Normal view

Mërgata shqiptare proteston në Bern kundër korrupsionit në Shqipëri dhe në mbështetje të “Revolucionit të flamingove”

5 July 2026 at 11:17


Vala e protestave që ka përfshirë Shqipërinë kundër korrupsionit dhe shkatërrimit të mjedisit ka mbërritur edhe në Zvicër.

Rreth njëqind persona u mblodhën të shtunën në sheshin kryesor përpara parlamentit zviceran në Bern, për të shprehur solidaritetin e tyre të plotë me lëvizjen protestuese që po zhvillohet në atë vend, njofton agjencia zvicerane e lajmeve SDA-Keystone.

Tubimi u thirr nga pjesëtarë të diasporës shqiptare në Zvicër.

Me pankarta të shkruara me dorë, ku lexohej mes të tjerash edhe mesazhi “Shqipëria është edhe e imja”, protestuesit kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë së Tiranës. Përveç kësaj, ata kërkuan reforma të thella kushtetuese, duke vënë theksin veçanërisht te nevoja për kufizimin ligjor të mandateve të kryeministrit.

Sipas organizatorëve, shumë shqiptarë të brezit të dytë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër e shohin si detyrim dhe përgjegjësi morale që të ngrenë zërin në këtë moment.

“Ata përjetojnë çdo ditë avantazhet e një demokracie të drejtpërdrejtë dhe angazhohen që vlerat themelore demokratike, shteti i së drejtës dhe transparenca të fuqizohen edhe në Shqipëri”, thuhej në thirrjen zyrtare të kësaj proteste.

Kjo revoltë e diasporës vjen në mbështetje të protestave në Shqipëri, të cilat u ndezën kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz brenda një zone të mbrojtur natyrore. Ky projekt udhëhiqet nga kompania e dhëndrit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Ambientalistët dhe ekspertët ndërkombëtarë kanë alarmuar se ky investim rrezikon të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme ekosistemin e ndjeshëm në deltën e lumit Vjosa në detin Adriatik.

Pasi kjo zonë shërben si pikë qëndrimi dhe fole për zogjtë flamingo, lëvizja qytetare tashmë po etiketohet gjerësisht në media si “Revolucioni i flamingove”. /Telegrafi/

“NZZ am Sonntag”: Revolucioni i flamingove në Shqipëri - nga buzëkuqi te aktivizmi për demokraci

5 July 2026 at 08:17


Tashmë, tallja me cinizmin e kryeministrit është kthyer në lojë për brezin e Instagramit. Përmes postimeve të tyre të pafundme, të rinjtë si moderatorja dhe influencuesja e njohur Fjoralba Ponari po godasin drejtpërdrejt propagandën e mediave tradicionale, të cilat fillimisht u përpoqën ta injoronin plotësisht protestën.

Gazeta zvicerane “NZZ am Sonntag” përshkruan në numrin e së dielës një kthesë të jashtëzakonshme në shoqërinë shqiptare, ku profilet e njohura të rrjeteve sociale po shndërrohen brenda natës në udhëheqës të protestave qytetare.

Në qendër të këtij artikulli është moderatorja dhe influencuesja e njohur Fjoralba Ponari, e cila normalisht reklamon produkte bukurie dhe modë për 317’000 ndjekësit e saj në Instagram, por prej më shumë se një muaji është kthyer në një zë të fuqishëm të protestave politike në Tiranë.

Sipas artikullit, qytetarët dhe veçanërisht rinia shqiptare po marshojnë çdo ditë nga Sheshi Skënderbej në Tiranë drejt kryeministrisë. Shkaku i revoltës janë planet për ndërtimin e resorteve luksoze brenda zonave të mbrojtura natyrore në bregdetin shqiptar, ku përfshihen investitorë të fuqishëm si Jared Kushner dhe Ivanka Trump, dhëndri dhe vajza e Donald Trump.

Protestuesit kundërshtojnë shkatërrimin e zonave ku bëjnë fole breshkat gjigante dhe ku jetojnë rreth dy mijë flamingo. Protestuesit akuzojnë qeverinë se po harton ligje të dizajnuara posaçërisht për oligarkët.

Shkëndija e vërtetë e shpërthimit të protestave, i quajtur ndryshe “Revolucioni i flamingove”, ndodhi më 30 maj pranë Vlorës, kur një aktivist mjedisor u keqtrajtua dhe u tërhoq zvarrë nga rojet private të sigurisë, në prani të policisë që thjesht po shikonte. Pamjet e kësaj ngjarjeje u bënë virale, duke shërbyer si një pasqyrë e përjetimit të përditshëm të qindra mijëra shqiptarëve përballë arbitraritetit.

“NZZ am Sonntag” vëren se qeveria u kap plotësisht në befasi. Kryeministri Edi Rama tentoi ta ironizonte publikisht Fjoralba Ponarin në rrjetet sociale, duke imituar pozat e saj. Megjithatë, kjo tallje publike u kthye kundër tij. Kur Rama u ankua se protestuesit po linin pas mbeturina, Ponari iu përgjigj me sarkazëm: “Si korrespondente nga Parisi ju njoftoj se Presidenti Macron nuk ankohet për mbeturinat e protestuesve”.

Tashmë, tallja me cinizmin e kryeministrit është kthyer në lojë për brezin e Instagramit. Përmes postimeve të tyre të pafundme, të rinjtë po godasin drejtpërdrejt propagandën e mediave tradicionale, të cilat fillimisht u përpoqën ta injoronin plotësisht protestën.

Ndonëse demokracia në Shqipëri ka 36 vjet që ka nisur, artikulli thekson se vetëm tani shoqëria po piqet për t’u përballur me mekanizmat e trashëguar të diktaturës dhe nepotizmit. Gazeta sjell historinë e 24-vjeçares Anjeza Marku, një mësuese muzike, e cila tregon se si u ndëshkua në Teatrin e Operas për shkak se nuk kishte njohje e lidhje politike, pavarësisht talentit të saj.

Pjesëmarrësit pranojnë se deri më tani ka pasur një ngurrim të madh për të kritikuar qeverinë, nga frika se familjarët mund të humbnin vendet e punës apo kontratat. Por, prania në shesh e nënave me fëmijë, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara, ka krijuar një valë të re guximi. Falë këtij brezi të ri, kultura politike në Shqipëri po ndryshon rrënjësisht: liria po vjen thjesht sepse të rinjtë po guxojnë ta marrin atë vetë.

“Zvicra e madhe që nga 1291” – kapela e presidentit të Zvicrës bën bujë në Kupën e Botës

3 July 2026 at 20:42


Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, ka qenë i pranishëm në ndeshjen e 1/16-ave të Kupës së Botës në Vankuver, ku Zvicra u përball me Algjerinë.

Prania e tij në stadium tërhoqi vëmendje të veçantë, veçanërisht për shkak të kapelës së kuqe që mbante, e cila kishte të shkruar sloganin: “Zvicra e Madhe që nga viti 1291”, një referencë simbolike ndaj themelimit historik të shtetit zviceran.

Parmelin gjithashtu u shpreh në platformën “X”, duke deklaruar se ishte krenar që mbështeste ekipin kombëtar në këtë fazë të rëndësishme të turneut.

Gjatë ndeshjes, ai ishte i ulur në tribuna pranë presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke e bërë edhe më të dukshme praninë e figurave të larta politike dhe sportive në këtë sfidë.

À #Vancouver ce soir pour soutenir la Nati face à l'Algérie ! Fier d'être présent aux côtés de notre équipe nationale pour ce seizième de finale 🇨🇭⚽
Ich wünsche der Mannschaft alles Gute für das 1/16-Finalspiel! Hopp Schwiiz! pic.twitter.com/BwRR0djXZu
— Guy Parmelin (@ParmelinG) July 3, 2026

Ndërkohë, reagime pozitive për kualifikimin e Zvicrës në fazën e eliminimit direkt janë shfaqur edhe nga disa deputetë zviceranë në rrjetet sociale.

Këshilltari Kombëtar Philipp Matthias Bregy citoi të birin e tij, i cili kishte thënë se “ia vlente të zgjoheshe herët për ta parë ndeshjen”.

Lerne für das Leben. Wie meinte unser Sohn Maximilian heute? Papi, früh aufstehen lohnt sich doch. Wie recht er hat. Hopp @nati_sfv_asf, hopp Schwiiz 🇨🇭Wir sind stolz auf euch! pic.twitter.com/q37x9957yg
— Philipp Matthias Bregy ⚽️ (@pmbregy) July 3, 2026

Edhe Këshilltarja Kombëtare Elisabeth Schneider-Schneiter u shpreh se ndeshja ia vlente të ndiqej herët në mëngjes, duke vlerësuar paraqitjen e ekipit kombëtar.

Ndërkohë, deputeti i GLP-së nga Cyrihu, Patrick Hassig, rikujtoi deklaratën e Parmelin duke e cituar sloganin: “Zvicra – e madhe që nga viti 1291”, i cili u bë tema kryesore e diskutimeve në rrjetet sociale gjatë ditës së ndeshjes.

🇨🇭 2:0 . Es hat sich gelohnt früh aufzustehen. Bravo Jungs.
— Elisabeth Schneider-Schneiter (@Elisabeth_S_S) July 3, 2026
Switzerland - Great since 1291.#Parmelin #Hut #SuiAlg #WM 👌🏻
— Patrick Hässig (@PatrickHaessig) July 3, 2026

Nga 1 korriku, Zvicra bllokon numrat e rremë të telefonit: Fund terrorit të thirrjeve nga numra të panjohur që shqetësojnë edhe mijëra shqiptarë

1 July 2026 at 07:24


Duke filluar nga data 1 korrik, në Zvicër hyjnë në fuqi rregulla të reja dhe shumë më të rrepta të sigurisë në rrjetet telefonike, të cilat synojnë të ndalojnë fenomenin e njohur si „Spoofing” - manipulimin e numrave të telefonit.

Siç raporton gazeta zvicerane Tages-Anzeiger, operatorët e telefonisë celulare tani e tutje do të jenë të detyruar ligjërisht të bllokojnë thirrjet që vijnë nga numra celularë të falsifikuar.

Deri më tani, kompanitë e dyshimta ose qendrat e thirrjeve (call centers) mund të fshihnin lehtësisht identitetin e tyre, duke bërë që në ekranin e telefonit të shfaqej një numër zviceran (për shembull, me prefiksin 079 apo 076), ndërkohë që thirrja në të vërtetë bëhej nga jashtë vendit - për shembull nga Kosova. Me rregulloren e re, nëse një thirrje vjen nga jashtë, por tenton të prezantohet si numër celular zviceran, ajo do të bllokohet automatikisht nga operatorët përpara se të mbërrijë te klienti.

Ky ndryshim ligjor ka një rëndësi edhe për komunitetin shqiptar që jeton në Zvicër. Për vite me radhë, mijëra bashkatdhetarë tanë janë terrorizuar pothuajse çdo ditë nga thirrje të tilla të vazhdueshme dhe agresive.

Kryesisht bëhet fjalë për kompani të pacertifikuara sigurimesh, ndërmjetësues financiarë apo ofertues të tjerë të shërbimeve, të cilët përdorin këta numra të rremë zviceranë për të krijuar besim të rremë te qytetarët.

Pasi personi e hap telefonin, ata përpiqen me çdo kusht të përfitojnë klientë të rinj, duke ushtruar presion për caktimin e takimeve apo ndryshimin e policave të sigurimit. Ky terror telefonik ka krijuar një situatë shqetësuese për familjet shqiptare, të cilat shpesh detyrohen të mos u përgjigjen më telefonatave nga numrat që nuk i kanë të ruajtur.

Sipas rregullave të reja, mbrojtja do të jetë shumë më efikase për numrat e celularëve. Sapo sistemi të vërejë që numri zviceran po përdoret në mënyrë të paligjshme nga jashtë, thirrja do të ndërpritet menjëherë.

Megjithatë, ekspertët e komunikimit të cituar nga Tages-Anzeiger paralajmërojnë se ky sistem i ri nuk do t'i ndalojë 100 për qind të gjitha thirrjet bezdisëse.

Ndërsa mbrojtja për numrat celularë rritet, mashtruesit dhe firmat e sigurimeve mund të vazhdojnë të tentojnë të përdorin numra të rremë të rrjetit fiks (p.sh. me prefikse të qyteteve si 044 apo 031), ku bllokimi teknik është më i ndërlikuar. Pavarësisht kësaj, ky hap i shtetit zviceran shënon një goditje të madhe ndaj call-centrave abuzivë. /Telegrafi/

Hulumtimi i “Der Spiegel”: Kush është gjermani që e këshillon presidentin e Serbisë?

26 June 2026 at 12:15


Një hulumtim i përbashkët i revistës gjermane “Der Spiegel” dhe rrjetit të gazetarisë investigative BIRN ka zbuluar një lidhje interesante mes qeverisë gjermane dhe presidentit autokrat të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas dokumenteve të zbuluara të Ministrisë gjermane të Ekonomisë, Gjermania financon me paratë e taksapaguesve të saj një këshilltar të ngushtë gjerman që punon brenda pallatit presidencial në Beograd, me qëllim që t'i sigurojë industrisë gjermane të veturave qasje në Luginën e Jadarit, një nga rezervat më të mëdha të litiumit në Evropë.

Këshilltari 49-vjeçar quhet Jörg Heeskens. Sipas “Der Spiegel” ai është i vetmi këshilltar presidenti që qeveria gjermane financon jashtë vendit. Heeskens ka marrëveshje zyrtare, zyrë private dhe personel në kabinetin e presidentit serb. Falë angazhimit të Heeskens në Serbi kanë hapur linjat e prodhimit firma gjermane si Leoni, Continental dhe Brose. Sipas dokumenteve, ky partneritet ka kushtuar rreth 1.3 milionë euro deri më tani dhe është zgjatur nga qeveria aktuale në Berlin deri në dhjetor të vitit 2026.

Hulumtimi vë në dukje se në qeverinë paraprake gjermane ministrja e Jashtme Annalena Baerbock dhe ministri i Ekonomisë Robert Habeck proklamonin një “politikë të jashtme të bazuar tek vlerat”, por edhe Habeck ia vazhdoi kontratën Jörg Heeskensit. Interesimi i Gjermanisë për të siguruar litium ishte i madh, përkundër protestsave masive në Serbi kundër projektit.

Lidhja mes Vuçiqit dhe këshilltarit të tij gjerman është aq e ngushtë sa vetë presidenti serb ka deklaruar publikisht: “Unë e thërras ‘Shvaba im’ (gjermani im), ndërsa ai më quan ‘serbi im i egër’”. Heeskens, sipas “Der Spiegel”, ka blerë një banesë në projektin e debatueshëm “Belgrade Waterfront”, që nga opozita serbe shihet si simbol i korrupsionit të regjimit.

Heeskens rrjedh nga rajoni i Schwarzwaldit në Gjermani dhe ka studiuar për shkenca politike në Freiburg. Ai ka një karrierë të gjatë të lidhur me Ballkanin, ku fillimisht nisi punë në vitin 2009 si këshilltar për organizatën shtetërore gjermane GIZ në Suboticë dhe më pas në Ministrinë e Ekonomisë në Beograd. Bashkëpunimi i tij i ngushtë me Aleksandar Vuçiqin ka nisur të paktën që nga prilli i vitit 2014, kur ky i fundit mori postin e kryeministrit, dhe ka vazhduar pandërprerë për më shumë se 10 vite edhe pas zgjedhjes së Vuçiqit si president. Gjatë kësaj kohe, Heeskens e ka mbrojtur hapur dhe publikisht autokratin serb, duke deklaruar nëpër debate se miliona serbë nuk e votojnë Vuçiqin për shkak të ndikimit të televizioneve, por sepse jete e tyre është përmirësuar.

Përpjekjet gjermane për të siguruar litium nga Serbia arritën kulmin në korrik të vitit 2024, kur kancelari Olaf Scholz udhëtoi në Beograd për të nënshkruar një marrëveshje për minierën me gjigantin minerar “Rio Tinto”. Mirëpo, ky hap ndezi protesta masive në Serbi. Qytetarët, të përkrahur nga mbrojtësit e mjedisit dhe opozita, bllokuan rrugët për shkak të frikës se nxjerrja e litiumit helmon tokën dhe ujin. Zemërimi u rrit edhe më shumë në nëntor të vitit 2024, pas tragjedisë së rrëzimit të çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, gjë që i ktheu protestat në një lëvizje mbarëkombëtare kundër korrupsionit të Vuçiqit.

Për të zbutur revoltën, Ministria gjermane e Zhvillimit madje ndau 4.9 milionë euro për të ndihmuar në përmirësimin e imazhit të projektit përmes fushatave mediatike, por pa sukses. Për shkak të presionit të madh dhe frikës nga humbja e zgjedhjeve të ardhshme, ku Vuçiq synon të bëhet kryeministër pasi nuk mund të kandidojë më si president, kompania “Rio Tinto” u detyrua të pezullojë projektin në nëntor të vitit 2025.

Aktualisht, Gjermania gjendet në një udhëkryq diplomatik: për të pasur sërish shans mbi litiumin serb, asaj i duhet të shpresojë që autokrati Vuçiq të mbetet në pushtet, pasi opozita ka premtuar ndalimin ligjor të minierës, shkruan “Der Spiegel”. Ndërkohë, vetë Vuçiq ka filluar të interesohet për partnerë të tjerë. Së fundmi, ai vizitoi Kinën duke siguruar rreth 1 miliard euro investime të reja direkte dhe duke thumbuar hapur Bashkimin Evropian se po përpiqet t'i diktojë drejtimin e diplomacisë serbe.

Bashkëpunimi ekonomik mes Gjremanisë dhe Serbisë ka shënuar rritje të jashtëzakonshme. Vëllimi i tregtisë bilaterale është dyfishuar duke kaluar shifrën prej 10 miliardë eurosh në vit, gjë që e bën Gjermaninë partnerin kryesor tregtar të Serbisë. Ky ekspansion ka sjellë hapjen e më shumë se 80 mijë vendeve të punës përmes fabrikave të investitorëve të mëdhenj gjermanë, veçanërisht nga industria automobilistike dhe ajo e pjesëve të këmbimit si Continental, Leoni, Brose, Boysen, si dhe gjiganti i hidrosanitareve Hansgrohe, të cilët janë tërhequr nga subvencionet shtetërore, lehtësitë doganore dhe kostoja e ulët e fuqisë punëtore ku paga mesatare sillet rreth 780 euro në muaj.

Manzambi, xhevahiri i ri i Zvicrës që po shkëlqen në Kupën e Botës

25 June 2026 at 21:19


Johan Manzambi po shndërrohet në një nga zbulimet më të mëdha të Kupës së Botës 2026, me tre gola deri tani.

Talenti 20-vjeçar i Zvicrës ka shkëlqyer sërish, këtë herë në fitoren 2-1 ndaj Kanadasë, duke realizuar një gol dhe duke dhënë një asist, çka i siguroi për herë të dytë çmimin “Lojtari i Ndeshjes” nga FIFA.

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka pranuar se Manzambi ka qenë në formë të jashtëzakonshme gjatë gjithë vitit dhe po konfirmon potencialin e tij në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Ai fillimisht shihej si lojtar krahu, por tani është vendosur në rolin e organizatorit, si numër 10, ku po shkëlqen me lirinë dhe kreativitetin e tij në fazën sulmuese.

“Ai gjen hapësira, ka shpejtësi në mendim dhe finalizim, dhe gjithmonë është i rrezikshëm për gol,” u shpreh Yakin.

Goli, asistet dhe ndikimi në lojë

Manzambi po dallohet jo vetëm për golat, por edhe për kontributin e tij në mbrojtje dhe ndihmën në ndërtimin e aksioneve.

Pas çdo goli, ai feston me një gjest karakteristik duke imituar mbajtjen e një mangoje në duar, një simbol që ai nuk e ka shpjeguar publikisht.

“Kjo mbetet mes meje dhe shokëve të ekipit”, tha ai me buzëqeshje.

Vetëm katër vite më parë, Manzambi ndiqte Kupën e Botës nga shtëpia. Sot, ai është një nga protagonistët kryesorë të Zvicrës.

“Ëndrra ime ishte të luaja në Kupën e Botës. Tani jo vetëm që jam këtu, por po kontribuoj me gola dhe asistime. Është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, u shpreh ai.

Vlerësime nga shokët e skuadrës

Performancat e tij kanë marrë vlerësime të larta edhe nga lojtarët me përvojë të Zvicrës.

Mbrojtësi Manuel Akanji e ka cilësuar si lojtar shumë kreativ, i aftë të krijojë diçka nga asgjëja, ndërsa portieri Gregor Kobel ka theksuar se Manzambi ka potencial për një karrierë të madhe në futbollin evropian.

“Është i qetë, i fokusuar dhe e di saktësisht çfarë dëshiron të arrijë,” tha Kobel.

Rekorde dhe krahasime me yjet e mëdhenj

Statistikat e tij janë mbresëlënëse. Vetëm Kylian Mbappé dhe Thomas Müller kanë arritur shifra të ngjashme në një Kupë Bote si lojtarë nën 21 vjeç në këtë shekull.

Gjithashtu, Manzambi ka barazuar rekordin e Xherdan Shaqirit për golat e shënuar nga një lojtar zviceran në një Botëror modern.

I pyetur për këtë arritje, Manzambi u shpreh modest por ambicioz: “Shaqiri është një legjendë. Të barazosh rekordin e tij është nder. Nëse arrij ta kaloj, do të ishte diçka shumë e veçantë:.

Me formën aktuale, Zvicra duket se ka zbuluar një xhevahir të ri — një lojtar që po shndërrohet në simbolin e një brezi të ri dhe në shpresën e madhe për sukses në Kupën e Botës 2026. /Telegrafi/

Shumë prej legjendave e përmendën emrin e tij - por kush është lojtari më i mirë i Zvicrës sipas Granit Xhakës

23 June 2026 at 23:50


Shumë prej legjendave të futbollit zviceran e konsiderojnë Granit Xhakën si lojtarin më të mirë në historinë e kombëtares helvetike.

Kapiteni i Zvicrës e vlerësoi këtë vlerësim, duke thënë se fjalët e ish-futbollistëve i japin motivim shtesë për të vazhduar të arrijë suksese me ekipin kombëtar.

“Sigurisht që do të thotë shumë për mua. Jashtë fushës ka gjithmonë njerëz që të duan më shumë ose më pak. Por kur e dëgjon këtë nga ish-lojtarët dhe shokët e skuadrës, është një kënaqësi e madhe. Më jep motivim dhe vullnet për të arritur diçka të madhe sërish”, ka deklaruar Xhaka për Blue Sport.

Xhaka nuk dëshiron të vendosë emra

Pavarësisht lavdërimeve, mesfushori me prejardhje shqiptare refuzoi të shpallë se kush është futbollisti më i mirë në historinë e Zvicrës.

“Ka pasur shumë lojtarë të mëdhenj në ekipin kombëtar gjatë periudhës sime. Është e vështirë të zgjedhësh vetëm një. Nuk jam adhurues i çmimeve individuale, por jam një lojtar që mendon për ekipin. Janë njerëzit ata që duhet të gjykojnë dhe të vendosin, jo unë”, u shpreh ai.

Legjendat që e kanë zgjedhur Xhakën

Ndër ish-futbollistët dhe figurat e njohura të futbollit zviceran që e kanë cilësuar Granit Xhakën si lojtarin më të mirë në historinë e kombëtares janë Dominique Herr, Erni Maissen, Alexandre Rey, Karl Engel, Sani Gygax dhe Admir Mehmedi.

Vlerësimet për Xhakën vijnë pas një karriere të jashtëzakonshme me fanellën e Zvicrës, ku ai ka qenë për vite me radhë lideri dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të përfaqësueses helvetike. /Telegrafi/

Aksidenti tragjik në autostradën gjermane, varrimi i dy motrave do të bëhet në Kosovë

23 June 2026 at 09:44


Erza (23 vjeçe) dhe Aulona (17 vjeçe) humbën jetën në një aksident tragjik në Gjermani.

Mediat zvicerane dhe gjermane njoftojnë mbi një aksident të rëndë komunikacioni në Gjermani: Dy motra të moshës së re, Erza (23 vjeçe) dhe Aulona (17 vjeçe), të cilat jetonin në Olten të Zvicrës dhe kishin prejardhje nga Kosova, kanë humbur jetën në një aksident tragjik komunikacioni në autostradën gjermane A5.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur të shtunën e kaluar, gjatë kohës kur dy motrat po udhëtonin drejt Gjermanisë për të vizituar të afërmit e tyre. Sipas raporteve të policisë gjermane dhe mediave zvicerane, në aksidentin zinxhiror u përfshinë pesë automjete.


Babai i vajzave ka rrëfyer mes lotësh se vajzat e tij u detyruan të frenonin në autostradë për shkak të një aksidenti që kishte ndodhur më përpara, por një makinë që vinte pas tyre nuk arriti të ndalonte me kohë dhe u përplas me forcë të madhe pas automjetit të motrave. Përplasja rezultoi fatale dhe dy të rejat ndërruan jetë në vendngjarje.

Familja dhe mbarë rrethi i tyre në Olten janë tronditur nga kjo tragjedi. I ati i tyre u shpreh se vajzat ishin në lulen e rinisë dhe se ato e donin shumë jetën. 23-vjeçarja Erza sapo kishte përfunduar shkollimin e lartë profesional dhe punonte në Olten, ndërsa motra e saj më e vogël, Aulona, ishte në vitin e dytë të përgatitjes profesionale. Familja e pikëlluar ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur përgatitjet për t'i dërguar trupat e dy motrave në Kosovë, ku edhe do të bëhet varrimi i tyre. /Telegrafi/

Lëvizjet demografike në Zvicër: Vazhdon rënia e lindjeve, numri i vdekjeve mbetet stabil

21 June 2026 at 09:50


Zvicra po përballet me një rënie të vazhdueshme të numrit të lindjeve, një trend ky që po vërehet për të katërtin vit radhazi.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave dhe të raportuara nga radiotelevizioni publik zviceran SRF, gjatë vitit 2025 në Zvicër u regjistruan 78’200 lindje, që është një rënie e lehtë prej 0.1 për qind në krahasim me vitin paraprak.

Megjithatë, kjo rënie është pak më e butë në krahasim me vitet e kaluara, ku në vitin 2024 tkurrja e lindjeve ishte mbi 2 për qind.

Nga ana tjetër, numri i vdekjeve në vend mbetet pothuajse i pandryshueshëm. Gjatë vitit 2025 u regjistruan 71’900 raste të vdekjeve, pothuajse njëjtë si në vitin 2024.

Statistikat tregojnë gjithashtu një ndryshim interesant sa i përket moshës së nënave. Lindjet ranë te gratë nën moshën 35 vjeçare, ndërsa u rritën me mbi 3 për qind te gratë mbi këtë moshë, gjë që e ka çuar moshën mesatare të nënave gjatë lindjes në 32.5 vjeç.

Aktualisht, shkalla mesatare e lindshmërisë në Zvicër ka rënë në 1.28 fëmijë për grua, një fenomen ky që po prek edhe vendet fqinje si Franca apo Italia. Përveç rënies së lindjeve, Zyra Federale e Statistikave bëri të ditur se në Zvicër ka pasur edhe një rënie të numrit të martesave dhe të divorceve gjatë vitit të kaluar.

95-vjeçar dhe ende i pagabueshëm në shënjestër, ky është qitësi më i vjetër në Zvicër

21 June 2026 at 08:11


Mosha është thjesht një numër kur bëhet fjalë për pasionin dhe përkushtimin jetësor.

Siç raporton radiotelevizioni publik zviceran SRF, në festën e madhe federale të qitjes (Schützenfest), vëmendjen maksimale të pjesëmarrësve dhe vizitorëve e ka rrëmbyer Gottfried Meier, qitësi më i vjetër i këtij edicioni, një 95-vjeçar i cili ende lëviz në fushën e qitjes me një energji dhe saktësi për t'u admiruar.

Për këtë veteran të sportit të qitjes, i cili i ka kushtuar pothuajse tërë jetën kësaj tradite të lashtë zvicerane, pjesëmarrja në këtë ngjarje kombëtare nuk është thjesht një hobi, por një ritual i shenjtë.

Me syrin e mprehtë dhe duart që nuk i dridhen as pas më shumë se nëntë dekadash jetë Gottfried Meier u rreshtua krahas brezave shumë më të rinj, duke dëshmuar se përqendrimi dhe disiplina mendore mbeten të paprekura nga vitet.

Në kronikën e realizuar nga SRF, qitësi Gottfried Meier rrëfen se sekreti i jetëgjatësisë dhe i formës së tij të shkëlqyer qëndron pikërisht te ky sport.

Qitja kërkon një kontroll absolut të frymëmarrjes, qetësi shpirtërore dhe një fokus të palëkundur, elemente këto që e kanë mbajtur atë aktiv dhe të mprehtë mendërisht përgjatë gjithë jetës.

Për të, pushka nuk përfaqëson një armë, por një instrument disipline dhe një urë lidhëse me historinë dhe kulturën e vendit të tij.

Ai kujton se si ka marrë pjesë në festa të panumërta qitjeje përgjatë dekadave, duke parë se si ka evoluar ky sport, por duke vlerësuar faktin që rregullat bazë dhe ndjenja e bashkësisë kanë mbetur të njëjta.

Prania e tij në festën federale u kthye në një frymëzim të vërtetë për qitësit e rinj, të cilët nxitonin ta përshëndesnin dhe të merrnin këshilla prej tij. Veterani theksoi se sot të rinjtë kanë pajisje dhe teknologji shumë më të avancuar, por vuri në dukje se në fund të fundit, sekreti i suksesit mbetet gjithmonë i njëjtë: lidhja mes mendjes, syrit dhe rrahjeve të zemrës në momentin përpara shkrepjes.

Festa federale e qitjes mbetet një nga ngjarjet më madhore kulturore dhe sportive në Zvicër, e cila mbledh dhjetëra mijëra pjesëmarrës, por figura e këtij 95-vjeçari la gjurmë të veçanta në këtë edicion, duke u kthyer në simbolin e gjallë të jetëgjatësisë, pasionit dhe ruajtjes së traditës helvetike.

Bizneset e Google me Izraelin nxisin debate në Zvicër

20 June 2026 at 22:00


Marrëdhëniet tregtare dhe teknologjike të gjigantëve ndërkombëtarë të teknologjisë me shtetet në konflikt po ngrenë pikëpyetje të mëdha etike dhe ligjore në Zvicër.

Siç raporton portali Swissinfo, në qendër të debateve të fundit është vendosur kompania Google dhe kontrata e saj e diskutueshme e shërbimeve "Cloud" me qeverinë dhe ushtrinë e Izraelit, e njohur si Projekti "Nimbus".

Ky zhvillim ka nxitur një diskutim të ashpër mbi mbrojtjen e të dhënave, etikën e korporatave dhe implikimet e mundshme për politikën tradicionale të neutralitetit zviceran.

Projekti "Nimbus", një kontratë miliarda dollarëshe e ndarë mes Google dhe Amazon, synon t'i sigurojë sektorit publik dhe mbrojtjes në Izrael shërbime të avancuara të inteligjencës artificiale dhe ruajtjes së të dhënave në rrjet.

Ky bashkëpunim ka shkaktuar protesta të brendshme nga vetë punonjësit e Google, por edhe shqetësime nga organizatat e të drejtave të njeriut, të cilat paralajmërojnë se kjo teknologji mund të përdoret për mbikëqyrjen dhe shtypjen e popullatës palestineze.

Për Zvicrën, ky debat ka një peshë të veçantë specifike. Siç vë në dukje artikulli i Swissinfo, ekziston një vakuum ligjor sa i përket kontrollit të eksporteve të shërbimeve digjitale dhe teknologjisë që lidhet me hapësirën "Cloud". Ndërsa ligjet zvicerane rregullojnë në mënyrë strikte eksportin e armëve fizike ose të teknologjisë me përdorim të dyfishtë (civil dhe ushtarak), kontrolli i shërbimeve digjitale mbetet i vështirë për t'u zbatuar.

Kritikët dhe ekspertët ligjorë të intervistuar shprehen se kur të dhënat dhe serverët menaxhohen nga kompani me seli në Zvicër ose që operojnë brenda territorit helvetik, shteti bart një lloj përgjegjësie morale. Nëse këto shërbime ndihmojnë në operacione ushtarake në zona konflikti, kjo mund të interpretohet si një thyerje e tërthortë e parimeve të neutralitetit, duke e përfshirë Zvicrën pa dashje në linja të nxehta gjeopolitike.

Organizatat e shoqërisë civile dhe disa grupime politike po ushtrojnë presion mbi Këshillin Federal që të përditësojë kuadrin ligjor për epokën digjitale. Ata kërkojnë që ofruesit e shërbimeve teknologjike në Zvicër t'i nënshtrohen të njëjtave rregulla strikte të vlerësimit të rrezikut si kompanitë e mbrojtjes.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e industrisë digjitale paralajmërojnë se rregullat e tepërta mund të dëmtojnë konkurrencën e Zvicrës si një qendër e sigurt për ruajtjen e të dhënave dhe zhvillimin e teknologjisë inovative, duke krijuar një ngërç mes parimeve etike dhe interesave ekonomike.

35 vjet nga luftërat në ish-Jugosllavi: Fotografi zviceran Thomas Kern kujton përjetimet nga terreni

20 June 2026 at 19:38


Ky vit shënon 35-vjetorin e fillimit të luftërave në ish-Jugosllavi, një konflikt që ripërcaktoi kufijtë e Ballkanit dhe la gjurmë të thella në historinë moderne evropiane. Në kuadër të këtij përvjetori, portali Swissinfo ka sjellë në vëmendje kujtimet dhe dëshmitë e fotografit të njohur zviceran, Thomas Kern, i cili si dëshmitar okular dokumentoi ngjarjet e rënda në terren përmes objektivit të tij.


Thomas Kern, i cili gjatë viteve të 90-ta punonte si fotoreporter i pavarur, udhëtoi në rajonet e përfshira nga lufta për të pasqyruar realitetin e zymtë të konfliktit. Fotografitë e tij të realizuara bardhë e zi nuk u fokusuan vetëm te dinamika ushtarake, por mbi të gjitha te pasojat humanitare, vuajtjet e popullatës civile dhe shkatërrimi i jetës së përditshme.

Në rrëfimin e tij për Swissinfo, Kern kujton se si fillimi i konfliktit në vitin 1991 ndryshoi perceptimin e sigurisë në Evropë. Ai shpjegon se puna e një fotoreporteri në ato kushte mbartte rreziqe të larta dhe kërkonte një distancë profesionale, megjithëse ishte e pamundur të mbeteshe emocionalisht i paprekur përballë tragjedive njerëzore që shihte çdo ditë.

Objektivi i Kernit kapi momente dramatike të eksodit të refugjatëve, shtëpive të rrënuara dhe ankthit të familjeve që kërkonin të afërmit e tyre. Sipas fotografit zviceran, qëllimi kryesor i punës së tij ishte që përmes imazheve autentike të ndërgjegjësonte opinionin publik ndërkombëtar mbi mizoritë që po ndodhnin vetëm pak orë larg Zvicrës dhe pjesës tjetër të Evropës Perëndimore.

Sot, pas tri dekadash e gjysmë, Thomas Kern reflekton mbi fuqinë e fotografisë si dokument historik. Ai nënvizon se imazhet e asaj kohe shërbejnë si një kujtesë e domosdoshme për brezat e rinj mbi pasojat e tmerrshme të nacionalizmit radikal dhe luftës.

Artikulli i Swissinfo vë në dukje se arkivi fotografik i Kernit mbetet një dëshmi e rëndësishme historike e asaj periudhe. Për publikun zviceran dhe atë ndërkombëtar, këto kujtime risjellin në vëmendje edhe valën e madhe të refugjatëve që priti Zvicra gjatë atyre viteve, gjë që ndryshoi ndjeshëm edhe strukturën demografike dhe lidhjen sociale mes Zvicrës dhe vendeve të Ballkanit.

Zvicra nis projektin e madh për trenat - çdo 15 minuta udhëtim mes Zürichut dhe Bernit

20 June 2026 at 15:16


Qeveria zvicerane ka prezantuar një plan gjigant për të ndryshuar mënyrën se si do të udhëtohet me trena deri në vitin 2045.

Ky projekt i madh synon të zgjerojë linjat hekurudhore në të gjithë vendin për të përballuar numrin gjithnjë e më të madh të udhëtarëve dhe për të shmangur vonesat nëpër stacione.

Për këtë plan, autoritetet kanë hapur një fazë konsultimi ku qytetarët, kantonet dhe partitë mund të japin mendimet e tyre deri në vjeshtën e këtij viti.

Fokusi kryesor i këtij megaprojekti është te hekurudhat dhe rritja e shpeshtësisë së udhëtimeve. Synimi më i rëndësishëm i qeverisë është që brenda vitit 2035, trenat të nisen çdo 15 minuta midis Zürichut dhe Bernit.

Ky ritëm i shpejtë do t'u mundësojë njerëzve të udhëtojnë pa pasur nevojë të presin gjatë apo të kontrollojnë oraret me orë të tëra. Po ashtu, planifikohet që trenat të qarkullojnë çdo 30 minuta në linja të rëndësishme si ajo mes Baselit dhe Zürichut, si dhe mes Bernit dhe Luzernit.

Për t'i bërë këto udhëtime të shpejta një realitet, shteti do të investojë miliarda franga në ndërtimin e tuneleve të reja nëntokësore dhe shtimin e shinave në stacionet kryesore të qyteteve të mëdha, si në Zürich, Gjenevë, Bazel dhe Luzern.

Për të financuar të gjitha këto ndryshime të mëdha hekurudhore, qeveria do të kërkojë edhe ndihmën e popullit, pasi do të duhet një referendum për të ndryshuar Kushtetutën në mënyrë që paratë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të shkojnë direkt për modernizimin e infrastrukturës hekurudhore.

Zvicra vendos të mbajë dhe të rinovojë bunkerët e vjetër - sistemi i mbrojtjes civile tërheq vëmendjen e mediave të huaja

20 June 2026 at 14:18


Në një kohë kur rreziqet gjeopolitike në Evropë kanë ndryshuar ndjeshëm, Zvicra ka vendosur të mbajë të paprekur dhe të rinovojë rrjetin e saj të gjerë të bunkerëve dhe dhomave të mbrojtjes civile.

Ky vendim ka zgjuar kureshtjen e mediave të huaja, përfshirë edhe mediumin publik belg RTBF, i cili i ka kushtuar një vëmendje të veçantë strategjisë zvicerane të sigurisë, duke e cilësuar si një model unik në kontinent.

Ndryshe nga shumë vende evropiane që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë i braktisën ose i mbyllën strukturat e tyre të mbrojtjes, Zvicra po investon në sanimin dhe modernizimin e bunkerëve të vjetër për të garantuar që çdo banor të ketë një vend të sigurt në rast emergjence.

Zvicra është ndër të paktat vende në botë që zbaton me rreptësi parimin kushtetues se çdo qytetar duhet të ketë një vend të siguruar në një dhomë mbrojtëse në afërsi të vendbanimit të tij.

Mediumi belg RTBF vë në dukje se ky sistem, i ndërtuar kryesisht gjatë dekadave të kaluara, përfshin miliona vende në bunkerë publikë dhe privatë (të ndërtuar nën shtëpi apo pallate).

Megjithatë, një pjesë e mirë e këtyre strukturave, të ndërtuara dekada më parë, kanë nevojë për investime të rëndësishme.

Procesi i sanimit përfshin rregullimin e sistemeve të ventilimit, filtrimit të ajrit, furnizimit me ujë dhe emergjencave të tjera teknike, në mënyrë që ato të jenë plotësisht funksionale përballë rreziqeve moderne, si sulmet e mundshme ushtarake apo katastrofat bërthamore dhe teknologjike.

Siç vërehet edhe në raportimet mediatike, vendimi i Zvicrës për të mos i shkatërruar apo konvertuar këto hapësira në depo të thjeshta, lidhet drejtpërdrejt me konceptin e saj të "mbrojtjes totale".

Për autoritetet zvicerane, kostoja e mirëmbajtjes dhe sanimit të këtyre strukturave ekzistuese është shumë më e ulët dhe më e arsyeshme sesa rindërtimi i tyre nga e para në rast të një krize të papritur globale.

Për publikun e huaj, përfshirë audiencën e RTBF-së në Belgjikë - një vend ku strukturat e tilla të mbrojtjes civile pothuajse nuk ekzistojnë për popullsinë e thjeshtë - ky hap i Zvicrës shihet si një dëshmi e qartë e pragmatizmit dhe e traditës së gjatë të neutralitetit të armatosur dhe vetëmbrojtjes zvicerane. /Telegrafi/

Të rinjtë nga Kosova paguajnë deri në 5000 franga më shumë për sigurimin e veturës sesa zviceranët

19 June 2026 at 10:13


Shtetësia dhe mosha mbeten dy faktorët më përcaktues dhe më diskriminues kur bëhet fjalë për llogaritjen e sigurimit të veturës në Zvicër.

Siç raporton gazeta zvicerane “20 Minuten”, një analizë e fundit krahasimtare e kompanive të mëdha të sigurimeve, e zhvilluar nga portali “bonus.ch”, ka zbuluar dallime drastike në çmime. Tarifat rëndojnë jashtëzakonisht shumë të rinjtë me origjinë nga Kosova.

Sipas të dhënave të publikuara nga “20 Minuten”, një i ri 18-vjeçar me leje qëndrimi të përhershëm në Zvicër (viza C) dhe me prejardhje kosovare paguan mesatarisht 63 për qind më shumë për sigurimin e veturës sesa një bashkëmoshatar i tij zviceran.

Kur bëhet fjalë për sigurimin e plotë, kjo diferencë arrin në një shifër prej 174 për qind më shumë.

Kjo diferencë e çmimeve, e cila në opinion njihet edhe si “taksa e Ballkanit”, ndikon që një shofer i ri kosovar të paguajë 5054 franga më shumë se një zviceran i së njëjtës moshë për të njëjtën mbulesë sigurimi.

Dallimi bëhet akoma më ekstrem nëse krahasohet një 18-vjeçar nga Kosova me një shofer zviceran 30-vjeçar. I riu kosovar paguan mesatarisht pothuajse katër herë më shumë se 30-vjeçari zviceran.

Tek sigurimi i thjeshtë, ky raport shkon në gati shtatë herë më shumë, ku kosovari paguan 3147 franga kundrejt vetëm 466 frangave që paguan zvicerani.

Ky sistem tarifimi mbi bazën e kombësisë ka qenë shpesh temë debatesh në politikën zvicerane. Politikanët e majtë konsiderojnë këto dallime si diskriminuese, mirëpo deri më tani kjo praktikë nuk është i ndaluar me ligj në Zvicër, pasi kompanitë e sigurimeve i përcaktojnë çmimet bazuar në statistikat e tyre të brendshme të rrezikut dhe dëmeve. /Telegrafi/

Alarm te Zvicra: Xhaka kritikoi ekipin, mediat raportojnë për tensione në dhomën e zhveshjes

17 June 2026 at 17:28


Pas barazimit befasues 1-1 ndaj Katarit në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026, atmosfera në kampin e Zvicrës nuk duket aspak e qetë.

Në vend të optimizmit, shqetësimi ka nisur të rritet te tifozët dhe opinioni publik, ndërsa mediat zvicerane raportojnë për pakënaqësi të mundshme brenda ekipit.

Në qendër të vëmendjes është kapiteni Granit Xhaka, i cili pas ndeshjes nuk e fshehu zhgënjimin për paraqitjen e skuadrës.

"Ka shumë për të folur, por tani duhet të veprojmë", deklaroi mesfushori shqiptar pas përfundimit të takimit.

Çfarë kritikoi Xhaka

Xhaka kritikoi mungesën e disiplinës taktike, duke theksuar se disa lojtarë përpiqen të zgjidhin situatat individualisht dhe dalin jashtë rolit të tyre në fushë, gjë që sipas tij dëmton lojën kolektive të ekipit.

Edhe pse nuk përmendi emra konkretë, deklaratat e tij shkaktuan reagime të shumta. Zvicra ishte në epërsi 1-0 falë golit të Breel Embolos, por në minutat shtesë pësoi golin e barazimit nga Bassam Al-Khoukhi pas një kundërsulmi të shpejtë të Katarit.

Kapiteni kishte ngritur shqetësime edhe më herët. Pas barazimit 1-1 në miqësoren ndaj Australisë, ai kishte paralajmëruar se skuadra nuk duhet të vetëkënaqet.

"Kishte gjëra gjatë kësaj jave që nuk ishin të mira. Ndoshta na mashtron ndjesia se do ta kalojmë fazën e grupeve lehtësisht. Nëse luajmë kështu, do ta përfundojmë garën pas tre ndeshjesh", kishte thënë ai.

Mediat raportojnë për pakënaqësi brenda ekipit

Sipas gazetës zvicerane Blick, jo të gjithë në ekip janë të kënaqur me mënyrën se si Xhaka udhëheq skuadrën. Raportohet se disa lojtarë e konsiderojnë kapitenin tepër kritik gjatë stërvitjeve dhe në dhomën e zhveshjes.

Mediumi zviceran citon burime pranë ekipit, sipas të cilave "shumë negativitet ndikon në moralin e ekipit" dhe se situata rrezikon të bëhet "toksike" nëse nuk menaxhohet si duhet.

Xhaka, i cili verën e kaluar u largua nga Bayer Leverkuseni për t’iu bashkuar Sunderlandit për rreth 20 milionë euro, mori menjëherë shiritin e kapitenit edhe te klubi anglez. Ai ka kontratë me Sunderlandin deri në verën e vitit 2028.

Pavarësisht startit zhgënjyes, gjithçka mbetet e hapur në Grupin B. Zvicra do të përballet në ndeshjet e ardhshme me Bosnjë e Hercegovinën dhe Kanadanë, ndërsa dueli mes këtyre dy përfaqësueseve përfundoi me rezultat 1-1.

Për helvetikët, fitoret në dy ndeshjet e mbetura tashmë janë pothuajse të domosdoshme, ndërsa mbetet të shihet nëse skuadra do të arrijë të lërë pas tensionet e raportuara dhe të rikthehet në rrugën e suksesit. /Telegrafi/

“Frankfurter Allgemeine Zeitung”: Larg duart nga flamingot tanë!

17 June 2026 at 12:34


Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj janë të padëshiruar këtu: Përmes refuzimit të planeve për turizëm luksi në dy pika kyçe të biodiversitetit, shqiptarët po zbulojnë krenarinë për natyrën e tyre. BE-ja do të kishte shumë nevojë për europianë të tillë, shkruan gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Kur dëgjon shprehjen “Adriatic Flyway“ (Rruga e Shtegtimit të Adriatikut), Ivanka Trump mbase do të mendonte për ndonjë nyjë të trafikut ajror ndërkombëtar - dhe nuk do ta kishte plotësisht gabim. Në këtë rrugëkalim tejet të mbingarkuar gjatë kulmit të sezoneve, udhëtojnë lejlekët e bardhë, dallëndyshet, bletëngrënësit dhe gushëkuqët, të cilët, varësisht nga stina, zhvendosen nga Europa Veriore dhe Qendrore drejt Afrikës apo anasjelltas. Përgjatë Adriatikut ata bëjnë ndalesa të shkurtra, kryesisht në një pjesë të bregdetit shqiptar që është aq “unbelievably beautiful“, saqë Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, duan ta ndihmojnë atë “të shpalosë potencialin e vet“.

Kështu u shpreh vajza e ish-presidentit së fundmi, në një intervistë magjepsëse e plot servilizëm me një podkaster amerikan.

Megjithatë, shumë njerëz në Shqipëri mendojnë se laguna e Vjosë-Nartës dhe ishulli i pabanuar i Sazanit përballë saj, si pika kyçe të biodiversitetit dhe si vende prehjeje e folezimi për shpendët shtegtarë, pelikanët, flamingot dhe breshkat e detit, e shfrytëzojnë tashmë mjaft mirë potencialin e tyre.

Gjatë fundjavës, mijëra njerëz demonstruan sërish kundër planeve të çiftit dhe investitorëve të tjerë për të ngritur atje “hotele, resorte, qendra SPA dhe thjesht çdo gjë“, sipas përmbledhjes që vetë Ivanka Trump bëri në podkast. Fakti që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) lëshoi po këtë fundjavë urdhërarreste për njëzet persona - disa prej të cilëve mund të jenë të lidhur me këto projekte - pritet ta rrisë edhe më shumë revoltën.

Lëvizja më e madhe protestuese në Shqipëri që nga vitet 90-të nuk drejtohet vetëm kundër një qeverie që ka aq shumë etje për turizmin e luksit si burim të ardhurash, saqë çdo gjë tjetër duket se nuk i bën përshtypje. Është e vërtetë që për një pjesë të demonstruesve bëhet fjalë për të drejtën që bregdetin e tyre të mrekullueshëm ta shfrytëzojnë vetë për turizëm, dhe jo t’ia lënë në dorë milionerëve amerikanë në turin e tyre të shopingut. Mirëpo, shumë prej shqiptarëve kryesisht të rinj, të cilët në Tiranë dhe qytete të tjera mbajnë lart tabela, tullumbace dhe kamerdare në formë flamingoje, po ngrihen për diçka tjetër: për natyrën si një pasuri dhe trashëgimi e përbashkët, ruajtja e së cilës të fal krenari dhe krijon një ndjenjë përkatësie.

Për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, vëmendja që është tërhequr mbi menaxhimin e zonave të mbrojtura nuk është aspak ndihmuese. Komisioni Evropian ka sinjalizuar se do të vëzhgojë nga afër se deri në çfarë mase do të respektohen këtu standardet mjedisore të BE-së, me të cilat Shqipëria do të duhej të përafrohej në rast anëtarësimi. Një ndryshim ligjor si ai i vitit 2024, i cili i mundëson shefit të qeverisë miratimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në zonat e mbrojtura natyrore, sigurisht që nuk bën pjesë në këto standarde. Sidoqoftë, qasja për t'i parë rregullat mjedisore kryesisht si pengesë, po gjen terren aktualisht edhe brenda vetë BE-së. Prandaj, BE-së do t’i bënin mirë këta evropianë të rinj që luftojnë për natyrën për hir të vetë natyrës.

Ky është deputeti zviceran që po bën fushatë kundër Kosovës - me materiale propagandistike nga Beogradi

14 June 2026 at 11:14


Christian Imark nga partia e djathtë SVP ka lënë të nënkuptohet se ka marrë materiale nga ambasadori serb në Zvicër lidhur me “situatën e serbëve në Kosovë”. Imark është i njohur për gjuhën e pafrenueshme - partinë socialdemokrate të Zvicrës e ka quajtur „kancer“.

Këtë javë parlamenti i Zvicrës vendosi të vazhdojë misionin e trupave ushtarake në Kosovë, të cilat janë të angazhuara në kuadër të KFOR-it. Mandati i trupave zvicerane është zgjatur deri në vitin 2029. Ndërsa NATO po mendon të reduktojë disa trupa në Kosovë, Zvicra si vend neutral po përpiqet të mbushë hapësirën e zbrazët edhe si kontribut ndaj NATO-s. Zvicra nuk është anëtare e NATO-s, por kufizohet me shtete anëtare dhe përfiton shumë në aspektin e sigurisë. Politikanë të moderuar të Zvicrës e dinë këtë fakt dhe janë të gatshëm ta përkrahin NATO-n në misione paqeruajtëse si ai në Kosovë.

Por ka një parti në Zvicër e cila me ngulm kërkon tërheqjen e ushtarëve nga Kosova: ajo është Partia Popullore e Zvicrës, shkurt SVP, e cila është partia më e madhe në këtë vend. Ndër më të zëshmit me këtë kërkesë është Christian Imark, i cili vjen nga kantoni i Solothurnit në Zvicrën qendrore.

Gjatë seancës parlamentare ku u diskutua mbi vazhdimin e mandatit të trupave zvicerane në Kosovë, Imark mori fjalën dhe pretendoi se pakica serbe në veri të Kosovës po përballet me shkelje të të drejtave të njeriut. Ai pyeti ministrin e Mbrojtjes, Martin Pfister, nëse qeveria e kishte pranuar listën e këtyre shkeljeve dhe çfarë po bënte Zvicra kundër kësaj situate. Lista për të cilën fliste Imark ishte një dosje propagandistike që ambasadori i Serbisë në Bern ua kishte dhënë deputetëve të SVP-së para seancës. Imark ishte i pranishëm edhe në një takim me politikanen e serbëve të veriut, Jovana Radosavleviq, e cila në zgjedhjet e fundit në Kosovë ishte kandidate e Listës Serbe. Radosavleviq me vite të tëra ka drejtuar organizatën joqeveritare New Social Initiative (NSI), ka marrë pjesë në konferenca në Prishtinë me OJQ të tjera dhe është përkrahur edhe financiarisht nga disa ambasada në Prishtinë. Në prezantimin e saj në Bern ajo, në mënyrë paushalle, u ankua për shkeljen e të drejtave të njeriut të serbëve nga qeveria e Kosovës.

Imark është deputet në parlamentin e Zvicrës që nga viti 2015. Ai është sipërmarrës. Partia e tij, SVP, prej dekadash zhvillon një fushatë të egër kundër shqiptarëve në Zvicër. Disa krerë të kësaj partie janë dënuar nga drejtësia zvicerane për racizëm ndaj shqiptarëve. Politikanë të kësaj partie dhe revista „Weltwoche“, e afërt me SVP-në, vazhdimisht atakojnë komunitetin shqiptar.

Siç shkroi së fundi gazeta „Neue Zürcher Zeitung“ (NZZ), grupi parlamentar i SVP-së ishte furnizuar me materiale nga ambasadori serb. Ivan Trifunoviq më parë ka qenë biznesmen dhe lobist i regjimit të Aleksandar Vuçiqit në SHBA.

Christian Imark, me një rast, e kishte kërcënuar një ministre se, nëse nuk do të hiqte disa masa, „njerëzit do të dalin në rrugë dhe do të kërkojnë shumë më tepër sesa thjesht dorëheqjen tuaj!“ Pas kritikave, ai tha se ishte keqkuptuar. Për kulturën politike të Zvicrës, gjuha e Imarkut është e pazakonshme. Javën që shkoi ai tha se „Partia Socialdemokrate nuk është parti, por një kancer socialist“. Imark e ka fshirë këtë postim, por gjasat që ai dhe partia e tij të ndryshojnë janë të vogla. Suksesi i tyre bazohet edhe në fushata permanente kundër të huajve, kundër BE-së, kundër azilkërkuesve. Andaj SVP nuk ngurron t’i quajë kundërshtarët politikë „morra“. Partia Socialdemokrate është partia më e angazhuar kundër racizmit në Zvicër dhe kundër gjuhës diskriminuese ndaj shqiptarëve. Po ashtu kjo parti është përkrahëse e vendosur e pavarësisë së Kosovës. Ish-ministrja Micheline Calmy-Rey, e cila në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka marrë pjesë në një meshë të komunitetit katolik shqiptar në Zvicër, vjen nga radhët e Partisë Socialdemokrate.

Në një koment mbi postimin e deputetit Imark, gazeta NZZ shkroi se kjo sjellje lë shije të hidhur dhe se me këtë gjuhë humbet jo vetëm mirësjellja në jetën publike. „Brutalizimi i gjuhës sjell gjithmonë me vete edhe një brutalizim të sjelljes dhe marrëdhënieve ndërpersonale. Këtë e dinte edhe Niccolò Machiavelli. Në librin e tij ‘Discorsi sopra la prima deca di Tito Livio’, ai mbajti qëndrim kundër ofendimeve. Çdo fyerje ushqen urrejtjen e kundërshtarit, shkruante ai, dhe e nxit atë që edhe më shumë të thurë plane për rrënimin e ofenduesit. Rënia e një shteti shpesh nuk fillon me një grusht shteti, por në momentin kur një fjalë e hedhur, si për shembull zuzar, bëhet diçka normale në politikë“.

A do ta kufizojë Zvicra numrin e banorëve në 10 milionë? Sot mbahet referendumi vendimtar

14 June 2026 at 09:42


Zvicra voton sot për një çështje e cila mund të ndryshojë rrënjësisht politikën e saj të migracionit dhe të rrezikojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Partia Popullore Zvicerane (SVP), një parti e krahut të djathtë, ka arritur ta hedh në referendum nismën e quajtur “Për një zhvillim të qëndrueshëm të popullsisë”, e cila synon të vendosë një tavan të prerë kushtetues në mënyrë që popullsia e vendit të mos kalojë pragun prej 10 milionë banorësh përpara vitit 2050.

Propozimi parashikon që nëse numri i banorëve i afrohet këtij kufiri, qeveria do të detyrohet të marrë masa kufizuese, duke përfshirë këtu edhe pezullimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që rregullojnë lëvizjen e lirë.

Nga njëra anë, përkrahësit e kufizimit të popullsisë thonë se se rritja e shpejtë demografike po shkatërron cilësinë e jetës në Zvicër. Sipas tyre, imigracioni i lartë po mbingarkon infrastrukturën publike me trena të stërmbushur, rritje të çmimeve të qirave dhe mungesë akute të banesave, duke rritur njëkohësisht presionin mbi shkollat, spitalet dhe mjedisin natyror.

Nga ana tjetër, qeveria zvicerane, partitë rivale të SVP-së dhe pothuajse të gjitha shoqatat e biznesit po e kundërshtojnë me forcë këtë nismë. Bizneset argumentojnë se vendi vuan nga një mungesë kronike e fuqisë punëtore dhe se Zvicra ka nevojë për punëtorë të kualifikuar nga jashtë për të mbajtur ekonominë në këmbë dhe për të garantuar financimin e pensioneve.

Rreziku më i madh i këtij zhvillimi mbetet përplasja e drejtpërdrejtë me Brukselin. Çdo kufizim i njëanshëm i imigracionit do të shkelte marrëveshjen dypalëshe për lëvizjen e lirë të njerëzve me Bashkimin Evropian. Një hap i tillë mund të aktivizonte të ashtuquajturën “klauzolë gijotinë” nga ana e BE-së, gjë që do të sillte anulimin automatik të të gjitha marrëveshjeve kryesore tregtare dhe ekonomike, duke e izoluar Zvicrën në një moment mjaft delikat diplomatik./Telegrafi/

Zvicra me projekt ambicioz - autobusët nisin udhëtimet pa shofer

13 June 2026 at 07:56


Kompania shtetërore zvicerane e transportit “Postauto” ka prezantuar në Altstätten në pjesën lindore të vendit projektin e saj më të ri dhe më të guximshëm të quajtur “Amigo”.

Për herë të parë në Zvicër, automjete elektrike autonome (pa shofer) po kryejnë teste në një zonë prej 80 kilometrash katrorë në kantonet St. Gallen dhe në dy Appenzellët, njofton gazeta “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ).

Zyra Federale e Rrugëve (Astra) ka dhënë tashmë lejen zyrtare për këtë projekt. Megjithëse për arsye sigurie në veturë ndodhet ende një shofer gati për të ndërhyrë, veturat lëvizin vetë pa pasur nevojë për prekjen e timonit. Synimi është që nga viti 2027, udhëtarët në këto zona periferike të mund të rezervojnë udhëtimet e tyre autonome përmes një aplikacioni.

Gjatë vitit të ardhshëm, numri i këtyre mjeteve në Altstätten do të arrijë në 25. Faza tjetër parashikon që shoferi brenda mjetit të zëvendësohet plotësisht nga një qendër kontrolli në distancë, ku një punonjës do të mbikëqyrë disa makina njëkohësisht.

Automjetet dhe teknologjia e përdorur vijnë nga gjiganti kinez Baidu, i cili është lider botëror në këtë fushë. Ky bashkëpunim ka ngritur pikëpyetje rreth sigurisë së të dhënave, por drejtuesit e “Postauto” kanë siguruar se të gjitha të dhënat anonimizohen brenda mjetit, fytyrat nuk regjistrohen dhe asnjë informacion nuk largohet nga Zvicra. Për kinezët, plotësimi i standardeve të rrepta zvicerane shërben si një urë për t’u zgjeruar në tregun evropian.

Drejtori i “Postauto”, Stefan Regli, sqaroi për “NZZ” se ky sistem nuk do të zëvendësojë linjat klasike, por do të shërbejë si plotësim për zonat periferike dhe orët e vona.

Përveç përmirësimit të shërbimit, projekti shihet si një shpëtim afatmesëm për kantonet, pasi kostoja e personelit është e lartë dhe tregu po përballet me një mungesë të madhe të shoferëve. /Telegrafi/

❌