Më shumë se 10 milionë gjermanë e gjermane u anëtarësuan në partinë naziste. Arkivi Kombëtar Amerikan i ka bërë tani publike fletëanëtarësitë e tyre, pastaj gazetat gjermane kanë publikuar në rrjet makina kërkimi: tani miliona gjermanë po interesohen për të kaluarën e familjarëve të tyre.
I.
80 vjet më parë shumë familje gjermane morën një pako me ushqime. Në pako shkruante me shkronja të mëdha «CARE». Dhurata vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat më 1945 kishin mposhtur regjimin barbar nazist. Brenda pakos kishte çokollatë, kafe, gjalpë, vaj, qumësht pluhur etj. Shumë nga këto produkte gjermanët nuk i kishin parë kurrë. Kishte qytete gjermane që i luteshin autoriteteve të mos i linin të vdisnin urie. 30 milionë njerëz ishin të zhvendosur. Organizata «CARE» u themelua në nëntor 1945 nga 22 shoqata bamirëse amerikane, me emrin «Cooperative for American Remittances to Europe». Pakot e para arritën në Bremerhaven të Gjermanisë veriore më 15 korrik 1946. Vetëm gjatë viteve 1946/47 tre milionë njerëz mbijetuan falë «CARE». Kur sovjetikët bllokuan Berlinin, «CARE» ishte organizata e vetme private që vazhdoi ndihmën për Berlinin Perëndimor.
II.
80 vjet më vonë e kaluara naziste vazhdon të jetë e pranishme në shoqërinë gjermane. Disa familje kujtojnë ndihmën amerikane nëpërmjet pakove «CARE», të tjerat - duhet të jenë miliona familje ndërkohë - janë duke kaluar shumë kohë në uebfaqet e gazetës «Süddeutsche Zeitung» dhe të përjavshmeve «Der Spiegel» dhe «Die Zeit». Këto media të rëndësishme gjermane kanë instaluar në faqet e tyre digjitale makina kërkimi, nëpërmjet të cilave gjermanët mund të verifikojnë nëse paraardhësit e tyre - gjyshi, gjyshja, daja, tezja - kanë qenë apo jo anëtarë të partisë naziste NSDAP. Si u bë kjo e mundur? Sërish falë amerikanëve. Më saktë: në mars të këtij viti Arkivi Kombëtar i SHBA-së publikoi në internet miliona karta anëtarësimi të NSDAP-së. Tani, për të marrë përgjigjen e thjeshtë në pyetjen se «a ka qenë gjyshi im anëtar i partisë naziste», nuk duhet të hulumtohet me javë të tëra nëpër arkiva - mjafton një klikim dhe brenda pak sekondash sistemi e jep përgjigjen.
III.
Nga këndvështrimi i jashtëm përballja e gjermanëve me të kaluarën shikohet si shembullore. Por kjo histori është pak më komplekse. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore gatishmëria për të pranuar krimet e nazistëve pothuaj nuk ekzistonte. Shumë nazistë vazhduan karrierën e tyre në administratën e re. Kancelari i parë i Gjermanisë Perëndimore, Konrad Adenauer, kështu e arsyetoi tolerimin e nazistëve në sistemin e ri: «Nuk derdhet uji i ndotur kur s'ke ujë të pastër».
Katër ngjarje apo zhvillime ndikuan që shumë gjermanë të heqin dorë nga mohimi i krimeve naziste. E para: procesi kundër Adolf Eichmannit më 1961-62. Eichmann ishte organizatori kryesor i deportimit të mbi 1,5 milionë hebrenjve. Në maj të vitit 1960 ai u kap nga shërbimi sekret izraelit Mossad në Argjentinë, ku ishte fshehur pas Luftës së Dytë Botërore. Eichmann u gjykua në Jerusalem dhe u dënua me varje. (Një fusnotë: fotografitë ikonike të Eichmannit në sallën e gjyqit dhe në qeli i ka shkrepur Gjon Mili, fotografi i famshëm amerikan me origjinë shqiptare. Mili u lind më 1904 në Korçë dhe nëpërmjet Rumanisë emigroi në SHBA). Procesi kundër Eichmannit e ballafaqoi masën e madhe të gjermanëve me krimet naziste.
Ngjarja e dytë lidhet me lëvizjen e studentëve të vitit 1968. Të rinjtë e rebeluar pyetën prindërit: «Çfarë bëtë ju gjatë nazizmit?» Këtu nisi thyerja e heshtjes brenda familjeve. Ngjarja e tretë ka të bëjë me serinë televizive amerikane «Holocaust» të vitit 1979, në të cilën luajti edhe aktorja e famshme Meryl Streep. Kjo seri nuk prezanton shifra abstrakte, por përshkruan fate konkrete viktimash. Miliona gjermanë e shikuan serinë dhe panë se çfarë tragjedish kishte shkaktuar nazizmi. Ngjarja e katërt i përket fjalimit historik të presidentit Richard von Weizsäcker, mbajtur më 8 maj 1985, në 40-vjetorin e përfundimit të luftës. Ai e quajti 8 majin e vitit 1945 si «ditë çlirimi», jo ditë humbjeje.
IV.
Bërja publike e fletëanëtarësimeve u jep mundësi gjermanëve që sërish, tash në epokën digjitale, të gërmojnë në të kaluarën e familjeve të tyre. «Süddeutsche Zeitung» ka botuar, për shembull, një tekst impresiv të një gazetareje, e cila ishte rritur me rrëfimin se gjyshi i saj ishte vetëm hero. Ai ishte vrarë nga nazistët më 1945 pasi ishte angazhuar që qyteti i tij i lindjes t'u dorëzohej amerikanëve, ngaqë rezistenca nuk kishte më kuptim. Tani një klikim në makinën e kërkimit ka nxjerrë në sipërfaqe një anë tjetër të gjyshit të saj: ai rezulton të ketë qenë anëtar i partisë naziste. A ishte kryengritës? Jo, është përgjigjja e prerë e një arkivisti. Por a mund të etiketohet vetëm si nazist? Jo. Sepse në një moment ai tregoi kurajë civile kundër nazistëve. Historia është e ndërlikuar. Një gazetar tjetër i «Süddeutsche Zeitung» pyet veten se përse stërgjyshja e tij u anëtarësua në partinë naziste, ndonëse më 1939 në Szpęgawsk, në jug të Gdańskut polak, nazistët pushkatuan rreth 7000 polakë. Afër vendit të krimit gjendej prona familjare e paraardhësve të gazetarit.
V.
Gazeta «Süddeutsche Zeitung» i ka kushtuar gjithmonë vëmendje të veçantë përballjes me të kaluarën naziste të Gjermanisë. Kjo lidhet edhe me faktin se selia e saj ndodhet në München, qytet që gjatë regjimit nazist njihej si «Kryeqyteti i Lëvizjes» («Hauptstadt der Bewegung»), shkruan në një njoftim «Süddeutsche Zeitung». Në München u themelua partia naziste NSDAP. Këtu Adolf Hitleri ndihej si në shtëpinë e vet. Në München administrohej edhe regjistri qendror i anëtarëve të NSDAP-së.
Nganjëherë historia prodhon ngjarje të pabesueshme. Numri i parë i «Süddeutsche Zeitung» u shtyp me pllaka tipografike të prodhuara nga shkrirja e shkronjave prej plumbi të përdorura për shtypjen e librit të Hitlerit, «Mein Kampf» («Lufta ime»).
Që në fillimet e saj, gazeta synonte t'u drejtohej, siç thuhej në parathënien e numrit të parë të 6 tetorit 1945, të gjithë atyre që ishin të bashkuar «në urrejtjen ndaj shtetit totalitar dhe në neverinë ndaj çdo gjëje që përfaqësonte nacional-socializmin».
3 milionë euro për të subvencionuar policat e mërgimtarëve me rroga të Zvicrës - kjo nuk duhet të jetë zgjidhje e përhershme. Ndani këto para për ndonjë punë më të dobishme për Kosovën!
Qeveria e Kosovës paska vendosur të ndajë 3 milionë euro për të subvencionuar policën kufitare, siç thuhet, «për mërgatën tonë që vjen me vetura në vizitë përgjatë kësaj periudhe», pra gjatë verës.
Vendimi i parë për të mbuluar shpenzimet e policës u mor që në vitin 2020, kur VV bashkëqeveriste me LDK-në (formalisht vendimin e pati nënshkruar ministrja e Financave që vinte nga LDK-ja). U tha atëbotë se bëhej fjalë për një «zgjidhje të përkohshme» derisa të gjendej zgjidhja e përhershme, pra anëtarësimi i Kosovës në sistemin europian të Kartonit të Gjelbër.
Zyrtarë të Kosovës kanë përmendur dy arsye pse Kosova nuk po pranohet në këtë sistem: a) Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe b) numri i madh i veturave të pasiguruara.
Para se të vinte në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje premtoi se do të angazhohej për ta zgjidhur këtë problem. Nuk e zgjidhi, madje atë «zgjidhjen e përkohshme» (subvencionimin) duket se e ka bërë zgjidhje të përhershme. Ndan para çdo vit për të subvencionuar policën e sigurimit.
Kjo praktikë duhet të marrë fund. Në të kaluarën polica e sigurimit ka kushtuar mbi 40 euro për një muaj. Ndërkohë është zbritur në 20.
Për dy javë kushton vetëm 15 euro. Kjo shumë është e përballueshme për çdo mërgimtar, sidomos kur merret parasysh se mërgimtarët udhëtojnë gratis me vetura nëpër autostradat e Kosovës.
Në Zvicër vinjeta vjetore për autostradë kushton 40 franga. Nëse një mërgimtar niset nga Zürichu për në Kosovë, ai duhet të paguajë gati 10 euro për vinjetën e Austrisë, 15 euro për tunelin Tauern, 9 euro për tunelin Karavanke (në kufi me Slloveninë). Nuk mbaron me kaq.
Vetëm për të kaluar nëpër Slloveni vinjeta kushton 16 euro. Rreth 20 euro duhet t’i paguhen shtetit kroat për të kaluar në autostradën e tij nga kufiri me Slloveninë deri në kufi me Serbinë.
Minimum 15 euro paguan kush kalon me veturë nëpër Serbi. (Pak a shumë këto janë çmimet, mund të ketë ndonjë ndryshim minimal). Total rreth 90 euro vetëm për tarifa rrugore nga Zürichu deri në kufi me Kosovën.
Kosova është ndër vendet më të varfra në Europë. Rroga mesatare është vetëm 639 euro (të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga qershori 2025). Rroga mesatare në Zvicër është rreth 7400 euro. Dallimi mes buxheteve të dy vendeve më mirë të mos përmendet fare këtu.
Qeveria duhet t’ia shpjegojë opinionit pse nuk po arrihet zgjidhja për Kartonin e Gjelbër. Këtë duhet ta bëjë duke komunikuar me opinionin. Me gjuhë të thjeshtë, me argumente bindëse. Vetëm kështu sigurohet edhe mirëkuptimi i njerëzve. Moskomunikimi është ofendim i opinionit.
Një ndër pyetjet, të cilave duhet t’u përgjigjet urgjentisht qeveria, është edhe kjo: a vazhdon të jetë arsye për mospranimin e Kosovës në sistemin e Kartonit të Gjelbër numri i madh i veturave të pasiguruara në Kosovë?
Nëse po, atëherë pse nuk rregullohet kjo punë? Nëse jo, cilat janë arsyet e tjera për këtë bllokadë? A ka deputetë të partisë në pushtet që merren me këtë çështje apo të gjithë e kanë kufizuar punën e tyre me kopalla nëpër Facebook dhe me futje pykash?
3 milionë euro për të subvencionuar policat e mërgimtarëve me rroga të Zvicrës - kjo nuk duhet të jetë zgjidhje e përhershme. Mendoj se shumë mërgimtarë do të pajtoheshin nëse këto 3 milionë euro do të ndaheshin për bursa studentësh nga Kosova që studiojnë shkencat teknike në ndonjë universitet europerëndimor apo amerikan.
Kjo vetëm një ide. Me siguri ka edhe ide të tjera më të mira. Për shembull kjo shumë mund të investohet në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në mënyrë që më pak pacientë të shkojnë për trajtim në Stamboll apo në Shkup.
Qeveria duhet të ketë më shumë menaxherë që kryejnë punë dhe më pak llafazanë. Më së miri do të ishte: të mos ketë fare llafazanë. /Telegrafi/
E kam shkruar disa herë - së fundi më 6 qershor - se protesta në Tiranë u përket qytetarëve të Shqipërisë. Ata janë të revoltuar me regjimin e tyre, i cili u rri mbi kokë, dhe ata duhet të përballen me të. Kjo nuk është protestë që u përket kosovarëve dhe tetovarëve (as atyre imagjinarë të kryeministrit të Shqipërisë, i cili është bërë shumë i zellshëm në kërkimin e armiqve të jashtëm, poliagjentëve dhe imperialistëve të algoritmit). Duket se ka shikuar si tepër filma të Kinostudios “Shqipëria e Re”.
Partitë politike të Kosovës, edhe pas tri javësh protestash masive në Shqipëri, kanë zgjedhur të heshtin. Kjo do të thotë se duan të tregojnë qartë që nuk përzihen në zhvillimet politike në Shqipëri. Kjo qasje duhet përshëndetur.
Mund të ketë individë nga Kosova që zbresin në sheshet e Tiranës për të mbështetur protestën. Mund të ketë të tillë edhe nga Tetova. Por roli i tyre është i papërfillshëm, inekzistent. Megjithatë, kryeministri i Shqipërisë nuk duhet të humbë kohë me tekste të gjata në rrjete sociale. Nëse vërtet mendon se flamingot po i vijnë nga Ferizaj dhe jo nga Zvërneci, atëherë le t’ua ndalojë hyrjen në Shqipëri flamingove kosovare, edhe atyre që eventualisht kanë ardhur me kamion dhe kanë gënjyer se janë nga diaspora. Një kamion mund të bart ndoshta 70 veta. Por 70 mijë të tjerë në qendër të Tiranës janë shtetas të Shqipërisë.
Megjithatë, Edi Rama mund t’i zbulojë lehtë këta edepsëz e edepsëze kosovarë. Shefen e shërbimit sekret e ka importuar nga Kosova me buçima tamtami dhe ajo, me siguri, ka kapacitet që, me hafijet e saj, të zbulojë armikun e jashtëm kosovar. Me ata kosovarët e tjerë që mbrojnë çdo mbrapshti të Edi Ramës, as kryeministri i Shqipërisë, as regjimi i tij, as ministrat e tij nuk kanë asnjë problem. Kosovarët kritikë janë të padëshiruar, ndërsa kosovarët që i duartrokasin qeverisë së Shqipërisë janë të mirëpritur. Të parët ofendohen se po flasin “atë dialektin e rëndë kosovar”; të dytët - pa marrë parasysh sa të çalë mund ta kenë diksionin - trajtohen sikur të ishin pjesëmarrës në Kongresin famoz për standardizimin e gjuhës më 1972.
Meqë kryeministri i Shqipërisë paska aq shumë dëshirë që fajin për ngjarjet në vendin e tij t’ua lërë njerëzve jashtë Shqipërisë, e sidomos shqiptarëve të Kosovës, është e udhës të kujtojmë këtu se, nëse ka një politikan të Tiranës që brutalisht ka ndërhyrë negativisht në çështjet e Kosovës, emri i tij është Edi Rama.
Ka qenë i pari që i vendosi sanksione Kosovës, duke anuluar mbledhjet e përbashkëta të qeverive. Ka shkruar një letër-propozim për asociacionin e komunave serbe në Kosovë dhe ua ka dërguar kancelarit gjerman dhe presidentit francez. (Merreni me mend sikur një kryeministër apo president i Kosovës të shkruante një dokument për një autonomi të pakicës greke në Zvërnec dhe këtë letër t’ia dërgonte qeverisë gjermane, franceze dhe greke.)
Edi Rama e ka quajtur veriun e Kosovës “tokë e askujt”. (Si tingëllon në Tiranë po të dilte një udhëheqës kosovar e të thoshte: “Zvërneci - kjo tokë e askujt?”)
Sa herë që presidenti i Serbisë ka rënë në hall për shkak të politikave të tij autokratike, kryeministri i Shqipërisë i ka dalë në ndihmë - herë duke qortuar BE-në (imagjinojeni!) pse po i kërkonte Serbisë t’u bashkohej sanksioneve kundër Rusisë, herë duke shkruar editorial bashkë me Aleksandër Vuçiqin për një gazetë gjermane, ku të dy tregoheshin të gatshëm të hiqnin dorë nga anëtarësimi i plotë në BE.
Me pothuajse të gjithë kryeministrat e Kosovës Edi Rama ka pasur përplasje - njërin deshi ta hidhte në gjyq (R. Haradinajn), tjetrin (I. Mustafën) e qortoi pse nuk deshi të bëhej pjesë e “Mini-Schengenit Ballkanik”, projektit për zemër të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit; me Albin Kurtin Rama ka një raport të veçantë: dikur e quante partinë e Kurtit “pasuri kombëtare”, ndërkohë raportet janë prishur. Për këtë, një pjesë të fajit e bart edhe Kurti për shkak të ambicieve të tij fluturuese në të kaluarën, përfshirë pjesëmarrjen në zgjedhje në Shqipëri. Për fat të mirë nuk e ka përsëritur këtë gabim në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.
E kam shkruar vite më parë dhe po e përsëris: asnjë ndryshim në Shqipëri nuk vjen, nuk mund të vijë dhe nuk duhet të vijë nga jashtë. Ndryshimi vjen nga brenda, kur të piqen kushtet. Secili kryeministër i Kosovës duhet të përqendrohet në punët e Kosovës. Ato duhet të gëzojnë prioritet. Përrallat e VV-së për “bashkim kombëtar sapo të vijmë në pushtet” mbetën - përralla. Vetëm naivët mund të kenë besuar se bëhej fjalë për premtim serioz. Ama këto përralla dikur i pëlqenin Edi Ramës. Pothuaj në sinkron me VV-në, ai më 2018, gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë, propozoi që Shqipëria dhe Kosova të kenë një president të përbashkët. Deputetët e VV-së hynë në sallë vetëm kur nisi të flasë ylli i tyre nga Tirana, Edi Rama. Fillimin e seancës vëvëistët e bojkotuan meqë ua vriste veshët dhe ndjenjat patriotike himni i Kosovës. Buxheti i Kosovës, ndërkaq, nuk i ka penguar kurrë këta njerëz. Ata të tjerët para tyre në pushtet jo se jo.
Po shihet tashmë se përzierja e eksponentëve të VV-së në Maqedoni nuk u solli ndonjë të mirë shqiptarëve të atjeshëm. Kjo nuk do të thotë se do të kishin kaluar më mirë me BDI-në në pushtet, e cila u zhyt në korrupsion dhe - siç po shihet hapur - nuk ka zgjidhur shumicën e çështjeve për të cilat po diskutohet: gjuha, emërtimi i shesheve dhe rrugëve në Tetovë etj.
Madje, edhe me Hashim Thaçin kryeministri Edi Rama pati mospajtimet e tij. Më 2019, Thaçi refuzoi të marrë pjesë në samitin e Ohrit, një takim trepalësh ku ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për të diskutuar rreth nismës së ashtuquajtur “Mini-Shengeni Ballkanik” (më vonë i njohur si “Ballkani i Hapur”, ndërkohë i harruar). Në rolin e vëzhguesve morën pjesë në takim edhe kryeministri i Bosnjës, Zoran Tegeltija, dhe kanakari i Edi Ramës nga Mali i Zi dhe vikari i vetëshpallur i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Dritan Abazoviq, i cili atëbotë ishte kryeministër në Podgoricë. Thaçi e arsyetoi mospjesëmarrjen duke thënë se nuk mund të ishte pjesë e samiteve të organizuara nga shtete apo me pjesëmarrjen e shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ai iu referua Serbisë dhe Bosnjës. Afërsisht në të njëjtën kohë kur u mbajt samiti në Ohër, Thaçi dha një intervistë për Top Story në Top Channel, ku deklaroi se në vitet 90-të dyshohej për një takim të fshehtë në Ohër mes Sali Berishës, Sllobodan Millosheviqit dhe Kiro Gligorovit, ngjarje për të cilën pretendohej se aktivisti Remzi Hoxha kishte siguruar video-prova para se të rrëmbehej dhe të zhdukej. “Mendoj se dy njerëz e kanë pasur atë video, Azem Hajdari dhe Ali Uka; asnjëri prej tyre nuk jeton, dhe këtë mund ta thotë vetëm Sali Berisha, se ku ndodhet”, pati shtuar Thaçi. Politikanët shqiptarë kurrë s’kanë qenë të njohur për gjuhë të kujdesshme, shpesh deklaratat e tyre janë brutale, e tillë është edhe deklarata e Sali Berishës kundër Thaçit në tetor 2019 dhënë në Ora News: “Argati i Beogradit meriton vetëm atë që i kam thënë, është argat i Vuqiçit, mjeran i damkosur në mbarë Kosovën dhe tani në mbarë Europën. Shkoi në samitin e Berlinit për të shitur tokat e vendit të tij”.
Rama është përzier në Kosovë më shumë se Sali Berisha me marrëzitë e tij në vitet 1990, kur bënte thirrje që Kosova të pranonte një autonomi “brenda Jugosllavisë” dhe kur e përdorte Adem Demaçin, i cili kishte qejf të keqpërdorej, për t’i bërë presion Ibrahim Rugovës që kosovarët t’u bashkëngjiteshin protestave të opozitës serbe në Beograd kundër manipulimeve të zgjedhjeve lokale nga ana e Sllobodan Millosheviqit (thua se shqiptarët e Kosovës këtë hall kishin, ndërsa mezi mbijetonin nën aparteidin e regjimit të Beogradit). Në atë kohë, disa politikanë të opozitës shqiptare dhe kritikë të ashpër të Berishës shkuan për vizitë në Beograd për të përkrahur opozitën serbe dhe për t’ia bërë me dije se nuk mendojnë si ata “kosovarët primitivë”, të cilët kërkojnë pavarësi, sepse pavarësia e Kosovës, siç e pati thënë më vonë një kryeministër socialist i Shqipërisë, nuk i përshtatet Europës moderne, andaj i pati premtuar një mediumi gjerman se do të flasë me Ibrahim Rugovën. Me gjasë për t’ia ndryshuar mendjen. Një mision i pamundur!
Në Tiranë nuk po proteston Kosova. Shqipëria po proteston! Dhe këtë duhet ta kuptojnë politikanët e Partisë Socialiste dhe ata të Partisë Demokratike. Nuk po protestojnë agjentë rusë. Nuk po protestojnë agjentë serbë. Nuk po protestojnë agjentë grekë. Nuk po protestojnë agjentë iranianë. Masa e madhe po proteston kundër një modeli politik, i cili pasuron një shtresë të hollë duke grabitur resurset e shtetit dhe varfëron shumicën. A ka në këtë masë të madhe njerëz të papërgjegjshëm? Huliganë? Ka. Por të tillë ka në çdo protestë masive. Sikur Edi Rama të kishte fituar zgjedhjet vetëm me balerinë, violinistë dhe qëndistare të flamujve kombëtarë, do të kishte të drejtë t’i mallkonte demonstruesit me flamingo nën dritaret e zyrës së tij.
Heqja e flamurit të shtetit të Izraelit nga godina e Ambasadës izraelite në Tiranë, për shembull, është një akt i shëmtuar dhe i dënueshëm. Për aq sa mund të shihet, këtë akt e ka kryer një person i maskuar, ndërsa përreth tij gjendeshin dhjetëra të tjerë me fytyrë të zbuluar. Që prej shpërthimit të protestave, ka qenë i pranishëm rreziku që në turmë të depërtojnë fanatikë pseudomyslimanë, njerëz që nuk ndiejnë as për kombin shqiptar, as për detin shqiptar, as për të ardhmen e vendit. Ata kanë agjendë globale. Kjo agjendë e tyre nuk përputhet askund me interesat e protestuesve me ndjeshmëri mjedisore.
Përgjegjës për këtë që ndodhi para Ambasadës izraelite janë si autorët e drejtpërdrejtë të këtij veprimi të ndyrë, ashtu edhe të gjithë ata që u bënë pjesë e tij. Ata duhet të arrestohen dhe të marrin dënimin që meritojnë, në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar.
Megjithatë, kjo ngjarje nxjerr në pah edhe disa të vërteta shqetësuese: ky akt vështirë se do të kishte ndodhur, po të kishte vepruar policia me profesionalizmin e kërkuar. Në këtë rast, dështimi i saj është i plotë. Detyra e policisë ishte e qartë: të mbronte misionin diplomatik izraelit. Siç bën çdo shtet serioz. Edhe më i rëndë duket dështimi i shërbimit sekret shqiptar. Nëse një shërbim nuk arrin të parandalojë skena të tilla në zemër të kryeqytetit, atëherë lind natyrshëm pyetja: për çfarë ekziston? E gjithë kjo që ndodhi flet shumë edhe për sistemin e sigurisë të ngritur nga qeveria aktuale në Tiranë, një sistem i kriminalizuar, që u shërben më fort nevojave të politikës së ditës sesa interesave të shtetit.
Organizatorët e protestave duhet të tregohen të vëmendshëm, që të mos lejojnë depërtimin e ca mendjehumburve, të cilët, para se të “çlirojnë” Sazanin e Zvërnecin, ëndërrojnë të “çlirojnë” Gazën - madje, ndoshta, pasi të kenë shfletuar esenë mbi Kosovën të intelektualit palestinez Edward Said, figurë me të cilën pëlqejnë të identifikohen kritikët e kolonializmit.
Më 1999, Said llomotiste se Bill Clintoni “e ka shfrytëzuar krizën e Kosovës për të ndrequr dëmin që i bëri vetes me çështjen Lewinsky”, ndërsa shtronte pyetjen se cilat do të ishin, në të ardhmen, marrëdhëniet e shqiptarëve të Kosovës me Serbinë, “e cila ka një të drejtë sovraniteti të pamohueshëm në këtë krahinë”.
Nuk është befasi që ka njerëz që duan ta keqpërdorin protestën për agjendat e veta. Para disa ditësh, disa komunistë mendjehumbur të kasabasë së Zürichut dolën në një shesh për të protestuar, meqë, pas Gazës, dhëndri i Trumpit paskësh dëshiruar të merrte edhe Sazanin. Këtyre hutaqëve iu bashkuan edhe disa djem e vajza shqiptare me flamuj kombëtarë, duke mos pranuar të kuptonin se Gaza dhe Sazani nuk kanë asgjë të përbashkët, as në histori, as në hall.
Shqetësimi i vetëm i protestuesve do të duhej të ishte përballja me një qeveri arrogante në Tiranë, e cila merr vendime mbi kokat e qytetarëve, pa pyetur askënd, pa sqaruar kushtet e investimit dhe pa dëgjuar shqetësimet e banorëve. Kjo protestë mund të quhet që tani historike, sepse i ka treguar regjimit se durimi ka një kufi dhe se, përtej atij kufiri, nis mosbindja dhe zemërimi qytetar. Tërheqja zvarrë e protestuesit në Zvërnec kishte një simbolikë të fuqishme - një pamje që të jepte ndjesinë se, në të njëjtën mënyrë, po tërhiqet zvarrë edhe Shqipëria nga një kastë politikanësh të korruptuar, të lidhur pazgjidhshmërisht me një rreth oligarkësh.
Kjo është protestë kundër një kryeministri që thotë se nuk di asgjë për grupet okulte që paratë e fituara nga tregtia globale me drogë i investojnë në ndërtimin e rrokaqiejve në Tiranë dhe resorteve turistike në Adriatik dhe Jon. Si është e mundur kjo? Kush i lëshon lejet për ndërtime të tilla? Kush i kontrollon transferet e parave? Ku janë policia, shërbimi sekret, prokuroria, policia financiare? Politika? Ministrat?
Fajtore qenka Kosova! Pasi nuk funksionoi propaganda për diskreditimin e tërë protestuesve me lloj-lloj akuzash dhe me vokabular enverhoxhist, mes tyre më e tmerrshmja ishte kur kryeministri i krahasoi djemtë dhe vajzat e Shqipërisë, shumë prej të cilëve votues të dëshpëruar të tij, me falangat (jo flamingot!) e Benito Mussolinit. T’i quash bashkëkombësit e tu fashistë? Apo sorra e korba? Kjo është gjuhë shqetësuese. Dhe nuk është gjuhë e nivelit të kryeministrit. Kjo gjuhë nuk duhet të ketë vend në hapësirën publike.
Në të njëjtën kohë, asnjë fjalë nga kryeministri për Belinda Ballukun, e cila, sipas SPAK-ut, u shpërblye me një vilë sipas parimit: unë ty tenderin, ti mua vilën në Dhërmi. Asnjë fjalë për skemën e dyshuar për pastrim parash. Asnjë fjalë për dyshimet se miliona nga tregtia me kokainë po futen në ekonominë shqiptare. Asnjë fjalë për dëmet e mëdha që iu shkaktuan buxhetit nga afera e inceneratorëve. Asnjë fjalë për futjen në parlament të figurave që më shumë e kanë vendin në burg sesa në institucionin e lartë të përfaqësimit të vullnetit popullor. Kryeministri i Shqipërisë me gjasë nuk ka qenë kurrë në Aruba, në atë ishullin e famshëm ku thuhet se një grup shqiptarësh që nuk shquhen për respektim të ligjeve bënë plane për investime në Shqipëri. Por detyrë e kryeministrit është të kujdeset që kapitali i siguruar nga shitja e kokainës të mos depërtojë nga Aruba në Adriatik. Kur e ka marrë pushtetin është betuar se do të punojë për të mirën e Shqipërisë, jo në dëm të saj.
Athua për të gjitha këto probleme të Shqipërisë fajet i paskësh Kosova? Sa herë që regjimi në Tiranë përballet me probleme, fajtorë kujdestar gjenden shqiptarët e Kosovës. Kjo politikë etiketimesh me nuanca racizmi të internalizuar nuk i zgjidh hallet e Edi Ramës. Ka potencial vetëm të shkaktojë tensione mes shqiptarëve në rajon.
Lexova një ish-ministër të Ramës që tha se nuk ka “hajvanllëk më të madh sesa të vish nga Kosova për ta rrëzuar qeverinë në Tiranë”. Ky ish-ministër dhe të ngjashmit do të tingëllonin të besueshëm, po të kishin guxuar në të kaluarën t’i kërkonin kryeministrit të tyre që të mos i bënte dëme Kosovës me paradat e tij kuazidiplomatike. A bëhej fjalë edhe aty për hajvanllëk, nëse duam të ruajmë “origjinalitetin e sharjeve” të politikanit nga Tirana?
Meqë kryeministri i Shqipërisë këto ditë ka qejf të flasë shumë për sorra e korba, qe edhe një shembull me lopë. Vite më parë, një blegtor zviceran nuk pajtohej me praktikën e prerjes së brirëve të lopëve dhe arriti të organizonte një referendum mbarëkombëtar për t’i kërkuar shtetit subvencionimin e fermerëve që nuk e aplikonin këtë praktikë. Ndërsa në Zvicër një shoqëri e tërë ndalet, debaton dhe voton edhe për një çështje të tillë - duke dëshmuar se qytetari është pronari real i shtetit, pavarësisht se në fund nisma u refuzua në referendum - në Shqipëri ndodh krejt e kundërta.
Kryeministri dhe rrethi i tij i ngushtë marrin vendime brenda natës për projekte gjigante që tjetërsojnë natyrën, duke falur për një shekull zona të mbrojtura e ishuj, si dhe duke miratuar ligje arbitrare për hotele luksoze me 10 mijë dhoma, pa zhvilluar asnjë konsultim publik dhe pa sqaruar çështjet elementare të pronësisë. Dallimi është thelbësor: nëse në Zvicër shteti dëgjon popullin edhe për brirët e lopëve, në Shqipëri pushteti i tregon “brirët” popullit, duke e injoruar plotësisht. Kjo arrogancë institucionale tani po përballet me mllefin e qytetarëve. Nëse parafrazojmë George Büchnerin, atëherë mund të profetizojmë: mllefi i qytetarëve ka nisur të shpërthejë muret e pushtetit, por të gjithë mund t’i djegin gishtat.
Kryeministri nuk mund të sillet sikur dhjetëra-mijëra qytetarë të mllefosur janë pjesë e një komploti botëror kundër tij. Kjo paranojë vetëm mund të eskalojë situatën.
Shqipëria ka arritur suksese të mëdha në dy dekadat e fundit. Hyrja në NATO dhe heqja e vizave dikur dukeshin të paimagjinueshme. Integrimi në BE dukej më larg se një udhëtim në mars. Shqipëria sot është destinacion turistik shumë i pëlqyer sidomos në Europën Perëndimore. Imazhet e shqiptarëve të leckosur e të poshtëruar nga komunizimi, pamjet e tyre si të mallkuar nga fati duke zbritur nga anija “Vlora” në Bari më 1991, figurat e tyre naive të përjetësuara në filmin “Lamerica” të Gianni Amelios - këto, fatmirësisht, i përkasin të kaluarës. Vetëm nga viti 2021 numri i turistëve ka arritur në dymbëdhjetë milionë - ky është më shumë se dyfishim. Turizmi gjeneron më shumë se një të pestën e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), i cili së fundmi ishte rreth 26 miliardë euro. Do të ishte e padrejtë që Edi Ramës të mos i njihej asnjë meritë për këtë.
Por shumë shqiptarë besojnë se çmimi që po paguan Shqipëria, megjithatë, është shumë i lartë. Pse? Sepse prapa shkëlqimit dhe fasadave ka shumë mashtrim. Shumë korrupsion. Dhe shumë keqpërdorime. Edhe sikur Edi Rama të jetë njeriu me duart më të pastra në botë, të gjitha këto kanë ndodhur faktikisht para syve të tij si kryeministër. Nuk i pa apo nuk deshi t’i shihte? Apo i toleroi derisa krimi u bë bashkëpronar i qeverisjes? Këto janë pyetjet e vështira dhe përgjigjje po kërkojnë mijëra qytetarë të Shqipërisë. Përmendja e Kosovës nga regjimetet e Ramës dhe nga ky vetë është vetëm një tentim absurd për të prodhuar mjegull.
Sllavenka Drakuliq ishte një mjeshtre e përshkrimit të dhimbjeve shpirtërore dhe trupore. Në esetë dhe librat e saj kjo autore kroate foli për viktimat - si mbrojtëse e tyre dhe si përbuzëse e nacionalizmit.
Sllavenka Drakuliq ishte jo vetëm shkrimtare. Ishte ndër gratë e para që, në zymtësinë e komunizmit jugosllav, shkroi mbi feminizmin. Më 1984! Drakuliq ishte eseiste. Vrojtuese e mprehtë e fenomeneve shoqërore. Gazetare. Kolumniste e gazetës kroate «Jutarnji list». Aktiviste e të drejtave të njeriut. Një grua që i kaloi kufijtë e Jugosllavisë. Një damë nga Zagrebi, e cila dekadat e fundit i kaloi në bashkëshortësi me publicistin dhe shkrimtarin suedez Richard Swartz, i cili pas studimeve në Pragë mbeti përjetësisht i lidhur me Europën Lindore dhe veçanërisht me Ballkanin (mes tjerash, Swartz ka qenë dëshmitar i rënies së komunizmit në Shqipëri).
Siç njofton «Jutarnji list», Drakuliq vdiq të shtunën në moshën 77-vjeçare, pak kohë pasi botoi librin e saj «Pse nuk mësova të gatuaj» (Zašto nisam naučila kuhati), të cilin e publikoi shtëpia botuese kroate Fraktura.
Drakuliq e nisi karrierën si gazetare dhe shkroi në revistat kroate «Start» dhe «Danas», të cilat në vitet 1970 dhe 1980 lexoheshin edhe nga shtresa e hollë intelektuale e Prishtinës.
Romanin e saj të parë, «Hologramet e frikës» (Hologrami straha), e botoi më 1987. «Libri pati një jehonë të madhe në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, ndërsa Drakuliq prezantoi në letërsinë bashkëkohore, në një mënyrë mbresëlënëse, diskursin femëror dhe autobiografik», shkruan «Jutarnji list».
Në fillim të viteve 1990, Drakuliq u vu në shënjestër të publicistëve nacionalistë të afërt me presidentin Franjo Tuxhman. Drakuliq dhe Jelena Lovriq, Rada Ivekoviq, Vesna Kesiq dhe Dubravka Ugreshiq u quajtën «shtrigat e Rios» në një artikull anonim të botuar në revistën «Globus» të Zagrebit. Nën titullin «Feministet kroate përdhunojnë Kroacinë», ato u akuzuan se gjatë kongresit të PEN-it në Rio de Zhaneiro supozohej të kishin lobuar kundër mbajtjes së kongresit të radhës në Dubrovnik. Shkrimtaret u njollosën si armike të shtetit dhe u akuzuan për orientim antikroat. Teksti u mor pafytyrësisht me prejardhjen e tyre, statusin martesor e familjar, si dhe me biografitë e tyre intime. Dubravka Ugreshiq më 1992 u largua nga Kroacia për shkak të fushatës primitive ndaj saj. Më vonë u kuptua se autor i tekstit të ndyrë ishte publicisti Sllaven Letica, i cili ishte edhe partner tenisi i Franjo Tuxhmanit. Vetëm në vitin 2004 revista «Globus» u detyrua t’i paguante një dëmshpërblim Sllavenka Drakuliqit.
Gjatë viteve 1990 dhe në dekadën e parë të shekullit XXI, Drakuliq shkroi shpesh ese për mediat më prestigjioze si «The New York Times», «Frankfurter Allgemeine Zeitung», «La Repubblica» dhe «El Mundo». Kryetemë e shkrimeve të saj ishte rrëshqitja e Jugosllavisë në luftë dhe arsyet që çuan drejt shumë tragjedive njerëzore. Në këto shkrime Drakuliq shpesh trajtoi edhe çështjen e Kosovës. Në tekstin «Si e mësuam urrejtjen», shkruar në maj të vitit 1999, pra gjatë sulmeve të NATO-s kundër regjimit serb, Drakuliq ngriti një akuzë të ashpër kundër shoqërisë serbe. Sipas saj, serbët refuzonin të pranonin përgjegjësinë e tyre për luftën në Ballkan. Kjo verbëri e tyre autiste ndaj tmerrit në Bosnjë dhe në Kosovë çoi në një mungesë të plotë të dhembshurisë.
Drakuliq i gjente arsyet te logjika e shpërfilljes. Shqiptarët në Jugosllavi, sipas saj, ishin thjesht të padukshëm, sepse të tillë i dëshironte regjimi. Shqiptarët e Kosovës, nënvizonte Drakuliq në «Frankfurter Allgemeine Zeitung», «ekzistonin të ndarë nga ne, si njerëz që mezi vëreheshin diku në skajet e shoqërisë, me gjuhën e tyre të çuditshme, nga e cila askush nuk kuptonte asnjë fjalë, me organizimin e tyre fisnor dhe konfliktet e gjakmarrjes». Kjo qasje ndikonte që edhe dhimbjet e tyre të mos merreshin parasysh, gjë që është e pafalshme, sipas Drakuliqit.
Pas vdekjes së Sllobodan Millosheviqit në qelinë e tij në Hagë, në mars të vitit 2006, gazeta «Jutarnji list» e pyeti autoren kroate nëse mund të vendosej drejtësia pasi Sllobodan Millosheviqi kishte vdekur pa iu shqiptuar dënimi. Drakuliq u përgjigj kështu: «Drejtësia në fakt nuk mund të vendoset kurrë plotësisht, përveçse në mënyrë simbolike - por është shumë e rëndësishme që të hulumtohen krimet e luftës, të zhvillohen gjyqet dhe të dënohen fajtorët, sepse pa këtë njeriut nuk i mbetet gjë tjetër veç gjakmarrjes. Në rastin konkret, viktimat e politikës së Millosheviqit mbeten madje edhe pa këtë kënaqësi simbolike, gjë që është e tmerrshme. Nëse kjo mund t’u shërbejë si ndonjë ngushëllim, Millosheviqi vdiq në një qeli burgu, vetëm si qen, duke përjetuar kështu edhe vetë fatin e shumë viktimave të politikës së tij. Megjithatë, atë gjithsesi do ta arrijë një lloj tjetër drejtësie, ajo historike. Qëllimi i mbrojtjes së tij ishte të vërtetonte se roli i tij në historinë e Serbisë ishte heroik dhe se ai po e mbronte vendin e tij nga një konspiracion ndërkombëtar. Tani të tjerët do të gjykojnë për këtë, domethënë do të ndodhë pikërisht ajo që Millosheviqi u përpoq dëshpërimisht ta shmangte duke udhëhequr vetë mbrojtjen e tij».
Drakuliq është autore e një sërë librash të rëndësishëm publicistikë, si: «Si mbijetuam» (Kako smo preživjeli), «Ata nuk do të vrisnin as një mizë» (Oni ne bi ni mrava zgazili), «Café Europa», «The Balkan Express», «Trupi i trupit të saj» (Tijelo njenog tijela), «Përsëri në kafenenë Europa» (Ponovo u kavani Europa). Librat e saj janë përkthyer në mbi 20 gjuhë. Përkundër problemeve shëndetësore (pati dy transplantime veshkash në SHBA), ajo nuk iu shmang temave të dhimbshme. Në shqip nuk është përkthyer asnjë libër i saj.
Në një intervistë për magazinën «Moderna vremena» ajo tha: «Natyrisht që sëmundja më bëri të njihem me dhimbjen; isha e detyruar të përballesha me të dhe të mendoja se si ta shprehja. Sepse dhimbja, në të vërtetë, i shpëton gjuhës, ajo na ikën; është e vështirë ta shprehësh dhimbjen sepse ajo të zhvesh dhe të kthen në një gjendje primare, përpara se të ekzistonte gjuha. Prandaj trupi u bë një nga temat e mia qendrore, veçanërisht trupi i femrës. Gjithashtu, gjithmonë më ka interesuar edhe tema e vdekjes. Unë u gjenda herët në situatën ku më duhej të mendoja për të, që në moshën tridhjetëvjeçare. Nuk mund të them se në atë kohë e kisha ndërgjegjësuar plotësisht, por ishte një përvojë e jashtëzakonshme që ma ndryshoi jetën. Shumë vite më vonë, shoh rreth vetes se shumica e njerëzve që kanë qenë të shëndetshëm gjatë gjithë jetës fillojnë të mendojnë për vdekjen. Them se vetëdija për vdekjen ma ndryshoi jetën, sepse që në moshë shumë të re kuptova se koha ime ishte e kufizuar - si e gjithë të tjerëve, vetëm se njerëzit zakonisht nuk kanë nevojë të mendojnë aq radikalisht për këtë. Kuptova se doja të bëja vetëm atë që ishte me të vërtetë e rëndësishme për mua. Mendoj se për këtë arsye kam qenë më pak e prirur ndaj kompromiseve. Për shembull, nuk pranoja të punësohesha në vende që nuk më interesonin ose që nuk më sillnin ndonjë gëzim. Krijova një hierarki specifike vlerash, ku në krye të asaj shkalle vendos atë që është më e rëndësishmja për ty - dhe për mua, më e rëndësishmja ishte të rritja vajzën time dhe të shkruaja».
Gazeta tjetër kroate «Veçernji list» kështu e përmblodhi jetën e saj: «Ajo shpërfaqi me guxim të gjitha plagët e shoqërisë sonë - patriarkatin, luftën, e madje edhe sëmundjen e saj».
Mbi afatin e shkurtër të miqësisë me Donald Trumpin: rasti i duhanpirëses së deridjeshme Giorgia Meloni.
Nga Samiti i G7 (domethënë: shteteve më të rëndësishme industriale në botë), i cili u mbajt në Evian (kështu quhet edhe një ujë tryeze), u kuptua një gjë: Giorgia Meloni e ka lënë duhanin. E tha vetë. Në Samitin e G7.
Nëse i reziston joshjes për t’iu rikthyer ndezjes së cigares, atëherë Giorgia Meloni nuk do t’i ngjajë Zeno Cosinit, personazhit të romanit «Ndërgjegjja e Zenos», shkruar nga shkrimtari Italo Svevo. Zeno Cosini është kampion i njeriut që jeton sipas parimit: punën e sotme lëre për nesër, e kur të bëhet nesër, lëre për pasnesër. Kështu vepron edhe me synimin për të lënë duhanin. Romani përfundon, e tymi i cigares vazhdon. Edhe autori Italo Svevo mbeti duhanxhi deri në fund të jetës së tij. Ishte një fund tragjik: Svevo vdiq në një aksident trafiku. Italo Svevo dhe Aleksandër Moisiu ndajnë diçka të përbashkët: të dy u lindën në Trieste. Bustet e tyre qëndrojnë në parkun e qytetit.
Samiti i G7 nuk do të hyjë në histori vetëm për lajmin se Giorgia Meloni i tha lamtumirë cigares. Dhe kjo ka të bëjë me Donald Trumpin. Presidenti amerikan i tha një televizioni italian se Giorgia Meloni i ishte lutur të bënin një fotografi bashkë. Trump tha se nuk donte të bënte fotografi me Melonin, por i kishte ardhur keq ta refuzonte.
Giorgia Meloni, një version italian i Shote Galicës (pa plis) dhe me zë të ngjirur si Gianna Nannini, nuk ngurroi t’i përgjigjet Trumpit: e quajti gënjeshtar, i tha se as ajo, as Italia nuk bien kurrë në nivelin e lypësit.
Kjo është tani tema kryesore në Itali.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, anuloi një vizitë në SHBA.
Po ashtu u anulua një forum ekonomik italo-amerikan në Florida.
Ministri i Jashtëm tha se llafet e Trumpit ishin «të rënda» dhe «fyese».
Presidenti Sergio Mattarella u solidarizua me kryeministren Meloni.
Në mbrëmjen e së premtes Trump e vazhdoi polemikën. Tha se Meloni ishte një adhuruese e tij, por «s’më duhet si adhuruese, sepse nuk ishte këtu kur bëhej fjalë për Ngushticën e Hormuzit».
Meloni (dhe shumë burrështetas evropianë) nuk i duartrokitën intervenimit të Trumpit kundër Iranit me argumentin se bëhej fjalë për një aksion pa plan.
Këtë javë Trump nënshkroi një gjysmëmarrëveshje me Iranin për të ikur nga aventura persiane. Mediat serioze perëndimore këtë dakordim e quajnë më shumë dorëzim të Trumpit, i cili, kur i nisi avionët për të sulmuar regjimin iranian, tha se liria për popullin e Iranit ishte shumë afër. Atëbotë disa politikane e politikanë në Kosovë thanë po ashtu se «liria për popullin e Iranit është afër», pastaj të njëjtit filluan duartrokitjet digjitale në kanalet e tyre të komunikimit me botën virtuale dhe shpesh krijohej përshtypja se superkomandantet super të shpejta kosovare do të mbërrinin në Teheran para forcave speciale amerikane. Në rast të tillë, aty do ta gjenin edhe kryeministrin e Shqipërisë si çlirimtar të Iranit. (E vërteta e hidhur është se populli iranian mbetet ende nën zgjedhën e një regjimi gjakatar. Regjimi ende disponon me 400 kilogramë uran të pasuruar, me të cilin do të mund të prodhonte brenda një kohe të shkurtër 10 koka bërthamore. Gjysmëmarrëveshja me Iranin nuk përmend dy probleme: programin raketor të Teheranit dhe mbështetjen e grupeve terroriste në rajon, siç janë Hizbollahu në Liban, Hamasi në Haza, lëvizja Huthi në Jemen. Intervenimi i Trumpit i kushtoi buxhetit amerikan 30 miliardë dollarë, ndërsa konsumatorëve amerikanë 130 miliardë dollarë - këtë llogaritje e ka bërë radioja publike amerikane NPR).
Giorgia Meloni nuk është politikane e majtë. Partia e saj në mediat perëndimore quhet parti postfashiste. Të jetë si të jetë - mjafton të lexohet, për shembull, «Corriere della Sera», gazeta liberale italiane (tirazhi: 800 mijë ekzemplarë). Ajo nënvizon: «Trump», shkroi (senatori) Carlo Calenda në (rrjetin) X, «është gënjeshtar serik dhe tiran operetash. Personalisht nuk besoj se Meloni është lutur për ndonjë gjë. Sidoqoftë, këto fyerje duhet hedhur poshtë, pasi lëndojnë nderin e kombit». Për Matteo Renzin, kryetarin e partisë Italia Viva, deklaratat e Trumpit janë «si gjithmonë tmerruese». «E dashur kryeministre, a e kuptove më në fund se një aleancë me këta njerëz do të thotë të jesh kundër Italisë? Tani mjaft më me kapelet MAGA dhe mjaft më me lidhjet me Trumpin». Popullisti i djathtë Matteo Salvini shkroi: «Kush sulmon Giorgian, na sulmon të gjithë ne».
Para një viti situata mes Trumpit dhe Melonit ishte krejt ndryshe. Trump e priti në Shtëpinë e Bardhë. Meloni e përkëdheli me retorikë duke ia përkujtuar se Amerikën e ka zbuluar Kristofer Kolomboja. Pastaj Meloni ia bëri me dije se nga historia buron obligimi për të luftuar të majtën. Trump s’e fshehu gëzimin, sidomos kur Meloni i tha se ndërmarrjet italiane do të investojnë në SHBA 10 miliardë dollarë. Kjo i pëlqen Trumpit. Miliarda, flori, fjalë të mëdha, superlativë - kjo është bota e Trumpit.
Meloni nuk kurseu asgjë në Shtëpinë e Bardhë. Ajo tha se përfaqësonte «nacionalizmin perëndimor», shtoi se «unë dua të forcoj qytetërimin», «dua ta bëj Europën përsëri madhështore» - a nuk tingëllonte kjo si slogani i Trumpit «Make America Great Again» («Ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore»)?
Trump u kundërpërgjigj: Meloni është «një person fantastik», «një grua e mrekullueshme». «Ajo e pushtoi Europën si stuhi dhe gëzon respekt të lartë».
E tani?
Dje Meloni ishte më e mira, sot është më e keqja (sipas Trumpit).
Përkthyer në shqip: kur Meloni pinte duhan, punët me Trumpin i kishte shumë mirë. Sapo e la duhanin, miqësia mori fund. Por jo për shkak të tymit të duhanit.
Disa njerëz mllefosen sa herë e dëgjojnë Donald Trumpin duke folur. Por, ka edhe arsye për t’u argëtuar. Qe pse.
Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” pyet në një rubrikë të saj: “Ku shtrihet Katari në të vërtetë? Nga sa lagje përbëhet Belgjika? Dhe, a ka qenë vërtet Shqipëria dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, atëherë kur ai quhej ende Jugosllavi? Të mësosh me Trumpin është shumë argëtuese”.
Disa njerëz mllefosen sa herë e dëgjojnë Donald Trumpin duke folur. Por, ka edhe arsye për t’u argëtuar. Qe pse.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte në Evian të Francës, një fshat idilik mes Liqenit të Gjenevës (Lac Léman) dhe Alpeve. Më saktë, Trumpi qëndroi në Hôtel Royal, një bujtinë e bukur (me pesë yje!), natyrisht me pamje madhështore mbi liqen. Arsyeja e qëndrimit të presidentit amerikan në Evian ishte samiti G7, pra takimi i shtatë vendeve më të industrializuara në botë (ndonëse kjo s’është bash e vërtetë, sepse edhe bota ka ndryshuar).
Kur je i mbyllur në hotel me pesë burrështetas të tjerë dhe një kryeministre të Italisë, atëherë, krahas takimeve zyrtare, shpesh bën vaki që këta njerëz, deshe apo s’deshe, t’i takosh edhe në holl të hotelit, në bar apo në ballkon. Që të mëdhenjtë e botës të mos mërziten, mikpritësi (në këtë rast presidenti i Francës Emmanuel Macron) ftoi edhe burrështetas të tjerë, të cilët përfaqësonin shtete me territor të vogël e kuletë të madhe. Për shembull: Katarin.
Në një takim me emirin e këtij shteti të vogël, Tamim bin Hamad Al Thani, dolën në shesh njohuritë e shumanshme dhe të thella gjeografike të shefit të Shtëpisë së Bardhë. Trump e përshkroi shtetin e Katarit në Gjirin Persik si vend fqinj të Iranit me kufi tokësor të përbashkët. “Ju mund të kaloni direkt përtej kufirit, kështu që jeni në një pozicion shumë më të rrezikshëm”, i tha Trumpi emirit Al Thani në margjinat e samitit. Trumpi ishte i bindur se nga Katari mund të shkosh në Iran “përnjëmend në këmbë”. Përnjëmend?
E merr njeriu globin e vjetër dhe shikon. Rezultati i shikimit: Katari është gadishull në Gjirin Persik që kufizohet me tokë vetëm me Arabinë Saudite. Pjesa tjetër e Katarit është e rrethuar nga uji. Distanca ajrore me Iranin, në pikën më të ngushtë të ndarë nga Gjiri Persik, është rreth 200 kilometra. Ndërkaq, Irani kufizohet, ndër të tjera, me Irakun, Turqinë, Afganistanin dhe Pakistanin. Të shkosh nga Katari në këmbë në Iran - kjo bëhet vetëm nëse ecën mbi ujë. Me zotin Trump edhe kjo është e mundshme.
Nga ky këndvështrim bukolik i botës, Shqipëria (Albania) bën të ngatërrohet me Armeninë. Belgjika është qytet, jo shtet. Namibia e Afrikës është “Nambia”. Të gjitha këto i kanë ndodhur Trumpit kur ka folur për rajone të caktuara të botës. Siç i qetëson lexuesit “Süddeutsche Zeitung”, nuk ia vlen të nevrikosesh nga rrëshqitjet gjuhësoro-gjeografike të presidentit amerikan, sepse kjo nuk sjell gjë përveç rritjes së tensionit të gjakut. Gjërat duhen parë pozitivisht.
Çfarë thotë Trumpi është vetëm thirrje për të shqyrtuar në mënyrë kritike dijen tonë, e cila shpesh rezulton gjysmëdije.
Nëse nisemi nga konstatimi i tij lapidar se Belgjika është qytet, atëherë çka janë Valonia ose Flandra? Dhe, në përgjithësi, mund të shtrohet pyetja se përse moderatorët e lajmeve një vendi diku afër Katarit herë i thonë Iran, herë Irak.
I paparashikueshëm është zoti Trump, jo vetëm në gjeografi. Ka disa ditë që Zvicra bëhet gati që në hotelin Bürgenstock, lart mbi liqenin e bukur të Luzernit, delegacionet nga SHBA-ja dhe Irani të nënshkruajnë marrëveshjen për ndaljen e luftës (ndonëse duhet pasur kujdes me fjalën “ndalje”). A do të vijë Trumpi apo zëvendësi i tij J.D. Vance për të nënshkruar dokumentin? Zvicra zyrtare do të kishte qejf të vinte Trumpi, por më shumë ka gjasa të vijë Vancei - kështu thanë lexuesit profesionistë të filxhanëve të kafesë. Dhe disa gazetarë.
Sidoqoftë, populli alpin e urban zviceran është popull serioz, me qeveri serioze dhe me ushtri serioze: 2000 ushtarë rrethuan hotelin Bürgenstock për të siguruar ceremoninë e nënshkrimit. Mysafirët - mes tyre edhe turistë amerikanë - që kishin rezervuar dhomat u informuan me keqardhje se rezervimi ishte anuluar për shkak të ceremonisë së pritshme për nder të paqes mes SHBA-së dhe Iranit. Një çift u njoftua se s’mund të mbahej as dasma e tyre.
I paparashikueshëm është zoti Trump. Zgjohesh në mëngjes, e enjte, 18 qershor 2026, dhe lajmi është ky: presidenti Donald Trump e ka nënshkruar “memorandumin e mirëkuptimit” me Iranin, por jo në Bürgenstock (hoteli i përket një firme të fondit shtetëror të Katarit).
Nënshkrimi ka ndodhur në Pallatin e Versajës, në prani të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili e kishte ftuar Trumpin në një banket të madh, shumë të madh për nder të 250-vjetorit të themelimit të SHBA-së. Në Teheran marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian. Nënshkrim virtual, digjital i thonë kësaj pune.
E tani? Ushtarët zviceranë mund të kthehen në shtëpi, sepse ka gjasa që ajo ceremoni e madhe në hotelin Bürgenstock të mos mbahet fare.
I paparashikueshëm është zoti Trump.
Vetëm një gjë është e sigurt: sonte Zvicra luan kundër Bosnjës.
Çfarë mbetet? Ai premtimi i disa gjenive politikë globalë dhe lokalë se liria për popullin e Iranit po vjen (kur nisën sulmet amerikano-izraelite ndaj regjimit iranian). Po vjen, në fakt, një liri edhe më e madhe për regjimin. Mediat amerikane dhe arabe e kanë botuar dokumentin e nënshkruar. Aty ka shumë premtime, mes tyre: Trumpi zotohet se do t'ia heq sanksionet Iranit dhe do të lejojë regjimin të ketë qasje në miliardat e tij të bllokuara në botën perëndimore. Një gazetë serioze zvicerane shkroi se dokumenti lexohet si kapitullim i ShBA-së. Me rëndësi: Katari dhe Irani kufizohen me tokë. Nëse jo, atëherë ecim mbi ujë.
Kryeministri i ri i Hungarisë ndryshon Kushtetutën dhe kufizon mandatin në tetë vjet - një hap i pazakonshëm, por i drejtë. Ndoshta nga ky vendim mund të mësojnë edhe disa shtete të Ballkanit ku demokracia është shndërruar në fasadë dhe kapadaillëku i ka bërë shtetet në sulltanate personale.
Péter Magyar është pak më shumë se një muaj në detyrë. Në këtë kohë të shkurtër, kryeministri i ri hungarez u përpoq të largojë nga postet e tyre disa figura kyçe të regjimit të vjetër - ndër ta edhe presidentin e shtetit. Magyar dështoi për momentin, sepse ultimatumet e tij nuk patën efekt.
Të paktën, disa komisione hetimore parlamentare kanë filluar të hetojnë skandalet dhe aferat e qeverisë së kryeministrit shumëvjeçar Viktor Orbán. Por kjo kërkon kohë.
Marrëdhëniet e Hungarisë me Brukselin janë shtendosur dukshëm, megjithatë konflikti me BE-në rreth politikës së migracionit dhe furnizimeve me energji nga Rusia vazhdon të mbetet i pazgjidhur.
Këtë javë Magyar arriti të realizojë të paktën një premtim qendror elektoral. Ai shfrytëzoi shumicën e tij parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën: në të ardhmen, një kryetar qeverie mund të qëndrojë në detyrë maksimumi tetë vjet - dhe kjo do të hyjë në fuqi nëse presidenti i shtetit e miraton vendimin parlamentar.
Mbështetësit e Viktor Orbánit janë revoltuar kundër ndryshimeve kushtetutese. Argumenti i tyre: Orbáni, i cili qeverisi vendin gjithsej 16 vjet dhe e shndërroi atë në një demokraci iliberale, nuk do të mund të kandidojë më në të ardhmen. Por e vërteta e plotë është se kjo rregullore e re vlen njësoj edhe për pasardhësin e tij, Péter Magyarin.
Edhe nëse kufizimi i mandatit të kryeministrit mund të duket i pazakonshëm në një demokraci parlamentare, ekzistojnë arsye për ta bërë këtë: Së pari, rriten shanset për rotacion pushteti dhe garë më të gjallë politike, gjë që ia hap rrugën edhe brezit të ri për të hyrë në politikë.
Së dyti, pikërisht përvoja në Evropën Lindore dhe Ballkan tregon: sa më gjatë të qëndrojë një kryeministër në pushtet, aq më i madh është rreziku që vendi të rrëshqasë drejt autokracisë. Pasojat e dehjes nga pushteti janë, së treti, fatale: korrupsioni dhe nepotizmi lulëzojnë, mediat futen nën kontroll, ndarja e pushteteve pezullohet.
Pikërisht kjo ndodhi në Hungarinë e Orbánit - dhe ky obsesion me pushtetin shfaqet në mënyrë edhe më shkatërruese në vendin fqinj, Serbinë. Atje, presidenti Aleksandar Vuçiq, qeveris që nga viti 2012 si sundimtar absolutist dhe, me disa përjashtime, ka vënë nën kontroll institucionet e pavarura.
Një pamje po aq e zymtë paraqitet edhe në Shqipëri - megjithëse ky vend, ashtu si Serbia, është kandidat për anëtarësim në BE. Atje, kryeministri Edi Rama qeveris që nga viti 2013 pa ndërprerje. Ai ka depëtuar në administratën shtetërore me një rrjet partiak që i detyron qytetarët të mbështesin partinë qeverisëse. Ndërkohë, Rama ka humbur kaq shumë lidhjen me realitetin, sa i krahason të rinjtë që protestojnë plotësisht paqësisht kundër një projekti turistik të klanit Trump me xhelatët e Musolinit. Qëllimi i tij - siç e ka shpallur vetë, është të qeverisë Shqipërinë deri në vitin 2050.
Edhe demokraci të konsoliduara si Franca apo SHBA-ja njohin kufizime mandatesh për presidentët e tyre, për të parandaluar kultin e personalitetit. Nëse as këto shtete nuk kanë nevojë për monarkë republikanë, atëherë kjo vlen edhe më tepër për demokracitë më pak të qëndrueshme si ato në Evropën Lindore dhe Ballkan./Telegrafi/.
…dhe refuzuan kufizimin e popullsisë në 10 milionë. Por problemet evidente që lidhen me imigracionin duhet të gëzojnë vëmendjen e qeverisë. Çka do të thotë ky vendim për komunitetin shqiptar?
Fakt është: çdo vit në Zvicër vijnë afërsisht 80 mijë njerëz. Nuk janë një armatë pushtuesish, por shumica prej tyre profesionistë që i kërkon ekonomia zvicerane, e cila pothuajse çdo vit shënon rritje. Mes të ardhurve në Zvicër shumë pak janë refugjatë. Pra, aty ku ekonomia kërkon punëtorë, aty vijnë punëtorë, sepse bizneset ushtrojnë presion mbi politikën për të mundësuar rekrutimin e punëtorëve nga jashtë.
Fakt është po ashtu se në 25 vitet e fundit numri i banorëve në Zvicër është rritur për gati 2 milionë. Pra, për një çerekshekull në Zvicër janë vendosur afërsisht aq njerëz sa ka Kosova banorë. Kjo vërehet në përditshmëri. Në qendra urbane si Zürichu qiraja është bërë e papagueshme për familjet e shtresës së mesme. Në orë të caktuara transporti publik është i ngarkuar dhe për këtë zviceranët e kanë shpikur një fjalë: Dichtestress, që i bie: stres i shkaktuar nga dendësia. Shumë zviceranë ankohen se vendi i tyre po e humb identitetin dhe se kriminaliteti po rritet.
Partia Popullore e Zvicrës (SVP), e cila ka një agjendë të djathtë populliste, lansoi një nismë që tingëllonte joshëse: të vendoset një tavan sa i përket rritjes së popullsisë - në momentin kur numri i banorëve arrin në 10 milionë, ardhja e banorëve të rinj do t’i nënshtrohej kufizimeve shumë më të ashpra. Aktualisht Zvicra ka 9,1 milionë banorë. Madje qeveria do të ishte e detyruar të ndërhynte që nga momenti kur Zvicra të arrinte në 9,5 milionë banorë. Për rreth 300 mijë shqiptarë me banim në Zvicër pranimi i nismës do të kishte pasoja konkrete: me gjasë nuk do të lejohej bashkimi familjar.
Një shumicë prej gati 55 për qind i tha “jo” nismës në referendumin e së dielës. Është një rezultat mbresëlënës duke pasur parasysh se gjatë fushatës në prag të referendumit disa anketa sugjeronin se përkrahësit e kufizimit të numrit të banorëve ishin në epërsi. Sikur shumica e zviceranëve të binte në kurthin e popullistëve, qeveria mund të detyrohej, në rastin më të keq, të rinegocionte ose t’i jepte fund lëvizjes së lirë të personave me BE-në. Kjo nuk do të kalonte pa pasoja, sepse raporti i Zvicrës me BE-në, thënë thjesht, funksionon kështu: Zvicra, ndonëse nuk është anëtare e BE-së, gëzon qasje të privilegjuar në pjesë të rëndësishme të tregut evropian përmes marrëveshjeve dypalëshe me BE-në. Për ekonominë zvicerane, qasja në një treg me rreth 450 milionë banorë është me rëndësi jetike. Në këmbim, Zvicra ka pranuar, ndër të tjera, parimin e lëvizjes së lirë të personave. Kjo do të thotë se një qytetar i BE-së, për shembull një shqiptar me shtetësi kroate që jeton në Vukovar, mund të kërkojë punë dhe të punësohet në Zvicër sipas rregullave në fuqi, pa pasur nevojë për procedurat e zakonshme (dhe të vështira) që vlejnë për shtetasit e vendeve të treta (si Kosova, Shqipëria etj.). Këtë mundësi e shfrytëzojnë edhe shumë shqiptarë nga Shqipëria që kanë fituar shtetësi të një vendi të BE-së, si Greqia apo Italia, dhe më pas vendosen në Zvicër si qytetarë të BE-së.
Prishja e raporteve me BE-në do të rrezikonte rritjen ekonomike dhe do ta minonte qasjen e Zvicrës në fuqinë punëtore të huaj.
Nisma e SVP-së u përkrah sidomos në zona rurale, aty ku numri i të huajve është i ulët. Në një komunë të Zvicrës qendrore 90,5 për qind e votuesve e përkrahën nismën për kufizimin e popullsisë, ndonëse në atë komunë vetëm 11,3 për qind e banorëve janë të huaj. Në anën tjetër, nisma e SVP-së u hodh masivisht poshtë në qendra urbane si Zürichu, Baseli, Berni dhe Gjeneva. Në këto qytete e majta - socialdemokratët dhe të gjelbrit - është e fuqishme.
Qeveria ishte kundër nismës. Më i zëshmi ndër ministrat ishte ai i drejtësisë, socialdemokrati Beat Jans, i cili tha gjatë fushatës se nisma “është një premtim bosh: një tavan për popullsinë nuk zgjidh asnjë problem të vetëm”. Krerë të SVP-së akuzuan qytetet se, me votimin e tyre masiv kundër nismës, e kanë shkelur vullnetin e fshatrave - ky është një konflikt klasik mes “katundarëve” dhe “qytetarëve” në Zvicër. Shoqata e biznesit Economiesuisse, e cila lobon për interesat e sipërmarrjeve, e quajti nismën - “nismë kaosi”.
Vota e së dielës është një sinjal nga qytetarët zviceranë se, në një periudhë pasigurish të mëdha gjeopolitike, nuk janë të interesuar t’i acarojnë raportet me BE-në. Mbetet për t’u parë nëse rezultati i referendumit do ta lehtësojë miratimin e një marrëveshjeje të re me BE-në, të quajtur Bilaterale III, e cila synon t’i modernizojë marrëdhëniet mes Zvicrës dhe BE-së. Por 45 për qind skeptikë ndaj kursit të deritanishëm të rritjes dhe imigracionit nuk mund të injorohen lehtësisht. Shqetësimet e tyre qeveria duhet t’i trajtojë. /Telegrafi/
Sociologu i famshëm zviceran Jean Ziegler, i cili ishte mik me Jean-Paul Sartre, Simone de Beauvoir dhe Che Guevarën, vdiq në Gjenevë në moshën 92-vjeçare.
Një ndër punët e tij ishte edhe kjo: të merrte pjesë në demonstrata të shqiptarëve në Gjenevë për lirinë e Kosovës dhe të mbante fjalime kundër Sllobodan Millosheviqit.
Jean Ziegler ishte përherë i mllefosur. Edhe atë ditë në fund të viteve 1990, kur doli para mijëra shqiptarëve, të cilët ishin mbledhur përballë selisë së OKB-së në Gjenevë, sociologu i famshëm zviceran shfryu tërë zemërimin kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe inkurajoi demonstruesit se liria e Kosovës nuk mund të pengohej.
Xhafer Shatri, një aktivist i ngahershëm për çlirimin e Kosovës, i cili jeton prej dekadash në Gjenevë, e përkujton Zieglerin me këto fjalë: «Në shumë manifestime që janë mbajtur në favor të Kosovës, Jean Ziegler ka marrë pjesë bashkë me ne. Shpesh e ka marrë fjalën dhe na ka mbështetur, pa asnjë ekuivok dhe disa dekada rresht. Ishte mik i vërtetë i Kosovës. Dhe i jemi mirënjohës sa të jetë jeta».
Ziegler ishte majtist, socialist i përbetuar, kritik i globalizmit, figurë shumë e popullarizuar në Afrikë dhe në Amerikën Latine, por, për dallim nga shumë bashkëmendimtarë ideologjikë, ai mbështeti intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999 me argumentin se e drejta ndërkombëtare pa mundësinë e sanksionimit është jorelevante.
Jean Ziegler ishte intelektuali më i njohur zviceran në botë. Ai ishte mik me Jean-Paul Sartre, Simone de Beauvoir dhe Che Guevarën. Mbi të gjitha ai ishte kritik i madh i kapitalizmit. Zvicrën e quante një «Disneyland i dominuar nga bankat dhe banditët». Përbuzte «grabitqarët, keqbërësit dhe mashtruesit», si dhe «etjen për fitim» dhe qeveritë perëndimore që financonin «kleptokratët» në Afrikë e gjetiu.
Në një tekst përkujtimor gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» shkruan: «Jean Ziegler kishte dinjitet, stil dhe hijeshi - dhe humor gjithashtu. Fytyra e tij e rrumbullakët pas syzeve me kornizë të trashë, gjermanishtja e ngrohtë e Bernit dhe madje edhe akcenti i tij zvicerano-gjerman kur fliste frëngjisht, shprehnin ndjeshmëri dhe kënaqësi me vetveten».
Ziegler studioi drejtësi në Bern dhe Gjenevë, por për të Zvicra ishte e ngushtë. Donte të shihte botën. I vazhdoi studimet për sociologji në Paris dhe New York, pastaj filloi të ligjërojë në Gjenevë. U lind më 19 prill 1934 si Hans Ziegler në Thun, një qytet i bukur pranë liqenit me të njëjtin emër në kantonin e Bernit.
Partia e tij Socialdemokrate shkroi në një përkujtim: «Ai ishte një figurë e shquar e së majtës zvicerane dhe përfaqësoi Partinë Socialdemokrate e Zvicrës gjatë shtatë mandateve në Parlamentin Federal në Bern. Gjatë gjithë jetës së tij, ai luftoi pa u lodhur për vlerat e socialdemokracisë dhe të solidaritetit ndërkombëtar».
Në librat e tij të shumta denoncoi padrejtësitë në këtë botë. U angazhua përherë për refugjatë dhe përherë kundër urisë. Në vrull e sipër nganjëherë i ngatërroi faktet dhe u përball me kundërshtarët e tij madje edhe në gjykata. Edhe kur humbte, nuk dorëzohej. Nacionalistët zviceranë e quajtën ndotës të atdheut, por kjo vetëm sa e forconte bindjen e tij se ishte në rrugë të drejtë.
Nuk ishte i pagabueshëm. Shpesh i duhej shumë kohë për t’u distancuar nga disa politikanë, të cilët i shihte vetëm si socialistë, duke injoruar faktin se ishin edhe autokratë. Muamar al-Gadafi i ndau një çmim për të drejtat e njeriut. Ziegler e refuzoi. Korporatat i përçmonte si «kryqtare të kapitalizmit», bankierët si «kapitalistë kazinoje» dhe parajsat fiskale si «shtete të ndyra».
Në Brazzaville, kryeqytetin e Republikës së Kongos, punoi për OKB-në (siç do të punonte edhe më vonë). Ndonëse vendi kishte shumë pasuri, ai pothuajse s’përfitonte asgjë. Pasurinë dhe paratë i grabisnin të pushtetshmit, mes tyre edhe perëndimorët. Në Kongo Ziegler mori këtë vendim: «Nuk dua të jem kurrë më në anën e xhelatëve».
Në shënjestër të tij gati përherë ishte Zvicra, vendi i tij i lindjes. Më saktë: tabelë qitjeje ishin bankat, të cilat, sipas tij, pranonin para nga tregtia me drogë dhe të tjera para nga keqpërdorimet fiskale. Në sytë e tij Zvicra s’ishte e pastër si bora. Ajo vetëm pastronte para më pastër.
Jean Ziegler e jetoi jetën me gëzim - përkundër betejave të tij kundër sferave të zymta. Në librin e tij «Der schmale Grat der Hoffnung» («Krahu i ngushtë i shpresës») shkroi: «Vdekja është skandal! Por ajo i jep edhe jetës veçantinë e saj. Asnjë moment nuk do të kthehet», tha ai në një intervistë me gazetën «Tages-Anzeiger».
Motoja e jetës së tij ndoshta është kjo: «Vetëm revolucionarët e lumtur janë revolucionarë të mirë». Jean Ziegler vdiq më 10 qershor 2026 në Gjenevë./Telegrafi.
Përplasjet rreth Sazanit dhe Zvërnecit kanë rikthyer në vëmendje një pyetje të vjetër: kush e ka parë këtë zonë si pasuri strategjike dhe pse? Përgjigjja të çon te një kapitull i Luftës së Ftohtë, kur Mao Ce Tungu dhe Nikita Hrushçovi shtyheshin për ndikim në Shqipëri.
1. Ka libra që duhet lexuar dy herë. Njëherë kur botohen (mundësisht) dhe herën tjetër për shkak të aktualitetit (prapë mundësisht). Përplasjet aktuale në opinionin shqiptar lidhur me planet turistike për zonën e Zvërnecit dhe ishullin e Sazanit më tërhoqën të rilexoj disa kapituj nga biografia e liderit kinez Mao Ce Tungut, të shkruar nga shkrimtarja kineze Jung Chang dhe historiani irlandez Jon Halliday. Këta kapituj kanë të bëjnë me Shqipërinë. Për këtë pak më vonë në këtë tekst.
2. Në vitin 1937, pra gati 90 vjet më parë, u botua libri “Ylli i kuq mbi Kinë” i Edgar Snow - një vepër propagandistike për liderin kinez, Mao. Aty Mao lavdërohet si revolucionar i urtë, i pagabueshëm dhe përfaqësues i komunizmit të mirë.
Kur e lexon biografinë e Jung Changut dhe Jon Hallidayit e kupton krejt mirësinë e Maos: një sadist që, nëpërmjet sundimit të tij brutal, ua mori jetën 70 milionë njerëzve. Libri është shumë i vëllimshëm, gati 1000 faqe, por mundi ia vlen.
3. Më 1954 Mao e emëroi Peng De-huain në postin e ministrit të Mbrojtjes. Ndonëse kishin bashkëpunuar gjatë, ata ishin rivalë. Dhe, Mao mosbesues ndaj veprimeve të tij. Megjithatë, në pranverën e vitit 1959, “lideri i madh” Mao miratoi një vizitë të Pengut në Europë, mes tjerash edhe në Shqipëri. Më parë ai vizitoi Gjermaninë Lindore dhe Çekosllovakinë. Diktatori gjermanolindor Walter Ulbricht tha se “kishte dëgjuar që Kina po përjetonte një rritje fantastike në bujqësi dhe e pyeti nëse kinezët mund të dërgonin edhe më shumë mish, në mënyrë që Republika Demokratike e Gjermanisë të mund të matet me konsumin prej 80 kilogramësh për frymë në vit me Gjermaninë Perëndimore. Në Kinë, racioni i mishit, madje edhe nëpër qytete, ishte vetëm disa kilogramë në vit”, shkruajnë Jung Chang dhe Jon Halliday. Pas bisedës me Ulbrichtin, Pengu humbi nervat dhe tha para bashkëpunëtorëve të tij: “Çfarë do të mendonte populli ynë po ta dinte se ne duhet të ndihmojmë të tjerët që kanë 80 kilogramë mish në vit?”
4. Destinacioni i fundit i udhëtimit të ministrit kinez të Mbrojtjes, Peng De-huai, në Europë ishte Shqipëria. Kur arriti më 28 maj 1959, pra para 67 vjetëve, Peng mësoi se në Shqipëri kishte ardhur në vizitën e tij të parë lideri sovjetik Nikita Hrushçovi. Peng shpresonte se Hrushçovi kishte ardhur për ta takuar atë në Shqipëri për të bërë ndonjë plan a komplot kundër Maos, por kjo doli krejtësisht e pasaktë. Lideri sovjetik s’kishte as përkthyes të kinezishtes me vete.
Jung Chang dhe Jon Halliday shkruajnë në vijim: “Hrushçovi ndodhej në Shqipëri për një arsye krejt tjetër. Shqipëria i ofronte Bashkimit Sovjetik një port unik nëndetësesh në zemër të Mesdheut, në ishullin Sazan. Edhe misioni i Pengut, të cilin ia kishte diktuar Mao, lidhej me këtë bazë. Në ditën e tij të parë në Shqipëri, më 29 maj, Pengu u ngrit në orën pesë e gjysmë dhe u nis menjëherë drejt bazës së Vlorës. Vizita e Hrushçovit duhej të pengonte që Shqipëria dhe Kina të arrinin një marrëveshje për bazën. Pengu e kuptoi se, sa i përket kërkimit të përkrahjes, nuk mund të mbështetej as te Bashkimi Sovjetik dhe as te vendet e tjera komuniste”.
Nikita Hrushçovi e kuptoi menjëherë rëndësinë gjeostrategjike të Vlorës dhe të ishullit të Sazanit gjatë vizitës kur erdhi në Shqipëri. Sapo pa zonën e Vlorës, ai tha se nga këtu mund të kontrollohej Mesdheu deri në Gjibraltar.
5. Me vdekjen e Stalinit, më 5 mars 1953, në Bashkimin Sovjetik filloi dalëngadalë periudha e destalinizimit. Diktatori sovjetik mori pushtetin më 1922 dhe gjatë sundimit të tij e shndërroi perandorinë e tij nga një shtet të prapambetur dhe agrar në një superfuqi bërthamore. Por, çmimi i këtij transformimi ishte brutalisht i lartë dhe përfshinte miliona të vdekur, shumica të ekzekutuar. Distancimi në rritje nga Stalini në Bashkimin Sovjetik e mllefosi Enver Hoxhën, diktatorin shqiptar po aq mizor sa bashkëvëllai i tij moskovit. Për rrjedhojë, Hoxha filloi të afrohej me Kinën. Dhe këtë sinjal e dha më 1956 me vizitën në Kinë. Megjithatë, ndarja do të ndodhte tek më vonë, më 1961. Më 1957 regjimi komunist i Tiranës i dha Bashkimit Sovjetik për përdorim bazën detare të Vlorës (ose Pashalimanin, siç njihet ndryshe). Kjo ishte baza e vetme detare sovjetike në Mesdhe, me 12 nëndetëse të sjella nga Bashkimi Sovjetik. Pas prishjes së marrëdhënieve mes Tiranës dhe Moskës, katër nëndetëse mbetën në Vlorë.
6. Siç shkruajnë Jung Chang dhe Jon Halliday, “në bllokun komunist, Mao u përpoq të tërhiqte çdo vend, por arriti të shkëpuste nga sfera e ndikimit sovjetik vetëm një: Shqipërinë e vogël, të varfër. Qysh në vitin 1958, diktatori i Shqipërisë, Enver Hoxha, i kishte zhvatur Maos 50 milionë rubla” - sipas vlerës së sotme rreth 125 milionë euro. Kjo ishte një shumë mjaft e lartë për një vend të vogël si Shqipëria.
Sa më shumë që Hoxha ashpërsonte gjuhën ndaj Bashkimit Sovjetik, aq më i pëlqyer ishte ai nga Pekini. Dhe, kjo vërehej edhe në aspektin financiar. Më 1961 Pekini ndau 500 milionë rubla hua për Tiranën. “Përveç kësaj erdhën edhe 2.2 milionë shinikë gruri, të cilin Kina e kishte blerë në Kanada me valutë të gatshme. Falë ndihmave ushqimore nga Kina, shqiptarët nuk e dinin as çfarë ishte racionimi i ushqimit, ndërsa miliona kinezë vuanin nga kequshqyerja”, pretendojnë Jung Chang dhe Jon Halliday, por kjo duket pak e besueshme. Ndihmat kineze kishin arritur vetëm pak të zbusin mjerimin shqiptar nën regjimin komunist.
7. Duke qenë një ishull në ngushticën e Otrantos, Sazani ka një rëndësi të madhe strategjike - dhe këtë e patën kuptuar si romakët ashtu edhe osmanët, pastaj italianët, të cilët e pushtuan më 1914 dhe e quajtën Saseno. Ka edhe një histori interesante me diktatorin italian Benito Mussolini, të cilën e ka përshkruar së fundi revista gjermane “Der Spiegel”: “Përpara se të përfundonte pakthyeshëm dhe i varur nga këmbët, i pështyrë dhe me pantallona të ndotura në çatinë e një pike karburanti në Milano, Benito Mussolini kishte një ëndërr. Diktatori italian donte ta kthente përsëri Mesdheun, si në kohën e Romës, në një mare nostrum: deti ynë! Në një det të brendshëm të një perandorie sa italiane aq edhe fashiste, e cila do të shtrihej nga Libia e thellë deri në Adriatik dhe, nëse do të ishte e mundur, edhe më tej, deri te Shtyllat e Herkulit në perëndim. ‘Shekulli i 20-të do të jetë shekull i fuqisë italiane’, profetizoi ai. Por, në rast se ky vizion do të dështonte dhe atij do t’i duhej të ikte një ditë me shpejtësi, Duçja dha urdhër të kërkoheshin ishuj potencialë shpëtimi në Mesdhe, si një strehë për çdo rast. Kështu ndodhi edhe me Sasenon, sot: Sazani”.
8. Nën pushtimin italian Sazani u kthye në një bazë ushtarake të fortifikuar. Pastaj Shqipëria komuniste dhe aleatët e saj (Bashkimi Sovjetik e Kina) e ngarkuan këtë fortifikatë me armë të tjera, e shndërruan në labirint me tunele nëntokësore, ndërsa regjimi komunist i Tiranës e mbuloi sipërfaqen me bunkerë. Me një qëllim: për të kontrolluar qasjen në detin Adriatik.
Nuk është plotësisht e qartë se si dhëndri dhe vajza e Donald Trumpit kuptuan për ishullin e Sazanit. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë (për “Wall Street Journal”) se më 2022 e ka takuar Jared Kushnerin në Davos, gjatë Forumit Ekonomik Botëror (WEF). Aty Kushneri i paskësh treguar se e ka vizituar Shqipërinë, se është ndarë shumë i kënaqur dhe do të donte ta vizitonte sërish për të parë mundësi investimi. Shefi i qeverisë shqiptare e paskësh mirëpritur këtë ide.
Ivanka Trump, e bija e Donald Trumpit dhe gruaja e Jared Kushnerit, kështu e përshkroi çastin e zbulimit të Sazanit: “Është një ishull privat jashtëzakonisht i bukur, prej 1 400 hektarësh, në mes të Mesdheut. Ishim në varkën e një miku dhe ndaluam për të notuar, kështu e zbuluam ishullin. Notuam deri atje, ecëm zbathur deri në majë dhe u magjepsëm krejtësisht. Kemi punuar për disa vite për të shfrytëzuar dhe zhvilluar potencialin e këtij ishulli. Me shumë përmbajtje dhe kujdes, sepse ky vend është shumë i bukur”, tha Ivanka Trump në podkastin e David Senras.
Ka një të pavërtetë këtu: Sazani nuk është ishull privat, por pronë e shtetit shqiptar, madje zonë ushtarake. Jo fort i vërtetë tingëllon edhe pretendimi i Ivanka Trumpit se “ecëm zbathur deri në majë” të Sazanit. Zbathur në një zonë me mbetje armatimesh, tunele, shkurre? Ndoshta. Ka njerëz të guximshëm në këtë botë që ecin zbathur edhe mbi vullkan e lëre më në Sazan. A ishte edhe Edi Rama në këtë ecje në Sazan? Kjo pyetje tani duket e parëndësishme përballë protestave në Shqipëri.
“Pse shkruaj?” - “Sepse është e vështirë ta durosh jetën pa u shprehur” - Shkrimtari i madh zviceran Max Frisch në veten e parë
Max Frisch u lind më 15 maj 1911 në Zürich. Po këtu vdiq më 4 prill 1991. Në vitin 1933 vizitoi Kosovën. Por kjo është vetëm një fusnotë në biografinë e tij të bujshme. Në këtë tekst, të shkëptur nga seria „Autorët rrëfejnë“ të televizionit gjerman SWR, Frisch flet për gati të gjitha temat e rëndësishme të jetës. Një mësim brilant për çdo njeri.
Max Frisch dhe bota shqiptare. Në vitin 1933 Max Frisch ishte 22-vjeçar. Djalë i ri, me një fjalë. Një zviceran nga Zürichu që pas vdekjes së babait përpiqej të fitonte pak para me punë gazetareske. Kështu synonte të ndihmonte nënën e tij. 1933: është viti kur në Berlin kancelar u bë Adolf Hitleri. Max Frischi vendosi të vizitojë Ballkanin. Qëndroi në Sarajevë e Dubrovnik, pastaj në Pejë, Deçan, Shkup e Ohër. Ky udhëtim e inspiroi të shkruajë romanin e parë. Dramat e tij si “Andorra” apo “Bidermani dhe zjarrvënësit” vazhdojnë të luhen në skenat teatrore të Kosovës.
Më 6 qershor 1933 Frisch i shkruante nga Dubrovniku nënës së tij në Zvicër se e kishte ndërmend të udhëtonte në disa vise të Ballkanit ku rrallëherë shkelin europianët. Për ta qetësuar nënën e tij, e cila frikësohej se në Ballkan mund t’i ndodhte diçka e keqe të birit të tij, Frisch pas disa ditësh i dërgonte asaj një kartolinë, përmes së cilës e njoftonte se udhëtimi me veturë po shkonte mirë, sot në Shkup, nesër, vazhdonte Frisch, do të udhëtojmë pranë Liqenit të Ohrit në kufi me Greqinë. Një ditë më vonë Frisch prapë i shkruante nënës së tij, me plot entuziazëm: “Përshëndetje të përzemërta nga liqeni i Ohrit, ku kemi arritur pas një udhëtimi madhështor nëpër një vend interesant. Trevë e mrekullueshme në kufi me Greqinë”.
Për të imagjinuar botën e tij krijuese, në vijim po sjellim mendimet që Max Frisch i ka dhënë mbi shumë tema të rëndësishme të jetës. Këto mendime pastaj janë dokumentuar nga televizioni gjerman SWR në kuadër të serisë „Autorët rrëfejnë“.
Shkrimtari zviceran Max Frisch u lind në Zürich. Që kur ishte nxënës shkruante pjesë teatrore, të cilat megjithatë nuk u shfaqën kurrë. Ai studioi gjuhë dhe letërsi gjermane, por më pas u bë arkitekt si babai i tij.
Nga mesi i të dyzetave, u largua nga zyra e tij e arkitekturës dhe nga familja dhe iu përkushtua tërësisht shkrimit. Me tregimet, romanet, pjesët teatrore dhe ditarët e tij, Frisch u bë i njohur edhe përtej kufijve të Zvicrës, sidomos me këto vepra: Biedermann und die Brandstifter (Bidermani dhe zjarrvënësit), Andorra, Stiller (Shtiler), Homo Faber.
Max Frisch u mor me çështjen e identitetit të tij, me marrëdhëniet midis gjinive dhe me ndërveprimin midis jetës dhe fiksionit. Ai filloi të mbante gjithnjë e më shumë një qëndrim kritik ndaj ngjarjeve politike të kohës dhe ndaj vendit të tij të lindjes, Zvicrës. Max Frisch jetoi kryesisht në Zvicër, por edhe herë pas here për periudha më të gjata jashtë shtetit - pesë vjet i kaloi në Romë.
Si ju pëlqen në Romë?
Max Frisch (1961): Natyrisht që nuk jam i pari që jetoj me entuziazëm në Romë. Kam jetuar në qytetin ku u linda, në Zürich, dhe një herë nja një vit në New York dhe në San Francisco. Ishte e mrekullueshme, por në fakt ishte një kohë shumë e vështirë, dhe tani po jetoj përsëri jashtë atdheut tim, këtu në Romë. Jemi pikërisht në Trastevere, pas një dreke shumë të bukur, dhe jemi ulur përpara një prej shatërvanëve të shumtë e shumë të bukur të Romës.
Por ajo që më entuziazmon dhe më bën të lumtur në Romë, domethënë që më jep dëshirë për punë, natyrisht që nuk është vetëm ajo që ju njihni apo keni parë nga Roma - madhështia e Romës, monumentet - dhe as vetëm populli, të cilin e kam shumë qejf, por thjesht fakti që po jetoj një herë diku tjetër. Kam jetuar tridhjetë vjet në qytetin tim të lindjes, ku natyrisht njeh çdo gjë dhe, çka është edhe më keq, njihesh nga shumë njerëz; domethënë, bie në thonjtë e rutinës, e përditshmja ndjek rrjedhën e vet, madje edhe nga brenda reagimet janë të parashikueshme. Ndërsa përmes ndryshimit që ndodh ngaqë jeton në një qytet tjetër, ngaqë duhet ta ndërtosh përsëri nga e para jetën tënde të përditshme, këto ndryshime janë aq stimuluese dhe nxitëse për punën.
Sidoqoftë, kam kaluar një kohë shumë të mrekullueshme tani, shtatë muajt e parë në Romë; ishte dimër, mbante shi, jo edhe aq bukur, dhe po mendoj gjithashtu të qëndroj më gjatë në Romë. Kjo është natyrisht një situatë shumë fatlume: jam zviceran, pra kam një atdhe, por tani nuk jetoj në të; jetoj në Romë, në qytetin më të mrekullueshëm të botës, më lexojnë në Gjermani dhe jetoj falë lexuesve të mi gjermanë. Mund të them vetëm se kjo është një situatë shumë fatlume.
Dhe pastaj hyjmë në trafikun e Romës, të cilin e pëlqej shumë. Nuk ka shumë kohë që ngas veturën, kështu që jam fillestar; kisha pak frikë nga trafiku famëkeq i Romës, por e dua shumë atë sepse është shumë sportiv dhe shumë korrekt, me humor, fleksibël. Nuk funksionon si te ne nga këndvështrimi juridik se kush vjen nga e djathta apo kush vjen nga e majta, por e ndjen si në një dialog të gjallë se kush po ecën përpara dhe kush po qëndron pas. I dau pa masë policiët këtu, sepse janë vërtet të gatshëm të të ndihmojnë - nuk ta bëjnë Gjyqin e Fundit, por e nxisin rrjedhshmërinë e trafikut.
A ka këtu vende me rëndësi të veçantë për ju?
Max Frisch: Kjo është Via Appia, rruga e madhe nga Roma për në Brindisi, nga ku u nisën ushtritë dhe nga ku u kthyen, me varret majtas e djathtas. Tani po arrijmë te një kodër që për mua ka një rëndësi të veçantë. Ajo luan një rol në një prej romaneve të mia, te Homo Faber. Kjo është kodra ku Homo Faber zbulon se vajza që ai dashuron është vajza e tij e vetme. Dhe ndonëse kjo natyrisht nuk ka ndodhur kurrë, megjithatë kur e shoh, më duket sikur të ishte një monument, të paktën për punën time.
Kam qenë në Via Appia si shumë i ri, dhe kur po shkruaja këtë vepër, mendova për të. Pastaj, rastësisht, pata edhe fatin të vija në Romë, shëtita këtu, u ula mbi një kodër, pa menduar ende për këtë skenë, dhe thjesht më vonë e dita saktësisht situatën. Kjo është shumë e rëndësishme për një libër të shkruar nga një njeri që vjen nga bota e teknikës, nga një njeri i fakteve konkrete: që gjërat të përputhen saktësisht, që të mos jenë të përafërta.
Pse shkruani?
Max Frisch: Pse shkruaj? Kjo është ajo pyetja e famshme e vështirë, apo jo? Shkruaj sepse kam dëshirë, e thënë disi në mënyrë banale; sepse duhet të bëj diçka, siç ka thënë Faulkner: „to make money“ (për të bërë para); e thënë në mënyrë pak më patetike: sepse është e vështirë ta durosh jetën pa u shprehur. Nuk besoj se shkruaj për të arritur diçka në botë, për ta ndryshuar botën, për t’u dhënë mend njerëzve - mbase e kam bërë këtë dikur, këtë tipar didaktik që shihet brenda. Pastaj, një burim tjetër, nevoja për të shkruar, është komunikimi. Njeriu nuk dëshiron të jetë vetëm, apo jo? Dëshiron të dijë nëse edhe njerëzit e tjerë ndihen në mënyrë të ngjashme përballë pyetjeve dhe problemeve të kohës. Por thjesht, në fillim fare qëndron një dëshirë krejt naive për të krijuar diçka.
Kam lexuar aq shpesh se jam një moralist, saqë pothuajse duhet ta besoj; nuk është se më vjen mirë, por ndoshta kështu do të jetë, nëse e thotë kritika.
Si u bëtë shkrimtar?
Max Frisch: Të rrëfesh jetën tënde është natyrisht një gjë delikate. Ose e kthen në anekdotë, ose në të vërtetë as që të intereson edhe aq shumë: i lindur në Zürich më 1911, shkollim normal, në fakt një jetë mjaft jointeresante. Dhe që si 16-vjeçar kam shkruar gjithashtu pjesë teatrore, shumë madje, të cilat i dërgova edhe në teatër; m’i kthyen mbrapsht me letra me ton shumë të sjellshëm, e unë as që e dija se çfarë nderi ishte ky.
Tani po kalojmë mbi kalldrëmin e Romës, mbi të cilin kanë kaluar legjionet, prandaj duhet të ecim pak ngadalë.
Në fillim studiova, siç thashë, gjermanistikë, pastaj vura re se në këtë aspekt nuk vlej fare për letërsi. Jam lexues shumë i keq, kam lexuar gjithmonë vetëm të njëjtat gjëra që kam dashur - ato i lexoja, ndërsa të tjerat thjesht nuk i lexoja. Pastaj erdhi vdekja e babait, nuk kisha më para, i ndërpreva studimet, pastaj u bëra gazetar dhe udhëtova këtu e atje, dhe asokohe gazetar në nivelin më modest, domethënë si raporter i sportit. Dhe kur isha 24 ose 25 vjeç, njihja një vajzë, e cila një herë më tha me shumë të drejtë: E di çfarë, ti je një askush.
Atëherë u desh të mendohesha se çfarë profesioni mund të zgjidhja; pastaj pata fatin të kisha një mik që më dha paratë për të jetuar katër vjet, dhe zgjodha atë që më dukej më e arritshme për mua - im atë ishte arkitekt - arkitekturën, që është në fakt një profesion krejtësisht i mrekullueshëm. Vetëm se rreth të 40-tave konstatova se njeriu nuk mund t’i bëjë të dyja menjëherë, sepse të dyja profesionet kërkojnë thjesht përkuhstim të plotë. Kështu, rreth moshës 42-vjeçare fillova të jem vetëm shkrimtar, prandaj në këtë drejtim jam një shkrimtar shumë i ri.
Si ndikoi zhvillimi juaj profesional në shkrim?
Max Frisch: Kur isha 27 vjeç, e dija se nuk doja më të shkruaja, se nuk do të shkruaja më. Siç po e shihni, nuk iu përmbajta këtij përbetimi. Atëherë, gjithçka që kisha shkruar, e dogja. Dhe kjo ishte gjithashtu shumë mirë; nuk besoj se aty humbi diçka shumë e çmuar, por me këtë fitova një çlirim të madh. Pastaj për shumë vite nuk shkrova, u bëra arkitekt.
E vazhdova më tej profesionin e arkitektit edhe kur fillova të shkruaja përsëri - nuk dua të bëj një rregull nga kjo, për shkrimtarët e tjerë mund të jetë krejt ndryshe - sepse për mua ishte shumë e rëndësishme të hyja në kontakt real me botën ose me shoqërinë. Domethënë, mbi punëdhënësit, punëmarrësit, këto gjëra; mbi paratë, ekonominë; të mos kisha njohuri dhe opinione vetëm nga librat, por fare thjesht nga përvoja ime. Kjo do të thotë: të jesh i punësuar, ta dish se çfarë shije ka kjo; pastaj përvoja se si është kur je vetë bosi, shefi, ta dish se çfarë shije ka kjo, gjë që nuk është aspak e lehtë, aspak e thjeshtë.
Si punoni?
Max Frisch: Më parë, kur isha arkitekt dhe shkruaja paralelisht, isha një shkrimtar pas oraritë të punës ose i të dielave. Tani që kjo është kthyer në profesion, unë punoj - le të themi, nëse është një ditë normale pune, nëse nuk vjen ndonjë gazetar televizioni, nëse nuk vijnë vizita të tjera, miq apo njerëz të tjerë - nuk çohem edhe aq herët, rreth orës tetë.
Tani këtu në Romë, për shembull, dal në një bar, ha kafjallin sa për të parë pak njerëz, dhe në orën 9:00 ulem për të punuar. Por nuk e di paraprakisht se çfarë do të punoj, nëse do të bëj gjëra të reja apo do të ripërpunoj gjëra të vjetra; dhe në çdo rast punoj gjatë gjithë paradites. Pra, këtu në Romë, ku rrjedha e ditës është pak më ndryshe, kjo zgjat kështu deri në orën tre, aty vjen lodhja e parë, pastaj dal përsëri pak jashtë dhe punoj sërish pasdite. Në përgjithësi nuk punoj natën; kam nevojë për mëngjesin, kur njeriu është i zgjuar, kur është i freskët dhe kur është më shumë inteligjent.
Cila është për ju vepra juaj më e rëndësishme?
Max Frisch: Vepra ime më e rëndësishme... për këtë ekziston një thënie e mirë stereotipe: është ajo që po vjen. Por ju natyrisht e keni fjalën për veprat e mëparshme. Unë do të bëja një përzgjedhje mjaft të rreptë. Nga romanet do të pranoja Stiller, Homo Faber dhe Tagebuch (Ditarin). Nga pjesa tjetër duhet ta kurseni veten. Nga pjesët teatrore do të kërkoja të mbeteshin tri pjesë: pikërisht “Biedermani dhe zjarrvënësit”, drama e re “Andorra”, e cila vihet në skenë gjatë këtij viti, dhe një pjesë më të vjetër me të cilën kam pasur gjithmonë fat të keq, që është “Der Graf Öderland” (“Konti Öderland”). Ajo pati një premierë botërore në Zürich, që ishte një dështim i respektueshëm; pastaj më vonë e ripërpunova për Fritz Kortner (regjisor austriak teatri) dhe e luajtëm sërish në Frankfurt, e ai ishte një dështim edhe më i respektueshëm. Dhe tani këtu në Romë, ku kisha një dëshirë shumë të madhe për punë, i shtyrë nga asgjëja, papritur pata dëshirë ta shkruaja këtë pjesë përsëri brenda tri javësh. E shkrova sërish dhe tani kam një ndjesi mjaft të mirë, kështu që e llogaris ndër ato tri pjesë që do t’i lija të mbeteshin.
Si është marrëdhënia juaj me Friedrich Dürrenmatt?
Max Frisch: Dürrenmatt dhe Frisch. Besoj se na vjen inat të dyve që na përmendin vazhdimisht bashkë. Të dy jemi zviceranë, të dy shkruajmë pjesë teatrore dhe, çka është edhe më e rëndësishme për të dy ne, jemi miq. Unë këtu po pi duhan pikërisht nga një llullë, e cila është dhuratë nga Dürrenmatti. Por kjo miqësi, ajo ka natyrisht edhe një anë me humor, kemi folur së fundmi për këtë: nuk na mbetet gjë tjetër veçse miqësia. Sepse, nëse do të ishim në armiqësi me njëri-tjetrin, ky do të ishte një sensacion i madh për miqtë e tij, miqtë e mi, kundërshtarët e tij, kundërshtarët e mi, të cilët vetëm atë presin. Kështu që, në të vërtetë, ne jemi vërtet miq, por mbi të gjitha jemi të mallkuar të jemi miq.
Çfarë qëndrimi këni ndaj atdheut?
Max Frisch: Po, e di dhe e dëgjoj shumë shpesh edhe në Gjermani se jam shumë kritik ndaj Zvicrës, dhe disa bashkëatdhetarë ma kanë marrë edhe për të keq. Kjo është ashtu siç je kritik ndaj një qenieje që në parim e ke shumë për zemër, por që do të dëshiroje ta kishe edhe pak më të mirë sesa është, të cilën do të dëshiroje ta ndryshoje. Thjesht ajo që përshkruhet si një lidhje dashuri-urrejtje.
Çfarë e bën Zvicrën të vështirë? E thënë përsëri në mënyrë shumë të ashpër: megalomania dhe modestia. E thënë pak më butë ose ndryshe, ky është një vend që jeton nga e kaluara, që qëllimet e veta të mëdha i ka në të kaluarën; dhe unë besoj se qëllimet në përgjithësi qëndrojnë më tepër në të ardhmen. Për një kohë më ka interesuar tmerrësisht se si e mendon Zvicra të ardhmen, por kjo nuk i intereson edhe aq shumë, sepse zviceranët mbahen pas kësaj të „tanishmeje“, të cilën përpiqen ta ruajnë sa më shumë. Të ruash diçka është një gjë tmerrësisht e rëndësishme, por vetëm nga ruajtja ne nuk jetojmë; duhet të kemi një utopi, duhet të duam të kemi diçka tjetër, që mbase nuk është as më e mirë, por ne duhet të jetojmë duke shikuar përpara./Telegrafi/
Sulmuesi që nga mediat zvicerane prezantohet me emrin Hakan ka një karrierë të gjatë si ekstremist islamist. Ai ka lënduar me thikë tre persona në qytetin Winterthur afër Zürichut. Në të kaluarën Hakan ka qenë pjesë e një celule radikalësh, e cila përbëhej edhe nga disa të ashtuquajtur besimtarë myslimanë shqiptarë. Njëri prej tyre është Visar L. Nga Winterthuri disa shqiptarë i janë bashkangjitur grupit terrorist ISIS në Siri.
Një sulm i përgjakshëm me thikë ka tronditur mëngjesin e së enjtes njerëzit që po kalonin para stacionit të trenit në Winterthur afër Zürichut, ku një person sulmoi kalimtarët. Si pasojë e sulmit mbetën të plagosur tre burra të moshës 28, 43 dhe 52 vjeç, njëri prej të cilëve ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Sulmuesi u kap nga dy punonjës të paarmatosur të sigurimit të hekurudhave zvicerane (SBB), përpara se arrestohej nga policia.
Ndërsa policia zyrtarisht njoftoi vetëm se bëhet fjalë për një shtetas zviceran 31-vjeçar, dëshmitarët në vendngjarje raportuan se ai bërtiste “Allahu akbar” (Zoti është i madh) gjatë sulmit. Këto thirrje dëgjohen edhe në videot që po qarkullojnë në media.
Sipas një hulumtimi të gazetës zvicerane “Tages-Anzeiger”, pas këtij sulmi fshihet një emër i njohur për autoritetet e sigurisë: bëhet fjalë për Hakanin (emri i ndryshuar), një shtetas zviceran me origjinë turke, i cili ka një të kaluar të gjatë në radhët e skenës radikale islamiste dhe që së fundmi kishte shfaqur edhe probleme të rënda psikike.
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta të policisë kantonale të veshur me rroba civile kanë mësyrë në banesën ku 31-vjeçari jetonte së bashku me nënën e tij në Winterthur, duke kryer bastisje që zgjatën deri në orët e pasdites.
“Tages-Anzeiger” shkruan se emri i Hakanit ishte shfaqur në radarët e hetuesve zviceranë që para dhjetë vitesh, kur në Winterthur u krijua një celulë aktive islamiste, e cila ishte inspiruar nga al-Kaida dhe Shteti Islamik (IS), dy grupe terroriste. Ndonëse shumë nga shokët e tij të asaj kohe - mes tyre edhe shqiptarë - udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut për t’iu bashkuar xhihadit, Hakani qëndroi në Zvicër, duke u deklaruar si salafist që kërkonte vendosjen e sheriatit dhe duke refuzuar hapur demokracinë dhe sistemin zviceran të drejtësisë.
Sipas dokumenteve të Prokurorisë Federale të Zvicrës të siguruara nga gazeta “Tages Anzeiger”, emrat e Hakanit dhe dy vëllezërve të tij kanë qenë vazhdimisht pjesë e dosjeve penale për aktivitete terroriste. Në një aktakuzë të pranverës së vitit 2023 kundër Visar L., një xhihadisti të dënuar që ishte kthyer në Zvicër pasi kishte braktisur radhët e Shtetit Islamik, dokumentohet se Hakani ishte pjesë e rëndësishme e një celule terroriste prej 40 deri në 50 personash në zonën e Zürichut dhe Winterthurit.
Përgjimet dhe hetimet nga zyrtarët policorë tregojnë se ai nuk ishte thjesht një ndjekës pasiv i ekstremistëve. Ai bënte pjesë në rrethin më të ngushtë të celulës, merrte pjesë në takime konspirative nëpër lokale të marra me qira, shikonte video të ekzekutimeve të Shtetit Islamik dhe dëgjonte këngë lufte që glorifikonin prerjen e kokave dhe martirizimin. Autoritetet e shihnin atë si person aktiv në rekrutimin e të rinjve për kauzën xhihadiste.
Kjo nuk është hera e parë që 31-vjeçari Hakan përballet me ligjin zviceran. Në vitin 2015, kur sapo kishte arritur moshën madhore, Hakani u dënua nga gjykata e qarkut në Winterthur me 10 muaj burgim pa kusht për shkak të një rrahjeje brutale.
Në atë kohë, së bashku me dy shokë të mitur, ai kishte sulmuar një shtetas gjerman 36-vjeçar, duke i shkaktuar lëndime të rënda. Vite më vonë, kjo histori dhune e kombinuar me radikalizimin e thellë dhe problemet mendore duket se ka kulmuar në sulmin e përgjakshëm të kësaj të enjteje.
Sai përket kosovarit Visar L., me të cilin Hakani është njohur në të kaluarën, mediat zvicerane kanë njoftuar se në vitin 2014 disa simpatizantë të Shtetit Islamik udhëtuan nga Zvicra drejt Sirisë për të marrë pjesë në xhihad. Mes tyre ishte edhe Visar L. Pas kthimit nga Siria ai u dënua nga Gjykata Penale Federale në Bellinzona me 32 muaj burg, por nuk hoqi dorë nga bindjet e tij. Gjykata konstatoi se Visar L. deri në vitin 2019 kishte rekrutuar të rinj për Shtetin Islamik. Përveç kësaj, ai mblidhte para për familjet e luftëtarëve të vrarë të ISIS-it. Para trupit gjykues në Zvicër Visar L. tha: “Qëndrimi im nuk është radikal. Unë jam mysliman, dhe një mysliman i beson Sheriatit“.
Njëri nga kosovarët e parë me banim në Winterthur që iu bashkua ISIS-it ishte G.F. Në verën e vitit 2012 ai u zhduk pa gjurmë. Familja dhe miqtë e tij supozonin se ai ndodhej në Siri; ngaherë ata llogarisin se G.F. është vrarë në Siri. G.F. kishte frekuentuar rregullisht xhaminë “An’Nur” në Winterthur, një qendër e islamistëve. Ai po ashtu kishte shpërndarë ekzemplarë të Kuranit në Zürich dhe Basel në kuadër të aksionit salafist „Lies!“ (Lexo!).
Kosovari Valdet Gashi, i cili gjithashtu e vizitonte xhaminë “An’Nur”, ishte kampion gjerman në tajboks dhe më vonë dy herë kampion bote. Në janar të vitit 2015, Gashi, i cili ishte rritur në Gjermani dhe shpërngulur në Zvicër, shkoi në Siri për t’iu bashkangjitur Shtetit Islamik. Në korrik të atij viti, familja e tij njoftoi se Gashi, 29-vjeçar, kishte mbetur i vdekur si pasojë e një sulmi me bombë. Ai la pas një grua dhe dy fëmijë të vegjël.
Ndër xhihadistët më të rinj nga Winterthur janë 16-vjeçari V. dhe motra e tij 15-vjeçare E. - të dy me prejardhje nga Kosova. Ata u zhdukën në dhjetor të vitit 2014 dhe thuhet se më parë kishin frekuentuar xhaminë “An’Nur” në Winterthur dhe xhaminë “El-Furkan” në Embrach pranë Zürichut. Pas shumë përpjekjeve të familjes ata u kthyen në Zvicër dhe u përballën me drejtësinë zvicerane.
Pas sulmit terrorist islamist në Vjenë në nëntor të vitit 2020, Policia Kantonale e Zürichut arrestoi në Winterthur dy të rinj (18 and 24 vjeç). 18-vjeçari ishte me origjinë nga Kosova. Të dy të arrestuarit ishin në kontakt me atentatorin e vrarë në Vjenë. Ai quhej Kujtim Fejzulai, shqiptar me prejardhje nga Maqedonia e Veriut. Fejzulai vrau 4 persona dhe plagosi 23 të tjerë.
Sipas gazetës zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ), kosovari 18-vjeçar i arrestuar në Winterthur, pas atentatit në Vjenë, ishte radikalizuar në moshë shumë të re. “Që në moshën 12-vjeçare, i akuzuari hapi një llogari në Twitter. Ndërsa cicërima e tij e parë i kushtohej reperit gjerman Bushido, dy vjet më vonë ai shpërndante tashmë një video në YouTube të predikuesit të diskutueshëm kosovar Shefqet Krasniqi - me titull: ‘Pyetjet e një të krishteri’. I njëjti klerik ka qenë shpesh i ftuar edhe në xhamitë në Zvicër. Në vendlindjen e tij ai u akuzua, ndër të tjera, për mbështetje të terrorizmit, por u shpall i pafajshëm në vitin 2018”, shkruante NZZ.
Shënime mbi referendumet në nivel nacional dhe kantonal (Zürich), të cilat mbahen më 14 qershor. Dhe disa fusnota interesante nga historia.
Nga fundi i këtij teksti do të flitet edhe për lidhjen mes demokracisë dhe brirëve të lopëve zvicerane. Por njëherë disa fjalë e fjali për çështje të tjera.
Demokracia zvicerane mund të duket e lodhshme, por është fantastike. E lodhshme sepse qytetarët me të drejtë vote tri deri katër herë në vit marrin pjesë në referendume për të vendosur për çështje nga më të ndryshmet. Pothuaj çdo ide mund të hidhet në referendum, mjafton të mblidhen 100 mijë nënshkrime. Ky model i demokracisë është fantastik për shkak se ia mundëson popullit të vendos vetë për gati çdo gjë. Kështu zbutet mllefi.
Më 14 qershor qytetarët do të vendosin nëse duan të kufizojnë numrin e banorëve të Zvicrës në 10 milionë. Nëse para vitit 2050 numri i banorëve kalon 9,5 milionë, qeveria dhe parlamenti duhet të ndërmarrin masa kundër rritjes së popullsisë. Në atë çast që në Zvicër arrihet numri prej 10 milionë banorësh, nuk do të lejohet askush të shpërngulet më në këtë vend.
Përkrahësit e iniciativës thonë se kjo masë është e domosdoshme për ta ruajtur Zvicrën nga ardhja e numrit të madh të të huajve, të cilët, sipas tyre, ngarkojnë infrastrukturën dhe e bëjnë gati të pamundur që familjet zvicerane të gjejnë një banesë me qira të përballueshme. Kundërshtarët thonë se kjo nismë shkakton vetëm kaos dhe rrezikon raportet me Bashkimin Europian.
Pas dy javësh, të dielën e 14 qershorit, rezultati do të dihet. Derisa po shkruhet ky tekst, shumica e votuesve tashmë kanë marrë me postë një zarf me materialin e referendumit dhe janë duke votuar apo do të votojnë në ditët në vijim - natyrisht me postë. Vendvotimet në Zvicër hapen vetëm për nostalgjikë dhe mbyllen shpesh në mesditë, sepse të gjithë e kryejnë obligimin qytetar nëpërmjet postës.
Përveç për iniciativën kundër Zvicrës 10-milionëshe, më 14 qershor votohet edhe ligji mbi shërbimin civil. Deputetët e shumicës parlamentare, të cilët i përkasin krahut konservator (Zvicra gjithmonë dominohet nga konservatorët), janë të bindur se shumë persona të obliguar për shërbim ushtarak po kalojnë nga armata në shërbimin civil. Prandaj, shumica parlamentare vendosi pengesa më të larta për këtë kalim. Të Rinjtë e Gjelbër dhe Shoqata e Shërbimit Civil po i luftojnë këto vendime parlamentare nëpërmjet referendumit.
Në nivel të kantonit të Zürichut do të votohet, mes tjerash, mbi politikat e banimit dhe mbi ndryshimin e Kushtetutës së kantonit të Zürichut me qëllim që të bëhet e mundshme që një anëtar i parlamentit kantonal të përfaqësohet nga një anëtar tjetër nëse për arsye të ndryshme nuk mund të marrë pjesë në punën parlamentare.
Një referendum interesant mbahet në qytetin e Zürichut: populli do të vendosë nëse mbështet apo kundërshton ndërtimin e një linje të re të tramvajit, e cila do të lidhë qendrën e qytetit me lagjen Affoltern, ndër lagjet e fundit pa lidhje me tramvaj.
Të imagjinojmë një referendum të tillë në Prishtinë: Kuvendi komunal vendos kundër ndërtimit të një vije të tramvajit që lidhë Prishtinën me Fushë Kosovën. Një grup qytetarësh kërkon referendum dhe pas plotësimit të kushteve ligjore kjo bëhet e mundshme, pastaj vendos populli. Tani për tani ky është iluzion. Siç është iluzion edhe referendumi se a duhet apo jo të ndërtohet një termocentral i ri në Kosovë, çfarë të bëhet me projektet për furnizim me gaz apo me ndonjë çështje tjetër madhore? Gjasat që kësisoj të sfidohet qeveria nga populli janë baras me zero.
Kështu që më mirë të kthehemi te demokracia në Zvicër. Në këtë vend populli vendos edhe për çështje që nga këndvështrimi ballkanik mund të duken qesharake. Nuk janë. Vite më parë një blegtor zviceran u mllefos për shkak se blegtorët ua prisnin brirët shumicës së lopëve dhe dhive. Pse? Për të mos lënduar njëra-tjetrën, por edhe për të kursyer hapësirë në stallë.
Blegtori me emrin Armin Capaul mblodhi mjaftueshëm nënshkrime për një iniciativë, e cila u hodh në referendum. Qëllimi i iniciativës ishte që blegtorët që ua lënë brirët lopëve dhe dhive të tyre, duhej të merrnin një shpërblim financiar (subvencion) nga shteti. Para referendumit u zhvillua një debat emocional mbi dinjitetin dhe jetën sociale të lopëve me brirë. Megjithatë, referendumi dështoi për pak. 54,7 për qind e zviceranëve votuan kundër që me Kushtetutë të ndalohet prerja e brirëve të lopëve në Zvicër. Megjithatë, një ministër doli para mediave dhe e përgëzoi blegtorin Armin Capaul për nismën. Kultura politike e Zvicrës nuk lejon poza triumfaliste.
Në vitin 2008 Kosova u bë e pavarur, ndërsa në Zvicër u votua për iniciativën “Kundër zhurmës së avionëve luftarakë në zonat turistike”. Iniciatorët donin ta shporrnin zhurmën shurdhuese të Forcave Ajrore Zvicerane nga rajonet e bukura turistike, në mënyrë që bjeshkatarët të mund të ecnin nëpër male në qetësi. Ishte një nismë egoiste, sepse zhurma e avionëve do të zhvendosej nga zonat e bukura në vendbanime më shumë të populluara. Populli e nuhati egoizmin dhe votoi me 68 për qind kundër kësaj ideje.
Për aq kohë sa e lejon ligji, shtetasit e Kosovës me banim në botën e jashtme kanë të drejtë të marrin pjesë në proceset elektorale në Kosovë. Megjithatë, do të ishte e udhës që më në fund të tregohet interesim më i madh i mërgatës për proceset politike në Zvicër.
Politikanët e Kosovës këtë fundjavë qëndruan në Zvicër për të mobilizuar përkrahësit e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 7 qershor. Pas zgjedhjeve të shkurtit dhe dhjetorit 2025, këto janë zgjedhjet e treta për Kuvendin e Kosovës.
Zvicra është vend liberal dhe deri më tani është treguar tolerante, sidomos ndaj politikanëve të Kosovës, të cilët një pjesë të fushatës elektorale e zhvillojnë jashtë vendit. Në disa raste, Gjermania ka kufizuar mbajtjen e tubimeve elektorale, sidomos për politikanë të partisë qeverisëse në Turqi, pra partisë së presidentit Recep Tayyp Erdogan.
Për aq kohë sa e lejon ligji, shtetasit e Kosovës me banim në botën e jashtme kanë të drejtë të marrin pjesë në proceset elektorale në Kosovë. Megjithatë, do të ishte e udhës që më në fund të tregohet interesim më i madh i mërgatës për proceset politike në Zvicër. Shumë prej shqiptarëve me banim në Zvicër janë shtetas të këtij vendi dhe kanë të drejtë të votojnë në referendume e të marrin pjesë në zgjedhje.
Për fat të keq, interesimi nuk është aq i madh. Shpesh dëgjohen njerëz duke thënë se “as që e hapi zarfin për të plotësuar materialin zgjedhor”. Kjo nuk është qasje e duhur. Vendimet politike, zhvillimet ekonomike dhe ndryshimet në sigurimet sociale prekin direkt edhe shqiptarët me banim në Zvicër. Ata janë taksapagues në Zvicër, pasaporta zvicerane i bën qytetarë të barabartë, rrjedhimisht duhet të sillen si të tillë.
Andaj do të ishte në favor të mërgatës që interesimi për politikën zvicerane të ishte po aq i madh sa ai për Kosovën. Sidomos këto ditë, në vlugun e fushatës për referendumin e 14 qershorit në Zvicër. Ky është njëri nga referendumet më të rëndësishme të viteve të fundit.
Cili është qëllimi i referendumit? Nisma “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë! (Nisma për qëndrueshmëri)” kërkon kufizimin e popullsisë rezidente të përhershme në Zvicër: para vitit 2050, popullsia e Zvicrës duhet të mbetet nën 10 milionë banorë. Nëse popullsia rezidente e përhershme do ta kalonte 9,5 milionë persona para vitit 2050, atëherë qeveria dhe parlamenti do të duhej të merrnin masa, veçanërisht në fushën e azilit dhe bashkimit familjar.
Në rastin më të keq, mund të ketë kufizime, komplikime apo edhe ndalim të bashkimit familjar, nëse, për shembull, një shqiptar në Zvicër dëshiron të sjellë partneren apo partnerin nga viset shqiptare në Zvicër.
Në fund të vitit 2025, në Zvicër jetonin rreth 9,1 milionë persona. Që nga hyrja në fuqi e lëvizjes së lirë të personave në vitin 2002, popullsia është rritur me rreth 1,7 milionë persona. Ky është kryesisht rezultat i imigrimit. Numri i njerëzve që emigrojnë drejt Zvicrës varet sidomos nga tregu i punës. Kur ekonomia lulëzon, kompanitë nuk gjejnë mjaftueshëm fuqi punëtore në Zvicër. Atëherë kompanitë, por edhe institucionet publike si spitalet dhe azilet për pleq, rekrutojnë shpesh specialistë të nevojshëm nga vendet e BE-së.
Në rast se referendumi kalon, Zvicra në të ardhmen mund të përballet me presion nga BE-ja, pasi qeveria zvicerane do të ishte e shtyrë të negocionte klauzola përjashtimi dhe mbrojtjeje në marrëveshjet ndërkombëtare që kontribuojnë në rritjen e popullsisë.
Raporti mes Zvicrës dhe BE-së është kryesisht pragmatik dhe ekonomik. Zvicra nuk është anëtare e BE-së, por dëshiron qasje të gjerë në tregun e përbashkët evropian për eksportet, shërbimet dhe ekonominë e saj. BE-ja ka kërkuar që kjo qasje të shoqërohet me pranimin e disa rregullave themelore të tregut të brendshëm, përfshirë lëvizjen e lirë të personave. Për këtë arsye, Zvicra hapi tregun e punës për shtetasit e BE-së përmes marrëveshjes së lëvizjes së lirë të personave.
Nisma është lansuar nga Partia Popullore e Zvicrës (SVP), e cila ka një qasje kundërshtuese ndaj të huajve. Në të kaluarën, kjo parti ka zhvilluar fushata direkte kundër mërgatës shqiptare. Për njërën prej tyre janë dënuar disa funksionarë të lartë të partisë - dhe janë dënuar për racizëm. Por ka edhe politikanë të SVP-së, të cilët janë më të moderuar ndaj komunitetit shqiptar.
Nisma e SVP-së në shikim të parë është joshëse, sepse prek ndjeshmërinë e shumë banorëve të Zvicrës. Sado absurde të tingëllojë, ka edhe shqiptarë që thonë: “Këtu po vijnë shumë të huaj”. Kjo nuk është patjetër e pasaktë dhe vërehet çdokund. Për një familje me buxhet mesatar është e pamundur të gjejë një banesë të përballueshme në Cyrih.
Trenat janë të stërngarkuar (në mëngjes dhe mbrëmje), për këtë arsye zviceranët kanë shpikur një fjalë: “Dichtestress”, stresi që vjen nga dendësia. Të ardhurit në Zvicër, kryesisht nga vendet e BE-së, punojnë shpesh në punë ku kërkohen kualifikime të larta. Në punë komunikojnë në anglisht dhe nuk ndiejnë nevojë të mësojnë gjermanishten, aq më pak dialektin e zorshëm të Zvicrës gjermane, i cili është pjesë e rëndësishme e identitetit.
Me përjashtim të SVP-së, të gjitha partitë e tjera relevante janë kundër nismës. Ato argumentojnë se nisma premton diçka që është e pazbatueshme pa pasoja për Zvicrën. Mund të rrezikohet, për shembull, qasja në tregun e BE-së. Si shtet që eksporton shumë, Zvicra do të vuante pasojat e çdo prishjeje të raporteve me BE-në.
Gazetat kryesore të vendit si “Tages-Anzeiger” dhe “Neue Zürcher Zeitung” po ashtu janë shprehur kundër nismës në komentet e tyre kryesore. Edhe politikanët me origjinë shqiptare, të cilët janë aktivë në Zvicër, në një video të përbashkët kanë dalë kundër nismës. Në ditët në vijim, secili qytetar me të drejtë vote do të marrë me postë materialin me fletëvotim në referendum. Janë më pak se 5 minuta punë. Merrni pjesë! Është shumë më lehtë se pjesëmarrja në zgjedhjet e Kosovës. /Telegrafi/
Pushteti është punë e madhe dhe e përgjegjshme. Pa marrë parasysh në ç’vend e ushtron: në provincë, në kasaba apo në oborr. Kush ka pushtet, ai duhet (është i thirrur) ta ushtrojë atë. Të marrë vendime. Për këtë fiton mandat nga populli. Herë me votë të lirë, herë me votë shumë të lirë (kjo vota shumë e lirë zakonisht është e blerë). Ka të tillë që kanë pushtet dhe s’dinë ç’të bëjnë me të. Ka të tillë që kanë pushtet dhe e dinë shumë mirë ç’të bëjnë me të: e keqpërdorin! (Ata që presin se këtu tani do të shfaqet një tufë kusarësh, toreadorësh, matadorësh dhe torerosh ballkanikë, mund ta ndërpresin leximin).
2.
Friedrich Schiller, shkrimtar gjerman, u bazua në disa gojëdhëna skandinave dhe në një legjendë zvicerane kur e shkroi dramën Wilhelm Tell. Kjo dramë i kushtohet heroit kombëtar të Zvicrës, Wilhelm Tell. (Një digresion: te heroi kombëtar shqiptar, përveç Gjergj Kastriotit Skënderbeu, të rëndësishme janë shpata, përkrenarja dhe kali. Së paku).
Te heroi zviceran, përveç heroit kryesor (Tellit!), rol të rëndësishëm luan një kapele. Kapelja i përket sundimtarit, i cili quhet Hermann Gessler. Gessleri ishte në shërbim të Habsburgëve, një familje zvicerane, e cila pasi u grind me dajallarë e kushërinj helvetikë iku në Austri dhe nga atje ndërtoi një perandori të madhe. Krahas çokollatave, Habsburgët janë eksporti më i rëndësishëm i Zvicrës në botë.
Një ditë Gessleri u ndal në fshatin Altdorf të Zvicrës qendrore, nguli një hu gardhi dhe mbi të vendosi kapelen e tij. Kërkesa e tij ishte e qartë: kush kalon atypari, duhet ta përshëndesë kapelen. Sepse kapelja simbolizon pushtetin. Pushteti është Gessleri - madje edhe kur nuk është pranë kapelës.
3.
Një ditë tjetër rebeli zviceran Wilhelm Tell kaloi nëpër mejdanin e Altdorfit, por nuk e përshëndeti fare kapelën, nuk i tha asaj “Grüezi” (ata që e kuptojnë dialektin e Zvicrës gjermane, e kuptojnë edhe këtë fjali; për ata që s’e kuptojnë: ky është versioni zviceran i fjalës kosovare “tung”, e cila tani është rehatuar edhe në Fjalorin e ri të Gjuhës Shqipe).
Pasi refuzoi ta përshëndeste kapelen e sundimtarit, Wilhelm Telli u arrestua dhe ditën tjetër u detyrua të qëllojë me shigjetë një mollë mbi kokën e djalit të tij. Me vete Telli kishte marrë edhe një shigjetë të dytë, të cilën e mbante të fshehur nën rrobat e tij. Kur Gessleri e pyeti se përse e kishte bërë këtë, Telli tha: shigjeta e dytë ishte paraparë për ta vrarë guvernatorin habsburgas, vetë Gesslerin, në rast se goditja e mollës do të dështonte.
Si çdo sundimtar brutal, edhe Gessleri u hakmor. Urdhëroi arrestimin e Tellit dhe kërkoi që ta dërgonin me varkë në fshatin Küssnacht për ta burgosur përjetë. Gjatë lundrimit, varkën e përlau një stuhi e fuqishme. Varkëtarët nuk dinin nga t’ia mbanin, s’e njihnin terrenin, s’dinin si të përballeshin me valët. Ia zgjidhën duart Tellit dhe i thanë të marrë drejtimin e varkës. Kur arriti bregun, ai kërceu mbi një shkëmb dhe me tërë forcën që kishte e shtyu varkën mbrapsht në valët e liqenit.
4.
Për ata që mendojnë se këtu mbaron ky rrëfim: edhe pak durim. Pas kërcimit nga varka, Wilhelm Telli ia zuri pritën Gesslerit namkeq në një sokak të katundit Küssnacht. Aty e qëlloi tiranin me shigjetë mu në zemër.
Morali i këtij rrëfimi: keqpërdorimi i pushtetit - qoftë edhe me një kapele - mund të ketë pasoja. Fatale!
5.
A ka ekzistuar Wilhelm Telli? Nuk ka dëshmi për këtë. Por zviceranët nuk e kanë problem këtë. Me rëndësi është se legjenda e Tellit e bart mesazhin e kryengritjes kundër tiranisë.
Në Altdorf, aty ku Telli (mbase fiktiv) nuk e përshëndeti kapelën e sundimtarit, sot qëndron një përmendore e heroit kombëtar të Zvicrës. Është zbuluar më 1895.
“Altdorfi është një qytezë e bukur, rrugët dhe rrugicat kryesore të së cilës japin një përshtypje mesjetare, ndonëse shtëpitë - siç shënohet rishtazi në çdo ndërtesë të vjetër - u dogjën të gjitha në vitin 1799. (Thuhet se zjarrfikësi, Albani, e shkaktoi vetë zjarrin pasi stuhia e erës ia nxori prushin nga llulla)”, shkruante shkrimtari zviceran Urs Widmer para disa viteve në gazetën Neue Zürcher Zeitung.
Një lustrim fantastik: prushi që del nga llulla e zjarrfikësit dhe shkakton zjarr. Ka qenë apo jo kështu? E parëndësishme. Edhe nëse është shpikje, është e bukur.
Vlen edhe për Tellin: ndonëse nuk ka dëshmi që ka ekzistuar, fama e tij ia futi frikën edhe Adolf Hitlerit. Më 3 qershor 1941 shtabi i përgjithshëm i Hilterit urdhëroi: “Fyreri (lideri nazist, v.j.) dëshiron që drama e Schillerit, Wilhelm Tell, të mos shfaqet më dhe të mos trajtohet më nëpër shkolla”. Diktatori nazist frikësohej se akti i Tellit mund të frymëzonte ndonjë gjerman për atentat ndaj tij.
6.
Për dallim nga Telli me gjasë inekzistent, Perandoria e Habsburgëve ka ekzistuar. Mes viteve 1683-1699, ushtria e Habsburgëve depërtoi deri në Kosovë. Nuk arriti të qëndrojë gjatë, u mposht nga osmanët, të cilët do të sundonin edhe mbi 200 vjet në viset shqiptare. Afërsisht në atë kohë në koleksionet e Habsburgëve në kështjellën Ambras të Tirolit gjendeshin edhe disa portrete të Skënderbeut. Familja e Habsburgëve nga fundi i shekullit të 16-të bleu gjithashtu shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut, të cilat besohej se i kishin takuar heroit. Mund të thuhet kështu: pasardhësit e një familjeje zvicerane e ruajtën shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut. Shigjetën e Wilhelm Tellit s’mund ta ruanin. Ajo e vrau tiranin habsburgas.
Ai u angazhua që fëmijët shqiptarë ta ruanin gjuhën amtare në Zvicër. Ndërtoi shkolla në veri të Shqipërisë. Këshilloi Ministrinë e Arsimit të Kosovës. Përktheu në gjermanisht shkrimtarët Fatos Kongoli e Arif Demolli. I dha zë kulturës shqiptare në hapësirën gjermanishtfolëse. Dhe kishte ende shumë plane, të cilat ia këputi papritmas vdekja. Profesori Basil Schader ishte një personalitet krejt origjinal. Shqiptarët i detyrohen atij mirënjohje të përhershme.
Njëherë e zateta profesorin Basil Schader te restoranti “Pishat” në Prishtinë. Po shijonte një çorbë, të cilën e nxirrte nga vegshi që po vlonte dhe - pastaj - shikonte nëpërmjet xhamit pikat e shiut që binin mbi rrugët e zymta të Prishtinës. Pyetjes sime se sa do rrinte në Kosovë, ai iu përgjigj me humor: “Si nuk ke dëgjuar se jam bërë vendali në Prishtinë?” Basil Schader punonte atëbotë si këshilltar në Ministrinë e Arsimit të Kosovës. Kishte ardhur nga Zürichu në kryeqytetin e Kosovës për të shkruar, përpiluar e formuluar plane e programe se si të organizohej mësimi plotësues në gjuhën shqipe në mërgatë.
Asnjë zviceran nuk ishte më shqiptar se Basil Schader. Dhe asnjë shqiptar nuk do të arrinte ta mësonte aq shpejt gjermanishten sa e mësoi Basil Schader gjuhën shqipe. Më 2005 ai madje doktoroi në Universitetin e Tiranës. Në moshën 54-vjeçare! Ky nuk ishte, natyrisht, kualifikimi i tij i vetëm.
Profesori Basil Schader ishte një personalitet krejt origjinal, kureshtar dhe me prirje për humor sarkastik. Ai ishte pedagog, specialist i didaktikës, gjermanist, përkthyes i letërsisë shqipe në gjermanisht, shkrimtar, autor i publikimeve shkencore dhe doracakëve mësimorë.
Me gjasë interesimi i tij i gjithanshëm buronte edhe nga rrethi i tij familjar: i ati i tij ishte arkitekti Jacques Schader (1917-2007), ndër më të njohurit në Zvicër në këtë fushë në shekullin e 20-të dhe autor i “Akropolisit të Zürichut”, siç quhet kompleksi shkollor Freudenberg në lagjen Enge të Zürichut. Pas maturës Basil Schader, i lindur më 1951, studioi filologji klasike në Zürich dhe Tübingen (Gjermani), mandej u kualifikua si mësues filloreje dhe më 1979 filloi studimet kësaj radhe për gjermanistikë, pedagogji dhe kritikë letrare në Universitetin e Zürichut, të cilat i përfundoi në vitin 1985 me një disertacion mbi didaktin e gjuhës Johann Jakob Redinger (1619–1688). Në fund të viteve 1980-të Basil Schader thelloi dijen e tij me studime plotësuese në folkloristikë dhe etnologji evropiane. Paralelisht ai u angazhua në funksione të ndryshme - deri në profesor - në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Zürich.
Me rritjen e numit të shqiptarëve në Zvicër si pasojë e represionit të Serbisë në Kosovë në vitet 1990-të, u zgjua edhe interesimi i Basil Schader për shqiptarët. Më 1999 ai filloi studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 2005 me një doktoratë.
U miqësua me shumë shqiptarë. I përkrahu ata dhe i dha zë kulturës shqiptare duke përkthyer në gjermanisht romanin e Fatos Konglit “Bolero në shtëpinë e pleqve” (“Bolero im Haus der zwei Alten”), romanin e Arif Demollit “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” (“Es war ein Dorf in Kosova. Die Lebenden und die Toten meiner Kindheit”), romanin e Helena Kadaresë “Një grua nga Tirana” (“Eine Frau aus Tirana”). Dhe vepra të tjera.
Me Arif Demollin, edhe ky tashmë i ndjerë, Basil Schaderin e lidhte një miqësi e ngushtë. Dëshmi e kësaj miqësie është edhe letërkëmbimi intensiv mes tyre. Gazeta zvicerane “St. Galler Tagblatt” shkroi për librin e Demollit: “‘Kështu jetuan, dashuruan dhe vdiqën njerëzit e Murrizajës, me bindjen e patundur se fshati i tyre ishte më i miri dhe më i bukuri në tërë botën’. Jo, jo vetëm ata: kushdo që e ka lexuar këtë libër, këtë odë për një fshat, do të pajtohet me entuziazëm me ta. Arif Demolli i ka ngritur fshatit të fëmijërisë së tij një monument letrar që të prek në zemër”. Për Demollin Basil Schader organizoi edhe një lexim letrar në Zvicër.
Basil Schader ishte i palodhshëm në angazhimin e tij për shqiptarët - në Zvicër, në Kosovë, në Shqipëri. Në veri të Shqipërisë ndihmoi (me përkrahje të sponsorëve zviceranë) zgjerimin dhe renovimin e shkollave. I mbështeti ato me kompjuterë, libra, pajisje sportive. Në Zvicër themeloi shoqatën “Arsimi”, e cila ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit me institucionet arsimore të hapësirë shqiptare. Më 2002 bashkë me gruan e tij Erika morën titullin “Qytetar Nderi” të komunës Balldren në Shqipëri, ndërsa në vitin 2003 u shpallën anëtarë nderi të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër.
Lidhur me angazhimin në Shqipëri, Basil Schader ka lënë këtë shënim: “Projektin e Shqipërisë, Erika dhe unë e nisëm rreth vitit 1997. Me rastin e një udhëtimi në veri të Shqipërisë, pamë atje mjerimin e papërshkrueshëm që mbretëronte në një shkollë të vogël fshati, në një pjesë të komunës qendrore të Balldrenit. Ne dhamë ndihmë të menjëhershme dhe, pas kthimit në Zvicër, vendosëm të angazhohemi bashkërisht këtu. Falë sponsorëve bujarë dhe një kërkimi intensiv për mundësi financimi, ia dolëm që gjatë njëzet viteve të ardhshme të rinovojmë gjithsej pesë shkolla në rrethinën e shkollës së fshatit Torovicë, përkatësisht dy prej tyre t’i rindërtojmë tërësisht nga themeli. Përveç kësaj, mblodhëm para për t’i pajisur shkollat edhe në aspektin infrastrukturor, me libra dhe pajisje sportive. Njohuritë e mia të gjuhës shqipe dhe marrëdhëniet shumëvjeçare me bashkëpunëtorët tanë lokalë dhe njerëzit e besuar, bënë që të mos përjetonim asnjë zhgënjim të vetëm. Ky angazhim i përbashkët na bashkoi edhe më shumë dhe na vuri në kontakt me njerëz të admirueshëm, të cilët meritonin gjithë respektin tonë”.
Në një bisedë me gazetën zvicerane “Der Bund” më 2019, Basil Schader dha disa mendime me vlerë mbi të ardhmen jo aq premtuese të gjuhës shqipe në Zvicër. “Shqiptarët e rinj në Zvicër”, theksonte ai, “shpesh e zotërojnë gjuhën e tyre amtare vetëm në formë gojore dhe në dialekt. Në kontrast me të kaluarën, sot më pak fëmijë dhe të rinj ndjekin mësimin e gjuhës dhe kulturës amtare”. Ky është një zhvillim negativ për të cilin në komunitetin shqiptar në Zvicër nuk flitet aq. Sipas Schader, sidomos “prindërit me nivel të ulët arsimor nuk e njohin vlerën e kësaj oferte (mësimin e gjuhës shqipe, v.j.) dhe pyesin veten: Pse duhet të flasin fëmijët e mi shqip?” Por, vazhdonte ai, këta prindër nënvlerësojnë pasurimin intelektual të një gjuhe të dytë dhe të njohurive mbi kulturën e tyre të origjinës.
Kulturën shqiptare Basil Schader e njihte mirë. Nuk e thoshte për mburrje, por vetëm si informacion për kureshtarë: kishte lexuar mbi 200 libra në gjuhën shqipe. Brenga e tij ishte se pas dy gjeneratave shqipja nuk do flitet më në mesin e mërgatës në Zvicër.
Viteve të fundit Basil Schader sprovoi veten edhe në fushën e letërsisë: shkroi cukla letrare, poezi bukolike për qengja e dele, ese mbi çuda e çmeritje zvicerane. Kishte dhe shumë plane të tjera. Këto plane tash ia këputi jeta. Ai vdiq të dielën që shkoi, më 10 maj, pas një sëmundjeje të shkurtër, siç bën me dije familja e tij. Ishte 75-vjeçar.
Shqiptarët i detyrohen Basil Schaderit mirënjohje të përhershme. Me shembullin e tij, me angazhimin e tij dhe me vetëmohimin e tij ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në marrëdhëniet mes albanosferës dhe botës helvetike. Në të gjallë të tij, institucionet e Kosovës nuk ishin të ndërgjegjshme për këtë. (Këtu nuk është vendi për të hyrë në detaje).
Kur Basil Schader doktoroi në Tiranë në vitin 2005, një koleg shkroi në gazetën “Tages Anzeiger”: “‘Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër’ titullohet punimi i doktoratës prej gati 500 faqesh, të cilën Schader e mbrojti me sukses në fund të shkurtit në Universitetin e Tiranës - dhe e mbrojti në gjuhën shqipe, ashtu siç i ka hije. Me këtë, Schader fitoi titullin e tij të dytë të doktorit, dhe me gjasë jo të fundit. Sepse Schader bën pjesë në atë grup njerëzish të apasionuar deri në marrëzi, pa të cilët mekanizmi i institucioneve publike nuk do të mund të funksiononte”.
Për doktoraturën e tij Schader anketoi 2200 fëmijë shqiptarë e zviceranë dhe u interesua se çka flasin ata mes vete, për shembull kur dalin në oborr të shkollës për pauzë mes orëve të mësimit. Mes shumë fjalëve që nxënësit zviceranë mësojnë nga mocanikët e tyre shqiptarë, janë edhe disa të pacitueshme. Basil Schader ishte i pakundshoq edhe në koleksionimin e fjalëve ofensive të kasabasë ballkanike. Po aq sa ishte i zellshëm në vjeljen e shkëndijave të gjuhës shqipe, të cilat do të shkreptijnë përgjithmonë.
Politikani i Gjelbër gjerman Cem Özdemir është zgjedhur të mërkurën kryeministër i Landit të Baden-Württembergut. Prindërit e tij erdhën para shumë dekadave nga Turqia. Pak para se t’i fitonte zgjedhjet, Özdemir bëri publike martesën e tij me një juriste shqiptare. Özdemir është përkrahës i madh i shtetësisë së Kosovës.
Landi i Baden-Württembergut gjendet në jug të Gjermanisë, në kufi me Zvicrën. Nëse hartën e Gjermanisë e krahasojmë me trupin e një njeriu, i bie që Baden-Württembergu të jetë diku nga këmbët. E vërteta është: Baden-Württembergu është zemra e industrisë gjermane, një rajon i njohur me marka të famschme si Bosch, Mercedes, Porsche, Ritter. Vitin që shkoi Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i këtij Landi ishte rreth 670 miliardë euro. Kosova mezi arrin në 11 miliardë dollarë. PBB-ja është vlera e përgjithshme e të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara brenda vendit.
Që nga e mërkura kryeministër i Baden-Württembergut është Cem Özdemir - dhe ky është një lajm historik jo vetëm për këtë regjion gjerman. 60-vjeçari Özdemir është i pari kryeministër i një Landi gjerman me origjinë turke. Si kryeministri i deritanishëm Winfried Kretschmann, edhe Özdemir vjen nga Partia e Gjelbër.
Prindërit e Özdemir erdhën në fillim të viteve 1960-të në Gjermani, pasi ky vend kishte nevojë për punëtorë. Atëbotë në Gjermani mërguan si gastarbajterë edhe shumë shqiptarë nga Jugosllavia. Zgjedhjen në postin e kryeministrit të Baden-Württembergut Özdemir e ka quajtur “kulmi absolut i jetës sime”. Nga një fëmijë punëtorësh të ardhur nga provinca turke në zyrën e kryeministrit - kjo karrierë tingëllon pak si ëndërr.
Özdemir u lind në Bad Urach panë Schwäbische Alb, një vargmal në Gjermaninë Jugore. Mund të thuhet, gjithsesi pa përçmim, se Özdemir është rritur në provincën gjermane. Nëna ishte rrobaqepëse, babai punëtor në fabrikë. E Cemi i vogël? Nxënës me vështirësi në shkollë. Edhe sot ai mban kontakte me një mësuese që e ndihmoi të marrë hapat e parë në shkollë. Përkundër barrierave, Özdemir arriti të studiojë për pedagogji sociale.
Partia e Gjelbër u themelua më 1980, në vitin vijues Cem Özdemir u bë anëtar i saj, duke u angazhuar për mbrojtjen e ambientit dhe kundër energjisë bërthamore. Një figurë udhëheqëse e të Gjelbërve ishte atëbotë Joschka Fischer, i cili më vonë u bë ministër i Jashtëm i Gjermanisë.
Özdemir përherë ishte i pari. Më 1994 u zgjodh për herë të parë në Bundestag (parlamentin gjerman) dhe ishte deputeti i parë me prejardhje turke. Për 10 vite (2008-2018) ishte kryetar i Partisë së Gjelbër të Gjermanisë. Në qeverinë e parafundit të kancelarit socialdemokrat Olaf Scholz, Özdemir ushtroi funksionin e ministrit të Bujqësisë. Ai është përmendur edhe si kandidat për ministër të Jashtëm të Gjermanisë. Özdemir është mbrojtës i fuqishëm i vlerave perëndimore dhe disa herë e ka kritikuar ashpër autoritarizmin e Rexhep Taip Erdoanit. Kjo nuk u pëlqen militantëve të Erdoanit në Gjermani. Özdemir ka treguar se shpesh ka pasur probleme kur ka marrë taksinë në Berlin. Shoferët turq e kanë fyer dhe trajtuar keq. Banesa e tij në Berlin është gjuajtur me gurë.
Por Özdemir nuk është dorëzuar. Ai e sheh veten si mbrojtës të të drejtave të njeriut. Dhe këtë e ka dëshmuar edhe në rastin e Kosovës, të cilën nuk e ka parë vetëm si çështje të të drejtave të njeriut, por edhe si betejë legjitime të një populli për liri, pavarësi dhe shtet të vetin.
Gjatë vizitës në Kosovë më 2024 Özdemir vizitoi edhe Krushën e Madhe. Ai shprehu pakënaqësinë e tij që nuk janë dënuar ende ata pjesëtarë të forcave serbe që kryen krime kundër popullsisë civile. Özdemir viteve të fundit ka qenë pjesëmarrës i rregullt në pritjet e Ambasadës së Kosovës në Berlin me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe ka marrë fjalën duke lavdëruar të arriturat e Kosovës përkundër trashëgimisë së rëndë të luftës. Në një fotografi Özdemir shihet gjatë një pritjeje për 17-vjetorin e pavarësisë duke mbajtur në dorë një kavanoz me ajvar të prodhuar në Kosovë.
Në zgjedhjet e 8 marsit për parlamentin e Landit të Baden-Württembergut, të Gjelbrit fituan me një epërsi të vogël ndaj konservatorëve të CDU-së së kancelarit Friedrich Merz. Një fitore e të Gjelbërve nuk pritej dhe kjo u arrit falë talentit politik të Özdemirit, por edhe gabimeve të kundërshtarëve të tij politikë. Në Baden-Württemberg jetojnë rreth 180 mijë shqiptarë dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre në zgjedhjet e fundit kanë përkrahur Cem Özdemirin dhe partinë e tij.
Në librin e tij “Unë jam vendës” (Ich bin Inländer) Özdemir tregon se ishte entuziazmuar me politikën amerikane kur në Gjermani ishte gati e paimagjinueshme që një njeri me origjinë të huaj të marrë përgjegjësi të lartë politike. Më 1997 ai shkruante: „Fakti që një pasardhës i një familjeje emigrantësh synon postin më të lartë në shtet si kandidat për president, si Michael Dukakis në fund të viteve tetëdhjetë, në Shtetet e Bashkuara nuk përbën temë diskutimi. Unë vërtet nuk kam filluar të marshojë drejt zyrës së Kancelarit, as nuk i kam shkundur ndonjëherë rrethojat e selisë së Kancelarit pas nja dy gotave birrë duke thirrur: ‘Dua të hyj brenda!’, por në këtë aspekt, SHBA-të më kanë magjepsur që në udhëtimin tim të parë“.
Özdemir është politikan pragmatik. Ndërsa disa ideologë në partinë e tij veturën e quajnë si diçka vdekeprurëse për ambientin, ai kultivon afërsinë me industrinë e automobilave. Kur ishte kryetar i të Gjelbërve, Özdemir e ftoi që në vitin 2016 shefin e atëhershëm të Mercedesit, Dieter Zetsche, si folës në kongresin federal të partisë, gjë që shkaktoi pakënaqësi te një pjesë e delegatëve.
Para zgjedhjeve të marsit, Özdemir u martua me Flavia Zaka, një juriste shqiptare, familja e së cilës emigroi nga Shqipëria në Kanada. Në vitin 2008 Zaka studoi drejtësinë në Gjermani dhe pastaj u kthye në Kanada. Në vitin 2023 një shoqe e saj e ftoi në Stuttgart në një festë ditëlindjeje - aty Zaka u njoh me Özdemirin. Sipas mediave gjermane Zaka punonte në atë kohë në Toronto si avokate dhe këshilltare për ligjin mjedisor dhe të drejtat e njeriut për qeverinë kanadeze dhe organizata joqeveritare. Me zgjedhjen e Özdemirit në postin e kryeministrit të Baden-Württembergut, një shqiptare do të jetë zonjë e parë, një First Lady, siç thuhet në botën anglosaksone, ose: Landesmutter, siç thonë shvabët e Baden-Württembergut, që në shqip i bie: nëna e Landit. Në një intervistë Zaka ka thënë se e pëlqen qartësinë e gjuhës gjermane që nga rinia e saj dhe e çmon letërsinë gjermane, veçanërisht lirikën e Rainer Maria Rilkes.
Kryeministri i ri i Baden-Württembergut, Cem Özdemir, njihet si mbështetës i bizneseve, është vegjetarian dhe preferon të lëvizë me biçikletë. Jo përherë pajtohet me partinë e tij. Në politikën e migracionit ai është kritik ndaj atyre që vijnë në Gjermani dhe refuzojnë të integrohen. Özdemir prej vitesh ka kërkuar vigjilencë të shtuar të autoriteteve dhe të politikës ndaj fanatikëve islamistë. Një debat të gjerë publik zgjoi një editorial i Cem Özdemir, i botuar në shtator 2024 në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Aty Özdemir përshkroi se si disa burra me prejardhje të huaj kishin ngacmuar vajzën e tij dhe shoqet e saj. Ai kërkoi një debat pa dorëza mbi “strukturat patriarkale dhe rolin e gruas në shumë vende me karakter islamik”.
Ndërsa shkrimtari Franz Kafka, në vjeshtën e vitit 1918, rrinte i mbyllur në karantinë, i infektuar nga gripi spanjoll, nën dritaren e tij u themelua një shtet i ri - edhe me ndihmën e një presidenti amerikan, i cili do të luante rol edhe në mbrojtjen e Shqipërisë.
Kritiku letrar gjerman Reiner Stach ka punuar 18 vjet në një biografi me tre vëllime të shkrimtarit të madh Franz Kafka.
Ky studim, i shkruar si roman, është një minierë e vërtetë me të dhëna interesante si për punën krijuese, ashtu edhe për jetën e përditshme të Kafkës.
Një ndër episodet më interesante është se si Kafka, kur i kaluan ethet e një gripi, doli në rrugë dhe e kuptoi se tani ishte shtetas i një shteti të ri.
Por të shkojmë me radhë.
Në vjeshtën e vitit 1918, Kafka ndiqte kurse në një institut për t’u bërë kopshtar i kualifikuar, mësonte hebraisht dhe kishte vendosur të mos martohej kurrë pas ndarjes nga e fejuara e tij, Felice Bauer.
Ai ishte i pasigurt në çdo lidhje.
Më 14 tetor 1918, Kafkën e kapën ethet.
Si shumë njerëz të tjerë, edhe Kafka ishte infektuar me gripin spanjoll.
Reiner Stach shkruan në vëllimin e tretë të biografisë së Kafkës: “Ky nuk ishte më një grip i zakonshëm. Ishin simptomat e një sëmundjeje që do të zhvillohej në një pandemi shkatërruese, e cila do të përfshinte të gjithë rruzullin tokësor. Dhe kjo ndodhi me një shpejtësi që e bëri infeksionin masiv të shpërthente si një katastrofë natyrore... Në fund të shtatorit u bënë të njohura rastet e para; brenda javës së parë të tetorit vdiqën rreth dyqind njerëz në secilin prej metropoleve, Vjenë dhe Berlin, ndërsa nga mesi i tetorit ishin deri në dyqind në ditë”.
Kafka u godit nga ky grip në kulmin e pandemisë. Shkollat ishin të mbyllura, po ashtu edhe teatrot, kinematë, dyqanet.
Në çdo morg s’kishte vend për të vdekurit.
Gripi spanjoll bënte kërdi - dhe i ngjante pandemisë së koronavirusit me të cilën u konfrontua bota në vitin 2020, pasi rasti i parë u bë i ditur më 31 dhjetor 2019 në Vuhan të Kinës.
Kafka ishte shëndetlig, me tuberkuloz, nga i cili do të vdiste në vitin 1924.
Kur u infektua me gripin spanjoll, ai u mbyll në dhomën e gjumit të prindërve të tij.
Ndërsa Kafka gjendej në karantinë, çekët bënin plane për shtetin e tyre, dëshironin të braktisnin Perandorinë Austro-Hungareze.
Në dhomë lëngonte Kafka, poshtë dritares zhvillohej revolucioni dhe pacienti i quajtur Austro-Hungari jepte grahmat e fundit.
Presidenti amerikan Woodrow Wilson hodhi poshtë kërkesën e perandorit austriak për të ruajtur Monarkinë Austro-Hungareze - kësisoj Wilsoni vuri themelet për themelimin e shtetit të ri çekosllovak.
Një vit më vonë, më 1919, Wilsoni do të mbrojë ekzistencën e Shqipërisë si shtet dhe do të deklarohet kundër planeve të fqinjëve të saj për copëtimin e mëtutjeshëm të territoreve shqiptare.
Më 1922, SHBA-ja do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë dhe do ta njohë shtetin shqiptar edhe formalisht.
Për shkak të rrethanave të kohës, Shqipërisë iu desh të priste 10 vjet për njohjen nga SHBA-ja.
Kur 86 vjet më vonë Kosova shpalli pavarësinë, ajo priti pak më shumë se 10 orë dhe njohja nga Washingtoni erdhi.
Të kthehemi te heroi i këtij rrëfimi, te Franz Kafka.
Ai qëndroi 5 javë në karantinë për të hequr qafe gripin spanjoll.
Kur doli nga karantina, Austro-Hungaria nuk ekzistonte më; një shtet i ri ishte themeluar, quhej Çekosllovaki.
Stacioni i trenit në Pragë kishte ndërruar emrin: nga perandori “Franz-Joseph” në “Woodrow Wilson”.
Tani çekishtja ishte bërë gjuhë zyrtare, duke lënë në hije gjermanishten, ndërsa në pasaportën e re Franz Kafka quhej: František Kafka.
“Të zhytesh në ethe si nënshtetas i Monarkisë Habsburgase dhe të zgjohesh sërish si qytetar i një demokratie çeke: tashmë kjo ishte rrëqethëse, por edhe komike”, nënvizon Reiner Stach. /Telegrafi/
Nga një fshat zviceran në zemër të Egjiptit: Giacomo Groppi me dekada ëmbëlsoi elitat e Egjiptit dhe la një trashëgimi të gërshetimit kulinarik dhe kulturor. Në lokalin e tij në zemër të Kajros u zhvillua një pjesë e historisë së Egjiptit.
Rovio është një fshat i vogël zviceran me rreth 750 banorë në kantonin e Tiçinos. Rrugica të ngushta të shtruara me kalldrëm, burime uji, fasada historike, pallate dhe pamje mbi liqenin magjik të Luganos. Kush do të donte të largohej nga këtu? Giacomo Groppi u largua në fund të shekullit të 19-të, sepse atëbotë Zvicra nuk ishte e pasur siç është sot. Para se të merrte rrugën e mërgimit, ai kreu zanatin e pastiçierit në Lugano.
Tiçinezët janë tetovarët e Zvicrës. Groppi u vendos në Aleksandri, ku më 1890 hapi kafenenë e tij të parë. Pasi bëri emër aty me ëmbëlsirat e tij - kroasntë, akullore e çokollata - ai shkoi në Kajro dhe hapi një tjetër pikë. Biznesi po i ecte mjaft mirë. “Maison Groppi” u bë adresa e preferuar e elitës së Egjiptit. Politikanë, pashallarë, tregtarë e ushtarakë britanikë - të gjithë vinin te “Groppi” për çaj, kafe dhe ëmbëlsira. Anëtarët e shtëpisë mbretërore, të cilët, siç dihet, ishin me origjinë shqiptare, i porosisnin ëmbëlsirat te zvicerani i famshëm i Kajros.
Mbreti Faruk i shijoi këto specialitete po aq sa edhe presidentët e mëvonshëm (Naseri, Sadati dhe Mubaraku). Por te “Groppi” nuk prodhoheshin vetëm ëmbëlsira; aty njerëzit thurnin plane për revolucione, grindeshin për politikë, binin në dashuri ose ndaheshin. Në filmin “Pacienti anglez”, çifti i dashuruar ndahet pikërisht në kopshtin e Groppit.
Café Groppi në Sheshin Talaat Harb në Kajro
Ky lokal, pa dëshirën e pronarëve, u bë pjesë edhe e turbullirave politike të Egjiptit. Më 26 janar 1952, turma të mllefosura, të cilat protestonin kundër pranisë britanike dhe përbuznin Mbretin Faruk, sulmuan kafenenë “Groppi” në qendër të Kajros. E plaçkitën dhe e dogjën, sepse e shihnin si simbol të të huajve. Megjithatë, egjiptianët nuk u ndanë nga ëmbëlsirat e familjes Groppi. Kur më 1971 u përurua diga e Asuanit, 1000 mysafirët e ftuar u shërbyen me produktet e Groppit, të cilat transportoheshin me avionë ushtarakë dhe me anije.
Nga shekulli i 19-të, në Egjipt u vendosën shumë zviceranë; disa prej tyre dominuan prodhimin dhe eksportimin e pambukut. Zviceranët madje kishin në Kajro një klub të vetin, të cilin e vizitonte edhe Mbreti Faruk, i cili erdhi në pushtet më 1936. Farukut i pëlqente të luante me birila (bowling).
Më 1952 ai u rrëzua nga froni. Një pjesë e madhe e popullsisë e perceptonte atë si marionetë të Perëndimit dhe u zemërua sidomos për shkak të stilit luksoz të jetës që celebrohej nga Faruku, ndërkohë që varfëria në vend bënte kërdi. Si pothuajse të gjithë despotët, edhe Farukut i pëlqente Zvicra: si vend për të ruajtur paratë dhe St. Moritzi si destinacion turistik për sportet dimërore. Për të kujtuar gjurmët e zviceranëve në Egjipt, ambasada e Zvicrës ka krijuar një aplikacion që të shpie te varri i orientalistit të famshëm Johann Ludwig Burckhardt. Ai njihet si zbuluesi i qytetit antik të Petrës në Jordani (më shumë për Burckhardtin në fund të këtij teksti). Një atraksion tjetër është libraria “Lehnert & Landrock”, ndër më të bukurat e Kajros, për disa dekada në pronësi të zviceranit Kurt Lambelet.
“Maison Groppi” është pjesë e historisë dhe nostalgjisë së shumë njerëzve. Gazeta “Arab News” citon arkitektin Shafik Nakla: “Vinim çdo mëngjes te kopshti i Groppit gjatë viteve 50-të për të ngrënë krosantë të freskët. Ende e mbaj mend shijen. Produktet e Groppit ishin më të mira se ato në Paris në atë kohë. Askush nuk mund të konkurronte me të. Shihnim klasën aristokrate që zbriste nga makinat Rolls-Royce ose Cadillac me kapele dhe kravatat më të mira. Gratë mbanin fustane të jashtëzakonshme.”
Këtu lexonte shtypin edhe shkrimtari Nagip Mahfuz, fitues i çmimit Nobel. Mahfuz i qëndroi besnik metropolit të Egjiptit, rrugicave dhe legjendave të tij. Ai u shqua për angazhimin për tolerancë dhe kritikoi fundamentalizmin, gjë që i kushtoi një sulm me thikë më 1994. Te Groppi, Mahfuz gjente një simbiozë mes Orientit dhe Oksidentit.
Groppi nuk ishte vetëm një kafene. Familja menaxhonte ferma e fabrika; 500 krerë lopë zvicerane kullotnin në një ishull të Nilit. Me qumështin e tyre bëhej ajka që zbukuronte tortat e dasmave me deri në nëntë kate. Në fillim të viteve 1980-të familja Groppi ia shiti biznesin një sipërmarrësi egjiptian.
Johann Ludwig Burckhardt
Siç premtova më lart, në vijim disa të dhëna për Johann Ludwig Burckhardt dhe lidhjet e tij shqiptare. Johann Ludwig Burckhardt (1784-1817) ishte pinjoll i një familjeje fisnike zvicerane nga Baseli. Ai rizbuloi qytetin shkëmbor Petra në Jordani, u konvertua në mysliman duke marrë emrin Sheik Ibrahim, mësoi arabisht dhe u bë shok i Mehmet Ali Pashës, sundimtarit me origjinë shqiptare të Egjiptit. Në veprat e tij Burckhardt veçon dy tipare të shqiptarëve: ndjenjën patriotike vetëm ndaj atdheut të tyre dhe jo ndaj Perandorisë Osmane dhe mungesën e fanatizmit fetar.
Johann Ludwig Burckhardt u lind më 25 nëntor 1784 në Lausanne të Zvicrës. Duke qenë se i ati i tij ishte kundërshtar i Napoleonit, Burckhardt vendosi të vihet në shërbim të African Association for the Discovery of the Interior Parts of Africa, një organizatë britanike. Në Maltë Burckhardt ndërroi emrin dhe veshjen dhe vazhdoi udhën drejt Sirisë. Në qytetin e Halepit përsosi gjuhën arabe. Nga Siria ndërmori udhëtime në vende të ndryshme të botës arabe.
Sipas historianit Muhamed Mufaku, shtegtari, antropologu, historiani, gjeografi dhe udhëpërshkruesi zviceran Johann Ludwig Burckhardt ishte dëshmitar i luftës së ushtarëve të Mehmet Aliut kundër vahabinjve në Arabinë Saudite, të cilët nuk e pranonin autoritetin e Sulltan Mahmutit të II-të, e refuzonin islamin osman dhe ndërprenë shkuarjen e besimtarëve në haxh.
Mes viteve 1812-1818 mijëra ushtarë me origjinë shqiptare, të gjithë nën komandën e Mehmet Aliut dhe djemve të tij Tosunit dhe Ibrahimit si dhe të Ahmet Agës, ushtarak shqiptar i njohur edhe me emrin Ahmet Bonaparti, luftuan vahabinjtë përkundër humbjeve të mëdha. Burckhardt veçon kontributin e shqiptarëve në këtë betejë kundër fanatikëve fetarë sauditë. Nga mesi i nëntorit 1812, për shembull, ushtarët shqiptarë vranë rreth 2000 vahabinj. Me kafkat e tyre Ahmet Bonaparti ndërtoi një kullë, siç dëshmon Burckhardt. Zvicerani i dashuruar në Orient njofton se Mehmet Aliu nuk e fliste mirë arabishten. Me fitoren kundër vahabinjve, Mehmet Aliu u bë një nga komandantët kyç të Perandorisë Osmane.
Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” shkroi para disa vitesh se Burckhardt ishte 30-vjeçar, kur më 1814 u bë haxhi duke kryer ritet përkatëse në Xhaminë e Madhe të Mekës, në Malin e Arafatit dhe vende të tjera në Mekë. Ishte i veshur si arab dhe nuk binte në sy me atë rast. Emri i tij i ri dhe i plotë ishte: Sheik Ibrahim ibn Abdallah, fort i nderuari Ibrahim, i biri i Abdallahut. Para se të vdiste më 1817, ai ua la të varfërve të Zürichut 1000 piastër nga trashëgimia e tij. Universitetit të Cambridge Burckhardt ia la krejt bibliotekën e tij me dorëshkrime arabe, persiane dhe turke. Burckhardt është i varrosur afër Portës së Qytetit Bab al-Nasr në Kajro./Telegrafi/
Mes viteve 2011 dhe 2024 në Zvicër kanë ardhur 2,5 milionë njerëz; gati 90 për qind e tyre janë nga vendet e Bashkimit Europian. Shumica prej tyre janë të kërkuar nga ekonomia zvicerane. Sipas statistikave zyrtare çdo vit në Zvicër vijnë nga 70 mijë njerëz nga bota e jashtme. Në vitin 2025 në Zvicër janë trajtuar 31’223 kërkesa për azil. Vetëm 7382 kërkesa janë miratuar. Përveç kësaj, çdo vit rreth 40’000 persona emigrojnë në Zvicër në kuadër të bashkimit familjar.
Qëllimi i nismës së partisë SVP është që popullsia rezidente e përhershme të mos e kalojë kufirin prej 10 milionë banorësh para vitit 2050. Zvicra tani i ka 9,1 milionë banorë. Në rast se më 14 qershor shumica e qytetarëve zviceranë me të drejtë vote e pranojnë iniciativën në referendum, atëherë qeveria do të jetë e obliguar që të ndërmarrë masa kundër emigracionit sapo numri i banorëve të arrijë 9,5 milionë. Masat do të përfshinin kufizimin e numrit të azilkërkuesve që do pranoheshin dhe bashkimin familjar.
A do të jenë të prekur edhe shqiptarët nëse nisma për kufizimin e popullsisë do të miratohet? Ka gjasa, nëse nisma kalon në referendum dhe zbatohet me përpikëri ashtu siç është shkruar. Megjithatë, ekspertët e të drejtës ndërkombëtare dhe të migracionit thonë se zbatimi do të jetë i vështirë. Për shembull: si do të sillen autoritetet nëse një shqiptare nga Kosova me qëndrim të përhershëm në Zvicër do të fejohet me një djalë në Kosovë dhe kërkon bashkim familjar, por numri i popullsisë ka kaluar 9,5 milionë banorë apo i është afruar 10-milionëshit?
Ka edhe një problem tjetër edhe më të madh. Miratimi i kësaj nisme mund të shkaktojë tensione me Bashkimin Europian, i cili - thënë thjeshtë - ka këtë marrëveshje me Zvicrën: ndonëse vend joanëtar, Zvicra, nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale, ka qasje pothuaj të plotë në tregun e përbashkët të BE-së. Për mirëqenien e Zvicrës dhe ekonominë e saj të orientuar nga eksporti kjo qasje është thelbësore. Nga ana tjetër Zvicra ka qenë e shtyrë nga Brukseli të hapë tregun e punës për shtetas të BE-së.
Gazeta britanike “Financial Times” shkroi në shkurt se “nëse nisma miratohet, ajo mund të ketë pasoja të gjera për kompanitë globale të vendit, nga gjiganti i mallrave të konsumit Nestlé deri te kompanitë farmaceutike Novartis dhe Roche, të cilat varen shumë nga talentët e huaj. Shoqata e biznesit Economiesuisse e quajti këtë një ‘nismë kaotike’ dhe tha se kompanitë zvicerane mbështeten te punëtorët nga BE dhe nga zona e EFTA (Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë) për të plotësuar vendet e punës. Pa ta, kompanitë mund të zhvendosen jashtë, të humbasin të ardhura nga taksat, të ngadalësohet inovacioni dhe të bjerë niveli i shërbimeve”.
Sipas sondazhit më të fundit të publikuar nga shtëpia mediale Tamedia dhe instituti për anketa Leewas nisma radikale për kufizimin e popullsisë ka gjasa të miratohet. 52 për qind e mbi 16’000 të anketuarve do të votonin aktualisht për këtë nismë.