Analisti Dritan Hila ka komentuar në Euronews Albania mbi situatën e shembjeve të ndërtimeve pa leje që po ndodhin në disa zona të Tiranës, duke e lidhur këtë me shkarkimin e drejtorëve.
Hila theksoi se problemi është shumë më i thellë dhe i strukturuar, duke e konsideruar dështimin në krijimin e nënpunësit civil si një nga faktorët kyç.
Sipas analistit, drejtorët e shkarkuar nga Kryeministri Edi Rama mund të zëvendësohen nga ish-deputetë që kanë ardhur nga Amerika dhe që po presin të emërohen drejtorë.
“Mendoj se dështimi është më struktural. Neve dështuam në krijimin e nënpunësit civil dhe të gjithë ata që janë nëpër ato institucione e shikojnë veten të përkohshëm. Drejtorët i hoqi Rama por di që janë kthyer disa ish-deputetë nga Amerika që po presin të bëhen drejtorë sepse duan të marrin diçka shpejt e shpejt dhe të ikin prap në Amerikë, dhe ka shumë raste kështu që ka ndodhur. Po presin të shkojnë me të njëjtën frymë, të kapin ndonjë lekë. Shpresoj që Rama ta fillojë nga struktura dhe nga ana e legjislacionit”, tha Dritan Hila.
Gazetari Lavdrim Lita ka komentuar në Euronews Albania aksionet e fundit për shembjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë, duke theksuar se kjo ka sjellë pasiguri te pronarët e bizneseve.
Lita bëri të ditur se aksioni ka nisur si një test provë, duke u nisur nga stadiumi ‘Air Albania’, ku u tha se heqja e tavolinave dhe pajisjeve të bizneseve ishte e nevojshme për çështje sigurie për ndeshjet.
Ai përmendi gjithashtu situatën në zonën e Delijorgjit, ku u bllokuan të gjitha aktivitetet e bizneseve dhe punëtorët u detyruan të mbyllnin dyert pa asnjë paralajmërim. Lita theksoi se kjo ka lënë rreth 300 punëtorë pa punë.
“Pjesa e aksioneve ka filluar me një test provë që u bë në stadiumin ‘Air Albania’ që u tha se duhej për çështje sigurie për ndeshjen teksa bizneset u detyran të heqnin tavolinat dhe gjithçka çfarë kishin, derisa kuptuan arsyen e vërtetë.
Sot u rebeluan në zonën e Delijorgjit, i bllokuan të gjitha gjërat brenda, i lanë dhe u thanë prishini ju se ne nuk kemi më punë. Janë gati 300 punëtorë të këtyre bizneseve që kanë ngelur pa punë sepse pronarët u shprehën se nuk mund të punojnë kështu siç vinë ata pa paralajmërim.
Mendoj se ka filluar diçka shumë serioze me pronarët e bizneseve që janë të pasigurtë në pronën e tyre apo në biznesin e tyre, sepse vjen një e papritur dhe thonë hiqini se ka urdhëruar kryeministri nga një mbledhje në bashki”, tha Lita.
Ilir Meta depoziton në Kushtetuese kërkesën kundër vendimit të Gjykatës së Lartë që e la në arrest me burg.
Kreu i PL-së përmes avokatit Kujtim Cakrani, kërkon në Kushtetuese lirimin nga qelia.
Meta kërkon shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë që e la në burg më 27 shkurt. Gjithashtu, ish-presidenti i Republikës kërkon edhe shfuqimin e vendimit të mëparshëm, atij të 19 nëntorit 2024, kur Apeli në GJKKO e la në burg.
Meta mbahet i izoluar në burgun 313 në Tiranë, prej 21 nëntorit 2024. Kreu i PL-së po hetohet për aferën CEZ/DIA, gjatë kohës kur bashkëqeveriste forca e tij LSI me Partinë Demokratike, si dhe për lobingjet në Uashington.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të enjte në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës që u mbajt në Romë të Italisë.
Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, Rama tregoi gatishmërinë e Shqipërisë për t’i qëndruar në krah aleatëve në çdo kohë në lidhje me luftën në Ukrainë.
“Shqipëria është një vend shumë i vogël me burime modeste, nuk ka fuqi të ndryshojë shumë në fushëbetejë, por ne kemi qenë e do të jemi bashkë me Italinë dhe partnerët evropianë, kurdo e kudo që Ukraina do që ne të jemi”, tha Rama.
Shefi i qeverisë e vuri theksin te paqja, për të cilën tha se Evropa duhet të ketë planin e saj se si të arrijë deri aty. Ai nënvizoi se Evropa nuk duhet të lejojë askënd jashtë kufijve të saj t’i japë leksione se si është paqja.
“Megjithatë dua të ndaj me ju në këtë qytet që ndërkohë që mbështesim Ukrainën të luftojë dhe të rindërtohet, duhet të bëjmë maksimumin që të mos ta lëmë paqen në rreshtin e dytë të mendimeve tona. Nuk duhet ta lëmë fjalën paqe të ndajë më tej shtetet tona demokratike.
Nuk duhet të lëmë askënd jashtë kufijve të Evropës demokratike të na japë leksione ne, Komunitetit Evropian, se çfarë është paqja dhe si tingëllon kjo paqe. Ne nuk jemi komunitet luftënxitës dhe Ukraina nuk është as agresori, as autori i kësaj lufte të përgjakshme në dyert e Evropës.
Të flasësh për paqen nuk e ndal luftën, as nuk e bën Vladimir Putinin një paqedashës. Ndërkohë që bëjmë të gjitha gjërat e duhura për të mos e lënë në baltë Ukrainën, nuk do të jemi të fortë mjaftueshëm për t’i dhënë fund kësaj lufte nëse nuk kemi planin kurajoz për paqe”, tha Rama.
Një 21-vjeçar, i identidikuar si Seldi Margjegja, është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet se falsifikonte karta identiteti dhe përfitonte kredi bankare.
Hetimet zbuluan se i riu falsifikonte karta identiteti, duke përdorur fotografinë e tij dhe të dhëna të shtetasve të tjerë, për të aplikuar e përfituar kredi me vlera që varionin nga 1.000 deri në 3.400 euro. Deri më tani janë dokumentuar 9 raste të tilla.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi një automjet, disa karta identiteti të dyshuara si të falsifikuara, dy telefona celularë dhe 20 karta SIM.
“Pas disa javësh hetimesh, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizoi operacionin policor të koduar “Identiteti”, duke vënë në pranga shtetasin S. M., 21 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Buxheti i viteve 2026-2028 do të fokusohet tek mbrojtja dhe pensionet. Programi afatmesëm i botuar në Fletoren Zyrtare projekton rritje progresive të fondeve që do të jepen për Ministrinë e Ekonomisë për politikat e pensioneve dhe Ministrinë e Mbrojtjes për angazhimet në rritje për buxhetin e NATO-s.
Në vitin 2026 vjen buxheti për insititucionet do të jëtë 4.8 miliardë dhe Ministria e Ekonomisë do të marrë afro 700 mln euro nga 570 që menaxhon këtë vit, ndërsa buxheti i mbrojtjes nga 520 milionë euro do të rritet në 607 milionë euro deri në vitin 2028.
Ministria e Shëndetësisë, e cila ka edhe pjesën kryesore të buxhetit, do të ketë një rritje të lehtë, nga 800 milionë euro në 820 milionë euro në 2028.
Ndërsa buxheti i infrastrukturës do të organizohet me planin e projekteve, pasi nga 690 milionë euro, fillimisht do të rritet në 760 milionë euro dhe më pas të ulet në 715 milionë euro në vitin 2028.
Ndërkohë nga ana tjetër, bie në sy reduktimi i buxhetit për drejtësinë e në veçanti për SPAK. Për Prokurorinë e Posaçme, buxheti do të faturojë 18 mln euro në vit, nga 23 që ka dhënë gjatë viteve të fundit, pritet të reduktohet me 5 mln euro.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Azgan Mërnica, i akuzuar për vrasjen e efektivit të policisë Novruz Cenalia.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024 në Fier, ku sipas hetimeve, konflikti nisi pas një manovre të rrezikshme që i pandehuri Mërnica kreu me automjetin e tij.
Efektivi Cenalia, i cili ndodhej në automjetin e tij privat dhe ishte nisur për në detyrë, i tërhoqi vëmendjen Mërnicës për mënyrën e gabuar të drejtimit.
Kjo ndërhyrje dyshohet se solli irritimin e Mërnicës, i cili zbriti nga automjeti me një çantë ku mbante armën e zjarrit.
Pasi iu afrua makinës së viktimës, ai nxori armën e llojit pistoletë dhe qëlloi në drejtim të fytyrës së efektivit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme ndërsa në momentin e ngjarjes, viktima ishte i veshur me uniformën e Policisë së Shtetit.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes penale nr. 689/2024, këtë të enjte, më 10 korrik 2025, Prokuroria paraqiti konkluzionet përfundimtare dhe kërkoi deklarimin fajtor të Azgan Mërnicës për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Njoftimi i Prokurorisë së Fierit
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkon dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit Azgan Mërnica për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga nenet 79/b, 278 prg. I dhe 291 të Kodit Penal, kryer ndaj viktimës Novruz Cenalia.
Nga hetimi dhe gjykimi mbi procedimin penal nr. 689, të vitit 2024, u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri Azgan Mërnica ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit Novruz Cenalia, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij. Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.
Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka mbushur atë dhe më tej situata ka përshkallëzuar ku i pandehuri A.M duke përdorur armën e zjarrit të llojit pistoletë ka shtënë drejt fytyrës së viktimës N.C duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Në përfundim të gjykimit të këtij procedimi penal, sot në datë 10.07.2025, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në diskutimet përfundimtare kërkoi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278 prg. I i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit A.M. me burgim të përjetshëm”, thuhet në njoftim.
Azgan Mërnica dhe Novruz Cenalia
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër jetës dhe autoritetit të shtetit.
Mandati i vetëm i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” vihet në pikëpyetje. Edhe pse sipas akordit që dy partitë “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje” kishin përpara zgjedhjeve, se mandatet do i merrnin kaniddatët që do të merrnin më shumë vorta nga lista e hapur dhe listat e mbyllura do të dorëhiqeshin, duket se ky akord mund të mos zbatohet.
Kjo pasi kandidati i Nismës Thurje në listën e mbyllur në Tiranë, Zeqir Kordhoni ka depozituar në KQZ kërkesën për t’u njohur me letrën e dorëhqjes që koalicioni ka dorëzuar në emër të tij para zgjedhjeve të 11 majit.
I kontaktuar nga Euronews Albania, Kordhoni deklaroi se i është drejtuar KQZ për të verifikuar se çfarë ka firmosur pasi nuk mban mend të hedhur firmën mbi një dokument që të lërë mandatit e fituar në zgjedhje.
Kandidati Kordhoni deklaroi më tej se pasi të njihet me dokumentacionin e dorëzuar në KQZ do të ulet për të biseduar me dy drejtuesit e koalicionit Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, duke shtuar se në parim përpara zgjedhjeve, ai nuk kishte qenë dakord që të jepte dorëheqjen nga mandati në rast fitoreje.
Po ashtu Euronews Albania kontaktoi edhe Adriatik Lapajn, i cili deklaroi se deri në këto momente nuk ka asnjë lloj informacioni në lidhje me këtë çështje, por që do të bisedojë si me kandidatin Kordhoni por edhe me bashkëdrejtuesin e koaliconit, Endri Shabani.
Me këtë të fundit, Euronews Albania tentoi të komunikonte, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk kemi marrë asnjë reagim.
Burime të Euronews Albania bëjnë me dije se Zeqir Kordhoni nuk është një kandidat i thjesht në listën e Tiranës, por një familjar i afërt i Endri Shabanit.
Pas dorëheqjeve të drejtorëve të Bashkisë së Vlorës, në lidhje me aksionin e iniciuar nga Kryeministri Edi Rama për lirimin e hapësirave publike, ka qenë radha e drejtorëve të Bashkisë së Durrësit për të ndërmarrë të njëjtin hap.
Burime nga Bashkia e Durrësit bëjnë me dije se të gjithë drejtorët e bashkisë kanë dorëzuar dorëheqjet pranë kryetares Emiriana Sako.
Përveç tyre, dorëheqje kanë dhënë edhe drejtuesit e ndërmarrjeve në varësi të bashkisë, si dhe kryetarët e njësive administrative në territorin e Durrësit.
Sipas të njëjtave burime, është ngritur një komision i përbërë nga kryetarja e Bashkisë dhe disa deputetë të qarkut, të cilët do të shqyrtojnë rast pas rasti për të vendosur se cilët drejtues do të vijojnë në detyrë dhe cilët jo.
Pas kësaj faze, pritet të nisë edhe procesi i ristrukturimit për drejtorët rajonalë dhe institucionet e tjera në varësi të pushtetit vendor.
Lista e drejorëve të Bashkisë së Durrësit që kanë dhënë dorëheqjen:
Roni Shqiopa – Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore
Meme Xhaferaj – Drejtoria e Shërbimit Social
Ardian Gurra – Drejtoria e Arsimit, Kulturës, Sportit, Rinisë dhe Komuniteteve Fetare
Dorian Mema – Kryeinspektor i Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Vendor
Oneda Deliallisi – Drejtoria e Auditit të Brendshëm
Ermal Lufo – Drejtoria Ekonomike
Ardian Iljazaj – Drejtoria e Shërbimeve
Valbona Qiriako – Drejtoria e Buxhetit
Lorenc Facja – Drejtoria e Projekteve dhe Infrastrukturës Publike
Lorenc Smajli – Drejtoria e Turizmit
Dhurata Gjoka – Drejtoria e Burimeve Njerëzore
Robert Dervishi – Drejtoria e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit
Alneida Rroshi – Drejtoria Ligjore
Mirela Ylli – Biblioteka e Qytetit
Leonard Haka Ndërmarrja e Pastrimit dhe Gjelbërimit
Kreshnik Leka – Klubi Shumësportësh “Teuta”Kreshnik Leka
Alion Hysko – Ndërmarrja Rruga
Alketa Tragaj – Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu” Alketa Tragaj
Një grua ka humbur ndjenjat në Theth gjatë përplasjes mes banorëve dhe forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe policisë, të cilat kanë shkuar në zonë për të shembur objektet pa leje.
Pamjet e siguruara nga Euronews Albania tregojnë momentin kur gruaja merret në krahë nga familjarët e saj dhe transportohet drejt ambulancës së Thethit për të marrë ndihmën mjekësore.
Situata në zonë është tensionuar pas rezistencës së banorëve ndaj forcave të rendit, duke detyruar autoritetet të shtojnë prezencën e efektivëve të policisë. Më herët, përplasjet mes banorëve dhe IKMT-së sollën pezullimin e përkohshëm të shembjes së ndërtimeve gjatë ditës së mërkurë.
Të enjten në mëngjes, në Theth ishte e pranishme edhe drejtoresha e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, e cila kërkoi që operacioni të vijojë me ritme më të shpejta. Sipas zyrtarëve të IKMT-së, në këtë zonë janë identifikuar rreth 70 deri në 80 objekte pa leje që duhet të shemben.
Fillimisht, aksioni ishte planifikuar të zgjasë 5 ditë, por autoritetet paralajmërojnë se procesi mund të zgjasë më shumë për shkak të rezistencës së banorëve. Për të përshpejtuar shembjet, IKMT ka sjellë në zonë edhe një fadromë tjetër.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshi, dhe shefin e Komisariatit të këtij qyteti, Nik Nikolli. Ndërkohë që është pezulluar edhe shefi i Stacionit të Policisë në Theth.
Lajmi u bë publik nga vetë kreu i Policisë së Shtetit, i cili theksoi se shkarkimet lidhen me zaptimin e hapësirave publike në zonën e Thethit dhe mosveprimin e strukturave vendore për t’i parandaluar ato.
“Drejtuesit e policisë në Shkodër nuk kanë zbatuar detyrën dhe kanë lejuar ndërtimet pa leje. Do të mbajnë përgjegjësi nëse mbajnë sytë mbyllur dhe nuk e konstatojnë vetë, para se ta konstatojmë ne apo i gjithë komuniteti. Çdo rast neglizhimi të denoncohet menjëherë në Policinë e Shtetit”, deklaroi Proda.
Ai shtoi se lirimi i hapësirave publike do të jetë një nga prioritetet kryesore të policisë në ditët, javët dhe muajt në vijim.
“Hapësirat publike u përkasin qytetarëve dhe komunitetit, e askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë. Do të ketë kontroll të përditshëm dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo neglizhencë nga strukturat që kanë detyrë të parandalojnë e të godasin këto paligjshmëri, pa pritur që problematika të bëhet e patolerueshme si në rastin e Thethit”, theksoi kreu i Policisë së Shtetit.
Në vend të drejtorit të Policisë së Shkodrës është emëruar Gentian Berberi, i cili më herët ka mbajtur postin e drejtorit të Policisë në Kukës. Ndërsa në vend të tij, në krye të Policisë së Kukësit, është komanduar Loard Sallaku, ish-shef i Komisariatit nr. 2.
Në një prononcim për mediat, pronarja e restorantit që u përfshi nga flakët në orët e para të së enjtes në Theth, Aida Gjeçaj, shpreh dyshimet e saj se zjarri ka prapavijë tjetër dhe jo shkëndijën elektrike.
Sipas Gjeçajt, kur zjarrfikësja mbërriti në vendngjarje, dritat e objektit ishin ende të ndezura, duke përjashtuar kështu mundësinë e një shkëndije elektrike si shkak të zjarrit.
Ajo thekson se është një “koiçidencë e keqe” që zjarri ra pikërisht në kohën kur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po zhvillonte një aksion për heqjen e objekteve pa leje në zonën e Thethit.
Digjet restoranti në Theth, pronarja: Koiçidencë e keqe, nuk kam procedim për prishje pic.twitter.com/mMgqTYMICP
Aida Gjeçaj shtoi se nuk ka asnjë procedim për prishje, pasi nuk ka ndërtim pa leje në pronësi të saj.
“Ekspertët thonë se energjia nuk ishte shuar fare, edhe pse godina ishte në flakë, gjë që përjashton shkëndijën elektrike. Unë nuk kam dyshime, nuk i kam askujt borxh, s’kam pas as kërcënim as gjë, dhe nuk di pse ka ardhur. Unë kam një bujtinë me 5 dhoma, pasi s’kam dashur të ndërtoj asgjë pa leje, por s’di kujt t’ja vë gishtin. Koiçidenca me aksionin në Theth është e keqe, sepse unë nuk kam procedim për prishje, pasi nuk kam ndërtime ose objekte pa leje. Kam zgjedhur të punoj me restorantin dhe 5 dhoma, duke pritur dhe përcjellë sa të kemi mundësi për t’u ofruar një shërbim maksimal turistëve dhe emrit të Thethit”, tha ajo.
Gjeçaj thotë se dëmi i shkaktuar nga zjarri vlerësohet rreth 150 mijë euro.
“Dëmi mund të jetë rreth 150 mijë euro, ja lë në dorë drejtësisë, por s’është nga energjia. Nuk kam dijeni, pasi gjendesha në Tiranë në momentin e zjarrit. Kur më njoftuan në dy të natës që kishte rënë zjarri në subjektin tim, u nisa dhe erdha. Komshinjtë kanë ndërhyrë sa kanë mundur, por s’kanë arritur të shpëtojnë asgjë. Kjo është struktura ime, që ishte restorant me panele diellore. Zjarrfikësja nuk ka arritur të vijë në kohë, por gjithsesi ka mbërritur. Falenderoj komshinjtë që kanë ardhur për të evituar shpërndarjen e zjarrit. Falë Zotit, nuk ka pasur dëme njerëzore, as nga familjarët, as nga turistët. Restoranti dhe biznesi janë në pronësinë time”, përfundoi ajo.
Pas thuajse 48 orësh kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i kapitenit të anijes turistike, Arben Anamali i cili u hodh në ujë për të shpëtuar dy turistë izraelitë, por nuk mundi që t’ia dilte vetë.
Trupi u zbuluar gjatë ditës së tretë të operacionit të kërkimit në liqenin e Shkodrës, i cili nisi rreth orës 05:00 të mëngjesit të kësaj të enjte.
Operacioni u zhvillua me angazhimin e forcave të kërkim-shpëtimit dhe banorëve lokalë, të cilët kërkuan në zonën ku dyshohej se kapiteni kishte rënë.
Deri në momentin e gjetjes, autoritetet kishin bërë përpjekje intensive për të lokalizuar vendndodhjen e tij.
Fatkeqësisht, trup i kapitenit u gjet pa shenja jete, duke vënë kështu në përfundim një prej operacioneve më të gjata të kërkimit në këtë zonë.
Hetimet për rrethanat e ngjarjes janë duke vijuar nga autoritetet kompetente.
Arben Anamali
Njoftimi i policisë
“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 08.07.2025, për kapitenin e një anijeje që u mbyt gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë, në liqenin e Shkodrës, bëjmë me dije se si rezultat i kontrolleve të pandërprera nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me polumbarët e RENEA-s, ditën e sotme, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja nga uji, e trupit të pajetë të kapitenit të anijes, shtetasit A. A., 51 vjeç”, thuhet në njoftim.
Si ndodhi ngjarja
Pesë turistë izraelitë, të cilët po lundronin bashkë me të tjerë në anijen e drejtuar nga Anamali, u hodhën në ujrat e liqenit të Shkodrës për t’u larë ndërsa më pas kërkuan ndihmë për t’u shpëtuar.
Kapiteni veproi menjëherë dhe arriti të nxirrte nga uji tre prej tyre, ndërsa disa metra më larg shpëtoi edhe dy të tjerë.
Turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore ndërsa kapiteni 51-vjeçar, Arben Anamali u mbyt gjatë përpjekjes për ti shpëtuar ata.
Një restorant në Theth u shkrumbua plotësisht nga flakët në orët e para të mëngjesit të së enjtes, por fatmirësisht pa shkaktuar dëme në njerëz.
Dyshohet se shkak i zjarrit janë luhatjet e tensionit të energjisë elektrike ndërsa në pamje shihet se i gjithë objekti është përfshirë nga flakët.
Nga zjarri raportohet se ka pasur vetëm dëme materiale ndërsa banorët e zonës ndërhynë për të shuar flakët por nuk mundën dot.
Njoftimi i policisë
“Gjatë orëve të para të mëngjesit, në fshatin Theth, ka rënë zjarr në lokalin në pronësi të shtetasit P. Gj. Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëmë materiale. Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, thuhet në njoftim.
Një aksident me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor “Pogradec–Qafë Thanë”.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti që drejtohej nga shtetasi Alfons Bleta, 34 vjeç, dyshohet se ka dalë nga rruga për shkak të humbjes së kontrollit nga drejtuesi i mjetit, duke përfunduar në liqen.
Për pasojë, drejtuesi i mjetit ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Analisti Flogert Muça, i ftuar në një intervistë për Euronews Albania, ka komentuar zhvillimet e fundit në Theth, ku po vijon aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur.
Sipas tij, përgjegjësia bie si mbi ndërtuesit, ashtu edhe mbi institucionet vendore që kanë toleruar apo ndihmuar ndërtimet në mënyrë të paligjshme.
Muça thekson se ka përgjegjësi edhe tek inspektorët e mbrojtjes së territorit dhe policia bashkiake, të cilët nuk kanë vepruar në kohë ose kanë toleruar ndërtimet për interesa të ndryshme.
“Banorët e Thethit janë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës. Nuk duhet të ngatërrojmë emocionin njerëzor që na dhimbset shembja, por duhet ndarë humanja nga ligjorja. Ata e dinë se alpet atje janë zona të mbrojtura, në pronë private nuk mund të ndërtosh beton, as pa leje as pa asgjë. Ata e kanë bërë. Aty ka inspektor të policisë bashkiakë, inspektor të mbrojtjes së territorit që në rastin më të mirë nuk e kanë bërë punën e tyre dhe në rastin më të keq janë bashkëfajtor me ndërtuesin që mund të ketë ndodhur dhe një ryshfet.
Ligji është i qartë për zonat e mbrojtura. Të dhemb shpirti për investimin e atyre qytetarëve, por nga ana tjetër fakti që mund të jetë bërë një kaos atje në zonat e mbrojtura, nuk mund ta normalizojmë”, tha Muça.
Arian Cerku, operator turistik dhe banor i Thethit, ka reaguar në Euronews Albania lidhur me aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë turistike, duke shprehur pakënaqësinë për mënyrën si po veprohet nga autoritetet.
Sipas tij, aksioni është kryer në mënyrë të papritur dhe pa informim paraprak, çka ka krijuar pasiguri tek banorët dhe sipërmarrësit lokalë.
“Unë kam një bujtinë të vogël. Para një viti kam filluar të ndërtoj një tokë dhe kam bërë një shtëpi për vete. Kanë ardhur dhe kanë gjobitur, ne kemi ndërtuar në kohën kur s’ka qenë asnjë këtu sepse kemi ndërtuar pa leje, por siç kanë ndërtuar të gjithë kam ndërtuar dhe unë.
Ka ardhur Inspektoriati dhe ka vendosur gjoba. Paralajmërim për shembjet unë personalisht nuk kam pasur, se di as sot. Sot ka qenë fjala që do shemben 6 objekte por nuk e dimë se cilat kanë qenë. Nuk na ka treguar askush. Kur të vjen gjoba nga IMT e bashkisë ose Inspektoriati i policisë, të vjen letra të shpia. Unë momentalisht nuk kam marrë asgjë, po flas për pjesën e fshatit”, tha Cerku.
Ai shtoi se në fshat flitet për rreth 90 objekte që do të shemben, por asnjëri prej pronarëve nuk ka marrë një dokument zyrtar që të përcaktojë afatin për largim apo reagim ligjor.
“90% e rasteve që po flitet që janë 90 objekte, asnjë prej tyre nuk ka një dokument paralajmërues ku mund të jepet një afat qoftë 5, ditë qoftë 1 muaj apo një orë”, tha ai.
Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Florian Sulejmani, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht, por shkaqet e dorëheqjes ende nuk janë bërë publike.
Sulejmani u emërua në krye të AMP-së në nëntor të vitit 2023, ndërsa në prill të këtij viti u përball me një pezullim nga detyra me vendim të Prokurorisë së Beratit, lidhur me transferime të vartësve të tij, çështje për të cilën nisi një hetim penal.
Megjithatë, më vonë, Gjykata e Tiranës vendosi heqjen e masës së pezullimit, duke i hapur rrugë rikthimit të tij në detyrë.
Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila la në fuqi masën e “arrestit me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar avokatët e tij ndërkombëtarë, duke e cilësuar këtë vendim si një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe të një procesi të rregullt ligjor.
Në një deklaratë të përbashkët të firmave ligjore “Kasowitz LLP” (SHBA) dhe “Mishcon de Reya” (MB), mbrojtja juridike e Veliajt paralajmëron se po shqyrton ndjekje të mëtejshme në instanca ndërkombëtare, përfshirë mekanizmat e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR).
Daniel Fetterman, nga firma Kasowitz LLP, thekson:
“Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj – pa akuzë dhe kur ka mundësi për masa më të qarta, proporcionale dhe të arsyeshme alternative ndalimi – është në kundërshtim me parimet e vendosura për një proces të rregullt ligjor dhe në papajtueshmëri me sundimin e ligjit.”
Ndërkohë, Ben Brandon, përfaqësues i Mishcon de Reya, deklaron:
“Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut ndalon burgosjet arbitrare dhe garanton që arrestimi duhet të jetë një masë e nevojshme, proporcionale dhe e arsyeshme. Ne po presim vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë, por jemi duke marrë në konsideratë të gjitha masat e mundshme ligjore. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për papajtueshmërinë e këtij arrestimi me ECHR.”
Sipas avokatëve, vendimi për të mbajtur Veliajn në burg është marrë pa shqyrtuar mundësitë e masave më të buta dhe përbën një rrezik të madh për standardet e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Erion Veliaj ndodhet aktualisht në paraburgim në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ndërsa avokatët e tij vendas dhe ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se do të ndjekin rrugët ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare për të kundërshtuar këtë masë sigurie.
Një 23-vjeçar i identifikuar si Renis Dobra është gjetur këtë të mërkurë në afërsi të Shkopetit, pa shenja jete, në një zonë të pyllëzuar. Sipas policisë, babai i viktimës kishte denoncuar një ditë më parë zhdukjen e të birit, fakt i cili mobilizoi policinë për gjetjen e tij.
Por pas zbulimit të trupit të viktimës, janë konstatuar shenja dhune, gjë e cila ngriti dyshimet se 23-vjeçari mund të jetë vrarë. Kërkimet e policisë zbuluan se automjeti i viktimës kishte përfunduar në lumë, gjë që përforcoi edhe më shumë dyshimet se ngjarja kishte prapavijë kriminale.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, në trupin e viktimës janë konstatuar shenja të dukshme dhune, përfshirë mavijosje në zonën e fytit. Këto shenja ngjallin dyshime të forta se i riu është mbytur fillimisht me litar dhe më pas është hedhur në zonën e Shkopetit, me qëllim për të fshehur krimin.
Ndërkohë, kamerat e sigurisë kanë konstatuar një automjet që shoqëronte makinën e të riut nga fshati Zenisht deri në qytetin e Burrelit.
Hetimet janë marrë në dorë nga një grup i posaçëm hetimor, ndërsa Prokuroria e Rrethit të Matit ka nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacione zyrtare mbi motivet e mundshme të kësaj vrasjeje.
Nuk dihet ende nëse viktima ishte i përfshirë në veprimtari kriminale, ndërsa pistat e hetimit janë disa.