Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 January 2026Abc News

Bordi i Paqes, Beqa: Përpjekje për ta personalizuar sigurinë globale në duart e Trump

By: Rovena
19 January 2026 at 20:53

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar Kryeministrit Edi Rama një ftesë për t’iu bashkuar Bordit të Administrimit të Paqes në Gaza, një nismë e re me pretendime për ndikim ndërkombëtar. Lajmi u komentua në emisionin “Real Story” në ABC News nga Mentori Beqa, i cili theksoi se ende nuk është marrë një vendim nëse Shqipëria do të bëhet pjesë e këtij bordi, pasi procesi parashikohet të jetë i gjatë dhe i ndërlikuar. Sipas tij, Bordi i Paqes për Gazën është një strukturë e re e mandatuar nga Kombet e Bashkuara, me SHBA-në dhe Presidentin Trump në krye, fillimisht me afat deri në vitin 2028, por me synime më të gjera për trajtimin e konflikteve në nivel global. Shqipëria renditet mes rreth 99–100 vendeve të ftuara për t’u përfshirë në këtë iniciativë.

” Nuk është vendosur akoma nëse Shqipëria do të jetë anëtare e bordit, është një procedurë e gjatë. Kemi një tjetër bord që quhet Bordi Ekzekutiv i Gazës, është një pjesë e Bordit të Paqes. Paskatësia e dytë është  që Kombet e Bashkuara kanë mandatuar SHBA dhe Presidentin Donald Trump për të ndërtuar Bordin e Paqes për Gazën me një mandat të përcaktuar kohor deri në vitin 2028. Në këtë kontekst nuk kemi të bëjmë me një bord me afat kohor të përcaktuar, por kemi të bëjmë me një bord paqeje që synon të trajtojë konfliktet në nivel global. Pra është organizatë për paqen globale paralele me OKB-në, është vlerësim i OKB-së. Është një përpjekje për të personalizuar sigurinë globale në duart e Presidentit Trump. Kemi të bëjmë me një institucion i ri ndërkombëtar me një organizatë, e cila është tërësisht personale. Do të organizohet nga Trump edhe kur të mos jetë më president. Shqipëria është një prej 99-100 vende për të qenë pjesë e Bordit të Paqes”, tha Beqa.

Vizat, “Shqiptarët abuzojnë me mbrojtjen sociale”/ Bimo: Droga nga Venezuela, problem ishujt që pastrojnë paratë

19 January 2026 at 20:42

Ish-ambasadori Roland Bimo tha për Real Story se problemi mes shqiptarëve dhe vizave amerikane është se një pjesë e madhe abuzojnë me mbrojtjen sociale, si mugon ndërgjegja qytetare.

Bimo tha se ardhja e Donald Trumpit në pushtet është një “përmbysje e madhe” dhe se në Shqipëri ka një “përzierje groteske”. Ai shtoi se shumë pak është folur për arsyet e përfshirjes së vendeve në rastin e Venezuelës dhe për rrugët e pastrimit të parave, duke theksuar se problemi real shfaqet kur paratë pastrohen nëpër banka.

“Ne kemi një dobësi të brendshme që fajin e hedhin gjithmonë te të tjerët. Në këtë rast, fajin e kanë vetëm njerëzit tanë që shkojnë dhe abuzojnë me mbrojtjen sociale. Në Amerikë kjo është pak më e ndjeshme; për mua ka qenë edhe në kohën kur isha në detyrë, kur më bëhej e ditur se sa përqindje e shqiptarëve do të përpiqeshin të mbanin emrin shqiptar. Nëse ke qenë i keqpërdorur nga opozita, nuk duhet të tejkalohet nga ata. Nuk mund të them se Serbia nuk është në atë listë sepse reagon.

Ishte një koment në shtypin tonë që e kishte këtë narrativë, por nuk qëndron, sepse është çështje statistikash; ata kanë edhe pak më shumë ndërgjegje qytetare krahasuar me ne. Tek ne nuk i intereson se çfarë dëm i bëhet gjësë së përbashkët. Shumë pak intelektualë apo specialistë kanë mundësi të shpjegojnë se çfarë po ndodh në botë.

Ardhja e Trumpit është një përmbysje e madhe. Në Shqipëri kemi një përzierje groteske; mundohemi të jemi njësoj, por janë masa që nuk shkojnë. Shumë pak është folur pse shkuam në Venezuelë, pse droga shitet dhe pse emri i parave është zero. Kur pastrohen nëpër banka, atëherë është problemi.

Shqetësimi janë ishujt ku qarkullojnë paratë: 5 për qind e kokainës shkon në SHBA, sasia tjetër shkon në Evropë dhe Britani, por këta ishuj kontrollohen nga City of London, dhe këtu lind një pikëpyetje e madhe.”  / abcnews.al /

Rama merr ftesë nga Trump, Berisha ‘non grata’/ Mërtiri: Opozita e kalbur, kapet pas “gjetheve” për të mbijetuar

By: Rovena
19 January 2026 at 20:33

Trump i ka dërguar Kryeministrit Edi Rama një ftesë për t’iu bashkuar Bordit të Administrimit të Paqes në Gaza, një nismë e re me ndikim ndërkombëtar. Duke komentuar deklaratën e një gazetare se Rama arrestohet me 20 janar, analisti Ergys Mërtiri u shpreh se këto janë deklarata të pavërtetë që nuk janë aspak të bazuara. Duke përmendura edhe opozitën, e aq më tepër liderin e saj Sali Berisha, Mërtiri tha se opozita e kalbur tenton të kapët pas gjetheve për të mbijetuar.

“Nëse unë nuk kam burime të cilat nuk i citoj dot unë nuk mund ta them. Parimisht ti nuk mund të thuash gjëra të cilat nuk mund t’i mbrosh dot. Aq më tepër gjëra që do të vërtetohen. Po këtë sëmundje shqiptarët kanë pasur prej kohësh dhe këtu është i vetmi vend që bëhet politikë me gjëra të cilat i di vetëm unë që i them. Berisha deri më dje ishte sovranist, sot është bërë servil. Nëse Berisha është ‘non grata’, dosja e tij ka filluar që para Trump, sistemi në drejtësi po ashtu ka filluar që para kohës së Trump.

Deri dje PD nuk na sjell Amerika ë pushtet, po votat e shqiptare, kurse në zgjedhjet e 11 majit tha që na sjell në pushtet LaCivita e Trump. A ka thënë që Trump që jemi kundër Ramës?! Loja politike është shumë e vogël. Lajmet për arrestimin e tij në SHBA, janë të pabaza. Nuk merren me çështje të qeverisjes apo të korrupsionin, por me të pavërteta dhe telenovela. Narrativa ka shkuar shumë ulët. Opozita është e kalbur dhe kapet pas gjetheve për të siguruar mbijetesën. Gënjeshtër pas gënjeshtre telenovelë”, tha analisti.

‘Vdes’ Ramaduro/ Minxhozi: Rama kaloi 2 kriza të mëdha politike. Mërtiri: Maduro dhe Rama, vija paralele. Berisha thotë përralla

19 January 2026 at 20:19

Analisti politik Skënder Minxhozi tha për Real Story se kryeministri Rama ka kaluar dy kriza të mëdha politike, atë të dorëzimit të mandateve dhe Çadrën, gjatë mandatit të parë të presidentit Trump.

Sipas Minxhozit, opozita është përpjekur t’i shfrytëzojë këto ngjarje për të krijuar kapital politik, por paralelja mes Tiranës dhe Karakasit, sipas tij, është e pamundur.

“Nën qeverisjen e Trumpit, Rama kaloi pa i hyrë gjemb në këmbë dy nga krizat më të mëdha politike: atë e ‘Çadrës’ dhe bojkotin.

Opozita është munduar t’i shfrytëzojë këto ngjarje për të krijuar kapital politik, por paralelja midis Karakasit dhe Tiranës është e pamundur. Kjo narrativë do ta shoqërojë opozitën për sa kohë ajo udhëhiqet nga liderët e vjetër.”

Analisti Ergys Mërtiri deklaron se Sali Berisha lidh ngjarjet globale me çështjen e tij personale dhe krijon narrativa të pabaza. Ai thekson se arrestimi i Maduros nuk ka lidhje me Ramën, ndërsa pretendimet se Rama do të arrestohet dhe Berisha do të vijë në pushtet janë “përralla pa sens”.

“Dy gjëra vlen të theksohen: mënyra se si e përdor Rama këtë situatë dhe gjendja në të cilën ndodhet Berisha. Për mua, Rama nuk ka merita, sepse SHBA-së i duhet Shqipëria. Ai përfiton personalisht, pasi kundërshtari që ka përballë artikulon narrativa dhe ‘përralla’ që i modifikon sipas interesit.

Berisha ka një tundim për ta lidhur hallin e vet me shumë ngjarje: sa herë ka revolta në botë, thotë se “po fryn era” dhe se çdo gjë që ndodh në glob ka lidhje me Berishën. Gjithçka është një përrallë pa sens. Arrestimi i Maduros nuk ka asnjë lidhje me Ramën, vija paralele. Berisha thotë se Rama do të arrestohet dhe se ai do të vijë në pushtet.”  / abcnews.al /

Zjarri në qendrën tregtare në Pakistan, shkon në 21 numri i viktimave, mbi 60 persona ende të zhdukur

19 January 2026 at 19:35

Numri i të vdekurve nga një zjarr vdekjeprurës që shpërtheu të shtunën në një qendër tregtare në Karaçi, te Pakistanit, ka shkuar në 21, sipas një përditësimi të ri nga autoritetet.

“Janë gjetur gjithsej 21 trupa dhe kërkimet janë duke vazhduar”, tha sot për AFP-në Hassan Khan, kreu i shërbimeve të shpëtimit, ndërsa fati i rreth 60 personave është ende i panjohur.

Zjarri shpërtheu natën e së shtunës në qendrën tregtare shumëkatëshe Gul Plaza dhe flakët vazhduan për më shumë se 24 orë, duke penguar përpjekjet e shpëtimit në zonën e dendur të populluar.

Pas orësh përpjekjesh për shuarjen e zjarrit, zjarrfikësit filluan dje, të dielën, të përpiqen të ftohin mbeturinat dhe t’i pastrojnë ato, megjithëse shqetësimet po rriten se njerëzit mund të jenë ende të bllokuar nën gërmadha.

Zjarrfikësit thanë se ndërtesa, e cila strehon më shumë se 1,200 dyqane, nuk kishte ventilim, duke e mbushur qendrën tregtare me tym të dendur dhe duke ngadalësuar përpjekjet e shpëtimit për të arritur njerëzit e bllokuar brenda.

“Duket se është shkaktuar nga një qark i shkurtër”, u tha gazetarëve në vendin e ngjarjes të mërkurën shefi i policisë së provincës Sindh, Javed Alam Odo, duke shtuar se planimetria e qendrës tregtare dhe prania e materialeve të ndezshme si qilimat dhe batanijet nënkuptonin se zjarri vazhdonte të digjej në disa zona.

Deri të dielën në mbrëmje, pjesë të mëdha të ndërtesës ishin shembur. Shpëtuesit paralajmëruan se struktura e mbetur ishte e paqëndrueshme dhe mund të shembet e gjitha.

Sipas shërbimeve të shpëtimit, autoritetet u njoftuan për herë të parë për zjarrin në orën 22:38 të shtunën, kur u informuan se dyqanet në katin përdhes ishin përfshirë nga flakët. Kur mbërritën zjarrfikësit, flakët ishin përhapur tashmë në katet e sipërme, duke mbuluar pjesën më të madhe të ndërtesës.

Shitësit e dyqaneve dhe banorët u thanë mediave lokale se reagimi i vonuar i zjarrfikësve, si dhe mungesa e ujit dhe pajisjeve, penguan përpjekjet fillestare për të shuar zjarrin.

Sulme me peshkaqenë në Sidnei, dy persona në gjendje të rëndë

By: Rovena
19 January 2026 at 19:16

Dy persona, përfshirë një djalë 12-vjeçar, raportohet se janë në gjendje kritike për jetën pas sulmeve të ndara nga peshkaqenët në Sidnei, Australi, incidenti i tretë brenda dy ditësh.

Djali ishte duke notuar me miqtë vonë të dielën pasdite, pranë plazhit Shark në Vaucluse, kur u kafshua.

Policia tha se ai u nxor nga uji nga miqtë dhe shërbimet e urgjencës me lëndime të rënda në të dyja këmbët.

“Ai është në betejë me jetën tani”, tha policia e vendit.

Dy incidente të tjera u raportuan gjithashtu në Sidnei. Australia sheh rreth 20 sulme peshkaqenësh në vit, me pak më pak se tre prej tyre që janë fatale, sipas të dhënave nga grupet e ruajtjes së natyrës – numra që janë shumë më të vogël nga mbytjet dhe aksidentet e tjera në plazhet e vendit.

Aksidentohet autobusi i shkollës në Afrikën e Jugut, humbin jetën 13 fëmijë

19 January 2026 at 19:11

Një kamion dhe një minibus shkolle janë përplasur këtë të hënë, në provincën Gauteng të Afrikës së Jugut, duke lënë të paktën 13 fëmijë të vdekur.

Associated Press shkruan se të paktën 11 nxënës kanë humbur jetën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë në spital nga plagët e marra.

Mjeti privat po transportonte nxënës drejt shkollave fillore dhe të mesme në jugperëndim të Johannesburgut, kur incidenti ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit.

Dëshmitarët thanë se minibusi që mbante fëmijët po parakalonte automjete të ndaluara kur u përplas kokë më kokë me kamionin. Policia tha se ngjarja po hetohet dhe se shoferi i kamionit do të merret në pyetje.

Ministri i departamentit provincial të arsimit, Matome Chiloane, u tha gazetarëve se edhe shoferi i autobusit të shkollës do të hetohet për mundësinë e drejtimit të pakujdesshëm.

Shërbimet e emergjencës në Gauteng transportuan pesë pacientë në Spitalin Sebokeng, ndërsa dy të tjerë u dërguan në Spitalin Kopanong për kujdes të mëtejshëm mjekësor. Edhe shoferi i autobusit u plagos dhe ishte mes të dërguarve në spital.

Prindërit u panë duke qarë pa kontroll në vendin e aksidentit, ndërsa shërbimet e emergjencës po mblidhnin libra dhe materiale shkollore.

Presidenti Cyril Ramaphosa shprehu trishtimin e tij për humbjen e jetëve, duke thënë se autoritetet kombëtare dhe provinciale do t’u ofrojnë familjeve dhe shkollave mbështetjen e nevojshme psikosociale.

Fëmijët tanë janë pasuria më e çmuar e kombit dhe ne duhet të bëjmë gjithçka, nga respektimi i rregullave të qarkullimit deri te cilësia e shërbimeve të transportit,” tha Ramaphosa.

Ministrja e arsimit bazë të vendit, Siviwe Gwarube, tha se shumë aksidente që përfshijnë transportin e nxënësve shkaktohen nga gabimet e shoferëve. Ajo gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve të transportit të sigurojnë që mjetet e ngarkuara me transportin e fëmijëve të jenë të përshtatshme për qarkullim.

Dëmshpërblime për familjet e përmbytura/ Ministri i Bujqësisë: Po kryhet verifikimi i dëmeve

By: Rovena
19 January 2026 at 19:04

Fermerët e dëmtuar nga përmbytjet do dëmshpërblen nga paketa financiare e qeverisë shqiptare.

Nga Pogradeci, Ministri i Bujqësisë Andis Salla tha se pas përfundimit të procesit të evidentimit të dëmeve nga grupet e punës në terren, do hartohet bilanci përfundimtar që do i përcillet qeverisë.

Ministri theksoi se dëmshpërblimi do të përfshijë të gjithë fermerët e prekur, ndërsa paralelisht po zhvillohen dëgjesa publike për skemat kombëtare të mbështetjes.

Dëgjesa publike e radhës do të zhvillohet në Korçë, një prej zonave me dëme të konsiderueshme në kultura bujqësore.

Industria e modës ‘në zi’/ Ndahet nga jeta stilisti i njohur italian Valentino Garavani

19 January 2026 at 18:14

Stilisti i famshëm italian i modës, Valentino Garavani, ka ndërruar jetë, ka njoftuar të hënën fondacioni i tij. Ai ishte 93 vjeç.

“Valentino Garavani u nda nga jeta sot në rezidencën e tij në Romë, i rrethuar nga njerëzit e tij më të dashur,” thuhet në njoftimin e fondacionit të publikuar në Instagram.

Sipas njoftimit, homazhet në nderim të stilistit do të mbahen të mërkurën dhe të enjten, ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet të premten në Romë, në orën 11:00.

Valentino Garavani konsiderohet një nga figurat më ikonike të modës botërore, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në industrinë e modës.  / abcnews.al /

Zbulohet një tjetër “shtëpi bari” në Sarandë/ Dyshohet për të njëjtin grup kriminal

By: Rovena
19 January 2026 at 18:11

Sarandë, zbulohet një tjetër “shtëpi bari”. Operacioni në vijim e sipër në lagjen nr. 2 të qytetit në kryqëzimin e rrugëve “Adem Sheme” dhe “Pandeli Boçari”. Një apartament në një pallat disakatësh ishte përshtatur  për kultivimin e brendshëm të bimëve të marijuanës.

Policia dyshon se pas këtij  apartamenti fshihet i njëjti  grup që ka lidhje edhe me një tjetër  “shtëpi bari” të zbuluar mbrëmjen e 10 janarit në lagjen nr.1 në rrugën. “Butrinti” ku u arrestua një person dhe një tjetër u shpall në kërkim.

Trump: Evropa duhet të fokusohet në Ukrainë, jo në Groenlandë

19 January 2026 at 17:55

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Evropa duhet të përqendrohet në luftën në Ukrainë dhe jo në çështjen e Groenlandës, duke këmbëngulur se do të zbatojë planin e tij për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane.

Në një intervistë të shkurtër telefonike për rrjetin amerikan informativ, Trump tha se do t’i godasë “100 për qind” vendet evropiane me tarifa, nëse nuk arrihet një marrëveshje lidhur me Groenlandën.

“Evropa duhet të fokusohet në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, sepse, sinqerisht, po shihni se çfarë u ka sjellë kjo atyre,” ka thënë Trump.

“Kjo është ajo në të cilën duhet të përqendrohet Evropa – jo Groenlanda.”

I pyetur nëse do të përdorte forcën për të marrë nën kontroll Groenlandën, Trump është përgjigjur shkurt: “Pa koment”.

Trump ka komentuar gjithashtu edhe çështjen e Çmimit Nobel për Paqe, duke hedhur poshtë pretendimet se Norvegjia nuk ka ndikim në vendimmarrje dhe se vendimi u takon vetëm anëtarëve të komitetit.

Ai përmendi edhe një letër të mëhershme, të cilën ia kishte dërguar kryeministrit norvegjez, ku shprehej se nuk ndihej më i detyruar “të mendonte vetëm për paqen”, pasi nuk ishte nderuar me Çmimin Nobel për Paqe.

“Norvegjia e kontrollon plotësisht këtë çmim, pavarësisht asaj që thonë. Ata pëlqejnë të thonë se nuk kanë asnjë lidhje me të, por në fakt kanë gjithçka në dorë,” ka deklaruar Trump.

/ abcnews.al /

“Reformat, ju presim deri javën e ardhshme”, Balla: Ëndrrat në diell thuaja krushqve në orën 6 se me ne ke mbaruar punë

By: xhir jeta
19 January 2026 at 17:48

Ndërsa mori fjalën në seancë plenare, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh i qartë me opozitën kur tha se kanë kohë deri javën e ardhshme për t’u ulur sa i takon reformës territorial dhe asaj zgjedhore në të kundërt maxhoranca do të veprojë e vetme.

“Sa i përket objektivave, dëgjojeni mirë kohë për të humbur me ju ne kemi zero. Nguliteni mirë. Doni të vini të bëjmë reformën administrative territoriale jeni të mirëpritur nëse deri në javën e ardhshme nuk paraqiteni në komision ne do të bëjmë ndryshimin e vendimit sepse po shkelni në mënyrë të njëanshme.

Doni reformë zgjedhore, jeni të mirëpritur deri javën e ardhshme, nëse nuk vini, në 2014 e kemi bërë edhe pa ju reformën administrative, në 2020 e kemi bërë edhe pa ju reformën zgjedhore. Tre gjëra mbajini mirë në mend, zgjedhjet e ardhshme lokale janë diku në mes 15 prillit dhe 15 majit 2027.

Zgjedhjet e përgjithshme janë diku mes 15 prillit dhe 15 majit 2029 këto ëndrrat në diell shko thuaja atyre krushqve tani në orën 6 se me ne ke mbaruar punë. Ti edhe qyqarët që të vijnë nga mbrapa.” u shpreh Balla./abcnews.al

Kontrolle gjyqtarit/ RMV, fshehu paratë në mur, 350 mijë euro në banesën e prindërve

19 January 2026 at 17:37

Gjykatësit maqedonas Gjoko Ristov i janë gjetur 350 000 euro në murin e shtëpisë së prindërve të tij. Zbulimi ka ardhur pas një aksioni të policisë financiare në vendin fqinj.

“Në kuadër të një hetimi që po e udhëheq Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjatë fundjavës së kaluar është realizuar një bastisje në një lokacion në Negotinë. Veprimet janë zhvilluar nën drejtimin e Drejtorisë së Policisë Financiare, në koordinim me prokurorin publik kompetent.”-njofton ministria e brendshme.

Gjykatësi Ristov është në detyrë në Gjykatën e Apelit në Shkup, ndërsa ndaj tij rëndojnë veprat penale: Fitim i kundërligjshëm dhe fshehje e pasurisë.

Për 350 000 eurot e gjetura ekzistojnë dyshime se rrjedhin nga veprimtari të paligjshme të lidhura me korrupsion dhe tregti me ndikim-njofton Policia Financiare.

Emri i gjyqtarit Gjoko Ristov më herët ishte lidhur me Fehmi Stafën, ish-avokat i popullit, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim për shkak të dyshimeve se ka marrë 50.000 euro ryshfet.

Gjoko Ristov është në kërkim, ndërsa për vendndodhjen e tij nuk ka ende të dhëna.  / abcnews.al /

Shqipëria ftohet në Bordin e Paqes/ Balla: Edhe ndaj këtij lajmi të mirë u ngrit armata e qyqarëve

By: Rovena
19 January 2026 at 17:35

Sesioni i ri parlamentar nisi me zakonin e vjetër. Gjatë fjalës së tij kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ironizoi opozitën duke thënë se nuk e harron zakonin e vjetër edhe në këtë moment mjaft pozitiv për Shqipërinë, pas ftesës së Trump që kryeministri Edi Rama të marrë pjesë Bordin e Paqes.

“Vit të mbarë, edhe pse është një vit i ri shohim prapë zakonin e vjetër, me shpresën që koha do u bëjë të reflektoni. Sesioni mblidhet në një moment tejet pozitiv dhe krenarie të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, siç është ftesa e Trump, i cili e ka ftuar personalisht kryeministrin Edi Rama dhe Shqipërisë të bëhet pjesë e Bordit të Paqes.

Do vlerësoja maksimalisht që Partia Demokratike, apo që ka mbetur ta vlerësojë këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë. Fatkeqësisht edhe për ngjarje të tilla me peshë të madhe, edhe për Shqipërinë tonë, edhe ndaj këtij lajmi për emrin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve nëpër botë u ngrit përsëri armata e qyqarëve”, tha Balla./abcnews.al

“Shqipëria sot në një fazë të re”, Peleshi: Axhenda integruese në BE, do të jetë kryefjala e këtij sesioni

By: xhir jeta
19 January 2026 at 17:32

“Axhenda integruese në Bashkimin Europian, që do të jetë kryefjala edhe në këtë sesion të ri”, kështu u shpreh kryeparlamentari Niko Peleshi, në nisje të seancës plenare, e para për këtë.

Fjala e Kreut të Kuvendit, Niko Peleshi: 

“Në këtë Kuvend na ka sjellë besimi i qytetarëve nga të gjitha anët e vendit.

Ata presin që ne të mbajmë parasysh interesat e tyre dhe interesat e vendit, kur propozojmë apo miratojmë ligje.

Të rinjtë duan të binden se e nesërmja për ta është më e mirë këtu sesa çdo opsion tjetër.

Të moshuarit duan të sigurohen se mundi i viteve të punës do të shpërblehet me ditë të bardha.

Qytetarët, në qytet apo në fshat, kërkojnë siguri dhe standarde gjithnjë e më të mira të shërbimeve publike dhe të infrastrukturës.

Axhenda integruese në Bashkimin Europian, që do të jetë kryefjala edhe në këtë sesion të ri, ka potencial të jashtëzakonshëm për të dhënë përgjigje ndaj sfidave të shoqërisë shqiptare dhe për t’u kthyer në një narrativë kombëtare entuziaste.

Ky sesion nuk është thjesht vazhdim i një kalendari.

Është një provë e dytë – provë e pjekurisë sonë parlamentare, e standardeve që pret shoqëria prej nesh dhe e aftësisë për ta kthyer momentin europian të Shqipërisë në ligje të mira, institucione më të forta dhe një dialog politik më dinjitoz.

Gjatë sesionit të parë u përballëm me një ngarkesë të konsiderueshme pune dhe një axhendë të ngjeshur ligjvënëse e mbikëqyrëse.

Por, le ta pranojmë me sinqeritet, krahas volumit të punës, kemi pasur shpesh edhe një ngarkesë të tepruar politike, larg funksionit tonë dhe larg nevojave reale të qytetarëve.

Kjo është arsyeja pse sesioni që çelim sot kërkon një kthesë të vogël në stil dhe një kthesë të madhe në rezultate.

Në vitin që vjen do të ketë më shumë ligje për të shqyrtuar, më shumë detyra për komisionet, më shumë raporte dhe kontroll, më shumë monitorim të reformave dhe më shumë pritshmëri nga publiku. Do të ketë edhe më shumë sfida politike, por detyra jonë është ta mbajmë Kuvendin në rolin e vet: një institucion që prodhon zgjidhje dhe standarde, jo zhurmë.

Gjatë sesionit të kaluar zhvilluam 18 seanca plenare, miratuam 41 ligje dhe 59 vendime. U zhvilluan 2 interpelanca dhe 2 mocione me debat. Deputetët e shumicës mbajtën 229 diskutime me kohëzgjatje rreth 40 orë, ndërsa deputetët e opozitës 330 diskutime me kohëzgjatje rreth 48 orë.

Falënderoj të gjithë kolegët deputetë, administratën parlamentare dhe strukturat mbështetëse, sepse, pavarësisht tensioneve, ky Kuvend ka vijuar të funksionojë, të vendosë dhe të prodhojë.

Por këtë vit na duhet diçka më shumë: më shumë fokus dhe më shumë disiplinë ndaj axhendës europiane.

Një parlament europian nuk matet vetëm me numrin e ligjeve që miraton, por edhe me kulturën që përçon.

Ne nuk mund të kërkojmë standarde europiane nga shoqëria, nëse brenda kësaj salle nuk vendosim standarde të reja të sjelljes dhe të respektit institucional.

Për këtë arsye, dua ta ritheksoj qartë: gjuha e urrejtjes, fyerjet, personalizimi i debatit, nënçmimi dhe përbaltja nuk mund të normalizohen dhe nuk mund të shiten si “politikë e fortë”.

Nuk janë forcë. Janë dobësi. Një dobësi që parlamentet e vendeve të Bashkimit Europian e kanë lënë pas prej dekadash.

Si Kryetar i Kuvendit, do të vazhdoj ta ushtroj detyrën me përkushtim dhe paanësi, me bindjen se shumica dhe pakica dallojnë nga fuqia vendimmarrëse, por jo nga të drejtat, jo nga mundësitë për të folur, jo nga qasja në proces dhe jo nga respekti institucional që meriton secili deputet.

Kjo është baza e një Kuvendi që fiton autoritet. Europa ka qenë fokusi kryesor i veprimtarisë sonë dhe do të mbetet i tillë.

Shqipëria sot është në një fazë të re: faza ku nuk flasim më vetëm për “rrugëtim”, por për “hyrje”. Nga proces integrimi, në proces anëtarësimi.

Ky ndryshim kërkon më shumë përgjegjësi, më shumë koordinim institucional dhe një konsensus politik më të gjerë për çështjet strategjike.

Objektivi ynë është i qartë: mbyllja e negociatave teknike brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi brenda kësaj dekade.

Në këtë kuadër, Kuvendi duhet të bëjë dy gjëra njëkohësisht:

– të përshpejtojë përafrimin ligjor, pa komprometuar cilësinë e ligjit;

– të rrisë kontrollin mbi zbatimin, sepse në Bashkimin Europian nuk mjafton të miratosh, duhet të provosh se ligji funksionon.

Kjo do të thotë që sesioni i ri duhet të jetë sesioni ku kontrolli post-legjislativ bëhet praktikë e qëndrueshme: ligjet të maten jo vetëm në sallë, por në terren – te qytetari, te biznesi, te shërbimi publik.

Gjatë sesionit të kaluar vijoi bashkëpunimi funksional me institucionet e pavarura dhe u përmbyll raportimi i 27 institucioneve.

 

Kjo nuk është një rutinë proceduriale. Është mënyra se si Kuvendi mban gjallë ekuilibrat kushtetues dhe garanton që institucionet të funksionojnë si mbrojtës të interesit publik.

Mbështetja ndaj institucioneve të drejtësisë mbetet e palëkundur.

Sot kemi një drejtësi të re, të pangjashme me atë të trashëguar.

Kuvendi ka një rol kyç në sfidën për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies.

Sesioni që nisim sot do të udhëhiqet nga disa drejtime të qarta pune:

  • Axhenda e integrimit europian si prioritet i padiskutueshëm

Projektligjet e përafrimit, reformat për shtetin e së drejtës, antikorrupsionin, të drejtat themelore, lirinë e medias, transparencën dhe mirëqeverisjen do të kenë trajtim të përshpejtuar, por edhe filtrin e cilësisë.

  • Diplomacia parlamentare si rrjet besimi për anëtarësiminDiplomacia parlamentare do të jetë më aktive, më e koordinuar dhe më e pranishme, sepse procesi i anëtarësimit është edhe proces besimi, ku sfida më e madhe nuk është vetëm përafrimi teknik, por ratifikimi final nga të gjitha shtetet anëtare.
  • Mbikëqyrje më e fortë, më e dobishme, më pak formale

Kuvendi do të rrisë kërkesën për llogaridhënie, me më shumë mekanizma kontrolli dhe me më shumë vlerësim të ndikimit real të ligjeve dhe politikave publike.

  • Modernizimi dhe transparenca-Kuvendi i hapur 24/7

Teknologjia nuk është luks, por mjet për ta sjellë Kuvendin më pranë qytetarëve: arkivim, indeksim dhe transmetim më të mirë e më të kuptueshëm të punimeve parlamentare, konsultim publik më të aksesueshëm, gjurmim të akteve dhe një kulturë të re transparence që e bën Kuvendin të lexueshëm për publikun.

Të gjitha këto sot i bën të mundura teknologjia, me më shumë lehtësi dhe cilësi.

Të nderuar kolegë deputetë,

Na pret një volum i madh pune. Por ky volum është privilegj dhe përgjegjësi, sepse kemi në dorë një kapitull historik: ta afrojnë Shqipërinë me Europën jo vetëm si aspiratë, por si standard.

Në fund të kësaj legjislature, Kuvendi duhet të jetë më i respektuar, më funksional, më i hapur dhe më europian në etikë, në procedurë, në cilësinë e debatit dhe në shërbimin ndaj qytetarëve.

Përballë sfidave të mëdha kombëtare nuk jemi thjesht shumicë apo opozitë. Jemi bij e bija të së njëjtës Shqipëri, që duhet të ecë me dinjitet drejt të njëjtit destinacion: Shqipërisë anëtare të Bashkimit Europian.

Ju uroj punë të mbarë dhe suksese në këtë sesion parlamentar.

Rinumërimi në Kosovë/ Ukshini: Partitë politike i dinë rezultatet. Prioritetet e Kurtit janë…

19 January 2026 at 17:27

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë vendosi që i gjithë vendi t’i nënshtrohet procesit të rinumërimit të votave për kandidatët për deputet. Në 10 komuna rinumërimi është në proces që pas vendimit të parë, ndërsa për 28 të tjera po bëhen përgatitjet për të parë edhe njëherë votat preferenciale. Prokuroria ka kërkuar mbledhjen e provave që do të shërbejnë më pas për ndjekje penale, por koha e këtij procesi rrezikon kapjen e afateve për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Ish ambasadori Syle Ukshini tha për ‘Ballkan Update’ se afatet për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nuk pritet të rrezikohen. Sipas tij, ka kohë të mjaftueshme dhe partitë politike i dinë rezultatet përtej numrit të votave.

Ukshini tha se partitë mund të hyjnë lirisht në negociata për zgjedhjen e presidentit, ndërsa shtoi se Kurti e ka bërë të qartë se prioritet mbeten formimi i qeverisë së re dhe miratimi i buxhetit për vitin 2026.

“Afatet për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nuk besoj se do ta rrezikohen. Ka mjaft kohë; partitë politike i dinë rezultatet përtej numrit të votave.

Ato e dinë sa deputetë kanë dhe lirisht mund të hyjnë në negociata për kreun e ri të shtetit. Kurti e ka bërë të qartë se prioritet janë formimi i qeverisë së re dhe buxheti për vitin 2026.”

/ abcnews.al /

Hagë, palët dorëzojnë dosjet përfundimtare/ Seancat e fundit nga data 9-18 shkurt

19 January 2026 at 17:25

Procesi gjyqësor në rastin e ish-krerëve të UÇK-së po shkon drejt fundit.

Këtë të hënë në Hagë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës dorëzohen dosjet përfundimtare.

Prokuroria dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do t’i dorëzojnë dosjet përkatëse trupit gjykues.

Pas dorëzimit të dosjeve, pason fjala përfundimtare, e cila pritet të mbahet nga 9 deri më 18 shkurt.

Pas këtyre dative procesi gjyqësor quhet i mbyllur.

Katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në Hagë nga nëntori i 2020-tës, duke mos iu ofruar asnjë mundësi lirimi nga paraburgimi deri në këtë fazë të procedurës.

Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjykatësit do të kenë një afat prej tre muajsh për të shpallur vendimin e shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë.

Në këtë rast përfshihen katër ish-udhëheqës të lartë të UÇK-së mes tyre ish-presidenti Hashim Thaçi ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të gjithë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit të fundit në Kosovë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.

Procesi i Speciales është themeluar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe ka për qëllim të hetojë dhe të gjykojë krimet e dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ky gjyq ka shkaktuar reagime të ndryshme, me një vëzhgim të fortë mbi drejtësinë ndërkombëtare dhe ndikimin e madh në diskutimet politike që lidhen me të kaluarën e konfliktit dhe marrëdhëniet rajonale.   / abcnews.al /

Presidenti Begaj në Moldavi: Shqipëria dhe Moldavia rikonfirmojnë angazhimin e përbashkët për integrimin evropian

By: Rovena
19 January 2026 at 16:25

Presidenti i Republikës,  Bajram Begaj, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Moldavi, u prit sot në një takim nga Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.
Takimet tête-à-tête, dhe më pas ai në praninë e delegacioneve përkatëse, u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, sigurinë rajonale, situatën e ndërlikuar gjeopolitike dhe unitetin evropian përballë këtyre sfidave.
“Shqipëria mbështet popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe evropiane, në një kontekst gjeopolitik dhe sigurie mjaft sfidues të shënuar nga agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus kundër Ukrainës dhe kërcënimet e sigurisë që burojnë prej tij”, – u shpreh Presidenti i Republikës.
Krerët e dy shteteve rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Edhe në konferencën për gazetarët, Presidenti Begaj dhe Presidentja Sandu konfirmuan angazhimin për bashkëpunim nëpërmbushjen sa më shpejtë të agjendës evropiane, me synimin anëtarësimin në Bashkimin Evropian përmes progresit të bazuar në meritë dhe reforma.

Presidenti Begaj theksoi se “Shqipëria beson se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një nga instrumentet më efektive për garantimin e sigurisë, stabilitetit, begatisë dhe paqes së qëndrueshme në Evropë. Shqipëria shpreh mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Moldavisë në Bashkimin Evropian”.
Ndërsa shprehu mbështetje ndaj Presidentes Sandu për politikat proevropiane në drejtimin e  shtetit, Presidenti Begaj vlerësoi qëndrimin e Moldavisë përballë ndikimeve keqdashëse, presioneve dhe fushatave dezinformuese, si dhe angazhimin epalëkundur për ndërtimin e një shteti demokratik, pjesë integrale të familjes evropiane.
Në këtë frymë, ai theksoi se Shqipëria synon thellimin ebashkëpunimit duke shfrytëzuar mekanizmat e krijuar në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për Integrimin Evropian të nënshkruar së fundmi.
“Shqipëria qëndron pranë Moldavisë si mike, si partnere dhe si aspirante e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Së bashku, ne kontribuojmë për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe të bashkuar, të ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, lirisë dhe përgjegjësisë së përbashkët për të ardhmen tonë”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit theksoi, gjithashtu, angazhimin për thellim tëmarrëdhënieve në fushat ku ka potencial për bashkëpunim më të thelluar në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.
Midis dy vendeve ekziston marrëveshja për tregtinë e lirë, si dhe ajo për mbrojtjen e investimeve dhe shmangien e taksimit të dyfishtë. Sipas Presidentit Begaj kjo është një bazë e mirë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik.
Një vëmendje të veçantë Presidenti Begaj i kushtoi gjatë kësaj vizite Kosovës. Presidenti vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Moldavia në lidhje me aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe kontributin me trupa në misionin e KFOR-it.
“Në këtë frymë të bashkëpunimit, Shqipëria shpreson se Moldavia, kur ta gjykojë të arsyeshme, do të rishqyrtojë edhe çështjen e njohjes së Kosovës. Ne i dimë problemet e brendshme që ekzistojnë, të lidhura me Transnistrian, por gjithsesi, është një çështje që ne mendojmë se do të sillte paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe besim te demokracia”, – deklaroi Presidenti Begaj.
Në agjendën e sotme të Presidentit ishin edhe takimi me një përfaqësi nga Parlamenti i Moldavisë, drejtuar nga Kryetari Igor Grosu, me të cilët u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve të dy shteteve si edhe me përfaqësues të diasporës shqiptare në Moldavi.

❌
❌