Nga Gazeta ‘Si’- Një incident i frikshëm u shënua gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë, kur një protestues u përfshi nga flakët.
Gazetasi.al ka siguruar pamjet e momentit kur ai merr flakë. Ai shihet i mbuluar nga flakët për disa sekonda, por menjëherë reagoi duke u larguar me vrap.
Ai fillimisht u afrua për të lëvizur molotovin e hedhur para gardhit të krijuar nga policia, po lënda plasëse shpërtheu për pak sekonda.
Gjatë hedhjes së molotovit nga qytetarët, mesohet se edhe një polic është lënduar.
Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur pas përfundimit të protestës së opozitës, duke paralajmëruar përshkallëzim të aksioneve dhe protesta të tjera të fuqishme në ditët në vijim.
Nga selia blu, Berisha tha se sipas tij kryeministria është sot ndërtesë krimi e shëmtuar.
Ashtu si gjatë fjalës në protestë, Berisha tha se opozita nuk do i ndahet Ramës e madje do i shkojë deri në Surrel.
I pyetur nëse është ngujimi në parlament një formë proteste, Berisha tha se kjo opozitë nuk do përmbahet më.
“Nuk ka formë proteste paqësore që nuk do aplikojë kjo opozitë”, tha ai.
Berisha u pyet gjithashtu lidhur me pjesëmarrjen e Ervin Salianjit në protestë. Ai tha se çdokush që i bashkohet protestës është i mirëpritur.
‘Çdo njeri që vjen në protestë është i mirëpritur, nuk është protesta e Sali Berishës por vullnet i qytetarëve që duan që të protestojnë kundër kësaj qeverie. Është rasti që të merrem me protestën. Do po flasim për protestë apo? Unë thirrjen time e bëra për çdo forcë për çdo qytetarë dhe intelektual të na bashkohet, por kjo do të jetë një betejë që s’do të ndalet pa realizimin e qëllimit të saj’, tha ai.
Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi mbajti fjalën e tij në protestën e opozitës përpara kryeministrisë këtë të hënë.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos heshtin dhe të mos tërhiqen, deri në rrëzimin e qeverisë nga pushteti.
“Në çdo takim, kam marrë vetëm një mesazh, ju nuk dorëzoheni dhe të gjithë bashkë nuk dorëzohemi. Kam mësuar se sakrifica dhe besimi janë dy vlerat që na kanë mbajtur gjithmonë në këmbë, për të larguar Edi Ramën, kryeministri më të korruptuar në Europë e në botë.”
Protestën e quajti një lëvizje për dinjitetin e përbashkët.
“Ne nuk jemi këtu se nuk rrimë dot ngrohtë në shtëpitë tona, por se korrupsioni po na merr frymën, kartelet e drogës bashkë me qeverinë po na vjedhin të ardhmen”, tha Bardhi.
“Qytetarët do t’i ketë përballë deri në largimin e tij”, përfundoi ai për kryeministrin Edi Rama.
Bardhi tha se me gjithë këtë korrupsion të dalë sheshit sipas tij nga dosjet e Ballukut dhe AKSHI-t, Rama dhe zv.kryeministrja si dhe bandat pas tyre duan që qytetarët të heshtin.
Më tej ai shtoi se qytetarët gjithë këtë kohë kanë rezistuar ndaj kësaj bande në pushtet dhe sot ata kanë fjalën e tyre për të sjellë ndryshimin dhe largimin e Edi Ramës nga pushteti.
“Ne jemi këtu sepse korrupsioni po na merr frymën! Sepse kartelet e drogës, bashkë me qeverinë e tyre, po na vjedhin tëardhmen!
Edi Rama, Belinda Balluku bandat kriminale dhe kartelet e drogës që qendrojnë pas tyre duan që ne të kemi frikë. Duan që ne të heshtim. Edi Rama do që ne të ulim kokën.
Duan që të mendojmë se jemi të pashpresë.
Bashkë me çetën e tij të megahajkdutëve ai do që ne të bësojmëse në këtë vend të gjithë janë njësoj, se asgjë nuk ndryshon. Por ne jemi këtu për t’u trguar se ata e kanë gabim dhe se e keqja nuk do të triumfojë.
Ne jemi këtu për t’u thënë hajdutëve dhe kriminelëve të qeverisëse koha juaj ka mbaruar. Tani është koha e qytetarëve të ndershëm të Shqpërisë.
Sepse kur pushteti vjedh, nuk vjedh vetëm ca para! Vjedh jetën tuaj”, tha Bardhi.
Gazeta “Si”– Është ndarë nga jeta këngëtari i njohur shqiptar Shemsi Krasniqi, i cili për publikun ishte i njohur gjerësisht si “Shemi”, vokalisti i grupit legjendar “Ilirët”.
Lajmi për humbjen e parakohshme të artistit është konfirmuar nga mediat në Kosovë.
Ende nuk dihet shkaku i vdekjes së tij. Sipas raportimeve , trupi i pajetë i Krasniqit është gjetur në banesën e tij në lagjen Dragodan, rreth mesnatës.
Shemsi Krasniqi ishte një nga zërat më të dashur dhe më ikonikë të muzikës shqiptare. Ai mbetet i paharruar si interpretuesi që i dha jetë këngës “Xhamadani vija vija”, e cila u shndërrua në një simbol kombëtar
Me zërin e tij karakteristik dhe interpretimin plot ndjenjë, Shemi arriti të lidhte breza të tërë me traditën dhe muzikën burimore shqiptare. Përmes veprimtarisë së tij me grupin “Ilirët”, ai la një trashëgimi të çmuar artistike në historinë e muzikës shqiptare.
Nga Gazeta ‘Si’- Ervin Salianji dhe mbështetësit e tij i janë bashkuar sot protestës së organizuar nga opozita kundër ‘skandaleve të qeverisë së Edi Ramës’.
Salianji, për të cilin Berisha thotë se është vetëpërjashtuar nga PD-ja, shoqërohej nga ‘besnikët’ e tij, të cilët i quajti edhe ‘mbështetës të PD-së.”
“Nuk më përjashton dot asnjë njeri. Sot është rradha për të përjashtuar Edi Ramën. Unë jam në PD, do të jem në PD. Jam bashkëdrejtues I një lëvizje shumë të rëndësishme në PD” tha ai për mediat.
Sipas Salianjit, skandalet e fundit kanë ekspozuar ‘kthimin e institucioneve’ në parcela private të njerëzve të lidhur me qeverinë dhe krimin.
Këngëtari dhe kitaristi i njohur britanik Chris Rea ka ndërruar jetë, sipas një deklarate të bërë nga familja e tij. Artisti, i famshëm për këngë ikonike si Driving Home For Christmas dhe On the Beach, u shua në moshën 74-vjeçare, pas një sëmundjeje të shkurtër.
Në një deklaratë për Press Association, familja e tij tha se Rea ndërroi jetë më herët gjatë ditës në spital. Një njoftim zyrtar në emër të bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve u shpërnda për mediat pasditen e sotme. Me një karrierë e gjatë dhe e suksesshme Chris Rea ishte një nga figurat më të veçanta të muzikës britanike, i njohur për zërin e tij të thellë, stilin blues-rock dhe kitarën karakteristike me slide. Karriera e tij muzikore zgjati më shumë se katër dekada, gjatë të cilave ai publikoi mbi 20 albume në studio dhe shiti miliona kopje në mbarë botën.
Ai arriti sukses të madh në vitet ’80 dhe ’90 me albume si On the Beach (1986), The Road to Hell (1989) dhe Auberge (1991), duke u bërë një emër i qëndrueshëm në skenën ndërkombëtare. Kënga Driving Home For Christmas mbetet edhe sot një nga himnet më të dashura të festave të fundvitit në Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë. Pavarësisht problemeve serioze shëndetësore gjatë viteve, Chris Rea vazhdoi të krijonte dhe të performonte, duke fituar respekt për këmbënguljen dhe pasionin e tij për muzikën.
Gazeta Si – Më 16 janar, mbeturinat e zjarrta nga raketa SpaceX – e cila shpërtheu vetëm pak minuta pas ngritjes – pothuajse goditën tre aeroplanë (dy linja ajrore dhe një avion privat) që fluturonin në zonë me shpejtësi të lartë, duke rrezikuar potencialisht jetën e rreth 450 personave në bord.
Ndërsa kontrolluesit e radarëve përpiqeshin t’i mbanin të gjithë larg zonës së përplasjes, një ekuipazh shpalli “Mayday”, dy të tjerë shpallën “emergjencë karburanti” dhe një palë aeroplanë bënë një afrim të rrezikshëm mes kaosit të papritur. Sipas “Wall Street Journal”, e cila raporton lajmin, mund të kishte qenë një tragjedi në qiell.
Më 16 janar 2025, një aeroplan “JetBlue” ishte drejt rrugës për në Porto Riko, pilotët morën një mesazh nga kulla e kontrollit se po kalonin një zonë rreziku.
“Nëse doni të shkoni në San Juan”, paralajmëroi një kontrollor, “bëjeni këtë duke rrezikuar”. Rreziku atë mbrëmje janari vinte nga një raketë SpaceX që kishte shpërthyer vetëm pak minuta pas ngritjes.
Pilotët e avionit, të cilët ishin në veri të San Juan, u përballën me një vendim: të vazhdonin udhëtimin e tyre përmes një zone potencialisht të mbushur me mbeturina raketash ose rrezikonin të mbaronin karburantin mbi oqean.
Dy aeroplanë të tjerë, një i “Iberia Airlines” dhe një avion privat, u gjendën në një situatë të ngjashme. Ata shpallën një emergjencë me karburantin dhe kaluan zonën e përkohshme të ndalimit të fluturimit, sipas dokumenteve të Administratës Federale të Aviacionit (FAA).
Të tre fluturimet, të cilat sipas dokumenteve, mbanin gjithsej afërsisht 450 persona, u ulën në mënyrë të sigurt.
Sipas dokumenteve, shpërthimi i raketës shkaktoi një shi mbeturinash inkandeshente në disa zona të rajonit të Karaibeve për afërsisht 50 minuta.
Kontrollorët e trafikut ajror nxituan t’i largonin aeroplanët nga zonat e rrezikshme, por kjo rriti ngarkesën e tyre të punës dhe paraqiste një “rrezik potencial ekstrem për sigurinë”, sipas një raporti të FAA-s.
Dokumentet gjithashtu thonë se Space X nuk e njoftoi menjëherë agjencinë për shpërthimin nëpërmjet linjës telefonike të emergjencës së FAA-s.
Gazeta Si – Pengmarrja e biznesmenit Gerond Meçe, për të hequr dorë nga tenderët e AKSHI-t dhe ankimet e bëra nga ana e tij, është realizuar në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Ai është pritur nga të paktën 3 persona para banesës së tij, të cilët janë hequr si oficerë të BKH dhe SPAK. Por ndërsa biznesmeni ka nisur të dyshojë, ata i kanë vendosur një kapuç në kokë, pak pasi kishte hipur në makinën e tyre.
Sipa dosjes hetimore të SPAK, përveç biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, e përfshirë në këtë situatë, dyshohet se është edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, për shkak se informacionet diskrete kishin rrjedhur nga ky institucion sa u takon veprimeve të kompanisë së Meçes.
Në një prej pamjeve filmike të administruara nga pajisja përgjuese që Ergys Agasi kishte në zyrën e tij, SPAK ka konstatuar një video të takimit të tij me biznesmenin Ermal Beqiri, ku diskutohet për 2 tendera të AKSHI-t për procedurë dhe aty përmendet kompania e Meçes “ABS”.
Biznesmeni ka deklaruar se dyshon se rrëmbimin e tij e ka kryer Beqiri për shkak se pas çdo procedure tenderimi, qëndronte një prej kompanive të tij apo të lidhura me të.
SPAK dyshon se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, janë dy personat që kontrollonin dhjetëra miliona euro nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe që do t’i mbyllnin telashet me rivalin e tyre duke angazhuar policinë, por edhe bandat kriminale.
Prandaj, për të zhbllokuar paratë nga tenderët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, vendosin të marrin peng Gerond Meçen.
Makina “Land Rover Defender” dhe një nga pengmarrësit e dyshuar në pritje të Gerond Meçes
Plani i pengmarrësve
Në dosjen e SPAK, janë fotot e pengmarrjes, kur një mjet “Land Rover Defender”, ka ndaluar në rrugë dhe nga aty dalin dy persona me jelekë me mbishkimin “Policia”.
Prokurorët e SPAK, e përshkruajnë kështu në dosjen hetimore skenën e ngjarjes: “Nga dera e pasme e krahut të shoferit, një person i dytë, i cili mban kapelë të zezë, bluzë me krahë të shkurtra me ngjyrë të bardhë dhe një jelek të ngjashëm me ato të policisë së shtetit, me mbishkrim POLICIA. Në këtë moment del edhe shoferi, i cili mban maskë të zezë në fytyrë, syze të zeza, kapelë të zezë, xhinse ngjyrë blu, atlete të zeza dhe një jelek të ngjashëm me atë të policisë së shtetit me mbishkrimin POLICIA”.
Në dosje nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur me Gerond Meçen gjatë momenteve të rrëmbimit, çfarë kërcënimesh i janë bërë, apo cili ka qenë destinacioni i pengmarrrësve.
Një nga personat e dyshuar që rrëmbyen biznesmenin Gerond Meçe para pallatit të tij
Ajo që ka treguar biznesmeni në SPAK, është se pengmarrësit “kishin dialekt nga zona e Elbasanit” dhe i kishte thënë se nëse do t’i shihte ndonjëherë në Elbasan, mund t’i përshëndeste.
Pas rrëmbimit, Gerond Meçe udhëtoi drejt Gjermanisë, ku bëri kallëzim për rrëmbimin nga personat me uniformat e policisë, nga ku erdhi presioni në SPAK për të vazhduar më tej me këtë hetim.
Pasi ka pranuar bashkëpunimin me pengmarrësit, Merçe ka telefonuar administratorin dhe menjëherë është bërë tërheqja e ankimimeve të tij dorëzuara për tendera me vlera të konsiderueshme parash.
Hetuesit kanë zbuluar edhe rolin e zv.drejtorit të policisë së Tiranës, Erion Ismaili, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal për tenderët e AKSHI.
Biznesmeni Gerond Meçe ka treguar se para se ta merrnin peng, zv.drejtori i policisë i kishte kërkuar “të rrijë larg AKSHI-t”.
Kërcënimet e zv.drejtorit të policisë, Erion Ismaili ndaj Meçes për të qëndruar larg AKSHI-t
Dëshmia e Gerond Meçes
Në dëshminë e dhënë, Meçe tregon se poshtë pallatit të tij, sapo kishte dalë nga makina, i ishin afruar dy persona, të cilët i ishin prezantuar si punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Pasi e kishin marrë brenda në makinë, ata i kishin komunikuar se ishte arrestuar dhe i kishin vendosur kapuçin në kokë për të mos parë itinerarin e lëvizjes.
Megjithatë, Meçe thotë se e kishte kuptuar që ishte marrë peng, pasi personat në makinë që ishin prezantuar si punonjës të BKH-së, nuk dinin t’i vendosnin prangat në duar.
Sipas dosjes së AKSHI-t, Meçe tregon se ka hapur nga distanca bagazhin e makinës së tij, ka vendosur çantën e shpinës dhe çantën e dorës dhe në atë moment është afruar një automjet fuoristradë “Range Defender”, ngjyrë e zezë, me fenelina policie, me targa shqiptare, të cilat në ato momente nuk i ka fiksuar, por më vonë ka parë që targat e atij automjeti janë, AC121JJ.
Ndërkohë, që makina ka lëvizur drejt tij, ai fiksuar një person jashtë mjetit, i cili e ka thirrur në emër Gerond Meçe.
Foto e shkëputur nga video-regjistruesi i zyrës së Ergys Agasit, ku mbaheshin takimet e të pandehurve
Meçe thekson se ai ishte i gjatë rreth 1.75 cm, me trup mesatar, me flokë të zeza e të drejta të shtrira poshtë, pa mjekër, i veshur me uniformë ngjyrë blu me krah të gjatë, si dhe jelek ngjyrë të verdhë me mbishkrim BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit).
Sipas biznesmenit, ky person i thotë: “Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë”. Në atë moment ka besuar që është SPAK dhe është bindur pa shfaqur pakënaqësi apo rezistencë për shkak se ishte në oborrin e pallatit të tij.
Në këtë moment, nga dera mbrapa ka dalë një person i dytë, i cili i ka hapur vendin për t’u futur brenda, nuk ka qenë as ky i maskuar në fytyrë, por ishte pak si i shëndoshë, veshur me bluzë si ato të policisë.
Më pas, ka parë brenda në makinë që ky person ka pasur të veshura xhinse të zeza. Në momentin kur e ka thirrur në emër personi i parë, Meçe ka shtypur butonin e bagazhit të makinës, i cili automatikisht ka filluar të mbyllet. Në këtë kohë kur po mbyllej bagazhi, është futur te sedilja mbrapa në mes të automjetit të të dyshuarve, “Defender”.
Në atë moment, ka hyrë edhe personi i tretë në makinë nga krahu i majtë i tij, i cili kishte veshje të ngjashme me personin e dytë, me xhinse të zeza dhe me bluzë si ato të policisë, i shëndoshë, por pa maskë, fytyrë e rrumbullakët.
Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi në zyrën e këtij të fundit
Dy personat që kanë qenë mbrapa me Gerondin (personi dy dhe personi i tretë), kanë qenë me tatuazhe: personi i dytë ka pasur tatuazh në pjesën e jashtme të dorës së djathtë, midis gishtit të madh dhe gishtit tregues, tatuazh me formë si ajo e germës “B” në krahun e kundërt, e pambyllur plotësisht dhe diku nga mesi kishte një pikë. Personi i tretë, në parakrahun e dorës së majtë ka komplet parakrahun tatuazh bardh e zi.
Në dëshminë e tij, Meçe shton se ka dëgjuar që shoferi, i cili ishte me maskë, i flet personit të parë, duke i kërkuar që të merrte dy çantat e Gerondit nga bagazhi i makinës.
Ai i merr çantat dhe i fut në makinë. Pasi futen brenda, Meçe i ka pyetur: “Keni ndonjë letër, ju lutem ma jepni?”
Personi i parë që ishte në vendin e pasagjerit para, i thotë “je arrestuar” dhe i thotë personit të dytë (në të djathtën e Gerondit) t’i vërë prangat.
Meçe kërkon përsëri t’i japin letrat, dhe se duhet të telefonojë në familje. Personi i parë i thotë që letrat do ia japin në komisariat, ndërkohë që makina lëviz për të dalë nga oborri i pallatit.
Biznesmeni Gerond Meçe, duke hipur në makinën e pengmarrësve
Personat mbrapa tentuan t’i vënë prangat, por fakti që personi i dytë nuk dinte t’i vendoste prangat dhe ka ndërhyrë personi i tretë, ka bërë që Meçe të dyshojë që ata nuk ishin punonjës siç u prezantuan.
Në momentin që po vinin prangat, Gerond Meçe u thotë: “O çuna unë nuk jam kriminel!”. Personi i dytë i thotë: “Ça the ti, ça the, kush është kriminel?!”, ndërkohë që shoferi u thotë, vërini kapuçin.
Kur po dilnin nga parkimi i oborrit, Meçe ka parë babain e tij dhe në atë moment i kanë vënë kapuçin e zi në kokë.
Këtu, Meçe është bindur që personat nuk janë nga SPAK-u. Makina për punë sekondash ndalon në semafor, ndërkohë që devijon majtas, biznesmeni i pyet se në cilin komisariat do e çonin.
Personi i parë i thotë: “Në komisariatin më të afërt”. Sipas tij, personat para kishin komunikime me zë të ulët mes tyre.
Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj në zyrën e Ergys Agasit
Dëshmia e Mirlinda Karçanajt
Ndërkohë, sipas mediave, ankesat e Gerond Meçes i ka pranuar edhe drejtoresha e institucionit, Mirlinda Karçanaj në SPAK, kur është marrë në pyetje.
“Ishte bërë një problem i madh nga ky operator ekonomik, pasi ka pezulluar punën e të gjithë institucioneve shqiptare, nëpërmjet ankesave që ka bërë për shumë procedura prokurimi dhe jo vetëm në AKSHI”, – ka thënë në dëshminë e saj Karçanaj.
Në dëshminë e saj më 3 dhjetor të këtij viti, Karçanaj ka thënë në SPAK se me biznesmenin tjetër Ermal Beqiri ishte takuar vetëm një herë dhe se nuk mbante marrëdhënie me operatorët ekonomikë jashtë zyre, ndërsa me Ergys Agasin ishte takuar disa herë në zyrën e tij për shkak të raportit miqësor që ato kishin.
Por sipas saj, kjo marrëdhënie nuk ka sjellë ndonjë ndikim apo konflikt interesi në tenderat e AKSHI-t.
Duke parë atë që ka ndodhur në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, tenderat fiktivë, bashkëpunimin e zyrtareve të larta të institucionit dhe përfshirjen e zv.drejtorit të Policisë së Tiranës dhe grupeve kriminale në një pengmarrje, SPAK ka arritur në përfundimin se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, që veproi si i tillë për të zgjidhur problemet me biznesmenin Gerond Meçe.
Ermal Beqiri (majtas), Gerond Meçe (në mes) dhe Ergys Agasi
Akuzat e SPAK ndaj grupit kriminal
Javën e kaluar, Gjykata e Posaçme ka lënë në “arrest shtëpie” drejtoreshën e AKSHI, ,, e cila akuzohet për tre vepra penale shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
Edhe zëvendës drejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi, është lënë në “arrest shtëpie”, po për të njëjtat akuza.
Ndërsa për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismailin është caktuar pezullimi nga detyra, i akuzuar për konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës e kryer në formën e grupit kriminal, grup të strukturuar kriminal si edhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
“Arrest me burg”, është caktuar ndaj Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, të dy të shpallur në kërkim me urdhër të SPAK për akuzat: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Nga Gazeta ‘Si’- Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë, në lidhje me protestën e paralajmëruar nga opozita për mbrëmjen e së hënës.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin zonën ku do zhvillohet protesta, të ndjekin mediat lokale dhe të zbatojnë udhëzimet e forcave të rendit për informacionet më të fundit.
Në njoftim theksohet se, edhe pse protestat shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt.
“Sipas njoftimit zyrtar, protesta pritet të nisë në orën 18:00 dhe do të zhvillohet përgjatë Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombi’, në segmentin midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza, pranë godinës së Kryeministrisë. Protestuesit pritet të mblidhen në këtë zonë, ndërsa autoritetet parashikojnë prani të shtuar policore, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit.
Policia e Shtetit ka paralajmëruar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime edhe në zona të tjera të Tiranës, duke shkaktuar vonesa dhe vështirësi në lëvizje”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.
Nga Gazeta ‘Si’- Në Gjykatën e Prishtinës janë publikuar prova audiovizive lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Krisma arme dhe britmat e fëmijëve dëgjohen në një audio të prezantuar para trupit gjykues për vrasjen e ndodhur më 29 nëntor të vitit 2023.
Në sallë ishin të gjithë të akuzuarit, përfshirë ish bashkëshortin e të ndjerës, Naim Murseli. Paraprakisht, janë shfaqur pamje të cilat tregojnë për vendin e ngjarjes. Në vazhdim të prezantimit të këtyre provave, janë shfaqur edhe pamje në një karburant, ku shihen Naim Mueseli dhe Granit Plava.
Gjatë administrimit të provave materiale në seancën ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, janë shfaqur video nga restauranti “Etnokuqa”, ku pasi Liridona, Naimi dhe fëmijët hyjnë, pas pak minutave në të kundërtën e tyre ulet edhe Granit Plava. Në pamje shihet edhe Naim Murseli, i cili lëviz brenda restaurantit dhe e sinjalizon Plaven duke prekur hundën që të nisë aksionin.
Ky i fundit kishte deklaruar se vetë Naim Murseli e kishte përgatitur armën me 5 fishekë. Ndër të tjera, Plava në dëshminë e tij ka thënë se në natën kritike ishte Naimi ai që e hapi pak xhamin e veturës, ndërsa ky i fundit shtiu me armë.
Gazeta Si – Dy punonjës policie janë dhunuar mesditën e kësaj të hëne gjatë ndërhyrjes për ndalimin e një konflikti mes punonjësve të INUV-it (Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Vendor), dhe disa personave gjatë një aksioni për lirimin e hapësirave publike në Vlorë.
Sipas njoftimit për mediat, rreth orës 12:20, policia ka marrë informacion për një konflikt në zonën e njohur si Rrethrrotullimi i Nartës.
Në përplasje, janë përfshirë punonjës të INUV dhe tre persona, konkretisht I.D., 58 vjeç, D.D., 27 vjeç dhe F.D., 23 vjeç.
Në afërsi të vendit të ngjarjes, ndodheshin duke kryer shërbim të planizuar dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Por gjatë ndërhyrjes, ata janë goditur fizikisht nga tre personat e përfshirë në konflikt.
Në përpjekje për të ndalur sulmin dhe qetësuar situatën, njëri prej punonjësve të policisë ka përdorur armën e shërbimit, duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime apo pasoja për persona të tjerë.
Si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre, dy policët kanë pësuar dëmtime fizike dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës. Burime zyrtare bëjnë me dije se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i përbërë nga Oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë dhe përfaqësues të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të ngjarjes.
Ari kaloi për herë të parë nivelin prej 4.400 dollarësh për onz këtë të hënë, i nxitur nga pritshmëritë për ulje të normave të interesit në SHBA dhe blerjet e vazhdueshme si aset i sigurt, ndërsa argjendi ndoqi të njëjtën rrugë, duke arritur një nivel rekord të ri.
Ari u rrit 1.7% në 4,410.54 dollarë për onz, pas arritjes së një rekordi prej 4,420.01 dollarësh më herët.
Ari ka shënuar një rritje prej rreth 68% këtë vit, duke regjistruar ngritjen më të madhe vjetore që nga viti 1979, të nxitur nga blerjet e forta të bankave qendrore, flukset drejt aseteve të sigurta dhe normat më të ulëta të interesit.
Argjendi u rrit 2.9% në 69.05 dollarë, pas arritjes së një rekordi të ri prej 69.44 dollarësh gjatë seancës. Argjendi është rritur 139% që nga fillimi i vitit, për shkak të deficitit të vazhdueshëm të furnizimit, nevojave në rritje industriale dhe kërkesës së fortë për investime.
“Normat më të ulëta po mbështesin kërkesën për asete reale si ari dhe argjendi. Por gjithashtu kemi bakër në nivel rekord, që tregon dëshirën e investitorëve për të mbajtur ekspozim ndaj mallrave më të gjera, ndoshta për shkak të pritshmërive se inflacioni mund të qëndrojë i lartë për një kohë më të gjatë,” tha analisti i UBS, Giovanni Staunovo.
Guvernatori i Këshillit Ekonomik, Stephen Miran, riafirmoi të premten se banka qendrore e SHBA duhet të ulë normat e interesit, pasi inflacioni është zbutur dhe politika monetare duhet të kompensojë rreziqet për tregun e punës.
Ndërsa ari shihet si një mbrojtje kundër inflacionit dhe si një aset i sigurt në kohë pasigurie, ky aset pa përfitim nga interesi gjithashtu përfiton zakonisht në mjedise me norma interesi të ulëta.
“KY është një moment i vetë-përmbushur, por nëse do të përmendja një element kyç, do të ishte përdorimi i fjalës ‘luftë’ nga Presidenti Trump javën e kaluar për sa i përket Venezuelës, pas një fushate zgjedhore që pjesërisht kishte përqendrim tek fjala ‘paqe’,” tha analistja e StoneX, Rhona O’Connell.
“Parashikimi ynë për arin mbetet që metali i verdhë duhet të arrijë nivele edhe më të larta vitin e ardhshëm, me një objektiv prej 4.500 dollarësh për onz,” shtoi Staunovo.
Në tregjet e tjera, platini u rrit 5% në 2.072.01 dollarë, duke arritur nivelin më të lartë në më shumë se 17 vjet, ndërsa paladiumi u rrit 3.7% në 1,776.69 dollarë, duke arritur një nivel afër trevjeçar./Reuters
Nga Gazeta ‘Si’- Pesë anëtarët e PD në Këshillin e Imunitetit kanë kërkuar që të martën të mblidhet Këshilli për Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën për heqjen e imunitetit të Zv.kryeministres Belinda Balluku.
Lajmin e ka bërë me dije Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një deklaratë ku shprehet se duhet te diskutohet autorizimi për arrestimin apo heqjen e lirisë ndaj zëvendëskryeministres, ministres dhe deputetes Belinda Balluku.
Sipas tij, qëndrimi i Ramës se Kuvendi nuk do ta shqyrtojë kërkesën e SPAK për Ballukun pa vendosur Kushtetuesja, është bllokim i drejtësisë.
Bardhi shkruan se në fakt, kërkesa e sjellë në Kuvend nga Prokuroria dhe çështja që po trajtohet në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën.
“Gjatë kohës kur Rama iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, për shkak se Prokuroria kishte marrë masën ndaluese për ushtrimin e funksionit për zonjën Balluku, ajo akuzohej për dy krime, me një vlerë dëmi prej 2010 milionë euro, dhe dosja e saj ishte kjo.
Sot që kërkesa e Prokurorisë ka ardhur në Kuvend për përshkallëzimin e masës ndaluese ndaj zonjës Balluku, pra për masë arresti apo heqje të lirisë, ajo akuzohet për plot 11 krime, me një vlerë dëmi prej 1.1 miliardë euro. Dhe dosja e saj është kjo, së bashku me provat që Prokuroria i ka sjellë në këtë USB Kuvendit.
Ndaj, thirrja ime sot shkon për Kryetarin e Kuvendit që të mos pengojë drejtësinë, të mos bëhet vegël e interesave personale apo e frikës që ndjen Edi Rama nga hetimi i plotë, i shpejtë dhe i pa ndikuar i Prokurorisë në rastet korruptive të Belinda Ballukut”, shkruan Bardhi.
Nga Gazeta Si – Finale e paprecedentë në stadiumin “Al Awwal” në Riad: Napoli dhe Bologna synojnë të kthehen në shtëpi me trofeun e Superkupës.
Gjithçka është gati për edicionin e 38-të të Finales së “EA SPORTS FC Supercup”, e 15-ta që luhet jashtë kufijve kombëtarë dhe e 6-ta në Arabinë Saudite.
Do të përballen Kampionët në fuqi të Italisë me fituesit e Kupës, ashtu siç ka ndodhur nga viti 1988 deri në 2022, edhe pse në edicionet 1995, 2000, 2006, 2010 përfshirë nga 2015 deri në 2018, Finalja u luajt nga finalistja e Kupës për shkak të “dopietës” së kampionëve.
Pas Inter-it dhe Milan-it, që triumfuan në dy edicionet e fundit – të parat me formatin “final four” – sonte njëra mes Napoli-t dhe Bologna-s do të ketë mundësinë të shkruajë emrin e saj në historinë e këtij kompeticioni.
Deri tani, Kampionët e Italisë e kanë fituar trofeun në 65% të rasteve (24 nga 37), ndërsa fituesit e Kupës së Italisë kanë triumfuar 10 herë.
Vitin e kaluar, për herë të parë, fitoi skuadra e renditur e dyta në kampionatin e sezonit të mëparshëm.
Në 5 raste, (hera e fundit në vitin 2016 kur Milani mposhti Juventusin), fituesi i Superkupës u përcaktua vetëm pas goditjeve të penalltive.
Nëse për Bologna-n kjo është paraqitja e parë absolute në këtë kompeticion dhe në Finale, Napoli merr pjesë për herë të 6-të dhe luan Finalen e tij të 6-të: 2 fitore, në edicionet 1990 dhe 2014, të dyja kundër Juventusit.
Triumfi i parë erdhi pas një fitoreje bindëse 5-1 në “San Paolo-n” e atëhershëm, me Maradonën në fushë, ndërsa i fundit më 22 Dhjetor 2014, pas penalltive, me gabimin vendimtar të Pereyra-s, sepse ndeshja përfundoi 2-2 pas kohës shtesë, me dygolëshat e Tevez dhe Higuaín.
Bilanci i Napoli-t në Superkupë është: 3 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje në 7 ndeshje të luajtura, me 14 gola të shënuar dhe 10 të pësuar.
Golashënuesit më të mirë të Napoli-t në Superkupë janë Careca, Higuaín, Silenzi dhe Zerbin, secili me nga 2 gola, madje dygolësha.
Paulo Dybala dhe Lautaro Martínez kryesojnë listën e golashënuesve të histories me 4 gola, të ndjekur nga Samuel Eto’o, Alessandro Del Piero, Carlos Tevez dhe Andrij Shevchenko me nga 3.
Mes trajnerëve, Simone Inzaghi kryeson renditjen e më të suksesshmëve me 5 fitore, përpara Fabio Capello-s dhe Marcello Lippi-t me nga 4. Me 3 fitore ndjek Max Allegri, i cili mund të barazohet nga Antonio Conte në rast triumfi.
Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha vetëm pak orë përpara protestës kombëtare që pritet të zhvillohet pasditen e sotme përpara godinës së Kryeministrisë, ftoi qytetarët t’i bashkohen.
Ai ftoi edhe partitë e tjera opozitare, pavarësisht dallimeve që të protestojnë kundër qeverisë Rama dhe të shënojnë atë që Berisha e quan një kthesë të madhe.
“Të dalin në sheshin e betejës, të dalin, të vijnë në Tiranë, të bindin çdo shqiptare dhe shqiptar se një mision i madh na pret, se ky mision, është shansi i jetës për çdo qytetar të këtij vendi. Shansi i përmbysjes, njëlloj si në Bangladesh, Nepal, Sri Lanka, të diktatorëve autokratë, të cilët pasi vjedhin dhe plaçkisin miliarda kombet e tyre, ia mbathin si armiq në vendet e tjera. 22 dhjetori është një ditë e shënuar, është një ditë që fton çdo shqiptar, ftoj të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë ata që ndihen opozitarë, pavarësisht dallimeve që kemi, të bashkohemi sot për t’u dëshmuar shqiptarëve dhe , se nuk ka forcë që të na ndalojë pa përmbysur regjimin më të keq që shqiptarët kanë njohur në histori.
Kam besim të madh se Tirana po zien, Shqipëria po zien dhe se protesta e sotme do të shënojë kthesën e madhe, kthesën drejt fitores së çdo qytetari të këtij vendi, për dinjitetin e tij, familjene tij, për të ardhmen, për vendin e kombin e tij”, tha Berisha.
Ai tha se protesta e sotme do të jetë një proces që do të vijojë deri në rrëzimin e qeverisë së Ramës.
“Ky është një proces inaugural, në kuptimin e asaj që ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, pasi kemi faktuar çdo gjë, të betuar që do vazhdojmë luftën tonë gjer në përmbysjen e regjimit.
Kjo është. Ne e filluam këtë me foltoren para kryeministrisë. Jo të paktë ishin ata që e përqeshën atë. Gabuan. Ajo kishte një mesazh, se ai shesh do jetë sheshi i lirisë.
Vazhduam në parlament, pasi opozitës iu mor çdo hapësirë kushtetuese. Zbresim në shesh pasi Edi Rama përdori Gjykatën Kushtetuese, organin më të lartë, për të firmosur licencën e vjedhjeve të tij dhe qeveritarëve të tij pa u shqetësuar.
Dolëm në shesh pasi Edi Rama bllokoi tentativën e fundit të prokurorëve për heqjen e imunitetit.
Pra, këtë protestë do ta merrni si një proces, i cili ndalet, edhe njëherë, proces që do jetë një ansambël i tërë, dhe ndalet vetëm me rrëzimin e Edi Ramës ose shuarjen e opozitës”, tha Berisha.
Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pritet të ketë një pjesëmarrje më të madhe të mbështetësve të opozitës, në krahasim me pesë protestat e mëparshme, të zhvilluara në formën e një “foltoreje“.
Nga Gazeta Si – Pas rilindjes së Ernest Muçit te Trabzonspor, klubi synon ta ribashkojë me sulmuesin e krahut nga Beşiktaş, 29-vjeçarin Milot Rashica. Ja detajet…
Trabzonspor që është futur në garën për titull falë performancës së suksesshme nën drejtimin e trajnerit Fatih Tekke, përshpejton përpjekjet për merkaton e Janarit.
Pas dëmtimit që mbylli sezonin për Edin Visca, ka filluar kërkimi për një sulmues krahu në të djathtë.
Kandidat i pëlqyer për Trabzonspor është 29-vjeçari i Beşiktaş, Milot Rashica. Futbollisti dardan nuk po kalon një sezon pozitiv dhe nuk ka minuta te Beşiktaş.
Performanca e Ernest Muçit te Trabzonspor mund të shërbejë si referencë për lojtarin e Kombëtares së Kosovës.
Rashica u transferua te Beşiktaş nga Norwich City në sezonin 2023/24 për një shumë prej 5.25 milionë eurosh.
Aktualisht ai ka luajtur në 13 ndeshje duke shënuar 1 gol e dhënë 2 asist në Süper Lig.
Nga Gazeta Si – Golfisti Rory McIlroy u shpall “Personaliteti Sportiv i Vitit” sipas BBC për vitin 2025.
Ai siguroi Grand Slam-in e karrierës dhe luajti një rol të rëndësishëm në fitoren e Evropës në “Ryder Cup”.
36-vjeçari nga Irlanda e Veriut, në Prill fitoi Masters-in në “Augusta National”, duke kompletuar fitimin e të 4 turneve madhorë.
Ai u bë sportisti i 6-të mashkull dhe evropiani i parë që arriti këtë sukses, duke iu bashkuar amerikanëve Gene Sarazen, Ben Hogan, Jack Nicklaus dhe Tiger Woods, si dhe afrikano-jugorit Gary Player, në realizimin e kësaj arritjeje historike.
Pasi triumfit në “US Open”, “The Open” dhe “US PGA Championship” deri në vitin 2014, McIlroy u detyrua të priste edhe 11 vite të tjera për ta bërë realitet “ëndrrën e tij”.
Ai pati një rol vendimtar në fitoren e parë të Evropës në “Ryder Cup” në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2012, duke kontribuar me tre pikë e gjysmë.
Regbistja angleze Ellie Kildunne u rendit e 2-ta, ndërsa piloti i Formula 1, Lando Norris, u rendit i 3-ti.
Personaliteti Sportiv i Vitit – Rory McIlroy
Personaliteti i Ri Sportiv i Vitit – Michelle Agyemang
Gazeta Si – Centrali bërthamor Kashiwazaki Kariwa, i vendosur në Prefekturën Niigata, në bregdetin veri-perëndimor të Japonisë, rreth 200 kilometra nga Tokio, do të rihapet në muajt në vijim.
Është centrali bërthamor më i fuqishëm në botë dhe do të operohet nga “Tokyo Electric Power Company” (TEPCO), e njëjta kompani që operoi centralin Fukushima Daiichi, i cili u përfshi në aksidentin katastrofik në vitin 2011.
Rihapja e centralit u vendos disa javë më parë nga Guvernatori i Prefekturës Niigata, Hideyo Hanazumi, duke vepruar në bazë të një mandati qeveritar.
Vendimi u miratua me votëbesim në asamblenë provinciale të hënën. Sipas informacionit nga NHK, transmetuesi publik i Japonisë, i pari nga shtatë reaktorët e centralit pritet të rifillojë më 20 janar dhe centrali mund të jetë plotësisht funksional deri në mars të vitit 2026.
Pas aksidentit në Fukushima, Japonia mbylli 54 nga reaktorët e saj bërthamorë dhe deri më tani ka rinisur 14.
Kjo e detyroi vendin të rimendojë rrënjësisht burimet e furnizimit me energji, duke e shtyrë atë të mbështetet gjithnjë e më shumë në lëndët djegëse fosile të importuara.
Në vitin 2024, ajo shpenzoi ekuivalentin e gati 60 miliardë eurove duke importuar gaz natyror dhe qymyr – rreth një të dhjetën e vlerës së importeve të Japonisë – për të gjeneruar midis 60 dhe 70 përqind të energjisë elektrike të saj.
Menjëherë pas zgjedhjes së saj tetorin e kaluar, kryeministrja Sanae Takaichi premtoi të riaktivizonte disa termocentrale për të zvogëluar varësinë e vendit nga importet dhe për të luftuar inflacionin (rritja e kostove të energjisë ka shkaktuar një rritje të përgjithshme të kostove në të gjithë botën, veçanërisht në vendet importuese). Krahas energjisë bërthamore, Takaichi premtoi gjithashtu të investonte në energjinë fotovoltaike.
Sipas një sondazhi të nëntorit, më shumë se 60 përqind e banorëve të Niigatës kundërshtojnë rihapjen e uzinës, të shqetësuar veçanërisht për menaxhimin e TEPCO-s.
Gjatë votimit të së hënës, rreth 300 njerëz u mblodhën para selisë së provincës për të demonstruar kundërshtimin e tyre.
Guvernatori Hanazumi, tha se ishte në dijeni se rihapja e uzinës është një çështje përçarëse, por premtoi t’i kërkonte qeverisë garanci për sigurinë e banorëve të zonës, duke përfshirë investimet në rrugë të reja për të lehtësuar evakuimin në rast të një aksidenti.
Gazeta Si – Është shtyrë për në datën 12 janar, seanca e radhës për dosjen Partizani, në ngarkim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe tre personave të tjerë të akuzuar për të njëjtën çështje.
Në seancën e kësaj të hëne, 22 dhjetor, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, avokatët mbrojtës të Berishës bënë parashtrimet e tyre, duke pretenduar se nuk ekzistojnë faktet penale që e ngarkojnë kryetarin e Partisë Demokratike me akuzën e korrupsionit pasiv.
Mbrojtja e Berishës përfaqësohet nga dy avokatët, Klodiana Gjyzari dhe Genc Gjokutaj. “SPAK si në aktet e formulimit të akuzës nuk ka parashtruar fakte të qarta, çfarë ka bërë Berisha, cila është pasoja, nuk ka sjellë asnjë provë dhe veprim konkret se çfarë ka bërë Sali Berisha. Gjatë këtij procesi do provojmë se ndjekja penale është kryer për qëllime politike duke cënuar pluralizmin në Shqipëri”, tha Gjyzari.
Sali Berisha po gjykohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv”, ndërsa çështja kaloi për gjykim pas rreth 7 muajsh seanca paraprake.
Ishte gjyqtarja Flojera Davishi, e cila vendosi të nisë gjyqin për ish-kryeministrin, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, biznesmenin Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja e Andia Pustinën.
Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv dhe pastrim parash”. Të njëjtat akuza janë edhe për biznesmenin Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja e Andia Pustina akuzohen për “pastrim parash”.
SPAK e akuzon Berishën se gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.