreut të policisë Vlorë: 

Jam sot këtu për të informuar opinionin publik lidhur me veprimet e shpejta, intensive dhe profesionale hetimore, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së ndodhur rreth orës 21:30 të datës 07.05.2026.
Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e fshatit Gjashtë, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit R. I., (Rexhep Ismaili) ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. I., 66 vjeç, si dhe u plagos shtetasi K.V. (Kostandin Vogli).

Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes si dhe zbardhja e dinamikës së ngjarjes.
Gjithashtu, vetëm pak momente më parë është bërë dhe shoqërimi i shtetasit të plagosur Kostandin Vogli i cili aktualisht po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vijim ky shtetas do t’u nënshtrohet procedurave penale.
Nga hetimet rezultoi se mbrëmjen e djeshme, shtetasit:
-Lulzim Tabaku
-Idriz Çela
-Eljo Muço
-Kostandin Vogli
-Marjo Agalliu
-Ermal Shkalla
kanë shkuar në lokalin e viktimës dhe janë drejtuar te tavolina ku ndodheshin shtetasi Tori Ruçi i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta me këta shtetas.
Gjatë konfliktit të dhunshëm, rezulton se viktima Rexhep Ismaili  ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasve të përfshirë në konflikt,
Në vijim të ngjarjes, dyshohet se shtetasi Lulzim Tabaku. ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Rexhep Ismaili., i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.
Gjithashtu gjatë shkëmbit të zjarrit ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi Kostandin Vogli.

Pas ngjarjes, të gjithë shtetasit e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, dyshohet se vëllai i viktimës, shtetasi Hajredin Ismaili., ka larguar nga vendngjarja dhe fshehur armën e zjarrit automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë, të cilat më pas u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, u sekuestruan prova të tjera materiale, konkretisht një automjet tip “Audi Q8”, dhe fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimeve.
Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në fshatin Nivicë u gjet i braktisur motomjeti, me të cilin dyshohet se është larguar nga vendngjarja autori i dyshuar, shtetasi L. T. Po ashtu, në lagjen nr. 1, Sarandë, u gjet dhe u bllokua një automjet tip “Audi”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e përfshirë në ngjarje.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u shpallën në kërkim shtetasit:
Lulzim Tabaku, 37 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
Idriz Çela, 40 vjeç, Eljo Muço 19 vjeç, Kostandin Vogli, 31 vjeç, Marjo Agalliu, 22 vjeç dhe Ermal Shkalla, 21 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Si dhe u proceduar penalisht shtetasi Hajredin Ismaili 60 vjeç, vëllai i viktimës.

Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes si dhe kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim.
Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, duke dhënë çdo informacion të vlefshëm për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për parandalimin e veprimeve të paligjshme.
Policia e Qarkut Vlorë mbetet maksimalisht e angazhuar në luftën kundër kriminalitetit dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët, turistët dhe vizitorët./abcnews.al

 

 

Aksident në zonën e Lumit të Vlorës, makina humb kontrollin dhe përfundon në kanal

By: Rovena
5 May 2026 at 15:36

Një aksident rrugor është regjistruar në zonën e Lumit të Vlorës, ku një automjet ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një kanal anësor.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë, çka ka bërë që drejtuesi i mjetit të humbasë kontrollin. Si pasojë, automjeti është përplasur me një bordurë betoni përpara se të përfundonte jashtë karrexhatës.

Nga aksidenti, shoferi ka pësuar vetëm lëndime të lehta dhe ka marrë ndihmën e parë në vendngjarje, duke shmangur pasoja më të rënda. Ndërkohë, mjeti ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

❌