Normal view

Netanyahu: Evropa ka shumë për të mësuar nga Izraeli për të mirën dhe të keqen

14 April 2026 at 09:30

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha të hënën se Evropa ka “shumë për të mësuar” nga Izraeli, duke akuzuar kontinentin se vuan nga “dobësi e thellë morale”

Duke folur gjatë ceremonisë zyrtare të Ditës së Përkujtimit të Holokaustit në Izrael, Netanyahu tha se Evropa e kishte harruar dallimin midis “të mirës dhe të keqes”.

“Evropa sot është e prekur nga dobësi e thellë morale. Ajo ka shumë për të mësuar nga ne, veçanërisht mësimin thelbësor të dallimit të qartë moral midis të mirës dhe të keqes”, tha ai.

Netanyahu theksoi se momente të tilla si ky i tanishmi kërkojnë “të shkosh në luftë për hir të asaj që është e mirë, për hir të jetës”.

Ai gjithashtu pretendoi se Evropa po humbet aftësinë e saj për të mbrojtur “identitetin dhe vlerat e saj” dhe se Izraeli po mbron Evropën dhe “qytetërimin kundër barbarizmit”.

Vërejtjet e Netanyahut erdhën mes kritikave në rritje në Evropë për politikat e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Libanin e pushtuar.

Më herët të hënën, kancelari gjerman, Friedrich Merzi, shprehu “shqetësim të thellë” për zhvillimet në territoret palestineze dhe paralajmëroi kundër asaj që ai e përshkroi si një “aneksim de facto të pjesshëm” të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Merz i kërkoi gjithashtu Netanyahut gjatë një telefonate të fillonte bisedime të drejtpërdrejta paqeje me Libanin dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund armiqësive në Libanin jugor.

Netanyahu tashmë përballet me presion ligjor në rritje. Gjyqi i tij për korrupsion, i cili filloi në vitin 2020, mbetet në vazhdim. Netanyahu i mohon akuzat dhe i ka përshkruar ato si një “fushatë politike që synon rrëzimin e tij”.

Ai kërkohet gjithashtu nga Gjykata Ndërkombëtare Penale që nga viti 2024 me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Gati negociatat SHBA-Iran/ JD Vance: Gati të zgjasim dorën, shpresojmë të jenë pozitive

10 April 2026 at 18:25

Zevendespresidenti amerikan JD Vance paralajmëroi Iranin, teksa kryeson ekipin negociues të Shteteve të Bashkuara.

Numri dy i Shtëpisë së Bardhë tha para se te nisej për në Islamabad se Donald Trump u ka dhënë udhëzime  të qarta. Nëse iranianet janë të gatshëm të negociojnë me mirëbesim, Uashingtoni është i hapur t’u zgjasë dorën. Nëse jo, atëherë ata do të zbulojnë se ekipi negociator do të përgjigjet ndryshe.

Por pavarësisht këtyre negociatorëve, Vance shprehu besimin e tij se negociatat do të jenë pozitive. Mediat ndërkombëtare raportojnë se negociatorët nga Uashingtoni do t’i kërkojnë Iranit të lirojë qytetarët amerikanë të ndaluar në vend.

Megjithatë kërkesa mund të vonohet nëse bisedimet nuk shkojnë mirë. Lirimi ose shkëmbimi i qytetarëve të ndaluar nuk ishte përfshirë në një plan 10-pikësh të propozuar nga Irani të ndarë nga media shtetërore iraniane  që u refuzua nga Donald Trump.

Ndërkohë kryeparlamentari i Iranit, kryenegociatori Mohammad-Bagher Ghalibaf, tha se një armëpushim në Liban dhe lirimi i aseteve të bllokuara të Iranit duhet të ndodhë para se të fillojnë negociatat.

Ghalibaf tha se dy masa u ranë dakord midis palëve dhe ende nuk janë zbatuar. Deklaratat e udhëheqësve të bisedimeve për secilën palën erdhën teksa Irani vijon të mbajë të mbyllur ngushticën e Hormuzit. Në një postim në Truth Social, Trump shkroi se Irani po bën një  “punë shumë të dobët” në lejimin e kalimit të naftës përmes ngushticës.

Irani mban mbyllur ngushticën pasi pretendon se pjese e marrëveshjes se armëpushimit duhet te jete qe Izraeli te ndal sulmet Mbi Liban. Diçka e tille nuk ka ndodhur përgjatë orëve të fundit pasi ushtria Izraelite njoftoi se kishte goditur disa pozicione lëshimi raketash në Liban, pasi grupi i armatosur Hezbollah, aleat i Iranit, lëshoi një raketë drejt veriut të Izraelit. Pavarësisht se tha se do te ishte i gatshëm për bisedime mes dy qeverive, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se nuk do të këtë armëpushim të menjëhershëm me Hezbollah dhe se sulmet e tyre do të vijojnë.

Libani ka bërë thirrje për një sërë bisedimesh të veçanta, që do të mbahen javën e ardhshme, me Izraelin, megjithatë grupi militant do të marrë pjesë vetëm nëse arrihet një armëpushim.

/abcnews.al/

Netanyahu: Izraeli gati për negociata të drejtpërdrejta me Libanin, me kusht çarmatosjen e Hezbollah

9 April 2026 at 19:30

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se Izraeli do të nisë negociatat me Libanin “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke sinjalizuar një hap të ri në drejtim të uljes së tensioneve mes dy vendeve.

Sipas tij, vendimi vjen pas thirrjeve të përsëritura nga pala libaneze për hapjen e dialogut të drejtpërdrejtë. Netanyahu bëri të ditur se i ka dhënë udhëzime kabinetit që të fillojë bisedimet në kohën më të afërt.

Ai theksoi se negociatat do të fokusohen në çarmatimin e Hezbollah dhe në vendosjen e marrëdhënieve paqësore midis Izraelit dhe Libanit.

Gjithashtu, Netanyahu u shpreh se Izraeli vlerëson thirrjen e bërë nga kryeministri libanez për demilitarizimin e Bejrut, duke e konsideruar atë si një zhvillim pozitiv në drejtim të stabilitetit rajonal.

 

Netanyahu: Izraeli ka goditur ura dhe hekurudha që janë përdorur nga forcat iraniane

7 April 2026 at 17:27

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli ka ndërmarrë sulme të reja ndaj infrastrukturës që, sipas tij, përdoret nga forcat iraniane.

Në një mesazh të publikuar në platformën X, Netanyahu tha se gjatë ditës së djeshme janë shkatërruar avionë transporti dhe dhjetëra helikopterë, ndërsa sot janë goditur hekurudha dhe ura të përdorura nga Islamic Revolutionary Guard Corps.

Ndërkohë, Israel Defense Forces (IDF) konfirmuan se kanë goditur “tetë segmente urash”, të cilat pretendojnë se shfrytëzoheshin nga forcat e armatosura iraniane për lëvizje dhe logjistikë.

Sipas IDF-së, sulmet janë zhvilluar në disa qytete iraniane, përfshirë Tehran, Karaj, Tabriz, Kashan dhe Qom.

Netanyahu shfajësohet për Patriakun: U ndalua në kishën e varrit të shenjtë në të dielën e palmave për arsye sigurie

30 March 2026 at 15:40

Pas debatit të madh që solli reagime të forta diplomatike, kryeministri I Izraelit Benjamin Netanyahu tha se Patriarku Latin i Jerusalemit, kardinali Pierbatista Pizaballa,  tani do të ketë qasje të plotë dhe të menjëhershme në Kishën e Varrit të Shenjtë.

Të dielën policia e pengoi kardinalin të kremtonte Meshën e së Dielës së Palmave në kishë.

Benjamin Netanyahu tha se Pizzaballas, i cili është kreu i Kishës Katolike në Tokën e Shenjtë, i ishte kërkuar të mos hynte në kishë për shkak të shqetësimit për sigurinë e tij. Ai tha se Irani kishte synuar vazhdimisht vendet e shenjta të Jerusalemit me raketa balistike.

Kardinali Pizzaballa dhe Reverendi Francesco Ielpo u ndaluan jashtë kishës që besohet të jetë vendi i kryqëzimit të Jezu Krishtit, pasi po planifikonin të mbanin një Meshë për të shënuar fillimin e Javës së Shenjtë.

Zyra e Kardinalit tha se ishte “hera e parë në shekuj” që një Patriark Latin ishte larguar nga vendi i shenjtë të Dielën e Palmave, e cila shënon kthimin e Krishtit në Jerusalem.

Vendimi për të bllokuar kardinalin të hynte në vendin më të shenjtë të Krishterimit u kritikua ashpër nga disa vende perëndimore.

Ambasadori amerikan në Izrael tha vendimi ishte “i vështirë për t’u kuptuar ose justifikuar”.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e quajti rastin një fyerje jo vetëm ndaj besimtarëve, por ndaj çdo komuniteti që respekton liritë fetare.

Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu e dënoi këtë veprim dhe tha se erdhi në kontekstin e rritjes shqetësuese të shkeljeve të statusit të Vendeve të Shenjta në Jerusalem.

Pas reagimeve të ashpraa, Netanyahu tha se të gjithë besimtarëve u ishte kërkuar të mos vizitonin vende në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, i cili kishte qenë subjekt i sulmeve nga Irani, dhe se policia kishte vepruar nga shqetësime të veçanta”për sigurinë në këtë rast.

Procesioni tradicional i së Dielës së Palmave në qytet ishte anuluar tashmë për shkak të kufizimeve në tubimet publike.

Ndërkohë në Vatikan, Papa Leoni XIV, dha ndoshta mesazhin më të fortë që nga fillimi i detyrës së tij.

Teksa u bëri homazhe të krishterëve në Lindjen e Mesme, Ati I Shenjtë tha se Zoti, nuk i pranon lutjet e liderëve që fillojnë luftëra, pasi ata I kanë duart të lara me gjak.

 

Netanyahu urdhëron zgjerimin e zonës së sigurisë në Libanin jugor

29 March 2026 at 20:52

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë izraelite të zgjerojë më tej “zonën e sigurisë” në jug të Libanit, në një përshkallëzim të ri të operacioneve ushtarake në rajon.

Sipas autoriteteve izraelite, ushtria ka lëshuar urdhra evakuimi për banorët në zonat e prekura dhe po zhvillon një operacion tokësor, i cili përfshin shkatërrimin e shtëpive dhe infrastrukturës që konsiderohen si kërcënim për sigurinë.

Në një deklaratë video nga selia e Komandës Veriore të ushtrisë në Safed, Netanyahu theksoi vendosmërinë e qeverisë për të ndryshuar situatën e sigurisë në veri të Izraeli.

“Sapo kam urdhëruar që zona ekzistuese e sigurisë të zgjerohet më tej. Ne jemi të vendosur ta ndryshojmë rrënjësisht situatën në pjesën veriore të Izraelit,” deklaroi ai.

/abcnews.al/

New York Times: Netanyahu urdhëroi sulmin më të fuqishëm ndaj Iranit, frikësohet se Trump do i japë fund papritur luftës

26 March 2026 at 08:28

Izraeli po punon shpejt për të goditur sa më shumë objektiva me prioritet të lartë në Iran, për shkak të shqetësimit se presidenti amerikan, Donald Trump mund ta përfundojë papritur luftën.

Këtë informacion e ka publikuar New York Times, duke iu referuar dy zyrtarëve të lartë izraelitë dhe dy personave të informuar për këtë çështje.

Sipas raportit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu të martën ka urdhëruar ushtrinë që të shkatërrojë sa më shumë nga industria e armëve të Iranit brenda 48 orëve të ardhshme.

Netanyahu dhe drejtuesit izraelitë të sigurisë nuk besojnë se plani prej 15 pikash i Trumpit do të siguronte eliminimin e kërcënimit bërthamor të Iranit dhe të raketave balistike.

Dje u publikua lista me 15 kushte që amerikanët ua kanë vendosur iranianëve për një ndërprerje të konfliktit për një muaj. Kjo do t’u mundësonte palëve që, përmes negociatave gjatë kohës pa luftime, të arrijnë një marrëveshje për paqe të qëndrueshme.

Megjithatë, izraelitët nuk janë të kënaqur me këtë, pasi dëshirojnë që negociatat të zhvillohen ndërkohë që vazhdojnë sulmet amerikane dhe të tyre ndaj Iranit./abcnews.al

Izraeli do të vazhdojë sulmet/ SHBA nxit për paqe, Netanyahu: Do të godasim Teheranin

23 March 2026 at 23:19

Kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi mbrëmjen e kësaj të hëne se Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar tel Avivin për mundësinë e një arritje marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme, megjithatë Netanyahu theksoi se teksa negociatat do të vijojnë vendi i tij do të sulmojë si Iranin ashtu edhe Libanin.

Netanyahu deklaroi se për këtë çështje kishte pasur një bisede telefonike këtë të hënë.

“Trump beson se ekziston mundësia e shfrytëzimit të arritjeve të mëdha të Forcave te Mbrojtjes  Izraelite dhe ushtrisë amerikane për të realizuar qëllimet e luftës, në një marrëveshje që do të ruajë interesat tona jetësor. Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë të sulmojmë si Iranin ashtu edhe Libanin. Ne po shkatërrojmë programet e tyre raketore dhe bërthamore dhe vazhdojmë t’i shkaktojmë dëme serioze Hezbollahut”, ka thënë ai.

Pas deklarate se Presidentit Amerikan Donald Trump mediat ndërkombëtare raportuan se Washingtoni kishte intensifikuar bisedimet me Tel Avivit për të përfshirë Izraelin në marrëveshje dhe për të parandaluar një sulm të mundshëm qe mund te prishte bisedimet.

Media Britanike The Telegraph raporton se Irani po shqyrton një plan të posaçëm për të goditur Izraelin dhe aleatet Amerikan te Trump ne Rajon përgjatë orëve në vijim, pasi kishte mohuar se po zhvillonte negociata me Washingtonin.

Mediat Iraniane shkruajnë se sulmi i planifikuar nga regjimi me raketa dhe Dronë synon te eliminoje shpresat per negociata duke dhënë kështu sinjalin e fundit se Teherani nuk ka ndërmend t’i nënshtrohet kërcënimeve të Trump për arritjen e një marrëveshje paqeje.

Po ashtu ‘Wall Strwt Journal’ ka raportuar mbrëmjen e kësaj të hëne se Donald Trump ka urdhëruar mbi 5 mijë marinare të tjerë që kanë mbërritur në Lindjen e Mesme që të mos sulmojnë Iranin deri të premten, duke pritur kështu një marrëveshje me Teheranin për hapjen e ngushticës së Hormuzit.

Netanyahu: Irani është në një pozicion më të dobët në krahasim me Izraelin

23 March 2026 at 16:33

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Irani është në një pozicion më të dobët krahasuar me Izraelin.

“Ne po punojmë për ta çuar Izraelin në një vend ku nuk ka qenë kurrë dhe Iranin në një vend ku nuk ka qenë kurrë. Ata janë në rënie, ne jemi në rritje”, tha Netanyahu.

Këto deklarata të tij erdhën pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kishin zhvilluar bisedime “shumë të mira dhe produktive” për zgjidhjen e konfliktit dhe urdhëroi një pauzë pesë-ditore në sulmet e planifikuara ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit.

/abcnews.al/

“Irani rrezikon gjithë botën”, Netanyahu u bën thirrje vendeve tjera t’u bashkohen në luftë

By: Rovena
22 March 2026 at 14:46

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se është koha që udhëheqësit botërorë të “bashkohen” me operacionet SHBA-Izrael kundër Iranit.

“Jam i lumtur të them se mund të shoh disa prej tyre që fillojnë të lëvizin në atë drejtim, por nevojitet më shumë”, tha Netanyahu.

Duke vizituar vendin e një sulmi iranian në Arad në Izraelin jugor, Netanyahu tha se sulmi ishte “provë” se Irani duhet të ndalet dhe se “rrezikon të gjithë botën”.

Ai konfirmoi se askush nuk u vra në sulm, por shtoi se sulmi kishte “shënjestruar një zonë civile”.

Komentet e tij u bënë jehonë atyre të bëra nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka kritikuar vazhdimisht atë që ai e quan mungesë gatishmërie nga aleatët perëndimorë për të ofruar mbështetje të mëtejshme në konflikt, veçanërisht në ndihmën për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Ndryshe, Irani ka paralajmëruar se çmimet globale të naftës do të mbeten të larta për një kohë të gjatë nëse sulmohet infrastruktura e tij kryesore e energjisë.

Ai ka kërcënuar të “shkatërrojë” menjëherë vendet e energjisë dhe naftës në të gjithë Lindjen e Mesme nëse sulmohen termocentralet e saj.

Benjamin Netanyahu: Nuk është e qartë se kush po e drejton Iranin tani

19 March 2026 at 23:04

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të enjten se mbetet e paqartë se kush po e udhëheq në mënyrë efektive Iranin, duke treguar pasigurinë rreth udhëheqësit të ri suprem të vendit dhe atë që ai e përshkroi si paqëndrueshmëri në rritje brenda udhëheqjes.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga CNN nëse fushata e Izraelit mund të ketë efekt të kundërt duke fuqizuar përfaqësuesit e linjës së ashpër dhe nëse kjo do të çojë në ndryshimin e regjimit, Netanyahu pranoi pasigurinë rreth situatës brenda Iranit.

“(Nuk jam) i sigurt se kush po e drejton Iranin tani”, tha Netanyahu, duke shtuar se udhëheqësi i ri suprem, Mojtaba Khamenei, nuk është parë dhe SHBA-të pretendojnë se ai është plagosur dhe “është shpërfytyruar” në një sulm. Irani i mohon këto pretendime.

Netanyahu gjithashtu sugjeroi që udhëheqja e Iranit mund të ketë vështirësi në konsolidimin e pushtetit pas zhvillimeve të fundit. “Pushteti që kishte Khamenei nuk do t’i transferohet askujt tjetër”, tha ai.

Ai tha se Izraeli po fillon të shohë “çarje” brenda udhëheqjes, duke i përshkruar ato si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë për të dobësuar regjimin e vendit. “Po përpiqemi t’i përhapim ato sa më shpejt që të mundemi.”

Netanyahu: Izraeli nuk e ka përfshirë SHBA në luftën me Iranin

19 March 2026 at 22:15

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mohoi se SHBA-të ishin përfshirë në një luftë në Lindjen e Mesme nga Izraeli.

“A mendon vërtet dikush se dikush mund t’i tregojë Presidentit Trump se çfarë të bëjë? Hajde tani,” tha ai.

Më herët, Netanyahu tha se Izraeli është më i fortë se kurrë dhe sipas tij, Irani është më i dobët se kurrë.

Lidhur me afatin kohor të luftës, Netanyahu thotë se do të duhet aq sa të nevojitet, aq sa të jetë e nevojshme.

Lufta në Iran filloi më 28 shkurt kur SHBA-të dhe Izraeli nisën një sulm të përbashkët në të gjithë vendin, duke vrarë udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Sulmi erdhi pas negociatave midis SHBA-së dhe Iranit mbi programin e tij bërthamor, dhe Trump ka mohuar vazhdimisht se ndërhyrja e tij është detyruar nga Izraeli./abcnews.al

“Irani, më i dobët se kurrë’/ Netanyahu: Bashkëpunimi me SHBA, i shkëlqyer

19 March 2026 at 20:09

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu thotë se Lindja e Mesme ka ndryshuar “përtej çdo njohjeje”.

Ai thotë se Izraeli është më i fortë se kurrë dhe sipas tij, Irani është më i dobët se kurrë, shkruan Sky News.

“Ne e kemi sjellë mikun tonë, SHBA-në, në një bashkëpunim të paparë në histori. Bashkëpunimi i shkëlqyer midis meje dhe mikut tim të mirë Trump është i pashembullt”, theksoi ai.

Lidhur me afatin kohor të luftës, Netanyahu thotë se do të duhet aq sa të nevojitet, aq sa të jetë e nevojshme.

“Ka ende shumë punë për të bërë dhe ne do ta bëjmë tani,” shtoi kryeministri i Izraelit.

Pas 20 ditësh luftë, Netanyahu nënvizoi se Irani nuk ka aftësi për të pasuruar uranium për momentin dhe as aftësi për të prodhuar raketa balistike./abcnews.al

“Kam folur me Netanyahun”/ Trump: I kam thënë të ndalojë sulmet ndaj objekteve energjetike në Iran

19 March 2026 at 17:50

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ka folur me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe e ka udhëzuar atë të ndalojë sulmet ndaj objekteve iraniane të naftës dhe gazit.

“I thashë, mos e bëj këtë, Dhe ai nuk do ta bëjë këtë”, tha Trump, shkruan CNN.

Trump më parë tha se Shtetet e Bashkuara “nuk dinin asgjë” për një sulm izraelit ndaj objekteve iraniane në fushën e gazit South Pars, rezerva më e madhe e gazit natyror në botë.

Por një burim izraelit i njohur me sulmin i tha CNN të mërkurën se Izraeli e kishte kryer sulmin në koordinim me SHBA-në, duke kundërshtuar pretendimin e presidentit.

Trump tha gjatë një takimi në Zyrën Ovale se SHBA-të dhe Izraeli ishin “të pavarur”, por “shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin”.

“Është e koordinuar. Por ndonjëherë ai bën diçka, dhe nëse nuk më pëlqen mua, nuk do ta bëjmë më këtë”, tha ai./abcnews.al

Vrasja e zyrtarit të lartë në Iran/ Netanyahu: Po destabilizojmë regjimin që iranianët ta rrëzojnë atë

17 March 2026 at 16:27

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu thotë se eliminimi i zyrtarit iranian Ali Larijani nga Izraeli është pjesë e qëllimit të tij për të “destabilizuar” regjimin iranian, në një përpjekje për t’i dhënë popullit iranian “mundësinë për të rrëzuar” regjimin nga pushteti.

“Vrasja e Larijanit nga Izraeli, si dhe e komandantit të forcës paramilitare Basij, Gholamreza Soleimani, pasqyron “destabilizimin e këtij regjimi me shpresën për t’i dhënë popullit iranian një mundësi për ta rrëzuar atë”, theksoi Netanyahu.

“Kjo nuk do të ndodhë menjëherë; nuk do të ndodhë lehtë. Por nëse këmbëngulim, do t’u japim atyre mundësinë ta marrin fatin e tyre në duart e tyre”, vazhdoi kryeministri, shkruan The Times of Israel.

Ai shtoi se “në të njëjtën kohë, Izraeli po ndihmon aleatët amerikanë në Gjirin Persik” mes sulmeve të Iranit në rajon, duke thënë se “foli gjatë” për këtë çështje dje me Presidentin e SHBA-së Donald Trump.

“Ekziston bashkëpunim midis forcave tona ajrore dhe marinave, midis meje dhe Presidentit Trump dhe ekipit të tij. Ne do të ndihmojmë si përmes sulmeve indirekte, të cilat gjenerojnë presion të jashtëzakonshëm mbi regjimin iranian, ashtu edhe përmes operacioneve të drejtpërdrejta. Ka shumë surpriza të tjera”, thotë Netanyahu./abcnews.al

Trump: Vendimin për t’i dhënë fund luftës me Iranin do e marr me Netanyahun

9 March 2026 at 07:24

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se vendimi se kur do të përfundojë lufta me Iranin do të jetë një vendim “i ndërsjellë” që ai do ta marrë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, sipas një raporti nga Times of Israel.

Trump tha se ka folur me Netanyahun, duke shtuar se ai do të “merrte një vendim në kohën e duhur”.

I pyetur nëse Izraeli mund të vazhdojë luftën kundër Iranit nëse SHBA-të vendosin të ndalojnë sulmet e tyre, Trump nuk pranoi të shqyrtojë mundësinë, duke shtuar: “Nuk mendoj se do të jetë e nevojshme”.

Kur u pyet për emërimin e Mojtaba Khameneit si udhëheqësi i ri suprem i vendit, Trump gjithashtu nuk pranoi të komentojë, duke thënë: “Do të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Trump e ka bërë të ditur më parë kundërshtimin e tij ndaj Mojtabas, duke thënë: “Djali i Khameneit është i papranueshëm për mua”.

Mojtaba Khamenei është zgjedhur Lideri i ri Suprem i Iranit, duke zëvendësuar të atin, Ajatollah Ali Khamenei i cili u vra nga sulmet amerikano-izraelite më 28 shkurt.

Ai u zgjodh nga Asambleja e Ekspertëve të Iranit, raportojnë mediat shtetërore. Mojtaba është një klerik 56-vjeçar i cili nuk ka mbajtur kurrë një post qeveritar./abcnews.al

“Është shkelur ligji ndërkombëtar”/ Minxhozi për luftën në Iran: Faktor, dosja Epstein dhe korrupsioni i Netanyahut

By: Rovena
5 March 2026 at 20:31

Analisti Skënder Minxhozi tha se përplasja mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po zhvillohet në kundërshtim me parimet e ligjit ndërkombëtar dhe rrezikon të ketë pasoja të gjera politike dhe ekonomike. I ftuar në emisionin “Real Story”, ai komentoi zhvillimet e fundit të konfliktit, i cili sot shënon ditën e gjashtë nga sulmet e SHBA-së ndaj Iranit, ku sipas raportimeve u vra edhe lideri suprem iranian, Ali Khamenei.

Minxhozi theksoi se eliminimi i kreut të një shteti përbën një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar dhe se një reagim nga ana e Iranit është i pritshëm, duke pasur parasysh edhe arsenalin e madh të raketave balistike që zotëron vendi. Sipas tij, deklaratat e SHBA-së se lufta mund të zgjasë vetëm 3–4 javë lidhen edhe me kapacitetet e kufizuara prodhuese të armëve, ndërsa paralelisht konflikti po shkakton pasoja ekonomike, duke reflektuar në rritjen e çmimit të karburanteve dhe të mallrave të konsumit.

Analisti shtoi se efektet e krizës po ndihen edhe në Shqipëri, ku sipas tij tashmë kanë nisur rritjet e çmimeve të naftës, çka pritet të përkthehet në shtrenjtim të përgjithshëm të produkteve. Në analizën e tij, Minxhozi ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi motivet e përshkallëzimit të konfliktit, duke kujtuar se në qershor ishte planifikuar një takim mes SHBA-së dhe Iranit në Katar, ndërsa ndërhyrja e Izraelit e ka përshkallëzuar situatën. Sipas tij, në sfond mund të ndikojnë edhe presione politike të brendshme në Izrael, përfshirë çështje që lidhen me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

“Në këto momente që ne flasim, doktrina ka qenë ajo e ligjit ndërkombëtare dhe ligji ndërkombëtar është shkelur haptazi. Nuk mund të vrasësh kreun e një shteti dhe ai shteti të ngrejë duart, kur ka një stok armësh balistike që është një ndër më të mëdhatë në botë. Ky është një problem, sepse na çon te deklaratat e SHBA që kjo luftë do zgjasë 3-4 javë. SHBA dhe Izraeli kërkojnë që të mbarojë shpejt. Amerika ka një kapacitet prodhues prej jo më shumë se 500 të tilla në vit, dhe të mendosh që të këto i kërkojnë të gjithë.

Është në lojë koha dhe gjithashtu kriza që po prodhon kjo kohë që po kalon dhe që pasqyrohet tek rritja e bursës së karburantit dhe që prodhon një rritje të të gjitha mallrave të konsumueshme. Në Tiranë kanë filluar ta rrisin në çmimin e naftës, dhe përkthehet në rritje masive në të gjitha mallrat që ne konsumojmë. Pse kjo luftë?! Izraelitët kanë disa halle, sepse nuk shpjegohet që në qershor SHBA dhe Irani kishin lënë takim në Katar, Izraeli shkon dhe godet. Sa më shumë i afrohen një rekordi, aq më shumë ashpërsohet reagimi i Izraelit. E futën botën në një qorrsokas. Dosjet Epstein dhe korrupsioni i Benjamin Netanyahut janë faktorë për këtë që ne po kalojmë sot”, tha Minxhozi.

Telefonata që bindi Trump për të sulmuar Iranin/ Netanyahu i tha presidentit se Ali Khamenei do takohej me ekipin e tij

4 March 2026 at 16:50

Të hënën e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i telefonoi Presidentit amerikan, Donald Trump duke i treguar se udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei dhe këshilltarët e tij kryesorë do takoheshin në një vend në Teheran të shtunën në mëngjes.

“Ata të gjithë mund të vriten në një sulm të vetëm ajror shkatërrues”, i tha Netanyahu Trumpit dhe ekipit të tij, sipas tre burimeve të informuara mbi diskutimin, shkruan Anxios.

Telefonata e 23 shkurtit, e mbajtur nga Dhoma e Situatave e Shtëpisë së Bardhë dhe e pa raportuar deri më tani. ishte një moment vendimtar që vuri në lëvizje luftën e Iranit.

Ajatollah Ali Khamenei dhe rrethi i tij i ngushtë ishin objektiva që as Trump dhe as Netanyahu nuk donin t’i humbisnin.

Trump ishte tashmë i prirur drejt sulmit ndaj Iranit përpara se të mësonte informacionin e ri rreth Khameneit. Ajo që ai nuk kishte vendosur ishte se kur, derisa Netanyahu telefonoi.

Telefonata e 23 shkurtit ishte pjesë e muajve të tërë koordinimi intensiv midis dy udhëheqësve, të cilët u takuan dy herë dhe folën në telefon 15 herë në dy muajt që çuan në luftë, sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë.

Deri të enjten , CIA kishte “konfirmuar plotësisht se këta njerëz do të ishin të gjithë së bashku dhe ne duhej ta shfrytëzonim këtë”, tha një burim.

Po atë ditë, të dërguarit e Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, telefonuan nga Gjeneva pas orësh bisedimesh me zyrtarët iranianë dhe dhanë një vendim të prerë: negociatat nuk po çonin askund.

“Nëse vendosni të bëni diplomaci, ne do të shtyjmë dhe do të luftojmë për të arritur një marrëveshje. Por këta njerëz na treguan se nuk ishin të gatshëm të bënin marrëveshjen me të cilën ju do të jeni të kënaqur”, tha një zyrtar amerikan.

Trump tani ishte i bindur për dy gjëra: inteligjenca ishte e fortë dhe diplomacia kishte vdekur. Të premten në orën 3:38 pasdite, ai dha urdhrin përfundimtar.

Njëmbëdhjetë orë më vonë, bombat ranë mbi Teheranin, Khamenei u vra dhe lufta kishte filluar./abcnews.al

Netanyahu paralajmëron: Do të intensifikojmë sulmet edhe në Liban

3 March 2026 at 21:36

Izraeli do të shtojë sulmet ndaj Hezbollahut dhe Iranit, thotë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu gjatë një vizite në bazën ajrore Palmachim, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së, gjeneral-lejtnant Eyal Zamir.

“Hezbollahu bëri një gabim shumë të madh kur na sulmoi”, thotë Netanyahu në lidhje me sulmet me raketa të Hezbollahut ndaj veriut të Izraelit ditët e fundit, shkruan times of israel.

“Ne tashmë jemi përgjigjur me forcë dhe do të përgjigjemi me edhe më shumë forcë dhe masa shtesë”, shtoi ai.

Hezbollahu po e tërheq Libanin në një luftë, thotë ai, “vetëm për shkak të vdekjes së atij vrasësi masiv me të cilin ata nuk kanë lidhje”, duke iu referuar Udhëheqësit Suprem të vrarë të Iranit, Ali Khamenei. Irani është mbështetësi kryesor i Hezbollahut.

“Ata duhet të kujdesen për veten e tyre dhe do të bënin mirë ta bënin këtë sa më shpejt. Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që është e nevojshme për mbrojtjen tonë”, thotë kryeministri izraelit.

Netanyahu gjithashtu premton se Izraeli do të “vazhdojë të godasë Iranin me forcë. Pilotët tanë janë mbi qiellin e Iranit dhe Teheranit, si dhe mbi qiellin e Libanit”.

Irani sulmon me raketa zyrën e Netanyahut, reagon Izraeli

By: Rovena
2 March 2026 at 16:59

Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar se sulmet e tyre të fundit me raketa kanë synuar zyrën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe selinë e komandantit të forcave ajrore izraelite.

“Zyra e kryeministrit kriminel të regjimit sionist dhe selia e komandantit të forcave ajrore të regjimit u shënjestruan”, thuhet në një deklaratë të Gardës, të transmetuar nga agjencia e lajmeve Fars.

Raportohet se në sulm u përdorën raketa Kheibar, shkruan Times of Israel.

Ndërkohë, pala izraelite bën të ditur se nuk ka viktima apo të plagosur nga sulmet e raportuara.

Ndryshe, një seri shpërthimesh të reja u dëgjuan mbi Jerusalem të hënën, raportuan gazetarët e AFP-së, pasi ushtria izraelite tha se kishte zbuluar raketa të reja të lëshuara nga Irani.

“Pak kohë më parë, IDF identifikoi raketa të lëshuara nga Irani drejt territorit të Izraelit. Sistemet mbrojtëse po veprojnë për të kapur kërcënimin”, tha ushtria në një deklaratë.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kritikoi ashpër “sulmet e pamatura dhe pa dallim nga Irani dhe aleatët e tij kundër territoreve sovrane në të gjithë rajonin”, pasi sulmet goditën një bazë ajrore britanike në Qipro dhe një strukturë nafte saudite.

“Duhet të punojmë shumë për të ulur tensionet dhe për të ndaluar përhapjen e konfliktit”, u tha von der Leyen gazetarëve në Bruksel, duke paralajmëruar se “stabiliteti i rajonit është me rëndësi të madhe”.

Izraeli dhe SHBA-të kanë goditur objektiva në të gjithë Iranin që nga e shtuna. Lufta që filloi me vrasjen e Khameneit ka përfshirë rajonin, me shpërthime që kanë pasuar në Dubai, Bahrein, Irak dhe vende tjera të Lindjes së Mesme.

❌