Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 January 2026Abc News

Rusia sulmon me raketa e dronë Kievin, mbi 1700 pallate pa ngrohje

25 January 2026 at 10:25

Rreth 1 700 pallate banimi në kryeqytetin ukrainas, Kiev, vazhdojnë të jenë pa ngrohje pas një sulmi masiv me raketa dhe dronë nga Rusia gjatë kësaj jave, bëri të ditur të dielën kryebashkiaku Vitalii Klitschko. Moska ka intensifikuar ndjeshëm bombardimet ndaj sistemit energjetik të Ukrainës që nga nisja e pushtimit në vitin 2022.

Të shtunën, Rusia ndërmori një sulm të gjerë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar shpërthime të forta në Kiev gjatë natës dhe duke lënë rreth 1.2 milionë objekte pa energji elektrike në mbarë vendin, në kushte temperaturash nën zero.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se objektivat kryesore të Rusisë janë sektori energjetik, infrastruktura kritike dhe ndërtesat e banimit. Ai tha se vetëm këtë javë Rusia ka lëshuar mbi 1 700 dronë sulmues, më shumë se 1 380 bomba ajrore të drejtuara dhe 69 raketa ndaj Ukrainës.

Zelensky theksoi se çdo sulm masiv ka potencial shkatërrues dhe bëri thirrje për forcimin e mbështetjes ndërkombëtare, ndërsa ndodhej për vizitë në Lituani.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Oleksiy Kuleba njoftoi se numri i ndërtesave pa ngrohje në Kiev ka rënë nga 6 000 në mëngjes në mbi 3 200 në mbrëmje, falë punës së ekipeve teknike. Kryebashkiaku Klitschko shtoi se gjatë 24 orëve të fundit është rikthyer furnizimi me ngrohje për më shumë se 1 600 ndërtesa dhe puna po vijon për rikthimin e plotë të shërbimeve.

Sulmi i madh ndaj Kievit ndodhi në një kohë kur negociatorë nga Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po diskutonin në Abu Dhabi opsione për përfundimin e luftës.  / abcnews.al /

Proda falënderon Policinë e Shtetit: Profesionalizëm dhe përmbajtje përballë dhunës gjatë protestës

25 January 2026 at 09:54

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka falënderuar drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit për profesionalizmin, përmbajtjen dhe përkushtimin e treguar gjatë angazhimit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestës.

Proda theksoi se, pavarësisht akteve të shumta të dhunës, përfshirë përdorimin e bombave molotov, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta, efektivët demonstruan standarde të larta profesionale, respekt për ligjin dhe përgjegjësi institucionale.

Mesazh falënderimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda

“Të nderuar drejtues dhe punonjës të Policisë së Shtetit,

Ju falënderoj për profesionalizmin, përmbajtjen dhe përkushtimin e treguar gjatë angazhimit tuaj në garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestës.

Pavarësisht akteve të shumta të dhunës, me bomba molotov, lëndë piroteknike e sende të forta, ju demonstruat standarde të larta profesionale, respekt për ligjin dhe përgjegjësi institucionale.

Uroj shërim të shpejtë për 11 punonjësit e dëmtuar gjatë detyrës dhe i siguroj ata për mbështetjen e plotë të institucionit.

Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë drejtuesit, për lidershipin, koordinimin dhe menaxhimin profesional të situatës.

Mirënjohje për çdo efektiv të Policisë së angazhuar.”   / abcnews.al /

21 janari, “SPAK të zgjohet!”/ Rama në podcast: Përvjetori i 15-të erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë…

25 January 2026 at 09:49

Në përvjetorin e 15-të të krimit shtetëror të 21 janarit, kryeministri Rama tha se mbetet një përvjetor i trishtë dhe një plagë e hapur jo vetëm për familjarët e katër protestuesve të vrarë, por edhe për moralin e drejtësisë dhe themelet e shtetit shqiptar.

Duke folur për këtë ngjarje, Rama theksoi se krimi i 21 Janarit i përket atyre krimeve shtetërore për të cilat drejtësia mund të vonojë, por nuk harron, pasi koha nuk i fshin dot nga kujtesa dhe nga tryezat e njerëzve të drejtësisë.

“21 janari ishte përvjetori i trishtë pas vrasjes së 4 protestuesve dhe përsëri erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë. Mbetet një plagë e hapur jo vetëm për familjarët, por edhe për moralin e drejtësisë dhe themelet e shtetit shqiptar.

Ne përsëri u mblodhëm dhe e bëmë ritin e nderimit të 4 dëshmorëve në prani të familjarëve, të cilët presin drejtësi. 21 janari është në llojin e atyre krimeve shtetërore për të cilat drejtësia vonon, por nuk harron. Koha nuk i zhben dot nga kujtesa dhe nga tryeza e njerëzve të drejtësisë. Shpresoj që SPAK-u, që prej 6 vitesh ka marrë jetë dhe gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur gjatë gjithë kohës inkurajimet më të sinqerta për të vënë drejtësinë në binarë, të zgjohet dhe të bëjë punën e vet.”  / abcnews.al/ 

Shqipëria në Bordin e Paqes/ Rama: U miratua me një ‘po’ të fortë, edhe me votat e atyre që s’lanë gjë pa thënë!

25 January 2026 at 09:41

Kryeministri Edi Rama tha në podcastin “Flasim” se ftesa për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes u mirëprit, u pranua dhe u ratifikua përmes një projektmarrëveshjeje dhe projektligji, pavarësisht përpjekjeve për ta shoqëruar procesin me zhurmë.

Sipas Ramës, vendimi u miratua me një “po” të fortë, përfshirë edhe votat e atyre që kanë qenë kritikë, duke theksuar se Shqipëria, ka paqen si busullën e vetë.

“Realisht që ishte një ftesë e mirëseardhur, edhe pse nuk e dyshoja që do të kishte zhurmë dhe përpjekje për të bërë tollovi, nuk e mendoja që fantazitë dhe ligësia do të bashkoheshin për t’i dhënë jetë disa teorive dhe përrallave që duhet të jenë vërtet të rënda, që të arrihet deri në pikat ku u arrit.

Ftesa u mirëprit, u pranua dhe u ratifikua në një formë projektmarrëveshjeje dhe projektligji. Shqipëria, si një shtet që ka gjetur paqen si busullën e vet dhe që ka ditur të kontribuojë në tryeza të rëndësishme ndërkombëtare, e aprovoi me një “po” të fortë, edhe me votat e atyre që nuk lanë gjë pa thënë, përkatësinë në këtë bord.”   / abcnews.al /

Protesta e Opozitës/ Policia: Arrestohen 18 persona, hodhën molotov dhe kundërshtuan efektivët, në kërkim…

25 January 2026 at 09:07

Më datë 24.01.2026, rreth orës 17:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit.

Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë).

Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 37 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. L., 19 vjeç, A. Ll., 26 vjeç, A. L., 24 vjeç, A. M., 30 vjeç, T. K., 25 vjeç, E. Sh., 24 vjeç, S. S., 21 vjeç, E. M., 30 vjeç, A. T., 50 vjeç, R. H., 24 vjeç, B. S., 48 vjeç, E. H., 22 vjeç, A. T., 47 vjeç, L. Xh., 26 vjeç, B. B., 48 vjeç, E. H., 40 vjeç, R. B., 40 vjeç dhe H. C., 20 vjeç;
-nisi procedimi penal për shtetasit:B. N, E. V, A. P, K. K., F. P, M. K, D. B, R. K, A. Z, R. T, dhe 3 të mitur;

-u shpallën në kërkim shtetasit S. D dhe E. Ll.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” si dhe shtetasit L. B, K. B dhe G. B, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.

11 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kënë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.  / abcnews.al /

Stuhia historike në SHBA/ 217 mijë banorë pa energji dhe mbi 4 mijë fluturime të anuluara

25 January 2026 at 08:58

Një stuhi e fuqishme dimërore ka goditur Shtetet e Bashkuara, duke lënë rreth 217,000 konsumatorë pa energji elektrike dhe duke shkaktuar anulimin e mbi 4,000 fluturimeve në mbarë vendin.

Stuhia, e shoqëruar me borë të dendur, shi dhe temperatura ekstremisht të ulëta, pritet të përfshijë dy të tretat lindore të vendit dhe të zgjasë edhe gjatë ditëve në vijim. Zonat më të prekura janë Luiziana, Misisipi, Teksasi dhe Tenesi.

Presidenti Donald Trump e cilësoi situatën si “historike” dhe miratoi shpalljen e gjendjes së emergjencës federale në 12 shtete, ndërsa 17 shtete dhe Distrikti i Kolumbias kanë shpallur emergjencë për shkak të motit ekstrem.

Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi për pasoja shkatërruese deri në nivele katastrofike, veçanërisht në juglindje të vendit, për shkak të akullit të dendur dhe të ftohtit rekord. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet dhe të marrin masa mbrojtëse.

“PD, partia e vetme e dhunshme në Europë”, reagon Rama: Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!

25 January 2026 at 08:38

REAGIMI I RAMES:

“Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…

Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!

Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!

Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër”

Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e… pic.twitter.com/XT0HzmE98D

— Edi Rama (@ediramaal) January 25, 2026

Agjentët federalë vrasin amerikanin në Minneapolis, shpërthejnë protesta

25 January 2026 at 08:08

Agjentë federalë të imigracionit qëlluan për vdekje një shtetas amerikan gjatë një operacioni në Minneapolis të shtunën, duke shkaktuar protesta të ashpra dhe reagime të forta nga autoritetet lokale dhe organizatat për të drejtat civile.

Viktima, Alex Pretti (37), infermier i kujdesit intensiv, u vra gjatë një përplasjeje me agjentë të Patrullës Kufitare. Departamenti i Sigurisë Kombëtare deklaroi se agjentët vepruan në vetëmbrojtje, duke pretenduar se Pretti ishte i armatosur dhe rezistoi me dhunë gjatë tentativës për t’u çarmatosur.

Megjithatë, video të verifikuara tregojnë se Pretti mbante një telefon në dorë, jo armë, ndërsa përpiqej të ndihmonte protestues të tjerë të shtyrë përtokë nga agjentët. Pamjet tregojnë se ai u spërkat me sprej djegës, u mbajt nga disa agjentë dhe u qëllua nga afër pasi një armë u hoq nga trupi i tij.

Pretti u qëllua katër herë, ndërsa dëgjohen edhe të shtëna të tjera. Pas incidentit, disa agjentë ofruan ndihmë mjekësore, ndërsa të tjerë mbajtën larg turmën.

Vrasja nxiti protesta masive në Minneapolis dhe demonstrata në qytete të tjera si Nju Jorku, Uashington D.C. dhe San Francisko. Agjentët federalë përdorën gaz lotsjellës dhe granata shpërthyese për të shpërndarë protestuesit.

Ngjarja ka rritur tensionet mes autoriteteve shtetërore dhe federale, veçanërisht pas një rasti të ngjashëm më herët këtë muaj. Autoritetet federale kanë refuzuar përfshirjen e zyrtarëve lokalë në hetim, duke nxitur kritika për mungesë transparence.

Londra ‘ndërron mendje’: Më mirë me BE-në, se me SHBA-në!

25 January 2026 at 07:05

“Europa është kthyer”, shkruhet në kopertinën e New Statesman, e përjavshmja e njohur e së majtës britanike.

Dhe në fakt, sipas Corriere della Serës, rikthimi i Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian do të jetë tema politike dominuese në Londër gjatë këtij viti, saktësisht dhjetë vjet pas referendumit që vulosi Brexit-in.

Një diskutim i tillë kishte nisur prej muajsh, por ka pësuar një përshpejtim të papritur në vazhdën e lëvizjeve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump. Edhe pse kryeministri britanik Keir Starmer, së bashku me liderë të tjerë europianë arritën ta davarisnin tensionin e krijuar me pretendimet e Trump për aneksimin e ishullit, në Londër ekziston një ndjesi se dicka është thyer në marrëdhënien transatlantike.

Akoma edhe më shumë i hodhën benzinë zjarrit komentet e kreut të shtetit amerikan i cili e quajti një budallallëk kthimin e ishujve Chagos Mauritiusit nga ana e  Britanisë së Madhe, si dhe minimizimin e sakfircave dhe gjakut të derdhur nga trupat britanike në Afganistan. Londra zyrtare vazhdimisht e ka përsëritur se nuk kishte asnjë qëllim të zgjidhte mes Amerikës dhe Europës dhe se donte t’i kultivonte të dyja marrëdhëniet.

Por tani, vazhdon shkrimi, era duket se po fryn më shumë në drejtimin e BE-së, teksa unioni po konsiderohet më i besueshëm sesa SHBA. Debati është hapur tashmë edhe brenda Partisë Laburiste dhe vetë Starmer ka deklaruar se synon një “përafrim gjithnjë e më të madh me tregun e Bashkimit Europian.

Kjo kthesë duket merr parasysh edhe faktin që në opinionin publik, gjykimi për Brexit-in tashmë është konsoliduar dhe shumica sot, e konsideron një gabim vendimin për shkëputje nga BE-ja, edhe pse kjo nuk nënkupton se do të votonin për nje rikthim të drejtpërdrejtë në radhët e bllokut.

Horoskopi, 25 janar 2026

25 January 2026 at 07:03

Dashi

Ka rrezik qe dita e sotme te jete mjaft e trazuar për ata qe janë ne një lidhje. Nuk do ndiheni shume mire pranë partnerit dhe do mendoni te qëndroni te veçuar. Beqaret duhet te tregohen me te duruar nëse duan te gjejnë personin me te përshtatshëm. Ne planin financiar nuk duhen ndërmarrë rreziqe edhe sikur gjendja te jete e mire. Nuk është ende momenti.

Demi

Ndikimi i yjeve nuk do jete aspak pozitiv sot për jetën sentimentale te çifteve. Do ketë mosmarrëveshje dhe debate pa fund. Beqaret do kenë mundësi te shumta për te njohur persona te veçante, prandaj do jete me e lehte për ta te bëjnë një zgjedhje. Ne planin financiar do jeni me shume fat. Gjendja do jete goxha e mire.

Binjaket

Do jeni bashkëpunues dhe mjaft te përkujdesur gjate kësaj dite për atë qe keni ne krah. Marrëdhënia ne çift do jete e shkëlqyer. Beqaret duhet te tregohen te hapur ne mënyrë qe te takojnë sa me shume persona, përndryshe do mbeten serish vetëm. Ne planin financiar do ju duhet ndihma dhe këshilla e miqve ne mënyrë qe gjendja te mos ketë tronditje.

Gaforrja

Tensioni qe kishte kohe qe mbizotëronte ne jetën tuaj ne çift, sot do filloje te ulet. Do flisni me qetësisht dhe me lirshëm me atë qe keni ne krah. Beqaret do realizojnë takime mbresëlënëse te cilat do ua ndryshojnë rrënjësisht jetën. Ne planin financiar do keni me shume fat se kurrë me pare. Do shpenzoni aq sa ju duhen dhe do hiqni edhe disa para mënjanë.

Luani

Do ndiheni me te lire se kurrë sot juve qe jeni ne një lidhje dhe do bëni atë qe ju thotë zemra. Çdo çast do jete emocionues dhe i mrekullueshëm. Beqaret do kenë veçse mundësi për takime kalimtare dhe pa asnjë te ardhme. Qe financat te jene te mira duhet te shpenzoni me kujdes dhe largpamësi. Mos mendoni vetëm për momentin sepse nesër nuk do dini nga t’ia mbani.

Virgjeresha

Do ngrini shume pikëpyetje gjate kësaj dite mbi jetën tuaj ne çift. Kohet e fundit shume sjellje te partnerit nuk ju kane pëlqyer dhe do e kritikoni atë. Beqaret do jene me shume fat dhe do arrijnë ta gjejnë princin e tyre te kaltër. Gjendja e financave do jete shume me e mire nga disa kohe me pare, por jo ne atë gjendje sa për te kryer investime te tejskajshme.

Peshorja

Jupiteri do jete planeti qe do e favorizoje jetën sentimentale te çifteve. Gjithçka do shkoje me se miri ndërmjet jush dhe personit qe keni ne krah. Mos ua vini aspak veshin atyre qe do ju thonë ata qe ju rrethojnë. Beqaret do kenë një dite te zakonshme dhe pa ndonjë takim mbresëlënës. Ne planin financiar duhet te mateni disa here para se te kryeni shpenzime.

Akrepi

Do e kuptoni partnerin tuaj sot dhe do e mbështesni atë për çfarëdo qe te jete. Ndonjëherë nuk janë vetëm çastet intime ato qe e zbukurojnë ditën dhe ju bëjnë te ndiheni mire. Beqaret nuk duhet ta humbin shpresën deri ne momentin e fundit. Buxheti do ekuilibrohet fale maturisë dhe perkujdesit qe ju do tregoni. Vazhdoni ne këtë rruge dhe keni për t’u pasuruar shpejt.

Shigjetari

Do ndiheni mjaft mire pranë personit qe dashuroni sot dhe nuk do mendoni aspak për dike tjetër. Beni vetëm pak me tepër kujdes me xhelozinë. Beqaret mund te fillojnë një lidhje me një person te cilin me pare e kane tallur dhe janë zënë ashpër. Financiarisht do jeni te favorizuar. Nëse silleni ne këtë mënyrë shume shpejt do pasuroheni.

Bricjapi

Jeta juaj ne çift do jete goxha e qëndrueshme gjate kësaj dite. Nuk do keni asnjë arsye për çfarë te debatoni me te. Beqaret nuk do jene aspak ne humor për te filluar një lidhje dhe do qëndrojnë serish vetëm. Financat do i menaxhoni si duhet dhe gjendja do jete me e stabilizuar nga sa e kishit menduar. Do mund te hiqni disa para mënjanë.

Ujori

Edhe pse ne një lidhje do ndiheni shume te vetmuar gjate kësaj dite. E mira është te flisni hapur me partnerin nëse doni te sqaroni çdo keqkuptim. Beqaret nuk do mund ta krijojnë dot lidhjen qe kane ëndërruar, por kjo nuk do te thotë qe do e vuajnë vetminë. Ne planin financiar mos harroni te kujdeseni për çdo detaj ne mënyrë qe edhe e ardhmja te jete e siguruar.

Peshqit

Mbyllini sytë sot dhe lëreni veten te lire. partneri do ju beje te ndiheni si ne ëndërr kështu qe mund te keni besim te plote tek ai. Beqaret nuk do jene aspak ne humor për te gjetur dashurinë dhe do qëndrojnë me te njëjtin status qe kane. Ne planin financiar mos u tregoni impulsive ne mënyrë qe situata te mos behet delikate. Shtrijini këmbët sa keni jorganin.

Parashikimi i motit, 25 janar 2026

25 January 2026 at 07:01

🌦Për ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet të jetë fillimisht me vranësira të dendura, pas orëve të mëngjesit deri në orët e pasdites mot me alternime kthjellimesh dhe vranësira, në mbrëmje mot i vranët.
Reshjet e shiut priten të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit.
Gjatë ditës reshjet e shiut me intensitet të ulët lokalizohen vetëm në ekstremin verior dhe atë jugor të vendit. Në orët e vona të mbrëmjes reshje shiu në të gjithë vendin me intensitet të ulët ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe ultësirës perëndimore reshje shiu me intensitet deri mesatar.
Në zonën e Alpeve, dhe në relievet malore në verilindje e juglindje reshje dëbore me intensitet të ulët.
💨 Era do të fryjë me drejtim jug – juglindje, me shpejtësi mesatare 10 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 22 m/s.
🌊 Deti – Valëzimi forcës 4-6 ballë.

“Arrestimin e ka pas qafe”, Beqiri: Sali Berisha po sillet si “kali në lëmë”, vendin e ka tek “313”

24 January 2026 at 23:36

TIRANË- Fjalim 15 minuta dhe 15 minuta fishekzjarrë: Sali Berisha nisi kështu atë që e quajti “kilometrin e fundit të opozitës”, në protestën e radhës poshtë kryeministrisë.

Në një miting ku ishte hequr karikatura e Ramës veshur si Maduro dhe ku munguan flamujt e përhershëm amerikanë, Sali Berisha përsëriti kërkesën për rrëzimin e Edi Ramës, dy ditë pasi e votoi atë për të shkuar në Amerikë e ulur në Shtëpinë e Bardhë përkrah Donald Trump. Duke tundur flamurin kombëtar, Sali Berisha orientoi hedhjen e fishekzjarrëve ndaj zyrës ku ditë më parë u fut Vajza e Parë e Amerikës, Ivanka Trump.

Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në “Ora e Fundit” tha se Sali Berisha nuk di të bëjë asgjë tjetër, përveç flakës dhe tymit. Sipas tij, shqiptarët tashmë ia kanë dhënë duart Sali Berishës dhe nuk e duan kurrë më në pushtet.

“I njëjti skenar, e njëjta pamje, të njëjtën gjë bënte edhe në vitin 1991. Kështu ia vuri flakën gjithë Shqipërisë. Tani e ka zvogëluar forcën e vet dhe vjen vërdallë si “kali në lëmë”, sepse Shqipëria dhe shqiptarët ia kanë dhënë duart për të mos e parë më në pushtet dhe prej tij s’ka gjë tjetër, përveç tymit, zjarrit, sepse nuk di gjë tjetër. Ai këto metoda ka.”, tha ai.

Ai pohoi se kryetari i Partisë Demokratike e di shumë mirë se e pret arrestimi për vrasjet e kryera në bulevard. Pjesa, e cila ra në sy në protestën e Berishës ishte mungesa e flamurit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Avokati u shpreh se kjo protestë e Berishës ishte padiskutim një demonstrim edhe kundër SHBA, pasi sipas Beqirit vetë Berisha nuk e pranon dot suksesin e  rivalit të tij politik Edi Ramës, i cili u ftua në Bordin e Paqes, nga vetë presidenti Donald Trump.

“Ai e ka vendin te 313. Ai këtë kilometrin e fundit e ka kuptimplotë, sepse e di , që e ka pas qafe arrestimin për vrasjet në bulevard, por edhe për akuzat e tjera. Militantët e Berishës dinë vetëm alternativën e flakës. SHBA shikon te Rama Shqipërinë.

Këtë protestë Berisha e ka edhe kundër SHBA, sepse ai nuk mund të pajtohet me ftesën e bërë ndaj Edi Ramës dhe nuk e pranon që Rama të jetë në Bordin e Paqes. Bordi i Paqes është një vlerësim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. ”, tha ai./abcnews.al

Yesterday — 24 January 2026Abc News

Protesta e PD/ Policia e Shtetit: 11 efektivë kanë mbetur të lënduar, 23 protestues të shoqëruar

24 January 2026 at 22:24

Gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, 11 punonjës policie kanë mbetur të lënduar si pasojë e sulmeve me molotovë, lëndë piroteknike dhe sende të forta, të hedhura drejt tyre pranë Kryeministrisë dhe godinës së Kuvendit.

Policët e dëmtuar, të cilët ishin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e protestës, kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies.

Ata janë vizituar nga drejtori vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, si dhe Zëvendësdrejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.

Sipas Policisë së Shtetit, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme përmes qendrës së zërit për ndalimin e akteve të dhunës, protestuesit kanë vijuar veprimet e paligjshme, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të rendit për shpërndarjen e turmës, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë procedurat për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë.

Ndërkohë, shërbimet policore po analizojnë pamjet filmike për identifikimin e personave të përfshirë në akte dhune dhe shoqërimin e tyre. Deri më tani janë shoqëruar 23 persona, nga të cilët një ka rezultuar i mitur. Për këtë rast janë njoftuar menjëherë prindërit dhe i mituri ka qëndruar në ambientet e pritjes së qytetarëve, deri në marrjen e tij nga prindërit, pa u shoqëruar në dhomat e ndalimit.

Policia njofton se hetimet vijojnë për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë në aktet e dhunës.

Gurët e shtëpisë time/ Nga Bostoni në Rehovë, emigracioni amerikan i rehovarëve…

24 January 2026 at 22:08

Jemi në rrugë drejt Rehovës. Dimër i ashpër, dëbora ka mbuluar gjithçka dhe të kujton këngën korçare, “dëbora zbardhi malet dhe fushat tatëpjetë…”. Por në fshatin Rehovë, 2 kilometra larg nga Erseka, ndjesia është krejt tjetër. Një fshat i bardhë, i mbuluar nga dëbora, por me ngrohtësi dhe paqe pranë zjarrit. Në bujtinën Cakuli na presin Gjergji dhe Vali. Janë rikthyer në Rehovë pas 21 vjetësh në Tiranë.

Shtëpinë e gurtë e kthyen në bujtinë, “hoqëm suvatë, kthyem gurin”, siç thotë Gjergji. Gjyshi i tij emigroi në Shtetet e Bashkuara ku punoi në Boston dhe me ato para që fitoi ndërtoi shtëpinë e gurtë në fshat, në të cilën u martua me gjyshen e tij kolonjare. Bashkëshortja Vali Cakuli na flet për Rehovën si fshati i luleve, duke thënë se nuk ka kopsht pa gjelbërim në Rehovë. Ushqimi këtu është shumë i veçantë, mish me kumbulla të thara dhe petulla me raki.

Natyrisht edhe byreku me preshë. Preshet i këpusin dhe i ruajnë në kopsht të futur në dhe. Vali na flet për gjyshërit dhe stërgjyshërit e Gjergjit që ndërtuan manastiret në Malin e Shenjtë të Athosit. Në një shtëpi tjetër të Rehovës takojmë Koço Thomollarin, që gjithashtu e ka kthyer shtëpinë në bujtinë. Fëmijët flasin shqip, edhe pse në emigracion, na thotë. “Nuk ua kanë humbur gjuhën prindërit”.

Koço na tregon edhe historinë e një Rehove të vjetër. Në kohën e Perandorisë Osmane, “Beu duhej të flinte me nusen natën e parë të martesës”. “Djali nuk duroi dot dhe e vrau beun, iku ai dhe gjithë fshati”, na thotë.

Në mullirin e Thomollarëve është ngritur edhe flamuri në 1912, kur u ngrit në Vlorë. Bashkëshortja Lavdije Thomollari na tregon se burrat këtu janë marrë me “punë shteti”, ndërsa gratë bënin çdo punë tjetër, mbanin shtëpitë dhe punonin arat. Edhe këtu byrek me preshë si në dimër dhe çaji i veçantë i trëndafilave të Rehovës. Fan Noli ishte nip kolonjar dhe kërkonte fjalë të vjetra shqipe për përkthimet e tij. “Si i thonë kalit të dalë nga dimri?”, pati pyetur dhe mori përgjigjen, “kalë gërdallë”. Në Rehovë është edhe tuma ilire, një nga më të mëdhatë e Ballkanit. Rehovarët janë shumë të lidhur me fshatin e bardhë dhe duan që vitet e fundit të jetës t’i kalojnë përsëri në Rehovë.

Fjalime, molotovë, dhe…në rishikim

24 January 2026 at 21:25

Nga Eduard Zaloshnja

Rutina e zakonshme e protestave të thirrura nga Berisha u përsërit edhe në protestën e fundit.

Të mobilizuar nga Berisha, vartësit e tij nëpër degët e PD-së sollën në bulevard përkrahësit e tyre nga ishin e nga s’ishin, i rreshtuan në mëyrë të shpërndarë (që të dukeshin sa më të shumtë në planet horizontale të kamerave televizive), i mbajtën në bulevard deri sa mbaruan fjalimet dhe molotovët e zakonshëm, e pastaj i shpërndanë andej nga kishin ardhur.

Dhe në vijim, pritet që Berisha të thërresë përsëri për protesta më 20 shkurt dhe 31 mars, data që lidhen me rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës më 1991 dhe fitoren e parë elektorale të PD-së më 1992 (vetë lidhja me këto data tregon se sa pa lidhje është Berisha 81-vjeçar me votuesit që atëherë ishin çilimij apo që ende s’kishin lindur).

Për koalicionin e udhëhequr nga Berisha (PD-ASHM) votuan në maj rreth 500 mijë zgjedhës brenda vendit, por në protestat e thirrura prej tij nuk mblidhen dot as 5 mijë… Ai duhet t’ua kursejë pelegrinazhet e ardhshme atyre pak mijëve që ende i mblidhen në protesta, sepse “kilometri i fundit” nuk mund të vijë dot nga pak mijë përkrahës që mbledh në bulevard një plak 81-vjeçar që ka dështuar dy herë kur ishte në pushtet.

Sipas studimit të profesores Erica Chenoweth të Universitetit të Harvardit, në bulevard duhet të mblidhen të paktën 82 mijë shqiptarë, e mos ta lëshojnë atë deri sa të bjerë qeveria (https://abcnews.al/kryengritja-e-zgjatur-paqesore-e-berishes-qe-zgjat-me-pak-se-2-ore/ ). Por ky skenar s’ka për të ndodhur ndonjëherë, për sa Berisha i dështuar dy herë në pushtet të synojë ta marrë përsëri pushtetin!

Artizania që nuk ndalet nga mosha/ 85-vjeçarja, që kur ishte 10 vjeç kishte mësuar të punojë me bizat

24 January 2026 at 21:21

Në moshën 85-vjeçare, Mumushe Ibrahimi mban ende në duar historinë e një jete të tërë pune. E lindur dhe e rritur në Janjar, ajo e mësoi që fëmijë se jeta nuk të fal asgjë, por të mëson gjithçka nëse nuk dorëzohesh. Pas martesës u vendos në Sarandë, aty ku puna e dorës u bë shpirti i saj dhe rruga e vetme për të ecur përpara.

Që vajzë e vogël, vetëm 10 vjeçe, mori për herë të parë bizat në duar. Në një familje me shtatë fëmijë, ajo ishte më e madhja. Ditën mblidhte pambukun e fushës, ndërsa në mbrëmje e tirrte në furkë dhe bënte çorape e bluza për motrat dhe vëllezërit.

U martua vetëm 17 vjeçe, ndërsa kur erdhi në Sarandë ishte 25.

Pikërisht aty nisi rrugëtimi i saj më i gjatë: puna në fabrikën e qilimave dhe më pas në fabrikën e jorganëve. Për 52 vite me radhë, deri në prishjen e sistemit, duart e Mumushes nuk u ndalën kurrë.

Në Sarandë dhe Delvinë punonin rreth dy mijë gra dhe ajo ishte ndër të dalluarat. Modelet nuk i merrte nga askush; i krijonte vetë. Ajo nuk pati ëndrra për vete. Iu kushtua fëmijëve dhe punës së dorës. Por në atë kohë, puna ishte ëndërr.

Punimet e tyre shkonin jashtë shtetit, nga Durrësi drejt botës. Burri i saj, pjesë e degës së furnizimit, sillte lajmet nga magazinat dhe përgjegjësitë e ditës. Dhe shpesh, emri i Mumushes përmendej për punën e bërë mirë.

Në vitin 1990, kur ndërmarrja u mbyll, ajo nuk u ndal. Së bashku me një shoqe morën një tezgjah, e vendosën në një dhomë dhe filluan sërish nga e para. Qilima dhe rrugica që u shitën kudo nëpër botë.

Edhe sot, kur sheh dikë që punon, Mumushja thotë: “Të lumshin duart”. Sepse puna ka qenë vlera e jetës së saj. Me të ka rritur fëmijët, me të ka jetuar me dinjitet, pa kërkuar asgjë nga askush./abcnews.al

Fabrika e Pukës, histori pune dhe natyre/ Mark Gjonaj ruan traditën duke mbledhur vetëm frutat e egra të zonës

By: xhir jeta
24 January 2026 at 21:18

Në Pukë, aty ku ajri është i ftohtë dhe i pastër, dhe ku natyra duket se ruan ende ritmin e vet të qetë, një histori pune dhe këmbënguljeje ka marrë formë ndër vite. Mes pyjeve dhe maleve, frutat e egra rriten pa ndërhyrje, duke mbartur shijen dhe vlerat e një zone që pak është prekur nga industrializimi.

Mark Gjonaj është një prej atyre njerëzve që zgjodhën të mos largohen nga vendlindja. Pas viteve ’90, në një kohë kur shumëkush e shihte ikjen si të vetmen zgjidhje, ai nisi një punishte të vogël, duke përpunuar frutat që i ofronte vetë natyra e Pukës.

Me kalimin e viteve, puna e nisur thjesht u kthye në një angazhim familjar. Hapi pas hapi punishja u zgjerua dhe sot është shndërruar në një fabrikë përpunimi që jo vetëm ruan thelbin e prodhimit vendas, por i përgjigjet standardeve bashkëkohore.

Lënda e parë vjen nga vetë zona, ndërsa frutat mblidhen nga fermerët e Pukës dhe fshatrave përreth.

Në fabrikë përpunohen lëngje natyrale nga thana, shega, boronica, si edhe çajra mali, produkte që lidhen drejtpërdrejt me klimën dhe terrenin e zonës.

Përpunimi i bimëve mjekësore është një tjetër pjesë e kësaj historie. Gjethet e dafinës, mjedra dhe trëndafili i egër mblidhen nga malet dhe kthehen në çajra.

Fabrika është bërë pjesë e jetës së përditshme të qytetit. Në lokalet e Pukës, lëngu i thanës apo i shegës është kthyer në një produkt të zakonshëm, por me një histori pas vetes.

Sot, prodhimet e kësaj fabrike kanë kaluar kufijtë e zonës dhe të vendit, duke u gjetur edhe në tregje ndërkombëtare.

Një histori e thjeshtë pune, e ndërtuar mbi natyrën, përkushtimin dhe besimin se Puka ka ende shumë për të dhënë./abcnews.al

❌
❌