Normal view

Protestuesit në Tiranë dyshohet se goditën me sende të forta policët dhe sulmuan deputetët, arrestohen 19 persona

3 July 2026 at 08:51


Pas tensioneve të ditës së djeshme gjatë protestës para Kuvendit, ku qytetarët janë përplasur me punonjësit e policisë dhe kanë sulmuar deputetët, policia njofton se janë arrestuar 19 prej tyre.

Në njoftimin zyrtar thuhet se ata kundërshtuan dhe goditën me sende të forta punonjësit e Policisë, dëmtuan një automjet policie si dhe sulmuan deputetët e Kuvendit të Shqipërisë gjatë tubimit të zhvilluar dje dhe për pasojë 19 janë arrestuar, 12 janë proceduar penalisht dhe vijon puna për identifikimin e 6 protestuesve të tjerë.

Lexoni më poshtë njoftimin e Policisë së Shtetit:

Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta punonjësit e Policisë, dëmtuan një automjet policie si dhe sulmuan deputetët e Kuvendit të Shqipërisë gjatë tubimit të zhvilluar dje, arrestohen 19 shtetas.

Procedohen penalisht 12 shtetas.

Vijon puna për identifikimin dhe të 6 shtetasve të tjerë që janë dokumentuar me pamje filmike për veprime të dhunshme.

Gjatë tubimit u dëmtuan 15 punonjës policie dhe një automjet policie.

Në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar dje pranë Parlamentit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-B. K., 35 vjeç; A. E., 24 vjeç; G. P., 36 vjeç; D. B., 32 vjeç; K. P., 46 vjeç; R. D., 30 vjeç; A. Y., 40 vjeç; N. Q., 43 vjeç; Y. Sh., 52 vjeç; E. Gj., 39 vjeç; F. B., 56 vjeç; R. P., 35 vjeç; A. T., 34 vjeç; A. N., 35 vjeç; E. B., 45 vjeç; A. H., 35 vjeç; E. G., 23 vjeç, E. B., 20 vjeç.

Si dhe shtetasi A. Ll., 35 vjeç, pasi ka goditur një gazetar.

Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: F. D., 63 vjeç; Sh. B., 33 vjeç; V. D., 29 vjeç; E. Gj., 38 vjeç; T. T., 43 vjeç; E. A., 31 vjeç; G. S., 20 vjeç; R. D., 30 vjeç; A. M., 39 vjeç; M. J., 47 vjeç, A. G., 47 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”. /Telegrafi/

Balla reagon pas protestës: Dhuna zëvendësoi qytetarinë, u plagos efektivi me 32 vite shërbim

2 July 2026 at 15:44


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar përmes një postimi me video në Facebook lidhur me incidentet e ndodhura gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë.

Në postimin e tij, Balla ka publikuar pamje të punonjësit të Policisë së Shtetit, Festim Kamberi, i cili sipas tij ka 32 vite në shërbim dhe u plagos gjatë përplasjeve të regjistruara në protestë.

“Sot u gjakos punonjësi i Policisë së Shtetit, Festim Kamberi, prej 32 vitesh në detyrë. Protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë dhe pastërtisë ia ka lënë vendin tanimë filmit të vjetër të konfliktit, sherrit dhe dhunës, ku thonjtë e politikës së dështimit dhe zemërimit po dalin në pah me pisllëkun e tyre karakteristik”, shprehet Balla në reagimin e tij. /Telegrafi/



Balla protestuesve: Pak ditë na kanë mbetur deri te koha e dialogut me ju

2 July 2026 at 13:39


Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se mazhoranca do t’i qëndrojë besnike mandatit të qytetarëve, ndërsa u ka bërë thirrje protestuesve se ka mbetur pak kohë për dialog. Balla u shpreh se janë të gatshëm të dëgjojnë arsyet e tubimit dhe të reflektojnë.

Nga ana tjetër, Balla dënoi ashpër aktet e dhunës në protestë, duke bërë me dije se tre punonjës policie kanë mbetur të plagosur rëndë. Ai nënvizoi se Kuvendi nuk do të heshtë përballë sulmeve ndaj uniformave të shtetit dhe i bëri thirrje qytetarëve të distancohen nga elementët e dhunshëm që, sipas tij, e kanë marrë peng protestën.

“Kuvendi do të vazhdojë ta ushtrojë mandatin që na kanë besuar qytetarët. Grupi parlamentar i PS do t’i qëndrojë besnik votës që na ka sjellë në këtë sallë. Dënojmë aktet e dhunës të inspiriuara dhe të frymëzuara nga individë kriminalë të përfshirë brenda protestës. Tre punonjës policie janë të plagosur dhe të lënduar rëndë, gjakosur dhe ky Kuvend nuk mund të heshtë, gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Këta u trembën nga veza, megjithatë detyra jonë është të vazhdojmë përpara detyrën tonë historike që brenda këtij mandati ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE. Protestuesve në emër të PS, pak ditë na ndajnë kur koha e dialogut me ju, që keni shkelur ligjin me përpjekjet për protestë, po vjen. Që nga zemërimi për natyrën deri te zemërimi ndaj gjithkujt prej jush dhe atyre që kanë shpërdoruar besimin mbi karrigen e pushtetit brenda PS. Arsyet e juaja për protestën jemi të gatshëm t’i dëgjojmë dhe të reflektojmë duke dëgjuar ato. Kam besim shumë që qytetaria e bukur e bulevardit të flamurit di të distancohet akoma edhe më shumë sesa bëri dje nga dhuna e mbeturinave politike dhe çdo force që e ka marrë peng protestën”, u shpreh Balla.

Tensione para Parlamentit - qëllohet drejt deputetëve, shoqërohen 5 persona, policia përdor sprej djegës

2 July 2026 at 10:17


Sot në orën 10:00 është zhvilluar organizimi i radhës nga protestuesit kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij.

Qytetarët janë mblidhur para Parlamentit, aty ku pritet të mbahet edhe seanca e radhës plenare njëkohësisht.

Mësohet se janë shënuar edhe ditën e sotme incidente duke qëlluar më vezë. Ndërkohë, janë shoqëruar 5 persona.

Masat e sigurisë rreth Parlamentit janë shtuar që para nisjes së tubimit të qytetarëve. Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës, janë pozicionuar një autoblindë e forcave të sigurisë si dhe një autobot uji, i cili përdoret zakonisht për shpërndarjen e protestuesve në raste të përshkallëzimit të situatës.

Të martën gjithashtu, protestuesit zhvilluan një protestë para Parlamentit ku u regjistruan disa incidente. Situata u tensionua ku pati përplasje fizike dhe hedhje të mjeteve piroteknike.

Punonjësit e policisë arrestuan disa persona për shkak të këtyre incidenteve. Gjithashtu protestuesit hodhën akuza dhe bënë thirrje kundër deputetëve. Ata hodhën edhe vezë në drejtim të mjeteve të tyre. /Euronews.al/

"Disa protestojnë, të tjerë luajnë" Rama publikon videon: Tirana, pamje evropiane e lirive të barabarta

1 July 2026 at 08:48


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar një video, ku shihen dy paralele të ndryshme, një pjesë e qytetarëve që protestojnë dhe një tjetër që luan volejboll në Tiranë.

Përmes postimit të tij, Rama e cilëson këtë si një “pamje europiane të lirive të barabarta”, duke theksuar se secili zgjedh mënyrën se si e kalon kohën e lirë.

“Mirmëngjes dhe me këtë pamje europiane të Tiranës së lirive të barabarta e shijeve të ndryshme për kohën e lirë, ju uroj një ditë të paqtë“, shkruan Rama. /Telegrafi/


Dita e 31-të: Qytetarët mbi 12 orë protestë, pas Kuvendit tensione edhe përpara Kryeministrisë

30 June 2026 at 23:06


Tensione, përplasje dhe kërcënime. Protesta e 31 në kryeqytet ishte më e gjatë, e nisur prej orës 10 para Parlamentit, e deri rreth mesnatës.

Një prej nismëtarëve, Arben Kola, u bëri thirrje qytetarëve të pranishëm duke thënë: “Për ata që nuk ishin te parlamenti, e patë që ata kërkojnë dhunë. Tani e mbrapa të reagojnë në mënyrë të pavarur dhe ne nuk mbajmë përgjegjësi. Ju me dhunë, dhe qytetarët me dhunë”.

Vetëm pak pas kësaj deklarate, para Kryeministrisë pati tensione. Qytetarët përzunë nga protesta një grua, e cila u prezantua si gazetare shqiptare në Greqi.

Pas përplasjeve të paradites me policinë para godinës së Parlamentit, tubimi i mbrëmjes para Kryeministrisë kishte në fokus kryesor Policinë e Shtetit.

Një mesazh i fortë iu dërgua Presidentit Bajram Begaj, teksa protestuesit patën një thirrje të prerë edhe për partitë e vogla.

“Mos u mundoni të merrni frenat e protestës. Luftën me Edi Ramën bëjeni në Kuvend. Mos postoni video nga protesta. Nëse doni, krah për krah me ne. Mund ta bëjmë këtë luftë edhe pa ju”, u shpreh një protestues.

Ndërkohë, në orët e paradites, protesta u shoqërua me tensione dhe përplasje para Parlamentit. Protestuesit goditën me vezë e shishe uji makinat e deputetëve dhe ministrave, si dhe tentuan të bllokojnë rrugën, gjë që solli ndërhyrjen e policisë.

Në terren zbritën edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ku pas përplasjes me protestuesit, shoqëruan disa prej tyre, mes të cilëve edhe Dritan Goxhaj, një prej anëtarëve të grupit koordinator të tubimit. Kjo bëri që protesta të vazhdonte edhe para Policisë së Tiranës, deri në orët e pasdites, kur policia njoftoi lirimin e tyre.

Marshimi sot u bë nga Bashkia e Tiranës, Kuvendi, selia e PD dhe në fund u kthyen në Kryeministri.

Seancë plenare në Shqipëri, deputetët priten me thirrjet e protestuesve: Ju erdhi fundi

30 June 2026 at 10:42


Ditën e sotme ndërsa deputetë po mblidhen për seancën plenare të orës 10:00, protestuesit kanë njoftuar se po në të njëjtën orë do të zhvillojnë tubimin e tyre jashtë dyerve të Parlamentit.

Protesta u njoftua mbrëmjen e djeshme nga nismëtarët, të cilët ftuan të gjithë qytetarët t’u bashkohen edhe këtë paradite në tubimin e tyre.

“Nesër në orën 10:00 para Parlamentit, bashkohuni me ne”, u shpreh një nga nismëtarët gjatë tubimit të djeshëm.

Ndërkohë siç raporton gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, deputetët po priten jashtë Parlamentit nga protestuesit me thirrjet: Ju erdhi fundi dhe opozitë e shitur.

Nga ana tjetër, në Parlament do të mbahet seanca e radhës plenare ku në rend dite janë:

Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.6.2026. (Neni 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit)

Njoftime. (Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)

Projektligji “Për kontrollet zyrtare dhe aktivitete të tjera zyrtare, të kryera për të garantuar zbatimin e legjislacionit për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, të rregullimeve për shëndetin e mirëqenien e kafshëve, si dhe për shëndetin e bimëve e të produkteve për mbrojtjen e bimëve në Republikën e Shqipërisë”.

Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025”.

Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2025”.

Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike për vitin 2025”.

Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2025”.

Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2025”.

Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2025”.

Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për vitin 2025”.

Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2025”.

Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. /Telegrafi/

​Protesta e 30-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë

29 June 2026 at 20:25


Protesta kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec vijoi edhe sot në Tiranë, ku qytetarët u mblodhën për të 30-ën ditë radhazi, duke përsëritur kërkesat e tyre dhe duke marshuar në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Fillimisht protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Me pankarta në duar ata kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, largimin e kastës së vjetër politike dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Pas grumbullimit fillestar, pjesëmarrësit do të marshojnë drejt bulevardit kryesor për të vijuar qëndresën dhe revoltën e tyre përpara godinës së Kryeministrisë, shkruan ATSh.

Para godinës së Kryeministrisë pritet po ashtu te mbajnë fjalime organizatorët dhe qytetarë të pranishëm.

"Rama jep dorëheqje në 2030", reagon sërish kryeministri i Shqipërisë

26 June 2026 at 08:39


Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ironizuar kërkesat për dorëheqjen e tij.

Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se i është përgjigjur një mesazhi anonim që i kërkonte largimin nga detyra, duke e kthyer reagimin në një “manifest” të dorëheqjes.

"Mirëmëngjes, dhe me kërkesën e mëposhtme për dorëheqje nga një numër i panjohur, të cilën e mirëkuptoj plotësisht duke e pranuar përulësisht, ju uroj një ditë të qetë. Është ndoshta fjala më e konsumuar në lëmin virtual, ndaj po ta risjell edhe unë si 'Millennials' me shpresën që "Gen Z" nuk do më denigrojë me komente".

Tutje në Rama se tha se: "Para se të vijoj po ju them, (me lehtësinë e një barre që nuk e kam mbi supe, bashkë me +800K vota) se qeverisjen e mundon më së shumti fodullëku dhe shkenca e gjithologjisë, por kjo meriton një hapësirë më të zgjeruar filozofike për diskutim. Tani lexomë (nëse mundeni dhe natyrisht nëse doni). Dorëhiqu për transformimet e zonave urbane dhe rurale. Dorëhiqu për aeroportet! Dorëhiqu për turizmin që shënon shifra rekord! Dorëhiqu për negociatat që u hapen! Dorëhiqu për konferencën e tetë ndërqeveritare. Dorëhiqu për kthimin në shina të ekonomisë! Dorëhiqu që sot keni rritur pagat në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Dorëhiqu sepse sot protestohet paqësisht dhe në dritaren tënde nuk ka snajper! Dorëhiqu për transformimet në arsimin, shëndetësi, infrastrukturë dhe jo vetëm. Realiteti është bezdisës për ata që jetojnë me nostalgjinë e krizës së përhershme. Dorëhiqu, sepse e ktheve Shqipërinë në një vend që sot respektohet ndërkombëtarisht. Ose mendoje kështu: Dorëhiqu...në 2030! 🇪🇺🇦🇱 Nuk do të na duhesh atëherë, por do të kujtojmë me siguri", ka shkruar Rama në Facebook. /Telegrafi/



Protestuesi shoqërohet jashtë tubimit të Trump në Pensilvani

24 June 2026 at 08:37


Një protestues u shfaq në fjalimin e presidentit Donald Trump në Pensilvani, duke u shoqëruar jashtë nga sigurimi ndërsa bërtiste "pedofil" dhe tundte gishtin e mesëm lart.

Trump mbajti një fjalim në një fabrikë të Mack Trucks në Macungie, Pensilvani të martën pasdite, transmeton Telegrafi.

Travel pool report #6 - Arrival at Mack Trucks plant

At 2:05 the motorcade pulled up at Mack Trucks Lehigh Valley Operations" in Macungie.

It was an uneventful ride with a few people scattered along the roadside, braving the rain to watch or film the convoy.
Your pooler spotted…
— White House Press Pool Reports (@WHPressPool) June 23, 2026

Raporti i White House Press Pool vuri në dukje se kishte "disa protestues" jashtë përgjatë rrugës, përfshirë një me një shenjë "Sleepy Don".

Aurélia End me AFP, reporterja e grupit për fjalimin, shtoi se Trump vizitoi fabrikën përpara se të mbante fjalimin e tij.

President @realDonaldTrump tours Mack Trucks 🇺🇸 pic.twitter.com/tHMPwdMB9E
— Margo Martin (@MargoMartin47) June 23, 2026

Një video e shkurtër u postua nga ndihmësja e komunikimit e Shtëpisë së Bardhë, Margo Martin.

End gjithashtu vuri në dukje praninë e një "protestuesi" në pjesën e pasme i cili "u shoqërua shpejt jashtë" dhe shtoi se ajo "nuk mund ta dëgjonte se çfarë po bërtiste ai".

Travel pool report #9 - Heckler

Shortly after the beginning of the speech, a heckler was heard in the back. He was swiftly escorted out. Your pooler could not hear what he was shouting.
Numerous red MAGA hats and T-shirts in the audience.
The speech is punctuated by applause and…
— White House Press Pool Reports (@WHPressPool) June 23, 2026

Korrespondentja e NewsNation DC, Hannah Brandt, ishte më afër personit që po protestonte dhe postoi një video të incidentit, duke shkruar se ai bërtiti "pedofil" dhe u "shoqërua jashtë nga sigurimi ndërsa turma e fishkëllente".

Videoja tregonte burrin e rrethuar nga rojet e sigurisë dhe të shtyrë jashtë turmës, ndërsa vazhdonte të bërtiste "pedofil".

JUST NOW: A protestor yelling “pedophile” at President Trump’s rally was just escorted out by security as the crowd booed him. @NewsNation pic.twitter.com/7lmk2WEPpb
— Hannah Brandt (@HannahBrandt_TV) June 23, 2026

Afër fundit të videos, ai ngre të dy krahët lart me gishtat e mesëm të shtrirë.

Disa gazetarë të tjerë të pranishëm ndanë postime shtesë nga incidenti.

A protester shouting “pedophile” is escorted out of President Trump’s Macungie, Pennsylvania, rally pic.twitter.com/4HnZ0PGKcL
— Betsy Klein (@betsy_klein) June 23, 2026

Reporterja e CNN, Betsy Klein, postoi një foto që tregonte një anëtar të ekipit të sigurisë duke i vënë dorën mbi gojë protestuesit, ndërsa disa të tjerë e mbanin fort.

Reporteri i Shtëpisë së Bardhë të Reuters, Jarrett Renshaw, postoi një video nga një kënd tjetër, duke treguar protestuesin duke vazhduar të bërtiste "pedofil" ndërsa ecte prapa duke dalë nga eventi. /Telegrafi/

Heckler/Protestor escorted out of Trump event in Lehigh Valley PA today. pic.twitter.com/3ugU9iWEzf
— Jarrett Renshaw (@JarrettRenshaw) June 23, 2026

Veteranët e UÇK-së iu bëjnë thirrje protestuesve në Tiranë: Mos i keqpërdorni simbolet e UÇK-së për qëllime politike

23 June 2026 at 14:48


Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shpreh shqetësimin për siç thonë përpjekjet e vazhdueshme për manipulim politik dhe instrumentalizim të simboleve të UÇK-së në protestën disaditore në Tiranë.

Kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se "është e papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës sonë që në emër të UÇK-së, të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare".

Sipas tij, OVL e UÇK-së rithekson me përgjegjësi të plotë se kauza e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i asnjë agjende politike të ditës apo i interesave të ngushta personale e partiake.

"OVL e UÇK-së u bën thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që ta garantojnë integritetin e protestës dhe të mos lejojnë asnjë përpjekje për manipulim, keqpërdorim apo vetëdeklarim të rremë në emër të ish-ushtarëve apo veteranëve të UÇK-së. UÇK-ja është pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë dhe duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike", ka shkruar Gucati. /Telegrafi/



Protesta qytetare në Tiranë, një grup protestuesish kaluan natën përpara Kryeministrisë

22 June 2026 at 08:50


Një grup protestuesish vijon të qëndrojë përpara Kryeministrisë edhe mëngjesin e kësaj të hëne.

Protestuesit janë vendosur në disa stola metalikë pranë godinës, ndërsa në shkallët e Kryeministrisë janë vendosur edhe këpucë, të cilat sipas organizatorëve simbolizojnë emigrimin.

Qëndrimi i protestuesve nisi pas përfundimit të protestës së zhvilluar të shtunën. Një pjesë e tyre vijuan të qëndrojnë përpara godinës së qeverisë edhe gjatë gjithë ditës së diel, duke vazhduar praninë e tyre në zonë. /Euronews.al/

“Grupe me grekë e serbë të infiltruar në protestë”, Rama reagon sërish për protestën në Tiranë

22 June 2026 at 07:30


Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale sa i përket protestave në Tiranë.

Ai ka ndarë një foto të nismëtarit Arben Kola, dhe me një shkrim poshtë saj ku ai citohet duke thënë për mediat: “Ka grupe greke dhe serbe në protestë, do t’i nxjerrim me emra”.

Në postimin e tij në Facebook, Kryeministri shkruan: “Ouuu….. Po ky vetë? Avash avash, të gjithë do dalin! Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme”.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë: Disa protestues me maska përdhosin flamurin e Izraelit në Tiranë

21 June 2026 at 10:25


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar për mediat, duke bërë me dije se disa persona të maskuar kanë hequr dhe kanë përdhosur flamurin e Ambasadës së Izraelit në Tiranë gjatë protestës së mbrëmshme.

Në reagim, Ministria dënon me forcë aktin, duke theksuar se veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes apo të drejtën për protestë paqësore, por përbëjnë shfaqje të urrejtjes dhe intolerancës.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë nga protestues të maskuar gjatë protestës së mbrëmshme”, thuhet në njoftim.

Sipas MEPJ, këto veprime janë të papajtueshme me vlerat demokratike dhe standardet evropiane, si dhe me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që karakterizojnë shoqërinë shqiptare.

“Veprime të tilla janë shfaqje të urrejtjes dhe nxitjes së saj, dhe janë krejtësisht të papajtueshme me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që Shqipëria i ka në themel”, thuhet në reagim.

Ministria thekson gjithashtu se Shqipëria mbetet e angazhuar për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Në reagim shprehet edhe solidariteti me Ambasadën e Shtetit të Izraelit, ndërsa theksohet se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk do të kenë vend në një shoqëri demokratike.


Dita e 19-të e protestës qytetare, policia merr në hetim 27 persona

19 June 2026 at 16:05


Pas ditës së 19-të të protestës qytetare, Policia e Tiranës ka njoftuar se ka proceduar penalisht 27 shtetas, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprime që, sipas autoriteteve, kanë cenuar rendin dhe sigurinë publike gjatë tubimit të zhvilluar.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, personat e proceduar akuzohen se kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit dhe kanë shkaktuar shqetësim për rendin dhe qetësinë publike. Policia pretendon se ata kanë orientuar pjesëmarrësit e protestës të lëvizin në disa akse të Tiranës, duke tejkaluar orarin dhe perimetrin e lëvizjes të njoftuar më parë për organizimin e tubimit.

Procedimi penal vjen pas veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e policisë në lidhje me protestën, ndërsa hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes vijojnë. /Euronews.al/

Dita e 18-të e protestës, qytetarët: Votimi në PE për zonat e mbrojtura, fitorja jonë e parë

17 June 2026 at 20:24


Protestat e qytetarëve kundër ndërtimit në zonën e Zvërnecit kanë vijuar edhe këtë të mërkurë, duke shënuar ditën e 18-të të mobilizimit të tyre.

Ndryshe nga ditët e mëparshme, protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” në orën 19:00, pas ndryshimit të orarit për shkak të temperaturave të larta.

Pas grumbullimit në shesh, qytetarët kanë marshuar drejt Kryeministrisë, ku janë parë me pankarta dhe flamuj në duar, ndërsa kanë bërë thirrje për bashkim të qytetarëve në protestë dhe për vijimin e qëndresës së tyre. Ndër kërkesat e protestuesve është kërkuar edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Ashtu si në ditët e mëparshme, në protestë janë parë edhe prindër me fëmijë të mitur, të cilët kanë marrë pjesë në marshime që pritet të zgjasin deri në orët e vona të natës në rrugët e kryeqytetit.

Paralelisht, protesta është zhvilluar edhe në qytetin e Elbasanit, ku një grup qytetarësh janë mbledhur për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Të rinj dhe qytetarë të tjerë kanë mbajtur pankarta dhe flamuj, ndërsa kanë mbajtur fjalime dhe kanë artikuluar kërkesa drejtuar qeverisë.

Gjatë protestës në Elbasan, një nga qytetarët e pranishëm u shpreh se qyteti po përballet me probleme të rënda të zhvillimit dhe menaxhimit, duke kritikuar politikat qeveritare.

Ndërkohë, protesta kryesore është përqendruar në Tiranë, ku pjesëmarrja mbetet më e lartë dhe ku pas fjalimeve protestuesit pritet të vijojnë marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit.

Rama: Transaksioni për Zvërnecin lirohet sapo të sqarohet pronësia e tokës

16 June 2026 at 15:03


Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë të gjatë për Vanity Fair, Itali, ku ka sqaruar mes të tjerash edhe për investimin në Zvërnec, apo ishullin e Sazanit, për synimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por edhe për karrierën e tij politike apo detaje nga jeta personale.

Intervista e plotë e Kryeministrit Rama për “Vanity Fair”:

Kryeministri Rama: Muret e kësaj zyre po lëvizin

Gazetarja: Në ç’kuptim?

Rama: Kur fitova zgjedhjet për herë të parë, në vitin 2013, i kërkova një këshillë Tony Blair-it. Ai m’u përgjigj: “Të qeverisësh një vend është si të qëndrosh përballë një afresku. Duhet të mbash distancën e duhur; nëse afrohesh shumë, humb pamjen e përgjithshme”. Problemi është se, shpesh, është vetë afresku që vjen drejt teje. Muret ngushtohen derisa të bëjnë të ndihesh si në një qeli nga e cila nuk mund të shpëtosh.

Gazetarja: Hapësirën jetike të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për të gjithë Edi, 62 vjeç, më 4 korrik, dy metra i gjatë, e shtrëngojnë nga njëra anë drejtësia, hetimet e së cilës për korrupsion kanë arritur deri te zëvendësja e tij Belinda Balluku; nga ana tjetër, opozita politike e Sali Berishës, lideri i së djathtës dhe ish-kryeministër, i cili nuk humbet rast pa e akuzuar se e ka shndërruar vendin në një “narko-shtet”. Pastaj janë afatet që duhen respektuar për t’u përshtatur me standardet, në shpresën e një anëtarësimi në BE në vitin 2027, objektivi kryesor i këtij mandati të tij të katërt.

Që nga 23 maji, mijëra njerëz janë derdhur në rrugët e Tiranës për të protestuar kundër dhënies së ishullit të Sazanit dhe bregdetit të Vlorës Jared Kushner-it dhe Ivanka Trump-it, të cilët synojnë të ndërtojnë resorte luksoze në zona të paprekura dhe të banuara nga pelikanë e flamingo.

Pikërisht flamingot janë bërë simboli i një lëvizjeje, “revolucioni i flamingove”, që vazhdon me slogane si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe që shpejt ka shndërruar pakënaqësinë për çështjen mjedisore në një pakënaqësi më të gjerë ndaj establishmentit.

Kundër Ramës në radhë të parë, për dorëheqjen e të cilit kërkohet si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Madje edhe senatori amerikan demokrat Bernie Sanders, në një postim, është shprehur kundër përuljes së qeverisë shqiptare përballë “oligarkisë globale”.

I rrethuar nga më shumë se një front, ish-basketbollisti i ekipit kombëtar dhe artisti i shquar, ish-kryetar i bashkisë së Tiranës dhe lider i Partisë Socialiste, ndërton mbrojtjen e tij duke vënë në dyshim pikënisjen.

Kryeministri Rama: Nëse do të ishte e vërtetë që po shesim tokën tonë tek oligarkë të gatshëm ta shkatërrojnë me mega-ndërtime, do të isha i pari që do të ndihesha i neveritur. Por a është e vërtetë?

Gazetarja: Na e thoni ju.

Kryeministri Rama: Është një narrativë e ndërtuar mbi gjysmë të vërteta që, duke kaluar nga goja në gojë, nga postimi në postim, janë shndërruar në një gënjeshtër gjigante.

Le të fillojmë nga gjysmë të vërtetat. Ka dy site: i pari, bregdeti i Vlorës ishte pronë private dhe është shitur te investitorët.

Ka nga ata që thonë se shitja nuk ka qenë e ligjshme dhe se dhëndri i Donald Trump-it, Jared Kushner, tani është nën hetim.

Ish-pronari ishte nën hetim për një çështje tjetër. Tani transaksioni është pezull derisa të sqarohet pronësia e ligjshme e tokave, që në Shqipëri mbetet një çështje delikate që nga rënia e regjimit dhe rishpërndarja e titujve të pronësisë. Sapo të sqarohet pronësia, shuma do t’i paguhet atij që i takon

Gazetarja: Po siti i dytë?

Kryeministri Rama: Është ishulli i Sazanit, i cili i përket shtetit. Dhe nuk ka asnjë synim për ta shitur. Po negociojmë një partneritet. Më pas do të nisin analizat mjedisore për t’u siguruar që natyra të mbrohet.

Gazetarja: Ju akuzoheni se keni ndryshuar ligjin për mbrojtjen e mjedisit pak para se të fillonin negociatat me Kushner-in, pikërisht për t’i hapur rrugën atij.

Kryeministri Rama: Ne e kemi përshtatur legjislacionin tonë me standardet europiane që parashikojnë nivele të ndryshme mbrojtjeje. Ka zona të paprekshme, si delta e lumit Vjosa, dhe zona ku mund të ndërtohet, gjithmonë duke respektuar standardet e BE-së.

Gazetarja: Protestuesit kërkojnë heqje të plotë dorë nga projekti?

Kryeministri Rama: Gjëja kurioze është se ende nuk ka një projekt konkret. Ka një ide, një ëndërr për të cilën po punojnë disa nga arkitektët dhe inxhinierët mjedisorë më të mirë në botë. Po flas për njerëz si Kengo Kuma, Jean Nouvel, Dong Yugan. Kur projekti të jetë gati, do ta bëjmë publik me krenari dhe do të hapim diskutime me ambientalistët.

Gazetarja: Megjithatë mbetet fakti që çdo ndërhyrje do të ndikojë në mjedis më shumë se mungesa e ndërhyrjes.

Kryeministri Rama: Në këtë rast, megjithatë, pakti parashikon që në fund të ketë më shumë zona të gjelbra se sa në fillim. Dyshimet lindin nga supozimi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit janë domosdoshmërisht armiq. Ky është gabim. Vetëm turizmi luksoz mund ta shpëtojë vendin dhe natyrën e tij nga ndikimi shkatërrues i turizmit masiv. Por shumë nuk do të dëgjojnë sepse janë të fokusuar në gjëra të tjera.

Gazetarja: Në çfarë?

Kryeministri Rama: Te emri i investitorit: Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trump. Por kur nisën takimet, presidenti i SHBA-së ishte Biden dhe nuk dihej nëse Donald Trump do të përfundonte në Shtëpinë e Bardhë apo në burg. Mendoj se është gabim të përdoret Shqipëria për të bërë beteja politike të vendeve të tjera.

Gazetarja: Kujt i referoheni?

Kryeministri Rama: Lista është e gjatë. Mes protestuesve ka sigurisht një komponent të nxitur nga Irani. Nuk është sekret që Shqipëria është nën presion: Teherani ka tentuar më parë të kryejë një sulm kibernetik ndaj sistemeve tona të sigurisë vite më parë. Nuk ia dolën. Dhe tani po provojnë sërish duke ndërtuar një narrativë anti-Izrael sipas së cilës ky projekt është një favor për Netanyahun. Çmenduri. Pastaj ka edhe konkurrentë turistikë, të cilët natyrisht kundërshtojnë zhvillimin tonë. Nuk mungojnë as kundërshtarët e mi politikë. Pjesa tjetër janë njerëz të mirë që e besojnë vërtet. Atyre u them: prisni të shihni projektin dhe pastaj gjykoni.

Gazetarja: Ndërkohë ata po i kërkojnë të largohet. A e mendon ndonjëherë këtë?

Kryeministri Rama: Për sa kohë do të ndiej zjarrin e pasionit, do të qëndroj. Nëse Shqipëria do të pranohej vërtet në BE, mbledhja e parë si shtet anëtar do të ishte rasti më i bukur për të dhënë dorëheqjen.

Gazetarja: A jeni ende i gatshëm të hiqni dorë nga e drejta e vetos?

Kryeministri Rama: Absolutisht. Europa duhet të jetë si një tryezë familjare ku ka hierarki. Nuk flas për kategori të ndryshme qytetarie, por BE-ja nuk mund të funksionojë me konsensus të plotë të të gjithëve.

Gazetarja: Sa i leverdis BE-së t’ju pranojë?

Kryeministri Rama: Një studim i fundit i Parlamentit Europian thotë se, në aspekt financiar, ta lësh Ballkanin Perëndimor jashtë është më e kushtueshme sesa t’a fusësh brenda.

Gazetarja: Ka edhe një mundësi politike për t’ia hequr atë zonë ndikimit të Moskës?

Kryeministri Rama: Jo për Shqipërinë, e cila nuk ka pasur marrëdhënie zyrtare me Kremlinin që nga viti 1960: asnjë vizitë shtetërore që atëherë. Tek ne, popullariteti i Putinit nuk kalon 2.7 për qind. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për vende si Serbia, që e shohin Rusinë si një aleat të mundshëm.

Gazetarja: Megjithatë ju keni thënë disa herë se me Putinin duhet folur për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kryeministri Rama: Po, do të ishte e udhës të hapet një tryezë negociatash, sepse Rusia është aty dhe do të mbetet. Dhe Europa ka një rol diplomatik, edhe në konflikte shumë të ashpra si ai mes Izraelit dhe Hamasit: ka gjak, por ka edhe dialog.

Gazetarja: Ju keni deklaruar gjithmonë se Shqipëria është mik i Izraelit. Sot si e shihni qeverinë e Netanyahut dhe veprimet e saj në Palestinë? Sipas të dhënave të fundit flitet për mbi 20 mijë fëmijë të vrarë.

Kryeministri Rama: Pas rënies së regjimit, Shqipëria ishte e izoluar, pa aleatë në Lindje apo në Perëndim. Kemi vuajtur shumë dhe tani që kemi marrëdhënie të mira me Izraelin, me vendet e Gjirit, me Turqinë, nuk mund të lejojmë një politikë “barrikadash”. Unë e konsideroj Hamasin të keqen absolute. A jam dakord me gjithçka që bën e djathta izraelite? Jo. A jam në pozitë t’i mbaj moral dikujt? Jo.

Gazetarja: A vlen e njëjta logjikë edhe për qendrat e pranimit të emigrantëve, pavarësisht se ju vetë vini nga një histori emigracioni?

Kryeministri Rama: Mendoj këtë se ne nuk duhet të bëjmë pyetje kur qeveria italiane na kërkon ndihmë, sepse ju nuk keni bërë pyetje kur ne kishim nevojë.

Gazetarja: Me Giorgia Melonin vini nga dy botë ideologjike shumë të largëta.

Kryeministri Rama: Nuk më duket se ajo është trashëgimtare e Mussolinit. Më duket më shumë trashëgimtare e Pentapartitit. Dhe nuk besoj se ideologjitë e ndryshme mund të pengojnë bashkëpunimin.

Gazetarja: A ka pasur një kohë kur ideologjia ishte gjithçka për ju?

Kryeministri Rama: Po ju them vetëm këtë: unë e kam mësuar italishten nga gjyshja ime, që ishte nga Venezia. Pastaj e lashë kur u bëra marksist dhe e konsideroja gjuhën tuaj si gjuhë fashistësh. Më vonë u riktheva, duke kuptuar se nuk mund të isha aq budalla.

Gazetarja: Për cilën periudhë flasim?

Kryeministri Rama: Adoleshenca ime. Ishte një djalë rebel, jo në kuptimin që ikja nga shtëpia. Ishte rebel në mendje. Nëna ime më thoshte: “Ajo gjuhë do të të çojë në ferr”.

Gazetarja: A kishte të drejtë?

Kryeministri Rama: Për pak më çoi në morg. Gjatë një periudhe para rënies së financave, dikush më bëri një pritë. Kishin fytyrat e mbuluara dhe shufra hekuri në duar. Më lanë në rrugë, pothuaj i vdekur. Ai episod mund të kishte ndryshuar jetën time.

Gazetarja: Domethënë?

Kryeministri Rama: Kisha vendosur të rrija në Paris, ku kisha shkuar me bursë si piktor. Pikturoja, ekspozoja, besoja te filozofët e rinj francezë. Sillesha si një intelektual i angazhuar.

Gazetarja: Pastaj?

Kryeministri Rama: Më vdiq babai, me të cilin isha shumë i lidhur. U ktheva në Shqipëri dhe po atë ditë të funeralit, kryeministri i atëhershëm, Fatos Nano, më ofroi postin e Ministrit të Kulturës. E kisha refuzuar më parë, por atëherë ndihesha fajtor sepse jetoja jashtë vendit. Pranova. Pak më vonë më vjen në shtëpi zëdhënësi i tij dhe më thotë: “Më duhet CV-ja jote”. Mora një copë letër dhe shkrova: “Jam Edi Rama, i lindur më 4 korrik, dhe kjo duhet të mjaftojë”.

Gazetarja: A jeni penduar që jeni kthyer?

Kryeministri Rama: Kur u ktheva në Paris për të marrë gjërat e mia, qava gjatë gjithë rrugës. Pas kësaj kurrë më. Kam pasur momente të vështira, por kam jetuar intensivisht. Jeta ime është si një film. Nuk kam asgjë tjetër për t’i kërkuar Zotit.

Gazetarja: A jeni besimtar?

Kryeministri Rama: Jam katolik, por nuk frekuentoj kishën. Isha shumë i lidhur me Papa Françeskun: ai më thoshte shpesh se lutej për mua dhe për Shqipërinë. Në një takim isha me bashkëshorten time, Linda, dhe djalin tonë, Zaho, i sapolindur. Familja jonë është multireligjioze: gruaja është myslimane, fëmijët nga martesat e para janë ortodoksë. E pyeta Papën: “Dhe ky i fundit çfarë duhet të bëhet?”. Ai tha: “Do ta vendosë vetë”.

Gazetarja: Edhe Papa Leone ju pëlqen?

Kryeministri Rama: E kam takuar vetëm një herë. Është ndryshe nga paraardhësi i tij: shumë më pak i hapur dhe ekstravert. Megjithatë më duket se ka një karakter të fortë dhe vullnet të mirë.

Gazetarja: A mendoni se do të jetë në gjendje të vendosë një kufi ndaj konflikteve?

Kryeministri Rama: Nuk besoj se ndalimi i luftërave është pjesë e mundësive të një Pape. Zëri i tij shërben për t’u treguar njerëzve një “kopsht” tjetër ku të shohin: si kultura apo arti.

Gazetarja: Çfarë hapësire ka sot arti në jetën tuaj?

Kryeministri Rama: Vizatoj sa herë që mundem, edhe në zyrë.

Gazetarja: Por përballë tavolinës tuaj të punës, megjithatë, nuk ka janë të varura vetëm pikturat e tua, por një vizatim i Zaho-s, me një mbishkrim: “Babi, jam krenar për ty”.

Kryeministri Rama: Nuk ka njohur diçka më të mirë. Nuk jam babai që do të doja të isha: puna nuk ma lejon.

Gazetarja: A jeni burri që do të donit të ishit?

Kryeministri Rama: Njerëzit thonë se fitoj zgjedhjet sepse nuk kam një opozitë të besueshme. Nuk e dinë se opozitën më kokëfortë e kam në shtëpi. Linda më sfidon gjithmonë të mendoj në një mënyrë tjetër, më të drejtë moralisht. Ajo është ekonomiste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Nuk bën kompromiset që të heqin gjumin.

Gazetarja: Për çfarë po e humbni gjumin kohët e fundit?

Kryeministri Rama: E humb shpesh sepse nuk arrij të mbaj distancën e duhur, siç më këshillonte Tony Blair. Ndonjëherë ndihem i mbytur. Herë të tjera ndihem i vetmuar. E di që kam pranë njerëz besnikë, e di që kam familjen time, por kur duhet të marr vendime të caktuara nuk kam askënd tjetër. Sepse, sido që të shkojë, je ti ai që i merr ato vendime. Dhe je ti ai që i paguan pasojat. /Tch/

Dita 15 e protestës, qytetarët kërkojnë largimin e Ramës

14 June 2026 at 21:05


Qytetarë të shumtë kanë nisur të grumbullohen pasditen e kësaj të diele në Sheshin Skënderbej, duke shënuar protestën e 15-të radhazi kundër politikave qeveritare dhe projektit të investimit në zonën e Zvërnecit.

Qytetarët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.

Tubimi ka nisur në qendër të kryeqytetit, ndërsa protestuesit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, duke ndjekur itinerarin e protestave të mëparshme.

Sipas organizatorëve, protesta synon të përcjellë kundërshtimin ndaj vendimeve që lidhen me statusin e investitorëve strategjikë dhe ndryshimet ligjore që, sipas tyre, ndikojnë në zonat e mbrojtura mjedisore.

Mes kërkesave kryesore të protestuesve janë dorëheqja e qeverisë, rishikimi i politikave për investimet strategjike dhe anulimi i akteve ligjore të kontestuara.

Pas ndalesës para Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe deklarata publike, marshimi do të vijojë në disa prej akseve kryesore të Tiranës.

Dita e 10-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët mblidhen në shesh për Zvërnecin

9 June 2026 at 18:50


Edhe këtë të martë, në orën 18:00, përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, në ditën e 10-të të protestës për çështjen e zonave të mbrojtura.

Ata kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë me thirrje të tilla si “Shqipëria është e shqiptarëve” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.

Nga aty, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ndërsa më pas janë ndalur përpara Kryeministrisë, ku po vijojnë tubimin e tyre.

Paralelisht, protesta të ngjashme zhvillohen edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Korçën, Vlorën etj.

Protesta që nisi fillimisht si reagim kundër projektit turistik në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, ka hyrë sot në ditën e dhjetë të saj. Lëvizja u zhvillua pas kundërshtimeve ndaj investimit të planifikuar në zonë të mbrojtur dhe më pas u zgjerua në një mobilizim më të gjerë qytetar.

Gjatë ditëve të protestës, qytetarët kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Në tubimet e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera janë dëgjuar gjithashtu thirrje kundër të gjithë klasës politike.

Organizatorët kanë njoftuar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.

Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar se po ndjek nga afër zhvillimet në zonën Pishë Poro–Nartë dhe se i ka përcjellë shqetësimet Ministrisë së Mjedisit lidhur me mangësitë e mundshme të projektit. Zëdhënësi Guillaume Mercier bëri të ditur se punimet janë pezulluar dhe se pritet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile, duke kujtuar gjithashtu se projekti është objekt hetimi nga SPAK.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama deklaroi në një konferencë me gazetarë europianë se protesta është nxitur nga një akt dhune i një punonjësi sigurie ndaj një qytetari, për të cilin janë marrë masa të menjëhershme. Ai theksoi se nuk ekziston një projekt i miratuar për t’u anuluar, por vetëm një shprehje interesi dhe një proces konsultimi, duke e cilësuar investimin si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Ndersa për këtë çështje, SPAK ka nisur gjithashtu një hetim, teksa ka bllokuar llogaritë bankare të pronarëve të tokës, duke vendosur sekuestro për shumën prej 195 milionë dollarësh, e transferuar drejt tyre nga vëllezërit nga Katari.

Ndërkohë, organi i akuzës po verifikon edhe një sërë vendimesh gjyqësore që lidhen me titujt e pronësisë, ndërsa thuhet se konfliktet ligjore mbi pretendimet për sipërfaqet e tokave vijojnë të mbeten ende të hapura.

- YouTube www.youtube.com

Shqiptarët për Amerikën: Protestat në Shqipëri nuk janë kundër investimeve amerikane, por kërkesë për transparencë

9 June 2026 at 14:04


Organizata Albanians for America (AFA) ka reaguar lidhur me protestat publike që po zhvillohen në Shqipëri për projektet e propozuara turistike dhe zhvillimore përgjatë bregdetit jugor, përfshirë debatet e fundit që lidhen me zonën e Zvërnecit.

Në një deklaratë zyrtare, AFA thekson se shqetësimet e ngritura nga qytetarët shqiptarë nuk duhet të interpretohen si kundërshtim ndaj investimeve amerikane apo partneriteteve ndërkombëtare.

“Shqiptarët prej kohësh e kanë mirëpritur angazhimin amerikan dhe vazhdojnë t’i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si një nga partnerët më të afërt dhe më të besueshëm të Shqipërisë,” thuhet në deklaratë.

Organizata nënvizon se investimet e huaja të përgjegjshme mund të krijojnë vende pune, të zgjerojnë mundësitë ekonomike dhe të kontribuojnë në prosperitetin afatgjatë të vendit.

Megjithatë, AFA vëren se zhvillimi i qëndrueshëm kërkon transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje kuptimplotë të publikut në proceset vendimmarrëse.

Sipas organizatës, qytetarët kanë të drejtë legjitime të kërkojnë qartësi dhe informacion mbi projektet që mund të ndikojnë zonat e mbrojtura natyrore, komunitetet lokale, trashëgiminë kulturore dhe të ardhmen e vijës bregdetare shqiptare.

Siç thuhet në njoftim debati aktual tejkalon një projekt të vetëm investimi dhe prek çështje themelore të qeverisjes demokratike.

“Çështja me të cilën përballet Shqipëria sot lidhet me mënyrën se si merren vendimet me rëndësi kombëtare, si konsultohen komunitetet dhe si arrihet një ekuilibër ndërmjet zhvillimit ekonomik, mbrojtjes së mjedisit dhe sundimit të ligjit,” thekson AFA.

Organizata shprehet se demokracitë e forta ndërtohen kur institucionet dëgjojnë qytetarët, adresojnë shqetësimet publike në mënyrë të hapur dhe zhvillojnë iniciativa madhore përmes proceseve të qarta dhe të parashikueshme. Sipas saj, këto parime nuk përbëjnë pengesë për investimet, por janë bazë e rëndësishme për besimin afatgjatë të investitorëve dhe për rritjen e qëndrueshme ekonomike.

AFA gjithashtu thekson se, ndërsa Shqipëria vazhdon rrugën drejt integrimit evropian, besimi i publikut mund të forcohet përmes vendimmarrjes së hapur, qeverisjes së përgjegjshme dhe respektimit të pjesëmarrjes demokratike. /Telegrafi/

❌