Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 2026Gazeta Si

Celtic u kualifikua, Forest fitoi, Lyon-i kryeson

29 January 2026 at 23:47

Nga Gazeta “Si” – Celtic siguroi një vend në fazën eliminatore pas fitores në ditën e fundit të fazës së Ligës në “UEFA Europa League”, ndërsa Nottingham Forest e mbylli në mënyrën e duhur.

Ndërsa Lyon, Midtjylland dhe Aston Villa siguruan tre vendet e para në klasifikimin e “UEFA Europa League”.

Lyon-i u rendit i pari pas fitores 4-2 në shtëpi ndaj PAOK-ut me dhjetë lojtarë.

Aston Villa u rikthye nga disavantazhi 2-0 për të mposhtur Salzburgun 3-2 dhe për të zënë vendin e dytë.

Fitorja 2-0 e Midtjylland ndaj GNK Dinamo e konfirmoi atë në vendin e 3-të.

E reduktuar në 10 lojtarë që në minutën e 15-të, Roma u rikthye nga disavantazhi për të siguruar një barazim 1-1 në fushën e Panathinaikos.

Verdhekuqtë u renditën në vendin e 8-të në renditje, duke siguruar kalimin direkt në raundin e 1/8-ave.

Lille, Ludogorets, GNK Dinamo dhe Brann iu bashkuan Celtic-ut në 5 vendet të fundit për fazën eliminatore.

Petar Stanić (Ludogorets) shënoi kundër Nice dhe ruajti kreun e shënuesve më të mirë me 7-të gola.

The post Celtic u kualifikua, Forest fitoi, Lyon-i kryeson appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 29 January 2026Gazeta Si

Bakter i rrezikshëm në qumështin për foshnja ‘Aptamil 1’, AKU e tërheq nga tregu

29 January 2026 at 22:18

Gazeta Si – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), ka lëshuar një paralajmërim urgjent për të gjithë prindërit në Shqipëri.

Një lloj specifik i qumështit për foshnja po tërhiqet menjëherë nga tregu për shkak të pranisë së një substance të rrezikshme.

Gjatë kontrolleve në Gjermani, në produktin “Aptamil 1 Pronutra (800g)”, është gjetur prani e një toksine (cereulide) që vjen nga bakteri “Bacillus cereus”.

Ky bakter mund të shkaktojë probleme shëndetësore, ndaj është dhënë alarmi në të gjithë rrjetin europian të sigurisë ushqimore (RASFF).

Cereulide është një toksinë e prodhuar nga disa lloje të bakterit Bacillus cereus dhe mund të shkaktojë simptoma të shpejta të helmimit ushqimor, përfshirë të vjella dhe dhimbje barku.

AKU njoftoi qytetarët se nëse e kanë blerë këtë produkt  ta kthejnë në pikat e shitjes. Sipas autoritetit inspektorët janë tashmë në terren për të bllokuar çdo kuti të mbetur nëpër rafte.

Edhe para disa ditësh, AKU u bëri thirrje konsumatorëve edhe për dy produkte të tjera konkretisht “BEBA” dhe “NAN 1 OPTIPRO”, për të kthyer atë në pikat e shitjes.

The post Bakter i rrezikshëm në qumështin për foshnja ‘Aptamil 1’, AKU e tërheq nga tregu appeared first on Gazeta Si.

Izraeli pranon se rreth 71 mijë palestinezë u vranë në Gaza në dy vjet luftë

29 January 2026 at 21:39

Gazeta Si – Për herë të parë, ushtria izraelite ka pranuar numrin e vdekjeve palestineze nga Ministria e Shëndetësisë e Rripit të Gazës në më shumë se dy vjet luftë: 71,667.

Kjo shifër konsiderohet e besueshme nga Kombet e Bashkuara, komuniteti akademik, shtypi dhe shumë qeveri të huaja, por Izraeli deri më tani e ka kundërshtuar atë, duke e quajtur vazhdimisht “mashtruese dhe të pabesueshme”, kryesisht, sepse Ministria e Shëndetësisë kontrollohet nga Hamasi (i cili menaxhon gjithçka brenda Rripit) dhe sepse nuk arrin të bëjë dallimin midis militantëve dhe civilëve.

Lista e ofruar nga autoritetet e Gazës përfshin vetëm ata, vdekja e të cilëve u shkaktua drejtpërdrejt nga një sulm izraelit dhe trupat e të cilëve u gjetën.

Ajo përfshin më shumë se 21,000 të mitur, 11,000 prej të cilëve ishin nën moshën 10 vjeç, gati 13,000 gra të rritura dhe më shumë se 2,000 burra që ishin mbi 65 vjeç kur u vranë.

Nuk përfshihen ata që vdiqën nga uria ose sëmundjet që janë përhapur në Gaza për shkak të kushteve katastrofike të jetesës në Rrip, as ata që ishin tashmë të sëmurë dhe vdiqën për shkak të mungesës së ilaçeve ose kujdesit mjekësor.

Izraeli kontrollon të gjitha kufijtë në Rrip dhe pengon ose bllokon hyrjen e ushqimit, furnizimeve mjekësore dhe të gjitha mallrave të tjera thelbësore.

Gjithashtu nuk përfshin njerëzit që janë zhdukur, me shumë gjasa të vrarë nga bombardimet dhe ende të varrosur nën rrënoja.

Izraeli pretendon se ka vrarë mbi 20,000 anëtarë të Hamasit, por kriteret e tij për identifikimin e një anëtari të Hamasit janë të paqarta dhe shpesh të diskutueshme. Ushtria ka thënë se po punon mbi numrin e vet të civilëve dhe militantëve të vrarë.

Ministria harton listën e të vrarëve bazuar në raportet e vdekjeve nga spitalet dhe organizatat humanitare që ofrojnë ndihmë për popullsinë e Rripit të Gazës.

Nëntëdhjetë përqind e atyre që përfshihen identifikohen me emër dhe mbiemër, dhe në shumë raste me numër identifikimi.

Në operacionet e mëparshme ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, numërimet e ministrisë ishin gjetur të ngjashme me ato të verifikuara në mënyrë retrospektive nga organizatat ndërkombëtare.

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), po harton listën e vet të vdekjeve gjatë dy viteve e gjysmë të fundit.

Është dukshëm prapa ministrisë, por ka parashikuar se bazuar në të dhënat e mbledhura deri më tani, do të arrijë në një rezultat të ngjashëm.

Për më tepër, megjithëse e kontrolluar nga Hamasi, Ministria e Shëndetësisë në fakt ka një përbërje hibride: kur Hamasi mori pushtetin në Rripin e Gazës në vitin 2007, duke rrëzuar partinë e moderuar Fatah pas një lufte civile, mbajti shumë nga punonjësit publikë që ishin punësuar nga Fatah.

E bëri këtë edhe sepse, duke qenë një milici e armatosur dhe një lëvizje politike subversive, Hamasi nuk ishte në gjendje të krijonte shpejt burokracinë e vet.

Hamasi dhe Fatah ranë gjithashtu dakord të siguroheshin që Autoriteti Kombëtar Palestinez (i dominuar nga Fatah, i cili qeveris pjesë gjysmë-autonome të Bregut Perëndimor), do të vazhdonte të paguante pagat e punonjësve publikë në Rripin e Gazës, gjë që vazhdon edhe sot.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Izraeli pranon se rreth 71 mijë palestinezë u vranë në Gaza në dy vjet luftë appeared first on Gazeta Si.

Përplasje edhe në Lojërat Olimpike, Macron nuk preferon të ulet pranë Vance!

29 January 2026 at 21:05

Gazeta Si – Përgatitjet për ceremoninë hapëse të Olimpiadës Milano-Cortina po ecin me një ritëm shumë intensiv. Eventi është më 6 shkurt, për spektaklin dhe ndezjen e flakadanit olimpik në stadiumin San Siro.

Këto ditë janë në punë edhe ambasadat e vendeve kryesore, në koordinim të ngushtë me Komitetin Olimpik.

Uashingtoni ka konfirmuar praninë e zëvendëspresidentit J.D. Vance dhe të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio. Por ende mbetet e pasigurt, mes të tjerëve, është ardhja e Emmanuel Macron.

Në tribunën e autoriteteve në stadiumin Meazza, presidenti francez pritet të ulet pranë Vance. Por, sipas zërave, Macron do të preferonte të ulej diku tjetër.

Me sa duket, në Paris ende nuk janë harruar tonet fyese të përdorura disa herë nga Donald Trump ndaj kreut të shtetit francez.

Presidenti amerikan fillimisht e talli Macronin për syzet e tij me xhama blu pasqyrë, të cilat në fakt i përdorte për të trajtuar një irritim të syve.

Më pas, u mburr se mund ta detyronte kreun e Elizesë t’u nënshtrohej kërkesave të tij për çmimin e barnave. Së fundi, pati edhe përplasjen për Groenlandën, e cila tani duket sikur është në rrugën e zgjidhjes.

Është e mundshme që Komiteti Olimpik të gjejë një zgjidhje, edhe pse duket e vështirë që Macron të mungojë në një ceremoni ku pritësi do të jetë presidenti italian Sergio Mattarella. Për më tepër, Franca do të presë edicionin e ardhshëm të Olimpiadave Dimërore. Të shohim.

Paralelisht po përgatitet një rrjet i dendur takimesh bilaterale, në kuadër të eventeve zyrtare të planifikuara mes 5 dhe 6 shkurtit.

Në veçanti, vëmendja përqendrohet te darka e liderëve botërorë, me praninë e Mattarella-s, mbrëmjen e 5 shkurtit, në Fabbrica del Vapore, gjithashtu në Milano.

Janë parashikuar takime edhe në javët pasuese. Për shembull, kancelari gjerman Friedrich Merz pritet të mbërrijë rreth datave 12 ose 13 shkurt. Ende nuk dihet se cili do të jetë programi i tij zyrtar.

Burimi: “Corriere della Sera”

The post Përplasje edhe në Lojërat Olimpike, Macron nuk preferon të ulet pranë Vance! appeared first on Gazeta Si.

Trump: Putin pranoi kërkesën time të mos e sulmojë Ukrainën për 1 javë

29 January 2026 at 20:50

Gazeta Si – Donald Trump tha se i kërkoi Vladimir Putinit të mos sulmonte për një javë Ukrainën për shkak të të ftohtit të dimrit dhe se presidenti rus pranoi.

“I kërkova Putinit të mos qëllonte mbi Kievin dhe qytetet ukrainase për shkak të të ftohtit rekord për një javë”, përsëriti Trump gjatë mbledhjes së kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se homologu i tij rus “ra dakord. Ishte një gjë e shkëlqyer; ukrainasit pothuajse nuk mund ta besonin”.

Temperaturat në Ukrainë do të bien në -30°C. Një takim i ri trepalësh është shtyrë deri javën tjetër, por Trump dhe kolegët e tij mbeten optimistë se paqja është e afërt.

Presidenti i SHBA-ve, deklaroi gjithashtu se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, po punojnë shumë për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, duke shtuar: “Ne do t’ia dalim mbanë”. “Steve Witkoff po punon shumë, ashtu si Jared dhe të gjithë të tjerët dhe mendoj se do t’ia dalim mbanë”, tha Trump gjatë një takimi të kabinetit. “Ne kemi mbyllur tetë luftëra dhe besoj se një tjetër konflikt do të mbyllet”, përsëriti ai.

Temperaturat në Ukrainë parashikohet të bien në -30 gradë Celsius (-22 gradë Fahrenheit) në ditët në vijim, pasi vendi përballet me ndërprerje të gjera të energjisë elektrike dhe ngrohjes për shkak të sulmeve ajrore ruse.

Ky është paralajmërimi i lëshuar nga agjencia meteorologjike. Në një postim në rrjetet sociale, Qendra Hidro-meteorologjike e Ukrainës deklaroi se nga 1 deri më 3 shkurt, “priten temperatura shumë të ftohta: temperaturat e natës pritet të bien midis -20 dhe -27 gradë Celsius, dhe në disa zona, temperaturat e natës pritet të bien në -30 gradë Celsius”.

Rrjeti energjetik i Ukrainës është dëmtuar rëndë në muajt e fundit nga një seri sulmesh ajrore masive ruse që dëmtuan termocentralet, transformatorët dhe sektorin e gazit të vendit.

Këto sulme shkaktuan ndërprerje të gjera të energjisë elektrike dhe ngrohjes në një kohë me temperatura tashmë të ulëta, veçanërisht në kryeqytet, Kiev, ku deri në gjysma e qytetit u godit herë pas here, dhe në qytetet kryesore të Kharkiv, Odessa dhe Dnipro.

Autoritetet ukrainase njoftuan se kishin filluar punën emergjente për të rivendosur rrjetin e energjisë dhe hapën zona të caktuara ku banorët mund të gjejnë ngrohje dhe qasje në energji elektrike. Bashkia e Kievit raportoi se 613 ndërtesa në kryeqytet ishin ende pa ngrohje.

The post Trump: Putin pranoi kërkesën time të mos e sulmojë Ukrainën për 1 javë appeared first on Gazeta Si.

Seanca ‘maratonë’ në GJKKO, Ilir Meta përplaset me prokurorin e SPAK

29 January 2026 at 18:39

Gazeta Si – Pas rreth 8 orësh debate dhe tension, ka përfunduar rreth orës 18:00 të mbrëmjes së kësaj të enjteje seanca paraprake për ish-presidentin Ilir Meta dhe të tjerët, ku SPAK nuk ka arritur të lexojë të gjithë parashtrimet e kërkesës për kalimin e dosjes në gjykim.

Gjatë seancës, SPAK ka arritur të lexojë rreth 130 faqe nga materiali i prezantuar, ndërsa mbeten edhe rreth 100 faqe të tjera që do të shqyrtohen në seancën e ardhshme.

Procesi i gjatë po zhvillohet në prani të avokatëve të mbrojtjes dhe të pandehurve, si pjesë e hetimeve për çështjet që lidhen me aktivitetin e ish-presidentit.

Më herët, avokati mbrojtës i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, për mediat ka bërë me dije për një përplasje mes Metës dhe prokurorit të Posaçëm Sotir Kllapi, me pretendimin se ky i fundit nuk ka qenë i saktë në ato që ka relatuar.

Cakrani tha se do të kërkohet pushimi i dy çështjeve, ajo e lobimit dhe CEZ-DIA, ndërsa akuzat për deklarim të rremë të pasurisë apo mosdeklarimi, i ka marrë përsipër Monika Kryemadhi.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Hetimi përfshin tre çështje të bashkuara në një dosje: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Për Monika Kryemadhin është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

The post Seanca ‘maratonë’ në GJKKO, Ilir Meta përplaset me prokurorin e SPAK appeared first on Gazeta Si.

Irani, BE: Pasdaran-ët, në listën e grupeve terroriste

29 January 2026 at 17:53

Gazeta Si – “Ministrat e jashtëm të BE-së sapo kanë ndërmarrë hapin vendimtar duke e përcaktuar Gardën Revolucionare Iraniane si një organizatë terroriste”, njoftoi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas në platformën X.

“Represioni nuk mund të mbetet pa përgjigje. Çdo regjim që vret mijëra qytetarë të tij po punon për rrëzimin e vet”.

Miratimi përfundimtar – unanimisht – u dha nga ministrat e Jashtëm të BE-së, të cilët vendosën të përfshijnë Gardën Revolucionare Iraniane në të njëjtën listë me Hamasin, ISIS-in dhe Al-Kaedën. Ky miratim lejon që të fillohet procedura formale për finalizimin e masës. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e kritikoi ashpër vendimin: “Është një gabim i rëndë strategjik”.

“Evropa po bën një hap përpara. Etiketimi i Korpusit të Gardës Revolucionare (IRGC) shtypëse të regjimit iranian si një organizatë terroriste është vendimi i duhur, një vendim që shumë e konsideronin të pamundur vetëm pak javë më parë”, tha Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian.

“Jemi krenarë për përpjekjen e vazhdueshme dhe të bashkuar të Parlamentit Evropian që ka ndihmuar në promovimin e këtij përparimi. Tani është koha për të qenë të fortë. Irani do të jetë i lirë”, përfundoi Metsola.

The post Irani, BE: Pasdaran-ët, në listën e grupeve terroriste appeared first on Gazeta Si.

Vuçiç: Shërbimi i detyrueshëm ushtarak hyn në fuqi në fund të 2026

29 January 2026 at 17:29

Gazeta Si – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi të enjten se shërbimi i detyrueshëm ushtarak në vend do të hyjë në fuqi në dhjetor të këtij viti ose në mars të vitit 2027.

Vendimi për fillimin e shërbimit ushtarak, tha ai, varet nga gatishmëria e kapaciteteve dhe objekteve ushtarake.

“Ne do ta marrim këtë vendim së shpejti, brenda një ose dy muajve të ardhshëm dhe do ta çojmë në Parlament dhe do të fillojmë regjistrimin e rekrutëve ushtarakë”, tha Vuçiç, pas një takimi me udhëheqësit ushtarakë mbi gjendjen dhe analizën e aftësive të Forcave të Armatosura Serbe për vitin 2025.

Shërbimi ushtarak do të zgjasë 75 ditë, sipas tij.

“Duhet t’i bëjmë gati të gjitha pajisjet. Kemi mjaftueshëm armë dhe çizme, por ka disa gjëra që nuk janë ende plotësisht gati”, tha ai.

Ai shtoi se nevojitet rinovimi i qendrave të rekrutimit, përmirësimi dhe rinovimi i klinikave dhe gjëra të tjera.

“Këto janë pyetje të rëndësishme sepse duam të jemi të përgatitur për këtë dhe që këta të rinj ta kalojnë shërbimin e tyre ushtarak në kushtet më të mira. Të fitojnë përgjegjësinë dhe seriozitetin e nevojshëm, si dhe një qëndrim ndaj patriotizmit”, tha Vuçiç.

Futja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak duhet ta marrë pëlqimin e Kuvendit të Serbisë. Përfaqësuesit e qeverisë kanë njoftuar vazhdimisht kthimin e shërbimit ushtarak vitet e fundit.

Ideja u konkretizua në janar 2024. Pastaj Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe nisi një iniciativë dhe i propozoi presidentit kthimin e shërbimit ushtarak.

Vuçiç më pas, në shtator të të njëjtit vit, nënshkroi një marrëveshje për ta kthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Serbi.

Që nga heqja e tij më 1 janar 2011, shërbimi ushtarak ka qenë vullnetar. Kroacia fqinje votoi gjithashtu për ta kthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në tetor 2025.

Ndër vendet që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë: Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Greqia, Qiproja, Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia. /REL/

The post Vuçiç: Shërbimi i detyrueshëm ushtarak hyn në fuqi në fund të 2026 appeared first on Gazeta Si.

Fury vs. Makhmudov në Prill

29 January 2026 at 17:15

Nga Gazeta “Si” – Ish-kampioni i Botës në peshat e rënda, Tyson Fury, do të përballet me Arslanbek Makhmudov në 11 Prill.

Kjo do të jetë ndeshja e parë për Fury-n që nga humbja në revanshin ndaj Kampionit Oleksandr Usyk në Dhjetor 2024.

37-vjeçari britanik u tërhoq nga boksi, 1 muaj pas asaj humbjeje, por njoftoi rikthimin e tij në boks më herët këtë muaj.

“Jam i emocionuar që jam kthyer,” tha Fury. “Zemra ime ka qenë gjithmonë dhe do të jetë gjithmonë në boks. Dikush t’ia thotë Mbretit se Asi është kthyer!”

Rusi Makhmudov, 36 vjeç, ka fituar 21 nga 23 ndeshjet e tij dhe mposhti britanikun Dave Allen në përballjen e fundit, në Tetor 2025.

Fury nuk është ndeshur Britaninë e Madhe që prej Dhjetorit të vitit 2022, kur mposhti Derek Chisora-n në “Tottenham Hotspur Stadium”, për mbrojtjen e titullit në “WBC”.

Boksieri nga Morecambe ka 34 fitore në 37 ndeshje – 24 prej tyre me KO – si dhe 2 humbje dhe 1 barazim.

Ai ka pasur 2 periudha si Kampion Bote. Fillimisht kur mposhti Wladimir Klitschko-n për titujt “WBA”, “IBF” dhe “WBO” në vitin 2015.

Si dhe pas fitores ndaj Deontay Wilder për titullin “WBC” në vitin 2020, por asnjëherë nuk ka qenë Kampion i padiskutueshëm.

The post Fury vs. Makhmudov në Prill appeared first on Gazeta Si.

Balluku kundërshton në Gjykatën e Lartë bllokimin e pasaportës nga GJKKO

29 January 2026 at 16:54

Gazeta Si – Zv.kryeministrja, Belinda Balluku, ka kundërshtuar masën e “ndalimit të daljes nga shteti” në Gjykatën e Lartë, duke ankimuar vendimin e Apelit të GJKKO-së, që la në fuqi këtë masë.

Po ashtu bëhet e ditur se për masën e “pezullimit nga detyra”, zv.kryeministrja duket se nuk ka ngritur pretendime, për shkak se Apeli nuk vendosi për këtë masë, derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Këto dy masa ishin vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, për shkak të hetimeve ndaj Ballukut lidhur me tenderat për Tunelin e Llogarasë dhe ndërtimin e loteve të Unazës së Madhe.

Por pas padisë së Kryeministrit Edi Rama, Gjykata Kushtetuese e riktheu zëvendëskryeministren në detyrë. Më 16 dhjetor, SPAK, kërkoi leje nga Kuvendi për ta arrestuar Ballukun, me elementë të rinj hetimor ndaj saj, duke vënë në dijeni deputetët se është në hetim për 7 lote të Unazës së Tiranës dhe e dyshuar për 3 tenderë të tjerë, përfshirë koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.

Kërkesa e SPAK për arrestimin e numrit 2 të qeverisë ka mbetur ende pezull në sirtarët e Kuvendit. Ditën e mërkurë, 28 janar, në orën 12:00 ishte parashikuar që të mblidhej Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK, por Kuvendi njoftoi shtyrjen e mbledhjes pa afat.

Kjo lëvizje vjen ndërsa Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me një vendim për rastin Balluku, pas shqyrtimit të ankimit të qeverisë. Kushtetuesja është shprehur se i duhet më shumë kohë për të marrë një vendim.

Sipas qeverisë, kjo masë ka shkaktuar mosmarrëveshje të kompentencave mes ekzekutivit dhe prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme dhe kërkon zgjidhjen nga Gjykata Kushtetuese.

The post Balluku kundërshton në Gjykatën e Lartë bllokimin e pasaportës nga GJKKO appeared first on Gazeta Si.

‘Australian Open 2026’ rikthen Finalen e vitit 2023 për femra

29 January 2026 at 16:49

Nga Gazeta “Si” – Elena Rybakina dhe Aryna Sabalenka do të ndeshen në Finalen e të shtunës në “Australian Open 2026”

Ish kampionia e “Wimbledon”, Rybakina fitoi 6-3 7-6 (9-7) në ½ finale ndaj Jessica Pegula-s.

Më herët, Sabalenka mundi Elina Svitolina-n në ½ finalen e parë, 6-2 6-3 duke arritur në Finalen e 4-rt rradhazi në Melbourne.

Numri 1 në Botë, Sabalenka është një fitore larg titullit të 3-të në “Australian Open”.

Ndërsa Rybakina do të luajë në Finalen e 2-të, përballë asaj që e mundi në vitin 2023.

The post ‘Australian Open 2026’ rikthen Finalen e vitit 2023 për femra appeared first on Gazeta Si.

Lamallari me ekspertët e KiE: Paraburgimi në Shqipëri, në nivelet më të larta në Europë

29 January 2026 at 16:40

Gazeta Si – Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari vazhdon ta shikojë si të tepruar ashpërsinë penale në Shqipëri, duke i cilësuar nivelet e paraburgimit si më të lartat në Europë.

Në konferencën me temë “E drejta për liri dhe siguri personale-nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, Lamallari u shpreh se gjysma e të personave që ndodhen në paraburgim, nuk kanë vendim të formës së prerë.

Sips tij, kjo situatë përbën një problem serioz të të drejtave të njeriut dhe të prezumimit të pafajësisë. Lamallari përmendi se rreth 58% e personave janë ende të paraburgosur, ndërsa kohëzgjatja mesatare e paraburgimit në Shqipëri arrin në 253 ditë, shumë më e lartë se mesatarja evropiane.

“Të dhënat flasin qartë: përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit nuk është vetëm një problem statistikor, por një problem thelbësor i të drejtave të njeriut, i prezumimit të pafajësisë dhe i proporcionalitetit të ndërhyrjes së shtetit. Për fat të keq, Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Aktualisht, rreth 58% e personave në institucionet penitenciare janë të paraburgosur dhe kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të tyre në paraburgim llogaritet në 253 ditë, krahasuar me 155 ditë në vendet evropiane, apo 63% më e lartë! Pra, mbi gjysma e personave që ndodhen në burgjet tona janë ende pa një vendim të formës së prerë, për më tepër, për një kohë shumë herë më të gjatë se ajo e zbatueshme në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në Bashkimin Evropian mesatarisht vetëm 1 në çdo 5 persona në sistemin penitenciar është i paraburgosur”, tha ministri Lamallari.

Sipas ministrit, vendi duhet të ndahet nga politika e ashpër e trashëguar nga sistemi i shkuar dhe pështatet me legjislacionin që përkon me standardet e Bashkimit Evropian.

The post Lamallari me ekspertët e KiE: Paraburgimi në Shqipëri, në nivelet më të larta në Europë appeared first on Gazeta Si.

Sarandë, 2 të plagosur pas sherrit me thika dhe dy të arrestuar

29 January 2026 at 14:45

Një sherr për motive të dobëta, ka degjeneruar në përdorim të thikës dhe në plagosjen e dy personave në Sarandë.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të qytetit, gjatë një përplasjeje mes Enea Qorrit dhe 27-vjeçarit, Arnest Gjonçaj.

Sipas informacioneve paraprake, Gjonçaj, banues në fshatin Gjashtë, është goditur me thikë pas shpine dhe për shkak të gjendjes së rëndë u transportua me urgjencë drejt Tiranës për trajtim të specializuar mjekësor. Nga përplasja ka mbetur i plagosur edhe Enea Qorri, i cili sipas policisë ka precedentë penalë.

Me anë të një njoftimi për mediet, Policia e Sarandës bën me dije se ka arrestuar dy autorët e plagosjes. “Falë reagimit të shpejtë dhe veprimeve intensive hetimore, u bë e mundur arrestimi i dy personave të dyshuar si autorë të përfshirë në këtë ngjarje. Në pranga ranë shtetasit M.H., 24 vjeç dhe Xh.S., 27 vjeç, ndërsa një tjetër person, F. Gj., është identifikuar dhe është shpallur në kërkim policor”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka nisur për motive të dobëta. Sipas policisë, A. Gj., M.H. dhe Xh.S. kanë shkuar në banesën e B.Q., ku kanë ushtruar dhunë fizike duke përdorur sende të forta (shkopinj) dhe një mjet prerës. Por si pasojë e këtij sherri, janë plagosur Qorri dhe Gjonçaj, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

The post Sarandë, 2 të plagosur pas sherrit me thika dhe dy të arrestuar appeared first on Gazeta Si.

Shtypi turk zyrtarizon Asllanin në Stamboll

29 January 2026 at 14:44

Nga Gazeta “Si” – Beşiktaş, aktiv në merkato, ka arritur marrëveshjen me zikaltërit e Inter, yllin kuqezi që e mbylli fazën e pare në Torino.

Bardhezinjtë kanë arritur marrëveshje për kushtet personale me mesfushorin 23-vjeçar Kristjan Asllani.

“Shqiponjat e Zeza” do ta huazojnë mesfushorin me opsion blerjeje jo të detyrueshëm.

Mësohet se të dy klubet po punojnë për ta bërë gati mesfushorin për ndeshjen ndaj Konyasporit në Superlig.

Kristjan Asllani, i cili ishte huazuar nga Interi te Torino në fillim të sezonit, pritet të ndërpresë kontratën e huazimit te “granata-t” dhe t’i bashkohet Beşiktaş-it.

Interi e bleu Asllanin nga Empoli për 15.7 milionë euro në Qershor të vitit 2023.

Mesfushori 23-vjeçar përmbush gjithashtu kriteret e kuotës së të huajve të vendosura nga TFF.

Asllani, i cili këtë sezon ka luajtur 1155 minuta në 16 ndeshje me Torinon, nuk ka regjistruar as gol dhe as asist.

The post Shtypi turk zyrtarizon Asllanin në Stamboll appeared first on Gazeta Si.

Territorialja/ PS i jep dhe një shans të fundit opozitës

29 January 2026 at 14:44

Nga Gazeta ‘Si’– Partia Socialiste i ka dhënë PD-së atë që e cilëson si mundësinë e fundit për të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale.

Në Konferencën e Kryetarëve, Balla u tha deputetëve të PD-së që nëse nuk do të paraqiten në mbledhjen e të hënës, atëherë ndryshimet në formulën e përbërjes së Territoriales do të votohen në seancën e të martës.

Mazhoranca argumenton se bojkoti i deritanishëm i opozitës nuk mund të përdoret si justifikim për bllokimin e reformës, ndërsa thekson se procesi duhet të ecë përpara në respekt të afateve dhe përgjegjësive institucionale.

Ndërkohë Gazment Bardhi në Konferencën e Kryetarëve deklaroi se ata nuk kanë bojkotuar mbledhjen.

Ai u shpreh se  opozita gjithmonë ka bërë thirrje për të gjetur mekanizma dialoguese, duke ndjekur vlerat e rregullat e BE.

Sipas tij dy datat që ishin përcaktuar për zhvillimin e Komisionit, anëtarët tanë nuk kanë qenë të pranishëm për shkak të angazhimeve të tjera të mëparshme.

Më herët mazhoranca propozoi që të marrë shumicën e numrit të anëtarëve në Komisionin e Reformës Territoriale, duke larguar bashkëkryetarin e PD-së, Luçiano Boçi. Nëse miratohet kjo gjë, ai do të mbajë rolin e nënkryetarit të “Territoriales” dhe puna do drejtohet nga Arbjan Mazniku.

PS thotë që në këtë komision duhet të jenë 17 anëtarë, 9 të PS-së, 6 demokratë dhe dy anëtarë të forcave të tjera opozitare.

Mbledhja e së hënës pritet të jetë vendimtare për fatin e reformës territoriale dhe për raportin politik mes mazhorancës dhe opozitës në këtë proces.

The post Territorialja/ PS i jep dhe një shans të fundit opozitës appeared first on Gazeta Si.

Fundi i një Epoke – Lebron James mbetet jashtë ‘NBA All Stars’

29 January 2026 at 14:30

Nga Gazeta “Si” – Ndeshja e yjeve për vitin 2026 do të zhvillohet të dielën, më 15 Shkurt. Fundjava “All-Star” do të përfshijë tri netë me aktivitete, nga 13 deri më 15 Shkurt 2026.

Los Angeles në Kaliforni, është përzgjedhur si qyteti organizator i “NBA All-Star 2026”. Ndeshja e 75-të “All-Star” do të zhvillohet në “Intuit Dome”, shtëpia e re e Los Angeles Clippers.

Kjo do të jetë hera e 7-të (rekord) që zona e Los Angeles pret një “All-Star”. Më parë e ka mikpritur në vitet 2018, 2011, 2004, 1983, 1972 dhe 1963, si dhe hera e parë që kjo ngjarje e messezonit zhvillohet në “Intuit Dome”.

NBA do të organizojë disa aktivitete për tifozë të të gjitha moshave në ambiente të ndryshme në Los Angeles dhe Inglewood, përfshirë “Kia Forum” dhe “Qendrën e Konventave” të Los Angeles-it.

Këto aktivitete, mes tyre stërvitja e “All-Star”, ndeshja e famshme “Ruffles NBA All-Star Celebrity Game” dhe një festival për tifozët, do të ofrojnë programe basketbolli dhe argëtim, si dhe mundësi për kontakte nga afër me lojtarët e NBA, legjenda dhe personazhe të famshëm.

Në një format të ri SHBA kundër Botës, “NBA All-Star 2026” përfshin dy ekipe me lojtarë amerikanë dhe një ekip me lojtarë ndërkombëtarë (i njohur si ekipi i Botës).

Ato do të zhvillojnë një turne “round-robin” me 4 ndeshje nga 12 minuta secila. Secili nga tre ekipet do të ketë minimumi 8 lojtarë.

Në turneun “round-robin”, Ekipi A do të përballet me Ekipin B në Ndeshjen 1. Fituesi i Ndeshjes 1 do të luajë kundër Ekipit C në Ndeshjen 2, ndërsa humbësi i Ndeshjes 1 do të përballet me Ekipin C në Ndeshjen 3.

Pas Ndeshjes 3, dy ekipet me bilancin më të mirë do të kualifikohen për Finalen, pra ndeshjen për titull (ndeshja 4).

Nëse të tre ekipet kanë bilanc të barabartë pas ndeshjes 3, kriteri i ndarjes do të jetë diferenca e pikëve në dy ndeshjet “round-robin”.

  • Eastern Conference All-Star
    Giannis Antetokounmpo | Milwaukee Bucks
    Jaylen Brown | Boston Celtics
    Jalen Brunson | New York Knicks
    Cade Cunningham | Detroit Pistons
    Tyrese Maxey | Philadelphia 76ers
  • Western Conference All-Star starters
    Stephen Curry | Golden State Warriors
    Luka Dončić | Los Angeles Lakers
    Shai Gilgeous-Alexander | Oklahoma City Thunder
    Nikola Jokić | Denver Nuggets
    Victor Wembanyama | San Antonio Spurs

The post Fundi i një Epoke – Lebron James mbetet jashtë ‘NBA All Stars’ appeared first on Gazeta Si.

Çmimi i naftës arrin 70 dollarë për fuçi, pas kërcënimeve të Trump ndaj Iranit

29 January 2026 at 13:41

Çmimet e naftës bruto Brent arritën 70 dollarë për fuçi për herë të parë që nga shtatori, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi Iranin që të arrinte një marrëveshje bërthamore ose të përballej me sulme ushtarake. Kjo rritje e çmimeve ndodhi për shkak të asaj që tregjet e quajnë një prim të rrezikut gjeopolitik, që lidhet me shqetësimet se tensionet mund të ndërpresin furnizimin global me naftë. Brent u rrit deri në rreth 2.7% në nivelin e 70 dollarëve për fuçi, ndërsa kontrata amerikane West Texas Intermediate (WTI) kaloi 65 dollarë për fuçi.

Në një postim në rrjetet sociale të mërkurën, Trump tha se anijet amerikane që ai urdhëroi në rajon ishin gati të përmbushnin misionin e tyre “me shpejtësi dhe dhunë, nëse është e nevojshme”, duke shtuar presionin politik mbi Teheranin. Rezultati i kësaj ka qenë një rritje e çmimeve të naftës edhe në fillim të vitit 2026, duke sfiduar pritshmëritë e një tregu me ofertë të madhe. Përtej tensioneve me Iranin, faktorë të tjerë si situata në Venezuelë dhe ndërprerjet e furnizimit në Kazakistan gjithashtu kanë ndihmuar në nxitjen e çmimeve.

Analistët e Citigroup vlerësojnë se primi i rrezikut gjeopolitik i shtuar për çmimet e naftës mund të jetë rritur me 3 deri në 4 dollarë për fuçi, duke mbajtur çmimet mbi nivelet e parashikuara edhe pse tregjet prisnin oferta të mëdha. Një sulm i mundshëm amerikan kundër infrastrukturës së naftës së Iranit ose kundër vetë furnizimit nga Lindja e Mesme mund të rrezikojë rrjedhën e naftës dhe gazit, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për transportin e energjisë që lidh vendet prodhuese me tregjet globale.

SHBA është tregtues  dhe konsumator i madh i naftës, ndërsa Irani është një nga prodhuesit e rëndësishëm brenda OPEC me një prodhim ditor prej rreth 3.2 milionë fuçish. Çdo ndërprerje në këtë furnizim ose në tranzitin përmes Ngushticës së Hormuzit mund të ketë pasoja të gjera në ekonomitë globale, duke ndikuar jo vetëm në çmimet e karburanteve, por edhe në kursin e inflacionit dhe stabilitetin ekonomik./BLOOMBERG

The post Çmimi i naftës arrin 70 dollarë për fuçi, pas kërcënimeve të Trump ndaj Iranit appeared first on Gazeta Si.

Berisha: Rama po e tërheq zvarrë Gjykatën Kushtetuese

29 January 2026 at 13:30

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se Edi Rama sipas tij po tërheq zvarrë Gjykatën Kushtetuese, ndaj ajo nuk po del me një vendim për çështjen e Belinda Ballukut.

Sipas tij, Rama nuk pranon t’i heqë imunitetin Ballukut pasi është vetë i implikuar në dosje.

“E di se në 6500 mesazhe të paktën 4 mijë janë të Ramës në dosje.

I di Rama këto. Po edhe sikur të mos ishte, ai nuk heq imunitetin. Atë mund ta largojë si zëvendëskryeministre dhe rri një prestanome në vend të saj aty,” tha ai.

Berisha u pyet edhe nëse PD ka plan për të ju drejtuar Komisionit të Venecias në rast se Kushtetuesja do të vendosë pro qeverisë.

Ai sqaroi se PD nuk legjitimohet t’i drejtohet Komisionit të Venecias pasi ai u përgjigjet qeverive, jo partive politike.

“Kështu që vetëm shqiptarët e kanë fjalën, qytetarët. Tani është radha e tyre, fjala e tyre. Unë ju siguroj që termometri i zemërimit po shkon në nivelet më të larta tek qytetarët, se ky i konsideron si qenie inferiore. Dhe beson se i gënjen dhe i mashtron sipas qejfit. Por e kanë kuptuar jashtëzakonisht mirë dhe ata nuk e kanë tek Balluku. Jo e dinë që është Rama.

E dinë se AKSHI është Rama dhe e shoqja me Armand Frangun. E dinë që pengjet janë marrë për qindra milionët e tyre.

I dinë këto dhe qytetarët tani janë plotësisht të informuar.

Uraganin e patë vetë si ishte. Tre herë më i madh ishte zemërimi. Imagjinoni ju se po shkohet drejt triumfit të ligjit dhe kushtetutës”, tha ai referuar protestëts së 24 janarit.

The post Berisha: Rama po e tërheq zvarrë Gjykatën Kushtetuese appeared first on Gazeta Si.

Debate në Konferencën e Kryetarëve/ Bardhi: Shtyrja e mbledhjes për Ballukun, arbitrare!

29 January 2026 at 13:16

Nga Gazeta ‘Si’– Shtyrja e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit ka shkaktuar debate në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që po zhvillohet pa praninë e mediave.

Bardhi akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi duke i thënë se urdhëroi shtyrjen e mbledhjes me të dhëna të rreme, dhe se po shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën duke mbrojtur sipas tij korrupsionin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.

“Jeni në shkelje flagrante të Rregullores. E kemi kërkuar pesë herë mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve, por e keni refuzuar. Vendosët ta mblidhnit më datë 28, por dy orë para mbledhjes, me një urdhër që përmbante të dhëna të rreme, e keni anuluar mbledhjen.

Kështu siç e keni shkruar, edhe pse jam i bindur se nuk e dini se çfarë keni shkruar, i bie që Këshilli të mblidhet pas dy muajsh. Mjafton të lexosh ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, ju thoni që do ta mblidhni Këshillin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që Gjykata ka më shumë se dy muaj kohë për t’u shprehur.

Kjo është një sjellje arbitrare dhe argumentet kanë zero bazë, qoftë në Kushtetutë apo në Rregullore. Askund nuk thuhet që Kuvendi duhet të presë të shprehet një institucion tjetër për një çështje që nuk ka lidhje me ne. Ka vetëm një shpjegim: ju keni marrë në mbrojtje korrupsionin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut”, tha Bardhi.

Edhe deputetja Jorida Tabaku e cilësoi këtë vendim si një njollë të zezë.

Ajo kërkoi mbledhjen e menjëhershme të Këshillit pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo që po ndodh është një njollë e zezë për Kuvendin. Mbrojtja politike e një të korruptuari është çështje që ju bën me turp edhe juve. Të mblidhet menjëherë Këshilli i Imuniteteve dhe t’i hapim rrugën drejtësisë për t’i hequr imunitetin.”, tha Tabaku.

Ndërkohë kryetari i Kuvendit Niko Peleshi tha se shtyrja e mbledhjes ishte në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.

“Në Këshillin e Mandateve vendimet nuk merren thjesht me shumicë, por çdo propozim i anëtarëve vlen. Me propozim të deputetëve anëtarë Taulant Balla dhe Bledi Çomo që kërkuan të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shtyva mbledhjen”, mësohet të jetë përgjigjur kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

The post Debate në Konferencën e Kryetarëve/ Bardhi: Shtyrja e mbledhjes për Ballukun, arbitrare! appeared first on Gazeta Si.

Çfarë e shkakton vërtet migrenën?

29 January 2026 at 13:15

Kuptimi ynë për çrregullimin e migrenës më në fund po fillon të ndryshojë, duke përmbysur idetë se çfarë është një simptomë dhe çfarë është një shkaktar, dhe cila pjesë e trurit është çelësi për zhvillimin e trajtimeve efektive.

Më shumë se 1.2 miliardë njerëz në mbarë botën vuajnë nga migrena. Kjo gjendje neurologjike është shkaku i dytë më i përhapur i paaftësisë në botë. Megjithatë, pavarësisht shfaqjes së saj të zakonshme dhe efekteve dobësuese, migrena mbetet ende kryesisht një mister.

Ka shumë pyetje pa përgjigje rreth asaj se çfarë është në të vërtetë migrena, çfarë e shkakton atë dhe çfarë mund të bëhet për ta zhdukur këtë gjendje nga jeta e pacientëve.

“Do të thoja se është ndoshta ndër çrregullimet neurologjike më pak të kuptuara, ose çrregullimet në përgjithësi”, thotë Gregory Dussor, kryetar i shkencave të sjelljes dhe trurit në Universitetin e Teksasit në Dallas, SHBA.

Tani, studiuesit po fillojnë të zbulojnë se çfarë e shkakton migrenën dhe madje kohët e fundit kanë qenë në gjendje ta shohin atë të shpaloset në kohë reale si sinjale elektrike në trurin e pacientit. Duke kryer studime mbi gjenet, enët e gjakut dhe koktejin molekular që rrotullohet në kokat e pacientëve, shkencëtarët po i afrohen gjithnjë e më shumë të kuptuarit pse ndodh migrena, si mund të trajtohet dhe pse – larg të qenit një dhimbje koke bezdisëse – është një përvojë kronike, që prek të gjithë trupin.

Pse është kaq e vështirë të studiohet migrena

Duke filluar në shekujt 18-19, migrena zakonisht quhej një tekë femërore: një që do të godiste vetëm gratë e zgjuara, simpatike dhe të bukura me “personalitete migrenoze”. Ndërsa tre të katërtat e pacientëve me migrenë janë gra, kjo stigmë shekullore ka penguar kërkimin mbi migrenën dhe ka qenë kronikisht e pafinancuar.

“Njerëzit e mendonin si një sëmundje histerie”, thotë Teshamae Monteith, drejtuese e divizionit të dhimbjes së kokës në Sistemin Shëndetësor të Universitetit të Miamit, në SHBA. Edhe sot, shumë pak universitete kanë qendra të forta kërkimore për migrenën dhe investimet në këtë çështje janë të zbehta në krahasim me fushat e disa sëmundjeve të tjera neurologjike.

Ekspertët nuk e përdorin më termin “migrenë”. Në vend të kësaj, ata tani i nxisin të gjithë të përdorin termin çrregullim i migrenës dhe i referohen “sulmeve të migrenës” si një përkeqësim të sëmundjes themelore, e cila paraqitet me një sërë simptomash, duke përfshirë dhimbjen e kokës. Migrena episodale është kur një pacient ka më pak se 15 dhimbje koke në muaj. Migrena kronike është kur ka më shumë.

Megjithatë, barra psikologjike, fizike dhe ekonomike e migrenës është shumë reale, thotë Monteith. Ndërsa migrena është më e zakonshme gjatë viteve më produktive të jetës së një personi, midis të 20-ave dhe të  50-ave, njerëzit me migrenë kanë më shumë gjasa të mos punojnë, të humbasin vendet e tyre të punës dhe të dalin në pension herët.

Një nga sfidat e studimit të migrenës është se sa të gjera mund të jenë simptomat.

Pacientë përjetojnë simptoma përpos dhimbjes së kokës, duke përfshirë të përziera dhe të vjella, marramendje, dhimbje stomaku dhe ndjeshmëri të shtuar ndaj dritës dhe zërit. Më shumë se gjysma e pacientëve përjetojnë lodhje ekstreme, ndërsa disa kanë dëshira specifike për ushqim. Të tjerë e gjejnë veten duke u përpëlitur tepër në fazat e hershme. Rreth 25% e pacientëve kanë vizione të shkëlqimeve të ndritshme të çrregullta ose turbullira.

“I gjithë sulmi i migrenës është një gjë shumë e komplikuar,” thotë Dussor. “Nuk është vetëm dhimbje. Është një seri e tërë ngjarjesh që po ndodhin shumë kohë para se të fillojë një dhimbje koke.”

Shkaktarët që mendohet se ndezin një sulm janë po aq të ndryshëm: mungesa e gjumit dhe agjërimi padyshim që shkaktojnë dhimbje koke, por pacientë të tjerë tregojnë çokollatën, djathin, kafenë ose verën e bardhë që i nxisin të tyret. Stresi duket se është shumë i ndërthurur me migrenën për shumicën e pacientëve, dhe, çuditërisht, kështu është edhe çlirimi i stresit – prandaj sulmet e fundjavës janë një klasik.

Shkaktarët kundër simptomave

Ndërsa shkencëtarët që studiojnë migrenën kanë qenë prej kohësh të hutuar nga shumëllojshmëria e madhe e shkaktarëve të ndryshëm, tani një numër gjithnjë e në rritje kërkimesh sugjerojnë se shumë prej këtyre shkaktarëve mund të jenë thjesht manifestime të simptomave të hershme.

Një pacient mund të jetë duke kërkuar në mënyrë të pavetëdijshme ushqime të caktuara në ato faza shumë të hershme të një sulmi – çokollatë ose djathë, për shembull. Kjo do të thotë se është e lehtë të shoqërohet ngrënia e atij ushqimi si një shkaktar i sulmit, por sulmi mund të ketë filluar tashmë, thotë Debbie Hay, profesoreshë e farmakologjisë dhe toksikologjisë në Universitetin e Otagos në Dunedin, Zelanda e Re.

Gjithashtu, gjithmonë është menduar nëse parfumi ishte përgjegjës për shkaktimin e një ataku migrene.

“Epo, ky është një shembull klasik, dhe atribuimi shkakësor është ndoshta i gabuar”, thotë Peter Goadsby, profesor i neurologjisë në King’s College London, në Mbretërinë e Bashkuar.

Goadsby ka analizuar skanimet e trurit të pacientëve me migrenë që mendojnë se drita shkakton sulmin e tyre dhe i ka krahasuar ata me pacientët që nuk kanë tendencë ta fajësojnë dritën për fillimin e dhimbjes së tyre. Vetëm të parët kishin mbiaktivitet në pjesën e trurit përgjegjëse për shikimin pak para migrenës së tyre, duke sugjeruar se, gjatë atij momenti, ata ishin biologjikisht të përgatitur për të qenë më të ndjeshëm ndaj dritës sesa homologët e tyre. “Pa dyshim, diçka po ndodh biologjikisht”, thotë Goadsby.

Por kërkimi për të zbuluar se cili është ai mekanizëm themelor biologjik ka qenë i gjatë.

Origjina gjenetike e migrenës

Studimet mbi binjakët tregojnë se ekziston një komponent i fortë gjenetik dhe se nëse prindërit ose gjyshërit tuaj kishin migrenë, ka statistikisht të ngjarë të trashëgoni edhe ju gjendjen neurologjike. Gjenet e trashëguara duket se luajnë një rol në rreth 30-60% të njerëzve që vuajnë nga migrena, me faktorë të tjerë të jashtëm kumulativë si historia e jetës, mjedisi dhe sjellja që përbëjnë pjesën tjetër, thotë Dale Nyholt, gjenetist në Universitetin e Teknologjisë të Queensland në Australi.

Gjaku kundrejt trurit

Për shkak të natyrës pulsuese të dhimbjeve të kokës së shumë njerëzve, një nga të dyshuarit mbizotërues për sulmet e migrenës dikur ishin enët e gjakut që çonin në ‘hapjen’ e trurit dhe shkaktonin një vërshim gjaku. Por shkencëtarët nuk mundën kurrë të gjenin përfundimisht një korrelacion midis rrjedhjes së gjakut dhe fillimit të migrenës.

“Thjesht nuk mund të jetë aq e thjeshtë sa ‘ena e gjakut bën X’,” thotë Dussor. “Mund t’i jepni çdo njeriu në Tokë një ilaç që do të shkaktojë zgjerimin e enëve të gjakut dhe jo të gjithë do të kenë migrenë.”

Kjo nuk do të thotë që enët e gjakut nuk kanë të bëjnë fare me migrenën: shumë nga gjenet e rrezikut të zbuluara në testin gjenetik të origjinës së migrenës janë gjene që ndihmojnë në rregullimin e venave. Enët e gjakut zgjerohen në mënyrë anormale gjatë sulmeve dhe ato në fakt mund të shfryhen me ilaçe për të ndihmuar në lehtësimin e dhimbjes së migrenës. Pra, ndërsa ato janë padyshim të përfshira në një sulm migrene, ato mund të mos jenë shkaku. Efektet e tyre në migrenë mund të jenë për shkak të faktorëve të tjerë të fshehur, siç është një çlirim jonormal i molekulave që shkaktojnë dhimbje në muret e venave ose sinjale të tjera që dërgohen nga venat në tru, thotë Dussor.

Krijimi i valëve të trurit

Teoria kryesore për shkencëtarët që shqyrtojnë rolin e trurit në migrenë është se një sulm është një valë elektrike e ngadaltë, anormale që përhapet nëpër korteksin e trurit, e njohur si depresioni përhapës kortikal. Kjo valë shtyp aktivitetin e trurit dhe bën që nervat e dhimbjes aty pranë të aktivizohen, duke dhënë alarmin dhe duke shkaktuar inflamacion. Vala e depresionit përhapës kortikal në thelb “nxjerr jashtë të gjitha llojet e molekulave të këqija në tru”, thotë Michael Moskoëitz, profesor i neurologjisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit në Kembrixh, Massachusetts, në SHBA.

Por pse fillon kjo valë mashtruese? Dhe ku përhapet? Dhe si çon kjo valë elektrike në kaq shumë simptoma? Kjo është ende e vështirë të përcaktohet me saktësi. Në mars të vitit 2025, shkencëtarët kapën valën në kohë reale ndërsa monitoronin trurin e një pacienteje 32-vjeçare në përgatitje për operacion. Vala u kap përmes 95 elektrodave të futura në kafkën e saj. Ajo u përhap nga korteksi i saj vizual – gjë që shpjegon pse disa njerëz kanë ndjeshmëri ndaj dritës, thotë Moskoëitz – dhe pastaj për 80 minuta të tjera në të gjithë trurin.

Të gjithë këta faktorë të ndryshëm ka të ngjarë të veprojnë në një mënyrë të ndërthurur.

“Mendoj se në fund të fundit, mund të ketë një emërues të përbashkët, por ka rrugë të shumta drejt migrenës”, thotë Amynah Pradhan, drejtoreshë e Qendrës për Farmakologji Klinike në Universitetin e Uashingtonit në St. Louis, SHBA.

“Ndoshta edhe më shumë se kaq, mendoj brenda një individi. Ka mënyra të shumta për të zhvilluar migrenë dhe të gjithë kanë një koktej gjërash që ndodhin.”

The post Çfarë e shkakton vërtet migrenën? appeared first on Gazeta Si.

❌
❌