Normal view

Reforma e ujit, Berisha: Do plasë morri! Doktori i shqetësuar për çmimin e ujit dhe pritjen e Dumanit në DASH

3 September 2025 at 15:13

Ëndrrat amerikane nuk janë për doktorin. Dëshira ishte e madhe që ai me apo non-grata të ishte i ftuari i parë i administratës Trump, por ja që zgjodhën kreun e SPAK, Altin Dumanin.

Kur vjen puna tek amerikanët tani, doktori është fjalë pak.

“Nuk kam asnjë dijeni se kë ka takuar dhe kë nuk ka takuar. Nuk kam dijeni, nuk kam parë komunikatë për takimin”

Kurse për Dumanin, ka fjalë shumë.

“Ajo çka mund të them ju, Altin, ti i thua Dumani, me njoftimin që i bëri Elvis Doçit, ai nuk quhet më Altin Dumani, por quhet Altin Troplini”

Por ja që, Departamenti Amerikan i Shtetit, nuk njeh as Sali Berishën e as Altin Troplinin, por vetëm Altin Dumanin. Doktori mendoi t’i tregojë atyre, se si prej Altin Dumanit, jeta është bërë kaq e vështirë në Shqipëri dhe brenda SPAK.

“Imagjinoni ju një punëtore të thjeshtë në SKAP, e cila rrit tre fëmijë, katër fëmijë, dhe bosi Troplini merr 15 herë më shumë se ajo. 7 mijë euro rrogë, e padëgjuar edhe në Ballkan kjo.”

Shpejt doktori u njoftua, se Rama po rregullon punët me ujin, por Berisha paralajmëroi shqiptarët se tani s’do i kenë punët mirë me të larën.

“Jo, pse mora këtë, ju garantoj se me këto çmime, do plasë morri në të katër anët e vendit. Dhe zgjebja. Kush është ai që mund të lajë? Kjo është një çmenduri mo.”

Por, ku dhemb dhëmbi shkon gjuha.

“Nuk mund ta blejë ai më. 35 euro për një DASH pluhur. DASH a si quhet ajo.”

Pra, me 35 euro DASH, shqiptarët mund ti heqin njollat nga rrobat, kurse Berishës nuk po i mjaftojnë as 6 milion dollarë tek DASH për të hequr njollën e zezë të non-gratës.

Vizat amerikane, DASH verifikon 55 milionë persona në botë për shkelje që çojnë në deportim

22 August 2025 at 18:48

Administrata e Donald Trump po kontrollon më shumë se 55 milion njerëz që kanë viza të vlefshme amerikane për çdo shkelje të mundshme që mund të çojë në deportimin e tyre.

Në një përgjigje për Associated Press, Departamenti i Shtetit tha se të gjithë ata që kanë viza amerikane, përfshirë këtu edhe ato turistike nga shumë vende, i nënshtrohen verifikimit të vazhdueshëm, të kujdesshëm ndaj çdo treguesi se ata mund të mos jenë të kualifikuar për leje për të hyrë ose qëndruar në Shtetet e Bashkuara.

Nëse gjendet një informacion i tillë, viza do të revokohet dhe nëse mbajtësi i vizës është në Shtetet e Bashkuara, ai ose ajo do t’i nënshtrohet deportimit.

Departamenti i Shtetit tha se po kërkon tregues që deklasifikojnë këta njerëz, duke përfshirë ata që qëndrojnë përtej afatit kohor të autorizuar të përcaktuar në një vizë, aktivitet kriminal, kërcënime për sigurinë publike, përfshirje në çdo formë aktiviteti terrorist ose ofrimin e mbështetjes për një organizatë terroriste.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, vitin e kaluar në SHBA kishte 12.8 milionë mbajtës të kartës së gjelbër dhe 3.6 milionë njerëz me viza të përkohshme.

Shifra prej 55 milionësh tregon që disa njerëz që i nënshtrohen shqyrtimit janë aktualisht jashtë Shteteve të Bashkuara me viza turistike.

Ndërkohë sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio tha se nuk do të jepen më viza për ata që kërkojnë të punojnë si shoferë kamioni në SHBA, pasi numri i madh i këtyre të huajve, po u rrezikon jetën amerikanëve.

Që kur Presidenti Donald Trump mori detyrën, administrata e tij është përqendruar në deportimin e emigrantëve që ndodhen ilegalisht në Shtetet e Bashkuara,. Në shenjestër të kanë qenë edhe ata që mbajnë viza studentore, për shkak të përfshirjes në protestat pro Palestinës në kampuset universitare.

DASH: Ballkani, pjesë e strategjisë amerikane për dëbimin e emigrantëve

6 June 2025 at 21:02

Vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar, konfirmoi Departamenti amerikan i Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Ai nuk i komentoi raportimet e mediumit amerikan, Bloomberg, se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po përpiqet t’i bindë vendet e Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar – kryesisht nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela – të cilëve u është hequr statusi i përkohshëm ligjor në SHBA.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në përgjigje, nuk i komentojnë detajet e komunikimit diplomatik me shtetet e tjera, në kuadër të strategjisë për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.

“Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksoi Departamenti amerikan i Shtetit, duke shtuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump, është një nga prioritetet kryesore të tij.

“Largimi nga SHBA-ja i të huajve, për të cilët ekzistojnë urdhra përfundimtarë për dëbim, si dhe dëbimi i imigrantëve të paligjshëm, i mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, thuhet në përgjigje.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit theksuan, gjithashtu, se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është kyç për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe masiv, si dhe për sigurinë kufitare.

“Siç ka thënë sekretari i Shtetit, [Marco] Rubio, ne mbetemi të vendosur në përpjekjet tona për t’i dhënë fund migrimit të paligjshëm dhe masiv dhe për të forcuar sigurinë e kufijve amerikanë. Në këtë drejtim, çdo shtet duhet urgjentisht të pranojë kthimin e shtetasve të vet, që nuk kanë bazë ligjore për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara”, theksoi Departamenti i Shtetit.

Në disa raste, thuhet po ashtu në përgjigje, mund të bashkëpunohet edhe me vende të tjera për të lehtësuar largimin nga Shtetet e Bashkuara të shtetasve të vendeve të treta që nuk kanë bazë ligjore për të qëndruar në SHBA.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar mediumin Bloomberg News, raportoi më 5 qershor se administrata e presidentit Trump po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.

Bloomberg: Trump u ka kërkuar shteteve të Ballkanit t’i pranojnë migrantët e dëbuar

Po atë ditë, Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse administrata amerikane i ka dërguar edhe asaj një kërkesë të tillë, por nuk mori përgjigje.

Në prill, edhe Wall Street Journal raportoi se Uashingtoni po shqyrton mundësinë e dëbimit të migrantëve në Moldavi, Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit./REL/

Berisha mund të udhëtojë në SHBA?/ Meçe: Vendimi i DASH i qartë, lajmi i gazetarit një mashtrim ordiner

By: Rovena
9 May 2025 at 18:53

Statusi i një gazetari i cili thoshte se kishte pyetur nëse kreu i PD, Sali Berisha mund të udhëtojë drejt SHBA, u kthye në një lajm dhe qendër e vëmendjes, sidomos në kampin opozitar.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, analisti Arben Meçe tha se vendimi i DASH është i qartë, ashtu sikurse rregullat e SHBA për të shpallurit ‘non grata’, prandaj nuk sipas tij nuk vend për interpretime e aq më pak për keqkuptime.

Sa i takon statusit të gazetarit në platformën “X”, (dikur Twitter), Meçe e konsideroi si një lajm ordiner dhe mashtrues. Analisti nuk la pa përmendur as lobimin prej 6 milion dollarët, të cilën e quajti thjesht të turpshëm.

“Kontrata e lobimit është një turp i madh për Berishën. Kontrata e lobimit ishte një goditje e rëndë ndaj opozitës, por edhe sot që flasim vazhdon të ketë ndikimin e vet në opinionin publik. Është një mashtrim, tipik mashtrues. Heqja e “non gratës” me një lobim 6 milionë dollarë nga emigrantët, është qesharake. Mesazhi i një gazetari, nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim ordiner. Ndërkohë që mesazhi nga DASH ishte shumë korrekt. DASH e jep qartë fare këtë lloj politike që Amerika nuk mund ta përjashtojë për Shqipërinë. Lobimi 6 milionë dollarë tregoi para publikut një mashtrim të turpshëm. U kuptua nga populli shqiptar që qëndrimi i SHBA ndaj Berishës është i dukshëm”, tha Meçe.

Sa për përplasjet agresive të kohëve të fundit nga kandidatët apo simpatizantët e opozitës, analisti tha se Berisha ka qenë gjithmonë një figurë agresive dhe se PD-në e ka kthyer në një parti të interesave të tija personale.

“Berisha është i perceptuar si një figurë agresive në Shqipëri, pavarësisht “non gratës”. Lobimi 6 milionë bind njerëzit për këtë mashtrim. Berisha ka vdekur si figurë politike. E ka kthyer PD në një parti të interesave të tija personale. Sherri masiv ishte e pjella e një situate të mbarsur në Elbasan e PD-së, e cila shpërtheu përçarjen e madhe që ka PD në Elbasan. Rezultati i primareve në Elbasan u përmbysë në mënyrë të dhunshme nga Berisha dhe Boçi solli përçarje. Djali i Boçit nuk u dhunua, ai mori shpagimin”,  përfundoi analisti./abcnews.al

 

Raporti për Shqipërinë, DASH përmend edhe hetimin ndaj Berishës: SPAK vijon arrestimet dhe konfiskimin e aseteve të ish-zyrtarëve të lartë

21 March 2025 at 19:47

Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, departamenti për Byronë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, ka publikuar raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve.

Sipas këtij raporti, për Shqipërinë thuhet se vazhdon të bëjë përparime në përmirësimin e regjimit të saj kundër pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit (AML/CFT).

Sa i përket krimit të organizuar, raporti thotë se krimi i organizuar i udhëhequr nga shqiptarët luan një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me kanabis, kokainë dhe heroinë, sipas autoriteteve të ligjzbatimit shqiptar.

Më tej, në raport thuhet se SPAK-u sekuestroi dhe konfiskoi edhe asete të rëndësishme, përfshirë pasuri të paluajtshme, automjete, biznese dhe para të thata, teksa përmendet edhe hetimi ndaj ish kryeministrit Sali Berisa.

Përmbledhja e Raportit për Shqipërinë

Shqipëria vazhdon të bëjë përparime në përmirësimin e regjimit të saj kundër pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit (AML/CFT). Shqipëria heton dhe ndjek penalisht korrupsionin në nivele të larta. Ministria e re e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka publikuar një strategji për të përmirësuar integritetin në sektorët e cënueshëm dhe për të parandaluar korrupsionin në administratën publike. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zgjeruar hetimet dhe arrestimet e policëve për shpërdorime, përfshirë korrupsionin. Megjithatë, sfidat mbeten në forcimin e zbatimit dhe të parandalimit të  korrupsionit.

Korrupsioni, krimi i organizuar, boshllëqet në kornizën ligjore dhe rregullatore, dhe pengesat në komunikimin ndërinstitucional e bëjnë Shqipërinë të cënueshme ndaj pastrimit të parave. Organizatat kriminale shqiptare bashkëpunojnë me homologet e tyre në Evropë dhe Amerikën e Jugut, dhe trafikimi i narkotikëve dhe krimi i organizuar janë burime kryesore të fondeve të pastruara.

Pavarësisht trajnimeve të pamjaftueshme dhe teknologjisë së pamjaftueshme dhe mungesës së bashkëpunimit ndërinstitucional, ekipet hetimore të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë po shkatërrojnë grupet e krimit të organizuar transnacional. Reformat gjyqësore të mbështetura nga donatorët ndërkombëtarë kanë përmirësuar regjimin AML/CFT, por qeveria dhe institucionet duhet të zbatojnë plotësisht reformat për të shmangur rënien përsëri të sundimit të ligjit.

Dobësitë dhe metodologjitë e pastrimit të parave

Shumica e pastrimit të parave në Shqipëri lidhet me trafikimin e drogës dhe njerëzve, mashtrimin me kontratat qeveritare, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Ekonomia kryesisht e bazuar në para të thata, kontrollet e dobëta kufitare dhe ligjzbatim i dobët doganor lehtësojnë një treg të zi për mallrat e kontrabanduara. Paratë e dërguara nga jashtë (remitancat) dhe investimet nga jashtë ndonjëherë fshehin burimet e fondeve. Kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, aseteve virtuale dhe zhvillimit të bizneseve.

Më 15 shkurt 2024, parlamenti legalizoi bastet sportive, duke përmbysur ndalimin e vitit 2018. Ligji i ri, i cili hyri në fuqi më 27 mars 2024, legalizon bastet sportive vetëm në mjedis online dhe do të japë 10 licenca për kompani me reputacion. Ligji i ri ngre shqetësime se mbikëqyrja e dobët mund të lejojë krimin e organizuar të depërtojë në këtë aktivitet. Lojërat e fatit në kazino mbikëqyren nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Ligjet dhe rregulloret kryesore kundër pastrimit të parave (AML)

Shqipëria ka kërkesa të hollësishme për njohjen e klientit (due diligence) (CDD) dhe raportimin e transaksioneve të dyshimta (STR). Në korrik të vitit 2024, autoritetet miratuan një strategji AML/CFT deri në vitin 2030.

Zyrtarët publikë janë të ndaluar të mbajnë sasi të mëdha parash të thata jashtë sistemit bankar. Ata duhet të deklarojnë pasuritë çdo vit dhe të deklarojnë trajtimin preferencial financiar dhe uzufruktin nga asetet. Kompanitë duhet të regjistrojnë pronarët përfitues (uzufruktierët) dhe llogaritë bankare.

Struktura e Posaçme e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka autoritetin për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve. Agjencitë e zbatimit të ligjit përdorin një ligj anti-mafia për të sekuestruar asetet e lidhura me trafikimin e drogës dhe të korrupsionit. Në maj të 2024, ministri i brendshëm njoftoi krijimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve. Kjo zyrë do t’i japë përparësi gjurmimit dhe sekuestrimit të aseteve dhe fondeve nga aktivitetet kriminale.

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë një traktat dypalësh për ndihmë juridike, megjithëse bashkëpunojnë bazuar në konventa shumëpalëshe dhe në bazë të mirëkuptimit dhe reciprocitetit. Një traktat dypalësh për ekstradimet është në fuqi.

Agjencia Shqiptare e Inteligjencës Financiare është anëtare e Grupit Egmont të Njësive të Inteligjencës Financiare. Shqipëria është anëtare e Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave (MONEYVAL), një organ rajonal në stilin e Task Forcës për Veprim Financiar. Shihni raportin më të fundit të vlerësimit të ndërsjellë të Shqipërisë për më shumë informacion.

Mungesat ligjore, politike dhe rregullatore të AML

Strategjia kundër korrupsionit kërkon mbrojtje për sinjalizuesit dhe korniza ligjore më të mira për të trajtuar korrupsionin, lobimin dhe financimin e partive politike. Autoritetet shqiptare vazhdojnë të përmirësojnë efektivitetin e tyre në përdorimin e sekuestrimit të aseteve dhe shkëmbimin e informacionit ndërkombëtarisht, por ato duhet të forcojnë kapacitetin AML/CFT dhe të zhvillojnë hetime dhe analiza sistematike financiare.

Gjyqtarët dhe prokurorët vazhdojnë të kontrollohen (vlerësimi kalimtar) për pasuritë e pajustifikuara. Në dhjetor të vitit 2024 Qeveria përfundoi një proces të monitoruar ndërkombëtarisht për vlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve dhe largoi ata me pasuri të pajustifikuara ose në lidhje me krimin e organizuar, megjithëse apelimet vazhduan. Që nga viti 2016, 44 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve të vlerësuar u miratuan për të vazhduar në detyrë. Ligji kërkon që institucionet e tjera të pavarura të drejtësisë të kryejnë rishikime periodike për pasuri të pajustifikuara.

Dispozitat e CDD dhe STR të Shqipërisë nuk zbatohen plotësisht. Proceset për të rishikuar dhe përmirësuar cilësinë e STR-ve mbeten në zhvillim. Inspektimet për bizneset e shërbimeve të parave, noterët dhe tenderët qeveritarë nuk janë të forta. Sfida mbeten në sanksionet për përhapjen, monedhat virtuale, trustet dhe rregullimin e institucioneve jo-bankare.

Çështjet e ligjzbatimit/zbatimit dhe komentet

Shqipëria ka ndërmarrë hapa pozitivë; megjithatë, qeveria duhet të rrisë ende hetimet dhe ndjekjet penale për pastrimin e parave për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikimin e drogës; të përmirësojë bashkëpunimin ndërinstitucional; dhe të integrojë plotësisht SPAK-un në përpjekjet AML/CFT.

SPAK rriti numrin dhe kompleksitetin e hetimeve për pastrimin e parave dhe konfiskimet dhe kreu paralelisht hetime financiare dhe të aseteve kur dyshonte për asete të paligjshme; megjithatë, ndjekjet penale mbeten të ulëta. Në vitin 2023, SPAK sekuestroi asete me vlerë 43 milionë dollarë dhe, në vitin 2024, vazhdoi arrestimet dhe konfiskimin e aseteve të ish-zyrtarëve të lartë. Në shtator të vitit 2024, SPAK akuzoi ish-kryeministrin dhe të përcaktuar sipas “Aktit të Ndarjes Buxhetore të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programevë të Ndërlidhura, 2021” me 7031 (c) Sali Berisha për korrupsion për veprime zyrtare për veprime zyrtare në dobi të interesave të familjes së tij. SPAK akuzoi edhe dhëndrin e tij për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK sekuestroi pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe aksionet e dhëndrit në kompanitë e lidhura me korrupsionin.

Në nëntor të vitit 2024, SPAK-u dhe policia shqiptare punuan me Europol dhe autoritetet italiane për të arrestuar 29 të dyshuar në një rrjet trafikimi narkotikësh të udhëhequr nga dy vëllezër shqiptarë dhe sekuestroi asete kriminale dhe drogë me vlerë 74 milionë dollarë.

Shqipëria duhet të zbatojë ligjet ekzistuese, të ndjekë udhëzimet rregullatore, të kryejë mbikëqyrje efektive, të përmirësojë bashkëpunimin e zbatimit të ligjit dhe të zgjerojë kapacitetin e policisë dhe të prokurorëve për t’u përqendruar në korrupsion, pastrimin e parave dhe krimet komplekse ekonomike. Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht reformat e kodit penal të vitit 2016 dhe 2017.

Paditet DASH/ Pesë palestinezë padi në gjykatën amerikane: Furnizon Izraelin me armë

18 December 2024 at 12:23

5 shtetas palestinezë dhe palestinezo- amerikanë  kanë paditur Departamentin Amerikan të Shteteti duke e akuzuar atë për ndihmat ushtarake që ka vijuar ti jap Izraelit, armatime këto që sipas tyre janë përdorur për të kryer një masakër në Gaza. Padia e ngritur të martën në gjykatën e qarkut të Uashington DC shënon herën e parë që viktimat e shkeljeve të dyshuara të të drejtave të njeriut po sfidojnë Departamentin Amerikan të Shtetit, bazuar në një ligj federal që ndalon transferimin e fondeve për njësitë ushtarake të huaja që janë përfshira në shkelje të rënda siç janë vrasja dhe tortura.

Paditësit përfshijnë Amal Gaza, një pseudonim për një mësuese matematike nga Gaza, e cila ka humbur 20 anëtarë të familjes; Shawan Jabarin, drejtori i grupit palestinez të të drejtave të njeriut Al-Haq, i cili duroi gjashtë vjet burgim arbitrar në Bregun Perëndimor; dhe Ahmed Moor, një palestinez amerikan me të afërm në Gaza, të cilët janë zhvendosur vazhdimisht nga ofensiva e vazhdueshme izraelite. Ata kërkojnë ndërhyrje gjyqësore për të detyruar SHBA-në të respektojë ligjin. Lufta më shumë se një vjecare mes Izraelit dhe Hamasit ka lënë të vrarë mbi 45 mijë persona në rripin e Gazës ku qarkullimi I ndihmave humanitare ka qenë minimal duke lënë mbi 1,9 milionë banorë në kushtet e urisë dhe kequshqyerjes.

Padia ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit përfaqëson një sfidë ligjore ku qytetarët kërkojnë që të detyrojnë administratën amerikane që të zbatojë një ligj që është parë më parë si efektiv në ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të frenuar shkeljet e të drejtave të njeriut nga njësitë ushtarake të huaja në Amerikën qendrore, Kolumbi, Nepal dhe vende të tjera.

Ligji Leahy u hartua për çdo forcë sigurie që SHBA-ja i identifikon si të papërshtatshme për shkak të një shkeljeje të rëndë të të drejtave të njeriut. Por, një zyrtar tha për mediat nderkombetare se “Rregullat ishin të ndryshme për Izraelin.” Padia nga Shtetasit Paelstinez dhe Palestinezo Amerikan thekson një sërë shkeljesh të supozuara të kryera nga njësitë ushtarake izraelite me mbështetjen e SHBA-së, duke përfshirë torturën, ndalimin e zgjatur pa akuzë, zhdukjen dhe ato që paditësit i përshkruajnë si veprime që përbëjnë gjenocid në Gaza./abcnews.al

❌