Normal view

Jep dorëheqjen Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Tiranë, Veliaj rikthen Alban Dokushin

1 September 2026 at 13:58

Pas shkarkimit të kryetares së komanduar të bashkisë Tiranë Anuela Ristanit nga Erion Veliajt disa ditë më parë, ka dhënë dorëheqjen edhe Sekretari i Përgjithshëm Eldi Hoxha.

Mësohet se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka komanduar Alban Dokushin si Sekretar te Përgjithshem pas vendimit per ta rikthyer ne detyre nga gjykata administrative

The post Jep dorëheqjen Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Tiranë, Veliaj rikthen Alban Dokushin appeared first on Euronews Albania.

Protestë e 20 bashkive në Prishtinë, akuzat ndaj qeverisë: Po na merrni buxhetin

1 September 2026 at 13:43

Kryetarë të rreth 20 komunave të Kosovës, së bashku me punonjës të administratës, protestuan këtë të martë në Prishtinë kundër qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. Drejtuesit e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe komunave të tjera akuzuan qeverinë se po ndërhyn në kompetencat e pushtetit lokal dhe po cenon buxhetet komunale.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se veprimet e qeverisë nuk po dëmtojnë vetëm drejtuesit e komunave, por drejtpërdrejt qytetarët. Sipas tij, institucionet lokale po bllokohen për shkak të bindjeve politike të qytetarëve që nuk kanë votuar për Vetëvendosjen.

“Ne kemi kërkuar institucione, që ne tashmë institucionet i kemi, e këto janë marrë peng i një qeverisjeje e cila i shfrytëzon këto institucione për t’i blloku qytetarët e vet, sepse nuk i bllokon kryetarët, por qytetarët. Pra, i bllokon qytetarët veç pse s’e kanë votuar dikë të Vetëvendosjes. Kjo është një tendencë diktatoriale edhe po rrëshqasim drejt kësaj”, tha Përparim Rama, kryetar i Prishtinës.

Kritik ndaj qeverisë ishte edhe kryetari i Ferizajt dhe njëkohësisht kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu. Ai kërkoi që fondet e komunave të mos preken dhe që qeveria të kompensojë mjetet që, sipas tij, u janë marrë pushteteve lokale.

“Mos ua merrni komunave atë që ju takon qytetarëve. Mjaft me qasje selektive, jo mbështetëse, diskriminuese për komunat. Mjaft më me plagën financiare të komunave, pa fajin e obligimin e tyre, që po defunksionalizon dhe shkatërron qeverisjen lokale në tërësi. Komunat nuk janë të kryetarëve, komunat janë të qytetarëve. Qytetarët e qyteteve tona nuk e meritojnë të ndëshkohen. Kur dëmtohet buxheti i komunës, nuk dëmtohet vetëm komuna, por qytetarët. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës t’i kompensojë komunat për mjetet e marra dhe të marrë përsipër financimin e obligimeve që burojnë nga marrëveshjet e nivelit qendror”, u shpreh Aliu.

Në përfundim të protestës, disa prej kryetarëve hynë në godinën e Qeverisë së Kosovës për t’i dorëzuar zyrtarisht kërkesat e tyre. Në protestë morën pjesë edhe deputetë të PDK-së dhe Aleancës, ndërsa munguan kryetarët e komunave që drejtohen nga Vetëvendosje.

Një tjetër kundërshtim lidhet me planet e qeverisë për pronat komunale. Kryetarët e komunave kundërshtojnë kalimin e pronave të pushtetit lokal në pronësi të Qeverisë së Kosovës, duke e konsideruar këtë një cenim të autonomisë së nivelit vendor.

PDK, LDK dhe Aleanca drejtojnë 20 nga 38 komunat e Kosovës, ndërsa Vetëvendosje udhëheq 7 komuna. Pjesa tjetër drejtohet nga Lista Serbe dhe një komunë nga komuniteti turk, duke e bërë përplasjen për financat dhe kompetencat lokale një tjetër pikë të fortë konflikti mes pushtetit qendror dhe atij vendor.

The post Protestë e 20 bashkive në Prishtinë, akuzat ndaj qeverisë: Po na merrni buxhetin appeared first on Euronews Albania.

Islam Selmani në finale të Lojërave Mesdhetare, synon medaljen e artë në karate për Kosovën

1 September 2026 at 13:27

Islam Selmani ka siguruar finalen e Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, pas një tjetër fitoreje të madhe.

Nënkampioni botëror, fillimisht mposhti francezin Sami Tas, ndërsa në çerekfinale triumfoi ndaj karateistit nga Qiproja, Gavriel Andreas.

Selmani nuk u ndal as në gjysmëfinale, ku përballë kishte grekun Xenos. Karateisti kosovar e mposhti edhe atë, duke siguruar kështu një vend në finale.

Në finale, Selmani do ta kërkojë medaljen e artë të Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, në një tjetër sfidë të rëndësishme për të dhe Kosovën.

The post Islam Selmani në finale të Lojërave Mesdhetare, synon medaljen e artë në karate për Kosovën appeared first on Euronews Albania.

Avokatët kundër rregullores së re të GJKKO: Nëse nuk reflektohet, bojkotojmë seancat

1 September 2026 at 12:56

Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila vendos kufizime për gazetarët dhe avokatët, ka sjellë reagimin e drejtuesve të dhomave të avokatisë.

Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, dhe kryetari i Dhomës së Avokatisë Tiranë, Klodian Skënderi, dolën këtë të hënë në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të GJKKO-së, ku kundërshtuan disa prej përcaktimeve të rregullores së re.

Haxhia deklaroi se avokatët e kontestojnë rregulloren dhe paralajmëroi bojkot të seancave gjyqësore nëse nuk do të ketë reflektim.

“Kontestojmë rregulloren. Nëse nuk ka reflektim, shkojmë në bojkot të seancave gjyqësore”, u shpreh Haxhia.

Një prej pikave të kundërshtuara lidhet me kufizimet për përdorimin e telefonave celularë brenda ambienteve të gjykatës. Sipas Haxhisë, telefoni është një mjet i rëndësishëm pune për avokatët.

“Aparati celular për ne është ‘studio lëvizëse’, ku punojmë”, deklaroi ai.

Rregullorja e re e GJKKO-së është kritikuar edhe nga organizata që mbrojnë të drejtën e informimit, të cilat e kanë konsideruar atë si një kufizim ndaj veprimtarisë së medias dhe misionit të gazetarëve për informimin e publikut.

Përveç gazetarëve dhe avokatëve, rregullorja prek edhe organizimin e brendshëm të sigurisë në GJKKO. Këtë të hënë, në ambientet e gjykatës janë parë efektivë të Gardës së Republikës dhe të Policisë së Shtetit.

Rregullorja e re është miratuar nga zëvendëskryetari i GJKKO-së, Erjon Bani, dhe parashikon kufizime të reja për aksesin dhe qëndrimin në ambientet e gjykatës, duke prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë punën e gazetarëve dhe avokatëve.

The post Avokatët kundër rregullores së re të GJKKO: Nëse nuk reflektohet, bojkotojmë seancat appeared first on Euronews Albania.

Gruaja e Netanyahut sulmon kundërshtarin e tij në zgjedhje: E dinte për 7 tetorin

1 September 2026 at 12:45

Sara Netanyahu, bashkëshortja e kryeministrit izraelit, la të kuptohej se udhëheqësi i një partie opozitare e dinte paraprakisht për sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, disa javë para zgjedhjeve parlamentare në Izrael, rezultati i të cilave duket se është në dyshim.

Gjatë një interviste të transmetuar dje, të hënën, nga rrjeti televiziv Channel 14 i lidhur me qeverinë, Sara Netanyahu sulmoi Yair Golan , një gjeneral major në pension dhe kreu i partisë opozitare “Demokratët”.

Golan ishte “tashmë i veshur dhe gati” në orët e para të 7 tetorit 2023, kur “të tjerët, përfshirë kryeministrin, nuk dinin asgjë”, theksoi ai.

Deklaratat e Sara Netanyahut shkaktuan një reagim të fortë nga opozita, me partinë e Golanit që foli në llogarinë e saj X për akuzat “e liga dhe të rreme” . “Riprodhimi i teorive të konspiracionit kundër Gjeneralit Yair Golan dhe shpifja e heroizmit të tij më 7 tetor kalojnë një vijë të kuqe që kufizohet me çmendurinë”, shtoi partia.

Gandhi Eisenkot, kreu i partisë Yashar dhe kundërshtari kryesor i Netanyahut në zgjedhje, gjithashtu kritikoi përmes X “teorinë absurde dhe të rreme të konspiracionit të tradhtisë” që po përhapet nga rrethimi i Netanyahut, me qëllim “shtypjen e urrejtjes dhe përjetësimin” e pushtetit të tij.

Pretendimet e Sara Netanyahut i bëjnë jehonë teorive të konspiracionit të përsëritura nga një pjesë e klasës politike të Izraelit.

Sipas një sondazhi të rrjetit televiziv Channel 13 të kryer në gusht, 40% e izraelitëve dhe 63% e votuesve në koalicionin qeverisës besojnë se tradhtia e brendshme çoi në masakrën e 7 tetorit.

Ofensiva e paprecedentë e Hamasit kundër Izraelit ka vrarë 1,221 persona, shumica prej tyre civilë, sipas një llogaritjeje të AFP-së. Hamasi gjithashtu ka rrëmbyer 251 persona, duke i çuar ata në Rripin e Gazës.

Operacioni ushtarak i nisur nga Izraeli në shenjë hakmarrjeje vrau më shumë se 73,000 njerëz në Gaza – kryesisht gra dhe fëmijë – sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e enklavës palestineze.

The post Gruaja e Netanyahut sulmon kundërshtarin e tij në zgjedhje: E dinte për 7 tetorin appeared first on Euronews Albania.

8 vjedhje në dy muaj, arrestohet 49-vjeçari në Durrës, në kërkim bashkëpunëtori

1 September 2026 at 12:22

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Midsummer”, duke zbardhur 8 raste vjedhjesh të kryera gjatë muajve korrik dhe gusht 2026.

Në kuadër të operacionit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës kanë identifikuar dy persona të dyshuar si autorë dhe bashkëpunëtorë në këto raste.

Në pranga ka rënë shtetasi G. Th., 49 vjeç, banues në Durrës, i cili u kap dhe u arrestua në flagrancë pas vjedhjes së një celulari. Ndërkohë, policia vijon punën për kapjen e bashkëpunëtorit të dyshuar, M. B., 32 vjeç, banues në Durrës.

Sipas hetimeve, dy të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim gjatë muajve korrik dhe gusht, duke kryer gjithsej 8 vjedhje.

Në 6 prej rasteve, bëhet fjalë për vjedhje portofolash, celularësh dhe sendesh personale, ndërsa në 2 raste të tjera dyshohet se është vjedhur matësi i energjisë elektrike.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, si dhe për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

The post 8 vjedhje në dy muaj, arrestohet 49-vjeçari në Durrës, në kërkim bashkëpunëtori appeared first on Euronews Albania.

Durrës, vijon aksioni i Policisë Bashkiake për lirimin e hapësirave publike

1 September 2026 at 12:13

Policia Bashkiake ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike nga barrierat e vendosura në mënyrë të paligjshme për të zënë vende parkimi.

Gjatë ndërhyrjes së kësaj të marte, efektivët janë përqendruar në bllokun e pallateve pranë sheshit “Pranvera” dhe në zonën e ish-rajonit të policisë, ku janë larguar pengesa të ndryshme.

Kupola betoni, struktura metalike, bidonë, zinxhirë, goma, karrige dhe mjete të tjera rrethanore përdoren nga qytetarë apo subjekte për të rezervuar hapësira parkimi në mënyrë individuale.

Policia Bashkiake njofton se aksioni do të vijojë në ditët në vazhdim në të gjitha lagjet e Durrësit.

Ndërkohë, qytetarëve dhe subjekteve u bëhet apel që t’i largojnë vullnetarisht pengesat nga hapësirat publike.

The post Durrës, vijon aksioni i Policisë Bashkiake për lirimin e hapësirave publike appeared first on Euronews Albania.

Publikohet videoja e sherrit në Malin e Robit, 18-vjeçari dhunohet nga katër persona

1 September 2026 at 11:57

Është publikuar videoja e incidentit të ndodhur në Malin e Robit, në Golem, ku një 18-vjeçar, i cili punonte si kamarier, është përfshirë në një konflikt me pronarët e hotelit.

Nga pamjet e publikuara, duket se ngjarja është regjistruar në ambientet e jashtme të hotelit, në rrugë. Në video shihen katër persona që godasin dhe dhunojnë 18-vjeçarin, ndërsa në sfond dëgjohet i riu duke kërkuar ndihmë.

Pamjet kanë nxitur reagime, ndërsa rrethanat e plota të konfliktit dhe shkaqet që çuan në përplasjen fizike pritet të zbardhen nga autoritetet.

The post Publikohet videoja e sherrit në Malin e Robit, 18-vjeçari dhunohet nga katër persona appeared first on Euronews Albania.

Spanjë, mbi 5 000 vdekje që nga 1 qershori për shkak të nxehtësisë

1 September 2026 at 11:54

Më shumë se 5,000 vdekje të atribuuara të nxehtësisë u regjistruan në Spanjë nga 1 qershori deri më 31 gusht, një numër rekord për këtë periudhë që kur Instituti Shëndetësor Carlos III filloi të mbledhë këto të dhëna në vitin 2015. Në të njëjtën kohë, nxehtësia vazhdon të godasë Evropën.

Ky institut publik, me seli në Madrid , ia atribuoi të nxehtit 2,149 vdekje në gusht , 2,025 në korrik dhe 937 në qershor, pra 5,111 vdekje në këto tre muaj, sipas të dhënave të para nga Agence France-Presse.

Rekordi i mëparshëm për këto tre muaj u vendos në vitin 2022 , me 4,652 vdekje të atribuuara të nxehtësisë. Për krahasim, gjatë së njëjtës periudhë, 3,651 vdekje iu atribuuan të njëjtit shkak në vitin 2025 dhe 1,977 në vitin 2024.

Këto vlerësime bazohen në të ashtuquajturin sistem MoMo (Monitorimi i Vdekshmërisë), i cili përpilon numrin e vdekjeve në Spanjë në baza ditore dhe llogarit diferencën midis vdekshmërisë së regjistruar dhe vdekshmërisë së parashikuar bazuar në seritë historike. Ai gjithashtu përfshin faktorë të tillë si temperaturat e shpallura nga Shërbimi Kombëtar Meteorologjik (Aemet).

Ashtu si pjesa më e madhe e Evropës, Spanja po përjeton një verë veçanërisht të nxehtë këtë vit, me valë të njëpasnjëshme të nxehtësisë së fortë.

Vendi po përgatitet për një rritje të re të madhe të temperaturave në ditët në vijim, “pas disa ditësh freski relative për sezonin në shumë zona”, vuri në dukje Aemet gjatë fundjavës.

Në ballë të ndryshimeve klimatike, Spanja ka përjetuar valë të nxehti me kohëzgjatje dhe frekuencë në rritje vitet e fundit, me temperatura shumë mbi 40 gradë Celsius.

Valë e re e të nxehtit në Francë

Zonat e Francës jugore pritet gjithashtu të përballen me një valë të re të nxehti , ku termometri, sipas vlerësimeve të shërbimit meteorologjik francez, pritet të kalojë 35°C.

Temperaturat do të jenë të larta në Francën qendrore , si dhe në Paris , duke tejkaluar 30°C në disa zona.

Sipas shërbimit meteorologjik francez, i nxehti pritet të zgjasë të paktën deri të shtunën e ardhshme .

Nëse parashikimet e shërbimit meteorologjik francez konfirmohen, atëherë kjo do të jetë vala e katërt e të nxehtit që do të godasë Francën këtë verë.

The post Spanjë, mbi 5 000 vdekje që nga 1 qershori për shkak të nxehtësisë appeared first on Euronews Albania.

Raporti: Gjermania fajëson Rusinë për komplotin me dron në aeroportin e Leipzigut

1 September 2026 at 11:48

Qeveria e Gjermanisë synon ta mbajë Rusinë përgjegjëse për një tentativë sulmi me dron në Aeroportin e Leipzigut pas gjetjeve të hetuesve, raportoi të martën e përditshmja Bild.

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul ka ndryshuar planet e tij të udhëtimit në mënyrë që të mund të paraqitet me Ministrin e Brendshëm Alexander Dobrindt në një konferencë shtypi më vonë të martën, raportoi gazeta, duke cituar burime të sigurisë.

Bild tha se qeveria tani supozon se incidenti në Leipzig ishte një përpjekje sulmi e porositur nga Moska. Berlini deri më tani ishte përmbajtur nga një atribuim i drejtpërdrejtë publik. Deri më tani, Dobrindt kishte folur vetëm për “fuqitë e huaja” që fshiheshin pas incidentit.

Sipas burimeve të sigurisë, gjurmët nga droni i mbushur me eksploziv tregojnë për një shërbim inteligjence rus. Gjetjet e hetuesve janë “kondensuar deri në atë pikë” sa Berlini dëshiron t’ia atribuojë rastin këtij shërbimi, raportoi Bild.

Autoritetet gjermane i thanë medias javën e kaluar se përpjekja për sulm ndaj një aeroplani mallrash ukrainas Antonov në Aeroportin e Leipzigut në gusht ishte më serioze nga sa u përshkrua fillimisht. Droni ishte pajisur me eksplozivë dhe hetuesit kanë arritur në përfundimin se ishin të përfshirë disa dronë në vend të njërit.

Welt am Sonntag raportoi gjithashtu se zbulimi i një depoje armësh pranë Berlinit e ka ashpërsuar qëndrimin e qeverisë gjermane. Agjencia e inteligjencës së brendshme gjermane, BfV, vlerësoi se armët ishin të fshehura për spiunët rusë, të cilët mund të urdhëroheshin nga Moska për të kryer vrasje.

Ambasada ruse në Berlin nuk ka lëshuar një deklaratë zyrtare mbi akuzat. Moska më parë ka hedhur poshtë pretendimet për vrasje, sabotim dhe spiunazh në vendet aleate me Ukrainën, duke akuzuar qeveritë perëndimore për nxitjen e “paranojës anti-ruse”.

The post Raporti: Gjermania fajëson Rusinë për komplotin me dron në aeroportin e Leipzigut appeared first on Euronews Albania.

Kolumbi: 20 rebelë të vrarë në bombardimet qeveritare

1 September 2026 at 10:28

Njëzet guerilas u vranë në Kolumbi në bombardimet e para në zonat e kontrolluara nga organizatat e armatosura të urdhëruara nga qeveria e Presidentit të ri Abelardo de la Esperanza , njoftoi vetë kreu i shtetit dje, të hënën.

“Ne neutralizuam 20 narko-terroristë, kapëm pesë (…) dhe nxorëm dy të mitur”, tha De la Esprieja në një video që publikoi nëpërmjet X.

Operacioni kishte në shënjestër një grup luftëtarësh nën komandën e guerilit më të kërkuar të vendit, i njohur me pseudonimin Ivan Mordisco, dhe u zhvillua dje herët në mëngjes në Gaviare, në pjesën jugore të vendit, shtoi ai.

Këto janë shpërthimet më vdekjeprurëse që kur presidenti i ri, i cili i përket të ashtuquajturës të djathtë ekstreme, mori pushtetin më 7 gusht. Ai u zgjodh duke premtuar një luftë të pamëshirshme kundër organizatave të jashtëligjshme që sigurojnë fonde përmes trafikut të drogës, minierave të paligjshme dhe zhvatjes.

Ky ishte bombardimi i tretë i njoftuar që kur qeveria e re mori detyrën. Pati numrin më të madh të viktimave në çdo operacion ushtarak që nga presidenca e Juan Manuel Santos (2010-2018), tha një burim ushtarak për AFP-në.

Dy shpërthimet e para vranë katër të mitur, dy 15-vjeçarë dhe dy 16-vjeçarë. Nuk dihet nëse kishte të mitur midis viktimave të shpërthimit të tretë.

Duke iu drejtuar në vetën e dytë udhëheqësit të disidentëve, ish-FARC-ut, Presidenti De la Esperanza tha: ” Do të paguani për të gjitha të këqijat që keni bërë në Kolumbi “.

Presidenti i ri ka njoftuar se do të intensifikojë luftën kundër kryengritësve dhe krimit të organizuar, me mbështetjen e aleatëve të tij kryesorë, SHBA-së dhe Izraelit.

The post Kolumbi: 20 rebelë të vrarë në bombardimet qeveritare appeared first on Euronews Albania.

Kolumbi, kokaina tejkalon naftën si produkti kryesor i eksportit

1 September 2026 at 10:25

Eksportet e paligjshme të kokainës kanë tejkaluar shitjet e naftës bruto për herë të parë dhe janë bërë eksporti më i madh i vetëm i Kolumbisë , sipas një raporti nga Universiteti EAFIT me seli në Medellin .

Eksportet e paligjshme të kokainës në Kolumbi vlerësohen në studim të arrijnë në 16.5 miliardë dollarë deri në vitin 2024, duke tejkaluar 15 miliardë dollarët e fituar nga industria e naftës. Rritja nënvizon pozicionin e Kolumbisë si prodhuesi kryesor i kokainës në botë, përgjegjës për pothuajse 70% të furnizimeve globale.

Bumi në tregtinë ilegale të drogës bie në sy midis sektorëve kryesorë të eksportit të Kolumbisë. Sipas studiuesve të EAFIT, qymyri renditet si shtylla e tretë më e madhe e eksportit të vendit me 7.1 miliardë dollarë, i ndjekur nga eksportet e ligjshme të arit me 4.1 miliardë dollarë dhe minierat ilegale të arit me 3.6 miliardë dollarë.

Tregtia e kokainës është rritur duke përbërë pothuajse 4.4% të PBB- së së Kolumbisë . Ekspertët paralajmërojnë se gjatë dekadës së fundit, ekonomia e paligjshme e kokainës është zgjeruar nga 0.8% e AEO-së në vitin 2013 në mbi 4% në vitin 2024.

Prodhimi vjetor i kokainës në Kolumbi u rrit dhjetëfish, nga më pak se 300 ton metrikë në vitin 2013 në pothuajse 3,000 ton metrikë në vitin 2024.

Raporti shqyrton se si marzhet e fitimit shumëfishohen në mënyrë eksponenciale përgjatë zinxhirit të kontrabandës.

Në Kolumbinë rurale, ku kultivohet, një kilogram gjethe kokaine kushton rreth 468 dollarë. Pasi përpunohet në laboratorë të paligjshëm vendas, vlera e një kilogrami klorhidrat kokaine rritet në 1,400 dollarë.

Ndërsa krimi i organizuar kolumbian zgjeron gjithnjë e më shumë aksesin e tij në rrjetet ndërkombëtare të shpërndarjes jashtë vendit, të ardhurat e tij po shumëfishohen. Çmimi mesatar i ponderuar sipas vëllimit për kartelet kolumbiane arrin pothuajse 5,929 dollarë për kilogram pas eksportit , ndërsa çmimet me shumicë në tregjet e destinacionit si Evropa mund të kalojnë 78,000 dollarë për kilogram.

Ky integrim i thellë në zinxhirët globalë të furnizimit u lejon sindikatave të krimit vendas të përvetësojnë kufij të mëdhenj fitimi të gjeneruar jashtë vendit, duke përforcuar rolin dominues të trafikut të drogës në ekonominë kolumbiane.

The post Kolumbi, kokaina tejkalon naftën si produkti kryesor i eksportit appeared first on Euronews Albania.

Ministria e Mbrojtjes: 27 vatra zjarri në 24 orë, 4 aktive vijojnë të jenë aktive

1 September 2026 at 09:55

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën më të fundit sa i përket zjarreve në vend. Sipas përditësimit të orës 09:00 të 1 shtatorit 2026, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, nga të cilat 4 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 4 të tjera janë nën mbikëqyrje.

Për përballimin e situatës janë angazhuar gjithsej 432 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 70 forca ushtarake dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.

Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 90 forcave ushtarake në bashkitë Bulqizë, Mat dhe Tiranë.

Në Dajt të Tiranës, vijojnë vatrat aktive në drejtim të Qafë-Priskës. Gjatë ditës së djeshme në terren u angazhuan 15 zjarrfikës, 9 forca të Administratës së Zonave të Mbrojtura, 20 ushtarakë dhe një helikopter. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Vajkal të Bulqizës, zjarri vijon aktiv në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja, në terren shkëmbor. Për shuarjen e tij janë angazhuar 11 forca të MZSH-së, 5 forca pyjore, 7 vullnetarë dhe 30 ushtarakë.

Në Lundre të Matit, zjarri vijon në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Në operacion janë angazhuar 40 forca të MZSH-së dhe shërbimit pyjor, 20 ushtarakë dhe një helikopter.

Ndërkohë, në Urën e Shtrenjtë në Shkodër, vijon një vatër aktive në terren të thepisur. Ekipet në terren po punojnë për izolimin e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij.

Nën mbikëqyrje vijojnë vatrat në Qafën e Helmës në Bulqizë, Qafën e Lugut në Korçë, malin e Qukësit në Prrenjas dhe Zhejë në Kurbin.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në të gjitha këto raste nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale vijojnë të jenë të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

The post Ministria e Mbrojtjes: 27 vatra zjarri në 24 orë, 4 aktive vijojnë të jenë aktive appeared first on Euronews Albania.

Hoxha në Forumin Evropian Alpbach: Shqipëria po kontribuon në sigurinë e Evropës

1 September 2026 at 09:52

Ministri Ferit Hoxha, me ftesë të Ministres së Jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger mori pjesë në Forumin Evropian Alpbach në Austri, ku iu bashkua panelit të diskutimit “Aftësia dhe Ripërtëritja: Mobilizimi i Fuqisë së Evropës për të Vepruar”.

Përmes një njoftimi për mediat zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme bëri me dije se gjatë diskutimit, Hoxha theksoi se për Shqipërinë si një vend i vendosur në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE, e tashmja dhe e ardhmja jonë janë thellësisht të ndërthurura me të ardhmen e vetë Evropës.

Për këtë arsye sipas tij,  sfidat e Evropës janë sfidat tona dhe vendimet e marra sot do të ndihmojnë në formësimin e Evropës së cilës aspirojmë t’i bashkohemi nesër.

“Shqipëria nuk po përgatitet vetëm për t’u bashkuar me BE-në. Ne tashmë po kontribuojmë në sigurinë dhe stabilitetin e Evropës përmes përputhjes sonë të palëkundur me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, duke përfshirë miratimin e sanksioneve të BE-së dhe pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet e udhëhequra nga BE-ja; përmes rolit tonë aktiv brenda NATO-s; dhe përmes angazhimit tonë të vendosur ndaj vlerave, parimeve dhe përgjegjësive që mbështesin projektin Evropian. Ne jemi të gatshëm të marrim një rol edhe më të madh në adresimin e sfidave tona të përbashkëta”, tha Hoxha.

Ministri nënvizoi se ambicia jonë nuk është thjesht të jemi gati për Evropën, por të jemi të dobishëm për Evropën.

“Evropa të cilës kërkojmë t’i bashkohemi nuk duhet të jetë vetëm më e madhe. Duhet të jetë një Bashkim që është më i aftë të veprojë, më i shpejtë kur është e nevojshme, më i fortë kur sfidohet dhe më i bashkuar kur ka më shumë rëndësi. Kjo është arsyeja pse Shqipëria vlerëson të jetë pjesë e diskutimit evropian sot: sepse duam të ndihmojmë në formësimin e Evropës së nesërme”, deklaroi Ministri i Jashtëm.

The post Hoxha në Forumin Evropian Alpbach: Shqipëria po kontribuon në sigurinë e Evropës appeared first on Euronews Albania.

Vrasja e 3-fishtë në Mal të Zi, autori vetëvritet pasi hapi zjarr ndaj policisë

1 September 2026 at 09:49

Shtetasi rus Mihail Shabunjanin, i dyshuar për vrasjen e tre burrave në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka” pranë Danilovgradit në Mal të Zi, kreu vetëvrasje kur policia e rrethoi gjatë arrestimit të tij në pyllin mbi Herceg Novi.

Gjatë arrestimit, Shabunjanin hapi zjarr ndaj policisë.

Drejtoria e Policisë njoftoi mbrëmë se, bazuar në informacionet dhe provat e mbledhura deri më tani, zona e lëvizjes së të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Danilovgrad, Mihail Nikolajeviç Shabunjin 30 vjeç, është ngushtuar në zonën e komunës së Hercegovinës.

Sipas të dhënave të mbledhura nga policia, i dyshuari është transportuar nga Podgorica në Herceg Novi me taksi. 

Forca të forta policore u angazhuan në zonën e Herceg Novit, përfshirë anëtarë të Qendrës Rajonale të Sigurisë “Jug”, Njësisë Speciale të Policisë dhe Njësisë Speciale të Policisë.

Administrata policore deklaron se një helikopter i Ushtrisë së Malit të Zi ishte angazhuar për të vendosur pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë, si dhe pajisjet teknike moderne dhe kapacitetet e tjera në dispozicion.

The post Vrasja e 3-fishtë në Mal të Zi, autori vetëvritet pasi hapi zjarr ndaj policisë appeared first on Euronews Albania.

Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Nepal dhe Kinë arrin në 1,003, mijëra ende të zhdukur

1 September 2026 at 09:41

Numri i të vdekurve nga përmbytjet katastrofike në Nepal dhe Kinë është rritur në 1,003, njoftuan sot autoritetet nepaleze dhe kineze.

Agjencia e emergjencave e Nepalit tha se në vend ishin raportuar 987 vdekje, ndërsa 3,916 persona rezultojnë të zhdukur, përfshirë 583 shtetas të huaj, raportoi AP.
Autoritetet kineze njoftuan se 16 vdekje u regjistruan në përmbytje.

Sipas autoriteteve nepaleze , të paktën 11,814 persona janë shpëtuar deri më tani. Ekipet e emergjencës po përdorin helikopterë dhe avionë të tjerë për të arritur në komunitetet e izoluara në zonat ku rrugët dhe urat janë shkatërruar nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.

Përmbytjet ndodhën më 26 gusht kur një akullnajë u shemb lart në Himalaje, duke shkaktuar rrëshqitje toke dhe përmbytje. 

The post Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Nepal dhe Kinë arrin në 1,003, mijëra ende të zhdukur appeared first on Euronews Albania.

Nga 1 shtatori reduktohet qarkullimi i autobusëve urbanë në Tiranë

31 August 2026 at 15:00

Nga 1 shtatori, autobusët e linjave urbane në Tiranë do të qarkullojnë me një flotë të reduktuar. Shoqatat e transportit kanë njoftuar se do të nxjerrin në qarkullim 20 deri në 30% më pak autobusë, për shkak të rritjes së kostove të karburantit.

Sipas operatorëve, çmimi i lartë i naftës e ka bërë të vështirë përballimin e kostove të operimit, duke i detyruar të reduktojnë numrin e mjeteve në qarkullim.

Vendimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt te shërbimi urban në kryeqytet, me intervale më të gjata pritjeje për pasagjerët, veçanërisht në oraret me fluks të lartë.

The post Nga 1 shtatori reduktohet qarkullimi i autobusëve urbanë në Tiranë appeared first on Euronews Albania.

37-vjeçarja shtatzënë ndërroi jetë rrugës për në Tiranë, motra mes lotësh: Dua drejtësi! Në Pogradec na vonuan mbi 3 orë

31 August 2026 at 14:45

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Pogradecin, ku një 37-vjeçare shtatzënë, Marjana Karolina Bunaj, ka humbur jetën teksa po transportohej drejt Tiranës për ndihmë të specializuar mjekësore. Familjarët ngrenë pikëpyetje për mënyrën se si është menaxhuar situata në maternitetin e Pogradecit dhe kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave.

Motra e të ndjerës, Albina Mekolli, e cila e ka shoqëruar Marjanën gjatë gjithë qëndrimit në maternitet, rrëfeu mes lotësh momentet e vështira që paraprinë humbjen e saj.

Sipas saj, gjithçka nisi rreth mesditës, kur 37-vjeçarja e telefonoi duke i thënë se kishte dhimbje të forta në bark

“Në orën 12 më merr në telefon dhe më tha: Eja se kam dhimbje të forta barku. Shkova shumë shpejt sepse jemi afër. E çova në maternitet sepse ishte shtatzënë. Mjekja roje i bëri një vizitë, një eko dhe tha se ka një gjakderdhje të brendshme”, rrëfeu Albina.

Pas konstatimit të gjendjes së rënduar, familjarët u njoftuan se 37-vjeçarja duhej të transportohej drejt Tiranës. Sipas motrës, gjatë kësaj kohe u diskutua edhe mundësia e transportit me helikopter, por kjo nuk u realizua.

“Dëgjova që po thonin helikopterin, por u shprehën se nuk vjen dot sepse është natë”, tregoi ajo.

Më tej, sipas dëshmisë së saj, Marjana u dërgua te reanimacioni, ndërsa familjarët pretendojnë se pati vonesa përpara nisjes me ambulancë drejt Tiranës.

“Mjekja foli me dikë dhe erdhën mjekët e reanimacionit, e dërguan atje dhe pati vonesa. Me ambulancë e nisën pas orës 4 të mëngjesit. Në Pogradec nuk iu bë asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Në tre orë i vunë vigonë për serume dhe gjak”, deklaroi Albina.

Ajo beson se një ndërhyrje apo transport më i shpejtë mund të kishte ndryshuar fatin e motrës së saj.

“Nëse do të ishim nisur pak më parë, do të më kishte shpëtuar motra të paktën, sepse mbase fëmija nuk do të kishte shpëtuar. Mbase nëse arrinim më herët në Tiranë do të shpëtonte”, tha ajo.

Familjarët kanë kërkuar hetim të plotë për të përcaktuar nëse vonesat kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së 37-vjeçares dhe në humbjen e jetës së saj.

“Kërkoj drejtësi, të zbardhet e vërteta, a ndërroi jetë nga pakujdesia apo jo. Unë besoj që nëse do të kishte më shumë shpejtësi, sot do të ishte mes nesh”, u shpreh motra e Marjana Karolina Bunajt.

Sipas familjarëve, bashkëshorti i 37-vjeçares ishte larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm tre ditë para ngjarjes, me synimin për të realizuar bashkimin familjar. Fëmija që Marjana priste ishte i pari për çiftin.

The post 37-vjeçarja shtatzënë ndërroi jetë rrugës për në Tiranë, motra mes lotësh: Dua drejtësi! Në Pogradec na vonuan mbi 3 orë appeared first on Euronews Albania.

Nxënësit e shkollës së mesme në Britani zbulojnë rrënojat e një kishe vikingësh rreth 1,000 vjeçare

31 August 2026 at 14:30

Nxënësit e Shkollës Private Gordonstone në Moray në Skocinë verilindore kanë zbuluar mbetjet e asaj që arkeologët besojnë se është një kishë mesjetare vikinge rreth 1,000 vjeçare në ishullin e pabanuar skocez të Sëana-s.

Dhjetë nxënës dhe stafi i shkollës ku ndiqte mësimet mbreti i Britanisë, Çarlsi III, morën pjesë në një ekspeditë arkeologjike në një ishull të vogël në arkipelagun e Orkney-t, ku punuan së bashku me arkeologë profesionistë nga Qendra Kërkimore e Orkney-t për Arkeologjinë (ORCA).

Mbetjet e ndërtesës u gjetën nën ndërtesën më të re, dhe gjatë gërmimeve u zbulua edhe një shkallë, e cila supozohet se të çonte në altar, raporton Independent.

Bazuar në metodën e ndërtimit, planimetrinë dhe orientimin e ndërtesës, si dhe në faktin se muret ishin ndërtuar me gurë të thatë pa përdorimin e llaçit ose argjilës, arkeologët besojnë se ndërtesa mund të ketë origjinën nga Mesjeta e hershme.

Ekzistenca e një kishe në ishull ishte treguar më parë vetëm në një hartë, në të cilën rrënojat përmendeshin me emrin vendas “Kirk Binjake”.

“Kur identifikova vendin, në fillim dukej sikur muret e mbetura të kishës ishin pjesë e një ndërtese më të re, sepse ato ishin shtuar me kalimin e viteve. Megjithatë, pasi gërmuam një sondë provë së bashku me arkeologët dhe hoqëm bimësinë, zbuluam një shkallë pak poshtë sipërfaqes, e cila të çon në atë që ndoshta ishte altari i kishës”, tha Dan McLean, një mësues dhe organizator i ekspeditës.

Ai shtoi se mosha e mundshme e ndërtesës tregohet nga elementë të tjerë, duke përfshirë mënyrën se si është ndërtuar, planimetrinë dhe orientimin.
“Ishte një moment i veçantë kur u konfirmuam studentëve se ata kishin ndihmuar në zbulimin e një pjese të historisë së Vikingëve që mund të jetë deri në 1.000 vjeçare”, tha McLean.

Paul Clarke, menaxher i lartë i projektit në Qendrën Kërkimore për Arkeologjinë e Orkney-t, tha se Sëansea kishte një histori të gjatë dhe të pasur që daton mijëra vjet më parë, por ishulli kishte marrë shumë pak kërkime arkeologjike deri këtë verë.

“Studentët treguan entuziazëm të madh gjatë gërmimit dhe ishte një moment emocionues për të gjithë kur zbuluam atë që besojmë të jetë një faltore e hershme mesjetare “, tha Clarke.

Arkeologët kanë marrë mostra nga vendi dhe analiza e tyre duhet të zbulojë më shumë detaje rreth aktiviteteve që u zhvilluan në vendin e ish-kapelës.

Ekspertët shpresojnë të gjejnë material të përshtatshëm për datimin me radiokarbon, gjë që do të lejonte një përcaktim më të saktë të moshës së objektit.

Gjatë ekspeditës, studentët kaluan gjashtë ditë në ishull dhe udhëtuan rreth dhjetë orë për në Svona. Ata qëndruan në një shtëpi të braktisur që nuk kishte qenë e banuar për më shumë se një shekull, pa energji elektrike, ndërsa siguronin ujë nga një pus i lashtë.

Përveç punës arkeologjike, një pjesë e studentëve morën pjesë në rinovimin e shtëpisë së vjetër, duke përfshirë edhe zëvendësimin e dyshemesë në ish-shtëpinë e bagëtive.
Në ishull, ata eksploruan një vendbanim të mundshëm prehistorik në qendër të tij, si dhe një hendek rrethor, i cili besohet të ketë qenë vendi i një far sinjali vikingësh.

Studenti Archie McLean (17) tha se pjesa më e vështirë e ekspeditës ishte përballja me temperaturat e larta, ndërsa vetë gërmimi arkeologjik ishte më interesanti.

“Të qenit në gjendje të zbuloja historinë në kohë reale ishte e mahnitshme”, tha ai.

Sëana është një ishull i vogël privat në arkipelagun Orkney, rreth 11 kilometra në veri të John o’ Groats, në veriun e largët të Skocisë. Sot, ishulli nuk ka banorë të përhershëm dhe banohet kryesisht nga një popullatë bagëtish të egra.

The post Nxënësit e shkollës së mesme në Britani zbulojnë rrënojat e një kishe vikingësh rreth 1,000 vjeçare appeared first on Euronews Albania.

Haxhiu: Marrëveshja e sotme për presidentin, hap drejt funksionalizmit të institucioneve

31 August 2026 at 14:23

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur marrëveshjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidentin.

Në një postim në Facebook ajo ka shkruar se dakordimi i sotëm është hap i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit dhe funksionalizimit të institucioneve.

“E mirëpres marrëveshjen e arritur sot ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për President të Republikës. Dakordimi i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve. Tani është me rëndësi që ky proces të përmbyllet në Kuvend, me përgjegjësinë që kërkon momenti dhe interesi i Republikës”, ka shkruar ajo.

Bekim Sejdiu është emri për të cilën LVV-ja e LDK-ja janë pajtuar për postin e presidentit.

The post Haxhiu: Marrëveshja e sotme për presidentin, hap drejt funksionalizmit të institucioneve appeared first on Euronews Albania.

❌