Normal view

Luftoi 10 minuta me vdekjen, shpëtoi 3 jetë, historia e 32-vjeçarit nga Elbasani në Ksamil

29 June 2026 at 12:28

Një akt i rrallë guximi dhe humanizmi vjen nga plazhi i Ksamilit, ku 32-vjeçari Denis Luka, punues artistik në bojë dhe patinime, rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar tre persona nga mbytja.
Denisi, me origjinë nga Elbasani, prej dy muajsh po punon në Sarandë. Ditën e ngjarjes ai kishte dalë për të peshkuar, pa e ditur se shumë shpejt do të përballej me një nga sfidat më të mëdha të jetës së tij. “Jam i apasionuar pas peshkimit dhe atë ditë kisha dalë për peshk. Pranë meje erdhi një zotëri së bashku me djalin e tij. Nuk dinin shqip, por po komunikonim në anglisht dhe po kalonim shumë mirë bashkë”, rrëfen Denisi.

Pak më vonë, burri i tregoi se bashkëshortja dhe vajza e tij po laheshin në det, së bashku me një grua tjetër. Në ato momente, deti nisi të ashpërsohej dhe dallgët u bënë gjithnjë e më të forta.
“Pashë që dallgët i kishin spostuar rreth 100 metra larg bregut dhe nuk po arrinin të manovronin. Babai u fut në det, por as ai nuk dinte not. Nuk u mendova dy herë, u hodha menjëherë për t’i shpëtuar”, tregon ai.

Denisi mori një komerdare që ndodhej pranë dhe u nis drejt tyre, por shumë shpejt edhe vetë u përball me rrymën e fuqishme të detit. “Nga rryma humba kontrollin dhe nuk po kuptoja më çfarë po ndodhte. U mobilizuan njerëzit, ndërsa disa varka të vogla po afroheshin për të ndihmuar.”

Pas një beteje dramatike me dallgët, tre personat u shpëtuan. Por heroizmi i Denisit pati një kosto të madhe për të. “Piva shumë ujë dhe kisha probleme me frymëmarrjen. Ambulanca më dërgoi në spital, nga ku dola vetëm dje”, rrëfen ai.

Familja e tij ende nuk kishte mësuar asgjë për ngjarjen deri në momentin e intervistës. “Duhej të dilja nga spitali sot, por nënës i kisha premtuar se do të shkoja të dielën në shtëpi. Ata nuk dinë asgjë për atë që ka ndodhur.”

Momenti i largimit me ambulancë i ka mbetur ende i turbullt në kujtesë. “Më kujtohet vetëm që familja po qante ndërsa po futesha në ambulancë. Unë i kam fëmijët pikë të dobët dhe do ta rrezikoja përsëri jetën për ta.”

Ndoshta nuk është rastësi që Denisi reagoi pa hezitim. Ai vetë ka përjetuar një histori të ngjashme në fëmijëri. “Kur isha 9 vjeç, kam qenë duke u mbytur në Greqi. Deti ishte shumë i rrëmbyeshëm dhe për shkak të peshës së ulët nuk kisha fuqi të notoja.”/abcnews.al

Përplasen në det një mjet lundrues dhe skafi i Policisë Kufitare në Ksamil, një viktimë

15 June 2026 at 19:51

Një aksident i rëndë detar është regjistruar në Gjiri i Ksamilit, ku një mjet lundrues është përplasur me skafin e Policia Kufitare e Sarandës.

Sipas informacioneve paraprake, si pasojë e përplasjes një person ka humbur jetën, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se ambulancat kanë transportuar deri më tani dy persona në urgjencën e Spitali i Sarandës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës ndodhen në zonë, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe verifikimin e bilancit të saktë të personave të përfshirë.

/abcnews.al/

 

VIDEO/ Tornado pranë bregdetit të Ksamilit

By: Rovena
4 June 2026 at 12:49

Ksamili është përfshirë sot nga një fenomen i pazakontë atmosferik, teksa mbi ujërat e detit janë shfaqur vorbulla ajri të ngjashme me tornado, duke krijuar një spektakël të rrallë natyror.

Pamjet janë filmuar nga banorë dhe pushues që ndodheshin pranë plazheve të Ksamilit, ku fenomeni u shfaq për disa minuta mbi sipërfaqen e detit. Vorbullat e ajrit tërhoqën menjëherë vëmendjen e të pranishmëve, të cilët i kanë shpërndarë videot në rrjetet sociale.

Sipas dëshmitarëve, fenomeni u zhvillua larg vijës bregdetare dhe nuk paraqiti rrezik të drejtpërdrejtë për pushuesit. Deri në këto momente nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar.

E rëndë në Ksamil/ Shoferi i dehur përplas fëmijën 2 vjeç

By: Rovena
8 April 2026 at 13:07

E rëndë në Ksamil/ Shoferi i dehur për përplas fëmijën 2 vjeç

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në Ksamil, ku një fëmijë 2 vjeç është përplasur nga një automjet.

Sipas informacioneve të policisë, shoferi, një 48-vjeçar ishte duke drejtuar automjetin ën gjendje të dehur. Nga ana tjetër, fëmijë është dërguar me urgjencë në spital, për të marrë kujdesin mjekësor.

“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit: -A. K., 48 vjeç, banues në Ksamil, i cili, në rrugën “Hasan Tahsini”, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, ka aksidentuar një fëmijë 2 vjeç. I mituri ndodhet në Spitalin e Sarandës, nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.

“Travel and Tour World”: Ksamili, destinacioni ideal për t’u vizituar edhe në sezonin e vjeshtës

29 October 2025 at 07:35

Ksamili, i vendosur në detin Jon të Shqipërisë, vazhdon të tërheqë turistë vendas dhe ndërkombëtarë edhe gjatë vjeshtës, sipas “Travel and Tour World” (TTW).

I njohur për plazhet dhe ujërat e pastra, jashtë pikut të sezonit, Ksamili ofron një mundësi për t’u larguar nga turmat e verës.

Vizitorët mund të shijojnë bukurinë natyrore të zonës dhe motin e ngrohtë me diell edhe në vjeshtë, duke e bërë atë një destinacion të përkryer për pushime relaksuese në plazh.

Pushime relaksuese në Ksamil gjatë sezonit të vjeshtës

Në vjeshtë, Ksamili ofron një lloj bukurie të veçantë. Plazhi dhe ujërat e ngrohta përreth janë shumë më pak të populluara gjatë këtij sezoni krahasuar me muajt e verës.

Dielli i vjeshtës dhe flladi i rehatshëm e bëjnë atë kohën e përkryer për turistët që duan të shijojnë bukurinë e Ksamilit pa turma.

Pamjet piktoreske, atmosfera e ngrohtë dhe mikpritëse, tërheqin ende shumë turistë, edhe gjatë muajve të vjeshtës.

Ksamili është i vendosur në detin Jon ku mbizotërojnë ujërat e pastra blu. Falë mungesës së turmave të mëdha, vizitorët do të kenë një përvojë më të qetë për pushime në plazh. Kjo e bën Ksamilin një arratisje perfekte për familjet.

Ksamili dhe ishujt e tij, destinacion i ri për pushime në vjeshtë

Edhe pse kulmi i aktiviteteve turistike në Ksamil ndodh gjatë verës, zona bregdetare ka regjistruar një rritje të vazhdueshme të vizitorëve – falë atraksioneve dhe aktiviteteve të reja të disponueshme në rajon pavarësisht stinës.

Gjatë muajve të vjeshtës, vizitorët e huaj mund të vizitojnë Ishujt e Ksamilit, të eksplorojnë Parkun Kombëtar të Butrintit dhe shumë atraksione të tjera aty pranë, pa u shqetësuar nga mbipopullimi turistik.

Temperaturat e ngrohta në fillim të vjeshtës, së bashku me detin e qetë, janë tërheqëse për familjet që marrin në konsideratë pushimet në zonën e Ksamilit gjatë muajve të vjeshtës.

Ndërsa fëmijët mund të notojnë dhe të luajnë në plazh – e gjithë familja mund të shijojë natyrën e zonës, vendet kulturore dhe atmosferën e qetë të pushimeve.

Atraksionet dhe aktivitetet në Ksamil

Ksamilit ofron plazhe mahnitëse. Këto thesare natyrore mund të vizitohen edhe gjatë sezonit të vjeshtës.

Shumica e turistëve i konsiderojnë Ishujt e Ksamilit – një grup ishujsh që kufizohen me peizazhin mahnitës dhe të paprekur në rajon.

Të arritshme për vizitorët përmes një udhëtimi me varkë, ato ofrojnë relaks në kufijtë e natyrës.

Ashtu si plazhet, Parku Kombëtar i Butrintit është një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i vendosur shumë pranë Ksamilit.

Me rrënojat e lashta të shpërndara kudo, parku është i pasur me vlera historike dhe u ofron vizitorëve mundësinë për të vlerësuar vendet kulturore dhe arkeologjike.

Temperaturat e ngrohta të vjeshtës e bëjnë më të lehtë përjetimin e mikpritjes dhe ushqimit vendas të Ksamilit.

Kuzhina shqiptare përfshin perime të pjekura në skarë, mish dhe prodhime deti të freskëta në restorantet lokale dhe ato buzë detit.

Shumë restorante u lejojnë klientëve të relaksohen pranë bregdetit dhe të hanë ushqime të shijshme ndërsa shijojnë pamjen e qetë.

Aktivitete në natyrë 

Vjeshta është një periudhë e mrekullueshme për turistët që vlerësojnë natyrën. Në Ksamil, kjo stinë është koha perfekte për ecje në natyrë dhe çiklizëm – për të shijuar bukurinë natyrore të zonës.

Vjeshta është një nga stinët më të këndshme të vitit me gjethet e saj të gjalla dhe temperaturat e ngrohta.

Ligatinat e Butrintit dhe zona përtej saj – janë ideale për shëtitje në natyrë dhe vëzhgim zogjsh, duke e bërë atë një destinacion perfekt ekoturizmi.

Ju mund të shijoni pamjen e ishujve të Jonit – duke u angazhuar në aktivitete si, zhytje, kajak. Paqja dhe qetësia mbizotërojnë mbi të gjithë Jonin.

Udhëtimi në Ksamil

Ksamili është lehtësisht i arritshëm nga kryeqyteti i Shqipërisë, si dhe nga Saranda. Nga Tirana, udhëtimi me makinë për në Ksamil zgjat afërsisht katër orë dhe udhëtimi me makinë nga Saranda është 15 minuta.

Ka autobusë në shërbim që nisen nga qytetet përreth dhe ofrojnë akses të lehtë në zonën përreth Ksamilit.

Ksamili, destinacioni ideal i vjeshtës

Peizazhet marramendëse të Ksamilit, moti i ngrohë i vjeshtës dhe atmosfera relaksuese ofrojnë një mundësi emocionuese për turistët – që kërkojnë pushime të qeta në plazh.

Qoftë duke u relaksuar në atmosferën e plazheve te qeta, duke eksploruar vendet historike të Butrintit, apo duke shijuar gatimet e shijshme vendase, Ksamili ofron një përvojë udhëtimi të pakrahasueshme që integron natyrën, relaksimin dhe historinë.

Udhëtimi për në Ksamil, gjatë muajve të vjeshtës është një mundësi e pakrahasueshme për turistët e huaj – për të përjetuar bukurinë e vijës bregdetare të Shqipërisë në paqe dhe vetmi maksimale.

Digjet një makinë në Ksamil/ Mjeti me targa rumune ishte i parkuar

By: Rovena
14 September 2025 at 20:59

Një makinë është djegur mbrëmjen e kësaj të diele në Ksamil.

Mjeti ishte i parkuar në një lagje të Ksamilit. Sipas burimeve paraprake mjeti ishte me targa rumune. Zjarrfikësja ndodhet në vendngjarje për shuarjen e mjetit. Ende nuk dihet shkaku dhe pronari i mjetit./abcnews.al

Ndërtuan pa leje në tokë publike në Ksamil, 4 të arrestuar, 1 tjetër në kërkim

5 September 2025 at 15:10

Katër persona kanë rënë në pranga për ndërtim pa leje në një tokë publike në Ksamil. Mësohet se janë arrestuar, Ervis Pashaj, Robert Musej, Myqerem Muhametaj, Albano Avda.

Arrestimi i tyre erdhi pasi në rrugën “Riviera”, Ksamil u konstatua ndërtimi i 2 objekteve me konstruksion blloqe betoni, të papërfunduara, në tokë publike, pa leje nga organet kompetente.

Ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi Arbert Pole i dyshuar si personi që i punësoi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.

/abcnews.al/

Dhunuan pronarin e hotelit në Ksamil/ Tre të arrestuar, procedohet dhe një i mitur

20 July 2025 at 09:03

KSAMIL- Policia ka zbardhur ngjarjen e një dite më parë, ku u dhunua fizikisht një 46-vjeçar, pronar i një hoteli në Ksamil.

Për ngjarjen janë arrestuar tre perona, ndërsa një 17-vjeçar është proceduar në gjendje të lirë, për shkak të moshës.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, pranë një plazhi publik në Ksamil, shtetasin Albert Pashaj 46 vjeç, banues në Tiranë, duke i shkaktuar dëmtime trupore.

Gjithashtu, lidhur me këtë ngjarje u procedua penalisht një bashkëshortja e të lënduarit 46-vjeçare, pasi pas konfliktit dyshohet se ka dëmtuar ambientin duke shkatërruar pajisje dhe sende të tjera në “beach bar”-in e shtetasit të arrestuar Agim Taraj.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes./abcnews.al

Po lundronin me jet ski në Ksamil, përplasen me njëri-tjetrin dy vëllezërit francezë

By: Rovena
8 July 2025 at 22:35

Paditen e kësaj të marte në zonën e Ksamilit, duke lundruar jashtë zonës së sigurisë, dy vëllezër francezë dyshohet se, gjatë lëvizjes me jet ski pranë njëri-tjetrit.

25-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues, duke u përplasur me mjetin lundrues të vëllait të tij, i cili është rrëzuar në ujë dhe ka pësuar dëmtime.

Pas ndihmës së parë të dhënë nga Njësia Policore Detare Sarandë, 22-vjeçari, vëllai tjetër është transportuar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga ana e Policisë Kufitare Sarandë është bërë bllokimi i dy mjeteve lundruese (jet ski) dhe do të kryhen verifikimet për shkeljet e konstatuara dhe në vijim do të merren masat administrative përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, ndaj dy pronarëve të këtyre mjeteve.

Ndërkohë, grupi hetimor në Komisariatin e Policisë Sarandë po kryen veprimet procedurale dhe hetimore, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

Nën masa të rrepa sigurie, mbërrijnë materialet zgjedhore në Delvinë dhe Sarandë

6 May 2025 at 17:56

Nën masa të rrepta sigurie, kanë mbërritur në KZAZ nr 90 Delvinë materialet zgjedhore. Gjithashtu janë shoqëruar edhe nga mjetet e ushtrisë dhe forcat e policisë.

KZAZ nr. 90, Bashkia e Delvinë ka 22 Qendra Votimi. 12 në qytet dhe 10 në rrethinat e bashkisë.

Pas mbërritjes së materialeve zgjedhore, policia do të qëndrojë në gatishmëri të plotë për ruajtjen e tyre në oraret e përcaktuara nga autoritetet deri në momentin e shpërndarjes në qendrat e votimit.

Ditën e shtunë, sipas ligjit, do nisë shpërndarja e materialeve zgjedhore. KZAZ 90, Delvinë ka tashmë të ngritur edhe komisionin të përbërë nga Kryetari i PS dhe 7 anëtarë dhe 1 sekretar.

Gjithashtu mësohet se edhe në KZAZ nr 91 Sarandë materialet zgjedhore, kanë mbërritur nën masa të rrepta sigurie, shoqëruar nga mjetet e ushtrisë dhe forcat e policisë.

KZAZ nr. 91, Bashkia e Sarandë ka 53 Qendra Votimi. 35 në qytet, 8 në Nj.A Ksamil dhe 10 në rrethinat e bashkisë.

Ditën e shtunë, sipas ligjit, do nisë shpërndarja e materialeve zgjedhore. KZAZ 91 Sarandë ka tashmë të ngritur edhe komisionin të përbërë nga Kryetari i PD, 7 anëtarë dhe sekretari.

/abcnews.al/

Tentuan të vidhnin lekë në kishën e Ksamilit dhe rrahën rojen/ Arrestohen dy persona në Sarandë, autorë të 5 vjedhjeve

2 February 2025 at 11:35

Janë arrestuar nga policia e Sarandës dy persona, të cilët tentuan të vidhnin sende dhe vlera monetare në kishën e Ksamilit dhe rrahën rojen.

Mësohet se dy të arrestuarit janë dhe autorë të vjedhjes së 5 banesave në fshatrat e Bashkisë Finiq.

Njoftimi i Policisë: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fortuna”.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, lokalizohen dhe arrestohen dy shtetas që tentuan të vidhnin sende dhe vlera monetare në kishën e Ksamilit dhe ushtruan dhunë ndaj rojes.

Dy të arrestuarit të dyshuar dhe si autorë të vjedhjes së 5 banesave në fshatrat e Bashkisë Finiq.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë pas marrjes së njoftimit, më datë 01.02.2025, rreth orës 17:00, se dy persona po tentonin të vidhnin sende dhe vlera monetare në një kishë në Ksamil, kanë organizuar punën dhe janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes.

Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, në kuadër të operacionit “Fortuna”, u kapën në flagrancë gjatë përpjekjes për t’u larguar, dy autorët e dyshuar, shtetasit:

  • 39 vjeç, banues në Sarandë;
  • 49 vjeç, banues në Sarandë.

Gjatë tentativës për vjedhje, dy autorët e dyshuar kanë dëmtuar objekte brenda kishës dhe kanë dhunuar fizikisht rojen e kishës.

Nga hetimet rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, për të cilët vijon puna për identifikimin dhe kapjen, janë autorë edhe të vjedhjes së pesë banesave në fshatrat e Bashkisë Finiq, ku kanë vjedhur sende të ndryshme dhe vlera monetare.

Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprat penale “Shkatërrimi ose dëmtimi i objekteve të kultit” dhe “Vjedhja me dhunë”, të kryera në bashkëpunim./abcnews.al

❌