Normal view

Netanyahu dhe Trump do të takohen në Florida për të diskutuar fazën e dytë të armëpushimit në Gaza

By: Rovena
29 December 2025 at 13:19

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohet me Donald Trump në Florida të hënën, me presidentin e SHBA-së që po shtyn për të kaluar në fazën tjetër të planit të brishtë të armëpushimit në Gaza.

Takimi vendimtar në resortin luksoz Mar-a-Lago të Trump vjen ndërsa disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë frikë se si Izraeli ashtu edhe Hamasi po ecin ngadalë në fazën e dytë të armëpushimit të tyre.

Trump, i cili tha se Netanyahu kishte kërkuar bisedimet, thuhet se është i etur të njoftojë – që në janar – një qeveri teknokratike palestineze për Gazën dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi.

Zëdhënësja e qeverisë izraelite Shosh Bedrosian tha se Netanyahu do të diskutojë fazën e dytë, e cila përfshin sigurimin që “Hamasi të çarmatoset, Gaza të çmilitarizohet”.

Por Netanyahu do të përpiqet gjithashtu ta zhvendosë fokusin te Irani gjatë takimit të tij të pestë në Shtetet e Bashkuara me Trump këtë vit, mes raporteve se ai do të shtyjë për më shumë sulme amerikane ndaj programit bërthamor të Teheranit.

Netanyahu do të ngrinte gjithashtu çështjen e “rrezikut që Irani paraqet jo vetëm për rajonin e Lindjes së Mesme, por edhe për Shtetet e Bashkuara”, tha Bedrosian përpara se të fluturonte me kryeministrin izraelit.

Vizita e Netanyahut kulmon disa ditë të tensionuara diplomacie ndërkombëtare në Palm Beach, ku Trump priti homologun ukrainas Volodymyr Zelensky të dielën për bisedime mbi përfundimin e pushtimit rus.

Armëpushimi në Gaza në tetor është një nga arritjet kryesore të vitit të parë të Trump në pushtet, por administrata e tij dhe ndërmjetësit rajonalë duan të ruajnë vrullin.

Koha e takimit të Netanyahut është “shumë domethënëse”, vlerëson Gershon Baskin, bashkëkryetari i komisionit të ndërtimit të paqes Aleanca për Dy Shtete, i cili ka marrë pjesë në negociata të fshehta me Hamasin.

“Faza e dytë duhet të fillojë”, i tha ai AFP-së, duke shtuar se “mendoj se amerikanët e kuptojnë se është vonë sepse Hamasi ka pasur shumë kohë për të rivendosur praninë e tij”.

Izraeli njohu Somalilandin si shtet, Somalia dhe Unioni Afrikan reagojnë ashpër

By: Rovena
27 December 2025 at 22:47

Një “tërmet” diplomatik ka përfshirë Afrikën këtë të premte, pasi Izraeli u bë vendi i parë në botë që njohu zyrtarisht Somalilandin si shtet të pavarur dhe sovran.

Ky vendim ka ngjallur zemërim të madh në Somali, e cila e konsideron këtë rajon si pjesë të saj.
Somalilandi deklaroi pavarësinë nga Somalia në vitin 1991, por për dekada me radhë nuk ka arritur të marrë njohje ndërkombëtare.
Vendimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, u prit me festime në rrugët e kryeqytetit të Somalilandin, Hargeisa, ku qytetarët dolën me flamuj në duar.

Reagimet ndërkombëtare: Pse kundërshtohet njohja?

Lëvizja e Izraelit është dënuar nga shumë faktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Somalia e quajti vendimin një “sulm të qëllimshëm” mbi sovranitetin e saj dhe një kërcënim për paqen në rajon.

Unioni Afrikan (AU) paralajmëroi se kjo vendos një “precedent të rrezikshëm” për kufijtë në të gjithë kontinentin afrikan.

Turqia dhe Egjipti, aleatë të ngushtë të Somalisë, e cilësuan lëvizjen si ndërhyrje të hapur në punët e brendshme të një shteti tjetër.

Autoriteti Palestinez, akuzoi Izraelin se kjo njohje mund të lidhet me plane për zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga Gaza drejt këtij rajoni.

Pozicioni i SHBA-ve dhe Donald Trump

I pyetur nga mediat nëse SHBA-të do të ndiqnin shembullin e Izraelit, Donald Trump u përgjigj shkurt: “Jo”. Ai shtoi me ironi: “A e di njeri me të vërtetë se çfarë është Somalilandi?”.

Ekspertët besojnë se pas këtij vendimi qëndrojnë interesat strategjike.

Izraeli ka nevojë për aleatë në këtë rajon për të luftuar kërcënimet nga rebelët Houthi në Jemen.

Somalilandi ka një pozicion kyç në Gjirin e Adenit dhe zotëron ushtrinë, monedhën dhe pasaportat e veta, pavarësisht mungesës së njohjes deri më sot.

Çfarë pritet të ndodhë?

Kjo njohje mund të nxjerrë Somalilandin nga izolimi diplomatik dhe t’i hapë rrugën investimeve të huaja, por nga ana tjetër rrezikon të nxisë një konflikt të ri në Afrikë.

Somalia ka deklaruar se do të mbrojë integritetin e saj territorial me çdo kusht.

Media amerikane: Ekipi i Trump i “frustruar” me Benjamin Netanyahu nga frika se po minon procesin e paqes

27 December 2025 at 10:17

Tensionet po rriten mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe këshilltarëve kryesorë të presidentit amerikan Donald Trump, me ekipin amerikan që po bëhet “gjithnjë e më i frustruar” nga përpjekjet e Netanyahu për të minuar procesin e paqes, raportoi të premten Axios.

Sipas lajmit, rrethi i brendshëm i presidentit amerikan, duke përfshirë nënpresidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio, dhëndrin e Trumpit Jared Kushner, të dërguarin për paqe Steve Witkoff dhe shefen e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles, është bërë thellësisht i irrituar, duke besuar se Netanyahu po e “zvarrit” marrëveshjen dhe po ndërmerr hapa për të minuar armëpushimin në Gaza.

Megjithatë, një zyrtar izraelit ka thënë se Rubio është më afër qëndrimit të Netanyahu sesa atij të Witkoff dhe Kushner. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se Netanyahu në thelb e ka “humbur” mbështetjen e ekipit kryesor të Trump, edhe pse vetë presidenti, ndërsa dëshiron që marrëveshja të ecë “më shpejt”, mbetet i vetmi mbështetës kyç.

Raportohet se Netanyahu ka shprehur skepticizëm të veçantë ndaj propozimeve të paraqitura nga Witkoff dhe Kushner, veçanërisht ndaj koncepteve të tyre për çmilitarizimin e Gazës, një komponent thelbësor i planit shumëfazësh.

I vetëdijshëm për mospajtimet me stafin amerikan, qasja e Netanyahut për takimin e së hënës në Mar-a-Lago është t’i drejtohet drejtpërdrejt Trumpit, me shpresën për ta bindur atë të adoptojë pikëpamjen e tij më të ashpër, ka thënë një zyrtar i lartë izraelit për median.

Faza e parë e marrëveshjes, e cila hyri në fuqi më 10 tetor, përfshinte lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të pengjeve palestinezë.

Izraeli nuk i ka përmbushur plotësisht detyrimet sipas fazës së parë të marrëveshjes, veçanërisht ndalimin e armiqësive, pasi forcat izraelite kanë vazhduar të ndërmarrin sulme, të cilat kanë vrarë të paktën 411 palestinezë dhe kanë plagosur 1.118 që nga armëpushimi.

Faza e dytë përfshin formimin e një komiteti të përkohshëm teknokrat për të administruar Gazën, nisjen e përpjekjeve të rindërtimit, krijimin e një këshilli paqeje, krijimin e një force ndërkombëtare, tërheqjen e mëtejshme të trupave izraelite nga territori dhe çarmatosjen e Hamas.

OKB-ja vlerëson koston e rindërtimit të Gazës në rreth 70 miliardë dollarë si rezultat i luftës izraelite, e cila ka vrarë pothuajse 71.000 palestinezë dhe ka plagosur mbi 171.000 që nga tetori 2023.

Pas sulmit në Australi, Netanyahu u kërkon qeverive perëndimore të luftojnë antisemitizmin

16 December 2025 at 22:06

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërkuar të martën që qeveritë perëndimore “të bëjnë atë që është e nevojshme për të luftuar antisemitizmin”, pas sulmit të ndodhur të dielën që kishte për shënjestër një festë hebraike në plazhin Bondi të Sidneit.

“Ata duhet t’i kushtojnë vëmendje paralajmërimeve tona. Unë kërkoj që të veprojnë – tani”, ka thënë Netanyahu në një videodeklaratë.

Komisioneri i policisë federale të Australisë ka konfirmuar se sulmi që ka lënë 15 persona të vdekur në plazhin Bondi të Sidneit ishte terrorist dhe i frymëzuar nga grupi i Shtetit Islamik.

Autoritetet i kanë identifikuar të dyshuarit si babë dhe bir. Babai u vra dhe djali është shtruar në spital.

Sulmi i së dielës ka çuar në thirrje për ligje më të rrepta për armët. Kryeministri australian, Anthony Albanese ka njoftuar plane për të shtrënguar qasjen në armët e zjarrit.

“Gjermania do mbrojë sigurinë e Izraelit”/ Kancelari Merz nga Jeruzalemi bëri thirrje për paqe

7 December 2025 at 17:14

Fridrih Merz shprehu mbështetjen e tij për Izraelin gjatë vizitës së parë në vend si kancelar i Gjermanisë.

Merz u takua me presidentin Isaac Herzog dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu, teksa vizitoi gjithashtu muzeun e Holokaustit.

Kancelari gjerman shprehu mbështetjen ndaj Izraelit dhe tha se Berlini do të mbrojë gjithnjë ekzistencën dhe sigurinë e shtetit izraelit.

Megjithatë, Merz pranoi se sjellja e Izraelit gjatë luftës në Gaza kishte paraqitur një dilemë për vendin e tij.

“Gjermania do të mbrojë gjithmonë ekzistencën dhe sigurinë e Izraelit. Kjo është pjesë e thelbit të pandryshueshëm të marrëdhënies sonë. Megjithatë, gjatë kësaj lufte të gjatë, veprimet e qeverisë izraelite na kanë vënë edhe para një dileme të caktuar. Izraeli duhet të matet edhe kundrejt ligjit ndërkombëtar në veprimet e tij ushtarake”, tha Merz.

Kancelari gjithashtu mbështeti një zgjidhje me dy shtete, që sipas tij ofron perspektivën më të mirë për të ardhmen e rajonit.

Merz bëri thirrje për më shumë ndihmë humanitare që të hyjë në Rripin e Gazës dhe që luftëtarët e Hamasit të dorëzojnë armët e tyre.

Por Netanyahu nga ana tjetër, nuk e përjashtoi si temë diskutimi aneksimin e Bregut Perëndimor, një hap të cilin Gjermania ka kërkuar të mos ndërmerret.

Dhuna nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve ka ardhur në rritje muajt e fundit, ndërsa Izraeli ka ndërmarrë një plan për aneksimin e Bregut Perëndimor. Një lëvizje e tillë është kundërshtuar edhe nga vetë aleatët e izraelit, të cilët theksojnë se kjo do të rrezikonte armëpushimin.

Netanyahu paralajmëron negociata të vështira për fazën e dytë të armëpushimit në Gaza

7 December 2025 at 15:04

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar të dielën se pret që së shpejti të kalojë në fazën e dytë të armëpushimit në Gazë, por ka paralajmëruar se negociatat do të jenë “po aq të vështira” sa faza e parë.

“Ne e përfunduam pjesën e parë, siç e dini, dhe pastaj shumë shpejt presim të kalojmë në fazën e dytë, e cila është më e vështirë, ose po aq e vështirë”, ka deklaruar ai pas një takimi me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.

Sipas fazës së parë të planit të paqes prej 20 pikash të presidentit të SHBA-së Donald Trump, luftimet u ndalën dhe dhjetëra pengje të mbajtura në Gazë u shkëmbyen me qindra palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

Izraeli dërgoi një delegacion javën e kaluar në Egjipt për bisedime mbi kthimin e eshtrave të pengut të fundit.

Faza e dytë përfshin vendosjen e një force ndërkombëtare sigurie në Gazë, formimin e një qeverie të re teknokratike për territorin, çarmatosjen e Hamasit dhe një tërheqje përfundimtare të forcave izraelite.

Netanyahu ka theksuar gjithashtu rëndësinë e zbatimit të një faze të tretë.
“Kjo është për të deradikalizuar Gazën, diçka që edhe njerëzit besonin se ishte e pamundur”, ka thënë ai.

“U bë në Gjermani, u bë në Japoni, u bë në shtetet e Gjirit, mund të bëhet edhe në Gazë, por sigurisht që Hamasi duhet të shpërbëhet”, ka shtuar ai.

Netanyahu pritet të takohet me Tumpi në Shtëpinë e Bardhë në fund të muajit.

“Ne duhet të sigurohemi që të arrijmë të njëjtat rezultate në fazën e dytë dhe kjo është diçka që mezi pres ta diskutoj me presidentin Trump”, është shprehur Netanyahu.

Izraeli: Takimi Trump-Netanyahu mund të zhvillohet në Mar-a-Lago

3 December 2025 at 16:19

Takimi i radhës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu me presidentin e SHBA-së, Donald Trump i planifikuar në fund të dhjetorit, do të zhvillohet në Mar-A-Lago, vendpushimin e Trump, në Palm Beach në Florida, sipas një burimi diplomatik izraelit, sipas “Times of Israel”.

“Asgjë nuk është finalizuar, por amerikanët po e shqyrtojnë edhe këtë mundësi”, tha burimi diplomatik.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump pritet të takohen në fund të dhjetorit.

Datat e sakta nuk janë konfirmuar ende, ndërsa bëhet me dije se takimi mund të zhvillohet në vendpushimin e presidentit amerikan, Mar-a-Lago.

Kjo do të jetë vizita e pestë e kryeministrit, Netanyahu në SHBA që kur Trump mori detyrën në janar.

Kërkesa e Netanyahut për falje rrit tensionet në Izrael

2 December 2025 at 16:20

Kërkesa e Benjamin Netanjahut për falje me qëllim “promovimin e pajtimit” në Izrael ka shkaktuar debat të madh, ndërsa gjyqi i gjatë për korrupsion i kryeministrit vazhdon të përçajë shoqërinë izraelite.

Lajmi bëri bujë papritur në Izrael (30.11.2025): Kryeministri Benjamin Netanyahu i ka kërkuar Presidentit Isaac Herzog ta amnistojë paraprakisht, duke i dhënë fund gjyqit të tij për korrupsion. Do të ishte një veprim shumë i diskutueshëm, pothuajse i paprecedent, pasi faljet presidenciale zakonisht jepen vetëm pas një vendimi.

Yedioth Ahronoth, një nga gazetat kryesore të përditshme të Izraelit, publikoi një artikull të hënën me titullin “Dilema e Faljes”, ndërsa gazeta e përditshme e krahut të djathtë Israel Hayom pranoi se “kërkesa është e pazakontë dhe bart pasoja serioze”.

Në një video-deklaratë televizive, Netanjahu tha se ishte në interesin e tij personal të provonte pafajësinë e tij në gjykatë, por sipas tij është edhe në interesin kombëtar të shkurtonte gjyqin. Ai pretendon se procesi “po na përçan”.

“Realitetet e sigurisë, realitetet politike dhe interesi kombëtar, kërkojnë ndryshe”, tha Netanjahu. “Procesi po na përçan, po nxit mosmarrëveshje të hidhura dhe përçarje”. Netanjahu argumentoi se “përfundimi i menjëhershëm i gjyqit do të ndihmonte në uljen e tensioneve dhe në promovimin e pajtimit për të cilin vendi ynë ka kaq shumë nevojë”.

Trump mbështet kërkesën për falje

Komentatorët izraelitë vunë re se kërkesa erdhi menjëherë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump i shkroi Presidentit Herzog më 12 nëntor, duke kërkuar një falje të plotë për Netanjahun. Trump, një mbështetës i hershëm i Netanyahut, gjithashtu bëri thirrje për një falje në tetor gjatë një fjalimi në Knesset, Parlamentin e Izraelit.

Netanjahu është i vetmi Kryeministër izraelit në detyrë që përballet me gjyq, duke u përballur me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në tre raste të ndara. Ai akuzohet për pranimin e dhuratave në këmbim të favoreve politike, si dhe për kërkimin e mbulimit dhe favoreve nga mediat, nga një kompani telekomunikacioni dhe botuesi izraelit Yedioth Ahronoth.

Netanyahu i ka mohuar të gjitha akuzat, duke e quajtur vazhdimisht gjyqin pesëvjeçar një “gjueti shtrigash” nga media, policia dhe nga gjyqësori kundër tij dhe familjes së tij.

Kritikët e tij e kanë akuzuar prej kohësh atë për zgjatjen e luftës në Gaza si dhe konflikteve të tjera, me qëllim që të mbtetet koalicioni i tij qeverisës në pushtet dhe të shmangë problemet ligjore.

Gjykimi kundër tij është zvarritur për shkak të vonesave që lidhen me pandeminë COVID-19 dhe mocione të shumta nga avokatët e tij për të shtyrë seancën dëgjimore për arsye diplomatike dhe sigurie që lidhen me konfliktet në Gaza, Liban dhe Iran.

Kryeministri përballet me zgjedhje të tjera në vjeshtën e vitit 2026, por analistët politikë spekulojnë se zgjedhjet mund të jenë më herët, varësisht se si do të zhvillohet situata.

“Netanjahu nuk po kërkon falje”, shkroi Ben Kaspit, një kolumnist për të përditshmen Maariv. “Ai dëshiron një rrugë të tërthortë. Një përjashtim nga barazia para ligjit.”

Nadav Eyal, një komentator për Yedioth Ahronoth, tha se kërkesa për falje ishte një fitore për Netanyahun pavarësisht rezultatit. Nëse Herzog, një ish-rival politik, e refuzon kërkesën e tij, Netanyahu, do të “shfrytëzonte rolin e tij si viktimë deri në zgjedhjet e ardhshme”./DW/

Netanyahu kërkon falje/ Dorëzon  kërkesë tre presidenti Herzog, ndërsa përballet me akuzat për korrupsion

By: Rovena
30 November 2025 at 13:35

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paraqitur një kërkesë zyrtare për falje te presidenti Isaac Herzog.

Netanyahu po përballet me akuzat për korrupsion dhe është i vetmi kryeministër në detyrë në historinë e vendit në detyrë që del në gjyq.

Në një deklaratë ai tha se çështja e ka ndarë vendin dhe një falje do të ndihmonte të rivendoste unitetin kombëtar.

Netanyahu tha gjithashtu se kërkesa për t’u paraqitur në gjykatë tri herë në javë është një shpërqendrim që ia vështirëson atij udhëheqjen e vendit.

Zyra e Presidentit Isaac Herzog tha se kërkesa është e jashtëzakonshme dhe mbart implikime të rëndësishme.

Presidenti do e shqyrtojë kërkesën pas konsultimit me autoritetet përkatëse në departamentet ligjore.

Si kreu i shtetit izraelit, Herzog ka fuqinë për të dhënë falje, megjithëse shumë argumentojnë se kjo nuk mund të bëhet para një dënimi. Kërkesa e Netanyahu vjen pasi Donald Trump i dërgoi një letër presidentit izraelit duke i kërkuar që ta falte kryeministrin. Presidenti amerikan e cilësoi Netanyahun një lider të jashtëzakonshëm që udhëhoqi vendin në kohë lufte.

Të njëjtën kërkesë Trump e bëri edhe në fjalimin e tij para parlamentit izraelit. Gjyqi i Netanyahu, filloi në vitin 2020, nuk ka përfunduar ende. Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat, të cilat përfshijnë ryshfet dhe mashtrim.

Kryeministri izraelit akuzohet për tre raste, duke përfshirë marrjen e qindra mijëra dollarëve dhurata nga biznesmenë./abcnews.al

Vizita e parë zyrtare/ Kancelari gjerman Friedrich Merz udhëton drejt Izraelit, në dhjetor

By: Rovena
28 November 2025 at 16:12

Kancelari gjerman Friedrich Merz do të udhëtojë për në Izrael më 6 dhe 7 dhjetor për vizitën e tij të parë zyrtare që nga marrja e detyrës.

Merz është planifikuar të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu më 7 dhjetor për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, armëpushimin në Gaza dhe çështje të tjera ndërkombëtare.

Gjithashtu, ai do të vizitojë memorialin Yad Vashem dhe do të zhvillojë bisedime me përfaqësues lokal nga shoqëria. Ndryshe, Gjermania ka qenë prej kohësh një nga mbështetëset më të forta të Izraelit, por gjithashtu ka kritikuar qeverinë e Netanyahut për strategjinë e saj në luftën shkatërruese të Gazës.

Këtë muaj, qeveria gjermane vendosi të rifillojë shitjet e armëve për Izraelin, të cilat ishin pezulluar që nga gushti për shkak të luftës. Por tha se vendimi i nënshtrohet respektimit të armëpushimit dhe ofrimit në shkallë të gjerë të ndihmës humanitare./abcnews.al

Netanyahu paralajmëron Erdoganin: F-35 amerikan ndoshta nuk do t’i merrni kurrë

By: Rovena
20 November 2025 at 22:54

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se furnizimi i Turqisë me aeroplanët F-35 nuk pritet të ndodhë së shpejti, dhe mund të mos ndodhë fare. Ai shtoi se qëndrimi i Izraelit ndaj kësaj çështjeje është i ngjashëm me atë për Arabinë Saudite, por “shumë më i fortë”.

Deklarata e udhëheqësit izraelit vjen në një kohë kur marrëdhëniet izraelito-turke mbeten të tensionuara.

Kujtojmë se urdhër-arresti është nxjerrë nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Stamboll ndaj 37 zyrtarëve izraelitë, përfshirë Netanyahun. Ata akuzohen për “gjenocid” dhe “krime kundër njerëzimit” në Gaza. Urdhër-arrestet janë dërguar te Interpol dhe te 124 vende që njohin juridiksionin universal për gjenocidin.

Ndryshe, SHBA-ja po shqyrton mundësinë e shitjes së aeroplanëve të fuqishëm Anakarasë.

Netanyahu: Nuk mund të ketë shtet palestinez

16 November 2025 at 22:06

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe anëtarët e qeverisë së tij theksuan kundërshtimin e tyre ndaj një shteti palestinez përpara një votimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të hënën mbi një rezolutë që mbështet një plan paqeje në Gaza të mbështetur nga SHBA-të.

Projekt-rezoluta do të ndiqte marrëveshjen e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit të ndërmjetësuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, duke dhënë bekimin e këshillit për një administratë kalimtare dhe një forcë të përkohshme ndërkombëtare sigurie në territorin e shkatërruar.

Ndryshe nga draftet e mëparshme, versioni i fundit i rezolutës përmend një shtet të mundshëm palestinez në të ardhmen, të cilin qeveria izraelite e kundërshton me forcë.

“Kundërshtimi ynë ndaj një shteti palestinez në çdo territor nuk ka ndryshuar”, ka thënë Netanyahu në një mbledhje të kabinetit të dielën.

Netanyahu ka përjashtuar prej kohësh pavarësinë palestineze, duke pohuar se krijimi i një shteti palestinez do ta shpërblente Hamasin dhe përfundimisht do të çonte në një shtet edhe më të madh të drejtuar nga Hamasi në kufijtë e Izraelit.

Kryeministri izraelit hyri në takim pasi u përball me kritika nga anëtarët e koalicionit, përfshirë ministrin e Financave të ekstremit të djathtë Bezalel Smotrich, i cili e kishte akuzuar atë se nuk i është përgjigjur një vale të fundit të njohjes së shtetësisë palestineze nga vendet perëndimore.

Trumpi kërkon zyrtarisht faljen e Netanyahut

By: Rovena
12 November 2025 at 16:12

Presidenti izraelit, Isaac Herzog ka pranuar një letër nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, ku i kërkohet të shqyrtojë dhënien e faljes për kryeministrin Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur zyra e Herzog të mërkurën.

Netanyahu është përballur me një gjyq të gjatë për korrupsion dhe Trumpi ka kërkuar vazhdimisht falje për aleatin e tij të ngushtë. Netanyahu i mohon akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm.

“Ndërsa unë respektoj absolutisht pavarësinë e sistemit izraelit të Drejtësisë dhe kërkesat e tij, besoj se kjo ‘çështje’ kundër Bibit, i cila ka luftuar përkrah meje për një kohë të gjatë, përfshirë edhe kundër kundërshtarit shumë të ashpër të Izraelit, Iranit, është një ndjekje penale politike dhe e pajustifikuar”, ka thënë Trumpi në letrën e ndarë nga zyra e Herzog.

Zyra ka thënë se kushdo që kërkon një falje presidenciale duhet të paraqesë një kërkesë zyrtare në përputhje me procedurat e përcaktuara.

Edhe gjatë vizitës së Trumpit në Izrael në tetor, ai i kishte kërkuar Herzogut të falte kryeministrin në një fjalim para parlamentit në Jerusalem.

Netanyahu është paditur në vitin 2019 në tri raste, duke përfshirë akuzat për marrjen e dhuratave nga biznesmenët, në vlerë mbi 200 mijë dollarë.

Pavarësisht rolit kryesisht ceremonial të presidencës izraelite, Herzog ka autoritetin për të falur kriminelët e dënuar në rrethana të pazakonta.

Megjithatë, gjyqi i Netanyahut, i cili filloi në vitin 2020, nuk ka përfunduar ende dhe ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Netanyahu e ka cilësuar përvojën e tij ligjore si një gjueti shtrigash të krahut të majtë që synon rrëzimin e një udhëheqësi të zgjedhur të krahut të djathtë.

Netanyahu dhe Kushner diskutojnë planin për Gazën

By: Rovena
10 November 2025 at 23:57

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takua të hënën në mëngjes më 10 nëntor me këshilltarin e lartë të Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, në zyrën e tij në Jerusalem.

Qëllimi i takimit ishte koordinimi i përpjekjeve për armëpushimin në Gaza dhe kthimin e trupave të pengjeve të vrarë nga Hamasi. Sipas një zëdhënësi të qeverisë izraelite, bisedimet u përqendruan në çarmatimin e Hamasit, demilitarizimin e Gazës dhe përjashtimin e grupit nga çdo rol i ardhshëm në territor.

Këto janë pjesa kryesore e fazës së dytë të planit të paqes në Gaza, të presidentit amerikan Donald Trump. Në takim morën pjesë edhe ministri izraelit Ron Dermer dhe këshilltari amerikan, Aryeh Lightstone.

Diskutimet vijnë, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli po shqyrtojnë fatin e 100 deri 200 militantëve të Hamasit, të fshehur në tunele nën Rafah.

Washingtoni po ushtron presion që këta luftëtarë të lejohen të dorëzojnë armët në këmbim të kalimit të sigurt. Izraeli deri tani nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare mbi këtë propozim.

E diela shënoi edhe kthimin e trupit të oficerit izraelit Hadar Goldin, i mbajtur peng nga Hamasi që prej vitit 2014. Kthimi i trupit besohet të jetë pjesë e negociatave për dorëzimin e luftëtarëve të bllokuar në tunele. Raportimet mediatike pretendojnë se Turqia ka luajtur rol ndërmjetësues në këtë marrëveshje.

Megjithatë, burime të tjera pretendojnë se Ankaraja kërkoi lëshime, që Izraeli nuk i pranoi. Një burim palestinez tha se Turqia po punon, me mbështetjen amerikane, për lirimin e trupave të pengjeve të mbetura.

Netanyahu tha në Knesset se Izraeli do të zbatojë armëpushimin në Gaza dhe Liban “me grusht të hekurt”. Ai shtoi se lufta nuk ka mbaruar dhe se Hamasi “do të çarmatoset dhe Gaza do të demilitarizohet”, raporton The Times of Israel.

Këshilltari amerikan Uitkoff tha se rasti i tuneleve në Rafah është një “projekt pilot” për çarmatimin e Hamasit. SHBA-ja po shqyrton mundësinë që luftëtarët të dërgohen në një vend të tretë, por ende nuk është gjetur një shtet pritës.

Krahu ushtarak i Hamasit tha se nuk do të dorëzohet dhe kërkoi garanci për vazhdimin e armëpushimit. Ndërkohë, trupat e katër pengjeve të vrarë ende nuk janë gjetur, sipas ndërmjetësve.

Një tjetër çështje e hapur mbetet krijimi i një Force Ndërkombëtare Stabilizimi në Gaza. SHBA-ja po kërkon ta sanksionojë këtë fazë të planit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Emiratet e Bashkuara thanë se nuk do të marrin pjesë pa një kuadër të qartë veprimi. Trump pretendon se disa shtete janë të gatshme të dërgojnë trupa, por diplomatët arabë mohojnë.

Ndër shtetet e kontaktuara për kontribut janë Azerbajxhani, Indonezia, Emiratet, Egjipti, Katari dhe Turqia.Po të dielën, Azerbajxhani tha se nuk do të dërgojë forca, pa një ndalim të plotë të luftimeve. Më vonë gjatë ditës së sotme, Presidenti Trump priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin sirian Ahmed al-Sharaa. Takimi u fokusua në sigurinë rajonale dhe në negociatat për një marrëveshje sigurie mes Izraelit dhe Sirisë.

Turqia, urdhër arresti për Netanyahun/ Padia akuzon Izraelin për krime lufte dhe genocid në Gaza

7 November 2025 at 23:07

Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit lëshoi këtë të premte një urdhër-arrest për 37 persona ku mes tyre edhe për kryeministrin Izraelit Benjamin Netanyahu nën akuzën e kryerjes së gjenocidit ndaj popullit palestinez përgjatë luftës dy vjeçare në Rripin e Gazës.

Vendimi erdhi pas një padie të paraqitur nga Dhoma e Avokatëve të Stambollit, e cila akuzoi Izraelin për vazhdimin e krimeve kundër njerëzimit dhe të krimeve të luftës, pavarësisht nënshkrimit të një marrëveshjeje për armëpushim.

Në padinë e saj, Dhoma e Avokatëve thekson se Izraeli ka kryer “vrasje masive ndaj fëmijëve dhe grave të pafajshme, shkatërrim të mjedisit dhe mizori ndaj Gazes”.
Sipas deklaratës, “shteti i Izraelit përbën një kërcënim jo vetëm për popullin palestinez, por për gjithë njerëzimin”, duke kujtuar se vetëm gjatë dy viteve të fundit ka kryer sulme në Liban, Siri, Tunizi, Iran, Katar, Jemen, Irak, Maltë dhe Egjipt.

Në dokumentin e paraqitur si provë përfshihen disa raste të rënda, përfshirë atë të një vajze palestineze vetëm 6 vjeçe, e cila – sipas raportit – është qëlluar për vdekje me 335 plumba nga ushtarë izraelitë.
Po ashtu, përmendet bombardimi i Spitalit të Miqësisë Turko-Palestineze dhe “krimet e kryera ndaj aktivistëve të flotës humanitare Global SUMUD” në tetor.

Presidenti Turk Rexhep Taip Ergogan ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për kryerje te gjenocidit ne Rripin e Gazes ndërsa ka deklaruar se bota kishte mbyllur syte ndaj krimeve te njerezimit qe po kryheshin ndaj palestinezeve.

Vitin e kaluar, Turqia iu bashkua padisë së ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e akuzuar atë për gjenocid. Një armëpushim i brishtë është në fuqi në territorin e shkatërruar palestinez që prej 10 tetorit, si pjesë e planit të paqes rajonale të presidentit amerikan, Donald Trump.

/abcnews.al/

Netanyahu urdhëron: Sulm në Gaza/ Armëpushimi në pikëpyetje, pas urdhrit të kryeministrit izraelit

28 October 2025 at 18:41

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka urdhëruar të martën ushtrinë e tij të kryejë sulme “të fuqishme” në Rripin e Gazës, pasi e akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Pak minuta më vonë, Hamasi – grup palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe vende të tjera – njoftoi se do ta vononte dorëzimin e kufomës së një pengu tjetër, duke e akuzuar Izraelin për “shkelje të armëpushimit”.

“Pas konsultimeve rreth sigurisë, kryeministri Netanyahu udhëzoi ushtrinë që menjëherë të kryejë sulme të fuqishme në Rripin e Gazës”, tha zyra e Netanyahut pa dhënë hollësi të tjera.

Hamasi kishte njoftuar më herët se do ta dorëzonte trupin e një pengu tjetër të martën, pas trysnisë së shtuar nga Izraeli, i cili e akuzoi grupin palestinez se të hënën kishte kthyer vetëm mbetjet e pjesshme të trupit të një pengu të rikuperuar më parë.

“Ne do ta shtyjmë dorëzimin që ishte planifikuar për sot për shkak të shkeljeve nga okupatori”, tha krahu i armatosur i Hamasit në një deklaratë, duke shtuar se çdo “përshkallëzim izraelit do të pengojë kërkimin, gërmimin dhe rikuperimin e trupave”.

Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – i ndërmjetësuar nga SHBA – hyri në fuqi më 10 tetor, por të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje.

Mediat izraelite raportuan më herët për një shkëmbim zjarri midis forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Netanyahu: Izraeli do të vendosë se cilat trupa të huaja do të hyjnë në Gaza

27 October 2025 at 16:37

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha të dielën se Izraeli do të përcaktojë se cilat forca të huaja do të lejojë si pjesë të një force ndërkombëtare të planifikuar në Gaza për të ndihmuar në sigurimin e një armëpushimi të brishtë sipas planit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Mbetet e paqartë nëse shtetet arabe dhe të tjera do të jenë të gatshme të angazhojnë trupa, pjesërisht duke pasur parasysh refuzimin e militantëve palestinezë të Hamasit për t’u çarmatosur siç kërkohet nga plani, ndërsa Izraeli ka shprehur shqetësime në lidhje me përbërjen e forcës.

Ndërsa administrata Trump ka përjashtuar dërgimin e ushtarëve amerikanë në Rripin e Gazës, ajo ka folur me Indonezinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin, Katarin, Turqinë dhe Azerbajxhanin për të kontribuar në forcën shumëkombëshe.

“Ne e kontrollojmë sigurinë tonë dhe gjithashtu e kemi bërë të qartë në lidhje me forcat ndërkombëtare se Izraeli do të përcaktojë se cilat forca janë të papranueshme për ne dhe kjo është mënyra se si veprojmë dhe do të vazhdojmë të veprojmë”, tha Netanyahu.

“Kjo, sigurisht, është e pranueshme edhe për Shtetet e Bashkuara, siç e kanë shprehur përfaqësuesit e saj më të lartë ditët e fundit”, tha ai në një seancë të kabinetit të tij.

Netanyahu sfidon presionin e Trump për Bregun Perëndimor: Vendimet për aneksim i marrim vetë

By: Rovena
24 October 2025 at 11:39

Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte paralajmëruar se Izraeli do të humbasë “të gjithë mbështetjen e SHBA-së” nëse anekson Bregun Perëndimor.

Në një intervistë për revistën TIME, lideri amerikan ka pohuar se “kjo nuk do të ndodhë sepse u dhashë fjalën vendeve arabe… Izraeli do të humbasë të gjithë mbështetjen e tij nga Shtetet e Bashkuara nëse kjo do të ndodhte”.

Ky paralajmërim erdhi pas miratimit të një projektligji në parlamentin izraelit për avancimin e aneksimit të Bregut Perëndimor. Në një reagim ndaj këtyre zhvillimeve, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u pyet nëse SHBA-ja po dikton politikën izraelite.

Ai u përgjigj se “gjithmonë do ta thonë këtë, nuk ka rëndësi. Ne jemi një vend i pavarur”. Ky qëndrim i Netanyahut thekson angazhimin e Izraelit për të ruajtur sovranitetin në vendimmarrje, pavarësisht presioneve ndërkombëtare.

Kujtojmë se projektligji u miratua me një votim 25-24. Nuk është e qartë nëse ka mbështetje për të fituar shumicën në Knessetin (parlamenti) me 120 vende, dhe ka mënyra se si kryeministri mund ta vonojë ose ta mposhtë atë.

Netanyahu: Kush na prek, e paguan/ Paralajmëron Hamas: Armëpushim, por mund t’u përgjigjemi sulmeve

16 October 2025 at 15:25

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua se vendi I tij do t’I arrij të gjitha objektivat e luftës në Gaza.

Në një fjalim në një ceremony përkujtimore për masakrën e 7 tetorit, Netanyahu tha se lufta nuk ka mbaruar dhe kushdo që kërcënon Izraelin, do të përballet me një çmim shumë të rëndë.

“Përpjekjet tona nuk kanë mbaruar. Por një gjë është e qartë sot: Kushdo që ngre dorën kundër nesh e di tashmë se do të paguajë një çmim shumë të lartë për agresionin e tij. Ne jemi të vendosur të përfundojmë fitoren që do të formësojë rendin e jetës sonë për shumë vite. Ne do t’i arrijmë të gjitha objektivat e luftës”

Netanyahu tha gjithashtu se Izraeli është I përkushtuar për t’I rikthyer të gjithë pengjet, pra edhe 19 trupat e tjerë të pajetë që kanë mbetur në Gaza. Ai mohoi akuzat për gjenocid në enklavën palestineze dhe u ndal te rreziku që I vjen Izraelit nga Irani, që sipas Netanyahut, po riarmatoset.

Deklaratat e kryeministrit izraelit vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se se Netanyahu mund të rifillojë luftën në Gaza, nëse Hamas nuk përmbush detyrimet e tyre sa I përket marrëveshjes së armëpushimit.

Kreu I Shtëpisë së Bardhë e bëri këtë deklaratë në një intervistë telefonike për CNN ndërsa shtoi se Izraeli do të veprojë menjëherë sapo ai të vendosë të jap një urdhër. Nga ana tjetër Ministri Izraelit I Mbrojtjes Israel Katz ka urdhëruar ushtrinë e vendit të tij që të ndërmarrin masat për të nisur një operacion për eleminimin total të Hamas.

Edhe pse sulmet janë ndërprerë, armëpushimi në enklavën palestineze mbetet i brishtë, teksa një komitet i Kombeve të Bashkuara ka thënë se Izraeli po vret civilë. Armëpushimet e mëparshme mes Izraelit dhe Hamasit nuk kanë zgjatur shumë dhe të dyja palët kanë akuzuar njëra tjetrën për shkelje të marrëveshjes./abcnews.al

Netanyahu del në gjyq/ Kryeministri izraelit para drejtësisë, Trump kërkoi ta falnin

15 October 2025 at 13:01

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu doli këtë të mërkurë para gjykatës, pavarësisht thirrjes së Donald Trump për të falur akuzat ndaj tij për korrupsion. Kjo ishte paraqitja e parë e Netanyahut në gjyq në thuajse një muaj, për shkak të disa festave në kalendarin hebraik dhe angazhimeve ndërkombëtare.

Netanyahu u rikthye për t’u përballur me akuza që përfshijnë ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në lidhje me tre raste të veçanta të njohura si 1000, 2000 dhe 4000. Rasti i parë ka të bëjë me marrjen e dhuratave luksoze me vlerë mbi 210,000 dollarë, duke përfshirë puro, shampanjë dhe bizhuteri, nga biznesmenë të pasur në këmbim të favoreve politike.

Rasti 2000 ka të bëjë me bashkëpunimin e Netanyahu me një botues gazete për të siguruar mbulim të favorshëm mediatik. Ndërsa në rastin më të fundit dhe akuzën më serioze, Netanyahu dyshohet se i dha përfitime rregullatore gjigantit të telekomunikacionit Bezeq në këmbim të mbulimit pozitiv në rrjetin e tyre të lajmeve.

Përtej korrupsionit, Netanyahu përballet gjithashtu me urdhër-arreste nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për krime lufte në Gaza. Kryeministri izraelit vijon të përballet me drejtësinë, edhe pse presidenti amerikan Donald Trump, kërkoi që Netanyahu të amnistohet.

Gjatë fjalimit të tij në Knesset të hënën, Trump i bëri thirrje presidentit izraelit të falë Netanyahun, të cilin e përshkroi si “një nga udhëheqësit më të mëdhenj” të kohës së luftës.

/abcnews.al/

❌