Normal view

Dështon përpjekja e opozitës izraelite për zgjedhje të parakohshme/ Partitë ultraortodokse nuk e mbështetën mocionin

By: Rovena
12 June 2025 at 09:28

Nga 120 deputetët e Knessetit, 61 votuan kundër propozimit të opozitës, ndërsa 53 ishin pro.

Opozita e kishte paraqitur këtë projektligj me shpresën për të detyruar zgjedhje të parakohshme, duke kërkuar mbështetje nga partitë ultraortodokse të koalicionit qeverisës, të cilat janë të zemëruara ndaj Kryeministrit Netanyahu për çështjen e lëshimeve nga shërbimi ushtarak për komunitetin e tyre.

Pavarësisht se opozita është kryesisht e përbërë nga grupe qendrore dhe majtiste, partitë ultraortodokse që mbështesin qeverinë e Netanyahu-s kishin kërcënuar më parë se do të mbështesnin propozimin.

Megjithatë, rezultati i votës të enjten në mëngjes tregoi se shumica e deputetëve ultraortodoksë nuk e mbështetën projektligjin e opozitës, me vetëm një numër të vogël që votuan pro.

Opozita tani do të duhet të presë gjashtë muaj për të tentuar një herë tjetër.

Përpara votës, Yuli Edelstein, një deputet i partisë Likud të Netanyahu-s, njoftoi se, pas bisedimeve të gjata, partitë kishin arritur një marrëveshje mbi “parimet mbi të cilat do të bazohet projekti i ligjit për rekrutim”.

Edelstein, i cili drejton komitetin për punët e jashtme dhe mbrojtjen, nuk specifikoi detajet e marrëveshjes.

“Ashtu siç kam thënë gjithmonë vetëm një projektligj i vërtetë dhe efektiv që çon në zgjerimin e bazës së rekrutimit të Ushtrisë Izraelite do të dalë nga komiteti që drejtoj,” shkroi ai në platformën sociale X.

“Kjo është një lajm historik dhe ne jemi në rrugën për një reformë të vërtetë në shoqërinë izraelite dhe forcimin e sigurisë së Shtetit të Izraelit.”

Edelstein më parë kishte paraqitur një projektligj që kishte për qëllim të rritte numrin e ultraortodoksëve të rekrutuar dhe të rrigorozonte dënimet për ata që refuzojnë shërbimin.

Ndërkohë, lideri i opozitës, Yair Lapid, deklaroi se qeveria po sheh fillimin e fundit të saj.

“Kohëzgjatja e koalicioneve ka një fund, dhe ky është momenti kur një qeveri fillon të shembet,” tha ai.

Lapid shtoi se partitë ultraortodokse kishin pasur një zgjedhje: të humbnin ligjin për lëshimin nga shërbimi ushtarak ose të humbnin pozitat në qeveri, dhe ata e zgjodhën lëshimin.

“Qeveria i ndihmoi ata… të organizojnë lëshimin e dhjetëra mijëra djemve të rinj dhe të shëndetshëm,” tha ai, duke iu referuar izraelitëve ultraortodoksë.

Ministri i Komunikimeve, Shlomo Karhi, iu kundërpërgjigj, duke thënë se qeveria e koalicionit është “duke shkuar përpara” dhe është “më e fortë se kurrë”.

Më herët gjatë ditës së mërkurë, liderët e opozitës kishin deklaruar se vendimi për të sjellë në Knesset projektligjin për shpërbërjen e qeverisë ishte “marrë unanimisht dhe është obligues për të gjitha fraksionet”. Ata thanë se të gjitha partitë opozitare do të pezullonin aktivitetet e tyre legjislative për të përqendruar vëmendjen në “rrëzimin e qeverisë”.

Koalicioni i Netanyahu-s është një nga më të djathtët në historinë e Izraelit. Ai përfshin dy parti ultraortodokse, Shas dhe Judaizmin e Bashkuar Ortodoks (UTJ). Të dy partitë kishin kërcënuar se do të mbështesnin propozimin për zgjedhje të parakohshme.

Rreziku Ekzistencial dhe Shërbimi Ushtarak

Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm në Izrael, por, sipas një vendimi të datës që nga krijimi i shtetit, burra që përkushtohen plotësisht në studimin e shkrimeve hebraike kanë një lëshim nga shërbimi ushtarak.

A ka ardhur koha që ky lëshim të ndryshojë, ka qenë një çështje që ka shkaktuar debate të vazhdueshme.

Përpjekjet për të hequr lëshimin janë intensifikuar gjatë luftës 20-mujore në Gaza, pasi ushtria kërkon më shumë burime njerëzore.

Netanyahu është nën presion nga partia e tij Likud për të rekrutuar më shumë burra ultraortodoksë – një vijë e kuqe për parti si Shas, të cilat kërkojnë një ligj që garanton përjashtim të përhershëm nga shërbimi ushtarak për ndjekësit e tyre.

Përpara votës, mediat izraelite raportuan se zyrtarë të koalicionit të Netanyahu-s ishin në bisedime me liderët ultraortodoksë për të gjetur një marrëveshje të përbashkët.

Në një përpjekje për të fituar kohë për këto negociata, koalicioni i Netanyahu-s mbushte axhendën e Knessetit me ligje që do të vononin votimin.

Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, i partive të ekstremit të djathtë, tha se rrëzimi i qeverisë gjatë kohës së luftës do të paraqiste një “rrezik ekzistencial” për të ardhmen e Izraelit.

“Historia nuk do t’i falë ata që e tërheqin shtetin e Izraelit në zgjedhje gjatë një lufte,” tha Smotrich në parlament, duke shtuar se ishte një “nevojë kombëtare dhe për sigurinë” që ultraortodokset të luftonin në ushtri.

Qeveria e Netanyahu-s është një koalicion mes partisë së tij Likud, grupeve të ekstremit të djathtë dhe partive ultraortodokse, të cilat do ta linin qeverinë pa shumicë parlamentare nëse largoheshin./abcnews.al

Izraeli pranon se në Gazë mbështet grup të armatosur kundër Hamasit

7 June 2025 at 15:55

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka pranuar se Izraeli është duke mbështetur një grup të armatosur në Gazë, që kundërshton grupin militant Hamas – të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Mediat izraelite dhe palestineze kanë raportuar se grupi me të cilin është duke punuar Izraeli është pjesë e një fisi beduin vendas të udhëhequr prej Yasser Abu Shababit.

Instituti i quajtur Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, e përshkruan Abu Shababin si lider të “një bande kriminale që operon në zonën Rafah, e cila akuzohet gjerësisht për plaçkitje të kamionëve me ndihma”.

Pjesëtari i Parlamentit izraelit, njëherësh ish-ministër i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, ka thënë për transmetuesin publik Kan që Qeveria, me urdhër të Netanyahut, është “duke i dhënë armë një grupi të kriminelëve dhe të dënuarve”.

“Çfarë ka bërë publike Liebermani? Që bazuar në këshillat e zyrtarëve të sigurisë, ne kemi aktivizuar klane në Gazë që kundërshtojnë Hamasin. Çfarë ka të keqe këtu?”, ka pyetur Netanyahu në një video të publikuar në rrjete sociale.

“Ka vetëm të mira, janë duke u ruajtur jetët e ushtarëve izraelitë”.

Netanyahu pranon se Izraeli ka armatosur grupe rivale të Hamasit

By: Rovena
6 June 2025 at 21:52

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pranuar se vendi i tij ka armatosur klane në Rripin e Gazës, që sipas tij, janë kundërshtarë të Hamasit, pas akuzave se anëtarët e këtyre grupeve kriminale kanë grabitur ndihmat humanitare dhe kanë lidhje me grupe xhihadiste, ka raportuar The Guardian.

Pranimi i përgjegjësisë u bë pas raportimit të disa mediave izraelite që pretendonin se Netanyahu ka miratuar furnizimin me armë të një klani që udhëhiqet nga Yasser Abu Shabab, banor i Rafahut prej familjes Bedouin, i njohur për lidhje kriminale.

Sipas raportimeve, autoritetet izraelite e kanë furnizuar grupin e Abu Shababit, i cili e quan veten “Shërbimi Anti-Terror”, me armë të gjata të tipit Kallashnikov, përfshirë armatim të ngjashëm me atë të Hamasit.

“Bazuar në këshillat e zyrtarëve të sigurisë, aktivizuam klanet në Gaza që janë kundër Hamasit. Çfarë ka të keqe në këtë?” ka thënë Netanyahu përmes një video të shkurtër që e postoi në rrjetet sociale. “Kjo vetëm sa shpëton jetët e ushtarëve izraelitë, dhe ta bësh publike këtë i shërben vetëm Hamasit” .

Kritika të ashpra ndaj nismës kanë ardhur nga partitë opozitare në Izrael.

Në një postim në rrjetin social X, Yair Golan, udhëheqësi i Demokratëve në Kneset (parlamentin izraelit), ka thënë se “Netanyahu përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Izraelit. “Në vend që të arrijë një marrëveshje… të sjellë pengjet në shtëpi dhe të sigurojë qytetarët izraelitë, ai po krijon një bombë të re me kurdisje në Gazë”, ka vazhduar Golan.

Mes tjerash, palestinezët në Gaza shënuan të premten (sot) fillimin e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme në islam, tek u lutën jashtë xhamive dhe shtëpive të shkatërruara, ndërkohë që furnizimet me ushqim po pakësohen.

Pikat e shpërndarjes së ushqimit të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u rihapën të premten përpara se të mbylleshin sërish disa orë më vonë. Puna në këto pika ishte ndalur më herët këtë javë në përgjigje të një serie të shtënash vdekjeprurëse nga ushtarët izraelitë, që të martën vranë të paktën 27 palestinezë dhe plagosën qindra të tjerë ndërsa prisnin për ushqim.

Netanyahu: Hamasi po refuzon planin e SHBA për armëpushim

1 June 2025 at 19:22

Vijojnë reagimet ndaj përgjigjes së Hamasit ndaj propozimit të armëpushimit të SHBA-së.

Benjamin Netanyahu ka thënë se Hamasi po vazhdon të refuzojë planin e të dërguarit të SHBA-së në Lindjen e Mesme, Steve Ëitkoff, për një armëpushim në Gaza.

Netanyahu shtoi se Izraeli do të vazhdojë aksionin e tij në Gaza “për kthimin e pengjeve dhe mposhtjen e Hamasit”.

Ministri i Jashtëm i Izraelit ka reaguar gjithashtu, duke akuzuar Hamasin si përgjegjës për vazhdimin e luftës.

Më herët një zyrtar izraelit tha se Jerusalemi po e trajton përgjigjen e Hamasit ndaj planit si një “refuzim efektiv”.

Netanyahu: Bota duhet të veprojë tani për të ndaluar programin bërthamor të Iranit

31 May 2025 at 22:09

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërkoi sot që unioni ndërkombëtar të ndërmerrte veprime të menjëhershme kundër programit bërthamor të Iranit – pas raportit të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare te Energjisë Atomike (IAEA).

Agjencia zbuloi se prodhimi i uraniumit nga Irani – që është pothuajse i përshtatshëm për armë – ishte rritur gjatë negociatave bërthamore midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Unioni ndërkombëtar duhet të veprojë tani për të ndaluar Iranin”, thuhet në një deklaratë të Netanyahut.

“Teherani tani ka pothuajse 409 kilogramë uranium me një pastërti prej 60% – një rritje prej rreth 49% që nga vlerësimi tremujor i IAEA-s në shkurt”, raportoi organi mbikëqyrës me qendër në Vjenë.

Sipas burimeve diplomatike, rreth 42 kilogramë do të ishin të mjaftueshme për një armë bërthamore nëse ky uranium do të pasurohej në 90%.

“Raporti përforcon fuqishëm atë që Izraeli ka thënë prej vitesh: Qëllimi i programit bërthamor të Iranit nuk është paqësor”, thuhet në deklaratën e Netanyahut.

Ka pasur shumë spekulime rreth përgatitjeve të mundshme izraelite për të sulmuar objektet bërthamore iraniane – për shkak të frikës se ato janë të orientuara drejt prodhimit të armëve – një pretendim i mohuar nga Teherani.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha së fundmi se e kishte paralajmëruar Netanyahun të mos merrte masa që mund të prishnin bisedimet me Iranin mbi programin e tij bërthamor.

Izraeli tërheq të gjithë negociatorët e armëpushimit nga Katari

23 May 2025 at 07:56

Qeveria izraelite do të tërheqë të gjithë ekipin e saj negociator nga bisedimet e armëpushimit në Doha.

Sipas mediave të huaja, anëtarë të nivelit të lartë të ekipit u thirrën në Izrael të martën, me vetëm anëtarët e ekipit të nivelit të punës që mbetën në kryeqytetin e Katarit, sipas informacionit nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Familjet e pengjeve që mbahen ende në Gaza shprehën kritika të forta për këtë veprim.

Pikat e konfliktit midis palëve përfshijnë faktin se grupi palestinez i rezistencës Hamas po kërkon ndërprerjen e armiqësive në këmbim të lirimit të pengjeve të mbetura.

Izraeli do të bjerë dakord me këtë vetëm nëse Hamasi lëshon armët dhe udhëheqja e tij largohet nga Rripi i Gazës.

Netanyahu: Starmer, Macron e Carney janë në anën e gabuar të historisë

22 May 2025 at 22:11

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar të enjten përmes një videoje të postuar në rrjetin social X, se liderët botërorë si kryeministri britanik, Keir Starmer, presidenti francez, Emmanuel Macron e kryeministri kanadez, Mark Carney, janë në anën e gabuar të historisë.

“Ju jeni në anën e gabuar të drejtësisë, ju jeni në anën e gabuar të njerëzimit dhe në anën e gabuar të historisë”, ka thënë Netanyahu.

Ai i kritikoi për kërkesën e menjëhershme për armëpushim në Rripin e Gazës dhe kërcënimin e Izraelit me sanksione, tek i ka akuzuar se po mbështesin Hamasin dhe po e lejojnë të mbijetojë dhe të rindërtohet, shkruan The Guardian.

“Këta tre liderë, në thelb, thanë se duan që Hamasi të mbetet në pushtet. Ata duan që Izraeli të tërhiqet dhe të pranojë që ushtria e vrasësve masivë e Hamasit do të mbijetojë dhe do të rindërtohet”, ka deklaruar Netanyahu.

Netanyahu bisedë telefonike me Trump/ Izraeli: SHBA mbështet qëllimet tona

22 May 2025 at 19:54

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë zhvilluar një bisedë telefonike, ku kanë diskutuar për luftën në Gaza.

Trump shprehu mbështetjen për qëllimet aktuale të Netanyahut në luftën në Gaza si edhe domosdoshmërinë për të parandaluar Iranin për pajisjet me armë bërthamore.

Trump shprehu mbështetjen e tij për objektivat e vendosura nga Netanyahu, lidhur me lirimin e të gjithë pengjeve si edhe eliminimin e Hamasit.

Mes të tjerash, Netanyahu falënderoi homologun e tij amerikan për përpjekjet që ai dhe qeveria e tij po bëjnë për të luftuar manifestimet e antisemitizmit në Shtetet e Bashkuara.

Netanyahu: Zhvendosja e palestinezëve nga Gaza, kusht për t’i dhënë fund luftës

21 May 2025 at 21:27

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në konferencën për shtyp, përsëriti tri kushtet për t’i dhënë fund luftës.

Netanyahu tha se ishte gati të përfundonte luftën nën kushte të qarta që sipas tij do të sillnin sigurinë e Izraelit, të gjitha pengjet të kthehen në shtëpitë e tyre, Hamasi të dorëzojë armët dhe të heqë dorë nga pushteti, si edhe udhëheqja të dëbohet nga Gaza.

Ai u shpreh qartë se zhvendosja e palestinezëve nga Gaza është kusht për t’i dhënë fund luftës.

Fillimisht, siç tha Netanyahu, IDF do të lejojë ndihmën humanitare për të parandaluar një krizë humanitare. Në një fazë të dytë, kompanitë amerikane do të hapin pika shpërndarjeje të ndihmave, dhe në një fazë të tretë, IDF do të zhvendosë banorët në jug të Rripit për të parandaluar infiltrimin e Hamasit.

/abcnews.al/

Netanyahu e pranon se ndjeu trysni nga aleatët për ta lejuar futjen e ndihmave në Gazë

By: Rovena
19 May 2025 at 18:05

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të hënën se vendimin për ta lejuar rifillimin e dërgimit të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës – pas një bllokade disajavore – e mori vetëm pasi aleatët i kishin bërë trysni.

Ai tregoi se aleatët i kishin thënë se nuk do ta mbështesnin Izraelin nëse ka nevojë ta fitojë luftën, në qoftë se vazhdojnë të shohin “pamje të urisë” duke ardhur nga toka palestineze.

Izraeli është dënuar nga agjencitë humanitare të OKB-së dhe nga disa aleatë evropianë, pasi ka ndaluar futjen e mallrave në enklavën e rrënuar nga lufta, përfshirë ushqimin, karburantin dhe barnat.

Izraeli njoftoi të dielën do ta lejohej një sasi “themelore” ndihmash humanitare të hyjnë në Gazë për të parandaluar zhvillimin e “një krize urie”.

Ekspertët e ushqimit kanë paralajmëruar tashmë se bllokada po rrezikonte të shkaktonte uri në Gazë, një territor me rreth 2 milionë banorë.

Gjatë administratës Trump, Shtetet e Bashkuara – aleati kryesor i Izraelit – zakonisht i kanë shmangur kritikat e hapura ndaj Izraelit në luftën e tij kundër Hamasit dhe fajësojnë këtë grup militant për krizën humanitare.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Megjithatë, SHB-ja e ka theksuar gjithnjë e më shumë krizën në Gazë. Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një vizite të fundit në Lindjen e Mesme – vizitë që nuk përfshiu ndalesë në Izrael – shprehu shqetësim për situatën humanitare në Gazë.

Njëlloj veproi edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili gjatë një vizite në Turqi tha se ishte “i shqetësuar” për këtë situatë.

Vendimi për të lejuar ndihmat vjen në një kohë kur Izraeli po e përshkallëzon luftën e tij në Rripin e Gazës, duke thënë se po e bën këtë për të ushtruar trysni mbi Hamasin që ta pranojë një marrëveshje armëpushimi sipas kushteve të Izraelit.

Nën ofensivën e re nga ajri dhe toka, Izraeli planifikon t’i zhvendosë qindra mijëra palestinezë dhe të sigurojë shpërndarjen e ndihmave brenda territorit.

Netanyahu tha të hënën se plani do të përfshijë “marrjen nën kontroll të gjithë Gazës”, dhe një zëdhënës ushtarak urdhëroi evakuimin e qytetit të dytë më të madh të Gazës, Han Junis.

Ushtria izraelite e rifilloi ofensivën në mars, duke e prishur armëpushimin që kishte mundësuar lirimin e më shumë se 30 pengjeve.

Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. Izraeli thotë se 59 pengje mbeten në Gaza, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur.

Lufta e Izraelit i ka vrarë më shumë se 52.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL

Netanyahu: Popullsia e Gazës do të zhvendoset për ofensivën e re

By: Rovena
5 May 2025 at 18:27

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se një ofensivë e re në Gazë do të jetë një operacion intensiv ushtarak që synon mposhtjen e Hamasit, por nuk ka dhënë detaje se sa pjesë e territorit të enklavës do të kapej.

“Popullsia do të zhvendoset, për mbrojtjen e saj”, ka thënë Netanyahu në një video të postuar në “X”.

Ai ka shtuar se ushtarët izraelitë nuk do të shkojnë në Gazë, të nisin sulmet dhe më pas të tërhiqen.

“Qëllimi është e kundërta e kësaj”, ka shtuar ai

Më herët të hënën, dy zyrtarë izraelitë kanë thënë se kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar një plan për të kapur të gjithë Rripin e Gazës dhe për të qëndruar atje për një kohë të papërcaktuar.

Netanyahu zotohet të hakmerret ndaj Houthi për sulmin e fundit në aeroportin izraelit

4 May 2025 at 23:06

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka premtuar se do të hakmerret ndaj Houthi që goditën fillimisht me një raketë aeroportin Ben Gurion pranë Tel Avivit, duke shkaktuar ndërprerjen e shkurtër të trafikut ajror.

“Ne shënjestruam aeroportin Ben Gurion me një raketë balistike hipersonike që goditi me sukses objektivin e saj”, tha Houthi, shkruan the Guardian.

“Ne kemi vepruar kundër tyre në të kaluarën dhe do të veprojmë në të ardhmen … nuk do të jetë vetëm një ‘bum’, por shumë”, paralajmëroi Netanyahu përpara një takimi të kabinetit të sigurisë.

Raketa goditi vetëm disa qindra metra nga terminali kryesor i pasagjerëve.

Gjashtë persona u lënduan.

“Kjo është hera e parë që një raketë bie kaq afër terminalit dhe pistës”, tha një zëdhënës i Autoritetit të Aeroporteve të Izraelit.

Netanjahu: Fitorja ndaj Hamasit, “prioritet kryesor”

By: Rovena
2 May 2025 at 08:10

Sipas mediave izraelite kryeministri Benjamin Netanyahu e konsideron fitoren ndaj Hamasit më të rëndësishme sesa kthimin e pengjeve të rrëmbyera nga grupi terrorist. Lirimi i të dëbuarve është “një qëllim shumë i rëndësishëm”, tha ai, për mediat në Jerusalem. Sipas gazetës izraelite Haaretz “qëllimi përfundimtar”, është fitorja ndaj armiqve të Izraelit.

Sipas informacioneve nga IzraeliRripin e Gazës vazhdojnë të mbahen 24 pengje dhe 35 trupa të të rrëmbyerve. Të afërmit e pengjeve e kanë akuzuar prej kohësh Netanjahun se me operacionet ushtarake rrezikon jetën e atyre që janë rrëmbyer.

Mediat njoftojnë po ashtu se udhëheqja izraelite pritet të vendosë të premten (02.05) për një zgjerim dhe përshkallëzim të sulmeve në Rripin e Gazës.

Zemërimi për deklaratën e Netanyahut

Nëna e njërit prej të rrëmbyeve njoftohet se reagoi me zemërim ndaj deklaratave të Netanyahut: Meqenëse ai ka qëllime më të rëndësishme sesa lirimi i djalit të saj, i cili mbahet prej një viti e gjysmë i lidhur me zinxhirë dhe është i detyruar të pijë ujë nga WC-ja, qëllimi i saj tani është të rrëzojë kreun e qeverisë izraelite në mënyrë që t’i rikthehet djali, tha ajo për mediat.

Edhe Forumi i Familjeve të Pengjeve reagoi me tmerr. Kthimi i të rrëmbyerve nuk është më pak i rëndësishëm, por qëllimi kryesor për të cilin duhet të përpiqet qeveria izraelite, tha ky forum në një deklaratë. Të afërmit e të rrëmbyerve janë të shqetësuar./DW

Netanyahu falënderon Hungarinë për tërheqjen nga GJND

30 April 2025 at 22:37

Netanyahu falënderon Hungarinë për tërheqjen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP).

Aktualisht, Gjykata Penale Ndërkombëtare ka një urdhër arresti për Netanyahun dhe ministrin e tij të mbrojtjes në atë kohë, Yoav Gallant, për veprimet e tyre gjatë luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë të paktën 51,000 njerëz që nga tetori 2023.

Gjatë vizitës së Netanyahut në Hungari në fillim të prillit, Budapesti, një nënshkrues i GJPN-së dhe i lidhur nga urdhër-arrestet e organit gjyqësor, njoftoi se po tërhiqej sepse ishte bërë “politike”.

Shefi i spiunazhit i Izraelit do të japë dorëheqje pas debatit me Netanyahun

29 April 2025 at 07:38

Kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Izraelit, ka dorëzuar dorëheqjen, raporton “BBC”.

Ronen Bar, që ka kryesuar agjencinë Shin Bet, ka thënë se do ta lë postin më 15 qershor.

Ai e njoftoi këtë në një aktivitet përkujtimor për anëtarët e Shin Bet që vdiqën.

Bar ishte përfshirë në një shkëmbim të ashpër akuzash me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e shkarkoi atë muajin e kaluar.

Një apelim në Gjykatën Supreme e pezulloi këtë veprim.

Por, Ronen Bar ka zgjedhur të dorëhiqet.

Ai tha se çdo nëpunës publik që nuk arriti të ndalonte sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit 2023, që edhe shkaktuan luftën në Gaza, duhej ta ulte kokën “me përulësi para atyre që u vranë, u plagosën apo u morën peng dhe të vepronte në përputhje me rrethanat”.

Të dielën, Netanyahu paraqiti një deklaratë nën betim në Gjykatën Supreme ku e akuzoi Barin duke e quajtur gënjeshtar.

Bar në deklaratën e tij e akuzoi Netanyahun se kërkonte besnikëri të tepruar dhe se kishte urdhëruar agjencinë të spiunonte protestuesit antiqeveritarë.

 

Netanyahu urdhëron ushtrinë izraelite të rrisë presionin ndaj Hamasit

20 April 2025 at 15:40

Benjamin Netanyahu ka thënë se ka udhëzuar ushtrinë izraelite që të intensifikojë presionin ndaj Hamasit, pasi grupi militant palestinez refuzoi një propozim të përkohshëm armëpushimi.

Në një fjalim televiziv, kryeministri izraelit tha se ndërsa lufta erdhi me një çmim të rëndë, Izraeli nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të vazhdonte të luftonte për ekzistencën deri në fitore.

Të enjten, Hamasi hodhi poshtë një propozim izraelit për një pauzë të përkohshme në luftime, duke e përshkruar ofertën si “kushte të pamundura”.

Hamasi aktualisht mban 59 pengje, ku 24 prej tyre besohet se janë gjallë. Thotë se do t’i kthejë ata vetëm në këmbim të lirimit të më shumë të burgosurve palestinezë, një tërheqjeje të plotë izraelite nga Gaza dhe një armëpushim të qëndrueshëm, siç kërkohet në marrëveshjen e armëpushimit tashmë të prishur që ishte arritur në fillim të këtij viti.

Vërejtjet e Netanyahu erdhën pasi ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza, tha se sulmet izraelite kishin vrarë më shumë se 90 njerëz në 48 orë.

Hamasi refuzon ofertën izraelite për armëpushim: Nuk pranojmë marrëveshje të pjesshme

18 April 2025 at 07:46

Hamasi ka refuzuar zyrtarisht ofertën e fundit të Izraelit për armëpushim, duke thënë se është i përgatitur të negociojë menjëherë një marrëveshje që do të shihte lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura në këmbim të përfundimit të luftës dhe lirimit të të burgosurve palestinezë.

Në një deklaratë, kryenegociatori i Hamasit, Khalil al-Hayya u shpreh: “Ne nuk do të pranojmë marrëveshje të pjesshme që i shërbejnë agjendës politike të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu”.

Pesëdhjetë e nëntë pengje mbeten në robëri dhe 24 mendohet se janë gjallë. Oferta e fundit e Izraelit përfshinte një armëpushim 45-ditor në këmbim të lirimit të 10 pengjeve.

Deklarata e Macron për njohjen e Palestinës/ Netanyahu: Po bën një gabim serioz

13 April 2025 at 22:21

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka reaguar me kritika ndaj deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron.

Netanyahu është shprehur se Macron po bën një “gabim serioz” duke promovuar idenë e një shtetit palestinez.

“Presidenti Macron po bën një gabim të rëndë duke vazhduar të promovojë idenë e një shteti palestinez në qendër të tokës sonë, një shtet, aspirata e vetme e të cilit është shkatërrimi i Izraelit”, tha Netanyahu.

/abcnews.al/

Kryeministri i Izraelit kundërshton kritikat për luftën në Gaza

By: Rovena
10 April 2025 at 15:34

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë kritikat e disa rezervistë të forcave ajrore për luftën në Gaza. Ata i kanë cilësuar veprimet e kryeministrit izraelit si të pafalshme.

Ushtria izraelite tha se do të shkarkonte rezervistët në shërbim të cilët kishin nënshkruar një letër që kërkonte që kthimi i pengjeve izraelite t’i jepej përparësi ndaj luftimit të Hamasit.

Letra gjithashtu thotë se luftimet aktuale janë të motivuara politikisht dhe do të çojnë në vdekjen e pengjeve, ushtarëve izraelitë dhe civilëve të pafajshëm. Nga ana tjetër ushtria tha se nuk mund të lejonte rezervistët në shërbim të përfshiheshin në protesta politike.

Fuqia ajrore ushtarake e Izraelit, e cila është përdorur gjerësisht në Gaza gjatë 18 muajve të fundit, mbështetet shumë te pilotët rezervistë. Shumica e 970 nënshkruesve të letrës së botuar në gazetat izraelite të enjten në mëngjes janë në pension.

Por raportohet se dhjetëra janë ende personel aktiv. Letra nuk bën thirrje për refuzim të shërbimit, por kërkon “kthimin e të gjithë pengjeve edhe me çmimin e ndërprerjes së armiqësive”.

Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë një mbështetje të gjerë në mesin e publikut izraelit për një armëpushim të ri dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve. Kujtojmë se ushtria izraelite nisi një fushatë për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të një sulmi të paprecedentë ndërkufitar më 7 tetor të vitit 2023, në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Më shumë se 50,880 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas asaj që bën të ditur Ministria e Shëndetësisë dhe Territorit./abcnews.al

“Do njohim Palestinën”/ Macron: Do e bëjmë sepse është e drejtë

9 April 2025 at 23:09

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se Franca mund ta njohë shtetin palestinez në qershor. Ai shtoi se nga ana tjetër, disa vende në Lindjen e Mesme, mund të njohin shtetin e Izraelit.

“Ne duhet të shkojmë drejt njohjes të një shteti palestinez. Dhe kështu gjatë muajve të ardhshëm do ta bëjmë. Nuk po e bëj për të kënaqur askënd. Do ta bëj sepse në një moment do të jetë e drejtë”, tha ai.

Në një intervistë për mediat franceze, Macron tha se objektivi është që në qershor, bashkë me Arabinë Saudite, Franca të kryesojë një konferencë  ku mund të finalizohet lëvizja drejt njohjes reciproke nga disa vende. Franca ka mbrojtur prej kohësh një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez edhe pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga militantët palestinezë Hamas ndaj Izraelit.

Por njohja formale nga Parisi e një shteti palestinez do të shënonte një ndryshim të madh të politikës së jashtme.

Edhe pse Palestina është njohur si një shtet sovran nga pothuajse 150 vende, shumica e fuqive të mëdha perëndimore nuk e kanë njohur, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Japoninë.

Ndër vendet që nuk e njohin Izraelin janë Arabia Saudite, Irani, Iraku, Siria dhe Jemeni. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar njohjen e Palestinës.

❌