Komuna e Drenasit njofton qytetarët se nesër, më 27 dhjetor, Tregu i Gjelbër në rrugën “Fehmi e Xhevë Lladrovci” nuk do të jetë në dispozicion për parkim.
Kjo bëhet për shkak të organizimit të aktivitetit “Tuning Show”, i cili zhvillohet nga organizata e veturave “Çair Tuning Team”, me miratimin zyrtar të Kryetarit të Komunës.
Ngjarja do të fillojë në orën 14:00, dhe qytetarët janë të lutur që të lirojnë hapësirën në kohë dhe të shfrytëzojnë parkingje alternative, në mënyrë që aktiviteti të zhvillohet pa pengesa.
Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka nxjerrë një urdhëresë të re që ndalon përdorimin e produkteve piroteknike në të gjitha hapësirat publike, duke përfshirë sheshet, rrugët dhe zonat e tjera publike.
Sipas vendimit, shitja e produkteve piroteknike do të lejohet vetëm nga data 19 deri më 31 dhjetor, ndërsa përdorimi i fishekzjarrëve është i lejuar nga 26 dhjetor deri më 1 janar 2026.
Çdo shkelje e këtij vendimi do të ndëshkohet me gjoba që variojnë nga 100 deri në 500 euro. Për zbatimin e urdhëresës do të kujdeset Drejtoria e Inspeksionit e komunës.
Komuna e Drenasit apelon tek qytetarët që të respektojnë këtë vendim, duke siguruar qetësi dhe siguri gjatë periudhës festive. /Telegrafi/
Qendra e Mjekësisë Familjare në Drenas ka arritur edhe këtë vit targetin e planifikuar të vizitave shtëpiake për nëna dhe fëmijë (0–3 vjeç), duke u renditur në krye të listës në nivel vendi.
Ky sukses vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt standardizimit dhe përmirësimit të shërbimeve shëndetësore në komunë.
“Fokusi ynë mbetet nëna dhe fëmija, si shtyllë kryesore e shëndetit publik dhe e një shoqërie të shëndetshme. Arritja e këtij suksesi për dy vite me radhë tregon qartë se investimi në shëndetësi dhe puna e organizuar japin rezultate konkrete për qytetarët”, theksoi Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Sipas drejtorisë, ky rezultat është produkt i përkushtimit dhe profesionalizmit të stafit shëndetësor, i cili ofron kujdes cilësor, këshillim dhe mbështetje direkte për nënat dhe fëmijët, veçanërisht në zonat rurale.
Drejtoria premton që të vazhdojë përpjekjet për ngritjen e cilësisë, standardizimin e shërbimeve dhe vendosjen e pacientit në qendër të vëmendjes, si pjesë e vizionit për një shëndetësi më funksionale dhe më të afërt me qytetarët. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se Kuvendi i Drenasit ka zgjedhur kryesuesin e ri në raundin e parë të votimit, duke dëshmuar, sipas tij, unitet dhe funksionim demokratik.
Në një postim në Facebook, Lladrovci ka njoftuar se Burim Bujupi është zgjedhur kryesues i Kuvendit të Drenasit me 15 vota, ndërsa ka theksuar se Kuvendi përbëhet nga përfaqësues të shtatë partive politike.
Ai ka bërë të ditur se procesin e votimit e ka ndjekur nga Londra, prej nga ka përshëndetur të gjithë asamblistët për vendimmarrjen, si dhe kryesuesin e zgjedhur për përgjegjësinë e re institucionale.
“Uniteti ka emër, bashkë, përpara”, ka përfunduar Lladrovci mesazhin e tij. /Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka mbajtur sot seancën inauguruese të Kuvendit Komunal, në të cilën u bë betimi i anëtarëve të rinj të kuvendit dhe betimi i kryetarit të rizgjedhur, Ramiz Lladrovci, për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Anëtarët e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 12 tetorit 2025 u zotuan për të ushtruar detyrën me integritet, transparencë dhe në përputhje me ligjin, duke shënuar nisjen e legjislativit të ri lokal.
Në këtë seancë, kryetari Lladrovci dha betimin solemn për herë të katërt, duke theksuar përkushtimin e tij për qeverisje bashkëpunuese dhe në shërbim të qytetarëve të komunës, pa dallime politike, familjare apo shoqërore. Ai nënvizoi se qeverisja në Drenas ndër vite është vlerësuar ndër më të mirat në nivel vendi.
“Me përkushtim për qeverisje të bazuar në ligj, transparencë dhe llogaridhënie, besoj se bashkë me përbërjen e re të Kuvendit do të vazhdojmë të sjellim rezultate për qytetarët,” tha ndër të tjera Lladrovci, duke shtuar se objektiv mbetet që Drenasi të bëhet “dhjetë herë kampion i qeverisjes së mirë”.
Ai theksoi se bashkëpunimi mes kuvendarëve, qytetarëve dhe institucioneve qendrore është thelbësor për realizimin e projekteve në proces dhe nismave të reja që synojnë zhvillimin e komunës.
Në fjalimin e tij, Lladrovci falënderoi edhe përbërjen paraprake të Kuvendit (2021–2025) për mbështetjen e vendimeve të rëndësishme, përfshirë shpalljen “Qytetar nderi” të disa personaliteteve. Ai shprehu shpresën që gjatë vitit të ardhshëm, ky titull t’u jepet edhe figurave të njohura të luftës dhe paqes.
Seanca inauguruese shënon fillimin zyrtar të ciklit të ri qeverisës në Drenas, me synimin për të avancuar projektet aktuale dhe për të zhvilluar iniciativa të reja në shërbim të komunitetit. /Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka njoftuar se është zgjidhur përfundimisht situata e krijuar prej ditësh në Arllat, ku një kamion i KRM “Pastrimi” kishte mbetur i bllokuar në një gropë pranë shkollës së fshatit.
Sipas njoftimit, pas përpjekjeve të vazhdueshme dhe punës intensive të ekipit të KRM “Pastrimi”, kamioni është nxjerrë me sukses pa ndihmë të jashtme. Punëtorët e ndërmarrjes janë vlerësuar për durimin, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit.
Komuna bëri të ditur se ekipet e saj kanë qenë në terren gjatë gjithë kohës dhe kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë e disponueshme për të menaxhuar situatën.
Ndërkohë, pavarësisht kërkesave të bëra drejt Qendrës së Emergjencave, FSK-së dhe KFOR-it, nuk ka pasur ndërhyrje fizike në vendngjarje, megjithëse komunikimi ka qenë i rregullt.
Pas zgjidhjes së problemit, zona pranë shkollës është liruar tërësisht dhe qarkullimi është rikthyer në normalitet. Komuna ka falënderuar qytetarët për durimin dhe mirëkuptimin gjatë ditëve të bllokimit. /Telegrafi/
Në Sallën e Kulturës në Drenas, janë nënshkruar kontratat për ndarjen e 200 bursave komunale për studentët përfitues për vitin akademik 2025/2026. Bursat financohen nga buxheti i Komunës së Drenasit dhe synojnë të mbështesin studentët në përballimin e shpenzimeve gjatë studimeve.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, i cili uroi studentët dhe nënshkroi zyrtarisht kontratat. Ai tha se ndihet krenar për numrin e madh të të rinjve që vazhdojnë shkollimin dhe tregojnë përkushtim në zhvillimin e tyre profesional.
“Rritja e të rinjve në fushën e arsimit është arritje jo vetëm personale, por edhe e familjeve dhe e komunës sonë. Përkushtimi juaj është motivi ynë që çdo vit të zgjerojmë mbështetjen për studentët”, deklaroi Lladrovci.
Ai përgëzoi të gjithë përfituesit që kanë plotësuar kriteret e përcaktuara nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe theksoi se Komuna e Drenasit do të vazhdojë mbështetjen për studentët edhe në vitet e ardhshme.
“Kemi rritur numrin e bursave sipas mundësive buxhetore dhe do të vazhdojmë këtë traditë që t’ua lehtësojmë barrën studentëve dhe familjeve të tyre në rrugën e studimeve”, shtoi Lladrovci.
Me këtë iniciativë, Komuna e Drenasit riafirmon angazhimin e saj për investim në arsim, përkrahjen e të rinjve dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për komunitetin. /Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët se reshjet e vazhdueshme, të paralajmëruara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, po paraqesin rrezik për vërshime në disa zona të komunës.
Si pasojë, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave ka aktivizuar të gjitha kapacitetet emergjente, ndërsa ekipet komunale janë në terren duke monitoruar gjendjen dhe duke ndërmarrë masa të menjëhershme për mbrojtjen e banorëve dhe tokave bujqësore.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të lëvizin me kujdes, të shmangin zonat pranë lumenjve dhe përroskave, të mos hedhin mbetje në kanalet e ujërave dhe të kujdesen për kanalizimet, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, qytetarët janë paralajmëruar të mos hapin kapakët e pusetave, pasi kjo mund të shkaktojë bllokime dhe dëme shtesë.
Çdo situatë urgjente, sipas komunës, duhet të raportohet menjëherë tek organet kompetente.
Ndërkohë, për shkak të punimeve për pastrimin e mbetjeve pranë urës, rruga “Sokol Elshani” është mbyllur përkohësisht dhe do të qëndrojë e tillë deri në përfundimin e ndërhyrjeve.
Komuna ka bërë të ditur se ekipet mbeten në gatishmëri për çdo rast emergjent që mund të paraqitet. /Telegrafi/
Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e Komunës së Drenasit, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), do të organizojë aktivitete sensibilizuese dhe edukative me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Diabetit.
Më 13 dhe 14 nëntor 2025, në sallën e QKMF-së në Drenas, do të mbahen ligjërata profesionale për infermierët, me qëllim të përmirësimit të njohurive mbi parandalimin dhe menaxhimin e diabetit, përcjell Telegrafi.
Ndërsa, më 14 nëntor 2025, në sheshin “Xhevë dhe Fehmi Lladrovci”, nga ora 12:00 deri në 13:30, do të zhvillohet një aktivitet publik sensibilizues për qytetarët, ku do të ketë: Matje falas të sheqerit në gjak, Këshillime mbi parandalimin dhe kujdesin ndaj diabetit, Shpërndarje të materialeve informuese
Autoritetet komunale ftojnë të gjithë qytetarët dhe profesionistët shëndetësorë të marrin pjesë në këto aktivitete, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e kontrollit dhe trajtimit të diabetit. /Telegrafi/
Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Drenasit ka ndërmarrë një inspektim në një market në fshatin Kishnarekë, ku janë gjetur produkte me afat të skaduar të vendosura në raftet e shitjes.
Produktet e sekuestruara do të asgjësohen sipas procedurave ligjore, ndërsa pronarit të marketit i është shqiptuar gjobë mandatore prej 500 eurosh dhe është vendosur masa e mbylljes së përkohshme të lokalit, përcjell Telegrafi.
Drejtoria e Inspeksionit apelon tek të gjitha subjektet tregtare në komunë që të respektojnë ligjet dhe standardet për sigurinë ushqimore, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
Komuna e Drenasit paralajmëron vazhdimin e kontrolleve të rregullta dhe të papritura në të gjithë territorin, për të garantuar ofrimin e produkteve cilësore dhe të sigurta për qytetarët. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur shqetësimin dhe solidaritetin e tij me punëtorët e kompanisë “Ferronikeli”, pas vendimit të menaxhmentit për largimin e qindra punonjësve si pasojë e ndërprerjes së prodhimit.
Në reagimin e tij, Lladrovci thekson se komuna është në dijeni për vështirësitë e shfaqura në kompleksin industrial “Ferronikeli” dhe për faktin që prodhimi është ndalur që nga tetori i vitit 2023, duke shtuar se kompania është detyruar të ndërmarrë këtë hap në përputhje me Ligjin e Punës, përcjell Telegrafi.
“Në emër të Komunës së Drenasit, shpreh keqardhje për situatën e krijuar dhe solidaritet të plotë me të gjithë punëtorët e prekur nga ky vendim. Uroj që kushtet e tregut të përmirësohen sa më parë, në mënyrë që të mundësohet rifillimi i prodhimit dhe ripunësimi i punëtorëve të larguar”, ka deklaruar Lladrovci.
Ai ka kujtuar se “Ferronikeli” ndër vite ka qenë një ndër kontribuuesit kryesorë të ekonomisë kosovare, veçanërisht në rritjen e eksportit të vendit, dhe ka shprehur shpresën që gjiganti industrial të rifitojë vitalitetin e tij.
“Shpresojmë që ‘Ferronikeli’ të rikthehet sa më shpejt në punë dhe të vazhdojë të mbetet një shtyllë e fortë e zhvillimit ekonomik të Drenasit dhe Kosovës”, ka shtuar Lladrovci. /Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët se, sipas informatave të pranuara nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, aktualisht po haset në reduktime të furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona të komunës.
Shkak për këtë situatë është turbullira e krijuar në kanalin e “Ibër Lepencit” pas punimeve teknike, e cila ka ndikuar në procesin e trajtimit dhe shpërndarjes së ujit, përcjell Telegrafi.
Nga komuna është bërë e ditur se reduktimet do të zgjasin derisa të stabilizohet niveli i turbullirës dhe të rikthehet normaliteti në sistemin e furnizimit.
Komuna ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke bërë të ditur se do t’i mbajë ata të informuar për çdo zhvillim të ri në lidhje me situatën. /Telegrafi/
Edhe pse Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka shpallur hapjen e sezonit të gjuetisë në nivel vendi, Komuna e Drenasit nuk është përfshirë në listën e vendgjuetive të aprovuara për këtë vit.
Sipas njoftimit të komunës, kjo situatë lidhet me një proces gjyqësor që është ende në zhvillim ndërmjet Komunës së Drenasit dhe Ministrisë së Bujqësisë, ku komuna është palë paditëse, përcjell Telegrafi.
“Gjykata e shkallës së parë ka aprovuar kërkesëpadinë e Komunës së Drenasit, mirëpo për shkak se çështja aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit, ankesa e paraqitur pengon që aktgjykimi të marrë formën e prerë”, thuhet në njoftim.
Për pasojë, Ministria ka marrë vendim që zona e Drenasit të mos përfshihet përkohësisht në vendgjuetiet e hapura.
Komuna ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe të shoqatave të gjuetarëve, duke apeluar për respektim të vendimit në fuqi deri në përfundimin e procedurave gjyqësore. /Telegrafi/
Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë e Komunës së Drenasit ka filluar punimet për rregullimin e parkingut për autobusët dhe kombibusët që transportojnë nxënësit e Shkollës Fillore "Xheladin Gashi-Plaku".
Ky projekt synon të krijojë kushte më të sigurta për hipjen dhe zbritjen e nxënësve nga mjetet e transportit dhe të përmirësojë organizimin e qarkullimit në hapësirën përreth shkollës.
Sipas komunës, përmes këtij rregullimi pritet të rritet siguria, efikasiteti dhe komoditeti i transportit shkollor, duke kontribuar gjithashtu në përmirësimin e infrastrukturës publike në Drenas. /Telegrafi/
Në kuadër të angazhimit për mjedis të pastër dhe në shërbim të qytetarëve, ekipet e KRM “Pastrimi” kanë ndërhyrë sërish për pastrimin e plotë të nënkalimit në Komoran, hapësirë e cila ishte shndërruar në vatër mbeturinash dhe kishte krijuar shqetësim për banorët e zonës.
Edhe pse mirëmbajtja e këtij nënkalimi është përgjegjësi e Departamentit të Rrugëve në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, ndërhyrja është realizuar nga KRM “Pastrimi” me qëllim ruajtjen e pastërtisë publike dhe mirëqenies së qytetarëve, përcjell Telegrafi.
Nga kompania theksohet se kjo nuk është hera e parë që ndërhyhet në këtë lokacion, pavarësisht se nuk është nën përgjegjësinë e saj të drejtpërdrejtë, duke dëshmuar përkushtimin për të reaguar në çdo rast ku paraqitet nevoja.
Ky veprim, sipas komunës, reflekton angazhimin e vazhdueshëm për mbrojtjen e mjedisit dhe kujdesin ndaj hapësirave publike, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët. /Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët dhe shoqatat e gjuetarëve se, megjithëse sezoni i gjuetisë është shpallur i hapur në nivel vendi, territori i kësaj komune aktualisht nuk i plotëson kriteret ligjore për organizimin e gjuetisë, përcjell Telegrafi.
Sipas vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në Komunën e Drenasit ndalohet çdo aktivitet apo organizim që lidhet me gjuetinë, deri në një njoftim të ri nga Ministria përkatëse.
Komuna ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët, shoqatat e gjuetarëve dhe palët e interesuara të respektojnë këtë vendim dhe të kontribuojnë në zbatimin e tij, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, thotë se komuna që ai udhëheq është shpallur për herë të shtatë kampion i performancës.
Lladrovci përmes një reagimi në Facebook, ka uruar qytetarët për këtë raport, transmeton Telegrafi.
"Fitore pas fitores, ashtu siç e kemi deklaruar, sot është publikuar lajmi në Ministri se jemi në vendin e parë në garën për grantin e performancës. Urime qytetarë të Drenasit, urime qytetarë kampionë! Sot, zyrtarisht morëm raportin e Performancës Komunale, rezultat që Komunën e Drenasit e rendit në vend të parë në Kosovë, me 83.13 pikë. Edhe këtë vit, Drenasi është kampion", ka shkruar ai në Facebook.
Tutje, ai ka shtuar "Respekt dhe faleminderit ekipit komunal të ngarkuar me grantin e performancës dhe qytetarët tanë për angazhimin e përbashkët dhe kontributin në këtë sukses".
Megjithëse rezultatet kanë qenë të ditura para zgjedhjeve, MAPL sot e bëri të ditur numrin e pikëve, pa e bërë renditjen sipas vendeve të komunave konkurruese, nëpërmjet njoftimit publik. Falënderojmë Zyrën e BE-së në Kosovë, Ambasadën e Suedisë, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, MAPL-në, si dhe donatorët e partnerët tjerë vendorë e ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme"./Telegrafi/
Drejtoria për Arsim e Komunës së Drenasit ka shpallur konkursin për ndarjen e 200 bursave komunale për studentët e rregullt të nivelit Bachelor për vitin akademik 2025/2026.
Bursat në vlerë prej 500 euro secila do të ndahen për studentët e Komunës së Drenasit që studiojnë në universitetet publike të Kosovës, në të gjitha drejtimet e studimit. Numri i bursave mund të rritet në varësi të buxhetit të komunës dhe donatorëve, përcjell Telegrafi.
Të drejtë aplikimi kanë:
Studentët banorë të Komunës së Drenasit;
Studentët e rregullt në universitetet publike të Kosovës (nga viti I deri në vitin VI);
Studentët që nuk kanë përsëritur vitin akademik.
Përzgjedhja e përfituesve bëhet në bazë të pikëve, ku merren parasysh nota mesatare dhe kategori të veçanta si: statusi social, gjendja ekonomike, drejtimet deficitare, dhe kriteret familjare apo shëndetësore.
Aplikacionet dorëzohen nga data 14 tetor deri më 28 tetor 2025, në objektin e Komunës së Drenasit, Rr. “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci” Nr. 2, kati i parë, Zyra me Shërbime me Qytetarë, sportelet 10, 11 dhe 12, çdo ditë pune nga ora 08:00 – 16:00.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka reaguar ndaj deklaratave të Komunës së Drenasit, e cila ditë më parë akuzoi ndërmarrjen për neglizhencë dhe mungesë të informimit lidhur me ndërprerjet e furnizimit me ujë në disa fshatra të komunës.
Në reagim, KRU “Prishtina” i cilëson akuzat si të pavërteta dhe tendencioze, duke theksuar se zyrtarja për informim ndodhet në vendin e punës dhe jo, siç është pretenduar, në Shqipëri, përcjell Telegrafi.
“Pretendimet se ndodhemi në Shqipëri janë tendencë e paskrupullt. Zyrtarja për informim ndodhet në zyrën e saj nr. 26 në objektin e KRU ‘Prishtina’,” thuhet në reagim.
Më tej, kompania paralajmëron padi ndaj përfaqësuesve të Komunës së Drenasit për, siç u tha, shpifje dhe keqinformim të qytetarëve, duke argumentuar se kjo dëmton imazhin e ndërmarrjes.
Sa i përket rasteve të publikuara në rrjetet sociale, KRU “Prishtina” thekson se bëhet fjalë për raste të raportuara nga qytetarët, për të cilat ekipi i saj ka ndërhyrë. /Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka reaguar ndaj ndërprerjeve të vazhdueshme të furnizimit me ujë në disa fshatra të kësaj komune, duke akuzuar kompaninë KRU “Prishtina” – dega në Drenas, për sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese ndaj qytetarëve, përcjell Telegrafi.
Në njoftimin e komunës thuhet se tash e pesë ditë me radhë janë kërkuar sqarime nga kompania, mirëpo përgjigjet kanë qenë të përsëritura dhe të pasakta, duke u arsyetuar me prishje teknike që “do të sanoheshin brenda ditës”, gjë që sipas komunës nuk ka ndodhur.
“Është e qartë se qytetari po bëhet viktimë e një sjelljeje të papërgjegjshme dhe të qëllimshme, e cila synon të dëmtojë interesin publik dhe imazhin e qeverisjes lokale, sidomos në kohë fushate”, thuhet në reagim.
Komuna ka theksuar gjithashtu se kërkesa për një njoftim zyrtar nga KRU “Prishtina” është hasur me përgjigje ironike, duke u thënë se “zyrtarët e informimit ndodhen aktualisht në Shqipëri”. Ndërkohë, kompania ka vazhduar të publikojë rregullisht njoftime për komunat e tjera, por jo për Drenasin.
“Ky standard i dyfishtë dhe qasja diskriminuese ndaj qytetarëve tanë është i papranueshëm”, thekson Komuna e Drenasit, duke paralajmëruar se do të shqyrtojë të gjitha hapat ligjorë dhe institucionalë për t’iu garantuar qytetarëve të drejtën elementare për furnizim me ujë.
“Qytetari i Drenasit nuk është qytetar i dorës së dytë dhe kjo komunë do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të interesit të tij”, përfundon reagimi. /Telegrafi/