Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 December 2025Abc News

“Mëkati zikaltër” i Gjimshitit/ Kapiteni i kombëtares shkakton gabim të madh në Atalanta-Inter

By: Rovena
29 December 2025 at 12:51

Nuk ishte në formën e tij më të mirë.

Këtë e kishte të qartë Berat Gjimshiti, por edhe trajneri i Atalantës, Paladino, ndonëse e hodhi titullar në një betejë shumë të ashpër në Serinë A.

Në Bergamo mbërriti Interi, ekipi që bashkë me Napolin dhe Milanin, janë pretendentët kryesorë për titull, dhe kapiteni i kombëtares shqiptare pati një mbrëmje për t’u harruar.

Gabimet e tij erdhën radhazi, dhe një herë u shpëtua nga pozicioni jashtë loje dhe nga ndërhyrja e VAR-it, një herë tjetër nga gabimi I sulmuesit zikaltër Markus Turam, ndërsa herën e tretë ishte gjithçka fatale.

Pasimi i tij i pakujdesshëm krijoi golin e vetëm të ndeshjes. Interi fitoi falë rrjetës së kapitenit Lautaro Martinez, dhe e mbajti vendin e parë në Serinë A me 36 pikë në 16 ndeshje, një më shumë se Milani e dy mbi Napolin.

Sa për Gjimshitin, vlerësimet nga mediat sportive italiane dhe kontinentale ishin negative. “La Gazeta delo Sport” i dha notën 4.5, duke e cilësuar më të keqin tek Atalanta.

“Eurosport” e veçon që në titull në faqen e portalit të tij, ndërsa i vendos notën 4 për gabimin e pafalshëm. Natyrisht, në paraqitjen e tij të dobët ndikoi fakti se erdhi direkt nga dëmtimi dhe nuk mund të kishte formën e duhur fizike dhe për të përballuar një ritëm kaq të lartë.

Mëkat, sepse kapiteni i Shqipërisë ka qenë vazhdimisht ndër më të mirët e Atalantës, madje dikur i shënoi Interit një gol të bukur, në fitoren e madhe bergamaske 4-1./abcnews.al

Parlamenti i ri i Irakut mban seancën e parë pas zgjedhjeve

29 December 2025 at 12:44

Parlamenti i sapozgjedhur i Irakut u mblodh të hënën për seancën e tij të parë që nga zgjedhjet kombëtare të mbajtura në nëntor, duke hapur zyrtarisht rrugën për nisjen e procesit të formimit të një qeverie të re.

Gjatë kësaj seance të parë, deputetët pritet të zgjedhin kryetarin e parlamentit dhe dy nënkryetarët. Më pas, brenda 30 ditëve nga mbajtja e seancës konstituive, ligjvënësit duhet të zgjedhin presidentin e ri të vendit.

Presidenti i zgjedhur do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë bllokut më të madh parlamentar, një proces që në Irak zakonisht zgjat me muaj për shkak të negociatave mes forcave politike.  / abcnews.al /

Kupa e Afrikës, fitojnë favoritët/ Algjeria konfirmohet pretendente, mund 1-0 Burkina Faso

By: Rovena
29 December 2025 at 12:44

Kupa e Kombeve të Afrikës vazhdon pa surpriza, ndërsa pas sfidave të dyta në grupe ka projektuar edhe favoritët e parë për trofeun më të rëndësishëm të futbollit në këtë kontinent.

Mbi të gjithë Algjeria, që me pikë të plota dhe pa pësuar asnjë gol kryeson Grupin E. Rijad Mahrez ishte edhe një herë udhëheqësi i skuadrës së tij në fitoren 1-0 kundër Burkina Faso.

Ish futbollisti i Manchester City goditi saktë nga pika e penalltisë në minutën e 23-të, duke vulosur suksesin e dytë radhazi të Algjerisë, që deri tani ka shpërblyer parashikimet që e shohin mes pretendentëve në këtë edicion të Kupës së Kombeve të Afrikës.

Por sfida më e madhe e mbrëmjes, ishte ajo mes Bregut të Fildishtë dhe Kamerunit, dy skuadrat që kanë shkruajtur historinë e futbollit afrikan, duke e prezantuar atë edhe në nivelet më të larta.

Nuk kishte fitues në përballjen mes tyre të luajtur në Marakesh, pavarësisht lojës së bukur. Amad Diallo i Manchester United kaloi në epërsi skuadrën e tij, por Bregu i Fildishtë ishte i pafat, pasi autogoli i Konan vendosi fatin e ndeshjes në barazim.

Me këtë rezultat, Bregu i Fildishtë dhe Kameruni kryesojnë me pikë të barabarta Grupin F./abcnews.al

Muçi, goli i muajit në Turqi/ Ylli shqiptar e fiton për herë të dytë këtë çmim individual

By: Rovena
29 December 2025 at 12:40

Një tjetër provë se është krejtësisht i veçantë. Klasi dhe eleganca e një ylli si Ernest Muçi u veçua sërish në Turqi, dhe futbollistit shqiptar i dhanë çmimin e golit më të bukur të muajit.

Superliga turke nuk pati menu më të shijshme në dhjetor sesa rrjeta e dytë që talenti kuqezi realizoi në ndeshjen Trabzonspor-Gëztepe.

Koordinimi dhe shkalla e vështirësisë ishin në nivele maksimale. Në atë sfidë të elitës turke, Muçi shënoi të dy golat, duke qenë më i miri në fushë.

Lojtari i përfaqësueses shqiptare e ka për herë të dytë këtë vlerësim individual. Më herët, ai fitoi çmimin e golit më të bukur të muajit nëntor për realizimin nga goditja e dënimit në sfidën Trabzonspor-Konjaspor që përfundoi 3-1.

Sipas të gjitha mundësive, kjo rrjetë e Muçit mund të jetë kandidate edhe për të fituar trofeun sezonal. Forma e tij ka qenë e shkëlqyer dy muajt e fundit.

Shqiptari 24-vjeçar ka realizuar 7 herë në vetëm 5 ndeshje, duke u kthyer në lojtarin më të mirë të ekipit, dhe në shpresën kryesore për të pretenduar titullin kampion në Turqi./abcnews.al

“Mbretërit” kthejnë Lakers te fitorja/ Luka Donçiç dhe LeBron James nxjerrin nga kriza skuadrën e tyre

By: Rovena
29 December 2025 at 12:37

Nuk është momenti më i mirë i sezonit, por për momentin te Los Angeles Lakers mund të festojnë.

Pas dy humbjeve radhazi dhe kritikave për rendimentin e dobët të yjeve të saj, skuadra kaliforniane u kthye te suksesi në NBA, duke mundur bindshëm Sacramento me 24 pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 125-101.

Luka Donçiç u kthye sërish ai I fillimit të sezonit. Basketbollisti slloven ishte më i miri në parket me 34 pikët e shënuara.

Ashtu si në ndeshjet e fundit, Donçiç kishte një mesatare të dobët në goditjet për tre, gjithsesi kontribuoi edhe me pesë topa të kapur në tabelë dhe shtatë asist për shokët e skuadrës.

Një paraqitje të mirë bëri edhe LeBron James. “Mbreti” shënoi 24 pikë dhe u ipenjua shumë në mbrojtje, duke bërë një autokritikë për sfidat e fundit nën nivel.

Po ashtu, meritë në suksesin e Lakers kishte edhe Nick Smith Jr, që shënoi 21 pikë të tjera nga stoli.

Nga ana tjetër, Sacramento Kings bënë një sfidë të dobët, nga e cila mund të shpëtojë vetëm DeMar DeRozan, por përpjekjet e tij nuk mjaftuan.

Në hije qëndroi Rusell Wtbrook, që gjithsesi me 13 pikët e shënuara mund të shijojë një krenari personale, pasi u ngjit në vendin e 16 të realizuesve më të mirë në historinë e NBA.

 

Trump dhe Putin pritet të zhvillojnë së shpejti një tjetër bisedë telefonike

29 December 2025 at 12:19

Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojnë “shumë shpejt” një tjetër bisedë telefonike, ka njoftuar Kremlini, pas takimit që Trump pati mbrëmë në Florida me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se dy liderët tashmë kanë zhvilluar një telefonatë, të cilën Trump e ka cilësuar si “produktive”, dhe se një bisedë e re pritet pas diskutimeve të presidentit amerikan me palën ukrainase.

Sipas Kremlinit, Moska ende nuk është në dijeni të rezultateve konkrete të negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, ndërsa nuk ka asnjë plan për një telefonatë mes Zelenskyyt dhe Putinit.

I pyetur nëse Kremlini pajtohet me vlerësimin e Trump se paqja është më afër dhe bisedimet po hyjnë në fazën përfundimtare, Peskov u përgjigj shkurt: “Sigurisht.”

Megjithatë, Kremlini ka përsëritur kërkesat e tij që Ukraina të tërheqë trupat nga rajoni i Donbasit, si kusht për ndalimin e luftimeve.  / abcnews.al /

Trump-Zelensky: Vlerësime pozitive pas takimit në Florida

By: Rovena
29 December 2025 at 12:15

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, folën pozitivisht për bisedimet e zhvilluara në Florida. Trump tha se kishte pasur “progres të madh” dhe se ata ishin shumë më afër një marrëveshjeje ruso-ukrainase, por shtoi, se mbeteshin një ose dy çështje të vështira. Javët në vijim do të tregojnë nëse mund të arrihet një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Presidenti Zelensky, nga ana e tij, tha se pati një diskutim të shkëlqyer me Trump.

Asnjëra palë nuk dha detaje specifike, nëse ka progres në lidhje me lëshimet territoriale. Vlerësimet për gjendjen aktuale të bisedimeve gjithashtu ndryshonin në disa aspekte – për shembull, në lidhje me garancitë e sigurisë që synojnë të parandalojnë Rusinë nga një pushtim i ri i Ukrainës pas një armëpushimi të mundshëm. Zelensky deklaroi se kjo çështje ishte zgjidhur 100 për qind, ndërsa presidenti i SHBA-së tha se ishte zgjidhur 95 për qind.

Evropianët të lidhur me video

Delegacionet nga Ukraina dhe SHBA-ja ishin takuar më parë në pronën private të Trumpit në Mar-a-Lago. Sipas presidentit amerikan, krerët e shteteve dhe qeverive evropiane iu bashkuan takimit në distancë. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, shkroi më pas në platformën X se ishte bërë përparim i mirë gjatë videokonferencës që zgjati afërsisht një orë. Evropa është e gatshme të vazhdojë të punojë me Ukrainën dhe partnerët e saj amerikanë për të konsoliduar këtë përparim. “Garancitë e palëkundura të sigurisë” që nga dita e parë janë thelbësore.

Trump: “Qëllime serioze për paqen” edhe tek Putini

Përfaqësuesit e Rusisë, e cila e filloi luftën pothuajse katër vjet më parë, nuk ishin të pranishëm në bisedimet dypalëshe; SHBA-të e shohin veten si ndërmjetës në konflikt. Megjithatë, Trump deklaroi pas takimit se Rusia do të ndihmonte në rindërtimin e Ukrainës. Ende nuk ka pasur asnjë deklaratë nga qeveria në Moskë pas takimeve. I dërguari i posaçëm rus, Kirill Dmitriev, shkroi në një reagim fillestar ndaj takimit në X: “E gjithë bota i njeh përpjekjet për paqe të Presidentit Trump dhe ekipit të tij.”

Presidenti amerikan ishte shprehur para takimit, se ishte i bindur se mund të arrihej një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Presidenti rus Vladimir Putin, ashtu si Zelensky, ka qëllime “serioze” për paqen, tha Trump. Trump theksoi se Ukraina do të merrte garanci “të forta” sigurie në rast të një marrëveshjeje mbi një plan paqeje, në të cilin do të marrin pjesë edhe evropianët. Pas takimit në Florida, Zelensky tha, se ekipet negociuese nga të dy vendet do të takoheshin përsëri në javët e ardhshme për të finalizuar të gjitha çështjet e diskutuara. Presidenti ukrainas njoftoi se një takim me Trumpin, ukrainasit dhe evropianët mund të zhvillohet në Uashington në janar./DW

Turqi, përplasje me ISIS/ Operacion në Stamboll, vriten 3 policë dhe 6 terroristë

29 December 2025 at 12:13

Tre oficerë policie dhe gjashtë anëtarë të Shtetit Islamik u vranë në përplasje me armë gjatë një operacioni në Turqinë veriperëndimore.

Tetë oficerë të tjerë dhe një roje nate u plagosën, u tha gazetarëve Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya. (Ali Jerlikaja)

Ngjarja ndodhi në provincën Yalova (Jalova), në jug të Stambollit, ndërsa policia bastisi një shtëpi ku fshiheshin militantët.

5 gra dhe 6 fëmijë që ndodheshin në banesën e terroristëve u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa forcat speciale nga provinca fqinje e Bursës u dërguan për të përforcuar operacionin.

Ndërsa konfrontimi u përhap në rrugë, pesë shkolla në zonë u mbyllën. Autoritetet gjithashtu ndërprenë furnizimin me gaz natyror dhe energji elektrike si masë paraprake, ndërsa civilëve dhe automjeteve iu ndalua hyrja në lagje.

Siç raportojnë mediat turke, policia kreu operacione edhe në 108 vendndodhje të tjera në gjithsej 15 rajone.

Javën e kaluar, policia turke nisi dhjetëra bastisje, duke ndaluar 115 militantë të grupit ekstremist të cilët dyshohet se po planifikonin sulme gjatë festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Zyrtarët thanë se grupi kishte bërë thirrje për veprime, veçanërisht kundër komuniteteve jo muslimane, gjatë festave.

ISIS ka kryer një seri sulmesh vdekjeprurëse në Turqi vitet e fundit, duke përfshirë të shtënat në një klub nate në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri më 1 janar 2017, ku u vranë 39 persona.  / abcnews.al /

Turkish Airlines (më në fund)/ Kompania turke njofton nisjen e fluturimeve me Tiranën

29 December 2025 at 12:09

Kompania turke Turkish Airlines do të nisë fluturimet direkte drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe anasjelltas.

Në faqen zyrtare të kompanisë njoftohet se fluturimet direkte drejt Tiranës do të nisin më 10 janar, por prenotimet mund të realizohen vetëm pas datës 23 janar. Biletat variojnë nga 51 deri në 58 euro për një drejtim.

Ky vendim i kompanisë turke vjen pas shitjes së 49% të aksioneve që ajo zotëronte në kompaninë shqiptare të fluturimeve Air Albania.

Pas shitjes së aksioneve, kompania turke anuloi edhe shitjen e biletave tranzit përmes Air Albania, duke detyruar qytetarët që kishin bileta të tilla të fluturonin drejt kryeqytetit turk nga Podgorica, në Mal të Zi.

Dalja e Turkish Airlines nga ky partneritet vjen menjëherë pasi kompania ra dakord të blinte deri në 27% të aksioneve të Air Europa, një veprim që synon zgjerimin e shtrirjes së saj globale dhe hapjen e tregjeve të reja të turizmit dhe të ngarkesave midis Turqisë dhe Amerikës Latine. Ky ndryshim sugjeron një strategji të fokusuar në mundësi më të mëdha dhe më konkurruese për të forcuar pozicionin e saj strategjik në industrinë globale të aviacionit dhe për të rritur numrin e turistëve që vizitojnë Turqinë.

Një tjetër arsye e shitjes së aksioneve që kompania turke kishte në Air Albania mendohet të jetë edhe gjendja financiare, pasi fitimet kanë rezultuar më të vogla sesa shpenzimet gjatë vitit 2025.

Ndërkohë, kompania shqiptare Air Albania, sipas kërkimit në faqen e saj zyrtare, nuk ofron fluturime drejt Stambollit për ditët në vijim. / abcnews.al /

Vlorë, banorët në protestë/ Katër ditë pa ujë, kërkojnë zgjidhje nga bashkia

By: Rovena
29 December 2025 at 10:26

Mungesa e ujit të pijshëm për të katërtën ditë radhazi, ka nxjerrë qytetarët e Vlorës në protestë. Qytetarët protestojnë para dyerve të bashkisë së Vlorës dhe kërkojnë zgjidhje të këtij problemi.

Zelensky: Plani i paqes parashikon garanci sigurie nga SHBA për 15 vjet

29 December 2025 at 10:15

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka dhënë detaje të reja mbi bisedimet e zhvilluara me presidentin amerikan Donald Trump, duke bërë të ditur se plani i paqes përfshin garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara për një periudhë 15-vjeçare.

Duke folur për gazetarët, Zelenskyy tha se fillimisht kishte kërkuar garanci sigurie deri në 50 vjet, çka tregon dallimet mes palëve gjatë negociatave. Megjithatë, ai la të kuptohet se ka pranuar propozimin amerikan për 15 vjet.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur mbrëmjen e kaluar, presidenti ukrainas deklaroi se garancitë e sigurisë mes SHBA-së dhe Ukrainës janë tashmë “100 për qind të dakorduara”, ndonëse ende nuk janë bërë publike detajet konkrete të angazhimit amerikan.

Ende mbetet e paqartë se çfarë lloj garancish sigurie do të ofrojë Uashingtoni, pasi Trump ka shprehur vazhdimisht hezitim për angazhimin e drejtpërdrejtë të forcave amerikane në rajon.

Zelenskyy shtoi se garancitë shtesë nga vendet evropiane janë “pothuajse të dakorduara”, por jo ende në të njëjtin nivel përparimi.

Ndërkohë, pritet që Rusia të kundërshtojë çdo propozim sigurie që përfshin praninë e forcave të huaja nga aleatët e Ukrainës në territorin e saj.  / abcnews.al /

Plani i paqes, asnjë përparim/ Takimi Trump-Zelensky, nuk ka zgjidhje për Donbasin dhe garancitë e sigurisë

By: Rovena
29 December 2025 at 10:13

Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky janë shumë afër një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por fati i rajonit të Donbasit mbetet ende çështja kryesore e pazgjidhur.

Të dy udhëheqësit u takuan në vendpushimin e presidentit amerikan në Mar a Lago, Florida pasditen e së dielës.

Bisedimet sollën përparim në lidhje me garancitë e sigurisë që Ukraina kërkon për t’i dhënë fund luftës, por ende nuk ka një dakordësi të plotë.

Si Trump ashtu edhe Zelensky ofruan pak detaje dhe nuk dhanë një afat kohor për firmosjen e një marrëveshjeje paqeje, megjithëse Trump tha se do të jetë e qartë brenda disa javësh nëse negociatat për t’i dhënë fund luftës do të kenë sukses.

Zelensky tha se është arritur një marrëveshje mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën. Trump ishte pak më i kujdesshëm, duke thënë se ata ishin 95% të rrugës drejt një marrëveshjeje të tillë dhe se ai priste që vendet evropiane të merrnin përsipër një pjesë të madhe të kësaj nisme me mbështetjen e Uashingtonit.

“Diskutuam të gjitha aspektet e kornizës së paqes që dhe kemi arritje të mëdha, një plan paqeje me 20 pika të dakordësuar 90%. Ramë dakord që garancitë e sigurisë janë momenti kyç në arritjen e paqes së qëndrueshme dhe ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë në të gjitha aspektet. Ukraina është gati për paqe, dhe do të doja të falënderoja Presidentin Trump për një pritje të ngrohtë dhe diskutim thelbësor”, tha Zelensky.

Por nëse garancitë e sigurisë janë një pikë e negociueshme, çështja e territoreve duket se kalon një vijë të kuqe, si për Kievin, ashtu edhe për Moskën.

Trump e konfirmoi se mosmarrëveshjet për tokën mbeten një pikë ngërçi, por sipas tij Vladimir Putin dëshiron paqe, edhe pse Rusia nisi një tjetër raund sulmesh teksa Zelensky udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara.

“Toka për të cilën po flasim, një pjesë e asaj toke është marrë. Një pjesë e asaj toke ndoshta është e disponueshme për t’u marrë, por mund të merret gjatë periudhës së ardhshme prej disa muajsh. Dhe është më mirë të bëhet një marrëveshje tani. Ukrainasit kanë qenë shumë të guximshëm. Ata luftuan shumë fort dhe vazhdojnë të luftojnë shumë fort dhe të shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme”, tha Trump.

Madje në një moment Trump tha se Rusia dëshiron që ta shohë Ukrainën të ketë sukses, gjë që u ndesh me reagimin e presidentit Zelensky.

Pas diskutimit të tyre, Zelensky dhe Trump thirrën një grup udhëheqësish evropianë, përfshirë Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, dhe udhëheqësit e Finlandës, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë.

Trump mori gjithashtu një ftese për t’iu drejtuar parlamentit të Ukrainës, në rast se arrihet një marrëveshje paqeje./abcnews.al

Kosovë, opozita nuk frymëzon/ Zgjedhjet, PDK e LDK mbeten në kuota të ulëta

29 December 2025 at 10:08

Zgjedhjet e jashtezakonshme te 28 dhjetorit ne Kosove perfunduan, por dhane disa mesazhe per mendësinë politike ne vend, por mesazh me “I rend” eshte per partite e opozites.

Asnjera prej tyre nuk frymezon,  ato duket se kane humbur kontaktin e thelle me elektoratin, me premtime larg realitetit dhe asnje angazhim real per tu rikthyer ne pushtet. Partia Demokratike e Kosoves nuk po arrin te riformatohet edhe pse pas humbjes se bastioneve te rendesishme ne zgjedhjet lokale, zgjodhen kryetarin e ri, Bedri Hamza, i cili gjithesesi sic thone ne Prishtine “nuk dhezi” duke prodhuar me mund po aq mandate sa Memli Krasniqi.

Edhe me dramatike paraqitet situata ne kampin tjeter, Lidhja Demokratike e Kosove, parti e presidentit historik Ibrahim Rugova, e cila mori pak me shume se 13 perqind te votave. Pas kesaj humbje, opinioni publik ne rrjetet sociale kerkon doreheqjen e Lumir  Abdixhikut, edhe pse ne kembim mori vetem nje premtim nga kryetari per mbledhje e strukturave te partise.

Aleanca per Ardhmerine e Kosoves ruajti e vetme votat ne komunat tradicionale te saj, Nisma e Fatmir Limajt, nuk e kaloj pragun elektoral, duke e lene “komandat çelikun” jashte parlamentit, ndersa Lista Serbe e Beogradit e organizuar ne grup per te votuar, arriti te ruante 10 uleset ne parlament.

Nga krahu tjeter, vetevendosja e Albin Kurti, me disa sjellje te ndryshuara si gjuha me e zbutur me mediat, shperfillja e kundershtareve politike, por gjithesesi e kapur fort pas kartes se nacionalizmit dhe perballjes me serbet arriti te bindte shumicen e 45 perqind te qytetareve qe dolen te votojne, se ai eshte alternativa me e mire per vendin, edhe pse per VV kjo fushate nuk ka qene pak e lodhshme: organizimi per te sjell diasporen ne Kosove ne daten e zgjedhjeve, apo perdorimi I te gjithe apartatit shteteror per tu kapur pas pushtetit.

Votuesit, edhe nen dritat e fundvitit, harruan qe nen drejtimin e zotit Kurtit, Kosova u vu nen sanksione, cenoj rend marredheniet me SHBA dhe vijoi te mbetej I vetmi vend ne rajon pa statusin kandidat per anetaresim ne BE.

Sigurisht nuk ka 61 mandate per Kurtin, I cili ne daljen e tij pas rezultateve preeleminare, po mendon edhe per krizen e mundshme te pranveres, kur perfundon mandati i presidentes Osmani, me gjase edhe ne nje tjeter mandat si kreu I shtetit.

Me urgjence ne vend duhet te votohet buxheti per vitin e ardhshem dhe tre marreveshje nderkombetare per te perfituar nga Plani I Rritjes sapo te konstituohet legjislatura e dhjete, qe kalkulimet politike te partive te mos bien me mbi kurrizin e qytetareve qe mbeten nen mjegullen e krizes per me shume se 10 muaj….

Lëvizja Vetëvendosje            49.28%

Partia Demokratike e Kosovës  20.99%

Lidhja Demokratike e Kosovës   13.58%

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës  5.68%

Lista Serbe 4.79%

Nisma Socialdemokrate  1.71%

/ abcnews.al /

Aplikimet për dokumente në IdentiTek/ Nga 30 dhjetori, ndryshojnë vendndodhjen disa prej zyrave

29 December 2025 at 09:56

Nga nesër, do të ndryshojë vendndodhja e disa zyrave të aplikimit për dokumente biometrike në qytetin e Tiranës, konkretisht zyrave IdentiTek 5 dhe IdentiTek 8 & 9. Zyrat e reja do të funksionojnë pranë njësive administrative përkatëse.

Zyra IdentiTek 5, e cila ndodhet në Rrugën “Robert Shvarc”, në zonën e Komunës së Parisit, do të zhvendoset dhe do të ofrojë shërbimet pranë Njësisë Administrative Nr. 5, në zonën e Bllokut.

Ndërkohë, zyra IdentiTek 8 & 9, që operon në Rrugën e Barrikadave, do të ndahet si më poshtë:

  • IdentiTek 8 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 8, në Rrugën e Dibrës;
  • IdentiTek 9 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 9, në Bulevardin “Zogu I”.

Qytetarët që kanë kryer aplikime për karta identiteti pranë zyrave IdentiTek 8 & 9 deri më sot, do t’i tërheqin dokumentet e tyre pranë Njësisë Administrative Nr. 8.

Këto ndryshime kanë qëllim rritjen e aksesueshmërisë së shërbimeve të aplikimit për dokumente identifikimi, duke i afruar ato më pranë qytetarëve, në njësitë administrative përkatëse.  / abcnews.al /

Shpërthejnë protestat në Siri pas sulmit vdekjeprurës në një xhami

By: Rovena
29 December 2025 at 09:37

Kanë shpërthyer të dielën përleshjet në bregdetin e Sirisë midis protestuesve nga pakica fetare aleavite dhe kundër-demonstruesve, dy ditë pas një sulmi me bombë në një xhami alavite në qytetin e Homsit që ka lënë të vdekur tetë persona dhe të plagosur 18 të tjerë, gjatë lutjeve.

Mijëra protestues janë mbledhur në qytetet bregdetare të Latakias dhe Tartusit, si dhe gjetkë.

Zyrtarët kanë thënë se hetimet paraprake tregojnë se pajisje shpërthyese ishin vendosur brenda xhamisë në Homs, por autoritetet nuk kanë identifikuar ende publikisht një të dyshuar për bombardimin e së premtes.

Një grup pak i njohur që e quan veten Saraya Ansar al-Sunna mori përgjegjësinë për sulmin në një deklaratë të postuar në kanalin e tij Telegram, në të cilën tregoi se sulmi kishte për qëllim të synonte anëtarët e sektit alevit, një degë e Islamit shiit të cilën islamistët e vijës së ashpër e konsiderojnë si femohuese.

Protestat e së dielës u thirrën nga Ghazal Ghazal, një sheik alavit që jeton jashtë Sirisë, i cili kryeson një grup të quajtur Këshilli i Lartë Islamik Alavit në Siri dhe Diasporë.

Televizioni shtetëror i Sirisë raportoi se dy anëtarë të forcave të sigurisë u plagosën në zonën e Tartusit pasi dikush hodhi një granatë dore në një stacion policie, dhe veturat që i përkisnin forcave të sigurisë u vunë në flakë në Latakia.

Vendi ka përjetuar disa valë përleshjesh sektare që nga rënia e ish-presidentit Bashar Assad në një ofensivë të rrufeshme rebele në dhjetor 2024 që i dha fund gati 14 vjetëve lufte civile. Assad, një alavit, ka ikur në Rusi.

Gjatë sundimit të dinastisë Assad, alavitët ishin të mbipërfaqësuar në punët qeveritare dhe në ushtri e në forcat e sigurisë.

Zyrtarët qeveritarë e dënuan sulmin e së premtes dhe premtuan se do t’i mbajnë autorët përgjegjës, por ende nuk kanë njoftuar për ndonjë arrestim.

Kina sfidon malet! Ja tuneli rrugor më i gjatë në botë, kushtoi 3.3 miliardë dollarë

29 December 2025 at 09:30

Në Kinë, aty ku vargmalet kanë ndarë qytete dhe komunitete prej shekujsh, infrastruktura moderne po riformëson hartën. Në provincën e Xinjiang është hapur për qarkullim tuneli Tianshan Shengli, i cilësuar si tuneli rrugor më i gjatë në botë, me një gjatësi prej 22.13 kilometrash.

Tuneli është pjesë kyçe e autostradës G0711 Urumqi–Yuli, e cila ka hyrë gjithashtu në funksion dhe lidh drejtpërdrejt veriun dhe jugun e Xinjiangut. Me hapjen e saj, udhëtimi mes Urumqit, qytetit më të madh në veri, dhe Korla, qendra kryesore urbane e jugut, është zvogëluar nga rreth shtatë orë në afro tre orë.

Inxhinieri nën kushte ekstreme: Si u ndërtua tuneli që sfidoi malet?

Autostrada, e ndërtuar për pesë vite, ka një gjatësi prej 324.7 kilometrash dhe ka kushtuar rreth 46.7 miliardë juanë (mbi 6.6 miliardë dollarë). Ndërsa vetëm projekti i tunelit të autostradës ka kushtuar 3.8 miliardë dollarë.

Ky projekt  përfaqëson një sfidë të jashtëzakonshme inxhinierike: tuneli arrin një thellësi maksimale prej 1,112 metrash nën tokë dhe kalon nëpër 16 zona të çarjeve gjeologjike. Për ndërtimin e tij, inxhinierët dhe 3000 punëtoret e angazhuar në projekt janë përballur me presion të lartë shkëmbor, aktivitet sizmik, temperatura ekstreme dhe kushte të vështira mjedisore.

Për të përballuar terrenin brutal të maleve Tianshan, inxhinierët kinezë zhvilluan një sistem inovativ të quajtur “tre tunele dhe katër puse vertikale”. Në vend të një galerie të vetme, u hapën tre tunele paralele: një tunel kryesor dhe dy ndihmës anësorë.

Këto tunele ndihmëse shërbyen për vlerësime të vazhdueshme gjeologjike përpara gërmimit kryesor, për akses të sigurt të punëtorëve dhe makinerive, si dhe për ventilim dhe evakuim emergjent. Katër puset vertikale, disa prej tyre mbi 700 metra të thella, lidhnin drejtpërdrejt tunelin me sipërfaqen, duke lejuar punime nga disa pika njëkohësisht dhe duke përshpejtuar ndërtimin.

Projekti konsiderohet një hap strategjik për zhvillimin ekonomik dhe lidhjen infrastrukturore të Xinjiangut, duke treguar edhe një herë se ambicia kineze ‘shpon’ dhe malet.

 

I dënuar për dhunë në familje/ Lezhë, gjendet i vdekur në burg Sotir Shabani

29 December 2025 at 09:29

Në IEVP Lezhë, gjatë ndërrimit të shërbimit nga punonjësi i rolit bazë është konstatuar se i dënuari me mjekim të detyruar Sotir Shabani, i shtrirë në krevat, nuk po reagonte.

Menjëherë është njoftuar mjeku i turnit, i cili, pas verifikimit, ka konstatuar se pacienti kishte ndërruar jetë.

I ndjeri Sotir Shabani, i datëlindjes 21.12.1975, lindur dhe banues në Ballsh, Mallakastër, ishte akomoduar në institucion më datë 27.11.2021, për veprën penale “Dhunë në familje”, me masë mjekimi të detyruar.

Është hartuar dokumentacioni përkatës dhe janë njoftuar drejtuesit e institucionit, specialisti i SHKBB-së, Komisariati i Policisë Lezhë, si dhe Prokurori i gatshëm, për vijimin e procedurave ligjore.

Institucioni po bashkëpunon me autoritetet kompetente për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

❌
❌