Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 February 2026Gazeta Si

KQZ pa vendim për Listën Serbe, BE shpreh shqetësim

3 February 2026 at 12:49

Nga Gazeta ‘Si’- Bashkimi Europian ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të mos miratuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe, partinë kryesore të serbëve të Kosovës, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Një zëdhënës i BE-së theksoi se Unioni “përsërit thirrjen për depolitizimin e punës së KQZ-së”, duke u bazuar në rekomandimet e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.

Ai u bëri thirrje të gjitha forcave politike që të bashkëpunojnë në përputhje me Kushtetutën, duke nënvizuar se është thelbësore që të gjithë kandidatët e zgjedhur të mund të marrin mandatet e tyre në Kuvend.

KQZ-ja miratoi më 31 janar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare, por la jashtë konfirmimit rezultatet për Listën Serbe. Ky vendim u kundërshtua ashpër si nga vetë partia, ashtu edhe nga Beogradi zyrtar, duke e cilësuar atë të papranueshëm.

Nga votimi në KQZ, tre anëtarë u shprehën pro konfirmimit të rezultateve të Listës Serbe, dy anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa anëtarët e tjerë abstenuan.

Pas këtij zhvillimi, Lista Serbe paraqiti më 2 shkurt një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke e quajtur vendimin “të paligjshëm dhe diskriminues” dhe duke pretenduar se ai anulon mbi 42 mijë vota të fituara në zgjedhje.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lista Serbe siguroi nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë reagoi, duke bërë të ditur se po ndjek nga afër situatën dhe duke kërkuar respektim të standardeve ndërkombëtare zgjedhore. OSBE-ja theksoi rëndësinë e publikimit transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve, si garanci për siguri juridike dhe trajtim të barabartë të të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor.

Vendimi i KQZ-së u kritikua gjithashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara. Ambasada amerikane në Prishtinë i tha REL-it se ky vendim është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”, duke paralajmëruar se çdo shkelje e këtij parimi minon partneritetin mes SHBA-së dhe Kosovës.

Ndërkohë, Albin Kurti pritet ta formojë pa vështirësi Qeverinë e re. Megjithatë, ai ka pranuar se për çështje madhore, si zgjedhja e presidentit apo ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, do të jetë i domosdoshëm ndërtimi i një raporti të ri mes pushtetit dhe opozitës, pasi për këto procese kërkohen dy të tretat e votave në Kuvend.

The post KQZ pa vendim për Listën Serbe, BE shpreh shqetësim appeared first on Gazeta Si.

Spanja do të ndalojë aksesin në rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç

3 February 2026 at 12:39

Spanja planifikon të ndalojë aksesin në mediat sociale për të miturit nën 16 vjeç dhe platformat do të jenë të detyruara të zbatojnë sisteme verifikimi të moshës, tha kryeministri Pedro Sanchez, ndërsa njoftoi disa masa për të garantuar një mjedis digjital të sigurt.

Qeveria e koalicionit të krahut të majtë e Sanchez është ankuar vazhdimisht për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, përmbajtjes pornografike dhe dezinformimit në mediat sociale, duke thënë se kjo kishte efekte negative tek të rinjtë.

“Fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj një hapësire ku ata nuk ishin menduar kurrë të lundronin vetëm. Ne nuk do ta pranojmë më këtë,” tha Sanchez ndërsa iu drejtua Samitit Botëror të Qeverive në Dubai, duke u bërë thirrje vendeve të tjera europiane të zbatojnë masa të ngjashme.

Australia në dhjetor u bë vendi i parë që ndaloi mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç, një veprim që po ndiqet nga afër nga vende të tjera që po shqyrtojnë masa të ngjashme bazuar në moshë, si Britania dhe Franca.

Sanchez tha se Spanja ishte bashkuar me pesë vende të tjera europiane që ai i quajti “Koalicioni i Gatshëm Digjital” për të koordinuar dhe zbatuar rregullimin ndërkufitar.

Koalicioni do të mbajë takimin e tij të parë në ditët në vijim, tha ai. Sanchez nuk tha se cilat vende ishin në grup, dhe zyra e tij nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për sqarime.

“Ne e dimë se kjo është një betejë që i tejkalon shumë kufijtë e çdo vendi,” tha ai.

Spanja gjithashtu do të paraqesë një projektligj javën e ardhshme për të mbajtur përgjegjës drejtuesit e mediave sociale për përmbajtje të paligjshme dhe me gjuhë urrejtjeje, si dhe për të kriminalizuar manipulimin algoritmik dhe amplifikimin e përmbajtjes së paligjshme.

Qeveria spanjolle do të fillojë procesin e miratimit të legjislacionit që nga java e ardhshme.

The post Spanja do të ndalojë aksesin në rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç appeared first on Gazeta Si.

Studimi i fundit: Ushqimet ultra të përpunuara duhet të trajtohen më shumë si cigare sesa si ushqim

3 February 2026 at 12:26

Nga Gazeta Si- Ushqimet ultra të përpunuara (UPF) kanë më shumë të përbashkëta me cigaret sesa me frutat ose perimet, dhe kërkojnë rregullim shumë më të rreptë, sipas një raporti të ri.

UPF-të dhe cigaret janë projektuar për të inkurajuar varësinë dhe konsumin, thanë studiues nga tre universitete amerikane, duke treguar paralelet në dëmet e përhapura shëndetësore që i lidhin të dyja.

UPF-të, të cilat janë gjerësisht të disponueshme në të gjithë botën, janë produkte ushqimore që janë prodhuar industrialisht, shpesh duke përdorur emelsifikues ose ngjyrues dhe aroma artificiale.

Kategoria përfshin pije dhe ushqime të paketuara si patate të skuqura dhe biskota.

Ka ngjashmëri në proceset e prodhimit të UPF-ve dhe cigareve dhe në përpjekjet e prodhuesve për të optimizuar “dozat” e produkteve dhe sa shpejt veprojnë ato në rrugët e shpërblimit në trup, sipas studimit nga pedagogë në Harvard, Universitetin e Miçiganit dhe Universitetin Duke.

Ata mbështeten në të dhëna nga fushat e shkencës së varësisë, të ushqyerit dhe historisë së shëndetit publik për të bërë krahasimet e tyre, të botuara më 3 shkurt në revistën e kujdesit shëndetësor Milbank Quarterly.

Autorët sugjerojnë që pretendimet e marketingut mbi produktet, të tilla si “me pak yndyrë” ose “pa sheqer”, janë problematike pasi mund të pengojnë rregullimin, të ngjashme me reklamimin e filtrave të cigareve në vitet 1950 si inovacione mbrojtëse që “në praktikë ofruan pak përfitime kuptimplote”.

“Shumë UPF ndajnë më shumë karakteristika me cigaret sesa me frutat ose perimet e përpunuara minimalisht dhe për këtë arsye kërkojnë rregullim në përputhje me rreziqet e rëndësishme për shëndetin publik që ato paraqesin”, përfunduan ata.

Një nga autoret, Ashley Gearhard e Universitetit të Miçiganit, psikologe klinike tha se pacientët e saj bënin të njëjtat lidhje.

Ata thonin “ndjehem e varur nga ky produkt, dikur pija cigare dhe tani kam të njëjtin zakon, por është me pije të gazuar dhe petulla të gatshme. E di që po më vrasin, dua ti lë por nuk mundem”.

Debati rreth UPF-ve përputhet me një model të përdorur mirë në fushën e varësisë, sipas Gearhardt.

“Ne thjesht ia hedhim fajin individit për një kohë dhe themi ‘pini duhan me masë’ dhe përfundimisht arrijmë në një pikë ku kuptojmë levat që industria mund të përdorë për të krijuar produkte që mund t’i tërheqin vërtetë njërëzit”, thotë ajo.

Ndërsa ushqimi, ndryshe nga duhani, është thelbësor për mbijetesë, autorët argumentojnë se ky dallim e bën veprimin dyfish të domosdoshëm sepse është e vështirë të përjashtohesh nga mjedisi modern ushqimor.

Gearhardt tha se duhet të jetë e mundur të bëhet dallimi midis UPF-ve të dëmshme dhe ushqimeve të tjera në të njëjtën mënyrë që pijet alkoolike dallohen nga pijet e tjera.

UPF-të përmbushin “standardet e përcaktuara” nëse një substancë duhet të konsiderohet si varësi, argumenton dokumenti, me karakteristika të projektimit që “mund të nxisin përdorim kompulsiv” – megjithëse “dëmet e UPF-ve janë të qarta, pavarësisht nga natyra e tyre varësie”.

Autorët sugjeruan që mësimet nga rregullimi i duhanit, “duke përfshirë kufizimet e marketingut dhe ndërhyrjet strukturore”, mund të ofrojnë një udhëzues për zvogëlimin e dëmit që lidhet me UPF-të, duke bërë thirrje që përpjekjet e shëndetit publik të “kalojnë nga përgjegjësia individuale në llogaridhënien e industrisë ushqimore”.

Prof. Martin Ëarren, drejtuesi kryesor shkencor në Institutin Quadram, një qendër e specializuar për kërkimin ushqimor, tha se ndërsa kishte paralele midis UPF-ve dhe duhanit, autorët rrezikuan “tejkalim” në krahasimet e tyre.

Ai tha se kishte pyetje nëse UPF-të, ashtu si nikotina, ishin “në thelb varësi në një kuptim farmakologjik, apo nëse ato shfrytëzojnë kryesisht preferencat e mësuara, shpërblejnë kushtëzimin dhe komoditetin”.

Ai tha se ishte gjithashtu e rëndësishme të merrej në konsideratë nëse efektet negative shëndetësore që i atribuohen UPF-ve vinin nga përmbajtja e tyre, apo sepse ato zëvendësonin “ushqimet e plota të pasura me fibra, mikronutrientë dhe fitokimikate mbrojtëse”.

“Ky dallim ka rëndësi, sepse ndikon nëse përgjigjet rregullatore duhet të pasqyrojnë kontrollin e duhanit apo në vend të kësaj të japin përparësi cilësisë dietike, standardeve të riformulimit dhe diversifikimit të sistemit ushqimor.”

The post Studimi i fundit: Ushqimet ultra të përpunuara duhet të trajtohen më shumë si cigare sesa si ushqim appeared first on Gazeta Si.

‘Diskriminim social në strehim’/ Eurostat: Shqiptarët jetojnë në banesa të mbipopulluara

3 February 2026 at 12:22

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria renditet e dyta në Europë për numrin e njerëzve që jetojnë në banesa të “mbipopulluara”. Sipas të dhënave të Eurostat, 57% e popullsisë jeton në banesa me hapësirë të pamjaftueshme për numrin e personave që banojnë aty. Vetëm Mali i Zi ka një normë më të lartë, rreth 62%, ndërsa Holanda regjistron nivelin më të ulët në Europë, vetëm 4.6%.

Më shumë se një fenomen tradicional, ky tregues është pasojë e mungesës së një strehimi të përballueshëm ekonomikisht.

Një tregues tjetër shqetësues është diskriminimi në kërkimin e strehimit. Rreth 3% e personave në rrezik varfërie  në Shqipëri, kanë raportuar se kanë përjetuar diskriminim gjatë përpjekjeve për të gjetur një banesë. Edhe pse kjo përqindje mund të duket e ulët, ajo mbetet më e lartë se në disa vende fqinje si Serbia, Kroacia, Turqia, Italia dhe Greqia. Kjo reflekton jo vetëm barrierat ekonomike, por edhe pengesat sociale që përballen individët më të prekshëm në tregun e strehimit.

Norma më e lartë e diskriminimit raportohet në Zvicër, Spanjë e Belgjikë; vende që po përballen me rritje të fortë të kërkesës për strehim, turizmit dhe çmimeve të pronës.

The post ‘Diskriminim social në strehim’/ Eurostat: Shqiptarët jetojnë në banesa të mbipopulluara appeared first on Gazeta Si.

Berisha- socialistëve: Ju jeni e keqja banale, zbatoni si automat urdhrat e Ramaduros

3 February 2026 at 12:09

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në seancën e sotme plenare i quajti zyrtarët e Partisë socialiste përfaqësues të “së keqes banale”,  duke iu referuar teorisë së filozofes gjermane Hannah Arendt.

Ai akuzoi mazhorancën nga foltorja e Parlamentit se sipas tij po bëhet shërbëtore, avokate dhe mbrojtëse e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke mos ia dorëzuar drejtësisë për akuzat që i janë ngritur nga SPAK dhe GJKKO.

“E keni të shkruar secili prej jush në ballë. Ja, po të lexoj unë në ballet tuaja, lexoj e keqja banale, me të cilën ju në mënyrë të verbër mbështesni korrupsionin, bëheni shtylla të sistemit të gjakpirjes së qytetarëve.

Ju bllokoni heqjen e imunitetit të një njeriu, që të paktën 1.2 miliardë me këto dosje gjer tani, me patronin e saj ua ka vjedhë shqiptarëve. Çfarë thotë Arendt janë personazhet e të keqes banale?

Njerëz që nuk mendojnë. Automatë që nuk mendojnë. Nuk ndjejnë përgjegjësi.

T’u bëj një pyetje tani: a jeni secili prej jush prej tyre tani në këtë moment që mbroni Ballukun? Si u duket vetja juaj?

U kërkoj të lexoni sa të dilni nga kjo seancë të keqen banale dhe të shihni se si jeni prototipi i saj. Po si ka mundësi? Po ç’të lidh ty që po të nxirrte nga partia, që të mos ngresh zërin tani?

Mirë kjo tjetra që ia ka falur shpirtin dreqit, nuk kam çfarë them për të, por ju të tjerat që bëheni avokate të saj? A e kuptoni ju se ç’do të thotë të bllokoni imunitetin e një njeriu?

A e kuptoni se ç’do të thotë të përdorni imunitetin si mburojë për vjedhjen e shqiptarëve?”, tha Berisha.

Më tej ai vijoi akuzat ndaj socialistëve dhe kabinetit qeveritar që mbrojnë të korruptuarit. Madje theksoi se qytetarët lihen në varfëri dhe të përmbyturit nuk kompensohen dhe lihen në mëshirë të fatit.

“Çfarë jeni ju? E keqja banale! Edhe njëherë, si e pranoni ju të keqen banale, ku është? Ja, ky këtu, (kthehet pas nga foltorja e ministrave), ja ky këtu bën avokatin e ministrit. Po a keni përgjegjësi ju, a ndjeheni të përgjegjshëm ju? A bëtë ndonjë reagim për mijëra familje të përmbytura në Durrës dhe nuk ju keni dhënë asnjë shpërblim? A jeni ju e keqja banale? Ju jeni e keqja banale, keni lënë 6 mijë të përmbytur pa asnjë kacidhe. Ju nuk ndjeni përgjegjësi, por zbatoni direktivat e Ramaduros”, vijoi ai.

The post Berisha- socialistëve: Ju jeni e keqja banale, zbatoni si automat urdhrat e Ramaduros appeared first on Gazeta Si.

Braçe kërkon ministren Sala në Kuvend: Jemi në pikun e gripit, qendra shëndetësore në Njësinë 5 nuk funksionon

3 February 2026 at 11:56

Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur në Kuvend një shqetësim për mosfunksionimin e një qendre shëndetësore në njësinë 5 në Tiranë. Braçe tha se ka kërkuar një mocion me debat me ministren e Shëndetësisë Evis Sala, por ende nuk është futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit.

Braçe deklaroi në Parlament se edhe pse jemi në pikun e periudhës së grupit mijëra njerëz në atë njësi nuk marrin dot shërbim shëndetësor në kohë dhe në kushte optimale. Ndërkohë, nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu i tha se mocioni me debat është parashikuar për javën e ardhshme.

“Që në datën 19 kam paraqitur një kërkesë për një proces pyetje përgjigje për ministren e Shëndetësisë. Ka të bëjë për mosfunksionimin e një qendre shëndetësore në njësinë 5 në zonën e Irfan Tominit. Mendova se ishte momenti i duhur për të marrë një përgjigje pas 4 muajsh. Jemi në pikun e periudhës së gripit, mijëra njerëz në atë njësi nuk marrin dot shërbim shëndetësor në kohë dhe në kushte optimale për shëndetin e tyre. Kërkesën për pyetje e kam paraqitur më 19 janar, sot jemi më datën 3 shkurt. Mendoja se do ishte shqetësim edhe i vetë ministres për të kthyer përgjigje. Po futemi në muajin e 5 për shërbim shëndetësor të kufizuar në qendrën shëndetësore në zonën e Irfan Tominit”, tha Braçe. 

The post Braçe kërkon ministren Sala në Kuvend: Jemi në pikun e gripit, qendra shëndetësore në Njësinë 5 nuk funksionon appeared first on Gazeta Si.

Lamallari i përgjigjet Blushit: Avokati i Popullit nuk flet për trajtim degradues ndaj Ilir Metës

3 February 2026 at 11:45

Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i PL Tedi Blushi, në interpelancën me ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, kërkoi sqarime në lidhje me trajtimin e ish-Presidentit Meta në paraburgim.

Blushi tha se Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s që sipas tij ka të burgosur politikë, duke iu referuar këtu ish-presidentit Ilir Meta që ndodhet në qeli prej tetorit të vitit 2024.

“Për më shumë se 15 muaj vijoni ta mbani në izolim ekstrem pa asnjë fakt, pa asnjë provë penale, me zero pasuri të paligjshme të sekuestruar dhe zero qindarkë dëm të taksave të shqiptarëve”, tha Blushi.

Sipas tij, Metës i janë shkelur jo vetëm liritë dhe të drejtat, por edhe liria politike, liria e fjalës dhe e mendimit. Po ashtu theksoi se i është ndaluar takimi me deputetët edhe pse me ligj i lejohet diçka të tillë.

“Me pretendimin absurd se nuk ju sigurojmë dot jetën. Kur drejtori nuk ka në kontroll atë që ndodh në burgje, çfarë drejtori është? Zoti Meta ka lindur në mal dhe këtë më mirë se ju e di shefi juaj, Edi Rama”, tha Blushi.

Ndërkohë Lamallari theksoi se në raportin e Avokatit të Popullit nuk flitet për “trajtim degradues dhe çnjerëzor”.

Lamallari tha se nuk janë konstatuar shkelje administrative të personelit të IEVP-së Jordan Misja.

“Ministria e Drejtësisë dhe drejtoria e Burgjeve janë njohur plotësisht me rekomandimet e Avokatit të Popullit. Bëhet fjalë për rekomandime përgjithësuese. Raporti i Avokatit të Popullit në asnjë moment nuk përdor terminologjinë trajtim degradues dhe çnjerëzor.

Rekomandimet e raportit janë në proces shqyrtimi dhe po analizohen nga strukturat përgjegjëse të burgjeve, sipas afateve. Në rekomandimet e AP nuk konstatohen shkelje administrative, prandaj s’mund të kërkojmë përgjegjësi disiplinore. Kur nuk mund të flitet për përgjegjësi administrative, s’mund të flitet për përgjegjësi penale”, tha Lamallari.

Ministri i Drejtësisë theksoi se Avokati i Popullit ka konfirmuar që në rastin e Metës, s’ka persekuptim politik dhe cenim të lirisë së shprehjes.

Ai tha se pretendimet për shkelje të të drejtave duhen trajtuar me seriozitet dhe jo mbi narrativa politike.

“Përtej kërkesës legjitime të çdo deputeti për interpelancë me anëtarët e Këshillit të Ministrave unë mendoj se sot më shumë se kurrë është e rëndësishme të ndajmë qartë debatin politik nga e vërteta institucionale. Sistemi penitenciar nuk mund të jenë dhe nuk janë një instrument i betejës politike për interesa të ditës dhe as foltore parlamenti, dhe as studio televizive.

Çdo pretendim për shkelje të drejtave të njeriut duhet trajtuar me seriozitet, por edhe me përgjegjësi, mbi fakte konkrete, ligj dhe standarde të verifikueshme. Dhe jo mbi interpretime selektive apo narrativa me natyrë thellësisht dhe qartësisht politike”, tha ai.

The post Lamallari i përgjigjet Blushit: Avokati i Popullit nuk flet për trajtim degradues ndaj Ilir Metës appeared first on Gazeta Si.

Urdhri i Farmacistëve: Fondi i Kujdesit Shëndetësor ndryshoi çmimet pa njoftim, vështirësi në furnizimin me barna

3 February 2026 at 11:44

Nga Gazeta Si- Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë ka denoncuar Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor se ka ndryshuar çmimet e barnave pa njoftim paraprak për Farmacitë dhe depot farmaceutike.

Sipas Urdhrit, mungesa e komunikimit e ka bërë të pamundur njohjen në kohë të çmimeve të reja dhe marrjen e masave të nevojshme për pasqyrimin e tyre, si dhe ka penguar reduktimin e stokut ekzistues të barnave të blera me çmime më të larta.

Në një deklaratë të ndarë për mediat, Urdhri i Farmacistëve thotë se kjo situatë ka sjellë vështirësi në furnizimin e farmacive me barna, pasi barnat të cilave u është ndryshuar çmimi po faturohen me çmimet e mëparshme, duke sjellë dëme financiare të konsiderueshme dhe bllokim të punës.

“Kjo gjendje po çon drejt bllokimit të zinxhirit të furnizimit me barna dhe po rrezikon drejtpërdrejt aksesin e pacientëve tek barnat e nevojshme, duke përbërë një rrezik real për shëndetin e tyre”, thuhet në deklaratë.

Në këtë kontekst, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, si institucioni përgjegjës për përfaqësimin e farmacistëve dhe mbrojtjen e interesave të pacientëve, ka kërkuar nga Fondi informacion zyrtar dhe të detajuar mbi procedurën e ndjekur për ndryshimin dhe aplikimin e çmimeve të reja në sistem.

Gjithashtu, kërkon ndërmarrjen e masave urgjente institucionale për zgjidhjen e këtij ngërçi, me qëllim rikthimin e funksionimit normal të shërbimit farmaceutik dhe garantimin e furnizimit të vazhdueshëm me barna për pacientët.

Në sistem janë ndryshuar çmimet e pothuajse 40 barnave të listës së rimbursueshme për vitin 2026.

Çmimi i tyre në sistem është ulur dhe farmacitë nuk kanë dijeni për çmimet e reja, por përballen vetëm kur hapin sistemin dhe kërkojnë emrin e ilaçit për t’ia dhënë pacientit. Ndërkohë që, sipas tyre, ky bar blihet nga depot farmaceutike me çmim disa herë më shumë se çmimi i ri.

Ndërkohë, për disa barna të tjera me rimbursim, çmimi është rritur disa fish. Në faqen zyrtare të Fondit është vetëm ky njoftim, ku farmacitë që kanë kontratë për rimbursimin e barnave me Fondin paralajmërohen se së shpejti do të ketë ndryshim të çmimeve, ndërkohë që në sistem ka nisur të aplikohet.

The post Urdhri i Farmacistëve: Fondi i Kujdesit Shëndetësor ndryshoi çmimet pa njoftim, vështirësi në furnizimin me barna appeared first on Gazeta Si.

Henrik Hoxhaj rrëfen vrasjen e Dorjan Shkozës në Durrës: Para se ta qëlloja e pyeta kush ishte!

3 February 2026 at 11:39

Gazeta Si – Henrik Hoxhaj, ish-bashkëpunëtori i drejtësisë, të cilit iu hoq statusi nga ana e SPAK, ka rrëfyer sesi e kreu vrasjen e Dorian Shkozës në 2020-ën në Durrës gjatë kohës të pandemisë.

Pavarësisht se lëvizja ishte e kufizuar, Hoxha tha se ata i kishin mbajtur armët gjatë kohës që lëviznin me makinë pa marrë lejen e posaçme. Sipas tij, për të kryer krimin, bashkëpunëtor ishte edhe Elio Bitri, i cili drejtonte makinën.

Hoxhaj tregoi në gjykatë se në momentin që kishte hapur zjarr ndaj Shkozës e kishte pyetur këtë të fundit nëse quhej Dorian dhe ai e kishte mohuar. Por pasi ishte siguruar duke pyetur Bitrin, atëherë e kishte qëlluar sërish duke e lënë të vdekur.

Në Gjykatën e Posaçme, Henrik Hoxhaj ka rrëfyer për “porositë” që i kishte dhënë Nuredin Dumani.

Dëshmia e Hoxhës:

Njihem me Nuredin Dumanin. Jam njohur tek ditëlindja e Festim Qolit në vitin 2020. Aty jemi njohur, duke ngrënë e duke pirë. Kemi shkëmbyer numrat. Disa muaj më vonë u takuam. Nuredini ishte i interesuar për të më takuar. Nuk e mbaj mend, por më duket se kemi komunikuar me telefona të kriptuar. Kemi biseduar për disa vrasje. Ai kishte marrë porosi nga Krymi (Erion Alibej). Më tha që janë disa punë për t’u bërë, a je i interesuar. Unë i thashë po.

Nuredini më tha për dy vrasje që do bëhëshin në Durrës. Në fillim qe si porosi e Krymit, por pastaj i paraqiti si problematika të tij. Tha a je dakord në fillim. Po dakord, i thashë.

Në këtë takim diskutuam për vrasjen e Dorian Shkozës. Do kryhej kundrejt pagesës. Në fillim propozoi 70 mijë euro. Ai gjeti mjetet dhe armët. Shofer qe Elio Bitri, elbasanlli. Si kohë, ishte pak pas takimit, në pandemi. Nuk kishim leje, por ishim sipas rregullave, me rrip, me rregulla qarkullimi.

Ditën e ngjarjes kam shkuar në Durrës. U takova tek shtëpia e Nuredinit në Durrës. Nga aty u nisëm. Kemi përdorur një makinë të zezë. Ishte Elio në timon, unë mbrapa shoferit. Kisha unë dy armë, Elio një. Nuredini u nis me ne. Ne kemi dalë një xhiro tek servisi. Kur kaluam njëherë nuk ishte prezent. Kur u kthyem ishte aty. Ishte me dy persona i shoqëruar. Elio më thotë, ja ku janë. Ishin 3 vetë në trotuar. Unë i qëllova me armë nga brenda makinës. Një armë m’u bllokua, përdora tjetrën. Njëri nga ata ngeli në vend. Doriani u rrëzua pak më tutje. Unë i thashë, a ti je Doriani. Ai tha jo. Pyeta Elion, a ky është. Po më tha ai. Edhe e godita.

Një e goditi edhe Elio. Pati një pistoletë me mulli. Pas vrasjes hipa në makinë. Në ikje e sipër, i thashë, mua më lër tek Plepat, ku kisha lënë një makinë. Unë hipa tek ajo me duar në xhepa. Ndërsa makina tjetër iku u dogj tek Bishti i Zhurit. Nuredini ka qenë pas nesh dhe e ka parë ngjarjen. Më tha, o kusho, doli shumë mirë. Pagesën e mora për ngjarjen. Por ajo 70-shja u nda mes meje e Elios. 35 mora. Nuk e di sa i dha Elios. Pas kësaj vrasjeje kam jetuar në Tiranë. Nuk fshihesha. Lekët, Nuredini më tha se i merrte nga Krymi.

The post Henrik Hoxhaj rrëfen vrasjen e Dorjan Shkozës në Durrës: Para se ta qëlloja e pyeta kush ishte! appeared first on Gazeta Si.

Kapri-opozitës: Do bashkëpunoni me Ramën apo jo?!

3 February 2026 at 11:04

Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri ngriti shqetësimin sot në Parlament se nuk merr përgjigje lidhur me kërkesat e tij për interpelancë, kërkesat e tij për ndryshime në ligj në Kuvend, apo për informacione në institucionet tona.

“Ju i trajtoni disa si të nënës dhe disa si të njerkës”, tha Kapri.

“Ka një rregullore që kërkon 3 javë të bëhet, pikërisht sepse interpelanca lidhet me aktualitetin”, u shpreh Kapri.

Më pas lidhur me çështjen e Komisionit të Posaçëm ai i bëri një thirrje opozitës: “Lidhur me projektvendimin e Komisionit të Posaçëm, kam një pyetje për kolegët e opozitës se nuk e marr vesh, do bashkëpunohet apo jo me Ramën? Nuk e  kuptoj si mund të ulesh me Ramën, kur ai të kërcënon, thotë kam numrat dhe nuk të pyes me ty?!

E pamundur të ulesh të negociosh me Ramën. E pamë çfarë ndodhi në 2014, pushteti lokal është në gjendjen më të rëndë të mundshme.”, shtoi Kapri.

The post Kapri-opozitës: Do bashkëpunoni me Ramën apo jo?! appeared first on Gazeta Si.

Rrjeti i Epsteinit në email-e zbulon një ‘djalë sekret’ të ish-financierit

3 February 2026 at 10:57

Gazeta Si – Jeffrey Epstein mund të ketë pasur një fëmijë të mbajtur sekret gjatë gjithë kësaj kohe. Kjo është ajo që del nga miliona faqe të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë mbi rastin e ish-financierit, i cili tani zyrtarisht ka kaluar kufirin e skandalit edhe në Europë.

Sipas “New York Post”, “spiunia” për këtë fëmijë të supozuar, ishte Sarah Ferguson, ish-gruaja e Andrew Mountbatten-Windsor (vëllai i Mbretit Charles), e cila shkroi në dy email-e të datës 21 shtator 2011: “Mësova nga Duka se keni një djalë. Edhe pse nuk kemi folur që atëherë, mbetem me ju me dashuri, miqësi dhe urime për lindjen e fëmijës suaj. Sarah xx”.

Në atë kohë, ish-financieri pedofil ishte dënuar tashmë për marrëdhënie seksuale me një të mitur, por nuk u provua kurrë zyrtarisht se kishte një fëmijë.

Pavarësisht kësaj, pas vdekjes së tij, mbi 100 persona dolën duke pretenduar se ishin fëmijët e tij dhe duke u përpjekur të kërkonin një pjesë të trashëgimisë së tij.

Në shumë komunikime midis Sarës dhe financierit, ka edhe një referencë shqetësuese për një “fundjavë seksi” të kaluar nga vajza e tyre Eugenie, e cila, së bashku me motrën e saj Beatrice, ende është përfaqësuese e familjes mbretërore.

Ndërsa hetimi vazhdon, dhe pavarësisht se Departamenti i Drejtësisë ka angazhuar mbi 500 avokatë për të redaktuar të gjitha të dhënat e ndjeshme, midis miliona faqeve të publikuara, u publikuan gabimisht të paktën 40 foto nudo të pacensuruara të grave dhe adoleshenteve të reja, shumë prej të cilave ishin të mitura në kohën e abuzimit të tyre.

Disa nga këto imazhe tregojnë ishullin privat të Epstein, të tjerat janë bërë në dhoma gjumi ose hapësira të brendshme.

Me botimin e ri, çështja po përhapet si zjarri në pyll, madje duke arritur edhe në Evropë. Konkretisht, përveç një miqësie të ngushtë me ish-Princin Andrew dhe “Fergin”, siç njihet ish-gruaja e të përjashtuarit nga Windsor, e cila e quante Epstein “vëllain që ajo gjithmonë donte”, del gjithashtu se ish-financieri, i cili kreu vetëvrasje në burg në vitin 2019, jo vetëm që korrespondonte çdo ditë me Steve Bannon, këshilltarin e fuqishëm të Donald Trump, por edhe me Terje Rød-Larsen, diplomatin norvegjez që ishte ndër negociatorët e Marrëveshjeve të Oslos.

Për më tepër, ai arriti të merrte memorandume konfidenciale të qeverisë britanike nga Peter Mandelson dhe priti ish-ministrin francez të Ekonomisë, Bruno Le Maire në rezidencën e tij në Nju Jork.

The post Rrjeti i Epsteinit në email-e zbulon një ‘djalë sekret’ të ish-financierit appeared first on Gazeta Si.

Videot ‘fake’ ndikojnë edhe tek ata që e dinë se janë të rreme

3 February 2026 at 10:49

Gazeta Si – Dy psikologë nga Universiteti i Bristolit në Mbretërinë e Bashkuar, publikuan së fundmi një artikull rreth një eksperimenti që kryen në vitin 2024, në të cilin ata hipotezuan se edhe një video e krijuar nga inteligjenca artificiale, qartësisht e rreme dhe e shënuar si e tillë, mund të ndikonte në mendimet e njerëzve.

Gjatë eksperimentit, dy studiues, Stephan Lewandowsky dhe Simon Clark, i treguan një video një grupi njerëzish, duke u thënë atyre se gruaja në video ishte një influencuese vegane 27-vjeçare, Amelia Palmer, dhe se videoja ishte shpërndarë gjerësisht në mediat sociale.

Në videon dy-minutëshe, ajo u shfaq për të konfirmuar thashethemet se dikush e kishte parë duke ngrënë një hamburger me mish në një restorant. Më pas ajo kërkoi falje, duke thënë se kishte kaluar një kohë të vështirë.

Megjithatë, studiuesit përdorën dy video të ndryshme për dy grupe të ndryshme njerëzish. Njërit grup pjesëmarrësish, iu tregua një video që paraqiste një person të vërtetë; grupit tjetër iu tregua një version i thellë, i krijuar me softuer të inteligjencës artificiale.

Skenari ishte i njëjtë. Disa pjesëmarrësve në grupin e dytë iu tha më pas në mënyrë të qartë, pak para se të fillonte videoja, se ajo ishte etiketuar si e rreme.

Në fund të eksperimentit, studiuesit i kërkuan secilit pjesëmarrës t’i përgjigjej pyetjes: “A mendoni se influencuesja vegane Amelia Palmer është parë duke ngrënë një hamburger?”

Pothuajse të gjithë u përgjigjën po, përfshirë një pjesë të madhe të pjesëmarrësve që e dinin se kishin parë një video të rreme dhe pritej të zgjidhnin përgjigjen: “Është e pamundur të thuhet”.

Disa kuadre nga videot e shfaqura për eksperimentet (Ndikimi i vazhdueshëm i videove të rreme të gjeneruara nga AI, pavarësisht paralajmërimeve për transparencë)

Rezultatet e këtij eksperimenti dhe dy të ngjashëm u botuan në një artikull të kohëve të fundit në “Communications Psychology”, një revistë e grupit “Nature”.

Që nga fillimi i studimit rreth dy vjet më parë, videot e krijuara me IA janë bërë shumë më të sakta, dhe mjetet e platformave të mediave sociale për njohjen dhe etiketimin e tyre janë bërë më pak efektive.

Studiuesit u bënë pjesëmarrësve një pyetje tjetër, pasi panë videon e influencueses vegane: “A mendoni se kjo video është një deepfake?”

Vetëm 60 përqind e grupit që e kishte parë videon “deepfake” dhe e dinte se ishte e rreme, iu përgjigjën po pyetjes.

Nga pjesëmarrësit që ishin të bindur se videoja ishte e rreme, vetëm 20 përqind përmendën paralajmërimin që lexuan në fillim, ndërsa të gjithë të tjerët e justifikuan besimin e tyre duke treguar papërsosmëritë grafike dhe probleme të tjera teknike që kishin vënë re.

Midis këtij grupi që ishin të bindur hapur se videoja ishte e rreme, gjysma ende besonin se dikush e kishte parë influencuesen të hante hamburgerin.

Ndikimi i mundshëm i teknologjisë së videove “deepfake” në debatin publik, ka qenë prej kohësh objekt debati.

Shumica e diskutimeve akademike janë përqendruar në rrezikun që “deepfakes” mund të përdoren për të diskredituar, kërcënuar ose dëmtuar njerëzit, ose për të ndikuar në pikëpamjet e tyre politike duke i bërë ata të besojnë se përmbajtja e rreme është e vërtetë.

Studime, si ajo e Lewandowsky dhe Clark përqendrohen në një rrezik tjetër: që edhe videot e shënuara si të rreme mund të ndikojnë në opinionet e njerëzve.

Kjo ide ka qenë prej kohësh në qendër të një sasie të konsiderueshme kërkimesh në psikologji dhe shkencat njohëse dhe shoqërore, megjithëse deri më tani nuk ishte shoqëruar me “deepfakes”.

Disa studime mbi dezinformimin në përgjithësi tregojnë se, pasi të mësohet, informacioni i rremë vazhdon të ndikojë në arsyetimin dhe gjykimet, edhe pse tërhiqet: një efekt i njohur si “ndikim i vazhdueshëm”.

Nëse një raport hidhet poshtë se një familje vdiq pasi hëngri kërpudha helmuese në një restorant, për shembull, klientët do të kenë tendencë ta shmangin atë restorant edhe pasi të mësojnë se familja vdiq nga shkaqe të tjera.

Është gjithashtu e njohur dhe e dokumentuar mirë se njerëzit kanë më shumë gjasa të besojnë atë që nuk bie ndesh me nocionet e tyre të paracaktuara dhe atë që e perceptojnë si të njohur, sepse e kanë lexuar ose dëgjuar diku.

Disa studime e quajnë këtë “efekti i të vërtetës iluzore”: kur disa pretendime të dyshimta përsëriten vazhdimisht me kalimin e kohës, vërtetësia e tyre e përgjithshme tenton të rritet.

Në mënyrë të ngjashme, amplifikimi i zgjatur dhe i qëndrueshëm i lajmeve të rreme mund të rrisë gatishmërinë për ta besuar atë si të vërtetë, edhe pse ka një titull shumë emfatik.

Korrigjimi i informacionit të rremë është i dobishëm, por vetëm deri në një pikë. Mësimi i informacionit negativ rreth një politikani, për shembull, mund të ndryshojë ndjenjat afatgjata ndaj atij politikani, edhe pasi informacioni të jetë diskredituar.

Kjo është një arsye pse iniciativat për të demaskuar të vërtetat në mediat sociale kanë një efektivitet të provuar, por të kufizuar: ato nuk e fshijnë plotësisht ndikimin e informacionit që ato demaskojnë.

Eksperimentet në studimin e Lewandowsky-t dhe Clark-ut, janë një rast i ndryshëm, sepse paralajmërimi i parapriu shikimit të përmbajtjes së rreme: është më shumë një shembull i paragjykimit.

Por edhe për qasjet parandaluese ndaj dezinformimit, si dhe për ato pasuese, efektiviteti i tyre varet nga disa faktorë: paralajmërimi i njerëzve paraprakisht nuk i mbron gjithmonë ata nga rreziku i keqinformimit, ose nuk i bind plotësisht ata të mendojnë ndryshe për tema të caktuara për të cilat ata tashmë kanë një mendim.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Videot ‘fake’ ndikojnë edhe tek ata që e dinë se janë të rreme appeared first on Gazeta Si.

Bill dhe Hillary Clinton do të dëshmojnë para komisionit për rastin ‘Epstein’

3 February 2026 at 10:44

Gazeta Si – Pas muajsh refuzimi, ish-presidenti demokrat, Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton (gruaja e Bill, gjithashtu demokrate), kanë rënë dakord të dëshmojnë para një komisioni kongresional që heton rastin e “Epstein”, financierit të Nju Jorkut i dënuar në vitin 2008 për shfrytëzim seksual të vajzave të mitura. Ai u arrestua në vitin 2019 me të njëjtat akuza dhe dyshohet se kreu vetëvrasje në burg.

Gatishmëria e çiftit Clinton erdhi në prag të një votimi në Kongres për dy rezoluta që mund të kishin çuar në shkarkimin e tyre për shpërfillje të komisionit.

Clinton ishte ndër burrat e fuqishëm me lidhje me Epstein në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000. Ai nuk është akuzuar për kryerjen e ndonjë shkeljeje në ndërveprimet e tij me financierin dhe deri më tani, ai dhe Hillary Clinton kanë pohuar se nuk ishin në dijeni të krimeve të Epstein.

Prandaj, ata refuzuan fillimisht të dëshmojnë para komisionit, duke i quajtur thirrjet në gjyq të pabaza dhe të motivuara nga një sulm thjesht politik i udhëhequr nga republikanët. Tani, përpara një votimi që mund të çojë në akuza zyrtare, ata kanë ndryshuar mendje.

Ende nuk është e qartë se kur do të dëshmojnë Bill dhe Hillary Clinton, dhe as nuk është e sigurt që komiteti do ta pezullojë votimin për rezolutat për t’i akuzuar zyrtarisht ata për shpërfillje të gjykatës.

The post Bill dhe Hillary Clinton do të dëshmojnë para komisionit për rastin ‘Epstein’ appeared first on Gazeta Si.

Territorialja/ Balla i vendos afatin e fundit opozitës: Ju presim deri në darkë

3 February 2026 at 10:40

Nga Gazeta ‘Si’- Seanca plenare e Kuvendit nisi me debate sa i takon bojkotit të Komisionit të Reformës Territoriale. 

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i cili është njëherazi bashkëkryetari i këtij komisioni akuzoi mazhorancën se i ka vendosur ultimatum opozitës në lidhje me këtë çështje.

Ai u shpreh se nuk ka pasur asnjë konsultim për të mbledhur komisionin e posaçëm, madje edhe mbledhjet e kaluara janë zhvilluar pa dakordësinë e palëve.

“Në pazar jemi këtu ne? Kjo është e turpshme dhe më e turpshme ishte ai ultimatumi në Konferencën e Kryetarëve. Nëse doni ta ktheni parlamentin në koloni ndëshkimore për opozitën, bëjeni”, tha Boçi.

Sipas tij, deputetët nuk mund të kërkojnë ndryshime në një komision për të cilin kanë votuar fillimisht përbërjen e tij.  

“Pse noterët e juaj jemi ne? E bëtë copë Shqipërinë me reformën territoriale. E keni boshatisur. Kemi arsyen kryesore për të mos qenë aty me ju. Ne do jemi në shesh sigurisht, ne do japim opsionin tonë, por jo me ju. Jo me atë shumicën të imponuar nga ju. Kjo që keni bërë është turp mbi turpe”, tha Boçi.

Ndërkohë Kreu i grupit të PS, Taulant Balla i la afat opozitës deri në mbrëmje për të vendosur nëse do shkojnë apo jo në komisionin për Reformën Territoriale.

Balla ironizoi opozitën pas mbledhjes së grupit, duke thënë se çfarë thonë në darkë nuk e thonë në mëngjes.

“Ça thoni në darkë nuk e thoni në mëngjes. Më komunikuan mbrëmë që ju jeni tërhequr nga bojkoti, të paktën këtë haber na keni sjellë dje. Sot shoh që jeni tërhequr nga ajo që keni vendos dje. Këta nuk janë tërhequr nga bojkoti. Jeni aq kakafonik sa për një çështje çoheni 2 veta. Tani jeni shpartalluar se ca kanë ik, ca janë pa qejf, ca nuk vinë. Zonja dhe zotërinj të PD-së, ju angazhoheni që të merrni pjesë rregullisht në mbledhje të Komisionit, ta dimë. Këtë gjë e keni deri në darkë, kur të vijë vendimi. Ne po ju themi, nëse ju vini nuk ka nevojë ta ndryshojmë, na e thoni deri në darkë, se në mëngjes keni mend të tjera, në darkë mend të tjera”, tha Balla.

Përgjigjen e mori nga Luçiano Boçi, i cili tha se PD nuk ka bojkotuar, por mbledhjet janë thirrur në mënyrë të njëanshme.

“Nuk ka pasur mbledhje të vlefshme, mbledhja thirret në konsultim me kryesinë e komisionit. Nuk mund të dilni dot në konkluzion që kemi qenë ne apo jo, prandaj keni nevojë për Chat GPT. Mos vendosni ultimatume, ne jemi parti që vendimet i marrim vetë, keni për detyrë të zbatoni rregulloren dhe kushtetutën”, tha Boçi.

The post Territorialja/ Balla i vendos afatin e fundit opozitës: Ju presim deri në darkë appeared first on Gazeta Si.

Qeveria propozon sigurim të detyrueshëm jo vetëm për tërmetet, por edhe përmbytjet

3 February 2026 at 10:39

Nga Gazeta ‘SI’ – Sigurimi i detyrueshëm për banesat pritet të zgjerohet, duke përfshirë edhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, përveç atyre nga tërmetet. Qeveria ka ndryshuar skemën e parashikuar, duke shtuar edhe këtë rrezik natyror në projektligj, pak javë pasi dhjetëra qytete të Shqipërisë u gjendën nën ujë.

Sipas nismës ligjore, qëllimi i sigurimit është dëmshpërblimi i qytetarëve për dëmet që këto katastrofa natyrore mund t’u shkaktojnë banesave të tyre. Përfshirja e përmbytjeve në skemë pritet të shoqërohet edhe me rritje të primit të sigurimit, niveli i të cilit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Për administrimin e skemës do të krijohet Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet. Ky fond do të ketë në përgjegjësi sigurimin jo vetëm të banesave, por edhe të ambienteve brenda tyre që përdoren si njësi shërbimi, zyra apo për qëllime të tjera të ngjashme.

Edhe pse skema parashikohet të jetë shtetërore, projektligji i lë hapësirë edhe kompanive private të sigurimit. Ato do të veprojnë si ndërmjetës, duke ofruar produktin e sigurimit për qytetarët dhe duke ia transferuar pagesat Fondit Kombëtar, kundrejt një komisioni.

Për shtresat sociale në nevojë, parashikohet që primi i sigurimit të financohet nga shteti. Sigurimi i detyrueshëm do të mbulojë vetëm dëmet në pronë dhe jo dëmet që lidhen me jetën e individëve.

Në të njëjtin projektligj, qeveria thekson se qytetarët që refuzojnë të lidhin kontratën e sigurimit të detyrueshëm do të penalizohen me kufizim të aksesit në shërbime publike, përfshirë shërbimet kadastrale, shërbimet elektronike përmes portalit e-Albania, si dhe shërbimet e ofruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

The post Qeveria propozon sigurim të detyrueshëm jo vetëm për tërmetet, por edhe përmbytjet appeared first on Gazeta Si.

Porositi një vrasje për gjakmarrje, dënohet me 25 vite burg 34-vjeçari

3 February 2026 at 10:30

Gazeta Si – Gjykata e Fierit ka dënuar Laert Hasallën me 25 vite burg nën akuzën e porositjes së vrasjes së mbetur në tentativë të kushëririt të tij, Marius Hasalla.

Ngjarja ndodhur në mars të vitit 2023 kur ndaj të riut u organizua një atentat, i cili fatmirësisht nuk u finalizua, por shkaktoi plagosjen e hallës së tij Bajame Sejena e cila ndodhej në një automjet me të.

Si ekzekutor ishte porositur Mariglen Matjani, ndërsa urdhri ishte dhënë nga Laert Hasalla. Ky i fundit donte vdekjen e Marius Hasallës, sepse në vitin 2021, i ati i Mariusit, kishte vrarë Romeo Hasallën, vëllanë e Laert Hasallës.

Gjithçka ka nisur për një konflikt toke prej 2 hektarësh që është kthyer mollë sherri mes dy familjeve Hasalla.

Përplasjet mes tyre kulmuan në vitin 2021, kur Kastriot Hasalla qëlloi me armë zjarri ndaj kushërinjve të tyre, duke lënë të vdekur 30-vjeçarin, Romeo Hasalla dhe të plagosur Shaip Hasallën së bashku me dy djemtë e tij, Emiljano dhe Laert Hasallën.

Për ngjarjen u arrestua edhe Afrim Hasalla, por më pas u la i lirë, pasi Kastriot Hasalla u vetëdorëzua në polici duke pranuar krimin. Ai është dënuar me 35 vite burg.

The post Porositi një vrasje për gjakmarrje, dënohet me 25 vite burg 34-vjeçari appeared first on Gazeta Si.

Zhupa në Kuvend: Nuk mund të miratoni ndryshime për Territorialen

3 February 2026 at 10:29

Nga Gazeta ‘Si’- Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa iu kërkoi socialistëve që të tërheqin projektvendimin, e futur në rend dite, për ndryshimet e parashikuara në Komisionin e Reformës Territoriale.

Zhupa tha se PS duhet ta tërheqë nga rendi i ditës këtë projektvendim sepse në Konferencën e Kryetarëve nuk është dakordësuar për një gjë të tillë.

Ajo akuzoi PS se kërkon që t’i imponohet PD-së, ndërsa kujtoi se komisioni ka dy bashkëkryetarë.

“Sot në rendin e ditës në pikën 13 keni futur një projekt vendim për ndryshimin për komisionin e reformës territoriale, kujtoj maxhorancën se në konferencën e kryetarëve nuk është votuar as pro dhe as kundër një vendim i tillë. Është marrë vendimi me kryetarin e PS që kjo gjë do të shtyhej dhe do të kishim mundësi se do të diskutonim për reformën territoriale. Diçka e pavotuar në Konferencën e Kryetarëve nuk mund të futet për votim.

Së dyti, PD ka qenë e gatshme për t’i qëndruar vendimit që ka votuar këtu në Kuvend, i votuar nga të dyja forcat. Nëse doni të bëjmë një reformë në interes të qytetarëve, qëndrojini vendimit të parlamentit për të pasur anëtarë dhe bashkëkryesim të barabartë. Tërhiqeni projektvendimin që keni futur sot pa rregull dhe rregullore. Dhe janë dy bashkëkryetarët që duhet të bashkërendojnë përmbledhjet.

Nuk mundet PS t’i imponohet PD. Edhe në komisionet për bashkëkryesim doni të imponoheni dhe të vendosni ultimatume. Doni të dështoni paraprakisht reformën territoriale si në vitin 2014, sot pasojat i vuajnë qytetarët shqiptarë.”, u shpreh Zhupa.

The post Zhupa në Kuvend: Nuk mund të miratoni ndryshime për Territorialen appeared first on Gazeta Si.

Si ndodhi sulmi në berberhane në Lezhë, 3 autorët dhe shënjestra shpallen në kërkim

3 February 2026 at 10:21

Gazeta Si – Katër persona janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ngjarjes në një berberhane në Rrilë të Lezhës, ku objektiv mendohet të ketë qenë Merando Nikulaj, por nga të shtënat me armë zjarri mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci.

Policia bën me dije se bëhet fjalë për 3 anëtarë të fisit Ndoka, Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, si dhe tyre shënjestra e atentatit Merando Nikulaj.

Po ashtu, në pranga ka rënë edhe punonjësi i policisë, B.K., i pranishëm në berberhane, i cili qëlloi me armë duke zmbrapsur autorët.

Sipas burimeve, shkak i konflikti ndërmjet autorëve dhe shënjestrës kishte qenë një përplasje në verën e vitit 2025 në zonën e Shëngjinit, ndërmjet Merando Nikulajt dhe tre autorëve të ngjarjes.

Nga rindërtimi i skenës së krimit, dyshohet se autorët i ishin afruar berberhanes me dy automjete dhe pasi kanë zbritur, dy prej tyre kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të Merando Nikulajt.

Brenda biznesit ka qenë edhe polici, i cili është kundërpërgjigjur autorëve, dhe që me ndërhyrjen e tij mesa duket ka evituar që atentati të kishte viktima.

Por pas hetimeve, ai është shoqëruar me urdhër të prokurorisë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndonëse në deponimin e parë ishte shprehur se gjendej rastësisht në vendngjarje.

Ndërkohë, berberi 30-vjeçar Sokol Daci ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi u qëllua me katër plumba në shpatull bark dhe këmbë.

Krahas Dacit, i plagosur mendohet të jetë edhe shënjestra Merando Nikulaj, pasi në skenën e krimit janë gjetur gjurmë gjaku të cilat po i nënshtrohen analizave të ADN-së.

The post Si ndodhi sulmi në berberhane në Lezhë, 3 autorët dhe shënjestra shpallen në kërkim appeared first on Gazeta Si.

Roma aplikon tarifën 2 euro për të vizituar ‘Fontana di Trevi’! Autoritetet e quajnë sukses, organizatat dështim

3 February 2026 at 10:11

Tarifa prej 2 eurosh e vendosur për hyrjen e turistëve dhe vizitorëve jo rezidentë në zonën e Fontana di Trevi ka hyrë në fuqi të hënën, duke shkaktuar reagime të kundërta mes autoriteteve vendore dhe shoqatave të konsumatorëve.

Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet vendore të Romës, nga ora 9:00 deri në orën 21:00 në zonën e monumentit kanë hyrë gjithsej 6.406 persona, prej të cilëve vetëm 86 ishin banorë të Romës dhe zonës metropolitane.

Autoritetet e Romës e kanë cilësuar pozitiv nisjen e sistemit të ri të vizitës, i cili përfshin jo vetëm biletën me pagesë prej 2 eurosh, por edhe rregullimin e fluksit të vizitorëve.

Sipas një njoftimi zyrtar, sistemi i pritjes ka qenë efektiv dhe ka mundësuar, nga ora 9:00 deri në 18:00, pritjen e mbi 5.000 vizitorëve, duke garantuar një përvojë më të rregullt, qëndrim më të lehtë në zonë dhe përmirësim të cilësisë së vizitës në një nga monumentet më të rëndësishme të Romës dhe trashëgimisë kulturore italiane.

Vlerësim krejt të kundërt ka dhënë organizata Codacons, e cila e ka quajtur masën një “dështim”. Sipas saj, numri i vizitorëve ka qenë shumë më i ulët se mesatarja ditore prej rreth 30 mijë personash, duke theksuar se “shumica e turistëve e refuzuan tarifën.

“Kjo ndodh sepse shumica e turistëve me sa duket e refuzuan taksën absurde prej 2 eurosh, e cila përfaqëson një monetizim të tmerrshëm të një vendi me interes historik dhe kulturor dhe shërben vetëm për të mbuluar pamundësinë e administratës për të mbledhur fonde për buxhetin e saj.”

The post Roma aplikon tarifën 2 euro për të vizituar ‘Fontana di Trevi’! Autoritetet e quajnë sukses, organizatat dështim appeared first on Gazeta Si.

FT: Ukraina, Europa dhe SHBA-të kanë rënë dakord për një plan zbatimi të armëpushimit

3 February 2026 at 10:04

Nga Gazeta ‘Si’– Ukraina ka rënë dakord me partnerët e saj perëndimorë që çdo shkelje e vazhdueshme e një marrëveshjeje të ardhshme armëpushimi nga Rusia të përballet me një përgjigje të koordinuar ushtarake nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara, raportoi gazeta Financial Times, duke cituar burime të njohura me diskutimet.

Sipas raportit, i cili nuk është verifikuar menjëherë nga Reuters, plani është diskutuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë muajve dhjetor dhe janar mes zyrtarëve ukrainas, evropianë dhe amerikanë. Ai parashikon një reagim shumështresor ndaj çdo shkeljeje të një armëpushimi të arritur me Rusinë.

Financial Times raporton gjithashtu se të dërguarit nga Kievi, Moska dhe Uashingtoni pritet të takohen të mërkurën dhe të enjten në Abu Dhabi, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës.

Sipas propozimit, çdo shkelje e armëpushimit nga Rusia do të pasohej brenda 24 orëve nga një reagim fillestar diplomatik. Nëse shkelja vazhdon, parashikohet ndërhyrja e ushtrisë ukrainase për të ndaluar veprimet armiqësore.

Në rast se armiqësitë përshkallëzohen, plani parashikon një fazë të dytë, ku do të përfshihen forcat e të ashtuquajturit “koalicion i të vullnetshmëve”, që përfshin disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, Islandën dhe Turqinë.

Sipas publikimit, në rast të një sulmi më të gjerë, një përgjigje e plotë e koordinuar, e mbështetur nga Perëndimi dhe që do të përfshijë edhe ushtrinë amerikane, do të aktivizohej 72 orë pas shkeljes fillestare.

The post FT: Ukraina, Europa dhe SHBA-të kanë rënë dakord për një plan zbatimi të armëpushimit appeared first on Gazeta Si.

❌
❌