Normal view

Aksident në aksin Vlorë-Orikum/ Makina del nga rruga, lëndohet shoferja dhe 16-vjeçari

19 January 2026 at 10:48

Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Vlorë–Orikum. Drejtuesja e automjetit tip Benz, ka humbur kontrollin e makinës dhe ka përfunduar jashtë rruge.

Si pasojë e aksidentit, kanë mbetur të dëmtuar lehtë shoferja dhe pasagjeri, rreth 16 vjeç.

Të lënduarit kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pas evakuimit, nis strehimi/ Banorët e Vlorës do të vendosen në konviktet e qytetit

8 January 2026 at 12:18

Strukturat vendore të emergjencave civile, Policia e Shtetit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, si edhe një ekip i Forcave të Armatosura, janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e çdo zhvillimi.

Deri më tani në Vlorë janë evakuuar rreth 200 krerë bagëti, ndërkohë që shërbimet shëndetësore ndodhen në lëvizje të pandërprerë, të gatshme për të ofruar asistencë në çdo moment.

Janë evakuuar 12 familje, ndërsa është përgatitur plani për evakuime të tjera. Kanalet kulluese janë pastruar dhe po kontrollohen vazhdimisht, ndërsa të gjitha strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë për të reaguar ndaj çdo nevoje të banorëve dhe për të garantuar sigurinë e tyre.

Banorët e evakuuar janë akomoduar në konviktet e qytetit, ndërkohë që po bashkëpunohet edhe me hotelet, me qëllim sigurimin e kapaciteteve shtesë të strehimit, në rast të rritjes së nevojave.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat në terren për menaxhimin sa më të mirë të situatës.

Përmbytjet në fshatin Vajzë/ Iu dëmtua banesa nga rrëshqitja e dherave, kryefamiljari tregon momentet e panikut: Në mes të natës ranë muret e jashtme

7 January 2026 at 12:37

Banorët e fshatit “Vajzë” të cilëve iu rrezikua banesa pas shembjes së dherave nga reshjet e dendura të shiut janë shprehur të shqetësuar.

Në një intervistës për “ABC News”, ata treguan momentet e frikës dhe panikut kur kuptuan se ndodheshin të rrezikuar. Një prej kryefamiljarëve, tregoi se gjatë natës, ranë muret e jashtme të banesës dhe aty dolën menjëherë jashtë, pasi ishin të gjithë të rrezikuar.

Ai shprehet i shqetësuar, për situatën dhe kërkon një zgjidhje.

“Nga ora 02: 00 e natës ranë muret e jashtme. Dhe më pas u ngritëm dhe menjëherë kemi dalë jashtë. Kemi shpëtuar për pak. Presim që shtëpia të batohet nga momenti në moment, nuk guxojmë të futemi brenda të marrim diçka. Shtëpitë janë të reja. Deri tani nuk kemi asnjë informacion. Policia dhe nga bashkia kanë ardhur, por ende nuk kemi asnjë sqarim”, ka thënë ai.

“Nuk marr dot asnjë gjë. Është e rrezikshme”, u shpreh një tjetër kryefamiljar.

Reshje të dendura në Vlorë/ Dëmtohen banesa dhe çahen rrugët, Vjosa del nga shtrati

7 January 2026 at 07:52

Në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka rrëshqitur rruga, si dhe janë dëmtuar dy banesa. Fatmirësisht, banorët e dy shtëpive të dëmtuara nuk kanë pësuar lëndime.
Policia ndodhet në terren dhe po monitoron qarkullimin e automjeteve, pasi kjo rrugë lidh disa fshatra të njësisë administrative Sevaster.

Ndërkohë, lumi Vjosë ka dalë nga shtrati në zonën e tregut të gjësë së gjallë pranë urës.

Niveli i ujit ka arritur në rreth 7 metra.

Banorët e zonave të rrezikuara janë njoftuar të kenë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet. Sipas autoriteteve, prurjet në lumin Vjosë vijojnë të mbeten të larta dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

VIDEO/ Krimi në familje, “punonin bashkë burrë e grua”, flasin fqinjët: Jemi të tronditur nga ngjarja, na ra si bombë

2 January 2026 at 16:13

Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në Orikum. 50-vjeçari Llogora Xhebroi dhunoi për vdekje gruan e tij Sose Xhebroi rreth 40 vjeçe dhe më pas vrau veten në garazhin e banesës së tij me armë zjarri.

Fqinjët kanë folur për ABC News, duke u shprehur të tronditur nga ngjarja.

“Ishin njerëz të mirë, në punën e tyre. Njerëz punëtorë. Jemi të habitur nga ngjarja. Na ra si bombë. Kanë pasur një biznesin e tyre një lokal aty punonin. Punonin bashkë burrë e grua. Kishin dy djem”, shprehet një prej fqinjëve.

Gruaja u gjet në banesë pa shenja jete. Ka qenë një nga fëmijët që ka lajmëruar ambulancën dhe qendrën shëndetësore të Orikumit.

Pas transportimit të trupit të pajetë të gruas në spital, 52-vjeçari ka qëlluar vetën me pistoletë të cilën dyshohet se e mbante në garazh aty ku edhe i ka dhënë fund jetës.

Vlorë, rregullohet defekti/ Nis furnizimi me ujë në një pjesë të qytetit

30 December 2025 at 07:32

Pas pesë ditësh pa ujë të pijshëm, defekti në tubacionin kryesor të furnizimit në Vlorë është riparuar pas mesnate. Rregullimi i tubit u përfundua rreth orës 4:00 të mëngjesit, moment kur nisi edhe furnizimi i depove të qytetit.

Aktualisht, një pjesë e qytetit të Vlorës po furnizohet me ujë, ndërsa zonat e tjera pritet të marrin furnizim gradualisht gjatë orëve në vijim.

Megjithatë, furnizimi nuk po realizohet me kapacitet të plotë, pasi pajisja e re e montuar po i nënshtrohet fazës së testimit për të garantuar funksionimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit./abcnews.al

Problemi në ujësjellës, banorët pa ujë/ Mbërrijnë nga Turqia pjesët për rregullimin e defektit, nis puna për riparimin e tubacionit në Vlorë

29 December 2025 at 19:31

Pas mbërritjes në Rinas materialet për sistemin e transportit të ujit të pijshëm, u transportuan në Vlorë.

Këto materiale do të bëjnë të mundur bashkimin e tubove dhe furnizimin me ujë për banorët e Vlorës. Ndërkohë raportohet se ka nisur menjëherë puna dhe pritet të mbyllet në mesnatë për të rikthyer më pas normalitetin në furnizimin me ujë.

Banorët në Vlorë u përballën me mungesën  e ujit të pijshëm prej ditësh. Këtë të hënë ata protestuan para Bashkisë duke kërkuar edhe zgjidhje për shkak se situatës shqetësuese.

Defekt në ujësjellës, banorët pa ujë/ Bashkia Vlorë: Sot vijnë tre pajisje nga Turqia. Rinis furnizimi

29 December 2025 at 18:40

3 pjesë të ardhura nga Turqia pritet t’i japë fund problemit të shkaktuar në tubin kryesor të qytetit të Vlorës.

Defekti, i cili la pa ujë banorët e qytetit bregdetar për 4 ditë, do të riparohet, ndërsa kryetarja e bashkisë garantoi zgjidhjen e problemit.

Inxhinieri Faluers Shoshi, drejtor i ujësjellës kanalizimeve në Vlorë, tregoi dhe arsyet përse ndodhi defekti.

Për mungesën e ujit, qytetarët e Vlorës u mblodhën duke protestuar që prej mëngjesit në dyert e bashkisë.

Përplasje pati edhe me policinë…

Pavarësisht provave për të rregulluar avarinë, përpjekjet kanë rezultuar të pasuksesshme, ndërsa në mesnatë, sipas autoriteteve, ky problem do të marrë zgjidhje përfundimtare.

“Sonte në mesnatë do të rikthehet furnizimi më ujë. Kjo është fjala ime”.

/abcnews.al/

Dimri shton virozat/ Shefi i Urgjencës në Vlorë: Deri në 50 vizita në ditë

26 December 2025 at 15:08

Dhjetori shënon rritje të vizitave për shkak të virozave stinore në urgjencën e spitalit rajonal të Vlorës. Sipas të dhënave të fundit, çdo ditë regjistrohen deri në 50 pacientë, përfshirë edhe persona me sëmundje kronike, të cilët janë më të rrezikuar ndaj komplikacioneve.

Shefi i urgjencës, Veron Beja, apelon që qytetarët të mos drejtohen menjëherë në spital, por fillimisht të kontaktojnë mjekun e familjes.

Situata aktualisht mbetet e menaxhueshme, ndërsa dhjetori shënon edhe periudhën kur nis situata nga virozat stinore. Bluzat e bardha këshillojnë qytetarët të kujdesen për higjienën, të shmangin vendet e mbipopulluara dhe të kryejnë vaksinat antigrip./abcnews.al

Protesta e transportit interurban në Vlorë/ Shoferët: Konkurrenca e pandershme po na penalizon

22 December 2025 at 11:21

Linjat e transportit interurban në Vlorë janë ngritur këtë të hënë në protestë. Drejtuesit e autobusëve që bëjnë linjat me Tiranën, Beratin, Elbasanin, Sarandën dhe qytete të ndryshme në këto intenerare kanë pezulluar aktivitetin.

Në intervistat e tyre kërkojnë dënimin dhe ndalimin e aktivitetit të paligjshëm të taksive dhe furgonave private dhe te palincesuara si dhe ndërtimin e terminalit ku sipas tyre Vlora mbetet i vetmi qytet që ende se ka një të tillë.

Thonë se do të pezullojnë aktivitetin duke penalizuar qytetin deri në zgjidhje. Kërkojnë një takim me përfaqësuesit e pushtetit lokal pasi kundërshtojnë dhe zhvendosjen drejt periferisë.

Vijnë emigrantët, fluks në port/ Vlorë, qindra pasagjerë dhe automjete mbërrijnë për festat

21 December 2025 at 12:41

VLORË- Pamjet që shihni vijnë nga Porti i Vlorës, ku dhjetëra makina qëndrojnë në rradhë për të kaluar. Festat e fundvitit kanë sjellë fluks të lëvizjes së qytetarëve në Portin e Vlorës.

Mëngjesin e kësaj të diele kanë mbërritur në qytetin bregdetar rreth 700 pasagjerë dhe mbi 140 automjete me tragetin e linjës Brindisi–Vlorë, duke rritur ndjeshëm numrin e udhëtimeve drejt Shqipërisë për festat e fundvitit.

Sipas të dhënave zyrtare, edhe një ditë më parë në Portin e Vlorës kanë mbërritur rreth 300 pasagjerë.

Autoritetet portuale bëjnë me dije se lëvizjet pritet të vijojnë me intensitet edhe në ditët në vijim. Parashikohet që piku i fluksit të regjistrohet në datat 23–24 dhjetor, si dhe në periudhën 26–29 dhjetor, kur numri i udhëtarëve dhe automjeteve do të jetë më i lartë.

Përballë këtij fluksi, strukturat portuale dhe shërbimet përkatëse janë angazhuar për të garantuar përpunimin normal të pasagjerëve dhe mjeteve, si dhe për të shmangur vonesat apo problematikat gjatë procedurave të hyrje-daljeve./abcnews.al

Shpërthimi me tritol në Vlorë, zbardhet ngjarja pas 3 javësh/ Në pranga babë e bir

20 December 2025 at 11:37

Zbardhet ngjarja e ndodhur 3 javë më parë në qytetin e Vlorës, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në portën e një banese.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, të finalizuar nga Komisariati i Policisë Vlorë dhe strukturat hetimore të DVP Vlorë nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, u identifikuan, lokalizuan dhe u vunë në pranga autorët e dyshuar, babë e bir.

D. G., 59 vjeç, banues në Babicë e Madhe, Vlorë;
F. B., 29 vjeç, banues në Babicë e Madhe, Vlorë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se babë e bir, 59 dhe 29 vjeç, kanë mbajtur në banesën e tyre automjetin tip “Volkswagen Golf Plus”, i cili rezulton i vjedhur në qytetin e Elbasanit.

Më pas, më datë 29.11.2025, ky automjet dyshohet se është përdorur nga këta shtetas për t’u afruar pranë banesës së shtetases B. Z., ku dyshohet se është vendosur një sasi lënde plasëse në portën e jashtme të banesës, e cila më pas ka shpërthyer.

Pas kryerjes së ngjarjes, automjeti i përdorur nga këta shtetas është gjetur i djegur në fshatin Babicë e Vogël, Vlorë./abcnews.al

Vlorë/ Një person gjendet i pajetë në Lungomare, dyshohet të jetë mbytur (EMRI)

16 December 2025 at 08:23

Një person është gjetur i pajetë mëngjesin e së martës përgjatë Lungomares në qytetin e Vlorës.

Sipas policisë, personi është parë nga qytetarë të Vlorës teksa ishte futur në det, dhe më pas është njoftuar policia, e cila ka ndërhyrë për të nxjerrë trupin e pajetë në breg të detit.

Identiteti i viktimës është Shezai Hoxha, rreth 87 vjeç, i cili vuante nga skleroza./abcnews.al

I djegur në makinë/ Gjendet një trup i shkrumbuar në Llogara, dyshime për vetëvrasje

15 December 2025 at 16:31

Në këtë automjet të bardhë, të fshehur mes pemëve në Qafën e Llogarasë u gjet një trup plotësisht i djegur.

Zyrtarisht policia e Vlorës thotë se si pasojë e zjarrit ka humbur jetën një shtetas ende i paidentifikuar në sediljen e shoferit.

Trupi është i shkrumbuar plotësisht, çka e bën të vështirë identifikimin e viktimës, ndërsa dyshohet se mund të jetë rreth moshës 40 vjeçare.

Nga djegia totale e mjetit, edhe targa e makinës tip BMW nuk është e mundur të identifikohet.

Pista kryesore është e ajo e vetëvrasjes, megjithatë nuk përjashtohet mundësia se kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale.

Ka qenë telefonata e një qytetari që ka konstatuar makinën duke u djegur e cila vuri në lëvizje policinë e Vlorës.

Grupi I hetimit në vendngjarje po punon për grumbullimin e provave të mundshme për të zbardhur rrethanat.

/abcnews.al/

DETAJE/ Nga trafiku i drogës në BE tek pengmarrja në Vlorë, si u zbulua vendi ku mbahej peng shqiptari nga Kosova

12 December 2025 at 11:05

VLORË- Detaje të reja dalin në pah për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shqiptarit nga Kosova. Tre personat nga Vlora, të cilët e mbajtën peng janë njohur me shqiptarin nga Kosova në një vend të Bashkimit Europian.

Gjatë kësaj njohjeje kanë kryer marrëveshje të paligjshme për trafik droge. Shqiptari nga Kosova i ka lidhur ata me një person tjetër jashtë vendit, dhe vlonjatët kanë dërguar drogën në një vend të BE-s, vend i pacaktuar, pasi të arrestuarit nuk kanë treguar, madje as nga telefonat e sekuestruar nuk u gjet ky informacion.

Pas kësaj, personi që mori drogën jashtë vendit nuk u ka kthyer paratë vlonjatëve.

Për këtë arsye, këta të fundit kanë marrë peng shqiptarin e Kosovës, duke e mbajtur për rreth dy javë, madje kanë ushtruar dhunë me shpresën për të marrë pagesën për mallin.

Motra e shqiptarit, që jeton në Suedi dhe kishte dijeni për ngjarjen ka kontaktuar Interpolin. Pas kësaj, Interpoli njoftoi Policinë e Vlorës, e cila, duke përdorur vendndodhjen e dërguar nga motra, arriti të arrestojë tre personat brenda 15 minutash.

Shqiptari kishte plagë të lehta në trup dha më pas iu dha ndihma e parë dhe u lirua. Ndërkohë, autorët nuk kanë pranuar të zbulojnë vendin e saktë ku ishte dërguar droga, në çfarë vendi të BE-së.

Nga policia e Vlorës konfirmohet se shqiptari nga Kosova kishte dalë garant për një ngarkesë lënde narkotike drejt një vendi europian me vlerë 70 mijë euro./abcnews.al

Zbardhet ngjarja në Vlorë/ Morën peng një person dhe i kërkuan para, arrestohen tre persona

12 December 2025 at 09:46

Tre persona janë vënë në pranga nga Policia e Vlorës, pasi morën peng një shtetas kosovar, Fisnik Xhaka.

Sipas informacioneve në prangat e bluve të Vlorës, janë vënë shtetasit Vilson Agaj, Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj.

Dyshohet se e kanë mbajtur shtetasin kosovar për rreth dy javë në një banesë pranë zonës së quajtur “Rruga e re” ne Vlore duke i kërkuar 70 mije euro.

Pengmarrja në Vlorë/ E mbajtën të izoluar në banesë për dy javë, kërkonin 70 mijë euro…

By: Rovena
11 December 2025 at 22:06

Katër të shoqëruarit nga policia e Vlorës dyshohet se kanë marrë peng një tjetër shtetas, të cilin e mbanin në një banesë në afërsi të Rrugës së Re. Policia e Vlorës bën me dije se shtetasit ishin nga fshatrat e Lumit të Vlorës dhe i kërkonin personit 70 mijë euro.

Ndërkohë, motra e pengut, që jeton në Suedi, ka njoftuar policinë e Vlorës, e cila ka bërë të mundur gjetjen e banesës dhe shoqërimin e katër personave. Sipas policisë dyshohet se shtetasi mbahej prej dy javësh.

FNSH zbarkon në Vlorë/ Kontrolle në disa banesa dhe pika të qytetit

By: Rovena
11 December 2025 at 19:44

Një aksion me fokus kontrollin e disa banesave është zhvilluar gjatë ditës së sotme në qytetin e Vlorës. Operacioni është ndërmarrë nga Drejtoria Vendore e Policisë së Vlorës, sektori i Krimeve të Rënda.

Ndërkohë, forcat e FNSH-së dhe ato operacionale kanë kryer kontrolle në disa pika të ndryshme të qytetit.

Zanat i trashëguar nga i ati/ 36-vjeçari në Vlorë krijon këpucë, çanta e aksesorë të ndryshëm

By: Rovena
6 December 2025 at 20:27

Në Vlorë, 36-vjeçari Besmir Aliu është një nga të paktët të rinj që ka trashëguar dhe vazhdon zanatin e artizanatit në lëkurë nga babai i tij.

Ai krijon këpucë, çanta, rripa dhe aksesorë të ndryshëm, por gjithashtu ofron riparime dhe produkte të personalizuara sipas dëshirës së klientëve.

Besmiri rrëfen se dashuria për këtë profesion ka nisur shumë herët. Kur ishte në klasën e shtatë ka realizuar edhe punimin e tij të parë. Sot, pas shumë vitesh përvojë, Besmiri e njeh çdo lloj materiali dhe dallon menjëherë lëkurën origjinale nga imitimet.

Puna e tij zgjat thuajse gjithë ditën. Ai tregon se pjesa më e madhe e njerëzve vijnë për riparimin e këpucëve, por punimet e reja dhe personalizimet nuk mungojnë.

Megjithatë, mjeshtri vlonjat shpreh shqetësimin e tij për të rinjtë./abcnews.al

❌